‘Ne kristianët do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bëjmë fishek për t’i mbrojtur vëllezërit tanë muslimanë shqyptarë’

Gjergj Fishta (1871 – 1940) ishte frat françeskan, poet, shkrimtar, përkthyes, arkitekt, deputet dhe anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave.

Gjergj Fishta (1871 – 1940) ishte frat françeskan, poet, shkrimtar, përkthyes, arkitekt, deputet dhe anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave.

Ai vlerësohet si një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë së kombit shqiptar.

Ai ishte kandidati i parë shqiptar për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabet e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Gjeni më poshtë, një përmbledhje nga Ekonomia Online të disa prej thënieve më të mençura të Fishtës, i cili është cilësuar edhe si Homeri shqiptar:

I urti kurr nuk ngutet, prej burrnís e jo prej tutet.

Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija.

Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë.

Edhe hâna do t’a dije, edhe dielli do t’ket pa, se përqark ksaj rrokullije, si Shqypnija vend nuk ka!

Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!/rtk/KultPlus.com

Fisi i Shalës sipas Robert Elsie

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epërme të luginës së lumit Shalë, afer fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj,Thethi dhe Vuksanaj.

Popullata

Emri Shala paraqitet në gjuhën italiane në raportin kishtar të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli në Pied¬mont, më 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:

“Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.

Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli, ky truall quhet Scialia. Ai, në hartën e vitit 1821, të diplomatit francez Ygë Pukvill, paraqitet edhe si Scialia. Thuhet se ky term ka të bëjë me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pëlleshme dhe nuk është e thatë.

Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjaku, të historisë dhe të stërgjyshit.

Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.2
Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.

Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në: “Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur“, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4000 banorësh,prej të cilëve 1000janë burra të armatosur.3 Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3000 banorë.4

Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje:

“Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë.
Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të yjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.“5

Tani në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në 4 klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujëmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç eshtë e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.

Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.

Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka.

Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Të tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica, Gimaj dhe Thethi; këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura.12 Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive.13 Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas here e konsideronte vetën të pavarur.

Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit”./ KultPlus.com

Me temën ‘To the lighthouse’, shënohet hapja e festivalit ‘Polip’

Mbrëmë, në Teatrin ‘Oda’ në Prishtinë, shkrimtarë, poetë e dashamirë të letërsisë ishin mbledhur për të shënuar hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘Polip’, i cili këtë vit vjen me temën ‘To the Lighthouse’, shkruan KultPlus.

Këtë vit, festivali feston edicionin e vet të 13-të dhe në të njejtën kohë të fundit sipas këtij formati. Përgjatë këtyre viteve, skena e festivalit ka mirëpritur qindra autorë nga e gjithë bota për të lexuar e diskutuar për tema të rëndësishme për shoqëri e kontekste të ndryshme socio-politike. Por mbi të gjitha, ka krijuar një ambient miqësor të shkëmbimit, shumëllojshmërisë e respektit të ndërsjellë.

Në natën hapëse të këtij festivali, i pari e mori fjalën bashkëthemelusi i festivalit dhe drejtori i qendrës ‘Multimedia’, Jeton Neziraj, i cili së pari i falënderoi pjesëmarrësit për prezencën u shpreh se ky është edhe edicioni i fundit që do të mbahet në Prishtinë.

“Edicioni i radhës i Polip Festival nuk do të mbahet në Prishtinë por do të mbahet në Braunschëeig  të Gjermanisë, në mars të vitit 2024”, tha neziraj.

E më pas, fjalën e mori shkrimtarja kroate Alida Bremer, e cila e krahason festivalin ‘Polip’, si një oktapod e që sipas saj ëstë një kafshë tejet inteligjente.

“Ne kemi pasur të bëjmë me fjalë, ligjërata dhe gjuhë këtu në për shumë vite. Këtu në këtë festival e kemi tentuar të bëjmë kombinimin e bukurive të letërsisë me një mendim të kthjellët”, u shpreh Bremer, e cila tha se Polip ka krijuar një diskurs dhe dialog pa kufij.

Ndërkaq, bashkëorganizatori nga Serbia, Sasha Illiq, tha se ky edicion i ‘Polip Festival’ do të jetë një edicion shumë special.

“Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu para jush në këtë edicion të festivalit ‘Polip’. Në  këtë edicion kemi diçka shumë speciale për ju, shfaqje, argëtim, poezi e të tjera”, tha ai.

Më pas mbrëmja ishte destinuar për poetët dhe shkrimtarët Ledia Dushi, Arian Leka, Eleana Zhako, Adrian Kasnitz, Vladimir Arsenijeviq, Milosh Zhivanoviq dhe Tanja Sljivar të cilët lexuan para publikut poezitë e tyre.

Ndërkaq, ju kujtojmë që Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë ‘Polip’, organizohet çdo vit në Prishtinë. Është themeluar dhe drejtuar nga Qendra Multimedia, një kompani e prodhimit kulturor me seli në Prishtinë. Edicionet e fundit të polip janë organizuar së bashku me Beton, një organizatë kulturore me qendër në Beograd.

‘Polip’ është një festival ndërkombëtar i letërsisë që bashkon në Prishtinë shkrimtarë të rinj nga rajoni dhe nga Evropa. polip shkon përtej kornizës së një festivali letrar dhe të një lidhjeje të thjeshtë letrare. Bëhet fjalë për një kuptim më të gjerë të koncepteve të ndërtimit të paqes dhe besimit në një rajon dhe shoqëri veçanërisht të traumatizuar që ranë dakord të jetonin veçmas dhe të shëronin traumat e tyre pa një përpjekje për të elaboruar të kaluarën traumatike dhe pa ndjeshmëri për tjetrin./ KultPlus.com

Lu Salome, gruaja mendjendritur që hodhi themelet e feminizmit

Ajo është e hipur në një karrocë e tërhequr nga filozofi Niçe dhe i adhuruari tjetër i saj, orientalisti gjerman Paul Rée. Ishte e habitshme kjo fotografi komike që prej vitesh më kishte tërhequr vëmendjen. Në duar mban një kamzhik dhe ata dy njerëz aq të mënçur ishin si të thuash të mbrehur ne qerren e saj.

Fillimisht të duket thjesht një shaka, edhe pse kjo muzë e dashurisë, e poetëve dhe e filozofëve, kishte jo pak pushtet në burrat e mënçur të asaj kohe, jo thjesht për imazhin fizik dhe bukurinë natyrale që kishte me hiret e saj, por së pari për inteligjencën dhe kurajon e saj për të kërkuar shtigje të reja të botës femërore, që deri në atë kohë ishte konsideruar thjesht si një «makineri» prodhimi, për mbajtjen gjallë të species e vazhdimësisë humane dhe jo si një krijesë e barabartë me botën e meshkujve që deri atëherë zotëronin gjithë tribunën e plejadës së njerëzve të shquar gjatë shekujve.

E pra, Lou-Andréas Salomé, (Lioulia von Salomé), ajo vajzë me ata sy të mëdhenj e të zinj, ishte ndër të parat luftëtare feministe dhe një europiane e vërtetë. Nga vinte kjo grua, ç’përfaqësonte filozofia e saj dhe ajo krijimtari e cila është jo e pakët gjatë viteve të shumta të krijimtarisë së saj.

Feministet e shekullit XX dhe ato të sotme, nga Simone de Beauvoir e gjer tek lëvizjet më të fundit feministe, i referohen shpesh kësaj figure me origjinë gjermane. Pas ikjes nga Shen Petersburgu ku lindi më 1861dhe u rrit gjer në moshën 17 vjeçare e më tej, me udhëtimet dhe qëndrimet e shpeshta nëpër metropolet e Europës së fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, ajo u kthye në një nga figurat më spikatëse të femrës moderne të epokës që jetoi.

Lu-Salomé ishte e habitshme: edhe pse i dashuronte miqtë e saj të afërt, ajo e linte mënjanë dashurinë fizike, pasi kishte kultin e dashurisë shpirtërore, aq sa dhe kur dikush ra në dashuri me të dhe donte të martohej, meqë Lu e refuzoi, ai i tha se ndryshe do të vriste veten. Dhe Lu u martua me Friedrih Andreas veçse me kushtin se nuk do të bënin dashuri fizike. Dhe kështu do të ndodhte. Lu kishte të dashurit e saj dhe shpesh dhe burrin e saj mes tyre.

Ajo ishte një muzë arti dhe mendimesh për ta. Përmes leximeve të saj të shumta dhe një shpirti krijues e plot ndjenja ajo mundi të spikaste në botën letrare e filozofike. A nuk shkruante biografja e saj franceze Isabelle Mons se «Niçja, Frojdi dhe Rilke, ishin tre diamantët e kurorës së saj”, pasi që të tre këto figura madhore të Europës e botës u lidhën ngushtë me të, secili në mënyrën e tij.

I pari ishte Friedrich Nietzsche, të cilin Lu e shikonte si atin e mendimit, si një profet dhe ku shumë pikëpamje novatore të saj, për Niçen ishin mjaft moderne. Por motra e Niçes, kishte një xhelozi të sëmurë ndaj Lu dhe ajo u bë shkak më vonë i ndarjes së tyre, për çka Niçe që donte të martohej me të, nuk do ta falte kurrë motrën e tij.

Pas largimit të Lu-së nga jeta e Niçes, filozofi i madh ra në depresion të thellë dhe piërisht në atë kohë shkroi dhe librin e tij të famshëm “Kështu foli Zarathustra”, ku shumë ide të këtij libri mbi Zotin, forcën e njeriut dhe kërkimin e një sistemi të ri të njerëzimit, ai i kishte diskutuar me muzën e tij. Gjer në takimin me poetin Erih Maria Rilke, Lu përjetonte botën e spiritualitetit çka i jepte mundësi të ishte pranë filozofisë për të gjetur përgjigje rreth raporteve njeri-shoqëri- religjion e ku Zoti shihej i pafuqishëm për të zgjidhur problemet e kompleksitetit njerëzor në gjithë qerthullin e vet, duke përfshirë evolucionin dhe politikën. Lu i kishte për zemër principet darviniste. Por takimi me Rilken do ta hidhte në një botë tjetër, edhe pse pozicionet e saj feministe mbetën konstante në gjithë jetën e saj si shkrimtare.

Ajo ishte 36 vjeç ndërsa Rilke 22 vjeçar, një poet i verbuar nga kjo grua plot hire që do të bëhej për të një muzë e përjetshme gjer në elegjitë e fundit dhe në vdekjen e tij. Në vitin 1897, në djalosh i shkruante poezi anonime, gjersa më në fund ajo e njohu dhe ra në dashuri me të. Ishte Rilke. Pastaj ankthe, dëshpërime, depresione, 134 letra dashurie të Rilkes dhe 65 letra të saj zbulojnë një marramendje të tërë…

E vetmja dritë që mund ta prehte Rilken ishte Lu, por ajo nuk mund ta shëronte, nuk mund ta shpëtonte, edhe pse në një pyll bavarez ata përjetuan shtratin, dashurinë patetike të tre vjetëve bashkë, aventurën e trupit e të shpirtit si dhe udhëtimet nëpër Europë apo udhëtimi i tyre i famshëm në Rusi kur shkuan në Jasnaja Poljana të takojnë idhullin e tyre Leon Tolstoi.

“Ti je dita e festës time… – i shkruante ai…”Burimi im i kthjellët. Përmes teje dua të shoh botën, pasi në të njëjtën kohë do të shoh jo botën por ty, vetëm ty… Dhe tani dua të jem ti. Zemra ime digjet para hireve të tua ashtu si llampa që digjet para Madonës…» Deklarata, dashuri, vargje, dehje, ekstazë, fshehur në një shtëpi, ditë pas dite, muaj pas muaji, larg njerëzve. Më së fundi ja ku Lu zbuloi një tjetër botë, atë të seksit, një përjetim sublim të bashkimit të trupave, ngjizjes…

«Dhe ashtu, – do shkruante më pas Lu, – ne u bëmë burri dhe gruaja para se të bëheshim miq dhe kjo miqësi nuk ishte aspak frut i një përzgjedhjeje, por i lidhjeve klandestine… Ne nuk ishim dy gjysma që kërkonin njëra-tjetrën brenda nesh: bashkimi ynë i papritur gjente vetveten, ashtu drithërues, në një bashkim të paeksploruar».

Por vite më pas Lu u shkëput nga Rilke i cili i ngjitej ngado dhe e cënonte pavarësinë e saj tmerrësisht. “Jam në errësirë si një i verbër”, i shkruante poeti. Ndërsa më vonë Lu do ti shkruante: “Nëse për disa vjet isha gruaja tënde, kjo sepse ti për mua ishe “realiteti i parë”, ku trupi dhe burri janë të padallueshëm e si një fakt i pakundërshtueshëm i vetë jetës. Do doja tani të të thoja atë që më ke thënë, duke pohuar dashurinë tënde: ”Vetëm ti je realja…”

Poezitë e Rilkes për Lu janë nga më të bukurat në korpusin letrar të këtij poeti të madh. Në qershor të vitit 1903, Rilke i dërgonte Lu-së një “thirrje të fundit», siç e cilësonte ai. Dhe ajo e vuante gjendjen e tij, por gjendja e poetit ishte e trishtë dhe e rëndë, ai binte gjithnjë e më shumë në humnerat e trishtit dhe të përhumbjes.

Pas një viti bashkë me të ajo shkoi në Paris në atelierin e skulptorit të madh Roden, dhe ajo e kuptoi se tek Roden, Rilke gjente si të thuash modelin e tij mashkullor. Por më në fund ajo do të shkëputej përfundimisht nga poeti duke menduar se vetëm një epistolar letrash me Rilken mund ta mbante gjallë frymën e tij dhe ti jepte pak dritë, gëzim, besim në vetvete dhe artin e tij.

«Nëse ti ke përjetuar gjithë këto trazira shpirtërore, kjo ka ardhur, – i shkruante ajo, – nga krijimet e tua të reja. Ja pse ti vuan, dhe kjo më gëzon. Gëzimi që flladit sipër letrave të tua nuk ka ardhur deri tek ti, dhe ajo nuk është vetëm jotja. Në hijen e këtij gëzimi, pas dhimbjes, ti do të njohësh paqen e vërtetë…».

Lu kërkonte ta paqtonte atë shpirt të tronditur, por kjo ishte e pamundur pasi shpejt Rilke do të vdiste nga leucemia në një spital të Zvicrës, kujtime që ajo do ti shkruante në librin “Prill, muaji ynë Rainer”. Në këtë kohë ajo nisi përsëri udhëtimet nëpër Europë duke shkruar kritika teatrale apo tregime për revistat gjermane, etj. Megjithatë, vdekja e Rilkes i la gjurmë të mëdha pasi ajo filloi ta ndjente veten fajtore që nuk arriti ta nxirrte nga depresioni i tij. / insajderi/ KultPlus.com

Shqipëria më 1919 i kërkoi ShBA-së të administrojnë Çamërinë dhe Epirin e Veriut

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 7 marsit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me propozimin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris që SH.B.A-të të ndërhyjnë në administrimin e çështjes shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shqiptarët bëjnë thirrje për plebishit

Delegacioni shqiptar, pasi u dëgjua nga komisioni i ngarkuar për çështjen greke, i dërgoi një shkresë shtesë Kryetarit të Këshillit të Dhjetëve.

Në rast se kërkesat e parashtruara në memorandumin e paraqitur në konferencë nuk pranohen, ai (delegacioni) kërkon që Asambleja e Lartë t’i japë një mandat Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin dhe administrojnë për një vit territoret e pretenduara nga shqiptarët, domethënë, Çamërinë e jugut, si dhe territoret shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi dhe Serbia.

Nëse Konferenca do të pranojë këtë propozim, shqiptarët do të pajtoheshin, sipas të njëjtave kushte, që i njëjti mandat t’u jepej trupave amerikane për okupimin e Epirit të Veriut, i cili i përket shtetit shqiptar, por që pretendohet nga Greqia.

Në këtë gjendje, njerëzit, pa ndonjë kufizim, mund të shprehen, të lirë, dhe të manifestojnë vullnetin e tyre në lidhje me aspiratat e tyre kombëtare. — (Havas.)/KultPlus.com

‘Duje’ kap 1 milion klikime, ndër këngët më të dëgjuara të Eurovizionit

Albina dhe Familja Kelmendi  do të ngjiten sonte në skenën e Eurovizionit për të perfomruar për së dyti herë këngën e tyre „Duje“, pasi që siguruan finalen.

Shqipëria në natën e dytë gjysmë finale ishte e para që u kualifikua në finale.

Performanca e Albines dhe Familjes Kelmendi  në bazë të klikimeve në Youtube është një ndër më të  shikuarat. Aktualisht ka arritur 1 milion klikime, derisa shifra milionshe  kanë kapur edhe Izraeli, Kroacia, Norvegjia, Suedia, Italia, Çekia.

Albina dhe familje e saj sonte do të përformojnë të dhjetit në radhë./21Media/KultPlus.com

T’isha një lule

Poezi nga Musine Kokalari

“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”

Musine Kokalari u lind më 10 shkurt të vitit 1917 në Adanë të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. 
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë shqiptare. Vdiq e vetme dhe u varros vetëm nga varrmihësit. / KultPlus.com

‘Tani ti je vyshkur dhe më s’ke erë, lulet e tua për mua s’kanë më vlerë’ (VIDEO)

Të shumtë janë poetët, autorët dhe këngëtarët të cilët i kanë kushtuar tekste temës së ‘Dashurisë‘.

Herë si formën më të lartë të gjendjes shpirtërore të cilën mund ta përjetojë njeriu, e herë si tmerrin, mallëngjimin, trishtimin që dikush mund të ketë përjetuar.

KultPlus, këtë radhe ju sjell  një këngë me një tekst mjaft të ndjeshëm, për një dashuri të dështuar nga Redon Makashi:

Nje ditë te bukur maji unë ty të takova
tek po rrije futur nën një lule
lulet e majit për ty i ënderrova
lumturinë në shpirt veç ti ma fute.

Por tani je vyshkur më s’ke erë
lulet e tua për mua s’kanë me vlerë
nuk je ti lulja e bukur e ditës së Majit
por je lulja e këngës sime të vajit

Me kujtohen ditët kur rinia
sa herë rrëmbehet ajo nga dashuria
ishe e vogël atëhere vajza ime
s’mendoje tjetër veçse për ëndërrime

S’më harrohen ditët kur rinia
sa herë rrembehet ajo nga dashuria
ishe e vogël atehere vajza ime
s’mendoje tjetër veçse per ënderrime

Por tani je vyshkur me s’ke erë
lulet e tua për mua s’kanë me vlerë
do të kujtoj përhere moj lulja ime
ndonese je kaq larg kesaj zemres sime./KultPlus.com

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Poezi nga Migjeni

Kanga e Rinisë

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
E na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote./KultPlus.com

Albina dhe familja Kelmendi synojnë majat e Eurovisionit (VIDEO)

Këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi, e cila denjësisht po përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, të enjten mbrëma u ngjit në skenën e Liverpulit.

Ajo së bashku me Familjen Kelmendi elektrizuan sallën e “M&S Bank Arena”  dhe kështu siguruan të parët votat e audiencës për ta çuar vendin që përfaqësojnë në finalen e madhe të kësaj gare evropiane.

Me të nisur kënga “Duje”, e gjithë skena e këndimit u shndërrua në kuq e zi – ngjyra këto që përkonin me flamurin kombëtar.

Për paraqitjen më të rëndësishme në karrierën e saj deri më tani, Albina ishte përkujdesur që të vishej me një kostum të zi e të dekoruar me copëza metali që në tërësi dukej si ato veshjet tradicionale të nuseve shqiptare, por njëkohësisht ngjasonte edhe me heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Madje në një çast kur kënga u bë edhe më ritmike, Albina & Familja Kelmendi i nxorën pecetat dhe filluan të vallëzojnë (pjesërisht) valle kombëtare – kështu duke e vulosur identitetin e tyre.

Pas kualifikimit, ajo ka bërë një prononcim për media, ku ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër që kanë një nënë Shqipërinë e Madhe.

“Ne jemi të një gjaku, të të njëjtit nacionalitet. Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër dhe ne kemi një nënë që është Shqipëria e Madhe”, tha Albina.

Shtetet tjera që arritën të kualifikohen në natën e dytë gjysmëfinale janë edhe Qiproja, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

Ndërkaq, në natën e parë gjysmëfinale, për finalen e së shtunës u kualifikuan Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Çekia, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia.

Tani këto 20 shtete, plus gjashtë të tjera, në mesin e tyre fituesi i vitit të kaluar që është Ukraina, por edhe “pesëshja e madhe”, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia, do të garojnë të shtunën mbrëma për finalen e madhe të Eurovision 2023, me ç’rast juria dhe publiku do të vendosin për fituesin.

Kujtojmë se nga viti 2004, kur Shqipëria u paraqit për herë të parë në këtë garë, asnjëherë nuk arriti ta fitojë atë. Pozita më e lartë e arritur është vendi i 5-të në vitin 2012 me këngëtaren Rona Nishliu.

Tani Albina & Familja Kelmendi shpresojnë se do ta shkruajnë historinë duke u renditur më së larti në Eurovision.

Kush është Albina Kelmendi?

E lindur në Pejë më 27 janar të vitit 1998, qysh në moshë të re ajo nisi të merrej me muzikë dhe shkrim të teksteve.

Kelmendi mori famë në moshën 16-vjeçare në finalen e “The Voice of Albania”, kur të katër gjyqtarët pëlqyen paraqitjen e saj.

Në qershor të vitit 2022, ajo publikoi albumin e saj debutues, “Nana”, i cili u vlerësua pozitivisht.

Ndërsa më 23 dhjetor 2022, Albina & Familja Kelmendi u shpallën fitues nga votat e publikut me këngën “Duje” në edicionin e 61-të të “Festivalit të Këngës” në RTSH. Me këtë fitore u vendos se ata do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023.

E quajtur Albina & Familja Kelmendi, asaj i bashkohen në grup nëna Albana, babai i saj Bujari, vëllai i saj Albini dhe motrat Vesa dhe Sidorela.

Ky është teksti i këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong:

Diçka mrena
Frymën ma nal’
S’di çka bohet, bohet
Po du me e nal’
(Ç’ka o ka bohet?!)
Krejt tu i pas’
E krejt tu i pas’
S’po muj me u k’naq

Jan’ tu u nda
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
Jan’ tu u nda
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’

Duje!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje!
Si jeten ti duje!
Mos e gjuj me gure!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje
Sa jeten ti duje!

Jan’ tu u nda
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
Jan’ tu u nda
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’

Duje!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje!
Si jeten ti duje!
Mos e gjuj me gure!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje
Sa jeten ti duje!
(Duje , duje)
Jan’ tu u nda
(Duje, duje)
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
( Duje, duje)
Jan’ tu u nda
(Duje, duje)
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’
(Duje, duje)/Klan Kosova/KultPlus.com

Vritet nga barinjtë një nga luanët më të vjetër të Afrikës

Foto:

Një nga luanët më të vjetër të Afrikës është vrarë nga barinjtë Maasai në Kenia, thanë sot grupet e ruajtjes.

Luani mashkull, 19 vjeç, u vra me shtizë pasi hyri në një strehë pranë parkut Amboseli në Kenia jugore, tha zëdhënësi i Shërbimit për Kafshët e Egra Kenia (KWS), Paul Ginaro.

“Lunkito ishte një luan i vjetër që kishte vështirësi në gjetjen e ushqimit dhe kafshët e kultivuara janë pre e lehtë. Prandaj ai shkoi të kërkonte ushqim në park,” shpjegoi Ginaro.

Luanët në Afrikë zakonisht jetojnë 12-18 vjet në natyrë, sipas organizatës afrikano-jugore Cats for Africa.

Në vitin 2021, KWS prezantoi Lunkiton si një “luftëtar legjendar mace” që mbrojti territorin e tij për një dekadë.

“Me një zemër të rëndë ne ndajmë lajmin për vdekjen e Lunkito (2004-23), luani mashkull më i vjetër në ekosistemin tonë dhe ndoshta në të gjithë Afrikën,” tha organizata keniane Lion Guardians në Facebook, duke e përshkruar atë si “Simbol i rezistencës dhe bashkëjetesës”.

Rreth 2,500 luanë jetojnë sot në Kenia, bazuar në regjistrimin e tyre të parë (dhe më të fundit deri më sot), i cili u zhvillua në vitin 2021. Vitet e fundit, kafshët e egra kanë hyrë gjithnjë e më shumë në zonat e populluara në këtë vend të Afrikës Lindore dhe zhvillimi urban ka kufizuar ekosistemin e tyre. “Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për të mobilizuar njerëzit dhe të mund t’i çojmë kafshët në parqet e natyrës,” tha Paul Ginaro.

Në korrik, një luan u arratis nga parku kombëtar i Nairobit dhe përhapi panik në periferitë jugore të kryeqytetit. Parku është vetëm shtatë kilometra larg qendrës së qytetit dhe kafshët që ikin atje shpesh përfundojnë duke u endur në këtë metropol prej 4 milionë banorësh. Në dhjetor 2019 një luan vrau një burrë jashtë parkut dhe në mars 2016 një tjetër sulmoi dhe plagosi një banor përpara se të vritej nga rojet. /abcnews.al/KultPlus.com

Kryeministri Kurti nderon të rënët për liri në Korishë: Do të kujdesemi maksimalisht për trashëgiminë e luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit.

Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

“Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kurti.

“Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”./KlanKosova/KultPlus.com

Bienalja e 5-të Ndërkombëtare e Akuarelit në Tiranë, risi dhe ekspozitë të 200 artistëve nga 25 shtete

Punimet e mjeshtrave të akuarelit janë në ekspozitat e Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë.

Edicioni i pestë i bienales sjell për publikun mjeshtrat e akuarelit botëror, ku dhe performanca live të artistëve nuk do të mungojnë gjatë këtyre ditëve.

“Tirana International Watercolor Biennale”, edicioni i 5, organizuar nga Shoqata Kulturore VIZart zhvillohet këtë vit nga data 4-14 maj, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës.

Punët në bienale janë ekspozuar në hapësirat e GAT, Galeria e Artit Tiranë dhe në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar (në katin e parë dhe të dytë). Punimet e artistëve nga Moldavia, Suedia, Koreja, Spanja, Tajlanda, SHBA, Gjermania, Izraeli, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Meksika, Shqipëria, Kosova, etj, janë pjesë e bienales së akuarelit.

Ormira Lulani presidente e shoqatës kulturore VizArt tregon se disa evente do të zhvillohen paralelisht gjatë këtyre ditëve. Bienalja u hap një ditë më parë dhe Ormira Lulani thotë se këtë vit vjen e menduar dhe e konceptuar ndryshe për publikun.

“Bienalja këtë vit në edicionin e pestë vjen ndryshe nga vitet e tjera. Kemi ekspozitën personale të mjeshtrit ukrainas Ihor Mosiichuk, por ndërkohë është dhe ekspozita e 15 mjeshtrave ndërkombëtarë të akuarelit që është hapur te Muzeu Historik Kombëtar, krahas kësaj është dhe ekspozitë e mjeshtrave të tjerë të akuarelit që marrin pjesë, si dhe RINArt /Tirana International Contemporary Art Festival që është festivali i të rinjve. Në Galerinë e Artit Tiranë ( GAT) kemi punime të akuarelit, ndërsa te Muzeu Historik Kombëtar ekspozita zhvillohet dhe në mediume të tjera”, thotë Ormira Lulani.

Ekspozitë me veprat e mjeshtrit Ihor Mosiichuk në GAT

Ekspozita me veprat e mjeshtrit Ukrainas të akuarelit Ihor Mosiichuk, që u nda nga jeta vitin që kaloi në Galerinë e Artit Tiranë është e kuruar nga Helidon Haliti. Kuratori Helidon Haliti tregon se në GAT janë punimet e një prej peizazhistëve më të mirë. “Në GAT janë punët e ukrainasit Ihor Mosiichuk një nga peizazhistët më të mirë, që u nda nga jeta vjet. Unë ju luta familjes që të na jepte disa punime të tij, që ti bënim një ekspozitë personale. E bëmë ekspozitën dhe 20 punë i dhanë ata.

Një artist shumë i mirë, shumë i shitur dhe unë me mirësinë time i kam marrë gjatë viteve që ai ishte në Shqipëri rreth 12 punime, nga të cilat 8 më takojnë mua personalisht dhe 4 i takojnë fondit të VizArt”, tregon kuratori Helidon Haliti. Ihor Mosiichuk në vitin 1994 u diplomua në Institutin Poligrafik të Ukrainës, specialiteti “Grafikës”.

Që nga vitit 1984 jetoi dhe punoi në Transnistria Moldavi. Mori pjesë në 60 ekspozita kombëtare dhe 33 ndërkombëtare, si dhe 9 personale. Punoi në fushën e grafikës, skulpturës, artit monumental -dekorativ dhe dizajnit. Autor i monumenteve të ndryshme në Transnistria dhe Ukrainë. Ihor Mosiichuk ka fituar shumë çmime ndërkombëtare. Veprat e tij gjenden në muze dhe koleksione private në shtete të ndryshme në botës.

Mjeshtrat dhe artistët e rinj në bienale

Ekspozita e artistëve ndërkombëtar të akuarelit sjell në Muzeun Historik Kombëtar punimet e tyre, po në këto hapësira është dhe Festival Festivali Ndërkombëtar i Artistëve të Rinj, edicion i dytë, që zhvillohet në të gjitha mediumet e artit. Kuratori Helidon Haliti tregon se rreth 200 artistë ekspozojnë veprat e tyre këtë vit në “Tirana International Ëatercolor Biennale”, ku performaca live të mjeshtrave do të ndiqen nga artdashës e studentë, që do zhvillohen gjatë ditëve të bienales. Kuratori Haliti thotë se “Tirana International Ëatercolor Biennale” është një aktivitet i rëndësishëm, në jetën artistike në Tiranë. “E kam thënë që në fillim, që ne sjellim artistë, por në radhën e tyre artistët do të shtegtojnë dhe do të hapin sigurisht opinion pozitiv për Shqipërinë dhe veprat e tyre duhet të qëndrojnë këtu.

Të qëndrojnë dhe sigurisht t’i japin leksioneve brezave dhe të bëjmë atë, që themi shpesh që Shqipëria ka nevojë për koleksione të mëdha. Shqipëria ka nevojë për muzeume të mëdha dhe galeri të mëdha, që në fakt nuk kemi. Shqipëria ka nevojë për muzeume private siç ne duam të bëjmë në një moment të caktuar me ndihmën e shtetit muzeun e akuarelit, ku t’i bashkohemi vendeve më të zhvilluara të botës, të cilat për fatin tonë nuk ndodhen në rajon”, thotë kuratori Haliti. Sipas mjeshtrit të akuarelit Helidon Haliti, rajoni nuk ka muzeume akuareli dhe rëndësi ka dhe fondi i veprave, që mund të jetë për një muze të tillë. “Pse mos ta bënim ne të parin, ku ne dhurojmë një fond mbi 400 veprash që tashmë janë në koleksionin tonë të artistëve botërorë dhe bëhet fjalë që mbi 250 artistë kanë dhuruar, kemi shkëmbyer punë me ta dhe ky është një fond do të thosha vërtet prestigjioz, sepse bëhet fjalë për punë unike”, tregon kuratori.

Demostrime live të mjeshtrave të akuarelit

Në Muzeun Historik Kombëtar te salla “UNESCO” do të ketë demostrime live të mjeshtrave të akuarelit që janë Atanur Dogan / Turqi; Miranda Kim / Kore; Nicolas Lopez / Peru; Cese Farre / Spanjë. Sipas kuratorit Helidon Haliti studentë, artistë dhe dashamirës të artit janë të mirëpritur dhe janë raste, që nuk duhen humbur, një shkollë për të gjithë ata që duan artin dhe akuarelin. Po ashtu mjeshtrat e akuarelit nuk do të mungojë dhe në Universitetin e Arteve. Kuratori Helidon Haliti tregon se aktiviteti këtë vit është në Tiranë dhe në rrethinat e saj, por do të vijojë dhe në Pogradec dhe Korçë.

“Performancat live zhvillohen në Universitetin e Arteve, që i është bashkuar kësaj thirrje dhe do të japim mësime falas për rreth 3 orë dhe më pas do të kalojmë në peizazh të hapur në rrethinat e Tiranës, ku do të pikturohet. Por dhe në Pogradec do të pikturohet”, tregon ai. Haliti tregon se në Muzeun Historik Kombëtar janë ekspozuar rreth 70 punime të 15 mjeshtrave të mëdhenj, që janë përzgjedhur nga “VizArt”, por janë dhe rreth 100 vepra të akuarelistëve të ndryshëm botërorë në formën e një dimensioni më të vogël. “Por krahas tyre unë i propozova që të vinin studentët e Universitetit të Arteve, të cilët bashkë me artistë që kanë mbaruar kanë aplikuar me qindra, po ne përzgjodhëm vetëm 70 prej tyre dhe ata ekspozojnë në mediume të ndryshme 70 vepra në sallën sipër në MHK dhe në sallën poshtë i kam lejuar që ta vetkurojnë ekspozitën, duke kërkuar leje nga “VizArt”. Kemi bërë një lloj eksperimenti, që besoj është i suksesshëm ku bashkojmë artistët gjithë bashkë me logjikën, që artisti konkurron mes të tjerëve”, tregon Halidon Haliti.

Në bienale janë rreth 200 artistë pjesëmarrës me punët e tyre, por kuratori Helidon Haliti shprehet se eventi ka gjithashtu rëndësi se është i gërshetuar me aktivitete të ndryshme. “Nuk kemi vetëm një vizitë për një ekspozitë, por kemi biseda mes artistësh, kemi takime me ata dhe zhvillimin e disa ëorkshopeve, që artistët mund ti pyesësh për teknikën dhe eksperiencën. Pra është më interaktive se ndoshta çdo gjë tjetër”, thotë ai.

Bienalja, e kthyer tashmë në një traditë, është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët./KultPlus.com

Inteligjenca artificiale së shpejti do të zëvendësojë 80% të vendeve të punës

Inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë 80% të punëve njerëzore në vitet e ardhshme, mendon një shef i teknologjisë.

Ben Goertzel, kreu i grupit kërkimor SingularityNET , tha se “pothuajse çdo punë që përfshin dokumentet” duhet të jetë “e automatizuar”.

Por ai pretendon se nuk është gjë e keqe pasi kjo do të thotë që njerëzit mund të kalojnë ditët e tyre duke bërë “gjëra më të mira” sesa duke punuar për të jetuar, përcjell portali rtv21.tv

Shefi i teknologjisë, firma e të cilit punon në ‘inteligjencën e përgjithshme artificiale’ e cila ka aftësi njohëse njerëzore, thotë se robotët mund të përdoren në punë të tilla si infermieria.

Ai shtoi: “Në atë rast, ju nuk po eliminoni punët njerëzore.

“Sepse në thelb, nuk ka mjaft njerëz që duan të bëjnë punë infermierie dhe asistente infermiere.”

Shefi i teknologjisë amerikano-braziliane shtoi: “Unë nuk mendoj se është një kërcënim. Mendoj se është një përfitim.Njerëzit mund të gjejnë gjëra më të mira për të bërë me jetën e tyre sesa të punojnë për të jetuar.”/KultPlus.com

Lulja

Poezi nga Aleksander Pushkin

LULJA

Lulen e vyshkur dhe pa erë,
Në mes të një libri e vështroj.
Dhe shpirtin tim prapë këtë herë,
Një varg me ëndrra se ç’e zgjoi.

Kur lulëzoi? Ç’pranverë thua?
Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një ëndje pikëllimi,
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo jetojnë vallë?
Ku vallë janë, ku bredhin, ku?
Apo mos vallë janë tharë,
Si dhe kjo lulezë këtu?

OBT: Shqipëria e treta në botë për rritjen e numrit të turistëve, me 54% më shumë se në 2019

Shqipëria ka pasur një rritje me 54% të numrit të turistëve në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin 2019, duke u bërë kështu vendi i tretë në botë.

Bazuar në të dhënat që janë publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit, (UNWTO) në vend të parë renditet Katari dhe Arabia Saudite.

Në përgjithësi, fluksi i turistëve në nivel ndërkombëtar arriti në 80% të niveleve para pandemisë në tremujorin e parë të 2023.

Rreth 235 milionë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht në tre muajt e parë, më shumë se dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit 2022. Megjithatë, rimëkëmbja e turizmit përballet edhe me disa sfida.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./KultPlus.com

Si trashëgohet artizanati në qytetin e gurtë të Gjirokastrës

Kurora e krenarisë së Gjirokastrës kulturore e historike “Pazari Karakteristik” dhe “Kalaja e Argjiros” nuk mund të ndahen nga ato elemente që hedhin themelet kulturore, që mbajnë gjallë traditën, historinë dhe i trashëgojnë ato ndër breza për mos tu shkëputur më kurrë.

DRTK Gjirokastër na prezanton me shembullin e njërës prej artizaneve që spikat për punën e saj autentike. Ajo është Buqe Muka, mjeshtre që punon me dëshirë dhe dashuri. Veçantia e saj qëndron në faktin se punon mbi skicat e djalit të saj 20-vjeçar, Markelian Muka i cili ka zgjedhur të ndjekë rrugën e nënës së tij.

Buqe Muka rrëfen se ka punuar që e vogël, duke ndjekur shembullin e nënës së saj.

“Dëshira për ta punuar një veshje tradicionale për vete, më futi në këtë teknikë që më dukej e paarritshme në fillim”, rrëfen Buqja e cila sfidë pas sfide arriti edhe të përfshihej në restaurimin e elementëve të ndryshëm në Muzeun Etnografik, në Gjirokastër.

Teknika që ajo pëlqen më shumë është “punimi me tërtil”. Një lloj qëndisje që tregonte klasën e lartë shoqërore të vendit tonë në shekujt e kaluar.

Për 2 muaj ishte pjesë e ekipit të restaurimit të objekteve në muze dhe puna me veshje dhe tekstile të punuara 100-150 vjet më parë e futi në një dimension tjetër.

“Ishte njësoj si të futeshe në një bibliotekë të madhe. Ku çdo send, çdo veshje, ishte libër më vete. Ky është momenti ose pjesa më e bukur e gjithë rrugëtimit tim si qëndistare”, tregon Buqe Muka.

Tashmë klientë të saj janë persona me moshë e kombësi nga më të ndryshmet. Ajo ndihet e lumtur kur mendon se punimet e saj artizanale, kanë kaluar kontinente./atsh/ KultPlus.com

Prindërit e saj e ndjekën ceremoninë në Zoom, Rita Ora jep detaje për dasmen private me Taika Waititi

Rita Ora ka shpjeguar pse ajo dhe Taika Waititi e mbajtën private dasmën e tyre dhe zbuloi detaje të reja se si regjisori nga Zelanda e Re i propozoi Orës. Pas disa muajsh që e mbajtën të fshehtë dasmën e tyre, këngëtarja konfirmoi se ishte martuar me Waititi gjatë një paraqitjeje në Heart Radio Breakfast këtë janar, transmeton KultPlus.

Në atë kohë, ajo e përshkroi rastin si “perfekt” dhe “pikërisht ashtu siç doja unë”.
Në një intervistë për revistën GLAMOR, Ora tha se ishte e trembur nga ideja për të bërë një dasmë të madhe.
Këngëtarja e “You Only Love Me” shtoi: “Disa femrave u pëlqen të ndiejnë atë vëmendje të vërtetë të veçantë atë ditë. Dhe të gjithë janë të ndryshëm. Dhe për mua – mendoj se me punën time, është e gjitha… është shumë e drejtuar nga vëmendja – doja ta mbaja private sepse jeta ime dhe karriera ime nuk janë.”

Ora tha për botimin se çifti planifikoi dasmën e tyre në “dy deri në tre ditë” midis punës në albume, në mënyrë që fëmijët e Waititi të mund të ishin gjithashtu atje.

Regjisori i The Thor: Love and Thunder ka dy vajza me gruan e tij të parë, producenten Chelsea Winstanley. Ish-çifti u martua në vitin 2011 para se të divorcoheshin në 2018. “Ishte ose atëherë ose na u desh të prisnim me shekuj. Pra, ne sapo e kuptuam dhe e bëmë. Dhe ishte perfekte”, tha ajo, duke shtuar se prindërit e saj morën pjesë në ceremoni virtualisht në Zoom.

Diku tjetër, Ora tha se Waititi nuk u ul në një gju kur i propozoi asaj. “Ishte më shumë si, ‘Unë dua të martohem me ty. Le ta bëjmë atë”, kujton ajo. Ora u dha fansave një vështrim të parë në unazën e saj të fejesës nga Waititi në një episod të The Tonight Show me protagonist Jimmy Fallon./KultPlus.com

Inteligjenca artificiale ‘parashikon’ fituesin e Eurovisionit

Faqet e basteve i kërkuan inteligjencës artificiale ChatGPT të analizonte favoritët për të fituar finalen e Eurovision 2023. Fitorja i parashikohet përfaqësueses suedeze Lorin.

Ky është parashikimi i inteligjencës artificiale të ChatGPT për finalen e Eurovizionit:

“Eurovision 2023 u mbajt më 13 maj. Ishte një mbrëmje dinamike e mbushur me performanca sensacionale dhe konkurrencë të ashpër. Pas një gare emocionuese, vendi fitues ishte Suedia me këngën e saj fantastike. Konkurrentja suedeze fitoi zemrat e gjyqtarëve dhe publikut me zëri i saj i jashtëzakonshëm, performanca magjepsëse dhe kombinimi i elementeve muzikore moderne dhe tradicionale. Ata mblodhën 298 pikë për të siguruar një fitore të merituar”, shkruan AI.

Inteligjenca artificiale zbardhi disa parashikime të tjera të vendosjes.

“Prezantuesit nga Mbretëria e Bashkuar gjithashtu bënë një performancë të shkëlqyer. Mbretëria e Bashkuar mblodhi 275 pikë mbresëlënëse, duke përfunduar në pesëshen e parë. Kënga e tyre kishte kuptim të thellë, vokal të fuqishëm dhe një melodi të paharrueshme që u njoh nga shikuesit në të gjithë Evropën. Kënga ishte e fuqishme dhe plot emocione. Me performancën e tyre dhe vokalin prekës, ata fituan 315 pikë, duke përfunduar kështu në tre të parat. Ukraina tregoi një kombinim unik të elementeve moderne dhe tradicionale dhe i dha publikut një përvojë të paharrueshme”, thuhet më tej.

Duhet të kihet parasysh se informacioni i dhënë këtu është tërësisht imagjinar dhe nuk përfaqëson ngjarjet dhe rezultatet aktuale të finales së Eurovizionit. Detajet janë rezultat i imagjinatës dhe kreativitetit, shkruan Betting Sites.

ChatGPT ka parashikuar që Suedia do të fitojë Eurovizionin për herë të shtatë rekord. Një fitore do të thoshte se Suedia së bashku me Irlandën do të bëhet vendi më i suksesshëm në historinë e këtij kompeticioni me shtatë fitore./abcnews.al/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Zogjve Shtegtarë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Zogjve Shtegtarë.

OKB ngre shqetësimin për vazhdimësinë e llojeve të ndryshme të zogjve, në një mjedis ku ujërat rrezikohen nga ndotja apo thatësira.

Fokusi i Ditës Botërore të Zogjve Shtegtarë për këtë vit është fushata globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për zogjtë shtegtarë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për t’i ruajtur ato, duke ruajtuar gjithashtu ujin si domosdoshmëri për jetën.

Aktivitetet për të shënuar fushatën do të mbahen globalisht në dy ditë: më 13 maj dhe në 14 tetor, nën temën “Uji: Mbrojtja e jetës së shpendëve”.  Këto dy ditë reflektojnë natyrën ciklike të shtegtimit të zogjve mes dy hemisferave.

Ndërkohë posteri i këtij viti është realizuar nga artisti nga Nikaragua, Augusto Silva. Posteri ka si elemente kryesore 12 specie zogjsh dhe ujin si burim i jetës.

Uji është thelbësor për ruajtjen e jetës në planetin tonë. Zogjtë shtegtarë mbështeten në liqenet, lumenjtë, përrenjtë, pellgjet, kënetat, kënetat dhe ligatinat bregdetare, për shumim, pushim, furnizim me uje gjatë migrimit dhe dimërimit. Megjithatë, kërkesa në rritje e njeriut për ujë, së bashku me ndryshimet klimatike, ndotjen dhe faktorë të tjerë, po kërcënojnë këto ekosisteme të çmuara ujore.

35% e ligatinave të botës, me rëndësi jetësore për zogjtë shtegtarë, janë zhdukur në 50 vitet e fundit. Liqeni i Madh i Kripur i Utah-s, liqeni më i madh me ujë të kripur në hemisferën perëndimore dhe i përdorur nga më shumë se një milion zogj bregdetar, është në rrezik të zhduket brenda pesë viteve.

Në të gjithë pellgun Amur-Heilong në Azi, ndryshimi i klimës po përforcon ndikimin e shkatërrimit të habitatit duke varfëruar sistemet natyrore të ujit dhe duke privuar zogjtë shtegtarë nga shumimi jetësor dhe vendi i ndalimit. Raportet e fundit zbulojnë se 48 % e specieve të shpendëve në mbarë botën po pësojnë rënie të popullsisë./ KultPlus.com

‘Prapë unë ty tu luta që mua të më thuash, të dua pranë, ty te dua’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh, këngë e intepretime këto që e bënë këngëtaren shumë të dashur për publikun, shkruan KultPlus.

Njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që ti jep jetë artit të saj.

Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar

KultPlus ju sjell këngën ‘’Më the të dua’’, nën intepretimin e këndshëm të Parshqevi Simakut.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. 

Më the të dua por nuk mu besua
Mos folen zogjtë apo pemët
Mos ishte zhurma e erës
Unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua
Mos folen ujrat e pranverës
Mos folen udhët plot
Mos folen udhet plot njerëz

Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua
Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua
Mos foli kush
N’atë, n’atë prush,

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush
N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo foli kush
Mos foli hëna përmes degesh
A gonxhet qe do çelin

Gonxhet qe do të çelin nesër
Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua
Prapë unë ty tu luta
Qe mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo foli kush
N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush
N’atë gusht e n’atë prush
N’ata mos foli
Apo tjetër kush
N’atë gusht e n’atë prush

N’ata mos foli
Apo tjetër kush
Kokën lehtë e vure
E vure ti tek mua
Të dua pranë, ty te dua
Më unë ty s’tu lutë
Që mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua

Kokën lehtë e vure
E vure ti tek mua
Të dua pranë, ty te dua
Më unë ty s’tu lutë
Që mua të më thuash
Të dua pranë, ty te dua./KultPlus.com

Nis puna për sistemimin e skenës së Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

DRTK Gjirokastër sjell një album fotografik, i cili tregon për punën që ka nisur në skenën e mirënjohur të Festivalit Folklorik, në kalanë e qytetit.

DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në vijim të përgatitjeve për Festivalin Folklorik Kombëtar, ka filluar punimet për restaurimin e skenës të festivalit dhe sisteminim e ambienteve të kalasë.

Ministrja e Kulturës ka njoftuar se, ky është viti i rikthimit të Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në muajin qershor.

Prej DRTK-ve të ndryshme kanë dalë njoftimet se ka nisur puna për përgatitjen e grupeve kulturore-artistike për pjesëmarrjen në festival.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u mbajt në vitin 1968. Prej asaj kohe, ai është zhvilluar çdo pesë vjet.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./KultPlus.com

Sonte finalja e Eurovision, Albina dhe Familja Kelmendi këndojnë të 10-tët

Edicioni i 67-të i Festivalit Europian të Këngës kulmon sonte (13 maj). Është nata më e madhe e Eurovizionit ku një nga konkurrentët do të kurorëzohet si fitues. Janë 26 këngë në garë, mes të cilave edhe “Duje” e Albina dhe Familjes Kelmendi.

Përfaqësuesja e Shqipërisë do të këndojë e 10 në radhë, ndërsa pritshmërit janë të larta, pas performancës elektrizuese në natën e dytë gjysmëfinale. Kënga “Duje” është pritur mjaft mirë nga publiku ndërkombëtar, ndërsa renditet në vendin e dytë si kënga më e klikuar në youtube nga gjysmëfinalistët.

Mbështetja për përfaqësuesen shqiptare është shumë e rëndësishme në këtë natë finale, ndaj të gjithë shqiptaret jashtë Shqipërisë mund të votojnë me kodin Vote 10, kur të hapet televotimi.

Festivali do të fillojë në orën 21:00.

Hapja

Gjithçka do të nisë me Kalush Orkestrën, fituesja e vitit të kaluar të Eurovizion në Torino. Nga Ukraina në Liverpool, kënga e tyre “Stefania” do të kalojë nëpër vende dhe versione të ndryshme në sekuencën hapëse që do të shfaqë edhe yje të tjerë si Sam Ryder apo edhe superylli britanik, Joss Stone.

Më pas, brenda Liverpool Arena, Kalush Orkestra do të vazhdojnë të performojnë këngën e tyre fituese, të cilëve do t’u bashkohen shumë njerëz.

Shfaqja e fundit që organizatorët e Liverpul kanë përgatitur për publikun titullohet ‘The Liverpool Songbook’ dhe është një homazh për traditën e qytetit britanik në muzikën pop. Protagonistë do të jenë Mahmood nga Italia, Netta nga Izraeli, Daoi Freyr nga Islanda, Cornelia Jakobs nga Suedia, Duncan Laurence nga Holanda dhe Sonia nga Liverpuli. Gjashtë artistët do të performojnë këngë të lidhura me traditën muzikore të Liverpul-it.

Si do të bëhet votimi

Vendi fitues i Eurovizionit 2023 do të zgjidhet 49,4% nga panelet kombëtare të gjykimit me pesë anëtarë dhe 50,6% nga televotimi i publikut. Gjithashtu, të drejtë vote kanë jo vetëm 37 vendet pjesëmarrëse të këtij konkursi , por edhe qytetarët nga e gjithë bota, të cilët jetojnë në vende që nuk marrin pjesë në Eurovision 2023.

Shikuesit në të 37 vendet pjesëmarrëse në Eurovision Song Contest 2023, si dhe shikuesit nga pjesa tjetër e botës, mund të votojnë për 26 këngët në finale.

Votimi për publikun do të fillojë pas përfundimit të këngës së fundit dhe do të zgjasë afërsisht 40 minuta.

Në fund të televotimit, së pari do të prezantohen rezultatet e votimit të jurisë, të ndjekura nga pikët e dhëna nga publiku dhe vendi me rezultatin më të lartë do të jetë fituesi./rtsh/KultPlus.com

‘Kronikë në gur’ i shkrimtarit Ismail Kadare botohet në polonisht

 Libri “Kronikë në gur” i shkrimtarit të madh Ismail Kadare është botuar ditët e fundit në polonisht, nën përkthimin e Marek Jeziorski.

Libri është botuar nga shtëpia botuese SEDNO, ndërsa botimi është shoqëruar edhe me një hyrje.

“Heroi i romanit “Kronikë në gur” të Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, është qyteti i gurtë i Gjirokastrës, ku shkrimtari kaloi rininë e tij. Autori portretizon në Gjirokastër bukurinë dhe dramën e personifikuar të jetës. Ngjarjet e përshkruara në libër zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitet 1940-1943, në qytetin e pushtuar radhazi nga trupat italiane, greke dhe gjermane. Historia e një qyteti të gurtë dhe e banorëve të tij, e parë me sytë e një djali të ri, alter egoja e autorit, është larg nga një memoar klasik autobiografik. Djali përpiqet të kuptojë qytetin plot mistere, duke folur vazhdimisht me të. Gjuha e qytetit janë tingujt dhe ngjyrat e tij. Kadare është një mjeshtër i groteskut dhe misterit delikat, duke përdorur vazhdimisht fuqinë poetike të metaforës dhe aludimit të paqartë. Një lexues i ndjeshëm i librit, që duket se ka pak lidhje me kohën e terrorit të Hoxhës (libri u botua në 1971), do të jetë në gjendje të dallojë referenca kritike për diktaturën që shkatërron lirinë dhe dinjitetin njerëzor midis rreshtave të tregimit”, theksohet në hyrjen e librit.

Më tej në hyrje thuhet se “”Kronikë në gur” është një shembull sesi letërsia e shquar mund të kapërcejë kufizimet e censurës së shtetit komunist, pa e humbur vlerën e saj artistike dhe pa ikur nga temat e vështira që shqetësojnë njerëzit e zakonshëm në momentet kryesore të jetës së tyre”.

Romani u përkthye drejtpërdrejt nga shqipja (disa nga librat e Kadaresë janë botuar në polonisht me përkthim nga frëngjishtja), gjë që e bëri detyrën e përkthyesit edhe më kërkuese, sepse autori tregon aftësi të jashtëzakonshme fjalëformuese dhe nxjerr me guxim nga pasuria e gjuhës amtare.

Falë iniciativës së përkthyesit, Marek Jeziorski, njohës i shkëlqyer i kulturës dhe gjuhës shqipe, ky roman poetik, duke vënë lëvizje imagjinatën e pakufizuar të lexuesit, në paraqitjen e çështjeve të pakuptueshme dhe misterioze, do të lexohet tani e tutje nga shumë dashamirë aktualë dhe të rinj të veprës së autorit shqiptar.

Deri më tani, veprat e Kadaresë janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”./KultPlus.com