Një mesazhi që do t’ju emocionojë dhe motivojë shumë.
Nëna ime thoshte përherë: “Mos lejo që tiganët e shtëpisë tënde të shndrijnë më tepër se ti. Mos e merr kaq seriozisht pastrimin e shtëpisë tënde. Kur unë u shndërrova në një amvisë, kaloja 24 orë të ditës duke u kujdesur që gjithçka të ishte e pastër dhe në vendin e duhur “në rast se do të më vinte ndonjë në shtëpi”. Më pas kuptova se të gjithë njerëzit janë shumë të zënë në punët e tyre, shëtisin, argëtohen, punojnë dhe e shijojnë jetën. Nëse dikush të vjen në shtëpi papritur, nuk ke pse ia shpjegon historinë e shtëpisë tënde. Njerëzit nuk janë aspak të interesuar të dinë se si e kalon ditën. Ata jetojnë jetën e tyre, pa ua ndjerë shumë për punët e shtëpisë tënde.
Jeta është e bukur, argëtohu! Pastrojeni pluhurin, nëse është e nevojshme. Por gjej edhe kohë për të vizatuar një figurë, për të shkruar një poezi, për të shëtitur me një mik apo mikeshë, për të gatuar diçka që të pëlqen, për të ujitur lulet… Gjej kohë për të pirë një birrë, për të notuar në plazh (ose pishinë), për t’u ngjitur në një mal, për të luajtur me kafshët shtëpiake, për të lexuar libra dhe për të shijuar jetën.
Pastrojeni pluhurin, nëse është e nevojshme, por jeta vazhdon jashtë. Mendo se kjo ditë nuk do të kthehet përsëri. Pastro, nëse e sheh të nevojshme, por mos harro se do të plakesh dhe se shumë gjëra që mund t’i bësh tani, nuk do të jenë të lehta për t’i bërë kur të plakesh. Dhe kur të largohesh nga kjo jetë, siç do të largohemi të gjithë, edhe ti do të shndërrohesh në pluhur! Askush nuk do ta kujtojë se sa fatura ke paguar, se sa herë e ke pastruar shtëpinë, por do të kujtojnë miqësinë me ty, momentet e tua të lumtura dhe mësimet që u ke dhënë”. / KultPlus.com
Kjo është vrima e zezë gjigante që jeton në qendër të galaktikës sonë, e fotografuar për herë të parë.
I njohur si Shigjetari A*, objekti është katër milionë herë më i madh se masa e Diellit tonë.
Ajo që shihni është një rajon i errët qendror ku ndodhet vrima, e rrethuar nga drita që vjen nga gazi super i nxehtë i përshpejtuar nga forcat e pafundme gravitacionale.
Për shkallë, unaza është afërsisht sa madhësia e orbitës së Mërkurit rreth yllit tonë.
Kjo është rreth 60 milion km, ose 40 milion milje, gjerësi.
Për fat të mirë, ky përbindësh është shumë larg – rreth 26,000 vite dritë në distancë – kështu që nuk ka asnjë mundësi që ne të kemi ndonjë rrezik.
Imazhi është prodhuar nga një ekip ndërkombëtar i quajtur bashkëpunimi i teleskopit të horizontit të ngjarjeve (EHT).
Është imazhi i tyre i dytë i tillë pasi publikuan në 2019 një foto të vrimës së zezë gjigante në zemër të një galaktike tjetër të quajtur Messier 87, ose M87. Ai objekt ishte më shumë se një mijë herë më i madh në 6.5 miliardë herë më shumë se masa e Diellit tonë.
“Por ky imazh i ri është i veçantë sepse është vrima jonë e zezë supermasive,” tha Prof Heino Falcke, një nga pionierët evropianë pas projektit EHT.
“Kjo është në ‘oborrin tonë të shtëpisë’, dhe nëse doni të kuptoni vrimat e zeza dhe si funksionojnë ato, kjo është ajo që do t’ju tregojë sepse ne e shohim atë në detaje të ndërlikuara,” tha shkencëtari gjermano-holandez nga Universiteti Radboud Nijmegen për BBC News./ KultPlus.com
Aktori, shkrimtari, prezantuesi dhe aktivisti politik, Anthony Robinson po qëndron këto ditë në Prishtinë.
Robinson u prit sot nga i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dhuroi atij figurën e Hyjneshës në Fron dhe e shpalli ‘Ambasador Kulturor’ të Prishtinës.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Sir Anthony Robinson: një aktor, shkrimtar, prezentues e edhe aktivist politik! Patëm nderin ta kemi sot në Odën e Kryeqytetit.
Sir Robinson ka përzgjedhë Prishtinën tonë për projektin filmik të rradhës, e në shenjë mirënjohjeje, përveç se i dhuruam figurinën e Hyjneshës në Fron, e cila është simbol i qytetit tonë, Sir Robinsonin e shpallëm ‘Ambasador Kulturor’ të Kryeqytetit. ./ KultPlus.com
Një sërë eventesh dedikuar punës dhe veprimtarisë së organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në vend, po zhvillohen përgjatë datave 7-16 maj, në kuadër të “Javës së shoqërisë civile në Shqipëri”.
Në aktivitetin e organizuar nga Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile ishte sot e pranishme edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
“Java e shoqërisë civile në Shqipëri” synon krijimin e një hapësire për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, si katalizatorë të ndryshimeve pozitive në shoqëri, për t’u bërë bashkë, diskutuar dhe krijuar zgjidhje dhe veprime të përbashkëta në të ardhmen.
Tematika e kësaj jave për këtë vit është “Të rinjtë në veprim” dhe në kuadër të kësaj jave po organizohen 70 aktivitete rajonale në mbi 20 qytete me fokus të rinjtë./atsh/ KultPlus.com
Te rrosh është dhimbje, Është dhimbje vertet! Ngrysesh, gdhihesh i zgjuar a në ëndërr S’e di se c’të ndodh, a c’te prêt. Dhimbje të ecësh i vetëm në rrugë, Këpucet e tua të ndjesh, Dhimbje të hash pak supe e pak bukë, Të presësh me dhëmbë një presh. Dhimbje të ndjesh një sharje pas shpine Nga një udhëtar qe s’e njeh, Dhimbje kur miqtë s’ta shkelin shtëpinë Dhe s’duan të dinë si je./ KultPlus.com
Të paktën 100 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e luftës në Ukrainë në harkun kohor prej një muaji.
“Me çdo ditë që pason, gjithnjë e më shumë fëmijë të Ukrainës ekspozohen ndaj horroreve të kësaj lufte. Vetëm në muajin që shkoi, OKB ka verifikuar që thuajse 100 fëmijë janë vrarë dhe ne besojmë se shifrat e vërteta mund të jenë akoma më të larta.”
Deklarata e mësipërme u bë nga drejtori ekzekutiv i UNICEF, Omar Abdi gjatë një mbledhjeje e Këshillit të Sigurisë në Ukrainë.
“Të paktën 15 nga 89 shkolla të mbështetura nga UNICEF në lindje janë dëmtuar ose janë shkatërruar që në fillim të luftës. Me qindra shkolla rreth e qark vendit thuhet se janë goditur nga artileri e rëndë dhe sulme ajrore në zonat e populluara….Kjo situatë ka një impakt afatgjatë tek fëmijët dhe mundësisë që ata kanë për t’iu rikthyer edukimit,” thuhet më tej. /abcnews/ KultPlus.com
Presidenti i Republikës Ilir Meta çmoi Profesor Doktor Fatmir Shehun me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të meritave të jashtëzakonshme dhe kontributit të drejtpërdrejt në revolucionarizimin e teknologjisë së shpimit të puseve të naftës dhe gazit në vendin tonë, në vitet ‘80-të. Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur shkencore, për promovimin e palodhur në përhapjen dhe aplikimin e dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, si dhe për kontributin e madh të dhënë në formimin e brezave të inxhinierëve të rinj të vendit.”
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe kolegëve të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për vlerësimin e një inxhinieri dhe profesori të nderuar, një personalitetit të shquar të shkencës shqiptare e të industrisë së naftës, Prof. Dr. Fatmir Shehu.
Profesor Shehu ka lindur në zonën e Fierit, ku shumë familje e kishin të lidhur punën dhe jetën me naftën dhe gazin. Kështu ndodhi edhe me të.
Vetëm 14-vjeç ai hyri në botën e naftës, përmes studimeve në shkollën e mesme ‘Teknikumi i Naftës’ Kuçovë, për të vazhduar dhe përfunduar më pas, Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, si inxhinier i shpim-përpunimit të vendburimeve të naftës e gazit.
Si inxhinier i ri filloi punë në kantier, por brenda tij kishte pasionin e fortë për shkencën dhe studimet shkencore. Ky pasion solli emërimin e tij, në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Naftës e Gazit, të krijuar në qershor të vitit 1965 në Kuçovë.
Fillimi i punës në këtë Institut, solli edhe fillimin e studimeve të thelluara dhe intensive të inxhinier Shehut në fushën e shkencës e teknologjisë së shpimit të puseve në vendin tonë, që deri në atë moment kishte mbetur në koncepte dhe me praktikë të prapambetur.
Studimet e vazhdueshme dhe të pandërprera të literaturës së huaj, si dhe studimet e shumta laboratorike, arritën të sjellin identifikimin nga ana e inxhinier Shehut të disa nga arsyet dhe vështirësive të shpimit në vendin tonë.
Përtej kësaj, më e rëndësishmja ishte përcaktimi apo gjetja e ‘kurës’ së duhur për zgjidhjen dhe kapërcimin e problematikave të shpim-kërkimit, në të gjitha vendburimet e naftës e të gazit të zbuluar dhe po ashtu, ulja e kostove dhe pa avari teknologjike e shpim-kërkimit të puseve të reja.
“Inxhinier Shehu ka një meritë të jashtëzakonshme shkencore, me rreth 165 studime shkencore dhe laboratorike, në zbulimin e fenomeneve të reja e të panjohura të formacioneve me presione shumë të larta, si dhe zbulimit të metodave dhe mekanizmit teknologjik të kapërcimit të problematikës së tyre”, u shpreh Meta.
Ky zbulim bëri të mundur shpimin e puseve të shumta për gaz, në zona dikur të pakapërcyeshme dhe që kulmon me projektimin e teknologjisë së shpimit dhe të realizimit, në pusin me thellësi 6700 metra, në Ardenicë.
Kjo solli një sukses të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë tonë, duke e renditur ato ndër më bashkëkohoret, në krahasim edhe me vendet më të zhvilluara të naftës, në sektorin e shpimeve.
Aktiviteti dhe veprimtaria shkencore e botuese e Profesor Shehut ka qenë shumë e gjerë dhe e gjithanshme.
“Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehej në mirëqenie vendin dhe për çdo qytetar. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton, nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare”, përfundoi Meta./ KultPlus.com
Tipologjitë e objekteve kulturore të qytetit të Prizrenit’’ titullohet ekspozita e çelur sot në qytetin e Beratit nga QRTK Prizren dhe DRTK Berat.Kjo ekspozitë u hap në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim të lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.
Nëpërmjet fotografive dhe skicave u prezantuan 21 monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit që përshkruajnë evoluimin e trashëgimisë arkitekturore nga antikiteti e deri tek shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX.
Aktiviteti informoi qytetarët e Beratit për vlerat dhe potencialin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe solli rritjen e bashkëpunimit kulturore e shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet stafeve të trashëgimisë kulturore të dy vendeve.Në aktivitet morën pjesë deputeti i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi dhe përfaqësues të institucioneve të qytetit të Beratit./atsh/ KultPlus.com
Ekipi kosovar, Bad News Eagles e ka fituar map-in e dytë me rezultat 16:8 dhe e kanë barazuar në 1:1 rezultatin e përgjithshëm ndaj “MIBR” nga Brazili.
MIBR arritën të mposhtin ekipin kosovar në “Nuke” me rezultat (13:16), por që u mposhtën në Ancient.
Pas fitores së tyre reagoi edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili i cilësoi ata si legjenda.
“Zonja dhe Zotërinj, më lejoni më lejoni t’ju prezantoj me legjendat tona”- ka shkruar ministri Çeku në Twitter./ KultPlus.com
Ekipi kosovar, Bad News Eagles e ka fituar map-in e dytë me rezultat 16:8 dhe e kanë barazuar në 1:1 rezultatin e përgjithshëm ndaj “MIBR” nga Brazili.
MIBR arritën të mposhtin ekipin kosovar në “Nuke” me rezultat (13:16), por që u mposhtën në Ancient, shkruan Gazeta Express.
“Bad News Eagles” e nisen ndeshjen në mënyrë fenomenale duke fituar tetë raunde radhazi, por “mibr” ishin më të përgatitur në mapin që zgjodhën.
Ndërkohë në “Ancient”, BNE fituan shumë pikë në T Side dhe me lehtësi triumfuan në fund 16:8.
Tani, terreni vendimtar është në “Vertigo” dhe ekipi që fiton 16 raunde kalon në “Legends Stage”./ KultPlus.com
Një 89-vjeçar i mbijetuar i Holokaustit ka treguar më në fund historinë e tij, 77 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, transmeton KultPlus.
Léon Placek, i cili jeton në Paris, ka nxjerrë një libër të titulluar I Was 10 Years Old in Bergen Belsen – një kujtim i kohës së tij në kampin nazist të përqendrimit në Gjermaninë veriore.
Pasi i mbijetoi një prej kapitujve më të tmerrshëm në historinë njerëzore, Léon fillimisht nuk donte të tregonte historinë e tij. Ishte presioni i njërit prej djemve të tij që e bëri atë të pranonte të tregonte përvojat e tij.
Placek i tha AFP: “Më ngacmoi për dy javë! U dorëzova.”
Placek, një kontabilist i autorizuar që ende praktikon me firmën e tij Placek & Apelbaum, fillimisht qëndroi përballë një grupi nxënësish të shkollës së mesme për të treguar historinë e tij.
Më pas, me ndihmën e gazetarit Philippe Legrand, ai shkroi dëshminë e tij. Në libër, ai flet për pasigurinë e tij për të folur deri tani: “Ne ishim si të huaj, duke u kthyer nga një botë nga e cila në përgjithësi nuk kthehet. Unë hezitova për një kohë të gjatë për të thyer këtë heshtje… Fjala ime? Pse ta them? A do të ketë peshë kjo fjalë? Çfarë mund të them?”
Dëshmi të pathëna
Pothuajse tetë dekada mund të duken një kohë e gjatë për të pritur për të treguar një histori, por nuk është e pazakontë midis të mbijetuarve të Holokaustit, shumë prej të cilëve donin të ecnin përpara pas luftës dhe të mos diskutonin atë që kishin jetuar.
Për më tepër, siç thekson profesori i letërsisë franceze Dominique Moncond’huy në librin e tij The Human Species and Other Writings from the Camps, kur njerëzit dolën përpara, dëshmitë shpesh trajtoheshin me indiferencë ose mungesë kuptimi.
“Asgjë, pa dyshim, nuk mund të ishte më e dhunshme për të mbijetuarit, në shqetësimin e kthimit mes të gjallëve nga të cilët i ndante një distancë e pakalueshme, sesa të vihej re se zëri i tyre nuk u dëgjua”, shkruan ai.
Megjithë vështirësinë e natyrshme për të treguar këto histori traumatike, disa të mbijetuar të Holokaustit kanë botuar kohët e fundit kujtime, ndoshta me vetëdijen se pas 77 vjetësh, numri i tyre po pakësohet.
Lili Keller-Rosenberg, një tjetër e mbijetuar e Bergen Belsen, botoi And We Returned Alone vitin e kaluar në moshën 88-vjeçare. Ajo tha se për herë të parë ia tregoi historinë e saj një grupi studentësh në vitin 1983, por gjeti guximin për ta bërë atë në letër kohët e fundit.
“Unë nuk fle më”, shkruan ajo në librin e saj. “Nuk jemi më të shumtë, të dëbuarit. Në Hauts-de-France [rajoni më verior i vendit], unë jam i mbijetuari i fundit që mund të dëshmoj ende.”
Génia Obœuf, një e mbijetuar e kampit të përqendrimit të grave në Ravensbrück, nëpër të cilin kaloi edhe Keller-Rosenberg, vdiq në moshën 98-vjeçare përpara publikimit të kujtimeve të saj më vonë këtë muaj të titulluar Génia et Aimé.
Julia Wallach, një e mbijetuar e Aushvic-Birkenau, priti deri në moshën 96-vjeçare përpara se të publikonte historinë e saj. Romani i saj, God Was on Vacation, i bashkëshkruar me Pauline Guéna, do të publikohet këtë nëntor.
“Edhe tani, e kam të vështirë të tregoj historinë time,” thotë ajo. “Mbërritja në Birkenau! Edhe tani, i kam ende të qarat në vesh.”/KultPlus.com
Shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, vjen në këtë pranverë letrare me romanit e tij të ri, me titullin “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”.
Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.
Në këtë roman me theks të veçantë historik, si rrallëherë, tematikë qendrore do të jenë shqiptarët vendas ortodoksë të Ohrit, prania, andrallat jetësore dhe gjurmët e tyre në këtë qytet kaq të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të gadishullit tonë, e më gjerë.
Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, që gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani shtjellohen sakaq ngjarjet, jeta, peripecitë, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë Azovit të largët, ku sot janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit rus, viset ukrainase./KultPlus.com
Aktori Robin Parkinson, i njohur për rolet e tij në serialet televizive si ‘Allo ‘Allo! dhe si rrëfyes i emisionit për fëmijë Button Moon, ka vdekur në moshën 92-vjeçare, transmeton KultPlus.
Parkinson luajti Monsieur Ernest Leclerc, një aktor i rregullt në ‘Allo’Allo! në 1991 dhe 92.
Vicki Michelle bëri homazhe, duke e përshkruar atë si “një burrë me të vërtetë i dashur”.
Aktori ishte gjithashtu një fytyrë e njohur për paraqitjet e tij në komeditë, duke përfshirë Dad’s Army, The Young Ones, Rising Damp, Hi-de-Hi! dhe The Two Ronnies.
Ai u shfaq gjithashtu në episodet e The Liver Birds, Terry and June, Whatever Happened to the Likely Lads?, It Ain’t Half Hot Mum dhe The Brittas Empire.
Në një deklaratë nga familja e tij thuhet: “Robin Parkinson, aktori, i njohur për ‘Allo’Allo dhe si zëri i Button Moon, ka vdekur paqësisht në moshën 92-vjeçare me gruan dhe vajzat e tij në krah.
Ai ishte zëri i të preferuarit të fëmijëve të viteve 1980, në të cilin personazhet e bërë nga enët e kuzhinës udhëtonin në një Hënë të bërë nga një buton në një raketë të bërë nga një tepsi me fasule të pjekur.
Ai gjithashtu u shfaq në skenë në West End dhe rreth Britanisë së Madhe, dhe në vitet 1980 në reklama televizive për Tunes dhe Babycham./KultPlus.com
Ekipi kosovar – “Bad News Eagles” e kanë nisur ndeshjen vendimtare për kualifikim tutje në turneun më të madh në botë, ‘PGL Major’ i cili po mbahet në Antwerp të Belgjikës.
Ata do të përballen me ekipin ‘mibr’, të cilët radhiten në vendin e 25-të në ranglistën botërore (një vend më lart se ekipi kosovar).
Ndeshjen mund ta ndiqni LIVE me komentim shqip nga streameri ‘xhocii’ duke klikuar: KËTU – VIDEO
Formati i kësaj ndeshjes është ‘bo3’. “Bad News Eagles” kanë zgjedhur “Ancient”, teksa “mibr” kanë zgjedhur “Nuke” për të luajtur ndeshjen e parë, në rast se rezultati i përgjithshem i dy terreneve të para është (1:1), ata do të luajnë në “Vertigo”.
Ekipit fitues i duhen dy fitore në dy terrene të ndryshme, për ta fituar komplet ndeshjen.
Ndeshja e tyre ishte paraparë të fillojë rreth orës 15:45, por orari ka ndryshuar një orë më herët për shkak të përfundimit më herët të ndeshjes që ishte nga ora 12:00. Por, që u shtye sërish për 10 minuta dhe ata startuan në 14:55./GazetaExpress / KultPlus.com
Grupi teknologjik dhe industrial gjerman, Siemens AG, ka thënë se do të ndalë plotësisht operacionet në Rusi dhe do të largohet nga ky treg për shkak të pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Në një deklaratë të lëshuar më 12 maj, kompania multinacionale ka thënë se ka nisur “procedurat për të ndalur operacionet dhe aktivitetet biznesore” në Rusi.
“Ne e dënojmë luftën në Ukrainë dhe kemi vendosur të ndalim aktivitetin tonë biznesor në Rusi. Ky nuk ka qenë vendim i lehtë, duke marrë parasysh detyrën tonë për t’u kujdesur për punëtorët tanë dhe marrëdhënien afatgjatë me konsumaorët, në një treg ku kemi qenë aktivë për gati 170 vjet”, ka thënë presidenti i kompanisë, Ronald Busch, duke shtuar se “ne jemi duke ofruar ndihmë humanitare për kolegët tanë dhe njerëzit e Ukrainës dhe i bashkohemi komunitetit ndërkombëtar në thirrjet për paqe”.
Prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt, qindra kompani nga e gjithë bota janë larguar nga tregu i Rusisë.
Siemens më herët ka pezulluar aktivitetet biznesore në Rusi dhe Bjellorusi, e cila i ka ndihmuar Kremlinit në luftë.
Në Rusi, Siemens ka prodhuar pajisje shtëpiake.
Ajo ka prodhuar edhe trena elektrikë në një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë inxhinierike hekurudhore, Ural Locomotives dhe ka ofruar mbështetje teknike për trenat e shpejtë elektrikë, Sapsan, të prodhuar nga Rusia./REL / KultPlus.com
Do të kishte mbetur ndoshta e pashkruar historia e profesorit të psikologjisë sociale Fedor Fedorovich Shandor, në qoftë se një koleg i tij mos të kishte shkrepur një fotografi gjatë njërës prej leksioneve të përditshme që profesori po jep, duke e shndërruar atë pothuajse në një në hero kombëtar.
Kolegu i tij nuk është ndonjë profesor i universitetit të Uzhhorodit ku ai punon, por ushtari që ka pranë në llogoren e Izyum, në Donbas, një nga fushëbetejat më të ashpra në luftën e përgjakshme që po ndodh në Ukrainë.
Profesori nuk kishte qenë kurrë pjesë e ushtrisë, por më datë 24 shkurt, kur forcat ruse filluan pushtimin e vendit, hyri si vullnetar i brigadës së 101 të Transkarpacisë, rajonit jugperëndimor ukrainas, dhe më pas u transferua në Donbas.
Por bashkë me automatikun e tij, ai nuk harroi edhe smartphonin ku ka shkarkuar tekstet akademike, dhe nga ku çdo ditë mban leksione të rregullta nxënësve të tij, gjithmonë e më shumë të pranishëm dhe nga momenti që mësuan në çfarë situatë të vështirë ndodhet ai.
“Ndonjëherë leksioni ndërpritet nga shpërthimet, i them nxënësve pritni një minutë, dhe më pas rikthehem. Është një fushë, ajo e imja, shumë e specializuar, nuk mund të më zëvendësojnë kollaj”, thotë profesor Shandor.
Profesori-ushtar ka një marrëveshje me eprorët e tij ushtarakë për të luftuar vetëm nga ora 4 deri në 8 të mëngjesit ditën e hënë dhe të martë, në mënyrë që të japë leksion nga ora 8 deri në 12. “Nuk i marr orë luftimit, i marrë orë pushimit dhe gjumit”, saktëson profesori, i cili siguron se semestrin do ta mbyllë ai. Studentët e tij, ndërkohë, shpresojnë dhe luten që ta shohin edhe në sezonin e ardhshëm, por nga bankat e universitetit të tyre. /A2CNN / KultPlus.com
Romani “Zogjtë e qyqes” nga shkrimtari Gani Mehmetaj është përkthyer edhe në gjuhën frënge, dhe i njëjti tashmë edhe është botuar, shkruan KultPlus.
Romani është përkthyer nga Abidin Krasniqi, brenda shtëpisë botuese në Paris “Fauves Editions”, kurse të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë librin këtu.
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, në fillim të vizitës së saj zyrtare në Lituani, është pritur nga Presidenti i Republikës së Lituanisë, Gitanas Nausėda me të cilin u diskutua hapja e kapitujve të ri të partneritetit në mes të dy vendeve.
Presidentja Osmani ka përmendur historinë e gjatë të popujve tanë në rezistencën e guximshme kundër okupatorëve si dhe kontributin e vendeve tona për një Evropë më paqësore dhe të sigurt.
“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë. ”, ka thënë Presidentja Osmani.
Ndër të tjera, të dy presidentët kanë diskutuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit tregtar. Presidentja Osmani e ka informuar homologun e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke kërkuar përkrahjen e Lituanisë për këtë proces si dhe për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Presidenti Nausėda ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Lituanisë për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe për integrimin euro-atlantik të vendit tonë.
Gjatë qëndrimit në Lituani, Presidentja Osmani do të realizojë takime edhe me Kryeministren e vendit, Ingrida Šimonytė si dhe Kryetaren e Kuvendit Viktorija Čmilytė-Nielsen si dhe do të zhvillojë takime e aktivitete të tjera. / KultPlus.com
Është një ndër paraqitjet më të kërkuara nëpër bare e ambiente të ngjashme, e një format të tillë do ta sjell KultPlus Caffe Gallery, ku sonte, prej orës 19:00 do të shfaqet Stand Up Comedy “Fluturon”, prurje kjo e Gent Shalës, shkruan KultPlus.
“Fluturon” është Stand Up Comedy që do të prezantohet nga Gent Shala, e që ka për qëllim rikthimin e memories në periudhën e pandemisë, situata që sipas Gent Shalës do të prezantohen me petkun e komedisë. Kjo performancë do tu ofrojë një çlirim të gjithë të pranishmëve, gjithnjë duke pas në fokus ballafaqimin tonë përgjatë periudhës së pandemisë. “Duke rikujtuar dukuritë nga këndvështrimi artistik i japim dy mesazhe:-se çdo gjë e çuditshme ka dhe fundin, mbase komik, si dhe gjithashtu prodhojmë art edhe në pubs. Regjisori Genti na sjell premierën e Stand Up Comedy “Fluturon”, me batuta e gjëra se si i ka perjetuar vetë ai.
KultPlus Caffe Gallery ju fton që të jeni pjesë e kësaj mbrëmjeje e cila do të vazhdojë edhe me performancë muzikore, ku do të këndojë Endrit Rexhepi.
Kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kompania “Rugove”, Kompanisë “Jaffa”./ KultPlus.com
Në pamje të parë, realizimi i një filmi mund të duket si një gjë shumë e lehtë për t’u bërë. Gjithçka që duhet të bëni është të mendoni për një ide, të shkruani skenarin, të kontaktoni aktorët dhe të rregulloni gjithçka nga xhirimet deri tek realizimi. Megjithatë, shkopi magjik nuk është i pranishëm kur ju bëni gjëra komplekse, siç është edhe pjesa e realizmit të një filmi. Regjisori dhe producenti, Arben Kastrati, ka arritur t’i rikthehet xhirimeve të filmit të tij “Thank you Hague” përkundër vonesës 3-vjeçare që ndodhi si pasojë e pandemisë, e cila ka ndryshuar nga protokollet e zakonshme deri në rutinën e përditshme, shkruan KultPlus.
Fytyrat e të famshmëve nga bota e industrisë së filmit, kulturës dhe politikës po mblidheshin për të kaluar kohën së bashku dhe për të festuar rikthimin e xhirimeve të këtij filmi.
Regjisori Arben Kastrati deklaroi për KultPlus se si rezultat i pandemisë, është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, pasi disa prej xhirimeve veçse janë realizuar.
“Është një film të cilin e kam filluar para 3 viteve, por për shkak të pandemisë është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, e tani po e vazhdoj, xhirimet me Sir Tony Robinson, e më pas edhe me emra të tjerë të mëdhenj si John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit. Po besoj që xhirimet do t’i përfundojmë deri në korrik, ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me montazh”, deklaroi ai.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendor, siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi etj.
Sa i përket pjesës se kur do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur nëpër kinema të ndryshme botërore, Kastrati beson se viti i ardhshëm do të jetë edhe viti kur ky film do të dalë në publik.
“Nuk e kam me rëndësi në çfarë date të dalë filmi, sigurisht nuk del këtë vit, por po shpresoj që të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm të kompletohet. Qëllimi kryesor është që filmi të shfaqet në arenën ndërkombëtare, në Kosovë ekziston pak optimizëm që do të shfaqet. Nuk kam mbështetje e as nuk kam marr ndonjë mbështetje nga institucionet këtu, unë dua që t’i bëjë Kosovës një nder pasi është shteti i imi”.
Ndërkaq, një nga protagonistët e filmit dhe aktori i njohur britanik, Sir Tony Robinson, është shprehur shumë krenar për bashkëpunimin e tij me Kastratin.
“Këta janë munduar që të më sjellin në Kosovë për një kohë të gjatë, njësoj edhe realizimi i filmit pati shtyerje për shkak të pandemisë. Kohë pas kohe mendoja se kjo gjë do të dështojë por ishte pikërisht Beni që insistoi që filmi të bëhej, nuk e kam njohur atë që nga fillimi. Megjithatë, besimi ynë te njëri tjetri po shtohej dhe pritshmëritë për realizimin e filmit gjithashtu po rriteshin”.
Kjo është hera e parë që Robinson viziton Kosovën, derisa ai ndanë me KultPlus edhe histori se si njerëzit në Mbretëri të Bashkuar kanë paragjykime për njerëzit nga Ballkani.
“Kjo është hera e pare që unë po vizitoj Kosovën dhe ndjehem shumë mirë për këtë gjë. Në përgjithësi ne këtu në Mbretërinë e Bashkuar kemi një lloj injorance për Ballkanin, gjë të cilën e kemi ndjerë qysh nga shekulli 19-të. Ne dimë shumë pak për Kosovën, e dimë vetëm pjesën e luftës, e kjo gjë është shumë e keqe. Nuk dimë asgjë tjetër, kemi bërë gjithçka që të ndihmojmë Kosovën por si një shtet ne kemi humbur kujtesën tonë dhe ta shohësh Kosovën duke bërë emër të madh nëpër botë është ndjenjë e mrekullueshme”.
Aktori britanik ka shtyrë regjisorët kosovar që të realizojnë sa më shumë filma për të treguar historitë e tyre të jashtëzakonshme të cilat ky vend i ka.
“Sipas mendimit tim, artistët kosovarë kanë një qëllim të përbashkët, ta paraqesin historinë e shtetit të tyre sa më mirë që mundën. E di që është e vështirë që të sigurojnë fondet, të realizojnë filmin, por neve na duhen filma që paraqesin historinë e këtij shteti. Njerëz nga e gjithë bota janë të interesuar që të dëgjojnë histori të reja. Njerëzit sot nuk dijnë se çfarë marrëdhënie ka Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar, rolin e Tony Blair në luftë dhe shumëçka tjetër”.
I pyetur në qoftë se filmi do të udhëtojë nëpër botë, Robinson thotë se në qoftë se regjisori nuk e mendon këtë gjë nga fillimi atëherë kjo gjë është e kotë, për çfarë po e bën filmin atëherë.
“Unë mendoj që për një aktor, më e rëndësishmja është ta shohësh skenarin dhe të thuash se, po unë mund ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, e di se aftësitë e mia përkojnë me këtë skenar dhe do ta luajë si duhet. Është një bonus shtesë që me këtë projekt, përpos rolit, kam dashur që të ngre zërin e Kosovës nëpër botë. Është e kotë që unë të jap ndonjë mesazh të veçantë për kineasit në Kosovë, por ajo se çfarë mund të them është që në qoftë se jeni duke kërkuar një aktor britanik atëherë unë jam super i gatshëm për t’iu ndihmuar”.
Ai premton se do të angazhohet pafundësisht që të ngrijë edhe më shumë zërin se Kosova është një vend i veçantë dhe nuk ka si tregim vetëm pjesën e luftës.
“Sot po shijojmë një natë të mirë, kam takuar njerëz të veçantë dhe është ndjenjë e mirë të rrethohesh me njerëz të tillë. Jam gjithashtu shumë i impresionuar dhe i inspiruar nga njerëzit këtu. Pjesa tjetër që do të bëjë në vazhdim është se, në fund do të kthehem në Angli dhe do t’iu them njerëzve wow, unë vizitova Kosovën, le të vazhdojmë të bëjmë më shumë filma”.
Aktorja e cila shënoi rikthimin e saj në film, Blerta Syla Surroi, ka thënë për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që po merr pjesë në një projekt kaq të madh.
“Unë isha pjesë e xhirimeve të pjesës së parë të filmit që fatkeqësisht na u ndërpre për shkak të pandemisë, e sot ndjehem shumë e lumtur që jam këtu duke festuar rifillimin e xhirimeve të skenave të mbetura”.
Të punosh me një njeri me renome botërore sikurse Sir Tony Robinson, sipas aktores, është një tjetër nder i madh.
“Ndjehem edhe shumë e nderuar që të jem këtu edhe me aktorin Anthony Robinson. E përgëzoj Benin për punën shumë të lodhshme që ka bërë, jam e lumtur për projektin e gjithashtu edhe për Benin. Uroj që xhirimet të shkojnë në mënyrën më të mirë dhe i uroj filmit suksese nëpër festivale botërore”.
Sarah Walkin, si pjesë e stafit të Sir Tony Robinson, thotë për KultPlus se kjo është hera e parë që ata bashkëpunojnë me dikë nga Kosova.
“Kosova ka famë të madhe nëpër botë sa i përket pjesës së kinematografisë, kështu e shoh unë. Ka shumë histori të cilat janë paraqitur edhe në televizor, Kosova ka qenë nëpër televizion shumë shpesh”.
Walkin rrëfen se pjesa e skenarit është momenti kyç kur edhe ata vendosën që të merrnin pjesë në këtë film.
“Arbeni na gjeti neve dhe na dërgoi skenarin, ne na pëlqeu ajo se çfarë pamë dhe vazhduam që të bashkëbisedojmë. Në fakt, ne mendonim se ky film nuk do të ndodhte, por në fund megjithatë ai do të realizohet. Pandemia goditi gjithë botën dhe sigurisht në Britani çdo gjë u mbyll të paktën për një kohë, askush nuk mund të punonte. Me kalimin e kohës, projektet vazhduan që të realizoheshin. Të gjithë njerëzit duhej që të bënin lëshime, nuk ishte as faji i producentëve, ne duhej të ishim të durueshëm në kohë të tilla dhe në fund arritëm edhe bashkëpunimin. Në qoftë se nuk do të ndodhte ky bashkëpunim në kohëra të jashtëzakonshme, shumë projekte do të dështonin”, tha ajo mes tjerash.
Aktori tjetër nga Kosova, Xhevdet Doda, është gjithashtu pjesë e këtij projekti që nga fillimi i xhirimeve të para.
“Jam prej fillimit në këtë projekt dhe kur e kam lexuar skenarin fillimisht e rolin që më është ofruar jam ndjerë i gatshëm që të punojë menjëherë. Puna me Benin është e jashtëzakonshme, ky rol gjithashtu më ka mundësuar që të takohem me aktorë me renome botërore”, tha ai për KultPlus.
Arsyeja kryesore pse ky film është vonuar ka të bëjë pikërisht me pjesën se pandemia e ka penguar zhvillimin e tij, e për këtë Doda thotë se pjesën e karantinës dhe pandemisë në përgjithësi e ka shfrytëzuar duke shikuar filma, e sidomos filma të cilat brenda tyre kanë aktorë të rinj dhe jo shumë të njohur nëpër botë.
“Unë mendoj që kinematografia e Kosovës është një lloj “turshie” që po vjen. Sukseset e saja nuk janë si pasojë e fatit ose diçka e tillë, sukseset janë të natyrshme pasi është bërë punë e madhe. Megjithatë, vazhdoj të besoj se suksese edhe më të mëdha do të vijnë së shpejti”.
Industritë e filmit në të gjithë botën kanë shënuar ulje e ngritje të vazhdueshme në dy vitet e fundit, e bashkë me to kanë ndodhur edhe shumë dështime, por jo në këtë rast.
Të bësh filma nuk do të thotë që thjesht të lidhësh një aparat fotografik mbi një aktor, dhe ta drejtosh atë në fytyrën e tyre e t’i ndjekësh gjatë filmit, nuk është ajo çfarë është krijimi i filmave, nuk është ajo për të cilën bëhet fjalë. Regjisori, skenaristi dhe kinematografi amerikan, William Eubank, ka thënë se të bësh një film është sikurse të ndërtosh një orë, sepse një orë është kaq e vogël dhe mund të vendosësh shumë gjëra brenda saj dhe të gjitha pjesët duhet të punojnë vërtet së bashku. /KultPlus.com
Sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nën organizimin e Ministrisë së Sportit, janë mbajtur homazhe për ish boksierin, Xhevdet Peci.
Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendësministrja Daulina Osmani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, drejtues të federatës së boksit, familjarë, ish boksierë të gjeneratës dhe miq të boksierit të ndjerë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në fjalën e tij e vlerësoi lartë figurën e ish boksierit ndërsa u shpreh që ai do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë me krenari.
Kurse ministri Çeku ndër të tjera tha që sot është një ditë shumë e vështirë për të gjithë pasi Xhevdet Peci ka qenë një prej figurave qendrore të sportit në Kosovë dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë ndërsa shtoi që veprimtaria e tij do të kujtohet gjithmonë. / KultPlus.com
Kohëve të fundit, Kosova, është përballur me një rritje të kostos së jetesës. Profesionistë të shëndetit mendor, thonë se inflacioni përveç ndikimit financiar mund të ngarkojë edhe aspektin psikologjik. Kjo varet edhe nga gjendja financiare e individit.
Psikologu Bind Skeja, tregon se rritja e çmimeve shkakton pasiguri në individ, pasi që rrezikohet mundësia për të siguruar kushte bazike për jetesë. Sidoqoftë, thotë që këto stresor zbuten me politika të mira sociale që ndihmojnë qytetarët.
Në këto raste thotë se nuk është përgjegjësia te individi që të ballafaqohet me emocionet e veta në situata me impakt në nivel shoqëror.
“Ndjenjat që na shoqërojnë në situata të tilla janë krejtësisht normale duke pas parasysh ndikimin në jetën tonë, duke përfshirë ndjenjën e revoltimit ndaj institucioneve. Prandaj, përgjegjësia mbetët në institucione që të funksionalizojnë shërbime të shëndetit mendor dhe të implementojnë praktika të mira sociale, në mënyrë që të ulet ndikimi i situatave të tilla në shëndetin mendor të qytetarëve”, tha psikologu Skeja.
Sipas tij, është e vështirë t’i themi dikujt që tash ju ka dyfishuar barra financiare të mos stresohet, apo të mos ketë ankth.
“Përkundrazi, është plotësisht normale, duke pas parasysh presionin. E rëndësishme është që të kthehen apo të shfrytëzohen këto ndjenja, në mënyrë që të luftojnë këtë pabarazi. Organizimi i qytetarëve karshi braktisjes prej institucioneve është vetëm një prej mënyrave që këto ndjenja të jenë produktive, rrjedhimisht edhe të lehtësohen nëpërmjet shprehjes së tyre”, shtoi ai.
Më tej, tregon se shëndeti mendor nënkupton mirëqenien tonë emocionale, psikologjike e sociale dhe thotë se kjo ndikon në aftësitë tona për të përballuar situata stresuese, për racionalizim, e të tjera.
Ai shprehet se problemet e shëndetit mendor janë të llojllojshme, prandaj edhe simptomat shfaqen në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre mund të jenë: disponimi i ultë i vazhdueshëm, pamundësia për të larguar ndjenjën e ankthit.
Edhe sociologu Jeton Brajshori, ndanë të njëjtin mendim, thotë se ngritja e çmimeve ndikon në pasigurinë individuale në veçanti dhe shoqërore në përgjithësi.
Si shkak i kësaj, ndryshon gjendja sociale dhe thekson fillimin e pandemisë, ku ishte krijuar panik e mendohej vetëm për mbijetesë.
“Meqenëse, jemi shteti më i varfër në Evropë dhe një shkallë e lartë e familjeve në asistencë sociale. Kjo gjendje e bën edhe më rëndë jetesën, sepse kosto e lartë e jetesës nuk gjeneron vende të reja pune dhe kështu shkalla e varfërisë shkon duke u rritur dhe dëshira për t’u larguar nga vendi drejt shteteve perëndimore është e madhe për një jetë të sigurt e shtyrë nga faktorët shtytës dhe tërheqës”, potencoi ai.
Brajshori shprehet se jemi popull i cili ka kaluar edhe në situata më të rënda, ngaqë kemi dal nga lufta. Ky është edhe një fakt shtesë që në situata të tilla të reagohet me panik. Kjo tha se ka shkaktuar probleme tjera siç është dhuna në familje.
Një situatë e tillë, ai shton se sjell edhe pasoja të tjera.
“Jo stabiliteti financiar është ndër faktorët kyç edhe të divorceve. Rritja e kostos ndikon edhe në planifikimin familjar, shumë çifte të reja tanimë hezitojnë të kenë fëmijë, jo pse nuk duan por i kanë llogaritur kostot që vijnë më pas. Pa planifikim familjar bie edhe nataliteti, më rënien e natalitetit bie fuqia punëtore, pra, ka efekt zinxhiror që prekë të gjitha sferat shoqërore”, shtoi ai.
Sipas tij, shoqëria duhet ta kuptojë se gjithmonë do të ketë probleme dhe kriza.
“Duhet të tregohemi të matur dhe mos të biem pre e shumë dezinformatave të “fake news” dhe biznismenëve të papërgjegjshëm të cilët jetojnë për situata të tilla duke përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha ai.
Njohësi i sociologjisë, thotë se shteti duhet të bëjë më shumë, të stimulojë ekonomitë e vogla dhe të mesme të cilat gjenerojnë vende pune dhe në këtë mënyrë të zbusin papunësinë.
Gjithashtu, ai mendon, se ne si shoqëri, duhet të mësojmë nga përvojat e kaluara dhe mos t’i përsërisim gabimet e njëjta.
Neuropsikiatri dhe Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi, shprehet se pas pandemisë ajo që e ka përkeqësuar gjendjen edhe më tepër dhe vazhdon ta dëmtojë shëndetin mendor të popullatës është lufta në Ukrainë.
Kjo thotë se i rikujton apo i rikthen ato momente kur kanë ndodhur shkatërrimet në Kosovë, është ritraumatizim.
Pastaj, përmend shtrenjtimet të cilat po ndikojnë në ekzistencën ekonomike të familjes kosovare.
“Frika e krijuar, e akumuluar në popullatë po ndikon shumë negativisht posaçërisht te rinia kosovare të cilët si të vetmen zgjidhje e shohin braktisjen e Kosovës. Një pjesë e madhe e tyre po janë të bindur se nuk vlerësohet në masën e duhur puna e tyre“, shtoi neuropsikiatri.
Pasiguria e shfaqur në këto raste, krijon një ankth të madh i cili është vështirë i përballueshëm.
Nga kjo, shprehet se personi bëhet jo funksional, dalin plot çrregullime të tjera dhe atëherë ka nevojë për një mbështetje dhe ndihmë profesionale.
Tutje ai tregon se si të ruhet shëndeti mendor.
“E kemi një fat shumë të madh që forcat kohezive të familjes kosovare janë ende të ruajtura, ato forca që i mbajnë bashkë anëtarët e familjes mes veti, edhe ndjenja se i përket një familje është diçka që të mbush energji dhe të ndihmon për me qenë i rezistueshëm ndaj traumave me të cilat po ballafaqohemi çdo ditë”, theksoi Rexhepi.
Ai shton se kur individi fillon të ndjehet se ka mbetur i vetmuar, kjo ndjesi i shkakton një dhimbje shumë të madhe psikologjike e cila nuk tejkalohet me aspirin.
Pastaj, thotë se ndjenja që jemi bashkë e jo vetëm është mënyra më e mirë fillimisht që ta mbrojmë veten prej ndikimit të këtyre faktorëve stratogjen të cilët janë prezent në Kosovë.
Në Qendrën e Shëndetit Mendor, Rexhepi thotë se pas pandemisë, numri i klientëve ambulantor është rritur dukshëm të cilët kishin nevojë për trajtim medikamentoz apo për seanca terapeutike që i ofrojnë dy psikologët klinikë të cilët i ka qendra.
Behare Bojaxhiu, psikologe në këtë qendër, thotë se klientët të cilët kërkojnë ndihmë kanë probleme të tilla si dhimbje të kokës, të lukthit, të rrahura të shpejta të zemrës, çrregullime të ushqyerit e të tjera.
Gjatë bisedës ajo shprehet se e kupton që qytetarët po ballafaqohen me vështirësi ekonomike.
Si rezultat i kësaj, thotë se janë shkaktuar shumë brenga për të ardhmen dhe jetën ekonomike në përgjithësi.
“Kur preket mirëqenia ekonomike direkt ndikon ankthi te individët, atëherë vjen një tension i shtuar, një presion edhe nga fëmijët, me rritjen e tyre rriten edhe kërkesat. Ekuilibri psiko- fizik e humb ekuilibrin vie deri te somatizimi, te shqetësimet, të vjellat, kokëdhimbjet. Pra, shfaqen në forma organike që nuk kanë realisht të bëjnë me pjesën organike, por krejt me pjesën psikike të individit”, tha ajo.
Ajo tregon që, klientët janë shprehur se me të hollat, që më herët e kanë mbyllur ditën tashmë është e pamundur. Ata tani konsiderojnë që kanë vetëm një rrugëdalje.
“Rastet e fundit që kam pasur, si alternativë të mundshme kanë gjetur ikjen nga Kosova. Ata kishin filluar me kërkimin në botën perëndimore për një vend të punës apo diçka që ju mundëson një sistem më të mirë të jetës“, deklaroi ajo.
Kur hasim në vështirësi ekonomike, psikologia thekson se, është mirë të diskutohet me anëtarët e familjes, të marrin pjesë edhe fëmijët që ta mësojnë aftësinë e përballimit, qëndrueshmërisë dhe përmbajtjes.
Qytetari Enis Mjaku, thotë se ngritja e çmimeve ka ndikuar në xhepin e secilit prej nesh, mirëpo shprehet se nuk mund t’i shmangemi pasojave të tregjeve botërore, ashtu sikurse edhe përfitimeve të tyre.
Ai thekson pakon ndihmëse që iu ofrua qytetarëve së fundmi.
“Secila qeveri e shteteve të tyre përkatëse në kohë të këtilla krizash i mbështet qytetarët e saj me pako të ndryshme. Derisa, në vitet e kaluar mbështeteshin vetëm kompanitë milionëshe, këtë vit qeveria solli një pako modeste për qytetarët e saj, jo se ajo do t’i zgjidh problemet tona afatgjate të trashëguara me vite, mirëpo në mënyrë që sado pak qytetari ta ndiejë dorën e shtetit në kohë krize”, tha Mjaku.
Sipas tij, është bërë një përpjekje e mirë që qytetarëve sado pak t’iu lehtësohet kjo kohë krize.
“Është hera e parë që edhe studentët, e ardhmja e atdheut, përfitojnë nga shteti, sado pak që të jetë si shumë, është hera e parë që edhe bujqit përfitojnë subvencionim prej 36 centësh për litër naftë dhe 150 për hektar të mbjellure me grurë, e të tjera. Kurrë nuk mund të themi që është mjaftueshëm, mirëpo duke pasur parasysh vitet e kaluara dhe duke pasur parasysh edhe buxhetin jo të mjaftueshëm”, deklaroi ai.
Ai thotë se këtë çështje janë munduar ta kalojnë bashkërisht, duke i ndihmuar njëri-tjetrit. Ky fakt thotë se është i njohur, ngaqë shqiptarët, në kohë të tilla veprojnë gjithnjë kështu dhe i tejkalojnë më lehtë.
Mediat të cilat raportojnë për këto raste fajësohen shpesh që ngjallin panik e reagime në publik.
Gazetari i ekonomisë, Zekirja Shabani, thotë se është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër krijohet panik tek qytetarët për mungesë të produkteve të caktuara të konsumit. Shton se në rastin e parë për shkak të pandemisë u krijua opinioni për krizë eventuale dhe tani me rritjen e çmimeve u nxit ideja për rezerva.
Ai shprehet se, në të dyja rastet doemos mediat ishin pjesë e krijimit të opinionit, duke paraqitur situatën e krijuar në treg.
Sipas tij, qasjen e lehtë në media e shfrytëzuan tregtarët manipulues, të cilët ndikuan te qytetarët për të krijuar ndjenjën e mungesës së produkteve.
“Kjo nuk do të thotë se mediat nuk raportuan profesionalisht ose ishin nxitëse të frikës dhe panikut, apo me qëllim ndikuan në krijimin e kësaj situate. Por, puna e gazetarëve u shfrytëzua jashtëzakonisht shumë nga grupet e interesit për të përfituar nga situata. Kjo është e kuptueshme derisa në rrjetet sociale, faqe të pa verifikuara dhe të krijuara për qëllime të caktuara keqpërdorin informacionin, edhe të mediave, në këtë rast për të krijuar panik”, tha gazetari.
Natën e dytë të festivalit Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha” 2022 garës ju bashkua shfaqja “The M Word” nga Maqedonia e Veriut me regji të Fatos Berishës.
Kjo shfaqje që në vete ngërthente problemet e një shoqërie depresive që i ndjek pas e kaluara dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në të ardhmën për të njohur njerëz të tjerë në jetën e tyre, u mirëprit nga publiku që ishin kurioz për të parë këtë shfaqje.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, e cila nderoi festivalin me prezencën e saj dhe u shpreh shumë e lumtur që në festivalin e vetëm ndërkombëtar të teatrit në Kosovë garon edhe Maqedonia e Veriut.
Ndërsa sonte, në natën e tretë konkuron Kosova me shfaqjen “Andorra” me regji të Kushtrim Bekteshit. Më poshtë gjeni disa nga momentet e natës së mbrëmshme./ KultPlus.com