Grupi ‘403’ rikthyen hitet e tyre në Prishtinë, magjia e “Akoma po të pres” mbrëmë erdhi për herë të parë live

Era Berisha

Ngjyra e veçantë e zërit që të lë pa mend, diversiteti i instrumenteve që mrekullinë e tyre e shfaqnin nga momenti në moment, intensiteti interpretues që pasonte nga secili performues si dhe pasioni i zjarrtë nga publiku që kulmonte në atmosferë për të dëgjuar secilën këngë, ishin shtyllat kryesore mbi të cilat ka qëndruar mbrëmë koncerti nga grupi ‘403’, anëtarët  e të cilëve kanë arritur që me dhuntinë e pastër të tyre të ngritin në këmbë çdo të pranishëm, shkruan KultPlus. 

Pak para se koncerti të gjente pikënisjen e tij, ishin të pranishmit ata të cilët në një masë tejet të madhe, dalëngadalë po zinin vendin e tyre sa më afër skenës në Kino Armatë. Ndërsa, teksa ndriçimi i errët ishte ai që përcolli prezencën e çdokujt, në skenë të gjithë instrumentet e vendosura në pozicionet e tyre po shndrisnin nga dritat e ngrohta që binin sipër tyre si një siluetë.

Hapat e shkundura e të lehta të anëtarëve të grupit dhe ulja totale e nivelit të muzikës paraprake, ishin ato që sinjalizuan për daljen në skenë të artistëve të cilët fillimisht rregullonin instrumentet sipas pëlqimeve të tyre. Ndërsa, kur ora shënoi fiks 20:50, u lëshuan meloditë e para të këngës “Me ty” që njëkohësisht edhe shënoi nisjen e këtij koncerti që luhatej herë nëpër gjurmë të melankolisë, dhimbjes e vetmisë dhe herë tjera mes një energjie të paparë, një dinamike të rrallë por aq brilante saqë ky gërshetim përmbushi edhe vlerën më të madhe që një grup mund të posedojë e që do të ishte mbajtja e një koncerti multidimensional.

Interpretuesit për këtë mbrëmje u prezantuan nga tekstshkruesi dhe solisti i grupit, Hektor Gjurgjiali. Erdem Gavazi në kitarë, Muha Veseli në kitarë, Lekë Gjurgjiali në kitarë, Agron Ejupi në bass kitarë, Agron Shala në klaviaturën e parë, Ilir Veseli në klaviaturën e dytë si dhe Fahri Ibrahimi në tupanë. Ndërsa, për të sjellë këngën e dytë me radhë me titull “Gjysmë shekulli”, këtyre artistëve në skenë iu shtua edhe një tjetër mysafir i veçantë siç ishte profesori Agron Dida i cili me instrumentin e mandolinës, arriti të krijojë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë e më e ndjeshme.

“Përralla” dhe “A do të kthehet”, ishin dy këngët e tjera që krijuan një ndjesi të papërshkrueshme. Ndonëse në kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, ato ngjallën mjaft emocione të cilat rriteshin akoma më shumë kur vinte në pah energjia e lartë e instrumentistëve që në ndërlidhje me vokalin unik të Hektorit, gërshetoheshin në një nivel tejet të saktë. Audioja e pastër ishte ai elementi kyç që mbështjelli këtë koncert qysh nga fillimi e deri në fund.  

Surpriza e radhës për këtë mbrëmje ishte edhe interpretimi i këngës “Akoma po të pres” për herë të parë live. E incizuar në Tiranë në vitin 1995, kjo këngë u mirëprit nga të pranishmit qysh në sekondën e parë kur vija melodike nisi të gjallërohej. Nën fishkëllima e brohoritje të pandalshme, kënga me gjithë fuqinë e saj mbizotëroi hapësirën brenda Kino Armatës dhe jo vetëm. “Akoma po të pres” hyri furishëm brenda shpirtit të pranishëm dhe gjeti folenë e saj të përhershme në skajet e kujtesës së gjithsecilit. Kitara klasike, ajo elektronike, harmonika si dhe bateritë krijuan artin e magjisë që kapërceu lehtazi nga brendësia e këngës e direkt tek brendësia e njeriut.

Tutje, një interpretim tjetër sa i ëmbël e i butë erdhi mbrëmë nëpërmjet ndërlidhjes së vokalit të këngëtares Fitnete Tuda si dhe atij të Hektorit në këngën e tyre “Ëndrra”.

“Është njëra ndër këngët më të bukura që e kam performuar. Më kujtohet se kam pas problem se doja të gjeja një zë femre dhe kujtoj se kam dëgjuar gati të gjithë zërat e këngëtareve dhe asnjëra nuk më ka flejt në zë timin në këngë. Por, jam gëzuar tepër kur ka pranuar për të kënduar këtë këngë, një shoqe e imja, këngëtarja Fitnete Tuda, që ka një zë të mrekullueshëm”, thotë Gjurgjiali para interpretimit.

“Ëndrra”, një këngë kjo që do të mbesë e gjallë për shumë dekada me radhë, nuk do edhe shumë përshkrim ngaqë përhumbja nëpër tekstin e mrekullueshëm, vijën melodike aq të pastër si dhe dy vokalet në një gërshetim të hatashëm, është e mjaftueshme për të krijuar një gropë ndjenjash nëpër të cilën futen pothuajse të gjithë që e përjetojnë këtë mister prej kënge.

Mbrëmë solisti Hektor Gjurgjiali përkujtoi edhe poetin Xhevdet Bajraj dhe producenten Vjosa Berisha, të cilëve iu dedikoi këngën e mirënjohur “Engjujt nuk jetojnë në tokë”.

“Dje ka vdekur poeti më i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj. Sot vdiq artistja tjetër, Vjosa Berisha. Tash, mesazhi i kësaj kënge është që nuk duhet të vajtohet por të këndohet. Kështu që për të gjithë ata që kanë humbur më të afërmit, kënga ‘Engjujt nuk jetojnë në tokë’ është për ju”, tha ai fillimisht.

“Engjujt nuk jetojnë në tokë”, qe një ndër këngët më të bukura që u interpretua mbrëmë. Kjo vinte mbase edhe nga thelbi i mesazhit që preku shumicën në publik e që njëkohësisht solli një qetësi shpirtërore me mallëngjimin posedues që përmban kjo këngë. “Engjujt nuk jetojnë në tokë”, është e kamotshme në krijim por do të mbetet e përjetshme në dëgjim e përjetim.

Në ndërkohë, në këtë koncert nuk munguan as edhe hitet si: “Përralla e fundit”, “Boemi”, “Epizodi i fundit”, “Bëhu fer”, “Qyteti im”, “Paraja” dhe “Indexi”, të cilat me mrekullinë e tyre unike, interpretimet solo në kitarë që ndezën atmosferën përtej limitit si dhe talentin e solistit të grupit që shpërfaqej në forma të ndryshme, e përthekuan këtë mbrëmje në një ndër më të paharrueshmet që është krijuar ndonjëherë në Prishtinë.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli këngëtari Hektor Gjurgjiali.

“Unë u ndjeva jashtëzakonisht mirë që u rikthyem sonte tek ky publik. Ishte një natë shumë e veçantë dhe më pëlqeu sepse pat shumë të rinj por edhe të vjetër njëkohësisht. Njëra ndër arsyet që unë kam përzgjedhur këto këngë që nuk i performoj shpesh, është se tani në bend i kemi edhe katër anëtar të tjerë dhe këngët mund të krijohen ashtu si në krijimet e tyre. Orkestrimet tona janë me të vërtetë të komplikuara dhe tani kemi profesionalistë që me të vërtetë i sjellin si tek origjinali”, thotë ai.

Po ashtu, këngëtarja Fitnete Tuda për KultPlus ka shprehur emocionet e saj të një rikthimi të sajin në skenë pas një kohe të gjatë.

“Ishte një ndjenjë shumë e bukur po ashtu ishte e përzier me shumë emocione e sidomos pas një pauze pak më të gjatë. Unë jam një nga ata që si studente e kam dëgjuar grupin ‘403’ shumë dhe tani është nder dhe kënaqësi që kemi realizuar bashkë një këngë siç është “Ëndrra”. Ka vite që s’kam kënduar kështu live në një koncert të tillë dhe thjesht u përmallova shumë me rastin e prezantimit tim në këtë publik të Prishtinës”, thotë ajo.

“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rok. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së rokut kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rokut në Kosovë. / KultPlus.com

‘Rain, rain, go away’ shndërrohet në ‘Pain, pain, go away’, instalacioni i Selmanit si thirrje për kujdes më të madh për natyrën

Sot në parkun Taukbahçe në Prishtinë në kuadër të festivalit ‘HAPU’, artisti Driton Selmani ka zbuluar instilacionin e tij ‘Weather forecast’, e që vjen si thirrje për kujdes më të madh për natyrën, përcjell KultPlus.

Ai tha për KultPlus se ftesa për ta realizuar këtë instalacion i ka ardhur nga Teatri Oda dhe festivali HAPU.

“Edicioni i sivjetmë i festivalit ka qenë më shumë i lidhur me temat që ndërlidhen me natyrën edhe dëmin që ne e bëjmë kundrejt natyrës dhe kjo vepër është seri e një cikli të cilin e kam nisur vitin e kaluar me ftesë të parkut memorial ‘Dotrščina’ në Zagreb, aty e kam prodhurar serinë e parë, kjo është vazhdimësi. E kam parë të arsyeshme me e përdor të njëjtin material sepse dërrasa e zezë është dërrasë e përdorur në shkolla dhe druri është i ricikluar”, u shpreh Selmani i cili tha se ky instalacion  e trajton natyrën shumë natyrshëm po të njëjtën kohë vendos pikëpyetje rolin e njerëzve duke e ditur se njerëzit janë ata që munden ta mbrojnë, por në të njëjtën kohë e dëmtojnë më së shumti natyrën.

‘Weather forecast’ ose ‘Parashikimi i motit’ Selmani thotë se i erdhi shumë natyrshëm nga vajza e tij e cila gjatë pandemisë ishte 3 vjeç e gjysmë dhe këngën e njohur ‘Rain, rain, go away’, e ka kënduar ‘Pain, pain, go aëay’.  

‘E kam arkivuar si inqizim dhe tash e kam shndërru në një mënyrë duke përdorur ngjyrë të cilën nuk e fshin uji duke përdor në një mësim të domosdoshëm se çka është duke ndodhur me neve dhe çka duhet të kemi parasysh në raportin e natyrës tonë me natyrën tonë.’, tha më tutje Selmani.

Instalacioni ‘Weather forecast’ pritet të qëndrojë në këtë ambient për një muaj, ndërkaq autori Selmani thotë se janë në diskutime që ajo të qëndrojë aty ku është vendosur edhe pas kësaj periudhe kohore./ KultPlus.com

“Do të pres”, në datëlindjen e 50-të të Alma Bektashit, (VIDEO)

Alma Bektashi, këngëtarja e njohur kosovare sot ka datëlindjen e 50-të, këngëtare e cila në vitet e 90-ta ka realizuar hite të mëdha.

KultPlus ju sjell këngën hit të këngëtares Alma Bektashi “Do të pres”

Do të pres te porta
lajmet që njerëzit më sjellin nga ty,
fotografi të të shoh ata sy
kur do te jemi të dy.

Do të pres gjithë jetën,
shiu bashkohet me lotët e mi
dielli nuk mundet ti thaj përsëri
digjem e digjem në vetmi (2x)

E do ti le, do ti le, do ti le të gjitha
do të vij, do të vij tek ti
do harroj, do harroj do harroj kujtimet
do të marr rrugën për tek ti

Do të flas me gurët
do t’ju tregoj se si koha kalon
shpirti me qan e për ty nuk pushon
pak dashuri po kërkon

Do të flas me yjet
do t’ju tregoj, më i bukri je ti
kur ti shkëlqen nata merr një kuptim
ku je, ku je shpirti im

E do ti le, do ti le, do ti le të gjitha
do të vij, do të vij tek ti
do harroj, do harroj do harroj kujtimet
do të marr rrugën për tek ti

E do ti le, do ti le, do ti le të gjitha
do të vij, do të vij tek ti
do harroj, do harroj, do harroj kujtimet
do të marr rrugën për tek ti(2x)

Do të flas me yjet
do t’ju tregoj, më i bukri je ti
kur ti shkëlqen nata merr një kuptim
ku je, ku je shpirti im./ KultPlus.com

“FreeVisa”, një grup qytetarësh protestojnë te zyra e BE’së në Prishtinë

Mos liberalizimi i vizave nga ana BE-së ka bërë që disa qytetarë të Prishtinës të protestojnë sot para zyrës së BE-së në kryeqytet , shkruan KultPlus.

“Marshojmë për Liri të Lëvizjes” ishte thirrja që mblodhi disa qytetarë të cilët shpalosën një flamur të Kosovës të rrethuar me gjemba ku shkruan “FreeVisa”, kjo erdhi si thirrje për diskriminimin që po i bëhet Kosovës nga BE-ja.

Dje është mbajtur Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mbështetjet për liberalizmin e vizave nuk munguan por nuk kishte diçka konkrete. / KultPlus.com

Të burgosurit politik nga vitet e 70’ta e deri në kohën e burgut të Dubravës mbrëmë “folën” në “Ora e Vdekjes”

Uranik Emini

Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.

Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.

Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.

Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.

Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.

Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.

Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda

Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.

Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.

Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.

“Molla e ndaluar”

Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.

Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.

“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.

“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.

Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.

“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë  tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.

Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.

“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.

I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.

“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.

Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.

“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.

Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.

“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.

Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.

“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.

“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.

“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.

Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokusi i bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në takim me Kryeministrin e Tajlandës, Presidentja ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.

Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve. / KultPlus.com

At Zef Pllumi: E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani-tjetrit (VIDEO)

At Zef Pllumi është nga nga figurat me të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhenë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kfjelltë, shkruan KultPlus.

Në një pjesë të intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në ftytyrën e tij.

 “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.

Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com

Përparim Rama: Jemi në proces të funksionalizimit të strehimores për qentë endacakë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë në proces të funksionalizimit të strehimores për qentë endacakë dhe se lokacioni është i gatshëm.

Ai tha se i kanë edhe shtatë llote të reja për kapje, spastrim dhe sterilizim.

Rama shtoi se me problemin e qenve endacak nuk mund të merret vetëm komuna por edhe Qeveria, andaj edhe duhet pritur vendimin e qeverisë për rregulloren e re për ligjin për kafshët.

“Ne vetëm e kemi vendosur lokacionin dhe jemi në proces të funksionalizimit të strehimores. Mirëpo i kemi edhe shtatë llote të reja për kapje spastrim, sterilizim të cilat janë duke kaluar nëpër prokurim. Nuk mundet vetëm komuna e Prishtinës të merret me problemi e qenve për arsye se është një problem i krejt vendit edhe komunave tjera dhe qeveria duhet të merret me të. Jemi duke pritur vendimin e qeverisë për rregulloren e re për ligjin për kafshët”.

“Duhet edhe një ndryshim që të na mundësoj që këtë çështje ta zgjidhim mirë e shpejt në gjithë territorin e Kosovës. Pra duhet t’i adaptojmë mundësitë që të mos ketë qenë endacak. Qentë të jenë ose pronësi e komunave ose të pronarëve dhe duhet t’i regjistrojnë. Në momentin që kapim qentë nuk duhet t’i lëshojmë prapë në rrugë po duhet dikush të ketë pronar. Duhet të shikojmë mënyrat më të mira që i përshtaten Kosovës sepse ligji duhet të na mundësoj këtë”, u shpreh Rama./EO / KultPlus.com

Emisari gjerman: Kosova të mos dorëzohet, liberalizimi do të ndodhë

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, ka folur për samitin BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur dje në Bruksel.

Lidhur me pritshmërinë e këtij samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Kosovën, Sarrazin theksoi se ka pritur rezultate, sepse, sikundër tha ai, në Gjermani është punuar shumë për liberalizimin e vizave.

“Por betejën nuk do ta ndalim”, tha ai.

Mes tjerash në magazinën informative “Lajmet e Fundit”,  theksoi se Këshilli i Evropian ka dhënë perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Tutje, ai foli edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë ndierë të zhgënjyer nga samiti i BE-së, që, sipas tij, nuk e ndien të arsyeshme t’i kundërvihet gjykimeve të tyre, duke shtuar se duhet bërë çdo gjë të ecet drejt BE-së.

Ndërkaq lidhur me idenë e ndarjes veç e veç të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut,  për të ecur drejt BE-së, Sarrazin shtoi se Gjermania nuk përkrah këtë ide.

“Ne jemi për hapjen e negociatave për të dyja vendet sa ma parë të jetë  e mundur”, theksoi ai.

Sarrazin foli edhe për ‘Ballkanin e Hapur’, duke sqaruar se ai vjen nga një vend që nisi me ‘Procesin e Berlinit’, por që për ‘Ballkanin e Hapur’, nëse nismat e tilla janë gjithëpërfshirëse e që çojnë në BE, atëherë duhet mbështetur.

Ai më tej sqaroi se nismat e tilla nëse do të ishin me hapa të mesëm nuk do të ishin të domosdoshme.

Me këtë rast ai përmendi tregun e përbashkët, si ide e ofruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pastaj çështja e kufijve, që këto ishin edhe ide në ‘Procesin e Berlinit’.

Sarrazin foli edhe për marrëveshjen për energjinë mes Kosovës e Serbisë, si një hap pozitiv, duke inkurajuar liderët e të dyja vendeve të vazhdojnë me këtë hap.

Sarrazin duke folur për vendet e BE-së që hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ka nga ato që ndryshojnë qëndrim, duke marrë si shembull Holandën. Ai inkurajoi zyrtarët kosovarë që të mos dorëzohen.

“Shpresa është gjithmonë aty, duhet të jetë gjithmonë, po e shihni se qëndrimet po ndryshojnë, si p.sh Holanda. Gjermania do të jetë e  përkushtuar të punojë  me aleatët tanë që ky proces të kryhet ashtu siç e meriton Kosova”, tha mes tjerash, Sarazin.

Diplomati gjerman mohoi idenë e ndërlidhjes së dialogut Kosovë-Serbi me liberalizimin e vizave, duke theksuar zëshëm se ndërlidhja e tillë është absurde.

 “Nuk shoh asnjë lidhje mes këtyre dy çështjeve, janë procese me kritere të qarta. Që të ngarkohet ky proces me kritere politike, vret idenë evropiane. Nuk ka ndërlidhje, do të ishte çmenduri  të bëhet kjo”, tha Sarazin.

“Çështja  e anëtarësimit në BE është e ndërlidhur me dialogun e jo me liberalizimin e vizave”.

“Kancelari im është një njeri shumë i mençur”, tha në fund Sarazin./RTK/ KultPlus.com

“Marshojmë për liri të lëvizjes”, sot protestohet në Prishtinë

 

Deri më tani nga takimi në Samitin BE-Balkani Perëndimor nuk ka asgjë konkrete për sa i përket liberalizimit të vizave dhe sipas zhvillimeve, shpresat kanë filluar t’i lëshojnë qytetarët, shkruan KultPlus.

Për këtë mosveprim nga ana e BE-së, sot në Prishtinë do të protestohet.

“Marshojmë për Liri të Lëvizjes” është thirrja që po ju drejtohet qytetarëve që t’i bashkohen këtij mardhi sot nga ora 12:00. Takimi do të bëhet te sheshi “Zahir Pajaziti”.

“Nese keni kohe e mundesi ejani sot ne 12:00 ne shesh – Marshojmë per Liri te Levizjes #FreeVisa. Takimi te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti”, ka shkruar Shpend Lila në facebook.

Ndërsa sot në Bruksel potencialisht mund të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka mbetur në regjim vizash për të udhëtuar në një nga vendet e BE-së. / KultPlus.com

Macron, Michel e Von Der Leyen me konferencë, asnjë fjalë për heqjen e vizave

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron shteti i të cilit e udhëheqë presidencën e Këshillit, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën në konferencën për media pas takimit të 27 liderëve të BE-së.

Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.

Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.

“Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Liberalizimi i vizave nuk u përmend as në konkluzat e Këshillit në takimin e ditës së parë që u zhvillua dje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do ta zhvillojnë sot edhe takimin e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së. /Express/KultPlus.com

Arrestohet e më pas lirohet në procedurë të rregullt burri që rrahu vajzën e tij të vogël në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar burrin, i cili u pa në një video në rrjete sociale duke rrahur vajzën e tij të vogël. Por, i njëjti është liruar më pas në procedurë të rregull.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se për rastin është kontaktuar edhe Qendra për Punë Sociale.

“Prishtinë 22.06.2022 – 18:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka kryer veprën penale të lartëcekur. Lidhur me rastin është kontaktuar dhe QPS, në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Ngjarja ka ndodhur në parkun e Tauk Bahqes./Express / KultPlus.com

Publikohet traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’ (VIDEO)

Është publikuar traileri zyrtar i filmit ‘Illyricvm’, me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, përcjell KultPlus.

Një ndër producentët e filmit, Fatmir Spahiu, pak ditë më parë kishte njoftuar se ky film do ta ketë premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik.

“Vlen të thuhet që ky është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët”, ka thënë Spahiu, i cili ka njoftuar edhe për përfshirjen e një kaste të madhe të aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyçi, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimja, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Ali Demi, Gani Morina, Selman Lokaj…

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kroacisë (Kinorama) Kosovës (Buka) Italisë (LaSarraz) BiH (Pro.ba) dhe Sllovenisë (Forum Ljubljana). Filmi është përkrahur nga këto institucione: Qendra Kinematografike e Kosoves, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUND

VIBA FILM, Euroimages dhe Komuna e Prishtinës, por duke përfshirë edhe kompani të ndryshme./ KultPlus.com

Nga ishulli i pushtuar prej nepërkave helmuese te kështjellat misterioze, skutat e frikshme të botës

Në skutat më të harruara të botës, në ishuj të rrethuar nga uji dhe shkëputur nga njerëzimi, atje duket se ka udhëtuar edhe kjo autore.

Një turne i veçantë në të gjithë globin, përgjatë të cilit janë shkrepur plot 180 fotografi, të përmbledhura në një libër të Claudia Martin.

Në të ajo ka zbuluar disa prej vendeve më të frikshme të planetit, një eksplorim i shkëlqyer i botëve të humbura nëpër Europë, Lindjen e Mesme, Afrikë, Amerikë dhe Azi.

Ata që do ta blejnë këtë libër, do mund të shohin një kështjellë mesjetare skoceze në Grailin e Shenjtë, një ishull në Brazil të pushtuar nga nepërkat helmuese apo një ishull të shkretë në brigjet e Floridës ku misteret edhe në zbrazëti nuk kanë fund. / KultPlus.com

Share Now

111 vjet nga lindja e shkrimtarit arbëresh, Ernesto Sabato

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.[1]

Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi Matilde Kusminsky Richter, që atëherë ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Të dy lanë familjet dhe studimet dhe filluan të jetojnë bashkë. Ernesto përdorte një emër konspirativ dhe ishte mjaft aktiv në parti. Në vitin 1933 ai u bë sekretar i Rinisë Komuniste, por po fillonte të zhgënjehej me partinë dhe kishte dyshime. Më 1934 ishte dërguar si delegat në Bruksel në Kongresin kundër fashizmit dhe luftës, prej aty duhej të udhëtonte për Moskë për një periudhë ‘spastrimi’. Në Bruksel Ernesto kuptoi natyrën e vërtetë të partisë komuniste dhe iku në Paris, ku jetoi i fshehur pasi partia po e kërkonte. Pa miq dhe pa para, ai fillon të shkruajë romanin e tij të parë.

Në vitin 1935 ai kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomic në Laboratorin Curie në Paris. Matilde dhe djali i tyre, Jorge Federico shkojnë me të. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë. Më 1939 bursa iu transferua për Massachusetts Institute of Technology. Ai kthehet në Argjentinë dhe fillon të ligjërojë matematikë dhe fizikë në Universidad de La Plata. Ftohet t’i bashkohet revistës Jugu, ku takohet me Jorge Luis Borges dhe të dy bëhen miq. Më 1941 fillon të shkruajë për gazetën La Nacion.

Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga univeristeti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba). Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër Njerëz dhe dhëmbëzorë, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës. Një studim për konceptet e botës dhe jetës moderne duke filluar nga Renesansa. Në vitin 1953 botohet libri Heterodoxia, që është definuar si fjalor i njeriut në krizë. Më 1955 bëhet drejtor i gazetës Mundo Argentino. Në këtë kohë Argjentina ishte në trazira politike. Më 1956 botohen dy librat më kontraverse të Sábatos: El otro rostro del Peronismo (Fytyra tjetër e peronizmit) dhe Torturas y Libertad de Prensa (Torturat dhe liria e shtypit).

Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë Sobre héroes y tumbas (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin Raport për të verbërit shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1971 fillon të shkruajë për gazetën La Opinion. Në vitin 1973 boton romanin e tretë Abaddón, el exterminador (Abadon, engjëlli i shkatërrimit), një libër për vizionin apokaliptik të botës moderne dhe për triumfin e të keqës.

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil.

Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Libri Nunca Más (Kurrë më) në të cilin jepen dëshmitë e atyre që shpëtuan dhe të dëshmitarëve të zhdukjes dhe vrasjes së mëse njëzetmijë njerëzve, është botuar si rezultat i hulumtimit të këtyre tragjedive.

Organizata e Shteteve Amerikane (O. A. S.) i jep çmimin Gabriel Mistral, ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin Miguel de Cervantes. Dekorohet prapë nga Italia më 1985 me Urdhrin për Merita dhe më 1987 Fransoa Miteran, kryetar i Francës e dekoron me gradën Komandant i Legjionit të Nderit. Ka marrë gradën “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./ KultPlus.com

ARGENTINA BUENOS AIRES, Marzo 1975 “ABADDON EL EXTERMINADOR”, ÚLTIMA NOVELA DE ERNESTO SÁBATO. “No escribiré más , pues tres o cuatro es el número de obras suficientes para demostrar cuanto un autor puede dar de si”, dijo el escritor argentino Ernesto Sábato, que aparece en esta composición en un primer plano y en la biblioteca de su domicilio, lamentándose no haber tenido la suerte de crear alguna vez algo que se parezca a “El Quijote”. Efe.

Reagimi i Zelenskyt pasi Ukrainës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE

“Është një moment unik dhe historik”. Kështu ka shkruar presidenti Volodymyr Zelensky në Twitter pasi Këshilli i BE-së i ka dhënë dritën jeshile statusit të kandidatit për anëtarësim vendit të tij.

Ai ka falënderuar “Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe liderët e BE-së për mbështetjen e tyre.

“E ardhmja e Ukrainës qëndron brenda BE-së”, shtoi ai.

Ndërsa presidentja e KE-së Von der Leyen deklaroi se vendet kandidate do të duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë, duke kryer reformat e kërkuara nga BE veçanërisht në zbatimin e ligjit.

Pas vendimit të Brukselit ka folur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili e konsideroi një hap themelor në rrugën drejt BE.

“Bashkimi Evropian sapo ka vendosur t’i japë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit për në BE. Një moment historik. Kjo ditë shënon një hap themelor në rrugën tuaj drejt BE. Urime Zelensky dhe Sandu, popullit ukrainas dhe popullit moldav. E ardhmja është bashkë”. Duke folur për Gjeorgjinë, Michel deklaroi se BE “është gati të japë statusin e kandidatit pasi të jenë adresuar prioritetet e pazgjidhura”.

Kujtojmë që Ukraina aplikoi vetëm pak kohë më parë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, pas nisjes së pushtimit rus. / KultPlus.com

‘Njimbëdhjetëmijë e treqindenjëmbëdhjetë ditë mërgim’

Poezi nga Xhabir Tabaku

njimbëdhjetëmijë e treqindenjëmbëdhjetë ditë
mërgim

-nji oqean ndërmjet

zani i fëminisë çirret andej
dhe kumbulla në fund t’oborrit
shêj kokrrat n’gem –

ah! malli jem

gjithçka tjetër këndej
fryma e nanës – vorri i babës

tan’ bota nji katund i madh
në konfuzion

-pse e le vendin tand? më pyeti nji gjerman ka mot
-për liri, i thashë me ballin nalt.
uli kryet gjermani
-shì sikur unë; foli plaku – syni lot.
kur ta gjesh lirinë tha, fillo e qaj mallin!

-malli jem m’at fund oborri! / KultPlus.com

Ekspozita “Amplitude” udhëton nga Belfasti në Pogradec

“Amplitude” titullohet ekspozita e piktorit Armand Xhika, e çelur në qytetin e Pogradecit. Ky event u shtohet të tjera ngjarjeve kulturore që vijojnë aktualisht në këtë qytet dhe që publikut vendas por edhe turistëve, u gjallërojnë agjendën artistike.

Ekspozita është konceptuar si e ndarë në dy pavijone, dy zhanre të ndërthurura shpirtërisht e artistikisht; abstraksionizëm me akuarel dhe peizazhet me vaj në kanavacë.

Piktori Xhika i lindur e rritur ne Pogradec, prej vitesh jeton në Belfast, Irlandë ku zhvillon dhe artin e tij, por duket se nuk është ndarë kurrë shpirtërisht nga qyteti i lindjes dhe liqeni i tij.

Ekspozita “Amplitude” me kuratore Meri Filen, mori mbështetjen e Bashkisë së Pogradecit dhe është hapur në mjediset e Qendrës Kulturore Multifunksionale, Galeria “Lasgush Poradeci”./ATA/ KultPlus.com

Promovohet “Fjalor historik i Shqipërisë” i albanalogut të shquar Robert Elsie

Një epilog i bukur në Craiova, në Bibliotekën qendrore të qytetit, të mbushur me qytetarë, studentë, të mërkurën 22 qershorit, u promovua libri monumental “Fjalor historik i Shqipërisë” i albanalogut te shquar Robert Elsie. Vepra e rëndësishme është përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Presidenti i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, albanalogu Dr. Radu Săvulescu. Ishte i pranishëm dhe përshëndeti takimin deputeti i shqiptarëve në Parlamentin Rumun, Bogdan Alin Stoica.

Dr. Luan Topçiu, drejtori kulturor, që monitorinte takimin, tha se vepra është me rëndêsi të madhe, tani jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Rumaninë, për studiuesit dhe lexuesin e interesuar. Kritiku i njohur dhe poeti Marius Chelaru, njohës i letërsisë shqipe, vlerësoi veprën dhe punën e shoqates së shqiptarve. Do të doja të kishte nje shoqatë të tillë rumune në vendet e tjera, perfundoi ai.

Është si një ditar Shqipërie, thashë në fjalën time, Robert Elsie është albanalogu më i madh i gjysmës së dytë te shekullit XX dhe fillimi e te shekullit XXI. Biblioteka e shqiptarëve në Rumani po pasurohet, libri i saj po shkon në të gjitha universitet dhe akademitë e bibliotekat, jo vetëm në Rumani, po kudo në botë.

Pas përkthyesit Radu Săvulescu foli Eda Eda Agaj Zhiti, ajo tregoi për ardhjet e albanalogut Elsie në Shqiperi, perkthimi në anglisht i eposit fishtian, puna e tij kolosale, etj. Në perfundim ajo shtoi që kjo vepër sot është si një qiri në nderim të përjetësisë së tij….

Nga Visar Zhiti /Dielli/ KultPlus.com

‘Mostacciolo’, torta tipike e dasmave arbëreshe

Arbëreshët, të mbërritur në pjesën jugore të Italisë rreth shekullit XV, kryesisht në pjesën e Calabria-s, dallojnë në shumë faktorë dhe elementë jo vetëm nga italianët, por edhe nga vetë shqiptarët e sotëm.

Ndërkohë që shoqëria moderne shqiptare ka evoluar disi në tradita e zakone, ajo arbëreshe, ka ruajtur zanafillat e vjetra social-kulturore.

Një ndër këto tradita, është edhe torta dasmore, e njohur si Mostacciolo.

Në zonën e Spezzano Albanese-s, veçanërisht, kjo tortë është magjepsëse. Ajo mbart dekorime të ngjashme me kostumet popullore shqiptare shekullore.

Disa çaste të jetës komunitare, vendosen si zbukurime të konsumueshme mbi tortën e praruar me trashëgimi kulturore.

Martesa në kulturën arbëreshe – ashtu si në shumë kultura botërore – cilësohet si një ndër ngjarjet më të mëdha në jetën e njeriut. Ndaj edhe tradita gastronomike e pasqyron kaq larmishmërisht gjithë ngjarjen në një tortë.

Shpesh, në to, mund të fshihen edhe simbolika të fshehura. Secila familje e përgatit me mënyrën e vet, por me rëndësi është ruajtja e përcjelljes së informacionit në të.

Vlera antropoligjike e këtij pështjellimi kulinar thuajse të tejçuar në art, është po ashtu e madhe.

Apogjeu i dasmës? Prerja (thyerja) e tortës!

Të ndihmuar nga të ftuarit, arbëreshët nuk e konsumojnë tortën si të tillë, por ja hedhin njëri-tjetrit.

Burri, si për të simbolizuar forcën e tij, mund të përdorë vetëm njërën dorë. Gruaja, nga ana tjetër, të dyja.

Ajo që fiton, është thuajse gjithmonë “pjesa e ëmbël e çiftit të ri”.

Ndërsa çmimi i fituar, është simbolika e pushtetit në shtëpi, që u takon pa diskutim nuseve.

Mostaccio mund të duket thjesht si një ëmbëlsirë, si një skulpturë e ngjizur nga mielli dhe mushti i verës, por është shumë më shumë se aq.

Ai përfaqëson dimensione, forma, ekspertizë, fantazi dhe shumë dashuri. Elementë këta të vendosur si themel i një raporti martesor.

Një ëmbëlsirë tipike arbëreshe, e cila rrjedh në gjakun e tyre shqiptar prej shekujsh.

Një ëmbëlsirë, që është ruajtur si identitet dhe vlerë e shtuar arbëreshe. Si kult, për të përfshaqur atë çfarë janë shqiptarët e parë përtej detit, por me rrënjë në origjinë./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Grupi “The Animals and friends” elektrizojnë Amfiteatrin e Tiranës

Publiku i Tiranës pati përsëri rastin për të kaluar një mbrëmje të bukur, nën tingujt e një muzike e cila elektrizoi parkun e Liqenit. Shkallët e Amfiteatrit të Tiranës u mbushën plot me adhurues të grupit legjendar “The Animal and Friends” të cilët interpretuan muzikë rock ‘n’ roll dhe R&B.

Pjesë e bandës ishte edhe John Steel, bateristi legjendar i grupit, tashmë 80-vjeçar, i cili ka luajtur me këtë bandë që në krijimin e saj, në 1963. Steel është i vetmi anëtar i bandës që nga fillimet e saj, pasi anëtarët e tjerë i janë bashkuar bandës angleze “The Animals”, më vonë.

“The Animals” kanë qenë një nga bandat angleze, më të suksesshme dhe më jetëgjata. Pikërisht ky vit përkon edhe me 60-vjetorin e themelimit te saj.

Koncerti u realizua nën kujdesin e Bashkisë Tiranë dhe kryetarit Erion Veliaj. /atsh/ KultPlus.com

‘Prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe’

Poezi nga Herman Çuka

më dëgjo!

ti bën një rrëmujë të madhe
mashtruar botën, kërkon
t’i ngulësh një gozhdë,
t’a mbërthesh tek pragu i ferrit,
e ajo digjet në ethe e përsëri, vërtitet

dhe me një luftë të madhe,
kërkon lavdinë e tërë shekujve
të humbur…
por përsëri bota e mëshirshme
e gëlltit brënda vetes,
si barku i nënës
dhimbjet e fëmjëve të prapë,
e përsëri vërtitet
e nuk bie… se i duhet
të mbajë shtëpinë
e madhe,
bashkë me ty, e jashtëqitjet,
mbetjet e riciklimet urbane
dhe ëndrrat e bukura
të një shpirti të bardhë
që i duhet të mbajë gjallë shpresën

se ke menduar ?
se, kur të dojë vetë
do t’shpërthejë në dorë

prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe
megjith’ kopshtin e edenit

e bota vërtitet… / KultPlus.com

Artisti Emir Taha pjesë e festivalit ‘SunnyHill’

Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.

Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman, Kamal, Romeo Blanco dhe Ledri Vula janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.

Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Emir Taha është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali.

SunnyHill ka njoftuar gjithashtu se do të ketë edhe aristë të tjerë, emrat e të cilëve do t’i mësojmë më vonë./ KultPlus.com