Më 9 mars të vitit 1994 vdiq Henry Charles Bukowski, një nga shkrimtarët më të njohur botëror, i cili pas vetes la shumë poezi, tregime e romane, shkruan KultPlus.
Sot, për nder të figurës së shquar të këtij shkrimtari i cili vdiq nga leukemia, KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.
-Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin”.
-Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
-Mua më pëlqejnë personat e hutuar, ata që sapo i përqafon duken të plotë, ndërkohë që më parë të dukeshin të thyer në mijëra copëza.
-Unë nuk kam nevojë për dikë që të më përsërisë vazhdimisht se do të jetë aty, se nuk do të më lëshojë, apo se nuk do të më tradhtojë kurrë. Më mjafton dikush që në të gjitha rastet që të më dërgojë në djall, sërish të rikthehet tek unë.
-Shpreheni atë që ndjeni. Mos kini frikë nga pasojat, sepse koha nuk fal askënd. Dashuroni, urreni, shpreheni çdo emocion të fortë që po përjetoni. Njerëzit janë spektakli më i bukur në botë, dhe për të cilin nuk paguhet ndonjë biletë.
-Një nga ndjesitë më të bukura në botë është kur përqafon dikë dhe ai person të shtrëngon akoma më fort.
-Mund të them se dashuria është si alkooli. E provon një herë, të trullos kokën, por sërish do një gotë tjetër, një tjetër, e kështu me radhë. Të bën të ndihesh keq, aq keq sa nuk do ta provosh më. Por, më vonë, që me gotën e parë do të tundohesh dhe nuk do të thuash dot JO.
-Asnjë marrëdhënie nuk është një humbje kohe : nëse personi tjetër nuk të ka dhënë atë që kërkoje, dije se të ka mësuar gjënë për të cilën kishe vërtet nevojë.
-Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
-Gjej atë çfarë e dëshiron dhe më pas leje që të të vras./ KultPlus.com
Faruk Begolli, ikona e kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, njihet për rolet e tij të shumta që lanë gjurmë të mëdha në botën e filmit shqiptar e jugosvllas, shkruan KultPlus.
‘Dashuria e bjeshkëve të nemuna’ trajton fatin e trishtë të dy gjeneratave, që bie mbi protagonistët si pasojë e një mendësie të prapambetur patriarkate.
Mala një fatkeq në dashuri që e shpie edhe deri te kryerja e një akti kriminal, ikën për në Amerikë për të kthyer pas një kohë shumë të gjatë, tashmë edhe si prind i një vajze të rritur. Uka i cili është edhe i biri i Malës, fillon e takohet me vajzën e këtij të fundit pa qenë në dijeni se po takohet me motrën e tij nga babai dhe kur kjo kuptohet, bëhet shumë vonë pasiqë Uka vdes në mënyrë tragjike.
Filmi i cili është realizuar nën regjinë e Ekrem Kryeziut, vazhdon të mbetet nga filmat më të preferuar e më të njohur të Faruk Begollit. Pasiqë në film gërshetohen e trajtohen shumë probleme sociale si e mira përballë të keqes, dashuria përball fatit tragjik, falja e gjaqeve në Kosovë etj.
Në film luajnë aktorët Donat Qosja, Diellza Kolgeci, Adhurim Demi etj.
Faruk Begolli është i radhitur në mesin e 100 personaliteve më të shquara të artit në Serbi.
Për pothuajse 10 vjet ka qenë drejtor në teatrin ‘Dodona’, ku ka bërë regjinë e më shumë se 20 shfaqjeve. Ka qenë themelues i degës së aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1989, duke u bërë edhe një ndër profesorët më me ndikim të Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com
Në mbrëmjen e të shtunës, në Lozanë janë bërë bashkë tri shoqata kulturore artistike: ILIRËT, SHKA-Kosova dhe SHKA-Rapsodët e Gjenevës në aktivitetin e fundit kulturor për këtë vit, kushtuar 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Aktiviteti kulturor ishte organizuar gjithashtu edhe për nder të festës së 7 dhe 8 marsit dhe për nder të 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Kjo mbrëmje kulturore është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës, me ç`rast të pranishme ishin edhe dy zyrtaret e kësaj ministrie nga Prishtina: Shyhrete Kastrati nga Departamenti i Qendrave Kulturore dhe Shqipe Krasniqi nga Departamenti për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve të Diasporës.
Në këtë mbëmje të Lozanës ka perfomuar dhe Art Bend. Albin /KultPlus.com
Erza Muqoli mahniti të gjithë me zërin e saj unik kur mori pjesë në audicionet e “La France a un incroyable talent” (version francez i talentëve të muzikës), në vitin 2014.
Vajza me prejardhje nga Kosova që nga ajo kohë u kthye në një emër të njohur dhe mjaft të dashur për publikun francez dhe më gjerë.
14-vjeçarja, e cila shquhet për vokalin e saj dhe talentin në muzikë, tashmë është një emër i respektuar në Francë, madje ajo së fundi është bërë pjesë e audicioneve të “The Voice Kids” në Belgjikë, për të asistuar si trajnere për talentet e rinj të muzikës. Albinfo / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ishte e pranishme në takimin e organizuar me iniciativën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nën organizimin e Agjencisë për Barazi Gjinore, për shënimin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të grave.
Në fjalën e saj, Ministrja Dumoshi tha se debati për të drejtat e grave është debat që duhet të bëhet jo vetëm për 8 mars. Jemi zotuar që papunësia tek gratë të jetë një prej problemeve që do të trajtojmë me programin qeverisës andaj angazhimi drejt barazisë do të jetë preokupim i përditshëm për secilin vendim që marrim.
Ajo u zotua se do të shtyjë përpara agjendën për promovimin e të drejtat e grave si Ministre, në të gjitha dikasteret që drejton dhe siguroi të gjitha organizatat dhe iniciativat që kanë për vizion mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave se do ta kenë përkrahjen e Ministrisë që ajo drejton.
Shënimi i kësaj dite u bë përmes lansimit të Amandamentimit të Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ku me ç’rast u prezantua edhe draftit final i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore. / KultPlus.com
M’quejnë Arjola Zadrima U linda bijë kjeshë grueja e një burri. Jam nana e bijve të mi. Jam GRUEJA që asht ngritë në kambë mbas çdo rrëzimi, jam kështjella e unit, jam unike, njeriu ma i bukur që njoh.
Jam mike e grave të dhunueme, jehona e atyne që s’jetojnë ma. Jam mishi i mavijosun i grave zani i mrendshëm rebelimi i mendimeve.
Jam një prej atyne që len gjurmë në kohë në shpirt në plagë.
Jam grueja jote, jam e dashtuna jote, jam e mrekullueshmja jote jam dielli jot, jam fryma jote, jam brinja jote, jam zemra, jam edhe zani jot Burrë.
Ndaj kur më pytni si quhem unë jam çdo gru që njoh Grueja! / KultPlus.com
Gratë Shqiptare në Amerikë, në shtetin e Chicagos kanë organizuar një organizim bamirësie për t’i ndihmuar fëmijët me autrizëm në Kosovë, shkruan KultPlus.com
Ish-Ambasadorja në ShBA, Vlora Citaku, ka bërë të ditur këtë lajm si dhe ka falënderuar të gjitha ata që kontribuan në këtë organizim.
“Mbi 500 gra u mblodhën dje në Chicago në një ndenjë bamirësie me qëllim të mbledhjes së fondeve për të ndihmuar fëmijët me autizëm në Kosovë!
Falenderoj shkollën shqipe në Chicago “Kongresi i Manastirit”, mësuesen Qëndresa, dhe të gjitha gratë pjesëmarrëse që edhe mbrëmë dëshmuan zemërgjërësinë e tyre”, ka shkruar Citaku në Facebook.
Komiteti i Brendshëm i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka mbajtur një takim para orës 14:00, ku është diskutuar marrja e disa masave shtesë për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së koronavirusit.
Në këtë komitet kanë marrë pjesë nga Forca e Sigurisë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Policisë së Kosovës dhe Aeroportit.
Aktualisht mbledhje po mban Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me koronavirus.
Aty po shqyrtohet mundësia e mbylljes së shkollave, për shkak të dy rasteve pozitive me koronavirus në Shqipëri.
Në Kosovë vërehet një angazhim i shtuar i institucioneve.
Tani vërehet një fluks i shtuar i bashkatdhetarëve drejt vendit tonë nga vendet që janë prekur me koronavirus.
Ata theksuan se askund nuk janë kontrolluar përveç se në Kosovë edhe Shqipëri. Klan Kosova / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, nënshkroi sot memorandumin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emër të të cilit e nënshkroi rektori i këtij universiteti, Marjan Dema.
Ky Memorandum i bashkëpunimit ka për qëllim të mbështesë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në organizimin e “Javës së Universitetit”, dhe Manifestimin qendror për 50 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e nderuar që Ministria që ajo drejton ka mundësinë të mbështesë Universitetin e Prishtinës në këtë vit jubilar e të rëndësishëm për dijen dhe kulturën.
“Universiteti i Prishtinës përpos që është vatër e dijes dhe e konsolidimit kombëtar të Kosovës, ka luajtur rolin e patjetërsueshëm historik të shtetbërjes dhe në këtë gjysëmshekull jetë të tij, institucioni kryesor në fushën e arsimit duhet të përkrahet në maksimum sepse kësisoj avancohet, dija, shkenca, kultura dhe çdo fushë tjetër në Republikën e Kosovës”, ka vlerësuar ministrja.
Rektori Demaj, në anën tjetër e falënderoi Ministren Dumoshi e cila prej marrjes së mandatit ka shprehur vullnetin e gatishmërinë të jetë bashkëpunëtore për avancimin e dijes e arsimimit, përmes Universitetit të Prishtinës, kështu duke i kontribuar gjeneratave te reja që po shkollohen e edukohen në Prishtinë. / KultPlus.com
Organizata kulturore Anibar njofton për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të kinema “Jusuf Gërvalla”, respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar për intensifikimin e bashkëpunimeve kulturore me botën e jashtme dhe ofrimin e sa më shumë mundësive, sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja, por gjithë Kosova.
Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar, e cila u nënshkrua sot. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, Arba Hatashi. Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa Arba Hatashi, përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra, të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit.
Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. Qendra Frankofone në Pejë do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër, ndër tjera, do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete të tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës. Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme.
Hapësira e Qendrës Frankofone është po ajo që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit, e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com
Aktori Max Von Sydow, që ka pasur rol në më shumë se 100 filma dhe seriale televizive, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.
Familja e tij ka bërë të ditur “me zemër të thyer dhe pikëllim të pafund”, se aktori ka vdekur të dielen.
Von Sydow është i njohur për rolet në filmat “The Exorcist”, “Hannah and Her Sisters”, “Minority Report” dhe “Shutter Island”.
Ai ka bashkëpunuar me Ingmar Bergmanin në njëmbëdhjetë filma, raporton BBC, transmeton Koha.net.
Von Sydow ka vazhduar me aktrimin deri në moshë të shtyer, duke qenë zëri i një personazhi në “The Simpsons” më 2014 dhe duke pasur rol në tri episode të “Game of Thrones” më 2016. / KultPlus.com
Mbi 7 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit në monumente. Këtë shifër e ka dhënë ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Sipas saj, shifrat mund të lëvizin gjatë punës që do të bëhet ditëve në vazhdim.
“Kemi një kosto që u llogarit 7 milionë euro. Por tash janë duke u shtuar edhe kosto të tjera. Është një kosto e lartë, por dinamike. Mund të shtohet edhe më tepër. Për rastin e Krujës po vazhdon studimi gjeologjik”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëmet që ka shkaktuar tërmeti në monumente kulturore mund të kenë edhe pasoja të tjera pos atyre financiare. Ka thënë se dëmet krijojnë ndjesi jo të mirë, panik e po ashtu mund të shkaktojnë ulje të fluksit të vizitorëve.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ndarë 800 mijë dollarë për punimet që do të bëhen në Kalanë e Krujës.
Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të nëntorit që kishte rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.
Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat.
Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin, Anastasi, në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.
Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.
Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt. /atsh / KultPlus.com
Qeveria në Shqipëri është mbledhur të hënën në një mbledhje të jashtëzakonshme, pasi që u konfirmuan dy rastet e para tek në këtë vend.
Kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë kësaj mbledhjeje se në kuadër të masave është marrë vendimi që shkollat të mbyllen për dy javë, raporton tch.
“Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill. Mbyllja e arsimit në të gjithë vendin. Është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë mbylljen e të gjtha aktivieteteve, dëgjesa publike, deri më 3 prill”, ka thënë Rama.
Vendimin për shkollat e ka bërë të ditur edhe ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini. Përmes “Facebook”-ut ajo ka thënë se institucionet arsimore mbesin të mbyllura deri më 23 mars.
“Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik”, ka thënë ajo, duke shtuar se Shqipëria është vetëm duke treguar kujdes, që të zvogëlojë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.
“Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore”, ka thënë ajo.
Gjatë mbledhjes ndërkaq, Rama ka kërkuar të ruhet qetësia.
“Kemi përgatitur edhe hyrjen në skenarin e parë, që ishte parapërgatitur nga ekspertët. Receta e më e gabuar ajo që buron nga paniku, ilaçi më efektiv janë arsyeja dhe qetësia. Duhet të informoheni nga burimet zyrtare dhe të zbatohen rreptësisht masat për higjienën vetiake”, ka vazhduar ai. Rama po ashtu ka thënë se gjatë kësaj kohe ka pasur shenja shqetësuese të motivuara nga paniku, përmes burimesh të pacertifikuara për informim.
Ai ndërkaq ka thënë se “mbyllja e kufijve është masë drastike dhe nuk përdoret gjerësisht”. / atsh / KultPlus.com
Nga 12 marsi, në Cineplexx do të fillojnë të shfaqen 2 premiera të ndryshme botërore, si dhe një film i ri vendor.
Nga data 12 mars, në Cineplexx do të keni mundësi t’i shihni disa nga premierat më të fundit botërore. Filmi më i pritur i kësaj jave është super-aksioni Bloodshot, i cili fillon shfaqjen këtë fundjavë edhe në Amerikë. Tre filmat që do të fillojnë të shfaqen këtë javë janë:
Kur një ushtar vritet, ai rikthehet në jetë i rianimuar me fuqi. Ky film vjen me aktorin e njohur Vin Diesel, nën regjinë e Dave Wilson.
Cirku Fluturues Cirku Fluturues është një film vendor me regji dhe skenar të Fatos Berisha, i cili flet për një grup shokësh, të cilët tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit. Por misioni i tyre i vërtetë, është që ta gjejnë dhe takojnë idolin e tyre, Michael Palin.
Ask Tesadufleri Sever 2 Një dashuri e paharrueshme që i tejkalon të gjitha pengesat. Ky njëherish është filmi i dytë nga kinematografia turke që shfaqet në Cineplexx.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të përfitojnë nga ofertat e ndryshme, Cineplexx në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosova sjell një super ofertë për biletat që blihen në Cineplexx. Për çdo biletë që paguani me Gold dhe Bonus Cards, ju mund ta merrni 1 tjetër FALAS. Biletat për këta filma mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx. Më shumë informata rreth filmave mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx. (lidheni me kete link: https://www.cineplexx-ks.eu)
Saranda Bogujevci, nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka thënë se Kosova është shembull për legjislacion, por se sipas saj, ai duhet të funksionalizohet.
Bogujevci ka shtuar se dalja publike e Vasfijes ka vënë në pah mospërkrahjen e institucioneve.
Ajo tutje ka propozuar që 14 prilli, data kur është dhunuar Vasfije Krasniqi-Goodman, të jetë datë që kujtohen viktimat e dhunës seksuale, raporton Koha.
“Sot në Kuvend po flasim për dhunimet që janë bërë nga forcat serbe. Është e vërtetë që jemi shembull për ligjin që e kemi në fuqi, por kemi ende punë për ta përkrahur komisionin që të kryej punën siç duhet. Dalja publike e Vasfijes përveç që ishte shumë e guximshme, ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Doli në pah mospërkrahja e institucioneve e shoqërisë. Çështja e drejtësisë është kyçe për të mbijetuarit. Njohja e vuajtjeve të tyre është drejtësia. Kam një kërkesë, që data 14 prill, data kur është përdhunuar Vasfija, të jetë datë që i kujtojmë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Propozimi ynë është që kjo datë të shtohet dhe të vihet në Kuvend për tu diskutuar”, ka thënë ajo. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar deputetëve, gjatë seancës për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Kanë kaluar
22 vjet. Sot jemi këtu në Kuvendin e Republikës, për të folur për një çështje
që është sa e dhimbshme, po aq tragjike”, ka thënë ai.
“22 vjet
kanë kaluar, por plagët i kemi ende të hapura. Ne nuk mundemi as ta imagjinojmë
dhimbjen dhe tmerrin që kanë përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka
shtuar kryeministri Kurti.
Ai e ka
theksuar domosdoshmërinë që kriminelët e luftës të dënohen, raporton Koha.
“Heshtja dhe
mosveprimi e mbrojnë krimin dhe ekzekutuesin e krimit. Gjykatat dhe
prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal”.
Ai e ka bërë
të ditur se qeveria është e gatshme ta plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për
rritjen e kapaciteteve.
“Jemi të vetëdijshëm për ndarjen e pushteteve. Ju bëj thirrje personave të dhunuar që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Përdhunimet gjatë luftës janë krimet ma të tmerrshme qe kanë ndodhur, por asnjëherë nuk janë diskutuar me Serbinë. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund te kemi qetësi”, ka thënë ai. / KultPlus.com
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi-Goodman, është përlotur në fjalimin që po mban para Parlamentin e Kosovës. Krasniqi shpërtheu në lot teksa po fliste se shumë gra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, përballen me mospërkrahje familjare, e ofendime.
Ajo
gjithashtu tha që duhet pasur kujdes së si flitet edhe në foltoren e Kuvendit
sepse shpesh këto gra janë ofenduar nga aty.
“Por ndjehem
shumë keq kur e di që familjarë nuk i mbrojnë e nuk i përkrahin, ju thonë fjalë
që unë këtu nuk mund t’i përmendi ato fjalë se me çka ballafaqohen ato. Edhe pse
prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë”,
tha Krasniqi teksa shpërtheu në lot.
Shoqëria jonë na stigmatizon, na bënë të ndihemi vajza jo të mira, motra jo të mira, gra e nana jo të mira. Po ku ishit ju para 21 viteve, a ishit nëpër tavana ku ju dhunua gruaja në dhomë. Ku e morët guximin që me e lanë atë grua me fëmijë, me braktisë. Ku ishin ata djem që e lanë nanën. Ku ishit ju ku u dhunua vajza 7 vjeçare. E tash çka po bëni për me na lehtësu jetën. Duhet me i ardh turp gjithë shoqërisë kosovare. Na po duam veç drejtësi, mbrojtje e mbështetje sepse ajo që na ka ndodhë neve ka qenë krim i luftës e ju nuk ishit aty për të na mbrojtur”, tha ndër të tjera Vasfija në seancën e sotme.
Krejt për fund ajo kërkoi nga Qeveria e Kosovës që rastet e luftës të merren me seriozitet, duke premtuar që do të luftoj që gratë të tjera të gjejnë drejtësi në këtë rrugëtim. / KultPlus.com
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur sot në seancën e veçantë, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“E
vlerësojmë faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për përdhunim
gjatë luftës. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës këto raste po mbahen të
heshtura dhe jashtë diskursit publik”, ka thënë Osmani.
Tutje,
Osmani ka thënë se kjo seancë është vendosur që t’i kushtohet viktimave të
mbijetuara të dhunës seksuale që të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes.
“Ne kemi
vendosur që seancën që do të shënonim ditën e gruas të ja kushtojmë të
mbijetuarve të dhunës seksuale, që të ndikojmë sado pak në ngritjen e
vetëdijes. Ne sot i kujtojmë të gjitha viktimat e luftës së fundit, ne duam të
prekim ndërgjegjen tonë dhe të ju bëjmë thirrje të gjitha të mbijetuarve që ta
ngrijnë zërin e tyre.
Thirrje për të gjitha të mbijetuarve që historinë e tyre të ja besojnë komisionit. E dimë që nuk është e lehtë të përballemi me paragjykime, por, rrëfimi i krimit është më i fuqishëm se stigma”, ka thënë ajo./KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas lajmit se në Shqipëri janë konfirmuar dy persona me koronavirus.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se duhet të merren masa lidhur me parandalimin e këtij virusi, derisa ka shtuar se duhet të konsiderohen ndalimi i tubimeve publike dhe pushimet në shkolla.
“Edhe njëherë – marr parasysh përhapjen e virusit rreth nesh dhe zhvillimet në vendet e prekura, ne kemi mundësinë që këto masa ti marrim tani. Ndalimi i tubimeve publike e deri te pushimet në shkolla duhet të konsiderohen shpejtë. Pa panik, vetëm hapësirë më e madhe për parandalim”, ka shkruar ai.
Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Dua Lipa, do të jetë mysafire muzikore në edicionin e ardhshëm të emisionit “Saturday Night Live”.
Lajmin e ka bërë të ditur bukuroshja Lipa përmes një postimi në Instagram, ku tregon se do të jetë pjesë e emisionit komik shumë të ndjekur në Amerikës, me datën 28 mars.
Krahas këngëtares e cila do të performojë live në këtë skenë, emisioni atë ditë do të prezantohet nga aktori dhe regjisori i njohur, John Krasinski.
Interpretimet e artistëve në “SNL” janë shumë të mirëpritura nga publiku mbarëbotëror, dhe vetëm artistët e arritur tashmë, ftohen për të performuar në këtë skenë. Ndër yjet të cilët kanë qenë mysafir muzikor të emisionit janë: Pink, Cardi B, Miley Cyrus, Billie Eilish, Justin Bieber, The Weeknd dhe të tjerë. / KultPlus.com
Një piramidë egjiptiane 4,700-vjeçare është shpëtuar nga shembja nga një firmë inxhinierike britanike dhe u hap për publikun për herë të parë pas gati 90 vitesh.
Piramida e Djoserit e lartë 60 metra besohet të jetë piramida e parë në Egjipt dhe ndërtesa më e vjetër në botë.
Ajo u ndërtua plotësisht nga guri nga arkitekti i lashtë egjiptian Imhotep në Saqqara në jug të Kajros, dhe besohej se ishte vendi i prehjes përfundimtare të mbretit Djoser, themeluesit të Mbretërisë së Vjetër.
Por trarët e gurit dhe blloku që mbështet strukturën janë dobësuar gjatë viteve të kaluara.
Peter James, një inxhinier nga Newport, Uells, filloi të rregullojë varrin e shkërmoqur në vitin 2011 dhe struktura tashmë është hapur përsëri për turistët.
Vizitorët tani janë në gjendje të eksplorojnë dhomën e varrimit të Mbretit Djoser për herë të parë që nga vitet ’30, kur u mbyll për shqetësimet e sigurisë.
Ndërsa varri u hap për anëtarët e shtypit dje, Z. James, Drejtor Menaxhues i Cintec, ndërmarrja nga Uellsi që riparoi piramidën, i tha The Times se punimet e ndërtimit ishin të mbushura me rrezik.
“Në të vërtetë ishte jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha ai. / Ndertimi info / KultPlus.com
Janë hapur nominimet për medaljen e artë dhe çmimet e UIA ( Bashkësia Ndërkombëtare e Artkitektëve ) të cilat jepen për njohje të arritjeve arkitekturale. Medalja e artë dhë çmimet e tjera të UIA do të jepen në ceremoninë e çmimeve e cila do të mbahet gjatë Kongresit Botëror të UIA-s në Rio de Janeiro (Brazil) i cili zhvillohet nga 19 deri më 23 korrik 2020.
Medalja e Artë e UIA-së
Krijuar në vitin 1984, Medalja e Artë e UIA-së njeh arritjet e jashtëzakonshme të një arkitekti apo grupi arkitektësh, duke i llogaritur të gjitha aspektet e një konstruksioni të ndërtuar në një periudhë të zgjatur. Ndër fituesit e kaluar janë Toyo Ito, Renzo Piano, I.M. Pei, Àlvaro Siza Vieira, Hassan Fathy dhe Rafael Moneo.
UIA poashtu shpërndan edhe çmimet e listuara më poshtë:
Çmimi i Patrick Abercrombie për planifikim urbanistic dhe dizajn,
Çmimi i Auguste Perret për teknologji në arkitekturë,
Çmimi i Jean Tschumi për shkrim arkitekturor,
Çmimi i Robert Matthwe për mjedise njerëzore dhe të qëndrueshme dhe
Çmimi i Vassilis Sgoutas për implementimin e arkitekturë për t’i shërbyer të varfërve.
Kush mund të merrë pjesë
Çdo arkitektë ose firme e arkitektëve. Arritjet e firmave apo grupeve duhet të përfaqësojnë punën ekipore të një kohe të gjatë, me të njejtit individë si liderë të grupeve, përveq çmimit të Jean Tschumi-t të nominuarit duhet të jenë arkitektë të kualifikuar ose në rastet kur të nominuarit janë grup liderët duhet të jenë arkitektë të kualifikuar.
Seksioni i pjesmarrësve të UIA dhe zyrtarët e zgjedhur të UIA mund të nominojnë kandidatë të çfarëdo nacionaliteti apo vendi ku jeton.
Seksionet e pjesëmarrësve dhe të zgjedhurit e UIA-së mund të pranojnë nominimet për medaljen e artë dhe çmimet tjera vetëm përmes formës elektronike, UIA Awards Platform. Nominimet duhet të përmbajnë:
Një CV të shkurtër të kandidatit
Një fotografi të kandidatit
Një deklaratë të grupit apo individit të nominuar e cila shpjegon arsyet e nominimit për çmimin e caktuar të UIA-së
Një përmbledhje e punës së kandidatit duke përfshirë maksimalisht dhjetë foto të punës së tij. Për çmimin e Jean Tschumi fotografitë mund të zëvendësohen më imazhe të skanuara të shkrimeve.
Afatet e fundit:
Afati i fundit për nominime: 1 Maj 2020
Mbledhja e jurisë në selinë e UIA-së në Paris: 12 Maj 2020
Kongresi në Rio i UIA-së: 19-23 Korrik 2020
Ceremonia e çmimeve: 22 korrik 2020
Juria
Kai-Uwe Bergmann (Danimarkë) Nadia Somekh (Brazil) Eva Jiricna (Republika Çeke) Weimin Zhuang (Kina) Thomas Vonier (SHBA). / Ndertimi info / KultPlus.com
Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, e cila gjatë vitit 2018 e publikoi albumin e fundit muzikor me titull “Phoenix”, i ka paralajmëruar fansat e saj përmes Instagramit që shumë shpejtë do ta lansojë këngën e re me titull, “How To Be Lonely”.
Kënga e cila është shkruar nga këngëtari Lewis Capaldi, do të jetë pjesë e albumit të ardhshëm të këngëtares. “How To Be Lonely” lansohet më 13 mars dhe besohet se do të shoqërohet edhe me videoklip.
Megjithëse, kohëve të fundit Orën e kemi parë të angazhuar më shumë në projekte tjera si, moderimi dhe promovimi i markave të ndryshme të modës me të cilat ajo bashkëpunon, “How To Be Lonely” do ta shënojë rikthimin e saj në skenën muzikore pas pothuajse një viti. Kënga e saj e fundit ishte “Ritual” të cilën e publikoi më 20 qershor të vitit të kaluar, në bashkëpunim me artistët Tiësto dhe Jonas Blue. / KultPlus.com
E di që sot është në modë ndalimi apo përqeshja e fjalës “femër” dhe kjo nuk bëhet me qëllim të keq por më shumë nga mosnjohja semantike dhe etimologjike e shumë fjalëve me origjinë sidomos greke e latine të cilat gjatë shekujve kanë shetitur nga gjuha në gjuhë dhe nga kuptimi në kuptim. Në gjuhësi ky fenomen quhet “rreshqitje e kuptimit” derisa një fjalë rehatohet në përodrim dhe në kuptim.
Kështu, gjithnjë pa të
keq, në vend të fjalës “femër” këshillohet me insistim të përdoret
fjala “grua” me arsyetimin se fjala “femër” është term
nënçmus i lidhur me ‘aftësinë biologjike për të lindur’ por veç në anën e
kafshëve.
Sipas meje (pas shumë
verifikimeve) ky dallim është i gabuar dhe më duket se ky gabim vjen nga bindja
e disave se anglishtja si gjuha kryesore sot në botë është bazë etimologjike e
gjuhëve tjera. Në fakt është vet anglishtja që vjen nga të gjitha gjuhët. Me
siguri ky deformim vjen edhe nga anglicizimi i shqipes këto 20 vitet e fundit
përmes seminareve dhe vakive tjera sidomos OJQ-iste, Unmik-iste dhe Eulex-iste.
Në realitet, kuptimi semantik i fjalës angleze “female” nuk ka shumë
lidhje me kuptimin që gjuha shqipe ia ka dhënë si në fjalor ashtu edhe në
përdorim fjalës “femër” edhe pse si femër ashtu edhe female kanë
origjinë të njejtë, dmth origjinë latine nga FEMINA. Kjo ndodhe sepse secila
gjuhë i ka adoptuar termat me origjinë greke dhe latine në mënyren e vet. Por,
sipas fjalorit të Oxfordit, edhe anglezët e përdorin fjalën ‘female’ për dallim
gjinor tek njerëzit (shembull i Oxfordit: Two of the candidates must be
female).**
Po ndalem pak të
frengjishtja sepse gjuhësisht jemi më afër me të se me anglishten e Unmikut.
Në frengjisht (gjuhë
neolatine) ekziston fjala “femele” dhe përdoret ekskluzivisht për
kafshët që lindin dhe fjala “femme” që përdoret për gratë në kuptimin
e gjinisë (të dyjat nga e njejta origjinë latine). Fjala franceze ‘femme’ në
shqip përkthehet edhe ‘grua’ në kuptim status civil edhe ‘femër’ në kuptim
gjinor.
Vlen të përmendet se në frengjisht fjalët që i identifikojnë gratë kanë edhe
kuptim social e historik, sikur në shqip. Kuptimi social i fjalës ‘femme’
(grua) përveç se tregon gjininë karshi fjalës ‘homme’ (burrë), në frengjisht
lidhet sidomos me statusin martesor karshi fjalës ‘fille’ apo ‘jeune fille’
(vajzë, në kuptimin e pamartuar), dhe kjo është identike me shqipen
(grua/vajzë). Këto fjalë pastaj kthehen në Madame/Mademoiselle dhe
Zonjë/Zonjushë, me kuptim semantik 100% të njejjtë si në shqip ashtu edhe në
frengjisht.
Fjalët shqipe grua dhe
burrë janë etimologjikisht shqipe ndersa fjalët femër dhe mashkull janë latine.
Mund të përdoren edhe si sinonime por në disa kontekste sikur ky që u përshkrua
këtu sipër, është mirë të përdoret fjala kuptimisht më adekuate.
Përndryshe, fjala tash
shqipe ‘femër’ vjen nga fjala latine ‘femina’ e cila vjen nga fjala greke
‘fuomai’ që do të thotë “çfarë lind” (jo si pyetje por ne kuptimin e
“ajo çka vjen në jetë”). Në latinisht ‘femina’ merr kuptim dallues
gjinor si “ajo që jep frymën, jetën” sepse rrënja indoevropiane ‘FE’
ka kuptimim “me ushqye”, “me dhënë qumësht apo gji”,
prandaj FEmina është ajo që jep gji, që ushqen.***
Nga kjo del se fjala femër
nuk ka asgjë negative brenda saj as në shqip as në anglisht as në frengjisht.
Në të trija gjuhët ka pak a shumë kuptim të njejtë dhe në asnjë rast nuk mund
të transpozohen apo të të krahasohen ballë për ballë kuptimisht. Prandaj argumenti
se fjala femër është në fakt fjala female në kuptimin kafshëror nuk qëndron.
Edhe fjalët Feminizem dhe
Feminist janë të njejta në shqip, frengjisht dhe anglisht, me origjinë dhe
rrënjë të njejjtë latine nga FEMINA në kuptim gjinor karshi gjinisë mashkullore.
Ateherë a ka kuptim që një feministe apo një feminist që në emeërtimin e
saj/tij ka rrënejn Femina ta konisderojë fjalën “femër (femina” si të
joadekuate për identifikimin e gjinisë?
Pastaj dallimet në kuptimin social grua/vajzë nuk ia vlen të preken sepse do të
ishte shumë delikate t’i themi grua një vajze 16 vjeçare. Shqipja megjithatë
eshtë më e pasur se anglishtja në ketë temë.
Sidoqoftë, kauza për të
drejtat e grave mbetet kauzë fisnike dhe shumë serioze që të rëndohet me
pretendime gjuhësore të paqena dhe pa asnjë bazë shkencore apo sociale.
Tekefundit, u quajt grua apo femer, përpjekja për barazi gjinore dhe të drejta
të dinjitetshme mbetet e njejtë dhe shkelësit e të drejtave mbeten poashtu të
njejtë.