Vazo kineze e periudhës Qianlong, u shit për gati 1.5 milionë paund

Një vazo kineze “jashtëzakonisht e rrallë” e shekullit të 18-të e blerë në vitet 1980 për disa qindra paund dhe e mbajtur në një kuzhinë është shitur për më shumë se 1.4 milionë paund, përcjell KultPlus.

Vazoja prej 2 këmbësh (60 cm) me xham blu e argjendi, u krijua për oborrin e perandorit Qianlong.

E zbukuruar me vinça dhe shkopinj, ishte vlerësuar të shitej në ankand për 100,000-150,000 £, por me të vendosur në ankandë gjërat morën kahje tjetër.

Vazo mban shenjën “dalluese” me gjashtë karaktere të periudhës Qianlong (1736-1795) në bazën e saj, tha shtëpia e ankandeve Newbury.

“Është jashtëzakonisht e rrallë të shohësh vazo blu të pikturuara si me prarim ashtu edhe me argjend të ngritur pak, që mendohet se është për shkak të mediumit që është i vështirë për t’u kontrolluar”, thuhet tutje nga kjo shtëpi e ankandeve. /KultPlus.com

McLaurin, njeriu i parë me ngjyrë i pranuar në Universitetin e Oklahomas që u detyrua të ulej në një qoshe

George McLaurin, njeriu i parë me ngjyrë i pranuar në Universitetin e Oklahomas në 1948, u detyrua të ulej në një qoshe larg nga shokët e tij të bardhë të klasës.

Emri i tij ka mbetur në listën e nderit, si një nga tre studentët më të mirë të Universitetit.

Për diskriminimin që i ishte bërë, ai ka treguar edhe nëpër medie.

“Disa kolegë më shikonin sikur të isha një kafshë, askush nuk më linte radhën për të folur, mësuesit dukeshin sikur nuk ishin aty për mua, dhe kurrë nuk i merrnin pyetjet e mia në konsideratë. Por, unë u përkushtova aq shumë, sa që më pas, ata filluan të kërkojnë nga unë për t’u dhënë shpjegime dhe për të qartësuar pyetjet e tyre “, ka thënë mes tjerash ai.

Ai për tu pranuar për të studiuar kishte luftuar me gjykata, për t’iu bërë e mundur studimi.

Përpos që kishte ulësen e veçantë, ai ishte detyruar të ushqehej poashtu në një tavolinë të veçantë, dhe tabela e ushtrimeve ishte jo ajo që përdorej nga të bardhët.

Krejt këtë përvojë e kishte përjetuar në palcë gjatë kohës sa po doktoronte, dhe për shkak të peripetive, ai ishte i madh në moshë. Me 61 vjet kishte doktoruar në këtë Universitet./ KultPlus.com

Edhe andrrat shiten…

Nji shëtitje e autorit mes personazheve të tija
Tregtar flamujsh – Ernest Koliqi

E sa për Shqipni, po të siguroj un se ka me qindrue. Kështu thotë shprehimisht Hilush Vilza, por në këtë fjali gjen vend edhe zemra e trazuar e shkrimtarit shkodran, Ernest Koliqit, ajo që ende në vete bart shpresën fishtjane të Lahutës së Malcis për një Shqipëri ideale. Atë Shqipëri ku flamujt nuk shiten. Atë vend ku shqiponjat që fluturojnë lart në qiell prekin majat e maleve, bartin mbi krahët e tyre mesazhin e një vendi të lirë. Një vendi ku flamuri kuqezi gjen vend në zemrat e shqiptarëve, e jo në bodrumet e errëta e të mbuluara me një pluhur që kishin lënë pas luftërat e armiqtë shekullorë.

***

Zbritur nga malësia, duke lënë mbrapa orë, shtojzovalle e ligje kanunore, Ernest Koliqi gjen vend tashti në një cep të Shkodrës e bëhet një me qytetin e me ngjarjet që ndodhin aty. Rrugëve të qytetit sheh Hilush Vilzën e Loro Shegorin duke kuvenduar, rri e i shikon derisa hyjnë në kafenenë e qytetit, për t’i vazhduar aty bisedat e tyre. Shkon pas Shan Arvenit e Lec Gurrmollës, për t’i ndjekur aventurat e tyre rinore e për të drekuar me ushqimet e shijshme. Kështu, Tana s’kishte pse të brengosej se do të tepronin gjithë ato ushqime të lezetshme.

Ndjek rrugën drejt qytetit, i përcjellur nga freskia që vinte nga fushat e bleruara, për të arritur te vendi ku në të njëjtën kohë, si ditët e tjera, kalonte Dyta, e bija e Simon Rrukullit, me një libër të Tush Kezenës të fshehur nën krahë. Atë që do ta lexonte pa e ditur i ati i vet. Duke bredhur në kërkim të një historie, autori vëren dritën ende të ndezur në dhomën e Vidës, ku luante e dashurohej me muzikën i vëllai i saj, Viktori. E dinte autori se ai do hidhërohej për fatin e tij, për atë përrallë përtej detit të cilën nuk mund ta realizonte, e brenda do ta mbante vajin që e kishte me veten e me të gjithë të tjerët.

Sipër gjethve ma t’epër, nji qiell pa hanë, por përplot me hyj, ai bashkohet me Shanin, e duke kënduar rrugëve arrin te shtëpia e Lecit, ku gjen mikpritjen ashtu siç e kanë zakon e traditë shqiptarët. E porse ndodhë shpesh qi gjan e kushtueshme, kur e ke gjithmonë parasysh, fillon mos me e çmue. Habitesh e kërkon gjithkah pa u kujtue se rrin njaty para teje”. Flet autori me Vik Gjinaziun, e ia kujton të kërkojë edhe një herë mbas shimshirit. Se edhe lumturinë nganjëherë e gjen në gjëra të vogla, në ato që dikujt i duken edhe pa kuptim, ashtu sikur Gjizelës.

Rrugëve të Shkodrës, Koliqi gjen dashurinë e miqësinë, atdhedashurinë, por anësh rrugëve edhe ca ëndrra të thyera. Pak më tutje ballafaqohet me vdekjen, e bashkë me Cinton nuk vajtojnë, rrinë bashkë, me zemër të copëtuar para miqve që qajnë për vdekjen e Kolës. Atë që dikush e kishte vëlla nga gjaku e kush tjetër vëlla shqiptar. Ai rri e pret bylbylat e Plepishtit të këndojnë. Bylbyla të Plepishit, lajkatarë të hanës qi ngjitet mbi rrjeshtin e bukur të plepave. Hanë kumbulla të freskëta përtej murit të oborrit bashkë me Lecin, që i bëhet zemra mal nga ajo pritje e ngrohtë e zonjës së vjetër me sy ende të mbushur gjallëri. Atëherë kur të gjithë e kthenin kokën në anën tjetër me një lloj përbuzjeje kur Ndrekë Batuci hynte brenda në kafene, ai e shikonte me dhimbje, i dhimbseshin ky i fundit e Silja, e cila ndoshta nesër do ta kishte prapë babanë pranë. Po, ndoshta nesër, nesër…

Me Tregtar flamujsh kalohet nga një jetë ku kishe të drejtë të ëndërroje, siç bënte Vilza, djaloshi me shpirt të pastër prej poeti, në një jetë ku ngulfateshe në një zymtësi të cilën e jetonte Gaspër Tragaçi, i mbyllur në dyqanin e errët, i cili vend po ia vidhte dalëngadalë ditët e jetës së tij. Hilush Vilza, atë Shqipërinë ideale e kërkonte në ëndërr e i shkonte pas, e pa shikuar mbrapa e ndiqte atë si i përhumbur rrugëve të vjetra të Shkodrës, përgjatë korridoreve të shkollës, ku dëgjonte zërat gazmorë të nxënësve të tij. Vende të bukura m’u pa, por të rrezikshme m’u banue.  Edhe vetë jeta dukej ashtu e bukur kur e shihje nga afër, por pastaj gjërat e ngjarjet, e më së shumti njerëzit, dinin të të dëshpëronin.

Autori ende u qëndron besnik dokeve e zakoneve, traditave shqiptare, të cilat u përcollën ndër shekuj, por në mënyrë që një popull të përparojë, sikur na mëson Koliqi, duhet të ketë parasysh që ta dëgjojë këngën e detit pa i harruar zakonet malit.

E këto të fundit nuk mund të harroheshin aq lehtë kur ende kishte zonja të cilave sytë u vezullonin me dashuri, ata sy të mbetun të rij të grues, qi rrinte tu e shikue nësa ai ngrante, qitshin lot të heshtëshëm. Porse, nëpër lot, qeshnin.

Këngë e valle, lojëra, nostalgji fëmijërore e ëndrra rinore që përmbysen nga funerali i një të huaji, dikujt që deri para pak kohësh kishte thithur oksigjenin e atyre maleve në të cilat tani do bëhej një me dheun.

Qielli shqiptar. Ma i kalthër se ai qielli i huej.

Jo vetëm Simon Rrukulli, por edhe shumë të tjerë, në një mënyrë i frikësoheshin përparimit. Dija e edukimi ishin gjëra të largëta për ta. Është Dyta ajo që merr guximin t’i kundërvihet babait të saj, i cili nuk e lejonte të lexonte, duke e shpallur armik të rrezikshëm librin dhe dijen që buronte nga ai. Bashkë me Vik Gjinaziun, edhe ne ndiejmë dashurinë e cila shpërndahet përtej faqeve të librit, e është ai që na mëson që lumturinë ta kërkojmë afër, se ajo rri aty afër nesh. A të mashtrohemi nga një pasuri e rrejshme duke mos e parë atë pasuri të cilën veçse e posedojmë?

A shiten ëndrrat?

Po. Në Shqipëri, aty ku flamujt nuk shiten, bëhet tregti me ëndrra.

S’kanë të paguem andrrimet e bukura, me të cilat u kënaqme mbramë.

E unë këto fjalë për Koliqin sot, ua kushtoj të gjithë atyre që Bajrami i përkundi në djepin ari të fantazisë.

Nga Edlira Musliu / KultPlus.com

Shtëpia e Bardhë shkruan për takimin e Kurtit me Sullivan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe po takohet me zyrtarë të ndryshëm, shkruan KultPlus.

Takimi i tij i fundit, me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, është përfshirë edhe në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Postimi i plotë:

“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan është takuar dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Z. Sullivan falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e Kosovës për të pritur të evakuuarit afganë. Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ata diskutuan gjithashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me z. Sullivan duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura. Z. Sullivan mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia e saj nga thëngjilli i linjitit në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

PriFest në Gjakovë do të shfaqë 4 filma të regjisorëve të suksesshëm nga Kosova

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur gjithashtu si Festivali i Filmit në Prishtinë dhe PriFilmFest, ka prezantuar projektin e tyre të radhës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, PriFest ka njoftuar se përmes projektit “Moving Cinema” me datë 21.05.2022 nga ora 09:30 PriFest sjell në Gjakovë në Kino HYRIJE HANA, 4 filma të metrazhit të shkurtë nga regjisorë të suksesshëm nga Kosova.

Filmat “Rruga”, “Sea by the River and River by the Sea”, “Adelina” dhe “Vlora” do të jenë filmat që do të prezantohen në Gjakovë.

Pas shfaqjes së filmave do të ketë diskutime me pjesmarrës nga ekipi i filmave. /KultPlus.com

Muzetë të rëndësishëm si spiranca në kohë stuhish, Leci: Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi i shoqërisë

Uranik Emini

Muzeu është një institucion i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, ai përvetëson, konservon, hulumton por mbi të gjitha komunikon me publikun rreth trashëgimisë së njerëzimit e gjithashtu edhe për historinë e një vendi, shkruan KultPlus.

Me rastin e 18 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është organizuar punëtoria për Programin Kombëtar të muzeve në Kosovë.

Punëtorja profesionale në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Dafina Morina, e hapi këtë punëtori.

“Sot jemi mbledhë përveç se me zhvillu punëtorinë për programin kombëtar të muzeve në Kosovë, gjithashtu shënojmë edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, që ka nisur si një iniciativë që ka nisur që nga viti 1977”.

Më pas, Morina ka ftuar edhe drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Lecin, i cili tregoi edhe për agjendën e ditës së sotme dhe një ekspozitë që do të hapet në ora 19:00.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeut, dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet këtij organizimi. Ne kemi parë një agjendë për ditën e sotme, ku do të fillojmë me këtë punëtori e më pas do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, e për të vazhduar në mbrëmje me hapjen e një ekspozite me fotografitë e artefakteve të Kosovës që po mbahen në Serbi. Dua të përgëzojë edhe Komisionin që kanë të bëjnë me konceptin e Muzeut që kanë filluar punën në këtë drejtim”, përfundoi Leci duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe duke uruar edhe Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.

Morina tutje bisedoi edhe për pjesën e punëtorisë dhe aktivitetet që kanë zhvilluar ky komision, që në përbërje ka katër persona.

“Punëtoria, grupi që është themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të zhvilluar përkrahjen e muzeve në Kosovës ka filluar që nga muaji i kaluar dhe ky grup e ka një përbërje prej katër personave. Deri tash kemi zhvilluar disa prej aktiviteteve në kuadër të përmbledhjes së materialit, sfidave, problemeve dhe të mirat që Muzetë i kanë”.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve me temën “Fuqia e Muzeve” i ka dy objektiva të caktuara përmes fuqisë së të arritur të qëndrueshmërisë, fuqisë së inovacionit në digjitalizim dhe në qasje, si dhe fuqia e ndërtimit të komunitetit nëpërmjet komunikimit.

Këto objektiva, siç thotë Morina, gjithashtu ndërlidhen edhe me qëllimin e programit kombëtar për zhvillimin e projekteve, ku synohet fuqizimi i institucioneve të muzeve dhe të zhvillimit të një vizionit të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kaluara deri për gjeneratat e ardhshme.

“Në kuadër të këtij programit, gjatë viteve 2022/23 janë paraparë edhe hapat që do të ndikojnë në krijimin e një  baze stabile, legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Kosovës. Në kuadër të këtij grupi ne kemi menduar që ta zhvillojmë punëtorinë e sotit në ndarjen e disa grupeve dhe katër grupe do të fokusohen në tema të caktuara në kuadër të kësaj punëtorie. Përzgjedhja e temave dhe ndarja e tyre si grup punues ka të bëjë me legjislacionin, interpretimin dhe ekspozimin, programet edukative dhe metodat e ruajtjes edhe invertarisë”, u shpreh punëtorja profesionale e këtij muzeu.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për pjesën e hartimit të dokumentit, që vjen si rrjedhojë e kërkesave dhe nevojave të përbashkëta të punonjësve profesional të muzeve dhe avancimin e fushës së muzeologjisë në përgjithësi.

“Deri më tani grupi punues ka hartuar një pyetësor që i trajton veprimtarinë muzeale dhe ka ndarë me përfaqësuesit e muzeve në Kosovë, si dhe ka filluar edhe punën në terren për të dokumentuar gjendjen aktuale të muzeve qendror dhe atyre lokal, ku janë shfaqur problematikat e ngjashme gjithandej, si mungesë e stafit profesional, mungesë e buxhetit, objekte jo-adekuate, mungesë e trajtimit adekuat e trajtimit të koleksioneve si rrjedhojë e një problemi kryesor që vjen si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës ligjore në Kosovë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, Kryetarja e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, theksoi se është një hap shumë i mirë formimimi i grupit punues për të dokumentuar gjendjen ekzistuese të muzeve në Kosovë.

“Ndoshta është një gjë jo shumë e mirë që ende nuk kemi një dokumentim të mirë se sa koleksione ose sa lloje të muzeve ka në Kosovë, e aq më tepër pjesën legjislative kanë statut të akt-themelimit e shumë çështje të tjera. Është shumë e vërtetë që muzetë në përgjithësi, edhe vetë prej definicionit të muzeve, edhe rolit e fuqitë të cilat i kanë muzetë. Gjithmonë në kemi menduar që muzetë janë vende të ftohta, të cilat në një lloj forme e arkivojnë një pjesë të kaluar, ku mund ta vizitosh një muze vetëm një herë, pasi herave të tjera nuk do të jetë më interesante”.

Halimi pati disa fjalë edhe për pjesën që vizitat në Muze duhet të jenë më të shpeshta, për arsye se gjithmonë mëson diçka të re.

“Në fakt, ajo ka po shkon vetë muzeu edhe ideja që muzetë janë edhe vende ku ti mundesh me i vizitu shumë më shumë se një herë dhe çdo herë me mësu diçka të re, dhe kjo falë interaktivitetit dhe metodologjisë së re që përdoret nëpër muze, d.m.th. që përmendet digjitalizimi, interaktiviteti e çështje të tjera. Po ashtu është e rëndësishme që edhe vetë definicioni i muzeve, nuk e di cili do të jetë këtë vit, zgjidhet vetë, për të ndërruar e për t’i parë muzetë në qendra polifonike që përveç arkivimit, mund të bëjnë edhe një farë forme çështje të tjera që kanë të bëjnë, për atë arsye është edhe fuqia e muzeve, që edhe muzetë mund të përdoren si institucione për ndryshime shoqërore. Vetë muzeu është një institucion që ngërthen në vete dhe nxitë pyetje”, tha Halimi duke i ofruar përkrahjen e departamentit të cilit ajo udhëheq.

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut, Ajet Leci, ka thënë për KultPlus se ka bashkëpunim të mirë mes muzeut që ai drejton dhe atyre qendror e rajonal.

“Muzeu Kombëtar i Kosovës i bashkëngjitet datës 18 maj me aktivitete të ndryshme. E kemi filluar me një punëtori me një përbërje të komisionit për konceptit e muzeve, aty ndërlidhet edhe puna mes muzeve rajonal e qendror. Me Muzeun Kombëtar Historik kemi një kalendar të përbashkët me aktivitete të paraparë që kemi filluar t’i realizojmë disa ekspozita, ku njëra është mbajtur në fund të marsit që është mbajtur së fundmi. Ne kemi shtyrë për shkaqe teknike deri në qershor”.

Ai tutje tregon se ka bashkëpunime edhe me muzetë në Maqedoninë e Veriut, ku së shpejti Leci beson se do të ketë edhe një memorandum bashkëpunimi me këto institucione.

Sa i përket pjesës së digjitalizimit, Leci thotë se njëri ndër planifikimet për këtë vit është edhe pasurimi i ekspozitës bazë.

“I kemi dy ekspozita të përhershme në këtë institucion që jemi. Ekspozitën e arkeologjisë dhe historisë që përfshijnë të gjitha periudhat historike. Në planifikime bënë pjesë edhe digjitalizimi”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës në vartësi të veten ka kompleksin “Emin Gjiku” dhe shtëpinë e pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.

I pyetur se cila është fuqia e muzeut, sipas mendimit të tij, Leci thotë se ndërgjegjësimi i shoqërisë është fuqia kryesore e një muzeu.

“Domethënë, vetë fakti i emërtimit Muze Kombëtar i Kosovës ka një fuqi të madhe. Fuqia kryesore e muzeut është ndërgjegjësimi për të vizituar këtë pasuri që e kemi këtu. Sot e kemi edhe një ekspozitë ku i kushtohet një koleksioni të gjerë, rreth 1247 artefakte që i kemi, të cilat janë marrë nga Serbia gjatë luftës së fundit.

Një nga vendet më udhëzuese dhe edukative për të mësuar nga shtizat parahistorike te mumiet egjiptiane, nga skulpturat e lashta greke te armatura mesjetare dhe shumë e shumëçka tjetër janë pikërisht muzetë, që posedojnë artefakte madhështore të historisë. E pikërisht Muzeu Kombëtar i Kosovës ka rreth 50 mijë artefakte. /KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim… / KultPlus.com

Alarmi për bombë tek “Xhevdet Doda”, i rrejshëm

Një alarm për vendosjen e një mjeti shpërthyes të dyshuar si bombë në hapësirat e gjimnazit “Xhevdet Doda” ka dalë të jetë i rrejshëm.

Policia e Kosovës është larguar nga vendi i ngjarjes pas konstatimit se nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes.

Më herët për shkak të kanosjes me mjet shpërthyes, nga hapësirat e kësaj shkolle ishin evakuuar nxënësit.

Kërcënimi me bombë kishte ardhur përmes një email, njoftoi më herët Policia e Kosovës.

Ky është rasti i dytë për vendosje të mjetit shpërthyes në Prishtinë. Dje i njëjti kërcënim ka ndodhur në hapësirat e Rektoratit të UP “Hasan Prishtina”, i cili doli të jetë i rrejshëm.

Tash për tash nuk ka të dyshuar se kush mund të fshihet prapa këtyre kërcënimeve. / KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë hapet me apelin e Zelensky: Bota e kinemasë të flasë kundër luftës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua pjesëmarrësve mbrëmjen e së martës, në Festivalin e Filmit në Kanë përmes një lidhjeje me video, ndërsa aktiviteti vjetor po zhvillohej.

Duke folur gjatë ceremonisë së hapjes, presidenti Zelensky bëri një krahasim me filmin e Charlie Chaplin “Diktatori i Madh” duke i bërë thirrje kinemasë botërore të mos heshtë përballë sulmit rus ndaj Ukrainës.

“Qindra ukrainas po vdesin çdo ditë”, tha ai.

Më pas, aktorja amerikane Julianne Moore hapi zyrtarisht festivalin me filmin e parë zombie (Final Cut). Filmi i Michel Hazanavicius është një komedi, ku ngjarjet janë të vendosura në një fabrikë të pashfrytëzuar.

Fituesi i çmimit Oscar, 60-vjeçari Forest Whitaker, u nderua gjithashtu me çmimin ”Palma e Artë”. Whitaker do të prezantojë filmin e tij “Për hir të paqes” në resortin francez. Bëhet fjalë për njerëzit që punojnë për paqen në Sudanin e Jugut.

Sakaq, muret e dyqaneve dhe rrugëve në Kanë janë veshur me postera filmash dhe një instalacion i madh “Top Gun” është vendosur përpara Grand Hotel. Nga ana tjetër ylli I Hollivudit,  Tom Cruise pritet të prezantojë “Top Gun: Maverick”, vazhdimi i filmit kult të vitit 1986. / Klan News / KultPlus.com

Artur Jella, shefi që ka hapur mbi 187 restorante në mbarë botën

Rrugëtimin nëpër botë nuk e ka bërë si një turist i mirëfilltë. Ai ka udhëtuar për punë, është ndalur me muaj të tërë në vende të ndryshme dhe ka eksploruar vendet përmes gastronomisë. Ky rrugëtim për të, ka qenë njëkohësisht edhe pasurimi më i madh në karrierën e tij si shef kuzhine.

Artur Jella, prej 15 vitesh është vendosur në Spanjë, Valencia, ku ka hapur restorantet e tij me emrin “Shija”. Në një intervistë për Businessmag.al, ai tregon se pavarësisht se ka punuar për të hapur mbi 187 restorante në mbarë botën, është ende në kërkim të kafshatës përfekte. Muajt e fundit i kaloi në Shqipëri, duke kontribuar në ndërtimin e një kuzhine tradicionale, por me pasurim të shijeve dhe teknikave të gatimit, tek “Shend e Verë” tek Kalaja e Tiranës.

Gjatë muajit dhjetor, Arturi u shpall “Lider Ekselent” në fushën e gastronomisë nga Albanian Excellence.

Karriera e tij nisi si një terapi.

– “Pas një aksidenti të rëndë nuk luaja dot më futboll, fushë të cilës i isha dedikuar shumë kur isha i vogël. Pas aksidentit, nisur nga gjendja e ngarkuar emocionale, një shok italian më fton të kaloj një fundjavë në Siçili”, thotë Jella.

Pikërisht aty ai dashurohet me kuzhinën. U befasua nga gatimi i ngadaltë dhe i vëmendshëm i një pjate “spageti” sa arrin të largojë të gjitha mendimet e tij që i rëndonin në kokë. Nga aty nisi rrugëtimi në kuzhinën ku edhe sot pas 30 vitesh thotë se gatimi është ende një terapi për të. Kur miqtë e tij e pyesin se kur pushon, ai thotë: “kur jam në kuzhinë”.

Sukseset nuk janë rastësi dhe kjo dallon edhe tek Arturi. Kur ishte fëmijë i vogël, me talentin e tij në matematikë, merr pjesë në olimpiadat kombëtare e ndërkombëtare të matematikës. Pasioni për futbollin e tërheq vëmendjen e tij dhe i dedikohet, deri kur për arsye shëndetësore iu bë e pamundur. Sot gjendet me po aq pasion në kuzhinë, të cilës i dedikohet tërësisht.

Atij i pëlqejnë teknikat e gatimit francez, por ai mbetet mediterran dhe i dedikuar pas kuzhinës mediterrane, ku implementon teknikën franceze të gatimit. Në Paris zhvillon praktikën e parë në kuzhinë, ku punoi për dy vite.

“Kërkova shkollën më të mirë në Londër, falë edhe mbështetjes së Kumbarit tim”, tregon Arturi në intervistë. Megjithatë, me kalimin e kohës i duhet të punojë. Krahas shkollës së kuzhinës, ai studion ekonomi-turizëm. Pra, për 4 vite studionte në dy shkolla njëkohësisht dhe punonte, duke e mbyllur ditën me vetëm 3 orë gjumë. Me lodhjen që i rëndonte edhe në trup, ai arriti të marrë diplomën e artë në degët e studimit. Si ndër më të mirët, nisi punë me shefin e tij, profesorin në fushën e gastronomisë, por si antikonvecional dhe me karakter të fortë, ai u shkëput po ashtu brenda vitit të parë të punës. Hotel Hilton në Angli ishte destinacioni i tij i punës, deri sa njohu gruan e tij spanjolle dhe vendosën të transferoheshin në Spanjë.

Në zonën qëndrore të Valencias, 10 vite më parë ka hapur restorantin e tij “Shija”. Ndërsa së fundi në “Altea”, po hap një restorant të kuzhinës së lartë ballkanike, shqiptare.

“Jam shumë i interesuar që bota t’i njohë ushqimet tona”, thotë Jella.

“Shija” mund të cilësohet pa frikë një destinacion turisik shqiptar për spanjollët. Ata mund të njohin nga kultura jonë edhe pa mbërritur në Shqipëri fizikisht. Arturi punon me fanatizëm pjata të hershme shqiptare, duke i pasuruar dhe duke e ngritur nivelin e pjatës.

Biseda me Arturin është një udhëtim interesant shijesh dhe përshtypjesh globale dhe është në gjendje që përmes një pjate në tryezë të të çojë në vende nga më të ndryshmet.

Udhëtimet e tij në Singapor, Kinë, Argjentinë, Afrikë, Amerikë e kanë bindur se lënda e parë për të nuk janë proteinat, por perimet, frutat dhe bishtajoret. Teknikat e gatimit që vijnë nga kultura të ndryshme të tregojnë se si trajtohen produktet dhe këtu merr identitet njëra kuzhinë nga tjetra.

“Kam qenë 6 muaj në Mozambik, Kenia dhe Nigeri. Një tribu konservonte qumështin e dhisë dhe e fermentonte në dru bambuje në tokë për rreth 3 muaj. Ata e hapën një prej tyre në nderin tonë (dhe pavarësisht se nuk flisnim dot me to) me shenja na treguan se duhej të mbyllnim hundën për ta ngrënë. Ishte shumë e shijshme, ndërsa nëse ndjeje erën nuk do të mund ta konsumoje”, thotë Jella. Këtë shembull e sjell për të treguar se kulturat janë nga më të ndryshmet dhe nëse jemi të hapur ndaj tyre mund të kuptojmë, mësojmë dhe përftojmë eksperienca të reja.

Për të, turisti duhet të konsumojë ushqimin e vendit ku shkon.

“Pas gjuhës, gastronomia është ajo që tregon shumë për vendin”.

Mund të duket e çuditshme, por ai vjen për herë të parë në Shqipëri, me motivin e mirëfilltë të punës. “Falë Çobos është hera e parë që vij në Shqipëri dhe e kisha me dëshirë që të mund të jepja një kontribut sado të vogël. Tek Çobo, ai ka sjellë një pjesë të teknikave të tij, një pjesë të udhëtimeve të tij. KusKus që serviret aty është një recetë e kurdëve në kufi me Sirinë. Gatimi është kujtim dhe ushqimi i mirë nuk harrohet asnjëherë. Shija sipas tij është si një mikroçip, ngulitet në memorie. Në këtë mënyrë, një restorant bëhet destinacioni ynë i preferuar, pasi ofron produktin tonë të preferuar. “Objektivi është që kur të vjen në mendje një ushqim, të të vijë në mendje edhe vendi ku e ka ngrënë atë. Kuzhinierët janë në kërkim të asaj që quhet kafshata perfekte dhe unë kam 30 vjet që jam në kërkim të kafshatës perfekte. Por, kuzhina është pa limit. Statistikat thonë se ne po përdorim thjesht 5% të shijeve në botë, por në fakt përdorim shumë më pak. Kuzhina më pëlqen, sepse është e pa limit”, – thotë Jella.

3 muaj angazhim tek “Shend e Verë”, janë edhe një provë-studim për të. Pasi ka studiuar realitetin dhe klientin shqiptar, ai ka filluar të mendojë për një restorant në Shqipëri. “Në 2025 them se do të kem restorantin tim në Shqipëri”, ndërsa pas 10 vitesh synon të ketë më shumë kohë për të udhëtuar me familjen.

Ai largohet kësaj radhe me një përshtypje të mirë nga Shqipëria.

“Është me vlerë që të rinjtë kanë etje për të mësuar. Punonjësit këtu janë të interesuar. Me aktivitetin këtu, kemi trefishuar aktivitetin në restorant dhe kemi ulur 70% kostot fikse. Kjo tregon se klienti shqiptar është i hapur ndaj risisë”. /KultPlus.com

Ministrja Ekonomi: Qendrat muzeore dhe sitet arkeologjike, kontribut në zhvillimin e rajoneve

Në Ditën Botërore të Muzeve, ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi shprehu vlerësim për të gjithë punonjësit e qendrave muzeore dhe siteve arkeologjike, që punojnë çdo ditë duke kontribuar në zhvillimin e zonave ku ato ndodhen.

“Dua të shpreh vlerësimin tim për të gjithë punonjësit e qendrave muzeore dhe siteve arkeologjike, në Krujë, Durrës e në të gjithë vendin për punën e palodhur që bëjnë çdo ditë dhe rolin domethënës në zhvillimin e komuniteteve në zonat ku ato ndodhen”, u shpreh Ekonomi.

“Sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, hyrja në të gjithë Muzetë dhe Parqet Arkeologjike është falas”, tha Ekonomi.

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër sit i trashëgimisë kulturore, ai ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Ndërkohë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu më i madh arkeologjik në Shqipëri ku ruhen objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit.

Në këtë muze nuk ka ndalur për asnjë moment puna për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. / atsh / KultPlus.com

Alarm për bombë në shkollën “Xhevdet Doda”, evakuohen nxënësit

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me raportimin për një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për lajmi.net se informacionet e para flasin për një kanosje të dyshimtë e cila ka ardhur përmes postës elektronike.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë”, tha ajo.

Po ashtu është thënë se në një perimetër të caktuar janë evakuuar nxënësit dhe personeli i shkollës.

“Ndërkohë janë angazhuar edhe njësitet përkatëse për trajtimin/verifikimin e informatës”.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur një raportim tjetër për alarm për bombë tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Ky alarm doli të ketë qenë i rrejshëm.

Alarme të ngjashme, ku është raportuar për vendosje të bombave ka patur edhe më herët në vend, shumë prej tyre ishin në kuadër të stacionit të autobusëve në Prishtinë. / KultPlus.com

Muzeu Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës

Muzeu Hebraik në Vlorë, është institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga projekti i këtij muzeu.

“Mirëmëngjes dhe me projektin e Muzeut Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu theksoi se, sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, hyrja në të gjithë muzetë dhe parqet arkeologjike është falas.

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua dje në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”. /atsh / KultPlus.com

Botohet libri “Poeti i Detit”, kushtuar jetës dhe veprës së Basri Çapriqit

Këto ditë Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe PEN Qendra e Kosovës, botuan  librin me titullin, “Poeti i Detit”, i cili është përmbledhje e materialeve nga sesioni shkencor dhe ora letrare, mbajtur në Ulqin, më 17-18 janar 2020, përcjell KultPlus.

Aktiviteti është organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, profesorit dhe studiuesit të letërsisë, prof. dr. Basri Çapriqi, si dhe dy vjetorit të vdekjes së tij.

Duke filluar me shkrimet në formë të parathënies nga Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit dhe Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës, në këtë botim përfshihen kumtesat e studiuesve dhe të shkrimtarëve: Bashkim Kuçuku, Zuvdija Hoxhiq, Milazim Krasniqi, Sadik Bejko, Sali Bashota, Anton Gojçaj, Haxhi Shabani, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Arben Prendi, Eljon Doçe, Liridona Sinishtaj, Nail Draga dhe Rrok Gjolaj. Po kështu, janë botuar edhe poezitë kushtuar poetit, Basri Çapriqi, nga autorët: Ibrahim Berjashi, Sali Bashota, Milazim Krasniqi, Asllan Bisha, Hajredin Kovaçi dhe Argëzon Sulejmani.

Libri “Poeti i Detit”, përfshin edhe fotoalbumin, duke prezantuar aktivitetet kryesore të sesionit shkencor dhe të orës letrare, si dhe shënimet bio-bibliografike të Basri Çapriqit. / KultPlus.com

Flet drejtori i shkollës në Pejë: Nxënësit e komuniteteve nuk i takojnë klasës së parë, erdhën vetëm për ta parë programin

Drejtori i shkollës në Pejë ka reaguar në lidhje me rastin e djeshëm, ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e abetares, në një organizim që ishte bërë në këtë festë.

Ai mohon se nxënësit janë ndarë anash, por thotë se janë sistemuar aty pasi nuk i takojnë klasës së parë.

Drejtori i kësaj shkolle thotë se nxënësit që janë parë në pamje kanë ardhur me dëshirë të tyre që ta shohin programin dhe se nuk janë bashkëmoshatarë të nxënësve që ndodheshin në festë.

“Ai komunitet prej 10 nxënës kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Kanë shpreh vullnet me ardhë me pa programin dhe janë sistemuar aty. Ne jemi ata që çmos jemi duke bërë për komunitetet. Le të vjen veç dikush ta tregon gishtin tek kjo shkollë gabon rëndë. Në çdo mënyrë jemi duke munduar ti integrojmë. Ata fëmijë nuk janë 6-7 vjeçar, janë diku 8,9 e 10 vjeçar. Mësuesja i ka marrë dhe i ka sistemuar me lejen time. Janë të klasës së dytë, tretë dhe katërt”, u shpreh ai në Kanal 10. / KultPlus.com

Aktori Spahiu i fton fëmijët që u lanë anash në Festën e Abetares që të festojnë bashkë në ndonjë ëmbëltore

Aktori Fatmir Spahiu ka reaguar për rastin që ndodhi mbrëmë në Pejë, ku dhjetë nxënës të pakicave u lanë anash gjatë Festës së Abetares, shkruan KultPlus.

Aktori Spahiu është shprehur i irrituar nga ky rast, ku tutje ai ka ftuar këta fëmijë që të vijnë sot në Prishtinë e të dalin bashkë me aktorin në ndonjë ëmbëltore për të festuar bashkë Festën e Abetares.

“Dhjete femijet qe i pame ne storje te Klanit, i ftoje neser te vijne neser ne Prishtine, te shkojme me naj ambeltore e ta bejme festen e Abetares bashke, qysh na ka hije. E te zhytemi ne shllag e qokollade.

Ju dua!

Jam i sigurte qe gjysma e ketyre mesimdhenesve kane perjetuar shkollat shtepi si pasoje e racizmit te sistemit te atehershem.

Racizmi nuk i takon askujte ne bote e sidomos popullit shqiptar, i diskriminuar e i shtypun per toke!”, ka shkruar Spahiu. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Pa limit”, një simbolikë edukative që synon lirinë dhe pakufinë e artit

Me një simbolikë edukative për studentët, mbrëmë në Galerinë e Fakultetit të Arteve është hapur ekspozita me titull “Pa limit” me autorët: Adem Rusinovcin, Driton Selmanin, Ismet Jonuzin dhe Mehmet Behluli, të cilët sollën gjithsej katër vepra artistike që ngërthejnë një veçanti më vete dhe synojnë që publiku të jetë pjesë e tyre, shkruan KultPlus.

Ende pa shënuar ora 19:30, artdashës të shumtë kapluan hapësirën e gjerë në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Fillimisht me atë se çfarë do të përballeshin të pranishmit, do të ishte instalacioni “Bunari” nga artisti Adem Rusinovci. Një bunar i cili në thelb ka shumë kuptime por ajo që vihet në pah është simbolika e vdekjes dhe ajo e gjuajtjes me para për të dëshiruar diçka. Kjo më së miri vërehet edhe tek paratë të cilat vinë të lëshuara nga muri në fije të holla dhe secila nga to përfshijnë shumën prej një euro.

Një befasi për shumë kë, vepra artistike po merrte vëmendjen e shumtë nga të pranishmit të cilët soditnin jo vetëm bunarin e krijuar nga gurët por dhe gjithë konstruktin e tij, e sidomos dhe pjesën e parave që qëndrojnë të ndriçuara nga dritat lart në mur. E artisti duket se ia ka arritur qëllimit të tij për arsye se publiku po komunikon me veprën dhe po e gjen veten përbrenda krijimit të tij unik.

Ndërkaq, më poshtë shihet vepra artistike “I love you”, vepër kjo nga artisti Mehmet Behluli, e cila në fakt portretizonte një dhimbje mjaft të madhe. Me një zymtësi të dalluar në lulet e vyshkura e të thata, libra të djegur në ngjyrë të zezë, copëza të cilat thjesht krijonin një atmosferë që i ngjasonte luftës si dhe një pikturë e bardhë e cila zhytet në ngjyra të mbyllëta. Edhe pse titulli në shikim të parë vjen si mesazh i dashur, në fakt na shfaqet si një ironi me atë se çfarë po ndodh në Ukrainë.

Po ashtu në pjesën e dytë të galerisë, na shfaqet vepra me titull “Alkimsti”. Artisti Imset Jonuzi arriti që krejt emocionin e tij ndaj luftës ta portretizojë në instalacionin e tij të krijuar nga armët dhe vetëm një lule trëndafili. Me plotë armë që po krijonin një tavolinë dhe tri karrige si dhe një lule në ngjyrë të kuqe e vendosur sipër, artisti Jonuzi na sjell para syve një situatë e cila dukshëm tregon për mos-ndalimin e luftës në Ukrainë. Paqja synohet pothuajse nga të gjithë por ajo nuk po ndodh.

Ndërsa, krejt në fund është e pozicionuar vepra e artistit Driton Selmani. E titullar “Calm before the storm”, instalacioni i tij përfshin një copëz të madhe hekuri që rëndom shohim nëpër rrugët e Prishtinës dhe ai atë e ka shndërruar atë në një vepër artistike. Nga natyra në Galeri, vepra portretizon fjalën “Kismet”, fjalë kjo që përdoret jashtëzakonisht shumë nga populli shqiptar.

Për të na treguar më shumë rreth konceptit të ekspozitës dhe veprës së tij, për KultPlus foli artisti Ismet Jonuzi.

“Ne si pedagogë që jemi kemi bërë një përfshirje të gjeneratave për të sjell këtë ekspozitë. Koncepti i ekspozitës në fakt qëndron tek titulli “Pa limit”, pra nuk është diçka e kufizuar, nuk është diçka që kufizon artin sepse arti duhet të jetë i lirë dhe pa kufi. Këta të gjithë autorë e kanë pasur një lloj qasje që nuk ka pasur kufizim. Ideja ishte që të krijojmë sa më pak punime se këtu është krijuar një standard që të mbushen muret dhe pastaj nuk krijohet distanca prej punës në punë që të shihet e analizohet mirë ajo vepër”, thotë Jonuzi.

Sipas tij, ekspozita duhej të ishte më e veçantë për arsye se ata si pedagogë që janë, duhej të kishte një karakter refleksiv tek studentët në mënyrë që ata të shohin se mund të bëhet dhe një ekspozitë ndryshe sikurse që janë mësuar të shohin që 20 apo 30 vjet.

“Puna e Driton Selmanit shembull vjen si një provokim si koncept “Kismet” sepse lidhet me përditshmërinë tonë si shqiptarë. Ndërsa, unë në punën time kam përdorur armët pas luftës menjëherë dhe kam bërë një transformim të asaj se me çfarë vritet, mund të bëhet art. Pas luftës vietnameze-amerikane, artistët amerikanë kanë filluar të punojnë me një moto “Jo luftë, krijo art”. Dhe në një farë mënyre edhe kjo shihet tek vepra ime. Lulja që qëndron në tavolinë simbolizon paqen dhe përreth është lufta. Kjo vërehet edhe me situatën në Ukrainë, që duket sikur do të ndërprerët por në fakt kjo nuk është duke ndodhur”, thotë Jonuzi.

Artisti Adem Rusinovci për KultPlus tregoi rreth idesë për këtë ekspozitë dhe punës së tij artistike në instalacionin “Bunari”.

“Ideja ishte krejtësisht e profesorit Ismet Jonuzi. Ne kemi dashur që si pedagog që jemi, të iu tregojmë studentëve që arti bashkëkohor nis në vitet e 60-ta dhe studentët shpeshherë inspirohen nga disa ekspozita që i shohin nëpër mure dhe ajo nuk është bash e shëndetshme për ta. Zakonisht kur studentët shohin një profesor apo një njeri më të vjetër në moshë, mendojnë se ashtu duhet të jetë arti, sikurse puna e tyre. Ne nuk kemi bërë kurrfarë risie për globin por megjithatë këso ekspozita shumë rrallë shihen dhe ne kemi dashur ta krijojmë në fakultet jo për të pasur ndikim tek studentët por që ata të fitojnë një kulturë pak më ndryshe sesa që e marrin zakonisht në ekspozitat tjera”, thotë Rusinovci.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme raporti mes autorit dhe veprës. Ai artin e konsideron një filozofi që prek realitetin dhe thotë se skulptura nuk është diçka që vetëm gdhendet në gur dhe se piktura diçka që gjuhet ngjyra në të.

“Puna ime në bunar ka shumë kuptime. Nuk kam dashur aspak që ta krijoj një kuptim që bunari është një burim jete dhe nuk ka qenë mendimi im që unë t’i dhuroj publikut diçka që e shohin dhe vinë. Kam dashur ta shtrojë një dilemë sepse bunari është vend krimi ku njerëzit janë mbytur shumë dhe sot fatkeqësisht po ndodh në Ukrainë e që ka ndodhur në Bosnje e ka ndodhur edhe në Kosovë. Por bunari ndonjëherë është edhe vendi i fatit ku njerëzit gjuajnë para. Unë dëshiroja që secili person që vjen, ta gjejë veten tek bunari jem”, thotë ai.

Gjithashtu për të na folur më shumë rreth instalacionit të tij, për KultPlus foli artisti Mehmet Behluli.

“Ne mburremi me këtë galeri që është krijuar për studentë por nuk është vetëm për ta. Kjo është hera e parë që ne po provojmë të ekspozojmë si mësimdhënës dhe kjo është si nismë që këtë herë jemi përzgjedhur ne dhe kjo ide do të vazhdojë si pjesë e përhershme e programeve të galerisë. Kjo ndodh për qëllimin që studentët të shohin se si profesorët punojnë dhe jo vetëm si ligjërojnë. Ndërsa, puna ime sot është një vazhdim i imi. Është mbledhur njëfarë opusi ku karriget janë pjesë e para luftës dhe unë pata provuar që të stimulojë luftën nëpërmjet edhe librave të cilat ishin të mbuluara me zift dhe zifti stimulon njëfarë katastrofe”, thotë

Sipas tij, nga djegia e shtëpisë së tij në luftë, janë pikërisht ato copëzat që kanë mbetur të cilat janë shndërruar në atë vepër.

“Unë kohë pas kohe i instaloj ato copëza vepre dhe provoj që ta kem një vazhdim apo një krahasim me vitet para 99-shit dhe sot. Ndërsa, lulet e thata për mua simbolizojnë një poetikë të dhimbshme andaj edhe titulli “I love you” vjen në fakt si një ironi për atë se çfarë po ndodh me situatën në Ukrainë”, përfundon ai.

I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu i cili për KultPlus tregoi përshtypjet e tij.

“Në fakt momentin kur e dëgjova lajmin që është ekspozita e këtyre autorëve që janë prezent, vërtetë me shumë kënaqësi kam ardhur duke e ditur dhe krijimtarinë e këtyre artistëve që i kam përcjell me vite të tëra. Ndoshta edhe është një frymëzim shumë i mirë për gjeneratat e reja sepse këta artistë çdo herë kanë prezantuar vlera duke u nisur nga Ismet Jonuzi i cili është një prej vizatuesve më të mirë që e kemi në Kosovë dhe është një prej skulptorëve që bënë eksperimente që thjesht ka thyer tabutë e skulpturës në kohë të ndryshme. Po ashtu edhe Ademi është një skulptor reprezentativ që çdo herë është ndryshe me kalimin e kohës dhe sonte na u shfaq me një bunar që na befasoi të gjithëve”, thotë Spahiu.

Sipas tij, Mehmet Behluli është një prej profesorëve i cili ka përcjell gjenerata duke qenë shumë aktiv, megjithëse krijimtaria e tij ka qenë pak më e vonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa, tek Driton Selmani shihet që ka një perspektivë dhe se është një artist i ri që gradualisht po ngritët në një nivel ku duhet të jetë, duke prezantuar vlerat tona si shtet.

“Në fakt, unë e veçoj Ismet Jonuzin për arsye se ai din të gërshetojë shumë mirë emocionet ndër vite dhe këto emocione ndërlidhen pikërisht me kohën e kaluar dhe të tashmen. Në një farë mënyre ato fazat e vetë shoqërisë tonë shfaqen në çdo vepër të cilën ai e prezanton dhe padyshim që është pjesë e historisë të popullit tonë. Që vlera e një vepre të jetë emocioni dhe koncepti që realizohet, kjo është shumë me rëndësi”, përfundon ai.

Ekspozita “Pa limit” do të qëndrojë e hapur prej datave 17 maj deri më 01 korrik 2022 në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com

Istrefi për rastin ku u lanë anash fëmijët nga pakicat: Gëzimi i tyre prapa “grilave” shpon si thikë në ndërgjegjen e kësaj shoqërie

Në Pejë, të martën u kremtua Festa e Abetares. Por, bashkë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat e tjera nuk ishin edhe dhjetë nxënës të pakicave, të cilët u ulën të ndarë.

Nxënësit thonë se do donin të ishin më në qendër, derisa mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi.

Ky rast ka shokuar pothuajse të gjithë dhe reagimet janë të shumta.

Një reagim të tillë e ka bërë sot edhe aktori Shkumbin Istrefi i cili një gjë të tillë e cilëson racizëm të pastër.

“Kjo eshte turp i madh per shoqerine tone. Duhet te kerkohet pergjegjesi. Racizem i paster.
Pavaresisht qe reagimet jane te shumta, ketyre femijeve do t’u mbetet ne kujtim tere jeten qe kane qene prapa nje rrjete qe asocon ne grila te shoqerise sone ndaj komunitetit RAE. Gezimi i tyre prapa “grilave” shpon si thike ne ndergjegjen e kesaj shoqërie”, shkruan Istrefi. / KultPlus.com

Në Pejë, të martën u kremtua Festa e Abetares. Por, bashkë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat e tjera nuk ishin edhe dhjetë nxënës të pakicave, të cilët u ulën të ndarë.

Nagavci për Festën e Abetares ku u lanë anash fëmijët nga pakicat: Dënoj çdo formë diskriminimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me rastin ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e abetares, në një organizim në Pejë.

Nagavci thotë se shpreh shqetësimin e thellë për këtë rast dhe se të njëjtin do ta shqyrtojë me prioritet.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie  si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e Festës së Abetares, në Pejë. Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës”.

Mes tjerash, Nagavci thotë se si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës.

“Parimi i mos diskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet. Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com

Nxënësit nga komunitetet lihen anash në Festën e Abetares

Në Pejë, të martën u kremtua Festa e Abetares. Por, bashkë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat e tjera nuk ishin edhe dhjetë nxënës të pakicave, të cilët u ulën të ndarë.

Nxënësit thonë se do donin të ishin më në qendër, derisa mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi, njofton Klan Kosova.

Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve. / KultPlus.com

Radiocorriere (1934): Aleksandër Moisiu sipas gazetarit italian, Enzo Ferrieri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – … Maj 2022

“Radiocorriere” ka botuar, në prill të 1934, në faqen n°29, shkrimin e gazetarit italian Enzo Ferrieri për Aleksandër Moisiun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi : Radiocorriere, prill 1934, f.29
Burimi : Radiocorriere, prill 1934, f.29

Intervistat

Në mesnatë pas teatrit, unë dhe një regjisor i famshëm pimë një filxhan çokollatë puro në një tryezë te Savini (restorant i famshëm në Milano). Ngremë sytë dhe pikërisht përballë nesh, Aleksandër Moisiu, me një zonjushë bionde, fillon darkën e tij pas shfaqjes.Moisiu ka tonin e përulur dhe të zgjuar të një njeriu të vogël, i gatshëm për të kapur një krah (fletë) pule dhe misterin e Faustit ose Henri IV me të njëjtin kujdes. Ai çohet për të arritur kutinë e cigareve në një xhep të pardesysë së tij. Është i lehtë dhe fluturon sikur hapi i kërcimit të Hamletit do të fillonte.

Miku im regjisor, i cili i gjykon burrat nga mënyra se si lëvizin, më bën të vëzhgoj thjeshtësinë ekstreme të gjesteve të tij dhe më jep një mësim gestologjie. “Ja një njeri që reciton me gjuhën e jetës, që është bërë i thjeshtë me meditime të gjata. Shikoni se si gjithçka është e saktë dhe e matur…”. Dy metra larg tij një zotëri piktoresk, i cili ka si shoqërues një tip kurioz me mjekër të mprehtë, mban një thikë e pirun me një dhunë pompoze. “Ky duhet të jetë patjetër një aktor – më thotë mjeshtri i gjesteve – por një aktor i ri”. “Aktor po, dhe shumë i shquar : një aktor jugor (meridional).” Unë mbështes jugun, i cili në mendjen time do të donte ta bënte gjestikulacionin e bollshëm legjitim dhe shprehës.

“Ju gaboheni miku im. Nëse ky zotëri do të ishte një aktor i madh, një artist i vërtetë, pikërisht sepse është jugor, nuk do të hante me ato gjeste të teatrit. Këtu kemi të bëjmë me një njeri që mbart në jetë të gjitha qëndrimet false të skenës. Çdo gjest, zotëria im i dashur, ka kuptimin e tij.Shikoni atje ndërsa Moisiu i ofron zonjushës një pije. “Das ist recht.” Kjo është e drejtë. Thuhet kështu. Kam katër ditë që flas italisht. Shihni këto gjeste të tjera. Kjo nuk është e drejtë. Një gjest i vogël zgjidh një situatë. Më kujtohet një skenë ku duhej treguar se një infermiere që prek me dorë ballin e ethshëm të një ushtari, ka një butësi (ndjenjë) të fshehur për pacientin e saj. Provoi dhe riprovoi, nuk e arrinte kurrë rezultatin e nevojshëm. Kjo ishte shumë e guximshme dhe e papërshtatshme, kjo ishte pa shprehje. Gjithçka u zgjidh kur infermierja në vend që ta prekte ballin e pacientit me pjesën e pasme të dorës, e preku atë me pëllëmbën. Pëllëmba e dorës është një tregues i lidhjes, butësisë, intimitetit. Do të puthësh dorën e një zonje. Provoni të puthni pëllëmbën e saj.” Kjo puna e dorës më intereson : i bëj thirrje mikut tim të vazhdojë. Vini re se aktorët e filmave nuk dinë se ku të shikojnë. Problem shumë kompleks. Publiku e ndjek gjithmonë vështrimin e aktorit. Nëse aktori ul sytë, i gjithë publiku shkon të kërkojë diçka nën këmbët e tij. Në vend të kësaj, vështrimi i aktorit duhet të ndjekë gjithmonë një objekt të saktë dhe pa ambiguitet.

Çdo gjest i tij, çdo lëvizje e tij duhet të përbëjë një tablo; jo në kuptimin estetik dhe dekorativ, por në kuptimin njerëzor dhe jetësor. Asgjë nuk duhet të bëhet në mënyrë të rastësishme; në jetë nuk bëni asgjë rastësisht. Edhe gjestet më të thjeshta dhe më të zakonshme janë rezultat i traditave dhe zakoneve. E njëjta gjë në skenë. Me ndryshimin që në skenë çdo gjest duhet të shprehë me thjeshtësinë më të madhe, një gjendje të nevojshme për qëllimin e veprës. Gjestet e tepruara dhe pa diskrecion duken më spontanet, por janë më të padobishmet dhe më të rremet, pasi nuk shprehin gjë tjetër veç synimit për të shprehur diçka, e cila ende nuk është zotëruar plotësisht.

Të ashtuquajturit aktorë instinktivë, që rrotullojnë krahët në ajër, janë më pak të natyrshëm; edhe nëse në jetë janë mësuar të lëvizin në hapësirë. I natyrshëm është gjesti i paramenduar që shpreh me lehtësi atë që do të thotë. “Shikoni atë çift atje që hanë rizoto alla Milanese dhe duket se po flasin me një zjarr (amsh) të tillë; unë nuk e di se çfarë i thonë njëri-tjetrit. Por është e sigurt që gruaja duhet të ketë të drejtë; sepse shikon drejt burrit. Kalorësi (Kavalieri) ndjek rizoton në lugë, ndihet i dobët, sigurisht që e ka gabim”. Ajo në fakt ishte një grua e bukur, e cila i hodhi dy sy smerald shoqëruesit të saj. Kur të jepen dy sy të ngjashëm, mendova, gjestologjia ime më mëson se kemi gjithmonë të drejtë.Edhe unë do të ndiqja rizoton në lugë…

ENZO FERRIERI

https://www.darsiani.com/la-gazette/radiocorriere-1934-aleksander-moisiu-sipas-gazetarit-italian-enzo-ferrieri/ / KultPlus.com

Enzo Ferrieri (1890 – 1969) – gazetar, regjisor dhe skenograf italian

Opera italiane, kandidate si trashëgimi e njerëzimit

Opera lirike italiane mund të bëhet trashëgimi jo materiale e njerëzimit. Do të bëhej fjalë për një vlerësim të jashtëzakonshëm me arsyetimin e eksportit të kulturës italiane në botë.

Italia është historikisht atdheu i operës lirike, por kjo formë arti tërheq vëmendjen për sa i përket aftësisë për të komunikuar përtej barrierave gjuhësore dhe kulturore.

Përtej rëndësisë historike dhe kulturore, sektori i operës në Itali ka dhe një rëndësi ekonomike. Në fakt janë rreth 30 mijë profesionistët dhe praktikantët që punojnë në sektor. Dosja tashmë është dorëzuar në UNESCO, duke lënë në hije një tjetër dosje italiane: atë të kafes. Unesco do të përgjigjet brenda këtij viti. /abcnews.al/KultPlus.com

Kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin

Pak kush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin, fytyrën e Eugjenisë së Andon Zako Çajupit apo trishtimin e Brojkës së Migjenit. Cilat ishin muzat e shkrimtarëve tanë dhe pse mungojnë biografitë ndryshe të autorëve…

Haki Stërmilli, burri me vështrimin e thellë, veshur me kostumin e zi, shfaqet elegant në fotot e mbetura në kohë. Në historinë e letrave shqipe ai është një ndër personazhet më interesante për vetë profilin që ka, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të viteve 1923-1924, partizan në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, mbrojtës i të drejtave të grave në shtyp dhe autor i një prej veprave më të rëndësishme të fillesave të historisë sonë letrare “Sikur t’isha djalë” (1936).

Historia e Dijes, vajzës jetime të mbuluar me ferexhe që zbulon papritur dashurinë, e cila hap tek ajo dëshirën për ta parë botën ndryshe nuk mund të ishte thjesht një përfytyrim i aktit të krijimit. Stërmilli analizon me këtë personazh botën femërore, duke treguar kushtet e vështira në të cilat jetonte femra shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Ai e bën Dijen të shkruajë ditar, duke treguar aty jo vetëm dëshirat e fshehta për Shpendin, por dhe dëshirën e saj për të mësuar për të jetuar në një botë më të lirë.

Kritika shqiptare ende nuk i ka dhënë Dijes vendin e duhur në galerinë e pafund të personazheve të kësaj letërsie, ku ajo vijon të shfaqet e ndrojtur. Por teksa flasim për Dijen ne shohim se sa pak dimë për jetën e burrit që i pëlqente të vishej bukur, Haki Stërmillin. Në një histori letërsie, e cila deri atëherë ishte më shumë një sprovë, ai shfaqet si autor i disa romaneve. Ajo çfarë dimë për Stërmillin janë titujt e veprave që ka shkruar. Ne nuk dimë se kush ishte “Dija” e tij, në ishte i martuar apo ndonjë vajzë me të njëjtin emër e torturonte nga pamundësia për t’u takuar lehtë.

Historia e letërsisë shqipe është një nga më të varfrat sa u përket historive të dashurive, letrave apo qoftë dhe ndarjeve. Në asnjë letërsi shkrimtarët nuk shfaqen kaq seriozë, si qenie perfekte të zhveshur nga veset. Pas viteve ’50, vetë sociorealizmi i përjashtonte histori të tilla në jetë e jo më në letërsi. Por nëse hidhemi sërish para në kohë e kemi të vështirë të përfytyrojmë se cila mund të ketë qenë gruaja e Naim Frashërit, një prej intelektualëve më tërheqës të Perandorisë Osmane. Apo çfarë e trazonte kur shkruante vargjet “Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë / Si ajy që gjeti në malt Perëndinë / Lulezët e Majit sa janë të mira! / Po përpara teje m’erdhë të pështira / Kur shoh faqezët’ e tua / Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit, / Zëri yt shpirt më jep mua …” (Poezia Bukurija). Është e vështirë të besosh udhëtimet e tij nga Janina në Stamboll pa pasur në mendje imazhin e një femre. Asnjë biograf nuk është marrë deri tani me jetën private të Naim Frashërit, duke e bërë profilin e këtij intelektuali të rëndësishëm të kohës të mos jetë i plotë.

E ç’mund të themi për të ditur më shumë mbi Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin apo Pjetër Bogdanin. Edhe botimet e sotme të Jeronim de Radës, djaloshit që bëri një jetë të lirë përtej brigjeve, denjojnë të rrëfejnë mbi pasionet apo femrat që takoi në jetë. Do të ishte e pamundur ta mendojmë De Radën një asket teksa Arshi Pipa, pas hulumtimeve në Kozencë mes dorëshkrimeve, zbuloi letra që ai ia drejtonte tek Josephine de Knorr, Dora D’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky etj. A thua mes këtyre letërkëmbimeve nuk kishte asnjë për grua?

Në një nga letrat drejtuar të atit më 1845-n ai shprehet për martesën: “Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t’u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?” Kjo letër të lë të kuptosh që poeti do të jetojë i lirë, duke mos ia lënë zemrën peng vetëm një dashurie.

Interesante do të ishte të kishim sot ditarin e Ndre Mjedës, priftit, gjuhëtarit e poetit lirik, i cili përpara se të përqafonte besimin mbrëmjeve në Venecia ëndërronte të jetonte si shkrimtar i lirë. Më pas u nis në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi letërsi. Sa keq që copëza historish që mund të kenë shoqëruar jetën e Mjedës janë shuar sapo kanë mbaruar duke mos mbetur në asnjë rresht. Po kështu histori të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Sami Frashërit, Naum Veqilharxhit, Risto Siliqit, Mihal Gramenos …

Ne dimë shumë pak për Eugjeninë, gruan, ikja e së cilës nga kjo jetë do të sillte një nga elegjitë më të bukura për ndarjen shkruar nga Andon Zako Çajupi. Ajo dhe Çajupi janë takuar në Aleksandri, ku Andoni u vendos për të studiuar frëngjisht për pesë vite te Sainte Catherine des Lazaristes. Pas studimeve ata u martuan dhe patën bashkë një djalë me emrin Stefan. Të gjithë ata që janë marrë me jetën e Andon Zako Çajupit nuk kanë shkruar asnjë rresht për Eugjeninë, gruan që do të frymëzonte një nga vajet më të bukura të shkruara në historinë tonë letrare. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta do ta zhyste në trishtim shkrimtarin, i cili nuk ngurron të hedhë në letër fjalët e zemrës, duke shkruar: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë / Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë / Shumë vjetë u bënë sot u mbushën dhjetë / Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!” (Vajë).

Brojka, vajza e ndrojtur shkodrane, është një ndër të parat që tregon se në letërsinë shqipe ka pasur jetë. E fshehur për vite me radhë në sirtarët e familjarëve të poetit, lidhja e saj me Migjenin është bërë publike vetëm pak kohë më parë, në një biografi të hartuar nga Skënder Luarasi. Dashuria mes tyre ka qenë e fortë. Kjo ndihet edhe në letrat që Brojka ia dërgon së motrës së tij Ollgës, teksa i rri pranë të vëllait në spital. Ja çfarë i shkruan ajo: “Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje, sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se ç’duhet të them ty, sepse unë gjithmonë kam thënë diçka, ai m’u përgjigj: ‘Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato qoftë edhe për një çast të mendojnë se unë dashurinë time ia fal dikujt tjetër përveç tyre’. Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është e një lloji tjetër dashurie, entuziazëm që nuk e gjen shpesh në jetë e se ju motrat e tija do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. E unë përkundrejt tij kam qenë mund të them lirshëm, shumë e kujdesshme. Kur ma shfaqi dashurinë për herë të parë përmes një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë, se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj”.

Ja çfarë i shkruante Migjeni asaj në një letër: “Ti je kundër meje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa engjëlli që nuk ekziston. Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.

Djaloshi që nisi studimet për letërsi në Athinë ka pasur një nga jetët më interesante deri në hyrjen e komunizmit në vend. Përpara se të merrte anijen për në Marsejë më 1937-n, ai ndalon në Itali të takohet me Migjenin… Më pas, përmes Mesdheut mbërrin në Marsejë e ndalon në Paris për të takuar Llazar Fundon e Ali Kelmendin dhe u bashkohet Brigadave Internacionale me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë në Valencia, ku ishte dhe Hemingueji, Pablo Neruda etj. Dy nga romanet më të bukura të letërsisë sonë e kanë zanafillën nga kjo periudhë e shpenguar në jetën e shkrimtarit. Aty ka lindur dhe Ana dhe Anita, dy femrat personazhe te Nata e Ustikës dhe Hasta la vista. Por, për fat të keq në ditarin e shkrimtarit nuk shohim asnjë takim dashurie të kësaj kohe. Ajo çfarë dihet zyrtarisht është martesa e tij me piktoren Safo Marko, me të cilën pati dy fëmijë dhe një jetë aspak të lehtë nën komunizëm.

Historitë e fshehura të dashurisë apo tradhtia, flirtet e vogla që mund të ndodhnin në jetën e secilit as që mund të mendoheshin të hidheshin në letër gjatë komunizmit, ku vetë erosi mungonte në letërsi. Pas viteve ‘50 e deri në fillim të viteve ‘90 e gjithë letërsia është pothuajse e zbrazur nga histori të tilla. Ato mund të ndodhnin në jetë, por jo në letra. Në biografitë zyrtare të shkrimtarëve shqiptarë të asaj periudhe qoftë edhe në Wikipedia, ndryshe nga shkrimtarët e huaj nuk jepet me kë kanë qenë të martuar. Megjithatë, bashkëshortet e shkrimtarëve të kësaj periudhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë që ata shkruan.

Le ta nisim me Lasgushin. Nafija, vajza brune nga Durrësi, do ta dashuronte menjëherë poetin. Ajo ishte njohur më parë me vargjet e tij aq sa padurimi i zemrës për takimin e radhës. Nafije Mema, e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Letrat e tyre të dashurisë janë botuar së fundmi nga të bijat. Por, ana tjetër intime e Lasgushit, ajo e studentit në Grac apo të riut të gjatë veshur me kostum në Tiranën e atyre viteve apo poetit më vonë, pothuajse nuk ekziston.

Dhimitër Shuteriqi, një ndër shkrimtarët më prodhimtarë pas viteve ’60, njihet dhe për lidhjen e fortë që pati me bashkëshorten Mynever. Vajza me flokët e drejtë nga Elbasani nuk do të ndahej asnjëherë prej tij që kur u njohën në kohë lufte. “Kemi punuar në një nga fshatrat më të thellë, sepse ne ishim te shtypi ilegal. Që nga kjo kohë kemi punuar bashkë, ku unë isha redaktore, ai ishte kryeredaktor. Kur unë isha punonjëse e propagandës në Elbasan, ai ishte shef. Edhe këtu në Tiranë ai u interesua që unë të isha brenda këtij kuadri, që të merresha me shtypin e me botimet dhe kam punuar me shtypin e botimet gjithë jetën time. Kam qenë në Komitetin Qendror të Partisë në sektorin e shtypit, pastaj kam qenë zv/drejtore e shtëpisë botuese ‘8 Nëntori’. Kam qenë gjithnjë afër veprimtarisë shkencore të Dhimitrit”, kujton ajo në një intervistë pas ndarjes së tij nga jeta.

Mynever ka kontribut në historinë e librave biografikë, duke sjellë për herë të parë në historinë e botimeve tona një libër mbi jetën e saj me Shuteriqin, Një jetë me dashuri, duke ndjekur shembullin e bashkëshorteve të shkrimtarëve të njohur në botë, si Ana Dostojevska apo të tjera. “Në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj pak të valëzuar, fytyrë e bardhë e fisme, buzë mishtore me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa nën syzet e vogla me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t’i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m’u duk se më drejtohej mua”, shkruan ajo.

Dritëro Agolli hyn te shkrimtarët ku tragjedia njerëzore, siç ishte prishja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, do të bënte të ndahej përgjithmonë nga gruaja e tij Nina ruse, me të cilën kishte edhe një djalë. Martesa e mëvonshme me Sadijen dhe lindja e dy fëmijëve, një djali e një vajze, do ta mbulonte me heshtje këtë histori, për të cilën dhe vetë shkrimtari preferoi të mos fliste. Do të ishte bukur të kishim nga ai ditarë apo letra nga kjo periudhë e ndarjes apo njohjes me Ninën, apo histori të tjera kur si gazetar i ri udhëtonte në krahina të ndryshme të vendit. Agolli është një ndër shkrimtarët që ka folur më shumë mbi tradhtinë në tregimet e tij. Te Zhurma e erërave të dikurshme ne takojmë femra jo të lumtura në jetën bashkëshortore, të cilat udhëtojnë deri në Tiranë për të takuar gazetarin e ri, që një ditë kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Tregimet e Agollit tregojnë se asnjëherë nuk e dimë kur mund ta takojmë lumturinë.

Njohja me Sadijen duket se do të sjellë gëzim në jetën e shkrimtarit. Vetëm pak kohë më parë është botuar libri Dashuri në kohën e Krishtit me letrat e dashurisë që ata ia dërgonin njëri-tjetrit nga njohja gjatë jetës martesore. Ky libër e pasuron kolanën e rrëfimeve të munguara në këtë gjini në letërsinë tonë dhe, nga ana tjetër, na sjell jetën tjetër të Agollit, atë të pasionantit dhe të dashuruarit me gruan që ndan jetën.

Çifti Helena dhe Ismail Kadare janë një ndër çiftet më interesantë në letrat shqipe. Biondja me sytë e bukur nga Elbasani do të dashurohej me studentin shqiptar në Rusi që kur i lexoi vargjet e para. Më pas ajo i shkroi një letër, pa e menduar se kjo do të ishte letra e parë e një morie letrash që do t’i shkruante më pas gjatë bashkëjetesës së tyre. Fjalia e Dhimitër Xhuvanit, që në atë kohë ishte student në Rusi bashkë me Kadarenë, se vajza që ka shkruar letrën është më e bukur se në fotografi, duket se do të ndizte shkëndijën e parë të një raporti dashurie që vazhdon ende edhe sot. Çifti Kadare, ashtu si me letërsinë që shkruan, por edhe me jetën e tyre, do të ndikonin në emancipimin e shoqërisë.

Fakti që Helena ishte shkrimtare e një nga autoret femra më të talentuara pas viteve ‘70, e bënte ta kuptonte më lehtë jetën plot trazime të shkrimtarit. Ajo diti t’i jepte atij dimensionin e lirisë, kaq i nevojshëm për shkrimin, duke ia bërë më të lehtë jetën në diktaturë. Disa vite më parë ajo botoi librin autobiografik Kohë e pamjaftueshme, ku tregon jetën e saj përkrah Kadaresë. Një libër, i cili e çon lart nivelin e botimeve të kësaj natyre në historinë letrare, pasi Helena nuk ngurron të tregojë çdo gjë interesante rreth gjeniut, pa fshehur dhe rastet ku femra të tjera kanë hyrë mes tyre duke e bërë të ndihet “xheloze”. Po vetë Kadare është ndër shkrimtarët më të hapur për sa i përket jetës private. Në librin Ftesë në studio ai nuk ngurron të tregojë pasazhe, copëza dashurish të jetuara në kohën e studimeve në Rusi, letra që ua dërgonte vajzave ruse apo ato çfarë i shkruanin ato duke bërë që për herë të parë një shkrimtar shqiptar të flasë hapur për intimitete të tilla, për të cilat lexuesi është kaq kurioz. Ja çfarë i shkruan Ljuba C., një vajzë me të cilën kishte dalë disa herë:

Që kishe në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli, këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj te ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njëlloj si të pije çaj me djallin. Këto, këto fjalë të nënës sime, e cila njëlloj si unë, e ndien veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj, dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes. Nuk mjaftonte sjellja mospërfillëse ndaj prindërve të mi, kur ti mezi iu përgjigje pyetjeve të tyre me nga një “po” ose një “jo” të thatë, sikur të ishe një zotëri i madh, por duhej të dërgoje edhe atë shëmti. Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës, termat e së cilës pa kurrfarë turpi i krahasoje me sëmundjet veneriane, për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjej në fund, duke e parë se me prindërit e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha: “Zoti e ndjeftë!”. Më vjen turp, shumë turp, që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba (Ftesë në studio).

Një tjetër bashkëshorte e bukur e letrave shqipe është Eftipia, gruaja e Mitrush Kutelit. Vajza elegante nga qyteti i Korçës pëlqente të vishej bukur e me stil. Njohja me Kutelin ishte gjëja më e bukur në jetën e saj. Ajo ra në dashuri pa e ditur se jeta përkrah këtij burri nuk do të ishte e lehtë. Janë të njohura letrat që ai i dërgonte asaj, sidomos gjatë kohës kur ishte në burg. Kaq afër jemi, por kaq larg, / Të lutem mos më prit / Na ndajnë terre rreth e qark / Dhe yll për mua s’ndrit. /MAPO / KultPlus.com

Rama: Muzeu Hebarik në Vlorë, një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve

Në Tiranë u prezantua sot projektit fitues për Muzeun Hebraik Shqiptar, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”, muze që do të hapet në Vlorë dhe do të tregojë të dokumentuar historinë e rrallë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve në vitet e errëta të Holokaustit.

Në ceremoninë e prezantimit të projektit fitues të Muzeut Hebraik Shqiptar, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan per Zhvillim, Michael Granoff, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, etj.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “është një nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë një muze i një historie e të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma”.

“Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e madhe për të pasur vetëm një muze ashtu sikurse lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi dhe një adresë sa i përket historisë së kësaj lidhje”.

Në fjalën e tij, Kryetari i AADF, Granoff theksoi se “nëse ka një mësim që mund të marrim nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhur me besën, shembulli është se çfarë mund të ndodhë sot në botë dhe mjafton të lexoni gazetën për të parë se çfarë nuk po ndodh në botë sot”.

“Ky muze ka mundësinë dhe potencialin të jetë simbol që mund të bëjë krenar njerëz në të gjithë botën. Është një shembull që shqiptarët jo vetëm të mësojnë diçka për historinë e tyre, por edhe diçka që ta kenë krenari dhe mundësi që njerëzit të vizitojnë Shqipërinë dhe të mësojnë diçka mbi trashëgiminë kulturore të këtij vendi që mbase nuk e dinin se ekzistonte”, tha Granoff.

Sipas tij, ky muze do të përfshihet në listën e çdo personi që vjen e viziton Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese, një vend rrëfimi për historitë edhe të atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i vogël i popullsisë as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbushur plot me dashuri për njeriun”.

“Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptareve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri”, nënvizoi Margariti.

Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë.

Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit./ KultPlus.com