‘Drawing on Style’ është një ekspozitë që shfaq ilustrime të rralla dhe të padukshme të modës nga vitet ’30 deri në ditët e sotme.
Pikat kryesore të ekspozitës, shumë prej të cilave nuk kanë dalë kurrë në publik, më parë, përfshijnë veprat e mjeshtrit bashkëkohor David Downton, magjepsjen e modës të viteve 50’ nga René Gruau, punën e René Bouché, i njohur për ilustrimet e tij për Vogue, dhe veprat bashkëkohore të Jason Brooks dhe artistit për Dior, Bill Donovan, transmeton KultPlus.
Ekspozita ‘Drawing on Style’ do të mbahet në Londër në Cromëell Place nga 15-26 shtator.
Më poshtë mund të gjeni disa nga veprat e kësaj ekspozite./KultPlus.com
Carl Eric Erickson, 1935.Illustration for Elizabeth Arden by René Bouché, 1949.New Look Fitted Suits Furs Added by René Bouché. The Trench Coat by René Gruau, 1950s.Line Drawing by René Gruau, 1950s.Summer Dress by René Bouché, 1954.Peek & Cloppenburg Winter Coat by Gerd Grimm, 1958.Illustration for Jacques Griffe by Pierre Mourgue, 1958.The Long and Short of …. II by Antonio Lopez, 1967.Party Pant Suit illustrated by Antonio Lopez, 1966.Sporting Around by Robert Melendez, 1969.You Can Never Be Too Rich Or Too Thin, The Duchess of Windsor by Antonio Lopez, c 1976.Accessories by Robert Passantino, 1980s.Manolo Blahnik Boot for Perry Ellis, illustrated by Kenneth Paul Block, 1981.Intensity by Steven Stipelman, 1996.Carmen Dior by David Downton, 2000.Illustration for Yohji Yamamoto by Gladys Perint Palmer, 2000.Jeanne Hebuterne by Andrea Ferolla, 2019.Illustration for Saint Laurent by Jason Brooks, 2020.Floral, Ronald van der Kemp Paris Spring Couture by Bill Donovan, 2020.Tanel Bedrossiantz wears Jean Paul Gaultier Haute Couture I by Ali Mahdavi, 2021.
Republika e Kosovës e njeh cerifikatat digjitale COVID -19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian, por vetë ende nuk është pjesë e sistemit digjital të këtyre cerifikatave. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se janë duke punuar ngushtë me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.
Certifikata digjitale COVID-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Procesi i imunizimit të popullatës në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri më tani, rreth 400 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit. Të vaksinuarit në Kosovë pajisen me kartelë vaksinimi për COVID-19.
Krahas kësaj kartele me QR kod (që identifikon statusin rreth vaksinimit), Republika e e Kosovës ka dizajnuar edhe certifikatën digjitale për lëvizje të lirë në shtete të ndryshme, thuhet në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është aprovuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë dhe është duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian, duke ndjekur procedurat përkatëse, në mënyrë që e njëjta të pranohet, thuhet në përgjigje.
Çdo procedurë që kërkohet nga Komisioni Evropian do të plotësohet me qëllim që certifikata digjitale e Kosovës të njihet. Në përgjigje të MSH-së po ashtu thuhet se disa çështje janë jashtë ndikimit të ministrisë, por që ky institucion do të përmbushë përgjegjësitë e veta, që i takojnë sa i përket kësaj certifikate, në raport me palët e jashtme.
“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë cerifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te KE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga vendet e rajonit,Komisioni Evropian, të mërkurën ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë, kurse më 20 gusht, në sistemin digjital të certifikatave, është pranuar edhe Maqedonia e Veriut.
Certifikata digjitale lëshohet pa para dhe është në formë të shtypur si dhe format digjital dhe do të ketë validitet deri në një vit. Certifikata ka një QR-kod me informacione, si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.
Edona Deva, specialiste e shëndetit publik në Kosovë shprehet se angazhimet e autoriteteve kompetente duhet të jenë të pandalshme sepse certifikata digjitale është shndërruar në pasaportë për lëvizje. Ajo konsideron se Kosova mund të jetë pjesë e sistemit digjital të këtyre certifikatave, pasi në Kosovë administrohen vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Deva tregon se gjatë verës ka udhëtuar nga Kosova në shtetin e Kroacisë që është vend i Bashkimit Evropian, por që thotë se nuk ka pasur problem me certifikatën e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Në Kosovë administrohen vaksinat e kompanisë Pfizer dhe AstraZeneca.
“Nuk jam e njoftuar me përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë aspekt, por mund të them se angazhimi nuk duhet të ndalet, për shkak se udhëtimi nuk mund të ndalet për shkak të njohjes apo mosnjohjes së një certifikate”, thekson Deva.
Integrimi në sistemin digjital të certifikatave, në aspektin teknik nuk është problem për Kosovën, thotë Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve. Ky informacion mund të ruhet në telefon apo në pajisje të tjera mobile, të cilat më pas udhëtari ua tregon punëtorëve të linjave ajrore apo zyrtarëve kufitarë.
“Certifikata digjitale në aspektin teknik, duhet të jetë e qasshme përmes telefonit mobil, në mënyrë që të skanohet QR kod nga autoritetet në kufi. Kur skanohet kodi, vërtetohet se personi ka marrë vaksinën. Kosova duhet të punojë edhe në aspektin teknik dhe kjo nuk është e vështirë të realizohet. Kosova lehtë mund të realizojë këtë proces në mënyrë që të integrohet në sistemin digjital të certifikatave, nëse nuk ka kërkesa të tjera nga BE-ja”, shprehet Elshani.
Por, për të hyrë dhe dalë një person në dhe nga Republika e Kosovës, sipas masave në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, të vendosura më 13 shtator nga Qeveria e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë pasuese: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik – IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve) ose testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Në rast se nuk i kanë këto dëshmi, duhet të vetizolohen për shtatë ditë./KultPlus.com
Shpikësi Sir Clive Sinclair, i cili popullarizoi kompjuterin në shtëpi dhe shpiku kalkulatorin e xhepit, ka vdekur në shtëpinë e tij në Londër, në moshën 81-vjeçare.
Vajza e tij Belinda Sinclair tha se vdiq të enjten në mëngjes pasi kishte kancer për më shumë se një dekadë.
Produktet e Sir Clive përfshinin serinë e kompjuterave ZX dhe automjetin e tij fatkeq elektrik C5, raporton bbc.
Ai ishte ende duke punuar në shpikjet e tij javën e kaluar “sepse kjo ishte ajo që i pëlqente të bënte”, tha zonja Sinclair.
“Ai ishte krijues dhe imagjinativ dhe për të ishte emocionues dhe një aventurë, ishte pasioni i tij”, shtoi ajo.
Ndërsa kompjuterët e tij, ZX Spectrum sollën llogari personale të përballueshme për masat – duke u shitur në miliona në të gjithë botën përpjekja e Sir Clive për të nisur një automjet elektrik nuk ishte e suksesshme.
C5 u lançua në vitin 1985 dhe blerësit ishin të zhgënjyer me gamën e tij të kufizuar, shpejtësinë e ngadaltë dhe pamundësinë për të ngjitur kodrat. Kjo i shkaktoi Sir Clive probleme të rënda financiare./KultPlus.com
Ka mjaftuar një tjetër postim në Instagramin e Elhaida Danit për të kuptuar se në 20 shtator po “gatuhet” vërtet diçka e madhe.
Këngëtarja e njohur shqiptare ka hedhur disa foto në profilin e saj, e shfaqur sërish në një studio produksioni, por kësaj here në krah ka edhe tre artistë të mirënjohur dhe kompozitorë të talentuar.
Fjala është për Elgit Dodën, Kledi Bahitin dhe Alban Kondin, një treshe e shkëlqyer që, me sa duket, do na sjellin një surprizë të madhe në 20 shtator për Elhaida Danin.
Këngëtarja shqiptare ka deklaruar gjatë verës se ka në plan një projekt të madh muzikor, të cilin siç duket do ta publikojë në 20 shtator.
Na duhet të presim edhe pak ditë. Por, përfshirja e Elgit Dodës, Kledi Bahitit dhe Alban Kondit vetëm sa na e ka shtuar kuriozitetin./atsh/KultPlus.com
Baza e të dhënave të Statistikave Botërore “Numbeo” ka publikuar raporte të përditësuara mbi koston e jetesës në vendet e botës, në lidhje me çmimet mesatare të artikujve ushqimorë dhe shërbimeve të tjera që paguajnë qytetarët çdo muaj.
Statistikat e përgatitura nga Numbeo i referohen çmimeve të shërbimeve si energjia elektrike, ngrohja, uji, por edhe grumbullimi i plehrave.
Statistikat mbulojnë pothuajse të gjitha vendet në botë, dhe tabela përcaktohet në bazë të shumës së parave që duhet të ndahen për koston e jetesës në një apartament prej 85 metrash katrorë.
Ajo që mund të vërehet sipas tabelës së publikuar është se zona e Evropës, të paktën kur bëhet fjalë për çmimet mesatare të shërbimeve bazë, është pjesa “më e shtrenjtë” e botës për të jetuar.
Megjithatë, Kosova del të jetë vendi “më i lirë” për t’u jetuar, të paktën kur bëhet fjalë për rajonin, ku qytetarët duhet të lënë 54 euro për shërbimet bazë.
Nëse do të vëzhgoheshin vetëm vendet e Evropës Jugore, Kosova do të ishte pozitën e fundit në bazë të çmimeve mesatare të kostove bazë.
Sipas statistikave të Numbe, Zvicra është vendi më i shtrenjtë kur bëhet fjalë për çmimin mesatar të shërbimeve bazë, kështu që qytetarët e këtij vendi do të paguajnë rreth 125 euro për faturat që vijnë në adresat e qytetarëve çdo muaj.
Ndryshe, ajo që është interesante, ndër 10 vendet më të shtrenjta kur bëhet fjalë për çmimet e shërbimeve bazë, ka vetëm dy vende jo-evropiane, më saktësisht Izraeli dhe Hong Kongu. Banorët e këtyre zonave do të lënë mënjanë 199 euro dhe 198 euro për kostot. /KultPlus.com
Italia do të bëhet vendi i parë evropian që e bën sistemin e pasaportave të vaksinave të detyrueshëm për të gjithë punëtorët. Në kuadër të kësaj duhet të sigurohet dëshmi e vaksinimit, test negativ ose dëshmi se së fundmi jeni shëruar nga COVID-19, ose stafi do të pezullohet pa pagesë dhe do të përballet me një gjobë.
Sidoqoftë, ata nuk do të shkarkohen. Ligji do të zbatohet si për punonjësit publikë ashtu edhe ata private, që nga 15 tetori pasi qeveria italiane miratoi masat të enjten.
“Asgjë e tillë nuk është bërë në Evropë … ne po e vendosim veten në ballë ndërkombëtarisht,” tha Ministri i Administratës Publike, Renato Brunetta.
Disa vende të Bashkimit Evropian e kanë bërë të detyrueshme që punonjësit e shëndetësisë të vaksinohen, por asnjëra nuk e ka bërë të ashtuquajturën Green Pass, kërkesë për të gjithë punonjësit.
Sindikatat kërkuan që testet të jenë falas për punëtorët që nuk duan të vaksinohen, por qeveria tha se do të paguheshin me 15 euro. Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Itali është më i larti në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar, me më shumë se 130,000 vdekje, dhe ishte vendi i parë në kontinent që hyri në bllokim, raporton Skynews, transmeton Klankosva.tv
Rreth 74% e njerëzve në Itali janë vaksinuar me një dozë dhe 68% janë plotësisht të vaksinuar./KultPlus.com
“Blood Brothers: Malcolm X & Muhammad Ali”, është dokumentari i ri i Netflix që gërmon thellë në lidhjen në mes aktivistit legjendar për të drejtat civile Malcolm X, dhe kampionit të boksit, Muhammad Ali. Për këtë dokumentar, e bija e Malcolm X, Shabazz ka thënë se tergimi i tij është shumë i bukur, se ai flet për dy shpirta të bukur, për vëllazëri.
Shabazz ka thënë se kemi harruar historinë e klimës shoqërore të viteve të 60-ta, që ishte goxha sfiduese. Në atë periudhë asnjë person me ngjyrë nuk ka thënë se është i mirë apo i mrekullueshëm. Kështu, nuk ka guxuar të flasë jo vetëm një person me ngjyrë, por as asnjë mysliman. Pra, rrëfimi në këtë dokumentar është i mrekullueshëm, që tregon se çfarë mund të bëjë secili me jetën e vet, ka thënë ajo.
Muhammad Ali, emri i vërtetë i të cilit ishte Cassius Clay, u bë bokseri i parë që ka fituar kampionatin botëror me pesha të rënda në tri ngjarje të ndara. Pasi që ai ndërroi fenë në Islam në vitin 1964, ndërroi emrin në Muhammad Ali. Malcolm X, që ishte njëra prej figurave më të njohura amerikane të asaj kohe, zhvilloi një lidhje të ngushtë me bokserin, dhe filloi ta këshillonte atë.
Por kur X vendosi të braktiste Islamin, duke e lënë atë nën hijen e polemikave, marrëdhënia e tyre u prish.
E bija e Muhammad Ali, Maryum Ali, ka thënë se të padrejtat civile që janë bërë në atë kohë, vazhdojnë të jenë edhe sot. Malcolm ishte mjeshtër për metoda e strategji, të cilat qeveria amerikane i kontrollonte dhe shfrytëzonte për të shtypur njerëzit me ngjyrë, dhe kjo vazhdon edhe sot.
Maryum Ali ka thënë se shpreson se njerëzit nga ky dokumentar do të nxjerrrin atë që të jenë më aktiv në jetët e tyre personale, në jetën politike.
Ajo ka thënë se e bukura e asaj që ka karakterizuar babain e saj ka qenë se ai ka folur para medieve, dhe njerëzit nëse duan të kuptojnë diçka nga ai, duhet ta studiojnë. Ata që duan të dinë se si ka vepruar ai, duhet të shikojnë video me të në you tube, të shohin se çfarë këndvështrimi ka pasur ai. Ajo ka thënë se Ali me pensionim nuk ka pasur më zë, por njerëzit duhet të shohin se çfarë këndvështrimi ka pasur, kur ka pasur gjendjen e mirë shëndetësore.
Dokumentari “Blood Brothers: Malcolm X & Muhammad Ali” është duke u shfaqur në Netflix./KultPlus.com
Eja të vdesim, e dashur, shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti, a s’e dëgjove në TV si kryelajm? Eja të vdesim, e dashur, s’ka rëndësi në rron si rob a zot, arkivoli është gati, dy metra vend gjithashtu, makinë e funeralit, kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu. Eja të vdesim, e dashur, ç’na duhet kjo jetë, e rëndësishme është të vdesësh si zotni; mbylle TV-në, të vdesim qysh tani. / KultPlus.com
Fragment nga ”E fortë si vdekja” e autorit Guy de Moupassant
“… Nëse do të kishte diçka që mund të më ngushëllonte në këtë gjëmë të zezë që më ka gjetur, i dashur mik, kjo do të ishte letra juaj. Dje e varrosëm, dhe qysh nga çasti kur trupi i saj i ngratë e i pajetë doli nga kjo shtëpi, më ngjan sikur kam mbetur fillikat në këtë botë.
Nënën e vet njeriu e do thuajse pa e kuptuar, pa e ndier, meqë kjo gjë është diçka po aq e natyrshme sa vetë jeta, dhe vetëm në çastin e lamtumirës së fundit vë re sa të thella i ka rrënjët kjo dashuri.
Nuk ka dashuri tjetër që mund të përqaset me të, sepse të gjitha të tjerat janë të rastësishme, kurse kjo është e lindur, të gjitha të tjerat na i sjellin më pas rrethanat e ndryshme të jetës, kurse kjo rron në vetë gjakun tonë qysh nga dita e parë kur vijmë në këtë botë.
Dhe pastaj, njeriu s’humbet vetëm nënën, bashkë me të zhduket edhe gjysma e fëmijërisë sonë, sepse jeta jonë e shkurtër fëmijërore ruhej në kujtesën e saj aq sa dhe në kujtesën tonë. Vetëm ajo e njihte njësoj si ne, ajo dinte një mori vogëlimash të largëta, të parëndësishme, por të çmuara, që kanë qenë e mbeten përgjithmonë të parat emocione të ëmbla të zemrës sonë.
Vetëm asaj mund t’i thosha akoma: “Mama, të kujtohet ajo ditë kur…? Mama, të kujtohet kukulla prej porcelani që më pati dhënë gjyshja?” Të dyja bashkë sillnim ndër mend një varg të tërë kujtimesh të thjeshta e të hareshme, të cilat tani nuk i di më njeri tjetër në këtë botë përveç meje. Ka vdekur, pra, një pjesë e vetes sime, pjesa më e hershme, më e mira.
Kam humbur atë zemër të mjerë ku jetoja ende e plotë ashtu siç kam qenë kur isha vajzë e vogël. Tani atë s’e njeh më askush, askujt s’i kujtohet më vogëlushja Anë, askujt s’i kujtohen fundet e shkurtra, të qeshurat dhe ojnat e saj.
Dhe do të vijë një ditë, e cila mbase nuk është aq e largët, kur do të iki edhe unë e do ta lë të vetme në këtë botë Anetën time të dashur, ashtu siç më la mua nëna sot. Sa e trishtuar, e rëndë e mizore është e gjithë kjo!
E prapëseprapë, njeriu s’mendon kurrë për këtë, nuk vë re se vdekja në çdo çast merr dikë rreth e qark nesh, ashtu siç do të na marrë edhe ne së shpejti. Po ta vinim re këtë, po ta mbanim mendjen aty, po të mos ishim të shkujdesur, të gëzuar e të verbër ndaj gjithçkaje që ndodh para syve tanë, atëherë s’do të ishim në gjendje të jetonim, sepse pamja e kësaj masakre të pafund do të na shkallonte.
Jam aq e dërrmuar, aq e trishtuar, sa nuk bëj dot më asgjë. Ditë e natë e kam mendjen te mamaja ime e gjorë, e mbyllur në atë arkë, e kallur në dhe, atje në fushë, në mes të shiut, dhe fytyra e saj e plakur, që e puthja me aq gëzim, tani s’është gjë tjetër veçse një kalbësirë e llahtarshme.
Oh, çfarë tmerri, miku im, çfarë tmerri! Kur humba babanë, sapo isha martuar dhe atëherë gjithë këto gjëra s’i ndjeva kështu siç po i ndiej sot. Qamëni hallin, mendoni për mua, shkruamëni. Tani kam aq shumë nevojë për ju”. / KultPlus.com
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi, nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti. Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni, malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë, si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë, m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë, m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë, s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë. Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë, do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë, emra trimash mbush pagëzimi, por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet. Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj, dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë, kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë. Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët, u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej. Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe. E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët, ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte, në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli. N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte, Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri. / KultPlus.com
Një “kthim në shtëpi” përmes një filmi të cilin Kenneth Branagh filloi ta shkruante në javët e para të bllokimit kundër COVID-19.
“Belfast”, filmi më autobiografik i regjisorit, tregon historinë e fëmijërisë së tij në vendlindje, në Belfast, Irlanda e Veriut, nga ku familja e tij protestante u largua në 1969, për t’u zhvendosur në Angli, në fillim të fazës së parë të Troubles, përplasjet midis katolikëve republikanë irlandezë dhe sindikatave protestante irlandeze.
Me debutimin e tij në Telluride dhe më pas në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, filmi i xhiruar kryesisht në bardhezi, ku ndër të tjerë luajnë Caitriona Balfe, Judi Dench, Jamie Dornan, Ciaran Hinds, Colin Morgan dhe Jude Hill si protagonisti i vogël, Buddy, ka fituar mbi kritikët, të cilët e vlerësojnë atë ndër titujt e pranueshëm për nominime të ndryshme të Çmimeve Oscar.
“Puna në Belfast, për mua, ishte një kthim në një vend të sigurt në një kohë si kjo, ku jetojmë në pasiguri të përgjithshme për shkak të pandemisë”, shpjegon Branagh.
“Unë dëshiroja të kthehesha në një çast në të cilin u përcaktuan marrëdhëniet e mia me botën, ku unë mund të isha lehtësisht vetvetja lehtë dhe ishte e pamundur të humbisja, edhe fizikisht, pasi njihja gjysmën e qytetit dhe për gjysmën tjetër kishte njerëz me të cilët me siguri do të kisha gjetur disa lidhje ose njohje të përbashkëta”.
“Filmi është gjithashtu një falënderim për të gjithë ata që më shikuan dhe më ndihmuan të rritem në ato vite”, shtoi ai.
“Belfast” eksploron gjithshtu sesi konflikti në Irlandë u zhvillua papritur, duke prishur realitetin me të cilin “ne ishim mësuar”.
“Ndjeva të më rrëshkiste toka nën këmbë. Shihja barrikada të ngritura në fund të rrugëve, ku unë luaja”.
Branagh tha se shpreson se gjatë shikimit të filmit “të shfaqet elasticiteti, humori, krenaria dhe vendosmëria e popullit të Irlandës Veriore, e treguar gjithashtu në mbështetjen e marrëveshjes së paqes të arritur në 1998, duke lënë pas dhimbjen e së kaluarës”. / KultPlus.com
Director Kenneth Branagh (left) and actor Jude Hill (right) on the set of BELFAST, a Focus Features release. Credit : Rob Youngson / Focus Features
Dramaturgu Matthew López, i cili u nominua për çmimin Toni për dramën “The Inheritance”, u angazhua të shkruaj edhe skenarin e filmit ikonik në të cilin me rol debutoi ikona e muzikës Whitney Houston, të pagëzuar “The Bodyguard”.
Këtë film do ta realizojë Warner Bros.
Filmi i ri “The Bodyguard” do të realizohet inspiruar nga drama e vitit 1992, në të cilën me role paraqiten Houston dhe Kevin Costner.
Filmi origjinal fitoi mbi 400 milionë dollarë amerikan në Box office-n botëror, si dhe u konsiderua filmi me muzikën më të mirë të të gjitha kohërave, ku disa këngë të Hjuston kryesuan toplistat aso kohe.
Lawrence Kasdan nga kompania Kasdan Pictures dhe Dan Lin, si dhe Jonathan Eirich nga Rideback janë prodhuesit e filimit të ri.
Kasdan ishte skenarist dhe producent edhe i filmit origjinal.
Deri më tani nuk është bërë i ditur ekipi e aktorëve që do të paraqiten me role në filmin e ri.
Filmi i skenaristit Lopez, “The Inheritance” u dha premierë në Londër në vitin 2018, ku u vlerësua drama më e rëndësishme amerikane e shekullit. Më pas u shfaq në West End, e në Broadway në vjeshtën e vitit 2019. /21Media / KultPlus.com
Mbretëria e Bashkuar ka falënderuar Kosovën për strehimin e 117 afganëve, të cilët kanë udhëtuar sot në Britani, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.
Përmes një postimi, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se 117 anëtarët e stafit të NATO-s që ishin strehuar përkohësisht në Kosovë, kanë arritur të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar.
“117 anëtarë të stafit të NATO-s kanë arritur sot të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova. Mbretëria e Bashkuar është mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për ndihmën jetike duke i pritur ata përkohësisht”, thuhet në postimin e tyre.
“Ne do të vazhdojnë të kërkojmë tërheqje të sigurt të afganëve të tjerë që kanë të drejtën të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, e të cilët janë ende në rrezik”, thuhet në postim.
Qeveria e Kosovës, disa javë më parë, ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja. / KultPlus.com
117 Afghan NATO staff have arrived safely in the UK from Kosovo today. The UK is grateful to the Government of Kosovo for their vital help in temporarily hosting them.
We will continue to seek safe passage for other Afghans eligible to come to the UK who are still at risk. pic.twitter.com/rqAriJyp0X
— Foreign, Commonwealth & Development Office (@FCDOGovUK) September 16, 2021
Studenti nga Kosova, Besfort Shala i cili vijon studimet në Universitetin e Oxford-it, dikur së bashku me familjen e tijpati kërkuar mbështetje për mbledhje fondesh përmes ‘Go Fund Me’, për shkak të kosotos së lartë të studimeve, kurse tani së fundmi kompania EXFIS e ka mbështetur atë financiarisht, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale ata treguan se Kompamia EXFIS ka ofruar mbështetje financiare për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, duke e mbështetur pjesërisht studentin e shkëlqyer, anëtarin e ShMK, Besfort Shala për t’i vijuar studimet master në drejtimin matematikë në Universitetin e Oksfordit në Angli.
KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:
EXFIS e përkrahë Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës
Kompamia EXFIS ka ofruar mbështetje financiare për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, duke e mbështetur pjesërisht studentin e shkëlqyer, anëtarin e ShMK, Besfort Shala për t’i vijuar studimet master në drejtimin matematikë në Universitetin e Oksfordit në Angli.
Besfort Shala ka mbaruar studimet për matematikë në Universitetin e Primorskës në Koper, Slloveni në vitin akademik 2020/21. Gjatë studimeve, Besfort Shala ka marrë pjesë në dy gara të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht garën “Vojtech Jarnik” në Çeki ku ka fituar “çertifikatë të garuesit të suksesshëm”, si dhe në garën “International Mathematics Competition (IMC)” në Bullgari ku ka fituar medalje të argjendtë në vitin 2019 dhe një tjetër medalje të argjendtë në vitin 2021.
Për këto suksese në gara ndërkombëtare si dhe për shkak të suksesit akademik, ai është shpërblyer nga fakulteti me arsyetimin “arritje të larta akademike dhe suksese në gara ndërkombëtare (outstanding academic achievements and successes in international competitions)”. Krahas sukseseve akademike dhe garuese, Besfort Shala është aktiv edhe në propozimin e detyrave në revista shkencore dhe gara, ku vlejnë të përmenden publikimet në revistën “Mathematical Reflections” si dhe propozimet për Olimpiadën Matematikore të Kosovës (OMK) në vitet 2020 dhe 2021.
Së fundi, një propozim i tij është publikuar në një ndër revistat më cilësore në botë për probleme matematike, përkatësisht “American Mathematical Monthly”.
Besforti është i përfshirë në menyrë direkte në organizimin e të gjitha aktiviteteve garuese të organizuara nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, prandaj është interes i ShMK që ai të mbështetet dhe të vazhdojë avancimin e tij në fushën e matematikës Universitetin e Oksfordit.
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e falënderon stafin e kompanisë EXFIS, e cila në kuadër të vizionit dhe politikave të saj për mbështetjen e të rinjve të talentuar që i kontribuojnë zhvillimit të shoqërisë sonë, ka përzgjedhur Shoqatën Matematikanëve të Kosovës për ta përkrahur!
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e përgëzon Besfortin për sukseset e arritura dhe i uron suksese të mëtutjeshme gjatë studimeve në Universitetin e Oksfordit!
Ylli i muzikës, Elton John, e ka shtyrë turneun “Farewell Yellow Brick Road” në Evropë dhe në Britaninë e Madhe të planifikuar për vitin 2023, pasi që pret t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjikal pas “një rrëzimi të papritur”.
Këngëtari i famshëm 74-vjeçar e ka bërë të ditur lajmin nëpërmjet një postimi në Instagram të enjten, duke shpalosur hollësi për “pikëllimin e thellë” që ndien për faktin.
“Jam rrëzuar në një sipërfaqe të fortë dhe kam pasur dhimbje në ije që nga ajo kohë”, ka shpjeguar John në postim.
Ai e ka kaluar verën me bashkëshortin e tij David Furnish, 58 vjeç, dhe dy djemtë e tyre, në vendpushime evropiane, ku tani ka zbuluar se është rrëzuar.
Në deklaratën e plotë, Eltoni ka treguar: “Me trishtim të madh dhe zemërthyer jam detyruar ta shtyjë turneun e vitit 2021 ‘Farewell Yellow Brick Road’ në Evropë dhe në Britani të Madhe për në vitin 2023”.
“Në fund të pushimit veror u rrëzova papritur në një sipërfaqe të fortë dhe kam pasur dhimbje në ije që atëherë. Megjithë trajtimin intensiv fiziologjik dhe specialist, dhimbja ka vazhduar të përkeqësohet dhe po më sjell vështirësi në lëvizje. Jam këshilluar që të operohem sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u kthyer në palestër dhe të sigurohem që nuk ka ndërlikime afatgjata”, ka thënë ai.
John ka shpjeguar gjithashtu se është shtrënguar që ta fillojë trajtimin me fizioterapi intensive, e cila do t’i sigurojë shërim të plotë dhe rikthim në lëvizshmëri të plotë dhe pa dhimbje. Ai ndërkaq ka siguruar se do të vazhdojë që të angazhohet për ngjarjen bamirëse “Global Citizen” më 25 shtator, pasi që ka thënë se nuk dëshiron që t’ia kthej shpinën një organizate bamirëse.
Gjatë muajit korrik, Elton John ishte detyruar që ta shtynte gjithashtu përzgjedhjen e datave të turneut “Farewell Yellow Brick Road Tour”, për shkak të pandemisë me COVID-19.
Adhuruesit e tij në Gjermani, të cilët i kishin rezervuar bileta për ta parë Johin tek performonte në shtator, do të duhet që të presin deri në vitin 2023 për ta parë dhe dëgjuar ikonën e muzikës pop.
Sir Elton edhe vitin e kaluar i kishte shtyrë datat për turneun e paraparë për muajt mars, korrik dhe shtator, për shkak të masave të vazhdueshme që vendoseshin për frenimin e përhapjes së koronavirusit. / KultPlus.com
Arkeologët kanë zbuluar një mozaik 3 500 vjeçar në Turqinë Qendrore, që konsiderohet më i vjetri në botë.
Mozaiku, i përbërë nga 3 147 gurë me madhësi 3×7 metra, u gjet në Usakli Hoyuk që ndodhet në rrethin Sorgun të provincës Yozgat, ku vëzhgimet sipërfaqësore kanë filluar në vitin 2008 dhe gërmimet në vitin 2012.
”Gërmimet po kryhen bashkërisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve, Universiteti Bozok dhe Universiteti i Pizës i Italisë”, tha Huseyin Çiftçi, drejtori lokal i Kulturës dhe Turizmit.
“Në studimet shkencore, është përcaktuar se mozaiku i gjetur është mozaiku i parë në historinë botërore. Kallëpi i mozaikut gjithashtu e mbështet këtë, pasi është mjaft primitiv. Ne po planifikojmë ta fitojmë këtë vend në sektorin e turizmit”, tha Çiftçi.
Anacleto D’agostino, ligjërues në Universitetin e Pizës dhe kreu i ekipit të gërmimeve, tha se mozaiku që ata gjetën i përket viteve 1 500 para erës sonë.
Gjithashtu, duke deklaruar se mozaiku është më i vjetri në botë, ai tha se “ne e dimë që ka mozaikë të ngjashëm në Greqi, por ne mendojmë se mozaiku këtu është më i vjetër se ai atje”. / KultPlus.com
Këngëtari i famshëm me origjinë shqiptare, Ermal Meta në konferencën për shtyp një ditë para koncertit të tij në stadiumin “Air Albania” premtoi se nesër do mbajë koncertin më të mirë të jetës së tij.
“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3 që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi disa detaje sa i përket zhvillimit të koncertit nesër më 17 shtator.
“Ne do të hapim dyert e stadiumit duke qenë se do respektojmë edhe masat antikovid, edhe distancat, sigurisht edhe protokollin e sigurisë nga Federata. Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00 dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30-vjetorin e eksodit dhe këtij raporti ku ndoshta fabulën më të bukur por ndoshta dhe më unike e ka Ermali të kemi mundësi të prodhojmë një histori suksesi”, sqaroi Veliaj.
Më tej ai tha se, “do jetë hera e parë që ne bëjmë një koncert në stadiumin e ri, ndoshta dhe për të provuar atë multi funksionalitetin. Ky është një vend ku luhet futboll, po ky është një vend edhe ku kodohet edhe ne kemi qendrën TUMO, po këtu është një vend dhe ku bëhet muzikë dhe ne kemi disa medias dhe disa radio, po këtu ka edhe kompani të huaja. Ndërkohë që duam që të ketë edhe muzike edhe jetë kulturore për qytetin”.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Në këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar vërtet fytyrë, ka bërë hapa gjigante përpëra. Në këtë rrugëtim, Italia ka qenë përherë përkrah Shqipërisë. Jemi vende të veçanta, jemi vende mike, të lidhur nga historia, gjeografia, kultura, ekonomia, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të parët në renditjen e këtyre klasifikimeve”, nënvizoi ambasadori. / atsh / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka përgëzuar historianin Jusuf Buxhovi për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme, përcjellë KultPlus.
“Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike”, ka shkruar Meta.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:
Shumë i ngrohtë bashkëbisedimi, që zhvillova sot, me historianin e njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi dhe dy botuesit e veprave të tij, shqiptaro-amerikanin Ramiz Tafilaj dhe Milaim Avdullahun. E përgëzova për punën e jashtëzakonshme për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme. Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike, që zbardhin të vërtetat për shqiptarët dhe historinë e tyre, si e vetmja mënyrë për të hedhur poshtë me fakte pretendimet e pabazuara, që mohojnë ose shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. E falenderova historianin Buxhovi për dhurimin e veprave të tij “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Kosova – histori e shkurtër”. / KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i kushtoi ditën e mërkurë një vëmendje kontributit të jashtëzakonshëm dhe personalitetit shkencor të albanologut austro-hungarez, Theodor Ippen, në kuadër të 160-vjetorit të lindjes, përmes ekspozitës së titulluar “Theodor Ippen (1861-1935)”.
Biblioteka Kombëtare sjell përmes kësaj ekspozite si thesare të vyera të studimeve albanologjike botimet shkencore, si: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré : t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902); “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj.
Theodor Anton Ippen lindi më 1861, në krahinën e Bohemisë, asokohe pjesë e perandorisë austro-hungareze. Pasi kreu studimet e mesme në Pragë, u regjistrua në Akademinë Orientaliste të Vjenës, ku u diplomua më 1884. Po në këtë vit emërohet në konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër.
Ai ka qenë për shtatë vjet me radhë konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër (1897-1904) dhe është autor i një radhë studimesh e librash për historinë, etnografinë, arkeologjinë dhe shoqërinë shqiptare.
Vepra e tij shkencore është përqendruar thuajse e tëra mbi Shqipërinë. Studimet e Theodor Ippen-it kanë hedhur dritë në shumë aspekte të jetës fisnore të Shqipërisë së Veriut, të historisë së Lidhjes së Prizrenit etj., duke hyrë kështu në radhën e shkëlqyer të albanologëve austro-hungarezë, që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në sallën shkencore të bibliotekës. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi mbrëmjen e së mërkurës dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.
Ylli i muzikës klasike, Saimir Pirgu nga skena e Teatrit të Champs Élysée, uroi të gjithë kolegët.
“Përshëndetje bashkatdhetarë, nga skena e Teatrit të Champs Élysée sot në Paris ku pas pak do ta inaugurojmë sezonin me shfaqen tonë të operas “Manon” . Në këto momente emocionesh dëshiroj të jap dhe unë urimet më të mira kolegëve të mi artistë në Tiranë. Ta gëzoni, ta gëzojmë skenën e re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Suksese të gjithëve në mbrëmjen e sotme të inaugurimit të Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor Ju përqafoj të gjithëve. Suksese”, tha Saimir Pirgu në një video përshëndetëse. / KultPlus.com
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se 117 afganë kanë fluturuar sot nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.
Përmes një njoftimi për media, Ambasada britanike ka njoftuar se rreth 2000 ish-kontraktorë të NATO-s dhe familjet e tyre u evakuuan nga Afganistani në total, ku mbi 800 janë vendosur në strehim të përkohshëm të siguruar nga Qeveria e Kosovës.
“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre. Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, thuhet në njoftim.
Ambasada britanike ka falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës. / KultPlus.com
Brukseli u ka bërë thirrje qeverive të vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian që të marrin masa për mbrojtjen e gazetarëve pas shtimit të sulmeve fizike dhe virtuale ndaj tyre.
Duke e publikuar rekomandimin e parë për sigurinë e gazetarëve, Komisioni Evropian u bëri thirrje vendeve të BE-së që të formojnë pika të kontaktit të lirë me punëtorët e medieve që përballen me kërcënime fizike e virtuale për të siguruar përgjigje të shpejtë nga policia dhe prokurorët.
Sipas Komisionit Evropian, 908 gazetarë dhe punëtorë tjerë medialë janë sulmuar në 23 vende anëtare të BE-së vitin e kaluar, duke rezultuar në lëndime fizike e mendore si dhe dëmtim të pronës.
Ndërhyrja e Komisionit erdhi pas një vargu të vrasjeve të profilit të lartë që e tmerruar Evropën, përfshirë vrasjen e gazetares Daphne Caruana në Maltë e Jan Kuciak në Sllovaki. Të dy ishin duke hetuar raste korrupsioni në vendet e tyre, shkruan The Guardian,
Nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, tha se bisedat me familjet e dy gazetarëve të vrarë kanë qenë momentet më të vështira në ish-profesionin e saj si komisionere e BE-së për drejtësi.
“U premtova se do të punoj për t’i bërë gjërat të ndryshojnë. Rekomandimet e sotme janë hap i parë drejt përmbushjes së këtij premtimi”, tha ajo. / KultPlus.com
Emblema e Kastriotëve, përveç stilit që është i njohur ndër shqiptarët, haset edhe në një stil të dytë, ky shumë pak i njohur.
Kjo emblemë është gjetur në miniaturë me ngjyra në një libër uratash, i cili u punua për t’iu dhuruar Skënderbeut nga ana e Alfonsit V të Aragonës dhe të Napolit.
Koha e punimit dhe i dhurimit të këtij libri lidhet me vitin 1451, kur në Gaeta (Mbretëria e Napolit), u nënshkrua një traktat aleance midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit. Fusha e stemës është e ndarë në ngjyrë të artë dhe të kaltër. Mbi pjesën që eshtë me ngjyrë të artë është e vendosur një shqiponjë e zezë, dykrerëshe e kurorëzuar dhe krahëhapur.
Lart është vendosur një trekëndësh i kaltër me yll të artë, me tetë cepa. Mbi pjesën e kaltër është luani i artë i ngritur në dy këmbët e pasme, që mban lart një shpatë po të artë. Në këndin e djathtë -lartë, është një zambak i argjendtë. Ky kombinim simbolesh me siguri është lidhur edhe me Topiajt, si principatë më e hershme se ajo e Kastriotëve.
Këtë lloj steme të Kastriotit, ku shqiponja është bashkë me luanin e Topiajve e hasim edhe mbi varrin e Konstantin Kastriotit, nipit të Skënderbeut, në varrezat e kishës Santa Maria La Nova në Napoli, të skalitur në vitin 1500, nën kujdesin e gruas së Skënderbeut, Donika Kastrioti.
Emblemën e gdhendur në dy anët e monumentit mortor e ka analizuar dhe botuar studiuesi italian, Padilione, në vitin 1870 dhe më vonë, arbëreshi Zef Skiroi në Palermo, në vitin 1904.
Për këtë stemë e kishte fjalën edhe profesori i nderuar Pëllumb Xhufi, për historianët shqiptarë në Maqedoni.
Varianti i dytë dhe i tretë, janë realizime të së njëjtës përfaqësi. Stema heraldike e familjes Kastrioti, nga viti 1568, siç e cilëson edhe historiani Jahja Drançolli, që është përdorur në dukatin Nocera të shtetit të Napolit..!
Ky variant gjendet edhe në Bibliotekën digjitale – qendra e digjitalizimit në Mynih, nën titullin: 1550-1555 Chastrioto (Gjergj Kastrioti Skënderbeu) Insignia Venetorum nobilium II (A -IP) – BOD Cod.icon. 272, [Sl] Itali, 1550-1555 [BSB-Hss Cod.icon. 272]. / KultPlus.com
Plácido Domingo është vlerësuar sot nga Presidenti Meta me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Presidenti Meta ka vlerësuar sot tenorin me famë botërore, Plácido Domingo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Ai u shpreh se Domingo ishte një ndër personalitetet më të shquara ndërkombëtarisht, si dhe një ikonë e gjallë e artit dhe muzikës botërore.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi tenorin e famshëm botëror, Plácido Domingo Embil me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Në nderim dhe mirënjohje ndaj tenorit të jashtëzakonshëm me famë ndërkombëtare, i cili ka shkëlqyer me intepretimet e tij virtuoze në skenat operistike të mbarë botës. Me përulje të thellë për shembullin frymëzues, fisnik dhe artistik, duke na nderuar me praninë dhe interpretimin e tij të paharrueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës së Baletit dhe Ansamblit Popullor shqiptar.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar maestro Domingos, artistëve dhe personaliteteve të artit dhe muzikës të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:
“Ceremonia e sotme është një event i veçantë, pasi i kushtohet një prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtarisht, një prej ikonave të gjalla të artit dhe muzikës botërore, tenorit të njohur Plácido Domingo.
Platoni ka thënë: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krahë mendjes, i jep fluturim imagjinatës dhe i jep jetë gjithçkaje.”
Maestro Domingo e ka përcjellë këtë atribut dhe mision të muzikës, jo vetëm në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për miliona e miliona artdashës anë e mbanë globit.
‘Publiku është pjesë e jetës sime reale. Atmosfera e teatrit është oksigjeni im.’ – ka thënë maestro Domingo, dhe ky njehsim kaq i fortë midis jetës dhe muzikës është shijuar edhe nga artdashësit shqiptarë, duke admiruar performancat e tij sublime dhe duke u mahnitur me zërin e tij të jashtëzakonshëm.
Ky artist i përmasave të tilla ka shërbyer edhe si frymëzim për sopranot dhe tenorët shqiptarë të cilët kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë me suksesin e tyre botëror, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, e shumë të tjerë, me të cilët maestro Plácido Domingo ka bashkëpunuar ngushtësisht.
I mahnitshmi Plácido Domingo edhe pas gjashtëdhjetë viteve karriere si tenor, me një repertor prej më shumë se 150 rolesh e mbi 4 mijë shfaqjesh, si një artist i shumanshëm me ndikim të madh në historinë e operës, një dirigjent i mbi 500 veprave dhe administrator operistik i shkëlqyer, vazhdon edhe sot të përçojë mrekullinë e zërit të tij tek artdashësit në mbarë botën.
Ishte një privilegj i veçantë ta kishim këtë ikonë të muzikën edhe në skenën shqiptare e të ndiqej nga afër prej artdashësve tanë.
Është privilegj i veçantë edhe për mua si Presidenti i Republikës që të vlerësoj sot një figurë kaq madhore dhe të rëndësishme të muzikës dhe operës botërore duke i akorduar atij Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut.’
Nuk mund të gjenim një Titull më të mirë vlerësimi, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, i cili vazhdon edhe pas kaq shekujsh të jetë frymëzim për rrugën europiane të Shqipërisë.”
Pas 5 viteve në rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, është inaguruar me një program të pasur artistik. Tenori Placido Domingi ishte një i ftuar special i mbrëmjes./ KultPlus.com