Amerika është në pritje të verdiktit për ish-policin, Derek Shouvin, i akuzuar për vrasjen e afroamerikanit, George Floyd.
Për tri javë, pala akuzuese solli dëshmitarë dhe ekspertë që treguan se 46-vjeçari ishte viktimë e dhunës së tepruar policore, e cila kulmoi me presionin për 9 minuta me radhë mbi organet respiratore të afroamerikanit.
Pala mbrojtëse me ekspertët e vet pretendon se Floydi ishte përdorues i ilaçeve të forta dhe se në vdekjen e tij kontribuan ato dhe faktorë si gazrat e lëshuar nga makina e policisë gjatë arrestimit.
Ish-oficeri Shouvin rrezikon 40 vite burg për akuzën e vrasjes.
Teksa gjyqit i vjen fundi, qyteti i Mineapolisit ku ndodhi ngjarja majin e kaluar po përgatitet edhe për protesta të mundshme nëse policët e pandehur do të faleshin nga anëtarët e jurisë.
Gjykatësi i çështjes ka paralajmëruar se procesi ndaj ish-policit Shouvin dhe kolegëve të tij do të zgjatë edhe pak teksa palët përgatiten të japin argumentet e fundit në favor dhe kundër tyre./ KultPlus.com
Populli shqiptar i ka përshkuar shekujt duke punuar si trim dhe i talentuar; ai kapi lartësitë e Republikës Greke, ato të Mbretit të Persisë dhe të Babilonit.
Me ndihmën e Princeshës së Maqedonisë, ata i dhanë fund pushtetit të Romës, hoqën qafe mizoritë e Tarantinit, frenuan për një farë kohe në emër të krishtërimit përparimin e shpejtë të islamit.
Ata mbrojtën fronin e Mbretit të Siçilisë, ngritën atë të Greqisë, dhe përsëri atyre kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Elva Margaritiu shpreh sot gjatë një inspektimi në sajtin kryesor arkeologjik të kryeqytetit, se kanë ndodhur zbulime të reja në zonën e Mozaikut të Tiranës.
Margariti bëri të ditur se me kërkesën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe pas miratimit të projektit të hartuar nga DRTK dhe ASHA nisën sondazhet arkeologjike në dy trase përreth zonës së Mozaikut, në anën perëndimore të tij.
“Si rezultat i gërmimeve kanë dalë në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III- fillimi i shek. IV), që përdoreshin për fermentimin e verës, e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave. Të tjera gërmime pritet të kryhen në anën jugore”, u shpreh ajo.
Pas hartimit të raportit të rezultateve të dala nga sondazhet, rasti do të shqyrtohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, ku do të vendoset nëse do të ketë gërmime arkeologjike të mëtejshme.
Mozaiku i Tiranës identifikohet si një pjesë e rëndësishme e kulturës së kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Ky projekt ka për qëllim ta bëjë këtë pikë të vizitueshme dhe t’i kthehet sërish banorëve të Tiranës dhe vizitorëve.
Zbulimi i këtij mozaiku u bë gjatë periudhës komuniste ku në vitin 1972 u mor vendimi për t’u ndërtuar një bllok banimi dhe rastësisht doli në pah kjo vepër e mrekullueshme. Ky mozaik përmban motive floreale dhe gjeometrike gjithashtu edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, sikurse janë gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit. Mozaiku gjithashtu është shembull shumë domethënës i lashtësisë urbane të këtij territori. /atsh / KultPlus.com
Kur isha e re, e kisha zakon me shiku’ përtej perdeve se si burrat ecnin lart e poshtë në rrugë. Burra të dehur, burra të vjetër burra të ri e të mprehtë I shikoja ata. Burrat gjithmonë shkojnë dikund. Ata e dinin që isha aty. Pesëmbëdhjetë vjeç dhe e uritur për ta. Poshtë dritares sime, ata pushonin, shpatullat e tyre të larta si gjinjtë e një vajze të re, e cepat e xhaketave përplaseshin mbi pjesën e pasme, Burrat.
Një ditë ata do të të mbajnë në pëllëmbë të dorës, butë, sikur ti të ishe veza e fundit e freskët në botë. Pastaj shtrëngojnë. Vetëm pak. Shtrydhja e parë është e këndshme. Një përqafim i shpejtë. Butë në pafuqinë tënde. Pak më shumë. Dhimbja fillon. Nxjerr një buzëqeshje që rrëshqet rreth frikës. Kur ajri zhduket, mendja jote kërcet, duke shpërthyer ashpër, shkurt bash siç merr flakë një shkrepëse në kuzhinë. E shkatërruar. Është lëngu yt që rrëshqet në këmbët e tyre. Duke njollosur këpucët e tyre. Kur bota kthehet prapë mbarë, dhe shija tenton të kthehet në gjuhë, trupi yt është mbyllur me kërcitje. Përgjithmonë. Asnjë çelës nuk ekziston.
Pastaj dritarja shfaqet e plotë në mendjen tënde. Atje, bash prapa perdes që lëkundet, burrat ecin. Duke ditur diçka. Duke shkuar dikund. Por këtë herë, unë thjesht do të rri dhe do t’i shoh. Ndoshta. / KultPlus.com
Maya Angelou is pictured in her home in this undated photo. (Moneta Sleet, Jr./ Ebony Collection)
Pa distancë shoqërore dhe pa maska, por me teste negative para dhe pas eventit. Kështu rreth 5 mijë njerëz do të marrin pjesë në një “koncert eksperimental” nga banda Blossoms në Sefton Park në Liverpool, më 2 maj. Kjo është një ngjarje pilot e planit të qeverisë britanike për të dalë nga pandemia.
Sipas raporteve nga Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport, pjesëmarrësit do të duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, i cili tregon rezultatin në 30 minuta, në një qendër të vendosur në vend para hyrjes.
Pjesëmarrësve gjithashtu do t’u kërkohet të marrin një test pas koncertit dhe të japin detajet e kontaktit në Sistemin Kombëtar të Shëndetit (NHS) për të siguruar që ata mund të kontaktohen në rast të rezultateve pozitive të testit.
“Një hap më afër një vere me koncerte”, tha Ministri i Kulturës Oliver Dowden .
Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se rezultatet e koncertit “do të na ndihmojnë të sigurojmë që eventet e mëdha në të ardhmen të mbahen në mënyrë të sigurt”.
Kjo ngjarje rrit më tepër shpresat e organizatorëve dhe të publikut që koncertet do të kthehen për të shpëtuar sezonin turistik që po troket. / KultPlus.com
Hijeshia dhe thjeshtësia që arti i vallëzimit reflekton ka pasuar gjithmonë me një përfundim të bukur, por zhanri i tangos kësaj here ka gjetur gjurmë në fundin e ujit 10 metra të thellë, transmeton BBC, përcjellë KultPlus.
Lëvizjet, hapat dhe kërcimet në ajër dhe në tokë, padyshim që janë madhështore në formën e tyre, por që ato të performohen nën ujë duke dhënë idenë që balerina së bashku me karrigen e saj po krijon një imazh të një krijese ujore, nëpërmjet së cilës ajo performon një kryevepër të mahnitshme nënujore.
Pikërisht kjo koreografi nën ujë është performuar nga balerina Ariadna Hafez, nën drejtimin e fotografit Bastien Soleil, duke shpalosur kështu se secila skenë është xhiruar pa asnjë ndihmë ajrore nga profesionistë të cilët mbajnë frymën për minuta të gjata.
Po ashtu, për të finalizuar këtë film është dashur që balerina dhe kameramani të zhyten plot 120 herë. / KultPlus.com
“GLASUL ALBANIEI” (Zëri i Shqipërisë) ishte një revistë politike, letrare dhe shkencore në gjuhën rumune, drejtuar nga C. Podrescu, profesor rumun.
Kjo revistë botohej në Bukuresht dhe numri i parë doli në tetor 1910.
Faqja e parë hapet me foton e Heroit Kombëtarë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe një shkrim historik për kontributin e Shqipërisë në luftën kundër perandorisë osmane.
Gjithashtu më tej shkruhet një profil i detajuar për figurën e Skënderbeut. Gjithashtu në revistë është përmendur edhe kontributi i Diasporës shqiptare në luftën kundër perandorisë Osmane.
“Rumunët dhe shqiptarët janë vëllezër gjaku” theksonte C. Predescu, profesor universitar dhe drejtor i revistës Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë), që delte në Bukuresht më 1910. C. Predescu theksonte asokohe se fjala është për lidhje farefisnore, për “degë të të njëjtit trung”, për “një simpati permanente dhe kontinuitive”, si dhe për “afrimin e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar shpeshherë filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve (Albanezii suntPărinţii Românilor).
Rumania ka qenë gjithmonë (sidomos para blasfemisë komuniste), një vend tejet i lirë dhe tejet mikpritës, madje tejet tolerant ndaj komuniteteve tjera, duke i admiruar dhe konsideruar shqiptarët si bij shqipesh që e mbajnë fjalën e dhënë dhe besën e Zotit. Shqiptarët, shkruan C. Predescu, kanë të drejtën legjitime të gëzojnë këto liri nga ana e rumunëve, si pasojë e disa arsyeve të fuqishme, të njohura dhe të stabilizuara. / Gazeta Diaspora / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu së bashku me ministrin e shëndetësisë Arben Vitia, i kanë uruar mirëseardhje mjekëve dhe stafit të organizatës amerikane ‘’Gift of Life’’, të cilët kanë dhuruar mbështetje financiare për trajtim mjekësor të 30 fëmijëve kosovarë që kanë probleme me zemër, nga një staf mjekësh amerikanë, italianë dhe kosovarë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se humanizmi i kësaj organizate dhe i mjekëve është dhuratë jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për familjet e tyre, si dhe për shtetin e Kosovës.
Tutje ajo ka treguar se organizata amerikane ‘’Gift of Life’’, ka nisur misionin e tyre të parë në pandemi, për të mbrojtur jetët e fëmijëve kosovarë, me ç’rast në mesin e stafit të organizatës ishte Bleona, vajza e cila kohë më parë ishte vetë pjesë e trajtimeve mjekësore.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:
Kur mbrohet e shëndoshet zemra e një personi, mbrohet jeta. Mbrohen frymëmarrjet, lëvizjet, mendja, idetë e aftësia për të punuar, vepruar, e kontribuar.
Bashkë me ministrin e shëndetësisë, z. Arben Vitia, i uruam sot mirëseardhje mjekëve dhe stafit të organizatës amerikane “Gift of Life”, me mbështetjen financiare të të cilëve 30 fëmijë kosovarë, të cilët kanë probleme me zemër, do të trajtohen nga një ekip mjekësh amerikanë, italianë dhe kosovarë.
Me stafin e “Gift of Life” ishte edhe Bleona që ndihmonte me përkthim. Plot jetë e shumë dinamike, ajo është njëra nga fëmijët të cilës kohë më parë vet mjekët e “Gift of Life” i kishin dhuruar jetëgjatësinë përmes këtij programi.
Humanizmi i kësaj organizate dhe i mjekëve është dhuratë jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për familjet e tyre, si dhe për shtetin e Kosovës.
Ky është misioni i parë i kësaj organizate që nga fillimi i pandemisë, por “Gift of Life” ka kryer tashmë pesë misione të tilla në Kosovë, në të cilat janë trajtuar qindra fëmijë kosovarë.
Falënderime të pafund për dr. Francesko Santoro, dr. Herbet Stern, dr. Ribera Santoro, z. Rob Raylman, drejtor i organizatës GOL, dr. Mazllum Belegu, udhëheqës administrativ i GOL për Kosovë, si dhe për stafin mjekësor vendor të udhëhequr nga dr. Bejiqi.
Përvojën nga miqtë tanë, shpresojmë ta bartim në Shërbimin Kardopediatrik në kuadër të ShSKUK-së, të cilin duhet ta kemi funksional brenda Kosovës. Gjersa, fëmijëvë tanë, i uroj nga zemra shëndet e jetë të gjatë! / KultPlus.com
Kur mbrohet e shëndoshet zemra e një personi, mbrohet jeta. Mbrohen frymëmarrjet, lëvizjet, mendja, idetë e…
”Kosova në 14 tregime kulturore-2” nga Arbër Selmani, më datë 23 prill në Ditën Botërore të Librit, duke filluar nga ora 17:00 do të promovohet në Kino Lumbardhi në Prizren, shkruan KultPlus.
Kjo do të jetë një mundësi edhe për ta takuar autorin, disa prej personazheve në libër por dhe për ta blerë librin, i cili kushton 10 euro. Ndërkaq, të gjitha fitimet nga shitja e librit do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm dhe organizatën ‘Autizmi’ në Kosovë.
Intervistat e përfshira në librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, flasin për jetën dhe punën e këtyre njerëzve: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaçi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci.
Realizimin e librit e ka ndihmuar Komuna e Prishtinës nga subvencionet e saj vjetore.
Promovimi do të mbahet duke respektuar të gjitha masat qeveritare në mbrojtjen nga covid-19.
Në Prishtinë libri gjendet në Librarinë Dukagjini, Librarinë Artini, Librarinë Buzuku, në SOMA Book Station, në Dit e Nat, në Fondacionin 17-të dhe në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Zjarri i egër është përhapur fuqishëm në kampusin pranë Universitetit të Cape Town, pikërisht në ‘Table Mountain’, me ç‘rast është prekur edhe biblioteka historike ‘Jagger’ e universitetit, duke detyruar kështu evakuimin e qindra studentëve, transmeton BBC News, përcjellë KultPlus.
Mëngjesin e së dielës zjarri ka shpërthyer pranë një memorial për politikanin Cecil Rhodes duke shkatërruar një restorant dhe mjaft ndërtesa të tjera.
Për momentin, katër helikopterë dhe më shumë se 120 zjarrfikës janë në zonë dhe po bombardojnë me ujë flakët të cilat po përhapen shpejt për shkak të erës së zjarrit, lagështisë së ulët dhe shkurret e thata.
Parqet Kombëtare të Afrikës së Jugut kanë thënë se zjarrfikësit u njoftuan në ora 09:00 me kohën lokale dhe sipas tyre do t’u duhen të paktën tre ditë për të kontrolluar flakën.
“Të gjithë studentët e UCT janë evakuuar nga kampusi nga stafi mbështetës i shërbimeve të urgjencës”, ka thënë universiteti në Twitter. Kurse banorët e zonës janë paralajmëruar që të mbyllin dritaret dhe dyert për shkak se ajri do të ndotet me tym dhe blozë.
Ndërkohë alpinistëve në Parkun Kombëtar ‘Mountain Table’, u është kërkuar që të largohen dhe shoferëve që kanë parkuar në zonë u është thënë të mbledhin automjetet e tyre.
Sipas rrethanave, ana hetuese fillestare ka supozuar se origjina e zjarrit është shkaktuar nga një zjarr endacak i liruar. / KultPlus.com
Një prej qindra mësueseve shqiptare që vazhdojnë misionin e tyre fisnik në Diasporë është edhe Drita Gjongecaj. Themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” sot për komunitetin ajo është më shumë se kaq. Ka pothuaj 5 vjet që i kushtohet edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë paralelisht e angazhuar edhe në sistemin arsimor publik në SHBA.
Mësuese Drita, profil i një mësueseje në ShBA, e vlerësuar si “Mësuesja e vitit 2014” nga AAWO, çfarë do të thotë ky vlerësim për ju?
Mësuesia mbetet një profesion i dashur për mua megjithëse u bënë shumë vite që nuk jap mësim drejtpërdrejt në klasë. Përvoja ime si mësuese dhe drejtuese shkolle në Shqipëri më dha një pikënisje të fuqishme në zgjedhjen e kahjes së karrierës këtu në vendin e ri. Përveç përkushtimit në punë dhe detyrimit profesional për t’i “pajisur” me dije nxënësit e mi, anë këto të formimit tim qysh herët, isha edhe kureshtare për të njohur metodat e mësimdhënies në Amerikë. Që në fillim pata një interes të dukshëm për t’i analizuar ato nga këndvështrimi dhe formimi im i mëparshëm në këtë fushë.
Kjo mundësoi që puna ime të japë rezultate të kënaqshme dhe të vlerësohej nga nxënësit, prindërit, kolegët dhe drejtuesit e shkollës ku punoja. Gjithsesi asnjë nga këto nuk pati efektin dhe sadisfaksionin që më dha vlerësimi “Mësuesja e Vitit 2014” nga organizata e grave “Motrat Qiriazi”. Jo vetëm për faktin që çmimi vinte nga një organizatë prestigjioze shqiptaro-amerikane. Mbi të gjitha, ishte një fill bashkues midis “dy jetëve”, realitetit të ri në ShBA dhe atë të vendlindjes që mbetet përgjithmonë pjesë e jona dhe të cilën mund ta prekja përmes kësaj organizate shqiptare.
Angazhimi juaj i përditshëm si drejtuese në arsimin publik në SHBA mbart në vetvete një investim sistematik që ka në thelb kualifikimin tuaj të cilin kemi dëshirë ta bëni prezent për lexuesit tanë; nxënës, kolegë, prindër.
Më vjen mirë që e quan investim sistematik. Kjo do të thotë që megjithëse jetojmë në vendin e mundësive, asgjë nuk arrihet pa një punë të gjatë, të lodhshme, sistematike. Duke marrë si pikënisje shkollimin në Fakultetin Filologjik të Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi si dhe përvojën në fushën e arsimit në Shqipëri, vendosa ta gjej veten në të njëjtën fushë edhe këtu në Amerikë. Fillimisht plotësova kreditet e nevojshme për njësimin e diplomës së Tiranës me atë të New Yorkut dhe menjëherë pas kësaj, përfundova programin e masterit shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages-TESOL). Me të përfunduar këtë, m’u ofrua një bursë falas në studime pasuniversitare nga “Bank Street College of Education”. Ky program dhe eksperienca nga aktivitetet e shumta që departamenti i arsimit ofron për zhvillimin profesional të mësuesve, çuan në përzgjedhjen time si drejtuese metodike në shkollën ku punoja.
Më pas, u përfshiva në një master tjetër për Drejtim dhe Administrim shkollash, mora licencimin e plotë dhe prej 10 vjetësh jam z/v drejtore shkolle.
Ka pothuaj 5 vjet që ju i kushtoni një pjesë të kohës tuaj javore edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë, si shkon ky proces?
Gjithmonë më ka shoqëruar një ndjenjë përgjegjësie për të bërë ç’të jetë e mundur në ndihmë të atyre në nevojë. Shqiptarët jashtë atdheut hyjnë në këtë kategori përsa i përket gjuhës. Me një kualifikim të dyfishtë nga Shqipëria dhe Amerika, kam dashur që ajo çka mund të ofroj t’u vihet në dispozicion edhe njerëzve tanë. Me ndryshimin drastik që na diktoi koha, ne si grup i “Children of the Eagle” ua ofruam mësimin online nxënësve të shkollës shqipe qysh në prillin e kaluar, gati paralelisht me mësimin në shkollat publike. Duke qenë në punë të rregullt në shkollat publike, mësuesit tanë kanë fatin të marrin ndër të parët kualifikim bashkëkohor; kjo ndodhi edhe me mënyrat e mësimit online që ne i vumë menjëherë në përdorim me klasat shqipe. Përveç mësimit në distancë ne kemi edhe dy klasa që zhvillohen fizikisht në ambientet e Federatës Vatra, në grupe të vogla sipas kushteve të sigurisë shëndetësore. Më shumë se çdo leksion, ambienti i pasur i Vatrës shekullore u mëson fëmijëve historinë; dera e hapur e saj u mëson mikpritjen tradicionale shqiptare, etj.
Cilat janë disa nga veprimtaritë përmes të cilave AADLC dhe Shkolla shqipe “Children of the eagle” bëhet prezente në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan?
Ka një larmi aktivitetesh të cilat janë kthyer në traditë për shkollën tonë shqipe dhe ku pjesëmarrja e prindërve por edhe e komunitetit është e pranishme. Mund të përmend programet për ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, festivalin e shkollave shqipe, Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, përshëndetjet në seminaret e gjuhës, etj. Me shumë vlerë janë edhe vizitat e organizuara në institucione a ambiente shqiptare siç ishte ajo në Misionin e Kosovës në NY, etj.
Prej pothuaj 5- vjetësh ju organizoni Seminarin e përvitshëm “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë”, çfarë ka sjellë vit pas viti kjo veprimtari shumëplanëshe?
Seminari shkencor-arsimor organizohet nga shoqata Albanian American Dual Language & Culture (AADLC). Tashmë seminari është kthyer në një traditë, në një forum ku shpalosen referate shkencore, metoda dhe përvoja konkrete nga puna direkte me nxënësit, si dhe arritje të shkollave e organizatave me të cilat ndajmë të njëjtin mision. Me fjalë të tjera, ai ka hapur rrugën për forcimin e rrjetit profesional të mësuesve, një bashkërendim të përpjekjeve të mësuesve, specialistëve, veprimtarëve të komunitetit, prindërve, etj. duke pasur si synim përsosjen e mëtejshme dhe rritjen e efektivitetit të mësimdhënies e mësimnxënies së gjuhës shqipe në Diasporë.
Përveç prurjeve me vlerë, i kemi kushtuar kujdes edhe vendit ku ai zhvillohet. Seminari i I-rë u mbajt në ambientet e Federatës Vatra, për vetë faktin se për Diasporën e Amerikës ajo është simboli i propagandës për çështjen kombëtare dhe gjuhën shqipe. Seminari i II-të solli më shumë bashkëpunim dhe dua të përmend këtu bashkë-organizimin e tij në lidhje të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në NY dhe u mbajt pikërisht në ambientet e kësaj Konsullate.
Duke iu përshtatur kushteve të diktuara, në shtator 2020, kur veprimtaritë ishin pothuajse plotësisht të paralizuara nga Covid-19, ne organizuam online seminarin e radhës me pjesëmarrje nga vende të tri kontinenteve.
Në janar 2021, ky aktivitet profesional u shndërrua në konferencë virtuale tre-ditore e fokusuar në përdorimin e platformave të mësimdhënies online për mësuesit e diasporës. Ishte një realizim koherent, kualitativ, dhe gjithëpërfshirës. Pjesëmarrësit e shumtë nga një mori shtetesh brenda dhe jashtë Amerikës e vlerësuan konferencën dhe shprehën nevojën për veprimtari të tjera të kësaj natyre si nevojë për përgatitjen e tyre për mësimin në distancë.
Si fëmijë, unë lexoja shumë dhe kjo më ka ndihmuar t’u kushtoj vëmendje detajeve. Në shkollë shpeshherë ndihmoja shokët e shoqet me ndonjë detyrë dhe dëgjoja të thoshin se unë “i zbërthej” të panjohurat në mënyrë të kuptueshme duke u bërë në mënyrë instiktive “mësuese”. Megjithëse preference ime ishte një degë tjetër, m’u dha e drejta e studimit për mësuesi, fushë ku e gjeta veten plotësisht të angazhuar. Duke parë progresin te nxënësit, duke përjetuar ngazëllimin e tyre kur aplikojnë çka kanë mësuar, vetëbesueshmërinë që rritet dita-ditës në sajë të kujdesit të mësuesit, ndjehesh mirë dhe rikonfirmon rëndësinë e rolit që ke. Mesa duket, kjo ka ndikuar edhe te të dy fëmijët e mi që janë mësues të shkollës së mesme në arsimin publik të New Yorkut. Që të dy janë të angazhuar edhe me shkollën shqipe “Children of the Eagle” dhe organizatën AADLC qysh në fillimet e saj.
Si e shikoni përdorimin e gjuhës shqipe në 20 vitet e ardhshme duke qenë se kontaktoni fëmijë por edhe prindër të rinj?
Në krahasim me dy-tre dekada më parë, prindërit shqiptarë, të paktën këtu në SHBA, janë më të interesuar për t’i angazhuar fëmijët me mësimin e shqipes. Ka ikur ajo frika se mos fëmija mbetet pas me anglishten po mësoi edhe shqip. Ajo që vihet re më shumë këto kohë është mendimi se prindërit mund t’ua mësojnë vetë shqipen fëmijëve. Përvoja ka treguar se roli i familjes është kyç, por në mbështetje të programeve shkollore dhe se shkolla është institucioni ku gjuha mësohet në nivele të tjera. Përndryshe përpjekjet mbeten sporadike dhe gjuha mbetet në nivelet e së folmes së përditshme, larg asaj akademike që nevojitet për t’iu përgjigjur zhvillimit aktual shoqëror, teknologjik dhe ekonomik.
Me rëndësinë që po merr dy-gjuhësia në përgjithësi dhe përfitimet në nivelin personal por edhe atë të identitetit kombëtar, unë e shoh me optimizëm të ardhmen e përdorimit të shqipes. Më shumë se asnjëherë tjetër shohim organizata dhe shkolla shqipe si dhe bashkëpunim në shërbim të ruajtjes së gjuhës e traditës. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Një testim i motoçikletës nga Nasa të hënën do të zbulojë nëse helikopteri i vogël i titulluar ‘Ingenuity’, do të jetë i pari që do të fluturojë në një planet tjetër, shkruan BBC, përcjell KultPlus.
Pikërisht ky helikopter ka udhëtuar edhe më herët në muajin shkurt me destinacion në planetin Mars brenda roverit të Nasa’s ‘Perseverance’, dhe peshon rreth 1.8 kg. Por, tani do të nevojiten disa orë për rezultatin final nëse ky projekt ka funksionuar.
Sipas reporterit të shkencës në BBC, Laura Foster dhe inxhinieres së sistemeve Nasa, Farah Alibay, fluturimi në Planetin e Kuq nuk është i thjeshtë. / KultPlus.com
Tash më shumë se kurrë, bota është e lidhur aq ngushtë me teknologjinë, pandemia veçsa e ka theksuar varësinë ndaj teknologjisë e kryesisht rrjeteve sociale, shkruan KultPlus.
Jetët e secilit po funksionon në mënyrë virtuale, duke bërë kështu që kënaqësitë e botës reale të zbehen çdo ditë e më shumë.
KultPlus ju sjell disa ilustrime që e shfaqin botën e ditëve të sotme. / KultPlus.com
Një ankand ku u shitën disa nga sendet personale të Adolf Hitler, ishte një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit në Australi.
8 sende që i përkisnin drejtuesit të nazistëve u shitën për shifra të konsiderueshme në ankandin e Sendeve të Vjetra Ushtarake në Morley, në verilindje të Perth.
Mes tyre binin në sy një kuti duhani dhe një krehër të përdorura nga Hitleri që u shitën respektivisht për 29 mijë dhe 19 mijë dollarë.
Ankandi u dënua ashpër nga shumë njerëz të cilët e konsideruan atë si një glorifikim të regjimit të një prej diktatorëve më të ashpër në glob. / Gazeta express / KultPlus.com
Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.
Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com
Me shënimin e Ditës Botërore të Librit, Qendra Multimedia organizon promovimin e dy librave si: “Me ekzistu është vetë kuptimi” nga Sibel Halimi dhe “Mjegulla” nga Dhurata Hoti, të cilat janë botuar vitin e kaluar, shkruan KultPlus.
Ndërsa, pas promovimit të librave të pranishmit do të kenë mundësi të diskutojnë rreth prozës, poezisë dhe letërsisë në përgjithësi dhe mënyrën se si pandemia COVID-19 ka ndikuar në letërsinë në rajon dhe punën e grave krijuese të kësaj fushe.
Po ashtu, në këtë ngjarje do të promovohet edhe puna e rezidentes Katarina Saric, e cila është pjesë e programit të shkrimtarëve në rezidencë “Prishtina nuk ka lumë”.
Ngjarja do të përmbyllet me leximin e fragmenteve nga puna e këtyre shkrimtareve: Sibel Halimi, Katarina Saric dhe Dhurata Hoti, nën moderimin e Aurela Kadriut nga Qendra Multimedia.
Kjo ngjarje e cila mbështetet nga traduki, do të mbahet më 23 prill në orën 18:00 në Teatrin Oda, kurse pjesëmarrja fizikë në këtë ngjarje është e lejuar por gjithmonë duke respektuar masat mbrojtëse. / KultPlus.com
Të premten e javës së kaluar, Xheraldina Maria e cila para pesë viteve humbi vajzën e saj Rebeka Rexhepin në betejë me kancerin, ka dhuruar pesë drunj bliri në lagjen Dardania, lagje kjo në të cilën edhe është rritur Rebeka, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës në rrjetin social Facebook.
”Të premtën, 5 drunj bliri janë dhuratë nga Xheraldina Maria për parkun në lagjën Dardania ku edhe është rritë Rebeka. Kujdesi dhe rritja e drunjëve do të bëhet në kujtim të saj”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Të premtën, 5 drunj bliri janë dhuratë nga Xheraldina Maria për parkun në lagjën Dardania ku edhe është rritë Rebeka.
Kujdesi dhe rritja e drunjëve do të bëhet në kujtim të saj.
#prishtina💚
Lista e plotë e fituesve të “Academy of Country Music Awards 2021” (ACMs) tashmë është publikuar, përcjell KultPlus.
Duke shënuar një nga netët më të mëdha të vitit në muzikën ‘country’, super yjet e industrisë Keith Urban dhe Mickey Guyton mirëpritën evenimentin të zhvilluar në disa vende të ndryshme si: Nashville, Grand Ole Opry House, Ryman Auditorium dhe Bluebird Cafe për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Mbrëmja po ashtu shfaqi yjet e tjerë si Carrie Underwood, Maren Morris, Miranda Lambert, Blake Shelton etj.
Një javë më parë u shpallën dy fitues: Gabby Barrett dhe Jimmie Allen, të cilët fituan për ‘artistin më të mirë’ dhe artisten më të mirë femër’.
Ndërkaq, “I Hope You’re Happy Now” e Carly Pearce dhe Lee Brice u emërua ‘Ngjarja muzikore e vitit’.
Këtu ua sjellim fituesit kryesorë të mbrëmjes madhështore:
“Argëtuesi i vitit” – Luke Bryan
“Artistja femër e vitit” – Maren Morris
“Artisti mashkull i vitit” – Thomas Rhett
“Dyshja më e mirë e vitit” – Dan+Shay
“Grupi i vitit” – Old Dominion
“Artistja e re femër e vitit” – Gabby Barrett
“Artisti i ri mashkull i vitit” – Jimmie Allen
“Albumi i vitit” – “Starting Over” i Chris Stapleton
“Kënga solo e vitit” – “I Hope You’re Happy Noë” nga Carly Pearce dhe Lee Brice
“Kënga e vitit” – “The Bones” nga Maren Morris
“Videoja muzikore e vitit” – “Worldwide Beautiful” nga Kane Brown
“Ngjarja muzikore e vitit” – “I Hope You’re Happy Now” nga Carly Pearce dhe Lee Brice. / KultPlus.com
Ditën e djeshme u bë e ditur se Uta Ibrahimi përfundoi ngjitjen në majen Annapurna, ndër majat më të rrezikshme në Himalaje, duke u bërë kështu alpinistja e parë shqiptare që ngjiti atë maje, shkruan KultPlus.
Sot, përmes një postimi në faqen zyrtare, MKRS ka uruar Ibrahimin për punën e saj të madhe, përkundër vështirësive.
”Uta e majave të maleve!
Uta Ibrahimi ka përfunduar ekspeditën e ngjitjes në majën Annapurna me lartësi 8091m, e cila është ndër majat më të rrezikshme për ngjitje në Himalaje, Nepal.
E përgëzojmë Utën për përfundimin e kësaj ekspedite sfiduese. Ekspedita e saj ishte disaditore dhe përkundër vështirësive gjatë ngjitjes – ajo nuk u dorëzua. Me këto suksese Uta bëhet alpinistja e parë shqiptare që ngjitet në Annapurna.
Alpinistja synon të ngjitë 14 majat e Himalajave me lartësi mbi 8000m. Kjo ishte maja e gjashtë që Uta e ka ngjitur në kuadër të nismës së saj.
Utës i urojmë shumë suksese në ngjitjet e ardhshme”, thuhet në postimin e MKRS. / KultPlus.com
“Love”, filmi shqiptar me regji të Dionis Papadhimitrit është vlerësuar me 6-të çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga Gentian Zenelaj, i cili njëherit është edhe protagonist në film. Ai ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjete sociale.
Ka fituar çmimin “Filmi më i mirë me metrazh të gjatë”, “Regjisori më i mirë, Dionis Papadhimitri”, “Skenari më i mirë”, “Aktori më i mirë dytësor, Gentian Zenelaj”, “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. Aktori shprehet i lumtur në rrjete sociale, ku ka shkruar: “Sensacionale. Gjashtë Çmime për LOVE, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinia Veriore, SHBA.”
Filmi flet për një burrë pas të dyzetave që kthehet për të kërkuar qetësinë në Tiranë. I lodhur nga bashkëjetesa, personazhi Geri kërkon të takojë miqtë dhe mbase të gjejë dhe dashurinë. Filmi sjell me nota komike realitetin shqiptar të viteve të fundit. / KultPlus.com
Një violonçelist dhe producent i koncerteve klasike, Gauthier Herrmann, njoftoi se kishte filluar sot një tur prej 900 kilometrash, nga rajoni parizian në Provence, për të mbrojtur rikthimin e spektakleve skenike.
“Nisja u bë në orën 10:00″ që prej Montgeron (Essonne), në repsektim të plotë të detyrimeve shëndetësore”, theksoi një zëdhënës i operacionit, i quajtur “unë vrapoj për kulturën”.
Katër persona, mes të cilëve dhe një person me aftësi të kufizuara në biçikletë, morën pjesë në këtë nismë përkrah Herrmann dhe synojnë ta shoqërojnë gjatë gjithë udhëtimit të tij deri në Aix-en-Provence (Bouches-du-Rhône), programuar për 13 ditë.
“Kjo sfidë është greva ime e urisë. Unë po marr përsëri kontrollin mbi të ardhmen time, po rimarr lirinë për të lëvizur, zgjedh të shkoj përpara duke mbështetur artistë në të gjithë Francën”, theksoi Herrmann në vendin e operacionit.
Gara do të bëjë të mundur mbështetjen e projekteve kulturore dhe do të shoqërohet nga tre koncerte përgjatë rrugës. /atsh/ KultPlus.com
Ylli 27-vjeçar i muzikës pop, Justin Bieber, do ta ketë një paraqitje të vogël në shoun ribashkues “Friends”. Këngëtari është bindur nga producentët e këtij projekti special që ta vesh kostumin e famshëm të personazhit Ross Geller, të njohur me emrin ‘Spudnik’ e që në fakt është një patate.
Kështu, Bieber do të jetë pjesë e një episodi të shout ikonik të cilin publiku ka kohë që po e pret të rikthehet në ekran.
“Justin ishte i nderuar që është bërë pjesë e këtij projekti dhe nuk i ka penguar se i është dashur ta vesh këtë kostum qesharak”, citohet të ketë thënë një burim për gazetën “The Sun”, transmeton KultPlus.
Në episodin në fjalë, Bieber do të luajë krahas aktorëve Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matthew Perry, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer, të cilët i përsërisin rolet e tyre të serialit ikonik.
Angazhimi i këngëtarit në këtë projekt special po konsiderohet një arritje e madhe për shefat e platformës “HBO Max”, të cilët më herët janë detyruar t’i shtyjnë disa herë xhirimet e serialit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në nëntor të vitit të kaluar u bë i ditur lajmi se një ribashkim i plotë i ekipit të serialit së popullarizuar është në realizim e sipër, me qëllim të festimit të 25-vjetorit të publikimit të “Friends”, që është një prej projekteve më të suksesshme televizive që u transmetua nga viti 1994 deri më 2004, si dhe i përfshinte mbi 200 episode.
Seriali “Friends” Ajo i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green dhe Phoebe Buffay. / KultPlus.com
Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka në një lidhje direkte nga Lisbona në “Ekipi A“, ka folur për arritjen e Kosovës në Xhudo në Kampionatin Evropian.
Në këtë kampionat, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar medalje të Artë,ndërsa Nora Gjakova ka arritur të fitojë medaljen e bronzt.
Ai ka njoftuar se Majlinda Kelmendi do të marrë pjesë në Lojrat Oplimpike në Tokio./atv/ KultPlus.com