Arnold von Harff: Kështu e fliste Skënderbeu gjuhën shqipe

Arnold von Harff, një kalorës, udhëtar dhe shkrimtar gjerman, u lind rreth vitit 1471 në një familje fisnikësh në Rhinelandin e poshtëm (Harffi mbi Erft, një fshat në veriperëndim të Këlnit).

Në vjeshtën e vitit 1496, ai u nis në një udhëtim, me sa duket pelegrinazh drejt Tokës së Shenjtë, udhëtim i cili e çoi në Itali, përgjatë bregdetit të Adriatikut deri në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi e Vogël, dhe më pas në kthim, në Europën Qendrore deri në Francë dhe Spanjë…

Gjatë rrëfimit të tij, ai ofron fjalorë të shkurtër të fjalëve dhe shprehjeve në kroatisht, shqip, greqisht, arabisht,hebraisht, turqisht, hungarisht, gjuhën baske dhe bretone.

Këto përbëjnë ata që mund të quhen fjalorë thelbësorë xhepi për udhëtarët, që zakonisht përfshijnë fraza të tilla si: “Mirëmëngjes”, “Sa kushton kjo?”, dhe “Grua, a mund të fle me ju?” Kjo pyetja e fundit mungon në fjalorin në gjuhën shqipe, nuk dihet për ç’arsye.

Ishte gjatë ndalesës së tij në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, teksa po lundronte në bordin e një anije tregtare nga Venecia në Aleksandri, që ai hodhi në letër 26 fjalë dhe 12 numra në shqip, tetë fraza, të cilat përbëjnë një prej rregjistrimeve më të hershme

Por si flitej shqipja në kohën e Skënderbeut. Ja fjalët që na sjell gjermani Arnold Van Harff.

Boicke-Bukë

Vene-Verë

Oie-Ujë

Mische-Mish

Jat-Djath

Foeie-Vezë

Oitter-Uthull

Poylle-Pulë

Pyske-Peshk

Krup-Kripë

Myr-Mirë

Kycge-Keq

Megarune-Me ngrënë

Pijnë- Me pi

Tauerne-Tavernë

Geneyre-Burrë

Groëa-Grua

Denarye-Para

Sto-Po

Jae-Jo

Criste-Zot

Dreck-Djall

Kijrij-Qiri

Kale-Kalë

Elbe-Elb

Fijet-Me flejt

Mirenestrasse-Mirëmëngjes

Myreprama-Mirëmbrëma

Meretzeën-Mirësevjen

Laf me kmijss-Më laj këmishën

Nea-Një

Dua-Dy

Trij-Tre

Quater-Katër

Pessa-Pesë

Jast-Gjashtë

Statte-Shtatë

Tette-Tetë

Nantë-Nëntë

Dieta-Dhjetë

Nijtgint-Njëqind

Nemijgo-Njëmijë. / KultPlus.com

Intelektualja shqiptare

Poezi nga Petraq Kolevica

O grua intelektuale shqiptare!
Sa himne mund të thuren për ty!
Poezia, piktura, muzika, simfonia,
nuk t’i këndojnë dot ato vetija
ty, që lexon e mëson duke larë e
shpëlarë, duke të qarë fëmia.
Ty, që jep provime, mbron tema,
doktorata, me orë të ngrëna nga nata.
Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në
dorë, gjellën duke trazuar.
Mbete duke nxituar për të shkuar 
në punë, në Institut, në zyrë.
Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh,
të shihesh në pasqyrë.
Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës
ndal e ble ç’arrin të gjesh.
Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban
edhe rrjetën me presh…
Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar,
të shkolluar,
kërkojmë këmishë të kollarisur,
kostum të varur në kremastar,
shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar.
Po, kur s’i gjejmë kështu,
i varim buzët të inatosur dhe prej asaj
buze lëshojmë romuze.
Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan
dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh.
Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë.
Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate
dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate,
këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…

Vjeshtë, 1980 / KultPlus.com

Historia e fshatit unik në Bullgari ku shqipja ruhet prej 500 vitesh

Diaspora shqiptare në Bullgari kanë pasur kontribut të çmuar për Rilindjen shqiptare, për zhvillimin e kulturës dhe të edukimit shqiptar. Nëpër arkivat bullgare ka mjaft informacione për praninë e shqiptarëve në trojet bullgare që datojnë që nga Mesjeta.

Në këtë material përshkruhen shkurtimisht ngjarjet dhe personalitet kryesore të diasporës shqiptare në Bullgari mbi bazën e burimeve bullgare dhe osmane. Vëmendja është përqendruar mbi vendbanimet shqiptare, mbi koloninë shqiptare në Sofje, mbi fshatin shqiptare në Bullgarin e sotme -Mandrica, si edhe mbi veprimtarinë e disa shqiptarëve në Bullgari me rendësi të madhe për zhvillimin e kulturës shqiptare.

Vendbanimet shqiptare në viset bullgare

Shpërngulja e shqiptarëve në trojet e Bullgarisë së sotme ka një histori të gjatë. Ekzistojnë burime me karakter legjendar që datojnë ardhjen e shqiptarëve në Bullgari në kohën e mesjetës (Sipas Paisij Hilenderskit, shqiptarët e pare kanë mërguar në Bullgarin lindore në fund të shekullit X.

Në: Райков, Б. Паисевият ръкопис на „История славянобългарская” 1762. София, 1989, с. 71.). Faktet e para të regjistruara për mërgimin e shqiptarëve në territoret banuara me bullgarë janë nga koha e sundimit osman (Българската държавност в актове и документи, съст. В. Гюзелев, София, 1981, с. 121.). Sipas historianëve bullgarë, kolonia e parë shqiptare është kjo në fshatin Kopilovci, në veriperëndim të Bullgarisë (Гюзелев, Боян. Албанци в Източните Балкани. София, 2004, с. 91.).

Bojan Gyzelev citon episkopin katolik Petër Bogdan Bakshiç, i cili shkruan në vitin 1640: “Katolikë ka 1200 vete, fëmija 360, mund të them me kombësi shqiptare, sepse kanë ardhur prej kohësh nga Shqipëria dhe deri tani e ruajnë këtë gjuhë”. Ka pasur edhe pak shqiptarë katolikë në disa fshatra të tjera në këtë pjesë së vendit. Pas kryengritjes kundër sundimit osman në vitin 1688, popullsia e kësaj zone është vënë mbi reprezaljet e forta osmane dhe 1/3 ka humbur jetën ndërsa të tjerat kanë mërguar në Valahi dhe në Transilvani. Të gjitha vendbanimet janë shkatërruar dhe plotësisht të djegur.

Shumë më gjatë zhvillohet historia e shqiptarëve ortodoks në Bullgarinë qendrore dhe lindore. Afër kryeqytetit mesjetar bullgar Tërnovo edhe sot ekziston fshati Arbanasi me arkitekturën e tij unike. Ka mjaft dokumente osmane nga shekujt XVІ – XVІІІ në të cilat përshkruhet hollësisht popullsia e kësaj fshati. Sipas një prej hipotezave, pas fushatës ushtarake të sulltanit Bajazid ІІ në vitin 1492 në Shqipërinë jugore shqiptarët kanë mërguar në Bullgari për t’u shpëtuar nga dhuna.

Dokumentet pohojnë që popullsia e fshatit ka qenë në rritje dhe në vitin 1660 në këtë fshat kanë jetuar afër 5000 njerëz kryesisht shqiptarë (Димитров, Страшимир. Бунтовни движения в Търновско и Източна България по време на Чипровското въстание. 1988, с. 39.). Përparësia e Arbanasit në këtë periudhë është në statutin e privilegjuar në Perandorinë osmane – kanë ruajtur rrugën kryesore drejt Tërnovos dhe kanë paguar më pak tatime. Në shekullin XVІІІ për shkak të problemet e brendshme në Perandorinë osmane, fshati dhe tërë rajoni janë në rënie të vazhdueshme. Pas shkatërrimit e fundit në vitin 1798 popullsia e tij ka shkuar kryesisht në Bukuresht.

Por, përveç emrin e fshatit, lidhja me shqiptarët është ruajtur edhe me stilin arkitekturor, i cili ka paralele të qarta me Shqipërinë e Jugut. Krahasimi midis shtëpive në Arbanasi dhe këtyre në Gjirokastër dhe në Berat dëshmojnë për ngjashmërinë e njëjtë. Sipas disa shkencëtarë shqiptarë edhe ikonografia (v. 1561) në kishën “Shën Gjergj” në Arbanasi është bërë nga Nikola biri i Onufrijt nga Elbasani (Gyzelev, B. Vep.epërm., f, 117.). Kjo dëshmon se edhe në këtë kohë ka pasur kontakte midis Shqipërisë dhe Arbanasit.

Shqiptarë ortodoks kanë banuar edhe në disa fshatra të tjerë në Bullgarinë Verilindore. Në vendin e parë ka qenë fshati Çervena Voda (Uji i kuq). Edhe për këtë fshat ka dokumente osmane nga shekulli XV. Shumë njerëz sipas regjistrave kanë emra shqiptarë – Letrizi, Beko, Leka, Bika, Dede etj. Këtë fshat ka qenë me rëndësi të madhe dhe për këtë fakt dëshmon edhe rezidenca e episkopit ortodoks në të.

Nëpër Çervena Voda kanë kaluar shumë udhëtarë perëndimorë, të cilët kanë lërë përshtypjet e tyre mbi popullsinë e rajonit dhe për jetën e saj. Sipas tyre në këtë fshat kanë banuar mbi 1600 njerëz në fillimin e shekullit XVІІ. Por luftërat e shumta dhe sulmet plaçkitëse prishnin jetën e popullsisë dhe pas luftës ruso-turke në vitet 1806-1812, banorët e këtij fshati kanë mërguar në Valahi dhe fshati digjej plotësisht në vitin 1811.

Fshati Poroishte (në turqisht Arnautkjoj) është regjistruar për herë të parë në periudhën 1544-1555 dhe emrat e disa prej tatimpaguesve kanë qenë shqiptare – Andrie, Gin, Leka etj. Banorët e fshatit kanë qenë çliruar nga disa pagesa tatimore sepse kanë punuar tokat e Vezirit të madh Ibrahim Pasha. Elementi etnik shqiptar vërehet nga disa udhëtarë të huaj. Kështu austriaku Kindsperg shkruante: “…kemi ardhur në këtë fshat të bukur…banuar vetëm me shqiptarë dhe për këtë arsye quhet Arnautkjoj” (Немски и австрийски пътеписи за Балканите XVІІ – средата на XVІІІ век. София, 1986, с. 145.). Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se Poroishte ka qenë një qendër të rëndësishme të tregtisë dhe të zejtarisë. Ka pasur katër kisha dhe një shkollë. Krahasimi me planin arkitekturor të kishave nga Arbanasi dhe nga Poroishte pohon se ato kanë qenë ndërtuar prej të njëjtave mjeshtra ose këta mjeshtra kanë një prejardhje të përbashkët. Sipas dokumenteve osmane Poroishte është ngritur më vonë sesa Arbanasi dhe Çervena Voda. Ndoshta pjesa me e madhe e popullsisë e ka lëshuar vendlindjen e vet pas një kryengritjeje pa sukses por edhe pastaj fshati zhvillohet mirë para se të shkatërrohet krejtësisht në vitin 1810 si edhe shumë vendbanime të tjera. Kanë mbetur vetëm disa familje shqiptare të cilat janë asimiluar në fillim të shekullit XX nga shumica dërmuese bullgare.

Shqiptarët nga dy fshatra të tjerë, Dobrina dhe Devnja (afër Varnës), kanë ruajtur identitetin shqiptar por nga dy shekuj banojnë jashtë Bullgarisë – në Ukrainën e sotme. Edhe ata mërguan nga trojet bullgare në fillim të shekullit XІX por kanë shkuar në Perandorinë Ruse bashkë me bullgarët dhe atje kane marrë tokë nga pushteti rus. Fshati i tyre quhet Karakurt dhe gjuha e shqiptarëve të Ukrainës është dëshmia e vetme për të folmen e shqiptarëve nga Bullgaria Veriore dhe Verilindore. Vendosja e shqiptarëve në rajonin e Varnës ndoshta ndodhej në vitet e fundit të shekullit XVІІ. Origjina e shqiptarëve në Devnjë, si në disa fshatra të tjerë (Staroselec) në këtë rajon, ndoshta është nga fshati më i madh Dobrina (Gyzelev, B. Vep.epërm., f, 154.). Ka fakte se shqiptarët nga Çervena Voda, por ndoshta edhe nga fshatra të tjerë, kanë filluar veprimet kryengritëse në vitin 1594. Edhe shqiptarët nga rajoni i Tërnovos kanë qenë gati të mblidhnin 1500 kalorës në përkrahje të transilvanëve (Българската държавност, с. 118.).Shumë shqiptarë merrnin pjesë në veprimet luftarake të vojvodës së Valahisë Mihaj në periudhën 1595-1602. Ka shumë dokumente, të cilat dëshmojnë për pjesëmarrjen e shqiptarëve në lëvizjen kaçake të periudhës. Çetat shqiptare kanë korrur shumë fitore kundër osmanëve dhe kanë një kontribut të çmuar për lëvizjen çlirimtare bullgare të epokës. Shqiptarët kanë qenë shumë aktiv për disa arsye: ata kanë qenë të lidhur për shkak të tregtisë me Valahi, Transilvani, Dubrovnik dhe kanë njohur planet e huaj për luftërat kundër osmanëve; në përgatitjet kryengritëse shumë aktiv kanë qenë priftërinjtë ortodoks dhe fshatrat shqiptare kanë qenë qendra të rëndësishme për jetën shpirtërore të krishterëve; shqiptarët kanë pasur mjaft armë dhe përvojë ushtarake parasysh statutin e tyre si dervengjinj (Rojtarë të rrugëve dhe të grykave malore.). Edhe në luftën osmano-austriake të viteve 1683-1699 shqiptarët morën pjesë. Qindra shqiptarë i janë bashkëngjitur ushtrisë austriake. Shqiptarët janë përfshirë në mënyrë masiv edhe në luftërat ruso-turke dhe pas vitit 1812 ata praktikisht kanë mërguar nga viset bullgare bashkë me trupat ruse.

Fshati i Mandricës

Shqiptarët nga territoret në jugun e Bullgarisë kanë një fat tjetër. Për arsye të njëjta, si edhe bashkëkombësit e tyre në Bullgarinë Veriore, shumë shqiptarë kanë gjetur strehë në viset bullgare në rajonin e Adrianopojës. Në këtë rajon, nën sundimin osman deri 1912, ka banuar një popullsi të përzier – bullgarë, shqiptarë, turq dhe grekë. Ka pasur 8 koloni shqiptare dhe p.sh. Fan Noli është nga fshati Ibriktepe të Adrianopojës. Pas luftërave ballkanike në vitet 1912-1913 ka shumë masakra dhe shpërngulje dhe shqiptarët shkrihen dhe asimilohen. Ka mbetur vetëm një fshat me popullsi shqiptare në këtë zonë – Mandrica në Bullgarinë e sotme. Ky fshat provokon shumë interesin e studiuesve bullgarë dhe shqiptarë. Për shembull, në fund të tetorit të 2009 u zhvillua një ekspeditë filologjike-etnologjike në fshatin e vetëm shqiptar në Bullgari – Mandrica. Organizatore e saj ishte profesor Petja Asenova nga Universiteti i Sofjes, pedagoge në fushën e gjuhësisë ballkanike. Në ekspeditën morëm pjesë tri studente nga dega e Ballkanistikës – Anna Kapitanova, Darina Felonova dhe Sllaveja Nedelçeva. Kjo ishte ekspedita e dyte e organizuar nga Universiteti i Sofjes në Mandricë. Nga të dyja ekspedita kanë bërë hulumtime mbi gjendjen bashkëkohore të shqiptarëve nga Mandrica dhe ashtu është vazhduar tradita e studimeve të gjuhës, të jetës dhe të historisë së fshatit. Mandrica gjendet në pjesën juglindore të maleve Rodopa dy kilometra larg kufirit bullgaro-grek dhe disa kilometra larg kufirit me Turqinë. Sipas Dhimitër Shuteriqit, (Shuteriqi, Dhumitër. Fshati shqiptar i Bullgarisë, Mandrica. Studim dhe Tekste.Në: Studime Filologjike, 1963, №1, f. 103-141.) Mandrica u themelua pas luftës ruso-turke të viteve 1766-1769, nga shqiptarë të rajonit të Korçës, posaçërisht të Vithkuqit. Sipas legjendës vendase, fshati është krijuar në kuadrin e Perandorisë Osmane një shekull më parë nga disa çobanë ortodoksë shqiptarë. Ushtria osmane u ka lejuar të marrin një nga copë toke, ku të prodhojnë produkte qumështi, me të cilat ta furnizojnë atë, dhe për këtë shkak të mos paguajnë taksa (Kapitanova, Anna. Ekspeditë shkencore 27-30 tetor 2009.). Emri i fshatit vjen nga fjala bullgare me origjinë turke “mandra” që në shqip do të thotë “baxho”. Mund të propozohet me siguri se gjatë shekullit XVIII shumë shqiptarë nga rrethinat e Korçës erdhën në Mandricë, kurse një shekull më vonë fshati u bë vendbanimi i shqiptarëve nga rajoni i Sulit, që tashmë ndodhet në Greqi. Pas Luftërave Ballkanike kufiri bullgaro-grek kaloi nëpër fshat dhe një pjesë prej tij mbeti në territorin e Greqisë. Sot atje është i njohur një fshat tjetër që mban emrin Mandres (Μάνδρες). Sipas rrëfimeve të një prej plakave, Evdokija Moskova, fshati Mandres është krijuar në Greqi në vitin 1914. Ajo ka treguar se gjatë Luftës së Dytë Ballkanike në rajonin e Mandricës erdhi bashibozuku. Ajo kishte marrë vesh për vendimin e bashibozukut dhe arriti të paralajmëronte të gjithë. Kështu burrat dhe djemtë shpëtuan dhe ikën në Greqi. Atje krijuan një fshat tjetër, të cilin e quajtën Mandres për ta kujtuar Mandricën. E vërteta është se deri tani banorët e njërit fshat mbajnë lidhje me të afërmit e tyre të fshatit tjetër. Për fat të keq, kufiri midis atyre hapet vetëm për një ditë në kohën e Pashkëve dhe ngandonjëherë në një festë tjetër fetare. Sipas të dhëna vetë regjistrimit popullsia e fshatit në fillimin e vitit 2012 ka qenë 73banorë, shumica prej të cilëve – gra (http://www.grao.bg/tna/tab02.txt.). Plakat Sultana Gramenova dhe Marija Dieva tregojnë se zanatet kryesore të fshatit kanë qenë rritja e krimbit të mëndafshit dhe prodhimi i duhanit. Por tani secila prej plakave kujdeset vetëm për disa kafshë. Në fshat nuk jetojnë të rinj. Një pjesë prej tyre banojnë në qytete të mëdha të Bullgarisë, ndërsa pjesa tjetër – jashtë vendit. Sipas rrëfimeve të grave të moshuara fëmijët e tyre kthehen gjatë verës dhe qëndrojnë vetëm disa ditë. Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova (Соколова, Бойка. Село Мандрица. Езиково, фолклорно-етнографско и историческо проучване. С., 1968.). Më shumë hollësi për gjuhën mund të shihen në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës. Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. Konsiderojnë veten si shqiptare, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur në Shqipëri kurrë. Nuk dinë as të shkruajnë, as të lexojnë në shqip. Por me shumë kënaqësi na ekzekutuan disa këngë, që mbajnë mend për jetën e përditshme të popullin shqiptar. Banorët e fshatit Mandricë dinë shumë pak për heronjtë e lavdishëm të Shqipërisë. E quajnë Shqipërinë Albania, ndërsa gjuhën shqipe “arnautçe”. Nuk mund të thuhet se plakat nga Mandrica ruajnë zakone që janë specifike vetëm për Shqipërinë. Gjatë bisedave bën përshtypje se për ta tërhequr vëmendjen e dëgjuesve, ato shpjegonin traditat e fshatit sikur janë shumë të ndryshme në krahasim me traditat bullgare. Ose thjesht në nevojën e tyre të ndihen më speciale në jetën e përditshme, ato paraqitën çdo gjë si unike. Më vonë gjatë analizave u bë e qartë se gjuha e tyre përbën një formë të vjetër të shqipes, formuar me ndajshtesa – pjesa dërrmuese prej të cilave bullgare, më pak turke dhe greke, ashtu dhe zakonet që i ruajnë mandricanët në sasi të madhe janë karakteristike për Bullgarinë. Por në lidhje me gjuhën vrojtimet shkencore kanë tërhequr vëmendjen si të gjuhëtarëve tanë, ashtu dhe të gjuhëtarëve të huaj dhe ato vazhdojnë të përbëjnë interes të madh.

Kolonitë shqiptare

Përveç shpërnguljeve masive, në Bullgari janë vendosur dhe shumë kurbetçinj, të cilët kanë kërkuar mundësi më të mira ekonomike. Vendosja e shqiptarëve bëhej kryesisht në kryeqytetin e tanishëm të vendit, në Sofje. Sipas Bobi Bobevit dhe Thoma Kacorit, në fund të shekullit XІX në Sofje kanë banuar më shumë se 500 familje shqiptare (Бобев, Боби и Тома Кацори. Близката и непознатата Албания. С., 1998, с.206.).

Migrimi i shqiptarëve drejt viseve bullgare rritej pas çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878.

Në këtë periudhë, shqiptarët në Sofje merreshin me zejtari, me tregti dhe me veprimtari të tjera dhe krijuan një mjedis të begatshëm. Këta njerëz kanë përcjellë me interes të madh zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore në Atdheun e tyre të robëruar dhe kanë kontaktuar vazhdimisht me qendrat kryesore shqiptare të Rilindjes kombëtare si në Shqipëri, ashtu edhe në Stamboll, në Bukuresht etj. Me këtë mënyrë, shqiptarët në Bullgari mblodhën përvojë organizative dhe ndërmorën hapa më të mëdhenj drejt veprimtarisë së tyre atdhedashëse. Çlirimi i Bullgarisë i inspirua shqiptarët edhe më shumë. Shqiptarët në Bullgari kanë filluar të merreshin me lexim dhe këndim në gjuhën amtare. Dhimitër Molle ka sjellë në Sofje librat e parë shqipe në vitin 1886 dhe kështu ka filluar veprimtaria kulturore në koloninë shqiptare në Sofje. Në rrugë drejt zhvillimit kulturor dhe shoqëror ka pasur shumë vështirësi për shkak të propagandave greke dhe osmane të cilat kanë vazhduar përpjekjet e tyre për t’i mbajtur shqiptarët nën zgjedhën e pushtetit politik osman dhe të atij kulturor grek. Shqiptarët u qëndruan përndjekjet sistematike dhe u organizuan më mirë në një mënyrë formal. Më 1 janar 1893 është mbledhja e parë e shqiptarëve në Sofje me qëllim krijimin e një shoqate kulturore e cila t’i bashkonte të gjitha shqiptarët, krishterë dhe mysliman, për zhvillimin e Atdheut drejt arsimit modern dhe çlirimit kombëtar. Ata e kanë emëruar shoqatën “Dëshira” – dëshira për mëmëdheun e dashur, për familjet e paharruara, për lirinë dhe shkollim në gjuhën amtare. Në zgjedhjet e zhvilluara si kryetar është zgjedhur Ligor Prifi Borova, mjeshtër murator, për sekretar Dhimitër Molle, njeriu më i edikuar dhe disa këshilltarë, të cilët kanë pasur një reputacion të mirë. Nga “Dëshira” kanë mbajtur kontakte të ngushta me shoqatat shqiptare na Stamboll dhe Bukuresht dhe me rilindas të shquar si Naim dhe Sami Frashëri, Jani Vreto etj., me të cilët kanë bashkëpunuar në dobi të Atdheut. Disa prej shqiptarëve të rinj nga Sofja studiojnë në shkollën e mesme shqiptare në Bukuresht ndër të cilët spikatën Kristo Liuarasi dhe Adem Shkaba. Një prej veprimtarive të shumta të shoqatës është hapja e shtypshkronjës “Mbrojtësia” e cila u shndërrua në një qendër të rëndësishme për shtypjen shqiptare dhe për përhapjen e diturisë ndër shqiptarët. Libri i parë, shtypur atje, ka qenë “Ditërfensi”. Nisma ka vazhduar dhe këtë kalendar nën emrin “Kalendar Kombëtar” botohet disa vjet nga Midhat Frashëri me pseudonimin Lymo Skendo. Shahin Kolonja ka botuar gazetën “Drita” më 1901 në këtë shtypshkronje. Më vonë në Sofje u botuan edhe gazeta dhe revista të tjera si “Shqypeja e Shqypnisë” nga Josif Bageri, “Shqipëria e lirë” nga Kristo Liuarasi, revistat “Vetëtima” (Thoma Avrami) dhe “Shqipëria” (Nikola Ljako). Atje u shtypën edhe dhjetra libra shqiptare të disa autorëve shqiptarë si Spiro Dine, Sami Frashëri (“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, drama ”Besa” e cila është shfaqur mbi skenën e teatrit “Bullgaria”). Kanë botuar edhe veprat e Naim Frashërit si “Bagëti e bujqësi” dhe “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Këtë shtypshkronje lëvizi në Tiranë pas Luftës së parë botërore dhe ka vazhduar punën e saj të moçme për zhvillimin kulturor të shqiptarëve. Në nëntor të vitit 1911 në Sofje ka ardhur dhe Fan Noli i cili ka mbajtur liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Sofje sepse deri këtë vit liturgjitë kanë qenë vetëm në gjuhën greke.

Pushteti bullgar ka ndihmuar aktivitetet e ndryshme shqiptare sepse ka parë në shqiptarët aleate për luftë të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Disa të rinjtë nga trojet shqiptare morën bursa për të studiuar ne shkollën ushtarake në Sofje kurse princat bullgarë, Boris dhe Kiril, kanë mësuar gjuhën shqipe. Kryengritësit shqiptarë u furnizuan me armë prej Bullgarisë dhe luftëtarë të shquar si Mihal Grameno, Bajo Topulli dhe Zeman Mashkullora shpesh kanë vizituar Sofjen dhe kanë pasur bashkëpunim të ngushtë me koloninë shqiptare. Në këtë moment gazeta shqiptare “Liri i Shqipërisë” e cila botohej në Sofje doli me apelin ndaj shqiptarëve “të ngritin armën dhe ta mbrojnë kufijtë e Atdheut të tyre, duke kërkuar autonomi për Shqipërinë” (Дамянов, Симеон. България и балканските страни по време на войните 1912-1918. С., 1986, с. 92.).

Në vend të parë, interesimi i bullgarëve ndaj luftës nacionalçlirimtare të shqiptarëve buroi nga ekzistimi i ndjenjave të mira midis tyre të zhvilluara edhe më shumë prej provave të rënda nën sundimin e Perandorisë osmane. Pas vitit 1905 këto marrëdhënie thellohen për arsye të aktiviteteve të shtuara në veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Sofje, e cila në shkallë të madhe tërhiqi edhe publikun bullgar (Божилова, Румяна. България и албанският въпрос в началото на ХХ век. В: Исторически преглед, 1982, 4, с. 24.). Shqiptarët shihen si aleat i mundshëm edhe nga pushteti bullgar në ngjarjet vendimtare të cilat priteshin së afërmi në pragun e luftërave në Ballkan. Për këtë arsye, qeveria bullgare ka ndihmuar kryengritjen nga viti 1911 dhe bashkë me shoqatën “Dëshira” edhe sapoformuari Komitet i fshehtë ekzekutiv “Dora e zezë” filloi të mblidhte mjete financiare, të blinte armë dhe të dërgonte çeta të armatosura në Shqipëri (Më shumë për veprimtarinë e organizatave shqiptare në Bullgari për ndihmën e tyre për lëvizjen çlirimtare shqiptare në këtë periudhë dhe kontaktet me pushtetin bullgar -Соколова, Бойка. Албанският възрожденски печат в България. С., 1979, с. 65 – 75.). Qeveria bullgare lejoi edhe zhvillimin e disa tubimeve si dhe propaganda e lirë në dobi të kauzës shqiptare. Qeveria bullgare ka bërë takime dhe me disa prej prijësve shqiptarë si Grigor Cilka, Mihal Grameno, Bajo dhe Çerçiz Topulli, me të cilët kanë folur për veprime të përbashkëta (Bozhillova, R. Vep.epërm., f. 27.). Në këtë kohë edhe Nikolla Ivanaj Bej ka vizituar Bullgarinë dhe ka prezantuar disa ligjërata për gjendjen e shqiptarëve në Perandorinë osmane para publikut bullgar. Më 1915 në Sofje ka ardhur çeta e Themistokli Gërmenjit, 60 luftëtarë dhe kolonia shqiptare kujdeset për ta. Pas Luftës së parë botërore punëtorët më aktivë si Midhat Frashëri, Dhimitër Molle, Kristo Liuarasi etj. U kthyen në Atdheun e çliruar për të marrë pjesë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit të dashur. Në fund të viteve njëzeta kundërshtarët e Zogut kanë krijuar një shoqatë tjetër, “Gjergj Kastrioti”. Pas vitit 1945 shoqatat shqiptare si dhe të gjitha shoqata të tjera jokomuniste i ndaluan nga pushteti totalitar dhe ndërprenë veprimtarinë e tyre.

Në Bullgari tani nuk ka shumë shqiptarë në dallim të kohëve të shkuara por veprimtaria e rilindësve shqiptarë ka lënë gjurma të rëndësishme në kulturën bullgare. Nga viti 1994 në Universitetin e Sofjes funksionon Dega e Ballkanologjisë në të cilën qindra studentë kanë mësuar dhe vazhdojnë të mësojnë gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare. Të rinjtë nga Mandrica nuk kanë harruar origjinën e tyre dhe përtërijnë kulturën shqiptare të fshatit. Jo pak shqiptarë të rinj studiojnë në Universitetet bullgare dhe formojnë koloni të vogla në qytetet kryesore bullgare. Në këtë mënyrë, lidhjet shqiptaro-bullgare ruhen dhe zhvillohen edhe në shekullin e ri. /antonpanchev/ KultPlus.com

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Karlovy Vary hapet me filmin për atletin çek

Një nga festivalet më të rëndësishme në Evropën Qendrore dhe Lindore më në fund po rikthehet në qytetin Karlovy Vary pasi u mbyll për shkak të koronavirusit vitin e kaluar.

Festivali i 55 ndërkombëtar i Karlovy Vary do është hapur dje me dramën biografike “Zátopek” të regjisorit çek David Ondříček për vrapuesin në distanca të gjata i cili është atleti më i famshëm i vendit të tij, shkruan Euronews, transmeton KultPlus.

Emil Zátopek mbetet personi i vetëm që fitoi maratonën e 5,000 metrash dhe 10,000 metrash në Lojërat Olimpike dhe shpesh konsiderohet si vrapuesi më i madh i shekullit XX. Ai nuk kishte konkurruar në asnjë garë më parë deri në Lojërat Olimpike.

Në natën e tij të hapjes, festivali ka nderuar aktorin britanik fitues të Oskarit Michael Caine për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinemanë botërore.

Caine fitoi dy Çmime Akademie për rolet mbështetëse më të mira në “Hannah and Her Moters” në 1987 dhe “The Cider House Rules” në 2000.

Aktori Johnny Depp gjatë festivalit do të prezantojë dy filma që ai prodhoi: “Crock of Gold: A Found Rounds with Shane MacGoëan” dhe “Minamata”.

Festivali do të zgjasë deri më 28 gushtë me masa kufizuese që janë bartja e maskës për të gjithë të pranishmit, ndërsa vizitorëve do t’u kërkohet certifikata e vaksinës ose testi negativ me koronavirus. / KultPlus.com

Rikthehet ‘Mural Fest’, 20-të artistë nga vende të ndryshme të botës do pikturojnë muret e Tiranës

Mural Fest fillon nesër duke sjellë një numër të konsiderueshëm prej 20 artistësh nga vende të ndryshme të botës që do të pikturojnë dhjetë mure të Tiranës.

Këto godina nga më të lartat do të vishen me ngjyra nga më të ndryshmet duke sjellë një pamje tjetër në artin publik në kryeqytet.

“Vendosëm këtë vit ta bënin bashkë me dekor Tiranën. Mu kërkua të bëj kuratorin dhe unë atë e ndaj me një nga djemtë më me eksperiencë, Qirjako Jozifidhis, me eksterieret e pikturimit, ku ka përfshirë edhe Tiranën. Është një vazhdimësi nga lyerja ekstravagante e viteve 2001 për një rikthim të një pikturimi të pikturës monumentale”, shprehet kuratori Helidon Haliti, transmeton KultPlus.

“Janë ndër dhjetë artistët më në zë të huaj duke nisur nga Case nga Gjermania, Manomatic nga Spanja, Same 84 nga Greqia, WD nga Indonezia, Mattia Campo nga Italia apo Wuper nga Serbia”, shton kuratori.

Projekti do të zhvillohet te Komuna e Parisit, Rruga e Kosovarëve, në unazën e vogël dhe në qendër në Tiranë, në godina që shkojnë deri në 60 metra. /balkanweb/ KultPlus.com

Rikthehet festivali shqiptar në Amerikë

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Waterbury, Connecticut ka njoftuar se edhe këtë vit do të realizoje festivalin e kulturës shqiptare, panairin më të madh të kulinarisë tradicionale shqiptare, transmeton KultPlus.

“Komuniteti shqiptaro-amerikan është krenar që shpall zyrtarisht Festivalin e 16-të Vjetor Shqiptar në Waterbury, Connecticut. Kjo ngjarje do të zhvillohet të Premten, 24 Shtator dhe të Shtunën, 25 Shtator 2021.

Miqtë e Komunitetit Shqiptar dhe bizneset e komunitetit tonë e kanë mbështetur dhe sponsorizuar bujarisht këtë ngjarje ndër vite. Këtë vit do të kemi nevojë për mbështetjen tuaj më shumë se kurrë dhe një mbështetje e tillë do të jetë themeli i këtij eventi për mbledhjen e fondeve”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre viteve pjesë e këtij manifestimi kulturor shqiptar kanë qenë më shumë se 5 mijë pjesëmarrës.

Eventi i përvitshëm përfshin aktivitete kulturore, muzikë dhe kuzhinë shqiptare. Përmes këtij aktiviteti, komuniteti shqiptar prezanton kulturën, muzikën, traditat dhe ushqimet e autentike shqiptare në komunitetin amerikan të Greater Waterbury, SHBA. / KultPlus.com

Dashuria e madhe shqiptare: Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim

Autori i veprës “Letra grues seme të vdekun”: Gjovalin Gjadri

E dashuna jeme! Sot me 3 shtator janë mbushë shtatë vjetë qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekë e votra jonë asht shqimë, nuk kemi me zanë vend bashkë rreth saj për me u ngrohë, nuk kemi me u ulë bashkë në tryezë për me hangër, e s’kemi me kremtue ma përvjetorin e martesës sonë. Un s’kam me puthë ma duert tueja të dashuna, me vdekjen tande kam bjerrë çdo gja të mirë dhe të bukur.

2.

Ti m’a ke mbushë jetën plot, un isha shumë krenar për ty. Të afërmit tanë, që u anmiqsuen me ne, pse un isha katolik e ti muhamedane, u detyruen me e pranue ma vonë se ishin gabue. Tash që ti ke vdekë ata qajnë, por askënd vdekja yte nuk e prekë kaq afër sa mue. Këtë gja un e kuptoj ngaqë nuk mbërrij me ndrrue me askend as dhjetë fjalë për ty.

E un do të kisha dashtë aq fort me folë për ty! Kam shumë me thanë, por fjalët e idhnimit tem mundem me t’i besue veç ty. Kurrkush s’mundet me matë dhimbjen teme, në vuejtjen teme të papërshkrueshme më duket se edhe dashunia për fëmijën tonë asht shqimë. Zemra jeme dhe mendimet e mija të përkasin veç ty, kam nji mall për ty, aq të thellë si atëherë para tetë vjetësh, kur martesa jonë ngjante e pashpresë. Asokohe i shkruenim letra njeni-tjetnit e megjithatë mandej gjithçka shkoi mbarë. Tash un due me të shkrue rishtas për me kuvendue me ty për gjendjen tonë tragjike, si të ishe gjallë, mbasi due prap me besue, si në kohën e femijnisë, se ka nji jetë edhe mbas vdekjes. Un due, si atëherë kur ishe gjallë, me perëndue pafund mbas tejet, e mandej me vdekë pa gajle për me të pa përsëri.

3.

Ajo çka na ra ne për hise e dashun asht e mnershme! Kur jam vetëm, s’mundem me i mbajtë lotët, vikas fjalët e dhimbjes seme, qaj e kam ndjesinë e dhimbshme se edhe ti qan me mue. Vajtoj rininë tande e hirin tand e më duket se të pezmatoj. Me ke lanë nji gjendje të mjerueshme e dashun! Vdesin miliona njerëz në ketë luftë, por për mue veç vdekja jote ka kuptim.

4.

Jeta jeme asht bjerrë. Kam arsye të mjaftueshme me vra veten, por ngurroj, pse nji dorë, nji fuqi mistike më ndalë. Në vragën e humbjes tande të pamatë jeta jeme shpirtnore ka pësue shndrrime të thella. Në lojën e mshehtë mes ligshtisë dhe guximit, mes dyshimit dhe besimit në Zotin, e njoh veten ma pak, por nji gja e di me siguri, lakmoj i zhuritun vdekjen. Të lutem e dashun, më merr me vete! S’mund të rrnoj pa ty! Më librò! Due me vdekë e me u varrosë së bashkut me ty. Kur të vijë vjeshta, tragjedia e dashunisë sonë do të gjejë plotninë e saj. Atëherë due me u preh nën dhé me ty e s’bashkut me festue përvjetorin e tetë të martesës sonë. Ky asht synimi jem, nuk lakmoj tjetër tashma.

5.

E di, ti don që un ta mbaj veten, që të tregohem i fortë para njerzve, siç e lypin doket e vendit tonë, si e kërkon edukata dhe krenija jote. Ti e din, edhe un jam kryenaltë e dashun, por ti s’e ke përjetue çka don me thanë me humbë njeriun ma të dashun tandin, shokun e jetës. Ti ke braktisë për mue nanë e babë, ti erdhe në shtëpinë teme e un s’të deshta vetëm si gruen teme, ti ishe për mue e shtrenjtë si fëmija jem, pse ishe ma se dhjetë vjet ma e re se un. Ti e din e dashtun sa të lidhun ishim me njeni-tjetrin, gjatë martesës sonë s’ka pasë as tri net që njeni nesh të flente jashtë e të ketë lanë tjetrin vetëm në shtëpi. Edhe në klinikë, ku u shtërngove me u shtrue prej sëmundjes, un fleja së bashku me djalin në të njejtin mjedis me ty, të rrinim te kryet e s’të braktisëm deri në fund. Ishim shumë të lidhun me njeni-tjetrin, nuk kishim asnji mik ma të mirë se njeni-tjetrin, ne mvareshim prej njeni-tjetrit.

Kishte me na çue shumë larg me dashtë me tregue arsyet që kushtëzuen gjendjen tonë të pazakontë gjatë martesës, asht fakt se ti s’kishe kend tjetër përposë mejet për me folë lirshëm. Shtegun që ti kërkove s’e gjete, dera e shtëpisë prindnore të mbeti e mbyllun. Pse ti për mue braktise shtëpinë e prindve e mue më dhe provën e nji dashunije të madhe, tek un ti kërkoje mbrojtje e un me mend dhe me shpirt ta jepja, ti m’a çilje zemrën e un isha vullnetmirë që besimin tand me e shpërblye me miqsi të kulluet… këto janë hallka të nji vargoni të pashkëputshuem e dashun, a mund të mos m’i mbushin sytë me lotë këto gjana?

6.

Dhoma m’u ngushtue. Fillova me ec nalt e poshtë, kisha nevojë për ajr e nisa me rendë nëpër shtëpi. U turra në banjë, prej aty në kuzhinë, madje nalt në dhomën e vogël si kullë, mandej poshtë në odën e ndejes e rishtas në dhomën e gjumit. Nuk gjeja qetësi. Rrëmova në sirtaret poshtë, pashë dhe putha bordurat e këpucëve tueja, kërkova prap dhe gjeta letrat tona të dashunisë. Shtëpija filloi me m’u sjellë.

7.

Tani jam pa shtëpi, por shpejt, kur të jem sistemue, kam me të ngritë nji altar. Sendet e tueja s’kanë me m’mungue, mbasi kam mbledhë mjaftueshëm. Edhe dje nuk u largova duerbosh prej shtëpijet e dashun! Mora me vete nji dhanti të paçmueshme që ishte e shtrenjtë për të dy: letrat tona të dashunisë.

8.

Herën e kalueme u ktheva së bashkut me ty në qytet. Dje e bana rrugën e kthimit vetëm. Qava gjithë kohën në makinën bosh. Nuk kisha turp prej lotëve, pse krenija m’i kishte lanë të lira. Ndihesha i plaçkitun, por lotët më thonin se Ai që më dha aq shumë të mira, nuk mundet me m’i marrë rishtas përgjithmonë. Ti ishe për mue dhanti e jetës e un due që dhantija jeme të më kthehet prap prej Dhuruesit të madh. S’kam kundërishtim, për mue asht njilloj, si të ngjallesh ti, si të vdes un. Due me të pa rishtas e mandej me të ndejt krah besnik. Dje qava shumë, por i dhashë lamtumirën shtëpisë sonë e jo ty. Në shtëpinë tonë due me u kthye prap me ty i vdekun e në livadhin tonë të rrethuem prej pemësh due me ndërtue një kriptë për ne të dy. Dashnia nuk ka fe dhe vorri ynë nuk duhet t’ia dijë për këtë mospërkim. Ky vendim asht nji përshendetje prej meje e prej shtëpisë sonë për ty në këtë letër.

9.

Shumë shpirtna jetojnë tek un. Ata përbûjnë tek un rrokopujë, njeni mbi tjetrin, e s’më lanë të qetë. Njeni prej shpirtnave të mij zhaurinë si Deti i Veriut. Gjithmonë stuhi mbas stuhijet. Thellë ai ruen bruztinë që përpin me rreshk prej qiellit dhe e thith plotsisht në rrymat e veta të ftohta. Jeton i ndamë prej shpirtnave tjerë, siç jeton deti i ngrimë i ndamë prej detnave tjerë, pa fis e pa vllazni, me mallin e prushit të nxehtë, me mallin e diellit…

10.

S’praj tue i thanë vetes se m’ka ndodhë nji padrejtësi e madhe dhe në fund të fundit e ngarkoj Zotin me përgjegjësi për këtë fatkeqësi temen. Sa ma i madh asht dëshpërimi jem, aq ma fort dyshoj në ekzistencën e tij, pse në fund të fundit besimin te Zoti ia atribuoj thjesht nji cilësise së ulët të njeriut, frikës së tij. Padyshim e dashun! Në orët e qeta ndërhyn pajtimtare dashunia jote dhe un mandej arsyetoj: njeriu s’e njeh Zotin pse asht frikacak, por pse Zoti e ka krijue atë frikacak në mënyrë që ai ta njohin. E mbërrij kështu në përfundimin se nuk ekzistojnë ateistat e vërtetë. Po çka më hyn në punë kjo gja, e dashun! Kjo bindje s’ma fashitë dhimbjen teme, pse asnji Zot s’mundet me m’dhanë çka kam humbë me ty. /Peizazhe të fjalës.

Përktheu: Ardian Ndreca
Fragmentet nga vepra i përzgjodhi: Gresa Hasa. / KultPlus.com

Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit

Ka nisur pelegrinazhi i bektashinjve në Malin e Tomorit. Besimtarët i janë që prej ditës së djeshme malit të shenjtë, ku deri në 25 gusht në këtë vend do të jetë festë. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, pika kulmore e kësaj feste të shenjtë është data 22 gusht, ndërkohë që përgjatë këtyre ditëve pelegrinët kryejnë ritet duke bërë kurban, ndezin qirinj dhe luten.

Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.

Deri më tani në këtë vend kanë ardhur mbi 350 mijë pelegrinë, ndërsa shtoi se deri në darkë pritet që numri të shkojë mbi 450 mijë.

Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.

Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorrin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm.

Edhe pse mendohej se pandemia do t’i frenonte pelegrinët për t’u bërë pjesë e këtij peligrinazhi, që prej datës 18 që u shënua edhe nisja e pelegrinëve të parë drejt malit, ndërkohë që festimet do të përfundojnë të martën në mbrëmje. Çdo pelegrin që bëhet pjesë e kësaj feste kryen në mal ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut, ku përfshihen ndezja e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimi i të hollave pranë objekteve të kultit dhe flijimi e një deleje apo qengji.

Sakrifica e qengjit është rituali i veçantë i kësaj feste, ku në shenjë pastrimi pas flijimit, besimtarët duhet të lyejnë ballin me gjakun e qengjit të sapotherur, të kryejnë lutjen dhe më pas mishi i qengjit të sakrifikuar piqet në hell dhe ndahet ndërmjet pelegrinëve. / KultPlus.com

Duke parë ende për më të mirën

Nga Raymond Carver

Tani që do rrish larg pesë ditë,
do tymos gjithë cigaret që m’i do qejfi,
aty ku ma do qejfi. Do gatuaj biskota dhe do i ha
me reçel e proshutë të dhjamosur. Do ngarritem. Do ia bëj
qejfin vetes. Do shëtis në plazh nëse do ma ketë
ënda. Fillikat, nëse do ma ketë ënda, e
duke menduar për kohën kur isha i ri. Pastaj
për njerëzit që më deshën tej mase.
Dhe sa i desha unë më shumë se të tjerët.
Përveç dikujt. Po them se do bëj gjithçka
që ma do qejfi sakaq që je larg!
Ama veç diçka nuk do bëj.
Nuk do fle pa ty në shtratin tonë të përbashkët.
Jo. Nuk më pëlqen ta bëj.
Do fle aty ku dreqin të ma ketë ënda –
atje ku fle më mirë kur ti je larg
dhe ku s’mund të të shtrëngoj siç bëj unë:
mbi divanin e shembur të dhomës sime të punës.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës zgjeron listën e afganëve që do të strehojë përkohësisht

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të vendimit të Qeverisë Nr.01/26 , për mbrojtjen e personave të rrezikuar nga konflikti në Afganistan.

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 28-të me radhë, në të cilën miratoi vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për çështjen e afganëve.

“Qeveria ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/26 të datës 16.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas këtij vendimi, mbrojtje e përkohshme dhe e menjëhershme do t’iu ofrohet personave të kualifikuar nën grupin P2 (me prioritet të dytë dhe familjeve të tyre).

“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, njofton zyra e kryeministrit. / KultPlus.com

Gjest i mirë nga mërgimtarët në Merdare: Pastrojnë ambientin derisa presin në kolonë

Mërgimtarët nuk qëndrojnë kot gjatë kolonave të gjata në pikë-kalimin kufitar në Merdare.

Pas përfundimit të pushimeve, mërgimtarët po kthehen në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

Pritje të gjata ka ditët e fundit në pikë-kalimet kufitare në Kosovë, por kohë pas kohe ka pritje më të shkurtër.

Të shtunën, disa mërgimtarë që kishin ngecur në kolonë rrugës për në vendet evropiane, bën një gjest për t’u duartrokitur.

Ata bashkë me disa fëmijë, filluan ta pastronin ambientin në vendin ku ishin ndalur në kolonë. / KultPlus.com

Afganistan: Parakalon formacioni ushtarak i talebanëve në uniforma të bardha

Disa pamje të luftëtarëve të armatosur talebanë që marshuan në qytetin e Qalat thuhet se janë ngarkuar në rrjetet sociale.

Sipas mediave të huaja, të veshur me uniforma të bardha kokë e këmbë dhe xhaketa, militantët islamikë mbanin armë zjarri teksa marshonin në një vijë të drejtë nëpër qendrën e qytetit.

Reuters ishte në gjendje të verifikonte videot duke identifikuar monumentet në qytetin Qalat. Por data e saktë e kësaj pamje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ndryshe, talebanët bënë thirrje për unitet përpara lutjeve të së premtes, i pari që kur morën pushtetin, shkruan Daily Mail.

Ata u kërkuan hoxhallarëve të bindin njerëzit që të mos largohen nga Afganistani mes kaosit në aeroport, protestave dhe raportimeve të dhunës.

Talibanët u kthyen në pushtet pas 20 vitesh fundjavën e kaluar pasi pushtuan pjesën më të madhe të Afganistanit brenda pak ditësh, në një kohë kur kishin mbetur më pak se tre javë para tërheqjes së njoftuar të trupave amerikane nga ky vend. / KultPlus.com

Pamje prekëse nga Aeroporti i Kabulit: Ushtria amerikane merr në krahë foshnjat që t’i qetësojë

Departamenti i Mbrojtjes së SHBA’së ka publikuar pamje ku shihen foshnjat duke u ngushëlluar nga anëtarë të ushtrisë amerikane në Aeroportin e Kabulit.

Këto pamje janë publikuar në llogarinë zyrtare të tyre në ‘Facebook’, në kohën kur SHBA’ja dhe shtetet e tjera po tentojnë të largojnë afganët nga shteti pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

“Anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan qetësojnë foshnjat në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul, Afganistan. #HKIA”, thuhet në postimin e tyre.

SHBA ka larguar rreth 7,000 njerëz nga Kabuli, Afganistani, me avionë ngarkues në pesë ditët e fundit, ka bërë me dije Pentagoni.

Që nga fundi i korrikut, SHBA ka evakuuar afro 12,000 njerëz nga Afganistani, një shifër që përfshin qytetarë amerikanë, stafin e Ambasadës Amerikane, qytetarë të vendeve të NATO-s, shtetas afganë në rrezik, si dhe shtetas afganë të cilët janë kualifikuar për viza të veçanta emigruese. / KultPlus.com

Bashkia e Korçës: Bregoviq hap koncertin me këngë shqip në Festën e Birrës

Këngëtari serb, Goran Bregoviq, ka zgjedhur ta këndojë këngën “Kosovska” në gjuhën shqipe në Festën e Birrës në Korçë, e cila supozohet se përçau bendin “Bijelo Dugme”.

Kështu ka bërë me dije Bashkia e Korçës nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa ka pritur që publiku t’i ofrojë mikpritje këngëtarit serb

“KOSOVSKA është kënga shqipe që ka zgjedhur Goran Bregovic për të çelur nesër koncertin në Korçë. Ai me muzikën e tij të mrekullueshme dhe publiku i festës me mikpritjen entuziaste do të japin nesër nga Korça mesazhin se arti dhe kultura janë ura miqësie që lidhin popujt”, shkruhet në postimin e tyre.

Përkundër presionit të madh publik të një rangu të gjerë të artistëve shqiptarë, Bashkia e Korçës ka vendosur që ta lejojë Bregoviqin të përformojë në Festën e Birrës. Ai do përformojë në natën e fundit të këtij festivali.

Këngëtari serb ka marrë një sërë kritikash, duke thënë se “ka inspiruar masakrat serbe ndaj shqiptarëve”.

Në një emision televiziv serb (Qirillica), në vitin 2019, Bregoviq pati folur për një takim me ish-udhëheqësin politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë për rrethimin e Sarajevës, për krime lufte dhe gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë.

Bregoviq deklaroi se e ka takuar një herë Karaxhiqin në hollin e një hoteli në Beograd dhe se ai e pyeti: “ Si po shkon gjëja jonë?”. Karaxhiq iu përgjigj: “Do t’i marrim 100 për qind”.

Pas kësaj deklarate pati reagime të ashpra dhe Bregoviq më vonë tha se pyetja dhe përgjigja e Karaxhiqit kishin të bënin “me lojën me letra në një hotel dhe jo me luftën, e cila as nuk kishte filluar”.

Disa muaj më vonë, ai përsëri provokoi reagime dhe komente në rrjetet sociale kur bëri një fotografi me Sonja Karaxhiq, vajzën e Radovan Karaxhiqit.

Fotografia e përbashkët u postua në Twitter nga vetë Sonja Karaxhiq. / KultPlus.com

Trashëgimia tragjike e John Belushit

“Ajo çka duhet të kuptoni rreth John Belushit, “është talenti i tij i jashtëzakonshëm”, kishte thënë regjisori Ivan Reitman.

Kam njohur shumë njerëz të famshëm, por ai ishte në qendër të asaj bërthame, në atë mënyrë që është e vështirë të shpjegohet sot, kishte vazhduar tutje regjisori në një intervistë për The Guardian. Por fama e tij arriti një nivel që nuk e kam parë, prej asaj kohe.

Belushi do të kishte mbushur 72 vjet më 24 janar, por u nda nga jeta në moshën 33- vjeçare, më 1982-shin. E megjithatë, ndryshe nga komedianët me ndikim në atë epokë, që vdiqën të rinj – Doug Kenney, themeluesi i revistës së komedisë “National Lampoon; bashkëprotagonistja e Belushit në Saturday Night Live (SNL), Gilda Radner – legjenda e tij vazhdon të shkëlqejë.

Fytyra e tij shihet ende në miliona bluza dhe afishe në muret e atyre që lindën, dekada pasi ai vdiq.

Më 2015-ën, Rolling Stone e votoi si më të mirin e 145 anëtarëve të SNL-së, duke lënë pas Eddie Murphy, Tina Fey dhe Bill Murray. Revista i citoi aftësitë komike dhe fizikun e Belushit: “Një trup mundësi me këmbë balerini, diçka brishtësisht djaloshare në marrëzinë e tij” – si arsyet e joshjes së tij jetëgjatë dhe kjo është e gjitha e vërtetë.

Por do të ishte naive të pretendoje se vdekja e parakohshme e Belushit nuk luan një rol në reputacionin e tij që zgjat në kohë.

Qëkur u gjend i vdekur në hotelin “Chateau Marmont”, në Hollywood, zemra e tij pushoi për shkak të mbidozës me heroinë dhe kokainë, Belushi u bë sinonim i hedonizmit, oreksit, teprisë – ashtu si personazhi i tij i babëzitur Bluto, tek “Anima House” (Shtëpi Kafshësh), shkruan The Guardian.

Disa artikuj kanë mbuluar historinë e drogës dhe lidhjen e saj me Belushin. Do të ishte mirë të kishte një histori që kremton jetën e bukur të John Belushit: kurajo e tij për të farkëtuar jetën që ëndërroi në një peizazh të panjohur, përkushtimi i tij ndaj artit, miqësive legjendare dhe temperamentit të dashur.

Por jeta e John Belushit nuk mund të rrëfehet pa iu referuar edhe vdekjes. E sado, të afërmit e tij urojnë që të tjerët të reshtin së fokusuari tek drogat, thuajse të gjithë njerëzit që u intervistuan nga The Guardian rreth tij, rrëfejnë pa ngurrim rreth efektit që drogat kishin tek njeriu i tyre i dashur.

Belushi u lind dhe u rrit në Çikagon periferike, djali i madh i dy emigrantëve shqiptarë.

“Prindërit e tij kurrë nuk u asimiluan dhe mendoj se ishte e vështirë për John-in, të ndiqte ato shkolla krejt amerikane gjatë ditës dhe të kthehej mbrëmjeve në shtëpi, tek familja e tij shqiptare. Asnjë prej nesh në lagje nuk e dinte se ku i binte Shqipëria”, thotë Pisano, e cila nisi lidhjen me Belushin, kur ishin në shkollë të mesme.

“John-i dukej ndryshe nga të gjithë ne; i zeshkët dhe madje qarkullonte një shaka se kishte lindur me mjekër.

Në shkollë ishte futbollist, i binte baterisë në një grup muzikor, një kampion në spektakle talenti dhe mbret, kur kthehej në shtëpi. Pas një bastisje të shkurtër në kolegj, ai u përpoq për “Second City” (Qyteti i Dytë), sipërmarrja e improvizuar e komedisë në Çikago, që kishte trajnuar në atë kohë Steve Carell, Stephen Colbert dhe Amy Poehler.

Ai ishte dhe mbetet i vetmi aktor që u punësua menjëherë në trupën kryesore, ndryshe nga të tjerët që trajnoheshin në turnetë e kompanisë, më parë.

Belushi, atëkohë një hipi leshatak që tymoste droga, mund të krijonte barsoleta të vrazhda, por edhe komedi të buta fizike dhe rrëmbente çdo skeç, në të cilin hynte.

“Natën e parë e pashë të improvizonte në skenë, mendova: “Zot, nuk do të kem kurrë shans të tillë. Nuk e kam atë lloj kuraje”. Por kishte gjithnjë diç më të sigurt dhe më të rehatshme rreth të qenët unë, sesa të qenët ai”, do të kujtonte më vonë, Harold Ramis, koleg i Belushit në “Second City”.

Belushi u punësua më pas nga “National Lampoon” për të bërë spektaklet e tij në skenë dhe në radio, së bashku me Christopher Guest, Chevy Chase, Radner, Bill Murray dhe Ramis.

Ky ishte edhe brezi më i mirë i talentit komik amerikan dhe Belushi ishte në qendër të tij. Reitman prodhoi produksionin jashtë Broadway-it, “National Lampoon Show”. “U përpoqa t’u bëja regjisorin, por ata qeshën me këtë – bënë regjinë e vetes.

Ai kurrë nuk u largua nga skena, pa pasur një lidhje të fortë me audiencën. Ndaj nuk ishte habi për mua që u lartësua në atë mënyrë”, thotë Lorne Michaels, krijues dhe producent i SNL. Sado që shfaqja i dha emër Belushit, ishte, më rrëfen Pisano, “edhe një farë beteje për të”. Belushi ishte përplasur me Chase dhe Guest në “National Lampoon”: “Ata shkruanin një lloj humori prej shkolle private dhe John ishte një vulë e lehtë.

Ai vinte nga Perëndimi i mesëm, ishte mbipeshë dhe nuk ishte diplomuar në kolegj, ishte etnik – jo akoma më mirë, ishte shqiptar. E gjitha kjo ishte material i mirë për ta”, shkruan ajo në “Belushi”, biografia e saj për bashkëshortin e ndjerë, e botuar më 2005-ën. Kjo dinamikë përsëriti veten në SNL, pasi Chase u punësua gjithashtu për sezonin e parë. “Chevy kishte një mendje të mprehtë dhe humori i tij mund të ishte mizor. Mendoj se kishin respekt për njëri-tjetrin, por ishin gjithaq në garë”, thotë ajo. Por Belushi, gjeti shpejt brazdën e tij dhe u bë ylli i shfaqjes, falë parodisë së tij për Joe Cocker, personazhin e samurajit, burrin e xhindosur të motit dhe në fund, tek “Blues Brothers” (Vëllezërit Blues), me shokun e tij të ngushtë Dan Aykroyd.

Por kishte disa ankesa rreth sjelljes së tij. “Ai nisi të thoshte: “Nuk dua t’i bëj skenat e vajzave”, thotë Picaso, duke lënë të kuptohej se do të refuzonte të luante në skenat e shkruara nga gratë. Belushi ishte i afërt me Radner-in dhe e respektonte shumë si komediane, por gratë e tjera në shfaqje nuk e impresiononin. Kolegia e tij në SNL, Jane Curtin e ka përshkruar sjelljen e tij prej asaj kohe, si seksiste. “Nga sezoni i dytë, John ishte në kopertinat e revistave dhe përjetonte një nivel krejt të ri fame. U bë e papërballueshme për të dhe shprehej në netët e vona, me drogat”, thotë Michaels. Më 1976, Ramis, bashkë me Doug Kenney dhe Chris Miller nga “National Lampoon”, shkruan një skenar komedia rreth një vëllazërie kolegji.

Universal Studios iu tha se nëse nuk merrnin Belushin për të interpretuar Bluton, personazhin e veshur me togë e që ha si i sëmurë, ata nuk do ta prodhonin filmin. “Vajta në Nju Jork që ta bindja’, thotë regjisori John Landis. “ U takuam tek hoteli ku po qëndroja dhe gjatë takimit Belushi telefonon shërbimin e dhomës. Menjëherë pasi iku, kamerierët hynë befas me pjata ushqimi: spaghetti, koktej karkalecash, kek – gjithçka në meny. Ishte sikur kish dalë nga ndonjë film i vëllezërve Marx. “Vitet ‘70 ishin një dekadë e kinemasë serioze – Five Easy Pieces, The Godfather – por “Animal House” u bë një nga filmat që përkufizuan epokën. “Ai skenar mbërtheu zërin e gjeneratës Broomer për komedinë”, thotë Reitman, i cili e prodhoi atë. “Dhe John-i ishte kryesor në të.

Megjithëse ishte i rraskapitur – duke fluturuar mes Nju Jorkut, ku bënte SNL-në dhe pastaj në Oregon për disa ditë në javë, për të xhiruar Animal House – ai ishte i hatashëm aty.” Bluto ishte një personazh kinse minor, një tallës me një oreks të pafund. Por Belushi e mbushi me aq shumë energji, sa është ende gjëja e parë që të gjithë sjellin ndërmend kur kujtojnë filmin “Animal House”. “Përfundova duke i hequr dialogun, sepse John-i mund të bënte aq shumë me fytyrën dhe trupin e tij. John e interpretoi atë si një Përbindësh Biskotë i kryqëzuar me një Harpo Marx; edhe në agresivitetin më të madh të Blutos, prapë të pëlqen”, thotë Landis.

Rreth asaj kohe, Belushi dhe Aykroyd nisën të performonin si “Blues Brothers”. Belushi ishte tashmë në filmin më të madh, në shfaqjen më të hatashme televizive dhe në grupin më emocionues. Vetëm ecja nëpër rrugë për të ngrënë një darkë, mund t’i merrte atij një orë, që të kapërcente admiruesit. “Shumë njerëz që kishin arritur statusin e të famshmit, mbylleshin dhe nuk përfshiheshin, por John-i gjithnjë donte të përfshihej me të gjithë. Por duhet të jesh me këmbët fort në tokë që të përballesh me gjithë ato kërkesa”, thotë Pisano. Filmi më i njohur që realizoi në këtë kohë ishte “1941”, i famshëm i Steven Spielbergut, dhe ai u bë një model, me Belushin që bënte filma që dështonin në pritshmëri. Një përjashtim ishte filmi i dytë që edhe vulosi reputacionin e tij: “The Blues Brothers”.

“Kur bëmë Blues Brothers, John-i ishte një yll i madh dhe ishte ndryshe të punoje me të në këtë film, sesa kishte qenë tek Animal House – ai nuk mund të shkonte askund dhe kishte atë varësinë e tmerrshme të kokainës”, thotë Landis. “Punësuam një njeri ta ruante dhe pati momente të frikshme gjatë realizimit të filmit.

Njerëzit thonë tani se John-i ishte njeri i vështirë për të punuar me të, por nuk ishte. E vetmja zënkë që kemi pasur, në të gjithë kohën që kemi punuar bashkë, ka qenë rreth drogës, jo prej temperamentit, por për shëndetin.” Belushi dhe Aykroyd ishin një dyshe shumë e dashur aktorësh e ky ishte edhe sekreti i suksesit të filmit. Por ishte e dukshme se ajo energji që Belushi kishte tek “Animal House”, ishte venitur. Në disa skena të “Blues Brothers”, duket që mezi përfshihet. “Ishte tejet frustruese. John-i ishte fantastik, por nuk ishte në gjendje të jepte njëqind për qind në atë film. Me varësinë, nuk mundesh ta ndihmosh dikë nëse tjetri nuk tregon vullnet për t’u ndihmuar. Është si t’i japësh dorën dikujt që po mbytet dhe ta refuzojë. Ishte e tmerrshme. Nga ai djali i ëmbël u bë i egër dhe maniak”, thotë Landis.

Dy vjet pasi realizuan “The Blues Brothers”, Michaels e takoi Belushin një mbrëmje, në Nju Jork. “Hollivudi ishte një trysni krejt e re për të e megjithëse ishte ende i njëjti John komik , ishte i shfrenuar. Kishte qenë për një kohë të gjatë në atë valë.”

Një muaj më vonë, John vdiq në dhomën e hotelit nga mbidoza me kokainë dhe heroinë. / cbc.al / KultPlus.com

Filmi i ri i James Bond premierë në Royal Albert Hall

Premiera botërore e filmit të James Bond “No Time To Die” do të prezantohet më 28 shtator në Royal Albert Hall, në Londër.

Shfaqja përfundimtare e Daniel Craig si 007 është vonuar në mënyrë të përsëritur për shkak të pandemisë së COVID-19.

Një mesazh në llogarinë zyrtare të filmit në Tëitter tha se Craig do të bashkohet me producentët Michael G Wilson dhe Barbara Broccoli, si edhe regjisorin Cary Joji Fukunaga në tapetin e kuq.

Premiera do të jetë dy ditë para se filmi të dalë në kinema më 30 shtator.

Një numër premierash të Bond janë zhvilluar në qytetin e famshëm të Londrës, përfshirë “Spectre” 2015, ku ishin të pranishëm edhe Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, si dhe duka e Suseksit.

“No Time To Die” ishte filmi i parë i madh që ra viktimë e pandemisë, kur dalja e tij në prill 2020 u shty në nëntor, pasi virusi përfshiu globin.

Më pas, ai u vonua disa herë, ndërsa kinematë në të gjithë botën mbetën të mbyllura.

Në “No Time To Die” luajnë gjithashtu Lea Seydoux, Rami Malek, Lashana Lynch dhe Ana De Armas dhe drejtohet nga Fukunaga, me një skenar të bashkëshkruar nga krijuesja e “Fleabag”, Phoebe Waller-Bridge.

“No Time To Die” zbulon se Bond ka lënë shërbimin aktiv dhe po shijon një jetë të qetë në Xhamajka, kur shoku i tij i vjetër nga CIA, Felix Leiter, i luajtur nga Jeffrey Wright, i kërkon ndihmë. / KultPlus.com

Librat që duhet të lexoni gjatë kësaj vere!

Cila do të ishte vera perfekte? Përfytyrojeni pak, ju në plazh teksa keni gjetur një hije dhe po lexoni librin tuaj të preferuar. Një libër që meriton tërë vëmendjen tuaj, pa ju shqetësuar askush dhe asgjë. Epo nëse po e kërkoni një të tillë, më poshtë keni 10 sugjerimet tona për libra që duhen lexuar të paktën një herë në jetë.

1.       Shuggie Bain – Douglas Stuart

Novelisti skocez Irvine Welsh e hodhi poshtë një herë çmimin fitues si i fiksuar pas “anglishtes së klasës së lartë”. Gjithsesi vitin e kaluar u vërtetua se ai ishte gabim. Novela debutuese fituese e Douglas Stuart, “Shuggie Bain” bën fjalë për klasën punëtore të viteve 1980 në Glasgow dhe për një marrëdhënie të ëmbël nënë e bir që shfaqet në një familje të rrethuar nga varfëria, alkoolizmi dhe dhuna.

2.       Open Water – Caleb Azumah Nelson

Debutimi i 27-vjeçarit britaniko-ganez, Caleb Azumah Nelson këtë vit tregon një histori aq të vjetër sa koha, për dy adoleshentë që bien në diçka mes epshit dhe dashurisë në Londrën para pandemisë. Proza ka fituar vlerësim për stilin e saj, por gjithashtu është ajo që Nelson një shkrimtar e fotograf ka bërë për të mbajtur lexuesin e mbërthyer.

3.       Destransition, Baby – Torrey Peters

I listuar gjatë për çmimin e grave në trillim, një tjetër debutim këtë herë nga shkrimtarja amerikane Torrey Peters. “Destransition, Baby” është një novelë për gjininë dhe dëshirën prindërore. Në të bëhet fjalë për Reese, një grua transgjinore që përpiqet të bëhet nënë, Ames e cila jetonte si një grua transgjinore para se nisi të jetojë përsëri si burrë dhe Katrina një grua që pret fëmijën e Ames.

4.       The Vanishing Half – Brit Bennett

Ky libër është si një kuti magjikë që po ta hapësh gjen gjithçka që dëshiron, epiken në fushëveprim, mënyrën perfekte të të shkruarit dhe çështjet e përditshme. Desiree dhe Stela janë identike, motrat binjake me lëkurë me ngjyrë të cilat rriten në Luisiana në vitet 1940. Vetëm 16 vjeçe, ato largohen bashkë për në New Orleans dhe bëhen te huaja. Shumë vite më vonë, vajza e Desirree ndeshet me atë që i ngjan së ëmës, tezen e saj e cila tani jeton si një grua me lëkurë të bardhë. Këtu nis historia jonë…

5.       Assembly – Natasha Brown

Zbrazëtia e kapitalizmit të vonë dhe suksesit individual ka inspiruar shkrimtarë të mrekullueshëm të dekadës, nga Jennifer Egan tek Chuck Palahniuk. Debutimi i Natasha Brown bën fjalë për një bankiere të re në moshë dhe shumë të suksesshme e cila u diagnostikua me kancer. Një libër nga një prespektivë britanike, që flet për një grua me ngjyrë e cila po zbulon jetën e një gruaje me lëkurë të bardhë.

6.       The Discomfort Of Evening – Lucas Rijneved

Tani për diçka vërtet ndryshe nga Holanda, ku një roman debutues që ju me siguri nuk do të doni ta lexoni gjatë drekës, ka qenë një goditje surprizë.  Libri paraqet kolapsin e plotë mendor të një familjeje bujqësore të devotshme pas vdekjes aksidentale të një djali, të treguar përmes kujtimeve të tmerrshme të motrës së tij 10-vjeçare. Plot gjak, gërvishtje dhe jashtëqitje, një libër nga më origjinalët që do të lexoni këtë vit.

7.       Black Buck – Mateo Askaripour

Ky libër është satira e parë racore, lidhur me narratorin 20-vjeçar të quajtur Darren, i cili është i detyruar të durojë racizmin e nivelit të ulët në një kompani teknologjie në New York. Ai pretendon se libri i tij mund të bëjë njerëzit të përmirësohen në shitje. Këtë po presim ta vendosni ju.

8.       Empireland  – Sathnam Sanghera

Pak shkrimtarë kanë duruar shigjetat e luftërave të lodhshme të kulturës në Britani më shumë se Sathnam Sanghera. Një rrëfim i qartë, i ekuilibruar dhe i zhytur në mendime i historisë së Prandorisë Britanike. Ky libër hasi shumë kritika në botën online, teksa kishte mendime të kundërta për të.

9.       Empire Of Pain – Patrick Radden Keefe

Kushdo që ka lexuar “Say Nothing”, rrëfimin e tij të vitit 2019, e njeh Patrick Radden Keefe si një reporter në krye të listes. Libri i tij i fundit bën fjalë për familjen mistertioze Sackler, një dinasti farmaceutike që qëndron në zemër të epidemisë e cila ka shkatërruar SHBA dhe ka marrë të paktën gjysmë milioni jetë. Një histori tërheqëse, duke ditur dhe mënyrën si të gjithë jemi sprovuar së fundmi lidhur me çështjet e shëndetit.

10.   The Hard Crowd- Rachel Kushner

Rachel Kushner hipi një herë në një motoçikletë në një garë ilegale prej 1000 miljesh dhe u rrëzua nga një lartësi e madhe, një ngjarje kjo që ndryshoi tërë botëkuptimin e tij. Nëse të jetosh jetën në maksimum është kushti për të qenë një shkrimtar i shkëlqyer, atëherë 52-vjeçari amerikan ia ka dalë. Autori ka shkruar libra dhe karaktere të trilluar që vërtet ia vlen të zbuloni. / KultPlus.com

Foshnja që u bart dorë më dorë është ribashkuar me familjen e saj

Të enjtën në Aeroportin e Kabulit është bartur një foshnje dorë më dorë në mënyrë që të largohet nga regjimi i ri i talebanëve nën të cilin ra Afganistani. Videoja ku shihet foshnja duke u bartur raportohet se është ribashkuar me familjen e saj.

Në video shihet momenti kur foshnja kapet nga trupat ushtarake të SHBA’së pasi kaloi rrethojat me gjemba.

“Foshnja që shihej në video është dërguar tek shërbimi mjekësor”, thotë Major James Stenger, raporton NY Times.

Tutje, zëdhënësi i Marinsave konfirmoi “Mund të konfirmoj se foshnja u ribashkua me babanë e tyre dhe është e sigurt në aeroport”.

“Ky është një shembull i vërtetë i profesionalizmit të marinsave në vend, të cilët po marrin vendime të shpejta në një situatë dinamike në mbështetje të operacioneve të evakuimit,” tha ai. / KultPlus.com

Sonte në qytetin e Mitrovicës festohet me tingujt e muzikës

Sonte në qytetin e Mitrovicës, pas mbarimit të programit edukativ, nën motin “Ndrite qytetin” festohet me tingujt e muzikës.

Në kuadër të masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK nga data 20 gusht – 1 shtator 2021, hyrja në ambientet e hapura (në këtë rast, hapësira e hapur- qendra sportive Fatime Xhaka) ku mbahet Green Fest 11, për të gjithë ata që duan të marrin pjesë, do të vijoj duke preznatuar në hyrje një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit (së paku një dozë);

Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Programi:

Dren Abazi & Zig zag Orchestra

E shtunë (21.09.2021)

Jericho

Uran B

E diele (22.09.2021)

Shega – bend arbëreshë nga Italia

Eugent Bushpepa

Dj Wise

Green Fest është ngjarja më e madhe kulturore në qytetin e Mitrovicës, që organizohet për njëmbëdhjetë vite me radhë nga organizata kulturore 7Arte. / KultPlus.com

Shqiptarët e Afganistanit, sykaltërit që jetojnë mes këngëve dhe valleve

Kemi të bëjmë me një rast unik të ekzistencës së paraardhësve tanë ilirë. Në një cep të botës me mijëra kilometra larg ekziston një popullsi që ka mbajtur gjallë karakteristikat, gjuhën dhe zakonet pellazge dhe ilire. Kjo zonë ka rënë tanimë nën sundimin e talibanëve, duke bërë që shumë nga traditat e tyre të ndryshojnë.

Ekzistenca e ilirëve është në rajonin e Hindrokinës së madhe gjeografike në Qafiristab (sot Nuristan), një vend ku Afganistani, Pakistani, Kina dhe Taxhikistani bashkohen. Saktësisht ndodhet në zonën ku më parë u vra Bin Laden dhe u zbulua fillimisht nga skenaristi amerikan James Hilton, i cili realizoi një dokumentar të titulluar “Lost Horizons”.

Në maj 1983, Ernesto Skura shkroi në gazetën e Lidhjes arbëreshe së bashku me Antonio Bellushit një artikull me titull “Ilirët në Afganistan”. E njëjta gjë shkruhet edhe në librin “Arvanitasit” nga historiani i madh më prejardhje shqiptare, Aristides Kola, që përshkruan kohën e vendosjes së ilirëve në atë vend të largët.

Historia deri më sot tregon se ata janë pasardhës të 6000 luftëtarëve ilirë që u larguan nga vendi i tyre pas vrasjes së mbretit Kliti nga Aleksandëri i madh rreth vitit 300 p.e.s. Ata qëndruan aty, për shkak të distancës se nuk mund të ktheheshin në shtëpi dhe u vendosën në këtë rajon për gjithmonë, duke u detyruar të martoheshin më gratë në atë vend. Gjuha e tyre u quajt “burrashka” e cila ishte gjuha e burrave, ndërsa gratë flisnin gjuhë tjetër. Edhe në kohët e sotme kjo gjuhë quhet si më parë, por është vetëm e folur dhe jo e shkruar.

Karakteristikat e këtyre banorëve janë të ndryshme nga ato të pakistanezëve. Ata jetojnë më gjatë, kanë flokë ngjyrë kafe dhe bëjnë verë. Lugina ku ata jetojnë sot quhet “hundëza” dhe realisht është një pjesë e madhe tokë qe mbyllet me një nyje midis dy maleve që i rrethon.

Një tjetër mal pranë luginës është i mbuluar me akullnajat që rrëshqasin me kalimin e kohës. Ky mal quhet “rakoposhi”. Atje kultivohen perime, fruta dhe drithëra të ndryshme si, patate, bizele, tranguj, grurë, misër, elb, kajsi, dardha, mollë, pjeshkë, kumbulla, fiq dhe shalqi, produkte që vendasit nuk i kultivojnë. Banorët janë fermerë të shkëlqyer dhe kanë krijuar një sistem mahnitës dhe madhështor të ujitjes që vadisin tarraca të tëra me perime dhe fruta.

Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të dobishëm për njëri-tjetrin. President i Hundëzës zgjidhet personi i cili cilësohet më i mirë dhe ai që ka ndihmuar njerëzit më shumë gjatë viteve, ndërsa festa kryesore e tyre është Viti i Ri diellor, të cilin ata e quajnë Narosh.

Këta njerëz janë shumë të ndryshëm në krahasim me pakistanezët me lëkurë të errët ose afganët dhe kinezët. Ata janë të bardhe dhe kanë faqet e kuqe. Shumica e tyre janë më sy të kaltër ose të gjelbër. Në lartësinë e maleve është një fis i madh i quajtur Kalash.

Zotat Kalash shfaqen në portat e tyre me një simbol që shpreh origjinën e tyre të lashtë të ilirëve dhe lidhjen e tyre me Aleksandrin e Madh, një dhi me dy brirë, ashtu si ishte edhe përkrenarja e Skënderbeut. Veshjet e tyre janë si të shqiptarëve në kohët e hershme, me poture dhe këmisha të zbukuruara.

Ndërsa vallet e tyre shoqërohen nga tinguj të baterisë dhe fyellit. Një vallëzim tradicional popullor është kërcimi i shpatave, që kërcehet gjithmonë nga burrat të cilët mbajnë të veshura rroba shumëngjyrëshe të quajtura “kamarbunde”.

Ky komunitet ka shumë histori dhe mite që tregojnë se ata jetojnë shumë të lumtur dhe të shëndetshëm për një kohë të gjatë. Ka edhe njerëz që kurrë nuk sëmurën apo të kenë ndonjë sëmundje.

Por cili është sekreti i jetës së gjatë dhe të shëndetshme të tyre?

Disa mite tregojnë se ata kurrë nuk hanë ushqim të përpunuar, por përkundrazi konsumojnë produktet që mbjellin në tokat e tyre. Ata konsumojnë veçanërisht kajsitë. Njerëzit shpesh habiten nga ajo që mësojnë për këtë popull (i njohur edhe si Burusho) që zakonisht jetojnë gjatë.

Ndërsa në Pakistan, jetëgjatësia mesatare e një personi është 67 vjeç, në Hundëza mosha 100 vjeçare nuk përbën plakje. Edhe në këtë moshë ata janë të fuqishme dhe të shëndetshme. Ata hanë ushqim dy herë në ditë, një mëngjes të shëndetshëm dhe një darkë të mirë pas perëndimit të diellit. Për më tepër, ata hanë fruta, perime, qumësht dhe djathë. Nuk ka kimikate ose acide në ushqimet e tyre.

Sëmundjet e ndryshme si tensioni nuk i njohin. Ata janë krejtësisht të paprekur nga sëmundjet e lidhura me stresin, duke u bërë krejtësisht imun ndaj tyre. Sipas hulumtimeve, kajsia e Luginës së Hundëzës thuhet të jetë sekreti i mungesës së tumoreve.

Ky komunitet ha sasi të mëdha të këtij fruti që është i pasur me amigdalin (vitamina B-17). Në vend që të shikojnë filma dhe të qëndrojnë brenda, ata ecin shumë. Gjithashtu, një herë në vit në një periudhë prej dy muajsh komuniteti i Hundëzës konsumon vetëm lëngun e kajsisë, duke përmbushur një traditë shumë vjeçare. Shumë ekspertë kanë treguar se mënyra e konsumimit është sekreti i jetëgjatësisë së tyre. / Oculus News / KultPlus.com

Gazetarja e CNN-it largohet me 300 afganë nga Kabuli: Nuk jam sy patrembur, frikësohesha çdo ditë

Gazetarja e vlerësuar me çmime e CNN-it, Clarissa Ward u largua nga Afganistani pas disa ditësh raportimi nga rrugët e Kabulit teksa Talebanët tashmë kanë marrë pushtetin në atë vend.

Ward njoftoi në Twitter rreth orës 4.25 të shtunën në mëngjes se kishte zbritur në Doha me ekipin e saj dhe rreth 300 refugjatë nga Afganistani.

“Shumë falënderime për të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e tyre Forcës Ajrore Amerikane, e cila na transportoi, dhe Katarin, që na priti. Ne jemi shumë të lumtur”, shkroi Ward në Twitter.

Gazetarja raportoi për Talebanët dhe kishte situata më të tensionuara me anëtarët e atij grupi në Kabul, kujton The Hill. Një luftëtar i Talebanit gati sa nuk e kishte goditur gazetaren amerikane.

“Njerëzit thanë, “Kjo grua është sy e patrembur”, por unë me të vërtetë ju them se jo. Unë isha shumë e frikësuar dhe nuk më pëlqen të jem aty ku plumbat fluturojnë… Unë dridhem sa herë që dëgjoj një të shtënë. Unë i urrej të shtënat si të gjithë të tjerët”, tha Ward në një intervistë për The Hill.

Shumë gazetarë u larguan nga vendi në fillim të kësaj jave, ndërsa evakuimi i mijëra të huajve dhe afganëve që bashkëpunuan me faktorin ndërkombëtar vazhdon në aeroportin në Kabul. / KultPlus.com

Kur u themelua “Lidhja e Përgjithshme e Arsimtarëve të Shqipërisë”

Më 21 gusht 1924, Kongresi Arsimor i mbajtur në Tiranë, me nismën e mësuesve, themeloi “Lidhjen e Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë”. U botua edhe statuti i Lidhjes me 40 nene.

Lidhja luftonte për zhvillimin e arsimit mbi parimet kombëtare e demokratike.

Pas fitores së Revolucionit Demokratik-Borgjez të Qershorit të udhëhequr nga kryeministri i asaj kohe Theofan Stilian Noli në vitin 1924 u organizua një kongres kombëtar për arsimin, për herë të parë i drejtuar nga vetë mësimdhënësit.

Kongresi u mbajt në datat më 12-21 gusht 1924. Kjo traditë filloi me nismën e arsimtarëve të Normales së Elbasanit; A. Xhuvani, A. Gashi, S. Paparisto, H. Zeka etj..

Nisma gjeti mbështetje të plotë në të gjitha krahinat shqiptare që nga Zara e largët, Gjakova, Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra etj.. / KultPlus.com

‘Shumica e njerëzve ç’nuk bëjnë vetëm që të mos pranojnë se janë krijesa të pafuqishme dhe të parëndësishme’

Nga: Haruki Murakami

Përktheu; Ilir Baçi

Shumica e njerëzve nuk janë në kërkim të së vërtetës së provueshme. E vërteta shpesh shoqërohet me dhimbje të fortë dhe thuajse askush nuk është në kërkim të së vërtetës së dhimbshme. Njerëzit duan histori të bukura dhe qetësuese, që t’u duket se jeta e tyre ka njëfarë kuptimi. Prej këtej vjen edhe feja.

Nëse një besim i caktuar, të themi “besimi A”, bën që jeta e këtij burri apo e asaj gruaje të duket se ka kuptim të thellë, atëherë për një njeri të tillë besimi A është e vërteta. Nëse besimi B ua bën jetën t’u duket e pafuqishme dhe e parëndësishme, atëherë besimi B shihet si i rremë. Dallimi është mjaft i qartë.

Nëse dikush ngul këmbë se besimi B është e vërteta, me siguri do ta urrejnë, do ta shpërfillin apo, në ndonjë rast, do ta sulmojnë. Nuk duan t’ia dinë fare se besimi B mund të jetë i logjikshëm apo i provueshëm. Shumica e njerëzve ç’nuk bëjnë vetëm e vetëm që të mos pranojnë se janë krijesa të pafuqishme dhe të parëndësishme. / KultPlus.com

Dy dekada pas ‘8 Mile’, Eminem rikthehet në aktrim

Pothuajse dy dekada pasi bëri debutimin e tij në “8 Mile”, ku fitoi Oscar për këngën më të mirë, Eminem po i rikthehet aktrimit.

Reperi i famshëm është bashkuar me mikun e tij 50 Cent për dramën e tij të fundit, Black Mafia Family (BMF). Eminem do të interpretojë White Boy Rick (djalin e bardhë Rick) në një nga episodet e “BMF”, të prodhuar dhe drejtuar nga 50 Cent.

“Unë jam i nderuar dhe mirënjohës që miku im i mirë Em po mbështet shfaqjen time të re BMF,” tha 50 Cent në një deklaratë. “Ne nuk mund të bënim një shfaqje të bazuar në Detroit pa përfshirë legjendën që është Eminem.”, transmeton KultPlus.

Richard Wershe Jr., i njohur si White Boy Rick, ishte një informator i FBI-së, i cili që kur ishte vetëm 14 vjeç, shiste drogë dhe armë si anëtar i një bande të Detroitit ku ai ishte infiltruar. Wershe, tani 52 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për drogë, para se të lirohej në qershor të vitit 2020 me kusht.

Një film për jetën e tij, White Boy Rick, u publikua në vitin 2018 me protagonist Matthew McConaughey.

BMF, i prodhuar nga 50 Cent, bazohet në dy vëllezër, Demetrius “Big Meech” Flenory dhe Terry “Southwest T” Flenory, të cilët u ngritën nga rrugët e Detroitit jugperëndimor në fund të viteve 1980 dhe krijuan një nga familjet kriminale më me ndikim në vend.

Kasti i BMF gjithashtu përfshin aktorë si Russell Hornsby, Michole Briana White, etj. Gjithashtu Snoop Dogg dhe La La Anthony do të shfaqen në serialin, premiera e së cilit pritet të shfaqet në shtator. / KultPlus.com