Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ka ndarë 1 milion euro për familjet në nevojë.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Ministria ka bërë me dije se këto para janë ndarë për ofrimin e shërbimeve të kuzhinave popullore.
“Kjo mbështetje kap vlerën prej 1 milionë euro dhe ndahet për ofrimin e shërbimeve të kuzhinave popullore. Krahas kësaj mbështetje, janë duke u shpërndarë kuponë ushqimorë për familjet në asistencë sociale, që kapin vlerën totale prej 4 milionë euro. Pra, hapja e shpalljes për aplikim për mbështetje financiare të kuzhinave popullore shënon zbatimin e plotë të masës 3.4”, thuhet në komunikatë.
Njoftimi i plotë:
Pandemia ka pasur ndikim në të gjithë vendin por më së shumti ka goditur shtresat e varfëra të shoqërisë. Duke pasur parasysh këtë, reformimi dhe rritja e shumës së asistencës sociale, ndarja e shtesave për përfituesit e skemave pensionale, e shpërndarja e kuponëve ushqimorë janë disa nga masat që MFPT ka ndërmarrë deri më tani për të zbutur sado pak ndikimin e pandemisë për këto familje.
MFPT është gjithashtu e vetëdijshme se jo gjithmonë mekanizmat shtetëror kanë një efekt gjithëpërfshirës, prandaj në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike po implementohet edhe një masë tjetër për t’iu ofruar racione ushqimi familjeve në nevojë ashtu që ndihma e institucioneve të ndihet nga të gjithë.
Kjo mbështetje kap vlerën prej 1 milionë euro dhe ndahet për ofrimin e shërbimeve të kuzhinave popullore. Krahas kësaj mbështetje, janë duke u shpërndarë kuponë ushqimorë për familjet në asistencë sociale, që kapin vlerën totale prej 4 milionë euro. Pra, hapja e shpalljes për aplikim për mbështetje financiare të kuzhinave popullore shënon zbatimin e plotë të masës 3.4.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me vizionin e Qeverisë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët.
Më 18 shtator 2021, Komuna e Chavannes-près-Renens, Zvicër organizon festën e madhe “Këtu Komuna e Chavannes”, ku grupi Ilirët do të fillojë programin që nga ora 13:00, duke paraqitur programin e tyre për një orë.
Në këtë manifestim muzikor do të shfaqen edhe grupet muzikore italiane, portugeze, spanjolle si dhe grupet e të rinjve të kësaj komune.
Kjo festë e madhe është një ngjarje e mirë për rajonin e komunave perëndimor të Lozanës, si dhe vetë kantonin Vaud. Ky takim do të bashkojë të gjithë brezat në një kontekst muzikor dhe festiv, me ç’rast banorët do të mund të zbulojnë pasurinë e kulturave të ndryshme. Një festival i tillë folklorik mishëron një mjet të dobishëm për ruajtjen, promovimin dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe këtë, veçanërisht përmes zhanreve të shprehjes si muzikës, vallëzimit, riteve, zakoneve, njohurive artizanale dhe artistike etj. Për të kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen dhe rritjen e identitetit dhe diversitetit kulturor, një festival folklorik duhet të zhvillohet në një kontekst të përshtatshëm kulturor.
Ilirët e konsiderojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, shkrirjen e diversitetit kulturor si garantues të zhvillimit të qëndrueshëm, siç nënvizohet nga Rekomandimi i UNESCO-s mbi ruajtjen e kulturës tradicionale dhe popullore të vitit 1989, nga Deklarata Universale e UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 dhe nga Konventa për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Kjo festë do të bashkojë artistët në një atmosferë paqeje dhe miqësie. Me programet e këtyre komuniteteve, të cilat i bëjnë të njohura traditat e vendeve të tyre për pjesëmarrësit e tjerë dhe për publikun e gjerë, kontribuojnë në respektimin e trashëgimive dhe traditave kulturore të popujve./ Migjen Kajtazi / KultPlus.com
Edicioni i katërt i programit me përzgjedhje filmike “Ekrani i Artit” i organizuar nga Art House, bën bashkë filmin dokumentar mbi artin me atë eksperimental dhe videoartin.
I nisur si një bashkëpunim me festivalin fiorentin “Lo schermo dell’arte”, ky edicion sjell një përzgjedhje nga festivalet e filmit si: Oberhausen International Short Film Festival, In Between Art Film, Protocinema dhe punime në videoart të artistëve shqiptarë.
Nata e hapjes do të organizohet në Teatrin “Migjeni” ndërsa përgjatë netëve në vijim, programi filmik do të shfaqet në oborret e Familjes Hoxha dhe Familjes së Dr. Shirokës, ku një hapësirë e oborreve tipike shkodrane i çelet një publiku dashamirës të filmit.
Të ftuar të këtij edicioni do të jenë balerini Ernald Matoshi i cili do të performojë në natën e hapjes dhe atë përmbyllëse në Teatrin “Migjeni”; Alessandra Galletta, regjisorja e filmit mbi artistin Ettore Spalletti si dhe Cristina Cobianchi që do të bëjë prezantimin e projektit “All Boom Arte”, një botim mbi komunitetin e artistëve të rinj të skenës së artit bashkëkohor.
Ekrani i Artit mbështetet nga Bashkia e Shkodrës dhe Goethe Zentrum Tirana. / KultPlus.com
Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka dalë edhe një herë me thirrje për qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt kundër COVID-19.
Nga kjo Ambasadë kanë thënë se njerëzit e pavaksinuar kanë 17 herë më shumë gjasa që të shtrohen në spital pas infektimit me koronavirus se sa ata që janë plotësisht të vaksinuar.
“Njerëzit e pavaksinuar kanë 17 herë më shumë gjasa të shtrohen në spital me COVID19 sesa njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar. Vaksinohuni sa më shpejt që të mundeni për të mbrojtur veten”, thuhet nga kjo Ambasadë në një postim në Twitter.
Përndryshe, Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka publikuar edhe një video-mesazh të Ministrisë së Shëndetësisë me anë të cilit i bëhet thirrje edhe grave shtatëzina, nënave gjidhënëse e grave që planifikojnë shtatzëni që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten.
“Inkurajohen gratë shtatëzëna, nënat gjidhënëse dhe gratë që planifikojnë shtatzëni, të VAKSINOHEN për të mbrojtur veten nga COVID-19! Vaksinimi është detyrë qytetare dhe vetëm përmes vaksinimit mund të mbrojmë vetën, familjen dhe vendin”, thotë postimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Kujtojmë që Ambasada e Amerikës në Prishtinë tashmë disa herë ka dalur me thirrje për vaksinim, derisa ka ofruar edhe informacione për qytetarët për rëndësinë e vaksinimit./KultPlus.com
Aktori i njohur Ndriçim Xhepa në një rrëfim të veçantë ka treguar fillimin e karrierës së tij në skenën e Teatrit dhe atë të filmit.
Gjatë një interviste në emisionin “Përballë” i transmetuar në “Digitalb”, Ndriçim Xhepa ka zbuluar për herë të parë peripecitë që ka kaluar në jetën e tij kur konkurroi për herë të parë në Akademinë e Arteve dhe se u përjashtua për shkak se xhaxhai i tij ishte i dënuar me 9 vite burgim.
Xhepa tregon dhe ndërhyrjen që bëri nëna e tij, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa për t’i mundësuar të birit që të merrte rrugën e aktrimit.
Ai ka treguar gjithashtu dhe detaje interesante nga roli që ka luajtur në filmin “Flutura në kabinën time”, teksa ka pohuar se ka qëndruar për 3 muaj me radhë me shoferët e Parkut të Kamionëve të Laçit.
Ndriçim Xhepa rrefen se ka qëndruar më ta për ditë të tëra duke i imituar gjestet, mënyrën se si hanin, si silleshin, madje gjatë kësaj kohe ai thekson se ka mësuar të ngasë dhe Saurrelin. “Për tre muaj para se të fillonin xhirimet me dy shoferët e pakut të Laçit që ishin dhe shoferët e makinës më është dashur të trajnohem, të merrem me ta, të rri gjithë kohën me ta, të ha të pi me ata gjithë ditën e ditës.
Duke parë çdo gjest, hipje dhe zbritje në makinë. Mënyrën se si merreshin me levat e makinës, me timonin, me kthesën, me mënyrën e të ndejturit po themi në mënyrë “pis, i pa kujdesur” në veshje. Në mënyrën se si e pinë cigaren, si e hanë bukën, qoftë dhe ato duart gjysmë të ndotura, janë shumë detaje të tilla”, shprehet Xhepa.
RRËFIMI I NDRIÇIM XHEPËS
FILLIMET E KARRIERES
Nuk kam qenë nga ata studentë që kam marrë vlerësimin maksimal, por kjo ka ardhur në formë graduale.
Në vitin e parë jam vlerësuar në të dy lëndët profesionale me kujtohet me notën 6-të, pastaj në vitin e dytë pata një ngritje prej 2 notash, në 8-ta. Me mbylljen e fakultetit kamë dal me notat maksimale 10. Më vonë nga role më të vogla kanë ardhur propozime për aktivizime ka regjisor për role më aktive de më potente, më kryesor dhe me ngarkesa emocionale të një niveli dhe standardi tjetër.
FAMILJA DHE PENGESAT
Tradita e familjes së prindërve të mijë, të tim eti dhe ime mëje nuk kanë lidhje me artin.
Ajo që vjen më pas, im atë dhe ime më, Xhavit Xhepa dhe Margarita Xhepa janë njohur në Teatrin e Estradës të qytetit të Tiranës, ai këngëtar dhe ime më, fillimisht si recituese, anonçuese dhe më pas ka vijuar jetën e saj në Teatrin Kombëtar. Asnjëherë nuk e kam patur mendimin se teksa dëgjoja këtë fëmijë arti, patjetër që fëmija që buron nga njerëz të artit duhet patjetër të dalë i aftë dhe i saktë e me karrierë të gjatë. Tek unë kjo gjë është futur ndoshta nga prezenca e tyre në ambientet e provave, institucioneve në mënyrë inkoshiente në mënyrë krejtësisht të natyrshme gjë e cila nxori kokë diku në vitin e tretë të gjimnazit “Qemal Stafa”, kjo dëshirë për t’u marrë me artin.
Në gjimnazin tonë vinin dy studentë të Akademisë së Arteve, Alqi Boshnjaku dhe Sefer Pema të cilët na kuadër të Teatrit të Shkollës do të vinin në akt dramën “Çuça e maleve”, ata ishin në fazën e kërkimit të aktorëve dhe rastësisht dikush i thotë që në vitin e tretë është dhe djali i filanes.
Erdhën më takuan dhe insistuan që të ingranohesha në këtë grup të teatrit. Në fillim kisha një lloje stepje, por insistuan shumë dhe ma mbushën mendjen.
Kam luajtur në atë shfaqje rolin e banditit Gjet Lleshi dhe më kujtohet në olimpiadën e teatrove që zhvillohej jam vlerësuar me medalje për interpretim të mirë. Po me këtë grup në maturë u vendos në skenë vepra tjetër, “Ajo mbeti në ëndërr”. Aty luaja rolin e një profesori austriak dhe kjo u prit mirë dhe pas këtyre dy eksperiencave ky ishte çasti dhe u kristalizua në kokën time një dëshirë për të vijuar në konkursin e Akademisë së Arteve.
Mbaj mend që materialet për t’u pranuar në Akademi i kam punuar me dy regjisorët që vinin në shkollë sepse u krijua një miqësi me ta. Në momentin që dolën listat shoh që emri im nuk ekzistonte. Ime më ishte në Divjakë të Lushnjës teksa po xhironte filmin “Pylli i Lirisë’. Ajo vjen direkt nga sheshi i xhirimit dhe adresohet në Komitetin Ekzekutiv ku merr një përgjigje realisht negative dhe pas kësaj adresoi ankesën e saj në komitetin e partisë ku në atë vit ishte sekretar i parë Manush Myfiu, atëherë dhe anëtar i Byrosë Politike.
Xhaxhai im ishte dënuar me 9 vite burg për agjitacion dhe propagandë. Ky njeri që drejtonte në atë kohë ishte i qartë për personin dhe arsyet e dënimit të tij. Ai brenda një arsye njerzilliku apo arsyeje arriti të shprehet se nuk është e nevojshme të përgjigjet nipi për gabimet e xhaxhait të vet.
Pas kësaj mu hap rruga për të shkuar dhe për ët konkurruar ditën e fundit kur mbyllej konkursi dhe kam kryer më pas Akademinë e Arteve në vitet 1976 -1979.
Pas mbarimit të Akademisë së Arteve emërohem në Teatrin Kombëtar. Viti i stazhit jam bërë pjesë e në një rol tek “Tragjedia e Deas” të shkrimtarit Kiço Blushi dhe pak ditë pas emërimit në Teatër kam ikur me xhirime në fshatrat e Vlorës për xhirimin e filmit “Këshilltarët”. Rolet e mia në teatër dhe në filëm kanë qenë të pranueshme, jo kryerole, kam qenë prezent në shumë shfaqeje, por në pozicionin fare modest të figurantit. Në të dy skenat si në teatër dhe në film nuk mund të them se nuk jam favorizuar, por s’kam pas kolpon e menjëhershme të një roli kryesor të aktivizimit me regjisor të planit të parë siç kanë pas fatin kolegë të tjerë më të rinj se unë, apo më të pjekur se unë në moshë.
Në vitin ‘81 në vazhdim të këtyre aktivizimeve modeste që sapo thash, aktivizohem në dy role episodike, i pari në filmin “Thesari” të regjisorit Muharrem Fejzo dhe më pas në një rol po episodil të “Filmi njeriu i mirë”, të regjisorëve, Ibraim Muçaj dhe Kristaq Mitro.
Roli im i parë si protagonist ka ardhur te unë fare rastësisht. Pas dy javësh xhirime Çashku vendos të ndryshojë rolin kryesor, më lë takim që të takoheshim në darke dhe të më shpjegonte rolin që të xhironim që të nesërmen në episodin e parë. Isha i befasuar, i hutuar dhe i kënaqur, deri pasdite e kam lexuar skenarin dy herë. Takuam pasdite dhe pas u vendosen të gjitha, grimi, kostumet dhe pasi gjatë natës kam lexuar dhe për herë të tretë skenarin, direkt futem të nesërmen në xhirim.
ROLI ME I VEÇANTË
Padyshim filmi Flutura në kabinën time është një film që i rezistoi kohës sepse merret me thelbin e njeriut.
Toma është një nga personazhet më të dashura të miat.
Është I dashur për mua, por besoj se është bërë një personazh simpatik dhe I këndshëm për publikun. Nuk ka fat më të madh për një aktor kur i vjen një personazh në të cilin është I dëshiruar dhe dyjëzuar të luaj botën shpirtërore të tijën.
Ky dualitet është punuar në biseda të vazhdueshme me regjisorin Vladimir Prifti, detaje më detaje duke i dhënë ngjyrë çdo fraze, çdo gjesti, duke iu referuar dhe përvojave njerëzore të karaktereve të ngjashme për ta bërë sa më bindëse dhe sa më të vërtetë.
Për të qenë i sinqertë këto role nuk realizohen dot vetëm dhe ngjizja interpretative me partneren time Luiza Xhuvani dhe ajo për mendimin tim ka patur një nga rolet më të mira të karrierës së saj.
Për tre muaj para se të fillonin xhirimet me dy shoferët e pakut të Laçit që ishin dhe shoferët e makinës më është dashur të trajnohem, të merrem me ta, të rri gjithë kohën me ta, të ha të pi me ata gjithë ditën e ditës. Duke parë çdo gjest, hipje dhe zbritje në makinë. Mënyrën se si merreshin me levat e makinës, me timonin, me kthesën, me mënyrën e të ndejturit po themi në mënyrë “pis, i pa kujdesur” në veshje. Në mënyrën se si e pinë cigaren, si e hanë bukën, qoftë dhe ato duart gjysmë të ndotura, janë shumë detaje të tilla.
Për të arritur dhe për ta asimiluar për të mësuar realisht makinën. Në shumë episode dhe plane më është dashur që vetë Toma ta ngasë makinën. Nuk mund të gënjehet në film kur një makinë si të thuash në anën teknike, një plan të pandërprerë vjen me gjithë një kamion, vjen stopon dhe del nga kabina.
Dhe të duash të gënjesh, s’e bën dot! Pra në film Tomës këtij personazhi i duhej patjetër kjo lloj marrëdhënie me objektin kryesor me Saurrelin.
Kam bindjen që të ngelurit në memorien e shikuesit të një fraze apo të një fjale të një gjesti të hedhur, ngelet si pasojë kur dramaturgjikisht situata është e vërtetët dhe se saktë. Në momentin që krijohet ky trinom, dramaturgjik-regji-aktim, gjithmonë mbi boshtin e të vërtetës ka arsyen e plotë dhe logjikshme që fraza të mbetet në një kohë të gjatë në mendjen dhe kujtesën e spektatorit./Panorama/KultPlus.com
Dua Lipa po humbet Met Gala pasi është duke punuar në filmin e saj të parë
Burime të TMZ bëjnë me dije se këngëtarja e hitit “Levitating” ishte në mesin e shumë personazheve të ftuar në sallën e mbledhjes së fondeve në NYC (Met Gala), por asaj i është dashur të refuzojë sepse është e zënë me xhirimet e filmit të ardhshëm aksion, “Argylle”, transmeton KultPlus.
Filmi do të jetë roli i parë i Duas. Ajo do të luajë bashkë me disa nga emrat më të mëdhenj në Hollywood si Samuel L. Jackson, Henry Cavill, Bryan Cranston, Bryce Dallas Howard, John Cena, Sam Rockwell dhe Catherine O’Hara./KultPlus.com
Këshilltari politik i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka sqaruar deklaratën e presidentes për mediumin zviceran “Blick”.
Sipas tij, presidentja nuke e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë të infektuar me Covid-19, por ka apeluar në vaksinimin e të gjithëve, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë:
Sqarim
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim të saj për mediumin zviceran “Blick”, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimim të të gjithëve.
Për më tepër, zonja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.
Devijimi i deklarimit të Presidentes Osmani vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim.
Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!
Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejtë, por para se gjithash saktë!/KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndjek një variant të ri të koronavirusit, të quajtur Mu.
I zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në fillim të vitit, Mu është raportuar në disa shpërthime sporadike të të infektuarve në pjesë të Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Derisa përbën vetëm një pjesë të vogël të rasteve globale, shkencëtarët po studiojnë nëse ai ka karakteristika që e tejkalojnë mbrojtjen e krijuar nga vaksinimi ose infeksioni i kaluar.
Çfarë është varianti Mu?
I njohur edhe si varianti B.1.621, varianti Mu i koronavirusit është zbuluar në Kolumbi në muajin janar dhe tani është listuar si një nga pesë variantet e interesit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo do të thotë se OBSH-ja e konsideron atë të vlefshëm për monitorim të veçantë, por e sheh si problem më të vogël potencial, krahasuar me variantet Delta apo Alfa, të cilat janë etiketuar si variante shqetësuese, për shkak të virulencës së tyre të shtuar.
Mu është varianti i parë i interesit që i shtohet listës qysh në muajin qershor. Atëbotë, në listë është përfshirë varianti Lambda.
Sipas raportit më të ri epidemiologjik të OBSH-së, Mu është renditur si “variant me interes” sepse ka një “grup mutacionesh që tregojnë veti të mundshme të ikjes imune”, që duhet të studiohen më tej.
Paul Griffin, ekspert i sëmundjeve infektive nga Universiteti Kuinsllend në Australi, thotë se ekspertët e shëndetit vazhdimisht i përcjellin “variantet e ikjes imune”, që mund ta kenë më të lehtë të infektojnë njerëz të vaksinuar përmes mutacioneve në proteinën e virusit.
“Nëse kjo proteinë do të ndryshonte ndjeshëm, atëherë sigurisht që ekziston mundësia që vaksinat tona të funksionojnë më pak”, thotë Griffin.
OBSH-ja ka thënë se duhen më shumë kërkime për të kuptuar efektet e variantit Mu, por, sipas dr Griffin, nuk ka ende prova që sugjerojnë se Mu i ik imunitetit.
Sipas OBSH-së, prevalenca e variantit Mu në infeksionet globale me koronavirus ka rënë qëkur është zbuluar për herë të parë, megjithatë “prevalenca në Kolumbi (39 për qind) dhe Ekuador (13 për qind) është rritur vazhdimisht”.
Ai përbën më pak se 0.1 për qind të të gjitha infeksioneve globale, por shpërthime të B.1.621 janë raportuar gjithashtu në pjesë të SHBA-së dhe Evropës.
Raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se Mu duket se është më rezistent ndaj antitrupave.
Por, dr Griffin thotë se ato teste laboratorike nuk e japin pamjen e plotë se si funksionon imuniteti njerëzor në botën reale.
“Ato studime neutralizuese janë vërtet të dobishme… sepse janë mjaft të lehta për t’u bërë dhe janë mjaft të shpejta, por ato janë pjesë e rrëfimit dhe jo i gjithë rrëfimi”, thotë ai.
Cilat variante të tjera monitorohen nga OBSH-ja?
Mu është varianti i pestë që renditet nga OBSH-ja si variant interesi, ndërsa janë edhe katër variante të tjera më serioze, që janë etiketuar si variante shqetësuese.
Të nëntë variantet janë emëruar me shkronja të ndryshme të alfabetit grek.
Pesë variantet e interesit janë:
Eta, i zbuluar për herë të parë në shumë vende në dhjetor të vitit 2020;
Iota, i zbuluar për herë të parë në SHBA në nëntor të vitit 2020;
Kapa, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020;
Lambda, i zbuluar për herë të parë në Peru në dhjetor të vitit 2020;
Mu, i zbuluar për herë të parë në Kolumbi në janar të vitit 2021.
Katër variantet shqetësuese, të cilat konsiderohet se kanë potencial për ta përkeqësuar pandeminë, janë:
Alfa, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2020;
Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj të vitit 2020;
Gama, i zbuluar për herë të parë në Brazil në nëntor të vitit 2020;
Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020.
Numri i varianteve të koronavirusit pritet të ndryshojë me kalimin e kohës, sepse sa më shumë që përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të pësuar mutacione.
Griffin thotë se mënyra më e mirë për të kufizuar mutacionet e virusit është duke kufizuar përhapjen e tij.
“Sa më shumë njerëz që janë të vaksinuar, virusi ka më pak nikoqirë ku mund të jetojë”, thotë Griffin./KultPlus.com
Rrena ishte gjithmonë bashkë me të vërtetën e jo rrallë edhe shumë më e fuqishme se e vërteta. Por ajo ishte më pak publike dhe asnjëherë me legjitimitet të pranuar, sikur që nuk është as sot. Nuk e kishte homogjenitetin, uniformitetin dhe shtrirjen universalizmin që e ka sot, pikërisht në saje të teknologjive informative.
Rrenën është bërë më atraktiv dhe më e gjithanshme. Një pyetje sikur duket më e shpeshtë: a është kjo tash një periudhë e artë për rrenën?
Kritikuesit që flasin për Mbretëreshën e pakontestueshme – rrenën, e drejtojnë gishtin kah mediet, veçmas ato online. Sado me seriozitet dhe shqetësim, duket se ky gisht nuk është duke u drejtuar në pikën e mjaftueshme. Pasi rrena ka ekzistuar gjithmonë dhe ajo ka pasur një mjet të fortë identitar, lajmin dhe tregimin si thashetheme. Akuzuesit e medies, gishtin e tyre drejtojnë edhe nga teknologjia informative, posaçërisht ato që kanë ridimensionuar komunikimin publik përmes rrjeteve sociale.
Thënë thjeshtë, rrenën nuk e zbuluan, as e krijuan mediet. Rrena ishte gjithmonë bashkë me të vërtetën e jo rrallë edhe shumë më e fuqishme se e vërteta. Por ajo ishte më pak publike dhe asnjëherë me legjitimitet të pranuar, sikur që nuk është as sot. Jetonte ngado. Po nuk e kishte homogjenitetin, uniformitetin dhe shtrirjen që e ka sot, universalizmin, pikërisht në saje të teknologjive informative. Mori fund gazetaria, ankohen ngado recipientët tradicionalë, ata që nuk e pranojnë lajmin, i cili nuk respekton “normat dhe standardet etike e profesionale”. Arsyetohen se tashmë secili shfrytëzues i internetit në një hapësirë publike apo gjysmë-publike, mund të plasojë prodhime mediale shkrimore, vizuale a tonike. Mund të plasojnë të pavërteta dhe të vërteta. Gjithsecili është një medie prodhues lajmi.
Interneti e dha këtë mundësi, ashtu siç e thotë komunikologu, Carsten Reinemann: Sot, një lajm bëhet lehtë dhe në mënyrë subtile. Një kësi lajmi, ndryshe i njohur globalisht si Fake News, edhe mund të jetë kërcënim për të vërtetën. Por, nuk duhet harruar se në tregun medial aq më stimulues bëhet ky lloj lajmi, kur klikimi i tij sjell më shumë para e fitime. Njeriu pothuaj asnjëherë, nuk ka zgjedhur shumë mjete dhe mënyra për të ardhur më shpejt dhe më lehtë tek fitimi. Në një ekonomi tregu edhe informativ, secili klikim në web-faqe është burim fitimi dhe është pjesë edhe e industrisë së reklamës. Ankesat prapë nuk ndalojnë, po fitohet prej rrenës. Por, e vërteta gjithmonë rrena ka qenë burim i madh fitimi. Shih e kaluara; mashtrimi, e pavërteta për politikat zyrtare, edhe për medien zyrtare, lajmi i rremë, qe një nga burimet solide propaganduese. Propaganda mbështetej në rrenë, por sillte përfitime të mëdha për të informuar “drejt popullin”.
Ndryshimi është i madh, mbasi tash pra edhe në shoqërinë e Kosovës, kemi të bëjmë me demokratizimin e rrenës. Formati zyrtar i rrenës shtetërore në komunizëm, monoliteti dhe pozicionimi ekstrem për një të pavërtetë, nuk ka lënë aspak hapësirë për mosbesim. Pluralizmi politik dhe kulturor që ndodh këto vitet e fundit, sikundër kudo edhe në shoqërinë e Kosovës, pasuroi hapësirën publike me pluralizëm rrenash, por edhe pluralizëm mosbesimesh për to. Askush, askend nuk e detyron për të besuar se ajo që është thënë, duhet pranuar plotësisht si e qenë. Mbase ky është një lehtësim kur jetojmë në një botë, në të cilën lumturia nuk buron vetëm nga të vërtetat, por nga të pavërtetat publike që thuhen.
Për të qenë gjithmonë fitues, nuk mjaftojnë vetëm të vërtetat. Dhe në këtë rast, do parafrazuar Hannah Arendt. Rrenat kurrë nuk janë neutrale, janë ftesë për veprim për shkak se ato thirren në emër të të vërtetës. Bashkëveprimi i njerëzve kështu mund të ndërtohet përmes të pavërtetave, duke u thirrur gëzuar në të vërteta të plota./KultPlus.com
Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim. Këtu ku kam arritur më ftohtë është, me vetmi. E dija këtë, por padurimi i vdekur Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.
Krahë grashë të thyera mbi supe si të prera nga një morg Më japin një gëzim po aq të vdekur. Më duket ende dimër ndonëse është prill. Kam ftohtë. Kam ftohtë./KultPlus.com
Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, njofton për vdekjen e gazetarit Kajtaz Gecaj.
Lushtaku shkruan se mëngjesi i sotëm solli lajmin për vdekjen e gazetarit nga Skenderaj Gecaj.
Ti kurrë nuk do ta humbëesh epshin tënd përsëri. Provoni këtë!
“Kajtazi është pa dilemë prej gazetarëve më profesionistë nga gjenerata më e vjetër e gazetarëve të Drenicës”, ka shkruar tutje Lushtaku.
Postimi i tij i plotë:
Mëngjesi i sotëm solli lajmin për vdekjen e gazetarit të njohur nga Skenderaj, Kajtaz Gecaj. Kajtazi është pa dilemë prej gazetarëve më profesionistë nga gjenerata më e vjetër e gazetarëve të Drenicës.
Karrierën e kishte filluar në të 70-tat si mësues në Qirez, për të vazhduar pastaj si gazetar në të përditshmen “Zëri”, e së fundi duke hapur një portal lokal. Duke e njohur personalisht, ai ishte profesionist i madh me një memorie të jashtëzakonshme. Urtësia e tij reflektonte në shkrimet me përmbajtje të thellë e argumentuese.
Ngushëllimet më të thella familjes, shoqërisë, dashamirëve e audiencës së Kajtazit.
Kompozitori i famshëm i Greqisë, Mihal ‘Mikis’ Theodorakis ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.
Arti grek sot është në zi për një nga figurat më të rëndësishme të saj.
Theodorakis ka kompozuar muzika të të gjitha llojeve nga operat, simfonitë, balet, oratorio e kor kishtar deri tek teatri, kinemaja, këngë popullore etj.
Ai ka lënë pas si trashëgimi mbi 1 mijë vepra ndërsa kohë më parë është angazhuar edhe politikisht si me Partinë Komuniste të Greqisë, ashtu dhe me të djathtët, Partinë “Demokracia e Re” duke u zgjedhur 4 herë deputet në parlament./KultPlus.com
Transformimi i qendrës mesjetare të Beratit ku ndodhen Xhamia “Mbret” dhe Teqeja e “Helvetive” do të vijojë me rehabilitimin e plotë të hapësirave të tjera.
Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, i cili njoftoi se ka filluar transformimi i qendrës mesjetare.
Xhamia “Mbret” dhe Teqeja e “Helvetive”, dy nga atraksionet më të veçanta të qytetit, janë ridimensionuar totalisht në çdo hapësirë të tyre duke ofruar për mijëra vizitorë copëza identitare të trashëgimisë sonë kulturore.
“Së shpejti do të fillojë transformimi i plotë i hapësirave të tjera në zonën mesjetare, të cilat do të jenë vlerë e shtuar për qytetin e Beratit dhe pikënisja kryesore për çdo turist të huaj”, shprehet Demo.
Xhamia Mbret dhe Teqeja e Helvetive janë dy objekte mahnitëse që i japin vlerë të gjithë zonës duke mbajtur në themele shekujt e mesjetës dhe shpalosur bukuritë arkitekturore.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më i rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV. Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat, e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i II-të rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla elutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Ndërtesa brenda ndahet në dy kate, arkitektura e të cilave përbëhet nga kolona, harqe dhe dekoracione shumëngjyrëshe. Gdhendja e drurit është një element i jashtëzakonshëm në këtë ndërtesë, pasuruar me finesë nga domethëniet fetare.
Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i qendrës mesjetare të Beratit dhe një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Teqeja është ndërtuar në shekullin e XV-të dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70-të të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë siç quhen në gjuhën lokale ballkonet./atsh/KultPlus.com
Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.
Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:
“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”
“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”
“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”
“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”
“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”
“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”
“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”
“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”
“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”
“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”
“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”
“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/KultPlus.com
Me risitë dhe veçantinë e personazheve të tij, La casa de papel është bërë një fenomen që kur Netflix e shtoi atë në rrjetin e tij në fund të vitit 2017 .
Në fillim të po atij viti, Antena 3 kishte transmetuar sezonin e parë të këtij seriali, por gjithçka kaloi pa zhurmë.
Transmetimi në Netflix bëri që seriali të shënonte një sukses global. Ai tashmë fillon udhëtimin e tij të fundit ,nga 3 shtatori, ditë kur lançohet sezoni i pestë.
Alex Pina, krijuesi i serialit që ka shtangur botën në Netfliz ka vendosur që ta mbyllë historinë me një fund befasues. Të pktën kështu tregon ai vetë. Në një intervistë për LaNacion.com, Pina tregon se në sezonin e pestë do të prezantohen tre prurje të reja, Rafael (Patrick Criado), i biri i Berlinit; René (Miguel Ángel Silvestre), një dashuri e vjetër e Tokios ; dhe Sagasta (José Manuel Seda), komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë Spanjolle.
Me bandën e izoluar në Bankën e Spanjës dhe Profesorin e kapur, në sezonin e pestë dhe të fundit të La casa de papel, armiku më i fuqishëm me të cilin grupi është përballur ndonjëherë shfaqet dhe është: Ushtria. Alex Pina është shumë i qartë për çmimin që mund të paguajë nëse devijon vetëm disa centimetra nga rruga e ndjekur në imagjinatën e atyre që mezi e presin vazhdimin e këtij dhe nuk është i gatshëm ta bëjë këtë. Ai premton: Shpërthim!
Intervista e plotë:
Pyetje: A jeni i shqetësuar nëse fansat mund të zhgënjehen, siç ndodh shpesh me fundet e serialeve shumë të njohura?
-E kam menduar shumë, sepse besoj se fundi i një seriali është një akt që është gjithmonë i dënuar me zhgënjim.
Pyetje: Pra kjo pritet?
-Po, sepse njerëzit janë shumë të lidhur emocionalisht me personazhet dhe gjithmonë do të kenë një pamje tepër kërkuese. Kjo është ndjenja që ata na kanë transmetuar. Ne me të vërtetë patëm një krizë të madhe kur arritëm në kapitullin e fundit.
Pyetje: Çfarë ndodhi?
-Ne kishim një fund të paracaktuar, dhe papritmas kuptuam se nuk funksiononte. Ishte momenti më kritik. Ne po xhironim me tre sezone dhe pikërisht në atë moment e kuptuam dhe thamë: “Kjo që kemi shkruar është marrëzi”….
Pyetje: Me kaq pak kohë, mundët ta modifikonit?
-Praktikisht gjithçka. Ne bëmë shumë, shumë versione dhe dy ose tre ditë pasi koha jonë kishte mbaruar, gjetëm një kthesë përfundimtare që i dha kuptim. Sepse do të gjeni shumë gjëra që i japin kuptim asaj që keni parë që nga fillimi i La casa de papel.
Pyetje: Duke thënë këtë, ju krijoni edhe më shumë ankth tek pritësit…
-Mund të jetë, por ne kemi qenë shumë të shqetësuar për cilësinë vizuale, ne donim të ofronim një shfaqje të jashtëzakonshme. Për më tepër, ajo që kishim ishte një marrëzi që do të gjeneronte një zhgënjim të madh. Në kokën tonë ne thamë “Publiku ynë do të na kryqëzojë, sepse kjo nuk është në përputhje me pritjet”. Dhe ai panik, na bëri të mendojmë se përfundimi ishte i keq.
Pyetje: Tingëllon shumë stresuese …
-Kisha drejtorin e prodhimit që më telefononte çdo ditë dhe më thoshte: “Ne nuk mund të presim më, më jep atë që ke”. Dhe unë iu përgjigja: “Nuk mund t’jua jap këtë sepse ata na dëbojnë nga planeti.”Është shumë e vështirë të përballesh me fundin e një serie, me një fenomen të madh, sepse pritshmëria është e madhe.
Pyetje: Por në të njëjtën kohë, dhe duke marrë parasysh nivelin e stresit, nuk është gjithashtu një lehtësim?
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al -Natyrisht që ka një lehtësim, sepse edhe shkrimi është një vuajtje më vete. Pastaj, kur të përfundojë procesi i të shkruarit të diçkaje, qoftë një seri, një dokumentar apo një libër, ka një lehtësim, i cili është pasojë e një procesi të madh pune dhe vuajtjesh të vazhdueshme. Dhe mos harroni atë emocionale. Kur po xhironim sekuencat e fundit të La casa de papel , me të vërtetë ndjeva zinë e lamtumirë sme ata personazhe. Shumë gjëra janë të përziera…
Pyetje: Dhe nëse flasim për emocionet, unë gjithashtu imagjinoj ndjenjën e trishtimit kur seriali u transmetua fillimisht në Antena 3 dhe ishte një dështim.
-Ajo që ndodhi me La casa de papel ishte një mrekulli; dhe në atë kohë, për ne një utopi. Në Netflix u lançua pa një fushatë reklamuese, me të cilën u bë pjesë e një katalogu prej 250 mijë seri që ata kanë në Shtetet e Bashkuara dhe 200 mijë në Evropë. Në asnjë moment nuk menduam se ajo që ndodhi, do të ndodhte. Kur në karnavalin e Rio de Janeiro filluan të visheshin me të kuqe me maskën e Dalit, ose në Arabinë Saudite një burrë tregoi tatuazhin e Tokios, ne thamë “kjo është çmenduri”.
Pyetje: Sa kishin të bënin mediat sociale me suksesin e La casa de papel ?
-Shiko, unë jam analog dhe jam i nderuar. Unë me të vërtetë jam shumë pak dixhital. Rrjetet krijojnë një vëllim të madh bisedash të të gjitha llojeve, dhe unë mendoj se kjo është e mrekullueshme. Kur bën një projekt krijues, të flasësh për të dhe të krijosh një debat të nxehtë më duket mirë. Sepse më parë ne ishim mësuar me gjërat që ndodhnin në një realitet të caktuar. Unë mendoj se zhurma është e mrekullueshme kur krijon një produkt imagjinar, qoftë film apo seri. Unë gjithmonë besoj se polemikat janë të nevojshme dhe të mirëpritura.
Pyetje: A është gjithashtu e dobishme kur debati tejkalon trillimin dhe lindin pyetje në lidhje me zgjedhjen e aktorëve, siç ishte rasti me Belén Cuesta, e cila luajti një grua transseksuale në sezonin e katërt?
-Mendoj se kur del një serial, gjithçka ndihmon. Casa de Papel ka krijuar polemika sepse ka mbrojtës që janë pothuajse fanatikë: ata janë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh me personazhet dhe zhvillojnë teori të të gjitha llojeve në lidhje me rrëfimin e ardhshëm. Por më ka ndodhur edhe mua me Sky Rojo , i cili ka një linjë editoriale të qartë për temën që trajton. Mund të ketë një formë që shumë njerëzve nuk u pëlqen, por është një vendim krejtësisht i qëllimshëm.
-Meqë përmendët Sky Rojo , një seri tjetër që mban emrin tuaj, po mendoni të bëni një vazhdim tjetër?
-Në parim ne e kemi lënë me një përfundim të hapur dhe kemi mundësi narrative për të vazhduar. Sky Rojo ka ende shumë për të dhënë, dhe mua më duket shumë stimulues sepse më ka lejuar të bëj diçka me shumë shpirt, por absolutisht të ekzagjeruar. Pjesa 2 ka një gjë tejet lozonjare që ne e kemi shijuar shumë, është shpërthyese dhe energjike. Praktikisht pjesa e dytë e Sky Rojo u shkrua në të njëjtën kohë me të pestën e La casa de papel dhe kjo ishte shumë mirë për mua. Hidhesha nga njëri në tjetrin.
Pyetje: Me atë që thoni, e kuptoj që për ju zhanret e thjeshta janë jashtë mode…
-Gjëja më interesante në këtë profesion është bërja e zhanreve të reja, përzierje shpërthyese. E ardhmja e serialeve është që të rizbulojmë veten si shkrimtarë. Po vjen një kohë pozitive dhe ne duhet të jemi atje dhe të shohim sesi e rizbulojmë veten.
Pyetje: A mund të vijë një sezon i ri i La casa de papel në të ardhmen?
-Thoni nëse do të ketë edhe një sezon tjetër? Shikoni, kjo është sikur të ndahesh nga gruaja. Të duket sikur je në zi, një periudhë që duhet të kalosh, një proces përshtatjeje emocionale. Tani për tani më duket e paimagjinueshme që ka diçka më shumë për të thënë në lidhje me një personazh, ose të kërkosh elemente për një tjetër sezon. Por unë ende nuk e di se çfarë t’ju them, sepse është gjithashtu e vërtetë që ne nuk e kishim as sezonin e tretë, dhe përfunduam duke bërë 3, 4 dhe 5 me dy grabitje. Unë mendoj se koka jonë nuk është gati të mendojë për një grabitje të tretë. Ndoshta brenda tre apo katër vitesh diçka mund të ndodhë. Por tani për tani nuk ka asgjë të menduar.
Pyetje: Për të thyer mitin për të cilin po flisnim, mendoni se La casa de papel 5 do të mbahet mend si më i miri nga të gjitha sezonet?
-Ajo që mund t’ju them është ky është sezoni më shpërthyes, ndoshta më i komplikuari për shikuesin, dhe gjithashtu për ne sepse kemi hyrë në një zhanër lufte që na ka bërë të regjistrojmë 32 ditë një episode. Është çmenduri kur ke parasysh se shumë nga filmat që po bëhen tani janë bërë në gjashtë javë. Ne kalojmë në nivel ekstrem. Shikuesi do të shkojë në një udhëtim me shumë ulje -ngritje emocionale, dhe shpresoj se ata do të mbeten të kënaqur./KultPlus.com
“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.
Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.
Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.
Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.
Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.
Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.
Kur shirat vazhdonin tri-katër ditë rresht, babai e shkëpuste qyngjin në një vend, që sterna të mos mbushej më tepër se ç’duhej. Sterna ishte shumë e madhe. Ajo shtrihej pothuaj nën gjithë sipërfaqen që zinte shtëpia jonë dhe në qoftë se shpërthente mund të përmbyste në fillim kubenë dhe pastaj të shkatërronte krejt themelet e shtëpisë, sepse qyteti ynë ishte i pjerrët, dhe në këtë qytet mund të ndodhte çdo gjë.
Ndërsa po vrisja mendjen se cili e kishte më vështirë të duronte burgimin, njeriu apo uji, dëgjova hapat e gjyshes dhe pastaj zërin e saj nga dhoma tjetër:
– ‘Ngrehuni, ngrehuni, kemi harruar të heqim qyngjin’.
Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Babai vrapoi në errësirë nëpër korridor, me mbathjet e gjata të bardha, hapi dritaren e vogël të qoshkut dhe me një shkop të gjatë e mënjanoi qyngjin. U dëgjua zhurma e ujit që filloi të binte në oborr.
Ndërkaq, nëna ndezi llambën me vajguri dhe bashkë me babanë e me gjyshen zbriti shkallët. Unë u afrova te dritarja dhe u mundova të vështroja përjashta. Era e përplaste shiun me furi pas xhamave dhe mazgallat e vjetra të shtëpisë rënkonin.
Nuk m’u durua dhe zbrita shkallët të shikoja se ç’bëhej poshtë. Ata të tre ishin të shqetësuar dhe nuk më vunë re. Kishin hequr kapakun e grykës së sternës dhe po mundoheshin të vështronin ç’ndodhte atje brenda. Nëna mbante llambën dhe babai vështronte.
Ndjeva një rrëqethje në trup dhe u kapa pas rrobave të gjyshes. Ajo më vuri dorën në kokë. Porta e jashtme dhe e brendshme dridheshin nga era.
– Ç’është ky kiamet! – tha gjyshja. Babai, i përkulur i tëri, po mundohej të shikonte brenda në sternë.
– Bjer një copë gazetë, – i tha nënës.
Ajo e solli. Babai e mblodhi shuk gazetën, e ndezi dhe e lëshoi në sternë. Nëna lëshoi një klithmë të vogël.
– Ujët është ngjitur gjer te gryka, – tha babai.
Gjyshja filloi murmuriste një lutje.
– Shpejt, – thirri babai, – ndiz fenerin.
Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë mushamanë e zezë, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën. Edhe nëna hodhi një rrobë të vjetër mbi kokë dhe i shkoi pas.
– Gjyshe, ku vanë ata? – pyeta i trembur. – Të thërresin fqinjët, – tha gjyshja. – Pse? – Të na ndihmojnë të pakësojmë ujët e sternës.
Jashtë, midis zhurmës së shiut, u dëgjua mbyturazi një trokëllimë porte. Pastaj një tjetër, një tjetër.
– Gjyshe, si do ta pakësojnë ujët? – Me kova, bir.
Unë iu afrova grykës dhe vështrova poshtë. Errësirë. Errësirë dhe frikë. / KultPlus.com
Kjo është një fotografi që gjendet në arkivat e Bibliotekës së Kongresit Amerikan e cila tregon për gatishmërinë e shqiptarëve, në atë kohë emigrant të rinj në SHBA, për ti ardhur në ndihmë vendlindjes.
Sipas skedës shoqëruese fotografia mendohet të jetë realizuar në Shqipëri midis viteve 1915 -1920. Në të janë përjetësuar një grup i madh shqiptaro-amerikanësh të cilët janë vullnetar të Kryqit të Kuq dhe kanë ardhur të ndihmojnë në Shqipëri.
Shqipëria e fillim shekullit të XX ishte në një emergjencë shëndetësore. Shkëputja nga Perandoria Osmane, qeveria e brishtë e sapoformuar e Ismail Qemalit, dhe nisja e Luftës së Parë Botërore ishin ngjarje zinxhir të cilat ndikuan në jetën e shqiptareve,
Dokumentet e kohës tregojnë për praninë e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe që në vitet 1914 në Shqipëri. Gjatë luftës së parë botërore 1914-1918 janë vitet kur u shfaqen në vend edhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
Ishte viti 1919 kur nisi veprimtarinë e tij humanitare në Shqipëri një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit. Dega e Kryqit të Kuq Shqiptar u themelua më 4 tetor 1921, por vetëm në vitin 1923 u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
E kanë vra… Në qytetin rranjë gurësh, thuhet se, “Grueja ka lindë prej brinj’s burrit!” Sa herë nanen e pyeste buza b’za i dridhej e short me heshtjen shtati hidhej si gardhi tek shiltja tanë gunga dhimash. Tërhekte pak nga pak degërminë, që dihatja rrêke krahanori t’ia shtrengonte fort ballicen me mbajtë në kambë rrudhat si kapërthim thinjash, “Marrja asht mëkat tek dera Zotit, bijë!”
E kanë vra… Në qytetin gema avullie, thuhet se, “Vajza lind në shtëpinë e huej e (v)des në shtëpinë e vet!” Sa herë baben e kqyrte pyetja ambël ta merrte, cungut në oxhak mashen ia ngulte n’âsht, sa zjermi e kapërdinte me një hûrth. Kutisë duhanit i vinte hakut e në nêje gishtash ajo far’ letret e hollë shkyhej, kur pshtyma ngjitej në tê. Fillonte me trû vedin, “Të hangër mordja, këtij pragu asnjë korî s’ka m’i mbetë, bijë!”
E kanë vra… Në qytetin, dielli sa një pash tokë, thuhet se, “Kur lind vajza qajnë trenat e shtëpisë!” Sa herë lodronte kopshnish me erë bari punue fije drandofili, atje nalt’ tjegullat kendonin një kangë. Një kangë të hershme, sa pullazi ligshtohej, hana zverdhte arkitranët e tek darka e dreqit mungonte gjithmonë një çinî, rrëfim nates vorrit, “Kështu e ka shkrue Zoti, bijë!”
E kanë vra… Në qytetin, çinari sa gulshi qiell, thuhet se, “Burri asht çadra e grues!” Sa herë shiut ia çilte sytë çadra u kaçavjerrte tek shpina xhaketë burrit. U donte rruges me ecë shtatë hapa mbrapa, me krye poshtë, pa ia pâ beben e synit rrebeshit. Bile as bubullimes m’ia ndigjue rrahjen ré. S’ban, se masandaj shprishet rruzarja, “Shtatë shpitra ka Grueja!” E monologu ndër gropa grushti kthehet mbrasht, “S’ke ku shkon tek dera e babes, vajzë!”
E kanë vra… Në qytetin blini sa një pëllambë piacë thuhet se, “Nderi i grues peshohet me gram, ndërsa i burrit lahet me një pikë ujë!” Sa herë baules ia hapte bulshitë, fisheku në pajë qepte ditët me arrna t’errta. E në çdo nyje varte fatin si Krishti në gozhdë. Kaq frymë ke për sot, e për nesër shofim e bajmë. E në tanë këto bri që i “zhgulen” burrit testamenti vulos, “Duhet me durue, bijë!”
E kanë rrejtë, e kanë pré në besë, e kanë vra… A thue kush ka me përkundë këtë gjâm? / KultPlus.com
Qyteti i Vjetër i Prishtinës shtrihet në mes të dy lumenjve Vellushës dhe Prishtevkës (Prishtinës), që rrjedhin nga kodrinat xehetare në anën perëndimore të Malësisë së Gallapit. Gjurmët e banimit në Prishtinë dhe rrethinë i gjejmë që në kohën e parahistorisë, në lokalitetet e periudhës së bronzit deri në etnokulturën dardane që fillojnë nga shekulli VI deri IV p.e.s sonë e vërteton këtë.
Sipas Feliks Petançiqit, diplomatit dubrovinkas dhe i deleguari në oborrin e mbretit hungarez Vladisllavit II, i cili në shekullin XVI-të thotë se: “Prishtina është një vend i begatshëm”. Prishtina në këtë kohë ishte e njohur si qendër tregtare, e sidomos me metale fisnike. Në Panagjyrin tradicional të Prishtinë mund të gjendeshin mallra nga i tërë Ballkani dhe Italia, ndërsa në afërsi të qytetit përmendën edhe lojërat kalorëse mesjetare. Ndërsa, sipas autorit sërb A. Bogosavleviq në veprën e tij “O Arnautima”, shkruan se “Prishtina në gjysmën e dytë të shekullit XIX kishte 17.000 banorë me 13 xhami”.
Çarshia e Prishtinës njihet si pjesa kryesore e tregtisë së Prishtinës së Vjetër, që nga shekulli i XV-të. Ajo pati një rol të rëndësishëm në zhvillimin fizik, ekonomik dhe social për qytetin e Prishtinës. Tregu i vjetër (Pazari i Vjetër) u shkatërrua gjatë viteve 1950 dhe 1960, pas sloganit të modernizmit “Shkatërrojë të vjetrën, ndërto të rejën”.
Çarshia e Vjetër e Prishtinës ishte një kompleks unik tregtar që zhvillonte tregtinë me qytetet e tjera të Kosovës dhe gjetkë në Ballkan, ndërkohë zona ishte nën udhëheqjen e Perandorisë Osmane. Ato u ndërtuan gjatë shekujve XI-të, XVI-të dhe XVII-të, duke arritur formën e tyre përfundimtare të shekullit XIX-të. Këto komplekse tradicionale u zhvillua në dy lloje: Pazari i Mbuluar i njohur si “Bezistani” dhe Pazari i Hapur. I pari ishte kompleks i mbyllur me dyqane, ndërsa, i dyti u karakterizua me nga rreshtat e njëpasnjëshme të zanateve, ku tregtarët ekspozuan produktet e tyre çdo të marte.
Dy zjarre të mëdha e dëmtuan shumë Prishtinën në shekullin XIX. Atë e shkatërruan dhe ndërruan shumëçka nga karakteri i mëparshëm dy luftëtarët Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Një karakteristikë të veçantë mund të theksohet se Prishtina, mese një shekull, pas gjysmën e shekullit XVII-të ishte nën sundimin e familjes feudale shqiptare Gjini. Pas vrasjes së Maliq Pashë Gjinollit, që nga viti 1809, kjo familje kishte organizuar një ekspozitë familjare, një lloj muzeu unik që ka funksionuar deri në vitin 1912. Muzeu i familjes feudale të Prishtinës me origjinë shqiptare bëhet institucioni kulturorë shumë i rëndësishëm dhe i ngjashëm me ato të oborrëve mbretërore feudale të shteteve të Evropës, i cili është shkatërruar në kohën e luftërave ballkanike në vitin 1912.
Në koleksionin muzeor të familjes Gjinolli ka pas një numër të konsiderueshëm të eksponateve me rëndësi historike dhe etnografike në mesin e tyre ka qenë edhe gijotina e Jashar Pashës.
Në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, e cila njihet për të gjithë prishtinasit si “Çarshia e Vjetër”, në verilindjen e qendrës së qytetit, në afërsinë të Hamamit të Madh dhe Xhamisë së Sulltani Mehmet Fatihut gjendet “Muzeu Etnologjik” i Prishtinës, i njohur për të gjithë vendasit si shtëpija “Emin Gjikut”, i cili funksionon në kuadër të Muzeut Historik të Republikës së Kosovës.
Ky kompleks është pjesë e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit e ndërtuar në fillim të shekullit XIX-të, ku ishte prona private e familjes feudale Gjinolli të Prishtinës.
Kryefamiljari i kësaj shtëpije i cili njihej për të gjithë prishtinasit me noflkën “burrë i vogël” dhe në gjuhën turke si “Eminçik”, që më vonë shëndërrohet në kompleks nga këtu e morri emrin ky kompleks.
Familja Gjinolli në këtë shtëpi jetuan deri në vitin 1956, kur nga politika dhe dhuna e Aleksandër Rankoviçit, si çdo familje shqiptare u detyruan t’i shesin për arsye të mos shpronësimit të pronave të tyre nga organet kompetente të kohës (niveli komunal). Ky kompleks gjatë periudhave (afro dy shekujve) ka pësua ndryshime të shumta si pasojë e ndërtimit të funksionit. Në tërësi, kompleksi i “Emin Gjikut” mbetët nga të pakta ato shtëpi qytetare të fillimit të shekullit XIX, që janë ruajtur në kryeqytetin e Kosovës.
Pas marrjes së vendimit nga niveli komunal i Prishtinës në pronë komunale në vitin 1957, ky kompleks fillimisht është përdorur si “Muze i Natyrës”, ku brenda dhe jashtë mund të shikohen kafshë të ngrira, ku vazhdoi të funksionoj deri në vitin 2000. Pas vitit 2000 deri 2006 kompleksi i “Emin Gjikut” iu nënshtrua restaurimit të tërësishëm. Me 27 korrik të vitit 2006 bëhet inaugrimi i këtij muzeut, ndërsa, instalimi dhe prezantimi i ekspozitave muzeale u bë respektivisht i hapur për publikun me 1 shtator të vitit 2006.
Vlejnë të theksohet se gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kjo familje në vitet e 40-ta ka qenë njëra ndër familjet më të pasura në qytetin e Prishtinës dhe ka pasur pronësi dhe prona të tjera. Më pas familja Gjinolli e humbi primatin e familjes më të fuqishëm, ndërsa, në vitin 1957, familja vendosë ta shesë kompleksin dhe të shpërngulët në Turqi, që nga ajo kohë kompleksi është pronë në kuadër të Muzeut të Republikës së Kosovës.
Thuhet se kontratën e ka nënshkruar lideri Fadil Hoxha për arsye se ky kompleks u vlerësua si pronë me interes shtetëtorë, ku u promovua ekspozita e familjes Gjina dhe ishte një muze unik i cili e karakterizonte një shtëpi feudale të shekullit XVIII-të dhe të mos humbët vlera e trashëgimisë kulturore të qytetit të Prishtinës. Pasi që në këtë kompleks ishin eksponatet e panaihirit të qytetit të Prishtinës të vitit 1812, që filloi të mbahet dy panaihire brenda vitit, si panairi i pranverës dhe vjeshtës, ku merrnin pjesë shumë tregtare nga lindja dhe perëndimi, ku promovohej diplomacia ekonomike e kohës.
Çka e karakterizojnë kompleksin e “Emin Gjikut”?
Në hyrjen e kompleksit janë dy objekte: Objekti në anën e djathtë është dykatëshe. Dikur në katin e parë ka qenë e vendosur shtalla, ndërsa sipër ishte bujtina.
Ky objekti i takon shekullit XVIII-të, përballë tij gjendet objekti prej guri, që ka dyshime për funksionin e tij në të kaluarën. Objekti është bartur në vitin 1950, prej qendrës së qytetit të Prishtinës më konkretisht nga vendi ku aktualisht gjendet objekti i Kuvendi të Republikës së Kosovës.
Kompleksi i “Emin Gjikut” në ndërtimin e tij të parë ishte më i madh me sipërfaqe se sa tani, diku për 1/3 që është tani. Aktualisht ka vetëm dy dhoma, atë të grave dhe fëmijëve si dhe odën qytetare.
Në katin e poshtëm të objektit është dhoma e zjarrit, vendi ku përgatitej dhe shërbëhej ushqimi për anëtarët e familjes dhe bodrumi – pjesa më freskët e objektit, ku është ruajtuar ushqimi dhe i cili ka shërbyer si frigorofer në të kaluarën. Me shtimin e anëtarëve të familjes është shtuar nevoja e ndërtimit të një objekti tjetër.
Ky objekt është ndërtuar në shekullit XIX-të dhe këtu kanë jetuar deri në momentin shpërnguljes. Që nga momentit i hapjes së këtij objekti si muze është improvizuar ekspozita e përhershme në të cilët paraqitet mënyra e jetesës së shqiptarëve gjatë shekujve XVI-XX-të. Të gjitha dhomat në këtë objekt janë të improvizuara për të paraqitur katër temat kryesore apo ciklin e jetës, si: lindjen, jetën, vdekjen dhe trashëgiminë.
Në objektin e shekullit XVIII-të është dhoma e zjarrit dhe vendit ku përgaditej ushqimi me objektet përcjellëse si magjja ku mbahet mielli dhe përgaditej buka, oxhaku, sofra me stola (shkëmbinj), pjesën e larjen e enëve dhe bodrumin.
Gjithashtu mund të shihen pjesa e ngrohjës qendrore, dhomat e grave, fëmijëve dhe odën qytetare me hamanxhik.
Në dhomat e objektit të shekullit XIX-të janë ekspozuara veshjet e xhubletës, dhoma e lindjes, si dhe dhoma e çiftit bashkëshortor me elementet përcjellëse si shtrati, arka e pajës (çejzit) dhe djepi.
Në dhomën e artit popullor paraqitet mjeshtëria artizanale kombëtare e zbatuar në objektin materialit të dheut, drurit dhe metalit. Ato janë kryesisht eksponate që përdoreshin në ekonominë shtëpiake, të punuara nga mjeshtërit shqiptarë me teknikë dhe elemente të veçanta dhe motive vendore.
Në korridor mund të shihet këndi i ngrënies së ushqimit nga fëmijët, enët e drurit që shërbenin rreth produkteve të qumështit dhe një improvizimin të odës së fshatit.
Në katin e dytë janë të ekzpozuara veshjet martësore nga trevat e ndryshme të Kosovës që pasqyrojnë një nga vlerat etnkulturore të vendit tonë.
Në një cep tjetër janë të vendosura armët e prodhuara në Prizren në vitin 1878. Dikur ky qytet numëronte më shumë se 200 punëtori të prodhimit të armëve dhe njihej si Perandori dhe si qytet eksportues i tyre.
Gjithashtu, aty janë ekspozura dekorimi nga argjendi me teknikën e filgranit që i takojnë shek XVIII-të dhe XIX-të dhe që janë trevat e Prizrenit, Prishtinës, Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës.
Në muzë janë të ekspozuara mjetet dhe artikujt që lidhen me stillin e jetës nga periudha e sundimit të Perandorisë Osmane.
Një veçori në muzeun Etnologjik të Prishtinës është ruajtur tradita e popullit tonë përmes produkteve të prodhuara nga druri të cilat janë kryesisht të përshkruara nga kompleksiteti i veglave të punës mobiljeve, dekoratave, pajisjeve shtëpiake për përdorim të përditshëm. Thuhet se nga kohët e hershme për produktet të drurit janë dy lloje të zejtarëve që duhet dallohet nga tradicionalja dhe mjeshtri profesionalistë. Të dyja këto kategori zejtarësh përdoreshin për të prodhuar në formën dhe mënyrën e tyre, mirëpo mund të themi se zejtarësh përdoreshin për të prodhuar produktet vetanake kryesisht për përdorim shtëpiak, ndërsa zejtari profesional zakonisht do t’i vendoste produktet të tij në treg dhe kjo nënkupton se ajo kishte konceptin universal, më të avancuar dhe që përfshin një pamje artistike dhe produkteve të tij.
Një rëndësi e veçantë patën instrumente muzikore të cilat ishin produktet të rastësishëm, mirëpo ato morrën funksionin e tyre praktik. Meloditë e instrumenteve popullore që janë të trashëguara me breza me rradhë. Dëfrimi nga instrumentet e artit popullor ka qenë një shkollë e edukimit fisnik dhe patriotik të popullit. Ishte njëkohësisht një ruajtëse dhe zhvilluese e trashëgimisë kulturore të popullit me shekuj ka qenë një arkiv i kujtesës popullore të historisë së pas brezave. Mëqenëse nuk ishte njeri aq i arsimuar kishte poetë, prozë, shkrimtarë, artistë humoresh, oratori dhe aktorë të saj të ndritshëm dhe një pjesë prej tyre mbetët anonim. Ajo kishte kompozitorë bujarë dhe kërcimtarë. Arti folklorik i fjalës, tingujve, të ritmëve dhe vallëzimit dhe instrumenteve muzikore ka qenë një forcë e fuqishme e kohezionit midis disa dukurive të tjera esenciale, të cilat e mbajtjen të bashkuar këtë bashkësi, duke e ruajtur atë të mos shpërbëhet dhe të zhytur ndonjë kulturë tjetër. Duhet veçuar se instrumentet muzikore si lutja (Lahuta) bëjnë një gjatë dhe kjo padyshim konsiderohet si një nga instrumentet më të vjetra të Gadishullit Ballkanik, por sa i përket popullit shqiptar dhe është prodhuar dhe promovuar nga populli. Sipas burime arkiologjike është gjetur edhe një instrument muzikor i njohur si “Okarina”, e cila daton nga epoka neolitetit të hershëm që është gjetur në Runik të komunës së Skënderajit.
Vlejnë të theksohet se kompleksi i banimit “Emin Gjiku” është njëri ndër monumentet të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prishtinës. Ky kompleks i shekullit të XVIII-të hyjnë në monumentet kulturorë të kategorisë “Artikekturor”, i miratuar me numër 953/1955. / KultPlus.com
Gara për ‘Luanin e Artë’ u hap sot në mbrëmje nga një dyshe emblematike e kinemasë spanjolle, Pedro Almodovar dhe Penelope Cruz, në një prelud të Festivalit të Filmit në Venecia, që ndërthur kinemanë autore dhe emra të mëdhenj të Hollywood-it.
Regjisori dhe muza e tij, të veshur me të zeza, ecën në tapetin e kuq të pallatit të kinemasë nën shkrepjet e aparateve të fotografëve, por në mungesë të publikut, për shkak të masave antiCOVID-19.
Gjatë ceremonisë së hapjes, një ‘Luan i Artë Nderi’ iu dha regjisorit italian Roberto Benigni, autorit të paharrueshëm të “La vita e bella”.
Për këtë Mostra të 78-të, Almodovar përballet me 20 filma në garë për të joshur një juri të kryesuar nga Bong Joon-Ho, nga Koreja e Jugut, fitues i “Palmës së Artë 2019” me filmin “Parasite”.
Juria e Mostra-s bashkon aktoren franko-belge Virginie Efira dhe regjisoren amerikane me origjinë kineze, Chloé Zhao, e cila triumfoi në Oscar me “Nomadland”, disa muaj pasi fitoi ‘Luanin e Artë’ vitin e kaluar. / KultPlus.com
Linguistja dhe historiania ukrainase, Nadjezhda N. Gicko-Shamova, hedh dritë mbi kontributin e shqiptarëve, në zhvillimet historike të formimit të rajonit të Odesës në Ukrainë. Bazuar në lidhjet e saj me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë periudhës 1955-1960, si dhe në fakte historike e referenca letrare të kohës, Gicko-Shamova përshkruan me një ndjenjë dashurie e me realizëm figurën e shqiptarit dhe rolin e tyre në hedhjen e themeleve të këtij rajoni të pasur buzë Detit të Zi. Mendimet mbi historikun e themelimit të Odesës, Gicko-Shamova i shtjellon gjerësisht në esenë e saj historiko-letrare “E njoh vendin…”, dedikuar vendlindjes së saj, Odesës, botuar në ukrainisht në vitin 2004, në Odesë, Ukrainë.
Ja çfarë shkruan Gicko-Shamova, ndërmjet të tjerash, në esenë e saj:
Kur “Rusia u bë një nga shtetet më të fuqishme të botës, filloi të çlirohej jugu i vendit”, filloi të bëhej një popullim më i organizuar i vendit tonë, veçanërisht u popullua periferia e qyteteve – porte të reja si Hersoni. Nikollajevi e më pas Odesa. Ja përse historia e popullimit të vendit tonë lidhet ngushtë me historinë e çlirimit të tij. Më vonë u bë popullimi i tokave tona me të huaj. Popullimin e tokave ruse me të huaj e filloi Pjetri. Ai ftoi serbët të ishin pjesë e popullsisë në Rusi, të cilët shquheshin si kavalierë të famshëm. Me ta u organizuan regjimentet kusare. Serbët emigruan me familjet dhe kur filluan të çliroheshin tokat e jugut, d.m.th. në rrethinat e Odesës, ato u vendosën në ultësirat e Dnjestrit.
Popullimin e tokave tona me të huaj e vazhdoi Ekaterina. Pasi hipi në fron, Ekaterina II nxitoi t‘i bënte të ditur Evropës, më datë 14 dhjetor 1762, se “Rusia hap dyert e veta të mikpritjes dhe ofron fushat e veta pjellore për furnizimin me ushqim, madje edhe për gjysmën e Evropës”. Ajo iu drejtua madje gjithë rusëve që jetonin jashtë kufijve, duke braktisur vendin për arsye të ndryshme, që të ktheheshin lirisht, pa frikë, në shtëpitë e tyre të mëparshme ose të zgjidhnin qytete të tjera, ku tokat ishin me bollëk, ndërsa gjithë të huajve u bëri thirrje të vinin në Rusi dhe të vendoseshin aty ku dëshironin.
Ky rregull për migrimin dhe emigrimin u bë ligj dhe për Novorosiskun. Kështu filloi dhe kolonizimi i parë ushtarako-agrokulturor me të huaj në Stepë. Bashkë me koloninë ushtarake aty filluan të vendoseshin edhe bullgarët, që kohët e fundit kishin dalë nga zgjedha turke. Fillimisht ata donin të vendoseshin në Poloni, por pasi morën vesh për favoret e Ekaterinës II që u bënte atyre që besonin në një fe, nxituan për në Novorosisk.
Popullimi u bë kështu: një pjesë e Ukrainës u popullua deri në Pjervomajsk, më pas shkoi përtej Bugut deri në Dnjestr, e më pas përtej Dnjestrit, në Besarabi. Në Besarabi emigrimi u bë vetëm atëherë kur në perandorinë e Aleksandrit I në vitin 1806 Turqia (përfundimisht) i dha Rusisë Besarabinë. Përveç kësaj, duke shpëtuar nga tiranët e vet, në vendin tonë u turrën të varfrit nga Polonia, Bullgaria e Moldavia. U krijuan të ashtuquajturat ferma të lira. Në fund të gjysmës së dytë të shek. XVII, në tokat tona u krijuan kolonitë afër Dnjestrit dhe afër Detit të Zi. Në vitet ‘70-‘80 të shek. XVII me këtë masë emigrantësh u bashkuan edhe grekët e shqiptarët gjithë ky popullim përbënte dhe embrionin e pjesës së re të rajonit të Novorosiskut.
Nga të gjithë emigrantët unë do të ndaloj më hollësisht në ata që vinin nga Greqia, Shqipëria, Gjermania, sepse ata përbënin pjesën më të madhe të emigrantëve. Në periudhën e luftës me Turqinë, qeveria ruse vendosi të dërgonte flotën ushtarake detare në Detin e Zi, që të dilnin në prapavijat e armikut. Kjo flotë u formua dhe në krye të saj qëndronte konti Grigor Orllov. Flota detare ruse arriti Arkipelagun në vitin 1768 dhe në atë kohë aty zhvillonin luftën me turqit grekët dhe shqiptarët. Në kohën e qëndrimit në Arkipelag flota ruse e kontit Orllov i ftoi grekët dhe shqiptarët të bashkëpunonin me trupat e tij kundër armikut. Grekët dhe shqiptarët e lanë atdheun e tyre dhe kaluan nën flamujt rusë. Ata krijuan një milici detare me emrin batalioni greko-shqiptar, komandant i parë i të cilit ishte majori Kostandin Naponi.
Në betejë grekët dhe shqiptarët shquheshin për trimëri dhe burrëri. Me këtë ata tërhoqën vëmendjen e Suvorit dhe Potjemkinit, të cilët ndërmorën mbrojtjen e tyre dhe kujdeseshin plotësisht për ta. Pasi mori vesh për luftërat e tyre guximtare edhe Ekaterina II tregoi kujdes të veçantë për ta. Për grekët ne dimë shumë, ndërsa për shqiptarët, që janë kaq larg, nuk dimë pothuajse asgjë. Shqipëria është një vend i vogël malor, e pozicionuar në vendbashkimin e Evropës me Ballkanin. Kufizohet në veri me Jugosllavinë, ndërsa përmes detit Adriatik, në jug me Italinë. Lidhur me madhësinë e vendit të tyre shqiptarët bëjnë shaka: “e vogël dhe e rrudhosur, por nëse e sheshon ajo zë gjithë Evropën”. Ata e quajnë veten shqiptarë nga emri i vendit Shqipëri, që në përkthim do të thotë “vendi i shqiponjave”. Kjo është e vërtetë dhe në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe në kuptimin figurativ: të gjithë shqiptarët janë shumë kurajozë, guximtarë dhe sypatrembur, gjë për të cilën i donte dhe Potjemkin, Suvorov, siç do ta shohim më tej.
Lidhur me kombësinë e shqiptarëve A.Skalkovski shkruan: “Ata e quajnë veten shqiptarë, sepse pjesa më e madhe përbëhet nga arnautë dhe shqiptarë të emërtuar shqiptarë”. Shqiptarët kanë një veshje kombëtare të jashtëzakonshme, që ngjan shumë me veshjen kombëtare të grekëve. Shqiptarët kanë hyrë në histori me emërtimin “arnautë”. Fjala “arnautë” vjen nga emri Arianit, zotit të fundit të shqiptarisë, që pas vdekjes së Skënderbeut (1467) pak nga pak e pushtoi Muhamedi” – sundues turk. Prandaj, shqiptarët nuk e nderojnë Arianitin, sepse mendojnë se ai është fajtor që turqit pushtuan Shqipërinë. “Shqiptarëve që shërbenin në trupat e portit Otoman, turqit i quanin arnautë”. Turqit i quanin shqiptarët arnautë me përbuzje, sepse e konsideronin popull i nënshtruar. Kjo është arsyeja pse shqiptarët fyhen kur i quajnë arnautë. Pasi luftuan nën flamurin rus, ata fituan një autoritet të madh.
Në vitin 1778, në gadishullin e Krimesë, mes tatarëve shpërtheu një revoltë. Për qetësimin e saj u dërguan forca ruse dhe shqiptare. Gjatë betejës shqiptarët treguan shembuj të çuditshëm të trimërisë dhe kurajos. Ja, dikur ata u bënë të njohur për Potjemkin dhe Suvorovin. Që nga ajo kohë Suvorov i mori nën mbikëqyrjen e vet dhe kujdesej mbi “organizimin e trupave shqiptare, madje iu drejtua edhe Ekaterinës II, që atyre t‘i jepej tokë, rrogë, t‘i ndihmonin në ndërtimin e banesave”.
Në vitin 1778, Suvorov iu drejtua Ministrisë Ushtarake me kërkesën: “Për hir të Zotit, shumojini shqiptarët, ose në fund ata do të zhduken si ushtria e lashtë e Maklemburit. Me kë të martohen ata këtu? Një lule nuk sjell pranverën, ata janë trima, janë të paktë në numër, le të shumohen”. Shqiptarët, me dëshirën e tyre, aty ku emigruan grekët e Mariupolit, në Qarkun e Azovit, lidhën krushqi me ish-krishterët e Krimesë për ripërtëritje”. Greko-shqiptarët emigruan në grykën e lumit Kalmica (në lashtësi Kallka) në epiqendrën aktuale të zjarrit të qytetit të lashtë Adamak dhe themeluan qytetin-port Mariopul, ndërsa në rrethinën e tij ndërtuan më shumë se 20 fshatra të bukur. Shqiptarët ndihmuan Sovorovin aktivisht në përkthimin e grekëve dhe ushtrisë në rajonin e Novorosiskut. Kur pushtetarët u dëbuan nga Krimeja në vitin 1784 ata i porositën të ruajnë brigjet jugore të Krimesë. Për këtë atyre iu dhanë toka në Ballakllavë, ku iu prezantua edhe ky qytet, i cili, pas dëbimit të hirejve, ra përfundimisht.
Shqiptarët emigruan në këtë qytet dhe në rrethinat e tij. Përveç këtij qyteti ata ndërtuan edhe shtatë fshatra të vegjël mes Ballakllavës dhe Jaltës, në tokën që i dhuruan bashkë me rrogën. Po në këtë tokë ndodheshin rreth 6000 (djesjatin) të këtij pylli të shtrenjtë kaq të rrallë në këto vende. Në rrethinat e Ballakllavës dhe Jaltës ata krijuan fshatra të tillë si: Kadëjka, Karani, Alsi, Kaka, Kamari, Ballta-Cokrak, Autka, Kjermjençik.
Pasi emigruan në këtë rajon, shqiptarët u fuqizuan. Përgjithësisht merreshin me ekonomi bujqësore. Ata kultivuan, e ndoshta sollën nga Shqipëria, farën e grurit të tyre. Ky lloj gruri u ruajt deri në kohën tonë dhe u emërtua “arnautka”. Ky grurë përdoret te ne me shumë ekonomi, sepse është lloji i grurit që rron më shumë. Nga këto anë numërohen më shumë se 2660 shqiptarë luftarakë. Në provincën e Tavriçeskit numëroheshin 1308 burra dhe 1194 gra. Në stafin e administrimit të qytetit Taganrogsk ishin 67 burra dhe 67 gra. Ata kishin detyrë ruajtjen karantino-kufitare të bregut jugor të bregdetit të Krimesë.
Shqiptarët ishin besnikë të traditave dhe zakoneve të veta kombëtare. Ata ishin shkolluar në jugun luftarak. Visheshin në një mënyrë të lirshme: fustanella të shkurtra, të zbukuruara, shallvare shumë të ngushta, opinga (si tipi i opingave ruse), në kokë mbanin kësula me lajle dhe jelekë të qëndisur. Shqiptarët dallohen dhe nga gjuha, që nuk futet në asnjë grup gjuhësor. Shqiptarët që emigruan në Ballakllavë “i quanin batalion i këmbësorisë së Ballakllavës greke”.
Në këtë batalion pas përfundimit të luftës në vitet 1828-1829 u bashkua një numër i vogël i grekëve, që ishin rob lufte. Kur u zhvillua lufta me turqit, oficerët rusë nuk dalluan nuancat: greke-shqiptare. Prandaj përdornin atë emër që ishte më i njohur. Që këtej edhe grekët dhe shqiptarët i quanin thjesht grekë, për më tepër se nga pamja e jashtme ata ngjanin shumë. Në disa dokumente ne hasim emërtimin e batalionit greko-shqiptar, thjesht grek, në të tjerat thjesht shqiptar. Nga këtu duhet të mbajmë parasysh se nëse bëhet fjalë për këtë batalion, atëherë duhet të kujtojmë se ai përbëhej nga dy popuj: grekë dhe shqiptarë. Për këtë batalion, A.Skalkovsi në librin e përmendur tregon: “Një pjesë e emigrantëve grekë, që kishin ardhur nga Arkipelagu, shërbenin në flotën e Detit të Zi, pjesa tjetër në tokë. Në të gjithë kompaninë, në vitet 1787-1791, grekët dhe shqiptarët u bënë të njohur dhe për De-Ribasin për zellin e kryerjes së shërbimit dhe trimërinë në beteja, i cili komandonte flotiljen vozitëse të Detit të Zi dhe në të kishte oficerë e timonierë grekë. Edhe Potjomki i përkrahte shqiptarët, i respektonte për burrërinë e tyre, për zellin dhe kujdesej shumë për ta. Kështu, kur u mor Haxhibeu, ai u kujdes që tokat rreth tij t‘u jepeshin shqiptarëve dhe ata u vendosën që të shërbenin në ushtri.
Shqiptarët, falë përkujdesjeve të Suvorovit dhe Potjomkit, ishin të favorizuar dhe nga Ekaterina II, e cila nxori jo vetëm një shkresë, siç do ta shohim më vonë, për përkujdesje ndaj tyre. Autoritet edhe më të madh në qeverinë ruse gëzonin grekët. Në fillim të kësaj eseje thuhet se grekët janë kolonitë më të lashta në brigjet veriore përgjatë Detit të Zi. Ata jetuan në rajonin tonë deri në zgjedhën turke, ndërsa pas çlirimit të territorit nga turqit, numri i kolonive greke u rrit. Kështu, grekët dhe shqiptarët përbënin pothuajse popullsinë kryesore të rajonit të Novorosiskut nga të gjitha kolonitë e huaja. Asnjë nga emigrantët e shteteve të tjera nuk kishte të drejta dhe favore të tilla nga qeveria ruse, si grekët. Ata i quanin grekët si vëllezërit më të mirë, ndërtuan shkolla për ta dhe madje taksat doganore i paguanin më pak se të tjerët. Grekët kishin institucionet e veta, bankat, gjimnazet, dyqanet, drejtuesit e tyre për kolonitë greko-shqiptare. U ndërtua një kishë e veçantë, ajo e Trinit, ku shërbesa bëhej në gjuhën greke e zhvillohej nga kleri grek. Grekët banonin kryesisht përgjatë Azovit, në Krime, por një pjesë e konsiderueshme e tyre ishte në Odesë. Për kolonitë greke A.Skalkovski shkruan: “Këtu duhet përmendur dhe ndarja e fundit e kolonive greke, jo të rëndësishme për nga numri e as për nga funksioni, por të njohura nga ne, sepse pikërisht për to ishte krijuar qyteti Haxhibej, tashmë Odesa jonë e lulëzuar. Ky është i ashtuquajturi batalioni i Odesës”.
Kur qeveria e Rusisë filloi të mendonte për popullimin e tokave të Oçakovskit, të ndërtonte qytete, porte, fshatra, atëherë guvernatorit të Ekaterinanosllavit, gjeneral-majorit Vasil Kahovski, të cilit pas vdekjes së carit Potjomkina iu dha i gjithë rajoni i Novorosijskit i marrë nga ta, iu ngarkua detyra e krijimit të qyteteve”. Rajoni u inspektua, u nda në disa qarqe dhe pastaj filloi të popullohej. Në popullimin e rajonit tonë mori pjesë aktive dhe De-Ribas. “Sapo u themelua Odesa (1794) guvernatori i saj, admirali De-Ribas, paraqiti nëpërmjet kontit Zubov projektin për krijimin në këtë qytet të një popullsie të përbërë nga grekë, të cilët me kalimin e kohës do të kompletonin flotën lundruese, ose një brigadë te veçantë e formuar më parë nga ata që besonin në një fe”. Nga ana e vet dhe konti Zubov idorëzoi një raport De-Ribasit me projektin për krijimin e një batalioni greko-shqiptar dhekolonizimin në rrethinat e Odesës. Për t‘i stimuluar dhe për të shtuar popullatën në zotërimet e veta jugore, Ekaterina II miratoi këto projekte më 12 prill 1795. Batalioni shqiptaro-grek filloi të formohej nga shqiptarët e grekët që ndodheshin atëherë në Odesë. 90 veta i zgjodhën për shërbim luftarak, detar në një divizion të veçantë, pjesa tjetër populloi rrethinat e Odesës, madje deri në Ovidiopol. Grekëve dhe shqiptarëve iu dhanë 75 000 djesjatin tokë. Nga kjo kohë divizioni filloi të shkrihej, sepse shumë kërkonin të largoheshin nga shërbimi ushtarak dhe të shkonin në vendbanime. Vetëm në Odesë me lekët e arkës së shtetit për banesa të përkohshme shqiptarëve iu ndërtuan më shumë se 50 shtëpi dhe baraka të veçanta. Siç dëshmojnë dokumentet, këto shtëpi dhe barake ishin të ndërtuara në rrugët që tani quhen Mallaja dhe Bolshaja Arnautskaya në Odesë.
Po në këto rrugë ishin ndërtuar dhe baraka për këtë divizion. Po përse i quanin këto rrugë Balshaja dhe Mallaja Arnautska? Aurnautska, sepse kështu i quanin shqiptarët, arnautë. Po pse Bolshaja dhe Mallaja? Sigurisht, jo për nga gjatësia e rrugëve, por krejt për një arsye tjetër. Shqipëria është një vend i vogël malor, fusha pothuajse nuk ka. Në këtë vend ka një sërë kontrastesh: veriu dallon nga jugu për nga klima, zakonet, traditat, nga gjuha, nga kostumet popullore, në karakterin e njerëzve, në shtat. Kështu, në veri njerëzit janë të gjatë, me një shtat të plotë dhe të shëndetshëm, në jug janë të shkurtër, të imët, por të gjithë ata janë të fuqishëm, trima dhe me karakter të fortë. Në batalionin greko-shqiptar ata i dallonin vetëm nga gjatësia. Të gjatët dhe trupmëdhenjtë i përzgjidhnin për lundrim, të shkurtrit për shërbim ushtarak. Sipas shtatit ata i ndanë edhe në rrugët e Odesës. Të mëdhenjtë (shtatlartët) në një rrugë, të vegjlit (shtatshkurtrit) në tjetrën. Rrugët ishin bërë dhe nuk kishin akoma emra. Më vonë filluan t‘i quanin rruga e arnautëve të vegjël dhe rruga e arnautëve të mëdhenj. Kështu, qyteti i ri, i sapolindur, jo vetëm u popullua, por edhe iu vunë emrat rrugëve
Përktheu: Ledina Ferhati/ KultPlus.com
Foto ilustruese / Fshati shqiptar Karakurt përfaqësues i rajonit te Odeses dhe popullit shqiptar në festivalin e kulturave kombëtare në rajonin e Zaporozhye
Madonna ka njoftuar një marrëveshje “historike” me Warner Music Group, një partneritet global që përfshin të gjithë katalogun e saj muzikor të regjistruar më parë.
Marrëveshja, që paraqet mbretëreshën e popit në etiketën me të cilën debutoi në një moshë shumë të re, përfshin katalogun “Sire/Maverick/Warner, plus tre albumet më të fundit në studio (MDNA, Rebel Heart dhe Madame X), që u lëshuan nga Interscope Records, por që do të bashkohen me katalogun Warner në 2025.
Bëhet fjalë për gjithsej 17 albume në studio, si edhe single, regjistrime kolonash zanore, albume të drejtpërdrejta dhe përmbledhje.
“Që nga fillimi, Warner Music Group ka ndihmuar në paraqitjen e muzikës dhe vizionit tim për të gjithë fansat në të gjithë botën me kujdesin dhe konsideratën më të madhe. Ata kanë qenë partnerë të mahnitshëm dhe unë jam e kënaqur të filloj këtë kapitull të ri me ta për të festuar katalogun tim të 40 viteve të fundit ”, tha ylli i popit ndërsa njoftoi marrëveshjen.
Me mbi 300 milionë albume të shitur në të gjithë botën, shtatë Grammy dhe dhjetëra çmime të tjera muzikore, Madonna është këngëtarja femër më e suksesshme e të gjitha kohërave.
Sipas Guy Oseary nga Maverick, menaxheri i tij i vjetër, “partneriteti i ri do të sjellë në jetë atë që shumë fansa kanë pritur me durim: një kremtim të katalogut revolucionar të Madonna-s. Ne jemi duke punuar ngushtë me Warner Music Group për t’i dhënë frymë të re këtyre veprave ikonike”. / KultPlus.com
Photo by Richard Young/REX/Shutterstock (6897610s)