Amire Demolli hapi ekspozitën e parë personale, Pantina: Veprat e artistes janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja

“Hyjnesha në fron”, “Dea Dardanica”, “Unaza e Princeshës”, “Përkrenare Ilire” e vepra të tjera që prekin në lashtësinë e kulturës dhe historisë shqiptare, janë veprat që përbëjnë ekspozitën “E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” të Amire Demollit, që në mbrëmjen e së hënës sapo hapi portën e kësaj përvoje, duke shënuar kështu ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e violinës, dhe në shoqëri të kuratorit të kësaj ekspozite Xhevdet Pantina, sikurse edhe nga Skënder Boshtrakaj, Amire Demolli është shprehë të jetë e lumtur dhe falënderuese për ata që besuan në punën dhe artin e saj, e veçanërisht Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte që edhe e ka mbështetë këtë ekspozitë.

Kurse kuratori i ekspozitës Xhevdet Pantina ka thënë para të pranishmëve se pavarësisht se kjo ekspozitë është ekspozita e parë e autores, arti i Amire Demollit, sipas tij sjell një veçori të këtyre punimeve, të cilat janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja.

Ndërkohë, përderisa kjo ngjarje kulturore për audiencë në masë të madhe kishte mantelbardhët, pasi që Demolli është edhe kirurge në Kirurgjinë Plastike, Skënder Boshtrakaj ka thënë se duke parë punën e saj artistike, na bën të besojmë që kemi të bëjmë edhe me një kirurge të besueshme, që nesër, sipas tij, mund t’ia besojmë edhe trupin tonë.

“Amire Demolli ka lidhë një momentum, atë të mjekes së re në frontin e kujdestaritë, me frontin tjetër, atë të ateliesë”, ka thënë Boshtrakaj, i cili ka thënë se ndërlidhja e mjekësisë me artin, sikurse që ka bërë në këtë rast Amire Demolli është një shembull i mirë për gjeneratat e reja.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila në të njëjtën kohë ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” është ekspozitë e hapur për të gjithë ata që duan ta shohin nga afër, ekspozitë që përfshinë 15 vepra të punuara në teknika të ndryshme, por që dominon akrili në pëlhurë./ KultPlus.com

Kurti uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: Kosova feston arritjet tuaja historike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti është shprehur se Kosova feston arritjet e tyre historike dhe iu bashkohet në zotimet drejt reformave që do të transformojnë vendet.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka shkruar Kurti në Twitter. / KultPlus.com

Në emër të kryeqytetit, kryetari Përparim Rama i dhuron mirënjohje Merita Halilit dhe Raif Hysenit

Më 21 korrik në sheshin e Prishtinës, këngëtarët Merita Halili dhe Raif Hyseni do të mbajnë një koncert për adhuruesit e muzikës së tyre.

Kjo është edhe arsyeja kryesore që e solli çiftin në Prishtinë ku po qëndrojnë tash e disa ditë.

Ndërsa sot i ka pritur në takim kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili edhe i nderoi me mirënjohje.

Rama është shprehur se është kënaqësi e veçantë të presësh ikonat e muzikës qytetarë shqiptarë, siç janë Merita Halili e Raif Hyseni.

“Kënaqësi e veçantë të prisja ikonat e muzikës qytetare shqiptare, znj. Merita Halili e Raif Hyseni.  Për të nderuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e kulturës e traditës shqiptare, në emër të Kryeqytetit u dhuruam nga një Mirënjohje”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

Atëherë kur Anton Logoreci ishte zëri i persekutuar i Radio Londrës

Anton Logoreci, shkrimtari, gazetari, diplomati dhe atdhetari i pashoq i mbetur gjithmonë në kërkim të një rruge, e cila të ndihmonte kombin në çështjet e tij më të prekshme.

Sigurisht që vuajtjet më të mëdha do t’i shikonte me ardhjen e komunistëve në krye të vendit dhe e gjithë kjo si rezultat i komenteve e kritikave që ai ka përcjellë përmes Radio Londrës, e ajo që kaloi çdo gjë mbi supe ishte familja e tij që Shkodër që kaloi një kalvar shumë të gjatë mundimesh duke u endur burgjeve dhe duke u diskriminuar sa herë që jepej mundësia.

Pjetër Logoreci na sjell në kujtesë edhe një herë këtë figurë të madhe me gjithë çfarë kjo familje ka kaluar.

“Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare një mision veprues shumë të fuqishëm, atë të diasporës.

Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijësohet sa më parë në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit.

Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe iu kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit.”

E nisa shkrimin tim mbi intelektualin e atdhetarin Anton Logoreci me këtë pasazh shumë domethënës nga një artikull i botuar në shtypin shqiptar nga studiuesi i njohur shkodran Anton Cefa, me titull: Anton Logoreci, përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare.

Intelektuali Anton Logoreci ose Ndoci, siç e thërrisnin shkodranët, lindi në Shkodër më 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse.

E ëma Maria, bijë nga familja elitare Toska, pati nëntë fëmijë, shtatë djem dhe dy vajza, ndër të cilët Antoni ishte fëmija i parë.

I ati, Pjetri, për të ushqyer familjen e madhe punonte si argjendar, por ishte dhe shumë aktiv në lëvizjet politike e shoqërore të kohës.

Për këtë, gjatë qeverisjes së tij, Noli e emëroj atë nënprefekt të Malësisë së Madhe, ndërkohë që vëllezërit e tij Matia e Paloka, i ishin përgjigjur thirrjes së xhaxhait të tyre, Arqipeshkvit të Shkupit Andrea Logoreci, për të punuar si mësues për përhapjen e arsimit e gjuhës shqipe në Kosovë ( Prizren e Gjakovë).

Që fëmijë, Antoni, pati kontakte me figura madhore të rilindjes sonë kombëtare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre e Lazer Mjeda, të cilët ishin miq të familjes, por dhe farefis (Ndre e Lazër Mjeda) me Logorecët.

Ai nisi mësimet në kalasat fillore të etërve françeskane, për të kaluar më vonë, në klasat për të rritur të kolegjit jezuit të qytetit të Shkodrës. Si fëmijë, Antoni, ishte gjithmonë aktiv dhe premtonte një personalitet të spikatur artistik e letrar.

Ai ishte një nder fëmijët e talentuar, pjesë e grupit teatror të shkollës, ku arriti të shpalosë dëshirën e pasionin e tij për skenën ndër rolet e melodramave historike e patriotike që luheshin në kolegj.

Në një shënimin biografik për Logorecin, z. Fan Sotir Kristo, shqiptaro amerikani i njohur nga Bostoni, shkruan në volumin 12 të Buletinit Katolik Shqiptar të botuar në San Francisko si dhe në rrjetin amerikan informativ FROSINA këto kujtime: “…

Gruaja ime Jane dhe unë patëm fat, shumë vite më parë, për të takuar Anton Logorecin në Londër gjatë vizitave tona në atë qytet historik ku shpejt u bëmë miq të mirë me të dhe me gruan e tij të bukur, Doreen me të cilën ai u njoh ne BBC, ku punuan së bashku gjatë luftës së dytë botërore.

Anton Logoreci,… ishte thesari më i fundit që i jepej botës nga një familje katolike shqiptare.

Të afërm të familjes së tij ishin, Arqipeshkvi i Shkupit ­ Andrea Logoreci, prindërit e Nënë Terezës, Mati Logoreci­ xhaxhai i tij, i cili punoi shumë për të ruajtur kulturën shqiptare në Kosovë dhe për të ndihmuar në formulimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe.

Gjatë fëmijërisë së tij Antoni ndoqi në Shkodër shkollën fillore françeskane, ku dhe shërbeu në altarin e kishës së Shën Antonit, aty afër. Ai si fëmijë i pat shërbyer rregullisht Meshës së At Gjergj Fishtës, autorit të madh shqiptar dhe poetit laureat.”

Në vitin 1922, me themelimin nga Kryqi i Kuq Amerikan të Kolegjit Teknik Amerikan në Tiranë, familja e dërgoj Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoj shumë në formimin perëndimor të tij.

Ambienti, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mësuesit e specialistët e shkollës ishin elemente të fuqishëm në përegaditjen e shumë anëshme mësimore e disiplinore të çdo studenti, që do t’i shërbente më pas për të krijuar bazat e një karrierë të fuqishme.

Përveç përegaditjes së një kaste teknikësh që më vonë do ti shërbente rindërtimit të vendit në të gjitha fushat, Kolegji qe një nga bazat e fuqishme të krijimit të elementeve përparimtare që me kulturën e marrë aty i tregonin botës se vinin nga një shoqëri e emancipuar dhe e denjë evropiane.

Antoni me sjelljen e talentin e tij letrar u bë një ndër studentet e zgjedhur të drejtorit Fultz i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë të revistës së shkollës LABOREMUS, të cilën e kishte krijuar vetë.

Antoni ishte një nder redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tija në këtë organ.

Falë inteligjencës së tij, kjo periudhë i shërbeu atij që të kuptonte sekretet e shkrimit në prozë, që më pas e ndihmoi për punën e tij të përherëshme në Radio Londra, por edhe për të shkruar artikuj, tregime, novela e libra të suksesshëm.

Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit ju dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik Jocelyn Percy të cilin Presidenti Zog e ngarkoj me organizimin dhe trajnimin e xhandarmerisë shqiptare.

Puna në skuadrën e gjeneralit anglez e ndihmoj Logorecin të krijojë një këndvështrim të saktë për demokracinë, diplomacinë, politikën e po ashtu të përcaktonte rrugën e studimeve dhe karrierës së tij të ardhshme.

Pasi përfitoj një bursë, për rezultate të larta, nga shteti, në vitin 1937 filloj studimet dhe u diplomua për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës nga ku dolën personalitete të politikës botërore, shumë mbajtës të çmimit Nobël, sipërmarrës nga më të suksesshmit e botës, gazetarë të famshëm si dhe dhjetëra profesorë që mësuan pastaj në gjithë anët e globit.

Në Shqipëi, Antoni, edhe pse në moshë të re, arriti të krijojë lidhje të shumta me personalitete të shquara të kohës nga të gjitha fushat si Edith Durham, Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Eqerem Cabej, Karl Gurakuqi, Petro Marko, Odise Paskali…

Ai kishte një bashkëpunim të përhershëm, nëpërmes botimeve të tija, me revistat dhe gazetat shqiptare të kohës. NOLOGUS ishte pseudonimi me të cilin ai u paraqit me shkrimet e tija në organet e shtypit, si mbrenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vendosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin njohur BBC.

Kjo dritare informacioni do ti shërbente shqiptarëve të cilët vuanin nën pushtimin fashist për të kuptuar situatën e luftës por edhe për tu ndergjegjësuar kundër okupatorit.

Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare Dervish Duma, drejtimin e këtij programi e mori Anton Logoreci. Duma e njihte mirë Logorecin, qysh në shkollën e Fultzit, ato ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, në të mirë të Shqipërisë, gjithë jetën.

Nuk ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar çdo mbrëmje zërin e Anton Logorecit nga qendra transmetuese e BBC¬së, që ishte një institucion edukimi politik e demokratik edhe për të.

Ai aty nuk punoi si folës i thjeshtë por edhe si komentator, si përgjegjës i sektorit për Shqipërinë e më vonë si përgjegjës i BBC­-se per sektorin e tërë Evropës Lindore“, shkruan Albulena Stojaku në shtypin shqiptar në artikullin: NOLOGUS, NJE PERSONALITET I HARRUAR… dedikuar Anton Logorecit. / KultPlus.com

Kush është Penny Mordaunt, gruaja që ka gjasa të marrë drejtimin e Britanisë së Madhe

Penny Mordaunt është aktualisht favoritja për të zëvendësuar Boris Johnson si lidere e Partisë Konservatore dhe kështu si kryeministre e ardhme e Britanisë. Ajo u rendit e dyta në dy votimet e para të deputetëve konservatorë, që u mbajtën nga 13 dhe 14 korrik.

Më pas sërish nëpërmjet një votimi nga 180,000 anëtarë të partisë, numri i kandidatëve do të reduktohet nga 5 në 2. Nëse Mordaunt arrin të jetë në dyshen e kandidatëve, ajo ka një mundësi shumë të madh për të fituar, sipas një sondazhi nga ConservativeHome dhe YouGov.

Kush është Penny Mordaunt dhe pse konservatorët shohin potencial tek ajo?

Mordaunt ka lindur në vitin 1973. Babai i saj, një ish-parashutist, e quajti atë sipas hms Penelope, një kryqëzor britanik.  Ajo  ka thënë se dashuria dhe krenaria e saj për Britaninë u rrit në moshën nëntëvjeçare, në Portsmouth, duke parë anijet që lundronin për në luftë në Falklands (ajo tani është një rezerviste e marinës).

Më vonë, fëmijëria e saj u bë e vështirë: nëna e saj vdiq kur ajo ishte 15 vjeç dhe babai i saj u sëmur vitin e ardhshëm. Ajo mbeti e vetme për të rritur vëllain e saj të vogël. Ajo punoi si asistente dhe studioi filozofi në Universitetin e Reading.

Ajo u zgjodh deputete për Portsmouth North në vitin 2010. Karriera e saj lulëzoi nën udhëheqjen e David Cameron dhe Theresa May. Ajo shërbeu si ministre e forcave të armatosura, sekretare e zhvillimit ndërkombëtar dhe sekretare e mbrojtjes.

Gjatë garës së lidershipit konservator të vitit 2019, ajo mbështeti Jeremy Hunt, rivalin e Boris Johnson. Sipas aleatëve të saj, ishte pikërisht kjo që e bëri atë të ishte më pak favorite dhe që atëherë ajo ka mbajtur pozita jo me rëndësi shumë të madhe, si ministre e tregtisë, raporton abcnews.al.

Mbështetësit e shohin atë si një kundërhelm ndaj mandatit të mbushur me skandale të Johnson, duke e përshkruar atë si një njëri punëtor dhe të përgjegjshëm, dhe provinciale dhe jo metropolitane. Ajo nuk njihet veçanërisht si ideologjike. Ajo mbështeti Brexit-in, por nuk është obsesive për sa i përket divorcit.

Në Greater: Britain After the Storm, një libër që ajo ka qenë bashkëautore vitin e kaluar, ajo ofron një portret të Britanisë moderne si një tokë e mbushur shërbime të mira të NHS-ve,( Shërbimi Shëndetësor Kombëtar), bareve dhe Aktit të të Drejtave të Njeriut.

Politikat e saj shpesh fokusohen në zgjidhje të bazuara në komunitet dhe jo në zgjidhje strukturore: ajo sugjeron që deputetëve t’u jepen para për t’i përdorur për kauza të mira në zonat e tyre elektorale dhe që paratë që mblodhën vullnetarët që gjatë Covid-19 të vihen në përdorim.

Kjo mund të duket e pamundur për një parti të nxitur nga Brexit dhe betejat për madhësinë e shtetit. Po aq e rëndësishme, sipas një deputeti, është ndjenja e besnikërisë ndaj partisë dhe aftësia për të bërë punën.

Audienca e saj e synuar nuk ishte aq e spikatur. Sa i përket deputetëve, paqartësia e saj ideologjike e ka bërë atë një zgjedhje tërheqëse për ata që nuk e pëlqejnë Rishi Sunak, ish-kancelarin dhe kandidatin kryesor, dhe Liz Truss, sekretaren e jashtme.

Kampet rivale po përmbysin situatën. Lordi Frost, ish-negociatori britanik i Brexit-it, i cili po mbështet Truss, tha më 14 korrik se ai kishte “rezerva të rënda” për kandidaturën e saj. Sipas tij, ajo nuk ka qenë mjaftueshme kur punonte si zëvëndësnegociatore.

Të tjerë e kanë përshkruar atë si dashamirëse të të drejtave transgjinore, gjë që ata besojnë se do të nervozojë edhe më shumë anëtarët konservatorë. Edhe mbështetësit e saj e pranojnë se ajo nuk ka shumë eksperiencë dhe se shumë do të varej nga fakti nëse, si kryeministre, ajo do të ishte e përgatitur të emëronte rivalë të fortë në poste të mëdha, ose nëse do të vepronte siç bëri Johnson, duke gjetur persona që pranonin gjithçka që ai vendoste. /abcnews.al / KultPlus.com

Bazuar në ngjarje të vërteta, mbrëmë erdhi premierë “Burgu Politik”, në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit

Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit tashmë është shndërruar në një hapësirë të komunitetit ku po organizohen aktivitete të shumta kulturore.

Mbrëmë aty u dha premierë shfaqja teatrore “Burgu Politik” në kujtim të shkrimtarit e politikanit, Adem Demaçi dhe filozofit e aktivistit, Ukshin Hoti, përkatësisht përndjekjes politike të tyre si rrjedhojë e jetës dhe veprës intelektuale.

Shfaqja ishte ndarë në pesë rrëfime të ndryshme të cilat janë të bazuara në ngjarje të vërteta, dhe krejt në fund përfundon me një pjesë të asocimit me Burgun e Dubravës dhe masakrës që ndodhi aty në vitin 1999.

E veçanta e saj ishte se edhe publiku ishin te burgosur brenda qelive duke parë shfaqjen.

“Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u zhvillua nga regjisorët, Kushtrim Mehmeti dhe Kaltërim Balaj, dramaturgët Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ndërsa luajtën aktorët/et: Fitore Jashari, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Art Pasha, Blendon Ahmeti dhe Lorent Pacolli.

Muzika erdhi e kompozuar nga Lulzim Lushtaku, ndriçimi, Skender Latifi, ndërsa u mundësua nga organizat Etea, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të pranishëm në premierë ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ish të burgosur politik, profesorë, aktorë e artdashës.

Reprizës e shfaqjes mund ta ndiqni edhe sonte nga ora 21:00. / KultPlus.com

Ambasada e SHBA, nismë për përfshirjen e komuniteteve shqiptare në edukimin qytetar

Thënia e ish-Presidentit të SHBA, Barack Obama se, “Ndryshimi nuk do të vijë nëse e presim nga një person tjetër apo një kohë tjetër. Ne jemi ata që kemi pritur. Ne jemi ndryshimi që kërkojmë”, është motoja e gjashtë klubeve “Të Rinjtë Për Ndryshim”.

Këto klube janë pjesë e një nisme për përfshirjen e komuniteteve shqiptare në edukimin qytetar, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Kjo nismë bashkon nxënës nga shkollat e mesme publike dhe shkollat e komunitetit fetar në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan, të cilët kanë punuar në projekte të përbashkëta për të ngritur çështjet më urgjente të komunitetit, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shfrytëzimin e fëmijëve për punë dhe mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë.

Duke folur në një aktivitet për të prezantuar këto projekte në Medresenë e Tiranës, Zëvendës Shefja për Marrëdhëniet me Publikun e ambasadës së SHBA, Amanda Roberson vlerësoi punën e nxënësve dhe i nxiti ata që të vazhdojnë të jenë qytetarë aktivë dhe drejtuesit e ardhshëm të komunitetit./atsh/ KultPlus.com

Thënia e ish-Presidentit të SHBA, Barack Obama se, “Ndryshimi nuk do të vijë nëse e presim nga një person tjetër apo një kohë tjetër. Ne jemi ata që kemi pritur. Ne jemi ndryshimi që kërkojmë”, është motoja e gjashtë klubeve “Të Rinjtë Për Ndryshim”.

BE vendos bankën më të madhe ruse Sberbank në listën e sanksioneve

Bashkimi Europian ka vendosur bankën më të madhe ruse Sberbank dhe kreun e firmës gjigante të zinkut dhe bakrit UMMC në listën e zezë të individëve dhe kompanive të akuzuara për mbështetjen e pushtimit të Moskës në Ukrainë, sipas një draft dokumenti nga Reuters, shkruan The Guardian.

Lista e re me 48 zyrtarë dhe nëntë entitete që do të futen në listën e zezë të sanksioneve, e përgatitur nga shërbimi i jashtëm i BE-së, përfshin gjithashtu drejtues të klubit të motoçikletave Ujqërit e natës, aktorë, politikanë, nënkryetar të një shërbimi rus të sigurisë, anëtarë të familjeve të oligarkëve të sanksionuar dhe ushtarakë.

Shtimi i Sberbank do të ngrinte asetet e saj në Perëndim dhe do të parandalonte plotësisht transaksionet, me përjashtim të operacioneve financiare për tregtinë e ushqimit dhe plehrave, tha një zyrtar i BE-së për Reuters./abcnews.al / KultPlus.com

Dita e pestë dhe gjashtë e festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Dita e 5-të e Besëtytnisë

Dita filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 4+ të cilët janë: Kiwi & Strit – Things Have Legs, Edmond and Lucy – Shooting Stars, No-No Goes to Space, My Name is Fear, dhe Mezosoique Alternative. Ndërsa, në po të njëjtën orë në Kinemanë Jusuf Gërvalla u shfaqën filmat nga kategoria e garës së filmit të metrazhit të gjatë 4 ku të pranishmit panë filmin Chicken of the Mound. Programi për të vegjlit tanë vazhdoi përsëri në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli me programin për të fëmijë 9+ ku u kënaqën duke parë filmat: Bellysaurus, The Fox, the Turtle, the Spider and the Cake, Lost Brain, This Hut is too Small, Letters From the Edge of the Forrest, dhe The Turnip. Gara e filmit të metrazhit të gjatë 5 me shfaqjen e filmit Bye-Bye Elida u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla në ora 14:00. Programi special Bashkëkohësit Queer u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla nga ora 16:00 ku pati shumë të interesuar për të ndjekur këta filma të veçantë: Entropia, Hi, It’s Your Mother, Guy, The Saint of Dry Creek, i Like Girls, Purpleboy, The Night Cleaner, CUT, Manivald, Modern Queer Heroes/Little Elephnt/ Queerer than Thou?. Gjatë mbrëmjes, në Kino Liqeni u shfaqën filmat e garës së studentëve 4 në të cilët interesimi ishte shumë i madh për artistët e ardhshëm të animacionit. Aty të pranishmit panë: Night of the Living Dread, Green, Let Sleeping Dogs Lie, Pests, The uncertain snow, Resting Fog, dhe The Seine’s tears. Asgjë nuk i mund shfaqjet e filmave që ndodhin në Kino Kubat në një ambient mahnitës. Në ora 22:00 mbrëmë u prezantuan filmat e garës ndërkombëtare 4: Granny’s Sexual Life, Shpija, Good old vinil, The Garbage Man, dhe The Umbrella. Bestytndejat ishin të zjarrta, të përcjella me muzikë metal dhe rock nga grupet e jashtëzkonshme të shtëpisë diskografike Defy Them ku interpretuan: Brey Lenses, Elektorati Intelektual, Telikput, Vëllezërit Mllefi dhe grupi Shlem.

Dita e 6-të e Besëtytnisë

Dita e gjashtë e Festivalit filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Filmat të cilët shikuesit paten mundësi ti ndjekin janë: Passenger, Wolves in the walls, Battle Scar: punk was invented by girls, Limbotopia, Replacements, Paper Birds, dhe Goliath: Playing with Reality. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë gjatë Festivalit mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer tashmë në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animnuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 9+ të cilët patën mundësi të shohin: The Secret of Mr.Nostoc, The Winged, Angry bag, dhe Mom is always right. Programi vazhdoi me shfaqjen e filmave në ora 12:00 në Jusuf Gërvalla me Programin Panorama Jashtë Garës 1 me pesë filma: A Goat’s Spell, The melancholy of the Phoenix, A Guitar in the Bucket, Passenger, dhe Bird in the Peninsula. Panorama jashtë Garës 2 solli një program të bujshëm me gjithsej tetë filma të veçantë në ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Filmat të cilët u shfaqën janë: Not For Me, Miracasas, The Debutante, Don’t die on me, DING (Thing), C, Hi! How are you?, Til We Meet Again. Ndërsa, programi për fëmijë 9+ u mbajt në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli ku u shfaqën këta filma: Spring Always Comes Back, In Sight, My Grandma Matilde, Cap is one’s own business, dhe The Girl Behind the Mirror. Programi i veçantë: Eksperimental filloi në ora 16:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Në këtë program kuratori kërkoi që publiku të gjej veten në vijën e hollë mes gjithçkaje dhe asgjëje, dhe inkurajoi të pranishmit të shtronin pyetje dhe jo të gjeni zgjidhje. U shfaqën: Supertelevision, Script.exe, Anxious Body, Password to the *****, i sit and look out, Money, Quantum Shadow, Worms Ate my Flesh, ZOOPARK, PRESS(ED). Paneli “Besëtytnijat si rrëfenja” solli të interesuar të shumtë në ora 17:00 në Galerinë e Arteve. Gjithçka filloi me simbolet, që përbëjnë fjalët, gjuhët, që përbëjnë histori, përralla, mite, bestytni dhe që deri më sot komunikohen nga njerëzit përmes mediave klasike dhe bashkëkohore, librave, filmave etj. Këtu u diskutua për përdorimin e tyre në jetën e përditshme, nga aspekti i perspektivës njerëzore, traditës, mistikës dhe pse vazhdojnë t’i përdorim edhe sot me tërë këtë zhvillim teknologjik e mediatik. Nga ora 20:30 filluan shfaqjet e filmave të garës së video-animacioneve muzikore 1 në Kino Liqeni dhe video animacioneve muzikore 2 të cilat u shfaqën për publikun e shumtë në ora 22:00 në Kino Kubat. Në këto kategori u shfaqën 27 filma të ndryshëm ku publiku përveç realizimit të bukur nga aspekti i animacionit pati mundësinë të dëgjoj edhe muzikë. Bestytndejat e këtij edicioni u përmbyllën me grupet Gipsy Groove dhe Lilac të cilët filluan performancat e tyre muzikore nga ora 23:00 në Kino Liqeni ku audienca nuk mundi t’iu rezistojë tingujve të veçantë dhe plot gëzim të këtyre artistëve. / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka edhe një kërkesë për BE-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar sot Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian të cilin e konsideron një hap më afër BE-së.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut për një hap më afër BE-së. Në këtë kohë vendimtare, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri!”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Tutje, Osmani ju bën thirrje vendeve anëtare europiane për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare europiane që të dorëzojnë urgjentisht vendimin e vonuar për lirinë e vizave për qytetarët tanë”. / KultPlus.com

Çfarë nënkupton për Shqipërinë hapja e negociatave me Bashkimin Europian?

Shqipëria pritet që sot të hapë negociatat me Bashkimin Europian, 16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Çfarë nënkupton hapja e negociatave me BE-në?

Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre.

Me përafrimin e këtyre ligjeve do të hapen dhe mbyllen kapituj me sukses ose dështim, që në total do të jenë 35.

Kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias etj.

Më pas do të ketë kapituj dhe për lidhjet ekonomike dhe tregtare. Ky proces do të ndiqet hap pas hapi nga Komisioni Europian. Ky proces pritet të zgjasë disa vite.

Sot, në godinën e Këshillit Europian pritet që në orën 11:00, kryeministri Edi Rama, ministrja Xhaçka dhe kryenegociatori Zef Mazi do të zhvillojnë takimin politik për hapjen e negociatave në mënyrë zyrtare, më pas do të zhvillojnë takime teknike./ Gazeta express / KultPlus.com

Një qenie që zgjohet për ju

Nga Stefan Zweig

I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe net, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtimë për ju – një grua, një e huaj. Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qenies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj. Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndrrat e tua. Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qenie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj. Është i kotë tentimi i juaj për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju. Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo. / KultPlus.com

Undated portrait of Austrian novelist, playwright, journalist and biographer Stefan Zweig (1881 – 1942). (AP Photo)

Shqipëria hapë negociatat me BE, OSBE: Hapet kapitull i ri

Sot mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë me BE që shënon hapjen e negociatave për anëtarësim.

Në këtë ditë të rëndësishme për nuk kanë munguar urimet nga përfaqësues të huaj që e kanë ndjekur këtë proces. Komisioneri i BE për Zgjerimin Oliver Varhelyi ka shkruar në Twitter se prioriteti i BE-së mbetet Ballkani Perëndimor dhe më shumë se kurrë Bashkimi Europian është i angazhuar për ta bërë gjithë rajonin pjesë të saj.

“Ne po hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë për të sjellë të gjithë rajonin në BE. Sot ne po bëjmë një hap të madh drejt këtij angazhimi”, ka shkruar Oliver Varhelyi.

OSBE në Shqipëri e ka cilësuar ditën e sotme si një kapitull  të ri të Shqipërisë i shumëpritur dhe i merituar.

“Një kapitull i ri i shumëpritur nga shqiptarët dhe i merituar hapet sot. @OSBE Prezenca do të mbetet një partner i vendosur i vendit në arritjen e objektivave të reformës prioritare“- shkruhet në postim. 

CDU-CSU në Gjermani kanë përshëndetur çeljen e negociatave, duke e cilësuar si përparim shpresëdhënës për rrugën drejt BE por paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë lëshim për kriteret.

Ohann Wadephul: “Negociatat për anëtarësimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë priten te ndodhin tani afër. Ky është një hap historik drejt rrugës se integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE. Negociatat duhet të fillojnë tani shpejt në mënyrë që më në fund të ndezin një dinamikë të re pozitive. Deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut kanë treguar largpamësi. Ata janë shprehur pro një propozimi kompromisi nga Franca që po kërkon shumë prej tyre. Por kjo hap derën për në BE. Mbetet për të shpresuar se ky hap është gjithashtu mënyra për të promovuar bashkëjetesën multietnike në të gjithë rajonin dhe për të ulur tensionet. Megjithatë, duhet të jetë po aq e qartë se ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim ndaj kritereve të anëtarësimit. Për Shqipërinë në veçanti, Bundestagu ka formuluar kritere të qarta për pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit. Këto kritere ende nuk janë përmbushur. Pres që qeveria e Edi Ramës t’i zbatojë këto reforma me guxim dhe qe BE-ja të kërkojë permbushjen e tyre gjatë bisedimeve.”

Gunther Krichbaum: “Marrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për një plan pune për fillimin e negociatave të anetaresimit të Maqedonisë së Veriut në BE jep arsye për shpresë. Bashkimi Europian tani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të mund të fillojnë pa vonesë. Pres që qeveria bullgare të mos vendosë pengesa të tjera në rrugën e këtyre negociatave dhe përfundimisht ti jape fund lojerave te tyre të motivuara thjesht nga politka e brendshme, të cilat bien ndesh me frymën europiane. Por Maqedonisë së Veriut i kërkohet gjithashtu si Shqiperise të vazhdojne perpjekjet. Partitë demokratike në Shkup duhet të vazhdojnë fuqishem rrugën europiane ”.

Edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Luigi Soreca e ka konsideruar si një moment historik çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Sot është një moment historik për Shqipërinë dhe për BE! Më në fund ka ardhur koha që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt bërjes një Shtet Anëtar i BE-së. Shumë të lumtur për të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe miqtë që e shohin Europën si destinacionin e tyre natyror. E ardhmja është së bashku”– shkruan Soreca.

Sot mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Shqipërisë me BE që shënon hapjen e negociatave për anëtarësim. Pjesë e këtij procesi është edhe Maqedonia e Veriut. /Gezeta Express / KultPlus.com

“Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës

Nisi programi “Open Cinema” ose “Kinemaja shëtitëse”, në qytetin e Gjirokastrës, i cili parashikon shfaqjen e filmave për 3 net rresht.

Ky program vjen si nismë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, për ta çuar filmin sa më pranë publikut dhe jo vetëm në kryeqytet.

Bashkia Gjirokastër, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Production Cinemania, janë disa nga mbështetësit e këtij eventi, i cili pas një kalimi në qytete të tjera të vendit, solli kinemanë verore në qytetin e bukur të Gjirokastrës.

Show kinematografik ka në permbajtjen e tij, filma shqiptarë dhe të huaj, të cilët nisën projeksionin në sheshin përballë Teatrit “Zihni Sako”. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësinë të shijonin edhe muzikë live.

Ky projekt parashikon një sërë aktivitetesh verore dhe vjen si bashkëpunim i AQSHF dhe Cinema Production.

Këtë verë, filmi shqiptar dhe i huaj do të “shëtisë” në sheshet e disa qyteteve të Shqipërisë, duke shtuar një aktivitet më shumë edhe për pushuesit gjatë sezonit veror. / KultPlus.com

Admovere: MASHTI miraton tekst shkollor me autorë plagjiatorë

Admovere ka reaguar në lidhje me miratimin e një teksti shkollor me autorë plagjiatorë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë:

Më 26 maj 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) publikoi vendimin me numër të referencës 01/B 1161, «Lista përfundimtare e teksteve shkollore për klasat 4 dhe 9», në të cilin «prezantohen vlerësimet e dorëshkrimeve sipas recensentëve për secilën klasë dhe lëndë». Sipas këtij vendimi, për lëndën Edukatë Qytetare për klasën e IX komisioni recensues i ka vlerësuar katër (4) tekste, si vijon: tekstin e Shtëpisë Botuese «Dukagjini» me 2.17 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Libri Shkollor» me 2.14 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Albas» me 3.57 pikë dhe tekstin e Shtëpisë Botuese «Irisoft» me 3.24 pikë. Në tekstin shkollor «Edukatë Qytetare 9» të Shtëpisë Botuese «Irisoft», autorë të të cilit janë Alba Kreka, Selim Bezeraj dhe Bujar Dugolli, shënohet se teksti është «miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit»

(https://drive.google.com/file/d/1ëy58bsEQh_Ep0Ih8ILpsZGGZ8-2dq5Sl/vieë)

Dy bashkautorët e këtij teksti, Bezeraj dhe Dugolli tanimë janë të njohur për publikun si plagjiatorë të dëshmuar.

Në vitin 2018 ADMOVERE publikoi raportin me titull «Stafi akademik i UP-së: studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë», në të cilin prezentoi 16 plagjiaturat e stafit akademik të UP-së, të prezentuara ndër vite nëpër media. Rasti i Selim Bezerajt, prezentohet në këtë raport si vijon:

«Në korrik 2016, Gazeta «Jeta në Kosovë» raportoi se Shefi i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Filozofisë, Selim Bezeraj, disertacionin e Doktoraturës «Shqiptarët dhe Austro-Hungaria gjatë viteve 1912-1914», të mbrojtur në Universitetin e Tiranës më 2014, si dhe punimin «Gjendja sociale në Shqipëri gjatë sundimit të princit Ëilhelm Ëied sipas udhëtarit gjerman», të dorëzuar për botim më 2015 në revistën akademike gjermane «Zeitschrift für Balkanologie», i ka kopjuar nga tema e magjistraturës e Adam Christian-it në Universitetin e Vjenës. Menjëherë pas këtij raportimi, ish-rektori Ramadan Zejnullahu me një letër zyrtare u kërkoi profesor Bezerajt dhe dekanit të Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugollit, «sqarim të plotë me shkrim». Revista akademike gjermane, pasi e zbuloi hilen, nuk ia publikoi Bezerajt punimin e dorëzuar, të cilin synonte ta shfrytëzonte me rastin e hapjes së konkursit për avancime akademike në UP. Rektorati i Universitetit të Tiranës thotë se «ka filluar hapat e parë procedurialë» për tezën e doktoraturës së Bezerajt. Çështja shkon edhe te Këshilli i Etikës në UP, por Kryesuesja, Myzafere Limani, thotë se nuk ka mundësi të ndërmarrë veprime pa aprovimin e rregulloreve relevante përkatëse nga Senati dhe Këshilli Drejtues» (https://admovere.org/ëp-content/uploads/2022/06/2.-Stafi-akademik-i-UP-se.pdf).

Ndërkaq, sa i takon rastit të Bujar Dugollit, më 1 tetor 2021, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dorëzoi në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e dy profesorëve: Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati. Pas 6 muajsh, më 10 mars 2022, Këshilli i Etikës, në përgjigjen zyrtare për ORCA-n thotë se ka vendosur që këtë çështje ta administroj përmes ekspertizës profesionale. Pas kësaj përgjigjeje, ORCA ia dërgon të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës revistës botuese të punimit. Në përgjigjen për ORCA-n revista konstaton dhe verifikon plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati dhe menjëherë e largon punimin nga revista, duke shtuar se «politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë». Me të marrë këtë përgjigje nga revista, ORCA i është drejtuar edhe njëherë Këshilli të Etikës të Universitetit të Prishtinës, duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillestar. Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës ka konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore» (http://orca-ks.org/sq/shpallen-plagjiatore-bujar-dugolli-dhe-ardian-kastrati/)

Duke i pasur parasysh faktet e sipërpërmendura, ADMOVERE shpreh indinjatën më të skajshme lidhur me një vendim të tillë të MASHTI-t. Tekstet shkollore nuk duhen parë si mundësi e rehabilitimit të plagjiatorëve, të cilët nuk përfaqësojnë as kredenciale morale e as akademike. Një vendim i tillë, që nxënësve të klasës së IX ua servon librin e Edukatës Qytetare, bashkautorë të të cilit janë dy plagjiatorë, Bezeraj dhe Dugolli, është qartë skandaloz dhe i papranueshëm. ADMOVERE është thellësisht e tronditur dhe e zhgënjyer me këtë vendim të MASHTI-t dhe fton mekanizmat kompetentë ta rishikojnë sa më shpejtë që është e mundshme. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të Edukatës Qytetare, prindërve e nxënësve të klasës së IX, që ta refuzojnë prerazi këtë libër! Ne do të përcjellim nga afër hapat e mëtejmë të MASHTI-it karshi këtij libri, sepse nuk mund të lejojmë që të legjitimohet plagjiatura! / KultPlus.com

Në korrik 1998 raportohej: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica

Para 23 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…

-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku”, 22 e 25 Korrik 1998: Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec.- Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë – Të masakruar, të vrarë dhe të djegur.- Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit.- Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës.-Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…

-Kuvendi i Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Kryeministri Kurti: Me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon/

Shkruan Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Korrik 2021/ Në Rahovec prej 17 deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna…

“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar.

“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.

Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…  

Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.

Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…

 Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi.“Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon. / KultPlus.com

SHBA-ja zotohet për masa të ashpra kundër shteteve që abuzojnë me rendin ekonomik

Shtetet e Bashkuara do të vendosin pasoja të ashpra ndaj shteteve që prishin rendin ekonomik ndërkombëtar, tha të martën sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

“Integrimi ekonomik është shndërruar në armë nga Rusia”, tha ajo, duke u bërë thirrje të gjitha shteteve që të bëhen bashkë për të kundërshtuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë rritjen e lidhjeve tregtare me Korenë e Jugut dhe aleatët e tjerë, me qëllim që të përmirësohet qëndrueshmëria e zinxhirëve të furnizimit dhe të shmangen manipulimet e mundshme nga rivalët gjeopolitikë, deklaroi Yellen.

Yellen po qëndron në vizitë zyrtare në Korenë e Jugut dhe tha se gjatë kësaj vizite është paralajmëruar se do të ngrehë çështjen bisedojë e çmimit tavan për naftën ruse.

Gjatë vizitës në Korenë e Jugut, Yellen po ashtu kritikoi Kinën. Ajo tha se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut duhet të forcojnë lidhjet e tyre tregtare në mënyrë që shtetet tjera të mos krijojnë avantazh në tregjet ndërkombëtare, duke përmendur Kinën.

“Ne nuk mund të lejojmë shtetet si Kina të përdorin pozicionin e tyre në treg në lëndët e para, teknologjitë ose produktet kryesore për të penguar ekonominë tonë ose për të ushtruar ndikim të padëshiruar gjeopolitik”, tha Yellen në Seul.

Vizita në Seul është pjesë e turneut 11-ditor të sekretares Yellen në rajonin e Indo-Paqësorit.

Më vonë gjatë së martës, ajo do të takohet edhe me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol./rel / KultPlus.com

Nis dita historike për Shqipërinë, Rama dhe Kovaçevski priten nga Von der Leyen

Ka nisur dita historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare që do shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pritja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Bruksel është bërë nga Presidente e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Më pas ka nisur dhe takimi mes tyre ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend që udhëheq Presidencën e BE-së. / KultPlus.com

Deklaratat më të bukura të dashurisë nëpër filma

Deklaratat më të bukura të dashurisë janë ato që jetojnë në vetën e parë, por ne kemi përzgjedhur  ato që ne mendojmë se janë më të bukurat të filmave romantikë, që na bëjnë të ëndërrojmë për dashurinë.

Nëse keni dëshirë për t’u zhytur në romancën më të ëmbël, ose po kërkoni frymëzim për t’i  shprehur dikujt dashurinë, më poshtë janë deklaratat më të bukura të dashurisë në filma.

Filmi “When Harry Met Sally”

“Të dua kur je i ftohtë dhe jashtë është 30 gradë. Të dua kur të duhet një orë për të porositur një sanduiç. E dua rrudhën që të krijohet kur më shikon sikur jam i çmendur. Më pëlqen që pas një dite të kaluar me ty ende e nuhas aromën tënde në pulovrat e mia dhe jam i lumtur që je personi i fundit me të cilin bisedoj para se të fle gjumë në mbrëmje. Dhe kjo nuk është sepse ndihem vetëm, dhe nuk është sepse është Nata e Vitit të Ri”.

“The Notebook”

“Nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë shumë e lodhshme. Ne do të duhet të punojmë për të çdo ditë, por unë dua ta bëj sepse të dua. Dua gjithçka tënden. Përgjithmonë. Ti dhe unë. Çdo ditë”.

Dashuria nuk është shikimi i parë, muaji i parë apo takimi i parë; është jeta e përditshme dhe pushimet e vogla të çdo dite. Është e mundimshme. Por ja vlen. Dhe ndër deklaratat më të bukura të dashurisë kjo është sigurisht një nga më realistët.

“Bashkë me erën”

“Është telash: duhet të puthesh, dhe shpesh, dhe nga dikush që di ta bëjë”. Reth është i vetmi që mund ta shohë Roselën për atë që është “sepse”, ai i thotë asaj, “ne jemi të njëjtë, të dy fundërrina, egoistë dhe mendjemprehtë, por në gjendje t’i shohim gjërat në fytyrë dhe t’i thërrasim me emrin e tyre”.

Të paktën jini të sinqertë me veten dhe do të gjeni personin e duhur.

“Krenari dhe paragjykim”

“Nëse ndjenjat tuaja janë të njëjta, thuajeni tani. Dashuria dhe dëshirat e mia janë të pandryshuara. Por një fjalë e juaja do të më bëjë të hesht përgjithmonë. Nëse, nga ana tjetër, ndjenjat e tua kishin ndryshuar duhet të të them … Ti më ke magjepsur trupin dhe shpirtin dhe të dua, të dua, të dua dhe tani e tutje nuk dua të ndahem më nga ti.

Ah, Z. Darcy! Askush nuk mund të jetë aq i padurueshëm dhe i papërmbajtshëm sa prototipi i së bukurës dhe i mallkuar i krijuar nga Jane Austen.

“The Fault in Our Stars”

“Do të ishte një privilegj të më thyhej zemra nga ju.”

Mund të derdhni shumë lot, por ndonjëherë ia vlen ta provoni.

“Shekspiri i Dashuruar”

“Të dua Will, përtej poezisë”.

Kur premtimet shoqërohen me fakte, atëherë ju po përjetoni diçka të mrekullueshme.

“Submarine”

“Unë shkrepa një fotografi tonën, gjysmë të përqafuar. Kur të jem plakur dhe vetëm, do të kujtoj se kam mbajtur diçka vërtet të bukur”.

Si adoleshent gjithçka është vërtet e vështirë dhe e komplikuar, por ju jeni në gjendje të njihni dashurinë.

“Notting Hill”

“Unë jetoj në Notting Hill, ju jetoni në Beverly Hills, e gjithë bota e di kush jeni. Nëna ime e ka të vështirë të kujtojë emrin tim”, “Gjëja e famës nuk është një gjë e vërtetë, ju e dini, dhe mos harroni se unë jam gjithashtu një vajzë e thjeshtë, duke qëndruar para një djali dhe duke i kërkuar atij ta dua”.

Kushdo qoftë, mos harroni se ajo që ka rëndësi jeni ju të dy dhe pjesa tjetër është letër-muri.

“Moulin Rouge”

“Gjëja më e mirë që mund të mësosh është se si të duash dhe të të duan”. Ky është version i këngës së Nat King Cole “Nature Boy”, e riparë në film nga David Bowie dhe ribërë nga Massive Attack. Fraza është shtypur nga Christian, një poet pa para (Ewan McGregor) i dashuruar me Satinen e bukur (Nicole Kidman)./ KultPlus.com

‘I kam lutur sytë që fjalën luftë të mos e venerojnë’

Poezi nga Musa Ramadani

Brenga mendjen në merimangë ma pështolli
Tmerri zemrën në fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurrë më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mortje kurrë të mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi në shpirt më rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më!

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do ta kenë shëruar. / KultPlus.com

Regjistri i Trikallës i vitit 1455 dhe të dhënat për historinë shqiptare

Në vitin 1455 sulltan Mehmeti i II, duhet të ketë urdhëruar një regjistrim të timareve në gjithë Perandorinë Osmane. Nuk ka mbërritur asnjë shkresë e kohës që vërteton urdhrin e sulltanit, por fakti që një numër i madh regjistrash që kanë mbërritur në ditët e sotme mbajnë këtë datë, pra vitin 1455, vërteton që sekretaria e timareve të ketë hartuar një regjistrim të tillë. Regjistra të tillë kanë mbërritur për Rumelinë edhe për Anadollin.

Regjistrimi në vitin 1455 ka edhe një logjikë të re. Tashmë në duart e osmanëve kishte rënë Kostandinopoja, për marrjen e së cilës ishin mobilizuar të gjitha forcat ushtarake; tashmë perandoria do të kishte një kryeqytet të ri, prandaj regjistrimi do të hidhte dritë mbi statistikën e fundit të perandorisë. Një nga regjistrat e vitit 1455 është edhe regjistri i sanxhakut të Trikallës (Tırhala sancağı).

Regjistri ruhet në Arkivin Osman në Stamboll (BOA), në fondin MAD nën numrin 10. Regjistri është botuar në dy vëllime në vitin 2001, nga Instituti i Historisë Turke në Ankara. Ka dy autorë Melek Delilbashë (Delilbaşı) dhe Muzafer Arëkan (Arıkan). Në vëllimin e parë autorët kanë paraqitur të dhënat historike që përmban regjistri në lidhje me forcat ushtarake: aplikimin e sistemit të timareve, të dhënat mbi financën osmane (taksat), prodhimet bujqësore që përfshihen në sistemin e taksave. Jo vetëm kaq, por ata kanë transliteruar në këtë vëllim të dhënat e timareve, timarlinjve, listat me emrat e popullsisë myslimane, të dhënat financiare dhe ushtarake që kishte çdo timar dhe të dhënat e popullsisë. Regjistri në fjalë është i tipit i detajuar (mufasal), që do të thotë se përveç të dhënave të përmendura më sipër, përmban edhe listat me emrat e kryefamiljarëve të vatrave (hane), beqarëve dhe vatrave që kishin kryefamiljare të veja (bive).

Këto lista nuk janë të transliteruara në vëllimin e parë. I gjithë regjistri është botuar në origjinalin osmanisht në vëllimin e dytë. Gjatë regjistrimit të familjarëve, beqarëve dhe të vejave, regjistruesi osman lejon personin të regjistrohej në atë mënyrë që ai identifikohej. Nuk është e qartë se në çfarë mase ky lloj regjistrimi ndikohej nga regjistrimet e mundshme paraosmane të periudhës bizantine. Në regjistër personat regjistrohen mes të tjerash edhe sipas etnisë. Kështu personat janë regjistruar edhe si sllavë (islavis, isklavis), grekë (rum, rumiyus, igrekus), vllehë (evlahos, evlasis) dhe shqiptarë (arnavud, arnavidis).

Forcat osmane në Thesali komandoheshin nga familja e Evrenozëve, një familje shqiptare nga Dibra që kishin bërë karrierë në ushtrinë osmane. Forcat osmane të Trikallës goditën në shpartallim forcat spanjolle që kishin rrethuar Beratin në bashkëpunim me Skënderbeun.

Sanxhaku i Trikallës në vitin 1455 përbëhej nga tri kaza që ishin: Trikalla, Feneri dhe Agrafa. Qytetet e regjistruara janë: Trikalla, Larisa (Jenishehir), Feneri dhe Agrafa. Kala e regjistruar është vetëm ajo e Damsit. Ekzistonte edhe nahija e Radovizit nën varësinë e kazasë së Fenerit dhe treva (il) që duhet të kenë ekzistuar si njësi që në kohën para vendosjes së sundimit osman, Kravar ili dhe Mjekra ili. Kjo e dyta nga autorët e botimit është transliteruar në formën Mikira, që e konsideroj të gabuar.

Popullsia e sanxhakut të Trikallës është si më poshtë:

Forcat ushtarake osmane në sanxhakun e Trikallës janë si më poshtë:

Në kazanë e Trikallës nga 112 timare, 89 u takonin timarlinjve myslimanë, ndërsa 20 timare u takonin timarlinjve të krishterë. Në kazanë e Fenerit nga 73 timare, 61 ishin timarlinj myslimanë, ndërsa 12 të krishterë. Në kazanë e Agrafas nga 7 timare, 6 ishin timarlinj myslimanë, 1 ishte i krishterë. Në total në sanxhakun e Trikallës nga 192 timare në total, 156 janë myslimanë, 33 të krishterë dhe 3 janë të përzier (mysliman dhe jomysliman). Një timar ka statusin vakant (mevkuf ). Në listën e timarlinjve të sanxhakut të Trikallës, ka të dhëna historike si për timarliun Mahmud, serhani është dizdari i kalasë së Beratit në Shqipëri (76a), ndërsa tek timari i Ibrahimit birit të Mukbilit, Jusufit dhe Hamzait bijve të Ahadit. Ibrahimi është turk i ardhur nga Anadolli, ndërsa dy të tjerët janë minorenë. Baballarët e tyre kanë rënë në luftimet e kalasë së Koxhaxhikut. (79b).

Një pjesë e timarlinjve të sanxhakut të Trikallës, veçanërisht ata të krishterë, duket qartë se janë shqiptarë, siç janë Muriqi dhe Gjini (101b), Miho biri i Klaznos dhe Aranidi biri i Vradinos (130a), Dimo, Jorgji dhe Kirjo Duka dhe Mazaraku bijtë e Dimos (143b), Lalsa dhe i vëllai Kosta (145b), Gjini vëllai i Stefanit dhe Jani i biri i Stefanit (179b), Gazi dhe Nikolla bijtë e Bardhit (183b), Mazaraku vëllai i Janit dhe Gjini (187a), Ibrahimi dhe Jusufi bijtë e Isa beut biri i Pavlo Kurtiqit (212a), Gllava, Domeniku, Mazaraku bijtë e Mjekrës (232a), Komenosi dhe vëllai tij Muzaka (233b), Mustafa dhe Petro bijtë e Mjekrës (234b), Pavl biri Mjekrës (236b), Moisiu, Karaxha, Petri madh dhe Kafrli bijtë e Kravarit (239b), Teodor biri i Muzakut dhe Brajko biri i Teodorit (317a), Gjoni dhe Seraqini (318a), Gjon Mavromati (341a), Gjin Mazarak dhe i vëllai Teodori (341b), Sylejmani dhe i vëllai İljasi, janë shqiptarë (347a), Mjekra, Kokara dhe Likureshi (348a), Gjin Likureshi dhe Llazar Likureshi, janë shqiptarë (348b), Kollza dhe Aranidi bijtë e Arestit, të parët e tyre kanë qenë kethydatë (ndihmës komandant) e Trikallës (354a), Bardhi dhe Teodori bijtë e Gjonit (450a),

Gjurmë të shqiptarëve gjenden edhe te truallishta e Kozjakut, që quhet ndryshe edhe bjeshka e shqiptarëve (190b),Gjatë studimit të regjistrit të Trikallës, kemi të dhëna edhe për popullsinë shqiptare. Të dhënat ndahen në tri grupe që janë: të dhëna për lagje dhe fshatra totale me banorë shqiptarë, të dhëna për shqiptarë në lagje dhe fshatra dhe të dhëna për shqiptarë që kuptohen nga emrat e tyre të fiseve (muzak, mazarak etj.). Bazuar në këtë klasifikim janë përgatitur edhe listat e mëposhtme:

a) Në qytetin e Trikallës gjendet një lagje që quhet lagjja e shqiptarëve (mahalle arnavudan) ku banonin 27 vatra dhe beqarë si dhe 4 të veja (7b). Ka edhe fshatra të tëra me banorë shqiptarë që quhen edhe fshatra shqiptare siç janë fshati Çuka me 47 vatra, 5 të veja dhe 10 beqarë (33b), Arnavudan me 23 vatra, 5 të veja (157a), Vila me 15 vatra dhe 3 të veja (këta shqiptarë kanë qenë të falur nga taksat nga Turhan beu, ndërsa tani janë regjistruar si raja) (159b), Toshkës me 16 vatra, 2 të veja (268a), Muzaka me 66 vatra dhe 3 të veja (318a), Kondostavlo me 21 vatra, 3 të veja (356b), Koçohir me 11 vatra dhe 2 të veja (362b).

b) Në lagjen Birgi të qytetit të Trikallës janë regjistruar Dogan arnavudi (3b) dhe djali i tij Jusufi (4a).

Trikalla qyteti, lagjja 3: Dimas arvanidis, Mihos arvanidis, Gjurkas arvanidis; lagjja 5: e veja e Nikolla arvanidis (5a-5b).

Fshati Bihonishta: e veja Teodora arvanid, Milkos arvanid (13b),
Fshati Perabrishtani varet nga Feneri: Janis arvanid (15b),
Fshati Kalojevrohori: Jorgji arvanid (16a),
Fshati Vinota: Miros arvanid (17b),
Fshati Milova: Nikolas arvanid (19a), İstefanos arvanid (20a), Fshati Seniç: Gjinis arvanidis (20b), Fshati Klapodi: Martinis arvanidis (27a-b),
Fshati Destekane: Gjinis arbanidis (28a),
Fshati Konsko: Janis arvanidis, Andreyas arvanid, Mihalis arvanid (30a) Bratos arvanid, İstefanos arvanidis, Likas arvanid (30b),
Fshati Komat: Nikolas arvanidis, Didyas arvanidis (31b),
Fshati Kirjonero: Demetris arvanidis (32b),
Fshati İflamuri: Nikolas arvanid, Mihalis arvanid (35a),
Fshati Mavril: İstefanos arvanid (36b),
Fshati Vaniya: Dimos arvanidis (41a), Minkulas arvanidis (42a), Fshati Lobras: Janis arvanidis, Mihalis arvanidis, Jorgji arvanidis, Rados arvanidis (43a),
Fshati Miçova / Miçoya: Nikolas arvanidis, Jorgji arvanidis (45b), Jorgji arvanid (46a),
Fshati Tiravatitena varet nga Meçova: Gjinis arvanid (48b), Fshati Mila varet nga Meçova: Janis arvanos, Nikolas arvanos, Janis arvanos, Nikolas arvanidis, e veja Arvanida (50a) Jorgji arvanos, Likas arvanidis (50b), Kiralis arvanidis (51a), İstefanos arvanidis, Tevodoros arvanidis, (52a), Qyteti Larisa: Nikolas arvanidis (57b),
Fshati Halapos: Mihalis arvanid, Jorgji arvanid, Nikolas arvanid (63b), Kostas arvanidis, Likas arvanid (64a), Fshati İsparmo: Jorgji arvanid (69a),
Fshati Zarko: Tevodoros arvanidis (72a),
Fshati Seka: Likas arvanid, Kondos biri i arvanid (73b), Dimos arvanidis, Kostas arvanid (74a),
Fshati Tirena: Mekşas arvanidis, İstefanos arvanidis (76a),
Fshati Papadhapulos: Buykos arvanidis, Kozmas arvanidis, Gjonis vëllai i Kozma arvanid, Nikolas arvanidis, Tevodoros arvanidis, Andreyas arvanidis, Gjinis arvanidis, diğer Andreas arvanidis (90b),
Fshati Pirator: Jorgji arvanidis (91b),
Fshati Zhuljani: Kostas arvanidis (92b),
Fshati Qirjavershi ndryshe edhe Malathera: Dimos arvanidis (95a),
Fshati Ayo Demetri: Jorgji arvanidis, Janis arvanidis, Janis arvanidis tjetër (99a), Jorgji arvanidis (99b), Fshati Kamira varet nga Fenar: Tevodoros arvanidis (100b),
Fshati Zaravil: Lazaris arvanidis (103b), İstefanos arvanidis (104a), Fshati Velçiç varet nga Allasonja: Janis arvanidis (106b), Fshati Lavni / Eroni: Likas arvanidis (113a),
Fshati Pavrish: Gjonis arvanidis (113b),
Fshati Paliya Obroshani: Martinis arvanid, Ostoyos arvanidis (119a), Fshati İstagos ndryshe edhe Kalbak Kaja: Andreas arvanidis, İrbiçis arvanidis, Demetris arvanidis (120b),
Fshati Raksha: Mazas arvanidis (142b),
Fshati Baltenos: Janis arvanidis, Kostas arvanidis, Jorgji arvanidis, Kostas arvanidis (147a),
Fshati Doksiseta: Jorgji arvanidis (155b),
Fshati Zavlinda: Dukas arvanidis (161b),
Fshati Seroveta: Janis arvanidis (162b),
Fshati Nomi: Gjinis arvanid, Mihalis arvanid (165a),
Fshati Kordiq varet nga Fenar: İstanish arvanidis (167b),
Fshati Lezizhta: Mihalis arvanidis (168b),
Fshati Zirç: Gjinis arvanid (173b),
Fshati Vilvizda: Tevodoros arvanidis (197a),
Fshati Lebanova: Nikolas arvanid (203b),
Fshati Kastanya: Ratinos arvanid (205a),
Fshati Radani: Mihos arvanidis (205b),
Fshati Kurmara: Dimos arvanid, Mekshas arvanid, Jorgji arvanid, Kondos arvanid (206b),
Fshati Tihova: Gjonis arvanid, Andreas arvanid, Lulas arvanid, İvretos arvanid (207a),
Fshati palya Nishtani: Dimos arvanid, İstefanos arvanidis (208b), Fshati Grazhdani: Ostojos arvanid (209b),
Fshati Aya: Nikolas arvanidis, Garos arvanidis, İstamadis arvanidis, Nenadas arvanidis (218a),
Fshati Thenatos: Mihalis arvanidis (220a),
Fshati Çınarlu ndryshe edhe Sakolova: Eliyas arvanidis, Jorgji arvanidis (220b),
Fshati Karpinish: Jorgji arvanidis (224a), Kostas biri i Jorgji arvanidis (224b),
Fshati Kirgjegj madh: Menkshas arvanidis (235a),
Fshati Rahova: Nikolas arvanidis (247b),
Fshati Vil viçeta: Jorgji arvanidis (251b),
Fshati Tiflosin: Barkthimis arvanid (255b),
Fshati Kuzthini Valkanos: Dimitris arbanjodis (256a),
Fshati Dhomokos: Kostas arbanasis (261a), Nikolas arbanasis (262a),
Fshati Karis: Mekshas arvanid (263b),
Fshati Dhorovi: Gjonis arvanid, Dimitris arvanidis, Fshati Qirazoj: Dimitris arvanid, Janis arvanid, Jorgji arvanid (286b),
Fshati Mashkullori: Eliyas arvanid (291b),
Fshati Ziniç varet nga Radoviz: Andreyas arvanid (297b),
Fshati Petriç: Gjinis arvanid (306b),
Fshati Palama: Gjonis arvanidis, Jorgji arvanidis (314b),
Fshati Franku: Manolis biri i Jani arvanid (317a),
Fshati Kolnaris: Dimitris arvanid (325a),
Fshati Komazas: Gjinis arvanid (332a),
Fshati Molesko: Biros arvanid (344a),
Fshati Korbura: Dimitris arvanidis (345a),
Fshati Biçari: Kostas arvanidis (346a),
Fshati Kadosh ndryshe edhe Pirashina: Likas arvanidis (349b), Fshati Kolidha: Janis arvanid (354b),
Fshati Markos: Mihalis arvanidis (355a) Domenikas arvanidis (355b),
Fshati Doros: Janis arvanidis, Tevodoros arvanidis, Dimitris arvanidis, Jorgji arvanid, Janis Mazaraki (359b), Mihalis arvanid (360a),
Fshati Katos: Jorgji arvanidis (378a),
Fshati Kadhqeli: Senis arvanidis (382b),
Fshati Puljana: Gjonis arvanidis, Dimitris arvanidis, Tevodoros arvanidis (395a),
Fshati Hirsova: Tevodoros arvanidis, Janis arvanid, Gjonid arvanid (425a),
Fshati Karvono Bilishi: Gjonis arvanid (428b), Jorgji arvanid (429a),
Fshati Bizhila: Jorgji arvanidis, Janis arvanid (435a) Jorgji arvanid (435b),
Fshati Kalençi: Mihalis arvanidis, Lakas arvanidis (440a),
Fshati Magula: e veja arvanidçe, Janis biri i arvanidçe, Senis biri i arvanidçe (441a),
Fshati Pizhujani: Jorgji arvanid (442a), Dimitris arvanid (442b), Fshati Shoprila / Thevo Pirila: Janis arvanid (451b).

c) Fshati Seniç: Domenikas Mazaraki (20b)

Fshati İzmiçi: Nikolas Mazaraki, Tevodoros Mazaraki (25b, 26a),
Fshati Kirçota: Kostas Mazaraki (26a),
Fshati Klapodi: Kostas Malakas, Gjonis Aranidis, Nikos Mirashis, Dimos Mirash (27a-b),
Fshati Konsko: Bogdanos Muzhaki, Dimitris Muzakis (30a),
Fshati Kata Kladis: Gjinis Muzakis (30b),
Fshati Lobras: Janis Muzakis (42b),
Fshati Velimishta: Dimos Mazaraki (43b),
Fshati kato Kitona varet nga Meçova: Nikolas Martinis, Kostas Martinis (47b),
Fshati Tiravatitena varet nga Meçova: Tevodoros İspatas, papas Martinis (48b),
Fshati Mila varet nga Meçova: Janis Martinis (52a),
Fshati Koçikova: Janis Tanush, Mihalis Tanush, Manolis Tanush (87b), Tanush biri i Tanush (89a),
Fshati Zhuljani: Mihalis Martinis, İstamadis Martinis, Janis Martinis, Demetris Martinis (92b),
Fshati Papadhopulos: İstefanos Buykos (90b),
Fshati Kokalas: Lazaris İspatas, Gjonis İspatas (100a),
Fshati Velçiç varet nga Allasonja: Demetris Mazaraki, Mihalis Mazaraki, (106b) Manolis Mazaraki, Jorgji Mazaraki (107a), Fshati Petra: Manolis Malakasis, Jorgji Malakasis (107b), Qiryakos Malakas, Dimos Malakas (108a),
Fshati Virneçja: Garos Martinis (117b),
Fshati İspata: Janis İspatas, Tevodoros İspatas, Gjonis İspatas, Janis İspatas, İstamadis İspatas (118a),
Fshati Samosal: İstamadis Martinis (129a),
Fshati Baltenos: Kostas Radoslav, Thetoqis Radoslav, Aleksi Radoslav, İstamadis Radoslav (147a),
Fshati Asprukilisa: Janis Radoslav (191a),
Fshati Kolondra: Jorgji biri i Matarangos, Radoslavos Matarangos, Janis Matarangos, Tevodoros Matarangos (202b),
Fshati Aya: Dabzhivos Muzhaki, Janis Dabzhivos, Dimos Dabzhivos (218a),
Fshati Thenatos: Mekshas Metarangas (220a),
Fshati Çınarlu ose ndryshe Sakolova: Gjinis Matarangas (220b),
Fshati İnblaki: Jorgji Mazarakis (222a),
Fshati Karpinish: Dimitris Muzaki, Mekşas Malakas, Jorgji Muzaki (225a) Gjinis Malakas (225b),
Fshati Rahova: Gjonis Malakas is (239b),
Fshati Birbijani: Jorgji Bardhas, Nikolas Materangas, Janis Matarangas (245a),
Fshati Simo: Kostas Muzakis, Malakasis Muzakis, Kostas Muzakis (251a),
Fshati Filipa: Likas Malakasis (252b),
Fshati Karis: Nikolas gjirokastriti (ergirikastris) (263b),
Fshati Mashkulori: Gjonis Radoslav (291b),
Fshati Gjin Lalthi: Gjinis Muzaki (306a),
Fshati Velçina: Dimitris Martinis, Jorgji Martinis, Tevodoros Martinis (312b), Jorgji Martinis, Nikolas Martinis (313a),
Fshati Kolnaris: Qiryakos Martinis (325a),
Fshati Qilalthi: Mihalis Mazaraki, Qilalthis Malakasis (331b),
Fshati Komazas: Gjinis Mazaraki, Nikolas Mazaraki, Jorgji Mazaraki (332a),
Fshati Mavromat: Gjonis Martinis (340a),
Fshati Malakas: Tevodoros Muzaki, Dimos Muzakis, Gjinis Muzakis (341b),
Fshati Peçi: Dimitris vëllai i Gjinis, Gjonis Muzaki, Gjinis Muzaki, Gjinis Mazaraki, Jorgji Mazaraki, Kostas Mazaraqi, Gjinis biri i Gjonis, Nikolas Likas, İvretos vëllai i Martinos, Ashtinis Muzaki, Ashtinis vëllai i Gjinis (347b),
Fshati Malaş: Tevodoros Gjinis (349a),
Fshati Kolça: Jorgji Radoslavis, Mihalis Martinis, Jorgji Martinis (351a),
Fshati Mezdan / Nezdan, vakëfi i Burak beut të ndjerë, Mihalis Muzhaki (371a),
Fshati Pirti: Mihalis Malakas, Kostas Malakas, Nikolas Malakas (376a), Janis Martinis (376b) Manolis Malakas (376b),
Fshati Seraqeno: Janis Muzakis (382a),
Fshati Vonista: Jorgji Radomiro, Kostas Radomiro (383a),
Fshati Kotlani: Janis Martinos, Nikolas Martinos, Tevodoros Martinos, Tevodoros Martinos tjetër, Dimitris Martinos, Aleksi Martinos, Manolis Martinos (416a),
Fshati Viranyana: Manolis Radoslav (417a) Nikolas Muriqis, Manolis Muriqis (417b), Janis Radoslav (418a),
Fshati Hirsova: Janis Malakas , Nikolas Malakas , Dimitris Malakas (426b),
Fshati Keleçu: Dimitris İstanislav, Mihalis Radomiro (445b),
Fshati Gjare varet nga Agrafa: Janis Novakos, Manolis Novakos (458a).

Nga Ermal Nurja / KultPlus.com

Komiteti Paralimpik i Kosovës anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Pritjeve të shumta u ka ardhur fundi. Edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC).

Lajmin e ka konfirmuar për Komitetin Olimpik të Kosovës, presidentja e KPK-së, Njomza Emini. Sipas saj, është Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim.

“Bordi Ekzekutiv i IPC na ka pranuar me të drejta të plota. Nuk ka pasur asnjë votë kundër ose abstenim. Është lajm i shumëpritur, nga i cili do të përfitojnë më së shumti paralimpistët”, ka deklaruar Emini.

KOK ka siguruar edhe mesazhin e urimit të presidentit të IPC-së, Andrew Parsons, dëruar KPK-së. “Të dashur paralimpistë të Kosovës, mirë se vini në familjen paralimpike ndërkombëtare. Është privilegj për neve t’ju kemi anëtar. Ne ju mirëpresim në Lojërat Paralimpike Paris 2024. Do të jetë mahnitëse të shohim flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LP Paris 2024”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Parsons.

Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.

“Urojmë dhe besojmë që edhe përfaqësimi juaj ndërkombëtarë do t’i sjell Kosovës medalje të shumta, dhe pse jo edhe nga debutimi në Lojërat Paralimpike Paris 2024”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Muzeu “Onufri” aplikon për herë të parë audio guidën në katër gjuhë

Nën moton “Fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë digjitale”, një sipërmarrje madhore u promovua në vitin 2019 në muzeun e ikonografisë “Onufri”, audio guida një teknologji inovative e aplikuar për herë të parë në vend.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se tashmë kushdo që viziton muzeun e ikonografisë “Onufri” e ka mundësinë e një “udhëtimi” individual, dhe shansin të zbulojë muzeun dhe kryeveprat e tij nëpërmjet informacionit më të zgjeruar të 40 rubrikave për rreth 90 minuta, në gjuhët shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht.

“Por gjithashtu, vizitori mund të fokusohet e të rikthehet në rubrikat e dëshiruara, nëpërmjet udhërrëfyesit në gjuhën e përzgjedhur pa prezencën e një guide didaktike. Padyshim që ky produkt dita ditës po i përmbush pritshmëritë tona, në raport me rritjen dhe ofertën e një shërbimi inovativ, bashkëkohor, dinjitoz e padyshim një hap i ri për kulturën e shërbimit të muzeve shqiptarë.  Kjo reflektohet në kërkesën gjithmonë në rritje të marrjes së këtij shërbimi, i cili në muajt e fundit është preferuar nga më shumë se 600 vizitorëve të huaj, vendas, studentë, etj”, thuhet nga QKMB.

Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI.

Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Berat. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. / KultPlus.com

“Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë”

…Më kujtoheshin shpesh fjalët e poetit vlonjat Ali Asllanit, mikut tim të shtrenjtë, që më thoshte plot gaz: ”Amore, felicita!”.

Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë! Të nesërmen u nisëm për në Romë, ku ramë po në atë hotel ku kishim fjetur një natë bashkë si motër e vëlla. Ramë të flemë në orën dhjetë dhe u ngritëm nga shtrati të nesërmen mbrëma! –

Meqë Romën e njihnim mirë, si ajo, ashtu edhe unë, u nisëm për në Firence, ku qëndruam dy ditë dhe soditëm thesaret e këtij qyteti të lashtë dhe të famshëm për veprat e artit, si edhe bukurinë e Fiesolës. Nga Firencja në Bolonjë dhe andej në Venecie, që s’e kishim parë as ajo, as unë.

Sa zbritëm nga treni, hipëm në një gondolë dhe i thamë gondolierit të na shpinte në një hotel. Pas një vozitjeje të shkurtër në Kanal Grande, ai na shpuri në Albergon “Luna” që ishte, me sa duket, një nga hotelet më të mira të Kanal Grandes.

Ishte hera e parë që do të flinim në një hotel të tillë, mjaft të shtrenjtë për ne. Tiranasja, shumë më dorëlëshuar nga natyra se gjirokastriti, u tregua më e matur këtë radhë, duke thënë se një luks i tillë ishte i tepërt për ne, por ku i shpjegova se gjithë ai udhëtim nëpër Itali me tren të klasës së parë, na kishte rënë shumë lirë dhe se një pjesë e këtij fitimi, mund ta shtinim në punë për të kaluar tri a katër net në këtë hotel luksoz, ajo u ngushëllua dhe më dha të drejtë.

Kur hymë në dhomë me atë shtrat të gjerë të ngritur një pëllëmbë mbi dysheme e shtruar me qilim dhe të mbuluar me xhiblikun e madh rozë që binte me palë të gjëra dhe kur hapëm pastaj dritaren që na shpalosi para syve ujërat e Kanal Grandes, që shkreptinin në diell dhe ku vozitnin gondolat, sodisnim të habitur atë bukuri që kishin ëndërruar dhe shijuar, para nesh, shumë njerëz të dëgjuar të kësaj bote. Mos kish fjetur vallë këtu Bajroni, apo Zhorzh Sandi me Alfred de Mysenë?

P.S.
Çifti i ri do të shkojë edhe në Milano për të soditur bukurinë e Duomos, pastaj në Torino për të shëtitur në parkun Valentino dhe andej në Liqenin e bukur të Komos, për t’i dhënë fund në këtë qytet udhëtimit që do të mbante gjallë ëndrrat e tyre për më shumë se pesëdhjetë në Shqipërinë komuniste. Vetëm pesëdhjetë vjet më pas, ata do të udhëtonin sërish bashkë, për të mbërritur përmes detit në Bari.

Vedat Kokona / KultPlus.com