Ylli i filmave “Maleficent”, Angelina Jolie, e cila shërben si e dërguar speciale e UNHCR-s për çështjet e refugjatëve, dëshiron të sigurohet që të rinjve u ofrohet qasje në arsim edhe pas kalimit të pandemisë së koronavirusit, kjo pasi së fundmi në media u raportua se rreth 1.5 miliard fëmijë anembanë globit, aktualisht nuk janë duke shkuar në shkollë.
Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo e shënuar para pandemisë, kur 260 milionë fëmijë nuk kishin qasje në shkolla, transmeton KultPlus.
Aktorja Jolie insiston në rëndësinë e arsimit tek fëmijët, dhe jo vetëm për qëllime edukuese.
“Për miliona fëmijë dhe të rinj, shkollat janë dritare e rëndësishme e hapjes së mundësive në jetë, dhe një vend i cili i mbron ata. Klasat e mësimit u ofrojnë atyre mbrojtje ose të paktën i mban larg dhunës dhe rrethanave të tjera të vështira. Dhe pa u ofruar ndihmë urgjente praktike, disa nga këta fëmijë që kanë mbetur pa u shkolluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, rrezikojnë të mos kthehen në më kurrë në shkolla. Ne duhet të gjejmë mënyra që të sigurojmë qasje në vazhdimësinë e arsimit, për të rinjtë anembanë botës. Sigurimi i arsimit për fëmijët refugjatë është diçka të cilën mund të bëjmë, nëse të gjithë i bashkojmë forcat,” citohet të ketë thënë Jolie.
Mesazhi i aktores së njohur hollywoodiane, vjen pasi qeveria Britanike u zotua se do t’i dhurojë 5.3 milionë funte për organizatën UNHCR, me qëllim të mbrojtjes së edukimit të fëmijëve refugjatë.
Lajmi, po ashtu vjen pas raportit të organizatës, “Save the Children”, e cila paralajmëroi për urgjencën e fshehtë të arsimit, me të cilën përballen kryesisht fëmijët më të varfër të botës.
Sipas këtij raporti, rreziku i dëmtimit të sistemit arsimorë pas pandemisë, i prek vendet e varfra të tilla si: Nigeria, Mali, Chadi, Liberia, Afghanistani, Guinea, Mauritania, Yemeni, Nigeria, Pakistani, Senegali dhe Bregu i Fildishtë. / KultPlus.com
DRTK-Berat dhe CHWB–Albania vijnë në vitin e 5-të të bashkëpunimit për përgatitjen e mjeshtrave të drurit, gurit dhe suvasë.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tha se “pas përfundimit të marrjes së njohurive teorike ka filluar ndërhyrja në praktikë për restaurimin e banesave monument kulture sipas teknikave tradicionale të ndërtimit”.
“Ka filluar ndërhyrja për restaurimin e çatisë së banesës së familjes Buda dhe restaurimin e fasadës në banesën e familjes Gjinari/Shtrepi në lagjen Goricë. Ndërhyrja do të kryhet nga praktikantët e rinj në drejtimin e mjeshtrave sipas teknikës tradicionale”, bën të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.
Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit. /Atsh /KultPlus.com
– Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Misionares dhe Humanistes EVANTHI CIKO, (Mësuese e Merituar – 13 korrik 1920 – 13 korrik 2020)
Fëmijëria dhe… Udha drejt mësuesisë!
Evanthi Ciko mbetet një emër shumë i njohur në fushën e arsimit dhe të edukimit në Shqipëri. Një figurë mjaft e spikatur, komplekse dhe shumëdimensionale, me një karrierë të ngjeshur dhe të pasur në lëmin e mësuesisë, por edhe si veprimtare e palodhur shoqërore, ajo do të linte gjurmë të thella si trashëgimtare e denjë e njërës prej familjeve më fisnike me tradita të njohura tiranase. Paraardhësit e saj, familja Zoraqi, (mbiemrin e të cilëve e mbante Evanthia në vajzëri dhe vëllai i saj më i vogël, kompozitori i mirënjohur Nikolla Zoraqi ), kishin mbërritur 300 vjet më parë nga Voskopoja për tu vendosur në Tiranë. Ata ishin përfshirë në komunitetin orthodoks tiranas, besim të cilit i përkisnin. Më 13 korrik të vitit 1920, kur Evanthia erdhi në jetë, babai i saj Grigori ishte një nënpunës i thjeshtë i Bashkisë, në kohën kur Tirana sapo ishte shpallur kryeqytet. Gjyshi nga ana e nënës, Jakov Skaka ishte nga Belica e Strugës. Ai ishte një tregëtar mjaft i njohur për kohën, dhe banonte në qendër të Tiranës. Shtëpia e tij ndodhej aty ku sot është Hotel Tirana Interantional. Përballë shtëpisë së tij, në krah të këtij hoteli, prapa ish – librari “Flora”, ndodhej edhe një shtëpi dy katëshe me qerpiç, pronë e familjes Kazazi. Prej dëshirës së madhe për ta patur pranë vajzën e porsalindur, gjyshi i saj interesohet dhe merr me qira një dhomë nga fqinjët e tyre, te Kazazët. Aty u rrit Evanthia, e rrethuar nga dashuria e madhe e gjyshërve të saj…Fëmijëria e Evanthisë ka qenë e bukur, e qetë dhe shumë e gëzuar, falë përkujdesjes së vazhdueshme jo vetëm të gjyshërve dhe të prindërve të cilët ndiqnin hap pas hapi rritjen e saj, derisa ajo nisi të frekuentoi rregullisht dhe me rezultate të shkëlqyera të gjitha ciklet shkollës, nga fillorja dhe deri në përfundim të Institutit Pedagogjik “Nëna Mbretëreshë”. Më pas, ajo do të vijonte studimet e thelluara në Romë – Itali, në degën e pedagogjisë. Pas këtyre studimeve, në vitin 1944 do të kthehej në Shqipëri dhe do të niste karrierën e saj si mësimdhënëse për ciklin e ulët në kryeqytet, në shkollën “Naim Frashëri”, me drejtor shkrimtarin e mirënjohur Sterio Spasse. Mirëpo gjatë kësaj periudhe, Evanthi Ciko u angazhua edhe në Radio Tirana, si një ndër spikeret e para të atij institucioni. Në korridoret e zhurmëshme dhe studiot modeste që gjallonin nga puna aty, do të pikaste, e më tej do ti tërhiqte vëmendjen një djalosh interesant dhe simpatik, pak më i rritur se ajo në moshë, por shumë elegant dhe fin, që kishte një artikulim dhe sjellje prej xhentili në komunikim, me të cilin do të njihej për së afërmi e më pas do të bëhej bashkëshorti i saj i ardhshëm. Ky ishte profesori i nderuar Mihal Ciko, i cili ishte nga të parët këngëtar operistik (bariton), mjeshtër kori, i diplomuar në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano të Italisë. Pas një përvoje pune disa vjeçare si mësimdhënëse në këtë shkollë, së bashku me bashkëshortin e saj Mihalin, vendosën vullnetarisht të shkonin për disa vite në qytetin e Korçës (1947 – 1950), për të dhënë mësim në shkollat e atij qyteti, ngase asokohe, kudo në të gjithë Shqipërinë, nevojat për kuadër si në çdo sektor të jetës së vendit, edhe në arsim ishin të mëdha. Veç kësaj, ishte edhe një arsye tjetër personale që, së bashku të dy zgjodhën të punonin për disa vite në këtë qytet të bukur dhe të njohur për serenata. Mihali, si djalë korçar që ishte, në kohët më të bukura të rinisë kishte investuar me artin e tij muzikor si dirigjent i parë i Korit në vitin 1920, pikërisht asohere kur sapo kishte ardhur nga Bukureshti. Mbas vitit 1950 ata do ta linin Korçën për tu rikthyer sërish në Tiranë, sepse sapo ishte ngritur i pari.
institucion muzikor profesionist që ishte Filarmonia Shqiptare, dhe që tre vite më vonë do të shndërrohej në Teatrin Kombëtar i Opera dhe Baletit. Profesor Mihali u ftua të bëhej pjesë si themelues i këtij institucioni të rëndësishëm kulturor në vend duke u emëruar si pedagog zëri dhe solist, ndërsa Evanthia u rikthye në arsim si mësimdhënëse, por tashmë edhe si drejtuese në disa shkolla të njohura të kryeqytetit, siç ishin shkolla “Luigj Gurakuqi”, “11 Janari”, sot “Dora D’Istria”, “Hasan Vogli”, etj. Gjatë kësaj periudhe, ajo u shqua si mësimdhënëse dhe drejtuese e aftë, kishte arritur rezultate të shkëlqyera në shumë tregues, duke u dalluar si një nga metodistet më cilësore dhe model në Tiranën e atyre viteve, ngase kishte aplikuar metodat bashkëkohore e të avancuara në këtë fushë. Për këtë arsye, edhe u pikas nga drejtuesit kryesor të rrethit për t’iu besuar një nga detyrat e rëndësishme dhe me përgjegjësi të madhe, si e vetmja inspektore për ciklin e ulët në seksionin e Arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, detyrë të cilën e mbajti dhe e kreu me nder e dinjitet për plotë 10 vjet, nga viti 1955 deri në vitin 1965. Kjo ishte edhe periudha që e afronte Evanthinë me fundin e karrierës në arsim. Ishin vite tepër të lodhshme, me shumë përgjegjësi e ngarkesa të mëdha emocionale e shpirtërore nga puna e gjatë me fëmijët, të cilët, veç lodhjes e vështirësive të mëdha, i kishin dhënë njëkohësisht kaq shumë emocione, kënaqësi, dhimbje por edhe sadisfaksion. I duheshin edhe 5 vjet që të dilte në pension, dhe pikërisht në një mëngjes marsi të vitit 1965, shefi i seksionit të Arsimit e thërret në zyrë për ti dhënë një njoftim…(!!!)
Një mision i vështirë, por jo i pamundur
Atë mëngjes, pas përshëndetjes së parë në zyrën e shefit të arsimit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, nisi një bisedë e pazakontë, por e qetë dhe tepër miqësore mes atij dhe Evanthisë. Nga toni i butë dhe përgjedhja e fjalëve, dukej se ishte një çështje delikate, jo si të gjitha çështjet e zakonshme që trajtoheshin çdo ditë në atë zyrë. – Aristidhi, drejtori i Shtëpisë së Fëmijës “8 Nëntori” del në pension dhe kemi rënë në vështirësi të madhe për ta zëvendësuar, – e nisi bisedën duke hyrë menjëherë drejtë e në temë shefi i arsimit, por toni i tij ishte të qetë, i shtruar dhe tepër njerëzor. – Specifika e këtij institucioni të rëndësishëm, kërkon jo vetëm një njeri me eksperiencë, por mbi të gjitha një Njeri me zemër të madhe, shumë të përkushtuar. Atje, në atë detyrë duhet të jetë një NËNË me plotë kuptimin e fjalës. Në fakt, kishim menduar që t’ju çonim në një punë më të lehtë pas gjithë asaj lodhje që kaluat këtu në seksion, – u përpoq ta ngushëllonte eprori. Por tani më thuaj, si t’ia bëjmë, kush më mirë se ty mund ta bëjë këtë punë…!?, – tha këto fjalë shefi, ndërkohë vështrimin e tij të butë dhe gati përulës e “ngriu” për një çast tek sytë e Evanthisë si për ti “vjedh” mendimin, në pritje të reagimit që do të bënte pas kësaj bashkëbiseduesja. Dukej se përgjërimit mallëngjyes të tij, donte t’i shtonte edhe argumentin bindës se ata fëmijë kanë shumë nevojë për një imazh të ngrohtë dhe të butë mëmësor, të cilëve fatkeqësisht dhe për shumë arsye u kishte munguar për gjatë gjithë jetës. Roli yt në këtë institucion duhet ti kaloj kufijt e përgjegjësisë që ka një mision i rëndësishëm, krejt ndryshe nga shumë detyra që ke kryer për plotë 20 vjet me aq zell e pasion. Është një rol sakrifikues si në planin shpirtëror dhe emocional, ashtu edhe në atë moral e shoqëror, që ka të bëj në radhë të parë me humanizmin… Po e përsëris edhe njëherë: me humanizmin… – Hë, si thua…!? Kam besim se do t’ia dalësh mbanë, – e mbylli bisedën ai duke e bërë fakt të kryer këtë propozim. Pas kësaj, menjëherë Komiteti Ekzekutiv miratoi emërimin e Evanthisë në krye të atij institucioni, i cili siç do të shihej më vonë, do të pësonte ndryshime të mëdha cilësore përmes reformave dhe zbatimit të metodave të reja bashkëkohore, aplikimit të modaliteteve dhe praktikave psikosociale e pedagogjike të panjohura më parë. Ato synonin evidentimin e aftësive dhe prirjeve individuale, nxitjen e imagjinatës krijuese dhe inisiativën e vetëveprimit tek çdo fëmijë, demokratizimin e jetës së brendëshme dhe transformimin e atij institucioni nga ajo e tipit klasik me shërbime në grup, në një institucion të hapur e modern, me mjaft shërbime multidisiplinare e bashkëkohore, me standarde të larta e tipologji shërbimi sipas modelit Shtëpi – Familje. Ashtu siç do të shprehej në kujtimet e saj të mëvonshme, të hedhura në moshën 90 vjeçare në një libër mjaft mbresëlënës me titull: “E bekuara mësuesi”, Evanthi Ciko nuk e pati aspak të lehtë të ndryshonte modelin që gjeti në atë institucion, i cili ishte i papranueshëm me konceptet dhe praktikën e saj pedagogjike si profesioniste.
Ajo ç’farë Evanthia gjeti në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori” pasi mori detyrën si drejtoreshë, ishte tepër e shëmtuar, tmerrësisht jashtë çdo përfytyrimi dhe natyrës së saj paqësore e njerëzore në marëdhënie me fëmijët. Çdo gjë ishte e papajtueshme me tipologjinë dhe kërkesat që i nevojiteshin një institucioni specifik, siç ishte Shtëpia e Fëmijës, një institucion mirëfilli edukativ, argëtues, rekreativ dhe funksional në të gjitha aspektet, me tipare dhe karakteristika si ato që i nevojiten një familjeje të vërtetë. Asokohe, ai institucion ngjasonte si në formë, ashtu edhe në përmbajtje me një repart ushtarak ku zbatohej një disiplinë e hekurt, me rregulla të forta e të vrazhdëta që ndikonin negativisht në psikikën, formimin dhe procesin jo normal psikomotor të fëmijëve jetim, në edukimin dhe rritjen e pa shëndetshme të tyre. Për këtë arsye, Evanthisë i është dashur të kalojë netë të tëra pa gjumë që nga dita e parë e emërimit, duke marrë së fundmi një vendim të prerë se: “Nëse nuk do të shkëlqej si drejtoreshë, të paktën patjetër do të jem një nënë e dashur dhe e dhembshur për ata jetimë, pa i ndarë asnjëherë nga të dy fëmijët e mi biologjik, Zhanin dhe Ketin…”. Dhe kështu ndodhi!
Rrëfimi i Evanthisë
Drejtori paraardhës që do të linte detyrën, më foli në përgjithësi se ku duhej ta përqëndroja më shumë vëmendjen dhe punën. Më dorëzoi dokumentacionin duke i dhënë jo pak rëndësi një liste me rreth 30 emra fëmijësh. – Këta janë më të vështirët ndaj bëj kujdes!, – më këshilloi ai. Dy javë para fillimit të vitit shkollor, – tregon Evantia, – në një të hënë gushti, në oborrin e shtëpisë së madhe u ndesha me shumë vështrime fëmijësh, me fytyra të pezmatuara dhe jo të qeshura, të cilët kushedi ç’farë mendonin dhe meditonin për drejtoreshën e re. Me një pjesë të edukatoreve njihesha prej kohësh, edhe pse nuk kisha informacion për këtë institucion, më kishte qëlluar që të vija këtu. Në shkollën “Labinoti”, kisha parë edhe nxënës të kësaj shtëpie jetimësh, por, si i thonë përciptazi, pasi gjithçka kontrollohej dhe ishte në varësi të Ministrisë së Arsimit. Të nesërmen, ika me përgjegjësinë dhe shqetësimin e drejtoreshës dhe të nënës së një shtëpie të madhe. Misioni për mua ishte i qartë dhe sa kishte nisur. Ishin 268 fëmijë jetim që duhej të rriteshin, edukoheshin dhe shkolloheshin. Jo vetëm për humanizëm, por edhe për sedër profesionale më duhej të jepja maksimumin. I thashë vetes: Forca!, për të dalë faqebardhë edhe në këtë detyrë të re. Ditët e para lodhesha shumë. Fëmijët bënin shumë zhurmë nëpër korridore dhe oborr. Bërtisnin dhe grindeshin në ato lojëra të paorganizuara. Kisha parë disa që dilnin jashtë duke u hedhur nga muret e shtëpisë, e ndonjëri prej tyre i hipte autobuzit të Sanatoriumit. Më keq akoma isha ndjerë, kur shikoja që kontrollonin nëpër koshat ku hidheshin mbeturinat. Më kishin ardhur edhe banorë të lagjes që më ankoheshin për disa që hynin nëpër kopshtet e tyre dhe këpusnin kokra nga pemë të ndryshme. U përgatita shumë për mbledhjen e parë që do të bëja me personelin që u shërbente 268 fëmijëve me moshë 7 deri 16 vjeçare. Komunikova dhe bashkëbisedova gjërë e gjatë me edukatoret, kuzhinieret, rrobalarëset, rrobaqepëset, punëtoret e shërbimit dhe rojet e natës. Nuk duhej të kishte asnjë hallkë të dobët në këtë zinxhir detyrimesh dhe angazhimesh të përditshme. Për hir të seriozitetit dhe disiplinës që duhej të na karakterizonte më duhej edhe ti pyesja koleget: – Nëse dikush nuk i përballon dot këto kushte dhe vështirësi pune, e mira është që të largohet për të mos na dembelosur dhe prishur ne, që duam të kryejmë këtë mision me sukses të plotë…Mes diskutimeve të shumta me personelin, u vunë në dukje mjaft vështirësi e probleme të shumta që shfaqeshin në tërë hapsirat e kësaj shtëpie të madhe. Por, në asnjë rast nuk dëgjova ndonjërën që të thoshte do të largohem, apo nuk e përballoj dot këto që kërkohen. Madje, më bëri përshtypje se në çdo fjalë të tyre ndjeje shqetësim dhe përkujdesje nëne. Të gjitha edukatoret vunë në dukje se grupet përbehen nga shumë fëmijë. Kishin të drejtë në zgjidhjen e këtij problemi, që do të ndikonte shumë për realizimin e objektivave të vëna. Por që të zvogëloje grupet, duhej të shtohej numri i edukatoreve. Kjo as që diskutohej, sepse nuk ta shtonte kush personelin. Atëherë, mendja më shkoi te fëmijët e rritur. Edhe te kjo shtëpi e madhe, mund të veprohej njëlloj si në shtëpitë tona të vogla, ku ndjehet detyrimi i ndërsjelltë mes motrave dhe vëllezërve. Kështu, thërrita në drejtori një grup fëmijësh të rritur. Mes tyre, kishte edhe nga ata që e kishin emrin në listën e të “vështirëve” që më la mbi tavolinë drejtori që iku. Hodha idenë që në turnin e mëngjesit të mos shërbenin edukatoret, por ftova ata për ti zëvendësuar. Fëmijët e rritur më mirëkuptuan, dhe së bashku u angazhuam seriozisht për tu rioarganizuar në mbarëvajtjen e punëve të brendëshme. Dhe kështu u bë. Me kalimin e ditëve situata nisi të ndryshojë, fëmijët nuk ndjeheshin si më parë. Sjellja dhe komunikimi mes tyre dhe personelit të shërbimit nisi të ndryshoj, ishte më e mirë, me një edukatë dhe respekt të ndërsjelltë. Kjo ishte shenjë e mirë për mua që më dha kurajo, më rriti shpresat se çdo gjë do të ishte e mundur. Në çdo çast, epsiodet e pakëndshme në atë shtëpi ishin të pranishme. Evanthia kujton se një djalë me emrin Dashamir, i shëndetshëm, faqekuq dhe i bukur, që quhej komandant i këshillit të djemve, mbante në dorë një zinxhir që e dridhte herë pas here. Nuk fliste shumë, veçse më shikonte në sy. Hynte në drejtori pa trokitur dhe duke tundur zinxhirin. Unë bëja sikur nuk i vlerësoja këto veprime jo të hijshme për një nxënës. Gjatë javëve të para, isha njohur me shumë prapësi të fëmijëve, jo vetëm në shkolla, por edhe në konvikt. Një ditë, dy punonjëse të lavanterisë, Pandora dhe Sherifja më sjellin në drejtori dy djem të vegjël, Toninin dhe Edin, të cilët u kishin bërë pis rrobat e lara të vendosura në tel. Bashkë me ta, si pa u ndjerë ishte futur edhe Dashi me zinxhirin në dorë. Punonjëset nisën të tregojnë atë që kishte ngjarë, dhe unë me gjak të prishur po mendoja për “dënimin” që do u jepja. Dy çamarokët rrinin me sy për dhe, ndërsa Dashi vazhdonte të dridhte zinxhirin, duke hedhur sytë nga një vizore druri që besonte se unë do ta përdorja për ndëshkim. – A lave shumë rroba sot, dukesh si e lodhur…, – i drejtohem Sherifes. Pa dale të shoh pak duart… Në çast, u drejtohem fëmijëve: – Shikojini si i janë bërë duart nënë Sherifes së lari rrobat tuaja…?! A s’ju vjen keq që lodhet gjithë ditën për ju..!? Kërkojini të falur dhe premtojini se nuk do i mërzisni më. Ashtu vepruan. Ndërkohë, dy punonjëset e kuptuan shenjën time dhe hapën krahët para se ata të shkonin drejt tyre. – Ejani t’ju përqafoj edhe drejtoresha, – por në të vërtetë i putha kur pashë se po u shkëlqente loti në sy. Dashi shtangu nga këto skena që shikonte dhe kur të gjithë dolën nga zyra, ai nuk lëvizi. – Sa mirë kështu drejtoreshë! Menduam se dhe ju do të përdornit vizoren. Nga Dashi, por edhe nga të tjerët mësova se në jo pak raste ndaj fëmijëve që bënin gabime, përdorej dhunë. Mu duk shumë e shëmtuar kjo praktikë, për më tepër ndaj këtyre fëmijëve të pa fat që kërkojnë shumë ngrohtësi dhe dashuri. Sipas Dashit, në ditët e para kur mësuan se do të vinte një grua për drejtoreshë, fëmijët “problematikë” u gëzuan. Ata mendonin dhe përshpërisnin se kjo të paktën është grua, nuk ka ç’farë të na bëjë! – Po tani kanë ndryshuar mendim?, – e pyeta Dashin. – Tani i thonë njëri – tjetrit, mos bëj gabim se sëmuret drejtoresha….
Zemra e madhe që ngrohu zemrat e vogla
Nuk ishte aspak e lehtë për Evanthi Cikon që të përmbysej një traditë kaq e vjetër siç ishte ajo e tipit klasit në funksionimin e atij institucioni, e trashëguar sigurisht sipas modelit lindor. Situata që ajo kishte gjetur ishte tepër shqetësuese. Kapanonet e mëdha të fjetjeve, sallat e studimit, mensa e ngrënies, salla e leximit dhe ajo e lojrave ngjasonin me repartet dhe kazermat ushtrisë që nuk ishin aspak funkionale, nuk kishin asnjë lidhje me qëllimin dhe mënyrën se si duhej të trajtoheshin, rritur dhe edukuar këta fëmijë. Ata e reflektonin këtë edhe në jetën e përditshme, nga mënyra e vrazhdët e komunikimit, nga zëri i trashë dhe i çjerrë prej britmave dhe të qarave të shpeshta. E gjithë jeta e brendëshme e atij institucioni ishte e uniformëzuar. Muret ishin të lyera me bojë një ngjyrëshe si brenda godinës, ashtu edhe jashtë saj. Djemtë ishin të veshur me uniformë të njëjtë dhe kokat i mbanin të qethur zero. Vajzat po ashtu të veshura njësoj. Të 268 fëmijët e këtij institucioni ishin përqëndruar në një shkollë të vetme ku mësonin të pandarë nga njëri tjetri. Ata mbushnin klasa të tëra, dhe kjo i diferenconte dhe i dallonte ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tjerë që vinin nga familjet e kryeqytetit dhe frekuentonin të njëtën shkollë me ta, por në klasa të tjera. Të gjitha këto ishin të pa pranueshme për Evanthinë, sepse e cënonin dhe e fyenin rëndë dinjitetin dhe personalitetin e fëmijës. Sipas konceptit të saj, e gjitha kjo duhej të zhbëhej si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Kishte ardhur koha që këto forma shërbimi duheshin zëvendësuar me të tjera koncepte e parime që kishin si qëllim kryesor jo vetëm modernizimin dhe demokratizimin e jetës së brendëshme të këtyre institucioneve, por edhe integrimin real të këtyre fëmijëve, me synim për ti shmangur nga stigma kolektive dhe për ti socializuar në mënyrë të barabartë në jetën komunitare, për ti bërë ata të pa dallueshëm nga bashkëmoshatarët e tjerë. Kjo ishte sfida me të cilën Evanthi Ciko nisi të përballej.
Dhe brenda një kohe të shkurtër, nisi ndryshimi. Djemëve nuk u qethej më koka zero. Çdo kush prej tyre qethej sipas dëshirës dhe modeli i flokëve i përshtatej fizionomisë dhe personalitetit të secilit. U hoq uniformiteti i veshjeve si për djemtë, ashtu edhe për vajzat. Rrobat e reja porositeshin me larmi ngjyrash e modelesh. Madje, në pjesën më të madhe të rasteve ato veshje prodhoheshin me porosi. Specialistë nga rrobaqepësi të ndryshme të ndërrmarjeve të shërbimit në kryeqytet vinin dhe bënin matjet për veshjet e reja sipas përmasave trupore që kishte çdo fëmijë. Mjediset e mëdha të fjetjes, sallat e studimit, sallat e leximit dhe ato të lojrave, i’u nështruan një rikonceptimi dhe rikonstruksioni të plotë duke u ndarë me mure në ambiente më të vogla, për ti përshtatur si mjedise multifunkionale, çlodhëse e argëtuese, njëlloj si ato me familjet e zakonshme. Këto ambiente me oxhak ku mbrëmjeve në dimrat e ftohtë ndizej zjarri dhe piqeshin gështenja e misra të pjekura nga edukatorët e kujdestarët, duhej të përcillnin tek fëmijët qetësinë e plotë dhe të gëzuar, butësinë, intimitetin dhe ngrohtësinë, ashtu siç ndodh në shumë familje shqiptare. Muret e këtyre ambienteve u lyen me bojëra shumëngjyrëshe duke shmangur uniformitetin. Tavolinat e mëdha të ngrënies në mensë u zëvendësuan me ato më të vogla, me katër persona. Menyja ushqimore u pasurua me larmi produktesh e asortimentesh të cilat garantonin mirëushqyerjen, me sasinë e mjaftueshme të proteinave dhe vitaminave që i duhej të konsumonte çdo fëmijë. Çdo ditë të premte festoheshin ditëlindjet e fëmijëve që kishin lindur në atë muaj. U ngritën grupet artistike dhe rrethet sportive të fëmijëve, ajo e gjuhës së huaj, rrethi i muzikës, i rrobaqepësisë, i këpucarëve të vegjël, i punës me dru e metal, etj. Fëmijët që përfundonin ciklin 8 vjeçar, me interesimin dhe këmbënguljen e drejtoreshë Evanthisë do të dërgoheshin në shkollat më të mira profesionale për tu aftësuar dhe për tu bërë zanatçinj e profesionistë të zotë. Shumë prej tyre vazhduan dhe përfunduan shkollat e larta për mësuesi, arkitekturë, mjekësi, inxhinieri, agronomi, veterinari, etj. Por kudo nga shkonin, do të kishin pas interesimin, vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshme të gruas me zemër të madhe Evanthi Ciko, e cila i ndiqte hap pas hapi, deri sa të sistemoheshin në punë, të siguronin një strehë dhe të njiheshin me shokun e jetës, dhe mandej të martoheshin duke krijuar familjet e tyre të ngrohta. Ishin të pafundme rastet e pjesëmarrjes së Evanthisë në fejesat dhe dasmat e të rinjve jetim, prania e së cilës padyshim zëvendësonte dashurinë dhe imazhin e munguar të nënave të tyre biologjike që nuk i njohën kurrë. Kudo, në gjithë këtë përpjekje për të ecur në jetë, pranë tyre do të ishte ajo, Evanthi Ciko, nëna e 268 fëmijëve jetimë, të cilët, për asnjë çast të vetëm nuk i la pas dore. Këto ndryshime rrënjësore tërhoqën vëmendjen e instancave më të larta të pushtetit qëndror, dhe ky institucion u bë model për të gjitha Shtëpitë e Fëmijëve në mbarë vendin. Kjo reformë dhe ky transformim i thellë në jetën e brendëshme të atij institucioni, nuk do ti shpëtonte as syrit dhe vëmendjes së udhëheqësit komunist të kohës Enver Hoxha. Më 23 nëntor të vitit 1969, me dëshirën e tij ai vendosi ta vizitoi Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori”, tashmë të reformuar tërësisht, dhe aty, para kolektivit të personelit dhe fëmijëve pjesëmarrës mbajti një nga fjalimet e tij të rralla, tepër emocionale dhe mjaft prekëse. Madje, gjatë atij fjalimi të gjatë dhe shumë delikat për temat që preku dhe u ndal në veçanti, udhëheqësi komunist pati edhe çaste të dobësie, duke u përlotur disa herë…. Ishin momente dhe detaje të fiksuara me sinkrone të regjistruara, të cilat kronikanët dhe operatorët e filmit dokumentar të pranishëm aty i shmangën më pas nëpër laboratorët e dhomat e montazhit gjatë përgatitjes së dokumentarit përpara se ai të transmetohej në publik, duke lënë vetëm ato pjesë që i nevojiteshin propagandës zyrtare të kohës. Kjo ishte një ngjarje e madhe dhe pati një jehonë, e cila për fat të keq u kthye në propagandë nga rregjimi komunist përmes televizionit të vetëm në atë kohë RTSH, faqeve të gazetave të përditshme, broshura e buletine të posaçme zyrtare që dilnin në qarkullim nga zyra e shtypit të ish Komitetit Qëndror të PPSH. Por, gjithsesi, me sa duket Evanthi Ciko i’a kishte arritur qëllimit të saj si një profesioniste e shkëlqyer. Shembulli i saj, tërhoqi vëmendjen e një grupi kineastësh, të një kaste të shkëlqyer aktorësh nga Kinostudio “Shqipëria e re”, si: Tinka Kurti, Thimi Filipi, Antoneta Papapavli, Bep Shiroka, Matilda Makoçi, Edmond Topi, etj. Skenaristi dhe dramaturgu i mirënjohur Ruzhdi Pulaha, regjisori Spartak Pecani dhe operatori Ilia Terpini, qëmtuan dhe ndërtuan një subjekt filmik me një temë sociale e psikologjike tepër të mprehtë e sensitive për kohën; jetësuan një histori përkushtimi e sakrificash sublime tejet njerëzore, me episode e ngjarje që ndodhnin asokohe në shoqërinë komuniste, duke e fiksuar përmes celuloidit në një prej filmave artistik shqiptar me metrazh të gjatë, me një titull mjaft domethënës: “Si gjithë të tjerët”, prodhim i vitit 1981. Subjekti i këtij filmi fliste për modelin e suksesshëm, punën pasionante dhe të palodhur, kontributin e paçmuar të humanistes dhe misionares së paepur Evanthi Ciko, e cila kishte mundur të shëmbte në emër të humanzimit dhe të dinjitetit njerëzor të gjitha paragjykimet mbi fëmijët e braktisur dhe të vetmuar, duke rrëzuar muret e mëshirës dhe të stigmës kolektive. Kjo ishte kredoja për të cilën punoi dhe i kushtoi jetën. Gjatë karrierës së saj është vlerësuar me shumë tituj nderi, si (Mësuese e Merituar), vlerësimin me (Medaljen e Mirënjohjes) nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, dhe me titullin e lartë të humanizimit (Simbol i Vlerave Humane), akorduar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të jetimëve Shqiptarë. Sot, modeli i Evanthi Cikos është një model i munguar, i cili na apelon se jemi përballë një nevoje të ngutshme për të nisur një aksion të madh kombëtar për humanizimin e shoqërisë. Besoj se për këtë kemi nevojë të gjithë… Më shumë se kurrë!
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë /KultPlus.com
Pas pesë ditësh kërkimi të aktores së zhdukur, Naya Rivera, më në fund besohet se është gjetur trupi i saj i pajetë.
Sipas uebfaqes për të famshëm TMZ, trupi i pajetë i gjetur nga ekipet e shpëtimit në liqenin Piru të Kalifornisë, është i aktores së famshme të serisë “Glee”, por policia ende nuk e ka konfirmuar këtë lajm, transmeton KOHA.
Njerëz të shumtë tashmë kanë filluar të postojnë mesazhe ngushëlluese në rrjetet sociale, derisa të gjithë po luten për djalin e saj 4-vjeçar, i cili aktualisht është më babanë e tij, aktorin Ryan Dorsey. /KultPlus.com
Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin. Sepse gjuha ndryshon pas 500 vjet. Ajo më s’është siç ishte. Është ligji i saj fiziollogjik dhe shpirtëror (siç është zhvillimi i njeriut). Bibla e Lutherit p.sh. e shkrojtur para 500 vjetëve më s’do mundte të përdorej prej gjermanëve pa i-u bërë përpunime gjuhe. Gjithashtu dhe përkëthimet e “përsosura” mjaftojnë për një kohë të gjatë, po dhe kjo kohë e gjatë një herë mbaron. Vetëm që kur përkëthimi ose një vepër origjinale janë të mira, kanë mundësi të qëndrojnë më gjatë. Pse? Sepse dyke qënë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës sa qëndron gjuha e tyre (p.sh. 500 vjet), ato mund të ripunohen në themel të formës, të derdhjes së tyre të parë, pa çformuar derdhjen e parë. Poezija ka mundësi të qëndrojë më shumë se sa proza, sepse poezija ka një formë më skulpturale një derdhje më të pandryshuar.
Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, një herë mund të mënjanohet prej gjuhës së “mesme” (e cila e mesme, s’është veçse një gegërishte e zbutur -, e zbutur nga influencimi armonios i toskërishtes -).
Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith duke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoní, ëmbëlsí (si gjuhë e “mesme” me karakter geg). Lufton pra forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Forca si një gjë brutale, do të fitojë (lëndërisht) përmi shpirtin, do të mbetet (mbase) gjuha e “mesme” gege, sepse gjithnjë forca fiton përmi shpirtin. Ky fitim është lëndor. Lëndërisht do kemi si gjuhë gegërishten (e “mesme”). Po një gegërishte të shpirtëzuar me infuencën e toskërishtes. Shpirtërisht toskërishtja nuk humb, shpirti do duket në ëmbëlsinë, harmoninë, bukurinë e gegërishtes se “mesme”.
Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma e saj mirëbërëse në gegërishten (e “mesme”).
Edhe unë mundohem, me fuqitë e mija, t’ja nxjerr në shesh toskërishtes potencialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj, dyke bërë vargje të përsosur në harmoni. Harmoni nuk është formë (forma e përsosur s’është kurrë art, mund të jetë zejtari, po jo art).
Harmonija ime është manifestim (me anë të vargut), i vetë jetës dhe i vetë botës shqiptare, së kristalizuar në forma të dukura shpirtërore, të cilat janë simbole të jetës dhe të botës. Prandaj rima ime identifikohet me fondin, prandaj formë e fond janë një: janë realiteti shpirtëror i çfaqur identikërisht me anën e poezisë. Prandaj rima ime nuk kuptohet kurrë që është rimë, po tretet në simbolin e jetës, të cilin ajo e shpreh me atë simbol të përsosur. Ky është arti im, një art shqiptar. Kur them rimë, e bashkuar me fondin, nuk kuptoj vetëm rimën, po dhe ritmin dhe masën me stilin e jetës, të jetës shqiptare. Është jeta shqiptare, morali ethik shqiptar që çfaqet me atë simbol poetik, sepse vetëm gjuha shqipe (e derdhur në poezi) me tingujt frymorë dhe lëndorë të saj ka mundësi të shprehë harmoninë specifike së poezisë s’ime. Sa më e përsosur është një poezi, ajo është (njëkohësisht) dhe aq më e fuqishme, d.m.th. aq më shumë përmban potencialin e moralit frymor shqiptar.
Që dua të dali poezija ime (e cila është “harmonija” ime në kuptimin e rrëfyer më sipër) sa më potenciale, kjo nuk shkaktohet prej volles t’ime individore, po prej vetë potencialit të jetës dhe botës, i cili me vitalitetin e tij të plotë e shtyn vetveten që t’a çfaqi, t’a shprehi më plotërisht. Shprehjen ky vitalitet e di (nga vetë natura e tij) e dó të jetë njëjt me potencialin e vet të tij. Nuk ka potencial më të madh ose më të vogël në poezinë e përsosur, po ka vetëm potencial të plotë, d.m.th. vetëm gradën supreme të potencialitetit vital të jetës së racës. Jeta (p.sh. në manifestimin e saj si “dashuri”) ka vetëm një potencial, d.m.th. ajo është e përsosur, d.m.th. e fortë absolutisht. Prandaj dhe poezija duhet të shprehi jetën – me simbolin poetik – në maksimumin e saj, në potencialin absolut të saj. Atëhere poezija është e përsosur, perfekte. Kur s’është e përsosur: kur s’ka fuqinë supreme, poezija nuk se ësht’e metë, po s’i përshtatet, s’i përputhet potencialit moral të jetës, pra s’është poezi, nuk përfaqëson vitalitetin integral të jetës dhe të botës, potencialin absolut.
Nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Poezija që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s’i përshtatet NUK është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë – sikundër dhe s’rron po humbet.
Pse duhet të jetë poezija e fortë, potenciale, e përsosur? Sepse vetëm dyke qënë potenciale, ka fuqinë me vete që të transmetohet më tej, që të transformojë potencialitetin e jetës dhe racës më tej në të ardhmen njerëzore…
Transmetimi moral i jetës (me anë të simboleve poetike) lot një rol aktiv dhe jo absolut. Vërtet, se gjithë poezija sado e fortë, humbet, (edhe përkëthimi i bukur i Shakespeare-it prej Schlyel Tieck, ose përkëthimi i Biblës prej Lutherit) nuk rron përjetë, sado i përsosur që të jetë. Sepse gjuha ndryshon me kalimin e kohës, dhe gjuha si dhe stili i çdo përkëthimi duhet ndrequr, siç ngjet me gjermanishten e Biblës së Lutherit që sot e 500 vjet përpara. /KultPlus.com
Sapo ta mbarosh atë afresk do të jemi bashkë përgjithmonë, një herë e përgjithmonë, pa kurrfarë argumenti apo ndonjë gjë tjetër, sall dashuri do të kemi për njëri-tjetrin.
Eja dhe bëj gjithçka që do t’ju thotë Emi Lu*.
Unë të adhuroj më shumë se kurrë më parë.
Vogëlushja jote, Frida!
————
*Artiste kaliforniane e pikturës dhe muraleve. Mike e ngushtë e Fridas dhe Diegos.
Takimi me Diego Riveran
Pikturat që Frida bënte në shtëpi ia dërgoi Diegos, që ishte një ndër personalitetet e shquara të artit pamor. Arti i saj i bëri aq shumë përshtypje saqë ai vendosi ta bëjë pjesë të skenës politike dhe kulturore në Meksikë.
Ajo u dashurua në Diegon. U martuan më pas, por Kahlo qe e vetëdijshme se ai i bënte tradhti. Megjithatë, edhe ajo më vonë pati shumë marrëdhënie jashtëmartesore. /KultPlus.com
Ka njerëz që zhyten me kokë në projekte të reja për të përmirësuar jetën e vet – duke hequr qafe gjëra të panevojshme, duke lyer sërish muret e shtëpisë, duke u regjistruar në palestër – të vendosur të mos i bëjnë gjërat përgjysmë. Unë jam një nga këta.
Kur javën që kaloi zbulova “Notion”, programin e ri tejet interesantpër të rritur produktivitetin, instinkti im i parë ishte të transferoja në brendësi të gjithë jetën time dixhitale, dhe kur instalova një sistem vendosje mbeturinash në shtëpi muajin e kaluar, mu desh t’i rezistoja tundimit për të shpenzuar një pasuri për diçka që, në fund të fundit, është vetëm një grumbull mbeturinash në një cep të kopshtit.
Eshtë e thjeshtë të racionalizohet ky qëndrim duke e përkufizuar si “dëshira për t’i bërë gjërat siç duhet”. Por në realitet ajo që duam është t’i bëjmë në mënyrë të përsosur, dhe rezultati është që nuk i fillojmë kurrë, ose i fillojmë por pastaj ndjehemi në faj, sepse nuk arrijmë kurrë përsosmërinë që do të donim.
Standarte të paarritshme
Kohët e fundit, më ndodh shpesh të shoh njerëz që bien në grackën e “gjithçka ose asgjë”, edhe sa u përket kauzave soviale. Ndoshta me izolimin, ata filluan të kuptojnë rëndësinë e komunitetit, prandaj betohen se kurrë më nuk do ta lejojnë punën që t’i largojë nga detyrimi për të qenë fqinjë të mirë. Ose dhuna e policisë i shtyn ata të shkruajnë në Tuiter se janë anti-racistë, dhe betohen se tash e tutje do të përqendrohen në luftimin e padrejtësive racore.
Këto janë ndjenja të admirueshme, por edhe në këtë rast hyn në lojë perfeksionizmi: është e vështirë të vazhdojmë angazhimin tonë për të bërë me të vërtetë ndryshim, nëse standardi ynë i suksesit, është modifikimi total i mënyrës se si e harxhojmë kohën dhe energjinë tonë .
Për të përshtatur një analogji të filozofit austriak Otto Neurath, ne jemi si marinarë në një anije që është larguar nga porti kohë më parë, dhe tani ka nevojë për riparime urgjente. Ne do të donim të ishim në gjendje të ktheheshim në port dhe ta rregullonim në mënyrë të përsosur – në rastin tonë, të organizojmë jetën ashtu siç dëshirojmë – dhe pastaj të niseshim përsëri.
T’i rezistosh tundimit
Në vend të kësaj, jemi të detyruar ta rregullojmë me aq sa mundemi, në gjysmë të rrugës ku ndodhemi. Domethënë, të afrohemi gradualisht për t’u bërë njerëzit që duam të jemi. Kam shumë punë për të kaluar një muaj duke rikrijuar sistemin ideal të produktivitetit. Dhe imagjinoj që, edhe ju, keni shumë përgjegjësi që nuk mund t’i shmangni, për t’iu dedikuar tërësisht luftës kundër padrejtësive.
Një ndryshim i dobishëm i perspektivës, është që të mësojmë të durojmë t’i bëjmë gjërat në mënyrë të papërsosur, duke e konsideruar këtë një projekt përmirësimi në vetvete. Nga ky këndvështrim, cilësia që dallon aktivistin e suksesshëm, është pikërisht aftësia e tij për t’i rezistuar tundimit për të kërkuar nga vetja perfeksionin, dhe për ta konsideruar çdo rezultat të vogël të preferueshëm, ndaj të vetmes alternativë, që është të mos bësh asgjë.
Në realitet, analogjia me anijen e Neurath është e vlefshme për të reflektuar mbi të gjithë çështjen, se si ta bëjmë këtë botën tonë një vend më të mirë. Siç thotë filozofi Christopher J. Lebron në librin e tij mbi problemet racore në SHBA, “Ngjyra e turpit tonë”: “Anija ka arritur të lundrojë, por nuk është në lartësinë e udhëtimit. Kemi material dhe kemi mësuar diçka mbi mënyrën si funksionon një anije. Nuk mund ta braktisim, sepse do të fundosemi të gjithë. Prandaj ta riparojmë përgjatë rrugës, ndonjëherë duke ia dalë më mirë dhe ndonjëherë më keq. Në fund të fundit, pak a shumë është pikërisht kjo që funksionon në një demokraci”. / The Guardian – Bota.al /KultPlus.com
Qysh herën e parë që kam lexuar Dekameronin, kur isha fëmijë, kam menduar se situata fillestare e paraqitur në libër, përpara se të fillonte narracioni, ishte kryesisht një situatë teatrale: të kurthuar në një qytet të goditur nga murtaja, pa asnjë mundësi për t’u larguar, një grup të rinjsh ujdisnin për të ikur në një vend imagjinar, duke i treguar njëri-tjetrit histori të ndryshme pasi janë ngujuar në një vilë.
Përballë një realiteti të patolerueshëm, shtatë vajza dhe tre djem arrijnë të arratisen nëpërmjet fantazisë, duke u shpërngulur në një botë prej historish që ata i tregojnë njëri-tjetrit dhe që i transportojnë nga ajo botë reale e dhimbshme në një vend tjetër, prej fjalësh dhe ëndrrash, ku ata mbeten të imunizuar ndaj murtajës.
A do të kishte mundësi që kjo situatë të shihet si vetë simboli i arsyes së ekzistencës së letërsisë?
Qysh prej kohësh që s’mbahen mend, ne, qeniet njerëzore, a nuk jetojmë duke shpikur histori për të luftuar, shpeshherë pa vetëdije, një realitet që na shtyp dhe rezulton i pamjaftueshëm për të përmbushur dëshirat tona?
Rrethana që shërben si kornizë për tregimet e Dekameronit nuk ka se si të shprehë më mirë natyrën e teatrit: për të paraqitur në një skenë diçka që, ndërsa vazhdon, është një jetë që zëvendëson jetën reale, në të njëjtën kohë duke e pasqyruar atë, me të gjitha mungesat e saj dhe gjithmonë e shoqëruar me ato gjëra që, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat tona të ngutshme, na nevojiten për të përmbushur ekzistencën tonë dhe për ta gëzuar atë plotësisht.
Që atëherë, ideja e një pjese teatrale të frymëzuar nga Dekameroni ka qenë një nga ato projektet, që shpesh më shoqërojnë, të cilëve shpesh iu jam kthyer me kalimin e viteve, deri sa një ditë, më në fund, vendosa të angazhohem për t’i realizuar. Koha që kam shpenzuar për të shkruar këtë tekst ka qenë koha më stimuluese që kam përjetuar, në sajë të Xhovani Bokaçios. Leximi dhe rileximi i tekstit, duke u përpjekur për të rindërtuar me anë të rileximit dhe nëpërmjet ekskursioneve në ato vende ku ai jetoi dhe shkroi, kjo ka qenë një sipërmarrje e lumtur.
Në Firencen mesjetare të vonshme, tashmë po lindnin dritat e para të Rilindjes. Dante, Bokaçio dhe Petrarka, – tre yjet letrare të këtij procesi, – janë burimet në të cilat duhet të shuajmë etjen për të asimiluar atë çka është më e mira e kulturës perëndimore: Me ta kanë lindur forma, modele, ide dhe vlera estetike që kanë mbetur edhe sot e kësaj dite në këmbë, duke ndriçuar të gjithë botën.
Xhovani Bokaçio ishte në Firence, kur murtaja e zezë pushtoi qytetin, në marsin e 1348-ës. Epidemia e kishte prejardhjen – me sa duket – nga Italia e jugut, ku ishte çuar nga anijet e ngarkuara me erëza që arrinin nga Lindja e Largët. Minjtë e mbartën deri në Toskanë. Shkrimtari dhe poeti ishte atëherë rreth 35 vjeç. Pa atë përvojë të tmerrshme – thuhet se murtaja shfarosi një të tretën e njëqindenjëzetmijë banorëve të Firences – nuk do ta kishte shkruar Dekameronin, këtë kryevepër absolute e shtyllë të prozës narrative perëndimore; e ndoshta do të kishte mbetur, ashtu siç ishte, një shkrimtar intelektual dhe elitar, që preferonte latinishten në vend të gjuhës së tij dialektale dhe që ishte më shumë i merakosur në lidhje me hulumtimet teologjike, klasike dhe erudite sesa nga krijimtaria letrare autentike, më e kapshme për publikun e gjerë.
Eksperienca e murtajës bubonike e bëri atë një njeri tjetër dhe ka qenë vendimtare për të nxjerrë në dritë narratorin e madh, autor i historive të celebruara nga lexues të panumërt përgjatë shekujve, në çdo cep të botës. Në një farë kuptimi, murtaja, – pra mundësia e një vdekjeje mizore, – e bëri më human, duke e afruar ndaj njerëzve të thjeshtë me të cilët deri në atë kohë – meqenëse i përkiste familjes së një tregtari me pozitë të mirë shoqërore – kishte pasur një njohje të ftohtë. Etja për argëtim dhe zbavitje e dhjetë të rinjve të ngujuar në Vilën Palmieri lindi si një kundërhelm ndaj tmerrit të shfaqur nga spektakli i murtajës, që i shndërroi rrugët e Firences në një apokalips të përditshëm, sipas asaj që shpjegohet ditën e parë.
Diçka e ngjashme i ndodhi Bokaçios, që deri në atë çast i ishte përkushtuar më shumë studimit – mitologjisë, gjeografisë, fesë, historisë, klasikëve latin – pra, më shumë jetës intelektuale, sesa asaj sensuale.
Murtaja, – pra vdekja në manifestimin e saj më mizor, – i zbuloi atij mrekullinë e jetës së trupit, instinktet, seksin, të ngrënët dhe të pirët. Dekameroni është dëshmia e këtij kthimi. Nuk mund të themi se zgjati shumë. Disa vjet më vonë pasioni për çështjet shpirtërore – dijen dhe fenë – do ta kishte pushtuar përsëri dhe do ta kishte larguar nga rruga e bashkëkohësve të tij, nga ajo që Montaigne quante “njerëzit e thjeshtë”, duke e drejtuar atë te bibliotekat, te teologjia, tek enciklopedia e te bota e klasikëve.
Interesi i tij i vazhdueshëm dhe në rritje për kulturën greke është një nga shenjat e para të admirimit që humanizmi i Rilindjes do të provojë për të kaluarën helenike: Historinë e saj, filozofinë, artin, letërsinë dhe teatrin e saj.
Veprat e para të Bokaçios – Filocolo, Filostrato, Teseida, Comedia delle ninfe fiorentine, Amorosa Visione, Elegia di Madonna Fiammetta, Ninfale Fiesolano – janë të frymëzuara nga librat, jo nga jeta reale, por nga jeta e lexuar; dhe qofshin ato të shkruara në latinisht ose në gjuhë dialektale, nuk transmetojnë eksperienca direkte të përvojës jetësore, por të kulturës, apo të jetës që është bërë teori filozofike ose teologjike, mit letrar, formë e dokeve shoqërore, e dashurisë, jetës së oborrit dhe kalorësiake të transformuar në letërsi. Vlera e tij, më e madhe ose më e vogël, qëndron në një kornizë konvencionale, e një pjesë e mirë me prejardhje nga modelet, ndërmjet të cilëve poezia danteske.
Revolucioni që nënkuptohet te Dekameroni – e kjo në sajë të murtajës, është një paralajmërim serioz se jeta e shpirtit është vetëm një dimension i jetës dhe se ka një tjetër, që lidhet më shumë me trupin, dëshirat, pasionet dhe me funksionet trupore sesa me mendjen ose me dijen – e qëndron në faktin se në ato novela jeta reale, materiale dhe jo ajo elitare e ideve, por ajo që është e përbashkët për të gjithë – artizanët, katundarët, tregtarët, piratët, kusarët, murgjit dhe murgeshat, mbretërit, fisnikët, aventurierët, etj. – bëhet protagoniste pa ndërmjetësimet teorike të letërsisë.
Me Dekameronin fillon, madje në një nivel të lartë, realizmi në letërsinë evropiane. Kjo është një nga arsyet e popullaritetit të tij të jashtëzakonshëm, ashtu siç do ta ketë, pas disa shekujsh, Don Kishoti. Dekameroni qarkulloi fillimisht në kopje dorëshkrimesh dhe arriti prestigj dhe përhapje tepër të madhe; botimi i parë i shtypur doli në dritë pothuajse një shekull e gjysmë më vonë, në Venecia, në l492-shin, viti i zbulimit të Amerikës, e thonë se mbretëresha Izabela Katolikja ishte një nga lexueset e tij më entuziaste.
Pa përvojën e 1348-ës Bokaçio nuk do të kishte mundur të shkruante ditën e parë magjistrale me të cilën fillon Dekameroni, duke përshkruar masakrat e shkaktuara nga murtaja, panoramën e tmerrshme të një qyteti të mbushur me pirgje kufomash, sepse askush nuk ka kohë që t’i bëjë një varrim njerëzor të gjithë atyre që shuhen si viktima të sëmundjes vdekjeprurëse, e cila manifestohet me tumore ndër vete dhe në sqetulla, me temperaturë të lartë dhe spazma të forta.
Çuditërisht, pas këtyre faqeve të para rrëqethëse dhe të llahtarshme, të populluara nga sëmundja dhe vdekja, mortaja zhduket nga libri dhe praktikisht nuk kthehet më në njëqind novelat (ose paraqitet pothuaj në mënyrë të padukshme me pak rreshta), sikur të ishte asgjësuar nga namatisja që i shtyn ato shtatë vajza dhe ata tre djem për të treguar vetëm histori që ekzaltojnë kënaqësinë, talljet dhe argëtimin (edhe pse arrihen nganjëherë me anë të krimit ose të mizorisë).
E vërteta është se, përveç atyre faqeve të Parathënies në Ditën e parë, ku protagonistja është murtaja, në pjesën tjetër të librit mbizotëron një frymë gazmore, parespekti, shthurje, tallje, që e interpreton jetën si një aventurë me një qëllim zanafillës, që është kënaqësia seksuale e shoqëruar me zbavitjen e burrit e, në disa raste, edhe të gruas.
Tregimi i historive, te Dekameroni, nuk është një aktivitet spontan, që varet nga iniciativa e secilit prej relatorëve, por një ritual që mbështetet nga një protokoll i rreptë. Ekziston një mbretëreshë ose një mbret, të dy të përkohshëm – sepse ata mbretërojnë vetëm për një ditë – por gjatë mbretërimit të tyre të shkurtër autoriteti i tyre është real: Askush nuk e kundërshton pushtetin e tyre dhe oborrtarët e vegjël u nënshtrohen atyre pa retiçencë. Ai përcakton llojin e zbavitjes dhe vendos radhën që duhet të ndjekin folësit. Seancat narrative zhvillohen gjatë pasdites – ora nëntë – dhe realizohen vetëm për pesë ditë në javë, duke përjashtuar të premten për arsye liturgjike, dhe të shtunën për të respektuar ditën e pushimit biblike.
Përpara se të fillojnë, të dhjetë të rinjtë shëtisin në kopshtet e Vilës Palmieri, kënaqen me aromat e luleve dhe me këngën e zogjve, hanë, pinë, këndojnë dhe vallëzojnë, duke përgatitur trupin dhe mendjen për t’u nisur drejt një vendi imagjinar, në botën e trillimit.
Novelat fillojnë me një prolog, zakonisht të shkurtër, me karakter filozofik dhe abstrakt, por pastaj, me pak përjashtime, i përshtaten një sistemi ku tipari i parë e që del më shumë në pah është realizmi; pothuajse të gjithë simulojnë një realitet që njihet nëpërmjet përvojës së jetës, në vend që të simulojnë një jorrealitet, ashtu siç ndodh në tregimet fantastike. (ka në fakt vetëm pak prej atyre që janë me natyrë fantastike, por nuk i kalojnë gishtat e dorës).
Personazhet e tregimeve, njerëz të kulturuar ose të pagdhendur, të pasur ose të varfër, fisnikë ose plebenj, jetojnë çdo lloj aventure, dhe të gjithë janë në kërkim të – duke ia dalë mbanë pothuajse gjithmonë – kënaqësisë epshore në vend të parë, dhe pasurisë në vend të dytë.
Dekameroni është një monument kushtuar hedonizmit. Kënaqësia, më shumë në kuptimin material sesa shpirtëror, është objektivi kryesor për personazhet e tij, burra e gra. Ata i jepen njëri tjetrit me kënaqësi, pa paragjykime, duke shkelur tabutë dhe parimet morale ose fetare, pa më të voglën frikë për rregullat ose për opinion shoqëror. Sensualiteti, trupi, orekset janë objekte ekzaltimi dhe kulti për personazhet e Dekameronit.
Mund të thuhet se afrimi i murtajës – vdekja e pashmangshme – i jep këtyre tregimtarëve një liri fjale dhe sendërgjimi që përndryshe as do t’ia kishin lejuar kurrë vetes; e përveç kësaj, këputjen e të gjithë frenave moral për realizimin e dëshirave të tyre.
Në atë kërkim të ethshëm dhe pothuajse të dëshpëruar të kënaqësisë, personazhet e Dekameronit arrijnë t’ia dalin në krye, sikur të ishin shpërblyer nga një urdhër i fshehtë që i jep një vlerë ontologjike shuarjes së orekseve: shfajësim për jetën. Bokaçio tregon, në ditën e parë të Dekameronit, se një nga efektet e murtajës ka qenë falimentimi i moralit që mbizotëronte në Firence dhe se banorët e Firences u lëshuan, gjatë atyre ditëve të epidemisë së murtajës dhe të vdekjes, në imoralitet dhe kurvëri, duke shkelur normat, rregullat dhe sjelljet që deri atëherë kishin kufizuar deri diku marrëdhëniet seksuale.
Në rastin e dhjetë të rinjve të mbyllur në Vilën Palmieri ato shpërthime seksuale ishin vetëm verbale, ndodhin vetëm në historitë që tregojnë, gjatë atyre dhjetë ditëve (që, në të vërtetë, janë katërmbëdhjetë) sjellja e tyre nuk mund të ishte më e matur dhe e më e përmbajtur se aq, megjithëse zëri narrativ i Dekameronit tregon në fillim se të tre djemtë kishin rënë në dashuri me tri nga vajzat, por pa i identifikuar ato. Këndojnë, vallëzojnë, hanë dhe pinë, po, por pastaj shkojnë gjithsecili në dhomën e vet dhe ndërmjet tyre nuk ndodh as shthurja më e vogël seksuale. Askush nuk bën dashuri e as jepet pas dëfrimeve dashurore. Teprimet ndodhin në tregime, janë atribute ekskluzive të trillimit.
A kanë ikur këta të rinj nga Firencja vetëm për të shpëtuar nga shfaqja e të sëmurëve dhe e kufomave? Pampinea, e frymëzuar që ka pasur idenë për t’u ngujuar në Vilën Palmieri, thotë një frazë që nxjerr në pah një qëllim më ambicioz se largimi i thjeshtë nga qyteti vetëm për t’u zhdavaritur. Ajo i referohet asaj ikje si njëfarë shëlbimi, një iniciativë që do të kishte shpëtuar grupin nga vdekja: «[…] aq më tepër, pa cenuar askënd, a na takon ne e kujtdo tjetër njeri të ndershëm, të përdorim ato mjete që kemi mundësi, për të ruajtur jetën tonë?». Pampinea mendon se shtirja është shumë më tepër se diçka zbavitëse: ajo është një kundërhelm i mundshëm ndaj masakrës së shkaktuar nga epidemia. Nga ky reflektim i vajzës së zgjuar lind, në veprën Los cuentos de la peste (Tregimet e murtajës) ideja që i përket Xhovani Bokaçios, se duke treguar disa ndodhi ka mundësi të ndërtohet një labirint ku murtaja të humbasë e të mos ketë mundësi t’i arrijë tregimtarët.
Te Dekameroni, kënaqësia, vlera supreme, justifikon mashtrimet dhe gënjeshtrat më të këqija, siç e demonstron – një shembull në mes dhjetëra e dhjetëra shembujsh – historia e mrekullueshme e Riçiardo Minutolos (novela e gjashtë e ditës së tretë), i cili, për të futur në dorë Katelen, gruan e Filipelo Siginolfos, duke e mashtruar e bën të besojë se burri i saj e tradhton me bash gruan e tij. Ky arsyetim cinik e bind Katelen, e cila më pas, përdor të njëjtin moral duke imituar Riçiardon, joshësin e saj. Cinizëm, mungesë respekti dhe shpirtligësi, të mëlmyer me një humor të fortë, përbëjnë moralin e pothuajse të gjitha tregimeve. Çdo gjë lejohet kur është fjala për të arritur kënaqësinë, sidomos kur përpiqemi të bëjmë për vete gruan që dëshirojmë (ose sipas rastit burrin që dëshirojmë). Gratë dorëzohen kollaj para këtyre tundimeve për arsye pushteti, për pare ose edhe thjesht për një dëshirë.
Për shembull, në historinë e abatit epshor dhe gruas së Ferondos (novela e tetë e ditës së tretë), kjo e fundit pranon që të joshet nga abati për shkak të bizhuterive që i janë premtuar, edhe për të shijuar pak liri, ndërsa abati kurvar ia mbushë mendjen të shoqit malok se ka vdekur dhe ka mbërritur në Purgator. Por, ka edhe disa përjashtime: gra heroike që mbrojnë virtytin e tyre deri në pika ekstreme të papërshkrueshme, si Grizelda në novelën e fundit që duron pa u ankuar të gjitha provat e frikshme me të cilat Gualtieri, burri i saj, e sprovon për të matur besnikërinë e saj dhe shpirtin e saj të sakrificës (ose, ndoshta, vetëm për t’u argëtuar). Kjo Grizelda, në një farë kuptimi, është një përjashtim, sepse në botën e Dekameronit, në lidhje me dëshirën ekziston barazia ndërmjet sekseve. Gratë, ashtu si edhe burrat, kanë dëshira dhe veprojnë pa kokëçarje me qëllim që t’i përmbushin ato.
Për shembull, në novelën e dhjetë të ditës së dytë, gruaja e gjykatësit Riçiardo da Kinxika, e grabitur nga kusari Paganino, refuzon që burri i saj të paguajë shpengesën për të sepse – e ia thotë gjykatësit në fytyrë – burri i saj nuk bën kurrë dashuri, ndërsa pirati po, madje shpesh. Kjo nuk do të thotë, sidoqoftë, se burri dhe gruaja janë gjithmonë absolutisht të barabartë. Nga ky kënd vështrimi mesazhi i librit bie në kundërshtim me veten.
Në ditën e nëntë, kur i riu Gjiozefo paraqitet te mbreti Salamone për ta pyetur se çfarë duhet të bëjë në mënyrë që gruaja e tij, aq mospërfillëse, t’i bindet atij, ky e këshillon që të imitojë atë që do të shohë te Ponte all’Oca (Ura e Patës). Dhe ajo që Gjiozefo sheh aty është një mushkar që godet disa herë me radhë me një purtekë një nga mushkat e tij, sepse ajo s’do të kalojë urën. Gjiozefo bën të njëjtën gjë me të shoqen dhe, pasi rrahet paq, gruaja bëhet e shtruar dhe e dashur.
Megjithatë, në novelat e marra së bashku, gruaja është larg nga të qenit gjithmonë e nënshtruar ndaj tekave apo abuzimeve të burrit. Në shumicën e tyre ndodh e kundërta. Gruaja paraqitet si një qenie e lirë, plot me iniciativa dhe, njësoj si burri, përdor dinakërinë e saj për të arritur kënaqësinë duke mashtruar burrin e saj.
Novelat i festojnë këto fitore të grave që veprojnë me të njëjtën paturpësi, mendjelehtësi dhe kuturi që përdorin burrat për të mashtruar gratë e tyre. Aftësia për të përdorur këto dredhi është e pakufizuar, si për femrat ashtu edhe për meshkujt, dhe në qoftë se në këtë histori Gjiozefo keqtrajton bashkëshorten e tij për ta zbutur, në shumë të tjera janë burrat që mbesin të mashtruar dhe të poshtëruar nga gratë e tyre të cilat, nga ana e tyre, e kërkojnë kënaqësinë jashtë shtratit bashkëshortor.
Në botën e Dekameronit rutina e martesës e shuan shpejt iluzionin seksual. Bashkëshortët ia ndjejnë lezetin dashurisë vetëm në fillim të martesës. Pastaj, zjarri seksual shuhet dhe të dy e kërkojnë kënaqësinë jashtë vatrës bashkëshortore, deri në atë pikë sa në pjesën më të madhe të novelave shkelja e kurorës është kusht i domosdoshëm për kënaqësinë seksuale.
Te “Dekameroni” askush nuk ka skrupuj për të maskuar defektet dhe veset që përfshihen në gjendjen njerëzore; biles, arsyeja e ekzistencës së shumë narracioneve është përshkrimi i njeriut skllavi i pasioneve më të ulëta, pa asnjë mundësi që diçka t’i ndalojë ata. Hakmarrja luan një rol të madh në libër.
Waterhouse, John William; The Decameron; Lady Lever Art Gallery; http://www.artuk.org/artworks/the-decameron-117871
Tregimtari i novelave nuk ushtron asnjë lloj censure, as bën sforcimin më të vogël për ta fshehur, justifikuar ose frenuar shpirtin hakmarrës që zotëron disa nga personazhet. Vetëm humori luan nganjëherë rol zbutës në hakmarrjet mizore dhe, madje; edhe sadiste që kryhen në disa tregime.
Në novelën e shtatë të ditës së tetë, i riu Rinieri hakmerret me një egërsi të pashoqe ndaj vejushës Elena për shkak se ka qenë viktimë e kundërshtimeve të saj. Novela e nëntë e ditës së tetë nuk është më pak mizore, – më fort shpirtligësi veresie sesa hakmarrje, – ku Master Simone keqtrajtohet me furi nga banditët Bruno dhe Bufalmako vetëm sepse është fajtor i ngarkuar me krimin e të qenit naiv dhe sylesh.
Zbavitja, te “Dekameroni”, justifikon shpirtligësinë. Horrat Bruno dhe Bufalmako i bëjnë një tjetër shaka me zarar të shkretit Kalandrino dhe e bindin atë se ai është shtatzënë, në mënyrë që t’i heqin një darkë të mirë (novela e tretë e ditës së nëntë). Diçka e ngjashme ndodh në novelën e katërt të ditës së nëntë, në të cilën horri Fortarrigo vjedh dhe zhvesh të shkretin Angjiulieri, e aq më tepër e braktis gjysmë të zhveshur në mes të fushës duke e hequr veten sikur të ishte viktima e një hajduti. Në këtë mënyrë, kusari i regjur arrin pikësynimin e tij dhe, përveç kësaj, argëton veten dhe lexuesit.
Morali i këtyre tregimeve është i qartë si drita e diellit: çdo gjë vlen për të arritur kënaqësinë seksuale ose gastronomike dhe për të kaluar pak kohë në mënyrë të këndshme. Mashtrimi, farsa, gënjeshtra, grabitja, gjithçka lejohet kur vjen puna për të çuar në shtrat një damë, për të përvetësuar paratë e dikujt tjetër ose për të gëzuar një festë me të gjithë të mirat.
Qenia njerëzore, shërbëtore e instinkteve të saj, jeton për t’i plotësuar ato. Ky realizëm i ashpër rezulton më i pazakontë, meqenëse shumë nga personazhet e këtyre historive nuk kanë qenë shpikur nga Bokaçio; bëhej fjalë për persona real, disa prej tyre bashkëkohës të autorit dhe historitë, – sipas kërkimeve të studiuesve të tillë si Vitore Branka (shumë nga këto të dhëna i kam marrë nga libri i tij me titullin “Bokaçio mesjetar” Boçaçio medievale dhe nga botimi i tij kritik i Dekameronit), – duket se përshkruajnë ose nisen nga fakte dhe situata që kanë ndodhur me të vërtetë, edhe pse ndoshta të ndrequra nga Bokaçio dhe të tjetërsuara për t’i bërë ato më bindëse nga ana letrare, por pa u bërë merak për të maskuar protagonistët. Kjo liri është ekstreme, kur bëhet fjalë për të kritikuar fetarët – priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat – të pranishëm te Dekameroni (ashtu si dhe klerin në përgjithësi) si farë e korruptuar, epshore dhe makute, në kundërshtim me çdo formë të karakterit shpirtëror, lakmitare, e paturpshme dhe simoniake, shfrytëzuese e naivitetit të besimtarëve dhe e gatshme që të përfitojë në kurriz të tyre, pa edhe më të voglin skrupull.
Në qoftë se mendojmë se që atëherë pushteti laik i Kishës ishte tepër i madh dhe se ajo kishte fuqi absolute për të luftuar armiqtë e saj, rezulton më e habitshme kjo pjesë, e përsëritur pambarim në novelat e “Dekameronit”: Një kritikë e pamëshirshme, që ndonjëherë e kapërcen kufirin deri në karikaturë, e prepotencave dhe e poshtërsive të kryera nga pastorët e Kishës katolike kudo.
Në këtë kuptim, është e vështirë të imagjinohen dy vepra më antagoniste se Dekameroni dhe Komedia danteske, i të cilës Bokaçio ka qenë një lexues dhe studiues i pasionuar. Ka qenë ai i pari që ka shkruar Jetën e Dantes dhe që ka pagëzuar Komedinë me epitetin “hyjnore” që e shoqëron edhe sot e kësaj dite. Poema e madhe e Dantes fillon të njihet në 1312-ën me Ferrin, Purgatorin në 1315-ën, dhe Parrizin, menjëherë pas vdekjes së Autorit, në 1321-shin.
Edhe pse Dantja i futi në Ferr shumë fetarë mëkatarë, vepra e tij është e ngopur me religjiozitet dhe është kulm letrar i konceptimit të krishterë të fesë, i botës e i jetës së përtejme, në mbrojtje të ortodoksisë më të rreptë.
Në historinë e letërsisë nuk ekziston një dëshmi letrare e frymëzuar nga doktrina e krishterë më ambicioze dhe gjeniale se Komedia. Dekameroni, përkundrazi, i shkruar vetëm gjysmë shekulli pas daljes së kryeveprës danteske, i qëndron larg paraqitjes së një identifikimi të ngjashëm me teologjinë dhe filozofinë e krishterë.
Përballë tyre, mban një distancë që, pa arritur të shpallet ateiste, mund të konsiderohet laike dhe indiferente ndaj shqetësimeve teologjike, ashtu siç është ndaj politikës.
Është e vërtetë se tregimet e Bokaçios zhvillohen në kontekstin autoritar të spiritualitetit të krishtërimit, që askush nuk po e vë në dyshim, por ky autoritet është më shumë i përfaqtë se real, më shumë retorik, pa përmbajtje shpirtërore, meqë protagonistët e novelave praktikojnë një moral që bie rrënjësisht në kundërshtim me urdhërimet e Kishës, që shkelen vazhdimisht pa as më të voglin turbullim. Kjo do të thotë se admirimi i madh që Bokaçio ushqente për Danten kishte një karakter më shumë letrar se fetar.
Nuk e dimë se kur Bokaçio e ka lexuar Komedinë Hyjnore për herë të parë, por duhet të ketë qenë shumë i ri, sepse në romanin e tij të parë, Filocolo, të shkruar në Napoli rreth 1336-ës, kur ishte një student apatik i drejtësisë, i bën një nderim të madh Dantes, sidomos poezisë së tij, të cilën e ka admiruar gjithmonë e madje e ka edhe imituar.
Gjatë gjithë jetës së tij, Bokaçio e ka kopjuar tri herë Komedinë dhe një herë veprën Jeta e Re (Vita Nuova) për të kontribuar në përhapjen e tyre. Ky admirim mund të ketë qenë objekt i diskutimeve të holla me mjeshtrin Petrarka, që Bokaçio e njohu në 1350-ën, në Firence, ku sapo ishte kthyer nga Ravena. Bokaçio do të bëhej që nga ai moment e më pas, lexues besnik dhe mik i Petrarkës.
Në njëzetekatër vitet e mëvonshme dy shkrimtarët shkëmbyen një korrespondencë të pasur që vërteton marrëdhënien e ngushtë që i lidhte dhe që është një burim i pasur informacioni mbi historinë dhe kulturën e kohës. Sipas Amedeo Kuondam, kjo miqësi gjithashtu kishte karakterin e një ballafaqimi të vazhdueshëm sepse, ndryshe nga Bokaçio që u deklarua gjithmonë dishepull besnik dhe admirues i Petrarkës, ky i fundit u tregua vetëm tolerues dhe ngandonjëherë deri përçmues në lidhje me atë që shkruante miku i tij.
Petrarka pat lindur në Areco në vitin 1304, por qysh shumë i ri pat jetuar në Avinjon, ku ai pat njohur Laurën, frymëzuesen e qindra soneteve të tij të famshme. Meqenëse Laura vdiq në vitin 1348, mendohet se ka mundësi të ketë qenë viktimë e murtajës në Firence, ashtu si edhe një nga fëmijët e paligjshëm të Petrarkës, që vdiq edhe ai nga epidemia.
Marrëdhënia me Bokaçion u përforcua kur Petrarka, në 1350-ën, pasi braktisi tërheqjen shpirtërore në Provencë, vendosi të shkojë në Romë për të fituar ndjesën e Vitit jubilar. Gjatë udhëtimit, duke përmbushur kërkesat e admiruesve të tij fiorentin, pranoi t’i takojë ata përpara se të shkojë në Romë. E ai takim rezultoi me një rëndësi themelore kryesisht për Bokaçion, i cili do të bëhej më vonë bashkëbiseduesi i tij kryesor e me të cilin do të kishte përndarë lexime dhe diskutime mbi Senekën, Ciceronin, Tito Livin dhe Etërit e Kishës.
Disa vite më vonë, pasi u vu në dijeni për shkatërrimin fizik dhe ekonomik të Bokaçios, që atëherë ishte tërhequr në Certaldo, Petrarka, para se të vdiste, në Padovë, i la në testamentin e tij pesëdhjetë flori në mënyrë që të kishte mundësi të blinte një komplet petkash dhome.
Nuk e dimë nëse përfundimisht Bokaçio e bëri atë, sepse vdiq një vit më vonë, në 1375-ën. Frymëzimi laik, popullor dhe realist i Dekameronit shkoi duke u venitur në veprën e Bokaçios në vitet e mëvonshme, derisa, ndërmori disa udhëtime zyrtare i ngarkuar me detyra administrative si në Itali ashtu edhe në Francë. (Ajo që sigurisht ai vlerësoi më shumë ishte detyra për t’i dërguar si ndihmë dhjetë flori Motër Beatriçes, vajzës së Dantes, e mbyllur në manastirin e klauzurës Santo Stefano degli Ulivi, në Ravena). Dhe që atëherë rilindi brenda tij vokacioni rinor për kulturën klasike greko-latine dhe fenë. Ai shkroi pra libra erudicioni historik, hartografie e teologjie, si “Genealogie deorum gentilium” (Gjenealogjitë e zotave pagan), për të cilin punoi nga vitet ’50 deri në vdekjen e tij), “De casibus virorum illustrium” (Raste pafat të personave të famshëm) e “De mulieribus claris” (Gratë e famshme, 1361-1362).
I pari është një traktat enciklopedik disi konfuz dhe me sajime të ndryshme, ndërsa dy të tjerët janë libra moralistë e i referohen klasikëve, në prozë dhe vargje; i fundit paraqet gjithashtu një diatribë kundër grave.
Më vonë braktis latinishten për t’u kthyer edhe një herë në gjuhën dialektale, në studimin e tij mbi Danten: “Trattatello in laude di Dante” (Biografi lavdesh kushtuar Dantes), aty nga viti 1360. Kjo ishte një periudhë gjatë të cilës ai iu afrua më shumë Kishës, dhe në fakt po atë vit Papa Inoçenci i VI i dha urdhërin minor (xhakon) dhe benefisin e klerikëve. Thuhet se ishte atëherë kur ai pati ndërmend ta digjte Dekameronin, pasi u pendua për natyrën epshore dhe antiklerikale të novelave, dhe se Petrarka, së bashku me disa të tjerë, arriti t’ia kthejë mendjen. Sidoqoftë, do të kishte qenë e pamundur në atë pikë ta zhdukte, për shkak se versionet e dorëshkrimeve të librit qarkullonin në gjysmën e Evropës, kishin gjetur imitues dhe lexoheshin jo vetëm privatisht por edhe në publik, në qoshet e rrugëve dhe në mejhane, nga poetë endacakë dhe tregimtarë shëtitës. Ai qe një vit me të përpjeta e me të tatëpjeta në jetën e tij, sepse po atë vit në 1360-ën rezultoi i komprometuar në një komplot, në të cilin kishin marrë pjesë disa nga miqtë e tij, kështu që u gjend i braktisur nga shoqëria.
I jetoi vitet e fundit në varfëri dhe në vetmi, në tokën e tij amtare, Certaldo, ku i ra një sëmundje që do t’ia bënte shumë të hidhur pleqërinë e tij: hidropizia. Trupi i tij u fry aq shumë saqë lëvizte me vështirësi. Jetonte vetëm, i asistuar nga Bruna, një shërbëtore plakë, dhe i ishte përkushtuar revizionit të përkthimeve në latinisht të Iliadës dhe Odisesë së Homerit të bëra nga miku i tij dhe helenisti Leoncio Pilato.
Sipërmarrjen e fundit intelektuale Bokaçio ia dedikoi mësuesit të tij Dante. Ai u pajtua në punë nga Sinjoria fiorentine për të dhënë leksione që kishin si orientim promovimin e veprës danteske për publikun e gjerë, dhe leksionin e parë e dha më 23 tetor 1373 në Kishën Santo Stefano di Badia, disa hapa larg shtëpisë së paraardhësve të autorit të Komedisë. Publiku, – sipas dëshmitarëve, – ishte i larmishëm: njerëz të popullit, fetarë, autoritete, intelektualë, njerëz të shoqërisë së lartë.
Leksionet, për të cilat u pagua njëqind flori, zgjatën disa muaj, por ato u ndërprenë papritmas, sigurisht për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Në tryezën e shkrimit të tij në Certaldo mbetën 59 leksionet që ai kishte shkruar mbi Danten dhe një i fundit – i 60-ti – që nuk arriti ta përfundojë.
Ashtu si poemat homerike, Don Kishoti, ose romanet e Viktor Hugos dhe të Dikensit, novelat e Dekameronit gjatë shekujve janë përshtatur për të gjitha zhanret, në mënyrë që të arrijnë te një publik më i gjerë se ai i lexuesve të tekstit letrar: versione të përshtatura për fëmijë, versione teatrale, radiofonike, televizive dhe kinematografike, përveç romaneve vizatimorë, fejtoneve dhe filmave televiziv me seri.
“Los cuentos de la peste” janë edhe ato një vepër e frymëzuar nga novelat e pavdekshme të atij fiorentinit universal. Nuk pretendojnë të jenë një përshtatje teatrale e Dekameronit, sepse të vësh në skenë, të dramatizuara, njëqind novelat e librit të Bokaçios do të ishte një sipërmarrje e pamundur e, sido që të jetë, e pamundur të shfaqet në teatër. Ky është një version shumë i lirë i asaj vepre, në një format më të vogël, që duke marrë si frymëzim një fakt thelbësor të Dekameronit – ikjes në drejtim të botës së fantazisë së një grupi njerëzish për të shmangur murtajën që është përhapur në ambientin e tyre – ndërton një histori të sajuar me tregime që kontrabandojnë në botën reale një realitet fiktiv, i cili, nga ana e tij, zëvendëson jetët reale të personazheve, duke i shpëtuar ata nga fatkeqësia më e madhe e gjendjes njerëzore: vdekja apo zhdukja.
Jeta reale zbehet pak e nga pak gjatë veprës deri sa shkapërdahet krejtësisht në labirintin e trillimeve të treguara dhe të përfaqësuara nga të pesë personazhet, një procedurë në të cilën ata vetë zhduken dhe riduken ndërsa jetët e tyre reale – që nuk arrijmë t’i njohim krejtësisht – zëvendësohen nga jetët fantastike të treguara dhe të mishëruara në një mënyrë që vjen më vonë.
Ky nuk është një operacion fantastik por i realizmit fantastik – janë gjëra të ndryshme – meqenëse kjo është ajo që bëjnë aktorët kur dalin në një skenë për të interpretuar një vepër dhe është ajo që bëjmë ne të gjithë, qeniet e vdekshme, kur imagjinojmë se jemi duke jetuar aventura ose situata të ndryshme nga ato që përvijojnë ekzistencën tonë të përditshme.
Ne zakonisht e bëjmë këtë në vetmi, në mënyrë të fshehtë. Pesë personazhet e “Los cuentos de la peste” e bëjnë publikisht, nëpërmjet shfaqjeve të vogla që duan të jenë namatisje kundër murtajës. Interpretimi për ta është një mision për jetë a vdekje, një luftë për mbijetesë.
A ka pesë personazhe në vepër apo vetëm katër? Aminta, kontesha e Kryqit të Shenjtë (Contessa della Santa Croce) nuk duket se ka të njëjtën natyrë me të arratisurit e tjerë nga bota reale, por atë të një qytetareje të mbretërisë së fantazisë, një krijim i dukës Ugolino, për të cilin krijim të tjerët nuk janë të vetëdijshëm, një qenie që nuk ka të njëjtën konkretësi si të tjerët, ajo është vetëm një personazh narrativ. Katër të tjerët aspirojnë të bëhen, patjetër, për këtë kanë ardhur në Vilën Palmieri; por, në kuptimin e ngushtë, vetëm Aminta gjendet në këtë situatë.
Kjo natyrë e ndryshme e konteshës së Kryqit të Shenjtë – një fantazmë e vërtetë në mes të katër personazheve që aty janë fiktiv – do të duhej të dilte gjatë interpretimit të saj, në mënyrën e saj si lëviz, si flet dhe si reagon ndaj ngjarjeve të përjetuara ose të treguara nga personazhet e tjerë të veprës.
Ndërmjet këtyre të katërtëve, vetëm Panfilo dhe Filomena vijnë nga lista e Dekameronit. Bokaçio nuk na thotë kushedi se çfarë për dhjetë të rinjtë që ngujohen në Vilën Palmieri për të treguar histori, përveç se ishin të gëzuar, njëzetvjeçarë dhe që i përkisnin familjeve të mira.
Panfilo dhe Filomena fitojnë identitete të ndryshme gjatë zhvillimit të veprës. A është njëri nga këto ai i vërteti? Nuk ka asnjë mënyrë për ta marrë vesh; spektatori mund të vendosë ose të pranojë se identiteti i vërtetë i atyre të rinjve qëndron pikërisht në atë se ata nuk kanë një identitet, që është njësoj sikur të themi se ata kanë identitete të brishta dhe të pakapshme, që ndryshojnë sipas rrethanave dhe tregimeve që ata mishërojnë, ashtu siç ndodh me aktorët në jetën reale. E njëjta gjë vlen për dukën Ugolino dhe për Bokaçion. Në rastin e këtij të fundit, meqenëse personazhi i veprës është frymëzuar nga një figurë historike, është e qartë se ka një identitet real nën shumë maskime me të cilat fshihet dhe transformohet gjatë “Los cuentos de la peste”.
Një saktësim: edhe pse përvojën e murtajës Bokaçio e ka jetuar kur ishte një burrë relativisht i ri – tridhjetepesë vjeç – në vepër paraqitet ashtu siç ka qenë kur është plakur, sipas dëshmitarëve, pra shumë i shëndoshur dhe i ngadalshëm në lëvizje, edhe pse shpirtgjallë e, mund të themi, i rinuar nga një murtajë që, nga njëra anë e terrorizon për shkak të afrimit të vdekjes, nga ana tjetër e rigjallëron sepse e bën ta jetojë historinë që do ta bëjë të pavdekshëm.
Bokaçio i “Los cuentos de la peste” është një personazh me imagjinatë dhe sensual, që i pëlqen kënaqësia trupore dhe fantazia, dhe nuk sheh asnjë mospërputhje në mes të kënaqësive materiale dhe jetës shpirtërore e cila, sipas tij, qëndron më shumë në krijimtarinë letrare dhe në njohjen intelektuale, sesa në mëshirën fetare.
Duka Ugolino, më i vjetri i personazheve, fisnik dhe beqar, merakli pas gjuetisë dhe aventurës, ka kultivuar gjatë gjithë jetës së tij një dashuri të pamundur, me një grua sigurisht të trilluar dhe me të cilën ai ndan një pasion të thekshëm, mizor, pothuajse sadist dhe gati mazokist, një grua në të cilën derdh fantazitë dhe apetitet e fshehura dhe me të cilat nuk soset së luajturi.
Sa kjo gjë, që e jeton dhe e tregon në skenë, është e vërtetë dhe sa e rreme?
Nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur: ashtu siç ndodh me personazhet e tjerë, mund të themi se e vetmja gjë e sigurt dhe e pakundërshtueshme që dimë për të, i referohet asaj serisë së personaliteteve të ndryshueshme që adopton ndërsa tregon dhe interpreton. Duka Ugolino, Bokaçio, Panfilo, Filomena dhe Aminta janë trillime, qenie të trilluara kokë e këmbë, aktorë që në braktisjen e tyre të plotë ndaj shfaqjes transubstancaciojnë në qeniet që përfaqësohen nga ata vetë. Janë bërë joreal për të shpëtuar nga murtaja dhe aty kanë mbetur, në atë territor të rrezikshëm e të pakapshëm, ashtu siç janë teatri dhe letërsia.
Muzika, baleti, pantomima dhe mimika janë thelbësore për shfaqjen. Personazhet jo vetëm që tregojnë dhe përfaqësojnë historitë; por edhe i shprehin me mimikë edhe i parodizojnë, në heshtje, kur duka Ugolino dhe kontesha e Kryqit të Shenjtë luajnë rolin e tyre, ose kur, në një episod, dy personazhe izolohen dhe të tjerët mbeten të përjashtuar nga aksioni. Ky nuk ndalet kurrë; në këto rastet e fundit, të tjerët vazhdojnë tregimet, në heshtje, duke përdorur gjeste, shprehje dhe naze.
Muzika shërben për të na çuar në atë kohë të largët dhe për të krijuar një ambient të këndshëm dhe shprese, argëtues dhe gjallërues me të cilin, në strehimin e tyre në Vilën Palmieri, të arratisurit nga murtaja i përkushtohen detyrës për të shpikur dhe jetuar simulimin.
Në këtë kuptim, “Los cuentos de la peste” i qëndrojnë besnikë Dekameronit të Bokaçios, edhe pse për pjesën që mbetet nuk janë dakord me modelin. Pak vepra e kanë ekzaltuar kaq shumë sajimin letrar sa kjo, deri në atë pikë sa t’i japin narracioneve jo vetëm funksionin për të argëtuar dhe pasuruar përvojën jetësore me eksperienca imagjinare, por deri edhe atë, më definitiven, të imunizojnë njeriun kundra vdekjes. Kjo, është e qartë, duhet të merret vesh në kuptimin simbolik: Asgjë nuk mund të pengojë që qenia njerëzore, herët a vonë, të mposhtet nga koha. Me shpëtue nga murtaja e zezë, në sajë të iluzionit letrar, duhet të kuptohet si një metaforë: Dhjetë të rinjtë që ngujohen në Vilën Palmieri dalin nga ai izolim me një dozë më të madhe vitaliteti se ajo që kishin në çastin e mbërritjes; tani janë më të vetëdijshëm për pasurinë dhe lumturinë që ofron jeta, dhe në të njëjtën kohë më të vetëdijshëm për nevojën për ta pajisur këtë jetë, që për askënd nuk është e përjetshme, me një projekt dhe me një krijimtari që, në njëfarë mënyre, ta zgjasë përtej vdekjes, që të lërë një gjurmë kur trupi të ketë pushuar së ekzistuari.
Kështu, letërsia, teatri dhe artet e mbrojnë qenien njerëzore kundër demoralizimit që mund të prodhojë rreziqe të tilla si murtaja e zezë. Çdo qenie njerëzore është një aktor, shumica jonë janë pa e ditur atë.
Të gjithë ne, në shumë çaste të jetës sonë, e lëmë mënjanë spontanitetin dhe, si në atë që themi ashtu si dhe në atë që bëjmë, fusim dikë që thotë dhe bën për ne atë që ne mendojmë se duhet të thuhet ose të bëhet në atë rrethanë.
Të gjithë ne bëhemi dyfaqësh, madje pa e kuptuar aspak, të shtyrë nga një vetëdije që përcakton atë që, pikërisht në atë kontekst e në atë situatë të veçantë, ka leverdi të themi ose të bëjmë. Kjo nuk është hipokrizi, por teatër, vëmendje ndaj formave, qytetërim. Teatri nuk është një fakt i rastësishëm, është një rezultat i asaj prirje të thellë që banon në të gjithë ne dhe që na shtyn, në situata të caktuara, që të duam të dalim nga vetja, për të shpëtuar nga burgu ku jemi, dhe për t’u bërë tjetërkush.
Aktorët janë ata “të tjerët” që të gjithë ne do të donim të ishim, ata të cilët që, pa pushuar së qeni ajo që janë, madje janë shumë, në varësi të roleve që ata interpretojnë në çdo shfaqje. Aktorët e bëjnë atë profesionalisht. Të tjerët, ne njerëzit e thjeshtë, jemi pa dalë në skenë, kur “interpretojmë” ruajmë paraqitjen sa për sy e faqe dhe normat shoqërore, kur ne i mbivendosim egos sonë autentike një ego sociale, ose kur, në fshehtësinë e intimitetit tonë, i dorëzohemi fantazisë së të qenit tjetërkush, për të bërë atë që nuk e kemi bërë kurrë e as do ta bëjmë në realitet.
Në njëfarë mënyre, djemtë dhe vajzat e Dekameronit që ikin nga qyteti i Firences për të shpëtuar nga murtaja dhe ngujohen për t’i treguar njëri-tjetrit histori të ndryshme, – për të qenë tjetërkush, – simbolizojnë atë tipar qendror të gjendjes njerëzore. Kjo është gjithashtu, duke respektuar distancat e duhura, historia që jetojnë (që tregojnë) personazhet e “Los cuentos de la peste”.
Novelat e Bokaçios i transferojnë lexuesit (dhe dëgjuesit e tyre) në një botë fantazie, por ajo botë i ka rrënjët mjaft thellë në realitetin e përvojës jetësore. Për këtë arsye, përveçse i inkurajonë që të ndajnë një ëndërr, i formojnë dhe i instruktojnë për të kuptuar më mirë botën reale, jetën e përditshme, me mjerimet e saj dhe madhështitë e saj, i mësojnë atyre që të kuptojnë atë që në botë është e keqe ose shumë e keqe dhe atë që mund dhe duhet të jetë më e mirë.
Shtatë shekuj përpara se të dilnin në dritë diskutimet në lidhje me angazhimin e shkrimtarit, mbi letërsinë engagée, Xhovani Bokaçio e vuri atë në jetë. Nuk e ka bërë se ishte i udhëhequr nga motivet ideologjike, por nga intuita e tij e sigurt dhe nga ndjeshmëria e tij pararendëse.
“Vendimi që unë me studiu regji të teatrit ka ardhë prej Agimit, por ai nuk e din. E di që kemi pasur mysafir në banesë, edhe ai ka qenë tuj fol me dikë prej familjarëve. Në atë muhabet, unë jom bo kinse po flej, i ngojsha çka po flasin. Në bisedë e sipër thojke që në Kosovë duhet me pasë një regjisor që e inskenon ‘Idiotin’ e Dostojevskit. Aty kom mendu me vete – unë duhna me qenë ajo që e bon këtë shfaqje, dhe kjo ka ndiku si tërthorazi. Ai e ka mendu në aspektin që në këtë vend nuk ka regjisorë për një vepër kaq të madhe. Deri sot nuk e kom bo shfaqjen, por ka qenë si vendim që unë e kom marrë aty për aty, për me e bindë që dikush mundet me e bo këtë veprim, me e plotësu dëshirën e babës”.
Hana Qena nuk është vetëm regjisore, pjesë e disa projekteve filmike në vend dhe pjesë e kolektivit artistik ‘Haveit’. Me pasazhin lart, ajo ngrihet edhe më lart, duke qenë vajza e Agim Qenës, një prej karikaturistëve e artistëve më të mirë të një gjenerate të kaluar në Kosovë.
Në qarqet e popullit, Agimi do të njihej edhe me emrin ‘Tafë Kusuri’ – emri i stripit të cilin Agimi e shndërroi në kult, në legjendë, në pjesë të preferuar të gazetave, në arsyen kryesore pse të dëshpëruarit e të kënaqurit e Kosovës në mesin e sistemeve të tmerrshme e të mira e blenin një gazetë për ta pasur në shtëpinë e tyre.
Për një si Agimi, Kosova ka qenë vend i inspirimit, budallallëqeve, intrigave, vendi ku kishte rreziqe për kriza energjetike, dhe ku ndoshta supa e servuar sot ishte më e keqe se ajo e djeshmja. Nuk do të pajtohej kamarieri, por Agimi e vërtetonte.
Hana është një nga pesë fëmijët e Agim Qenës, burrit që ndërroi jetë në vitin 2005, duke lënë pas vetes art e hajgare me bollëk. Pa dorëza, pa teklif, në kohët kur kultivoi art Agim Qena dhe sishokët e tij, ndryshe nuk veçoheshe, pos duke goditur me një dozë të sarkazmës e ironisë. Pos Hanës, Agimi, në atë që ai vetë do ta quante ‘proces biologjik’, martuar me Perihane Qenën do të ndërtonte familjen ku bëjnë pjesë edhe Vesa, Rroni, Mireri e Lumi. Sot, veç ata dy nuk janë, dy institucionet prej kah dolën pesë kapituj libri.
Agim Qena dhe Perihane Qena
Në këtë tregim vijnë Hana, Vesa e Rroni – të tre të prekur nga magjia e artit dhe nga qortimi jo më pak artistik i Agimit, njeriut me mendim kritik e me qasje të mrekullueshme humoristike ndaj realitetit.
“Asnjëherë nuk më ka tregu se çka me studiu, e ka vërejtë që kam mendim kritik ndaj gjërave. Me Agimin, kemi folë për shumë gjana, nuk ka pasë kufizim të bisedave. Kur ja pata nisë me pi cigaren, as nuk jom tutë që ai ka me m`bërtitë. Mënyra se qysh ai na ka rritë, më ka pavarësu. Asnjëherë nuk kom thonë që babi ka me e bo këtë apo atë për mu. Babi për mu ka qenë aty për përgjigjje, por jo me më ndihmu me gjithçka sikur sot prindërit që iu gjinden e i ndihmojnë fëmijëve të vet. Kjo në esencë, ka qenë për mua shumë e shëndetshme për jetë” e vazhdon rrëfimin për Agim Qenën, Hana Qena.
*
Rroni, fëmija i mesëm i shtëpisë, djali më i vogël, ishte veç 26 vjeç kur Agimi vdiq. Kujtimet lulëzojnë në tavolinë.
“Kur e ka pa Agimi që po du me hy në art, aty jemi lidhë shumë. Ka ndodhë që më ka marrë me vete gjithkah, edhe në kafe. E di që si 11-12 vjeçar shkojsha në kafe me të, më ka mësu qysh me lujt biliardo. Kur fillova në shkollë fillore, i pashë do shokë tuj vizatu dhe prej dashnisë së tyre për artin, lakmova. Fillova me vizatu, edhe si duket Agimi më ka pa, edhe filloi me këshillat e tij. M’ka qitë në natyra të qeta, m`ka shti me i vizatu. E kom nisë një vizatim, ai ka dalë në kafe dhe kur osht kthy, kemi folë më pas deri në mëngjes qysh ka qenë ai vizatim dhe qysh me e perfeksionu” tregon Rron Qena, djali i Agimit, nuk e do mend që ndoshta edhe djali i parë i plejadës familjare që do të përafrohej me Agimin në nivelin artistik. Rroni sot është piktor, ndër më të arriturit e gjeneratës së tij.
Agimi dhe Hana
“Sipas tij, duhet me të prekë Zoti për me mujt me u marrë me art, për art nuk osht gjithkushi. Nëse je mesatar, nuk mrrin, ose je ma i miri ose hiç. E ka pasë një frikë për fëmijët e tij me hy në art. Mu gjithmonë më ka thonë që kom talent, por ka pasë frikë nëse mbijetoj prej pikturës, ka mendu që njerëzit nuk janë ende në atë nivel, njerëzit e asaj kohe. E ka pasë një zemërim të madh, sikur nuk ka qenë për këtë shoqni, ka qenë botë në vete. Kur i ka dëgju lajmet, politikanët, i ka pa rrenat, përrallat, dhe e kanë lëndu. Ka pasë qejf që shoqnia me mbërri një nivel tjetër. Kur ka mbetë ai pa punë, edhe shpija ja ka nij krismën, sepse me atë rrogë jemi mbajtë. Ka kriju në banesën e vogël, në Bregun e Diellit, me pesë fëmijë, e zakonisht njoni prej fëmijëve, unë ose motrat, ja kemi dërgu ‘Tafë Kusurin’ në gazetë. Në ‘Rilindje’, në ‘Bujk’ më pas, në ‘Koha Ditore’, në ‘Bota Sot’, në ‘RTK’. Nuk ka dashtë me ja cenzuru karikaturën” thotë Rroni.
*
Agim Qena e nisi projektin e tij më të mirë të jetës, stripin komik ‘Tafë Kusuri’, fillimisht në një gazetë lokale në Mitrovicë e më pas, edhe në Prishtinë. Do të punonte aty ku punoi ajka e kohës, në ‘Rilindje’. Stripi komik, ku me pak fjalë nënkuptohej e transmetohej goxha si shumë thumb, vazhdoi edhe te disa mediume tjera, deri në vitet e fundit të jetës së Agimit, kur ai do të molisej për të qenë i tejpërtejshëm artistikisht.
Mbiemrin Qena e keni të njohur, nëse jo për dikë tjetër, më shumë për Muharrem Qenën. Muharremi ishte vëllai i Agim Qenës, dhe më i madhi i të tjerëve: Xhevatit, Nazmës, Nehatit, Melit, Resmës, Shpresës e Fatmës. Muharremi dhe Agimi, më i madhi dhe më i vogli fëmijë i Qenajve, një familjeje që edhepse me nëntë fëmijë, nuk do të shkonin shumë tek njëri tjetri. Arsyeja kryesore: dukshëm, shumë prej fëmijëve do të kishin zjarr artistik të cilin, të akumuluar, do të donin ta ndiznin e shpërthenin në momente të caktuara, larg të tjerëve. Sot, nga të gjithë fëmijët, gjallë janë Resma, Shpresa, Fatma dhe Meli Qena.
“Agimi nuk ka qenë aspak një njeri fizik, të gjitha interesimet e tij kanë qenë psiqike. Nuk ka qenë shumë i lidhur me asgjë fizike, thu ti se ka qenë mysafir këtu. Nuk ka pasë shumë dëshirë me hangër, me dalë me shetitë, e ka pasë krejt me e analizu universin. Ka rrezatu shumë autoritet, ka qenë i vendosur, nëse ke hy në debat me të, ka mujt natën me ta bo ditë, të bardhën të zezë, ka pasë shumë argument dhe shumë të vërteta. Agimi është marrë me karikaturë, e për pikturë ka pasë shumë talent. Në vizatimet e tij shihet që dorën e ka pasë të mjeshtrit. Megjithatë, nëpërmjet karikaturës ka mbërri me mbijetu, me marrë rrogë, për familjen, dhe kësisoj ka mbetë larg pikturës. Edhepse puna e krijimit ka qenë 10-15 minuta, krejt ditën e ka kërku idenë, herë jashtë e herë brenda banesës, por duket se është shliru kur në fund e ka nxjerrë karikaturën” tregon tutje Rron Qena.
*
Vesa Qena ka qenë vetëm 14 vjeçare kur vdiq Agimi, dhe mendja e saj i ka qëndisur bukur kujtimet midis saj e Agimit në këto 14 vite jetë. Edhe Vesa, sikur fëmijët tjerë, më rrallë e përmendin fjalën baba, e më shumë artistit i drejtohen me emrin Agim.
“Agimi ka qenë figurë e rëndësishme në jetën tonë, aspak i zakonshëm si babë. Prej tij, kom mësu shumë, jom nij shlirë me bo pyetje sepse e kom ditë që gjithmonë ka përgjigjje. Shpesh e mendoj se çfarë jete kisha pasë sot nëse ai do të ishte gjallë, nëse kisha vazhdu krejt këto vite me marrë këshilla prej tij. Nuk osht që me Agimin kom dalë me shetitë, nuk kena dal me lujtë, nuk kena bo gjana që prindërit tjerë i kanë bo me fëmijët e tyre. Koha e lirë me Agimin nuk osht nënkuptu patjetër me dalë: na ka tregu tregime të ndryshme, na ka rekomandu me lexu libra, ka tregu batuta, kemi folë shumë” më rrëfen Vesa Qena, e që të dy jemi të ulur përballë një piktureje të punuar nga Rroni, ku shihet Agim Qena dhe bashkëudhëtarja e jetës së tij.
Agimi dhe Perihanja, pikturuar nga Rron Qena
“Kur jom kon e vogël, Agimi gjithmonë ka pasë qef që unë me u bo doktoreshë. Kur erdhi puna që ishte keq më shëndet, thojke ‘ishalla bohesh doktoreshë edhe e kupton se çka kom’. Nuk doli ashtu. Unë edhe në vizatime jom kon gjithmonë e dobët, por Agimi i ka rujt, edhe pse unë pa talent, ai ka ditë me më mbështetë. Shumë mbështetës. Ka qenë shok, nuk të ka kursy prej fjalëve, nuk e ke ndje që je fëmijë përballë tij” tregon Vesa Qena, e cila sot shkruan, është dramaturge dhe punon në Qendrën për të Drejtën Humanitare ne Kosovë.
Njëjtë si Vesa, çdo njeri që e ka humbur dikë e kupton mirë mishërimin me kujtimet dhe përqafimin e së kaluarës në raport me këta njerëz.
“Dhimbja, kur ka vdekë Agimi, ka qenë shumë e madhe, por u shndërru në kujtime me të cilat ti jeton. Me një fazë të jetës fillon me u tut mos po e harron këtë njeri, por kjo frikë pikërisht nuk të len me e harru. E mban mend edhe fytyrën, ose e krijon më vonë një brenda vetes. Kom majtë ditar në atë kohë, e vogël, dhe në ditarin e fundit, se masanej u rrita, e pata shti edhe Agimin mem shkrujt diçka. E pati shkru një poezi të vogël, e më pati thënë se duhet me provu me shkru edhe tregime” rrëfen Vesa Qena, sot 29 vjeçare.
*
E mira e njerëzve të mëdhenj dhe atyre të rrahur me intelektualizëm, është edhe kupa e kujtimeve që ata lënë pas, kujtimeve që u investuan gjatë një jete të tërë. Hana, Rroni e Vesa numërojnë plot sosh.
“Një kujtim vivid e kam edhe kur arsimtarja e vizatimit na dha detyrë me bo një mozaik me letra vizëlluese. Në qat kohë, i kemi pasë punët keq me pare dhe nuk kom pasë pare me ble letër vizëlluese. Agimi thojke që ka me ma bo vizatimin ma të mirë në klasë, dhe me copa të gazetës e maroi një figurë, nuk guxojsha me i thonë por nuk më pëlqente hiq edhe e dijsha që as arsimtares nuk ka me i pëlqy. Punimet në mozaik janë standarde. Arsimtarja u tmerru, më bërtiti, unë u ktheva në banesë tuj kajt, Agimi u nervozu tepër dhe e fajësonte arsimtaren. Tepër jom ndi keq që jom diferencu prej klasës, por tash kur e mendoj me objektivitet, Agimi në fakt ka qenë njëri prej njerëzve që ka ndiku që unë me u diferencu në jetë, me kriju identitet, mos me pasë problem nëse bën diçka ndryshe e me u nij në siklet për atë punë” tregon Hana Qena, e cila ishte 17 vjeç kur e humbi figurën e babait.
“Ton ditën kena dëgju Deutsche Ëelle, lajme, kena lexu gazeta. Na ka shti gjithmonë me lexu shumë libra. Njëherë m`pat pa tu e kqyrë sa faqe i ka libri, dhe m`pat tmerru. –Qysh ia nis me lexu librin kur e kqyrë sa faqe i ka-. Na pat bo si shprehi leximin. Atëherë nuk e kom vlerësu këtë fakt sepse dojsha me dalë me lujt me shoqe, por më vonë e kom kuptu. Pikëllohem se më është mbyllë një derë e dijes, me ikjen e Agimit, nuk kom pas kujt mo me i bo pyetje për shkollën, pikëllohem që nuk e kom mo një person qaq intelegjent në afërsi, të cilin kom mujt me e pytë për gjithka dhe për gjithçka ka pasë përgjigjje” vazhdon Hana.
Agim Qena, pikturuar nga Rron Qena
Mjeshtëria dhe bukuria e karikaturës së Agim Qenës qëndron në faktin se me pak fjalë, ai ka përshkruar situatën politike, pa ndonjë metaforë a diçka të fshehtë.
“Shumë njerëz e kanë ble gazetën veç me e lexu ‘Tafë Kusurin’, ai ka qenë i përfshimë kogja shumë në jetën politike të vendit. Në mënyrë sarkastike, ai ka ditë me e përshkru vendin e tij, me 2-3 fjali. Agimi dhe axha Muharrem kanë pasë shumë zjarr për art. I kemi pasë banesat afër me axhën Muharrem, ka qenë tepër njeri i qetë e i hareshëm. Kur jom kon e vogël nuk e kom ditë rëndësinë e këtyre dy personave, nuk e kom kuptu madhështinë e tyre. Sot e shoh ndryshe, dhe krejt kohën mendoj se jam nën hijen e tyre, pa dashje, sepse si artiste duhesh gjithmonë me tentu me i kalu ose me u afru me suksesin e tyne” tregon tutje Hana.
*
Vitin e fundit, kujtimet janë përzier për të gjithë fëmijët e familjes. Në qershorin e vitit 2019-të, Hana, Rroni e Vesa e humbën edhe nënën e tyre, një grua që sakrifikoi shumë. Të tre fëmijët janë të lënduar, kjo reflektohet, por gjejnë forcën të tregojnë se si Agim dhe Perihane Qena janë dy faktorë në formimin e personalitetit të tyre.
“Vdekjen e parë e kom përjetu ndryshe, jom kon ma e re dhe e kom pas prindin tjetër. Me vdekjen e dytë, atë të mamit, komplet jeta e mëparshme osht rrënu. Për një kohë e kom harru pikëllimin dhe ftohtësinë që ta krijon një humbe, e me vdekjen e mamit nuk e nij mo rëndësinë si person, nuk e kom një babë që ta bon një vizatim apo një nanë që të ndihmon. Çdo ditë e ma shumë mendoj për ta, në memorien teme janë më të gjallë se sa kur kanë qenë gjallë. I kom ton kohën në mendje” thotë Hana.
Agimi dhe Perihanja janë njoftuar në Mitrovicë. Agimi ka jetuar aty, e Perihanja te Tunelli i Parë.
“Agimi thojke që nana ka qenë femna ma e bukur në Mitrovicë. Ky ka bo shumëçka me i ra n`sy. Njëherë ka hyp në bicikletë me 7-8 fëmijë të tjerë, përskej kanallit, ka bo diçka që nana me e vërejtë. Janë martu, kanë jetu masnej në Mitrovicë, derisa kemi ardhë në Prishtinë, e këtu më pas Agimin në vazhdimësi e ka thirrë edhe diçka tjetër, ndoshta edhe arti shumë. Nana masnej u bo shtylla e familjes, nana na ka rritë, Agimi ka qenë shtylla e popullit” tregon Rroni.
“Mami për një kohë ka punu daktilografe. Agimi osht tranu mas mamit, i ka ble çokollada, edhe i ka pasë ato momentet me bicikletë. Ka qenë edhe falsifikator i mirë – nëse ka ardhë cirku në qytet, ai krejt mahallës i ka japë biletë. Ka qenë sharmant shumë”, tregon Vesa.
*
Jemi në fundin e tregimit për Agim Qenën. Dikur, një burrë e kishte takuar Agimin, dhe kur e kishte marrë vesh se në fakt ishte takuar me ‘Tafë Kusurin’, ishte mahnitur e habitur. Nuk e kishte pritur një Agim të tillë, por një Tafë Kusur më të madh me shtat. Kaq ishte e lartë pritja dhe respekti për Agimin në një Kosovë më të re, më pak të moshuar, dikur.
Agim Qena është njëri prej pionierëve të stripit kosovar, së bashku me Ramadan Zaplluzhën, Gani Jakupin etj. As ky tekst dhe kujtimet e tre fëmijëve të tij nuk do t’ia bëjnë respektin e duhur, në 15 vjetorin e vdekjes, së shpejti.
Te Hana, Agimi e ka lënë vendosmërinë. Te Rroni, thonë, konstruktin e trupit, fizionominë. Te Vesa, dashurinë për shkrimet dhe fjalën. Tek të gjithë fëmijët, ndjeshmërinë.
“Agimi ka qenë goxha si bohem. Ai ka mujtë me nejtë me njerëz prej elitës e deri te njerëzit tjerë, për të nuk ka qenë e rëndësishme kush osht në tavolinë. Njëherë, në një galeri i pengojshin këpucat, dhe i heki, dathun, këmbën mbi këmbë. Gjithmonë i shkojke nerva fakti se qysh njerëzit flasin shumë e nuk thojnë kurgjo” pohon Rroni.
Agimi ndoshta tërë jetën do të mund të ketë qenë nën hijen e Muharrem Qenës, por në familje konsiderohej si koka më e mençur e Qenajve. Agimi, ky njeri me logjikë të shëndoshë, që dikur nisi të pinte, të zhytej në muhabete, ndoshta drejt një vetëvrasjeje të ngadalshme. Agimi, Tafë Kusuri, ai që i shtynte fëmijët e tij drejt perfeksionit në fushat që ata kishin zgjedhur të arratiseshin përjetë.
Rroni vazhdon ende të jetë një piktor. Prej kësaj jete, në pikturë, ai e dëshiron më të mirën, me dy prindërit e tij në mendje. Vesa, jo më pak, në fillimin e të tridhjetave të saj kërkon ta gjejë përkthimin e trishtimit në forcë drejt lumturisë, nëse kjo e fundit arrihet a ekziston. Edhe Hana, njëjtë, herë në Tiranë e herë në Prishtinë, frymon me rrebelizmin e Qenajve. Ndoshta të tretë janë karaktere të Tafë Kusurit, nuk i dihet. Çka dihet është se si Agimi nuk ka një tjetër.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)
Me jetën që ngadalë po kthehet në normalitet, zviceranët janë të etur të kalojnë kohën në natyrë dhe pa dyshim se alpinizmi është hobi kryesor në Zvicër, pasi që edhe njihet si vend i Apleve, transmeton albinfo.ch.
Duhet theksuar se alpinizmi njihet nga UNESCO si Trashëgimi e Paprekshme Kulturore e Njerëzimit.
Alpinizmi nuk është vetëm një aktivitet fizik që kërkon cilësi atletike dhe ekspertizë teknike. Definimi i alpinizmit thjesht duke ndjekur kërkimet si eksplorimi i peizazheve tërheqëse ose hulumtimi i arritjeve personale është i pakompletuar. Janë të gjitha këto karakteristika dhe për më tepër karakterizohen nga një kornizë mendore e angazhimit personal, nga ndjenja e vetëpërgjegjësisë, njohuritë – dhe respektin – për lojën natyrale të saj, dhe solidaritin e fortë dhe marrëdhëniet shoqërore.
Këto karakteristika të jashtëzakonshme, prejardhja historike dhe kulturore, bëjnë që alpinizmi ia vlen të identifikohet si një Trashëgimi Kulturore e Paprekshme me një vlerë të jashtëzakonshme dhe universale njerëzore dhe shoqërore.
Zvicra me Alpet e saj, të bukura dhe karakterisitke njihet një art i ngjitjes në majat dhe faqet e bjeshkëve me forcat vetjake fizike, teknike dhe intelektuale, për të sfiduar aftësitë dhe ekspertizën e dikujt përderisa negociohen pengesat natyrore, joartificiale, të vlerësimit dhe supozimit të rreziqeve të matura, të vetëmenaxhimit, vetëpërgjegjësisë dhe solidaritetit dhe të respektimit të njerëzve të tjerë dhe vendeve natyrore. /Albinfo.ch /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka publikuar sot masat e marra për luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid-19.
Ndër masat e shumta të publikuara sot, janë edhe ato me aktivitetet sportive, njofton Klan Kosova.
Sipas njoftimit, Qeveria ka ndaluar të gjitha aktivitetet sportive, të cilat zhvillohen në ambiente të mbyllura.
“Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarinë e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Në lidhje me këto masa, ditë më parë, është zhvilluar edhe një takim i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe drejtuesit e federatave sportive.
KOK mbështet vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, derisa kërkon nga çdo qytetarë i Kosovës t’i përmbahet masave të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria për luftimin e pandemisë.
Aktori shumë i dashur amerikan, Brad Pitt, është angazhuar në një film të ri regjinë e së cilit do ta bëjë regjisori i filmave, “Deadpool 2” dhe “Fast And Furious Presents: Hobbs & Shaw”, David Leitch.
Ylli i njohur hollywoodian, i cili vitin e kaluar e fitoi një shpërblim Oscar për rolin e tij në dramën, “Once Upon A Time In Hollywood”, ka nënshkruar kontratë për të luajtur në filmin e ardhshëm të zhanrit aksion dhe triler, “Bullet Train”, transmeton Koha.
Revista “Variety” ka raportuar se Leitch do të bëjë regjinë e projektit të prodhuar nga studioja “Sony Pictures”, dhe i cili bazohet në romanin japonez “Maria Beetle”, të autorit Kotaro Isaka.
Kelly McCormick, Antoine Fuqua dhe Kat Samick, po ashtu vijnë në rolin e producentëve të këtij filmi, derisa skenari i tij është duke u shkruar nga Zak Olkewicz.
Deri me tani nuk është bërë e ditur ndonjë datë e saktë se kur do të fillojnë xhirimet e filmit, “Bullet Train”.
Ndërkaq, romani i përkthyer në gjuhën angleze me të njëjtin titull, e rrëfen historinë e disa anëtarëve të një grupi të fshehtë kriminel në Japoni, të cilët e gjejnë veten të ngërthyer në një situatë të rrezikshme, si pasojë e urdhrave kontradiktore.
Libri do të publikohet në gjuhën angleze gjatë vitit 2021.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane, Bebe Rexha, ka bërë të ditur se po e shtynë lansimin e albumit të saj të ri.
Duke treguar se është e vetëdijshme që fansat e saj janë zemëruar që nuk ka lansuar muzikë të re qe një kohë të gjatë, këngëtarja ka treguar se dëshiron të pres derisa bota të jetë një vend më i mirë dhe i sigurt, për ta lansuar albumin e radhës.
“E di që fansat e mi janë të frustruar me mua, sepse duan muzikë të re. por, ju premtoj që unë bashkë me ekipin tim kemi punuar më shumë se kurrë, në realizimin e këngëve të reja. Nuk jemi ndalur duke punuar çdo ditë dhe çdo javë. Mund t’iu them se ky është projekti më i mirë në të cilin kam punuar deri më tani. Mezi prej t’i dëgjoni këngët e këtij albumi. Por, nuk mendojmë se tani është koha e duhur për të lansuar muzikë të re. Në momentin që bota do të bëhet një vend më i mirë për të gjithë, ne do ta lansojmë albumin. Thjeshtë po e presim momentin e duhur. Ju premtoj se ia vlen të prisni për këtë incizim,” ka shkruar Rexha në një mesazh të postuar në Twitter.
Bënja e Përmetit është një skenat më bukura natyrore shqiptare.
Pikërisht në këtë vend të mrekullueshëm në 16 korrik do të zhvillohet një mbrëmje nën tingujt e muzikës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti të veçantë.
“Një mbrëmje në muzg, nën tingujt e muzikës ju pret në 16 korrik në Bënjë të Përmetit”, shprehet ajo.
“Bashkia e Përmetit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës organizon një aktivitet të veçantë, në një skenat e bukura natyrore shqiptare”, thekson ministrja Margariti.
Bënja e Përmetit është e rrethuar nga një natyrë e pandotur dhe paraqet kanë një përzierje unike midis historisë, aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe Kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut. atsh / KultPlus.com
Policia e Kosovës nga e marta do të nisë shqiptimin e gjobave për qytetarët që nuk respektojnë masat e dala nga Qeveria e Kosovës kundër koronavirusit.
Afrim Ahmeti, drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, ka thënë se dënimet do të jenë të mëdha.
Sipas tij, dënimet shkojnë nga 2 deri në 12 vjet burg, ndërsa për kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse deri në 8 mijë euro gjobë.
“Nga nesër do të fillojmë me shqiptimin e gjobave për shkak se numri i madh i të infektuarve është në rritje dhe po e shohim që nuk po ka alternativ tjetër pa filluar me shqiptimin e gjobave”.
“Ne nga fillimi i zbatimit të vendimeve qeverisë kemi hapur raste sipas Kodit Penal sipas nenit 249 dhe 250 dhe kemi asistuar inspektorët sanitar ndërsa tash ne përveç asistimit të inspektorëve sanitar dhe rasteve që do t’i aplikojmë sipas nenit 249-250 të Kodit Penal të Kosovës do të marrim shënime qytetarëve që nuk i zbatojnë këto masa dhe të njëjtat do të procedohen të inspektorët sanitar të cilët do të bëjnë këtë paraqitje për ta”.
“Dënimet janë mjaft të mëdha dhe sipas nenit 249 dhe 250 dënimet shkojnë nga 2 vjet deri në 12 vjet burg ndërsa për kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse deri në 8 mijë euro gjobë”, tha ai.
Ahmeti mes tjerash ka thënë se Policia e Kosovës nga dita e nesërme do të fillon punën me orar prej 12 orësh, si dhe do të ketë prezencë maksimale nëpër sheshe dhe rrugët kryesore.
Ai, siç raporton EO, ka theksuar se në të gjitha qytet e Kosovës ka pasur monitorim maksimal nga Policia.
“Duke e parë numrin e madh të infektuarve me Covid-19, Qeveria e vendit ka nxjerrë një vendim ditëve të fundit që obligon të gjitha institucionet për zbatimin e këtij vendimi dhe ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19”.
“Edhe Policia e Kosovës është pjesë e zbatimit të këtij vendimi, ku nga dje kemi filluar sensibilizimin e opinionit të qytetarëve për tërheqjen e vërejtjeve dhe këshillimit që të bartin maska dhe të mbajnë distancën fizike dhe të mos grumbullohen në lokacione të caktuara në numër të madh të tyre”.
“Policia e Kosovës kur ka masa shtesë të sigurisë aplikon orarin 12 orësh të cilën orar do ta aplikojnë prej ditës së nesërme, policët do të angazhohen në asistencë të inspektorëve dhe krye detyrave të rregullta nëpër stacione policore nëpër të gjitha komunat dhe do të punojnë me orar 12 orësh dhe do të ketë prezencë maksimale nëpër sheshe, që të ndikohet në parandalimin e përhapjes së virusit”.
“Padyshim që nëpër të gjitha qytetet e Kosovës ka pasur kësi monitorim dhe nga nesër shumica e zyrtarëve e zyrtarëve policor që punojnë në nivelin qendror do të dislokohen në asistencë drejtorive rajonale dhe do të angazhohen në këto drejtori në kryerjen e detyrave që kërkohen prej tyre”, ka thënë ai.
Frida Kahlo de Rivera e lindur si Magdalena Carmen Frieda Kahlo y Calderón, ishte një piktore meksikane e njohur autoportretet e saj.
Jeta e Frida Kahlo filloj dhe mbaroj në Mexico City, në shtëpinë e saj, e cila është e njohur si “La Casa Azul,” Shtëpia e kaltër. Vepra e saj ka qenë e njohur ndërkombëtarisht si simboli i traditave meksikane kombëtare dhe autoktone, dhe nga feministet për përshkrimin e saj pa kompromis të përvojës dhe formë femërore.
Në vijim, KultPlus ju sjell letrën që artistja i shkori të dashurit të saj.
”Diego, i dashuri im,
Sapo ta mbarosh atë afresk do të jemi bashkë përgjithmonë, një herë e përgjithmonë, pa kurrfarë argumenti apo ndonjë gjë tjetër, sall dashuri do të kemi për njëri-tjetrin.
Eja dhe bëj gjithçka që do t’ju thotë Emi Lu*.
Unë të adhuroj më shumë se kurrë më parë.
Vogëlushja jote, Frida!”
————
*Artiste kaliforniane e pikturës dhe muraleve. Mike e ngushtë e Fridas dhe Diegos.
Takimi me Diego Riveran
Pikturat që Frida bënte në shtëpi ia dërgoi Diegos, që ishte një ndër personalitetet e shquara të artit pamor. Arti i saj i bëri aq shumë përshtypje saqë ai vendosi ta bëjë pjesë të skenës politike dhe kulturore në Meksikë.
Ajo u dashurua në Diegon. U martuan më pas, por Kahlo qe e vetëdijshme se ai i bënte tradhti. Megjithatë, edhe ajo më vonë pati shumë marrëdhënie jashtëmartesore. /KultPlus.com
Osman Goranci fitoi çmimin e vendit të parë për Dramë Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Gratë dhe Napoloni”. Ndërkaq, Ibush Arifi fitoi vendin e dytë në konkursin e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Lufta e gruas”.
Këto dy çmime i ndau sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për të dy laureatët. Vendimet për çmime ministrja Dumoshi i ndau në bazë të vlerësimeve të Jurisë profesionale në përbërje të profesor Ekrem Kryeziu – kryesues, Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti – anëtarë.
Juria ka vlerësuar se drama “Gratë dhe Napoloni” është një komedi që i ka tiparet e ‘komedia del arte’, të shtrira në kohën tonë, me dialogje të shkurtra plot energji pozitive dhe pa ekuivokë e meriton çmimin e parë, ndërsa si çmim të dytë juria ka vendosur që të jetë drama “Lufta e gruas” me elemente mes komedisë dhe dramës së aksionit.
Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast i uroi laureatët dhe i përgëzoi për punën e tyre krijuese. Ministrja tha se do ta përkrah dramën shqipe dhe inskenimin e saj. “Do të punojmë dhe do të angazhohemi që drama shqipe të jetë e pranishme dhe të vihet në skenë ashtu që të promovohen vlerat e mirëfillta”, tha ajo mes tjerash.
“Vendi ynë ka prodhuar shumë shkrimtarë të mirë dhe të suksesshëm dhe kjo traditë duhet të vazhdohet e të mbështetet fuqishëm ashtu që të jemi konkurrent me të tjerët dhe për t’u prezantuar sa më mirë edhe në Rajon si dhe në Evropë dhe Botë”, porositi ministrja.
Ndërkaq, laureati i çmimit të parë, Osman Goranci, e falënderoi ministren për vlerësimin dhe çmimin. Ai tha se komeditë e tij kanë bazë në realitetin e përditshëm, e që nuk ndodh vetëm tek ne por edhe në tërë botën.
Si shqetësim i përbashkët që u shpreh ishte mosinskenimi i dramës shqipe nëpër teatrot e Kosovës, porse ministrja Dumoshi u zotua se kjo gjë do të rregullohet dhe dramat e mrekullueshme që shkruajnë autorët në Kosovë do të jetësohen. / KultPlus.com
Diana Frances Spencer, është një nga gratë më të famshme dhe më të fotografuara në botë gjatë viteve të 80′ dhe 90′, duke u bërë kështu një ikonë në botë, shkruan KultPlus.
Secila lëvizje e saj u përcoll e u dokumentua gjatë asaj kohe.
Megjithatë, pavarësisht këtij publiciteti, ka shumë gjëra që nuk dihen për jetën dhe personalitetin e saj.
Fotot që do t’i shihni më poshtë shpalosin një këndvështrim ndryshe për jetën e saj të shkurtër dhe tragjike. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, me të cilën kanë diskutuar për bashkërendimin e hapave konkretë për diplomacinë kulturore të Kosovës dhe bashkëpunimin e dy ministrive në këtë fushë.
Në kuadër të takimit u bisedua për nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit për diplomatët kulturorë të cilët do të vendosen nëpër misionet diplomatike të Kosovës në shtetet e ndryshme të botës, gjë për të cilën u vendos që të nënshkruhet ditëve në vijim.
Ministrja Vlora Dumoshi vlerësoi se identifikimi dhe caktimi i figurave të duhura e të rëndësishme për diplomatë kulturorë të Kosovës është jashtëzakonisht hap i nevojshëm, pasi që Kosova duhet të ketë përfaqësim me dinjitet të kulturës dhe vlerave të saj, në shtetet tjera të botës.
Ministrja Dumoshi Dumoshi tha se Kosovës i duhet të prezantojë pikat e saj të forta të kulturës e trashëgimisë në qendrat kryesore të Evropës dhe Botës duke ndikuar kësisoj në fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet tjera si dhe forcimin e mëtejmë të imazhit të shtetit tonë.
Të dy ministret u pajtuan që Kosova e ka të domosdoshme që të ketë një përfaqësim sa më të suksesshëm të diplomacisë kulturore në shtetet më të fuqishme të botës, të cilat janë qendra të vendimmarrjes botërore.
Në takim u diskutua edhe për bashkërendimin e veprimeve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme botërore si në UNESCO, Eurimages, e organizatat e tjera që janë të dobishme për fuqizimin e kulturës dhe trashëgimisë tonë në arenën ndërkombëtare në kuadër të diplomacisë së jashtme. / KultPlus.com
Më 28 qershor bëri bujë lajmi që “IDGAF”, kënga e fundit nga albumin i saj debutues tejkaloi shifrën e 1 miliard klikimeve në Spotify, duke e bërë 24-vjeçaren artisten e vetme femër me 3 këngë me mbi 1 miliard klikime: “New Rules”, “One Kiss” dhe “IDGAF”.
Mirëpo, aso kohe u tha se ky rekord mund të thyhet së shpejt, kjo pasi edhe kënga “Don’t start now” ishte afër mbërritjes së 1 miliard klikimeve. Dhe si duket ky sukses nuk ka vonuar shumë.
Këngëtarja me origjinë shqiptare ka ndarë sot në Instastory lajmin e madh me fansat, duke i falenderuar të gjithë.
“Ju dua shumë. Jam shumë e lumtur që ia dolëm të gjithë së bashku”, ka shkruar ajo.
Së shpejti, Dua Lipa do të fillojë punën për një këngë të re për albumin dhe sipas thashethemeve pjesë e saj do jetë edhe i dashuri i këngëtares, Anwar Hadid.
Ndërkohë, para 2 ditësh Dua ka publikuar edhe videoklipin e ri “Hallucinate” pjesë e albumit të saj “Future nostalgia”, që po bën namin. / KultPlus.com
Justin Trudeau kryeministri i Kanadasë, një shpirtmadh dhe një kryeministër i rrallë.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka një shtëpi të thjeshtë dhe një zyrë të thjeshtë. Ai përjashton taksat, ai dërgoi aeroplanët në të gjitha vendet e botës për të sjellë përsëri bashkëatdhetarët e tij të bllokuar në vendet e tjera! Ai i dha rrogat, dha edhe ushqimin, ai qëndroi në rrugë për një orë megjithë të ftohtin nën akullnajë, për të parë kushtet dhe nevojat e tyre!
Dhe dje, ai po shikonte nga kopshti i tij i përulur me sytë që i lotojnë për njerëzit e tij dhe u thotë atyre: “Nëse jeta ime do të ishte në këmbim për t’ju kursyer, unë gjithashtu nuk do të kisha ndërmjetës, dhe nuk do të prisja shumë para se të mendoja”. Ai shtoi: “Gruaja ime gjithashtu është e infektuar dhe unë nuk bëj ndryshim midis saj dhe jush”.
Ai jep një raport (dhe jo një fjalim) para një gazetari çdo ditë në orën 1 të mëngjesit, për të dhënë informacionin e duhur, udhëzimet dhe të vërtetën në lidhje me atë që bëri makina shtetërore në 24 orë. Ne fund të llogaridhënies ai shtoi:
“Ata që janë përgjegjës për t’i shërbyer popullit janë punonjës të njerëzve dhe jo Lordë për adhurim dhe etje për fuqi. Mirënjohja ime iu drejtohet edhe kryeministrave të provincave, të cilët po bëjnë të njëjtën punë kolosale për të mirën e shëndetit të popullatës.” / KultPlus.com
Nobelisti i Turqisë, Orhan Pamuk ka kritikuar vendimin e qeverisë turke për ta shndërruar Hagia Sophia në një xhami, duke thënë: “Ta kthesh atë në një xhami është të thuash në pjesën tjetër të botës për fat të keq ne nuk jemi sekularë.”
“Ka miliona turq laikë si unë që qajnë kundër kësaj por zërat e tyre nuk dëgjohen,” u shpreh ai për BBC-në.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në 10 korrik e hapi Hagia Sophia për adhurim musliman pasi Këshilli i Shtetit – gjykata më e lartë administrative në vend – vendosi që shndërrimi i ndërtesës në një muze nga burri themelues i Turqisë moderne ishte i paligjshëm.
Në një fjalim televiziv, Erdogan tha se lutjet e para në strukturën ikonike të shekullit të gjashtë do të mbahen me 24 korrik. / KultPlus.com