KultPlus ju sjellë një këngë mjaft të dëgjuar, të interpretuar para 20 vitesh, nga Nexhmi Mehmeti dhe Ganimete Jashanica.
Kënga ‘Po të pres te shatërvani’, ka temë dashurie, të një dashurie ende të pa arrirrë, ku dëshira e zjarrtë për t’ia shprehur dashurinë personit të zemrës, manifestojhej me ëndrra.
Po të pres te shatervani:
Dhe kur dielli puth qytetin Dal të pres të shatërvani. Më buzqesh me buzë të zjarrtë Se në shpirt më dogji xhani. Po të pres pëllumb i bukur N’kraht e tua, n’ëndrrat e mia. Vallë si qenka dashunia Më e fshehtë se fshehtësia Oh, oh, oh. T’ëndërroj natë për natë O shpirt, o xhan T’ëndërroj natë për natë E s’të kam pranë. Hape zemrën shpirt Se më mbyti malli. Kam dy fjalë i ruaj për ty Do ta puth buzën e zjarrtë Do t’i puth dy sytë e zi. Dhe kur… T’ëndërroj…
Un’ jam un’, saksi e vjetër! Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…
Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’, syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj? Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?
Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa, dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!
Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’ i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’ këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e masakrës së 116 martirëve në Studime të Vushtrrisë, ka thënë se kjo masakër ishte e organizuar paraprakisht nga mekanizmat e politikë të regjimit serb, prandaj edhe duhet thënë prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe se paqe të qëndrueshme në Kosovë mund të ketë vetëm kur autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.
Presidentja Osmani po ashtu tha se plagët e mizorisë së serbëve të kryera në Studime kanë mbetur të skalitura në kujtesën kolektive, e të cilat e tregojnë çmimin e lartë të lirisë.
“Prandaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme e afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë e kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen.”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani, gjithashtu ka thënë se fshati Studime është simbol i mbijetesës, krenarisë dhe simbol i ringritjes së kombit.
‘’Studimja është simbol i barbarisë së krimeve serbe, i policëve që ndanin fëmijët nga prehrit e nënave e që masakronin gratë shtatzëna, por Studimja është po ashtu simbol i mbijetesës, simbol i krenarisë për ata që ranë për këtë tokë, është simbol i ringritjes sonë si komb.’’, ka thënë Osmani.
Në fshatin Studime, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha të vendit, ku pë dy orë u vranë 116 martirë, në mesin e të cilëve pati edhe fëmijë dhe gra shtatzëna/KultPlus.com
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë pjesë e ceremonisë së kurorëzimit të Mbretit Charles III, në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.
Lajmin për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në cerëmoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles, e ka bërë të ditur ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, përmes një postimi në Twitter.
“Shumë mirë të takohesha me presidentin Bajram Begaj para vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla si një dëshmi e marrëdhënies së fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. I gëzuar që presidenti Begaj do t’i bashkohet liderëve botërorë për të shënjuar këtë ngjarje historike”, shkroi ambasadori King-Smith në Twitter./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi takimin e parë me drejtorin e ri të Cirkut Kombëtar, Klajd Ymeri, si dhe me ekipin entuziast të këtij institucioni.
Ministrja e Kulturës ndau në rrjetet sociale se në takim u diskutua mbi problematikat dhe vizionin për të ardhmen e Cirkut.
“Shumë shpejt do të nisë puna për realizimin e projektit të shtëpisë së re, që mendojmë të jetë shumë pranë Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, si dy institucione që japin e marrin me njëri-tjetrin”, është shprehur Margariti.
Ministrja ka falënderuar drejtorin e QKKF, Agim Bajko që e mbështeti Cirkun në ditë të vështira, duke i kaluar stafetën drejtorit të ri.
“Së bashku do ta kalojmë këtë periudhë tranzicioni, drejt ringritjes së artit të bukur dhe të dashur të cirkut”, përmbyll mesazhin ministrja e Kulturës/atsh/KultPlus.com
Për herë të parë në Kosovë do të bëhet hapja e ekspozitës së Holokaustit, ekspozita unike e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për gjenocidin që tronditi botën ku u ekzekutuan dhe masakruan, qindra mijëra romë.
Në këtë ekspozitë do të prezantohen një sërë objektesh, fotografish dhe elementesh që pasqyrojnë holokaustin ndaj romëve.
Vizita juaj nuk do të jetë vetëm një mësim për historinë e popullit romë, vuajtjet dhe gjenocidin ndaj tyre, por mbi të gjitha është; moment reflektimi mbi përgjegjësinë njerëzore ndaj antisemitizmit, racizmit dhe antigjipsizmit, dukuri këto që kanë jehonë edhe në shekullin tonë. Prania juaj jo vetëm që do të nderonte kujtimin e atyre që vuajtën dhe vdiqën gjatë asaj kohe tragjike, por gjithashtu do të ndihmonte edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të opinionin publik duke shërbyer si shembull për rëndësinë e njohjes dhe përkujtimit të të gjitha viktimave të holokaustit.
“Jemi të bindur që duke qenë një përvojë e paharrueshme për ju kjo ekspozitë do të jetë po ashtu mjaft prekëse dhe informuese”, thuhet në njoftim.
Kjo ekspozitë është organizuar nga “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” dhe hapet të mërkurën, më 10 maj, me fillim nga ora 16:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Ekipi Young Boys rifitoi titullin e ligës zvicerane të dielën, duke fituar një trofe të parë për trajnerin Raphaël Wicky.
Një fitore 5-1 ndaj Lucernit e çoi Young Boys në një epërsi prej 18 pikësh me pesë xhiro të mbetura për të vulosur titullin e 16-të të ligës së klubit.
Trofeu kthehet në Bernë një vit pasi Cyrihu i dha fund serisë së katër titujve radhazi të Young Boys.
Reprezentuesi i Kosovës, Donat Rrudhani, u aktivizua te kampionët e ri nga minuta e 79-të.
Te “verdhezinjtë” luan edhe kosovari tjetër, Kastriot Imeri, i cili la gjurmë me një asistim. Imeri në arenën ndërkombëtare mbron ngjyrat e Zvicrës.
Për Young Boys është titulli i 16-të i kampionit në histori të klubit.
Pas tre vitesh stërvitje në SHBA, ish-mesfushori i Zvicrës Wicky udhëhoqi Young Boys drejt titullit në sezonin e tij të parë.
Wicky e çoi skuadrën amerikane nën-17-vjeçare në turneun e saj të Kupës së Botës në 2019, më pas kaloi dy sezone me Chicago Fire në Major League Soccer.
Young Boys mund të fitojë edhe një trofe më 4 qershor në finalen e Kupës së Zvicrës kundër Luganos, i cili aktualisht është i dyti në ligë.
Young Boys mund të hyjë në Ligën e Kampionëve në raundin e tretë kualifikues duke pasur nevojë të mposhtin dy kundërshtarë për të arritur në fazën e grupeve./ albinfo.ch / KultPlus.com
Fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi, SHHSHM-Shkup (Shoqata e historianve Shqiptar në Maqedoni), personalitete dhe historian nga bota akademike, kanë mbajtur sot një aksion simbolik në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke u deklaruar kundër heqjes së emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës.
Gjatë këtij aksioni simbolik janë dërguar lule të freskëta tek shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë, me ç’rast organizatorët janë deklaruar rreth kundërshtimit të kësaj ideje dhe hapave që do të ndërmarrin në vijim.
Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina është shprehur se e kundërshtojnë fuqishëm këtë ide dhe do të ndërmarrin disa hapa në vazhdim.
“Arsyetimi i rektorit se kjo çështje shkakton konflikt apo shkakton probleme në rangimin ndërkombëtar të punimeve shkencore është i pa bazë. Lidhur me këtë argumentim unë jam duke u marrë prej vitit 2013 kur rektori e ka shfaqur këtë indinjatë, këtë pakënaqësi të emërtimit. Një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundoj me largimin e tij sepse e ka nis mbrapsht reformën”, është shprehur Mehmet Prishtina duke thënë se kjo ide është ofendim i rëndë për të gjithë shqiptarinë. / KultPlus.com
Mijëra skenaristë dhe tekstshkrues televiziv të Hollywood-it nisën një grevë pas dështimit të bisedimeve për pagat dhe kushtet me studiot e mëdha.
Kjo rrezikon seriozisht vënien në skenë të spektakleve, filmave dhe programeve të tjera, shumë të dashura për publikun. Greva e sindikatës “Writers Guild of America”, e para në 15 vitet e fundit, përfshin mbi 9 mijë skenaristë dhe tekstshkrues që do të lënë vendin e punës në shenjë proteste duke nisur nga mesnata e së martës. Efektin e menjëhershëm do ta përjetojnë spektaklet e mbrëmjes, që do të mbyllen të parat, ndërsa vonesa do të ketë edhe në publikimin e filmave dhe serialeve.
“Kam nevojë për skenaristët e mi. Pa ndihmën e tyre nuk mund ta realizoj spektaklin tim”, tha Jimmy Fallon, komedian dhe prezantues.
Në vitin 2007 u zhvillua një grevë e ngjashme për 100 ditë, që i shkaktoi industrisë një dëm prej 2 miliardë dollarësh. Por këtë herë, skenaristët po përplasen me producentët dhe regjisorët që përfaqësojnë studio e mëdha si Disney dhe Netflix, lidhur me kërkesat për paga më të larta dhe ndarje më të mirë të përfitimeve nga publikimi i materialeve në platformat moderne të transmetimit.
Një ndër kërkesat kryesore të sindikatës ishte që për një spektakël televiziv të angazhohen nga 6 deri në 12 skenaristë e tekstshkrues, gjithashtu të garantohet punësimi për një minimum javësh për sezon. Mes tjerash ishte dhe një kërkesë për përjashtimin e përfshirjes së Inteligjencës Artificiale në krijimin e skenareve dhe teksteve, por që u refuzua nga studiot e mëdha në negociatat që zgjatën 6 javë. / a2cnn / KultPlus.com
Ka nisur në Elbasan Festivali Ndërkombëtar i Kukullave. Ky është edicioni i tij i parë që u hap dje, në teatrin Skampa dhe do të vazhdojë deri në datën 5 maj.
Në programin e këtij festivali janë parashikuar shfaqje nga trupa teatrale që vijnë nga vende të ndryshme të Europës e Mesdheut si: Belgjika, Italia, Mali i Zi, Tunizia, Turqia, Çekia, Franca dhe Irlanda.
Në ditën e parë të festivalit u prezantua Teatri i Kukullave të Elbasanit me pjesën “Në botën e çokollatave” si dhe përfaqësuesit nga Tunizia me pjesën “Takimi”.
Shqipëria në këtë takim të rëndësishëm të teatrove të kukullave përfaqësohet me Teatrin e Elbasanit, të Korçës dhe të Tiranës. / atsh / KultPlus.com
New York School of Science in Kosova ka ftuar themeluesen e medias së njohur online për art dhe kulturë www.kultplus.com, Ardianë Pajazitin që të mbajë një takim me nxënësit e klasës së gjashtë të kësaj shkolle, ku përgjatë prezantimit të saj me nxënësit, ajo ka diskutuar mbi kulturën e informimit, mediet online, ruatjes së tyre nga lajmet toksike, lajmet e rreme dhe shumë tema të tjera që zgjuan shumë interesim tek nxënësit, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e New York School of Science mbi këtë prezantim të Ardianë Pajazitit.
Nxënësit e klasës VI, kishin rastin të takohen me themeluesen e medias së njohur online për kulturë KultPlus, zonjën Ardianë Pajaziti, e cila fillimisht i pyeti nxënësit për kureshtjen dhe raportin e tyre që kanë me rrjetet sociale, me kulturë, veçmas me teatrin dhe kinemanë, se sa herë dhe për çfarë arsye i vizitojnë ato.
Ajo trajtoi edhe besueshmërinë ndaj mediave, ku nxënësit shtruan pyetje për dallimin e lajmit të rremë prej lajmit të vërtetë dhe efektet e lajmit të rremë në veçanti apo mënyrës se si duhet të trajtohet ai.
Këshilla e të ftuarës sonë ishte që gjithmonë para një lajmi sado senzacional të jetë, të kërkohen burime zyrtare të informacionit që vijnë nga institucione kredibile, ku në rast se gjenden shkelje, ka një institucion si Këshilli i Pavarur i Mediave – KPM që është përgjegjës të reagojë.
Faleminderit zonja Ardiana për të gjitha informatat dhe kuriozitetin që e zgjuat tek nxënësit tanë!
Përndryshe, New York School of Science në kuadër të planprogramit sjell vazhdimisht figura të njohura nga lëmi të ndryshme, me qëllim që nxënësit e kësaj shkolle të marrin përvoja të shumta nga profile të ndryshme që tashmë kanë treguar sukses në Kosovë dhe më gjerë./ KultPlus.com
Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.
Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar këtë ngjarje të rëndë për vendin tonë, duke u shprehur se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
Postimi i plotë i kryeministrit:
Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët . I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.
Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.
Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë.
E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë! / KultPlus.com
Shfaqja “Burrnesha” e prodhuar nga Qendra Multimedia do të jetë pjesë e edicionit të gjashtë të festivalit të teatrit “Polis” i cili mbahet në Ravenna të Italisë ndërmjet datave 2-7 qershor, 2023.
Edicioni i sivjetëm i festivalit “POLIS”, i programuar mbi temën “Ballkani në fokus” dhe mbi idenë e artistit të njohur gjerman Ulay “Estetika pa etikë është thjesht kozmetikë”, synon të eksplorojë prodhimet më të fundit dhe provokative teatrore, me fokus në ato të Evropës Juglindore.
Ndër artistët që do të marrin pjesë në “POLIS 2023” janë Oliver Frljić, Branko Simić, Gemma Hansson Carbone, kolektivi francez Zone Poéme si dhe Žiga Divjak. / KultPlus.com
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Idromeno Independent Film Festival dhe organizatën Gruaja tek Gruaja, është duke përgatitur ekspozitën Idromeno Uncovering.
Bëhet fjalë për një ekspozitë fotografike të titulluar “Gruaja në imazhin fotografik shqiptar-Një udhëtim fotografik” e cila shpërfaq shoqërinë e epokave të ndryshme në imazh.
Ekspozita Idromeno Uncovering sjell vajzat e gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare: të talentuara, të guximshme dhe frymëzuese.
Gjatë kësaj kohe komplekse të historisë së kulturës shqiptare, shumë aktore shkëlqyen dhe arritën popullaritetin e tyre pavarësisht kontrollit të diktaturës së kohës. Duke përdorur teknologjinë më të fundit fotografike, kjo ekspozitë i dedikohet arritjeve të interpretimit të disa aktoreve më të dashura të ekranit shqiptar si: Roza Anagnosti, Elvira Diamanti, Anisa Markarian dhe Luiza Xhuvani.
Këto fotografi të digjitalizuara nga negativët origjinalë janë vetëm një pjesë e vogël e një koleksioni të jashtëzakonshëm të Fototekës së AQSHF-së që po digjitalizohet e po ruhet për brezat e ardhshëm të regjisorëve, studiuesve të filmit, studentëve të fotografisë dhe të apasionuarve pas filmit artistik.
Kuratorë të ekspozitës janë Erjon Tusha dhe AQSHF. / atsh / KultPlus.com
Ndërsa nuk kishte asnjë dyshim se Dua Lipa do të mahniste në Met Gala të këtij viti me temën e Karl Lagerfeld, këngëtarja thjesht i hodhi poshtë pritshmëritë tona tashmë të larta. Ajo u paraqit në tapetin e kuq me një fustan fildishi Chanel të vitit 1992, i veshur fillimisht nga supermodelja ikonike e viteve ’90, Claudia Schiffer.
Fustani në formë tweed, përfshinte një mes të strukturuar me korset i rrethuar me vija bardh e zi, një fund voluminoz dhe një skaj me thekë. Këngëtarja e kombinoi look-un e saj me një gjerdan diamanti 200+ karatësh Tiffany me një varëse katrore masive, unaza të ngjashme dhe taka me majë metalike. Flokët e saj korbi ishin stiluar me kaçurrela të mëdha, dhe shkëlqimi i saj përfshinte eyeliner dhe buzë ngjyrë vjollce mat, shkruan revista People.
Edhe pse Dua nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në gala të vitit të kaluar për shkak të konflikteve me turneun e saj Future Nostalgia World Tour, kjo nuk është hera e parë që ajo ngjitet në shkallët e famshme të Met Gala. Ylli i popit mori pjesë gjithashtu në ngjarjen e vitit 2019, ku u vesh me temën “Kampi: Shënime mbi modën” duke veshur një jumpsuit të gjallë shumëngjyrësh të Atelier Versace. / KultPlus.com
PHOTO: BERTRAND RINDOFF PETROFF/GETTY, MIKE COPPOLA/GETTY
Është mbajtur edicioni i 30-të i ndarjes së çmimeve “Porin” në Zagreb të Kroacisë i cili bëri bashkë emrat më të rëndësishëm të muzikës kroate në një vend, shkruan KultPlus.
Në mesin e fituesve është edhe kitaristi i njohur shqiptar Petrit Çeku, i cili mori çmimin “Porin” për performancën më të mirë të muzikës klasike për kompozimin “Goran Listeš: Omaggio a Marko Ruždjak Op.17” nga albumi “Ommagio a Goran – Muzikë për kitarë nga Goran Listeš”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë artisti i cili është shprehur se ky është një nder i madh për të.
“Javën e kaluar mora çmimin Porin në kategorinë Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin tim të Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17 nga Goran Listeš, nga albumi ‘Ommagio a Goran’, botuar nga Croatia Records. Ky është një nder i madh dhe këtë çmim ia dedikoj Goran Listes!”, shkruan Çeku. / KultPlus.com
Shqipëria si destinacion turistik po promovohet çdo vit e më shumë në medie dhe televizione ndërkombëtare.
Së fundmi, kanali televiziv italian RAI3 transmetoi një reportazh ku turoperatorët italianë e cilësojnë Shqipërinë si “destinacionin e momentit”.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se “reportazhi i RAI3, si promovim i shkëlqyer i turizmit në Shqipëri, duke pasqyruar edhe ngjarjen më të rëndësishme që organizuam, Konventën Ndërkombëtare të Turizmit-FESTA”.
“Plazhe të pastra, det i kristaltë dhe peizazhe që të lënë pa frymë”, kështu e nis reportazhin kanali televiziv italian RAI3.
Reportazhi i RAI3:
Dy brigjet ngjajnë me njëri-tjetrin dhe pothuajse prekin njëri-tjetrin në ato 71 kilometra që ndajnë Otranton nga Vlora. Italia dhe Shqipëria nuk kanë qenë kurrë kaq afër. Të krijojmë një urë lidhëse mes dy vendeve sot dhe mbi të gjitha turizmin. Italianët që zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin e shqiponjave janë gjithnjë e më shumë.
Mesatarisht, nga 10 vlerësime, 8 janë për Shqipërinë. Tashmë është destinacioni i momentit, por edhe për kostot, për lidhjet nga Bari nga Brindisi nga Ankona, kështu që njerëzit mund të vendosin se kur dhe si duan të shkojnë në Shqipëri.
Tragete ditore për në Vlorë dhe Durrës, por edhe fluturime direkte për në Tiranë, të disponueshme nga një duzinë aeroportesh. Në Bari takuam disa pasagjerë që niseshin për të vizituar kryeqytetin dhe më pas për t’u zhvendosur në vende të tjera.
“Në Tiranë dhe më tej. Do të ikim prej andej. Kam pesë ditë për të vizituar. Mendoj të paktën Vlorën, por ndoshta edhe Shkodrën”, tha një prej tyre.
“Kam dëgjuar për Sarandën Tiranën dhe Durrësin. Janë vende të bukura. Ka edhe plazhe.
Do të kalojmë dy ditë në Tiranë, Vlorë dhe dy qytete të tjera, në Sarandë dhe më pas në Durrës, një javë domethënë”, tha një tjetër.
“Djali im shkoi dhe u kënaq dhe do të shkojë sërish sapo të kthehemi ne, megjithatë do ta shohim vetë”, tha një turist.
“Po shkojmë në Tiranë për një kurë dentare”, tha një qytetar italian. “Dhe do të përfitoni edhe për pak pushime?” “Po, do të kalojmë pesë ditë dhe shpresoj t’ia kalojmë mirë”.
Protezat dentare dhe kazinotë ndihmojnë në rritjen e një fluksi që po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm edhe falë tarifave konkurruese.
“Ekonomikisht e shoh shumë të përshtatshme, kjo do të na bëjë shumë konkurrencë”, tha një qytetar.
“Në hotel për një javë. Ne gjithashtu do të marrim makinë me qira, 25 euro, një gjë që në vende të tjera nuk e shpenzon këtë shumë”, tha një tjetër.
Sa kushton një javë në qershor?
“Në qershor, duke përfshirë tragetin dhe një hotel me 3-4 yje, kushton rreth 350 deri në maksimum 400 euro”, shtoi ai.
Komoditet, por edhe histori, art, mikpritje dhe me qeverinë që hap dyert për vendet fqinje duke i fokusuar në një departament të vetëm ku ka bashkuar mjedisin dhe turizmin.
Reportazhi fokusohet edhe në deklaratat e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Mjedisi duhet mbrojtur dhe jo shfrytëzuar. Në këtë kontekst përgjegjësia është shumë e madhe. Qeveria shqiptare, në kërkim të një ekuilibri, ka bashkuar në një portofol si sektorin e mjedisit ashtu edhe atë të turizmit për të zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur mjedisin jo vetëm si një pasuri të jashtëzakonshme natyrore, por edhe një burim për një ofertë të larmishme turistike”, u shpreh ajo.
Nga veriu në jug, nga bregu në brendësi, rrugë dhe itinerare duke filluar nga ato më të testuarat.
Zona më e kërkuar është Saranda. Saranda dhe Ksamili, që ndodhet në jug të Sarandës. Jane 10 kilometra nga Saranda. Zona e dytë është Vlora
A ka ende zona për të zbuluar?
Po, ka shumë. Dhërmiu dhe Borshi jane zona që për fat ka shumë pak hotele, 4 apo 5 hotele. /atsh / KultPlus.com
Një korb i zi është kthyer në një fenomen në rrjetet sociale për shkak të pikturave mahnitëse që ka krijuar me sqepin e tij për vite me radhë.
Shpendi i quajtur Odin është 11 vjeç dhe përdor një sërë ngjyrash të ndezura, të sigurta për kafshët, për të bërë veprat e mahnitshme abstrakte, që shumë i krahasojnë me ato të piktorit të njohur amerikan Pollock, tablotë e të cilit vlejnë miliona.
Punëtorët e Parkut të Ruajtjes së Kafshëve të Egra “Tropical Butterfly House” në Sheffield, tregojnë se i dhuruan korbit një kavalet 8 vite më parë dhe që nga ajo kohë, Odin ka krijuar qindra tablo që mund të blihen nga adhuruesit e artit.
Rojtari Milly Fox shpjegon se zogut karizmatik i pëlqente t’i jepte kanavacës një spërkatje të mirë dhe kishte një qasje “agresive” për të prodhuar pikturat unike. / KultPlus.com
Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.
Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.
Familjarë dhe qytetarët nderojnë çdo vit viktimat nga forcat serbe, duke përkujtuar luftën e Kosovës./ KultPlus.com
Aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover, ka vizituar një ditë më parë muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.
Lajmi bëhet i ditur nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ku ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vizita e producentit të njohur amerikan në këtë muze.
Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut i cili transmetohet në muze.
Bëhet me dije se vizita e Glover vjen pas ftesës që bashkia Tiranë i ka dërguar atij për të mësuar më shumë mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe historinë e Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com
Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës.
Demolli la pas shumë vepra letrare të njohura si: “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve”, “Ballkonet e një qyteze” e shumë të tjera.
Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme normale dhe fakultetin filozofik, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare.
Pos në arsim, punoi në revistën “Bota e Re”, Televizionin e Prishtinës, “Fjala”, “Pionieri”.
Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptare. Librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve i janë ribotuar edhe në Tiranë”.
Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.
Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. / KultPlus.com
Bota e modës u mblodh në New York City për mbrëmjen e përvitshme Met Gala, ku temë ka qenë nderimi për ikonën e ndjerë Karl Lagerfeld.
Në këtë mënyrë, tema ishte sa më shumë perla, jakë dhe veshje bardh e zi.
Në tapet “u shfaq” edhe macja e Lagerfeldit.
Në total kanë qenë 400 të ftuar, nga Priyanka Chopra, motrat Kardashian, Doja Cat, Lil Nas X, David Byrne, Rita Ora dhe bashkëshorti i saj Taika Waititi, pa dyshim të gjithë artistët bënë më të mirën e tyre. Mes yjeve të veshur më mirë janë edhe dy shqiptaret, Rita Ora dhe Dua Lipa.
Lagerfeld shërbeu si drejtor kreativ i Chanel nga viti 1983 deri në vdekjen e tij – dhe shumë pjesëmarrës në Met Gala zgjodhën të veshin veshje klasike nga shtëpia franceze e modës për nder të tij. Ai vdiq në moshën 85-vjeçare në 2019-ën. / KultPlus.com
Një burrë i konsideruar nga opinioni publik si “kumbari” i inteligjencës artificiale, sapo ka lënë punën duke paralajmëruar për rreziqet që janë duke u paraqitur me përparimin në këtë fushë.
75 vjeçari Geoffrey Hinton, sapo paraqiti dorëheqjen nga kompania Google, teksa shprehet për mediat amerikane, se tashmë i vjen shumë keq për punën që ka bërë.
Në një intervistë për BBC ai tregon se sa të rrezikshme janë kutitë e chatit të Inteligjencës Artificiale edhe në momentet që jemi duke folur.
Doktor Hinton është një nga pionierët i kërkimeve në mësimin e thelluar dhe rrjetet neurale. Ai mendohet se ka shtuar rrugën për sistemet e Inteligjencës Artificiale si ChatGPT.
Por shkencëtari kanadezo-britanik paralajmëron se kjo teknologji e përparuar shumë shpejt mund të tejkalojë nivelin e informacionit që truri njerëzor mund të mbajë.
“Për momentin, GPT-4 mund të lerë në hije një njeri për sasinë e njohurive të përgjithshme. Në termat e arsyetimit nuk është dhe aq i mirë, por që mund të realizojë arsyetime të thjeshta. Por me shpejtësinë që po ecim përpara mendoj se gjërat do të përmirësohen shumë shpejt, kështu që duhet të shqetësohemi për këtë gjë”, u shpreh Hinton. / KultPlus.com
Aktori Michael J. Fox, i cili vuan që 30 vjet e më tepër nga sëmundja e Parkinsonit, ka thënë që nuk pret ta arrijë moshën 80-vjeçare.
61-vjeçari ka dhënë një intervistë për Jane Pauleyn e CBS Sunday Morning, ku e ka promovuar dokumentarin e tij të ri, Still.
“Po troket në derë. Po bëhet më e vështirë. Çdo ditë po bëhet më e vështirë, por kështu qëndron puna”, ka thënë Foxi.
“Ju nuk vdisni nga Parkinsoni. Ju vdisni me Parkinson. Nuk do ta mbërrij 80-shin”.
Ai më 2000 e kishte lansuar fondacionin Michael J. Fox për hulumtime të Parkinsonit e që i ka përkrahur disa prej hulumtimeve më ambicioze për këtë sëmundje./Klankosova/KultPlus.com