Helena Kadare: Nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik

Në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë dhe e gjithë bota, Helena Kadare vlerësoi punën vetëmohuese të ekipit të mjekëve dhe infermierëve në spitalin “Infektiv”, të cilët po përballen në vijën e parë të frontit në betejën me koronavirusin.

“Sapo të kem mundësi, dua të shkoj e t’i përulem atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time.”

Shkrimtarja e dashur për publikun tregoi se si nën masa të rrepta sigurie, po e kalon kohën në Paris, në këtë periudhë pandemie, si dhe pamundësinë për të shijuar rrugicat dhe lagjet e bukura të Parisit, larg nipërve të saj.

“Kemi respektuar me rigorozitet rregullat, por në këto 4 ditët e fundit kam dale nga pak. Notre Dame ishte tjetërsuar, uji i turbullt i lumit Sena ishte kthyer në një blu të mrekullueshme, një bukuri e jashtëzakonshme që të bënte të mendoheshe ‘ku fshihet ky virus’.

Nuk mungoi edhe një mesazh për te gjithë qytetarët shqiptarë:

“Kam dëgjuar që qytetarët i kanë respektuar rregullat aty, por ka pasur edhe nga ata të disi të papërgjegjshëm. Dëgjova një zonjë e cila thoshte ‘nuk kam frikë’, por kjo nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik për njerëzit e dashur. /KultPlus.com

Japonia një hap përpara me teknologji, krijon trena që mund të “lehin”

Hekurudhat shumë efikasë të Japonisë janë gjithnjë një hap përpara: është e vështirë në fakt, të gjesh një vend ku trenat janë më teknologjikë dhe më efikas.

Kohët e fundit, megjithatë, janë drerët që kanë krijuar probleme për vagonët e përpiktë japonezë, shkruhet në faqen satirike italiane”fuoriditesta.it.

Kështu, një grup studiuesish nga Instituti i Kërkimeve Teknike të Hekurudhave në Tokio u përpoq të zhvillonte teknologji të reja për të trembur kafshët dhe për t’i mbajtur ata larg nga gjurmët.

Sistemi i dizajnuar do të lejojë që lokomotiva të lëshojë tinguj si ato të lehjeve të qenve dhe zhurma të tjera që duhet të lejojnë që kafshët të mbahen larg. Sado e pazakontë dhe qesharake siç mund të duket, testet në disa trena kanë treguar një ulje prej 45% të qasjes së drerave.

Testet përfshin një imitim 20 sekondash të lehjes së qenve me qëllim largimin e tyre nga shinat. Përkundër përpikmërisë së njohur të trenave japonezë, vonesat dhe pezullimet në zonat malore për shkak të përplasjeve me kafshët nuk janë të rralla. /KultPlus.com

Ulqini paralajmëron sezonin turistik pas pandemisë

Përfaqësuesit e turizmit në Mal të Zi nuk e përjashtojnë mundësinë që në fillim të korrikut të nisë sezoni turistik me vizitorë nga rajoni, megjithëse nuk kanë paraqitur ndonjë plan kohor për hapjen e mundshme të sezonit pas pandemisë së koronavirusit.

Ata paralajmërojnë lehtësira për pronarët e plazheve dhe të objekteve si dhe mbrojtje të përshtatshme për vizitorët.

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka beson se edhe sivjet do të ketë sezon turistik.

“Shpresoj dhe besoj se edhe sivjet do të kemi sezon turistike. Nisem nga fakti se ne kemi pas 70-80% të mysafirëve nga rajoni. Edhe pse nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga situata në rajon, megjithatë duke u bazuar në situatën aktuale ne mund të hyjmë direkt në vrullin e sezonit turistik në korrik dhe gusht”, tha Gjeka.

Në këtë kuadër edhe Ndërmarrja Publike për menaxhimin e bregdetit të Malit të Zi paralajmëroi lehtësira për pronarët e plazheve dhe të objekteve bregdetare. Kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj ndërmarrjeje, Xhaudet Cakuli vuri në dukje lehtësirat për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Jemi përcaktuar për shtyrjen e obligimeve të qiramarrësve në zonën e ‘Të Mirave Detare’ të plazheve dhe të objekteve të ndryshme në bregdetin e Malit të Zi në afatin prej 90 ditëve “, tha Cakuli.

Edhe në bregdetin e Ulqinit po mendohet për qasje të ndryshme në ruajtjen e distancës mes pushuesve. Kjo distancë sipas Cakuli do të jetë prej 4 metrave.

“I kemi bërë disa propozime provizore, të cilat parashohin largimin e çadrës prej njëra tjetrës në distancë prej 4 m. Gjithsesi, në këtë kuadër do të jetë me rëndësi edhe vlerësimi i autoriteteve të shëndetësisë dhe në bashkëpunim me ata do t’i miratojmë planet përfundimtare”, tha Cakuli.

Edhe Fatmir Gjeka beson se një veprim i tillë në ruajtjen e distancës e ndihmojnë plazhet e veçanta dhe tejet gjata të Ulqinit.

“Përparësia jonë është se ne kemi hapësira bregdetare siç është Plazhi i Madh ku mundemi lehtë ta ruajmë distancën. Jemi e vetmja komunë në Mal të Zi ku kemi hapësirë për distancë për një numër shumë të madh të mysafirëve”, tha Gjeka.

Komuna e Ulqinit është ndër vendet me resurse të veçanta turistike në Mal të Zi, e cila falë kësaj pasurie edhe mbijeton ekonomikisht. /VoA2 maj 2020, 20:30. /KultPlus.com

“Hello” nga Adele, një nga kryeveprat e muzikës bashkëkohore (VIDEO)

Adele është njëra nga këngëtaret më të njohura në botë, shkruan KultPlus.

E lindur në Totenham të Anglisë, Adele, arriti majat e famës me këngët si “Rolling in the deep”, “Someone like you”, “Hello” e të tjera.

Me zërin unik dhe tekstet e bukura që flasin për dashurinë, trishtin, jetën, ajo është bërë e dashur për publikun dhe qëndron në vendet e para të toplistave.

Më poshtë kënga e njohur botërisht “Hello”. /KultPlus.com

Bajroni: Gratë shqiptare në rast rreziku shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre

Si mësuese letërsie prej më shumë se tri dekada,kam pasur fatin qe ta studioj dhe ta komentoj veprën e Bajronit me nxënësit e shkollës së mesme. E shoh me vend për situatën e tanishme të bëjmë një udhëtim imagjinar me Bajronin nepër trojet shqiptare, në ato vende,ku i ka lënë të shkruara në kujtimet e tij .
Nuk di deri më sot të jetë bërë një promovim kaqë i detajuar i Bukurive natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë siç e ka bërë Bajroni për ne. Nuk ka dokument më autentik se letrat e Bajronit drejtuar nënës dhe miqëve të tij ,200 vjet më parë,që vertetojnë vendbanimet shqiptare deri në Prevezë,ku ai i përshkoi me këmbë.
Brezi i ri duhet ta njohi këte poet, si njeri me temperament të lirë,me aftësi dhe mprehtësi konceptimi,me pjekuri dhe prirje drejt virtytit.Edhe pse mbarte titullin Lord, dëshironte të ishte pranë njerëzive të thjeshtë dhe të eksploronte në vende të pashkelura, të cilat i gjeti, kur erdhi në Shqipëri.
Eshtë krenari për ne shqiptarët, që një i huaj,si Lordi Bajron t’i drejtohet Shqipërisë me këto vargje:”Shqipëri,lejomë të kthej sytë e mi // Mbi ty,o nënë e rreptë burrash t’egër.
Shqipëria për Bajronin qe një botë sa e fshehur aq dhe interesante ku shkruan “Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë,ndonëse i bollshëm në stoli natyrore .
“Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë,mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën”….
Ai nga leximet e veta dinte, se Shekspiri i kishte vendosur disa ngjarje në Iliri.Kjo e la me kuptue se këto vise nuk ishin të zbrazta,por kishin vlera historike, kulturore dhe pasuri shpirtërore. Qëndrimi i tij në Patra ,në Prevezë,në gjirin e Artës drejtë Tepelenës,….në majat e Papingjit ……. mrekullohesh duke thënë “Kudo që shohim : rrotull,sipër,poshtë,na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi..të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura…..Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm,afër malit të Tomorrit,u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.”
Duke qëndruar në ato vende,kishte mësuar se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse,si provincë e Turqisë Evropiane ………”Në perëndim ka gjirin e Venecias,në lindje Maqedoninë,Thesalinë dhe Greqinë.Ndërsa në jug mbërrinë deri në gjiun e Lepantos ose , gjiri i Artës”
Tablonë e Shqipërisë së jugut,sidomos pjesën e Çamërisë,poeti anglez e paraqiti me admirim.Ashtu siç bëri më vonë anglezja Meri Edith Durham për Shqipërinë e veriut.
Të dy bashkë e plotësojnë tablonë e Shqipërisë dhe shqiptarët i përshkruajnë trima, të ndershëm dhe bujarë,edhe në varfërinë e tyre.
Kur Bajroni mbërriti në Qefaloni,suliotët të përqëndruar në lartësitë në lindje te Paramithisë, dëgjoheshin së tepërmi me kapedanin e tyre, Marko Boçari.Ata ishin thjeshtë shqiptarë. Ja disa vargje nga “Çajld Harold” ,-Kush ia shkon në trimëri suliotit brun//Me të bardhë fustanellë e me gunë”
Ishin suliotët ata që kërkonin ta kishin si prijës Bajronin në periudhën e Revolucionit Grek.Ishin ata që Bajroni i vlerësonte si luftëtarët më të mirë dhe më besnikë.Edhe pse për Bajronin ishte një detyrë përtej mundësive të poetit, Ai e mori përsipër sepse i printe Ideali i Lirisë,para të cilit nuk tërhiqej kurrë.
Historianët kanë faktuar se Gjon Boçari (paraardhësi i Marko Boçarit) ka qenë një nga luftëtarët më besnikë të Skenderbeut,prandaj Bajroni i drejtohet Shqipërisë:
“O Shqipëri,ku lindi Iskanderi,këngë e trimërisë,fanar i të urtëve.//Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhen e tij kreshnike.(Thuhet se Aleksandri i Maqedonisë e kishte nënen epirote P.L.) Në letrat dërguar miqëve shkruante :
“I dua shumë shqiptarët….nuk janë të gjithë myslimanë,disa nga fiset janë të krishterë, porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare..Me sa kam parë vetë….Ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë,në veshje,në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës,trupi i tyre i hollë dhe i gjatë,dialekti keltik dhe zakonet e tyre te rrepta më shpien në Morven .”
Duke u nisur nga këto vlerësime që Bajroni u bënte shqiptarëve,Marko Boçari i përgjigjet letrës së Bajronit “Ju falenderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi.
Ju falenderoj akoma më shumë për kujdesin,që me kaq zemërgjerësi keni treguar për ta, Me besnikëri, Marko Boçari”
Bajroni duke qenë për një kohë në mes të shqiptarëve,kishte mësuar edhe shumë fjalë shqip ,që i duheshin për të komunikuar.
Interes kishte për këngët popullore siç janë vargjet
e këngës,Tamburxhi, në veprën e tij “Çajd Harold”
“Tamburxhi,Tamburxhi,//Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë i cyt //
Ngrihen bijt e maleve si ndonjë sqotë//Himariotë,Ilirë,ezmerët suliotë”
Polifoninë e kishte për zemër, Ai mundi të regjistronte fjalët e disa kengeve popullore:
Në sevda tënde u lavosa//Vetëm u përvëlofsha,//Ah,vajzë më përvëlofshe,//Zemërën më lavose,//Unë të thashë rroba s’dua//Po sytë e vetullat e tua.
Këte këngë Byron edhe e përktheu:”I am wounded thy love,and have loved,//but to scorch muself .// Thou hast consumed me! //Ah maid !Thou has struck me to the heart//
I have said I wish no downy,//But thine eyes and eyelashes//”
Keto këngë Byron i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta.
Kishin kaluar 5 vjet që Bajroni ishte larguar nga Shqipëria,por kënga i zgjoi kujtimin e atij vendi të mrekullueshëm duke u thënë miqëve së bashku me poetin Shellin, me të cilët po bënte një shetitje në Liqenin e Gjenevës:”Tani bëhuni sentimentalë e dëgjomëni me tërë vëmendjen tuaj “Dhe melodia e këngës labe tingëlloi fuqishëm dhe mori udhë bashkë me valet e liqenit.
Shumë pëlqente meloditë baritore, i kishte mbetur në mendje,një djalë 15 vjeçar që kishte bërë një fyell prej krahut të shqiponjës nga ku nxirrte melodi rrenqethëse.
Bajroni kur ishte në Shqipëri, argëtohej duke parë vallet e bukura,sidomos ato me karakter luftarak,që shoqëroheshin me këngë trimërie dhe kërceheshin rreth zjarrit para ose pas përpjekjeve e luftimeve.Sidomos vallja Çame,vallja e vjetër e Konispolit me ate çastin kulminant kur valltari përkulet pas në “urë” me kokën mbështetur përdhe,të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij,duke shprehur kështu guximin e sakrificën sepse: armiqtë do ta shkelin këte truall ,vetëm kur të shkelin mbi gjokset e tyre.
Bajroni pëlqente akoma më shumë veshjen shqiptare,të cilën e quante,petkun më të bukur në botë.”Shih të egrin shqiptar me fustanellë // e rrobat të qëndisura me arë,//
Armët të lara me flori,sa bukur!”
I mahnitur nga kjo bukuri,Bajroni kishte marrë disa veshje popullore .Me kostumin shqiptar Ai pozoi për piktorin Tomas Filips. Ky portret ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër (National Portrait Gallery) dhe paraqitet në çdo botim të denjë për Bajronin.
Duke qenë Bajroni përhapës i tematikës shqiptare,me përmbledhjen e këngëve
popullore shqiptare u bë objekt studimi nga albanologët si Gustav Myer,apo baronesha Xhuzepina Knorr,albanologe e njohur austriake, cila për misionin e
Bajronit u shpreh: “T’i bësh mirë njerëzimit është dëshira më bujare” Ndërsa për letrën e Bajronit dërguar nënës së tij ajo thekson se Bajroni e ka marre frymëzimin për Liri nga shqiptarët.
Për burrat shqiptarë ,- shkruan Bajroni – kanë trupa shumë të mirë,nuk shquhen si
kalorës,por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar.Armën kur e hedhin supit të djathtë e mbajnë pa asnjë sforcim,ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi.Ndoshta jane raca më e bukur në botë.
Nga tiparet edhe gratë janë të hijëshme,vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk.Ata edhe hijeshine e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë.Ata bëjnë jetë patriarkale,por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme,madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare.Janë po ata gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre…..Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer,kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët”
Edhe një numër piktorësh u frymëzuan nga vepra e Bajronit si Eugene Delacroix(1798-1863).
Nuk është rastësi që Delakrua,i cili nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por u frymëzua nga vepra e Bajronit duke dhënë kryevepra me temën Suliotët si “Burrë me veshje suliote”, “Etyd për Boçarin”.etj.
Apo kështu Arry Scheffer me pikturën “Gratë e Sulit” frymëzohet nga Bajron për aktin heroik të suliotëve.
Mbi të gjitha, vepra e Bajronit frymëzoi luftëtarët e Lirisë dhe pati jehonë në të gjithë botën,në Spanjë lufta kundër pushtuesit Francez e përjetësuar me vargjet “Vajza e Saragosës “në veprën “Çajld Harold”.Në Itali në luftën kundër pushtimit austriak, ku Bajroni mori pjesë në lëvizjen e Karbunarëve. Më vonë projektuesi i bashkimit të Italisë, Giuzeppe Mazzini.,i çoi më tutje idetë për liri,pavarësi dhe unitet për mbarë Evropën.Vlen për t’u përmendur ndikimi tek arbëreshët,të cilët e treguan veten si luftëtarë të Garibaldit.Pa përmendur,De Raden,Dora D’Istria,Kulluriotin ,Rilindësit tanë, të cilët e kishin në qendër të vëmendjes,Lirinë ,Pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve .
Jehona e poetit të lirisë arriti deri në Amerikë:Ishte koha e ashpërsimit të kontradiktave ndërmjet pushtuesve anglezë dhe kolonive në Amerikën e Veriut që arriti në luftë të armatosur, deri në fitoren e pavarësise.Ai e gjeti veten të përshkruar në gazetat e kohës si poeti më i preferuar i amerikanëve “The favourite poet of the Americans”
Në Shqipëri,Bajroni njohu një popull kryengritës,të lirë e të pavarur në shpirt,trim, besnik,të paepur,krenar,të ndershëm e mikpritës,me të cilët luftoi në “Betejën e Mesolongjit “.
Jehona e tematikës shqiptare në botë në sajë të veprave të Bajronit ishte shumë e gjerë dhe me shtrirje të madhe në kohë.Të gjitha këto shtojnë nderimin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për Bajronin,të cilin askush s’e detyroi të pohonte kaq hapur në favor të shqiptarëve.Bajroni të gjitha këto i gjeti të mbjellura në tokën e Ilirëve, në Sul,Paramithi, në Çamëri.Edhe sot vepra e e Bajronit është nxitje për brezat,për të njohur trojet e shqiptarëve dhe trimëritë e tyre ,që luftuan me Bajronin,prijësin e tyre ,së bashku me luftëtarët grek kundër pushtuesve turq deri në pavarësi,për të cilin vend Bajroni dha edhe jetën.
Vdekja e Bajronit në Greqi është simboli më i bukur i misionit të artit. Bajroni kishte bërë një betim,pa kushte, me kauzën e popullit kur thotë: “Për ty Greqi dhashë gjithçka …..tani po jap edhe jetën.” I gjithë ky angazhim i mendimit dhe veprimit të Bajronit në luftën për liri të popujve kishte të vetmin ideal, emancipimin e shoqërisë njerëzore.Kështu poezia e tij e realizoi misionin e vet, për atëhere edhe për sot, për të zgjidhur kontradiktat mes popujve,si në rastin e shqiptarëve me fqinjët.Në rastin në fjalë,luftëtarët e Sulit dhanë jetën, kundër pushtuesit otoman për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë dhe sot shtetet përkatëse duhet t’i venë në ballancë veprimet e tyre në aleanca të ndershme për t’i bërë ballë sfidave të kohës,me urtësi,paqë e drejtësi. Pertefe Leka /KultPlus.com

Prishtina del sonte nga karantina, pasi që ditët e fundit s’pati raste infektimi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se sonte kryeqytetit i hiqet masa e karantinimit.

Postimi i Ahmetit:

“Prishtina hiqet sonte nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne.

Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejtë. Përkundër relaksimit, rreziku ende nuk ka kaluar. Ky është lajm i mirë! Masat e tjera mbesin në fuqi”.

Prishtina ishte futur në karantinë më 11 prill, pasi ishin paraqitur 20 raste të reja me COVID-19.

Ndërkaq vendimi erdhi pasi ditëve të fundit nuk kishte pasur raste të reja. /KultPlus.com

Fragment nga romani “Gjarpri i shtëpisë” i Arif Demollit

Në atë farë fshati ishte një shtëpi… Shtëpia ku isha lindur dhe ku po e kaloja fëmijërinë, bota e tërë që po e njihja në vitet e para të jetës sime. Ajo ishte goxha shtëpi, me një bodrum poshtë dhe me tri dhoma lart (në midis ishte dhoma e zjarrit, kurse në të dy krahët e saj ishin dhoma jonë e fjetjes dhe dhoma e xhaxhait). Para derës së shtëpisë shtrihej një copë oborr, i ngushtë dhe i pjerrët, që merrte fund me dyert e mëdha me deriçkën përngjitur me to. Një herë, derisa dyert ishin të hapura dhe zbrazëtinë e mbushte hija e dendur e arrave të xha Fejzës, nuk e di pse, oborri ynë më qe dukur si një gjuhë e nxjerrë jashtë nga vapa e një qeni gjigant, kurse dyert – si goja e tij. Ndoshta pse ua kisha frikën qenve, ndodhte që ndonjëherë të më bëhej se po mblidhej nën këmbët e mia ajo gjuha e stërmadhe dhe kështu po më fuste në gojën e vet ai farë qeni gjigant i përfytyruar. Skajit të oborrit rridhte vija e hollë e ujit, sikur të donte ta njomte përherë gjuhën e atij qeni dhe kështu ta zbuste egërsinë e tij. Në njërën anë shtriheshin vatha, pojata, çilari dhe oda, kurse në anën tjetër ishin kopshti, lëmi, hambari dhe plemja. Nën të gjitha këto zbriste fort pjerrtas Ara e Bregut, ku kishte rrezik t’i thyeje jo vetëm këmbët, por edhe qafën. Po t’i shikoje nga Shpati (ku dilja shpesh me gjy- shen për t’i kullotur qengjat), krejt këto krijonin një pa- mje laramane: shtëpia ishte e mbuluar me qeramidhe, pojata me dushk, hambari e çilari me kashtë, kurse oda, e ndërtuar vonë, – me tjegulla, të kuqe gjak. Aty i shtrinin kurorat e tyre dy arrat e mëdha, ngriheshin përpjetë disa dardha, sesi i ngatërronin degët disa mollë e disa kumbulla, përpiqej të grabiste sa më shumë tokë një ftua me shumë trungje nga të njëjtat rrënjë, sikur të mos donte të rronte i vetmuar në atë vend, ku çdo pemë e kishte së paku një shoqe të llojit të vet. Nga Shpati shihej gjysma e shtëpive të fshatit. Përpiqesha t’i krahasoja dhe më dilte se shtëpia jonë ishte ndër më të bukurat. IN MEMORIAM 28 – Gjyshe, kush e ka shtëpinë më të bukur? – pyetja. Ajo i numëronte katër-pesë shtëpi dhe ndër to ishte edhe shtëpia jonë. -Ne, pëllumbi i gjyshes, – më shpjegonte ajo, – i kemi pasur të gjitha të mirat: edhe shtëpinë e mirë, edhe në vend të mirë, edhe tokën më pjellore se të askujt… vetëm meshkujt nuk i kemi pasur të hajrit. Prandaj, na ka mbetur vetëm kjo shtëpi si dëshmi e asaj se kush kemi qenë dikur. Po edhe kjo e shkreta i ka hequr një mijë të zeza. Sa e mbaj mend unë – kush mund ta dijë se ç’ka pësuar më përpara? – deri tash e kanë djegur tri herë… – Kush e ka djegur, gjyshe?! – Së pari e kanë djegur zaptijet e turkut, pastaj xhandarët e Serbisë dhe, së fundi, italianët… Doja të pyetja se ç’ishin ata farë zaptijesh, xhandarësh e italianësh, po më vinte keq ta preja në gjysmë rrëfimin e gjyshes. -Dhe secilën herë, – vazhdonte gjyshja, – e kemi ngrehur më të fortë e më të bukur. Së pari ka qenë me kashtë të zakonshme, së dyti me kashtë thekre tërë renda-renda, së treti me shinra… të gjitha të gdhendura me durim për inat të armiqve… dhe tash, si e sheh, e mbuluam me qaramidhe… që ta kenë më vështirë kur ta djegin sërish… Ndonëse nuk më kishte rënë të shihja ndonjë shtëpi duke u djegur, përfytyrimet e mia ishin më se të llahtarshme. – E pse e kanë djegur kështu vazhdimisht shtëpinë tonë? -Pse, a? Sepse të zotët e saj kanë qenë gjithmonë dofarë kryengritësish, kaçakësh, gjakësorësh, vullnetarësh… e ku ta di unë çka jo, të cilët nuk i shtroheshin dot as pushtetit të fshatit, as pushtetit të shtetit. Secili prej tyre ishte më kokëfortë e më i papërkulur se tjetri… Të gjithë njësoj: e mira e tërë botës, e keqja e kokës dhe e shtëpisë së vet… Më tej rrëfimet e gjyshes merrnin ngjyra të tjera emocionale dhe nuk e dije më në i qortonte për së vdekuri e për së gjalli ata burra kryeneçë (babai e xhaxhai domosdo ishin dy prej tyre), apo mburrej me trimëritë e tyre. Dikur ajo kridhej me tërë shpirtin në botën e kujtimeve të saj të pazakonshme dhe tashmë fliste hapur me mburrje e me krenari për vjehrrin, për burrin dhe për djemtë e saj, kurse mua më kapte njëfarë shqetësimi. Në fytyrën e saj të ndezur nga krenaria më dukej se e shihja flakën e shtëpisë dhe zija të dridhesha nga frika se dikush mund të na e digjte sërish shtëpinë dhe të na linte në titërr të lënd- 29 inës. Ajo pothuaj harronte fare se më kishte pranë (lëre më të mundohej të hynte në shpirtin tim të vogël e plot shqetësime), ia ngjallte vetes kujtimet e kohëve të shkuara, prandaj e merrte si krejt të zakonshme djegien e herëpashershme të shtëpisë sonë dhe derisa e shikonte atë sikur mrekullohej dhe u thoshte në vetvete ndezësve të ardhshëm: “Do t’ia merrni të ligat shtëpisë sonë! Muret i ka prej guri, pullazin prej qeramidhesh, digjeni në mundshi!”. Për një çast trimërohesha edhe unë. Besoja se nuk mund ta digjnin po t’i lëshoheshin të gjithë ndezësit e botës, prandaj lirisht mund të bëhesha edhe unë kryengritës, kaçak, gjakësor, vullnetar e çkado që të më tekej. Dhe ia shihja vetes për të madhe pse isha shqetësuar e isha frikësuar kot së koti. Po mua më tepër ma nxitnin kureshtjen ata që fshihnin përbrenda të gjitha ato që i takonin shtëpisë dhe oborrit tonë, sesa t’ia shikoja ashtu për karshi dhe t’i dë- gjoja rrëfimet e gjyshes për kohët e djegësve të pamëshirshëm. Isha në një moshë kur nuk më rrihej në një vend, as nuk mund të kënaqesha dot me një të shikuar. Hyja e dilja prej një dhome në tjetrën nga disa herë në ditë. Zbritja me kënaqësi në bodrum me nënën dhe me gjyshen, kur shkonin ta milnin lopën. U shkoja pas në pojatë. Kisha dëshirë të ndukja edhe unë kashtë a sanë me kërrabë në pleme, t’i shihja zogjtë se si hynin e dilnin nëpër pallzina, t’i kërkoja e t’i gjeja çerdhet e tyre, me të cilat ishte plot kashta e pullazit. Edhe në çilar e në hambar mund të ndiente njeriu një kënaqësi të veçantë, sidomos po ta shikonte botën nëpërmjet pallzinave të tyre. Kështu, secila më dukej më tërheqëse se tjetra, kurse çdo herë që hyja në ndonjërën prej tyre më bëhej se zbuloja diçka të re, apo ato që i kisha parë tash më dukeshin disi më ndryshe. E sidomos bodrumi më tërhiqte me njëfarë fuqie magjike. Ashtu i errët, tërë pleh, ku gati ta zinte frymën duhma e shurrës dhe e bajgave që digjeshin, me vatrën e mbetur shkret (bodrumi kishte qenë dikur dhomë zjarri), me raftet anash saj dhe me dollapët në të gjitha muret, ku tash pulat i bënin furriqet – gjithnjë më dukej plot fshehtësi, plot b 30 rënë. Kishin mbetur vetëm gurët e zhvoshkur, kurse ndërmjet tyre i hapnin gojët vrimat e panumërta, formash dhe madhësish të ndryshme. Ashtu të shplarë edhe nga grimca e fundit e baltës së dikurshme ndërlidhëse, gurët dukej se kacavareshin apo se rrinin pezull fare dhe vetëm pritnin çastin të shembeshin. Hardhucat hynin e dilnin nëpër ato vrima si në shtëpi të vet. – Duhet të mbajmë sa më shumë pula, – thoshte gjyshja, – sepse, si na është bërë ky bodrumi ynë – sikur të mos kishim burrë në shtëpi – do të na mbysin gjarpërinjtë. Pulat, sikur vërtet ta kishin kuptuar këtë mendim dhe këtë frikë të gjyshes, shkonin e shpurthnin tërë ditën e lume pikërisht rrëzë mureve të bodrumit dhe përreth plehut, ku shpesh gjenim vezë gjarpërinjsh. Ato ishin më të mëdha se të vremçave dhe më të vogla se të pulave – ve të tjera nuk më kishte rënë të shihja – më dukeshin të bukura dhe më pëlqente të luaja me to. Prandaj, i kërkoja me ngulm dhe kjo dëshirë do të më mbetej përgjithmonë, derisa të rritesha, sikur nga një sosh të mos më dilte një gjarpër i vogël, i hollë, tërë lara… Ai filloi të zvarrisej tërë qejf, sikur mezi të kishte pritur ta çliroja nga gëzhoja e vezës së tij, duke e nxjerrë ritmikisht thimthin e tij të vocërr. Unë bërtita dhe as dita të ikja nga tmerri, gjarpri ikte lakadredhas, një pulë e vuri re dhe sakaq e goditi në kokë me sqepin e saj të sigurt, vdekjeprurës. Ja, nuk ishte e thënë që të rronte më gjatë, të bënte më tepër se një hap rrugë, as të shihte më shumë se një pleh, një fëmijë të trembur dhe një pulë vrastare, në e pastë parë fare, duke qenë i mrekulluar nga drita që po e shihte për herë të parë dhe nga sendet, të cilave ajo u jep shkëlqim dhe ngjyra. Nga kjo ditë nuk guxova të luaja dhe më me vezë gjarpërinjsh. Edhe murin e çaraveshur zura ta shikoja me frikë gjithnjë më të madhe. Tamam kur në shpirtin tim nisi të lëshonte rrënjë gjithnjë më të thella kjo frikë, në dhomën tonë të fjetjes, në pikë të ditës, e gjetëm një gjarpër të madh. Ishte shtrirë në tërë gjatësinë e shtrati, fare i qetë, thuajse ndodhej në shtrat të vet e jo në shtrat të botës. Nëna këlthiti. Mua, që po i shkoja bisht pas, nuk më doli as zëri nga frika. Gjyshja hyri me nxitim në dhomën tonë. Ajo sikur u qetësua nga ajo që pa në shtrat. 31 – Dil përjashta, – i tha nënës. – Jepi djalit ujë që t’i kalojë frika. Nëna më dha ujë dhe piu edhe vetë. Gjyshja mbeti të merrej vetëm me gjarprin. Nuk ka më trime se gjyshja, mendoja. Pa e prishur fare terezinë – kjo mbresë mund të fitohej nga zëri i saj – zuri t’i fliste gjarprit. Fjalët e saj ishin të qeta, të ëmbla, plot kujdes e perkëdheli. E luste të mos na bënte keq, të largohej nga shtrati ynë dhe të strukej në vrimën e vet. Herë pas here e vidhja me bisht të syrit se ç’bënte gjyshja e si ia dëgjonte fjalët gjarpri – uji vërtet më kishte qetësuar pak – dhe nuk mund t’u besoja as syve, as veshëve të mi. Gjarpri, sikur t’i thoshte gjyshes: “Ndonëse më pëlqen të prehem në këtë shtrat të pastër, që kundërmon erë sane të re, po iki, po ta bëj qejfin, pasi qenke kaq plakë e mirë e trime”, zbriti nga shtrati, e trupoi dhomën dhe u fut pak me përtesë në një vrimë të murit, skaj dyshemesë. – Pse nuk e thirre dikë nga burrat që ta mbyste?! – pothuaj e qortoi nëna. – Si të flemë tash në këtë dhomë, kur e dimë se në atë vrimë është strukur një gjarpër aq i madh?! Gjyshja e shikoi nënën më tepër me keqardhje e me habi, si të ishte e vogël fare, sesa me hidhërim. – Si të mbytet, moj, gjarpri i shtëpisë?! Je në vete ti? Ai është roja jonë… Nëna u skuq dhe e uli kokën. Ishte turp të flitje keq për të, apo të mos e njihje fare gjarprin e shtëpisë. Si të mos kishte ndodhur gjë fare, gjyshja u ul në stolin e saj pranë vatrës, e futi në shokë furkën tërë zbukurime, i dha hov boshtit gati të mbushur plot dhe pastaj filloi t’i fliste nënës, duke i mbajtur sytë në fundin e shtëllungës së leshit, prej nga dilte peri: -Si nuk e ditke, moj, se gjarpri i shtëpisë nuk të kafshon?! Ku më je rritur ti që nuk e paske mësuar?! – E di, e di, – u përgjigj nëna e turpëruar. – Ama sa vlen kjo, kur rrëqethem sapo ta kujtoj gjarprin, e lëre më edhe ta shoh në shtratin tim, ta di se e kam në dhomë, se mund të më futet nën jorgan, në gji të fëmijëve… -Edhe në u futtë, nuk u bën gjë, – fliste gjyshja me siguri të plotë. – E kam gjetur gjarprin unë edhe nën jorgan, edhe në djep të burrit tënd kur IN MEMORIAM 32 ka qenë foshnjë… I kam folur dhe ai më ka dëgjuar, është futur në vrimë të vet… Mbaje mend, se je e re ti, gjarpri është rojë e robëve të shtëpisë. Kur ne flemë, ai kalon mbi trupat tanë që të na mbrojë. Ku ka gjarpër, nuk ka të keqe… – E si na mbron, gjyshe? – pyeta, pasi nuk më bindën fjalët e saj. – Si?! – u zu ngushtë ajo. – Këtë nuk e di as unë… Gjarpri është fshehtësi e madhe… Ai ashtu na duket, por vetëm zoti e di se ç’fshihet nën lëkurën e tij… dhe sa është… sa fuqi ka… Gjarpri mund të jetë edhe njeri… Ta kam treguar atë përrallën për djalin gjarpër që martohet me çikën e mbretit? – Po, gjyshe. – Edhe ata kanë menduar se ajo është martuar me gjarpër, po ç’djalosh i bukur na ka qenë ai! Gishtat e thatë të gjyshes e nduknin dhe e ngjeshnin leshin me shpejtësi të pabesueshme, boshti sillej aq shpejt sa agërshaku gati nuk shihej fare. Gjyshja e ndër- prente pakëz rrëfimin sa për t’i pështyrë gishtat, kurse unë sakaq tretesha në përfytyrime të botës mahnitëse e plot befasi të asaj përrallës për djaloshin 33 Gjyshja vazhdoi të fliste, nëna gjeti një arsye dhe doli përjashta, kurse mua më kujtoheshin përralla e rrëfime të ndryshme për gjarpërinj e për bolla. Ishte rrëqethës sidomos rrëfimi për një bollë të gjatë sa një litar, me flokë të kuqe si një vajzë, e cila i mbyste njerëzit që hynin në livadhin ku rronte ajo. Më bëhej se e ndieja se si ma shtrëngonte trupin ajo bollë gjigante dhe pastaj sesi e fuste kokën e saj nën sqetullën time, që të ma shponte trupin dhe të ma hante zemrën… Dora më shkonte vetvetiu së pari nën sqetull, pastaj mbi zemër… Zemra ishte aty dhe rrahte pak më shpejt se zakonisht, duke treguar kështu jo vetëm se ishte aty, në vendin e vet, shëndoshë e mirë, por edhe shqetësimin tim. Pas kësaj ngjarjeje frika erdhi duke m’u shtuar me hov për çdo ditë e për çdo natë. Ditët i kaloja disi, ama netët donin të më çmendnin fare. Sapo fikej drita, më bëhej se më sulej një gjarpër në fytyrë. Bërtitja. – Ç›ke? – më afrohej nëna. – Po kam frikë, – mezi flitja. – Ih, edhe ti! Duke u rritur, duke u bërë më frikacak! E sheh se nuk ka gjë?! Fli tash! Ja, edhe llambën po ta lë të ndezur. Nëna e ndizte Ilambën, ia ulte fitilin që të mos shpenzonte shumë vajguri dhe shtrihej. – Ke frikë tash? – më pyeste. – Jo, – i thosha, duke ia ngulur sytë dritës së zbehtë të llambës, sikur prej saj të më vinte shpëtimi. Babai kishte filluar të gërhiste kaherë. Edhe nëna flinte. Unë përpiqesha të rrija zgjuar, duke e endur shi- kimin prej dritës së llambës nëpër trarët e tavanit dhe prej trarëve te drita, gjithnjë duke u përpjekur të mos e lëshoja shikimin poshtë te dyshemeja, në fund të murit, ku ishte vrima e atij gjarprit të tmerrshëm. S’e di sa rrija ashtu, po dikur qepallat më rëndoheshin dhe gjumi pa- pritmas më kapte në kurthin e vet. Ëndrrat më shfaqeshin secila më frikësuese se tjetra. Shembje dhe gjarpërinj. Përnjëherësh shembeshin muret e bodrumit, gurët merr- nin rrokullisjen teposhtë Arës së Bregut, kurse gjarpërinjtë dilnin grumbuj-grumbuj prej tyre dhe, duke bërë leqe me trupat e tyre të shkruar e duke i nxjerrë thimthat, vinin drejt meje, donin të më hidheshin sipër bashkë me tavanin, i cili tashmë kishte mbetur pezull pas shembjes së mureve. IN MEMORIAM 34 Këlthitja dhe ia nxirrja vetes gjumin me zërin tim, apo më tundnin e më zgjonin prindërit, nuk e kuptoja dot. Kur i hapja sytë, veten e shihja të ulur në cep të shtratit. Anash më qëndronin prindërit, të cilët nuk mund të ma gjenin çarenë. Llamba vazhdonte ta dridhte atë dritën e vogël e të dobët. Muret ishin të tëra e të bardha, si gjithmonë. Tavani – në vendin e vet, i nxirë dhe i bluar nga krimbat si mos më keq, i bërë blozhdë. – Ç›pate? – më pyetnin. – Ç›të trembi? Në sy ua shihja frikën, shqetësimin, dhembshurinë. I shikoja i hutuar, duke u dridhur, pa mundur të vija në vete, pa arritur të kthehesha plotësisht në botën e qetë të dhomës sonë. – Pse bërtite? – më pyetnin sërish. – Na trego… Ç’po të dëftohet? -Gjarpërinjtë… gjarpërinjtë dhe bodrumi… – mezi përgjigjesha dhe trupin ma përshkonin të rrëqethurat. – Ç›gjarpërinj?! Ç›bodrum?! -Bodrumi po shembet… gjarpërinjtë po dalin prej vrimave të veta… po më sulmojnë… Më shikonin me habi, me frikë, me shqetësim, me dhembshuri. -Ç›gjarpërinj? – babai përpiqej të më largonte nga ankthi i ëndrrave të mia. – E sheh, këtu nuk ka asgjë. Edhe ne jemi me ty. Edhe llambën po ta lëmë të nde- zur… Ndërkaq, bodrumi është i fortë… nuk mund ta rrëzojë as gjylja e topit… – Nesër duhet të shkosh te hoxha, – i pëshpëriste nëna babait. Ai sesi mëdyshej në vetvete e nuk thoshte gjë. Për çdo natë ëndrrat vinin duke m’u bërë më të tmerrshme. Nuk më ndihmonin gjë as prania e prindërve, as llamba e ndezur, as fjalët më të ëmbla të botës… Më sollën hajmali të shumë hoxhallarëve. M’i vunë ato në trup, nën jastëk, ku jo? Ma dhanë ta pija ujin e tyre dhe ujin e shehlereve, të cilat më kishin shkrirë plumb (nëna thoshte se plumbi tregonte shumë gjarpërinj të lidhur lëmsh). Edhe në tyrbe ma shpunë një rrobë trupi. Edhe baba shehu më përbiroi nëpër tespihet e tij të gjata, duke kënduar dua arabisht… Mirëpo, gurët dhe gjarpërinjtë e ëndrrave të mia sikur vetëm merrnin forma të reja nga çdo hajmali dhe nga çdo të yshtur. Gurët rro- kulliseshin gjithnjë 35 më marramendshëm teposhtë Arës së Bregut, gjarpërinjtë lakadredheshin e nxitonin gjithnjë e më shumë drejt meje, tavani më zbriste një pëllëmbë mbi kokë… Dhe do të binte e do të ma zinte frymën sikur të mos bërtitja me sa zë kisha dhe sikur prej zërit tim të mos trembeshin të gjithë, të mos e ndalnin hovin dhe të mos pendoheshin për atë që kishin dashur të bënin: gurët ktheheshin sërish në mure, gjarpërinjtë fshiheshin në biruca, tavani nderej mbi kokat tona dhe qëndronte më se i sigurt mbi të katër muret… Ja, papritur të gjitha shta- ngeshin në vend dhe të mbushej mendja se ashtu të ngrira kishin qenë gjithmonë. Vetëm nëna dhe babai viheshin në lëvizje: kërcenin të trembur nga shtrati, më jepnin të pija një gëllënkë ujë, përpiqeshin të më sillnin në vete më fjalët më të ëmbla. Me të mbaruar të të shirave babai na çoi te dajat. – Po të çoj më herët se viteve të tjera, – i tha babai nënës, – që djali ta ndërrojë pak vendin dhe që gjyshja e tij t’i kërkojë farë ilaçi për ato ëndrrat. Nëna mezi priste të shkonte në gjini. Edhe unë u gëzova shumë. Më kishte marrë malli për gjyshen. Për një çast i harrova edhe gurët e zhvoshkur të bodrumit, edhe gjarpërinjtë, edhe hajmalitë. Fshati i dajave ishte një botë krejt tjetër kundruall Murrizajës. Atje kishte vetëm pyje të mëdha ahu, ku nuk mund të hynte as drita e diellit, lëndina me fier dhe tek-tuk ndonjë arë. Kishte shumë lajthi, kumbulla dhe patate. Lajthi dhe kumbulla kishte edhe te ne, po patate nuk kishte. (Ndonëse e kishim tokën më të mirë në botë, thoshin se nuk i bënte patatet, prandaj nuk mbillte njeri). Unë i doja shumë patatet dhe vazhdimisht e përfytyroja gjyshen duke i nxjerrë nga prushi patatet e pjekura. Ahet i gjetëm ashtu madhështore e të errëta si edhe herat e tjera. Fierin të skuqur dhe aty-këtu të kositur (ua shtronin kafshëve dhe e hidhnin mbi kulme shtëpish). Lajthi dhe kumbulla mund të shihje edhe ndanë rrugës. Gjethet e patateve shiheshin në çdo arë, po ato vetë ishin fshehur thellë në dhe, sikur ta kishin kuptuar se ç’me- raklinj po u urdhëronin në fshat. E merrja me mend se atyre së para u pëlqente t’i hidhje në zjarr, t’i piqje dhe t’i haje pastaj. Edhe shtëpia e dajave ishte po ajo, mbase pak më e rrëzbitur: e zezë futë nga tymi (kishin qorroxhak), por disi e ngrohtë, e dashur. Nuk kishte bodrum dhe ende pa hyrë mirë në të e ndieja veten të sigurt. IN MEMORIAM 36 E vumë re edhe njeriun e parë, gjyshen. Ishte në lëmë. Ashtu e vogël, e hajthme dhe e gërmuçur, hidhte dy-tri tërplote në hava, pastaj e linte tërplotën menjanë që me fshesë ta lante grumbullin e drithit nga kashtëzat dhe nga kallëzat. Ajo punonte me nguti, që ta hidhte drithin para se të binte terri, prandaj as kishte kohë të shikonte anash. – Gjyshe! – e befasova. Ajo e hodhi fshesën, më shtrëngoi fort në parzmën e saj të ligësht, m’i përkëdheli flokët dhe më tha: – Qenke bërë burrë, lum gjyshja për ty! Në mbrëmje u mblodhën të gjithë rreth vatrës, pos dajës, i cili se ku ishte argat. Drita e fitilaçes ishte aq e dobët, sa nuk mund shihje as të haje, lëre më të punoje gjë (gratë domosdo duhej të thurnin diçka, sidomos nëna, që vetëm tash kishte kohë më shumë për çorapët, jelekët e dorezat tona dhe për pështjellakët e vet dhe të gjyshes). Babai u ngrit, e mori fitilaçen nga gozhda dhe pastaj, pak prej së larti e si zot shtëpie e jo si mysafir, i tha nuses së dajës: – Ma sill një gjilpërë! Ajo zuri të sillej si e ndërkryer nëpër mugëtirën e dhomës, duke gjëmuar sikur të kërkohej të bënte një gjë të pamundshme. Dikur mezi ia solli babait gjilpërën. -Merre, – i tha me zë të dridhur, – po mos ia ngrit shumë, se nuk bën, se prishet… – Këtë e di unë, – iu përgjigj prerë dhe me mospërfillje babai dhe ia rriti flakën derisa zuri të nxirrte tym. – Nuk do të fikeni për një natë, xhanëm. Nesër- mbrëma, pasi të kem ikur unë, po deshët mos e ndizni fare. -Të lumtë dora! – e uroi gjyshja me gjysmë zëri, nga frika se po e dëgjonte e reja. – Më verbuan para kohës. I ka bashkuar zoti… Në ato fjalë u hap dera. – Ç›e keni çuar aq shumë fitilin e fitilaçes?! – e dëgjuam më parë zërin e dajës sesa e pamë atë vetë. Kur na pa ne, e uli zërin, u përshëndet me mysafirët, po më dukej se syri i kishte mbetur te drita e fitilaçes. Rrija në një qoshe dhe ç’mendoja. 37 – Eja në prehrin tim të të dhuroj diçka. U ula në prehrin e ngrohtë të gjyshes dhe iu dorëzova dëshirës së saj posi një qengj i perkëdhelur. Ajo se ç’më vuri rreth qafës. E ndjeva vetëm se qe e ftohtë. – Sa i bukur! – tha nëna tërë kënaqësi. E shikova për së kithi: ishte një krahosh fort i bukur, me gjithfarë larash e me plot rrusha tërë lajle. – Ta bajë djali, që të mos i bjerë mësysh, – tha gjyshja. – Ma ka punuar për qejf një arnaute… Dajat i quanin kështu gratë e disa fshatrave fqinjë, të cilat vishnin dimi të leshta, dofarë rrobash të tjera të veçanta dhe punonin me rruaza gjithçka, me të cilat e stolisnin çdo pjesë të veshjes dhe të trupit. – Duart e arta i kanë këto arnautet! – i mburri gjyshja. – Ç’u sheh syri e punon dora. E shihni, e ka punuar gjarprin si të ishte i gjallë, me lara, me sy… – Gjarprin! – këlthita dhe brofa në këmbë i shastisur. Nëna, që ma dinte hallin, më kapi për krahësh. – Rruaza janë ato, rruaza… – më fliste ajo, pa e ditur se si të më sillte në vete. – Ja shikoji, preki! Ma hoqi krahoshin nga qafa dhe ma afroi ta prekja. Po unë u struka në një kënd të dhomës, pa guxuar as ta shikoja atë krahosh në formë gjarpri, i cili më dukej se ende po ma shtrëngonte fytin, kurse nga ftohtësia e tij më ngjethej trupi. Unë mbeta ashtu në kënd, kurse babai e nëna se ç’i shpjegonin diçka gjyshes me zë të ulët që të mos i dëgjoja unë. E qartë: flitnin për mua dhe për frikën time. – Si, more?! – foli gjyshja me zë pak më të lartë sa ta dëgjoja edhe unë. – Deri tash nuk më ka rënë të dëgjoj të jetë frikësuar fëmijë nga rruazat. I ç’brumi na qenka ky nipi im?! Më vinte shumë keq se pse ia kisha lënduar zemrën gjyshes sime të mirë, duke e refuzuar një dhuratë aq të bukur, po ç’të bëja, pasi frika ime, si çdo frikë tjetër, kishte shpërthyer krejt papritur dhe pa dëshirën time? As gjyshja nuk mund të vinte në vete pas kësaj ngjarjeje. Të nesërmen, sigurisht jo pa keqardhje, gjyshja e bëri copë-copë atë krahosh të mrekullueshëm. Rrethin në formë gjarpri e la për tezet e mia të IN MEMORIAM 38 vogla, që ta varnin në qafë pasi të ikja unë, kurse rrushat m’i vuri në jelek dhe në flokë, që të mos i shkonte krejt kot mundi asaj arnautes duarartë dhe që syri i keq të ikte sa më larg prej meje. Ndonëse te dajat e ndieja veten shumë më mirë, ndodhte që ndonjëherë të ëndërroja se si ngjallej ai gjarpri i krahoshit dhe zinte të ma shtrëngonte fytin… Kështu, krejt në ankth, më kaluan edhe vjeshta, dimri, gjysma e pranverës… Atëherë babai u kujtua t’i lyente me baltë faqet e jashtme të mureve të bodrumit dhe të më sillte dy gjarpërinj të mbytur. – Ja, – më tha, – murin e leva që të mos mund të hyjë në të as buburreci, kurse gjarpërinjtë i mbyta që të gjithë. Tash fli i qetë. Gjarpërinjtë me koka të çallamitura i vari në gardh. Po t’i prekje me thupër, trupat e tyre, e sidomos bishtat, lëviznin ende. – Baba, ata lëvizin! – thashë me shqetësim e me frikë, derisa fëmijët e tjerë i preknin për t’u argëtuar. – Do të ringjallen dhe… – Jo, jo, nuk do të ringjallen, – ma priti babai me një ton të zërit që të jepte siguri të plotë. – Sapo të perëndojë dielli, nuk do të lëvizin më. Në mure nuk kishte mbetur plasë as për të hyrë maja e briskut, e lëre më vrima për gjarpërinj. Plehu ishte hedhur i tëri në ara, vendi i tij ishte bërë tepsi. Gjarpërinjtë e mbytur u ngrinë, përgjithmonë, me të perënduar të diellit; kot i preknin me thupër, muskujt e tyre nuk do të lëviznin kurrë më për jetë të jetëve. E mora edhe unë një thupër. E preka të parin: ishte bërë koçan. E preka të dytin: po ashtu. Tash e ndjeva njëfarë sigurie të papandehur, njëfarë çlirimi të atypëratyshëm nga ankthi që më kishte mbajtur në kthetrat e veta aq muaj me radhë. Po nga ëndrrat e mia shembjet dhe gjarprinjtë u larguan shumë më ngadalë, me manovrime të papritura, me tërheqje taktike dhe me sulme të sërishme krejt të befasishme. Ndodhte kështu, sepse ishte e pamundshme që rreth e përreth të mos shihje gjarpërinj për çdo ditë e në çdo gjë. Gjarprin e skalitnin në arka të nuseve, në kërroqe, në dërrasa të 39 tavanit, në bisht të kosës, në kënata, në ibrigë e në kalanica, e qëndisnin në këmisha, e punonin për qafore e për byzylykë, e paraqitnin në qilima e në sixhade… Madje edhe ato vijat zigzag zbukuruese të ço- rapëve dhe të punëdoreve të tjera të kujtonin gjarprin, të thjeshtuar e të shndërruar tashmë në shprehje simbolike. Ndonëse nuk e kuptoja pse ndodhte kështu, gjithnjë e më tepër po bindesha se as plakat, as pleqtë, as burrat, as gratë, as vajzat nuk mund ta merrnin dot me mend pa ato figura të pafund e aq të larmishme të gjarpërinjve. Gjarprin e nderonin të gjithë dhe nuk ishte aspak në rregull t’ia kishe frikën, apo, ruajna zot, ta urreje. Dhe përpiqesha të mësohesha me të. Disa vjet më vonë, pasi kisha dëgjuar aq shumë përralla të reja për gjarprin, kisha parë aq shumë skalitje, qëndisje e endje të tij dhe pasi kisha parë shumë gjarpërinj të gjallë, sërish ma përshkuan trupin të dridhurat, kur në derën e oborrit të një bashkëfshatari, tek i cili babai më kishte dërguar të kërkoja diçka, e vura re se trakulloja vinte disi si gjarpër. Përnjëherësh më sulmuan të gjitha ato kujtime e ëndrra të ankthshme të dikurshme. E përmblodha veten, e ngrita dorën dhe trokita tri herë, me guxim, gjithnjë më fuqishëm se herën e mëparshme. Të trokiturat jehuan të qarta, të sigurta, të fuqi- shme… Ato sikur shprehnin ngadhënjimin tim përfun- dimtar mbi ankthin e frikës nga çfarëdo gjarpri, e jo vetëm prej atyre të shtëpisë, apo prej atyre gjarpërinjve të pajetë, të cilët qëndronin gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën pozitë nëpër arka, bishta kose, kërroqe, tavane, qilima, këmisha… Kur u rrita edhe ca, më hyri meraku të kisha një brisk. Ëndërroja se si do të punoja një mulli të vogël, me rrotë që do ta sillte uji i Gurrës, me gur të bërë nga një copë gërnaç, me dizhmë, me koshin e drithit, madje edhe me një çakallë sa grima… Doja të gdhendja edhe një shkop të bukur, ta thurja një shportë për gjyshen, t’i punoja disa drugëza ojmesh për Beharen… Xhaxhai vërtet ma plotësoi dëshirën. Brisku që më bleu në Prishtinë m’u duk më i bukur se asnjë brisk që kisha parë ndonjë herë. Nxitova në oborr që ta provoja në prente mirë, në i lakohej maja. Syri ma kapi një copë shkopi lajthie. Pa e kuptuar as vetë se ç’doja të punoja, zura ta skalitja në të figurën e gjarprit. Brisku ishte shumë i mprehtë, maja ishte IN MEMORIAM 40 e fortë dhe shumë e përshtatshme, prandaj as e hetoja se si ia gdhendja kokën, gojën e hapur, syrin, vijat dhe larat e trupit, bishtin e përdredhur, madje edhe thimthin e nxjerrë përjashta, pa më shkuar aspak ndër mend se ç’tmerr më kishin futur në shpirt dikur ato vija, ata sy, ai thimth… /KultPlus.com

Arilena Ara live në Tiranë (LIVE)

Këngëtarja e njohur shqiptare Arilena Ara është duke mbajtë një koncert live në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert tashmë është duke u transmetuar live edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erio Veliaj. KultPlus ju sjell këtë performancë live të këngëtares që këtë vit është dashur ta prezantojë Shqipërinë në Eurovizion./KultPlus.com

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/302588144069959/?q=erion%20veliaj&epa=SEARCH_BOX

Shtëpia e Pashko Vasës në Shkodër (FOTO)

Nga Pjeter Logoreci

Para pak kohe, duke shkelë për  një vizitë, në prakun e shtëpisë – muze të atdhetarit shkodran Pashko Vasa, mu kujtuan fjalët që më thoshte frati françeskan, atdhetari Ambroz Martini, gjatë takimeve të këndëshme herë pas heret tek ai.

  „Gropa e Shkodres ka pas nxjerrë burra që mateshin me bjeshkët, …. e fillonte me përmendë një varg të gjatë atdhetarësh që ja kushtuan apo e flijuan jetën për atdheun dhe lirinë e tij… Njerëz të thjeshtë, trima malsie, intelektual të shkolluar në perëndim e që u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre,…. zyrtarë me origjinë shqiptare që punuan në administratat e vendeve të ndryshme, por që nuk e harruan kurrë vendin… e rreshti vazhdonte gjatë me emra trimash e personalitetesh të njohur të cilëve ne i detyrohemi për lirinë e trojeve tona. Ndër to rreshtohej emri i Pashko Vasës, burrit i cili dha ndihmesë të madhe, në shumë drejtime në të mire të atdheut.

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?? ….nuk ka vajzë e as djalë shqiptarit, që nuk i ka shqiptue ose ndigjue nji herë këto vargje kushtrimi, që nuk i ka dhëmbur shpirti nga kjo ofshamë e dala nga gjoksi  i njeriut që digjet për atdhe. E jo vetëm këto vargje, por edhe aktiviteti diplomatik, artistik e patriotik, e rritën ndër vite figurën shumëdimensionale të Pashko Vasës.

Pak mbi familjen e Pashko Vasës.

Lindi me 17 shtator 1825, nga prindët Roza dhe Hile Vasa. Pat edhe një vëlla, Nikollën dhe një motër që quhej Gonxhe. Bir i një familje me tradita qytetare e kulturë të gjërë, që zotëronte emër të mirë dhe pasuri në qytetin e Shkodres, Pashko-ja mësimet fillestare i mori në Shkodër, e qysh i ri, i prekur nga problemet e mprehta sociale të kohës si dhe gjendja e mjerë e atdheut, ai fillon të reagoje duke shkruar në disa gjuhë.

Pashko, fliste dhe shkruante në frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, serbisht dhe anglisht. U martua në vjentin 1855 me një grua shkodrane të cilës nuk i dihet emri (sipas Vehbi Balës), me të cilën pat Rozën, Linden, Marien, një djalë të quajtur Lerish dhe Silven. Si gruaja Roza ashtu edhe 4 nga fëmijët,  vdiqën të rinj.  Pashko u martua për së dyti me Katerina Bonatin (të cilën meqenëse ishte ortodokse e quanin “grekja”) e cila po ashtu  vdiq shpejt nga tuberkulozi. E bija e Pashkos, Roza, u martua me një shtetas turk me origjinë armene të njohur si KUPELIAN dhe pat dy vajza Silven dhe Mariken.

Për herën e tretë, Pashko u martua me Berta Lerish, një grua franceze që e kish njohur në Stamboll, me të cilën pat dy djem Mikelin dhe Leonin. Djali i madh Mikeli vdiq i pamartuar në 1914-tën, ndërsa Leoni i cili pat lindë në Beirut, vdiq rreth viteve 30-të, duke lenë një vajzë që jetoj deri vonë në Francë.

Me 18 qeshor 1883, Pashko Vasa emrohet guvernator i Libanit. Vitet e fundit të jetës , ai ka vuajtur nga sëmundja e zemrës, por thuhet që vdiq nga gripi me 29 qeshor 1892. U përcoll në varrezën e fundit në Liban, nga miqtë e tij Filip Shiroka dhe Ismail Qemali. Eshtrat e tij dhe të gruas së tij, Katerinës, u sollën në Shqipëri nga Libani në vitin 1978 dhe janë të vëndosura në varrezat e deshmorve në Shkoder.

Shtëpia e Pashko Vasës, degë e Lidhjes së Prizrenit

Objekti kryesor që ka mbetur dhe që aktualisht na lidh me figurën e atdhetarit Pashko Vasa, është shtëpia e tij në Shkoder që ishte baza kryesore e Lidhjes së Prizrenit, sot Monument Kulture. Kjo shtëpi, që sot është e vendosur si objekt në hartën turistike të Shkodres, ka një histori të lavdishme, pasi jo vetëm ishte degë e Lidhjes së Prizrenit, vendi ku mbaheshin takimet e aktivistëve për çeshtjen kombëtare, por falë vlerave arkitekturore dhe etnografike, është pikë e preferuar e të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Sipas dëshmive të njërzve që kanë jetuar aty, kjo shtëpi ka një histori rreth 300 vjeçare. Ajo është rinovuar e restauruar tërësisht në vitin 1977 si dhe në vitin 2013, nga shteti shqiptar. Të gjitha dyert, dyshemetë, dritaret, tavanet e çardaku, janë punuar nga restaurator profesionist sipas origjinalit, në dru. Sot është një shtëpi e kategorisë së parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarve të familjes Vasa, qysh në vitin 1971. Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodres dhe në oborrin e saj qëndrojnë në origjinal, pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri e shpërlarjes së rrobave dhe shkalla prej guri të latuar.

Sipas thënieve që mblodha nga disa pjestar të familjeve shkodrane që jetojnë në afërsi të degës së Lidhjes së Prizrenit, po në shtëpi karakteristike shkodrane, si familjet Suma, Kamsi, Gjonej, Kraja, Guga, Shiroka, thuhet që edhe kjo shtëpi duhet të jetë ndërtuar në  atë periudhë. Kjo mund të dallohet nga karakteristikat e njëjta me shtëpitë e tjera shkodrane që gjinden në të njëjtën zonë, që kanë pothuajse të njëjtën arqitekturë, fasada,  strukturën e mbrendëshme e po ashtu edhe oborret. Pjesa mbrendëshme e shtëpisë është e ndarë ndër dhoma të mëdha, të cilat kanë tavane të gdhendur në dru, të një bukurie të veçantë, ballkone për qëndrimin e grave, apo raftet e futura në mur. Dhoma e ndejës ose në gjuhën popullore “oda e zjermit”, që komunikon me dhomat e tjera me anë të koridoreve të vogla të veshur në dru të gdhendur, ka dritare të mëdha druri të mbrojtura me hekura, që e mbushin me dritë dhe hapin një pamje të mrekullueshme të oborrit të stolisur me luleborën e lulevilen tradicjonale të Shkodres.

Një çardak i madh hapet në mbarim të shkallëve të gurta, ku zotërojnë  “qoshja e ndejës” dhe kandilat e shandanat karakteristik të tipit oriental. Poshtë pjesës së banuar, janë ahuret ku mbaheshin objektet e përdorimit të radhë, drutë e ngrohjes si dhe veglat për të punuar kopshtin dhe oborrin. Përpara shtëpisë është oborri me lule dhe lojrat e fëmijëve, ndërsa prapa kopshti i zarzavateve dhe pemëve frutore.

Përsëri sot, shtëpia është një pikë turistike që preferohet nga turistë nga e gjithë bota, jo vetëm për arkitekturen e veçantë, por edhe për të fjetur, pasi familja Vasa, në disa dhoma të shtëpisë, ka plotësuar kushtet normale të jetesës ku mund të flihet komod e me kujtimet e kohëve të shkuara. Shpresoj dhe uroj që bukurisë së fasadave dhe arkitekturës karakteristike të shtëpive të vjetra shkodrane, ti shtohet edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit heroi kombëtar Luigj Gurakuqi, e cila nga moskujdesija e shtetit u rrënua. Kjo është dëshira e çdo shqiptari atdhetar dhe e çdo qytetari shkodran, pasi është identiteti ynë./KultPlus.com

SONY DSC

Në Slloveni protestohet kundër qeverisë ndaj masave tepër kufizuese

Më shumë se 3.500 persona me biçikleta u takuan në qendër të kryeqytetit slloven, Lubjanë, për të protestuar kundër masave të konsideruara tepër kufizuese nga qeveria për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe për parregullsi të dyshuara në furnizimin me pajisje sanitare mbrojtëse.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Maribor, Nova Gorica dhe vende të tjera të vendit, të koordinuara nga organizata joqeveritare ”Gibanje Ops”.

Në Lubjanë, qindra demonstrues u takuan para ndërtesës së Parlamentit dhe zonave përreth, duke zënë stolat dhe hapësirat publike.

Sidoqoftë, ndalimi i grumbullimeve dhe masave të tjera të distancimit shoqëror çuan në ndërhyrjen e policisë, e cila kreu 58 procedime për shkelje të ligjit për tubimeve publike. /KultPlus.com

AppleMark

Poezia e poetit Sali Bashota në rumanisht

Mimoza Hasani Pllana

Historia e gjuhës dhe letërsisë shqipe ka ndërlidhje të fortë me Bukureshtin e Rumanisë. Bukureshti është qyteti ku u botua abetarja e parë shqipe, Evetari (1844) dhe qyteti ku rilindasi i njohur shqiptar, Naim Frashëri, botoi poemën idilike e atdhetare Bagëti e Bujqësia (1886). Në kontekstin historik, këto dy libra me vlera të veçanta për gjuhën dhe letërsinë shqipe, frymëzuan dhe u bënë nxitëse të krijimit të një vargu veprash letrare që përveç mësimeve të gjuhës dhe artit të fjalës, ndriçuan mendjen, hapën zemrën dhe shtuan guximin e bashkëatdhetarëve për ndryshimet e mëdha në kontekstin historik, kulturor, gjuhësor e letrar për shqiptarët. 

Shenja të hershme të kulturës dhe letërsisë shqipe në Rumani

Marrëdhëniet kulturore shqiptaro-rumune janë të hershme. Kryeqyteti rumun, Bukureshti, që në shek. XIX krijoi hapësirë për themelimin e shoqatave kulturore dhe atdhetare shqiptare, nëpërmjet të cilave u realizuan aktivitete për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe historinë shqipe, për shqiptarët në Rumani, në qendrat tjera Europiane dhe në vatrat e tyre.  Në procesin e vështirë të zhvillimit të kulturës, artit dhe gjuhës shqipe, Rumania, la gjurmë të përjetshme, me krijimin e mundësive për botimin dy librave të mëdha shqipe, Abetares së parë shqipe, Evetarit (Naum Veqilharxhi,1844) dhe Bagëti e Bujqësia (Naim Frashëri, 1886). Bukureshi, la gjurmë edhe për krijimet e çmuara të shoqërive kulturore e atdhetare, “Drita”, “Shpresa”, “Bashkimi” dhe të gazetave “Drita” dhe “Shqipëtari”.

Të gjitha nismat për zhvillimin e gjuhës, artit, kulturës dhe nismat atdhetare për pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane u morën nga elita e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, e mbështetur nga elita kulturore e qeveritare rumune. Për vite me radhë, Bukureshi ishte një nga qendrat kryesore për furnizimin e bashkëkombësve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, në disa pjesë të Maqedonisë dhe Mal të Zi, me libra dhe materiale tjera të shkruara në gjuhën shqipe. Intelektualët shqiptarë të Bukureshtit, krijuan ura të forta komunikimi dhe bashkëpunimi me intelektualët dhe bashkëatdhetarët shqiptarë në Sofje, Selanik dhe Stamboll.

Dëshmi të fundit të letërsisë shqipe në Rumani

Në gjysmën e dytë, të shek XX., në gjuhën rumune u përkthyen veprat e mbi njëqind poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve shqiptarë. Me intensitet më të madh, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën rumune u arrit pas hapjes së kufinjve të Shqipërisë (1990) e tutje. Por, ky fat nuk ishte i caktuar edhe për autorët shqiptarë të Kosovës. Krahasuar me veprat e përkthyera të autorëve të Shqipërisë, autorët e Kosovës janë pak të njohur për lexuesin rumun.

Letërsia shqipe u bë e njohur në rumanisht falë interesimit dhe vullnetit të përkthyesve shqiptarë e rumun. Disa nga përkthyesit më të njohur të veprës shqipe në rumanisht janë: Ardian Kyçyku, Baki Ymeri, Kopi Kyçyku, Marius Dobresku. Ndërsa, autorët shqiptar, vepra e të cilëve tanimë është e lexueshme në rumanisht përfaqësojnë thuajse gjithë brezat e letërsinë shqipe, që nga F. Konica, F. Noli, Migjeni, N.Mjeda, Asdreni, M. Kutelit, L. Poradeci, M. Camaj, E. Koliqi, Z.Zorba, F. Rreshpja, A. Pashku, I. Kadare, A. Podrimja, S. Bashota, M. Ramiqi, B. Qapriqi, I. Berisha, I. Kadriu, pastaj autorët e rinj si F.Acka, M.Ahmetaj, R.Syla. K. Shala, H.Meçaj, J.Neziraj, A. Leka, L. Lleshanaku dhe autorë tjerë.

Ky komunkim i ri në mes përkthyesve rumun dhe shqiptarë me veprën e hershme e të re shqipe, është tregues i fuqishëm i vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira shqiptaro-rumune.

Poezia e poetit Sali Bashota në gjuhën rumune

Sali Bashota, poet i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se tre dekada, nëpërmjet veprës së përkthyer lexohet në disa gjuhë të rëndësishme europiane. Vepra poetike e Bashotës mund të lexohet në gjuhën angleze, frënge, gjermane, italiane, suedeze, bullgare dhe rumune.

Poezitë e përkthyera në gjuhën rumune i përkasin dekadës së fundit të shek. XX., por të qasshme në gjuhën rumune në fillim të shek XXI.  Librat “Ekzili i Shpirtit”(Exilul Sufletului: Bukuresht 2004) dhe “Shiu pa ty” (Ploaia fara Tin: Bukuresht 2008), e bën të njohur poetin Bashota për lexuesin dhe kritikët letrar rumun.

Poezitë e veprave të zgjedhura nga kritika rumune i përkasin një kohe të rëndë historike, politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës, që e ndikojnë poezinë e Bashotës. Në këtë kontekst lexohen poezitë e Bashotës nga kritikët rumun, studiuesit e motiveve të tragjedisë nacionale, fatkeqësisë personale dhe shoqërore, që në Kosovë rrodhën si pasojë e një realiteti të ri të përafërt me realitetin e rumunëve të Besëarabisë. Kritika rumune, më shumë ndalet te situatat dramatike, që Bashota, sikur shumë poetë të brezit të vet, e bëjnë pjesë të poezisë si dëshmi historike dhe kulturore të vendit. Ndërsa, kërshëria e përkthyesve zgjohet nga tema e njohur e vdekjes e shoqëruar me emocionet e dhembjes, habisë e frikës së poetit, e që për përkthyesit, këto ndjenja veprën e bëjnë interesante dhe tërheqëse për lexuesin rumun.

Në tërësi, këto janë tri elemente ndikuese për përfshirjen e Bashotës në listën e poetëve modern ballkanik dhe europian të përkthyer në rumanisht. Gjithashtu, poeti vlerësohet edhe për formën e poezisë dhe gjuhën simbolike.

Dan Anghelescu, poet, kritik letrar dhe profesor universitar rumun, poezitë e librit “Ekzili i Shpritit” i vendos në kategorinë e poezive me origjinë në përjetimet unike të subjektit, nëpërmjet të cilave shpërfaqen pjesë nga historia e shqiptarëve të Kosovës (Bashota, 2012: 105). Nga një vlerësim i tillë, kuptohet se poezia e Bashotës, përveç promovimit të vlerave letrare përtej kufijve nacional, bëri të njohur për lexuesin rumun edhe një dekadë historike të kombit shqiptar.  Kështu, përveç vlerësimit estetik, në variantin e përkthyer, vepra e Bashotës, vlerësohet edhe për barrën e promovimit të vlerave kulturore, nacionale e historike të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, në kontekstin e komunikimit ndërkulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit, vepra poetike e Bashotës vlerësohet për forcimin e urave të komunikimit në mes dy popujve me miqësi shekullore. Poezitë (përfaqësuese) me motive personale dhe kolektive të vuajtjes, dhunës, luftës, në variantin e përkthyer pranohen si poezi me elemente të përbashkëta me poetët e frymës liridashëse të Besarabisë. Një nga poezitë me motive dhe tematikë të përafërt me poezitë e kësaj fryme, vlerësohet poezia me titull, Ah kjo vdekje:

Si ta përpij tmerrin në dyluftim me hijet/Copa e granatës në pjatë

Vrasësit duke i fshirë njollat e krimit nëpër mure

Fytyra e skuqur e dheut në pasqyrë/përpara vdekja pastaj gjaku

Fëmijët me bukë në fytë i gëlltisin shpresat

Ëndërrat e bardha për lodrat që i tremben vdekjes

Kjo është vërtetësi njerëzore/që kërkon mëshirën e Zotit (Bashota 2004: 97)

Poezia 1. Varianti orgjinal i poezisë “Ah kjo vdekje”

Këto vargje nuk pranohen ndryshe as nga poeti dhe kritiku letrar rumun George Gibesku. Gibesku, poezinë e Bashotës e vlerëson për emocionet e thella shpirtërore që transmeton, por më shumë për motivet dhe elementet e përafërta tematike me një pjesë të poezisë rumune. Krahasimet e para i bënë me poezinë e autorëve rumun Lucian Blaga dhe Aleksandru Filipide për faktin e ngjashmërive tematike që ato kanë si dhe për motive që ndërlidhen me ëndrrën për një të ardhme më të mirë, luftën dhe historinë e një populli të martirizuar. Më pas, duke lexuar më thellësisht poezinë e Bashotës, duke interpretuar metaforat ekzistenciale, ai gjen të përbashkëta edhe në mes të fatit persekutues të shqiptarëve të Kosovës, rumunëve të Bukovinës së Veriut, deri diku edhe me atë të rumunëve të Timokut (Bashota, 2012: 166-168).

Cum să cuprind întunericul în duel cu umbrele    

Bucatile de grenadă pe farfurie

Ucigasii stergand petele crimei pe pereti

Fata înrosita a patriei în oglindă

Mai întâi moartea apoi sângele

În loc de pâine copii înghit speranţe

Visele albe despre jucăriile care se tem de mparte

Acesta este adevărul durerii umane

Care caută mila Domnului

Poezia 2. Variant i përkthyer në rumansht i poezisë “Ah kjo vdekje”

Përveç për studiuesit rumun, edhe për studiuesit kosovarë, ndikimi i konteksteve jetësore e socio-politike është i pranishëm në vargjet simbolike dhe metaforike të poetit Bashota, prej të cilave dallohet dukshëm figura e gjarpërit. Këtë figurë, profesori i letërsisë shqipe, Nysret Krasniqi, e sheh si figurë universale të helmit, e që nëpërmjet saj, poeti Bashota, sipas Krasniqit, jep poezitë e refleksioneve të helmeve të shpirtit nëpër situata të vështira ekzistencës njerëszore, qofshin ato personale apo familjare (Krasniqi 2016: 700).

Në përurimin e dorëzimit të dhembjes personale

Hapeni portën e shpirtit mos ta zërë terri i natës

Kur në pjesën tjetër të atdheut

Gjarprinjët e zinj shtrihen lakuriq. (Bashota 2004: 89)

Poezia 3. Varianti origjinal i poezisë Në pjesën tjetër të atdheut

În festivitatea înmânării durerii personale…. 

Deschideţi poarta sufletului ca să nu-l prindă  întunericul nopţii

Când în cealaltă parte a patriei   

Şerpii negri se-ntind goi                 

Poezia 4. Varianti i përkthyer i poezisë Në pjesën tjetër të atdheut

Ekzili i Shpirtit/ Exilul Sufletului, është përmbledhje poetike nën një titull metaforik, ku rendi i poezive ndahet në dy libra poezish: 1. Shpirti im i shkretë dhe 2. Dasma Shqiptare.  Poezitë janë të lexueshme në të dy gjuhët, në variantin e përkthyer rumanisht dhe në variantin origjinal shqip. Pjesa e fundit e librit përmbanë disa mendime të kritikës letrare rumune për veprën dhe për krijimtarinë poetike të Bashotës të përkthyer në gjuhën rumune në kohë të ndryshme.

Ekzili i shpirtit, si një përmbledhje metaforike bën bashkë poezitë e krizave emocionale të poetit gjatë një procesi të rëndë shpirtëtor dhe fizik. Ekzili i shpirtit vjen si një tentim ikje nga vetja dhe vendi i përfshirë në një luftë të padrejtë. Ekzili fizik, figuron largimin e dhunshëm të autorit nga vendlindja, derisa ekzili i shpirtit, ikjen edhe nga vetvetja. Megjithë pjesën e tmerrit, vepra e Bashotës, e ofruar për lexuesin rumun, merr pak nga poezitë e melankolisë, shprehjes së mallit,  poezitë e dhembjes, pengut që e shqetëson poetin, por edhe poezitë e thirrjeve të dashurisë, si : A s`të thashë e dashur, Mesditë e heshtur, Zanë mali apo vetëm dhimbje, etj. Këta tituj plotësojnë raportin e lexuesit rumun me veprën e Bashotës, përmes vlerave të reja estetike e tematike, si një qasje e re e komunikimit të publikut me veprën poetike.  

Përkujtim: Në historinë kulturore dhe letrare shqipe, Rumania kujtohet si një nga vendet që me shekuj fuqishëm përkrahu zhvillimin, avansimin dhe promovimin e letërsisë shqipe./KultPlus.com

Dua Lipa e vlerëson punën e kryetarit të Komunës së Prishtinës (FOTO)

Dua Lipa në profilin e saj zyrtar në facebook ka lavdëruar punën e kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, shkruan KultPlus.

Ajo nëpërmjet një postimi po ashtu ka njoftuar për bashkëbisedimin e saj me kryetarin që do të zhvillohet nesër.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.

Dëshiroj ta falenderoj shumë kryetarin e qytetit tonë, Prishtinës, z. Shpend Ahmeti për punën e pandalshme dhe kujdesin ndaj qytetarëve në luftën kundër COVID-19.
Ka qenë tejet mbresëlënëse me e pa bashkëpunimin e madh të komunës dhe qytetarëve, dhe masat të cilat secili prej jush i keni ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Të dielen (nesër) do ta intervistojmë Kryetarin me PYETJET e JUAJA.

Pyete Kryetarin, duke dërguar pyetjet në [email protected], ndërsa unë do t’ia përcjelli ato gjatë intervistës që do ta kemi bashkë, këtë të diel në orën 21:00PM CET.
Ju dua shumë. Kujdesuni për veten dhe njëri-tjetrin. Shihemi të dielen mbrëma. #askthemayor #folmekryetarin/ KultPlus.com

Vjosa Osmani ia thotë këngës bashkë me të bijat (VIDEO)

Tani kur e gjithë bota po ballafaqohet me pandeminë Covid-19 dhe kur spektri politik në Kosovë mbetet i përçarë rreth përpjekjeve për ta formuar një Qeveri të re apo për ta mbajtur këtë Qeveri në detyrë derisa të krijohen kushtet për të shkuar në zgjedhje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po e menaxhon mjaft mirë këtë kohë.

Ajo në llogarinë e saj në Twitter, Osmani e ka publikuar një video ku shihet dhe dëgjohet duke kënduar së bashku me dy vajzat e saja, njofton Klan Kosova.

Në gjuhën angleze ajo është shprehur se vajzat e saj janë motivimi i saj i përditshëm.

“Vajzat e mia janë motivimi im i përditshëm dhe më bëjnë të besoj se një nënë e binjakëve mund të bëjë çfarëdo. Përmes zërit të Miriam Canit dhe Alban Skenderajt kemi kënduar ‘Ti je Dhurata’ për të gjithë fëmijët të cilët janë duke frymëzuar prindërit e tyre të jenë të guximshëm dhe të mos heqin dorë kurrë”. /KultPlus.com

Bie shi

Poezi nga Mitrush Kuteli

Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.

Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn’ e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.

O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t’u kesh zili,
-se gurët s’vuajnë kur bje shi
përmbi Tiranë!

Aktorja e famshme hollivudiane Uma Thurman mbush 50 vjet

Aktoria hollivudiane Uma Thurman mbush 50 vjeç, por 50 vitet e saj duket se janë vetëm 20 të djeshmit: filozofia Budiste, trajnimi i përditshëm dhe vizitat estetiko-kirurgjike jo vetëm që e mbajnë atë simpatike dhe tonifikuar, por e kanë shndërruar në një ”mjellmë të shkëlqyer”.

Uma lindi në Boston dhe emri i saj nuk është një emër arti: babai ishte studiuesi më i famshëm Budist në Amerikë; mamaja ishte një baroneshë gjermane e cila në SHBA u prezantua së pari si modele dhe më pas u diplomua si psikoterapiste.

Çifti rriti vajzën dhe tre vëllezërit e saj në një edukim të rreptë dhe mistik (emri i mesëm i Uma është Karuna që do të thotë dhembshuri në Tibetin e lashtë), por ajo nuk ishte në gjendje të përmbajë hovin e vajzës: vetëm 15 vjeç merr pjesë në një lojë shkollore, është e apasionuar pas biznesit dhe papritmas vendos të ndjekë aktrimin. /KultPlus.com

Mbi 7 milionë fëmijë afganë rrezikojnë të vuajnë nga uria për shkak të koronavirusit

Më shumë se shtatë milion fëmijë në Afganistan janë të rrezikuar nga uria pas rritjes së çmimeve të ushqimit për shkak të pandemisë, tregon një raport.

Një zëdhënës i Save the Children tha se vendi po përballet me një “stuhi të urisë, sëmundjes dhe vdekjes” .

Bamirësi tha që një e treta e popullsisë, e cila përfshin 7.3 milion fëmijë, po përballet me mungesa ushqimore, shkruan BBC.

Kohët e fundit OKB e përfshiu Afganistanin në një listë të vendeve në rrezik urie.

Programi Botëror i Ushqimit i Organizatës (WFP) paralajmëroi se bota po përballet me një “pandemi të urisë” .

Afganistani ka vuajtur gati dy dekada lufte që kur forcat e udhëhequra nga SH.B.A. rrëzuan Talibanët në 2001, duke e lënë atë me një sistem të kujdesit shëndetësor të shkatërruar dhe të varfëruar, raporton abcnews.al

Ndërsa koronavirusi u përhap, qeveria izoloi kryeqytetin, Kabul, në fund të marsit dhe provincat e tjera pas tij.

Lëvizja përveç blerjes për nevoja themelore është e kufizuar me rregulla të ashpra dhe udhëtimi midis qyteteve është i ndaluar.

Çfarë tregon raporti?

Save the Children raportoi se çmimi i ushqimit po rritet pikërisht në kohën kur fëmijëve u nevojitet ushqim i mjaftueshëm gjatë ditës për të forcuar sistemin imunitar.

Edhe para pandemisë më shumë se pesë milion fëmijë afganë kishin nevojë për një formë të mbështetjes humanitare. Sondazhet e fundit të OKB tregojnë se rreth dy milion fëmijë të moshës nën pesë vjeç përballen me uri ekstreme.

Duke përmendur shifrat nga WFP, raporti thotë se çmimi i miellit të grurit dhe vajit të gatimit në tregjet kryesore të qytetit të Afganistanit u rrit deri në 23% në muajin e kaluar ndërsa kërkesa tejkaloi furnizimin. Kostoja e orizit, sheqerit u rrit midis 7% -12%.

Shoqëruar me rritjen e çmimeve, pagat e punëtorëve të përditshëm po bien pasi izolimi i vendit uli kërkesat e njerëzve.

“Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore afgane mbështetet në sektorin informal, pa sigurime”, thuhet në raport.

Me vetëm 0.3 mjekë për 1.000 njerëz, fëmijët e sëmurë nga Afganistani kanë më pak të ngjarë të marrin trajtimin për të mbijetuar, paralajmëroi Save the Children.

Kujdesi shëndetësor në Afganistan

Timothy Bishop, drejtori i bamirësisë në Afganistan, tha se për shumë afganë ndikimi më i madh i pandemisë nuk do të ishte vetë virusi, por uria e shkaktuar nga masat e bllokimit dhe një prishje e linjave të furnizimit.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar se kjo pandemi do të çojë në një stuhi të urisë, sëmundjes dhe vdekjes në Afganistan, tha ai.

“Ne po përballemi me rrezikun që fëmijët të mund të vdesin nga uria. Ajo që na duhet është që bashkësia ndërkombëtare të dërgojë me urgjencë furnizime ushqimore për t’u shpërndarë në disa nga komunitetet më të rrezikuara në vend. ”

Ai shtoi: “Fëmijët afganë kanë vuajtur mjaftueshëm. Shumica nuk kanë parë asgjë tjetër përveç konflikteve në jetën e tyre. Ne nuk mund të lejojmë që Covid-19 t’i rrëmbej më shumë të ardhmen e tyre.”/KultPlus.com

Kurti paralajmëron lehtësim të masave pas rënies së numrit të personave të prekur me virus

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas 50 dite nga rasti i parë me virusin korona, situata në Kosovë është normalizuar.

Kurti ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë në dispozicion për të menaxhuar situatën, përfshirë mjekët, infermierët, policët.

Postimi i plotë:

Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.

Duke ju falenderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit.

Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.

Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë! /KultPlus.com

Fotografitë mbresëlënëse të qyteteve të zbrazëta (FOTO)

Për javë të tëra në disa vende, dhe me muaj në vende të tjera, më shumë se gjysma e popullsisë së botës është izoluar për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Si pasojë, vendet që ishin përplot me njerëz mbetën bosh, duke zbuluar një bukuri që më parë mbeti e kishte fshehur.

Imazhet të ndryshme tregojnë vende nga planeti ynë, përfshirë Nju Jorkun dhe New Delhi, si dhe hapësirat e tokës në Kaliforni, Evropë dhe Kinë – rajone që më herët ishin të goditura fort nga ndotja e ajrit.

Të marra pas një mbyllje ndërkombëtare për të frenuar pandeminë, imazhet janë ilustrime të qarta se si veprimtaria njerëzore ndikon në mjedis – dhe e mira që vjen kur ndalemi.

Dua Lipa flet me kryetarin e Prishtinës (FOTO)

Dua Lipa nesër do të flet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, shkruan KultPlus.

Në këtë bashkëbisedim do të jetë edhe Dugagjin Lipa, nëse dëshironi të jeni pjesë e këtij bashkëbisedimi, ju mund ti dërgoni pyetjet e juaja në [email protected], ku organizatorët kanë njoftuar se Dua do t’ia bëjë pyetjet më interesante kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Ky bashkëbisedim do të bëhet më 3 maj, në ora 21:00 në facebook./KultPlus.com

Sot është përvjetori i lindjes së shkrimtarit Arif Demolli

Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës.

Demolli la pas shumë vepra letrare të njohura si: “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve”, “Ballkonet e një qyteze” e shumë të tjera.

Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme normale dhe fakultetin filozofik, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare.

Pos në arsim punoi në revistën “Bota e Re”, Televizionin e Prishtinës, “Fjala”, “Pionieri”.

Tregimet e tij janë perfshirë në panorama dhe ne antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptare. Librat “Ballkonet e nje qyteze” dhe “Pellumbat e kujtimeve i jane ribotuar edhe në Tiranë”.

Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.

Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. /KultPlus.com

Gjermania do të ndihmojë në shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit

Kancelarja Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania do të ketë një kontribut të rëndësishëm financiar për t’u siguruar se posa të krijohet vaksina kundër koronavirusit, të shpërndahet nëpër gjithë botën.

Në postimin e saj javor, Merkeli ka deklaruar se duhen edhe 8 miliardë për zhvillimin e vaksinës që do të luftonte COVID-19.

Liderët botërorë kanë bërë thirrje për testimin e ilaçeve dhe vaksinave dhe t’i ndajnë ato përmes një iniciative të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkaq, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se më 4 maj do të tentohet mbledhja e një fondi prej 7.5 miliardë eurove për të ndihmuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e koronavirusit. /KultPlus.com

Kur braktis atë që do

Poezi nga Timo Flloko

Ti po kthehesh përsëri tek unë,
Me pendesë edhe trishtim pa fund.
Ka shumë kohë qe po të pres…
Sa shumë…

Vjen,
Përmes erës nëpër natë, ti vjen.
Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…

Ku shkuan ëndrrat, ku?
Ke deshën sytë e tu?
S’e di…!
Ne heshtim që të dy.
Na ndan një ftohtësi, tani…

Kur braktis atë që do,
Vjen një çast qe e kupton,
Se pa te, ti dot s’jeton…!

Çfarë më thuaj vlen në botë,
Kur je vetëm e ke ftohtë,
Dhe një zemër s’e gjen dot…?

Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt?
S’e di…!
Një ndjenje në fshehtësi,
Jam skllavi yt me thotë tani…

Unë,
Sa trishtim po ndjej ne shpirt, çudi…!
Kur pendesën shoh në sytë e tu.
S’di…te dua a te humba përgjithnjë?!

Ti u ktheve, lotin shoh te ngrire.
Jam i dobët dhe te fal?! S’e di…
Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!… / KultPlus.com

‘Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin, do të vdes duke qeshur kur të gjithë do të qajnë’

Disa thënie për jetën, vdekjen dhe dashurinë nga Jim Morrison

“Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin. Do të vdes duke qeshur, kur të gjithë do të qajnë!”

“Bëj që jeta jote të jetë një ëndërr, por mos lejo që ëndrra të bëhet jeta jote!”

“Jeta më dhuroi tri zgjidhje: seks, drogë dhe vdekje. Unë zgjodha dy të parat; e treta më zgjodhi mua!”

“Dielli që perëndon të prek në shpirt, vetëm për të të kujtuar se të vodhi dhe një ditë!”

“Mos jeto me frikën e vdekjes, por vdis me gëzimin se ke jetuar!”

“Më mirë të humbasësh një çast të jetës, sesa jetën në një çast!”

“Ne nuk jemi ata që jemi, por vetëm ajo që të tjerët shohin tek ne!”

“Derisa ngjyra e lëkurës do të jetë më rëndësishme sesa ngjyra e syve, do të ketë luftë!”

“Më mirë një fund i dëshpëruar sesa një dëshpërim pa fund!”

“Të lindësh e pastaj të vdesësh. Ky është absurditeti i jetës!”

“Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes!”

“Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë!”

“Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur!”

“Përse nuk na lejojnë të dashurojmë… X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!”

“Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj!”

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm!”

“Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes!”

“Uroj që kur të vdes të shkoj në Parajsë, sepse Ferrin e jetova këtu!”

“Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre!”

“Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës!”

“Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde!”

“Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…!”

“Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…!”

“Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret,  kjo jetë po s’pati dhimbje kurrë s’mund të quhet jetë…!”

“Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…!”

“Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…!”

“Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…!”

“Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t’u çuar e lufton përsëri…!”

“Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…!”

“Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…!”

“Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…!”

“Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…!”

“Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…!”

“Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…!”

“Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…!”

“Midis të mirës dhe të keqes ka një porte… dhe unë ta hap!”

“Mos u kënaq me horizontin… kërko pafundësinë!”

“Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…!”

“Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…”

“Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…!”

Më trego çfarë muzikë dëgjon, të tregoj kush je

Muzika, njësoj sikurse shumë preferenca të tjera të tuat, tregojnë shumë për personalitetin tënd. Në mund të kuptojmë shumë për karakterin e dikujt, thjesht duke i hedhur një sy listës së këngëve të tij në laptop, Music app, Spotify, apo iTunes.

Në një studim ku u përfshinë rreth 4.000 persona, ata plotësuan një formular mbi llojin e tyre të preferuar të muzikës dhe shkruajtën mbi arsyen se pse e pëlqenin atë zhaner muzikor. Analiza e tyre tregoi të dhëna befasuese.

Zhanret më të pëlqyer muzikor bashkë me shpjegimet e personalitetit të personave që i pëlqejnë, janë si më poshtë :

Muzika Punk – Muzika Punk pëlqehet më shumë nga personat e zgjuar dhe që ecin me plane për të ardhmen. Ata janë shumë larg karakterit vëzhgues, apo gjykues. I pëlqen më shumë të ndërhyjnë kur duhet, se sa thjesht të rrinë të heshtur duke parë të ndodhin padrejtësi përpara syve të tyre.

Muzika Jazz – Personat që pëlqejnë këtë lloj muzike, mendohet se janë më të zgjuar, më socialë me të tjerët dhe njëkohësisht, kanë karakter shumë të fortë. Nëse ata i mbyllin punët me dikë apo me diçka, nuk i rikthehen më të njëjtës historie nga e para. Gjithashtu, janë njerëz që përqendrohen shumë tek plotësimi i synimeve që i vendosin vetes.

Muzika klasike – Kjo ishte mjaft e preferuar në mesin e arkitektëve dhe opinionistëve. Mendohet se personat që pëlqejnë këtë lloj muzikor janë më të zgjuar dhe shumë më tepër të dhënë ndaj fakteve. Ata nuk flasin asnjëherë me siguri, nëse nuk kanë parë fakte mbi temën që po diskutohet.

Muzika Rock – Eh, janë të vërteta fjalët që ekzistojnë se muzika Rock pëlqehet nga personat me karakter gjaknxehtë dhe rebel. Sipas studimit të kryer, kjo lloj muzike u pëlqye më shumë nga personat më gjaknxehtë gjatë sondazhit, si dhe nga ata që ushtronin bërjen e tatuazheve si profesion.

Muzika Pop – Kjo lloj muzike u pëlqye shumë prej tipave aventurierë, socialë dhe me imagjinatë të zhvilluar. Persona të tillë mendohet se janë shumë të ndjeshëm, por edhe tepër socialë. Shoqëria me ta nuk të mërzit asnjëherë.

Muzika Metal – Këta persona mendohen se kanë karakter të kundërt me ata që pëlqenin muzikën pop. Nuk janë shume socialë dhe preferojnë më tepër të mendojnë se sa të ndiejnë, si dhe të veprojnë shpesh herë në gjaknxehtësi e sipër.

Muzika Hip Hop – Personat që pëlqejnë muzikën hip hop, mendohet se janë shumë më të fokusuar duke menduar për të tjerët, se sa për veten. Janë tipa socialë dhe të besueshëm, pra tipa që kushdo do të donte t’i kishte në shoqërinë e vetë.

Muzika Electronic– Persona të tillë janë shumë të dhënë pas festave, pas party-ve. Rrallë mund të gjesh dikë që pëlqen muzikën elektronike dhe që i pëlqen të rrijë në shtëpi. Pra, persona të tillë mezi ‘mblidhen’ në shtëpi. Janë tepër të lëvizur.

Muzika Country – Personat që pëlqejnë muzikën Country janë shumë paqësorë dhe shumë pro një jete të qetë. Të gjithë ata që zgjodhën muzikën country, ishin më tepër pro një jete të qetë në një zonë ruralë, se sa një jete aktive në kryeqytet, apo në metropole.

Muzika Soul – Nuk ka njerëz më të ndjeshëm, se sa ata që pëlqejnë muzikën Soul. Jo më kot, ky zhaner muzikor u preferua më tepër nga ata që kishin një rreth të ngushtë shoqëror dhe që preferonin më shumë jetesën vetëm apo me pak njerëz, se sa atë ku rrethoheshin prej shumë njerëzve që mund t’i lëndonin ata. /bota.al/ KultPlus.com