Janë publikuar nominimet për “The 2021 Rock & Roll Hall of Fame” dhe lista e të nominimeve përmban disa prej emrave më legjendarë në fushën e muzikës.
Mary J.Blige, Jay-Z, Tina Turner dhe Dionne Warwick janë disa prej emrave më të famshëm për të cilët do të merret vendimi për çmimin e madh gjatë muajit maj ndërkohë që ceremonia e ngjarjes pritet të mbahet gjatë vjeshtës, shkruan revista e famshme Harper’s Bazaar.
Artistët bëhen të pranueshëm për tu nominuar për këtë çmim pasi të kenë realizuar këngën e parë të paktën 25 vjet para se të shpallen nominimet. Nominimet më pas zgjedhën nga një grup ndërkombëtar i përbërë prej më shumë se 1000 artistësh ku përfshihen historianë dhe artistë të ndryshëm në fushën e muzikës.
Edhe fansat më të votojnë duke hyrë në uebsajtin e Rock & Roll Hall of Fame deri në fund të muajit prill.
Naser Berisha është njëri nga zërat që kishte qenë prezent intenzivisht në skenën muzikore kohë më parë, veçmas në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.
Një numër i madh i baladave dhe këngëve tjera të tij janë shëndrruar në hite të pavdekshme të tij.
“A me kujton” është njëra nga këngët e tij, e cila njësoj si të tjerat është ripërpunuar disa herë nga artistë të ndryshëm. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge.
“Koha iku, na harroi Mbeti veç kujtimi letër, Si ngahera, të kërkoj Me gitarë poemë e vjetër Para shkollës, si dikur Unë të pres, e ti nuk vije Dhe pyes vetën, si i marrë Ndonjëherë në mend do t´bije
Ref: 2 Ku më mbete bjondina ime Që më ngjall prapë këto kujtime Ndonjëherë të lutem a me kujton! Ty të kisha yll rinie Një dhuratë prej përendie Dashuri e vjetër të kërkoj…
Gjumë nuk kam, bie shi Në fotografi ti vetëm mbete Jeta të mori, larg të çoi Y Nuk e di se ku më trete Jam i vetëm, si atëherë Fati mua nuk më priu Lumturinë që ne e kishim fatkeqësia e përbiu…
Ref : 3 Ku më mbete bjondina ime Që më ngjall prapë këto kujtime Ndonjëherë të lutem a më kujton Ty të kisha yll rinie Një dhurat prej përendie Dashuri e vjetër të kërkoj… “/ KultPlus.com
… muzikë më të fëlliqur se sa ndër lokalet shqiptare, akoma nuk më kanë zënë veshët tjetërkund… për të mos folur për tmerrin që transmetohet nëpër autobuze dhe mjete tjera të transportit të qytetarëve.
… Normalisht që problemi fillon tek prodhimi mediokër i muzikëtarëve, tek mungesa e ideve artistike, banalizimi i gjuhës së teksteve si dhe varfërimi i idiomës muzikore. Gjitha këto janë tregues real i gjëndjes së mjeruar të muzikës sot.
Teksete volgare, muzikë banale me dy akorde. Një injorancë e theksuar e cila po përparon pa pengesën më të vogël nga ana e institucioneve artistike, të cilat as që e marrin mundimin ti kundërvihen kësaj barbarie anti artistike!
E bukura, me detajet e sofistikuara e cila shprehet me gjuhën e elegancës e që qëndron sipër, refuzohet nga një sistem biznesi i cili tenton të homologojë dhe të standardizojë shijet e njerëzve. Asistojmë apatikë kundrejt një neo-barbarizmi të gustove i cili ka si qëllim zhdukjen e idesë të së bukurës që qëndron lart, dhe në të kundërtën kemi promovimin e banalitetit si model referimi që zëvendëson të bukurën.
Sot, armiqtë e muzikës janë ANALFABETËT e muzikës të cilët në ndonjë farë mënyre duket sikur kanë gjetur edhe mbështetjen e Mediave të vëndit dhe “lulëzojnë halesh” plot kundërmim!!!
Dikur kishim kompozitorë të nderuar, arranxhiatorë me kapacitet të cilët drejtonin rrjedhën e muzikës, sot nuk kuptohet mirë se kush është arranxhator apo kompozitor!!! Të gjithë i thonë vetes “kompozitor” apo “arranxhator”!!!… nuk e kuptoj se me ç’të drejtë?!
… Mini Studiot që prodhojnë muzikë të cilësisë “Z” ka me shumicë, ndërsa tregu po plas nga këngët : “COPY & PASTE”!
… një numër i konsiderueshëm këngëtarësh e që vazhdimisht shkon në rritje, shohim të ndiqen nëpër rrjetet sociale Facebook apo Instagram…. por pastaj kur i dëgjon LIVE… nuk ka më tmerr!!! …
Duke parë këtë gjëndje të rrezikshme në të cilën gjëndet e implikuar një pjesë e mirë e tregut muzikor, muzikantat e vërtetë, (ato që dinë se qfarë është “zëvendësimi i tritonit” kthesa harmonike “turn around”, “ritmi Funk apo ai Kalamatiano” “Notat Blu”, “Frixhiani dominant”, “termi Pop etj) do ishte e mira të prononcohen nëpër media dhe ku të munden, për të kundërshtuar barbarizmin e shijeve muzikore./ KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i dorëzoi sot familjarëve dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për profesorin Vangjel Toçi (pas vdekjes).
Titulli i lartë iu dorëzua familjarëve në një aktivitet të zhvilluar në kuadër të kremtimit të 30-vjetorit të Shoqatës “Durrësi”.
“Arkeologu i mirënjohur durrsak, profesor Vangjel Toçi është një personalitet emblematik i kulturës shqiptare, të cilit do t’i jemi përherë mirënjohës për zbulimet e jashtëzakonshme në ndriçimin e identitetit kulturor dhe qytetërimit tonë të lashtë. Do të mjaftonte zbulimi i dy prej monumenteve arkeologjike më të rëndësishme si, Amfiteatri antik i Durrësit e mozaiku ‘Bukuroshja e Durrësit’ për ta bërë të përjetshëm kujtimin e tij”, tha Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se “puna shkencore dhe vepra e këtij personaliteti të madh tingëllojnë këmbanë alarmi për zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare, veçanërisht kur betonizimi i pasurisë arkeologjike po vret botën antike të Durrësit dhe jo vetëm”.
“Nderimi më i madh, që mund t’i bëjmë këtyre personaliteteve është mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të jashtëzakonshme kulturore”, – tha Meta.
Vangjel Toçi lindi më 11 tetor të vitit 1920 në Elbasan. Toçi i kushtoi shumë vëmendje muzeologjisë dhe në veçanti arkeologjisë. Me punën e tij arriti krijimin e bibliotekës së qytetit të Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik. Arkeologu Toçi punoi me pasion dhe këmbëngulje për amfiteatrin, që është një monument i lashtësisë.
Një meritë tjetër në punën e tij është studimi që ai ka bërë në lidhje me përbërjen e popullsisë që jetonte në qytetin antik, nga ku, nëpërmjet mbishkrimeve të varreve jep një listë të gjatë të emrave ilirë. Vangjeli transmetoi tek banorët e tij bashkëqytetarë, ndjenjën e përgjegjësisë për mbrojtjen e së kaluarës, duke i bërë kështu bashkëpunëtorë me të në rrugën e gjatë të njohjes dhe identitetit të së kaluarës./atsh/KultPlus.com
Qendra Kulturore e Fëmijëve “Fato Berberi” në Gjirokastër organizoi sot aktivitetin e titulluar “Sa u tund jeta”, kushtuar disidentes Musine Kokalari.
Programi përfshinte një ekspozitë me portrete të saj si dhe interpretimin e pjesëve nga krijimtaria letrare dedikuar Gjirokastrës.
Një element i veçantë ishte interpretimi nga talentet e vegjël, i valleve tradicionale të dasmës gjirokastrite, bazuar në përshkrimin që i bën Musineja në botimet e saj.
Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.
Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.
Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983./atsh/ KultPlus.com
Ambientet e KultPlus Caffe Gallery tashmë kishin hapur dyert për të mirëpritur artistë e regjisorë të shumtë, të cilët tashmë po prisnin që të takoheshin dhe diskutonin për artin dhe kulturën me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Ishte gazetari Arbër Selmani ai që hapi mbrëmjen duke falënderuar të ftuarit, por edhe dy figurat kyqe të kësaj mbrëmjeje.
Teksa e tërë vëmendja tashmë ishte përqendruar pikërisht tek katërshja që qëndronte përballë komunitetit të artistëve, Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj duke treguar se është çdo herë kënaqësi e madhe takimi me artistët.
Ajo shtoi më pas se ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për filmin e Kosovës, duke potencuar filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, por edhe duke vënë theksin në atë se përgjatë këtij viti, kultura dhe tradita shqiptare me një sukses të madh po i shpaloset botës.
“Ky vit ka qenë tepër i suksesshëm, e kemi suksesin e fundit me filmin “Zgjoi”, të Blerta Bashollit, sukses që na ka bërë krenarë të gjithëve. Pastaj, këto ditë po shohim se si Rita Ora do ta prezantojë traditën tonë, veshjet tona, nëpërmjet një videoklipi të ri, suksese këto që nuk janë të vetme, sepse nëpërmjet kulturës, artistët po promovojnë kulturën tonë”, ka thënë para të pranishmëve Osmani, e cila ka shtuar se edhe këtë vit shpreson në suksese të mëdha të komunitetit të artistëve, sukses që e kanë dëshmuar tash e shumë vite, e që sipas saj, për fat të keq, politikanët dukshëm kanë pas performancë më të dobët se sa komuniteti i artistëve.
Tutje ajo ka shtuar se përkrahja që do ti japin kulturës nuk do të jetë përkrahje vetëm për artistët, por një përkrahje për shtetin, sepse ky komunitet është imazhi dhe pasqyra më e mirë e një shteti. E sipas saj një shtet i mençur investon në një imazh të mirë, e briliant që artistët kanë ndërtuar përgjatë viteve.
Ndërkaq lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri shpalosi programin qeverisës të partisë së tyre, gjithnjë në fokus të artit dhe kulturës. A theksoi se në ketë program përfshihen institucionet e artit, krijimi i Teatrit te Operas dhe Baletit e shumë investime të tjera.
“Me qeverisjen tonë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, pra nuk do të varen nga Ministria në linja buxhetore. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë edhe Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
Kurti shtoi se në plan programin e tyre zgjedhor përfshihet edhe shpëtimi i trashëgimisë në rrezik, por edhe mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë kulturore.
Kurse Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka thënë para të pranishmëve se pikërisht në mbrëmjen e sotme, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë mbledhur artistë të profileve të ndryshme, që presin mbështetjen e institucioneve shtetërore për jetësimin e projekteve dhe ideve të tyre.
“Artistët vazhdojnë të jenë imazh i mirë i Kosovës, andaj, një mbështetje institucionale më e madhe ndaj këtij komuniteti, është shumë i rëndësishëm për artistët por edhe për imazhin e Kosovës”, ka thënë Pajaziti.
Më pas, Pajaziti bashkë me Osmanin dhe Kurtin kanë takuar veç e veç të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët edhe kanë treguar për idetë dhe mundësitë e bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të ndryshme. Ndërkohë, të pranishmit kanë pas rast të shohin për së afërmi ekspozitën e Yllka Letit, ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery
(Ngjarja u mbështet nga Stone Castle, Fluidi, Birra Prishtina dhe Uji Dea) /KultPlus.com
Kostumet e grave arbëreshe janë një pasuri kulturore e tyre dhe me një histori të pasur në ruajtjen e trashëgimisë kulturore arëreshe.
Në këtë foto të studiuesit arbëresh Francesco Marchiano, shfaqen tre lloje të kostumeve të grave arbëreshe, të publikuar në revistat e vitit 1913.
Fotografët e njohur Antonio Scura e Oreste Mosciaro, kanë dokumentuar me celuloidin e tyre, në bardh e zi: kostumin festiv të gruas në Horën e Arbëreshëve, kostumin gjysëmfestiv të gruas në Vacarizzo Albanese dhe kostumin festiv të gruas në San Benedetto Ullano./ KultPlus.com
Dua Lipa ka njoftuar se nesër do të publikoj videoklipin e këngës së re të titulluar “We’re Good”.
Kënga parashihet të jetë një hit i radhës nga Dua Lipa pas këngëve të tjera që kanë bërë bujë si “Don’t Start Now” dhe “Levitating”.
Edhe videoklipi pritet të jetë i veçantë dhe kjo kuptohet nga një pjesë e shkurtër e tij që ka publikuar Dua në rrjetet sociale përmes së cilës edhe paralajmëron këngën e re. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora e cila ditë më parë publikoi një video ku ishte e veshur me veshje kombëtare shqiptare, sot ka publikuar dhe një video tjetër ku shihet edhe shqiponja dykrenare në klipin e këngës së saj të re, shkruan KultPlus.
Në videon disa sekondëshe të publikuar nga Ora në Instagram shihen këpucët e kuqe që kanë të stampuar shqiponjë dykrenare në të.
Historia e gjatë me dekada e akuzave të abuzimit seksual të fëmijëve për regjisorin Woody Allen do të hulumtohet në një seri të re dokumentarëve të HBO, me katër pjesë.
Allen v Farroë do të përdorë filma shtëpiakë, prova policore, dokumente gjyqësore dhe kaseta audio që nuk janë dëgjuar më parë për të eksploruar pretendimin e 1992 për abuzim seksual kundër Allen nga Dylan 7-vjeçar, vajza e tij e birësuar me partneren e tij të atëhershme, Mia Farroë ; çështja e kujdestarisë që pasoi në fillim të viteve 1990; Martesa e Allen me vajzën e adoptuar të Farroë së shpejti-Yi Previn; dhe vitet e polemikave rreth asaj se si të trajtojë filmat e tij dhe trupin e punës.
Allen ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.
Seriali me katër pjesë, i cili do të shfaqet premierë më 21 shkurt, vjen nga regjisorët Kirby Dick, Amy Ziering dhe Amy Herdy, krijuesit e filmave pas The Hunting Ground, filmi në kampusin e kolegjit sulmi seksual, dhe së fundmi On the Record, i cili eksploroi akuzat e gjata për sulme seksuale kundër manjatit të hip-hopit Russell Simmons dhe ngurrimin e industrisë së muzikës për të çrrënjosur abuzimin seksual./ KultPlus.com
Zonja e Parë e re e SHBA, Jill Biden ka listuar dy qentë e saj në prodhimin e video-mesazhit sensibilizues për nxitjen e qytetarëve amerikanë për të mbajtur maska fytyre kundër përhapjes së koronavirusit.
Në mesazhin e xhiruar në Shtëpinë e Bardhë që do të transmetohet në Ditën e Kafshëve Shtëpike 17 shkurt, profesoresha 69 vjeçare nxit kolegët e saj zotërues kafshësh të mbrojnë veten nga COVID-19 duke mbajtur maska fytyre, duke insistuar se kjo ndihmon që dhe kafshët e tyre të mbeten të shëndetshme.
“Dashuria pa kushte që të japin qentë është një nga gjërat më të bukura të jetës”, thotë ajo mes të tjerash, duke shikuar nga qentë e saj. “Kështu që vendosni maskën tuaj, edhe kur shëtisni qenin”.
Pastorët gjermanë presidencialë Champ e Major qëndrojnë gjithë kohës të ulur në këmbët e Zonjës së Parë, në klipin e filmuar pranë vatrës së zjarrit në adresën më të famshme në SHBA, 1600 Pennsylvania Avenue, edhe pse në një koment ajo bashkohet me ta duke u ulur në dysheme për një përkëdhelje të shpejtë.
Në fillim të videos, Jill lavdëron qentë e saj duke i quajur ‘burim gëzimi e ngushëlimi’ gjatë periudhës së pandemisë, teksa thotë: “Përshëndetje, unë jam Jill Biden këtu në Shtëpinë e bardhë, dhe këta janë dy qentë tanë, Champ e Major.
“Për shumë prej nesh gjatë pandemisë kafshët shtëpiake kanë qenë një burim gëzimi i ngushëllimi, edhe lehin një ose dy herë gjatë video konferencave”.
Gjatë videos Champ në një moment duket se këputet nga gjumi, ndërsa edhe Major shikon me dembelizëm rrotull dhomës.
Debutimi i tyre televiziv vjen teksa Amerika shënoi dje më shumë se 5,000 vdekje nga COVID-19 edhe pse u shënuan rënie në numrat e infektimeve./ KultPlus.com
….i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu; si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…T’isha një lule are, e vogël dhe me erë. Të çelja në prandverë dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.T’isha një lule vjollce në mes te ferrave. Të qëndronja e fshehur, e pa dukur dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin, do të dhurohesha te njeri-tjetri në shenjë kujtimi. Do ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura dhe plot shpresë. Do t’më thurrnin dhe mua disa vargje të lehta për hir të dashuris.Nje trendafil i egër te mbinja mbi varrin e ndonjë të riut. Te mirrnja pjesë në lotët që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.Karafil i kuq të lulzoja dhe me kujdes te vaditesha…një ditë të vendosesha në jakën e palltos. Do të shëtitnja dhe unë rrugët e qytetit, do të kuptonja jetën djaloshare dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua; .. që të dy qenkan të bukur do të thoshin./ KultPlus.com
Andon Çepe është nxënës në shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër.
Djali nga Kalasa e Delvinës e ka të qartë që fëmijë çfarë do të thotë të përballesh me vështirësi. Megjithëse me shikim të limituar ai nisi të shkruante tekste këngësh me ndihmën e familjes kur ishte 13 vjeç dhe i këndonte vetë ato. Klarineta erdhi në jetën e tij si një pasion për kompozimin. Doni siç e thërrasin shokët dhe siç e njohin në botën e artit këndon, kompozon, shkruan dhe frymëzon të tjerët. Puna e tij është shumëfish më e madhe krahasuar me nxënësit e tjerë sepse i duhet të memorizojë çdo gjë.
“Që në fillim që kam nisur muzikën qoftë si këngëtar qoftë si klarinetist që po punoj tani, qëllimi maksimal është të kap skena të larta, thjesht majën. Sigurisht që duhet shumë punë. Mbaj mend pjesën plus që më ndihmon edhe profesori me çdo mënyrë të mundshme kështu që nuk na pengon në asnjë lloj aspekti kjo pjesë për mbarëvajtjen e studimit. Të heqësh dorë nuk ekziston fare në zgjedhjet që bëj”, tha Andon Çepe.
Pak muaj më parë Doni u zhvendos nga liceu “Jordan Misja” në shkollën artistike të Gjirokastrës ku menjëherë u rrethua nga miq të rinj. Edhe Armandi mësuesi i tij i klarinetës beson se talenti dhe këmbëngulja e Donit do të shpërblehet.
“Andoni është i veçantë në mënyrën sesi ai studion, në përkushtimin që ai ka dhe është një njeri me shumë vullnet. Kjo ishte një gjë që mua më ka habitur vërtetë dhe ma ka rritur edhe mua dëshirën për të gjetur dhe për të kërkuar mënyra më efektive për këtë nxënës. Unë mendoj se aty ku ka dashuri për artin asgjë nuk është e vështirë”, tha mësuesi.
Andon Çepe vetëm 18 vjeç di shumë gjëra për jetën. Ai është rrëzuar dhe ringritur, ka provuar, riprovuar dhe ja ka dalë dhe e ëndërron veten në majat e skenës./tch/ KultPlus.com
Princi Charles me gruan e tij Camilla kanë marrë vaksinën anti covid.
Sipas mediave britanike, dyshja u vaksinuan pasi princi ishte i nfektuar me koronavirus muaj më parë.
Aty thuhet se shumë se 12.6 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të një vaksine kundër Covid-19.
Çifti mbretëror suedez, mbreti dhe mbretëresha norvegjeze dhe mbreti jordanez Abdullah gjithashtu janë vaksinuar ditë më parë duke qenë një numër i madh që po e pranojnë këtë vaksinë./ KultPlus.com
Veç ajo ndijonte tingujt e heshtjeve të mia. Me raste druhesha se mos koha pengestare ia mbathte teksa flisnim. Paskëtaj humba kujtesën dhe ja tek gjendem duke folur rreth saj me ty, mes dredhash duhani q’e fshehin ngashërimin tonë. Ja se ç’qenka ndryshe te kjo vetja ime: ndjenja, vetë e patrajtë, në kët’ ditë që është veç përmallimi.
Nga përmbledhja “Diario postumo: 66 poesie e altro” (shqip – Edon Qesari)
Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, do të nisë një emision kuzhine në Netflix që i dedikohet publikut të ri në moshë.
Ajo do të jetë protagonistja dhe producentja ekzekutive e emisionit “waffles+Mochi”, i cili do të nisë të shfaqet më 16 mars.
Duke folur për emisionin e saj, Michelle ka sqaruar se përmbajtja do të jetë e përshtatshme për fëmijët.
https://www.youtube.com/watch?v=4nIO785vBPY
Në emision do të shfaqen dy kukulla me emrat waffles dhe Mochi, ndërsa ajo do të vijë si pronare e dyqanit dhe emisioni do të tregojë rrugëtimin e tyre në përpjekje për t’u bërë kuzhinierë.
Tema e emisionit është e lidhur me sloganin e Michelle, “Let’s move” (Të lëvizim) që ka shënjuar fushatën e saj për shëndetin publik që ka pasur për qëllim luftimin e mbipeshës te fëmijët.
Ndryshe, siç transmeton CNN, Michelle dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti amerikan Barack Obama, kanë nënshkruar marrëveshje disavjeçare me Netflix për prodhimin e filmave dhe serialeve me emërtimin Higher Ground Productions. /Telegrafi/ KultPlus.com
Në këtë 104-vjetor të lindjes së shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari, stërmbesa e saj, Linda Kokalari rrëfen jetën e saj në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo bën gjithashtu apel, që veprat e saj të përfshihen në kurrikulat shkollore
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj”.
Ky është qëndrimi i shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalarit (Adanë, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 13 gusht 1983) në gjykatë, mbi akuzat që i rëndonin për nënshkrimin e programit antikomunist të hartuar për “instalimin e një sistemi demokratik”, pas së cilit u dënua me 16 vjet (1946-1961) burg.
Ndërsa, në këtë 104-vjetor të lindjes intelektualja shqiptare përkujtohet nga stërmbesa e saj, Linda Kokalari në Muzeun Historik Kombëtar.
“Është një kënaqësi e madhe, që e gjithë qëndresa e saj kujtohet, duke qenë shembull i vetëdijes në qëndresë”, thotë Linda Kokalari.
Kurajën qytetare të Musine Kokalarit, Linda Kokalari e cilëson si një mendim demokrat të gruas shqiptare asokohe, por përpos vuajtjeve që i shkaktoi regjimi komunist gjatë 40 viteve përndjekje, ajo e ka rrëfyer pëmes veprave të saj
“Vepra e saj flet vet, ajo ka shkruar çdo gjë. Në mënyrë të tillë, që kushdo që vjen më pas të informohet mbi të. CCdo gjë ka lënë ajo, mjafton që ta bëjmë të ditur”, vijon më tej stërmbesa.
Stërmbesa rrëfen se ka ardhur koha që vepra sa Kokalairt duhet të studiohet edhe të përfshihet e plotë në kurrikulat shkollore
“Ajo ccka është më e rëndësishme për mua dhe neve si familje, është që figura dhe vepra e saj të futen në kurrikula shkollore, sepse sa më shumë kalon kohë aq më shumë brezant harrojnë. Është e rëndësishme që të dihet, se megjithë terrorin e pashoq që ka qenë ka qenë dikush që ka qëndruar. Edhe kjo ka qenë një vajzë e re, e bukur, që i ka qëndruar përballë pa pas frikë”, thotë Linda Kokalari.
Dosja e Musine Kokalarit u hap në 100-vjetorin e saj të lindjes, ndërsa pasardhësit janë ende në pritje të ndërtimin dhe muzealizimin e shtëpisë në Gjirokastër
“Është një shkollë, është dhe një rrugë që mban emrin e saj, por ne shpresojmë që në të ardhmet të bëhet edhe ndërtimi e muzealizimi i shtëpisë në Gjirokastër”, tha drejtori i MHK, gjatë takimit në muze.
Musine Kokalari u rrit mes librave me rrëfenja dhe përralla, mes muzikë tradicionale në vendlindjen e saj, në Gjirokastër. Ajo kreu institutin “Motrat Qiriazi” dhe shkollën e mesme “Nana Mbretëneshë”. Ndërsa, studimet e larta i bëri në Fakultetin e Letërsisë në La Sapienza në Itali.
Pas 16 viteve që kaloi në burg, regjimi e internoi në Rrëshen. Torturat morale, fizike edhe psikologjike ishin të mëdha deri në 13 gusht të vitit 1983, që mbylli sytë, megjithatë sipas Linda Kokalarit, e keqja nuk e rrënoi dot.
“Ajo që mua më ka bërë shumë përshtypje, është mirësia e saj. Ajo ka qenë e rrethuar nga e keqja gati 40 vjet, por kjo e keqe nuk e dërrmoi dhe nuk e rrënoi dot. Nuk e bëri as të keqe, sepse sytë e saj deri në fund ishin të mirë”, përfundon Linda Kokalari.
Disa nga veprat e Musine Kokalarit janë: “Kolla e vdekjes” (1937), “Siç më thoshte nënua plakë”, “Reth vatrës” apo “Si lindi Partia Socialdemokrate”. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Këngëtarja e talentuar me prejardhje kosovare, Rita Ora, nuk do të kthehet në rolin e anëtares së jurisë në edicionin e ardhshëm të shout “The Masked Singer UK”.
Derisa shumë spekulojnë se Ora është përjashtuar nga ky shou si pasojë e kritikave të fundit që i ka marrë, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID, raportohet se arsyeja e vërtetë e largimit të këngëtares dhe aktores së famshme, vjen si rezultat i udhëtimit të saj drejt Australisë, për të shërbyer në panelin e jurisë së shout “The Voice of Australia”, dhe kështu orari i saj nuk është përshtatur me orarin e xhirimeve të emisionit, “The Masked Singer”, i cili vjen me sezonin e ri kah fundi i këtij viti.
Ora ka qenë pjesë e këtij program shumë të ndjekur televiziv në dy sezone, duke sjell energji pozitive çka edhe e karakterizon atë si person. Por, nga momenti kur këngëtarja i theu rregullat e karantinës në Britani të Madhe, duke e organizuar një ndejë private për ditëlindjen e saj të 30-të, publiku në këtë shtet i është kthyer kundër dhe e kanë bërë Ritën cak të kritikave. Së fundmi ajo ishte sulmuar edhe për stilin e veshjes në këtë shou, për çka këngëtarja është përgjigjur: “Mendoj se stili i veshjes është diçka shumë personale dhe nëse dikujt nuk i pëlqen veshja ime, është në rregull. Ajo çka është e rëndësishme është se unë kam nevojë të kem vetëbesim dhe të ndihem rehat me veten. Kjo ka rëndësi për mua kur vjen puna tek stili im i veshjes”.
Rita Ora në edicionin e ardhshëm të “The Masked Singer UK”, besohet se do të zëvendësohet nga valltarja Oti Mabuse. Jonathan Ross, Davina McCall dhe Mo Gilligan, rikthehen në rolin e anëtarëve tjerë të jurisë, kurse Joel Dommett do të vazhdojë si prezantues i shout. / Koha.net / KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkua peticionit për vendosjen e Kosovës në hartën e Netflix.
Kjo ngase në këtë platformë, Kosova figuron si pjesë e Serbisë, andaj ka filluar nisma për të vendosur Kosovën në kufijtë e saj në Netflix.
“I dashur Netflix, njerëzit e Kosovës i shijojnë shumë shërbimet tuaja ‘streaming’ dhe e duan punën tuaj. Ata meritojnë të njihen për këtë. Është koha që ta vendosni Republikën e Kosovës në hartën tuaj”, shkruan Osmani në Twitter.
Nisma filloi nga Sovran Hoti, me këtë peticion ashtu sikurse ndodhi më parë me “Apple”, kërkohet që Kosova të njihet si shtet në platformën e njohur Netflix. / KultPlus.com
Në ambientet e Teatrit Kombëtar, u prezantua projekti më i fundit për mbajtjen e “Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit Online” që do të organizohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, Kujtim Spahivogli.
“Teatri Vazhdon” do të jetë edhe slogani i këtij festivali në të cilin do të marrin pjesë 20 trupa teatrore nga të gjitha trevat shqip folëse me shfaqjet më të mira të repertorit të secilit teatër pjesëmarrës në këto pesë vitet e fundit.
Festivali do të ngrejë siparin me shfaqjen e parë që do të vij për publikun më datat 23 shkurt deri më 14 mars në orën 19-00 dhe do të transmetohet Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe teatrit konkurrues gjithashtu.
Për 20 mbrëmje rresht, këto shfaqje do të konkurrojnë me njëra tjetrën dhe në fund të këtij kompeticioni do të ketë edhe çmime të kategorive të ndryshme si shfaqja më e mire, regjia më e mire, aktori protagonistë më i mirë, aktorja protagoniste më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë jo protagoniste, çmimi i karrierës dhe një çmim tjetër i rëndësishëm do të jetë gjithashtu edhe çmimi i publikut, i cili do të votojë për shfaqjen e tij të preferuar.
Në lidhje me këtë eveniment dhe jetën artistike teatrore, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “të gjithë duam të rikthehemi në salla, por ne jemi duke respektuar rregullat për sa kohë nuk kemi një vendim të marrë nga “Komiteti i Ekspertëve”, ne do të vazhdojmë me këtë sfidë që pandemia na lejon”.
Ky festival vjen si risi dhe ka edicionin e tij të parë, pasi nuk është organizuar ndonjëherë tjetër. Kjo ide lindi prej institucioneve artistike në vend, për shkak të kufizimeve dhe pamundësisë së vënies së shfaqjeve në skenë për publikun e gjerë.
Qëllimi i këtij festivali është që jeta artistike në vend të vazhdoj dhe publiku të mund të ndjekë këto shfaqje kudo që të ndodhet, mjafton të hyj në faqen zyrtare të teatrit në rrjetin social facebook./ atsh/ KultPlus.com
Piktori shqiptar Ibrahim Kodra vazhdon ende të vlerësohet nga kritika dhe bota akademike si një piktor i rëndësishëm dhe si “post kubisti i fundit i Europës.
Ai lindi në 22 prill të vitit 1918 në Ishëm dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano të Italisë. U largua nga Shqipëria më 1938 kur ishte vetëm 20 vjeç ndërsa studionte në shkollën “Naim Frashri” dhe pas përfitimit të një burse studimi që ju dha nga Oborri Mbretëror i kohës për të vazhduar studimet pranë “Akademisë së Arteve të Bukura të Romës në Itali”.
Piktori gjatë karrierës së tij la pas rreth 6 mijë vepra të dokumentuara dhe përflitet të ketë edhe shumë të tjera të pa përcaktuara si autorësi për faktin se kanë qenë dhurata për individë dhe miq të piktorit. Ndër to vetëm 2 mijë janë të dokumentuara dhe të njohura për autorësinë dhe trashëgiminë intelektuale të artistit. Një pjesë e konsiderueshme e krijimeve të tij ndodhen të shpërndara në muze të ndryshëm privat dhe një pjesë tjetër i disponojnë koleksionistët e veprave të artit.
Gjatë periudhës që ishte në Itali, pikërisht në vitin 1948 ai krijon një marrëdhënie shumë të veçantë me piktorin e madh Pablo Picaso nga i cili edhe u ndikua dhe u frymëzua për shumë nga krijmit e tij. Të dy së bashku ata kryen edhe një studim dhe hulumtim të rëndësishëm artistik. Mediat dhe kritika e kohës e emërtuan Ibrahim Kodrën si “Post Kubistin e Fundit të Europës”.
Së fundmi “Qendra për Studimet dhe Publikimet e Arbëreshëve” kanë bërë publik një material të veçantë kushtuar artistit dhe piktorit Ibrahim Kodra duke e quajtur atë si piktorin më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Kjo qendër citon gjithashtu se një ndër elementët individual të piktorit Kodra ishin “Le case Kodra” në shqip “Shtëpitë Kodra” dhe elementi u bë subjekt i krijimtarisë së piktorin në kohën që ai jetoj në disa fshatra të Komunës “Citivas” të Italisë së jugut, dhe ishin pikërisht shtëpitë e banuara nga Arbëreshët dhe që u bënë të njohura në mbarë botën vetëm prej faktit se ishin subjekt i muzës së piktorit Shqiptar. / KultPlus.com
Këto ditë Shtëpia Botuese ‘Olymp’, botoi veprën me studime letrare me titullin ‘Lirika e dashurisë” Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi, përcjellë KultPlus.
Objekt i këtij studimi është lirika e dashurisë e poezisë së Fatos Arapit dhe Azem Shkrelit. Kjo lirikë, e shprehur me një figuracion të pasur dhe me një mjeshtëri poetike është ndër lirikat më të realizuara të dashurisë në poezinë shqipe. Krijimtaria poetike e këtyre dy poetëve të mirënjohur, Arapi dhe Shkreli, e pasuroi poezinë shqipe me elemente, veçori dhe tendenca të reja ideoartistike dhe stilistike.
Arapi dhe Shkreli, krijuan në një kohë të përbashkët, i pari në gjysmën e dytë të viteve ’50, dhe i dyti në etapën e parë të këtyre viteve, atëherë kur letërsia shqipe i ishte nënshtruar censurimit të saj, si pasojë e problemeve të shumta ideologjike, në mes të ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo ndikoi që letërsia e Kosovës për periudha kohore të caktuara, të mbetej krejtësisht e larguar dhe e veçuar nga letërsia që krijohej brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë periudhë kohore, zë fill krijimtaria poetike e Arapit dhe e Shkrelit, e cila duke filluar rrugëtimin e saj nga trevat rajonale të Vlorës dhe të Rugovës, erdh dhe u zhvillua më tej, duke zënë vend në panteonin e vlerave të poezisë shqipe.
Poezia e tyre, e përshkruar nga motive të shumta, shpërfaq spektre të gjera që sjellin koloritin e mjedisit të cilit i përkasin poetët, duke u nisur kështu nga vetvetja, drejt një konceptimi universal. Krahas lirikës atdhetare, sociale, meditative, të peizazhit, që zë një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë poetike të tyre, lirikae dashurisë tek këta dy poetë, mund të thuhet më shumë të drejtë që arrin kulmin e talentit të tyre krijues. Dashuria për gruan, dhembja që sjell kjo dashuri, tensionimi dhe çekuilibrimi shpirtëror, reflektohet fuqishëm në vargun poetik të Arapit dhe të Shkrelit.
Kjo lirikëe dashurisë që i përshkon poezitë e këtyre dy poetëve, ndonëse nuk shfaq vëllimshmëri, në krahasim me motivet e tjera të poezisë së tyre, zë një vend të veçantë në lirikën erotike shqipe. Nëse tek Arapi, tema e dashurisë është e pranishme që në fillimet e tij poetike, por që më vonë shkon duke u rrudhur, tek Shkreli, lirika e dashurisë zë një vend të rëndësishëm, ndonëse jo me vëllim të madh.
Duke u nisur nga ky aspekt dhe duke marrë parasysh konceptin e ndryshëm tematik dhe motivor të këtyre poetëve për dashurinë, studimi i nënshtrohet dy metodave, metodës analitike, përmes së cilës do të njihet më afër poezia e tyre erotike me të tëra elementet e saj, dhe asaj krahasimtare, që do t’i vë ballë për ballë Arapin dhe Shkrelin, qëllim ky që do të shërbejë për t’i njohur më mirë veçantitë e njërit kundrejt tjetrit. Thelbi i lirikës erotike të këtyre dy poetëve, në mënyrë përmbledhëse do të shpaloset bashkë me historikun dhe zhvillimin periodik të lirikës në përgjithësi, veçmas asaj shqipe, për të shpalosur kështu një informacion më të plotë tëlirikës erotike dhe rrugëtimit të saj nëpër kohë, si dhe vendin e caktuar të Arapit dhe të Shkrelit në të.
Studimi është i ndarë në disa kapituj: “Etimologjia e poezisë lirike, (termi, tipat, zhvillimi historik)”, “Në vend të biografisë, Arapi dhe Shkreli, Deti dhe Mali”, “Lirika e dashurisë në fillimet e krijimtarisë poetike- etapa e parë”, “Lirika e dashurisë në etapën e dytë krijuese”, “Në botën poetike erotike të Arapit”, “Një vështrim mbi mjeshtërinë dhe veçantinë krijuese të Arapit dhe të Shkrelit” dhe Përfundimi.
Tek kapitulli i parë, sikundër u cek më lart, do të shpaloset historiku i lirikës, që nga antikiteti gjer në kohët e sotme, duke u ndalur në manifestimin e lirikës erotike dhe vendin e saj në letërsinë shqipe, që nga krijimet popullore gjer tek poezia bashkëkohore; tek kapitulli i dytë, do të vihet në pah binomi deti-mali, si komponent i rëndësishëm në poezinë erotike të Arapit dhe të Shkrelit; tek kapitulli i tretë do të trajtohen fillimet e poezisë erotike të këtyre dy poetëve, gjegjësisht konceptimi dhe qasja e tyre mbi dashurinë dhe ndikimet e tyre të para; tek kapitulli i katërt do të veçohet krijimtaria poetike e Shkrelit, gjegjësisht vëllimi “E di një fjalë prej guri”; tek kapitulli i pestë poezia erotike e Arapit, elementet dhe veçantitë e saj; tek kapitulli i gjashtë do të shpalosen veçoritë e poetikës, stili, figurshmëria dhe veçantitëkrijuese të Arapit dhe të Shkrelit, si dhe pjesa e fundit e që është përfundimi.
Duke iu qasur në mënyrë sa më përfshirëse lirikës së dashurisë të këtyre poetëve, synohen të arrihen qëllime dhe rezultate të caktuara. Duke e vënë në pah fazën e parë të krijimtarisë poetike të tyre, gjegjësisht poezinë e dashurisë në fillimet e saj, dhe duke e gërshetuar, krahasuar me atë të periudhave më të mëvonshme, do të arrihet një njohje më e plotë e konceptit krijues të këtyre poetëve mbi dashurinë, të ndryshimeve dhe të zhvillimeve që do të shfaqë ky lloj i poezisë së tyre gjatë etapave krijuese të saj.
Biografi e autores
Serafina Lajçi u lind më 17.07.1989 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Vijoi studimet bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, ku aktualisht është duke ndjekur edhe studimet e doktoratës.
Interesimi i saj profesional lidhet kryesisht me veprat e autorëve romantikë shqiptarë, me fokusim tek ‘Poema romantike arbëreshe’ që është orientimi i saj kryesor në studimet e doktoratës.
Ka botuar shkrime, recensione dhe studime në gazeta e revista letrare-kulturore, brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë edhe në konferenca të organizuara ndërkombëtare për letërsinë.
Aktualisht, punon si asistente e rregullt në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë. / KultPlus.com