Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit

Ka nisur pelegrinazhi i bektashinjve në Malin e Tomorit. Besimtarët i janë që prej ditës së djeshme malit të shenjtë, ku deri në 25 gusht në këtë vend do të jetë festë. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, pika kulmore e kësaj feste të shenjtë është data 22 gusht, ndërkohë që përgjatë këtyre ditëve pelegrinët kryejnë ritet duke bërë kurban, ndezin qirinj dhe luten.

Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.

Deri më tani në këtë vend kanë ardhur mbi 350 mijë pelegrinë, ndërsa shtoi se deri në darkë pritet që numri të shkojë mbi 450 mijë.

Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.

Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomorrin e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm.

Edhe pse mendohej se pandemia do t’i frenonte pelegrinët për t’u bërë pjesë e këtij peligrinazhi, që prej datës 18 që u shënua edhe nisja e pelegrinëve të parë drejt malit, ndërkohë që festimet do të përfundojnë të martën në mbrëmje. Çdo pelegrin që bëhet pjesë e kësaj feste kryen në mal ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut, ku përfshihen ndezja e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimi i të hollave pranë objekteve të kultit dhe flijimi e një deleje apo qengji.

Sakrifica e qengjit është rituali i veçantë i kësaj feste, ku në shenjë pastrimi pas flijimit, besimtarët duhet të lyejnë ballin me gjakun e qengjit të sapotherur, të kryejnë lutjen dhe më pas mishi i qengjit të sakrifikuar piqet në hell dhe ndahet ndërmjet pelegrinëve. / KultPlus.com

Nis sot pelegrinazhi i madh botëror në malin e Tomorrit, parashikohet mbi 700 mijë pelegrinë

Ferdinand Samarxhi, Mjeshtër i Madh. 

Sa herë që vijnë ngjarje, kulme të tyre, historia thërret në eposin e saj, në gurrat e lashta, thellësitë e honeve, mjegullnajave të kohës, për të laureuar historinë, gjenezën e kombit, trojeve tona. Sa më tepër dhe thellë të gjurmosh historinë, të kërkosh gjenet e kombit, para syve të shfaqet një tokë e lashtë, me tempullin e saj më të parin mbi dhe, një popull hyjnor, më i hershëm sesa populli i zgjedhur në Bibël, i Zotit. Historia befason me kulmet, rrjedhën e saj.

Një tokë e lashtë sa historia, shkrimet e para të saj i mëson nga gurra mitologjike, ku dhe vështrimet e studiuesve ende nuk e kanë arrirë dot.

Historia më e lashtë e kombit tonë vërtitet dhe rrotullohet rreth Tomorrit hyjnor, rreth Malit Zot, aty ku gjenden kulmet e saj, shkëlqimi i lavdisë, shenjtërisë, madhështisë dhe krenarisë së gjenezës shqiptare. Tempulli më i lashtë, i pari mbi Dhe dhe i gjithë botës, historinë e tij mund ta shohësh larg dhe thellë, të çash mjegullnajat e kohëve, tisin e hapësirës, të fluturosh me krahët e shqiponjës Deodoninane, Zeusiane. Edhe pse kohët me largësinë e thellë të shekujve kërkojnë ta shpërfytyrojnë, ta zvenitin këtë madhështi, historia ndriçon më shumë, konturet e tempullit rriten dhe dimensionohen. Gjeneza e kombit shkëlqen dhe rrezaton pa mbarim historinë.

Historiani i vjetër grek, P. Aravantioti, në librin e tij të botuar në Janinë, në vitin 1859, pohon: “Dodona është qendër pellazge, parahelenike, shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke”. Si e tillë, ky truall i të parëve tanë u njoh në krejt botën dhe dheun e lashtë. Këtë realitet e kanë pranuar vetë autorët më të moçëm helenë. /gazetaexpress/ KultPlus.com