Ramën e pret Papa Françesku, shkëmbehen dhurata simbolike

Kryeministri Edi Rama është pritur zyrtarisht nga Papa Francesco gjatë vizitës së tij në Vatikan me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së raporteve diplomatike mes dy vendeve.

Rama ka qenë gjithashtu i shoqëruar nga zonja e tij, Linda dhe djali, Zaho.

Në shkëmbimet e para të fjalëve, Rama i ka dhuruar Atit të Shenjtë disa dhurata simbolike, ku përfshiheshin disa ikona, dorëshkrime të At Gjergj Fishtës si edhe një letër e këtij të fundit.

Vetë Papa Francesco, i ka dhuruar kryeministrit medaljen e Vatikanit.

Ndërsa, një bisedë mes të dyve, është zhvilluar, por detaje mbi diskutimet ende nuk janë bërë publike. / KultPlus.com

Adele pushton vendet e para të klasifikimeve britanike

Këngëtarja britanike Adele arriti ka arritur një dyshe të rrallë në klasifikimet në Britaninë e Madhe, duke kryesuar ato për albumet dhe këngët më të shitura, me albumin e saj të shumëpritur “30”, i publikuar më 19 nëntor dhe këngën e saj kryesore “Easy on Me”.

Kompania Official Charts njoftoi se albumi “30”, albumi i parë i divës pop në gjashtë vjet, arriti në 261 000 shitje këtë javë, duke u bërë albumi më i shitur në 2021 brenda javës së publikimit të tij.

Prandaj, “30” është albumi i katërt i yllit, që zë vendin e parë të klasifikimeve britanike.

Të mëparshmit, “25”, “21” dhe “19”, kanë bërë një rikthim edhe këtë javë në klasifikim, duke u ngjitur përkatësisht në vendin e 15-të, 18-të dhe 31-të.

Kantautorja 33-vjeçare mbajti, gjithashtu, vendin e parë në listën e këngëve për të gjashtën javë radhazi me këngën e saj “Easy On Me”, duke thyer rekordin e saj personal të vendosur me këngën “Someone Like You”, që qëndroi në krye të renditjes për pesë javë.

Nga 12 këngët që përbëjnë “30”, dy të tjera janë shfaqur këtë javë në top listat e këngëve, “Oh My God”, në vendin e dytë dhe “I Drink Wine” në vendin e katërt. / KultPlus.com

Josephine Baker, e para grua me ngjyrë që do të përjetësohet në Pantheon

Josephine Baker, kërcimtarja, këngëtarja dhe aktorja franko-amerikane që magjepsi Francën me shfaqjet do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë që do të përjetësohet në mauzoleun francez të Panteonit të martën e ardhshme.

Baker do të jetë gjithashtu gruaja e gjashtë që do t’i bashkohet rreth 80 figurave të mëdha kombëtare në historinë franceze në tempullin laik në ‘’Rive Gauche’’ të Parisit.

Ajo do të jetë gjithashtu figura e parë e spektakleve që do të nderohet me një vend simbolik në shenjtëroren shekullore, vendi i fundit i pushimit të një liste të gjatë të ndriçuesve nga bota e politikës, kulturës dhe shkencës, duke përfshirë Victor Hugo, Emile Zola dhe Marie Curie.

“Panteonizimi” i superyllit të parë me ngjyrë në botë, e cila bëri fushatë për të drejtat civile së bashku me Martin Luther King, do të prehet me një grup intelektualësh që t’i jepet nderimi i rrallë pas vdekjes.

Presidenti francez Emmanuel Macron pranoi kërkesën në muajin gusht, sepse sipas tij ‘’ajo është një grua franco-amerikane e cila luftoi në një shoqëri të mbyllur…e cila është bërë mishërim i vlerave iluministe të Republikës Franceze gjatë gjithë jetës së saj’’.

Si shumë artistë me ngjyrë amerikane të asaj kohe, ajo u zhvendos në Francë për t’i shpëtuar luftës raciste. / KultPlus.com

Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” shkoi për arkeologun francez, Pierre Cabanes

Në prag të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, presidenti Ilir Meta vlerësoi historianin dhe arkeologun e shquar francez, profesor Pierre Cabanes, me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Nderimi i këtij miku të madh të kombit tonë është shprehje mirënjohje dhe vlerësimi për punën e palodhur shkencore prej disa dekadash, që daton nga viti 1976, për promovimin e historisë dhe kulturës së lashtë të Shqipërisë në nivel europian”, u shpreh Meta.

Ai theksoi se falënderimet për profesor Cabanes shkojnë edhe për pasurimin dhe nxitjen e marrëdhënieve të reja të bashkëpunimit shqiptaro-francez në fushën e arkeologjisë, duke kontribuar për zhvillimin cilësor të kësaj shkence në vendin tonë.Ilirologu i shquar francez, Pierre Cabanes ndodhet në Tiranë ku mori pjesë në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike. / KultPlus.com

‘Madje dimri tash ka hyrë’

Poezi nga Antonio Tabucchi

Shkoi pranvera për ne,
miku im i shtrenjtë, dashuria ime
dhe trokiti vjeshta, me gjethet e saj të verdheme.
madje dimri tash ka hyrë.
Mblodha gjithçka tënden,
grimca, copëza, pluhur, gjurmë,
hamendësime, fjalë të mbetura nga zërat e tjetërkujt,
kokrriza rëre, një guaskë,
të kaluarën tënde sipas fantazisë sime,
përfytyrimin e të ardhmes sonë,
atë që prej teje do kisha dashur,
atë që më kishe premtuar
ëndrrat e mia fëmijënore….

Përktheu Beti Njuma / KultPlus.com

“Kodi shqiptar” i regjisores izraelite, Yael Katzir shfaqje maratonë në Shqipëri

Do të ketë një maratonë shfaqjes në Shqipëri filmi dokumentar “The Albanian code” (“Kodi shqiptar”) prodhuar nga Katzir Production i Yael Katzir e Gady Castel për Konferencën mbi Rivendikimet. Një udhëtim që nis nga qyteti i Tiranës (4 dhjetor) për të vazhduar në Shkodër (6 dhjetor), Krujë (7 dhjetor), Vlorë (8 dhjetor) dhe Durrës (9 dhjetor).

Dokufilmi “Kodi shqiptar” është paraqitur në 2019 në Shqipëri në praninë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, 5 ministrave e 12 ambasadorëve dhe ngjalli një duartrokitje të zgjatur 5-minutëshe të publikut, i cili asistoi në një shfaqje emocionuese. Me atë rast lindi ideja e Klodiana Çukas për vendosjen e nëntitujve italisht (shërbim përmbushur nga Integra Onlus) për ta kthyer dokufilmin në të shikueshëm në Itali, nën një binjakëzim ideal të rrugëtimit historike e ngjarjeve të lidhura që shohin dy vendet e Adriatikut të lidhur jo vetëm gjeografikisht.

Për herë të parë filmi dokumentar duhet të shfaqej në Romë të Italisë në 24 shkurt 2020 pranë sallës prestigjioze të Diskotekës së Shtetit. Shfaqja do të mundësohej nga bashkëpunimi i Integra Onlus, drejtuar nga italo-shqiptarja Klodiana Çuka, me Lidhjen Italiane të të Drejtave të Njeriut (LIDU Onlus), Integra solidale, Ambasadën e Shqipërisë në Romë, shoqatën kulturore Ipathia, TMP, Meditenere, PoloBiblo Muzeal i rajonit të Puljas, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Akademia e Minervës. Fatkeqësisht përputhja e datës me nisjen e mbylljes së mjediseve publike në Itali prej pandemisë Covid-19 e bëri të pamundur shfaqjen.

Për filmin

Viti 1943: Italia kapitullon para Aleatëve me armëpushimin e 8 Shtatorit dhe nazistët nisin të vrasin ushtarët italianë, konsideruar si dezertorë, kudo që i gjejnë. Popullsia shqiptare refuzon t’i përmbahet urdhrave të pushtuesit nazist për të dorëzuar hebrenjtë rezidentë brenda kufijve të vendit. Merr shkas prej kësaj historie filmi dokumentar “The Albanian code” (“Kodi shqiptar”) prodhuar nga Katzir Production i YaelKatzir e Gady Castel për Konferencën mbi Rivendikimet.

Shqipëria, popullsia e së cilës është mbi 70% e fesë myslimane, i bindet një kodi nderi të quajtur “besa”, sipas të cilit vdekja është më e preferueshme sesa kthimi i kurrizit ndaj një personi në nevojë. Besa shtrihet deri në faktin se shqiptari ndihmon këdo që paraqitet në nevojë para derës së tij, edhe kur ky është armiku i tij kryesor. Në atë çast historik vetë mbreti Zog ndërhyri personalisht. Duhet kujtuar se bashkësia hebraike në Shqipëri ishte shumë e vogël (rreth 200 vetë) dhe numri i hebrenjve të shpëtuar ishte shumë më i madh. Mijëra të tjerët që u shpëtuan kishin mbërritur në Shqipëri nga Serbia, Maqedonia, Kroacia e Mali i Zi, të ndërgjegjshëm se në këtë vend kishin shpresë t’i mbijetonin persekutimeve naziste.

Në Shqipëri hebrenjtë nuk u trajtuan si refugjatë por si miq. Janë mbi 2000 hebrenjtë (numri përfshin edhe ata që mbërritën në vend) që u mbrojtën e u shpëtuan nga vdekja e sigurt. Me aq sa dimë, asnjë çifut i vetëm në Shqipëri nuk iu dorëzua nazistëve. “Besa” përshkruhet në një kod të shkruajtur në shekullin XV por ka rrënjë historike më të thella. Fjalë për fjalë do të thotë “të mbash një premtim”. Kush vepron sipas besës është dikush që mban fjalën e dhënë, dikush të cilit mund t’i besohet jeta vetjake dhe ajo e familjes. Gjatë Holokaustit kodi shqiptar i besës u zbatua nga ata që ndihmuan e mbrojtën më pak fatlumët, mes të cilëve mijëra hebrenj. Ky film dokumentar ofron një këndvështrim të gjerë të këtyre heronjve pak të njohur dhe në të njëjtën kohë jep perspektiva në vetën e parë përmes rrëfimit të të shpëtuarve e të shqiptarëve që i ndihmuan. “Kemi të bëjmë me një udhëtim për t’i thënë faleminderit popullit shqiptar, i cili u soll ndryshe krahasuar me gjithë Evropën” pohon regjisori.

Ky akt shpëtimi përbën një shembull unik solidariteti njerëzor, tepër aktual edhe sot,i cili shkon përtej besimit fetar dhe nuk ka homologë në krejt globin. Përveç çifutëve, popullsia shqiptare, mbështetur prej autoriteteve civile, fshehu e mbrojti dhjetëra mijëra ushtarë italianë e refugjatë.

Për regjisorin

Gady Castel është një izraelit me origjinë italiane. Regjisor e producent prej 50 vjetësh, ka mbi shpinë një seri të gjatë mbi 65 dokumentarësh e nismash serish televizive, mes të cilave përmendim dokumentarin “Shtëpia e fëmijëve”, nga i cili është frymëzuar seria transmetuar në RAI “Lufta ka mbaruar”. Dokumentari i tij “Të rilindësh në Pulja” është paraqitur me sukses në shumë lokalitete të Puljas (mbi 20) e qytete të tjera italiane (Romë, Milano, Torino, Xhenova mes të shumtave). Dokumentari i tj “Shtëpia e fëmijëve” vazhdon të paraqitet në lokalitete të ndryshme të Italisë dhe të transmetohet në rrjetin TV Rai Storia. Për veprimtaritë kulturore mes Italisë e Izraelit është nderuar me titullin e Kavalierit të Republikës Italiane nga presidenti Napolitano. Jeton e punon në një kibutz në Izrael.

Me rastin e Panairit të 27-të Ndërkombëtar të Tiranës, në Vendin e Shqiponjave filmi rikthehet bashke me Gady Castel me dashuri te madhe për publikun në një bashkëpunim mes Integra Onlus, Fondacionit shqiptar Ura për të Ardhmen, mbështetjes financiare të Ministrisë së Jashtme izraelite e mbështetjes institucionale të Ambasadës së Izraelit në Tiranë.

Shfaqjet:

Tiranë – 4 dhjetor 17.30 Pallati i Kongreseve, KlikExpo

Shkodër – 6 dhjetor pranë Auditoriumit 3 REKTORAT të Universitetit të qytetit

Krujë – 7 dhjetori ora 11.00 pranë Muzeut Historik të Skënderbeut

Vlorë – 8 dhjetor ora 18.00 Salla Pallati i Kulturës

Durrës – 9 dhjetor ora 18.30 Pallati Kulturës

Në Tiranë dhe Vlorë do të shërbejë si kornizë e filmit DocuEkspozita “Integrim…30 vjet te Eksodit të madh të 1991” i Vittorio Arcieri e realizuar nga Integra Onlus me kontributin e Regione Puglia, bashke me DocuKatalogun e botuar në Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dritëro”.

Pas prezantimit të filmit do të zhvillohet një diskutim i publikut me Autorin Gady Castel dhe me personalitet e pranishme. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Kosova para 53 viteve, 28 nëntori festohej edhe në demonstrata

Shkruan: Behlul Jashari

PRISHTINË, 27 Nëntor 2021/ Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë, edhe si Ditë e Flamurit.

Dita e madhe e gjithë shqiptarëve festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.

Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë, Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.

Në Prishtinë, marshi i fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik) dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.

Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më 27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë.

Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.

Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Më parë akti më i lartë juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.

Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…

Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…

Në vitin 1968 derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”. Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…

Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…

Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968 për demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU” TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:

NATA QË BËNTE DRITË

Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…

Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”

Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…

Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.

Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja. Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan. Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.

Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…

Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më

dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”

Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve. U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…

Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…

Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe të brohoritura: “Duam Universitet”, “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta. Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme. Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova: “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur. Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…

E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë,

mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm. Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.

Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…

Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.

Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…

Behlul JASHARI

Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:

Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1

2-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË

3-Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës

4, 5 e 6 -Demonstrata e 27-28 Nëntorit 1968 në Prishtinë – 3 fotografi, mes demonstruesve Behlul Jashari atëherë 15 vjeçar nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale në kryeqytetin e Kosovës. / KultPlus.com

Apeli i Faik Bej Konicës në SHBA për të mbledhur fonde dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për bashkëkombasit e tij

Nga Aurenc Bebja, Francë – 27 Nëntor 2021

“The New York Times” ka botuar, të hënën e 26 qershorit 1911, në faqen n°5, apelin e shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit të shquar, z. Faik Konica, për të mbledhur fonde në SHBA për bashkëkombasit tanë dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për të sëmurët dhe të plagosurit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar. 

Apeli i shqiptarëve

Vazhdojnë të luftojnë deri në lirinë e sundimit turk — por të sëmurët e tyre kanë nevojë për ndihmë.

Burimi : The New York Times, e hënë, 26 qershor 1911, f.5
Burimi : The New York Times, e hënë, 26 qershor 1911, f.5

Faik Bej Konica, përfaqësues i Partisë Revolucionare Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, është këtu për të mbledhur fonde për “bashkatdhetarët e tij dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore për të sëmurët dhe të plagosurit që aktualisht janë në varësi të Malit të Zi, i vetmi vend në Evropë që ka ndihmuar të sëmurë dhe të varfër me furnizime. Në një intervistë me një gazetar të Times në Hotel Navarre mbrëmë Faik Beu tha :

Ne duhet ta mbajmë revolucionin me çdo kusht derisa të jemi të pafuqishëm ose Shqipëria të çlirohet nga zgjedha turke. Kam marrë një kabllogram nga komiteti shqiptar ku shkruhej “Rebelimi vazhdon”.”

Uroj të kuptohet se Mali i Zi na ka ndihmuar nga pikëpamja bamirëse si qenie njerëzore në vështirësi dhe jo si kryengritës kundër sundimit turk. Sapo kam ardhur nga Bostoni, ku u mblodhën 4.000 dollarë mes shqiptarëve dhe simpatizantëve të tyre. Gazeta greke Atlantis në këtë qytet ka publikuar një apel për abonime nga lexuesit e saj në kauzën e lirisë.

Humbja e Shqipërisë nga Turqia do të thotë fundi i asaj perandorie, pasi ajo varej gjithmonë nga shqiptarët në orën e nevojës, kur të gjithë kombet e tjera ishin kundër Turqisë. Kjo është arsyeja pse lufta kokëfortë ka zgjatur për tre vjet.

I pyetur nëse kushtet ishin përmirësuar nën regjimin e ri në Kostandinopojë, Faik Beu u përgjigj :

Jo. Ata janë më keq. Abdul Hamid ishte një despot, por ai kishte një ndjenjë përgjegjësie. Në vend të tij tani janë njëqind Abdul Hamid që nuk e kanë idenë për përgjegjësitë e qeverisjes. Turqit kanë humbur prestigjin në sytë e vartësisë së tjetrit përmes disfatës që kanë pësuar nga shqiptarët. Në shenjë hakmarrjeje ushtarët kanë plaçkitur fshatrat në Shqipëri dhe kanë vrarë mijëra gra, fëmijë dhe pleq.

Ai tha se disa gra të pasura angleze ishin tani në Shqipëri për të ushqyer të plagosurit dhe duke u siguruar furnizime nga çantat e tyre. Po merren masa për një takim masiv këtu javën e ardhshme në ndihmë të kauzës.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-times-1911-apeli-i-faik-bej-konices-ne-shba-per-te-mbledhur-fonde-dhe-per-te-kerkuar-ndihme-mjekesore-per-bashkekombasit-e-tij/ / KultPlus.com

Faik Konica (1875 – 1942)


New Yorku stoliset me flamuj kuq e zi

28 nëntori edhe këtë vit, në Shtetet e Bashkuara e Kanada erdhi me një serë aktivitetesh për nder të Ditës së Flamurit – 109 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .   

Shqiptarët në zonën e Nju Jorkut,  sipas një tradite e nderojnë këtë ngjarje historike me ngritjen flamurit kuq e zi në qytetin e Nju Jorkut, dhe qyteteve të tjera, Çikago, Detroit, Boston, Filadelfia, Stanford dhe Toronto – Kanada, gjatë ceremonive qendrojn dy  flamur ai shqiptar dhe amerikan për t’u valëvitur krah njëri tjetrit.

Shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara aleatin e tyre më të ngushtë – që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë një shekull më parë, deri tek mbështetja më e fundit amerikane për pavarësinë e Kosovës. 

Ngritja e flamurit kuq e zi – krah atij amerikanë në shtyllat e ndriçimit të buluverdave të këtyre qyteteve është për të kremtuar edhe një marrëdhënie të veçantë, si dhe idealet tona të përbashkëta për lirinë dhe demokracinë.

Me këtë rast në rrugët e New Yorkut në qender të qytet-lagjeve (Borough) në Bronx, Brooklyn dhe Staten Island –  ku edhe mësë shumti jetojn shqiptarët, zbukurohen për disa ditë me flamurin kuq e zi dhe atë amerikanë.

Brooklyn: 

Edhe sivjet Brooklyni – New York , u gdhi me atmosferën e festës së flamurit kuq e zi ku shqiptarët nisën të festojnë Ditën e Flamurit. 

Dy bulevardet në qytetin e Brooklynit Bay Parkway dhe Cropsey Ave., deri në zgjatjen e 60th St. u stolisën përsëri nga  Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj me ndihmën e kompanisë « ABC Builders » me pronar Blendi Bekteshi, të financuara nga Fondacioni Plavë e Guci. 

Shkumbin Hasangjekaj, një shqiptar që jeton në New York, ka publikuar fotografi duke e mbushur një hapësirë me flamuj kombëtar.

“Tradita në Brooklyn vazhdon”, ka shkruar ai.

Staten Island: 

Edhe në këtë qytet nisën si çdo vjet kremtimet për 28 Nëntorin . Rrugët qytetit ku mendohet se jetojnë 20 mijë shqiptar në Staten Island – New York, janë veshur me flamujt kuq e zi.

“Edhe këtë vit është familja Çoku (Belul Çoku) nga Dibra e Madhe, e cila po sponsorizon flamujt në Staten Island, së bashku me organizatën  “Albanian Roots” që të mbushin këto rrugë me krenari shqiptare”, shkruhet në një informacion të publikuar nga “Albanian Roots”.

Bronx:

Edhe,  këtë 109 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë vendosja e flamujve kuq e zi  është bërë i mundëshëme nga inisiativa disa vjeçare e zotit Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe me atë të disa veprimtarëve të tjerë të komunitetit.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj . 

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre,” ka deklaruar Gjonaj. / KultPlus.com

Largohet reklama e biznesit mbi muralin e Nexhmije Pagarushës, Tahiri: Uroj që të ngritet vetëdija e secilit, e të mos përsëriten më raste të tilla

Murali i Nexhmije Pagarushës i përuruar pak ditë më parë në Prishtinë, sot është mbuluar nga një reklamë e biznesit privat, Vip Line Kosova, e pas reagimeve të shumta është njoftuar Inspeksioni dhe reklama është larguar, përcjell KultPlus.

Ky veprim nxiti reagime të shumta nga publiku të cilët këtë pakënaqësi e kanë shprehur në rrjete sociale.

E një reagim për veprim e ka bërë edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili edhe ka njoftuar inspekcionin për ta larguar atë reklamë, pasi që kopmania nuk ka kërkuar leje nga komuna për vendosjen e asaj reklame.

Reklama u hoq, dhe pala u dënua!
Uroj që të ngritet vetëdija e secilit, e të mos përsëriten më raste të tilla!
“, ka shkruar Drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri në rrjetet sociale. / KultPlus.com

EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci nisin fushatë ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje

“Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje për shkak se nuk keni ku të shkoni. Kërkojeni të drejtën tuaj në pronë!” – ky është slogani i fushatës ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje të mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Forumi për Lidership dhe Diplomaci, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Drejtësisë.

Fushata ka nisur dje gjatë një ngjarje të organizuar nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.

“Diskutimi i të drejtave pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore përçon mesazh të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet kryesore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutimet e tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final”, tha presidentja e Kosovës.

“Këto diskutime forcojnë më tutje përpjekjet tona për të luftuar dhunën ndaj vajzave dhe grave duke e bërë të qartë njëherë e mirë se nuk mund të tolerohet më që shkelja e të drejtës së trashëgimisë dhe të drejtës në pronë të shkaktojnë viktima të diskriminimit gjinor. Çështja e trashëgimisë nuk është vetëm çështje e izoluar, por prona është realisht instrument i fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha”, tha presidentja e Kosovës.

Duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, përfshirë edhe të drejtat pronësore, drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha: “Kjo fushatë synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre të pronës në mënyrë që të bëhen të pavarura financiarisht. Një pavarësi e tillë do t’i ndihmojë ato që të largohen nga marrëdhëniet abuzive.” Emini shtoi se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtat ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të ndjehen se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie abuzive dhe të dhunshme.

Shefi i EULEX-it tha se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë krijojnë terren të plleshëm për dhunën në familje dhe shtoi: “Ndarja nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft e vështirë nëse nuk keni pronë, dhe asnjë alternativë për të kërkuar strehim e mbrojtje. Nëse nuk keni të ardhurat tuaja, madje mund të vendosni të toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie abuzive. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të nevojshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme.”

Wigemark shtoi se viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje afatgjatë publike për t’u shkëputur nga qarku vicioz i të qenit të varura ekonomikisht dhe financiarisht nga abuzuesit e tyre. “Për të qenë më konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjetkë në Kosovë duhet të sigurojnë banim publik të subvencionuar për viktimat e dhunës në familje, të cilat nuk kanë pronë të vetën. Kjo është detyrë për kryetarët e komunave të zgjedhur rishtazi, ku shumica dërrmuese janë burra”, tha Wigemark.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa vetëm 7% e grave trashëgojnë pronë.

Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe pabarazia tashmë ekzistuese e pronësisë mbi pronën rëndohet edhe më tej. / KultPlus.com

Artisti Zeni Ballazhi: Shqiponja ime tani shoqëron evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore

Pas zgjedhjes së shqiponjës që do të shoqërojë “Javën e Flamurit”, ka reaguar edhe artisti Zeni Ballazhi i cili është shpallur fitues e i cili uron të gjithë shqiptarët kudo në botë, përcjell KultPlus.

“Në kuadër të konkursit, për realizimin e “Logos” në kremtim të “Java e Flamurit” të shpallur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Shqiperisë, për logon e aktiviteteve festive për 28-29 Nëntorin, mes dhjetëra propozimesh, u shpalla fitues. Shqiponja ime tani shoqëron evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër. Logoja është simbolike përfaqësuese përgjat kremtimit të “Javës së Flamurit” për vitin 2021.
Gëzuar, për dit më të lumtura për të gjithë shqiptarët kudo në botë, Gëzuar!”, ka shkruar Ballazhi në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Murali i Nexhmije Pagarushës mbulohet me reklamë biznesi, Berisha: Kjo reklamë është vendosë pa leje të Komunës së Prishtinës

Murali i Nexhmije Pagarushës i përuruar pak ditë më parë në Prishtinë, sot është mbuluar nga një reklamë e biznesit privat, Vip Line Kosova, përcjell KultPlus.

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta nga publiku të cilët këtë pakënaqësi e kanë shprehur në rrjete sociale.

E një reagim për veprim e ka bërë edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

Sipas Berishës, kjo kompani nuk ka kërkuar leje nga komuna për vendosjen e kësaj reklame.

“Jemi në pritje të inspeksionit për ta larguar këtë reklamë” – tha ai në një video që publikoi në Facebook./KultPlus.com

Elbenita Kajtazi sot debuton në rolin e Konteshës nga ‘Dasma e Figaros’

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajatazi sot do të debutojë në rolin e Konteshës nga ‘Dasma e Figaros’ në teatrin ‘Erfurt’, shkruan KultPlus.

“Debutimit tim në rolin e Konteshës nga opera Dasma e Figaros i erdhi koha, sot nga ora 19:00 në Theater Erfurt.

Ju Faleminderit nga zemra të gjithëve për përkrahjen e vazhdueshme që marr nga ju! Ky muaj në Erfurt ka qenë një përvojë të cilën nuk do e harroj kurrë dhe debutimin e këtij roli do e mbaj në zemrën time përgjithmonë. Uroj që Konteshën time ta dërgoj edhe në shumë teatro tjera. “- ka shkruar ajo në Facebook./KultPlus.com

Fati i gruas nuk është anonim

Poezi nga Sibel Halimi

Ne jemi vazhdimësia e braktisjes
Strehuar në njërën prej çative
Këndet fshehin shikimet
Divanet pagjumësitë e dashurive të pa jetuara
Nën shkallë
Botën marrim në gji
E të nesërmen
ecim tutje mbi kalldrëmet e historisë
Me qafën mbuluar
në shall
valëvitur si vetë liria
Presim lindjen e njërës
Pasnesër varrosim bardhësinë
E mbase e harrojmë veten
Në fjalën e pathënë
Fati i gruas nuk është anonim./KultPlus.com

Kurti u drejtohet ushtarëve në ditën e FSK-së: Ju jeni vazhdimësi e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ka thënë se ushtarët e kësaj force janë vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti tha se çdo shtet e ka për detyrë që ta ndërtojë ushtrinë.

“Po të shprehem sërish shkurt, atëherë do të thoja që ju jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne jemi të qartë se çdo shtet e ka kusht ndërtimin e ushtrisë”, ka thënë Kurti. .

Kurti ka thënë se këta ushtarë e kanë dëshmuar veten e tyre në misione jashtë vendit.

Ai ka thënë se ata janë dëshmuar edhe kur i kanë dalë në ndihmë disa herë Shqipërisë në misione për fatkeqësitë natyrore.

“Në zemrën e ushtarit tonë është dashuria për njerëzit e keni dëshmuar në Kosovë në misione. E keni dëshmuar edhe në Shqipëri me misione për fatkeqësitë natyrore, por edhe në misione që i keni marrë përsipër ne territoret e largëta”.

“Në dijen e ushtarit është historia e popullit, secili prej jush është rritur me emra të ndritur që me vullnetin e tyre e kanë krijuar ushtrinë pa pasur ndihmë institucionesh. Qeveria do ta mbështes më së pari lulëzimin e ushtrisë së vet, ne nuk guxojmë të veprojmë ndryshe”, tha Kurti./KultPlus.com

Brenda qytetit me shumë ngjyra, shtëpitë duken si ndërtesa të bëra nga Lego

Një qytet ukrainas duket sikur është bërë nga Lego, me shtëpi dhe ndërtesa shumëngjyrëshe.

Comfort Toën, një periferi në Kiev, u përfundua në vitin 2019 dhe është një kontrast i fortë me ndërtesat e tjera hiri, sovjetike që e rrethojnë.

Ndërtesat janë të lyera në të verdhë të ndezur, gjelbër, portokalli dhe rozë, e cila përfshin muret dhe çatitë e jashtme.

Shumë i kanë krahasuar ato me ndërtesa Lego, ose si shtëpi dhe hotele në lojën Monopoly.

Projektuesit Dmytro Vasyliev, Aleksandr Popov dhe Olga Alfiorova ishin pas projektit, sipas Architecture Digest, dhe iu deshën 11 vjet për ta përfunduar atë me një buxhet të rreptë, shkruan The Sun.

Ideja ishte të tërhiqte njerëzit që të dëshironin të lëviznin në zonë, duke e transformuar zonën e banimit – e cila mbulon 115 hektarë, rreth 1.5 herë më e madhe se Disneyland – në diçka më të bukur.

Vasyliev i tha LA Times: “I vetmi instrument me të cilin duhej të punonim ishte ngjyra. Ne kemi përdorur materialet më të thjeshta, teknikat më të thjeshta. Ne vërtet kishim vetëm ngjyrën dhe linjat e horizontit”.

Brenda periferisë shumëngjyrëshe ka kafene, dyqane dhe zyra, si dhe një objekt i madh sportiv në natyrë dhe 8,500 banesa.

Tani, më shumë se 20 mijë njerëz jetojnë në Comfort Toën./KultPlus.com

23 artistë nga disa vende të botës krijojnë dhe ekspozojnë në Krujë

Arsvita tashmë në edicionin e dytë e ka qendrën në Krujë. Këto ditë përkojnë edhe me festat tona kombëtare.Një numër prej 23 artistësh jo vetëm nga rajoni, por edhe përtej janë këtu për të sjellë artin e tyre bashkëkohor, por shpesh herë për ta ndërthurur dhe me atë tradicional.

Sigurisht nuk mungojnë edhe motivet vendase.

Fehmi Hoxha, kurator: Është kolonia e parë të cilën ne e organizojmë.Vitin e kaluar e kemi organiuzuar në Tiranë, mirpo kjo është festë mbarëkombëtare dhe jemi mbledhur këtu të gjithë, diku 23 artistë të shteteve të ndryshme, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Francës, Turqisë, Egjiptit, Italisë, Gjermanisë.

Jeff Roland i ardhur prej Francës, ka një mënyrë unike për të rrëfyer realitetin e tij nëpërmjet pikturës. Ai na paraqet nëpërmjet teknikës mikse tabonë që ka brenda një realitet magjik.

Jeff Roland, piktor: Arti im është njëlloj përafrimi i cili, që mund të drejtojë njerëzit në një realitet tjetër. Magji, për mua janë si objekte magjike, që të cojnë në një univers jashtë realitetit, por që njëkohësisht të ndihmojnë në realitetin tonë gjithashtu.

Ky simpozium është një mëyrë e vecantë për të bërë bashkë artistët të cilët shkëmbejnë këndvështrime dhe kultura, sigurisht që arti që zhvillojnë përgjatë këtyre ditëve ka elementë kombëtarë, tradicionale dhe bashkëkohorë.

Amarildo Ruçi, organizator dhe drejtues artistik: Siç e shikoni këtu është një atelie që të gjithë artistët performojnë live dhe mund tës hikojnë se si trajtohet piktura deri në nivelin më të lartë. Pas përfundimit do të përzgjidhen veprat për ekspozitën finale, e cila do të mbahet në Muzeun Historik të Krujës, të premten në orën 6./KultPlus.com

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Vdes në moshën 91 vjeçare ikona e muzikës teatrale, Stephen Sondheim

 Ka vdekur në moshën 91-vjeçare kompozitori dhe tekstshkruesi legjendar amerikan, Stephen Sondheim, transmeton KultPlus.

Avokati i tij i tha New York Times se Sondheim ndërroi jetë të premten në shtëpinë e tij në Roxbury, Connecticut.

Ai ishte një titan i teatrit muzikor që i ktheu subjektet më të pamundshme në pika referimi argëtimi.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, ai shkroi partiturat e disa prej shfaqjeve më të njohura të Broadway, duke përfshirë Company, Follies dhe A Little Night Music. Sondheim shkroi gjithashtu tekstin për West Side Story.

Kompozitori i lindur në Nju Jork fitoi tetë çmime Grammy, nëntë çmime Tony – duke përfshirë arritjen speciale të jetës në Teatër – dhe një çmim Academy Aëard. Ai gjithashtu mori një çmim Pulitzer.

Balada e tij Send in the Clowns – nga muzika e vitit 1973 A Little Night Music – është regjistruar qindra herë,  përfshirë këtu edhe regjistrimin e Frank Sinatrës dhe Judy Collins./KultPlus.com

 ‘Kokërr Chair’, prodhuesi vendor i ulëseve moderne

Prodhuesi i ulëseve moderne me ngjyra dhe modele të shumëllojshme.

Ulëse standarde, kolltuqe, shilte, shtretër të gjitha të mbushura me kokërrza Polisteroli që i bënë të lehta, ekologjike dhe më e rendësishmja janë ortopedike.

‘Kokërr Chair’ janë të përshtatshme për shtëpi dhe biznese, zyre, kafiteri, sony playstation, pishina, kopshte për fëmijë, studio.

Kokërr Chair për ambiente të jashtme janë të punuara nga materiali ëaterproof, rezistente ndaj ujit kurse për ambientet e brendshme janë të punuara nga dy shtresa ashtu që shtresa e jashtme të mund të pastrohet në Lavatriçe.

Transporti Gratis për Kosovë dhe Shqipëri.

Na vizitoni në Instagram dhe Facebook në ‘Kokërr Chair’.

Tel: +383 45 525 465

Kokërr Chair garanton për Cilësi!

Hapet në Vlorë ekspozita ‘Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë’

Me rastin e festave të Nëntorit, është hapur ekspozita me titull “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë” nga bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Bashkisë së Vlorës.

Ekspozita u çel në Qendrën Historike “TID Vlora” ku morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.

Këtu janë ekspozuar disa dokumente të fillesave të kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë, njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyeteve të Shqipërisë, një histori e shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.

Po ashtu janë paraqitur edhe disa fotografi të festimeve pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar pas vitit 1937 e më tej.

Kjo ekspozitë është çelur vjet në Prishtinë, sot në Vlorë dhe me datën 28 nëntor 2021 do të hapet në Kalanë e Tiranës./KultPlus.com

Sot nënshkruhen pesë marrëveshje bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës

Sot, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Tiranë, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet mbledhja e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Në takimin dypalësh mes dy delegacioneve kryesuar nga ministrat Znj. Elva Margariti dhe Z. Hajrulla Çeku, do të nënshkruhen marrëveshjet si në vijim:

– Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”;

– Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës të Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës të Kosovës;

– Marrëveshje bashkëpunimi midis Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës;

– Marrëveshje bashkëpunimi midis Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia dhe Parkut Arkeologjik Ulpiana;

– Marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës./KultPlus.com