Vojsava Nelo nderohet me çmimin e parë në festivalin e poezisë në Sarandë

Qyteti i Sarandës mirëpriti këtë vit festivalin e poezisë, ku morën pjesë poetë nga shumë treva shqiptare.

Në përfundim të këtij festivali u nderua me çmimin e parë për poezinë më të mirë poetja Vojsava Nelo.

Kjo nuk është hera e parë që poetja edhe shkrimtarja Nelo fiton çmim sepse veprat e saj te mëparshme janë vlerësuar për stilin e veçantë. Disa nga krijimet e rëndësishme të autores  janë: “Muzgjet e Bostoni”, “Gërsheti i prerë” dhe “Gruaja me të zeza”.

Autorja shprehet se shpesh herë gjen frymëzimin për vargjet dhe shkrimet e saj në qytetin e saj të lindjes, Sarandën.

Poetja Vojsava Nelo po punon së fundmi dhe për një tjetër botim të cilin pret që ta botoj së shpejti. Libri i ri që do botohet së shpejti mbanë tërësisht autorësinë dhe redaktimin e saj. /atsh/ KultPlus.com

Politologia kosovare bën thirrje të publikohen emrat e abuzuesve seksualë të vajzës me probleme mendore

Politologia kosovare, Jehona Lushaku Sadriu, ka shprehur mllefin e saj me ngjarjen e rëndë të abuzimit seksual që u raportua t’i ketë ndodhur një vajze me probleme mendore.

Ngjarja e rëndë e djeshme hyn në serinë e rasteve të abuzimit seksual me vajzat kosovare nga burrat kosovarë.

Lushaku Sadriu iu ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë publikimin e emrave të këtyre njerëzve që kanë abuzuar me vajzën kosovare që u tha të kishte probleme me shëndetin mendor.

“Ftoj institucionet që t’ua publikojnë emrat këtyre qenieve që veç njerëz nuk qenkan. Ju ndihmon edhe familjeve që të dijnë kënd e kanë në shtëpi”, shkruan ajo. / KultPlus.com

Koncerti virtual i Dua Lipës “Studio 2054”, do të transmetohet edhe në Serbi

Dua Lipa ka disa ditë që po e promovon koncertin e saj virtual me titull “Studio 2054”, i cili transmetohet live më 27 nëntor si dhe po i fton fansat ta shoqërojnë atë në këtë ngjarje madhështore dhe mjaft të rëndësishme për këngëtaren me prejardhje kosovare.

Koncerti do të transmetohet live në orë të ndryshme, varësisht prej territoreve dhe biletat për të fituar qasje për ta parë shoun, tashmë janë në dispozicionin e publikut. Madje përmes një postimi të fundit në Instagram, Lipa i ka publikuar edhe emrat e shteteve të Ballkanit ku do të transmetohet kjo ngjarje muzikore, përfshirë këtu edhe Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, transmeton Koha.

Nuk dihet nëse koncerti i kantautores me prejardhje kosovare dhe famë botërore do të mirëpritet në Serbi, sidomos pas debatit që Lipa pati nxitur në këtë shtet për shkak se i kishte bërë thirrje kompanisë Apple, për përfshirjen e Kosovës si shtet në hartën e saj. Ky veprim i Duas zgjoi reagime të shumta tek serbët të cilët nuk hezituan që pakënaqësinë e tyre ta shprehin në forma të ndryshme përmes rrjeteve sociale. Madje, ata e sulmuan aq ashpër me mesazhe fyese Dua Lipën, sa ajo e gjeti mënyrën më të mirë për t’iu kundërpërgjigjur, me postimin e një fotografie ku shihet flamuri shqiptarë dhe poshtë saj e shpjegon kuptimin e fjalës “Autochthonous”, që do të thotë një banor i një vendi autokton dhe jo i ardhur nga imigrantët ose kolonistët.

“Studio 2054” do të jetë një mbrëmje e mbushur me muzikë, performanca, aktrim, vallëzim dhe shumëçka tjetër. Të gjitha këto të bashkuara në një përvojë multi-dimensionale të drejtpërdrejtë.

Kështu Dua Lipa bëhet ylli i fundit i muzikës që po iu ofron adhuruesve mundësinë ta shohin duke interpretuar live në këtë kohë kur koncertet fizike janë pezulluar anembanë botës, si pasojë e koronavirusit. Ata do të ketë mundësi ta shohin idhullin e tyre duke performuar në një koncert virtual, një eksperiencë kjo e re për publikun.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet në një depo, Dua Lipa pritet t’i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku ajo performon do të ndryshojnë nga njëra-tjetra. Gjatë performancave ajo po ashtu do të shoqërohet nga disa muzikant, valltarë, akrobat të ndryshëm, dhe mysafirë special identiteti i së cilëve po mbahet i fshehtë.

Sa i përket këngëve që do të interpretohen në koncert, besohet se Lipa do t’i kthehet edhe hiteve të saja të mëparshme dhe natyrisht, për herë të parë do t’i performojë live disa prej këngëve të albumeve, “Future Nostalgia” dhe “Club Future Nostalgia”. / KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by DAN HIMBRECHTS/EPA-EFE/Shutterstock (10486324af) Dua Lipa arrives at the 33rd Annual ARIA Music Awards at The Star in Sydney, Australia, 27 November 2019. 33rd ARIA Music Awards, Sydney, Australia – 27 Nov 2019

Ndahen çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për çmimet për laureatët për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale.

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, të autorit Agim Sopi; Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “ Shtëpia e të humburve “, të autorit Zgjim Baraliu; Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, të autores Albana Muja.

Ministrja Dumoshi me rastin e nënshkrimit të vendimeve i uroi laureatët për çmimet duke e vlerësuar dhe marrë në konsideratë punën e jurisë profesionale.

“I uroj fituesit e çmimeve sivjet dhe i falënderoj autorët e dramave për sjelljen e këtyre dramave në jetë duke kontribuuar kësisoj në krijimtarinë artistike për këtë vit. Si ministri përmes këtyre çmimeve ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, tha mes tjerash ministrja.

Në bazë të vendimeve të nënshkruara nga ministrja Dumoshi, çmimi i parë shoqërohet me shpërblim financiar prej 3600 euro, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200.

Çmimet u janë ndarë laureatëve pa ceremoni të organizuar ashtu siç edhe tradicionalisht MKRS-ja i ndan këto çmime, për arsye se njëri prej tyre është i infektuar me virus dhe kjo gjë ka pamundësuar një organizim të këtillë.

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Selman Jusufi – kryesues, dhe anëtarët: Arian Krasniqi – dramaturg, Ilir Bokshi – regjisor, Naser Shatrolli – dramaturg (përfaqësues i MKRS-së) dhe Adrian Morina – aktor. / KultPlus.com

Afro-amerikania Asya Branch shpallet “Miss USA 2020”

Miss Mississippi USA, Asya Branch, është kurorëzuar “Miss USA 2020”. 22-vjeçarja u shpall fituese në një ceremoni në Elvis Presley’s Graceland në Memfis, këtë javë.

Ajo është afrikano-amerikania e parë që përfaqëson shtetin në konkursin vjetor, gjithashtu është hera e parë që një garuese në Misisipi fitoi titullin.

Në deklaratën e saj, ajo foli për armët.

“Si dikush që u rrit në një shtëpi me armë, unë mësova në moshë të hershme si të ngarkoja, si të qëlloja dhe sigurinë e armëve”, tha ajo. “Dhe, unë mendoj se arsimi duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë. Unë besoj se duhet t’u kërkojmë njerëzve të kalojnë kurse trajnimi dhe sigurie përpara se të lejohen të blejnë një armë dhe para se të marrin një leje.”

“Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të mos ndalojmë armët, sepse pa dyshim që njerëzit do të gjejnë një mënyrë për të marrë atë që duan gjithsesi”, vazhdoi ajo. “Por unë mendoj se është i drejtë amendamenti ynë i dytë dhe na duhet vetëm më shumë siguri rreth kësaj”.

Miss Idaho USA, Kim Layne, u emërua nënkampione e parë, ndërsa Miss Oklahoma USA, Mariah Jane Davis, u bë nënkampione e dytë.

Paneli i gjyqtarëve të këtij viti përfshinte biznesmenen dhe stilisten Carolyn Aronson, “Miss USA 2000” Lynnette Cole, kontribuesin e Fox News Abby Hornacek, folësen motivuese Gloria Mayfield Banks, “Miss USA 1999” Kimberly Pressler dhe biznesmenen dhe YouTuber Susan Yara./ KultPlus.com

Dostojevski: Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes

199 vite më parë lindi një njeri që do të shndërrohej në ikonë të letërsisë ruse. Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.

Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.

Në ditën e lindjes së tij, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:

Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.

Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.

Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.

Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.

Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.

Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.

Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.

Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.

Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.

Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com

Filmi “Mrekullia në Qelinë e 7” që përloti shqiptarët nominohet për Oscar

 

Filmi turk që përloti shumë qytetarë gjatë periudhës së karantinës, “Mrekullia në Qelinë e 7-të”, është nominuar për Oscar në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.

Lajmin e kanë bërë me dije mediet turke, teksa njoftojnë se filmi i famshëm i “Netflix”, po garon në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”. Në mesin e 23 filmave nga Turqia që garuan në këtë kategori, komiteti përzgjedhës vendosi që “Miracle in Cell No.7”, të përfaqësojë Turqinë në këtë kategori.

Aktorët e filmit të famshëm janë Aras Bulut ynemli, Nisa Sofiya Aksongur, Celile Toyon, lker Aksum, Mesut Akusta, Deniz Baysal, Yurdaer Okur si dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com

Intervista ekskluzive e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 18 gushtit 1955, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Zog i Shqipërisë ëndërron të rimarrë fronin e tij

Në vilën e tyre në Kanë, Madhëria e Tij Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha gjen sërish rininë e saj këtu : ajo u rrit në Nisë. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Côte d’Azur
Në një vilë të vjetër në Kanë
(Nga korrespondenti ynë Francis RICO.)

Një vilë me mure ngjyrë gri, të çara, kopshti i harlisur i së cilës nuk është mirëmbajtur prej kohësh : këtu qëndron mbreti Zog i Shqipërisë, i cili sapo ka mbërritur në Kanë me mbretëreshën Geraldinë.

 E ndërtuar në vitin 1900 gjatë kohës së “Dukave të Mëdhenj”, me një luks të frëngjive prej llaçi, shtëpia, pavarësisht sallonit së saj të madh të jetesës me tavan të pikturuar, është e trishtë dhe mban erën karakteristike të shtëpive të vjetra të pabanuara.

Para derës, të ulur në rreth, në kolltukët e kohës së Mbretëreshës Victoria, disa burra të gjatë, besnikët e fundit të sovranit të rrëzuar nga froni, bisedojnë në pritje të ditëve më të mira.

Ata flasin me njëri-tjetrin me zë të ulët, ose përdorin tespihe të bëra nga rruaza të mëdha me ngjyra.

 Kush janë ata ? Ish-zyrtarë të lartë, oficerë, magjistratë, të humbur në anonimitetin e xhaketës (kostumit) evropiane…

 Ata ruajnë mbretin që rrallë e shohin, vëzhgojnë daljen e mbretëreshës ose të princeshave, motrave të Zogut, vëzhgojnë lëvizjet e të madhit, Leka Skënderbeut, i cili ecën në fund të parkut ndërsa shikon majat e selvive.

 Përreth, Kana shkëlqen plot shëndet. Vilat, me qepenet e hapura, shfaqin pamjen e pushimeve, të gëzimit, diellit, pasurisë.

 Në sfond, deti është i mbushur me varka me vela ose i shqyer nga skiatorët detarë.

 Nga dritarja e sallonit të madh shohim çatitë e pallateve (vilave) të mbuluara me flamuj që valëviten nga era dhe Palm Beach Casino shfaq arkitekturën e saj të çuditshme orientale si një xhami e humbur në brigjet e largëta të Mesdheut.

 Mbreti më priti në orën e premtuar. Ai është ulur në një divan të madh që e bën më të hollë figurën e tij të dobësuar. Zog I ngrihet për të më dhënë dorën.

 “— Jam i lumtur, tha ai, që po pres një francez. Ne e duam aq shumë Francën, e cila na ka dashur aq shumë.”

 Sekretari i tij privat shtrin një tabaka me cigare “bjonde” të Régie française. Zog I, i cili vazhdon të pijë duhan pavarësisht ndalimit nga mjekët e tij, ndez një cigare tjetër fill pas asaj që sapo mbaroi. Nuk e kisha parë që nga një intervistë që ai më dha në vitin 1939 në Versajë, ku ishte strehuar pas pushtimi të Tiranës nga Musolini.

 “— Lartmadhëri, më në fund, u mor haku juaj ndaj italianëve ?”

 Një buzëqeshje e zbehtë nën mustaqet e tij të famshme si një oficer kalorësie ballkanike.

 “— Plot ngjarje që atëherë, psherëtiu ai. Pashkët e vitit 1939 ishin fillimi i luftës botërore. Por si mund ta dinim ?”

Një mbretëreshë e buzëqeshur

 Mbretëresha Geraldinë shfaqet me një fustan të freskët, modest dhe pranveror; një gjerdan margaritar i imët për çdo stoli. Ajo është e gjatë, e hollë, e qeshur. Papritmas, salloni i vjetër ndriçon.

Ajo flet frëngjisht hyjnisht me një theks këndues. Ajo është me origjinë hungareze. Por ka udhëtuar kaq shumë! 

“— Unë gjej këtu rininë time, thotë ajo, në këtë vend kaq blu dhe kaq të bukur. A e dini se kam studiuar në liceun e Nisës dhe në një shkollë angleze ?”

 Ndërsa e pyes nëse i pëlqen të dalë, të shohë koleksione, të shkojë në kazino, buzëqeshja e saj ngrin :

 “— Mbreti është i sëmurë; Ai ka nevojë për pushim, përgjigjet ajo. Çfarë do të bëj vetëm, në një gala ? Çfarë do të bëja pa të ?”

 Zogu e shikon me butësi. Ai rrëshqet dorën e tij mbi të sajën. Buzët e tij pëshpëritin një falënderim.

 “— Unë duhet të shkoj në Paris, vazhdon ai, të konsultohem me autoritetet tuaja mjekësore. Shëndeti im është i brishtë dhe duhet të kursej veten time, sepse do të doja të përkushtoja pjesën tjetër të forcës time në shpëtimin e vendit tim.”

 “— Lartmadhëri, a mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri ?”

 Fytyra e tij ngrihet. Toni i zërit të tij ngurtësohet. Sekretari më në fund e përkthen përgjigjen.

 “— Nëse fuqitë e mëdha bien dakord për ribashkimin e Gjermanisë, deklaron mbreti, atëherë do të vijë dita kur disa shtete do të thirren të shpallin, nëpërmjet plebishiteve të lira, qëllimet dhe dëshirat e tyre për qeveri. Shqipëria si të tjerët do të jetë në gjendje të shprehë vullnetin e saj.”

 Dëgjojmë këmbanën e një kapele (kishe) aty pranë që na jep sinjalin se është ora dymbëdhjetë e mesditës. Dielli është tashmë në pikun e tij. Geraldina përkulet për të parë “Croisette-n” të mbushur plot me njerëz. Është kënaqësi të qëndrosh nën hijen e freskët. Mbretëresha merr dorën e mbretit dhe të dy hyjnë në kopsht, midis dafinave dhe trëndafilave.

 “— Ditë të mbarë, zotëri !”, tha Zogu I, duke ndezur një cigare tjetër.

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1955-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-vilen-e-tyre-ne-kane-qellimet-e-mbretit-dhe-kujdesi-i-geraldines-per-shendetin-e-tij/

Gita Gopinath, gruaja e vitit nga “Vogue India”

Kryekonomistja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gita Gopinath është një nga gratë e shquara të vitit 2020, në edicionin indian të revistës prestigjioze “Vogue”.

Indo-amerikania 48-vjeçare, Gita Gopinath, është votuar si liderja e mendimit botëror nga “Vogue India”.

Ajo është gruaja e parë që zuri këtë pozicion brenda institucionit ekonomik, pas marrjes së detyrës në janar 2019, një vit para se pandemia COVID-19 të trazonte ekonominë globale, duke shkaktuar një krizë të paparë.

Që nga ajo kohë, ajo rregullisht u bën thirrje vendeve të shpenzojnë për të ndihmuar ekonominë të rimëkëmbet dhe të mbështesë popullatat, duke shprehur keqardhje për rritjen e pabarazive.

“Disa vendime nuk mund të shtyhen më. Një rimëkëmbje më e gjelbër është e nevojshëm për të parandaluar rreziqet katastrofike nga ndryshimi i klimës. Në të ardhmen, bota duhet të jetë më pak e pabarabartë, me qasje universale në arsim, kujdes shëndetësor dhe rrjetat e sigurisë sociale”, shprehet Gopinath në “Vogue”.

Para FMN-së, Gita Gopinath ishte profesoreshë ekonomie në Universitetin e Harvardit/AFP/ KultPlus.com

Apolloni: Amerika na shpëtoftë edhe këtë herë, siç na ka shpëtuar një herë

Shkruan Ag Apolloni

Sipas avokatit (të djallit) Predrag Savić, Serbia i ka dërguar Gjykatës Speciale 50 mijë faqe dokumente. Synimi është i qartë: serbët të paraqiten si viktima, shqiptarët si kriminelë.

E prej kujt ikën mbi një milion shqiptarë nga Kosova gjatë luftës?

Prej “viktimave” serbe.

Kush i kreu mbi njëqind masakra ndaj shqiptarëve?

“Viktimat” serbe.

Kush i përdhunoi 20 000 femra shqiptare? “Viktimat” serbe.

Kush i vrau mbi 1000 fëmijë shqiptarë?

“Viktimat” serbe.

Është shqetësuese heshtja jonë përballë hipokrizisë së kriminelëve serbë.

Ne si shtet s’i kemi kushtuar rëndësinë e duhur dokumentimit të krimeve, prandaj viktimizohemi për së dyti si pasojë e këtyre mashtrimeve.

Amerika na shpëtoftë edhe këtë herë, siç na ka shpëtuar një herë./ KultPlus.com

Kitaristi nga Kosova me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Maqedoninë e Veriut

Kitaristi nëntëvjeçar nga Prishtina, Ledion Halitaj, ka shënuar suksesin e radhës brenda dy muajve. Ai e ka fituar çmimin e parë në kategorinë për të vegjlit në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo”, që është mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nga 29 tetori e deri më 7 nëntor, në versionin online.

Ky çmim është ndarë edhe me tre pjesëmarrës të tjerë në këtë kategori, me ç’rast Halitaj është renditur i dyti me pikë. Ndërkohë, ai e ka sfiduar vetën edhe në Kategorinë e Parë, e cila i dedikohet grupmoshës deri në 11 vjet, dhe aty ka fituar çmimin e dytë.

Halitaj është përgatitur për këtë festival nga profesori i tij, Erhan Mujka, në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.

Në kategoritë pjesëmarrëse, ai ka luajtur dy vepra klasike dhe i është nënshtruar vlerësimit të një jurie në përbërje prej nëntë anëtarësh nga shtete të ndryshme.

Në fillim të muajit tetor, Halitaj ka fituar çmimin e parë të jurisë dhe çmimin e publikut në kategorinë “Junior”, në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë. Në këtë festival kanë marrë pjesë më shumë se shtatëdhjetë kitaristë nga 13 shtete të Evropës./ KultPlus.com

Nis edicioni i XI i “Festivalit Folklorik” në Lezhë

Në qytetin e Lezhës është duke u zhvilluar edicioni i XI i “Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtarë i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë”.

Ky aktivitet, po zhvillohet në ambientet e Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aktiviteti ka nisur dje më data 9 nëntor në orën 18:00, dhe do të vijoi edhe sot më 10 nëntor ora 18:00. Ky edicion i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore.

Edicioni i XI organizohet nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale dhe Bashkia Lezhë.

Aktiviteti po zhvillohet duke respektuar masat anti-covid.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale./ KultPlus.com

Për Letërsinë

Umberto Eco

Përktheu Donika Omari

Letërsia, para së gjithash, e ushtron gjuhën si trashëgimi të përbashkët. Gjuha vetvetiu shkon aty ku do vetë, asnjë dekret nga lart, as nga politika, as nga akademia, nuk mund ta ndalojë në rrugën e saj dhe ta bëjë të shmanget drejt situatave që pretendohet se janë më të mirat. Gjuha shkon ku i do qejfi, por është e ndjeshme ndaj sugjerimeve të letërsisë. Pa Danten nuk do të kishte një italishte të unifikuar.

Kur Dantja te “De Vulgari Eloquentia”, analizon dhe dënon dialektet e ndryshme italiane dhe merr përsipër të përpunojë një latinishte të re vulgare të shkëlqyer, askush s’kishte për të vënë bast për një akt të tillë kryelartësie, e megjithatë ai, me Komedinë e fitoi davanë. Vërtet që për t’u bërë gjuhë e folur prej të gjithëve, latinishtes vulgare të Dantes iu deshën disa shekuj, por ama ia doli, sepse bashkësia e atyre që besonin te letërsia vazhdoi të frymëzohej te ai model.

Dhe po të mos kishte qenë ky model, ndofta nuk do të merrte udhë as ideja e bashkimit politik.

Letërsia, duke dhënë ndihmesë për të formuat gjuhën, krijon identitet dhe bashkësi. Fola më parë për Danten, por le të mendojmë pak se çdo të ishte qytetërimi grek pa Homerin, identiteti gjerman pa përkthimin e Biblës nga Luteri, gjuha ruse pa Pushkinin, qytetërimi indian pa poemat e veta bazë.

Por praktika letrare mban të ushtruar edhe gjuhën tonë vetjake. Sot shumë veta ankohen për lindjen e një të foluri neotelegrafik që po imponohet nëpërmjet postës elektronike dhe mesazheve të shkurtra të celularëve, ku të dua thuhet edhe vetëm me një sigël; por të mos harrojmë se ata të rinj që dërgojnë sot mesazhe me këtë stenografi të re, janë të paktën një pjesë prej tyre, po ata që mbushin ato katedrale të reja të librit që janë libraritë e mëdha shumëkatëshe, dhe që, qoftë edhe duke shfletuar një libër pa blerë gjë, vijnë në kontakt me stile letrare të ngritura e të përpunuara, të cilat prindërit e tyre, dhe sigurisht as gjyshërit e tyre nuk kishin mundësi t’i njihnin./ KultPlus.com

SPETT.UMBERTO ECO A NAPOLI (SUD FOTO SERGIO SIANO)

Rave Live Session – Out door rikthehet me Pumio Space(playdrum) me një performancë Live

Edhe këtë të diel na ndiqni me Pumio Space(playdrum) vjen për ju një performancë live me një pamje mahnitëse nga villa Kalaja-Jezerc, Ferizaj.

Një pasion i përjetshëm për muzikën, stili i tij unik dhe frymëzues karakterizon artistin Pumio Space i cili ka qenë aktiv në skenën e muzikës elektronike për gati një dekadë, si producent dhe DJ i mirëfilltë. Për një artist të përkushtuar si Pumio Space, është jashtëzakonisht e rëndësishme muzika që ai luan në ngjarje të ndryshme qofshin ato klube, festivale apo formate të tjera, rëndësia e një artisti të tillë është të transmetojë tinguj të veçantë e fituar nga kultura e muzikës underground. Si një DJ i pasionuar dhe një koleksionist i vinylit, ai është gjithmonë në kërkim të rekordeve muzikore që e karakterizojnë atë si një artist karizmatik me një stil të veçantë.

Gjatë vitit të ardhshëm, do të presim albume dhe prodhime muzikore nga Pumio Space në formatin vinil në shumë labelë evropianë, si dhe në rekord labelin Playdrum. Krijimtaria e Pumio si producent është shumë unike pasi qëllimi i tij është për të bërë njerëzit të lumtur dhe për të lënë gjurmë në botën e muzikës elektronike.

E diel, ora 21:00 ndiqni performancën live në Facebook./KultPlus.com

Taylor Swift thyen rekordin e Whitney Houston në “Billboard 200”

Taylor Swift ka vënë tashmë një rekord të ri, albumi i saj i fundit “Folklore” kryeson klasifikimin e “Billboard 200” për të shtatën javë rradhazi, ndërkohë që, në nivel karriere, ajo ka arritur të jetë për 47 javë numri një.

Ylli i popit ka thyer kështu rekordin e mëparshëm që mbahej nga një tjetër kërgëtare e famshme, Whitney Houston, që qëndron me 46 javë.

Houston qëndroi në vendin e parë me “Whitney Houston”, albumi debutues në vitin 1986 dhe pastaj me “Whitney”, “The Bodyguard”, gjithashtu kolonë zanore e filmit me të njëjtin titull dhe me “I Look to you”.

Vendin e tretë në këtë klasifikim e zë Adele.

Klasifikimet “Billboard 200” gjykojnë albumet më të njohura, duke u bazuar në shitjet e tyre në SHBA./atsh/KultPlus.com

Eksploratorët shqiptarë zbresin 120 metra në shpellën misterioze në Tropojë

Shpella e Qafkave në Tropojë, midis luginës së Çeremit në verilindje dhe degëve të majta të Valbonës juglindje, një kodër e quajtur Qyteti i Rrasave mbi 2060 m/lmd në mes të majës së Gjarpërit 2142 m dhe të majës së Isuf Demës me 2243 m.

Një grup prej 5 personash nga Kosova për here të parë u futën në një shpellë boshti, shpellë vertikale e veçantë, thjesht një gropë të pa parë ndonjëherë deri tani jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.

Më 8 gusht 2020, grupi në krye me Aziz Kastratin, Blerton Nuhaj, Isa Balaj, dhe Lorik Bokshin, eksploruan pjesërisht duke u lëshuar mbi 120 m vertikalisht në shpellën unike të quajtur shpella e Qafkave.

Si u zbulua kjo shpellë?

“Më 11 korrik 2020, unë me Lorikun ishim pikërisht në këto anë të rralla në një ecje bjeshkatare për t’i prekur këto dy maja, atë të Gjarprit dhe të Isuf Demës. Para se të fillonim ngjitjen u takuam me një bari të zonës (në interesin tonë për ta mësuar se si quhej ajo bjeshkë), i cili na shpjegoi për Qytetin e Rrasave dhe një shpellë të veçantë të pa vizituar nga askush, përveç barinjve të zonës. Nga kureshtja bëmë ngjitjen në të këtë majë rreth 2060 m/lmd, nuk ishte rastësi që quhej qytet i Rrasave, sepse në maje ishte një rrafsh i madh i paparë i rrasave në të cilin ndodhej kjo shpellë e pa vërejtur. Pas një kërkimi dhe insistimi në limitet e dorëzimit rastësisht hasëm në shpellë, aty qëndruam disa kohë bëmë foto, shijuam bukurinë, por edhe u trishtuam nga thellësia e pafund e shpellës.

Të nesërmen postova të gjithë ngjitjen në profilin tim në Facebook, Aziz Kastrati, një njeri pasionant i shpellave nga Prizreni që punon dhe jeton në Gjermani, e kishte parë postimin, më uroi, dhe shprehu dëshirën dhe entuziazmin për ta vizituar dhe më kërkoi që ta shoqëroja me Lorikun tek vendi ku ndodhej shpella. Dhe kështu filloi, ne e caktuam datën, Azizi mori të gjitha pajisjet e nevojshme për lëshimin, dhe me një shok tjetër nga Diaspora Isa Balaj erdhën në Kosovë.”/ KultPlus.com

Filmi ‘Zana’ shfaqet në Festivalin e Filmit ‘goEast Film’

Filmi ‘Zana’ i cili tashmë suksesin në arenën ndërkombëtarë veçse e ka dëshmuar, tashmë do të ketë edhe premierën në Festivalin e Filmit “goEast Film”, shkruan KultPlus.

Festivali prestigjioz pritet të mbahet online duke filluar nga 16 nëntori i këtij viti.

Për të gjithë ata që jetojnë në Gjermani, biletat mund t’i sigurojnë në linkun e bashkangjitur më poshtë.

https://ondemand.exground.com/film/zana/?fbclid=IwAR2kYD3vLAEyvXyZp6v5VLr-rZ51wOAqJl-KnRyW86nxDT6dHkNaDUaFxBA

Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. / KultPlus.com

Vdes krijuesi i ‘Scooby-Doo’

Ken Spears, njëri nga ideatorët e filmit të famshëm për fëmijë ‘Scooby-Doo”, ka humbur jetën në moshën 82 vjeçare.

Lajmin e vdekjes ka qenë djali i tij, Kevin ai i cili e ka konfirmuar për Variety dhe The Hollywood Reporter që Spears ka vdekur të premten.

“Ken gjithmonë do të kujtohet për punën e tij, dashurinë dhe besnikërinë ndaj familjesKen nuk . Ai ka bërë gjëra të bukura vetëm për familjen, por ai ka prekur të gjitha si krijues i Scooby Doo. Ishte një model për gjithë jetën dhe ai do të vazhdojë të jetojë në zemrat tona”.-ka thënë Kevin Spears./ KultPlus.com

Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare

Rozmari Jorganxhi është dirigjentja e parë shqiptare. Ajo për herë të parë para publikut si dirigjente ka dalë me suitën për kor dhe orkestër, “Vullnetarët”, të të ndriturit dhe të madhit kompozitorit Tonin Harapi.

Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike.
“Mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë gruaja e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos.

Rozmari ka lindur në një familje me tradita muzikore nga ana e të atit , “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para muzikore në këtë qytet.

Vetë qyteti i Korçës ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja, (e cila ka qenë dhe regjisorja e parë e TKOB), Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj, (kanë qenë dhe mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri).

Shkoi për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pati si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko.

Më pas shkoi për studime në Konservatorin e Moskës për kanto ku ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor Xhemali “Artist i Popullit”, Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre ishte Rozmari që ishte dhe më e reja në moshë, vetëm 15 vjeç!

Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të Muzikës, ajo gjeti të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston, Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për dirigjentë me të kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i Merituar” dirigjent kori.

Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit”, këngëtaret si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba, Gaqo Çako “Artist i Popullit”. Vazhdoi dirigjimin dhe kanton për 7 vjet duke dalë shkëlqyeshëm. Në vitin 2017, në moshën 80-të vjeçare ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Rozmari Jorganxhi ndërroi jetë  në vitin 2019, në moshën 83-vjeçare./ albfem/ KultPlus.com

Avdullah Hoti paralajmëron mbyllje totale të vendit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

Në këtë intervistë, kryeministri Hoti po ashtu kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.

Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.

Kosova gati në “limitet e kapaciteteve spitalore”

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në kohën kur po flasim, vendi po përballet me pandeminë, po shohim rritje të rasteve, po ashtu edhe masa të tjera. A po shkohet drejt mbylljes totale sërish?

Avdullah Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.

Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.

Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale.

Radio Evropa e Lirë: A ka mundësi të gjendet një mes, për shkak se po shohim që bizneset po kundërshtojnë mbylljen totale. Thonë se nuk do të mund të mbijetojnë. Do të thotë, si kryeministër i vendit, a shihni se ka ndonjë rrugë që do të mund t’i linte të kënaqura të gjitha palët?

Avdullah Hoti: Tash, sigurisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. Po gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti.

Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak.

Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik.

“Kushdo që kërkon ndërprerjen e dialogut e ka shumë gabim”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe partneri i juaj në koalicionin qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të ndërpritet dialogu për shkak të zhvillimeve të fundit, sa i përket Gjykatës Speciale. Cili është qëndrimi i qeverisë, çka do të ndodhë?

Avdullah Hoti: Zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet t’i lëmë anash, në kuptimin që të mos i lidhim me këto proceset e tjera. Është një proces tjetër që po ndodh me këto Dhoma të Specializuar. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në atë proces, por qeveria po funksion dhe zotimet shtetërore që i kemi, jemi duke i dalë zot. Kushdo që ka një qëndrim të tillë që duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Nuk duhet të përdoret asnjëherë dialogu për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës.

Janë dy zgjidhje: ose mund ta mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës.

Unë kam zgjedhur këtë të dytën. Ata politikanë që e kanë zgjedhur këtë të parën, për një kohë ju e dini se ku e kanë çuar vendin. Deri më tash dhe ne na është dashur punë shumë e madhe, vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri kredibile, që i dalim zot vendit, e hapur, pro-evropiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut sepse parimet i kemi të qarta dhe dimë se pse po shkojmë në atë tavolinë të bisedimeve.

“Kosova nuk do të mbetet e izoluar sa jam unë kryeministër”

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë qeveria që ju drejtoni fuqi që të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin?

Avdullah Hoti: Besoj një gjë është e qartë, sa i përket procesit të dialogut, unë i kam plotësisht kompetencat kushtetuese për të çuar përpara këtë proces dhe unë nuk do ta lë vendin të izoluar. Le të ankohen sa të donë kushdo në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër.

Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se dialogu nuk ka alternativë dhe se do të vazhdoni bisedimet me lidershipin serb për të arritur marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë?

Avdullah Hoti: Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.

S’ka vota për presidentin, duhet marrëveshje ose zgjedhje të reja

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për procese të rëndësishme që ju keni nevojë për mbështetje, a e shihni të nevojshme që koalicioni aktual të zgjerohet për të çuar përpara këto procese?

Avdullah Hoti: Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë. Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar.

Radio Evropa e Lirë: Sot ishit pjesë e samitit për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si konkluzë doli që megjithatë jeni pajtuar bashkë më liderët e shteteve tjera, që të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Çfarë janë avantazhet e Kosovës në këtë treg të përbashkët?

Avdullah Hoti: Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barrierë, që janë kryesisht të natyrës jotarifore dhe që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën.

Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve.

Unë sot i kam dhënë edhe vërejtjet tona, si qeveri, si Kosovë, për këtë proces sepse kemi një situatë që është e pabarabartë në mes vendeve të rajonit, në kuptimin se disa nga vendet e rajonit, përveç se po bëhemi bashkë dhe kemi aranzhime të caktuara tregtare me vendet e BE-së, disa vende të rajonit, siç është Serbia, ka marrëveshje tregtie me vendet e lindjes, me Kinën, Rusinë dhe vende tjera. Përmes atyre marrëveshjeve, ato vende depërtojnë në tregun e rajonit. Dhe më vjen mirë që janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian si vërejtje që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Por, marrë parasysh unë kam pritje mjaft pozitive sepse është bërë një hap mjaft i madh drejt unifikimit të tregjeve, rritjes së konkurrencës, e kështu më radhë./radioevropaelire/KultPlus.com

Shtatorja e Anton Çettës do të vendoset në parkun e Fakultetit Filologjik

Me vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të vendoset shtatorja e Anton Çettës në parkun e Fakultetit Filologjik, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Agata Çetta e cila ka shkruar në rrjetin social Facebook se me këtë vendim u plotësua dëshira e popullit për ruajtjen e respektit ndaj Anton Çettës.

“Guri i rëndë peshon në vend të vet”

Me vendimin që u mor sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës, që shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në parkun para Fakultetit Filologjik në Prishtinë, u plotësua dëshira e popullit që ruan kujtimin dhe respektin për figurën e tij.

U përmbush edhe një nismë e drejtuar nga Ministre znj. Vlora Dumoshi, krahas shumë aktiviteteve të parapara për këtë muaj.

Suksese t’gjithëve që kanë qenë të angazhuar në këtë vendim.

Krenohemi me ty Tatë!”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Mes dhimbjes e lotëve, i jepet lamtumira e fundit Koço Devoles

Miq, të afërm dhe kolegë të shumtë artistë, mes lotësh i dhanë sot lamtumirën e fundit aktorit të humorit Koço Devole.

Familja zhvilloi homazhe private me miq e të afërm. Pavarësisht situatës ku ndodhemi, kanë qenë të shumtë ata që kanë bërë homazhe në nder të artistit.

Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare pas ishte infektuar me Covid-19. Ai kishte rezultuar negativ në tamponin e parë, por gjendja e tij u rëndua edhe si pasojë e sëmundjes së leuçemisë.

Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.

Koço Devole do të mbahet mend për skeçet e tij të humorit dhe të qeshurat që i ka dhuruar publikut shqiptar ndër vite.

Miqtë dhe artistët e përshkruan si një humbje të madhe ndarjen nga jeta të aktorit, duke e cilësuar si ikjen e një legjende/Standard./ KultPlus.com

Del në ankand pistoleta e përdorur në filmin e parë “007”

Pistoleta “Walther PP” e përdorur nga Sean Connery në filmin e parë të James Bond-it do të dalë në ankand muajin tjetër në Los Anxhelos, me një çmim bazë midis 150 000 dhe 200 000 dollarë.

Aktori i madh skocez, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar në moshën 90-vjeçare, në shtëpinë e tij në Bahamas, e përdori këtë pistoletë në filmin e vitit 1962 “Dr.Jo”, që nisi sagën shumë të suksesshme të agjentit sekret britanik.

“Silueta e agjentit 007, i cili mban këtë armë, u bë imazhi më ikonik në ekskluzivitetin e James Bond dhe një nga referencat më të njohura të kulturës pop të të gjitha kohërave”, tha Martin Nolan, drejtori ekzekutiv i shtëpisë së ankandeve Julien.

Në filmin “Dr. Jo”, krerët e Shërbimit Sekret Britanik e urdhërojnë Bondin ngurrues që të ndërrojë pistoletën e tij të vjetër “Beretta” me një “Walther”.

Variantet e “Walther” do të mbeten arma e zjarrit e 007 për gati 25 filma./atsh/ KultPlus.com

epa04979562 A handout photo provided by ‘Madame Tussauds London’ on 16 October 2015 of the wax figures of all six ‘James Bond’ actors, with five completely new wax 007s joining the existing figure of Daniel Craig (3-L). To coincide with the release of the latest 007 movie ‘Spectre’, the line up of (L-R) Roger Moore, Timothy Dalton, Daniel Craig, Sean Connery, George Lazenby, and Pierce Brosnan will appear at the Legendary London attraction for six weeks only, before embarking on a tour of Madame Tussauds locations worldwide on 01 December. EPA/JONATHAN HORDLE/MADAME TUSSAUDS/HANDOUT HANDOUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES