Fundjava në Gjirokastër ka mbledhur njerëz të të gjitha moshave e profesioneve si rrallëherë, pasi festa e përgatitur përgjatë 3 ditëve kishte nga të gjitha.
Check-in fest në Gjirokastër dhuroi për vizitorët, por edhe për qytetarët gjirokastritë mundësinë e argëtimit dhe promovimit kulturor e të trashëgimisë përmes aktiviteteve të shumta.
Fundjava ishte fantastike në Gjirokastër e mbushur plotë me miq të rinj dhe të vjetër që duan të festojnë dhe të zbulojnë më shumë për qytetin. Një fundjavë ku mbizotëronte muzika, idetë inovatore, poetika dhe eksplorimi i gjërave të reja.
Aktiviteti nisi të premten nga Qendra e Pazarit për të vijuar me interpretime poetike në Rrugicën e Zejtarëve gjatës pasdites. Gjatë mbrëmjeve nuk munguan festat me muzikë e argëtim. Edhe gjatë shtunës, workshop-e, lojëra me gjueti e thesareve të shumtë të qytetit, festë e argëtim mblodhi mjaft qytetarë, për të kulmuar të dielën me festën e Balonave. / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.
Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.
“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com
Katundi arbëresh Shën Sofia (Ital: Santa Sofia d’Epiro, me mbi 2500 banorë në provincën e Kozencës në Kalabri është një vend plot shije, stil e bukuri. Arbëreshët e këtushëm në masë ruajnë traditat nga etërit shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet dhe traditat tipike.
Sot kur shumica e fshatrave arbëreshe në Italinë e Jugut edhe më tej gjenden në një lloj mbylljeje, sa i përket aktiviteteve kulturore, e sidomos manifestimet tradicionale arbëreshe, një mbyllje e tillë është e vështirë sidomos për këtë qytezë arbëreshe, ku gjatë periudhës së mëhershme kishte një aktivitet të gjallë kulturo artistik e sportiv. Krahas mbishkrimi në gjuhën italiane e shqipe hasëm një vajzë që shëtiste me shqipen dy krenare në çantat e krahut me mbishkrimin “Shqiponja”, sipas emrit të grupit të këtushëm të këngëve dhe valleve. Është ky grupi artistik që pata rast ta njoh për dy-tri vite ta shoh në manifestimin tradicional në “Festën e Valleve” në Çifti/ Qivita, ku grupi “Shqiponja i Shënë Sofisë thuaja se ishte kurora e kësaj ngjarje të madhe kulturore arbëreshe.
Nga një shkrim i Dr. Bexhet Asanit, me banim në Amerikë (një adhurues i madh i arbëreshëve), mësojmë se: Grupi popullor “Shqiponjat” lindi në komunitetin arbëresh të Shën Sofis së Epirit në pranverën e vitit 1994 dhe u bë një shoqatë 10 vjet më vonë. Qëllimi i grupit të valleve dhe këngëve arbëreshe “Shqiponjat” është ruajtja dhe përhapja e trashëgimisë artistike, historike dhe kulturore e arbëreshëve në përgjithësi dhe të arbëresheve të Shën Sofisë në veçanti…” Mësojmë gjithashtu se ky grup artistik synon edhe përmes prezantimeve e koncerteve, të : “mbajnë të gjallë adetet, zakonet, veshjen, muzikën, vallet, këngët, fenë dhe trashëgiminë tradicionale kulturore kombëtare arbëreshe, e cila është unike në thelb, pa marrë parasysh nuancat që dallojnë nga fshati në fshat apo nga qyteti në qytet në krahinat e Kalabrisë dhe të Sicilisë”…
Përndryshe, veshja në kulturën arbëreshe, luan rol të veçantë e sidomos këtu në Shën Sofia, ku edhe janë edhe stolitë më të veçanta gjatë manifestimeve kulturore artistike, aq më parë që çdo katund arbëresh ka stilin e vet në bërjen e rrobave tradicionale thuaja se tërësisht me dorë. E veçanta tjetër është se popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria, megjithatë varfëri nuk hoqën dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre. Kjo më së miri dëshmohet edhe përmes muzeut shumë të pasur me kostume arbëreshe në katundin e Shën Sofisë.
Muzeu i Kostumit në Shën Sofia apo Santa Sofje d’Epiro është ngritur në Palazzo Bugliari, një ndërtim i mesit të shekullit XIX, i njohur më mirë si Kultura Palazzo della dhe ku është edhe selia e Bibliotekës Komunale. Pra vet veshja, në kulturën arbëreshe, është një nga manifestimet më kulturore artistike. Dihet se çdo qendër arbëreshe ka stilin e vet në bërjen e rrobave të saj tradicionale tërësisht me dorë: duke parë të gjitha së bashku, matrica e zakonshme njihet qartë, por në të njëjtën kohë identifikohen veçantitë e secilës veshje. Megjithëse popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria nuk heqin dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre.
Përmes muzeut dhe revyve me veshje kombëtare përmes manekineve ju mund të vëzhgoni historinë e një populli nga një këndvështrim sigurisht i pazakontë, por shumë tërheqës; ekspozita në fakt përfshinë rroba të përditshme, rroba festash, gjysmë feste, dasmë, zi dhe zi.
Vendasit arbëresh, përfshi edhe këta të Shën Sofisë mësojmë se si ende ruajnë me dashuri traditat e sjella nga baballarët shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet, zakonet dhe traditat tipike.
Gjatë vizitës së këtij lokaliteti arbëresh ja vlen të vizitoni Muzeun e territorit dhe kostumi arbëresh, si dhe bibliotekën e këtushme.
Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, tha se mësimi në distancë nuk do të mbahet për shkak të efektit të ulët në mësimnxënie.
“Bazuar nga Organizatat Botërore po konstatojnë që kthimi më së miri duhet të jetë në mënyrë fizike, pasi dëmet nga pandemia janë të mëdha, dhe duhet që rikthimi të jetë i sigurt në mënyrë fizike”, tha zëvendësministrja e Arsimit në konferencë për media.
Maloku-Bërdyna, tha se janë përgatitur të gjitha masat e duhura për fillim vitin shkollor, dhe se 80% e stafit arsimor janë vaksinuar.
“Pjesa më e madhe e mësimdhënësve janë të vaksinuar, ku 80% të personelit arsimor janë vaksinuar, shifër kjo e cila po përditësohet dita-ditës. Aktiviteti mësimor para-universitar e ai parashkollor pezullohet nga data 26 shtator, dhe masa tjera që e përfshijnë ministrinë e Arsimit”, shtoi ajo. / KultPlus.com
“Kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomi, si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar”
Një burrë i gjatë, veshur me uniformën e komunales me çizme llastiku, shfaqej çdo ditë para markatës së Elbasanit, me një fshesë në dorë. Ishte Ibrahim Biçakçiu, pastruesi i banjave të qytetit. Ata që e jetuan atë kohë e mbajnë mend mirë Ibrahimin, sepse kishte qenë kryeministri i Shqipërisë, që komunistët e kishin kthyer në një punonjës të rëndomtë. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Të afërmit e Ibrahimit rrëfejnë se kur kthehej nga puna si pastrues i banjave, Ibrahimi vishej si zotëri dhe vazhdonte të lexonte literaturën që kishte mundur të shpëtonte nga bastisjet komunistëve.
Ibrahim Biçakçiu kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomisë si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ibahim Biçakçiu u kthye në Shqipëri, pas studimeve në Vjenë. Në 1926, ndërroi jetë i ati, Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ibrahimi mori nën administrim pasuritë e të atit. Biçakçiu ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha), pronar i shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkëthemelues i Shoqërisë “Albiger”, që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane, së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina. Pas një përvoje të gjatë në administrimin e pasurive të familjes, Ibrahimi u angazhua në politikë në vitin 1937, kur u zgjodh deputet i pavarur i Elbasanit. Pas një shkëputje, Ibrahimi u kthye në vitin 1943, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kryeministër i vendit në një fazë tranzitore, kur komunistët po merrnin pushtetin.
Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën goditjen e personaliteteve më të larta të Shqipërisë, duke vrarë e burgosur të gjithë elitën politike dhe intelektuale të asaj kohe. Në prill të vitit 1945, në Tiranë, u zhvillua gjyqi special, ku u gjykuan rreth 60 politikanë, ushtarakë, intelektualë, ndër të cilët ishte i akuzuar edheIbrahim Biçakçiu. Akuzoheshin si tradhëtarë të atdheut. Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova”, sot Teatri Kombëtar dhe gjyqi u drejtua nga Koçi Xoxe. Në atë gjyq, Ibrahim Biçakçiu u dënua me vdekje. Por në atë kohë, elita e kohës në Elbasan hartoi një peticion, ku kërkoi t’i falej jeta, duke argumentuar se Ibrahim Biçakçiu ishte pinjoll i një familje patriotike dhe bamirëse. Ata garantuan se Ibrahim Biçakçiu nuk kishte pasur kurrë veprimtari kundër popullit të tij. Më pas, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg. Pjesën më të madhe të burgut e kaloi në burgun e Burrelit, atje ku ishte e përqëndruar e gjithë elita e intelektualëve të dënuar nga regjimi diktatorial komunist. Ibrahim Biçakçiu doli nga burgu në 5 maj të vitit 1962. U kthye në Elbasan, ku u caktua nga regjimi komunist si punonjës i varrezave të qytetit. Pas disa vitesh, Ibrahimi u caktua në ndërmarrjen komunale për pastrimin e banjave të qytetit, ku punoi deri më 4 janar 1977, ditën kur u nda nga jeta.
Zotëria që pastroi banjot e Elbasanit
Ibrahim Biçakçiun e njihnin të gjithë në Elbasan sepse ishte i biri i Aqif Pashë Biçakçiut, personalitet i shquar, kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, rrëfen:
“Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë, doli një fotografi, ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.
(Rëfimet janë marrë nga libri i botuar nga gazetari Ronald Qafoku, ku përmenden detaje interesante lidhur me jetën e 33 kryeministrave të historisë së Shqipërisë). / KultPlus.com
George Burns ishte një komedian, aktor, këngëtar dhe shkrimtar amerikan.
Ai ishte një nga argëtuesit e paktë, karriera e të cilit përfshiu me sukses, radio, film dhe televizion.
KultPlus sjellë një përmbledhje të shkurtër të thënieve më të bukura të tij.
Më mirë të jem një dështim në diçka që më pëlqen sesa një sukses në atë që urrej.
Lumturia është të kesh një familje të madhe, të dashur, të kujdesshme, të lidhur ngushtë në një qytet tjetër.
Shumë keq që të gjithë njerëzit që dinë të drejtojnë vendin janë të zënë me drejtimin e taksive dhe prerjen e flokëve.
Nëse jetoni njëqind vjeç, ia dolët. Shumë pak njerëz vdesin mbi atë moshë.
Ju nuk mund të mos plakeni, prandaj mos e merrni me këtë punë.
Kur isha fëmijë, Deti i Vdekur ishte vetëm i sëmurë.
Më kujtohet kur ajri ishte i pastër dhe seksi ishte i ndotur.
Sinqeriteti – nëse mund ta falsifikosh atë, ia hodhe.
Unë u rrita për të respektuar pleqtë e mi, kështu që tani nuk kam pse të respektoj askënd.
Mos qëndroni në shtrat, përveç nëse mund të fitoni para në shtrat.
Sekreti i një predikimi të mirë është të kesh një fillim të mirë dhe një fund të mirë; dhe që të dyja të jenë sa më afër njëra tjetres.
Unë shikoj drejt së ardhmes sepse aty do të kaloj pjesën tjetër të jetës sime.
Asnjë fije dëbore në një ortek nuk ndjehet kurrë përgjegjëse personalisht.
E dini që po plakeni kur përkuleni të lidhni lidhëset e këpucëve dhe pyesni veten se çfarë rregullimi tjetër mund të bëni sa jeni ashtu përkulur.
Aktrimi ka të bëjë me ndershmërinë. Nëse mund ta falsifikoni atë, e keni bërë atë.
Dikush që ju bën të qeshni është një komedian. Dikush që të bën të mendosh dhe pastaj të qeshësh është një humorist.
Lumturi? Një puro e mirë, një vakt i mirë dhe një grua e mirë – ose një grua e keqe; varet nga sa lumturi mund të përballosh.
Sinqerisht mendoj se është më mirë të jesh i dështuar në diçka që e do, sesa të kesh sukses në atë që urren.
Çdo gjë që ngjitet duhet të zbresë. Por vjen një kohë kur jo gjithçka që është poshtë mund të ngjitet lart.
Kur isha i ri më thërrisnin një individualist i thekur. Kur isha në të pesëdhjetat, më konsideronin ekscentrik. Këtu po bëj dhe them të njëjtat gjëra që bëra atëherë dhe jam etiketuar plak.
Eshtë folur pa mend për audiencat që kanë një mendje mesatare dymbëdhjetë vjeçare: thjesht nuk është e vërtetë. Ata janë më të vjetër se kushdo dhe më të mençur. / KultPlus.com
Nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhënien e dashurisë së Hollywoodit me mitologjinë e mafias. Bota e krimit të ofron të gjitha kurthet e një filmi super të suksesshëm: njerëz të rrezikshëm me një oreks të pashuar për pushtet, që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit.
Stampa e këtyre lloj filmave u vendos në 1932, me versionin origjinal të “Scarface”, një film hit nga regjisori legjendar Howard Hawks, që bazohej afërsisht në jetën e Al Capone-s. Censuruesit kërkuan që producenti Howard Hughes të shtonte nëntitullin “Turpi i kombit”, me qëllim që shikuesit nuk do ta interpretonin filmin si një glorifikim të stilit të jetesës së gangsterëve.
Në kohën e daljes së tij, ai qe filmi më i dhunshëm që prodhohej në Hollywood, e megjithatë protagonisti i paedukuar, që eliminon në mënyrë brutale konkurrentët dhe që fiton miliona me kontrabandë, del në fund më shumë si një hero popullor se sa si një kriminel gjakftohtë.
2. The Godfather
Në vitin 1972, filmi ”Kumbari” i Francis Ford Coppola-s, kapoja i padiskutueshëm i të gjithë filmave mbi mafian, e ngjiti formatin nga një kënaqësi e fajshme në një epikë shekspiriane. Marlon Brando injektoi tek Don Corleone një sens fisnikërie dhe mirësie. Ai është i ashpër por i drejtë, Robin Hood me një kostum Armani.
Ai është dashamirës, për ata që e mbështesin dhe për ata që meritojnë ndëshkim. Në mendje të vjen menjëherë një kokë kali e prerë. Trilogjia “Kumbari” doli në një kohë kur mafia ishte në rënie në Shtetet e Bashkuara, kjo për shkak të legjislacionit të ashpër dhe përpjekjeve herkuliane nga ana e forcave të ligjit.
Kryevepra e vitit 1972 me regjisor Francis Ford Coppola, bazohej në romanin e Mario Puzos dhe në të u mblodhën disa prej aktorëve më të mirë të Amerikës, duke përfshirë Marlon Brandon, Robert De Niron dhe Al Paçinon. Filmi fitoi Oscar-in si filmi më i mirë dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë të shekullit XX. “Kumbari” është imituar më vonë disa herë, por asnjëherë nuk është arritur niveli i tij. Edhe dy filmat pasardhës të Coppola-s nuk kanë arritur lavdinë e origjinalit.
3.Goodfellas
“Për aq sa mundem të mbaj mend, gjithmonë kam dashur që të jem një gangster”. Kështu fillon filmi i vitit 1990 i Martin Scorcese, bazuar në jetën e mafiozit të penduar, Henry Hill. Performanca e mrekullueshme e Ray Liotta përshkruan transformimin e Hill nga një aspirant për gangster në një njeri të rëndësishëm gjatë tre dekadave të tij në mafian e Nju Jorkut.
Siç ka shkruajtur David Ansen, “çdo minutë e vetme në këtë film të gjatë vibron me energji të jashtëligjshmish”. Në fund, Hill kapet për trafik droge dhe përfundon në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i djegur nga nostalgjia për kohët e tij si Goodfella.
4. Casino
Në filmin e vitit 1995, Kazino, Scorcese u bashkua sërish me Nicholas Pileggi, i cili ishte bashkëskenarist i “Kumbarit” dhe gjithashtu shkruajti librin tek i cili ai bazohej. Joe Pesci rikthehet i njëjti protagonist, tip psikopati që ishte tek Djemtë e Mirë, ndërkohë që Robert de Niro luan Sam Rothstein, një pjesëtar hebre i mafias që dërgohet të drejtojë një kazino në Las Vegas. Personazhi bazohet tek Frank Rosenthal, një bastvënës real nga Çikago. Ylli i vërtetë i filmit është Sharon Stone, e cila luan bashkëshorten e Rothstein, një grua joshëse që zhytet në drogë.
5. Gomorrah
Epika e vitit 2008 e regjisorit Matteo Garrone bazuar në librin e Roberto Savianos, është historia e pesë jetëve të prekura në një farë mënyre nga sindikata e krimit të Napolit e njohur si Kamorra. Me dëshpërimin e një lagjeje banimi të Napolit si sfond, filmi ofron një pamje të pagabueshme të impaktit gërryes të krimit të organizuar. Në një skenë të paharrueshme, aspirantë për gangsterë përmendin thënie të marra nga filmi i Brian de Palmas “Njeriu me shenjë”, riprodhimi i 1983, gjë që tregon se filmat frymëzojnë gangsterët po aq sa këta kanë frymëzuar filmat. /ziptirana/ KultPlus.com
Gjithkush ka dëgjuar vargjet e këngës “Vlora, Vlora”. Ky himn u kompozua para një shekulli prej Thoma Nassit (1892-1964).
Lindur në Dardhë të Korçës, emigroi fillimisht në Greqi dhe më pas, në vitin 1914, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që në moshë të re shfaqi talentin në instrumentet e violinës dhe flautit.
Në vitet 1915-1916 së bashku me shqiptarët e Amerikës themeloi dy formacione orkestrale: mandolinatën “Dodona” dhe Bandën Frymore të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Në krye të saj, më 1920 u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës.
Në vitin 1916 hyri në Konservatorin e Nju Inglënd dhe kreu aty studimet për flaut dhe dirigjim. Pas studimeve punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit.
Gjatë kësaj periudhe ai organizoi për herë të parë një bandë muzikore për shoqatën VATRA. Ai do t’i mësonte vetë shqiptarët si të luanin në veglat muzikore. Po ashtu Thomai është i pari që organizoi meshat në kishën orthodokse të shqiptarëve në Boston duke i mësuar koreve fetare të këndonin meshën në Shqip.
Gjatë viteve 1920-të ai do të merrte bandën muzikore të Vatrës, të cilën e pat’ ngritur po vetë, edhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në këtë periudhë të vështirë për Shqipërinë, e sapo shpallur shtet sovran, ai dhe banda e tij do të udhëtonte në çdo trevë shqiptare duke luajtur këngë patriotike për të ngritur moralin e popullsisë dhe ushqyer ndjenjën kombëtare tek to.
Gjatë viteve 1920-1925 qëndroi në Korçë, duke iu kushtuar gjerësisht aktivitetit krijues muzikor. Këtu zënë fill edhe kompozimet e disa këngëve lirike dhe pjesëve të vogla instrumentale, si: “Fyelli i bariut”, “Bilbili”, “E qarë”, “Katër valle”, etj. kryesisht për instrumentet flaut, violinë e piano. Në gjashtë vite të qëndrimit në Shqipëri, ai u bë një nga nismëtarët e gjallërimit të jetës muzikore të vendit, organizator i sistemit të edukimit muzikor në shkolla dhe ngritjes së orkestrave frymore e formacioneve korale. Ndihmesa e tij në krijimin e traditës dhe konsolidimit të Këngës Qytetare, përbën gjithashtu një ndër meritat kryesore të punës së tij si krijues muzike dhe organizator profesionist.
Në vitin 1926 Thoma Nassi u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi punën si dirigjent i orkestrave frymore.
Nga këtej e tutje gjithë jetën në Amerikë do t’ia kushtonte muzikës. Në vendin e largët atij do t’i njihen krijimet e disa orkestrave simfonike siç qenë Cape Cod Filarmonik Orkestra dhe rruga do të vazhdonte në qytete të tjera si Orleans, Truro, Chatham, Province Town, Eastham etj. Në Amerikë ai njihet si pionieri i muzikës klasike.
Komiteti Organizativ i Festivaleve Tipologjike i ngritur nga QKVT, e ka vendosur emrin e Thoma Nassit prej këtij viti si një ndër çmimet vlerësuese për grupet fituese në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Qytetare që zhvillohet në qytetin e Elbasanit. /dsh/ KultPlus.com
Met Gala është një nga netët më të mëdha në botën e modës.
Gala, e njohur zyrtarisht për përfitime për Institutin e Kostumeve, është një ngjarje magjepsëse, që fillon ekspozitën vjetore të modës të Muzeut Metropolitan në Neë York. Çdo vit, tema e Gala-s lidhet me ekspozitën.
Për herë të parë, ekspozita do të ketë dy pjesë – që do të thotë dy ‘Met Gala’ brenda 12 muajsh.
Kur është Met Gala?
Met Gala 2021 do të mbahet të hënën, më 13 shtator. Në mënyrë tipike, gala zhvillohet të hënën e parë të majit, por për shkak të pandemisë së coronavirusit, u bënë disa ndryshime. Për të kompensuar Gala -n e anuluar të vitit 2020, në të vërtetë do të ketë dy ngjarje: Gala më 13 shtator dhe një tjetër të hënën e parë të zakonshme të majit.
Cila është tema e Met Gala 2021?
Tema e Met Gala të këtij viti është “In America: A Lexicon of Fashion”, duke nderuar 75 vjetorin e Institutit të Kostumeve dhe duke festuar modën moderne amerikane. Andreë Bolton, kuratori i institutit, i tha Vogue në prill se moda amerikane ‘po kalon një Rilindje’ dhe duhet të nderohet.
Si mund ta shikoj Met Gala?
Met është e mbyllur për kamerat, por spektakli i tapetit të kuq do të transmetohet drejtpërdrejt nga Vogue dhe do të mbulohet nga E!. Yjet do të fillojnë të mbërrijnë në 5:30 pasdite. Shikuesit e interesuar mund ta shohin shfaqjen përmes faqes zyrtare të Vogue në Twitter.
Kush do të jetë nikoqir/e në Met Gala?
Met Gala organizohet nga një panel bashkëkryetarësh dhe karrige nderi.
Lista e bashkë-kryesuesve është një gamë e gjerë e yjeve të Gen Z, përfshirë aktorin Timothee Chalamet, interpretuesen Billie Eilish, Naomi Osaka dhe poeten inauguruese, Amanda Gorman.
Në tapetin e kuq do të shfaqen edhe dy fytyra të njohura: Keke Palmer dhe Ilana Glazer, të cilat do të udhëheqin transmetimin e drejtpërdrejtë të Vogue, duke intervistuar të famshëm dhe duke treguar disa nga momentet më të mëdha të modës ashtu siç ndodhin.
Kush është në listën e të ftuarve Met Gala?
Lista e të ftuarve të Met Gala është sekret, kështu që nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se kush do të jetë në tapetin e kuq derisa të shfaqen, por prisni disa nga emrat më të mëdhenj në modë, muzikë dhe më shumë
Zendaya konfirmoi se nuk do të merrte pjesë në Gala për shkak të konflikteve për serialin e saj. “Euphoria”. Rihanna do të prezantojë në pas-ndejën e Met Gala, kështu që ka të ngjarë të shfaqet në tapetin e kuq.
Sa i përket situatës me pandemi, Met Gala ka kërkuar që pjesëmarrësit të vaksinohen dhe të vendosin maskat brenda. /telegrafi/ KultPlus.com
Plisi quhet mbulesa e bardhë prej leshi të cilën pellazgët, Ilirët e më vonë shqiptarët e përdorën për ta mbuluar kokën.
Quhet plis sepse është e krijuar prej leshit të deles së bardhë. Pra prej leshi, në dialektin gegë bënë pi-leshi ndërsa në gjuhën e vjetër bënë pi-lesi prej nga rrjedh pi-lisi dhe p’lisi e ku pastaj shkurtimisht e përfundimisht quhet plisi.
Në vijim, mund të shihni një grup videosh që tregojnë vëllezërit Canhasi që shfaqin hap pas hapi prodhimin e ‘Plis-it’ ose ‘Qeleshe-s’.
Këto klipe janë nga një dokumentar turk i viteve 1970 i filmuar në Prizren, Kosovë. / KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të premten ka mbajtur takim virtual me kryetarët e komunave, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër, transmeton KultPlus.
Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ministri Vitia i ka njoftuar kryetarët për masat e reja që pritet të miratohen më 13 shtator dhe që do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.
Sipas këtij njoftimi, mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.
Takimet do të lejohen vetëm deri në 20 persona, me distancë 1.5 metra. Institucionet publike do të jenë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial.
Po ashtu, është bërë e ditur se gastronomia do të vazhdojë të punojë si me masat e deritanishme, deri në orën 21:30, duke u lejuar të shfrytëzohen vetëm hapësirat e jashtme.
Njëjtë do të veprohet edhe në pikat kufitare, ku qytetarët mbi moshën 16-vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, atë serologjik dhe atë rapid.
Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave, do të pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.
Masat tjera do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë deri më tani.
AKK ka bërë të ditur se nga data 27 shtator, do të ketë masa të reja në varësi nga analizat dhe situata që mund të jetë në atë kohë. / KultPlus.com
Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Një letër që ai i dërgonte gruas sëtij me rastin e 65- vjetorit të lindjes njihet si letra e dashurisë më e bukur në botë.
Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij. KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:
“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”.
Johnny Cash u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2003, ai ishte martuar me June Carter Cash në vitin 1968 kjo martesë zgjati deri në vdekjen e tij. Paraprakisht Cash ishte i martuar edhe me Vivian Liberto gjatë viteve 1954 deri në 1968./ KultPlus.com
Arbëreshët e Italisë, krenohen me trashëgiminë e madhe sa të pasur kulturore, që, mrekullisht e kanë përçuar brez pas brezi nëpër shekuj.
Nga Komuna e Shën Kostandinit, i ka mbledhur autori Costantino Bellusci, ka përzgjedhur disa fjalë të urta të të parëve, të cilët u detyruan të shpërngulen, këto edhe me gjegjëset në italisht.
Vërejeni pastërtinë e gjuhës së vjetër shqipe; të dialektit të jugut, si edhe ndikimet e italishtes në disa trajta, ku nuk ka pasur fjalë gjegjëse në shqip. /konica/ KultPlus.com
Zyra Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas 20 vjetësh i ka publikuar dosjet e para sekrete rreth sulmeve të 11 shtatorit.
Më 11 shtator grupi terrorist Al-Qaeda lansoi një sulm drejt SHBA-së nga i cili sulm humbën jetën dy mijë e 996 persona.
Dokumenti u publikua të shtunën, një javë pasi presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv përmes së cilit FBI-së i kërkohej t’i bënte këto dosje të qasshme për publikun.
Ky veprim erdhi pas presioneve të familjarëve të viktimave të 11 Shtatorit që janë të etur ta vërtetojnë nëse edhe qeveria saudite ka potencialisht gisht në atë sulm.
Dokumenti flet për një intervistë të vitit 2015 me një anëtar stafi që kishte punuar në Konsullatën Saudite në Los Angeles.
Ai dyshohej se u jepte përkrahje logjistike rrëmbyesve të aeroplanëve kur ata kishin arritur në Kaliforni kohë para se ta finalizonin sulmin.
Sidoqoftë, dokumenti është i redaktuar ndërkaq emri i anëtarit të stafit mbetet i pazbuluar. / KultPlus.com
Britney Spears është në vendin e parë. Ikona e muzikës pop zuri vendin e parë në sondazhin e këtij viti të lexuesve TIME100. Në sondazhin për listën vjetore të njerëzve më me ndikin, Britney mori 1.8 milionë vota.
Artistja e famshme ka qenë fokus i mediave kohët e fundit pasi foli hapur kundër kujdestarisë 13-vjeçare të babait të saj, transmeton KultPlus.
Spears e cilësoi marrëveshjen si abuzive dhe tashmë duket se është vetëm një hap larg drejt lirisë. Babai i saj, Jamie, ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për t’i dhënë fund kujdestarisë edhe pse ai pretendon se çdo veprim i tij ka qenë në funksion të mirë të së bijës.
Punonjësit e kujdesit shëndetësore ndoqën Spears në vendin e dytë me 3.1% të votave, zhvilluesit e vaksinave në vendin e tretë, në të katërtin grupi BTS dhe në të pestin Simone Biles. / KultPlus.com
Një punë kërkimore me vlerë për etnologjinë shqiptare mbi interpretuesit dhe muzikantët shqiptarë të Kosovës e realizuar në fillim të shekullit nga etnologu i njohur slloven Matija Murko, i cili shëtiti këtë pjesë të trojeve shqiptare në vitet ’30 të shekullit të kaluar, është publikuar së fundmi.
Përmes fotografive ai ka dokumentuar grupimet artistike, interpretuesit, këngetarët e asaj kohe, etj.
Matija Murko konsiderohet si një ndër studiuesit më të mëdhenj slloven të shekullit të kaluar.
Në vitet ’30 Murko sëbashku me gruan e tij shëtisin pothuajse të gjithë ish-Jugosllavinë e dikurshme. Si një studiues i eposit, këngës, traditës dhe etnologjisë ai vizitoi edhe Kosovën duke dokumentuar përmes fotografive personat që njiheshin për interpretimet e këngëve epike, por edhe ansambleve të para.
Në një nga fotot është edhe Ymer Riza, legjenda e muzikës tradicionale shqiptare. / KultPlus.com
Tenistja britanike, Emma Raducanu ka fituar finalen e US Open pas një paraqitjeje fantastike kundër kanadezes Leylah Fernandez .
Bota mbajti frymën në një finale të tensionuar mes dy adoleshentëve të luajtur në US Open, por e cila u fitua vetëm nga Raducanu, e cila është gjysmë rumune dhe gjysmë kineze, e lindur në Kanada dhe që përfaqëson Britaninë.
Raducanu, e cila nuk humbi asnjë set të vetëm gjatë gjithë turneut, bëhet vajza e parë britanike që fiton US Open që nga viti 1968 pas fitores së saj ndaj Fernandes me rezultat 6-4, 6-3.
18-vjeçarja ra në gjunjë duke mos besuar para se të ngjitej në tribuna për të festuar me ekipin e saj, pasi kishte mbërritur në Nju Jork thjesht duke synuar një vend në shortin kryesor.
Adoleshentja do të marrë shpërblimin prej 1.8 milionë funtesh – më shumë se tetë herë fitimet e saj aktuale në karrierë – si dhe 2,000 pikë në renditjen e përgjithshme, të cilat do ta lëvizin atë nga pozita e saj aktuale 150 në vendin e 23.
Radaucanu kishte një mbështetje të jashtëzakonshme në Parklangley Club në Beckenham, ku Emma luante nga mosha gjashtë vjeçare.
Minutat e fundit të lojës ishin tepër të tensionuara ndërsa njerëzit shikonin, por thirrjet “Ema, Ema, Ema” dhe lotët e gëzimit shpërthyen në të gjithë vendin ndërsa 18-vjeçarja ra në tokë dhe fitoi medaljen e artë në Nju Jork. /telegrafi/ KultPlus.com
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale. Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet. Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com
Drama e abortit e regjisores franceze Audrey Diwan, e që i përket viteve 1960 me titull “L’Evenement” (“Po Ndodh”), fitoi ‘Luanin e Artë’ në Festivalin e 78-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, e në rolet kryesore të tij janë aktoret: Anamaria Vartolomei, Kacey Mottet Klein dhe Luàna Bajrami, shkruan KultPlus.
Regjisorja franceze Audrey Diwan mbërriti dhe goditi audiencën me një imazh të paharrueshëm, shumë më tepër se çdo qilim i kuq: në ekran u pa një abort. E gjatë, e dhimbshme, e tmerrshme. Pa elipsë, si në jetë, sekuencat e së cilës u skaliten në kujtesën e audincës.
“Kinemaja është një mjet për të transmetuar emocione. Ne nuk donim të dramatizonim situatat, ne po kërkonim një mishërim të së vërtetës, të të gjallëve”, tha regjisorja Diwan për shtypin.
Historia, në fund të fundit, ndodhi: krijuesi me origjinë libaneze përshtat romanin me të njëjtin emër nga autorja Annie Ernaux, ku shkrimtarja rrëfen betejën e saj për të ndërprerë një shtatzëni në Francë në vitin 1963. Domethënë, kur ajo ishte vetëm 23 vjeç, ligji e ndaloi atë dhe vetëm të shprehte qëllimin e saj me zë të lartë ishte skandaloze. Prandaj, protagonistja e filmit merret me paralajmërimet, refuzimin e miqve të saj dhe madje edhe të një mjeku i cili, në vend që ta ndihmojë, i injekton asaj një ilaç për të forcuar embrionin.
Aktorja e re dhe e jashtëzakonshme, Anamaria Vartolomei rrëfeu se as nuk e dinte që abortet klandestine dikur ekzistonin në vendin e saj. Edhe pse problemi mbetet në shumë shtete dhe madje edhe në Evropën e vjetër ndonjëherë përparon ngadalë.
Ose edhe të bëni hapa mbrapa, si shtrëngimi i ligjit në Poloni. 69% e gjinekologëve italianë janë kundërshtues të ndërgjegjes, sipas të dhënave të 2018 nga Ministria e Shëndetësisë.
Dhe programi ‘Saved’ zbuloi se në Murcia është e pamundur të ndërpresësh një shtatzëni vullnetarisht në një qendër publike. Shembuj të vërtetë, në shekullin XXI. Ashtu si shprehja “bar falas për të abortuar”, e dëgjuar vitet e fundit në politikën kombëtare. Prandaj një film si ‘Event’, i cili do të mbërrijë në Spanjë në muajin mars, duket më shumë se në kohën e duhur. Ndoshta edhe e nevojshme.
Filmi ka një fillim jo bindës. Disa dialogë dhe situata rëndojnë ndjenjën e realizmit. Ndërsa numërimi mbrapsht përparon, filmi shënon javët e pashmangshme të shtatzënisë që kalojnë. Megjithatë, ankthi i gruas së re është ngjitëse dhe përfundon duke kapur zorrët e shikuesit.
Regjisorja Diwan gjithashtu theksoi rëndësinë e përfaqësimit të ndryshimeve fizike të gruas së re dhe, në të njëjtën kohë, të një qasjeje intime, të fokusuar në filmimin mbi të gjitha “lëvizjet e kokës dhe të syve” të personazheve.
Dhe një aktore tjetër, Anna Mouglalis, e cila luan gruan e vetme të gatshme për të ndihmuar, tha: Karakteri im është një haraç për ato gra që luftuan për të drejtat e abortit. Është e vështirë të tregosh këto histori, edhe në vendet ku është e ligjshme. Ne duhet të vazhdojmë të flasim për të.
Filmi i Diwan për një studente franceze të kolegjit që e gjen veten me një shtatzëni të padëshiruar ishte zgjedhja unanime nga juria prestigjioze që përfshinte fituesit e fundit të Oskarit Bong Joon Ho dhe Chloé Zhao. / KultPlus.com
Shqiptari Eklent Kaçi triumfoi në Kampionatin Botëror të bilardos me 10 bila të zhvilluar për disa ditë në Las Vegas. 22-vjeçari u shpall kampion në turneun me 64 lojtarë nga e gjithë bota.
Eklent Kaçi mundi në finale japonezin Naoyuki Oi me rezultatin 10 – 6.
Një paraqitje mbresëlënëse e tij në këtë aktivitet të rëndësishëm që i solli edhe një shpërblim prej 100 mijë dollarësh për suksesin e arritur.
Eklent Kaçi është shpallur Kampion i Botës në bilardo me 9 bila në vitin 2018 në turneun e zhvilluar në Doha, pa harruar shumë aktivitete të tjera ndërkombëtare. / KultPlus.com
Filmi më i mirë u shpall vepra e regjisores franceze Audrey Diwan “L’évènement”, film ky i bazuar në romanin e vitit 2000 me të njëjtin emër nga autorja franceze Annie Ernaux, shkruan KultPlus.
Çmimi “Luani i Artë” në Festivalin e 78-të Ndërkombëtar të Filmit të Venecias iu dha regjisores franceze Audrey Diwan për filmin “L’évènement”, me skenar nga Diwan dhe Marcia Romano.
Filmi i Diwan për një student francez të kolegjit që e gjen veten me një shtatzëni të padëshiruar ishte zgjedhja unanime nga juria prestigjioze që përfshinte fituesit e fundit të Oskarit Bong Joon Ho dhe Chloé Zhao.
Konkursi këtë vit ishte mjaft i fortë, duke përfshirë filma të mirëpritur si “Fuqia e Qenit” e Jane Campion, “Nënat Paralele” të Pedro Almodóvar, “Vajza e Humbur” e Maggie Gyllenhaal dhe “Dora e Zotit”. Njëzet e një filma po konkurronin për çmimin, i cili është bërë një tregues i hershëm premtues i perspektivave të një filmi në Oscar.
“E bëra këtë film me zemërim. Unë gjithashtu e bëra filmin me dëshirë. E bëra me barkun, zorrët, zemrën, kokën, ” tha regjisorja Diwan .
“Unë doja që “L’évènement”, të ishte një përvojë.”
Diwan është gruaja e gjashtë që ka xhiruar një film fitues të ‘Luanit të Artë’. Të tjerët përfshijnë: Chloé Zhao (“Nomadland”), Margarethe Von Trotta (“Marianne & Juliane”), Agnès Varda (“Vagabond”), Mira Nair (“Dasma e Musoneve”) dhe Sofia Coppola (“Diku”).
Me shpalljen e veprës më të mirë dhe ndarjen e çmimeve, sot ka përfunduar Festivali i 78-të i filmit në Venecia të Italisë.
Jane Campion
“Luani i Argjendtë” në kategorinë e regjisorit më të mirë i takoi regjisores nga Zelanda e Re, Jane Campion për filmin “The power of the dog”.
Regjisori italian, Paolo Sorrentino mori “Çmimin e Jurisë” për filmin “E stata la mano di Dio” të bazuar në një tragjedi formuese personale, ndërsa “Çmimi Special i Jurisë” shkoi për regjisorin italian, Michelangelo Frammartino për filmin “Il Buco”.
Paolo Sorrentino
Në kategorinë për aktorin më të mirë mashkull, çmimi i takoi aktorit filipinas, John Arcilla për rolin në “On the job: The missing 8”, ndërkohë që çmimi për aktoren më të mirë femër iu dha aktores spanjolle, Penelope Cruz për performancën e saj si nënë e re në filmin “Nënat paralele” të regjisorit Pedro Almodovar. Ajo falënderoi regjisorin dhe bashkëpunëtorin e saj të shpeshtë.
Penelope Cruz
“Më frymëzoni çdo ditë me kërkimin tuaj për të vërtetën”, ka thënë Cruz.
“Ju keni krijuar përsëri magji dhe unë nuk mund të jem më mirënjohëse ose krenare që jam pjesë e saj,” vazhdoi ajo. “Të adhuroj.”
Maggie Gyllenhaal
Maggie Gyllenhaal fitoi skenarin më të mirë për përshtatjen e romanit të autores Elena Ferrante të vitit 2008, të titulluar “Vajza e Humbur”, i cili është edhe skenari dhe filmi i saj i parë si regjisore.
“Nuk mund t’ju them se sa e emocionuar jam që jam këtu,” tha Gyllenhaal.
“Unë u martova në Itali, në Pulia. Mora vesh se isha shtatzënë me vajzën time të dytë në Itali. Dhe vërtet jeta ime si regjisore dhe shkrimtare dhe filmi im lindi këtu në këtë teatër. ”
Gyllenhaal tha se filmi i saj është “Italian në eshtrat e tij” edhe pse është xhiruar në Greqi dhe në gjuhën angleze.
“Në një mënyrë si gra ne kemi lindur në një marrëveshje për të heshtur dhe Ferrante e prishi atë marrëveshje,” tha Gyllenhaal. “Unë kisha të njëjtën ndjenjë kur pashë “The Piano” kur isha në shkollë të mesme.”
Ceremonia e ndarjes së çmimeve përfundon festivalin e parë të madh të filmit të sezonit të vjeshtës, i cili deri më tani është shfaqur si një sukses i jashtëzakonshëm, pavarësisht variantit delta. Protokollet e sigurisë COVID ishin të rrepta.
Por Venecia gjithashtu riktheu me sukses magjepsjen në një qilim të kuq që mund të ketë qenë më pak i mbushur me njerëz se zakonisht, por i kompensuar në momentet virale.
Festivali i Filmit në Venecia, është një festival filmi ndërkombëtar dhe njëherësh më i vjetri në botë. Festivali i parë u mbajt në vitin 1932 në kuadër të Bienales së Venecias.
Që nga viti 1934, mbahet çdo vit në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit në vendin historik Palazzo del Cinema në Lungomare Marconi, në ishullin Lido të Venecias. Festivali nuk është mbajtur midis viteve 1943 dhe 1945, pastaj në vitin 1973 dhe në vitet 1977-1978./ KultPlus.com
Më 28 deri më 30 nëntor të vitit 1969 do të mbahej në SHBA Seminari ndërkombëtar i organizuar nga Shoqëria “VATRA”.
Pjesë e seminarit ishte edhe Zef Schiro Jr, i cili ligjëroi në gjuhën shqipe kumtesën: “Kuptimi historik i Arbërit e përgjigja e tij në vetëdijen e popullit arbëror”.
“…Ku një Shqiptar vë gurin e vatrës, ajo shtëpi bëhet Shqipëri. Është një Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësvet me besnikëri.
Kështu mund të shpjegojmë si shqiptari duke pranuar plotësisht detyrat kundrejt vendit që e pranon, ai zhvillohet dhe organizohet në kuptimin shqiptar: ka për të qenë italian, amerikan, grek, apo gjerman, apo tjetër shtetësie, ai ndërton gjithmonë me shpirtin shqiptar tempullin e kultit të etërvet, të traditave, të atëdheut nga ku rrjedh: atëdheu i origjinës që gjatë kohës spiritualizohet duke u bërë gati një gjë gjithënjë shenjtërore dhe e përjetëshme”, – do të argumentonte dhe do të nxirrte si përfundim Prof. Zef Schiro në përmbyllje të ligjëratës së vet.
Një ndër personalitetet shqiptare të pranishme në këtë semindar ishte edhe Martin Camaj, i cili mbajti një kumtesë “Mbi funksionin e gjuhës së Nolit dhe të Konicës”.
“…Të dy (Noli dhe Konica) ishin koshientë se veproshin në nji kohë kur ende nuk kishte një drejtshkrim të qendrueshëm të gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue fol dialektin e vet gjeshin vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në kafe…
…Besoj se problemi gjuhësor për ta, sidomos këtu në Amerikë, ishte i vështirësuem, sepse ata do të shkrueshin për të qënë të kuptuem nga bashkësi shqiptare ardhë nga krahina të ndryshme të Shqipnisë. Dhe asht për t’u habitë se si Noli e Konica, pa qenë gjuhëtarë, domethwnw gjurmues të gjuhës me metoda profesionale, shumë çështje i panë fare qartë. Si parim kryesor ata patën të shprehunit e thjeshtë, tue pas gjithmonë parasysh se për kë shkrueshin. Konica reklamon në syprinën e librit Në hien e hurmave: “Një libër për të shkuar kohën e për të nxënë shkrimin e gjuhës. Një libër për gra e për burra, për të vegjël e të mëdhenj”. Qëllimi është i qartë: ai u sillet të gjithëve, sepse asht i bindun se gjuha e përdorun në këtë libër asht e kuptueshme për të gjithë…” Fragment nga ligjërata e Martin Camajt, asokohe profesor për gjuhët e juglindjes europiane, pranë Universitetit të Muncheni-it në Gjermaninë Perëndimore.
Më 28 Nëntor 1969 do të organizohej parada e parë shqiptare në SHBA, organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Pjesë e paradës ishin jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe Arbëreshët e Italisë dhe komunitetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore në Itali. Parada nisi nga Hotel “Americana” Rockefeller Center, deri tek Katedralja Saint Patrick.