Rama uron 7 marsin: Mirënjohje për mësuesit

Kryeministri Edi Rama i uroi sot festën e 7 Marsit mësuesve në të gjithë vendin.

“Gëzuar “7 Marsin” mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Në të gjitha trevat shqiptare, sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Dita e Mësuesit kujtohet sot me aktivitete të shumta në gjithë vendin, ndërsa vëmendja e qeverisë për arsimin është përkthyer vitet e fundit në investime të shumta në infrastrukturën arsimore. / atsh / KultPlus.com

Përfundon restaurimi i Urës së Prokopit në Himarë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë njoftoi se kanë përfunduar punimet në Urën e Prokopit. Punimet konsistonin në mirëmbajtje, restaurim dhe konsolidim të Monumentit të Kulturës, Kategoria I.

Ura e Prokopit gjendet në Himarë dhe është pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Tashmë ajo është plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet kulturore të Himarës.

Monumenti ka rëndësi arkitektonike dhe historike. Kjo urë e shek. XVIII, me gjatësi 17.5m, gjerësi 3.8 m, hapësirë drite të harkut 6 m, emrin e ka marrë prej kishës që ndodhet në afërsi të saj, Kishës së Prokopit./ atsh / KultPlus.com

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht:

“… Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtore 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen./ KultPlus.com

7 Marsi, Dita e Mësuesit

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com

Jahjaga: Isha e përgatitur për të udhëheqë shtetin, por ajo për të cilën nuk isha gati, ishte seksizmi

Ish presidentja Atifete Jahjaga ka marr pjesë në edicionin e dytë të FemFest që po mbahet në Tiranë, dhe për herë të parë ka prezantuar përballjen me seksizmin, përgjatë mandatit të saj si presidente e Republikës së Kosovës. KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e ish presidentes Jahjaga.

E Dashur Iliriana Loxha-Basha,

Ambasadore Hastad,

Perfaqesues te UNWOMEN,

E dashur Elisa,

E Dashur Jorida,

E dashur Mirela,

E Dashur Igo,

E Dashur Linda Shala,

Paneliste te nderuar,

Mike te Dashura,

Kam një kënaqësi të vecantë të jem në mesin tuaj sot që së bashku të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën, e vecanërisht për temën për të cilën jam e ftuar të flas – Seksizmi në Politikë.

Kam shumë për të ndarë nga përvoja ime personale në shërbim publik, por edhe nga observimet e mia në lidhje me këtë temë përgjatë viteve.

Jam menduar shumë se si t’i çasem kësaj teme. Të zbukuroj realitetin, apo të tregohem e sinqertë? Edhe pse kam shërbyer në politikë nga një pozitë neutrale si Presidente e Republikës së Kosovës, vendosa të mos tregohem politikisht korrekte dhe të zgjedhë opsionin e dytë – të jem e sinqertë me ju.

Seksizmi në politikë është një fenomen edhe më i shprehur nga ç’duket. Është aq prezent dhe i përbrendësuar në sistem, sa që është i normalizuar, ç’është më e keqja. Atë e gjejmë brenda partive politike, në parlament, në analiza të ekspertëve, e në media.

Shërbimi im në Presidencë, si gruaja e parë që mban këtë titull në Kosovë dhe në rajon nuk ishte aspak i lehtë. Kur ju them që nuk ishte i lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e të drejtuarit një shtet, sepse për atë isha e pregaditur profesionalisht dhe psikologjikisht – e dija se cilat ishin detyrat, obligimet, e sfidat e detyrës. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë.

Debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja ime. Ishin takat e mia, ngjyra e flokëve, thonjët e mi, madhësia e çantave të mia, e pesha ime. Sulmet seksiste ndaj meje janë shprehur në formë komentesh misogjene nga politikanë e politikane, në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëritë civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte pothuajse fare reagime, përveq nga Rjeti Grave të Kosovës.

Do të isha shumë dakord nëse do analizohesha në linjat e punës simë – në mandatin për të cilin thirresha. Kritika konstruktive më kontribuonte edhe mua për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimit ndaj vendit e qytetarëve, por komentet mbi kilogramët e trupit tim, apo gjatësia e flokëve të mi nuk më kanë hyrë aspak në punë, e as nuk më kanë ndihmuar në udhëheqje më efikase. Ndjej keqardhje që e njëjta çasje jokonstruktive, misogjene, e seksiste është ende prezente pasi që e observoj në media, qëndrime politike, e qytetare ndaj Presidentes aktuale të Republikës së Kosovës. Më vjen shumë keq që 12 vite pas marrjes sime të mandatit, gjërat nuk kanë ndryshuar aspak!

Kuotat kanë bërë mrekulli në rritjen e numrit të grave në politikë. Ky mekanizëm ka ndihmuar në shumë aspekte, duke filluar nga inkurajimi i grave dhe vajzave të hyjnë në shërbimin publik, e deri tek perceptimi i qytetarëve për t’ju besuar këto pozita politike grave. Por, kuota nuk ka arritur që plotësisht ta ndryshojë mentalitetin ku pozitat e larta udhëheqëse iu besohen grave.

Gratë që udhëheqin parti në Kosovë e Shqipëri mund të numërohen me gishtat e një dore. Përveç kësaj, seksizmin brenda partive politike mund ta hasim edhe në mënyrën se si alokohen fondet për politikane dhe politikanë brenda partisë. Politikanëve iu sigurohen makina, çasje të shpejtë në resurse financiare dhe humane të partisë, dhe gatishmëri më e madhe e liderëve të partisë për t’ju vënë në ndihmë. Ndërsa politikaneve iu alokohen shumë më pak nga këto resurse. Në fakt, aq është dramatik ky dallim, sa që e dallon edhe garën politike mes dy gjinive. Kampanjat politike mes tyre dallojnë drastikisht.

Të mos flasim për seksizmin jashtë partiak gjatë diskutimeve në parlament, gjatë bashkëbisedimeve me komisione parlamentare, apo gjatë takimeve ndërpartiake. Talljet, fyerjet, misogjinia, e mentaliteti patriarkal janë gjithmonë aty. Janë pjesë e retorikës së përditshme në politikë duke i shtyrë gratë e vajzat në margjina të vendimarrjes, politikbërjes, e udhëheqjes së institucioneve.

Madje, shumë shpesh egziston edhe stereotipizimi i punëve edhe brenda politikës – politikanet mirren me punët e grave siq janë – e që s’do duhej të ishin – të drejtat e njeriut, dhuna në familje, dhuna ndaj grave; ndërsa punët e politikanëve ndahen mes tyre në siguri, rend dhe ligj, infrastrukturë e deri vonë edhe diplomaci.

Të dashura Mike,

Pa dashur të gjeneralizoj, por po e ndaj me ju pasi e kam vërejtur si një fenomen të shprehur, ka edhe burra që përforcojnë bindje seksiste ndaj grave në politikë e më pas flasin për seksizmin sikur një dukuri negative që duhet luftuar.

Mbaj mend që disa vite më herët, gjatë kohës sa unë isha duke shërbyer si Presidente e Republikës së Kosovës, Z. Erion Brace, njëri nga panelsitët tentativë të këtij diskutimi sot, emrin e të cilit e kam parë në draft agjendë por që fatkeqësisht nuk gjindet këtu sot, më ofendonte rëndë duke i kontribuuar klimës misogjiniste që tkurrë pjesëmarrjen e grave në sferën publike. Më vjen mirë nëse Z. Brace ka reflektuar dhe bindjet e tij janë transformuar.

Këtij diskursi seksist ndaj grave në politikë po i kontribojnë në mënyrë dramatike edhe mediat dhe analistët politikë. Casja e tyre ndaj politikaneve është, në të shumtën e rasteve, plotësisht e padrejtë, e pavend, jo etike, dhe aspak profesionale. Përderisa fokusi duhet të jetë tek kualiteti i punës dhe rezultatet konkrete të qeverisjes e politikbërjes së tyre, vëmendje e vecantë i vihet pamjes, sjelljes gjoja ‘agresive‘ dhe jo femërore, apo shumë femërore në disa raste, e deri tek jeta personale që nuk vihet ne diskutim në të njejtën masë tek politikanët burra.

Të dashura Mike,

Më duhet që patjetër të theksoj edhe seksizmin që e ushqejmë edhe ne si gra ndaj njëra-tjetrës. Numëroj raste të panumërta ku gratë politikane kanë qenë shumë më të ashpra e me të padrejta ndaj grave në politikë. Më ka ndodhur edhe mua, por besoj që secila këtu në sallë, ka rënë pre e një trajtimi të tillë të paktën një herë gjatë karrierës së tyre. Mungesa e solidaritetit po e ndalon progresin tonë kolektiv, të dashura mike. Ne po shndërrohemi në faktorë që e mirëmbajnë patriarkatin. Popullizmi feminist nuk na duhet. Deri diku pajtohem me Maisie Ëilliams e cila thotë që duhet të ndalojmë së thirruri veten feministë, dhe vetëm t‘i emërtojmë ata që nuk janë feministë si seksistë!

Uroj që vetëdijësimi ynë të jetë sa më i shpejtë e të jemi më kritikë ndaj këtij fenomeni sepse asnjë shoqëri nuk e posedon luksin për të humbur kapacitete e potencial që gratë kanë, e që si pasojë e kësaj misogjinie e përbrendësimi të vlerave negative, po stagnojmë. Nga seksizmi nuk përfiton askush, madje as burrat. Sa më parë të e pranojmë këtë fakt, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Në fund, dua të bëj thirrje për unitet e solidaritet mes grave në politikë. Dua që të ushqejmë një lidhje të shëndoshë me njëra tjetrën, edhe nëse nuk pajtohemi ideologjikisht apo politikisht – është plotësisht e pranueshme të kemi diversitet mendimesh. Por, e shoh rrënjësore që përkrahja ndaj njëra tjetrës të mos mungojë që ta luftojmë së bashku seksizmin e t’i zhdukim pabarazitë në shoqëri.

Ju faleminderit!/ KultPlus.com

Shqiptari më i vuajtur në botë që bëri dyfishin e burgut të Mandelës

Hyri në burg në moshën 24-vjeçare. Vdiq aty në moshën 67-vjeçare. Fotoja e parë është bërë pak kohë pas hyrjes në burg, ndërsa e dyta pak vite para vdekjes. U dënua tri herë për arsye politike…

Në asnjë vend të Lindjes komuniste nuk mund të gjesh shembuj të tillë. -shkruante para pak kohësh në rrjetin e tij social ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Katriot Dervishi.

Dangëllitë, vijnë më origjinë nga Përmeti, por 300 vjet më parë ata u shpërngulën dhe shkuan në fshatin Menkulas të Devollit. Një derë e madhe që do të bëhej pre e komunizmt për gjatë gjithë viteve të diktaturës. Që në fillimet e regjimit komunist e pikërisht më 1944, do të prangosej Sami Dangëllia.

Ai lindi më 1920-ën, fëmijërinë e kaloi në fshat, më vonë shkoi ushtar dhe që andej bashkohet me Ballin Kombëtar. Kur komunistët kthehen fitues, menjëherë fillojnë të ndjekin familjet Dangëllia. Pre e kësaj gjuetie u bë edhe Samiu. Kështu më 8 Tetor 1944, arrestohet dhe burgoset në burgun e Korçës dhe vetëm pas një viti e shpallin “armik të popullit”.

Sami Dangëllia u vendos në burgun e Burrelit. Më pas fillon interrnimi, por shumë shpejt do të ridënohej dhe në vitin 1960, ridënohet me 25 vjetë burg dhe dërgohet përsëri në Burrel, ku do të mirrte dhe nofkën “Gjyshi”. Më pas kalvarin e vuajtjeve do ta kalojë në Spaç, ku Dangëllia punonte shumë për të nxjerrjen e bukën së gojës shtesë, mbasi nuk kishtë asnjë ndihmë nga të afërmit.

Punoi i skllavëruar, por i pamposhtur nga torturat… Me 21 Maj 1973, ai ishte një nga organizatorët e Revoltës së Spaçit.

Ky njeri ka vuajtur nga diktatura, mbase më shume se askush tjetër në botë. Janë plotë 108 milionë viktima nga regjimi komunist në të gjthë botën, por askush nga të burgosurit nuk ka bërë aq burg sa ai.

Edhe Mandela, që është simbol i qëndresës, ka bërë vetëm 28 vite burg, dhe me aq vite burg në Shqipëri janë me dhjetra, por simboli i Mandelës vlen për t’u vlerësuar, po aq edhe simboli i Dangëllisë.

Ai u burgos në kulmin e rinisë dhe u dergj burgjeve për dekada me rradhë deri sad ha shpirt po në burg. Jeta e tij, mbase konsiderohet si një nga më të vështirat në botë. Të burgosesh në moshën 24 vjeçare dhe mos të dalësh më gjallë nga birucat e komunizmit.

-Marrë me shkurtime nga radiandradi. / KultPlus.com

Denis Galushi sjell këngën “Sërish vjen marsi” në gjuhën rome (VIDEO)

Gazetari Denis Galushi ka sjell vargjet e këngës “Sërish vjen marsi” në gjuhën rome, dhe sipas tij, këtë miksim të këngës e solli si rezultat i inspirimit nga kjo këngë, e cila, sipas tij është lëshuar disa herë gjatë këtyre ditëve në zyrën e tij.

Më poshtë e keni të plotë njoftimin e gazetarit Galushi, sikurse edhe videon me përkthimin e tekstit nga ai.

“Serish vjen marsi”, kenga e pavdekshme dhe legjendare e Ilir Shaqirit, s’di per sa here u degju sot ne zyre te punes…

Dhe, per nje moment, u inspirova qe vargjet hyrese t’i perkthej edhe ne romisht.

Prandaj, me kenaqesi e bera nje far miksi te interpretimit romisht-shqip.

Shpresoj te ju pelqej. 🤗

#serishvjenmarsi

#ilirshaqiri

Ekspozitë dedikuar Shakirës në Grammy Museum në Los Angelos

Në Grammy Museum në Los Angelos u hap një ekspozitë me artikuj të superyllit kolumbian të muzikës, Shakira. Ekspozita sjell në skenë karrierën e saj disa dekadëshe, që prej fillimit e deri më sot.

Sipas përgjegjësve të ekspozitës, qëllimi i hapjes së ekspozitës është prezantimi i një atlasi që paraqet Shakirën si qytetare të botës.

Vizitorët atje kanë shansin të hyjnë në botën e Shakirës përmes muzikës së saj, videove muzikore, kostumeve skenike dhe teksteve të shkruara të këngëve të saja, percjell 21 Media.

Çdo ekspozim përfshinë veshje të cilat i ka veshur Shakira, përfshirë në tepihun e kuq.

Atje përfshihen edhe kostumet me të cilat është paraqitur në Super Bowl, një kitarë e zhytur në ar nga turneu El Dorado World Tour, dhe një tavolinë për miksim këngësh ku fansat mund të analizojnë këngët e saja.

Ekspozita dedikuar Shakirës në Grammy Museum, në Los Angelos, u pagëzua Shakira, Shakira, dhe ajo do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri muajin shkurt të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

Kanë filluar xhirimet e filmit “Pikë uji”, në rolet kryesore Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj

Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com

Shekujt mbrujnë ardhmëninë

Avni Dehari

(Për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së)

Eh, Prekaz, Prekaz…!
Prekaz i vogël, sa një grusht,
Prekaz, i madh, i pakufi,
Mal e fushë lulëgjakesh,
Këngë frymëzimi,
Burim, lumë, det, oqean,
Diell për Liri!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Hartën shtrijnë,
Çdo cep të Atdheut
Me Diell Lirie qëndisin!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Ku plumbat
Në gjokse
Si në ujë u shuan,
Ku tanket
Si në legjendë u ngrinë,
Ku aeroplanët
Si zogj të plagosur
Në qiell humbën fluturimin,
Ku predhat e topave
Në parzmat ― flakë Lirie, u shkrinë,
Bajlozët, para Gjergj Elez Alisë,
U përgjunjën, kokën thyen!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Me Diell Lirie, që lind,
Nga gjokset e burrave,
Nga gjokset e grave,
Nga gjokset e pleqve,
Nga gjokset e fëmijëve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Mbi hartën e Atdheut
Mbrujnë ardhmëninë!/ KultPlus.com

Ekspozita “Femizmi në Art”  hapet më 8 mars në KultPlus Caffe Gallery

Nëntë artistë do të prezantohen me ekspozitë të përbashkët më 8 mars, ekspozitë që për kuratore ka artisten Diella Valla, shkruan KultPlus.

Ajo ka njoftuar se në këtë ekspozitë që edhe titullohet “Femizmi në art”, janë përfshirë punime që kanë për bazë gruan, me qëllim që të adresohet edhe me rastin e 8 marsit, ditë kjo që edhe shënon ditën e gruas.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla.

Ekspozita hapet më 8 mars në ora 19:00 dhe rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Jahjaga: E kush tjetër mund të fliste më mirë për seksizmin në politikë?

Ish presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka marr pjesë në FemFest në Tiranë, e cila ka ndarë përvojën e saj në luftën me seksizmin, përgjatë periudhës sa ishte presidente e Kosovës, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Jahjagës për këtë pjesëmarrje.

E kush tjetër mund të fliste më mirë për seksizmin në politikë?

Në FemFest në Tiranë, sot ndava pak nga eksperienca ime në luftën me seksizmin, gjatë por edhe pas mandatit tim si Presidente.

Vazhdojmë të kemi raste të panumërta dhe të vazhdueshme të shoqërisë sonë skeptike ndaj forcës dhe dijës së gruas. Fatmirësisht, gratë në Kosovë e Shqipëri i’u janë kundërpërgjigjur këtij mosbesimi dhe fyerjeve jo me fjalë por vetëm me vepra, duke ju dëshmuar të kundërtën.

Andaj, jo vetëm në muajin Mars, por çdo ditë, gratë duhet të guxojnë e dëshmojnë që janë të zonja dhe të forta./ KultPlus.com

Kryeministrja daneze habitet me vizatimet e Ramës: Më pëlqejnë

Vizita e kryeministres daneze, Mette Frederiksen në Tiranë, ku është takuar me homologun e saj, Edi Rama, është shoqëruar edhe me momente pikante, ndërsa ajo vizitonte zyrën e punës së kreut të qeverisë shqiptare.

Asaj, jo pak kureshti i kanë ngjallur pikturat në zyrën e Ramës.  Fredriksen, është shprehur se nuk ka parë asnjëherë një zyrë të tillë e dizenjuar me piktura të bëra nga vetë kryeministri.

Dialogu

Kryeministrja daneze: Nuk kam parë kurrë një zyrë të tillë, do të jetë e vetmja në botë!

Edi Rama: Angela më tha të njëjtën gjë.

Kryeministrja daneze: I bën direkt në mur?

Edi Rama: Jo! Hidhen në kompjuter dhe pastaj murosen.

Kryeministrja daneze: Më pëlqejnë vizatimet!

Limoni më i shtrenjtë në botë kultivohet në Lushnje

Varianti më i shtrenjtë i limonit në botë, po kultivohet edhe në Lushnje. Bëhet fjalë për një lloj shumë të veçante, i cili njihet me emrin limoni haviar ose limon gisht. Preardhja e tij është nga Australia e largët.

Fermeri Klodian Hida ka nisur kultivimin 5 vite më parë në tokat e Fiersheganit të këtij varieteti unik në Shqipëri.

Aktualisht fidanët që mbolli lëshuan frutat e para të këtij limoni të rrallë dhe për Klodianin dhe familjen e tij dhe kjo ishte diçka e paimagjinueshme.

Ai ka mbjellë 270 rrënjë dhe 3 lloje varietetesh.

Tregu i huaj si Italia dhe Franca janë dy shtetet ku ky produkt është shumë i kërkuar. 1 kg të këtyre limonave është shitur për 87 euro i porositur në restorantet e njohura.

Limoni haviar gjen përdorim nëpër sallatra të ndryshme, në peshk, por shumë i kërkuar është edhe për ëmbëlsirat.

Ky varietet unik, ka formë të stërgjatur dhe aromë shumë të fortë.

Tuli i këtij limoni përmban kokrriza të vogla, që janë të forta dhe kur konsumohen të japin ndjesinë e freskisë.

Në dallim nga limonat tradicionale ky limon nuk shtrydhet e nuk nxjerr lëng, por kokrra.

Zona e Lushnjës është e vetmja deri më sot në Shqipëri, ku varietet e këtij limoni i janë përshtatur klimes dhe tokës.

Nga restorantet tona nuk perdoret akoma per shkak të çmimit të lartë që ka në treg.

Teatri Kombëtar i Kosovës zhvendoset në Tiranë

Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Librit organizon takimin “Gratë në letërsinë botërore”

Profesorja e Beijing Foreing Studiues University, Rui Y mbajti ligjeratën “Shpirti feminist në romanin “Ëndërr në pallatin e kuq”, të autorit të njohur kinez Cao Xueqin, i cili ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Diana Culit, nga botimet Dituria.

Ky aktivitet u organizua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me temë “Gratë në letërsinë botërore”, në një auditor me profesorë, autorë dhe studentë shqiptarë.

Nisur nga karakteret dhe ngjarjet e romanit “Ëndërr në pallatin e kuq”, Rui Y solli një vështrim mbi rrugëtimin e feminizmit në skenën letrare kineze dhe rolit që letërsia ka pasur në emancipimin e shoqërisë njerëzore.

Ky aktivitet ishte dhe një kujtesë për feministet si Eileen Chang, Lu Yin, Shi Pingmei, Ding Ling, deri tek autoret moderne të kësaj letërsie që erdhën përmes një diskutimi me panelistë të ftuar. / atsh / KultPlus.com

Kouchner: Po të kishte Çmim ‘Nobel’ për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari (VIDEO)

Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kouchner e kishte vizituar Kosovën, menjëherë pas luftës ku kishte shkuar edhe në odën e Familjes Jashari, shkruan KultPlus.

Atje ai ishte ulur këmbëkryq derisa po zhvillonte një bisedë më Rifat Jasharin, e burrat e tjerë në odë. Ai kishte thënë se e vlerëson lart kontributin dhe sakrificën e familjes Jashari ndërkohë kishte shtuar se nëse do të kishte Çmim ‘Nobel’ për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

“Bota filloi lëvizjet pikërisht prej Prekazit. U bëmë të vetëdijshëm për një realitet të sakrificave dhe luftimeve që u bënë dhe sikur të ketë Çmim Nobel të Lirisë, ai i takon familjes tuaj”, kishte thënë Kouchner në Prekaz./KultPlus.com

“Arbri” sonte me premierë në Teatrin Oda

Në Teatrin Oda sonte do të shfaqet premiera e shfaqjes “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelaj, kurse asistente e regjisë është Rozafa Çelaj, shkruan KultPlus.

Shfaqja do të fillojë në ora 20:00, kurse me roleit e tyre do të paraqiten:Shkumbin Istrefi, Qendresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Markaj, Blend Sadiku. Skenograf i shfaqjes është  Burim Arifi, ndriçimi: Yann Perregaux Dielf, Bujar Bekteshi. Kjo shfaqje është përkrahë nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë më: 7, 16 dhe 30 mars./ KultPlus.com

Shqipëria pjesëmarrëse në panairin më të madh të turizmit, ITB Berlin

Shqipëria prezanton potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes një axhende të nivelit të lartë në “ITB Berlin 2023”, panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin.

Në datat 7-9 mars, përmes një programi të mirëorganizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën sloganin “Albania-All you need is here”, promovohen ofertat turistike që synojnë turizmin gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes një njoftimi për shtyp bëri të ditur se, “më 7 mars, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro do të priten nga kancelari gjerman Olaf Scholz, për të vijuar me takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashivili në mjediset e ITB Berlin”.

Në njoftim bëhet e ditur se, më tej aktiviteti do të vazhdojë me tryeza pune e takime me përfaqësues të industrisë gjermane të turizmit, donatorë, përfaqësues të sektorit privat dhe konferencë për shtyp për mediet gjermane.

Shqipëria përfaqësohet në këtë panair me stendën e saj zyrtare, ndërsa shumë shoqata dhe turoperatorë shqiptarë marrin pjesë po ashtu.

Gjatë vitit 2022, Shqipëria arriti rekordin historik prej 7.5 milionë vizitorësh të huaj dhe synimi i radhës është turizmi i nivelit të lartë në standarde, i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. / atsh / KultPlus.com

Solistët e TKOB fitojnë konkursin europian

Abigeila Voshtina, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, uroi dy artistët shqiptarë që fituan në edicionin e 77-të të konkursit “Comunita Europea” në Itali.

Baritoni Artur Vera dhe sopranoja Suada Gjergji u shpallën fitues të konkursit, mes 100 të rinjve nga e gjithë Europa.

“Krenare të shoh se si të rinjtë, të cilët kanë spikatur në TKOB, lartësojnë anekënd, në mënyrë dinjitoze, vlerat tona kombëtare kulturore dhe promovojnë potencialin e tyre në zhanre të ndryshme muzikorë”, shkroi Abigeila Voshtina, në rrjetet sociale.

Konkursi u zhvillua në Teatro Nuovo Gian Carlo Menotti, në Spoleto dhe artistët shqiptarë u renditën mes 10 emrave fitues. Presidente e këtij konkursi ishte sopranoja e mirënjohur Katia Ricciarelli.

Artur Vera dhe Suada Gjergji janë solistë të TKOB.  Në fillim të 2023, ishte një tjetër artist i TKOB që u shpall fituesi i një konkursi europian për këngëtarët e rinj lirikë operistikë. Ai është Xhieldo Hyseni, i cili e fitoi konkursin me rolin e Sarastro-s në operën “Flauti magjik” nga Mozart. / atsh / KultPlus.com

Ekspozitë për Mësonjëtoren e Parë Shqipe

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, për çeljen e një ekspozite që i bën homazh institucionit të parë të gjuhës shqipe, Mësonjëtores së Korçës.

“Kuptimin e vërtetë 7 marsi e ka në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, që shpërndau dritën në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja Margariti, duke ftuar në këtë mënyrë, pranë Muzeut të Arsimit në Korçë, ku nesër me rastin e Festës së Mësuesit, do të hapet ekspozita “Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës”, ekspozitë e cila sjell objekte, fotografi, zëra.

7 marsi i këtij viti përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores. Me këtë rast Muzeu i Arsimit ka përgatitur një ekspozitë me sende personale, fotografi dhe materiale që do të shfaqen në video, si homazh i përpjekjes për dije.

Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të Perandorise Osmane. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si muze. / atsh / KultPlus.com

Të mërkurën në Galerinë Qahili hapet ekspozita kolektive “ATO”, e përcjellur me diskutim

Galeria Qahili dhe Shigi Studio, organizojnë diskutim dhe ekspozitë për Ditën Ndërkombëtare e Gruas.

Diskutimi me temën, “Ato: Perspektivat e tyre – roli i gruas në shoqëri dhe sfidat e përditshmërisë”, do të mbahet nga Katharina Eghert, konsulente gjermane me specializim në studime gjinore, Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në organizatën QIKA dhe Dodona Gashi, nga Ananda Yoga Studio, (Yoga me Dodonën).

Ekspozita, e titulluar “Ato”, është një ekspozitë kolektive e artistëve Lumturije Krasniqi, Arton Behrami, Avni Demiri, Laureta Hajrullahu, Luiza Thaqi, Renea Begolli, Yll Xhaferi, Yllka Fetahaj.

Artistët pjesëmarrës do të marrin pjesë me punimet e tyre të cilat në çfarëdo forme janë të ndikuara nga Gruaja.

Pas diskutimit, do të hapet ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri me 16 mars 2023.

Kjo galeri i kushton vëmendje procesit të krijimit si dhe zhvillimit të mëtejmë të kapitalit kulturor e shoqëror brenda grupeve të ndryshme shoqërore.

Shigi Studio, është një agjenci kreative, me ekspertizë në komunikim, dizajn. Marketing dhe hulumtim.

Eventi do të mbahet në Galeria Qahili, të mërkurën me 8 mars 2023, duke filluar nga ora 18:30. / KultPlus.com