Michaela Coel ia kushton çmimin ‘Emmy Awards të mbijetuarëve nga abuzimi seksual

Në mbrëmjen e djeshme është mbajtur edicioni i 73-të i “Emmy Awards”, në Los Angeles, ku fituesja e çmimit “Shkrim i jashtëzakonshëm për një seri ose film antologjik të kufizuar televiziv ose film” për serialin e suksesshëm në HBO ”I May Destroy You”, ishte aktorja dhe shkrimtarja e njohur Michaela Coel e cila pas pranimit të çmimit emocioni të gjithë me fjalimin e saj, përcjell KultPlus.

Coel, e cila krijoi serinë dhe luan personazhin kryesor Arabella, mbajti një fjalim prekës në skenë, ndërsa ia kushtoi çmimin të mbijetuarve të abuzimeve seksuale. Coel është vetë një e mbijetuar e abuzimit seksual, me përvojat e saj që shërbejnë si bazë e emisionit të saj “I May Destroy You”.

“Shkruani përrallën që ju frikëson, që ju bën të ndiheni të pasigurt, që nuk është komod. Ju sfidoi të guxoni”, filloi ajo, përcjell tutje KultPlus.

LOS ANGELES, CALIFORNIA – SEPTEMBER 19: Michaela Coel attends the 73rd Primetime Emmy Awards at L.A. LIVE on September 19, 2021 in Los Angeles, California. (Photo by Rich Fury/Getty Images)

“Në një botë që na josh të shfletojmë jetën e të tjerëve për të na ndihmuar të përcaktojmë më mirë se si ndihemi për veten dhe të ndiejmë nevojën për të qenë vazhdimisht të dukshëm, sepse dukshmëria e këtyre ditëve duket se në një farë mënyre barazohet me suksesin – mos kini frikë të zhdukeni prej saj, prej nesh për një kohë, dhe shikoni se çfarë ju vjen në heshtje”, shtoi ajo.

Ajo e përfundoi fjalimin e saj duke deklaruar se ia kushton këtë çmim çdo të mbijetuari të sulmit seksual. / KultPlus.com

Xhubleta – Entropia

Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit

Artisti bashkëkohor Shkodran, Fatmir Juka përmes një tërësie punimesh zbërthen në formë artistike dhe filozofike por edhe kozmologjike njërën nga veshjet më të vjetra tradicionale – Xhubletën.

Është e vërtetë se nga e gjithë trashëgimia kulturore vendore, ajo etnografike është më e drejtpërdrejtë dhe e ruajtur nga modifikimi i kohës. Duke tentuar ti zbërthejë në formë analitike elementet përbërëse simbolike të xhubletës, artisti tenton të sjellë në jetë filozofinë e të mësuarit nga Leonardo Da Vinçi, pra ai nuk mëson për të vizatuar, por vizaton për të mësuar. Duke shfrytëzuar pikturimin analitik, artisti tenton të mësojë më shumë për misterin e kësaj veshje të lashtë.

Juka si një specialist i kulturës në bashkinë e qytetit të Shkodrës, si dhe si specialist dhe më pas drejtues i muzeut historik dhe nga viti 2018 edhe drejtor i Galerisë së Arteve në Shkodër ka qenë gjithmonë i pasionuar ndaj traditës së veshjeve tradicionale e veçanërisht ndaj Xhubletës, të cilës artisti Juka ja dedikoi një cikël me mbi 50 tablo që nga viti 2010.

Xhubleta, një veshje karakteristike e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, karakteristike e grave të Kelmendit, që u bart edhe në Rugovë, Mal të Zi dhe Shkodër, është njëri nga kostumet më të rëndësishme të Ballkanit. Rëndësia e saj përkon me vjetërsinë e saj të madhe, që ishte në fokus të artistëve dhe studiuesve tjerë të shumtë.

Xhubleta është punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, dhe e dekoruar me fije spiku të zi. Ajo ka formë kambane të valëzuar, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike.

Ka një gjatësi deri në gju, dhe ka pjesët tjera përbërëse si: një këmishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Përpara vendosej një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante.

Misteri më i madh i xhubletës mbeten simbolet e shumta që janë të jashtëzakonshme dhe që nuk gjinden në pothuaj asnjë veshje tjetër tradicionale. Xhubleta u punua dhe u përdor deri në vitet e 60-ta të shekullit njëzet, kur dhe u ndalua nga regjimi komunist si një veshje e prapambetur, dhe kështu në emër të modernizmit përdorimi i saj u ndalua. Përdorimi dhe punimi i xhubletës u ndërpre nga viti 1970, dhe që atëherë nuk prodhohet më.

“Anija” – Fatmir Juka

Artisti bën një paralele në mes të Xhubletës dhe Entropisë, apo numrit të formave si një sistem mund të ri aranzhohet dhe të arrijë rezultate të njëjta, që nënkupton si kaosi i organizimit të parregullt i elementeve (shenjave, totemeve, miteve dhe ritualeve) në xhubletë korrespondon me vetë rregullin e universit.

Artistin në hulumtimet e tij vizuale poashtu e preokupojnë si këto shenja të realizuara me fije shumëngjyrëshe funksionojnë qartë brenda një prapavije të errët të xhubletës. Kjo sipas tij ka një ngjashmëri me vet rrugën e qumështit brenda Universit të zi apo

me vet dritën që krijon jetë brenda kamerës së errët të fotografisë. Këtë analogji të dritës në prapavijë të zezë, artisti e trajton si një simbol të jetës që ringritët. Këtë analogji artisti e sjell edhe në nivelin e universit. Nëse pyesim veten përse është universi i errët? Qielli është përplot me yje të panumërta, të cilat janë pothuaj të gjitha të ndritshme po aq sa dhe dielli. Prandaj, pa marrë parasysh se në çfarë drejtimi do të shikonim në qiell natën, ne do të shihnim një yll apo një galaksi. Prandaj, i gjithë qielli natën do të duhej të dukej i ndritshëm si dielli. Por, a do të thotë se errësira e qiellit nënkupton se ekziston një distancë e caktuar kur galaksitë dhe yjet përfundojnë? Një kufi në mes të diçkajes dhe hiçit? Apo fundit të universit? Por kjo nuk është e saktë. Të gjitha hulumtimet shkencore tregojnë se gjithësia nuk ka kufi, por vetë universi po, jo si një kufi hapësinor por si një kufi temporal. Për sa dimë, universi ka një fillim prej rreth 13,7 miliardë vitesh, kur ishte tepër i vogël dhe i dendur, dhe kur nocioni i kohës dhe hapësirës nuk mund të aplikohej. Pasi që vetëm një pjesë e caktuar e kohës ka kaluar nga i ashtuquajturi fillim, kjo do të thotë se disa nga yjet e nevojshme për të mbushur dritësinë në çdo drejtim janë aq larg saqë drita nga ato akoma nuk ka pasur kohë që të arrijë tek ne. Pasi që dritës i duhet kohë për të udhëtuar përgjatë universit, kur ne shikojmë një dritë, në të vërtetë ne po shohim atë pjesë të universit ashtu si ishte në kohën kur drita ishte emetuar.

Por, arsyeja e vërtetë është se yjet janë duke u larguar derisa Gjithësia është duke u zgjeruar, prandaj në pjesët e jashtme të Gjithësisë shpejtësia e largimit të yjeve bëhet akoma më e madhe, derisa nuk i shohim më, së paku jo me anë të syrit tonë. Po të jetonim në një univers fiks, të pandryshueshëm, i gjithë qielli do të ishte i ndritshëm sa dhe dielli. Por universi na paraqitet i errët, sepse kishte një fillim prandaj nuk ka yje në çdo drejtim, dhe më e rëndësishmja, sepse drita nga yjet super të largët bëhet i kuq dhe largohet nga spektri vizual përmes përhapjes apo zgjerimit të Universit. Nga kjo analogji e dritës mbi sfondin e errët, artisti vjen në konkluzion se errësira nuk është faza përmbyllëse por përhapëse e jetës, dhe e zeza nuk është vula e misterit, por pragu i të vërtetës. Për artistin e zeza nuk është fundi por fillimi i diçkaje, ashtu si tek xhubleta, ku e zeza është vetëm baza mbi të cilën ndërthuren elementet kreative të artistit popullor.

“Space Shift”-Fatmir Juka
“Barra e druve” – Fatmir Juka
“Zogu i Jetës”-Fatmir Juka

Info Rreth Xhubletës

Xhubleta përbëhej prej rripash të ngushtë e copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike. Në pjesën e sipërme, për të mbuluar gjoksin, gruaja vinte grykën ose vishte një kemishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante që të kujtojnë simbolikën e nenës tokë. Ne brez mbërthehej një rrip prej lëkure rreth 8 cm i gjerë, në të cilin varej pafta e varesë tre unazore prej bronzi, për të varur stolitë e brezit. Ne këmbë gruaja mbathte çorape leshi të gjata të zeza dhe këpuce (opinge) prej lëkure, ndërsa koka mbulohej me një shami ngjyrë të errët me thake që lëshohej mbi supe. (Muzeu Historik Shkodër) / KultPlus.com

Të shtëna me armë në një Universitet të Rusisë, pamjet dramatike kur nxënësit hidhen nga dritaret (VIDEO)

Një person ende i paidentifikuar ka hapur zjarr pranë një godine të Universitetit të Perm, në Rusi, duke shkaktuar deri tani 8 të vdekur dhe 6 të plagosur’, transmeton KultPlus.

Lajmin e raportojnë mediat lokale, duke saktësuar që ‘shumë studentë janë mbyllur në auditorë për tu fshehur, ndërsa disa të tjerë janë larguar nga dritaret’. Pasi ka ecur për shumë kohë me armë në kampus, agresori është ndaluar. / KultPlus.com

Lista e plotë e fituesve në edicionin e 73-të të ‘Emmy Awards 2021’

Në mbrëmjen e së dielës është mbajtur edicioni i 73-të i “Emmy Awards”, në Los Angeles, transmeton KultPlus.

Edicioni i 73-të kishte një numër të limituar të të ftuarve për shkak të pandemisë COVID-19.

Serialet “The Crown” dhe “The Mandalorian” kryesuan nominime e “Emmy Awards 2021”, secili me nga 24 të tillë.

Lista e plotë e fituesve:

Aktori kryesor në seriale dhe filma televiziv

Ewan McGregor, “Halston”

Aktorja kryesore në seriale dhe filma televiziv

Kate Winslet, “Mare Of Easttown”

Aktori dytësor në seriale dhe filma

Evan Peters, “Mare Of Easttown”

Aktorja dytësore në seriale dhe filma

Julianne Nicholso, “Mare Of Easttown”

Aktori kryesor në serinë komedi

Jason Sudeikis, “Ted Lasso”

Aktorja kryesore në serinë komedi
Jean Smart, “Hacks”

Aktori dytësor në serinë komedi

Brett Goldstein, “Ted Lasson”

Aktorja dytësore në serinë komedi

Hannah Waddingham, “Ted Lasso”

Aktori kryesor në serinë dramë

Josh O’Connor, “The Crown”

Aktorja në serinë dramë

Olivia Colman, “The Crown”

Aktori dytësor në serinë dramë

Tobias Menzies, “The Crown”

Aktorja dytësore në serinë dramë

Gilliam Anderson, “The Crown”

“Shou” më i mirë

“RuPaul’s Drag Race”

Serialet e jashtëzakonshme me biseda

“Last Week Tonight With John Oliver”

Seri të jashtëzakonshme të kufizuara

“The Queen’s Gambit”

Seria më e mirë komedi

“Ted Lasso”

Seria më e mirë dramë

“The Crown” / KultPlus.com

‘Një grua duket mirë vetëm nëse ndihet mirë në lëkurën e saj, nuk ka rëndësi grimi por ka rëndësi mënyra se si ajo shkëlqen’

Aktorja e famshme dhe e pazëvendësueshme, Sophia Loren, e cila tashmë ka lënë vulën e saj në kinematografinë botërore, sot feston 87 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Loren.

1. Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.

2. Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.

3. Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.

4. Ka një burim i pashterrshëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.

5. Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.

6. Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.

7. Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.

8. Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.

9. Pas kaq vitesh, unë jam prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.

10. Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.

11. Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë don, nëse ai e do vërtet shumë.

12. Unë mendoj se cilësia e bukurisë tunduese vjen nga brenda. Është diçka që është në ty ose nuk është. Dhe nuk ka të bëjë me gjoksin, me buzët e të tjera.

13. Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.

14. Për të përparur në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.

15. Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron. / KultPlus.com

Gratë afgane protestojnë në Kabul, kërkojnë të drejta për studim dhe punësim

Disa gra afgane kanë mbajtur të dielën protesta në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, për të kërkuar të drejta për punë dhe studim.

Video-materialet e shpërndara në rrjetet sociale kanë shfaqur një grup të grave të mbledhura para asaj që deri vonë ka qenë Ministri për Çështje të Grave, duke bërtitur “të drejta të grave dhe të drejta të njeriut”, transmeton KultPlus.

Disa kanë mbajtur pankarta duke kërkuar pjesëmarrje të grave në jetën publike.

“Një shoqëri në të cilën gratë nuk janë aktive, është shoqëri e vdekur”, është parë të jetë shkruar në një pankartë.

Protesta ka zgjatur rreth 10 minuta. Gratë janë larguar pas një përballjeje verbale me një burrë të paidentifikuar.

Në ditët e fundit, Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka lëshuar një mori dekretesh, përmes së cilave ka kthyer mbrapsht të drejtat e vajzave dhe grave.

Vajzave afgane u është pamundësuar kthimi në shkolla të mesme më 18 shtator, pasi Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka urdhëruar që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa.

Shkollat fillore tashmë janë rihapur dhe djemtë e vajzat janë ndara nëpër klasa dhe disa mësuese janë kthyer në punë.

Më 19 shtator, kryetari i përkohshëm i Kabulit, u ka thënë punëtoreve në Qeverinë e qytetit që të rrinë nëpër shtëpi, pasi puna do t’iu lejohet vetëm atyre që nuk mund të zëvendësohen nga burrat.

Javën e kaluar, talibanët kanë mbyllur Ministrinë për Çështje të Grave, duke e zëvendësuar me Ministrinë për “përhapje të virtytit dhe parandalimit të imoralitetit” dhe i është dhënë detyrë që të zbatojë ligjin islamik.

Prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në Kabul, gratë afgane kanë mbajtur disa protesta në Kabul dhe qytete tjera, duke kërkuar që islamistët e linjës së ashpër të respektojnë të drejtat e njeriut.

Protestat janë shpërndarë dhunshëm nga luftëtarët talibanë. / KultPlus.com

Ky është vendimi i Qeverisë së Kosovës që ndalon hyrjen me targa të Serbisë nga sot

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve

Vendimi është nënshkruar sot,  nga Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton KultPlus.

Sipas këtij vendimi, obligohet që të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme, që sipas këtij vendimi pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove.

Përmbajtja e dokumentit të nënshkruar nga ministri Sveçla:

Obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës.

Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit.

Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë.

Taksa për targat e përkohshme nga pika 1 e këtij vendimi është 5 euro.

Palët do të pajisen me vërtetim si zëvendësim i certifikatës së regjistrimit të automjetit.

Obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi. / KultPlus.com

Shtator 1909, arbëreshi Nilo Borgia hapte shtypshkronjën e parë në Grottaferrata

111 vjet më parë në shtator të vitit 1909 hapej për herë të parë  një shtypshkronjë me emrin “San Nilo”, në manastirin e Grottaferrata-s, një nga qendrat kryesore kulturore të ritit bizantin dhe pika e referimit për Arbëreshët e Italisë.

Një iniciativë kjo e filologut arbëresh Nilo Borgia (1870- 1942).

Në këtë shtypshkronjë do të shihnin dritën e botimit shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë jo vetëm arbëresh.

Nilo Borgia lindi më 1 janar 1870 në fshatin Hora e Arbëreshëve në Sicili. Më 6 tetor 1883, hyri në manastirin e Grottaferrata-s, dhe më 17 mars të vitit 1894, për nder të Shën Nilo di Rossano, themeluesit të urdhrit të Shën Bazilit në Itali, murgu i ri vendosi të merrte emrin “Nilo”.

Me 1904 u emërua bibliotekar i abacisë. Më 31 dhjetor 1907, mori emërimin “At Nilo” si abat i manastirit të Grottaferrata-s. Pikërisht, dy vite më vonë, më 1909, ai u bë mbështetës i përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e ritit liturgjik lindor bizantin.

Shtypshkronja  e ngritur prej tij dha një kontribut edhe për gjuhën  shqipe , duke rigjallëruar fjalët e lashta shqipe që dëshmoheshin në të folmet arbëreshe. Shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë u shtypën në shtypshkronjën “San Nilo”. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Pritje deri në gjysmë ore për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë

Pas orës 22:00, me përjashtim të Vërmicës, nuk ka kolona të automjeteve në pikat e vendkalimeve kufitare në Kosovë.

Pritjet për të hyrë në Vërmicë nga territori i shtetit shqiptar janë 20 deri në 30 minuta. Ndërsa kolona e automjeteve është 300 metra, teksa për dalje në këtë pikë kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 5-10 minuta, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në vendkalimet e tjera kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 3-5 minuta.

Kujtojmë se nga ora 22:00 është në fuqi ora policore, e cila zgjat deri në 05:00 të mëngjesit dhe gjatë kësaj kohe mund të udhëtohet vetëm për raste emergjente.

Ora policore do të jetë në fuqi deri më 26 shtator, kur pritet të merren masat e reja në bazë të vlerësimeve të situatës me pandeminë koronavirus. / KultPlus.com

Rritet interesi i vizitorëve të huaj për mrekullinë natyrore, malin e Tomorrit

Turistë polakë iu ngjitën malit të Tomorrit në një guidë të gjatë turistike me ndihmën e operatorëve turistikë lokalë të Beratit.

Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e cila njofton se grupi i turistëve polakë zhvilloi një guidë turistike në malin e Tomorrit, ndërsa gjithnjë e më shumë po rritet interesi i vizitorëve të huaj për këtë mrekulli natyrore.

“Një grup turistësh polakë, që në guidën e operatorëve turistikë lokalë, do të përshkojnë shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës”, thuhet në njoftim.

Mali i Tomorrit është një atraksion turistik i çdo stine, por vjeshta josh si me magji turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj, të apasionuar të guidave dhe shtegtimit në male.

Shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës është një itinerar magjik, mes grykave dhe maleve e peizazhe mahnitëse, me bimësi e shumëllojshme.

Ndërsa, Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe ofron një pamje spektakolare të rrëshqitjes së ujit në një grykë të çarë të malit, rrethuar nga bimësia dhe peizazhi në sfond mahnitës.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që bien nga lartësi që shkojnë nga 20-150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë.

Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit. / KultPlus.com

Rama publikon pamje nga festa e hapjes së TKOB: Kushte dinjitoze, artistët do të ndihen të respektuar

Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.

Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.

“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.

“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.

“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com

Eja me mua në një vend që askush nuk e di

Poezi nga Pablo Neruda

Eja me mua, i thashë, në një vend që askush
nuk e di, të ndjesh si regëtin dhimbja e madhe
për mua as këngë gondolash, as karafil
vetëm një plagë që dashuria la hapur

I them sërish; eja me mua, edhe sikur të vdes
dhe askush të mos e shoh hënën kur e pi goja ime
dhe gjakun e trëndafilit që mbytet ne heshtje.
Eja dashuri, le të harrojmë dhe yllin që nxin prej trishtimit!

Dhe kur dëgjova zërin tënd që tha;
Eja me mua, m’u duk sikur u çlirua krejt papritur
brenga, dashuria, tërbimi si një tape vere që hapet!

Gajzerët nga thellësitë shpërthyen lart në qiell
në gojë unë ndieva sërish shijen e zjarrit
të gjakut të karafilave, të gurit dhe plagës.

Përktheu: Roland Gjoza / KultPlus.com

Investimet në agroturizëm, grante emigrantëve që duan të punojnë në fshat

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë 4 vitet e ardhshme ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, parashikon të ultilizojë programe për mbështetjen me fonde nga buxheti i shtetit dhe donatorët, të menuve autentike që zbulojnë zonën dhe i japin vlerë qëndrimit të vizitorëve.

Përmes këtij programi, synohet të trashëgohen tek brezat e rinj produktet tipike të zonave gjeografike, përmes krijimit të eksperiencave pozitive që të njihen nga të gjithë.

Për këtë nxitja do të jetë reale përmes politikave mbështetëse me grante dhe subvencione dedikuar emigrantëve, të rinjve dhe grave, që duan të jetojnë e punojnë në fshat. / ata / KultPlus.com

“Melodi e këputun”, poezia e Migjenit që rrëfen dhimbjet më të mëdha të një gruaje

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun. / KultPlus.com

Akrobati lë pa fjalë parisienët, ecën mbi litar në lartësi prej 70 metrash

Një akrobat 27-vjeçar dhuroi një shfaqje spektakolare, për qytetarët e Parisit, pasi eci përgjatë një litari të lidhur në Kullën e Eifelit,  në një lartësi prej 70 metrash.

Nathan Paulin , i cili ishte i lidhur me një litar sigurie, eci zbathur rreth 30 minuta mbi litar, si pjesë e një shfaqjeje akrobatike për të nisur Olimpiadën Kulturore në Paris, sipas Agence France-Presse.

Madje akrobatit 27-vjeçar u shtri  në litar për të shijuar pamjen panoramike.

Ai tha i duhej të praktikohej për katër vjet për të arritur suksesin mbresëlënës. / KultPlus.com

2 vjet pas zjarrit të tmerrshëm, çfarë po ndodh sot me katedralen Notre Dame

Puna për ngritjen e Notre Dame në Paris ka përfunduar, duke lejuar që restaurimi të fillojë, dy vjet pasi një zjarr shkatërroi papafingon dhe shpërthimin i saj i përhapi flakët më tej.

Menjëherë pas zjarrit të prillit 2019, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se katedralja – e cila daton në shekullin e 12’të, do të rindërtohej. Ai më vonë premtoi se do ta rihapë atë për adhuruesit në vitin 2024, kur Franca të presë Lojërat Olimpike.

Faza përfundimtare e përpjekjeve për të siguruar strukturën e saj të mëparshme, përfshinte përforcimin e qemerëve të dëmtuar nga zjarri me harqe druri, tha agjencia shtetërore që drejton punën, duke shtuar se ishte në rrugën e duhur për të përmbushur datën e synuar të rihapjes.

Katedralja do të rikthehet në modelin e saj të mëparshëm, duke përfshirë majën 96 metra, të projektuar nga arkitekti Eugène Viollet-le-Duc, në mesin e viteve 1800 dhe për të cilën është zgjedhur lëndë druri e re.

Puna e restaurimit pritet të fillojë gjatë muajve të ardhshëm pas një procesi për të zgjedhur kompani.

Zjarri në Notre Dame shkaktoi tronditje në Francë dhe në mbarë botën. Parisienët e përlotur dhe turistët panë ferrin e tërbuar mbi katedrale, e cila shënon qendrën e Parisit. / KultPlus.com

Of Nanë

Poezi nga Bekim Lumi

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Si rr’fe prej qielle

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si ilaç për nerva

Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si barrën e druve përmi shpinë Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere të bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si mbi jastëk andrrash Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë

Pashë Zotin

Pashë Ty

Pashë Babën

Pashë Mue

M’fal

Si mëkatar i keq që jam

Po t’lutem shumë

M’fal

Për dhembjet

Për sëmundjet

Për nervat

Për zjarminë

Për brengat

Për borxhet

Për mallin

Për mërzinë

Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme

M’fal

Njimijë herë m’fal

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Shënim: Këtë poezi e kam shkrue diku në vitin 1996, në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë (Shqypni), kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun në këtë jetë. (bekim lumi) / KultPlus.com

Vdiq aktori i njohur britanik, John Challis

Aktori i njohur britanik John Challis ka vdekur në moshën 79-vjeçare, pas viteve betejë me kancerin, raporton “Daily Mail”.

Callis ishte veçanërisht i njohur për rolin e tij në “Only Fools and Horses”.

“Me zemër të rënduar po ju japim këtë lajm aq të hidhur. Shoku ynë dhe i juaji, John Challis, ka vdekur në paqe në gjumë, pas betejës së gjatë me kancerin”, ka shkruar Challis në Facebook. / KultPlus.com

Largohen nga Kosova edhe 51 afganë tjerë

Këtë të diel janë larguar edhe 51 qytetarë nga Afganistani të cilët kanë qenë të strehuar në Kosovë.

Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmes një shënimi në Facebook.

“Sapo u përshëndetëm me 51 qytetarë afganë, të cilët i strehuam përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA”, është shprehur Sveçla.

Ministri i Brendshëm thotë se do të vazhdojë bashkëpunimi me NATO-n për transferimin e afganëve nga Kosova.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera”.

Sveçla shton më tej se Kosova do të ndihmojë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon.

“Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar tutje Xhelal Sveçla.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten ishin larguar drejt Mbretërisë së Bashkuar edhe 117 shtetas afganë, të cilët  ishin strehuar në Kosovë. / KultPlus.com

“Arthur Rambo”, një film për rreziqet e rrjeteve sociale

Regjisori francez, Laurent Cantet ka prezantuar në festivalin spanjoll të filmit, në San Sebastian, filmin e tij të ri, “Arthur Rambo”, një jehonë e shkatërrimit të reputacionit në mediet sociale.

“Filmi artistik ndjek një autor të ri, që i përket një brezi, në të cilin edhe pse kanë lindur në kohën e rrjeteve sociale, ndonjëherë, nuk e kuptojnë funksionimin e tyre”, shpjegoi regjisori, fitues i Palmës së Artë 2008 me filmin “Entre les murs” (Midis mureve) dhe i dy çmimeve Césars për filmin “Ressources humanes” (Burimet Njerëzore) (1999).

Historia e “Arthur Rambo” bazohet në historinë e vërtetë të Mehdi Meklat, një autori 25-vjeçar francez, i cili kishte fituar famë duke kronikuar në veçanti lagjet e pafavorizuara, para se të ndalonte gjithçka përballë zbulimit të mijëra “tweets” të tij antisemite, homofobike, raciste dhe seksiste.

Filmi tregon historinë e Karim D, një shkrimtari të ri me origjinë algjeriane, i cili jeton në periferi të Parisit dhe sapo ka botuar romanin e tij të parë mbi emigracionin, që shpejt e shtyn atë drejt famës.

Libri i tij është në prag të përshtatjes për kinemanë, kur një seri “tweets” të tij antisemite dhe homofobike, të botuara nën pseudonimin “Arthur Rambo” përmbysin gjithçka, duke e detyruar atë të përballet me ata përreth tij dhe të gjejë një rrugëdalje.

“Ai është një personazh mjaft përfaqësues i kohës sonë, gjithashtu përfaqësues i një ndarjeje shoqërore që është shumë e theksuar në Francë dhe, veçanërisht, në Paris, midis botës pariziane dhe periferisë”, tha regjisori 60-vjeçar. / KultPlus.com

Urdhri i ri në Kabul: Femrat të qëndrojnë në shtëpi, punët do të zëvendësohen nga burrat

Kryebashkiaku i ri taleban i Kabulit në Afganistan u ka thënë punonjësve femra në qytet që të qëndrojnë në shtëpi, përderisa punët e tyre nuk mund të plotësohen ose zëvendësohen nga një burrë. Sipas Hamdullah Noman, talebanët e panë të nevojshme të ndalonin gratë të punonin për një kohë të pacaktuar.

Ky është kufizimi i fundit i vendosur ndaj grave të Afganistanit nga qeveria e re dhe e ashpër islamike e vendit.

Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm në vitet 1990 gratë u ndaluan nga arsimimi dhe puna.

Pasi pushtuan vendin muajin e kaluar pas tërheqjes së forcave amerikane, talebanët thanë se të drejtat e grave do të respektoheshin “brenda kornizës së ligjit islamik”. Por talebanët favorizojnë një interpretim të rreptë të sistemit ligjor të Islamit, ose ligjit të Sheriatit.

Që nga marrja e pushtetit, grave që punojnë u është thënë të qëndrojnë në shtëpi derisa të përmirësohet situata e sigurisë, dhe luftëtarët talebanë kanë rrahur gra që protestonin kundër qeverisë së përkohshme.

Grupi islamik duket se ka mbyllur ministrinë e çështjeve të grave dhe e ka zëvendësuar atë me një departament që dikur zbatonte doktrina të rrepta fetare.

Dhe këtë fundjavë shkollat ​​e mesme u rihapën, por vetëm djemtë dhe mësuesit meshkuj u lejuan të ktheheshin në klasa. Talebanët thanë se po punonin për rihapjen e shkollave për vajzat.

Sipas kryebashkiakut të Kabulit, rreth një e treta e 3,000 punonjësve të qytetit janë gra. Ai tha se disa do të vazhdojnë të punojnë.

“Për shembull, gratë punojnë në tualetet e grave në qytet ku burrat nuk mund të shkojnë. Por për pozicionet që të burrat mund të plotësojnë, ne u kemi thënë atyre grave të qëndrojnë në shtëpi derisa situata të normalizohet. Pagat e tyre do të jepen”, tha ai.

Të dielën, pati protesta të vogla jashtë ministrisë së çështjeve të grave, ndërsa një grup tjetër grash mbajti një konferencë shtypi për të kërkuar të drejtat e tyre.

Një nga ata që protestuan në ministri tha “ne nuk duam që kjo ministri të hiqet. Largimi i grave do të thotë largimi i qenieve njerëzore”.

Në një zhvillim të veçantë, Komisioni i Pavarur i të Drejtave të Njeriut në Afganistan tha se nuk kishte qenë në gjendje të përmbushte detyrat e tij që nga marrja nën kontroll e talebanëve.

Organizata tha në një deklaratë se ndërtesat, automjetet dhe kompjuterët e saj ishin marrë të gjitha nga talebanët. / KultPlus.com

Restaurohet filmi i njohur shqiptar, së shpejti edhe premiera

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju fton në premierën e restaurimit të filmit “Vde kja e kalit” (1992), me regji nga Saimir Kumbaro, të Hënën, 20 shtator, ora 19:00 në Parkun Olimpik, Tiranë.

Kjo premierë është pjesë e programit “Netët e filmit arkival”, bashkëpunim i AQSHF me Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë, që do të zhvillohen nga data 20 – 22 Shtator, 2021. Hyrja falas dhe në respektim të plotë të masave COVID19.

Restaurimi i filmit VDE KJA E KALIT  u mundësua falë programit A Season of Classic Films, nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane – ACE: Association des Cinémathèques Européennes që AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Filmit u restaurua falë punës së ekspertit Izraelit të restaurimit, Shai Drori, dhe kineastit Australian, Steven Kastrissios.

Bazuar në një histori të vërtetë, është filmi i parë dramatik i prodhuar pas rënies së regjimit komunist. Kushtet e vështira dhe me buxhet të ulët gjatë xhirimit të “Vde kja e kalit” pasqyrojnë më së miri sfidat e jashtëzakonshme shoqërore dhe ekonomike me të cilat u përballën kineastët tanë në vitet 1990.

Megjithatë, “Vde kja e kalit” ka një vitalitet të papërsëritshëm në kinematografinë shqiptare, dhe mbetet një pikë referimi në kinemanë e pazbuluar të vendit tonë. Jemi të lumtur që falë ACE kemi arritur ti japim një jetë të dytë këtij filmi të rëndësishëm që pasi tronditi publikun në premierën e tij në 1992, do të ketë tani mundësinë të shihet sërish në ekranin e madh me parametrat e duhur teknik. Në këtë premierë do të kemi kënaqësinë të kemi të ftuar personalitete të fushës dhe supriza të botës arkivale. / KultPlus.com

Epifania në Horën e Arbëreshëve dhe simbolika e portokallit

Në mëngjesin e 6 janarit në Horën e Arbëreshëve, kremtohet çdo vit festa e ujit të bekur, njohur ndryshe si Epifania, festa që përkujton vizitën e Magjistëve tek foshnja Jezus.

Kjo festë fetare karakterizohet gjithashtu nga simbolikat e thella të ritit Bizantin, dhe për këtë arsye nga këngët që shoqërojnë të gjithë funksionin fetar, nga parada e grave me rrobat tradicionale të qëndisura me ar, me bekimin e ujërave, me fluturimin e një pëllumbi të bardhë dhe me shpërndarjen e portokallit për besimtarët.

Festa, në fakt, zhvillohet përgjatë katër momenteve kryesore:

Peshkopi dhe priftërinjtë kremtojnë liturgjinë Eukaristike në katedrale, duke përkujtuar me këngën “Në Jordan” zbritjen e Shpirtit të Shenjtë në Jordan, ditën e pagëzimit të Krishtit.

Parada e grave me kostum tradicional. Përfaqësuesit e Eparkisë ecin në rresht të shoqëruar nga besimtarët dhe vajzat e veshura me veshje tradicionale, drejt burimit të “Tri kanolive” në sheshin kryesor të qytetit.

Hedhja e kryqit: Peshkopi hedh kryqin e gdhendur në dru tre herë në ujin e burimit, duke mbajtur shandanin me tre qirinj dhe një degëz rue me dorën tjetër, ndërsa nga çatia e Kishës së Odigitria lëshohet një pëllumb i bardhë.

Shpërndarja e portokalleve: Portokallet janë zhytur gjithashtu në të njëjtin shatërvan, të cilët më pas u shpërndahen banorëve të fshatit dhe vizitorëve.

Nëse simbologjia e pëllumbit kuptohet lehtësisht, një mjegullnaje e vërtetë e kuptimeve ekziston rreth simbolizmit të portokalleve. Në fakt, portokallët i referohen një simbolologjie komplekse dhe shumë të gjerë të kuptimeve, e cila lidhet me:

rilindjen e natyrës pas periudhës së ftohtë të dimrit, gjithashtu e nënkuptuar në ritin e pagëzimit;

pastërtine e vajzave që parakalojnë me shporta me portokall: lulet e portokallit, në fakt, konsiderohen simbol i dëlirësisë dhe përdoren si zbukurime me lule për dasma, pikërisht për të treguar pastërtinë e nuses;

pjellori dhe dashuri: sipas mitologjisë greke, në fakt, paja e Junos, e cila u martua me Jupiterin, përbëhej nga disa fidanë frutat e të cilave ishin globe të mrekullueshme të arta, domethënë portokalle, simbol i pjellorisë dhe dashurisë. Jupiteri i shqetësuar se hajdutët mund t’ia vidhnin atë dhuratë të çmuar, ai i ruajti ata me një kopsht të jashtëzakonshëm të ruajtur nga nimfat.

bollëk, pjellori dhe gjallëri: forma sferike e portokallit, në fakt, lidhet me simbolikën e rrethit, arketipin e “qendrës” nga e cila gjithçka mund të zgjerohet dhe rritet.

Ky element i fundit është sigurisht i rëndësishëm dhe i pasur me kuptim, sepse kujton idenë se Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) është qendra e universit shoqëror, mitik dhe psikik të ish-të mërguarve shqiptarë, nga e cila gjithçka mund të lindë, në të vërtetë të rilindë, rritet dhe zgjerohet.

Nga Anna Maria Ragno. / KultPlus.com

Artistë nga Prishtina me performancë mahnitëse në teatrin “Petro Marko” të Vlorës

Në sallën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, është mbajtur koncerti i Orkestrës Kamerale New Born/ Chamber Orchestra e Kosovës.

Dhjetë artistë të rinjtë, solistë në filarmoninë e Kosovës, janë bërë bashkë duke dhënë një shfaqje mjaft të suksesshme.

Të drejtuar nga dirigjenti Edon Ramadani, artistët nga Prishtina kanë performuar për artëdashësit vlonjatë pjesë nga kompozitorët shqiptarë, si Avni Mula, Feim Ibraimi, Gjergj Kaçinari, Rashid Krasniqi, Rexho Mulliqi etj, të traditës, dhe të huaj si Johaquin Rodrigo, Charles Gounod etj.

Interpretimet profesionale të sopranos Zana Abazi Ramadani, Betim Krasniqit në trombon, Avni Krasniqi në kornet, Kaltrina Krasniqi në flaut dhe Shkumbin Bajraktari në klarinet bënë që publiku të emocionohej.

Konceriti i artistëve në fund u duartrokit gjatë nga publiku në sallë./KultPlus.com