Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau çmimet e projektit ‘Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë’

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.

Juria, e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj, kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi, ku morën pjesë 20 dorëshkrime.

Veprat fituese, që do të financohen nga QKLL-ja, janë: Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Motivacioni: Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët.

Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Motivacioni: Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive.

Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Motivacioni: Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve. / KultPlus.com

Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku sjellin hitin e viteve të 20′ (VIDEO)

Këngëtarja dhe aktorja Edona Reshitaj, së bashku me aktorin, njëherit edhe bashkëshortin e saj Besart Sllamniku, kanë sjellur një version më ndryshe të këngës ‘St. James Infirmary’, këngë kjo që konsiderohet edhe si hiti i viteve të 20′, shkruan KultPlus.

Edona përpos teatrit është mjaft aktive edhe në skenën muzikore, cilësohet me një zë dhe stil të veçantë.

Ajo poashtu kohët e fundit ka qenë mjaft aktive me postimin e videove të performancave të ndryshme të saj, në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Ka kohë

Poezi nga Artina Hamitaga

Nuk po t’ni ma asnji fjal’tu e thanun
Ka kohë që vargje nuk m’ke thurr
Dashninë tu ma tregu
Mallin tu ma dërgu me gërma
E shpirtin tu ma gjallnu
Ka kohë që netët nuk mi ke ambëlsu
E trupin ma ke lanë tu u djegun
Ka kohë që ditët më janë errësu
E pa ty jeta m’asht’ e mekun

Pa dale t’tpys diçka..
Netët e vona si i kalon?
A nuk t’gjan ma n’mue hana kur e shikon?
E shkëlqimi i yjeve a nuk t’i kujton ma sytë e mi
A nuk ke mall për buz’t e njoma e për temen dashni?
A s’t’thotë ma zemra em ardh’ me m’përqafu,
Ngat vedit me m’majt’
Me m’dasht’
Me m’shtengu
Me m’shiku

E me gjetë “veten” tane që t’ka hup n’mu? / KultPlus.com

Rama: Vepra e Zef Skiroit, argument për përfshirjen në UNESCO

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përkujtuar përmes rubrikës “Homazh”, publicistin dhe shkrimtarin e njohur arbëresh, Zef Skiroin.

Sipas Ramës, Skiroi meriton të kujtohet me krenari përjetë dhe vepra që la do të jetë padyshim një argument i fortë në përmbylljen me sukses të përpjekjes për përfshirjes e trashëgimisë se kulturës jomateriale arbëreshe në atë të përbotshme të UNESCO-s.

“Ky publicist, shkrimtar, gazetar, profesor nga më të mirët, shkroi një “Iliadë” të shqiptarëve të titulluar, “Te dheu i huaj”, bash në kohën pas pavarësisë së shetit shqiptar. Përkthyes i Virgjilit në moshë të njomë, bashkëbisedues i Pirandello-s, bashkëpunëtor i De Radës dhe kampion i çështjes shqiptare, Zef Skiroi u mbeti brezave si një nga penat më të thukëta e më prodhimtare të letrave shqipe”.

Postimi i plotë

ZEF SKIROI, arbëreshi i madh lindi 155 vjet më parë dhe rrugëtimin e jetës e nisi në legjendaren Piana dei Greci (më pas degli Albanesi), në një familje të shquar.

Ky publicist, shkrimtar, gazetar, profesor nga më të mirët, shkroi një “Iliadë” të shqiptarëve të titulluar, “Te dheu i huaj”, bash në kohën pas pavarësisë së shetit shqiptar. Përkthyes i Virgjilit në moshë të njomë, bashkëbisedues i Pirandello-s, bashkëpunëtor i De Radës dhe kampion i çështjes shqiptare, Zef Skiroi u mbeti brezave si një nga penat më të thukëta e më prodhimtare të letrave shqipe.

Dashuria e tij për dheun amë dhe zjarri patriotik që u ushqye prej asaj dashurie, mbeten sot e tërë ditën vlera të larta të komunitetit arbëresh, një bashkësi shqiposh kryelartë dhe europianësh të integruar më së miri, të cilët vijojnë sot e gjithë ditën të jenë hyzmeqarët e papërtuar të gjuhës sonë.

Zef Skiroi meriton të kujtohet me krenari përjetë dhe vepra që la do të jetë padyshim një argument i fortë në përmbylljen me sukses të përpjekjes sonë për përfshirjes e trashëgimisë se kulturës jomateriale arbëreshe në atë të përbotshme të UNESCO-s. / KultPlus.com

Dhurata Ramosaj Shala zgjedhet zëvendësuese e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës

Që nga data 4 gusht 2020, Dhurata Ramosaj Shala mori përgjegjësi shtesë si Zëvendësuese e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ajo filloi punën si Koordinatore e Projekteve të Edukimit në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2005. Në vitin 2011, caktohet si u.d. Drejtore e GKK dhe nga viti 2012 transferohet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Në këto 15 vjet përvojë, ka menaxhuar mbi 60 ekspozita të artistëve vendor dhe të huaj.

Gjatë kësaj periudhe ajo do ti menaxhojë të dy galeritë, GKK dhe GMK. / KultPlus.com

Regjisori Kastrati me kërkesë: Të hiqet pagesa prej 100 euro për aplikim në QKK

Regjisori Arben Kastrati ka reaguar ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe ndaj Qendrës Kinematografike të Kosovës duke ju bërë thirrje që në konkursin e shpallur nga QKK të hiqet pagesa prej 100 euro, kusht ky i vënë për aplikim, shkruan KultPlus.

Ky lirim nga pagesa po kërkohet për shkak të situatës së rënduar ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

Sipas Kastratit ky lirim nga pagesa është ndërmarrë nga të gjitha dikasteret tjera në të gjitha vendet e botës.

“Kërkesë

Që në Konkursin e shpallur nga QKK për aplikim, të hapur deri më 31 Gusht të vitit 2020, të hiqet pagesa prej 100 eurosh, i vënë kusht për aplikim, për shkak të situatës së rënduar ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Një veprim i tillë lirues, është ndërmarrë nga të gjitha dikasteret tjera, në të gjitha vendet e botës. Një veprim i tillë, duhet të ndërmerret edhe nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës”, ka thënë Kastrati. / KultPlus.com

Kolonia artistike “Art Camp”, madhështia katër ditore e maleve të Sllupçanit mirëpret 45 artistë

Suada Qorraj

Në malin e fshatit Sllupçan, për të dytin vit me radhë arti dhe artistët do të bëhen një me natyrën. Piktura, lojërat, muzika por dhe kampingu janë disa nga elementet që e shoqërojnë koloninë artistike katër ditore “Art Camp”, shkruan KultPlus.

Dashuria e madhe që ka për natyrën dhe mungesa e një kolonie artistike në komunën ku ai është rritur, Likovën e Maqedonisë së Veriut, e ka shtyrë drejtorin e “Art Camp”, Ardian Kadriun, por dhe artistët e tjerë të Maqedonisë që të krijojnë një koloni artistike, ndryshe nga ato që kanë qenë të pranishme deri më sot në shoqërinë tonë.

Sllupçani është edhe fshati ku Ardian Kadrija është rritur, vendi që ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Prania e pishave, frekuentimi i madh i njerëzve në këtë pjesë dhe pozita e mirë gjeografike e këtij fshati, ja ka shtuar edhe më shumë madhështinë artit që krijohet në brendësi të këtij mali.

Kadrija ka thënë se ekspozita dhe kampingu në malet e Likovës që këtë vit do të mbahet që nga 20 gushti, ju mundëson artistëve që të lidhen më shumë me natyrën e madje edhe të inspirohen prej saj.

“Kështu që në kohën kur shumë ekspozita mbahen në ambiente të mbyllura, ne menduam që të provojmë të bëjmë diçka në ambient të hapur, dhe kjo ishte ideja fillestare. Ekspozitë në natyrë ku në të njëjtën kohë artistët do kenë mundësi edhe të bëjnë kamping. Inspirimi më i mirë i artisteve është lidhja me natyrën”, ka deklaruar ai.

Edicioni i dytë i kolonisë artistike krahas pikturës do të jetë i mbushur edhe me komedi, shfaqje muzikore dhe filma të metrazhit të shkurtër. “Ballkoni”, “Ajo”, “Më fal” dhe “Toka” janë vetëm disa nga dokumentarët që do të përkojnë netët e freskëta verore në koloninë e malit të Likovës.

“Pasi që këtë vit kinemaja është mbyllur, ne kemi vendosur që një natë të kemi edhe kinema në natyrë ku do shfaqen 5 filma të metrazhit shkurtër. Filmat që do shfaqen për herë të parë në ‘ArtCamp’ apo mund të them edhe në pjesën e shqiptarëve që jetojnë në Kumanovë e rrethinë, do jenë ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, filmi ‘Ajo‘ nga More Raca filmi “Me fal” nga Besim Ugzmajli dhe ‘Toka’ nga Iber Deari”.

Ardian Kadrija ka shtuar se edicioni i sivjetëm do të ketë 45 pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Sipas tij interesimin për këtë koloni artistike e kanë pasur edhe artist nga vende të tjera, por për shkak të pandemisë dhe pamundësisë së udhëtimit në Maqedoni pjesëmarrja e tyre për këtë edicion do të jetë e pamundur.

Drejtori i “Art Camp” në një intervistë për KultPlus ka thënë se pandemia ka ndikuar që edhe shumë artist nga Kosova të mos mund të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të kësaj kolonie për shkak të barrierave që kjo pandemi ka sjellë në kufirin e këtyre dy shteteve.

“Pjesa që për momentin më shumë na shqetëson është që shumë artistë që kanë pasur dëshirë të jenë në “ART CAMP” nuk do mund të vijnë për shkak të pandemisë. P.sh. për momentin kufiri mes Kosovës – Maqedonisë së Veriut është i mbyllur dhe kjo e bën të pamundur që artistët që janë nga Kosova të marrin pjesë në ArtCamp”, ka shtuar Kadrija.

Ai ka pohuar se artistët janë ndarë të kënaqur me idenë dhe me mënyrën e organizimit të kësaj kolonie, ngase pjesëmarrja në këtë koloni ka qenë një nga ato përvojat që konsiderohen të veçanta. Madje ai ka thënë se në edicionin e parë të kësaj kolonie, vetëm në natën e parë të ekspozitës kanë qenë të pranishëm rreth 300 vizitor, gjë që sipas tij nuk ndodh as në ekspozitat e mbyllura. / KultPlus.com

Shtetet europiane nisin mësimin në shtator

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë, shumë shtete europiane po marrin hapa konkrete për rinisjen e procesit mësimor. E tillë është edhe Britania e Madhe.

Sipas kryeministrit Boris Johnson, hapja e shkollave në shtator është një detyrim sa moral aq edhe social e ekonomik. Deklarata vjen pas publikimit të një studimi pak ditë më parë, sipas të cilit vendi rrezikon një valë të dytë me pandeminë në stinën e dimrit, dy here më të fuqishme se fillimi i saj. Duke e cilësuar hapjen e shkollave dhe rinisjen e mësimit si një prioritet kombëtar Johnson tha se institucionet arsimore do të jenë të fundit që do të mbyllen në rast të një izolimi tjetër. “Kosto ekonomike për prindërit që nuk mund të punojnë nëse fëmijët nuk shkojnë në shkollë është e madhe dhe vendit nuk i bën mire mosedukimi i brezave të rinj”, tha Johnson.

Italia është një tjetër vend që ka marrë vendimin e rikthimit të nxënësve në bankat e shkollës më 14 shtator. “Ky është një hap që nuk ka kthim pas”, tha gjatë një konference ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza. “Duhet të jemi të kujdesshëm para se të vendosim nga cilat gjëra duhet të heqim dorë. Do preferoja më shumë hapjen e shkollave sesa aktiviteteve sportive”.

Të njëjtin vendim pritet të marrë edhe Gjermania me rinisjen e procesit që nga fundi i muajit gusht, por nën masa të rrepta sigurie./A2/ KultPlus.com

Margariti: Manastiri i Mesopotamit, një eksperiencë që nuk duhet humbur

Manastiri i Mesopotamit është një nga monumentet e rralla të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Manastiri pret vizitorët dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti është një nga monumentet e rralla, që ka shumë arsye për ta vizituar.

“Një nga monumentet e rralla të Jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe histori, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për të shkuar, ku kambanorja rri më këmbë, si kundër ligjeve të fizikës. Manastiri i Mesopotamit, pas restaurimeve në muraturë, çati, ndriçim e së fundi dhe në kambanore pret vizitorët, në një eksperiencë që nuk duhet humbur”, shprehet ministrja e Kulturës për këtë monument të rrallë kulture.

Manastiri i Mesopotamit në Shqipëri, ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mespotam në rrethin e Sarandës, fare pranë Finiqit. Në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar Kisha e Shën Kollit, mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin i IX Monomaku. Kisha e Shën Nikollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues, që kapin një sipërfaqe rreth 100 metra dhe kontrollohen nga 7 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha që ekziston akoma. Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine, që ruan vlera të mëdha. Mure e jashtme janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm.

Zbukurimet murale janë në forma të ndryshme përmendim: një shqiponjë dy dragoi dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhet një kafshë mitologjike. Kisha ka një sallë të madhe brenda dhe dy të vogla. Mozaiku i sallës i ruajtur akoma paraqet një dragua me krahë hapur.

Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845 këto rindërtime e kanë ndryshuar shumë pamjen e kishës dhe mendohet që të ketë humbur shumë vlera. Në vendin tonë lista e trashëgimisë kulturore përmban objekte të ndryshme me vlera, dhe një prej tyre është dhe Manastiri i Mesopotamit. /sot/ KultPlus.com

Dokufest me filma falas për studentët e filmit

DokuFest ka njoftuar për bashkëpunimin me Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, programi Regji Filmi për edicionin e 19 të festivalit dhe të parin që po mbahet në sferën dixhitale.

Përmes këtij iniciative, DokuFest do t’u mundësojë të gjithë studentëve dhe profesorëve nga programi ‘Regji Filmi’ qasje pa pagesë në të gjithë programin dhe pakot filmike të cilat janë pjesë e programit të edicionit të sivjetmë të DokuFest.

Për të parë filmat, studentët duhen të krijojnë një llogari në platformën online të DokuFest dhe që pas do të kenë qasje në pakot dhe kombinimet filmike apo në kategorinë e filmave individualë.

I lumtur për këtë iniciativë mes DokuFest dhe Fakultetit të Arteve u shpreh edhe profesori dhe regjisori Ismet Sijarina.

“Përmes kësaj platforme, studentët dhe profesorët do të kenë mundësi, që t’i shohin disa nga filmat më të suksesshëm vendorë dhe ndërkombëtarë të vitit që janë pjesë e programit të “DokuFest”.

Sijarina u shpreh i kënaqur me këtë bashkëpunim duke theksuar se bashkëpunimet me DokuFest do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Njëkohësisht, besojmë se këta filma studentëve tanë do të mund t’u shërbejnë si referencë e mirë për punën e tyre krijuese në të ardhmen. DokuFesti dhe Programi Regji Filmi planifikojnë që ta intensifikojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen”. / KultPlus.com

Profesionistet nga diaspora, iniciativë për të ndihmuar gratë shqiptare

Profesionistet shqiptare në diasporë kanë ndërmarrë një iniciativë për të ndihmuar vajzat dhe gratë shqiptare me mbështetje emocionale, informacione e njohuri, duke iu ofruar terapi-këshillim falas për jetën dhe karrierën.

Përmes platformës “Ti Mundesh”, punonjëse sociale, këshilluese karriere dhe biznesi si dhe profesioniste të fushave të ndryshme do jenë në ndihmë të vajzave dhe grave që paraqesin raste të ndryshme dhune si edhe rasteve për keshillim jete dhe karriere.

Ti Mundesh! Është një inisiativë e ndërmarrë nga vajza dhe gra shqiptare në diasporë, me qellim që t’ju ofrojë vajzave dhe grave shqiptare terapi- këshillim për jeten dhe karrieren (falas). Seancat mund të meren online ose nëpermjet telefonit duke ju siguruar anonimitet dhe profesionalizem maksimal nga femra shqiptare me arsimim dhe banim në diasporë.

Psikologe, Punonjese Sociale, Keshillues karriere dhe biznesi si dhe profesioniste te fushave te ndryshme do jenë në ndihmë për vajzat dhe grate që paraqesin raste të ndryshme dhune fizike, psikologjike, ekonomike, bulizmit si edhe rasteve për keshillim jete dhe karjere.

Qëllimi final është të ndihmohen vajzat dhe gratë në të gjitha trevat shqiptare, me mbështetje emocionale, informacione e njohuri, e ti frymezojmë ato të kapercejn vështiresit, të behen konfidente, të pavarura dhe të suksesshme në të gjitha dretimet e jetës. /albinfo/ KultPlus.com

Mulliri i Ali Pashës në Tepelenë që akoma bluan si 200 vite më parë

Nuk është vetëm Uji i Ftohtë në Tepelenë, një atraksion dhe pikë e njohur nga gjithkush që i bie rruga kësaj ane. Ka të tjera pika që vizitorët me ambicie që “gjurmojnë” mrekullitë historike, ekoturistike e arkeologjike të jugut, mund t’i prekin lehtë për të marrë ndjesi të pashlyera.

Tashmë në guidat e Tepelenës, janë shtuar të tjera pika të vizitueshme, rrëfen Aleksandër Toti, djaloshi i bashkisë me origjinë nga Lekli i Thanas Vajës, që merret me promovimin e vlerave turistike në këtë vis të jugut, ngjitur me sarajet e dikurshme të Aliut ku priti Bajronin para se ky i fundit të rrugëtonte për Janinë.

Toti tregon se nga Kalaja e Tepelenës turisti mund të shkojë një çap më tej, buzë lumit të kristaltë të Bënçës, tatëpjetë Veliqotit për të parë një tjetër kuriozitet, Mullirin e kohës së Pashait që vazhdon të bluaj si 200 vite më parë.

Duke hyrë në mjediset e Mullirit me dy kate, ti sheh si punon mokër e vjetër që miellzon si me magji grurin e këtyre anëve. Pastaj, sheh vijën e ujit apo jazin e Mullirit me ujin kristal që vjen prej kanioneve të Bënçës për të rënë me presion të qilimat e velencat e leshit të punuara në tezgjah nga duart e labëreshave të kësaj treve dhe për të marrë sërish ngjyrat e mrekullueshme të ylberit.

At e bir, që mbajnë gjallë këtë art

Vitet e fundit, ata që e mirëmbajnë Mullirin e lashtë janë familja e të paharruarit mjeshtër, Lefter Bleta. Atë e bir, kanë përcjellë artin e mirëmbajtjes së mullirit me dërstilë.

Lefteri, kishte duar të arta dhe e punonte drurin duke i dhënë shpirt e bukuri të beftë.

Tani, këtë traditë e vijon i biri, Ermali që nuk i ka lënë gjë mangut talentit të të atit, po edhe zonja Bleta, nëna e tij.

Shumë vite më parë të tregojnë se mullirin e lashtë e kanë mirëmbajtur të tjerë ustallarë si Kamber Canaj, Hysni Brahimi dhe Baki Shehu, mjeshtër i punimeve në dru. Dhe kështu, mjeshtër pas mjeshtri lanë gjurmët e duarve dhe mendjes edhe specialistët e gdhendjes së mokrës që bluante drithin.

Mulliri i kohes se Ali Pashës ende bluan…dhe ne centrifugen gjigante të ujit të borës, që bie me vërtik, llamburisin nga larja: qilima, flokata, rrugica e sixhade prej leshi me lulet e maleve e të lëndinave alpine këtej rrotull.

Turistët

Në mulli herë pas here vazhdojnë të shkojnë vizitorë vendas e të huaj si për të parë një copë mesjete të vonë që ka mbërritur e funksionon në kohët moderne.

Ermali, ka vizionin e tij dhe do që të shtojë në këtë kompleks: mulli, dërstila, manganë, këtë elementin e tretë: dy manganë, si çekiçë gjigantë prej druri që rrahin rrobat e shajakta në vendin ku kanë qenë e punuar dikur.

Mulliri, ndanë rrugës së vjetër Tepelenë-Vlorë, nuk është as 1 km larg nga Sheshi “Lord Bajron” i qytetit.

Turisti, pasi ka frekuentuar Kalanë e Ali Pashe Tepelenës me rehabilitimet e kohëve të fundit, pasi ka lënë pas sheshin e madh të qytetit, nga me të bukurit në jug të vendit, mund të vazhdojë guidën edhe më tej. Në Bënçë, fshatin e polifonisë së famshme të këngëve të Golik Jaupit po edhe të Ekovilës interesante punuar nga duart e Sheme Maçit.

Me tej akoma, turisti mund të rrugëtojë më në lartësi, për pak kilometra, në një udhë automobilistike me peizazh mahnitës ku sot po kryhen me intensitet rehabilitimet e rrugës që pritet të asfaltohet brenda vitit. Rruga që nis përballë Mullirit të lashtë të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të shpie në pllajën e Kurveleshit të Sipërm me befasira gjeonatyrore e historike, atje, ku guida pasurohet me vende të një peizazhi me alternime të thyerjet tektonike të gëlqerorëve me gjelbërimin e përhershëm të makieve mesdhetare.

Prej këtej, zë fill rruga turistike që e lidh Tepelenën me Kurveleshin e Sipërm për të mbërritur në peizazhet e bregdetit të Himarës.

-E di sa zgjat udhëtimi nga Tepelena dhe Mulliri i Ali Pashës për në plazhin e Borshit?- m’u drejtua Aleksandër Toti.

Dhe pa pritur ndonjë përgjigje, m’u drejtua sërish:

-Vetëm 60 minuta, or mik! / atsh/ KultPlus.com

Image

‘Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e trishtueshme e në çdo moshë e kohë’

Kur prindërit tanë ikin nga kjo jetë, asgjë nuk është e njejtë. Ne nuk mund të jemi më fëmijë, nuk ndihemi të mbrojtur nga përqafimet e tyre, puthjet e tyre dhe fjalët e tyre të inkurajimit. Duket se jeta bëhet më e vështirë sepse nuk kemi më strehën tonë mbrojtëse.

Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e vështirë, e trishtueshme dhe e dhimbshme në çdo moshë e kohë. Edhe nëse keni krijuar familjen tuaj, figura e prindërve tuaj është gjithmonë pranë jush ose të paktën në mendjen tuaj, ajo nuk ikën kurrë. Të gjithë, edhe nëse të rritur, ne kemi atë fëmijën e brishtë brenda nesh që dëshiron të mbrohet nga prindërit e tij.

Ndaj shkoni tek ata sot, shkoni menjëherë për t’i dhënë dashurinë tuaj të pakushtëzuar: Kur ata të mos jenë më me ne, nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë.

Kurrë nuk do të jemi gati për t’i dhënë lamtumirën. Duke ditur se nuk do t’i shohim më kurrë, se nuk do të jemi në gjendje t’i përqafojmë, është gjëja më ë vështirë për t’u imagjinuar. Koha për të kaluar pranë njerëzve me të vërtetë të dashur nuk është kurrë e mjaftueshme. Ikja e prindërve nga kjo botë është një fatkeqësi e madhe, kurrë nuk kapërcehet plotësisht. Mund të pranohet, por nuk mund të kapërcehet.

Jo vetëm që trupi i prindërve nuk është më, por edhe një pjesë e juaja shkon me ta. Kujtimet e bukura, dashuria e tyre, streha jonë…gjithçka ikën larg. Një ditë mund të ndihesh fajtor që nuk i dhe një rëndësi të veçantë gjithë kësaj. Nëse keni ndonjë konflikt të pazgjidhur me prindërit tuaj, rregullojeni atë. Ju duhet të keni marrëdhënie të mira dhe të përpiqeni të jeni gjithnjë të kënaqur me njëri-tjetrin. Jini të vetëdijshëm se nuk do të jenë përgjithmonë me ju. /naishtedikur/ KultPlus.com

Milazim Krasniqi: Për herë të parë pajtohem me Albin Kurtin, nuk e kisha menduar kurrë

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar në Facebook se për herë të parë po pajtohet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, ndonëse nuk kishte besuar se do të pajtohej me të për ndonjë gjë.

Krasniqi ka mbështetur Kurtin, në deklaratën e këtij të fundit lidhur me arsimin e dobët dhe mungesën e leximit në Kosovë.

Postimi i plotë:

Prandaj thonë: “Kurrë mos thuej kurrë!” Kam menduar se kurrë nuk mund të pajtohem me Albin Kurtin për ndonjë gjë, por ja që pajtohem me të, lidhur me arsimin e dobët, mungesën e leximit dhe dijen si vlerë. Ani kur ia pashë në dorë librin e Konstandin Kavafisit, u ngashëreva, sepse ai është njëri nga poetët që i pëlqej shumë. Veçmas poezia e tij “Duke pritur barbarët” është antologjike.

Po përmirësohemi të gjithë, po shihet. Në fakt, vetëm ata që kanë fuqi të përmirësohen, mund të bëhen fitimtarë. Ndërsa kushdo që përsëritë gabimet e veta, edhe nga fituesi shndërrohet në humbës. Arsimi i mirë dhe dija e mirëfilltë kështu na mësojnë. / KultPlus.com

Maud Wagner, artistja e parë e tatuazheve (FOTO)

Si një nxënëse e bashkëshortit të saj, Wagner mësoi se si të bënte tatuazhe tradicionale “me dorë”, pavarësisht nga shpikja e makinës së tatuazhit dhe u bë vetë tatuatore, duke shënuar kështu artisten e parë femër të tatuazheve, përcjellë KultPlus.

Së bashku, Wagners ishin dy nga artistët e fundit të tatuazhit që punonin me dorë, pa ndihmën e makinave moderne të tatuazhe. Maud Wagner ishte artistja e parë e njohur i tatuazheve në Shtetet e Bashkuara.

Këtë zanat ajo e kishte mësuar nga bashkëshorti i saj, Gus Wagner me të cilin fillimisht u takua gjatë udhëtimit në Ekspozitën e Blerjes së Luizianës (Panairi i Botës) në vitin 1904, ku punonte si aerialiste. Ajo shkëmbeu një takim romantik me të për një mësim në bërjen e tatuazheve, dhe disa vite më vonë u martuan. Së bashku ata kishin një vajzë, Lotteva, e cila filloi të merret me tatuazhe në moshën nëntëvjeçare. / KultPlus.com

Zelanda e Re shënon 100 ditë pa asnjë rast të ri me Covid19

Zelanda e re ka shënuar 100 ditë pa raste të reja të pandemisë Covid-19, por ka paralajmëruar që të mos ulet kujdesi, duke marrë shembuj vende si Vietnami dhe Australia të cilat dikur e kishin virusin nën kontroll por tani kanë rritje të madhe rastesh.

Lufta e sukseshme e Zelandës së Re me Covid-19 e ka bërë këtë vend një prej më të sigurtëve në botë, sa i përket epidemisë, raporton Global News.

Banorët e Zelandës i janë kthyer normalitetit, por autoritetet janë të brengosur që njerëzit po refuzojnë testet, nuk po përdorin aplikaciontet për gjurmim dhe po i injorojnë masat bazike të higjenës.

“100 ditë pa asnjë rast të infektuar është një arritje e madhe, mirëpo ne nuk mund të tregohemi të shkujdesur,” tha dr Ashley Bloomfield.

“Ne kemi parë se si është ripërhapur virusi në vende ku më parë ishte në kontroll dhe duhet të tregohemi të gatshëm të reagojmë shpejtë, nëse ndodh ngjajshëm edhe këtu te ne,” vazhdoi ai.

Zelanda e re ka 23 raste aktive të izoluara dhe 1,219 raste me Covid deri tash. /insajderi/ KultPlus.com

Dua Lipa për bashkëpunimin me Madonnën: Ende më duket i pabesueshëm

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, shpreh entuziazëm për bashkëpunimin me këngëtaret botërore Madonnën dhe Missy Elliot.

Lipa ka konfirmuar kohët e fundit se do të nxjerrë projektin e ri me dy këngëtaret, ndërsa thotë se bashkëpunimi me to i duket i pabesueshëm.

“Gjithmonë ka qenë një ëndërr e imja që të punoj me Madonna dhe Missy Elliott dhe që të jemi në gjendje të bëjmë një këngë. Duke e ditur se kënga do të dalë së shpejti, prapë kjo më duket se pabesueshme,” ka thënë Lipa gjatë një paraqitjeje në ‘Ash London Live’.

Kënga, e cila do të dalë në treg më 14 gusht, është krijuar bashkë me DJ dhe producentin “The Blessed Madonna”. / KultPlus.com

Të ndarë nga pandemia, BE: Të bashkojmë çiftet e pamartuara

Bashkimi Evropian po i kërkon vendeve anëtare të zbusin kufizimet në udhëtim për shkak të Covid- 19, për të lejuar çiftet e pamartuara të ribashkohen pas afro gjysmë viti ndarje.

Shtetet anëtare të BE kanë rihapur kufijtë për njëri tjetrin edhe pse disa kufizime ende aplikohen dhe për një listë të shkurtër vendesh të treta ku koronavirusi konsiderohet nën kontroll. Por kjo listë përjashton pjesën më të madhe të vendeve në botë përfshirë SHBA, Rusinë, Brazilin, pjesën më të madhe të vendeve afrikane dhe aziatike.

Kjo do të thotë që qytetarë nga këto vende, që nuk janë banorë të BE, nuk mund të vijnë në BE. Një zëdhënës i komisionit evropian tha se Brukseli e ka ngritur çështjen që ka prekur shumë njerëz, atë të përjashtimit të partnerëve të pamartuar të qytetarëve të BE nga kufizimet në udhëtim.

“Nën situatën aktuale ligjore, vendet anëtare mund të lejojnë partnerët e pamartuar të hyjnë në BE nëse duan. Ne inkurajojmë vendet anëtare ta përdorin këtë mundësi. Aktualisht vetëm një numër i vogël vendesh anëtare e bën këtë”, tha ai.

Vetëm shtatë nga 31 vende të Evropës dhe tregut të përbashkët lejojnë partnerin e huaj të pamartuar të një shtetasi apo banori të tyre, tu bashkohen atyre. Këto janë republika ceke, Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia dhe Zvicra. Gjermania njoftoi të premten se do ti bashkohet atyre duke filluar nga java e ardhshme. Franca po ashtu pritet të heqë kufizimet për çiftet e pamartuara. /bw/ KultPlus.com

‘Politikanët shqiptarë kanë investuar fare pak në spitale që nuk shkojnë as vetë të shërohen’

Nga Bekim Guri

Si ka mundësi që 98% e politikanëve shqiptarë gjithandej, kanë investu shumë pak ose fare në spitale dhe cilësine e tyre dhe janë bërë milioner, kur vjen një moment si COVID19, apo sëmundje tjera të rënda p.sh, ata shkojnë shërohen jashtë shtetit, kurse qytetarin, artistin, doktorin, bujkun etj, e lënë të vdesin në ato spitale që politikanët kurrë nuk mjekohen dhe nuk investuan sa duhet!

Vota jote është jeta jote! / KultPlus.com

Papa Françesku: Të infektohemi nga dashuria, jo nga virusi

Papa Françesku nënshkruan me këto fjalë parathënien e librit “Bashkim e shpresë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit – Dikasteri për Komunikimin.

Vëllimin e përgatitën kardinali Walter Kasper, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe atë George Augustin, meshtar gjerman, i cili ka themeluar dhe drejton Institutin, që mban emrin e kardinalit, bashkëkombas i tij. Libri përmban tregime mbi “dëshminë e fesë në kohën e koronavirusit”, siç thotë edhe nëntitulli.

Pandemia si “kohë prove dhe vendimesh”

Në fjalët, që shkruan Papa në parathënie, ndihet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit. Siç pati thënë në lutjen e paharrueshme të 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, kur në Itali përhapej me shpejtësi pandemia, koronavirusi, si të ishte stuhi e fuqishme, na befasoi të gjithëve, duke na e ndryshuar jetën familjare, punën dhe të gjitha veprimtaritë publike e duke lënë pas vetes vdekje, probleme ekonomike dhe largësinë nga Eukaristia e nga sakramentet. Kjo gjendje dramatike, që nxjerr në pah “brishtësinë” e njeriut, “paqëndrueshmërinë e tij dhe nevojën për shëlbim”; që vë në diskutim siguritë – bazë të jetës sonë, shtron “pyetje themelore për lumturinë dhe për thesarin e fesë së krishterë”, nënvizon Papa.

Ku “mbahen rrënjët më të thella, që na mbështesin të gjithëve në stuhi”? Çfarë është vërtet e rëndësishme dhe e nevojshme? “Pandemia” – vëren Ati i Shenjtë – është “sinjal alarmi, që të bën të reflektosh” pikërisht mbi këtë. “Është kohë sprove dhe vendimarrjeje, për ta orientuar jetën në një mënyrë të risuar kah Zoti, mbështetja dhe horizonti ynë”.

Të dëgjojmë britmën e të varfërve e atë të planetit

Papa u bën thirrje të gjithëve për “solidaritet” dhe “shërbim”, kundër “padrejtësive globale” dhe indiferencës. Në fakt, emergjenca na detyron ta kuptojmë sa shumë “varemi nga solidariteti i të tjerëve” dhe na shtyn t’u shërbejmë të afërmve në mënyrë të re: “Duhet të na shkundë padrejtësia globale – nënvizon Françesku – që të zgjohemi dhe ta dëgjojmë britmën e të varfërve dhe atë të planetit tonë, aq të sëmurë”.

Të infektohemi nga dashuria, jo të paralizohemi nga frika

Përhapja e pandemisë, vë në dukje Papa, përkoi me periudhën e Pashkëve e prej këndej niset mesazhi, që e shndrit të tashmen dhe të ardhmen dhe që e shmang paralizën: është mesazhi i fitores së jetës mbi vdekjen. “Pashkët – kujton Françesku – na japin shpresë, besim dhe guxim, na e përforocojnë solidaritetin” dhe vëllazërimin. “Rreziku i infektimit nga një virus duhet të na mësojë një lloj tjetër ‘infektimi’, atë të dashurisë, që zemra ia çon zemrës. Jam mirënjohës për shenjat e shumta të gatishmërisë spontane për ndihmë dhe për impenjimin heroik të personelit shëndetësor, mjekëve dhe meshtarëve. Këto javë, e kemi ndierë forcën, që vinte nga feja”.

Në Eukaristi, forca për kapërcimin e vështirësive

E, besimit në Krishtin, i kushtohet paragrafi i fundit i parathënies së librit. Papa kujton “agjërimin e dhimbshëm eukaristik”, që përjetuan shumë të krishterë, për shkak të ndërprerjes së kremtimeve publike. Transmetimi i meshës përmes mediave ishte zgjidhje emergjence, por, siç thekson Ati i Shenjtë, asnjë “transmetim virtual nuk mund ta zëvendësojë praninë e vërtetë të Zotit në kremtimin eukaristik”. Papa shpreh gëzimin për rifillimin e jetës normale liturgjike, sepse, përfundon ai, “prania e Zotit të ringjallur në Fjalën e Tij dhe në kremtimin eukaristik do të na japë forcën, që na duhet, për të përballuar problemet e vështira pas krizës”. E, gjithë njerëzimit, Françesku i jep shpresë, duke i kujtuar fjalët e Jezu Krishtit për dishepujt e Emausit: “Mos kini frikë! Unë e munda vdekjen”. /vaticannews/ KultPlus.com

‘Mos m’i puthë ti buztë e mia, ia kam rujtë dashnorit tim’ (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Falmi buztë e kuqe’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, madje shpesh këndohet edhe nga këngëtarë të tjera.

https://www.youtube.com/watch?v=-_9aM6Ifm-4

Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Çavolli, mësues.

Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.

Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse. / KultPlus.com

Malaj: Trishtim i madh humbja e mikut tim Arben Bajo, vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht

Sot ka humbur betejën me Covid19 artisti i njohur shqiptar Arben Bajo, për të cilin kolegët e miqtë nuk kanë hezituari së shprehuri ngushëllimet e tyre, shpesh duke treguar edhe eksperienca të përbashkëta me artistin, shkruan KultPlus.

Petrit Malaj, aktor dhe dekan i Universitetit të Arteve në Shqipëri, ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, ku ndër të tjera edhe e ka ngritur lart figurën e artistit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Malajt.

”Trishtim i madh humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri, ende nuk mund ta besoj.

Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që e pata një koleg, mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

U prehsh në paqe i dashur Beni!” shkruan Malaj në Facebook. / KultPlus.com

‘Kanionet e Holtës’, mrekullia shqiptare e paeksploruar (FOTO)

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma plotësisht dhe përbën një ftesë e hapur për të gjithë eksploruesit e natyrës dhe bukurive natyrore.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe ka publikuar një sërë fotosh me pamje të mrekullueshme nga kanionet e Holtës, si një nga destinacionet turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.

Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma edhe për shkak të terrenit të saj të thyer, por kjo nuk i pengon aventurierët e lartësive.

Në zonën e Gramshit, ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që vizitohen rregullisht, sidomos në stinën e ngrohtë.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com

Kur e di se do të vdesësh

Poezi nga Teodor Keko

Në përkujtim të artistit Arben Bajo, KultPlus ju sjell këtë poezi të autorit të njohur Keko.

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim. / KultPlus.com