Presidentja Osmani: Populli i Kosovës ka jetuar një periudhë të mohimit të të drejtave, jemi të vendosur t’i respektojmë ato

Para 73 vjetësh, Asambleja e Përgjitshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Lidhur me këtë, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e vendosur që t’i mbështes të drejtat e qytetarëve.

Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter, theksoi se populli i Kosovës ka jetuar vetë një periudhë të mohimit të të drejtave elementare të njeriut.

“Në këtë ditë të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Si një popull që kemi jetuar një periudhë të mohimit edhe të të drejtave më elementare të njeriut, ne jemi të vendosur të sigurojmë që t’i mbështesim dhe respektojmë ato në mënyrë universal”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

72-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj) është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris.

Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Deklarata përbëhet nga tridhjetë artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijinm nga traktate ndërkombëtare, transferta ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut (ku spikat Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), kushtetutat kombëtare, dhe ligje të tjera. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle opsionale. Këto dy Konventa, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966.

Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaftueshëm shtete anëtare  për të hyrë në fuqi dhe qysh nga ky moment Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut mori fuqi në ligjin ndërkombëtar.

Kur krimet e kryera nga Regjimi nazist në Gjermani u bënë të qartë pas luftës, konsensusi brenda bashkësisë ndërkombëtare ishte se Statuti i Kombeve të Bashkuara nuk ofronte një mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave të njeriut, ndaj ishte e nevojshme një Deklaratë Universale që të specifikonte këto të drejta dhe t’i shtjellonte ato.

Krijimi i Deklaratës i’u besua një Komisioni mbi të Drejtat e Njeriut në vitin 1946, i cili punoi për dy vjet për hartimin e saj. Komisioni u kryesua nga Eleanor Roosevelt, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, dhe përbëhej nga 18 anëtarë të nacionaliteteve dhe përkatësive politike të ndryshme.

Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë tek parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz. / KultPlus.com