Shkrimtari Ilir Muharremi, ka botuar librin e tij të tretë me radhë që mban titullin ”Ti”, përcjell KultPlus.
”Ti” trajton jetën e një të riu nga Shqipëria i cili i bashkohet luftës në Kosovë, pasi merr një mesazh nga e dashura e tij. Pas largimit të së dashurës për studime jashtë vendit, protagonisti niset për në Kosovë, Lufta që sjell me vete tmerre të mëdha, të riun nga Shqipëria do ta përcjellin edhe pas kthimit. Dëshira për të jetuar e shtynë në rrugë të gabuar. Vetëm dashuria e vërtet dhe e sinqertë arrinë ta shpëtojnë të riun nga droga, plaçkitja, hajdutëria, e burgu në të cilën ishte futur për shkak të traumave.
”Ti”, romani i tretë i autorit vjen pas dy romave të tij të para, “Psycho I” dhe “Psycho II”. / KultPlus.com
Scorpions, që në shqip do të thotë “Akrepa”, është nje grup muzikor hard rock dhe metal i rëndë nga Hanoveri i Gjermanisë, që u formua në vitin 1965. Scorpions është një prej grupeve gjermane rok më të njohura në skenen ndërkombëtare.
Këta të fundit arritën famë të madhe me këngët e tyre të mirëpritura nga publiku, ata gjatë viteve të ’80-ta kanë shitur mbi 70 milionë disqe në mbarë botën, përcjell KultPlus.
“Wind of Change” është një nga këngët e tyre më të njohura e cila mori famë të madhe dhe tërhoqi një dashuri të madhe nga publiku.
“Era e ndryshimeve” (Wind of Change) u publikua gjatë vitit 1990. Teksti i kësaj këngë u kompozua nga Klaus Meine, vokalist, kompozitor dhe instrumentist gjerman, kur Scorpions si grup vizituan Bashkimin Sovjetik, në kohën kur armiqësia midis blloqeve komuniste dhe atyre kapitaliste u qetësua, duke publikuar njëkohësisht shpalljen e reformave socio-ekonomike në shkallë të gjerë në Bashkimin Sovjetik.
Me shitjet e vlerësuara prej 14 milionë kopjesh të shitura në të gjithë botën, “Wind of Change” është një nga këngët më të shitura të të gjitha kohërave. “Winf of Change” hapet me një hyrje të pastër të kitarës të luajtur nga Matthias Jabs, e cila melodi përcjellet nga një fishkëllimë e lehtë e Klaus Meine.
Teksti i këngës feston glasnostin (që në rusisht do të thotë “hapje dhe transparencë”) në Bashkimin Sovjetik, fundin e Luftës së Ftohtë, dhe flasin për shpresën në një kohë kur kushtet e tensionuara ishin krijuar për shkak të rënies së qeverive të drejtuara nga komunistët midis kombeve të Bllokut Lindor duke filluar në 1989.
Linjat e hapjes i referohen monumenteve të qytetit të Moskës:
“I follow the Moskva Down to Gorky Park Listening to the wind of change.”
“Është një histori që shtrihet në të gjitha zhanret muzikore, në kufijtë dhe periudhat e historisë, kështu që ishte e rëndësishme për mua që ju të dëgjoni muzikën, thekset dhe zërat, dhe të gjykoni vetë se kush mund të gënjejë dhe kush po thotë e vërteta, ”shpjegoi Keefe.
Moskva është emri i lumit që kalon nëpër Moskë (si qyteti ashtu edhe lumi emërtohen në mënyrë identike në Rusisht), kurse Gorky Park është një park urban në Moskë i emëruar pas shkrimtarit Maxim Gorky. Kënga gjithashtu përmban një referencë për balalaika, (një instrument rus me një trup karakteristik trekëndësh prej druri, të zbrazët, qafë të mprehtë dhe tre tela, disi si një kitarë). Balalaika përmendet në rreshtat e mëposhtëm: “Let your balalaika sing, What my guitar wants to say.” / KultPlus.com
Sot është zbuluar data e saktë e lansimit të “Fantastic Beasts 3” sipas një paralajmërimi të bërë nga Warner Bros, përcjell KultPlus.
Pjesa e tretë e “Fantastic Beasts” e titulluar “The Secrets of Dumbledore” (“Sekretet e Dumbldore”), do të ketë premierën më 15 prill të vitit 2021.
Ky film fillimisht ishte planifikuar të dilte më 15 korrik të vitit të ardhshëm, por studioja zgjodhi që ta publikonte tre muaj më herët, përcjell tutje KultPlus.
Filmi i tretë bëri bujë të madhe nëntorin e kaluar pas largimit të Johnny Depp, i cili në dy filmat e parë portretizoi magjistarin e errët, Gellert Grindelwald, pasi Warner Bros i kërkoi të jepte dorëheqjen.
Aktori Mads Mikkelsen do të zëvendësojë Depp si Grindelwald. Ekipa gjithashtu përfshin Katherine Waterston, Alison Sudol, Ezra Miller, Dan Fogler dhe Jessica Williams. / KultPlus.com
Këngëtari i mirënjohur, Armend Rexhepagiqi, edhe pse tash nuk është më aktiv në skenën muzikore ai veçse ka krijuar një bagazh të madh muzikor i cili do të jetojë gjatë në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.
Një këngë që pikëllon por edhe sjellë nostalgji, “Edhe një herë” është një nga baladat tjera që Armend Rexhepagiqi realizoi në kohën e famës së tij më të madhe.
Sot, Rexhepagiqi feston ditëlindjen e tij të 55-të dhe pikërisht në këtë ditë, KultPlus sjell këtë këngë jo për të sjellë pikëllim, por nostalgji për vitet e kaluara dhe për reflektim duke dëgjuar zërin e dashur të Armendit.
Ka shumë ditë që pikëllimi më mban si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj ka shumë ditë që rrugët përherë na janë nda e ditët e mija netët e mija kot unë i harxhoj
A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje o më beso se faj nuk kam që forca po më le se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe ëndrrat për dashuri
Edhe një herë o veç edhe një herë këngët që i këndoj të kam o kujt të ja dhuroj edhe një herë o veç edhe një herë gjakun o prapë ta ndez veç një mëngjes me ty ta pres
Edhe një herë o veç edhe një herë të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë vetëm edhe një herë
Diçka e rëndë sikur hyri në mua më shtrëngon e po dhemb ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe ëndrrat për dashurinë
Edhe një herë o veç edhe një herë të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë vetëm edhe një herë
Se ka shumë ditë që pikëllimi më mban si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj faj unë nuk kam që forca mua më le e s’mund të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë edhe një herë, edhe një herë.
Armend Rexhepagiqi njihet si legjenda e muzikës shqiptare, ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë : Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurine ku e kam, Nasht, Ne radio, Kaqurrele, Te furra e Qerimit, Kuj do t’ia shpreh pikellimin tim, Dude dudie, Ti nuk me meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem me këngë, Shko, Qendresa, e shumë e shumë këngë të tjera.
Në vitin 1990 ai përfaqesoi denjësisht Kosoven në Jugovizion për zgjedhjen e këngës kombëtare për garën e Eurovizionit, kënga ishte në shqip dhe quhej ”Mami Mami”. Në vitin 2006 ai doli fitues në festivalin Kenga Magjike me këngën “Kur dashuria vdes” si dhe arriti të marrë çmimin e Kantautorit më të mirë. Si dhe po në këtë vit fitoi video-festivalin e “Video Festit Muzikor” me këngën e tij “Shkel” e cila njihet si një ndër këngët më të mira të tij.
Ai bashkë me gruan e tij, Aida Baraku ka kompozuar këngë edhe për shumë këngëtarë të tjerë siç jane Adelina Berisha, Jehona Sopi, Lori, Valza Bajra, Blertina Shabani, Nora Istrefi, Tuna, Ryva Kajtazi, Leonora Jakupi e shumë e shumë këngëtarë të tjerë ku shumica e këtyre këngeve kanë qenë hite. / KultPlus.com
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut në Shqipëri dhe Qendra Kombëtar e Librit dhe Leximit, nënshkruan sot memorandum mirëkuptimi, sipas të cilit do të mbrohen të drejtat e autorit nē fushën e letrave shqipe, përcjell KultPlus.
Nënshkrimi u finalizua pas disa takimesh diskutimi ndërmjet Kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Z. Lavdrim Sahitaj dhe Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Znj. Alda Bardhyli.
Institucionet do të punojnë së bashku për organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për të drejtat e autorëve dhe të pronësisë intelektuale për të bërë të mundur informimin e të gjithë zinxhirit të subjekteve dhe faktorëve në industrinë e librit mbi detyrimet ligjore që duhen përmbushur në bazë të Ligjit 36/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” si edhe Ligjit Nr. 9616, datë 27.9.2006 “Për Librin në Republikën e Shqipërisë”.
Mbrojtja e dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë dhe përgatitja e tyre për botim në bazë të legjislacionit përkatës është një nga pikat e kësaj marrëveshje.
Z. Sahitaj theksoi se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të autorëve përbën një temë e ndjeshme përsa i përket librit.
Edhe pse terreni I veprimit është I vështirë me angazhimin e vazhdueshëm maksimal të ISHMT, si dhe përmes këtij memorandumi do të ketë hapa përpara në mbikqyrjen e tregut, duke evidentuar me shpejt dhe duke ndëshkuar me gjoba dhe pezullim të aktivitetit në raste shkeljejeve të përsëritura. / KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve në shkolla.
Nagavci në një mesazh drejtuar mësimdhënësve dhe nxënësve fton t’i respektojnë në përpikëri masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për t’u mbrojtur nga COVID-19.
“Mësimdhënës dhe prindër të nderuar, është shumë e rëndësishme bashkëpunimi në mes të gjithë neve, veçanërisht në këtë periudhë pandemie. Është e rëndësishme po ashtu, që të gjithë ne të jemi të vaksinuar. Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, u shpreh ministrja e arsimit.
Për shkak të situatës me pandeminë viti i ri shkollor nuk kishte filluar më 1 shtator, ashtu siç parashihet. Fillimisht viti shkollor ishte shtyrë për dy javë, ndërsa më pas IKSHPK rekomandoi shtyrjen edhe për dy javë tjera.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot do të takohet me përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës sot për të diskutuar për masat e reja anti-COVID.
Në takim pritet që të jepet rekomandimi nga IKSHPK-ja lidhur me hapjen shkollave. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Një artist nga Franca ka krijuar një varkë e cila të jep bindjen se po sheh një shkëmb lundrues në mes të detit.
Julien Berthier, 46-vjeçar, nga qyteti i Parisit, përdori kryesisht stiropor dhe rrëshirë epoksi, kështu arriti që një varkë të vjetër ta transformojë në atë që duket si një shkëmb që u largua nga bregdeti rreth Marsejës, Francë, përcjell KultPlus.
Pamjet e publikuara tregojnë varkën e njohur si ‘L’invisible’, ose “E padukshmja”, teksa po lundronte në Detin Mesdhe.
Julien Berthier është i njohur për krijimet e tij të çuditshme, ai në vitin 2010 krijoi një varkë që dukej sikur po fundosej, edhe pse ajo ishte një anije plotësisht funksionale; varka në ujë dukej gjysmë e fundosur. / KultPlus.com
Fotografi ferizajas, Hazir Reka së fundmi ka filluar të kërkoj disa nga protagonistët e fotografive të tij të realizuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell KultPlus.
Sot, ai ka publikuar edhe një fotografi të një vajze, për të cilën ka kërkuar më shumë informata.
”Nëse dikush e njeh këtë vajzë, ju lutem më shkruani. E kam shumë të nevojshme për info. Faleminderit!’‘, ka shkruar Reka në publikimin e fotografisë në Facebook. / KultPlus.com
Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare.
Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.
Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. / KultPlus.com
Melvin Van Peebles, dramaturgu, muzikanti dhe regjisori i filmit, puna e të cilit çoi në valën “Blaxploitation” të viteve 1970 dhe ndikoi në krijuesit e filmave shumë kohë më vonë, vdiç në moshën 89 vjeçare.
Në deklaratën e dhënë, familja e tij treguan se Melvin Van Peebles, vdiç në shtëpinë e tij në Manhattan, njofton The Guardian, përcjell KultPlus.
“Babai e dinte që imazhet e zeza kanë rëndësi. Nëse një fotografi vlen sa një mijë fjalë, sa vlente një film? ” Tha Mario Van Peebles në deklaratën e tij. I ashtuquajturi “kumbari i kinemasë moderne të Zezë”, Van Peebles shkroi libra dhe shfaqje të shumta, ai regjistroi disa albume, luante instrumente të shumta dhe ofronte tekste të stilit rap.’’ Ai ishte mjaft i njohur për filmin e tij “Sweet Sweetback’s Baadasssss Song”.
Vdekja e Van Peebles erdhi vetëm disa ditë para se Festivali i Filmit në New York, ku do ta festonte 50 vjetorin e Sweet Sweetback’s Baadasssss Song. / KultPlus.com
“Variety” ka botuar, me 14 prill 1993, në faqen n°75, intervistën e Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar Bekim Fehmiun, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : Variety, 14 prill 1993, f.75
Humbur dhe gjetur
Emri: Bekim Fehmiu
Përshkrimi: Ylli më i madh i filmit në Jugosllavi
Parë për herë të fundit: Ballafaqimi me luftën
I vetmi superstar i vërtetë i prodhuar ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollywood si playboy amerikano-jugor në “Aventurierët” e Paramount-it në 1970.
Ai dukej gati për një “crossover” të Hollivudit, pasi ishte bërë një yll ndërkombëtar në “Unë madje takova disa ciganë të lumtur”.Kjo pjesë i erdhi atij në momentin e fundit kur një aktor rus cigan i vërtetë u hoq (largua) disa ditë para xhirimeve.
Ndërsa dy dekada më parë Fehmiu vizitoi botën si një superstar i ardhshëm, ai tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, një shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur “Ciganët” morën një Çmim të Madh në Kanë, dhe morën një audiencë amerikane në galeritë e artit në 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentis, Silvana Mangano donte që ai të luante me të në “Edipi Mbret”, por një angazhim i mëparshëm e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbert panë “Ciganët”, dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave Dax Xenos në “Aventurierët”.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga “Cigani i lumtur” në një kampist fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë në atë kohë – dështoi, dhe Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.
“Gabimi i madh i Gilbert ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit Harold Robbins”, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa. “Ai e bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Lufta dhe Paqja’”.
57 vjeçar, Fehmiu tani jeton në kryeqytetin serb të Beogradit. Edhe pse ai luajti regullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960 dhe 1970, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij tani është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.
“Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin”, tha Fehmiu për Variety. “Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu”. Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. “Duhet të bësh pjesën tënde në çdo mënyrë që mundesh”.
Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është një aktor i ri në rritje. Por pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. “Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse është e nevojshme”. – Deborah Young. / KultPlus.com
Duke filluar nga dita e nesërme, Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Tiranë fillon me edicionin e vet të 19-të, një Festival ky kualifikues për Akademinë Oscars, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Festivalit, ku ndër të tjera u bë e ditur se duke filluar nga nesër, 24 shtator, Festivali do të zgjasë deri më 30 shtator.
”Ky edicion çelet premierën kombëtare të filmit “Zgjoi” nga Blerta Basholli, fitues i tre çmimeve kryesore në Sundance Film Festival 2021 dhe mbyllet me premierën kombëtare të filmit “Në Kërkim të Venerës” nga Norika Sefa, i cili ka fituar çmim në Rotterdam International Film Festival (2021) dhe në Sarajevo Film Festival (2021)”, shkruhet në njoftim. Ky festival është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Për më shumë informata në lidhje m Festivalin, klikoni linkun më poshtë. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Operës së Kosovës ka hapur thirrjen publike për instrumentistë dhe koristë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës, përcjell KultPlus.
Për të gjithë të interesuarit, dokumentet të cilat kërkohen për të aplikuar janë:
–Për profesionistë të fushës: CV, Diplomë e përfundimit të studimeve në fushën përkatëse (Bachelor/Master)
–Për studentët e muzikës: CV, Dëshmi për ndjekjen e studimeve në fushën përkatëse, Dokumenti i identifikimi.
–Përzgjedhja e instrumentistëve dhe koristëve në Operën e Kosovës, bëhet përmes audicionit, njofton Ministria e Kulturës.
Në linkun më poshtë do të gjeni formularin dhe partiturat për tu përgaditur për audicion. / KultPlus.com
Filmi ”The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit do të ketë premierën botërore këtë vit në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga aktorja Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor, atë të Luanës.
‘‘Nuk mund ta shprehë sa krenare jam që më në fund po e publikojmë para botës, një projekt kaq të përzemërt. Kaq shumë njerëz punëtorë për të falënderuar”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. / KultPlus.com
Në disa vise kodrinoro-malore të vendit tashmë kanë filluar edhe reshje të bores, përcjell KultPlus.
Pas Bajgorës, bora ka mbuluar edhe Rugovën. Fotografi nga bora e parë atje janë publikuar edhe në media.
Ndryshe, sot gjatë ditës pritet të ketë mot pjesërisht të vranët, derisa prej të premtes dhe përgjatë fundajës do të ketë kthjellime dhe pritet të jetë më ngrohtë, ka njoftuar Prishtina Weather, përcjell tutje KultPlus.
Të premtën në mëngjes parashihet mot më i ftohtë, e gjatë ditës më ngrohtë, duke vazhduar edhe në fundjavë.
Edhe ditën e hënë vazhdon të mbajë mot kryesisht me diell, e orëve të mbrëmjes me shtim të vransirave.
Indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë kryesisht në vlera të pranueshme./ KultPlus.com
Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës vijon puna për rijetësimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri të ditur se “po rijetësojmë shtëpinë e gjeniut të letrave, Ismail Kadare, në Gjirokastër, për ta kthyer në një nga ndalesat më domethënëse të qytetit të gurtë”.
Shtëpia e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është kthyer në muze. Në këtë shtëpi lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij Kadare. Shtëpia duket e njohur për ata që kanë lexuar librin e tij “Kronikë në gur” ku ai përshkruan çdo qoshe të shtëpisë. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991.
Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si psh një sënduk, disa foto etj.
Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë. /atsh/ KultPlus.com
Një vajzë e vogël e cila u bë një sensacion në internet kur një fotografi e saj u bë virale, tash po e shet imazhin e saj origjinal për mijëra dollarë në një ankand.
Chloe Clem, tash 10-vjeç, u bë hit në internet më 2013 kur kishte 2-vjeç pasi nëna e saj e filmoi atë teksa jepte një reagim për udhëtimin surprizë në Disneyland. Fytyra e saj tregonte se ajo nuk pati interesim për këtë udhëtim.
Shprehja e fytyrës së saj që atëherë është bërë imazh i famshëm për këdo në internet që shpreh mosinteresim.
Videoja e saj është shikuar për më shumë se 20 milionë herë. / KultPlus.com
Krijuesja e vaksinës së Oxford-AstraZeneca, profesoresha Dame Sarah Gilbert deklaroi së fundmi se koronavirusi me shumë mundësi nuk do të pësojë një mutacion më të rëndë dhe me kohën do të kthehet në një ftohje të zakonshme.
Gjatë një seminari në “Royal Society of Medicine”, shkencëtarja u shpreh se viruset kanë tendencën të bëhen më pak virulente gjatë kohës që qarkullojnë në popullatë dhe për këtë arsye nuk ka asnjë arsye që do të ketë një variant më të rëndë të Sars-CoV-2.
59-vjeçarja gjithashtu zbuloi se po bën përpjekje për të siguruar fonde për të marrë masa në parandalimin e pandemive të ardhshme dhe tha se duhen investime urgjente për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të tjera infektive në të gjithë botën.
Komentet e saj vijnë pasi profesori Chris Whitty paralajmëroi një ditë më parë se pothuajse të gjithë fëmijët e pavaksinuar do të infektohen me Covid në një moment në të ardhmen dhe rreth gjysma e të rinjve janë infektuar me virusin. /a2cnn/ KultPlus.com
Një autoportret i Frida Kahlo-s, me figurën e burrit të saj Diego Rivera në qendër të ballit, pritet të thyejë rekord duke u bërë vepra më e shtrenjtë e artit të Amerikës Latine.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s njoftoi se po ofronte për shitje pikturën e vitit 1949 të titulluar “Diego dhe unë” me një çmim prej 30 milionë dollarësh.
Autoportreti në vetvete është një pikturë magjepsëse, që nxjerr në pah artisten meksikane dhe marrëdhënien e trazuar me burrin e saj.
“Diego y yo” do të shfaqet për publikun në Hong Kong nga 7 deri më 11 Tetor, dhe në Londër 22-25 Tetor. Më pas do të kthehet në Nju Jork për ekspozitë para shitjes në Nëntor.
“Frida Kahlo është një ikonë globale e artit modern, vepra e së cilës është e dashur në të gjithë botën. Diego y yo, mishëron interpretimin e detajuar të përpiktë, ikonografinë komplekse dhe rrëfimet thellësisht personale që janë shenja dalluese të pikturës së saj të pjekur,” tha Anna di Stasi, drejtore e Sotheby’s të artit të Amerikës Latine./KulPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar ‘ReMusican’ si një festival që ka kuptimin e muzikës së re, të ringjalljes dhe rindërtimit, përcjell KultPlus.
Kurti përmes një postimi në rrjete sociale ka shkruar se ky festival u bë bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve vendor me ata botërorë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
ReMusica ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit.
Në pranverën e vitit 2002, kur natyra po ringjallej, e Prishtina po rindërtonte jetën kulturore të pas luftës, Rafet Rudi me bashkëpunëtorët e tij, sollën festivalin ReMusica.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Re u bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve tanë me ata boterorë.
Gjatë këtyre viteve, krahas koncerteve me artistë kulminant të skenës ndërkombetare, ReMusica solli edhe programin tematik “Veprat e reja pedogogjike për instrumente”.
Në përmbyllje të edicionit të 20-të të ReMusica, falënderoj organizatorët dhe krijuesit për themelimin e ngritjen e këtij festivali që pasuron jetën kulturore e artistike të vendit dhe literaturën tonë pedagogjike./KultPlus.com
Sekretari i SBAShK’ut, Ymer Ymeri, deklaroi se janë pro fillimit të mësimit online, sepse siç tha, më mirë kështu se të mos mbahet mësimi fare.
“Jemi të brengosur me deklaratat dhe informatat që i kemi për shtyrje përsëri të procesit mësimor, meqë i kemi humbur 18 ditë mësimi dhe është vështirë që ato ditë të kompensohen për shkak të ngarkesës së madhe për nxënësit”, tha Ymeri.
“Dëshirojmë që të hënën më 27 shtator të nis fillimi i vitit shkollor, por institucionet e shëndetësisë publike kanë për ta dhënë vendimin e fundit. Megjithatë ne si SHBAShK mendojmë që shkollat të fillojnë mësimin nga distanca, edhe pse me gjithë mangësitë që e ka kjo mënyrë mësimi, më mirë të mbahet mësimi se sa të mos mbahet fare”, deklaroi ai për Klan Kosova.
Ymeri po ashtu shtoi se mësimdhënësit janë të gatshëm për ta filluar procesin mësimor dhe se rreth 93 për qind e tyre janë vaksinuar.
“Pjesa e mbetur janë kryesisht mësimdhënëse shtatzëna që janë të liruar nga procesi mësimor dhe ata me sëmundje kronike që s’kanë mundur të vaksinohen, pra pjesa që duhet të paraqiten fizikisht në shkollë janë të gatshëm dhe të vaksinuar për procesin mësimor”, përfundoi Ymeri./KultPlus.com