Vjosa Osmani takon Presidentin e SHBA-së, Joe Biden: Miqësi e përhershme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani shihet së bashku me Bidenin dhe Zonjën e Parë të SHBA-së.

“Miqësi e përhershme dhe partneritet i palëkundur me SHBA-të.🇽🇰🤝🇺🇸“, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

Sjellë prapë në mendje buzëqeshjen tënde

Nga Eugenio Montale.

Mendoj buzëqeshjen tënde, dhe është për mua një ujë i kulluar
Nisur për aventurë midis guralecëve të zallishtesë së bardhë,
ndjek pasqyrën tënde ku një shelg shikon veten;
e mbi të gjitha përqafoj kthjelltësinë qiellore pa skaj.
Ky është kujtimi im; s’di ta them, e dashur,
Sepse nga fytyra jote shfaqet një shpirt i pafaj,
Apo vërtetë ti je nga ato endacake që të keqen e botës e fshijnë
Dhe vuajtjen e tyre me vete si hajmali e mbajnë.
Por mund të të them se portreti yt i menduar
Fsheh mendime të dalldisura brenda syprinës së qetë,
e pamja jote hyn tinëz në kujtesën time gri
e dlirë si maja e një palme të bleruar…/KultPlus.com

Lojtarët e kombëtarës së Kosovës befasojnë fëmijët e prekur nga kanceri

Federata e Futbollit e Kosovës është bërë pjesë e fushatës “Bashkohu, Shpëto Jetë“ të organizatës “Action for Health”, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët, me ftesë të kryetarës së kësaj organizate, Nezaqete Rukovci.

Me këtë rast, sot, presidenti Agim Ademi, në shoqëri të drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe futbollistëve Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Milot Rashica si dhe kreut të grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, e kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, me ç‘rast kanë bërë shpërndarjen e fanellave, topave dhe shalleve të kombëtares për fëmijët që janë të shtrirë në këtë klinikë për mjekim.

Presidenti Ademi ka falënderuar stafin e kësaj klinike për kujdesin e vazhdueshëm ndaj fëmijëve të prekur me kancer, si dhe shprehu gatishmërinë e FFK-së për të mbështetur fushatat e ndërgjegjësimit të kësaj klinike, por edhe për format e tjera të përkrahjes e bashkëpunimit. Ademi dhe futbollistët e kombëtares uruan që fëmijët e shtrirë në këtë klinikë sa më parë ta kalojnë këtë sfidë dhe t’u kthehen familjeve të tyre dhe jetës normale.

Ndërkaq, drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu Raci dhe stafi i Klinikës së Pediatrisë në krye me drejtoreshën Violeta Grajçevci Uka i falënderuan krerët e FFK-së dhe futbollistët e Kombëtares që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u bërë pjesë e fushatës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët.

Gjatë vizitave në Repartin e Onkologjisë, njëri nga pacientët u shpreh tejet i lumtur që pati rastin t’i takojë yjet e Kombëtares dhe i pyeti ata për ndjenjën e të shënuarit gol në fanellën dardane, teksa theksoi se pikërisht atë ndjenjë gëzimi do ta ketë edhe ai kur të shërohet nga sëmundja dhe kur do të ketë mundësinë për të qenë në tribunat e stadiumit në përkrahje të futbollistëve të Kombëtares drejt triumfeve të reja. /KultPlus.com

‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ premierë në ‘PriFest’, personaliteti që vendosi themelet e kinematografisë kosovare

Era Berisha

Regjisori Besim Sahatçiu është padyshim emër i madh i artit shqiptar, i cili arriti të krijoi karrierë të bujshme e të jashtëzakonshme. Për këtë personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, mbrëmë në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, u shpalos premiera e dokumentarit “Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra” skenarin dhe regjinë e të cilit e krijoi Burbuqe Berisha por që fatkeqësisht e la pa përfunduar, shkruan KultPlus.

Filmbërësja shqiptare vdiq më 27 tetor të këtij viti në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të “Operës së Kosovës”.

Andaj, mbrëmë në nderim dhe kujtim të saj, është shfaqur dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, një vepër që regjisorja Berisha na e la si kujtim të fundit.

Ndonëse, salla në Kino Armatë nuk u mbush plot, ishin kujtimet e shumta të personave në dokumentar, ato që sollën një ngrohtësi të papërshkrueshme. Rrëfimet nga Besa Sahatçiu, Besnik Sahatçiu, regjisori Isa Qosja, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, aktorja Shirine Morina, aktorja Safete Rogova dhe aktori Enver Petrovci, jetësuan figurën e regjisorit Besim Sahatçiut, si dhe njëkohësisht shfaqën dashurinë, nderin dhe respektin që e kishin rrënjësisht për të.

Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.

Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.

Përveç informacioneve që treguan e shtjelluan jetën e tij, ca kujtime interesante si dhe vlerësime të duhura, zunë vend në këtë dokumentar që nisi fiks në orën 21:06.

Ishte regjisori Isa Qosja që kujtonte se “117” ishte një film i jashtëzakonshëm. Një film që sipas tij, solli diçka të re në kinematografinë e Ballkanit. Reagimet e publikut serb në Beograd, ishin të mëdha. Gjatësia e kuadrit, atmosfera e natës dhe para-mëngjesi, cilësohen nga Qosja si diçka e paparë deri atëherë e që pati një ndikim të jashtëzakonshëm.

Po ashtu, ai thoshte se Besimi qe një njeri i urtë i filmit kosovar dhe se komunikimi me aktorët, ishte pika e tij më e fortë. E kujtonte kohën kur Besimi e përtëriti konkursin tradicional “Katarina Josipi” e në juri përfshiu emra të njohur, si: Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova, Muharrem Qena.

“Unë tek ‘Era dhe Lisi’ e konsideroj që ka qenë një grimcë e vogël e mundësisë sime për ta parë atë si regjisor. Por kur i kam shikuar veprat e tij dhe duke u rikthyer në kujtesën time se çfarë kam parë, e shoh që Besimi ka vendos themelet e kinematografisë kosovare. Pra, me dy krijimet e tij; ‘117’ dhe ‘Era dhe Lisi’.”

Ndërsa, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani kujtoi kohën kur ai dizajnoi posterin e “117”, ku 50% ishte vizuale e pesëdhjetë tipografike. Ai thotë se Besimi qe fëmija i nëntë i familjes, dhe i cili i ka ikur zanatit familjar prej nga dhe vjen mbiemri i tyre.                                                  

“Besimi ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Ka qenë një njeri meritativ, ka menduar për temën qysh nga ideja e deri në implementim. Në këtë mënyrë, ai me të vërtetë ka arritur që secilin film ta afrojë drejt përsosmërisë.”

Gjithashtu, aktorja Safete Rogova kujton se Besimi punën më të madhe e ka bërë me aktorët. Ajo e cilëson atë si një pedagog shqiptar që dëshironte t’i mësonte studentët. Sipas saj, pjesën e parë të provave e bënte me rolet kryesore, ndërsa krejt klasën e përfshinte në rolet dytësore.

“Ne kishim nevojë për të. Ai ishte vërtetë një njëri shumë i kulturuar, e njihte klasiken ruse, dramaturgjinë angleze dhe amerikane. Na furnizonte me libra dhe literaturë të bollshme. Ai për të na e heq tremën, shpeshherë ulej ku ulet publiku e na vështronte që ne të liroheshim. Besimi na thoshte se çdo shfaqje është provim për ju dhe kur ballafaqoheni me të, ju veçse e keni dhënë provimin. Na thoshte se mos të mësojmë menjëherë rolin por të studiojmë autorin e të mëshirohemi me personazhin.”

Ajo tutje mbante mend se Besimi pati dëshirë të krijonte edhe “Pigmalonin” me Adem Mikullovcin dhe Dibran Tahirin, por që xhirimet e “Era dhe Lisi” e larguan atë nga teatri, kur dhe rrallë më e panë.

Kurse, aktorja Shirine Morina e kujtonte Besimin si një njeri të afërt me të por edhe shumë inteligjent.

“Atëherë mendonim se Besimi e ka lexuar krejt bibliotekën e Pejës.”

Në anën tjetër, aktori Enver Petrovci e vlerëson Besimin si një shembull me të cilin duhet të punohet në një serial.

“I kam thënë Besimit se ai ka qenë për mua jo vetëm regjisor i parë i filmit në Kosovë, por ai ka qenë një shembull se si vërtetë punohet në një serial. Ka qenë një zotëri në punë. Asnjëherë nuk ka përfol. Sado që ka dhënë, ai ka pas dijeni me dhënë edhe shumë më tepër. Besimi ka lënë gjurmë të mëdha.”

Gruaja e Besimit, Besa Sahatçiu tregonte kohën kur ai pati konkurruar në Akademinë e Teatrit e të Filmit në Zagreb, dhe se nga gjithsej treqind persona, ishin pranuar vetëm pesë, njëri ndër ta qe edhe vetë Besimi. Për Rita Orën, mbesën e Besimit, Besa thoshte se Rita gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj.  

“Rita kujtonte se gjyshi ishte ai që i ka thënë se gjithmonë ajo do të mbërrij lartë dhe Ritës këto fjalë i janë dukur se e kanë shtyrë përpara e se ka arrirë aty ku ajo është. Gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj. Besimi ishte shumë i kënaqur e sidomos kur Rita e pati xhiruar filmin e parë, dhe atëherë Besimi më pati thënë mua se Rita do të arrijë shumë.”

Besnik Sahatçiu, djali i Besimit, e kujtonte babin e tij nëpërmjet këshillave të tij.

“Ai ka qenë një idol për mua, na ka dhënë disa këshilla si të gjendemi e të lundrojmë në jetën tonë, në të ardhmen tonë. Na dha atë ndjenjën e drejtë që të mos lakmojmë por të shkollohemi e t’i shikojmë punët e kombit e shtetit. T’i mësojmë gjeneratat e sidomos fëmijët tanë, për të gjitha ato pikëpamje. E shfrytëzoj rastin të them se Rita e donte gjyshin e vetë dhe e përmend shumë. Ajo mburret me prejardhjen e saj dhe veprimtarinë e gjyshit të vetë.”

Përveç këtyre artistëve që shpalosnin kujtime, momente e çaste të ndryshme përbrenda dokumentarit, të futura qenë edhe disa video të vetë Besim Sahatçiut, nga ku edhe po i sjellim disa sekuenca më poshtë.

“Unë i shpëtova zejes së babës dhe katragjyshit, kjo qe për shkak se vëllezërit u rritën e u punësuan në dyqanet e babit. Ky ishte fati im. Në shkollë isha një nxënës i shkëlqyer ndërsa në gjimnaz, merrja pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore. Kësisoj, më lindi dashuria ime e pavetëdijshme për teatrin, filmin, e sidomos për librin.”

“Për artin e regjisë, duhet vite të tana, studime të tana dhe praktikë të madhe për të zbatuar atë në mënyrë të suksesshme.”

“Mbaj mend vetëm që shumë kemi vuajtur së bashku. Shumë erëra e stuhi janë përplasur mbi supet tona.”

Pas shfaqjes së dokumentarit ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, duartrokitjet e zjarrta zunë vendin e fjalëve dhe kujtimeve që përçoheshin në atmosferë. Ndërsa, producenti Agron Vula, i cili ka përfunduar filmin e fundit të regjisores Burbuqe Berisha, doli në skenë për një fjalë rasti.

“Ky është filmi i fundit i Buqes, të cilin ajo nuk arriti ta përfundojë por më erdh mua si amanet dhe e kam pasur shumë vështirë ta kryej. Montazhi më ka zgjatur afro tre muaj, dhe gjithmonë e dëgjoja zërin e Buqes, andaj edhe ka zgjatur aq shumë. Buqja ia ka kushtuar filmin një regjisori i cili ka kryer shkollën në Zagreb. Besimi ka qenë ai që i ka nënshkruar diplomat e secilit punëtor të Radio Televizionit të Prishtinës, në atë kohë, e që më pas janë bërë regjisorë”, thotë Vula.

Sipas tij, përpos këtij filmi, regjisorja Berisha e ka pasur idenë për një seri prej dhjetë filmave dokumentarë që ajo i ka pas të përgatitura për t’i nisur por që fatkeqësisht nuk mund të realizohen më.

“Filmi nuk është i përfunduar sepse unë nuk kam dashur të ndërroj asgjë prej asaj që e ka bërë Buqja. Nëse kishim hyrë në montazh së bashku, besoj kish pas ende xhirime të shumta për t’i kryer. Por megjithatë jam shumë i lumtur që filmi është kryer”, përfundon Vula.

Kujtojmë se dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ është jashtë konkurrencës në “PriFest”. / KultPlus.com

Studimi për Anton Pashkun promovohet në Muzeun Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar promovoi sot, librin “Hejza e Pashkut” me autor Behar Gjokën. Kjo veprimtari u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Buzuku” në Prishtinë.

Studiues dhe autorë të ndryshëm që morën fjalën në promovim, Abdullah Zeneli, Vjola Isufaj, Namik Dokle dhe Pandeli Koçi u ndalën në vendin e rëndësishëm që zë vepra letrare e Anton Pashkut, në letërsinë bashkëkohore shqipe. Po ashtu, ata theksuan veçanësinë e kësaj vepre në rrafshin estetik, sidomos në prozën e gjatë dhe të shkurtër, po edhe në dramatikën e lëvruar prej tij, si një kontribut në komunikimin me pjesën tjetër të letrave shqipe.

Vepra e gjerë letrare e Anton Pashkut, pavarësisht formës së përveçme estetike, zhanreve dhe tipeve letrare, përbën një realitet unik tekstesh, që zbulohet pambarimisht vetëm nga leximet dhe rileximet e tyre.

Sipas studiuesit Behar Gjoka, është e pashpjegueshme që shkrimtari Anton Pashku nuk është pjesë e programeve tona mësimore, pasi ende trajtohet si një shkrimtar i “jashtë kufijve”.

“Hejza e Pashkut” është një përpjekje serioze e Gjokës për të hetuar dhe nxjerrë në pah vlerat estetike të këtij shkrimtari modern, që meriton të zërë vend në një nga kulmet e bashkëkohësisë së letrave shqipe./atsh/ KultPlus.com

Kjo është oferta e fundit e Qeverisë për SBASHK-un, Nagavci: Mësimi të fillojë që sot

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se do të shqyrtohet vazhdimi edhe gjatë vitit tjetër i Pakos për Përballje me Inflacionin.

Nagavci nga Kuvendi i Kosovës iu tha mësimdhënësve që ta ndalin grevën dhe pastaj tha “bisedojmë dhe adresojmë çdo kërkesë që e keni”, raporton Gazeta Express.

“Duhet ta përmendim edhe një gjë. E kemi thënë edhe publikisht që mbështetja prej 50 eurosh, gjegjësisht Pakoja nga Qeveria do të rishqyrtohet në fund të dhjetorit në mënyrë që të planifikohet me buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Nagavci.

Ministrja bëri thirrje që mësimi të fillojë “që sot”.

“Dhe nga këtu – ndonëse jam akuzuar për presion, dhe nëse kjo është presion unë e them dhe nuk dyshoj se është e drejtë dhe përgjegjësi e secilit prej nesh – bëj edhe njëherë thirrje që mësimi të fillojë në shumicën e shkollave ku s’ka filluar që nesër, që sot dhe të mos privohen fëmijët nga e drejta për mësim”, tha ajo./ KultPlus.com

Ky është trendi që do të dominojë gjatë vjeshtës

   

Çanta ikonë nga Chanel dhe xhaketa nga Burberry ishin dhe janë pjesët më ikonike me tegela për shumë dekada. Që në sezonin e kaluar, shtëpitë më të mëdha të modës e sollën sërish në plan këtë trend, pasi nevoja e vajzave/grave moderne për rehati dhe stil është më e madhe se kurrë.

Nëse e doni trendin dhe bëni pjesë në grupin e personave që guxojnë me veshjet e tyre, mund të zgjidhni një version total. Si fillim, mund të investoni në një xhaketë me tegela, e cila është ideale për ditët e vjeshtës. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Tirana International Film Festival ngre siparin më 24 shtator

Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, Tirana International Film Festival (TIFF) ngre siparin mbrëmjen e 24 shtatorit në mjediset e Kinema Millenium në Tiranë.

Gjeografia e pjesëmarrjes është e gjerë, me filma nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Azia dhe Afrika.

Nga 2918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilet 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, internacionale, europiane dhe ballkanike.

Vihet re pjesëmarrja e filmave studentorë dhe e regjisorëve debutues.

Një prej kategorive me hapësirë në Festival është ajo e dedikuar fëmijëve (Kid’s), me filma të ndarë për dy grup mosha, 5-11 vjeç dhe 11-15 vjeç.

FOCUS këtë vit i është dedikuar regjisorit më të madh finlandez të të gjitha kohërave, Aki Kaurismäki me një retrospektivë nga krijimtaria më e mirë filmike e tij e vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa TIFF do të çelet me filmin dokumentar të regjisorit  të njohur botërisht Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venecia./ KultPlus.com

Çfarë do të ndodhë me lulet e funeralit të Elizabeth II

Është folur nga qenushët e saj të preferuar e deri tek bizhuteritë mbretërore, por më të vetëdijshmit për mjedisin kanë pyetur veten se çfarë do të ndodhë me lulet në parqet e Londrës dhe më gjerë për të përkujtuar mbretëreshën Elizabeth II.

Pak ditë pas varrimit të Madhërisë së Saj, e cila u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare më 8 shtator, qytetarët po pyesin se si të ruajnë homazhet e subjekteve dhe turistëve të shpërndarë nëpër zonat e gjelbra të kryeqytetit britanik.

Për sa i përket ”Green Park” dhe ”Hyde Park”, lulet janë parashikuar të shndërrohen në përbërje organike dhe të ripërdoren për projekte urbane.

”Në funksion të përkushtimit dhe shërbimit ndaj vendit që mbretëresha ka përjetësuar gjithmonë në mbi 70 vjet në fron, as edhe një syth nuk do të shkojë dëm”, sipas ”Royals Parks” (organizata bamirëse përgjegjëse për problemin e luleve gjatë zisë kombëtare).

Ende nga këndvështrimi mjedisor, letrat dhe çdo mesazh tjetër që lidhet me buqetat me lule do të ndahen nga gjelbërimi dhe do të ruhen veçmas.

Një libër virtual ngushëllimi i lejoi të gjithë t’i dërgonin ngushëllimet e tyre familjes mbretërore./focus.it / KultPlus.com

‘Në pyje vjeshta ndezi zjarre, në zemër zjarr më ndeze ti’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në maledhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë / KultPlus.com

“Drita” premierë në ‘PriFest’, një luftë e dhimbshme ndërmjet hakmarrjes dhe dëshirës për falje

Era Berisha

Një histori e dhimbshme në Kosovë ku konflikti i zgjedhjes ndërmjet faljes dhe hakmarrjes vihet në një piedestal që nuk ka të ndalur, është ajo që ka jetësuar mbrëmë premierën e filmit “Drita” me regji të Daniel Kruglikov në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘. Ndonëse, është krejtësisht ndryshe nga ajo se çfarë publiku kosovar është mësuar të shoh, filmi i stilit ndërkombëtar, mbushi boshllëkun e një zbrazëtie që ka kohë pa u prekur, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 19:00, ishin njerëzit e shumtë të cilët po mbushnin sallën në Kino Armatë, duke zënë vendet e tyre të posaçme. Pas fikjes së dritave, nën terrin që kaploi vendin, filmi gjeti fillimin e tij.

E cilësuar si një poemë kinematografike për një dashuri të humbur, “Drita” është një dramë në gjuhën shqipe që shpërfaq anët më të errëta të aktit të hakmarrjes. Filmi vë në fokus dashurinë mes Dritës (Arta Dobroshi) dhe Flamurit (Genc Jakupi) në një kohë të trazuar. Por, vdekja e Dritës është krejt ajo që dërgon drejt vorbullës së dhunës, si e vetmja përgjigje kundrejt padrejtësive të shumta.

Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Flamuri e di mirë se kush është vrasësi i saj, por cikli shkatërrues i vendos të dy rivalët përballë njëri-tjetrit, aty ku dhuna lëshohet mbi trupin e tyre dhe lufton për mbijetesë.

Lufta shpirtërore e Flamurit midis dashurisë, urrejtjes, hakmarrjes dhe faljes është pika kryesore nëpërmjet së cilës zhvillohet drama. Në atdheun e tij, Flamuri fillon të luftojë me kujtimet, me fajin dhe instinktin primar që e qon drejt hakmarrjes, një reagim ky që shpërfaq ambientin në të cilin ai është rritur.

Lufta është krejt ajo se çfarë ka njohur Flamuri, ndërsa pretendimet si: “Me marr gjak, me marr hak”, apo “Sy për sy”, veçse e bëjnë hakmarrjen, zgjidhjen më të lehtë e më të ndershme që ekziston ndonjëherë. Nëpërmjet kuadrove të ndryshme, të shumta e të llojllojshme, filmi mëton të tregoj se si mund të tejkalohet kjo dallgë vicioze.  

“Drita” është një copëz historie që shpalos luftën e traditën dhe njëkohësisht flet për nevojën për ndryshim me ç’rast shfaq fuqinë e dashurisë, si arma më e fuqishme në mesin e heshtjes, derdhjes së gjakut dhe vrasjes.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet e shumta ato që dëgjoheshin në publik. E në mesin e tyre ishin edhe ato të ekipit të filmit ‘Drita’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

Bashkë-producenti Armond Morina, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe i ftoi të gjithë për një koktej rasti.

Ndërkaq, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth filmit ’Drita’, e pranishme ishte vetëm aktorja Arta Dobroshi.

“Karakteri i personazhit Drita është arsyeja që ia kemi vendos emrin filmit. Më duket se filmi është i dedikuar ndaj faljes dhe falja është një gjë me shumë rëndësi, andaj edhe mesazhi kryesor është se jeta duhet të vazhdoj përpara. Filmi është plotësisht shpirtëror dhe as ndoshta nuk mund ta shpjegoj, sepse është krijuar në atë mënyrë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjatë kohës së provave, kasti i aktorëve ka pasur edhe ndikim në atë se çfarë thuhet në film.

“Sikurse është monologu im në fillim, që i bashkëngjitet edhe videos së refugjatëve. Të gjithë ne kemi qenë shumë të lirë në krijim. Kamera ishte edhe karakter vetë, andaj roli i tij është pothuajse i një personazhi. Ishte një improvizim total”, ka thënë Doborshi.

Krejt në fund, ajo tregon se filmi “Drita” është thjesht një shprehje që vjen nga brendësia shpirtërore dhe del në imazh.

“Regjisori është me prejardhje ruse dhe kur i shohim filmat rusisht të vjetër, e kanë njëfarë ‘voice-over’ që ne e kemi bërë në film, veçse në të njëjtën kohë nuk kemi pasur shumë rregulla në mënyrën e xhirimit. Nuk tregohet një mesazh që duhet me patjetër të merret, por është thjesht një shprehje e shpirtit që del në imazh. Dhe kjo është e bukura e artit”, përfundon Dobroshi.

Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.

I xhiruar në nëntor të vitit 2018, “Drita” sjell në rolet kryesore aktorët si: Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.

Producentë të filmit janë: Shkumbin Jakupi, Armond Morina dhe Genc Jakupi, ndërsa producent ekzekutiv është Steve Mcqueen (regjisori i filmave ‘12 Years a Slave’, ‘Shame’, ‘Hunger’). / KultPlus.com

Nis nesër edicioni i 8-të i Festivalit të Karikaturës

Nesër nis edicioni i 8-të i Festivalit të Karikaturës që organizohet nga Shoqata e Karikaturistëve “Hithi” në Ferizaj, përcjellë KultPlus.

Aktiviteti kryesor i këtij festivali do të jetë hapja e ekspozitës më datë 23 shtator në ora 19:00 në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Festivali përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkë me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj, si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Kosovës.

Ndryshe, ky festival do të zgjasë gjithsej tri ditë gjatë të cilave do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore. / KultPlus.com

Çelësi i kuptimit të legjendës së arit apo thesarit të fshehur të Gjergj Kastriotit

Nga Gjon Keka

Sipas një legjendë, thuhet se Gjergj Kastrioti kur kishte qenë një herë i rrezikuar të zihej si rob nga otomanët pushtues, për të mos rënë në dorë të tyre ,ai kishte kërcyer nga një dritare e kullës së banimit të tij në Kështjellën e Krujës ,dhe gjatë kësaj ai mori me vete ari dhe gjësende tjera më vlerë,Sipas legjendës ishin tre kuaj plotë me ari e me gjësende që ai i mori dhe i futi dikur në male nën dhe për t’i marrë sërish kur të kthehej.

Nga kjo mësojmë dy gjëra :

së pari: ikja e Skënderbeut nga dritarja ,ka domëthënien e shikimit të vizionit dhe të ardhmes së kombit tonë ,nëse ecim udhës së tij ,idealit të tij, qëllimit të tij dhe të ardhmes së sigurtë që ai na e vulosi me anë të identitet dhe emrit arbëror europian,dhe

së dyti : ari dhe thesaret sipas mitologjisë simbolizojnë dritën, diellin dhe pasurinë.

Kështu që domethënia e kësaj është që në figurën e Gjergj Kastriotit populli apo kombi arbëror(shqiptar) mund ta shohë e gjejë dritën pasurinë dhe të ardhmen e tij të sigurt, sepse në personalitetin e Gjergj Kastriotit është mishëruar dielli, drita dhe thesari i vetë kombitdhe historisë së kombit tonë arbëror për liri, pavarësi dhe shtet.

Prandaj ,duke parë këtë nuk duhet tzë mashtrohemi si popull e shoqëri, as të lakmojmë arinë apo thesarin duke kërkuar vendin se ku e ka lënë Gjergj Kastrioti sipas legjendës, por ,ta kërkojmë arin apo thesarin e vërtetë të tij që ai na la përgjithmonë duke na vulosur me identitet dhe rikthyer në hartën e Botës dhe Europës emrin iliro-arbëror, respektivisht Arbërinë.

Me pakë fjalë populli jonë si dje ashtu edhe sot dhe në të ardhmen duhet ta shohë në Gjergj Kastriotin udhën e dritës,e dijes,zhvillimit,bashkimit,thesarit apo pasurisë dhe të ardhmen e ndritur të kombit tonë.

Sikur që dihet kryezoti arbëror Gjergj Kastrioti nuk kishte pasuri materiale, as ari e as mjete të mëdha, sepse po t’i kishte ato ai nuk do të kishte nevojë për ndihmë nga jashtë, kur dihet që shumë princa,mbretër e perandor të Europës,ishin të pasur e mbuluar nga ari dhe kishin mjaftë mjete ,por nuk i dolën në ndihmë në kohën e duhur atij.Kështu që ai vdiq si një mbret i varfër materialisht, por i pasur shpirtërisht dhe si një udhëheqës i dritës , i cili në fakt la një thesar të pavdekshëm veprat e tij, idealin e tij, dritën , vizionin,urtësinë, parimet e tij, doktrinën e tij të lirisë dhe mbi të gjitha e bëri të pasur me identitet popullin e tij dhe me një rol udhëheqës brenda kontinentit europian. /KultPlus.com

Dubai do të ndërtojë hënën në Tokë me vlerë 5 miliardë dollarë

Dubai do të ndërtojë një resort luksoz me një spa Wellness, një klub nate, duke ofruar gjithashtu 300 rezidenca private butike në formën e hënës që pritet të kushtojë të paktën 5 miliardë dollarë, transmeton KultPlus.

Projektuar nga një firmë arkitekturore kanadeze, ndërtimi do të bëhet për dy vjet.

Struktura do të jetë 225 metra (738 këmbë) e lartë. Gjithashtu, resorti është projektuar si një qendër tregtare. Kështu, synohet të tërheqë 10 milionë vizitorë në vit në Hënë në Dubai.

Arkitektët, të cilët donin të rrisnin autenticitetin e dizajnit, shtuan një qendër trajnimi për astronautët në ndërtesë. Gjithashtu do të ketë 144 apartamente në muaj.

Në vitin 2021, Vegas njoftoi gjithashtu ndërtimin e hënës, megjithatë, ndërtimi nuk ka filluar ende. KultPlus.com

The design of the luxury resort that will resemble to the Earth’s satellite, the moon. (Photo courtesy of Moon World Resorts Inc.)

Hapet konkursi ndërkombëtar për Qendrën e Vizitorëve të Parkut të Butrintit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka njoftuar hapjen e konkursit ndërkombëtar për projektimin e Qendrës së Vizitorëve të Parkut të Butrintit. Ky konkurs vjen pas hapjes së garës për pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.

“Synimi është që Butrinti, kjo pasuri botërore të mbajë denjësisht statusin që ka merituar e të kthehet në një qendër lider e trashëgimisë kulturore në rajon”, u shpreh ministrja Margariti në një postim, në rrjetet sociale.

Butrinti është një portë hyrëse, informuese dhe orientuese për turistët gjithnjë në rritje.

Qendra e Vizitorëve të Parkut të Butrintit do të ngrihet 1,5 km larg qytetit antik dhe do të plotësojë të gjitha kërkesat e një pasurie botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Afati i fundit për të aplikuar është vendosur data 24 tetor 2022. Ndërsa brenda datës 14 tetor duhet të kenë përfunduar aplikimet për drejtorin ekzekutiv të Fondacionit.

Qendra do të shërbejë si një forum edukues, vend pune për stafin e Fondacionit dhe ç’është më e rëndësishmja si një pikë takimi për komunitetin. Gjithashtu do të shërbejë si vend çlodhjeje e freskie si dhe do të ketë një dyqan.

Qendrës do i duhet të ketë një vend të ri (ose të zgjeruar) për shitjen e biletave dhe hapësira për stafin. Aktualisht është siguruar fondi fillestar prej 2,45 milionë dollarësh dhe pritet që buxheti përfundimtar të arrijë deri në 4 milionë dollarë, në varësi edhe të projektit fitues. /atsh/ KultPlus.com

Rilindja e moleve në Liqenin e Shkodrës do rikthejë lundrimin turistik

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga projekti i rilindjes së moleve në Liqenin e Shkodrës.

Rama u shpreh në rrjetet sociale se falë këtij projekti do të rikthehet pas shumë e shumë kohësh, lundrimi turistik në liqen, përmes natyrës së bekuar të Shkodrës – Shirokës – Zogaj dhe Vir Pazarit.

Rama theksoi se projekti i shumëpritur, i rillindjes së moleve në Liqenin e Shkodrës vjen falë punës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës është projekti që së shpejti do të krijojë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.

Ky projekt financuar nga Bashkimi Evropian, përmes Programit IPA Adriatik CBC Itali – Mali i Zi – Shqipëri zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Molet që do ndërtohen do të jenë një vlerë të shtuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, në zhvillimin e paketave të integruara turistike midis dy vendeve.

Edhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali vlerësoi këtë projekt.

Ajo theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “një projekt i dëshiruar nga qytetarët, i premtuar nga qeveria, i vonuar për shkaqe administrative, tashmë s’ka asnjë pengesë për të vijuar punën”.

Bilali gjithashtu shtoi se së shpejti do të ketë edhe 2 lajme të tjera të mira për investime infrastrukturore në Shkodër. /atsh / KultPlus.com

Prindërit e fëmijëve të një çerdheje publike protestojnë para Qeverisë

Prindërit e fëmijëve që shkojnë në çerdhen “Gëzimi Ynë” kanë nisur protestën para Qeverisë së Kosovës, si shenjë pakënaqësie për mbylljen e kopshteve/çerdheve.

“Hapni çerdhet”, “Fëmijët po pësojnë” dhe “Ktheni jetën kopshtit”, janë disa nga mbishkrimet që ata kanë vendosur në pankarta.

Protesta e tyre pritet të vazhdojë edhe te selia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës. / Express / KultPlus.com

Kur Fehmi Lladrovci ishte pyetur nga gazetarja e BBC: A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?

Një ndër intervistat e dhëna për BBC të komandantit të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, ka mbetur në kujtesën e shumë qytetarëve të vendit.

Lladrovci ishte pyetur nëse është i gatshëm të vdes për Kosovën, e kësaj pyetje i ishte përgjigjur si nje hero, e entuziazmi i reflektohej tek sytë.

Me një buzëqeshje karakteristike, do t’i përgjigjej: “Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua”.

Deklarimit të gazetarit të huaj se për serbët ju jeni terrorist, Fehmiu, si për flakë të pushkës, do t’ia kthejë:

“Mirë, le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm , i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua, kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë”.

Ata që e ndoqën këtë intervistë tashmë e kishin të qartë platformën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas zënies së Grykës së Llapushnikut, Fehmi Lladrovci depërton në rajonin e Rahovecit, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në mobilizimin e radhëve të UÇK-së. /Periskopi/ KultPlus.com

‘U zhduk vapa, shkoi vera, dhe bilbili më s’këndon’

Poezi nga Asdreni

U zhduk vapa, shkoi vera,
dhe bilbili më s’këndon.
erdhi vjeshta me të tjera,
syri ynë që i shikon.

Teret koha, hapen retë,
ngjyra plumbi përsëri,
duket prapë tjetër jetë,
që natyra ndërron tashti.

Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s’ka hijen,
që e kishin gjer’ në sot.

Bukurite janë zhdukur,
shiu e bryma zuri vend,
bari lulet kopshti i bukur,
u ndryshuan në cdo kënd.

Por e mirë është vjeshta,
sepse bujku gjithmon’ punon,
për të vjelur sot ka vreshta,
nesër arat po lëron.

Njerëzit në cdo anë,
posa ngrihen në mëngjes,
nëpër fusha cdo gjë kanë,
rendin, mbledhin me kujdes.

Pra me punë gjith’ të rrojmë,
se vec puna ne na vlen,
sepse ndryshe s’trashëgojmë,
verën tjetër që po vjen./ KultPlus.com

Driton Kuka nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga UP (VIDEO)

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka marrë titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ceremonia e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” është mbajtur të enjten në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Kosovës.

Seleksionuesi i Kosovës në xhudo i është ndarë titulli i nderit për kontributin e dhënë në fushën e sportit dhe në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nën udhëheqjen e trajnerit më të mirë të xhudos për vitin 2021, Kosova fitoi tri medalje të arta, me Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. / KultPlus.com

Ilaz Bylykbashi publikon një fotografi të rrallë të Fehmi Lladrovci para gjyqit serb (FOTO)

Është publikuar sot një fotografi e rrallë e pa parë më herët e Fehmi Lladrovcit, njërit prej figurave kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra në luftime kundër forcave serbe 24 vjet më parë.

Fotografi Ilaz Bylykbashi, ka publikuar një fotografi të Lladrovcit para gjygjit në vitin 1984.

“Për mos me u harrue: Fehmi Lladrovci i akuzuar për veprimtarinë e tij atdhetare!”, ka shkruar Bylykbashi.

Për shkak të veprimtarisë politike, Fehmi Lladrovci ishte burgosur nga forcat policore serbe në fillim të shtatorit të vitit 1985 dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Dënimin e kishte vuajtur fillimisht në burgun hetues të Prishtinës dhe më pas në atë të Gjilanit.

Fehmiu, bashkë me gruan e tij, Xhevën ranë bashkë dëshmorë më 22 shtator 1998 pas luftimeve disa orëshe me forcat serbe në Gradinë. / KultPlus.com

24 vjet nga vdekja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Kurti: Lavdi për veprën e tyre patriotike që e jetuan bashkë

Sot janë shënuar 24 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, të cilët u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin duke i cilësuar si figura kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti tha ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në maj të vitit 1998 në malet e Drenicës dhe me uniformë të UÇK-së, kur ishte pyetur nga një ekip televiziv i BBC-së: “A do të vdisnit për Kosovën?”, Fehmi Lladrovci ishte përgjigjur: “Gjithqysh edhe me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta!”. E thënë me buzëqeshje në fytyrë dhe duke shtërnguar automatikun me duar, kjo përgjigje e Fehmi Lladrovcit është kthyer në një nga deklaratat më të njohura e dhënë nga një ushtar i UÇK-së. 

Që nga vitet ’80-të e tutje, emri i Fehmi Lladrovcit haset kudo ku kishte veprimtari politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Por ashtu siç emri i Azem Galicës rëndom përmendet bashkë me emrin e gruas së tij Shotës, edhe emri i Fehmi Lladrovcit është bërë i pashqitshëm nga emri i gruas së tij Xhevë Krasniqit. E lindur më 1955 në Drenoc të Malishevës, Xheva kishte shumëçka nga Shota, përderisa ishte e bija e Hanife Bujupit dhe Abdyl Krasniqit, mësuesit dhe të burgosurit politik që i kishte nxjerrë eshtrat e Azem Galicës nga shpella ku i kishin fshehur. Kurse Fehmiu, që kishte lindur më 1956 në Gllanaselë të Drenasit, si i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit, kishte patur për mësues patriotin Fazli Grajqevci. 

Fehmiu dhe Xheva u njohën më 1981 dhe pas pak kohe u fejuan. Por më 1985, Fehmiu u dënua me 10 vjet burgim. Pas pesë vite e gjysmë burgim të rëndë, ai përfitoi nga një amnesti dhe u lirua. Fehmiu kishte studiuar për makineri në Zagreb kurse Xheva për gjuhë e letërsi si dhe për drejtësi në Prishtinë. Ende të sapomartuar, më 1991, ata shkuan në Kroaci ku si pjesë e rezistencës së kroatëve në luftë kundër Serbisë, fituan një përvojë të çmuar që do t’u shërbente në luftën e Kosovës. 

Anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së), Fehmiu dhe Xheva iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi. Ashtu siç Fehmiu u angazhua në mobilzimin e diasporës shqiptare, Xheva kontribuoi për mobilizimin e vajzave dhe grave në luftën e Kosovës. 

Sikur sot, 24 vite më parë, më 22 shtator 1998, bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, ata u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë. E ngjizur nga dashuria dhe e mbushur me ideale kombëtare e veprimtari politike, lidhja e Fehmiut dhe Xhevës u përmbyll njëkohshëm më 22 shtator 1998, kur të dy bashkë ranë dëshmorë duke luftuar përballë trupave serbe. Atë ditë, bashkë me ta ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka. 

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë, bashkarisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje, kurse neve na takon ta kujtojmë e shkruajmë sot. 

Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit për veprën e tyre patriotike që e jetuan bashkë, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës!/ KultPlus.com

‘Përjetësi’ i Anagnostit, në festivalin e filmave të restauruar në Berlin

“Sistemet dhe imazhet e tyre” është seksioni i festivalit Film Restored, organizuar nga Kinemateka gjermane (Deutsche Kinemathek), që nisi dje, në kinema Arsenal në Berlin.

Në datën 23 shtator, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, do të prezantojë për publikun europian një anë pak të njohur të filmit dokumentar shqiptar. Bëhet fjalë për dokumentarin e restauruar të regjisorit Dhimitër Anagnosti, “Përjetësi”, një vepër me stil krejt të veçantë e që ia vlen të studiohet për mënyrën e realizimit dhe kontekstin e kohës kur është krijuar. Dokumentari “Përjetësi” është prodhim I vitit 1973. Prezantimi I delegacionit shqiptar do të plotësohet me fjalën e  drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria, si edhe video-kritikave nga Roza Anagnosti dhe Genc Përmeti.

Festivali i filmave të restauruar do të mbahet deri në datë 25 shtator. Që nga viti 2015, “Film Restored Festival” i është dedikuar trashëgimisë filmike në epokën dixhitale. Restaurimet dixhitale, sillen në Berlin për kremtimin e premierave të tyre. Kineastët dhe restauruesit raportojnë mbi aspektet e ndryshme të procesit të dixhitalizimit, ndërkohë që ekspertët zhvillojnë diskutime mbi çështje të politikave dhe estetikës.

Edicioni i shtatë i këtij festivali është titulluar “For real?!” (Vërtet?!) dhe hulumton mbi shtresat e ndryshme që formësojnë një dokumentar. Kësaj here, festivali vjen edhe si nderim, në 80-vjetorin e regjisorit të famshëm Werner Herzog./ atsh/ KultPlus.com

Vinca: Libri është baza e qytetërimit

Është mbajtur Panairi i 2-të i Librit “Diaspora 2022” në qytetin Uster të Zvicrës. Në hapje të Panairit, një fjalë rasti e mbajti edhe profesori Agim Vinca e të cilën KultPlus ju sjell të plotë.

Të dashur bashkatdhetarë,
Vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj!

Ka njëzet vjet e më shumë që në Tiranë e Prishtinë, por edhe në qendra të tjera shqiptare, mbahen për çdo vit panaire të librit, por është hera e dytë që një veprimtari e tillë, pra një panair libri, organizohet në diasporë.

Përgëzimet tona shkojnë në adresë të organizatorit, shoqatës “Bashkimi” dhe drejtuesve të saj me kryetar bashkëvendësin tim, Guximtar Alushin nga Kalishti i Strugës, një fshat i bukur buzë Liqenit, i njohur si fshat peshkatarësh dhe poetësh. Nuk mund të mos e përshëndes me këtë rast ish-studentin dhe mikun tim, dr. Vaxhid Sejdiun, frymëzuesin e veprimtarive kulturore në diasporë dhe misionarin e shkollës shqipe në këtë qytet dhe më gjerë.

Në qershor të këtij viti në Prishtinë qe hapur Panairi tradicional i Librit, i 22-ti me radhë. Kam qenë njëri nga ata që folën në hapje të këtij eventi, krahas Kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Ministrit të Kulturës, Kryetarit të Komunës dhe mysafirit nga Franca, shkrimtarit Claude Arnaud. Me atë rast, në fjalën time, ndër të tjera pata thënë:

“Pas një pauze të imponuar dyvjeçare, Prishtina po i hap përsëri dyert e Panairit të Librit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe kulturës, ato dyer që s’ka mundur t’i mbyllë kurrë asnjë epidemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues.

Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj; i ka mposhtur ato dhe ka ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse gjuha me të cilën shkruhet. Fjala në përgjithësi, kurse fjala e shkruar në veçanti, i ka hapur gjithmonë dyert e shpirtit dhe të mendjes, të lirisë dhe paqes, dyert e Jetës, që askund tjetër nuk frymojnë si në Libër.

Librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, Lexuesin. Dikur ndër ne ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja e librit krim edhe më i madh. Kur vlerën e librit e shpërfill një person pëson kultura e tij, ndërsa kur këtë e bën një shoqëri vihet në pyetje ardhmëria e saj”.

Pesëdhjetë vjet më parë, kur panairet mbarëkombëtare të librit nuk mund të imagjinoheshin, unë pata botuar librin tim të parë me poezi, Feniksi (1972). Ishte kohë e trysnisë dhe censurës ajo e para gjysmë shekulli, kur letërsia shqipe krijohej e ndarë dhe e izoluar.

Sot, natyrisht, kanë ndryshuar rrethanat. Harta e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshmja. Tani ajo krijohet në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi, tek arbëreshët e Italisë dhe në diasporën e gjerë shqiptare në botë, ku Zvicra zë pa dyshim vend parësor. Ju shkruani, botoni, përktheni, promovoni… Krijoni vlera dhe i konsumoni ato. Zhvillimi teknologjik ka bërë revolucion në komunikimin mes njerëzve. Falë internetit dhe mjeteve të komunikimit digjital, Shqiptarët që jetojnë në gjashtë shtete të Ballkanit dhe të shpërndarë pothuajse në të gjitha kontinentet e botës, komunikojnë më lirë e më shpejt se kurdoherë më parë.

Të dashur miq dhe kolegë,
Lexues, botues, krijues!

Ju jetoni në një vend që ofron shumë vlera e mundësi dhe duhet të përfitoni nga ato, duke u integruar në shoqërinë zvicerane, duke u bërë pjesë e saj, por duke ruajtur identitetin kombëtar dhe në radhë të parë gjuhën shqipe, që është tipari i parë dhe kryesor i identitetit tonë, ADN-ja jonë.

Ju jetoni në vend të huaj, të rrethuar nga gjuhë e kultura të tjera, por lidhjet tuaja me vendlindjen janë të forta. E di se nuk e keni lehtë, sepse rrethanat e bëjnë të vetën, por para jush shtrohet një problem, që do të mund të përmblidhej në dy fjalë: integrim po, asimilim jo!

Kjo vlen posaçërisht për brezin e ri, për ata që kanë lindur e janë rritur këtu dhe shkollohen në gjuhë të huaj. Shumë të rinj e të reja kanë arritur sukses të madh në fusha të ndryshme të jetës dhe të dijes, nga ekonomia e biznesi gjer tek arsimi, shkenca, arti e sporti. Bijtë dhe bijat tuaja me punën dhe talentin e tyre nderojnë veten, familjet e tyre dhe mbarë kombin.

Diaspora jonë i ka dhënë kontribut të madh çështjes sonë kombëtare, luftës për liri në Kosovë dhe për të drejta kombëtare e njerëzore në viset e tjera shqiptare. Shkolla shqipe këtu, më shumë se kudo, ka rol specifik: ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe traditën e të parëve, nëpërmjet njohjes së gjuhës, historisë dhe kulturës. Ky synim nuk mund të arrihet kurrsesi pa Librin, që është baza e qytetërimit njerëzor.

Dita e sotme në qytetin Uster, të dashur bashkatdhetarë, është ditë feste. Festë e librit shqip! Usteri sot – dhe i gjithë kantoni i Cyrihut – flet shqip, që është tashmë gjuha e tretë në tokën helvetike. Uroj që ta kaloni sa më mirë këtë ditë në kontakt me librin, me krijuesit, botuesit e librarët, por edhe me njëri-tjetrin.

Ju përshëndes duke ju uruar gjithë të mirat, me dëshirë që të takohemi sa më shpesh në manifestime të tilla! / KultPlus.com