Pas vrasjes së 25 vjeçarit, dorëhiqet ministri i brendshëm i Shqipërisë

Pas trazirave në Shqipëri ku mbeti i vrarë nga policia i riu Klodian Rasha, ministri i punëve të brendshme, Sandër Leshaj ka dhënë dorëheqje, shkruan KultPlus.

Ministri i brendshëm nëpërmjet një deklarate drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë dorëheqjen e tij pas protestimeve të shumta rreth vrasjes së 25 vjeçarit.

“Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka thënë në deklaratë Leshaj.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e ish-ministrit të brendshëm, Sandër Leshaj:

Deklaratë e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj

Tiranë, 10.12.2020

Edhe pse në jetën time kam pasur shumë detyra të rëndësishme shtetërore, kurrë nuk kam luftuar apo bërë përpjekje të posaçme për të marrë ndonjërën prej tyre. Të gjitha kanë ardhur si produkt rrethanash të caktuara, ku unë kam qenë i thirrur.

Kur u thirra nga Edi Rama për të kryer detyrën e ministrit të brendshëm në vitin 2018, isha krejt i vetëdijshëm për atë që më priste. Duhej të ecja në një fushë të minuar herët, që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar.

U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue.

Edhe unë me ndërgjegje të plotë vendosa të “baj nji marri”, sepse nuk mund të tregoja dobësi.

Isha i qartë se e gjithë përpjekja ime do të ishte vetëm në funksion të konsolidimit të shtetit shqiptar, dhe se pikërisht për këtë arsye, do të isha në shënjestrën e atyre që shtetin shqiptar e luftojnë sistematikisht që nga dita e krijimit të tij. Në se nuk i njihni, mundohuni të kujtoni ata që vënë zjarr mbi institucionet e Shqipërisë, vrasin dhe plagosin policët e saj, që e vjedhin, e shajnë dhe e shëmtojnë pa mëshirë atë.

Nuk kam pasur për asnjë çast iluzionin se unë do ta ndryshoj ministrinë apo Shqipërinë. Megjithatë jam përpjekur me të gjitha energjitë e mia për të lënë një gjurmë normaliteti në ushtrimin e detyrës.

Pas dy vjetësh, deklaroj me përgjegjësi të lartë se Shqipëria është një vend më i sigurtë, me më pak vrasje, më pak banda, më pak kanabis, më pak aksidente dhe me më pak krim se kurrë më parë në historinë e 30 vjetëve të fundit. Kjo tablo nuk është meritë e imja, por e qytetarëve shqiptarë, e policëve shqiptarë dhe e gjithë atyre që punojnë përditë për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, ata që historikisht e kanë vrarë, djegur, vjedhur, dhunuar, turpëruar dhe shëmtuar Shqipërinë, po përpiqen sot që të gjejnë një pretekst për të nisur një sulm të ri kundër vendit, në vijim të përpjekjeve për ta mbajtur atë në gjendje amullie dhe larg trungut amë europian.

Të aftë për të mos pasur turp as márre përpara asgjëje, ata po përpiqen të përdhosin një mort të dhimbshëm të një djali të ri, të vrarë padrejtësisht nga një punonjës policie që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, për të sulmuar barbarisht policët e tjerë të Shqipërisë dhe institucionet e shtetit tonë.

Ministria e Brendshme është pozicionuar menjëherë drejt, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e punonjësit të policisë që sollën vdekjen e një qytetari, duke bërë kështu një akt elementar përgjegjshmërie, por edhe të pazakontë në historinë e re të vendit.

Qytetarët e Shqipërisë nuk mund të harrojnë kurrë se ata, që sot ngrenë gishtin për të akuzuar dhe dorën për të goditur, më 21 janar 2011 vranë katër qytetarë, plagosën qindra të tjerë, në një kasaphanë politike barbare në mes të kryeqytetit, dhe e thelluan më tej mynxyrën, duke shkatërruar provat e krimit shtetëror dhe duke refuzuar madje edhe zbatimin e urdhrave të prokurorëve për arrestimin e autorëve, gjë e panjohur në ndonjë vend normal. Nuk mund të harrohen ata që kurrë nuk kërkuan as ndjesë për masakrën që dirigjuan vetë dhe që vijojnë edhe sot që ta quajnë të drejtë këtë turp të madh përpara Zotit, popullit dhe shtetit shqiptar.

Përballë përpjekjes së autorëve të 21 janarit 2011 për të kërkuar sot një pretekst të ri për të mbjellë dhunë mes shqiptarësh bazuar mbi një episod tragjik dhe fatal, si dhe me vetëdijen e plotë se vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike kam vendosur të jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Nuk kam dashur në asnjë çast që sjellja ime në krye të Ministrisë së Brendshme t’i ngjajë asaj të shumë të tjerëve dhe sidomos asaj të autorëve të masakrave të 1997-ës, të 1998-ës dhe veçanërisht të 2011-ës.

Ndaj jam sot pafundësisht i lumtur që arrita të provoj përpara çdo shqiptari se unë nuk jam si ata. Jo. Nuk jam si ata.

Edhe pse, që nga dita e parë e marrjes së detyrës, më është dashur të përballoj një seri aktesh të dhunës histerike apo të angazhohem për policë të plagosur në detyrë nga verbëria e dhunës antishtet, asnjëherë nuk u ngjita gjatë protestave tek snajperët në tarracën e Kryeministrisë, siç bënin pa turp autorët e 21 janarit, asnjëherë nuk lejova përdorimin e armëve në protestat politike, asnjëherë nuk mora në mbrojte ndonjë polic apo person tjetër që shkeli ligjin dhe asnjëherë nuk u kërkova të tjerëve ndonjë standard që nuk e zbatoja vetë.

Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.

Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.

Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë.

U identifikova me vetëdije me çdo polic të Shqipërisë dhe i mbeta besnik këtij standardi.

Edhe sot besoj se tek punonjësit e policisë qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm, për sa kohë ministri pajtohet dhe pranon sjelljet apo qëndrimet e këtyre punonjësve.

Të gjitha gjërat që arrita të bëj në shërbim të konsolidimit të shtetit shqiptar janë hipoteka ime e rëndësishme që më bëjnë sot personalisht të ndihem mirë përpara qytetarëve shqiptarë dhe plot mirënjohje për kontributin e gjithë personelit të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe atë të bashkëpunëtorët e mi.

Në të njëjtën kohë, u përpoqa dhe arrita që të mos ta ndryshoj veten time. Mbeta ai që isha, me të njëjtën strehë familjare, me të njëjtën familje, me të njëjtët miq. Nuk mora asgjë nga posti, përveç pagës që ishte më e ulët se të ardhurat që kisha përpara se të bëhesha ministër, nuk bleva, nuk shita, nuk ndërtova, nuk……

Të gjitha këto gjëra që nuk bëra janë sot pasuria ime e pafundme që më bën të ndihem i fortë si shkëmb, i pastër si dritë dhe jashtëzakonisht i qetë.

E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.

Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që jane fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë.

Ky akt vjen edhe si shenjë falënderimi për Kryeministrin Edi Rama, i cili besoi tek unë, duke ruajtur përherë një marrëdhënie në radhë të parë shumë njerëzore, pastaj edhe gjithnjë intelektualisht sfiduese dhe profesionalisht krejt të ndershme.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, kjo është edhe shprehje dashurie, pse jo edhe një urim për Krishtlindjet, ndaj familjes time, asaj shumë të madhes, të madhes dhe të voglës, për të cilët mungova pothuajse krejtësisht për më shumë se dy vjet dhe që, megjithatë, vijuan të më duan e të më mbështesin si gjithmonë fort dhe pa kushte.

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË! / KultPlus.com

Albert Kamy: Detyra e brezit tim është parandalimi i botës nga shkatërrimi

Shkrimtari i njohur në letërsinë botërore, Albert Kamy më 10 dhjetor të vitit 1957 kishte fituar çmimin Nobel, shkruan KultPlus.

Si një nga ëndrrat më të mëdha të shkrimtarëve që premtojnë, ky çmim patjetër që ka qenë një e arritur e madhe dhe një vlerësim i krijimtarisë së Kamys.

Në anën tjetër juria kishte vendosur që në listën e nobelistëve të jetë edhe emri i Kamys për shkak të krijimtarisë të rëndësishme letrare, nëpërmjet së cilës ai ishte thelluar në problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën e atëhershme.

Përgjatë ceremonisë së dhurimit të çmimit në Stokckholm, ai kishte mbajtur një fjalim të gjatë rreth pikëpamjeve artistike dhe kësaj të arriture.

Një ndër fjalët të cilat ai i la pas që të kujtohen gjatë nga lexuesit e tij, ishte edhe ajo kur foli për brezin e tij.

“Çdo brez, pa dyshim, beson se do të ribëjë botën. E imja e di që nuk do ta bëjë më. Por detyra e tij mund të jetë më e madhe, e që ka të bëjë me parandalimin e botës nga shkatërrimi ”. / KultPlus.com

Gruaja e parë që punoi në administratën shqiptare

Sukseset e grave shpesh herë kanë qenë të kushtëzuara varësisht nga rrethanat e kohës. Mirëpo, gjithmonë ka pasur emra që kanë dalur përtej kornizave sociale, shkruan KultPlus.

E tillë ishte edhe Leman Ypi-Leskoviku, e cila ka hyrë në historinë shqiptare me të arriturat e saj.

Lemanja kishte lindur në Turqi, ndërkaq origjinën e kishte nga Leskoviku. Shkollimet i kishte përfunduar në liceun francez të Selanikut, duke pasur sukses të jashtëzakonshëm, saqë u vlerësua me medalje ari.

Përgjatë një viti kishte punuar si sekretare e kryeministrit Mehdi Frashëri.

Në anën tjetër, ajo qëndronte mirë edhe me gjuhë të huaja, teksa i fliste disa nga to.

Në mesin e të gjitha të arriturave të saj, ajo mbetet e veçantë për shkak që mendohet se është gruaja e parë që punoi në administratën shqiptare.

Njëherit ajo ka qenë edhe daktilografe dhe stenografe e suksesshme. Ajo vdiq në vitin 2006. / KultPlus.com

Qanije Selimi, gruaja më e suksesshme për biznes në Maqedoninë e Veriut

Qanije Selimi është përzgjedhur si gruaja më e suksesshme në biznes në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.

Teksa ajo e ka fituar këtë titull për vitin 2020, organizimi i cili e vlerësoi si të tillë ishte “TOP 100 2020” nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore.

Gruaja më e suksesshme e Maqedonisës së Veriut për vitin 2020 është edhe themeluesja dhe drejtuesja e Qendrës edukative parashkollore “REA”, bashkëthemeluese e “Grupacionit të grave afariste” dhe anëtare e Këshillit drejtues në OEMVP. / KultPlus.com

Kosovare Asllani, sulmuesja më e mirë në listën e Fifapro 2020

Sulmuesja shqiptare Kosovare Asllani është përzgjedhur mes 55 futbollisteve më të votuara nga Fifapro.

Ajo është në treshen e parë që ka marrë më shumë vota si sulmuese duke kaluar kështu në World 11 që Fifapro dhe Fifa, për rezultatet që do të shpallen më 17 dhjetor.

Në listën me 55 emra të këtij viti, 15 prej tyre janë emra të rinj ndërkohë që Tabitha Chavvinga nga Malavi është lojtarja e parë afrikane në historinë e kësaj liste.

Kosovare Asllani ka lindur në Suedi më 29 korrik 1989 nga prindër shqiptarë. Ajo u rrit duke luajtur futboll dhe hokej por talentin e saj e fokusoi tek fusha e blertë dhe jo akulli.

Pas sukseseve në Suedi e më tej, aktualisht 31-vjeçarja është pjesë e skuadrës së Realit të Madridit. /dp/ KultPlus.com

Organizata Evropiane për Trashëgimi: Manastiri i Deçanit një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë

Organizata Evropiane për Trashëgimi “Europa Nostra” ka listuar Manastirin Ortodoks të Deçanit si një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.

Në listën e 12 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë është listuar edhe Manastiri i Deçanit.

Në publikimin e kësaj organizate thuhet se Manastiri i Deçanit është nën mbrojtjen e KFOR-it që nga viti 1999 dhe ka qenë cak i katër sulmeve me granata dore nga 1999 deri më 2007.

https://cas.criteo.com/delivery/afr.php?ptv=100&abp=1&zoneid=1409947&cb=52173667806&nodis=1&charset=UTF-8&dc=3&atfr=0&loc=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Forganizata-evropiane-per-trashegimimanastiri-i-decanit-nje-nga-vendet-me-te-rrezikuara-te-trashegimise%2F “Ky është monumenti i vetëm në Evropë nën një mbrojtje kaq të fuqishme ushtarake për një periudhë të vazhdueshme prej 20 vjetësh. Megjithatë, ai përbën një monument me rëndësi të fundit historike dhe kulturore për Evropën dhe botën, siç konfirmohet nga statusi i saj i Trashëgimisë Botërore. Është për të ardhur keq që sot, Manastiri i Deçanit me trashëgiminë e tij, si kulturore dhe natyrore, dhe komuniteti i tij monastik, janë bërë peng i statusit të pazgjidhur të Kosovës. Prandaj është urgjente dhe e domosdoshme të sigurohet respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe t’i kushtohet vëmendje më e madhe mbrojtjes së duhur të këtij vendi të Trashëgimisë Botërore brenda bisedimeve në vazhdim e sipër për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo duhet të vendoset në kornizën më të gjerë të nevojës për të siguruar mbrojtjen dhe interpretimin e duhur të trashëgimisë multikulturore dhe multi-fetare të Kosovës si një parakusht për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajonin e gjerë”, thuhet në publikimin e kësaj organizate.

Aty përmendet edhe ndërtimi i autostradës si një rrezik që kalon afër Manastirit të Deçanit. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Jahjaga kujton të mbijetuarat e dhunës seksuale

Presidentja e parë e Republikës së Kosovës nëpërmjet një postimi sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, shkruan KultPlus.

Atifete Jahjaga ka shpërndarë një fund të kaltër të një të mbijetuare, e cila e ka pasur të veshur në ditën kur u dhunua nga serbët. Në të shkruhet “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera 1998!”.

Jahjaga e ka bërë këtë postim duke kërkuar të drejta për këtë kategori të shoqërisë, duke shkruar “Po për të drejtat e kësaj heroine?”.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Atifete Jahjagës:

Shkrim nga dora e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës, në fundin që kishte veshur në ditën kur është kryer krimi që ka lënë plagë të hapura në të edhe dy dekada pas.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duhet të pyesim: Po për të drejtat e kësaj heroine? / KultPlus.com

Francezi nxjerr Ferrarin në ankand pasi e kishte braktisur për 46 vjet shkaku i gjobave

Në një fshat të Montpelier në Francë, pas një porte druri ku pret të gjesh vetëm hekurishte ose një traktor të vjetër, është gjetur një Ferrari i rrallë. Bëhet fjalë për një Ferrari 330 GT 2+2 i vitit 1966, që ishte braktisur nga pronari i saj.

Por, si mundet që të lësh pas dore një makinë të tillë, që për kohën ishte tregues i statusit të lartë shoqëror? Gjithçka nisi më 1974, kur u shtrënguan rregullat për kufirin e shpejtësisë në Francë.

Pronari i saj nisi të merrte shumë gjoba dhe për këtë arsye, vendosi që ta çojë makinën në shtëpinë e tij të dytë dhe të mos kujtohet më për të.

Në fund të viteve ’70, ai ia dha makinën njërit prej djemve të tij, por duke qenë se ky Ferrari kishte nevojë për shumë shërbime dhe djali nuk kishte shumë kohë që të merrej me të, e la makinën po aty ku e kishte lënë edhe i ati.

Edhe pse sot është i mbuluar nga pluhuri dhe i ka dalë ngjyra, ky mjet klasik e ka motorin në gjendje të mirë, kështu që mund të shihet sërish në rrugë.

Pronari i tij e ka nxjerrë në ankand dhe më 17 dhjetor pritet që të shitet 150 ose 200 mijë euro. \ a2news/ KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)


Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Shqiptari Gezim Gashi nënshkruan marrëveshje për botimin e librit të tij debutues në SHBA

Jeta Zymberi
Fotografia: Martina Wärenfeldt

Muaji Mars i këtij viti e solli shqiptarin Gezim Gashi me një ligjëratë para studentëve nga e gjithë bota në Universitetin prestigjioz “Harvard”. Rrugëtimi i tij nga një refugjatë në një djalë të suksesshëm, ka bërë që rrëfimi i tij të jetë inspirues për dëgjuesit, shkruan KultPlus.

Gashi, një emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles dhe duke qenë shqiptari i parë që është një ndër themeluesit e shkollës së artit në Amerikë, duket sikur pasion e ka të sfidojë veten.

Situata e krijuar nga pandemia, e ka bërë Gashin të gjejë veten edhe në një fushë tjetër të artit.

Falë ditëve të pandemisë, Gashi tashmë po sjell në treg librin e tij debutues. Ky libër i cili pritet të publikohet në vitit 2021, vjen pas marrëveshjes së nënshkruar me botuesin, me Agjencinë Kanadeze TSPA.

“Jam shumë i entuziazmuar që po nxjerr në treg një libër. Shumë shpejt do të ndaj me publikun titullin e librit, kopërtinën dhe të gjitha detajet tjera”, ka thënë Gashi i cili tutje nis dhe shpalos për KultPlus rrugëtimin e tij se si erdhi deri të ideja për librin.

“Unë isha në NYC dhe sapo i kisha thënë lamtumirë nënës dhe motrës sime që më vizituan në qytet, përpara se SH.B.A. të shpallnin një emergjencë kombëtare për shkak të Covid-19. NYC shpejt u bë një “qytet fantazmë” dhe të qenit vetëm në banesën time më bëri të kthehem te shkrimet për të gjetur paqen. (E cila është padyshim hera e parë që ka ndodhur ndonjëherë.) Kjo ishte diçka që me të vërtetë më pëlqente ta bëja, 30 minuta në një orë çdo mbrëmje para se të flija dhe vazhdova ta bëja atë në Los Angeles, NYC (Verë 2020) dhe Suedi”, tregoi Gashi për KultPlus procesin e të shkruarit.

Ndërsa disa javë më parë, ai e ndjeu se këto shkrime duhet t’i ndajë me publikun.

“Disa javë më parë, me të vërtetë e ndjeva – kjo është diçka që duhet ta ndaj … Ky do të ishte një libër i shkëlqyeshëm! Dhe … Më në fund mund t’ju them se – Unë kam nënshkruar një marrëveshje botimi me Agjencinë Kanadeze TSPA dhe do të nxjerr librin tim të parë në 2021! Jam kaq i emocionuar.”

Libri synon të përcjellë një mesazh tek lexuesit, e Gezimi nisur nga rrugëtimi i tij jetësorë beson që ky mesazh vjen i qartë dhe i fuqishëm.

“Përmes librit tentoj të përcjell një mesazh të qartë. Si të keni besim në vetveten dhe si të arrini sukses. Unë vijë nga Akllapi, ndërsa jam lindur në Prishtinë, ndërsa në Suedi kemi migruar me familje në vitin 1992. Sukseset dhe puna më kanë sjell në Amerikë, ku mundohem që çdo ditë të jap më të mirën time që ta bëj edhe vendin tim krenarë”, thotë Gashi. 

Krejt për fund, ai ka treguar që do të jetë i përmbushur vetëm në momentin që libri do të vijë edhe në gjuhën shqipe e për të cilën gjë është duke punuar.

“Libri do të vijë edhe në shqip, jam i bindur. Agjencia TSPA ka punuar me shumë best selling author në Amerikë dhe janë duke bërë një punë të mrekullueshme që librin tim ta promovojnë sa më shumë në SHBA. Ky libër pritet të prezantohet në gjithë botën dhe uroj që pas përfundimit të Covid-19 të dal të takoj sa më shumë njerëz. Por, për momentin dua të ju them të gjithëve që shkoni ëndrrës pas, mbani shpresa dhe jetoni secilën ditë në mënyrën më të mirë”, ka përfunduar kështu Gashi.

Të gjithë ju që dëshironi të jeni sa më të informuar në lidhje me librin e Gashit, mund të regjistroheni këtu: https://gezimgashi.typeform.com/to/L5iVek4N / KultPlus.com

Studentët protestojnë para Qeverisë, shkak mospërfshirja në Ligjin për Rimëkëmbje

Organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka mbajtur  sot një aksion para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e  studentëve në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili u votua të premten e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Para objektit të Qeverisë ata vendosën një pako të zezë me mesazhin “Ndihma e Qeverisë për studentë”.

Dionit Kabashi, nga kjo organizatë theksoi se ende pa nisur viti akademik i janë drejtuar me 13 kërkesa Këshillave Drejtues të Universiteteve Publike, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Qeverisë së Kosovës.

“Kemi kërkuar largimin e të gjitha tarifave për shkollim të vitit akademik 2020/2021, si ndihmë e vogël për studentët dhe familjet e tyre për shkak të krizës së madhe ekonomike si pasojë  e COVID-19 që i ka prekur ata dhe familjet e tyre”, ka thënë ai.

Kabashi theksoi se përmes aksionit simbolikë po shprehin pakënaqësitë se si qeveria në një ligj qindra milionësh nuk gjet vend për studentët e këtij vendi. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Mediat e huaja për protestat: I riu u vra se shkeli shtetrrethimin

 

Lajmi i protestave të një dite më parë në Shqipëri, ka përfunduar në krye të faqes online të BBC News.

“Protestuesit shqiptare djegin pemën e Krishtlindjeve për shkak të vrasjes së kryer nga ana e policisë”, thotë BBC, teksa thekson se qindra tubues u mblodhën në rrugë e Tiranës pasi pretendimeve  se policia e vrau të riun sepse shkeli orën policore, të vendosur si masë kundër pandemisë së koronavirusit.

Protestuesit, vazhdon ajo, i bërtisnin forcave policore dhe shkatërruan pemën e Krishtlindjeve e zbukurime të tjera nëpër qytet. Ministri i brendshëm shqiptar Sandër Lleshaj, nën presion për të dhënë dorëheqje, shkruan Euronews.

Polica përdor gazin lotsjellës mbi qindra protestues në Tiranë që demonstronin kundër të shtënave fatale të policisë ndaj një 25 vjeçari që kishte shkelur shtetrrethimin. Me thirrjet “Duam drejtësi”, turma i vuri zjarrin Pemës në Krishtlindjeve e u përpoq të hynte në ministrinë e brendshme e kompleksin qeveritar, thotë ajo.

E përditshmja britanike thekson se policia në fillim kishte thënë që Rasha nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe se kishte me vete një armë, ndërsa më pas ndryshe nga raporti i mëparshëm, tha se nuk mbante në duar armë, por një “objekt”.

“Shqiptarët protestojnë pasi një person u qëllua për vdekje se shkeli shtetrrethimin e koronavirusit”, është titulli i “Sydney Morning Herald”./ tch / KultPlus.com

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019, shpallen kandidatët

Në kuadër të organizimit të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019 juria ka bërë publike emrat e kandidatëve të nominuar për këto çmime.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “ndarja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2019 është afër. Prej muajsh juria po punon mbi krijimtarinë letrare të një viti dhe tashmë kemi pesë finalistë për çdo kategori: Roman, poezi, tregim, ese, letërsi e përkthyer dhe letërsi për fëmijë”.

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Roman

  • Luan Starova “Emigrimi i ngjalave”
  • Mira Meksi “Diktatori në kryq”
  • Ylljet Aliçka “Metamorfoza e një kryeqyteti”
  • Bashkim Shehu “Triptiku I magjistarëve”
  • Preç Zogaj “Anjeza nuk u zgjua”

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Poezi

  • Arian Leka “Hartë memece për të mbyturit”
  • Skënder Buçpapaj “Imgur”
  • Aleksandër Çipa “Deti nuk ka porta”
  • Denata Ndreca “Kohë e mohueme”
  • Alisa Velaj ”Shtjellë reje dhe shtjelle zjarri”

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Tregim

  • Agron Tufa “Kur këndonin gjelat e tretë”
  • Ana Kove “kambanat e së dielës”
  • Dhimitër Anagnosti “Ulliri, pema e dhimbjes”
  • Romeo Çollaku “Mikrobus dhe tregime të tjerë”
  • Majlinda Rama Nana “Arzoe”

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Esse

-Matteo Mandala, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve”

-Petrit Palusha “ Kukësi në 79 ditë, pranverë 1999”

– Ardian Vehbiu “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”

-Tonin Çobani “Tri esse”

– Pirro Prifti “Kombi shqiptar, univers historic dhe fetar”

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Letërsi e përkthyer

  • Llambro Ruçi “Iliada”
  • Mira Meksi “100 vjet vetmi”
  • Romeo Çollaku, Alket Çani “Jorgos Seferis”
  • Korab Hoxha “Tetori në vagon”
  • Bujar Hudhri “Vegjetariania”

Kandidaturat për Çmimet Kombëtare të Letërsisë , Letërsi për fëmijë

-Shkëlzen Zalli “ Kartolina e Zileve”

– Viktor Canosinaj “Elefantët shtamba”

– Fatmira Gjestila “Edhe pëllumbat qajnë”

– Alma Zenellari “Një libër për yjet”

-Iliaz Bobaj “Bota është sa nëna ime”. / atsh / KultPlus.com

Sëmuret aktori, Teatri i Gjilanit anulon shfaqjen “Audienca e Vaclav Havelit”

Në Teatrin e Gjilanit, sot pritej të jepej shfaqja “Audienca e Vaclav Havelit” në ora 16:00, por kjo shfaqje është anuluar.

Në faqen zyrtare në Facebook, Teatri i Gjilanit ka njoftuar se shfaqja mysafire e Qendrës Multimedia po anulohet për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të njërit prej aktorëve.

“Shfaqja mysafire e Qendrës Multimedia “Audienca e Vaclav Havelit” e planifikuar të jepet sonte, e enjte, me fillim nga ora 16:00, ANULOHET, për shkaqe shëndetësore të njërit nga aktorët e shfaqjes. Teatri i Gjilanit i uron shëndet aktorit dhe kërkon mirëkuptim nga publiku i jonë i dashur!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Bie messengeri i Facebookut

Messengeri i Facebookut, një prej aplikacioneve më të popullarizuar në botë për shkëmbim të mesazheve, aktualisht nuk po punon në pjesën më të madhe të Evropës, njoftojnë mediat e huaja.

Shumë shfrytëzues janë ankuar në mënyra të ndryshme përmes rrjeteve sociale, se ky aplikacion që përdoret nga qindra miliona njerëz, nuk po punon.

Kjo dëshmohet edhe nga harta e problemeve të paraqitura në faqen “Downdetector”.

Më së shumti probleme janë paraqitur në Evropë e Japoni, por të tilla janë paraqitur edhe në SHBA dhe Australi. / KultPlus.com

Laureatët e Çmimit Nobel nderohen në mungesë

Laureatët e Çmimit Nobel për vitin 2020 do të nderohen në mungesë më 10 dhjetor, përmes disa ceremonive që këtë vit organizohen ndryshe për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Përhapja e këtij virusi ka shtyrë zyrtarët e Nobelit që të anulojnë festat vjetore në Oslo, ku prezantohet Çmimi vjetor i Nobelit dhe në Stokholm ku ndahen çmimet për mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe ekonomi.

Organizata Botërore për Ushqim pritet të pranojë Çmimin Nobel për Paqe në një ceremoni në Romë.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara është shpërblyer nga Komiteti Norvegjez i Nobelit për “përpjekjet për të parandaluar shfrytëzimin e urisë si armë për luftë dhe konflikt”.

Në Oslo, kryeqytetin e Norvegjisë, udhëheqësja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, do të mbajë një fjalim online nga Instituti i Nobelit.

Më vonë gjatë ditës, në kryeqytetin suedez, do të transmetohet një ceremoni përmes televizionit, në të cilën do të publikohen disa klipe që shfaqin laureatët duke pranuar çmimet nëpër vendlindjet e tyre.

Kjo është hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore që anulohen festimet në Stokholm.

Përndryshe, fituesit e çmimeve Nobel janë bërë publikë në muajin tetor.

Çmimet tradicionalisht prezantohen më 10 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së themeluesit të këtij çmimi, Alfred Nobel.

Nobel, shkencëtar suedez dhe filantrop ka vdekur më 1896./REL / KultPlus.com

Rave vazhdon të mbështes artistët edhe gjatë pandemisë në të gjithë vendin

Një mësues i vazhdueshëm i vetvetes me një vëmendje të detajuar për tinguj që gjithmonë shtyjnë përpara, mbi një dekadë dhe qindra detyra si përzgjedhës muzike, Redoni nga Tetova ka krijuar një romancë të përjetshme me muzikën elektronike.

Dashuria ndaj radios frymëzoi udhëtimet e tij të para për transmetim dhe në vitin 2011, përgjatë një periudhe 5 vjeçare ndër të tjera filloi emisionin ditor Pop-kura ku shfaqeshin këngë të të gjitha zhanreve, nga edhe krijoi nofkën  Balta.

Këtë të diel Rave sjell Balta artist nga Shkupi me një set më ndryshe se herëve tjera./ KultPlus.com

41 vjet më parë Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për Paqe

Si sot, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe. Ato ditë në Oslo të Norvegjisë, Don Lush Gjergji e zhvillon një intervistë me të dhe e boton në revistën “Drita”. Po e risjellim në portalin tonë për të kujtuar atë ditë të madhe dhe si Nënë Tereza e ka përjetuar këtë shpërblim prestigjioz botëror.

Çfarë do të thotë për ju dhe për motrat tuaja Çmimi Nobel për Paqe?

Nëna Tereze: “Për motrat e mia asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon në Kongregatën tonë. Ky Çmim, si dhe të tjerë që kam marrë gjatë këtyre viteve, është vetëm për të varfëritë tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka vitin e ardhshëm për familjet tona.

Prandaj, jemi lutur shumë për këtë qëllim, nga që, siç e dini dhe ju vetë, viti i ardhshëm (1980) është viti kushtuar familjes. Sot, njerëzit vuajnë shumë dhe nëse ne mund të bëjmë diçka për të bashkuar familjet, për t’i ofruar secilit shtëpi, kjo do të ishte një punë e madhe. Ky çmim arrin në çastin e duhur. Ky çmim tregon se bota po i njeh të varfëritë, prandaj edhe e ka për detyrë t’u ndihmojë. Ky është kontribut i madh për paqe, ngaqë bota më në fund ka kuptuar se puna e dashurisë është e rëndësishme për paqen.”

Si e shihni Ju, si personalitet religjioz, problemin e paqes në botë dhe çfarë mendoni se duhet të bëhet për ta forcuar paqen?

Nëna Tereze: “Para së gjithash, ne duhet t’i kthehemi të luturit në familje, sepse pa lutje besimi ynë është i dobët. Nëse me të vërtetë besojmë dhe lutemi, ne do të bëjmë jetën tonë të konsekruar, do të japim kontributin tonë për paqen. PA DASHURI NUK DO TË KETË KURRË PAQE!”

Cili është rreziku më i madh për paqen?

Nëna Tereze: “Rreziku më i madh për paqen është aborti, ngaqë nëse ne mund të shkatërrojmë jetën, që na e ka dhënë Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet ekzekutuese e fëmijëve të vet, atëherë çfarë do të mund të thuhej vallë për vrasjet dhe luftërat e botës? Sot, njerëzit nuk e duan më njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë. Aborti është filli i të gjitha të ligave të botës.”

Si e pranuan të varfëritë këtë Çmim?

Nëna Tereze: “Tani bota po i njeh të varfëritë dhe unë mendoj se do të mendojë më seriozisht për këtë problem. Të varfëritë tanë janë të lumtur me pak, me një buzëqeshje, një dorështrëngim, me pak oriz… Ata janë protagonistët e vërtetë të “Çmimit Nobel për Paqe.”

Cili është mesazhi i paqes për botën në ditën e Çmimit Nobel për Paqe, tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”

Nëna Tereze: “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe besimi ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët”.

“Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Nëna Tereze: “Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin…

Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin…

Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron fshehtësia e suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, e pranishme tek çdo njeri, çdo familje… Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë…”

Si e përjetuat udhëtimin e Papës në Turqi, si një dëshirë dhe përpjekje ekumenike. Si e vlerësoni takimin ekumenik dhe lutjen e mbrëmjes së djeshme në Katedralen e Osllos? Cili është mendimi juaj i përgjithshëm sa i përket dukurisë ekumenike?

Nëna Tereze: “Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë me secilin pa dallim, për të ndihmuar njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin, për t’i bërë që ta njohin Zotin si dashuri. Ne nuk punojmë vetëm me të krishterë, por edhe me myslimanë, budistë, hindus, me të gjithë. Kur të mbretërojë dashuria, atëherë do të kemi unitetin e Kishës në botë”.

Këtu jemi të gjithë, myslimanë, katolikë, komunistë, ateistë, të gjithë shqiptarët, që të thërrasin me shumë dashuri dhe mirënjohje: NËNA JONË TEREZE. Po, pas vdekjes suaj?

Nëna Tereze: “Kurrë nuk kam menduar për këtë. Sot, unë jam në Norvegji, dhe unë jam norvegjeze, nesër diku tjetër. Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojë trupi im. Ajo që është me rëndësi është se unë e gjej veten duke jetuar në amshim me Zotin”.

Po t’u kërkohej të bëni një definicion për vetveten: kush jeni Ju?

Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, grua fetare. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht zemrës së Jezusit”.

Sot, në ditën e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, duke iu kthyer të gjitha shpërblimeve, mirënjohjeve që keni marrë, cili çmim është më i shtrenjti, më i afërti për Ju?

Nëna Tereze: “Shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit. Ai është çdo gjë për mua. Gjëja më e madhe për mua do të ishte të bëj që dashuria universale të mbretërojë, sidomos për ata që vuajnë!”./drita.info/ KultPlus.com

72-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj) është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris.

Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Deklarata përbëhet nga tridhjetë artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijinm nga traktate ndërkombëtare, transferta ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut (ku spikat Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), kushtetutat kombëtare, dhe ligje të tjera. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle opsionale. Këto dy Konventa, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966.

Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaftueshëm shtete anëtare  për të hyrë në fuqi dhe qysh nga ky moment Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut mori fuqi në ligjin ndërkombëtar.

Kur krimet e kryera nga Regjimi nazist në Gjermani u bënë të qartë pas luftës, konsensusi brenda bashkësisë ndërkombëtare ishte se Statuti i Kombeve të Bashkuara nuk ofronte një mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave të njeriut, ndaj ishte e nevojshme një Deklaratë Universale që të specifikonte këto të drejta dhe t’i shtjellonte ato.

Krijimi i Deklaratës i’u besua një Komisioni mbi të Drejtat e Njeriut në vitin 1946, i cili punoi për dy vjet për hartimin e saj. Komisioni u kryesua nga Eleanor Roosevelt, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, dhe përbëhej nga 18 anëtarë të nacionaliteteve dhe përkatësive politike të ndryshme.

Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë tek parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz. / KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë peshkun 81-vjeçar

Një grup shkencëtarësh kanë arritur të zbulojnë peshkun më të vjetër në një gumë tropikale në Australinë Perëndimore.

Peshku oktogjenar, pretendohet se është 81-vjeç dhe është në jetë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ai u zbulua nga Instituti Australian i Shkencës Detare në Rowley Shoals, rreth 300 kilometra në perëndim të Broome, si pjesë e një studimi mbi jetëgjatësinë e peshqve tropikal.

Shkencëtarët kanë zbuluar gjallesat gjatë një operacioni peshkimi në Australinë Perëndimore dhe Arkipelagun Chagos në Oqeanin Indian qendror. Speciet përfshinin bas të kuq, këputës të mesnatës dhe këputës bardh e zi.

81-vjeçari u identifikua së bashku me 10 peshq të tjerë mbi moshën 60 vjeç, duke përfshirë një bas të kuq 79 vjeçar që u kap gjithashtu në Rowley Shoals, një zonë që përfshin tre shkëmbinj nënujorë koralë në buzë të Australisë. \ oranews/ KultPlus.com

Franca synon ta luftojë radikalizmin islamik duke e ndaluar testin e virgjërisë

Kabineti qeveritar i Francës e ka miratuar një projektligj me të cilin synohet luftimi i radikalizmit islamik pas një vargu sulmesh nga ekstremistët. Në projektligjin e ri planifikohet edhe ndëshkimi dhe tërheqja e lejes së punës për mjekët që kryejnë teste të virgjërisë.

Projektligji është pjesë e një nisme afatgjatë të Presidentit Makron për mbrojtjen e vlerave sekulare dhe i ashpërson rregullat për edukimin shtëpiak dhe gjuhën e urrejtjes, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Disa kritikë, brenda Francës dhe jashtë saj, e kanë akuzuar qeverinë franceze se po e përdorin këtë projektligj për ta vënë në shënjestër religjionin.

Megjithatë, Kryeministri Jean Castez e quajti atë “ligj të mbrojtjes”, i cili do t’i lirojë myslimanët nga mbërthimi i radikalëve.

Ai këmbënguli që teksti i projektligjit nuk është kundër religjioneve apo kundër religjionit islam në veçanti.

Me këtë projektligj do të ashpërsohen kufizimet rreth gjuhës së urrejtjes në internet dhe do të ndalohet përdorimi i internetit për zbulimin e të dhënave personale për të tjerët.

Ky po vlerësohet si reagim për vrasjen e mësuesit Samuel Paty në tetor. Mësuesi 47 vjeç u vra nga një sulmues pasi shfaqi para nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.

Pas hetimeve u zbulua se kundër mësuesit ishte zhvilluar një fushatë në internet, transmeton Gazeta Express.

Me këtë projektligj ndalohen edhe të ashtuquajturat “shkolla klandestine”, të cilat e promovojnë ideologjinë islame dhe ashpërsohen rregullat për shkollimin shtëpiak.

Projektligji i ri ua ndalon lejen e banimit atyre që dëshirojnë të jetojnë në Francë e që janë në raporte poligamie. Për më tepër, mjekët mund të ndëshkohen ose të përjashtohen nga puna për kryerjen e testit të virgjërisë te vajzat. / KultPlus.com

Mahalia dhe Nines, fitojnë çmimet kryesore në MOBO 2020

Pas një pauze dy-vjeçare, çmimet MOBO 2020 janë rikthyer me një shfaqje në distancë.

Ceremonia u organizua nga Maya Jama dhe Chunkz e u transmetua në Youtube.

Mahalia dhe Nines, fituan dy çmimet kryesore. Mahalia ishte ajo që mori në shtëpi çmimin më të mirë për R & B, si femra më e mirë në këtë zhanër. Dhe bashkë me Nines, fituan për albumin më të mirë në hip hop.

Young T dhe Bugsey u vlerësuan për këngën më të mirë “Don’t Rush”. / KultPlus.com

Vdiq legjenda e futbollit italian, Paolo Rossi

Legjenda e futbollit italian, Paolo Rossi, ka vdekur në moshën 64 vjeçare.

Ish-futbollisti Rossi, që udhëhoqi ekipin kombëtar drejt triumfit në Botërorin 1982, sipas mediave italiane, vdiq nga një sëmundje.

Lajmin e ka konfirmuar gruaja e tij Federica Cappallletti, e cila në Instagram ka shpërndarë një foto të tyre porse nuk ka treguar sëmundjen e cila ia shkaktoi vdekjen, njofton BBC.

Rossi ishte shënuesi dhe lojtari më i mirë i Botërorit në Spanjë më 1982.

Më 2018, ishte realizuar edhe një dokumentar për sulmuesin, që u quajt “Zemra e një kampioni”.

Aty përshkruhet se si më 11 korrik të vitit 1982, Italia e mundi Gjermaninë Perëndimore 3:1, dhe papritur Kupën e Botës. Kështu, ai përmbushi edhe zemrën e presidentit Pertini.

Dokumentari 90-minutësh tregon historinë e jetës së Rossit, nga varfëria e deri te ëndrra e tij më e madhe, të bëhet kampion bote.

Me Italinë ka zhvilluar 48 ndeshje dhe ka shënuar 20 gola, ndërkohë që me klube të ndryshme ka luajtur 251 ndeshje dhe ka shënuar 103 gola.

Ka luajtur për skuadrat më të mira të kohës në Itali, si Juventus, Milan, Vicenza, Verona, Perugia e Como.

Në vitin 2004, Rossi u emërua nga legjenda braziliane Pele si një nga futbollistët më të mirë të gjallë.

Rossi u tërhoq nga futbolli në fund të vitit 1980./ KultPlus.com

Kosovari gradohet oficer specialist dhe rreshter në ushtrinë Suedeze

Shqiptarët kudo në botë vazhdojnë të dëshmojnë veten me sukseset e tyre. Ndonëse jashtë kufijve të atdheut, ata përherë arrijnë që me punën e tyre të lënë gjurmë në vendet ku jetojnë, shkruan KultPlus.

I tillë është edhe Adonis Shala i cili vie nga Kosova dhe jeton në Suedi. Ai ka arritur që më përkushtimin e madh dhe dashurinë që kishte për profesionin që kishte zgjedhur të gradohet oficer specialist dhe rreshter në ushtrinë Suedeze.

Familja e Adonis Shalës është me prejardhje nga Peja, kurse vet Adonisi është lindur dhe rritur në Stokholm. Ai ka disa vite që i është bashkuar ushtrisë Suedeze./KultPlus.com