Uresa Ahmeti përmes poezisë, vallëzimit dhe muzikës futi publikun nga përjetimi i dhimbjes në vetë-realizim

Të shtunën, më 14 tetor, shkrimtarja dhe artistja, Uresa Ahmeti ka dhënë premierë performancën e saj “Break/ing” në parkun e qytetit në Prishtinë.

Nuk ishte asgjë më pak se një udhëtim magjepsës nëpër thellësitë e shpirtit njerëzor, një akt i emërtimit të shtypjes dhe një testament prekës i fuqisë së artit. Nëpërmjet poezisë, vallëzimit dhe muzikës, ajo e dërgoi publikun nga përjetimi i dhimbjes në vetë-realizim, ndjeshmëri dhe dashuri radikale.

Ajo filloi duke ndërtuar një atmosferë therëse të izolimit dhe ndjenjës së të qenit e lidhur me zinxhirë, dhe gjatë gjithë performancës së saj, me fjalët dhe lëvizjet e saj, ngadalë u shkëput nga guaska e saj – një simbol i kufizimeve të shoqërisë ndaj grupeve të margjinalizuara. Lëvizjet e saj u bënë më të shpejta dhe më të lira. Ritmi i saj iu kujtoi të gjithëve aftësinë e trupave tanë për lumturi dhe rezistencë.

“Kjo performancë ishte një protestë kundër sistemeve sociale që çdo ditë na vrasin shpirtin, trupin dhe mendjen. Këtë performancë ia dedikoj fuqisë që mbajmë brenda për të qëndruar në këmbë dhe për të mos heshtur. Ndihem më e fortë dhe e lehtësuar pas kësaj performance. Unë e dua lirinë dhe gëzimin dhe kurrë nuk do të kënaqem me më pak. Për mua kjo performancë ishte një akt dashurie për veten dhe një dhuratë për audiencën time për të përdorur momentet tona të thyerjes si mësime dhe nxitje për ndryshim”, u shpreh Uresa.

Kjo performancë u mbështet nga Fondi për Art Feminist i organizatës Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës problem me pagat: Diskriminim nga ana e Ministrisë së Kulturës, do të marrim masa

Shoqata Sindikale e Filharmonisë së Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me pagat, problem ky me të cilin po ballafaqohen tash e disa muaj, përcjell KultPlus.

Sipas tyre, ky është një diskriminim nga ana e Ministrisë së Kulturës.

“Tash e disa muaj institucioni i Filharmonisë po ballafaqohet me një problem shumë të madh sa i përket çështjes së pagave, ku ka ndodhur një diskriminim nga Ministria e Kulturës dhe vazhdon akoma, duke shkelur afate të paracaktuara nga vet ata dhe duke na lënë pa një përgjigje zyrtare tash e sa kohë”, thuhet në njoftim.

Tutje, nga sindikata janë shprehur se si pasojë e pagave të vonuara, artistët janë revoltuar dhe kanë paralajmëruar se do të marrin masa nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre.

“Si pasojë, artistët e Filharmonisë janë shumë të revoltuar me këtë ndasi brenda institucionit ku të gjithë do të duhej të ishin të barabartë.

Prandaj ne sot, publikisht, i drejtohemi institucioneve përkatëse që të merren shumë seriozisht me këtë çështje dhe të rregullohet brenda afatit të paracaktuar, në të kundërtën jemi të obliguar të marrim masa sindikale duke filluar nga data 1 Nëntor, nëse pagat nuk dalin me nivelizim dhe me retroaktivet e parapara”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.

Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim. / KultPlus.com

Instituti Sekhmet prezanton databazën e letërsisë queer në Kosovë, Ballkan dhe botë

Instituti Sekhmet në Prishtinë ka lansuar sot databazën mbi letërsinë queer në Kosovë, në Ballkan dhe në botë.

Letërsia e njohur botërisht si -queer- është një zhanër që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në peisazhin letrar të Kosovës, Ballkanit dhe botës. Ajo ofron një platformë për tu shprehur ndryshe, një tapiseri të pasur emocionesh, regjistra të ndryshëm të gjuhës, dhe narrativa që shpesh janë të shtypura nga sistemet patriarkale. Ky zhanër paraqet me ngjyra të theksuara jetët e individëve nga familje atipike dhe atyre që kërkojnë të kuptojnë identitetin e tyre.

Përmes fjalëve të zgjedhura me kujdes, letërsia queer hedh dritë mbi karaktere dhe realitete që kërkojnë njohje dhe pranim më të madh. Nga vendet ku homoseksualiteti mbetet i kriminalizuar dhe ndëshkohet me vdekje deri te shoqëritë më progresive ku lufta për të drejtat e barabarta merr vrull, dokumentet e letërsisë queer së shkruar dhe folur hapin hapesira të reja për jetët LGBTIQ+ në mbarë botën.

Në këtë koleksion, ne si Sekhmet synojmë të prezantojmë një listë të kuruar të letërsisë queer, duke përfshirë vepra të autorëve nga Kosova dhe rajoni më i gjerë i Ballkanit, së bashku me një zgjedhje të plotë të librave që duhen lexuar nga letërsia globale. Këto tekste eksplorojnë tema të lidhura me çështjet LGBTIQ+ dhe çfarë do të thotë të jesh queer në tërësinë e saj.

Në këtë bazë të të dhënave janë përfshirë libra queer nga autorë që mund të jenë vet queer por edhe mund të mos i përkasin këtij grupi shoqëror. Pos autorëve të njohur të kësaj letërsie, në këtë databazë janë përfshirë edhe libra dhe përmbledhje poetike nga autorë më pak të dëshmuar por të cilët po e ndihmojnë shumë një letërsi të tillë.

Ky projekt mbështetet nga Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ).

Eksploroni bazën e të dhënave këtu: https://www.sekhmet-ks.com/queer-literature/KultPlus.com

Është publikuar lista e këngëtareve që synojnë Eurovision, mbi 30 garues

Sapo është publikuar lista e këngëtarëve që do të jenë pjesë e Festivalit të RTSH-së, festival që fituesin e dërgon në garën e madhe të Eurivision, shkruan KultPlus.

Më poshtë është lista e këngëtarëve që do të jenë pjesë e edicionit të 62.

Besa Krasniqi – Esenciale

Eldis Arnjeti – Një kujtim

Elsa Lila – Mars

Erina dhe The Elementals – Jetën n’Skaj

Jasmina Hako – Ti

Jehona Ponari – Evol

Olimpia Smajlaj – Asaj

Sergio Hajdini – Uragan

Shpat Deda – S’mund të fitoj pa ty

Tri Gjoci – Në ëndërr

Martina Serreqi – Vetëm ty

Big Basta dhe Vesa Luma – Mbinatyrale

Festina Mejzini – Melos

Mal Retkoceri – Çmendur

Michela Paluca – Për veten

Santino De Bartolo – Dua të rri me ty

Stivi Ushe – Askush si ty

Kleansa Susaj – Pikturë

Kejsi Tola – Vallëzoj me Dritën

Kastro Zizo – 2073

Andi Tanko – Herë pas here

Anduel Kovaci – Nane’

Arsi Bako – Zgjohu

Besa Kokëdhima – Zemrën n’dorë

Bledi Kaso – Çdo gjë mbaroi

Melodajn Mancaku – Nuk jemi ne

Olsi Ballta – Unë

Troy Band – Horizonti i ëndrrave

Samanta Karavello – N’majë

Luan Durmishi – Përsëritja

Sardi Struga – Boshatisur./ KultPlus.com

Për një M që ti s’e vë, fjala mik bëhet ik

Poezi nga Odhise Grillo

Me rrëmujë detyrat,
i bëri Besniku.
E la fletoren hapur,
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo ç’të lexoj!
Në ç’do fjalë të shkruar,
mungonte ndonjë shkronjë!

Atë ditë Besnikun,
e hoqa nga loja.
“Sot,” i thashë, “je ngopur
duke ngrënë shkronja!”

“Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!”

“Nuk bëhet hataja,
vetëm për një shkronjë!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një shkronjë,
që ti s’e vë,
fjala derë,
bëhet erë,
dhe shtëpia ngel pa derë.

Për një M,
që ti s’e vë,
fjala mik,
bëhet ik.
Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?

Shih, pa shih,
ka dhe më keq!
Për një B,
që ti e heq,
fjala bujk,
bëhet ujk.”

Sytë e Nikut,
mbushen me lot,
do të flasë,
por ç’farë të thotë? / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER.

Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.

Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim./KultPlus.com

Nji stinë e humbun

Poezi nga Martin Camaj

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës./ KultPlus.com

Vila 31 në rezidencë të artistëve, Rama: Mishërojmë të ardhmen duke mos larguar fantazmat nga muret

Vizita e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron vijoi sot me një takim në vilën e ish–diktatorit, e cila është hapur për artin, duke u shndërruar tashmë në një rezidencë artistësh në bashkëpunim me fondacionin prestigjoz francez “Art Explora”.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama u shpreh se “këto vende duhet të mishërojnë shpresën dhe të ardhmen, por duke mos larguar fantazmat nga muret”.

“Kemi përjetuar për shumë vite në një dilemë shumë të fortë për sa i përket të ardhmes së Piramidës, të ardhmes së kësaj shtëpie që gjatë gjithë rinisë sonë mishëronte të keqen, errësirën, një të kaluar që donte të ishte e ardhmja jonë, me kosto të pabesueshme. Shumica e njerëzve donin të fshinin gjithçka. Pati madje një pirje për ta shkatërruar piramidën dhe për ta shndërruar në një ndërtesë moderne për Parlamentin. Pati ide të ndryshme për këtë shtëpi, për ta shndërruar në një ndërtesë burokracie demokratike. Unë kam qenë gjithmonë kundër këtyre por në të njëjtën kohë isha i detyruar, i shtrënguar nga sfidat që duke përdorur këto vende, duhet të mishëronim shpresën dhe të ardhmen dhe në të njëjtën kohë, si mund të bëhej kjo duke mos larguar fantazmat nga muret”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “në këto mure duhej bërë gjithçka që urrente pronari i tyre i mëparshëm dhe gjithçka që ai donte të largonte”.

“Në fakt një nga gjërat më të urryera dhe më të urrejtshme të diktaturës dhe të Enver Hoxhës personalisht, ishte shprehja e lirë, të shprehurit lirshëm të artistëve dhe të krijuesve. Ne jemi rritur me parullën: ‘artistët janë ushtarë të partisë dhe arti është një armë në dispozicion të partisë’. Si përfundim, e vendosëm këtë dhe filluam të bënin disa hapa të vegjël, të ndrojtur duke hapur dyert e kësaj shtëpie për krijues të rinj shqiptarë, për regjisorë por megjithatë nuk arritëm, nuk arrinim ta largonim fantazmën në hije”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, vijoi ai, “nuk po e fshijmë plotësisht të kaluarën por e shndërrojmë të kaluarën në një burim energjish për ta nxjerrë më mirë në pah lirinë e shprehjes, për të konsideruar me shumë më tepër respekt, me shumë më tepër admirim, faktin e të jetuarit në një hapësirë lirie”.

Sipas tij, “nuk duhet të harrojmë kurrë që kjo liri nuk është diçka që merret e mirëqenë dhe që na është dhënë si fakt jete pa bërë asnjë beteje”.

“Besoj se sot mund të festojmë këtë mundësi, mundësinë që bashkojmë të kaluarën me të tashmen në shërbim të së ardhmes dhe t’u japim të gjithë të rinjve që do të vijën këtu, artistëve nga e gjithë bota, mundësinë për të kuptuar se për lirinë e krijimit të tyre, që ata të kishin liri krijimi, ka pasur njerëz që kanë vdekur. Ka pasur njerëz që kanë dhënë vite, që mund të jepnin vite nga jeta e tyre për të pasur një ditë liri, ka pasur njerëz që nuk mundën të merrnin frymë, që nuk mundën të bënin që ëndrra e tyre të merrte frymë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se kërkoi një projekt ku të mos shihej dora e arkitektit por të shihej vetëm ndryshimi i hapësirës nga errësira në dritë.

“Të krijohej energjia e lirë nëpër shtëpi ku kuptohet që ka pasur dikur një fantazmë , por që më në fund kjo hapësirë është e çliruar dhe fantazmën mund ta përmendim sa herë të duam, por ajo është në dispozicionin tonë, e kemi mposhtur. Jo ne në dispozicion të saj, shtoi ai.

Në përfundim, Rama i dha Presidentit Macron një bono me një kapital prej 200 mijë frangash.

“Një bono për një investim që ka qenë investimi i parë në historinë e Shqipërisë, për ndërtimin e një stacioni prodhimi energjish të rinovueshme, të financuar nga Shoqëria Gjeneralë e elektricitetet në Korçë ku në atë kohë të gjitha dokumentet, të gjitha procedurat, e gjithë burokracia ishte dhe në shqip dhe në frëngjisht”. Është një bono që ka një vlerë të rëndësishme, me një kapital prej 200 mijë frangash. Mund ta përdorini për të shtyrë Europën të investojë akoma më shumë në energji të rinovueshme në Ballkan”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com

Franca nuk ka pezulluar vizat, është keqinterpretuar nga mediat shqiptare

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

“Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

Kosova ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, por kjo e fundit ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu po kërkon nga Bashkimi Evropian që të vendosë masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

‘The Dawn of Time’, baleti që përmbyll Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor

Edicioni i dytë i shumëpritur i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, i organizuar nga Qendra për Art dhe Kulturë Harabel, D18 Paris dhe Balkan Youth Link Albania, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, u zhvillua përgjatë muajve shtator dhe tetor 2023, dhe do të përmbyllet me shfaqjen “The Dawn of Time” me koreografi të Blenard Azizaj.

Festivali nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur Angelin Preljocaj, me një program të hartuar nën kujdesin e Nicole Saïd dhe nën drejtimin e Ajola Xoxës solli çdo javë për publikun shfaqje të një niveli të jashtëzakonshëm nga kompani të njohura si Balet Preljocaj, La Veronal & Marcus Morau, Fondazione Nazionale della danza/Aterballetto dhe përmbyllet me Blenard Azizaj.

“The Dawn of Time” (Agimi i Kohës) është një performancë të cilën Azizaj e ka realizuar me trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

E vendosur përballë një peizazhi të fragmentuar që pasqyron ndërlikueshmërinë e jetës, “The Dawn of Time” bëhet një metaforë për rrugëtimin njerëzor. Kujtimet nga e kaluara fillojnë të shfaqen, duke na detyruar të përballemi me shtigje të pashkelura. Kjo pjesë është një reflektim mbi të kaluarën tonë kolektive, e cila na kujton se si të ecim përpara.

Në këtë kërcim të agimit të kohës, balerinët eksplorojnë dualitetin e ekzistencës. Ata mishërojnë ekuilibrin delikat midis kaosit dhe rendit, ndërsa lëvizjet e tyre kalojnë nga të egra në të kontrolluara. Ata bëhen mishërim i dritës dhe errësirës, trupat e tyre pasqyrojnë modele të ndërlikuara hijesh dhe ndriçimi, që simbolizojnë luftën e përjetshme midis krijimit dhe shkatërrimit.

Agimi i kohës, dikur i mbuluar me mister, shpaloset përmes gjuhës së kërcimit bashkëkohor. Është një testament i fuqisë së lëvizjes, aftësisë për të kapërcyer kohën dhe hapësirën dhe për të treguar histori që i japin zë qosheve më të thella të shpirtrave tanë. Artdashësit do të mund ta ndjekin këtë premierë magjepsëse në Teatrin e Operës dhe Baletit me datë 19 dhe 20 Tetor 2023, ora 19:00./atsh/KultPlus.com

“Before and After the War”, ekspozita e Hazir Rekës do të prezantohet në Gjermani

Fotografi i njohur Hazir Reka do të prezantohet me ekspozitë personale në Gjermani, përkatësisht në Schloss Holte -Stukenbtock, shkruan KultPlus. Ekspozita do të hapet më 28 tetor, në ora 17:00 në Galerinë e këtij qyteti, e që për nikoqir ka tri organizata që edhe kanë punuar për realizimin e këtij projekti.

Zelije Kryeziu Ramadani ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë është projekt i Grupit të Grave Shqiptare “Shqiponja”, në bashkëpunim me dy shoqata gjermane: “Flüchtlingshilfe ” dhe “Demokrati leben”, ku edhe fokus i këtij organizimi është prezantimi i kulturës shqiptare.

“Është mbrëmje që i dedikohet kulturës shqiptare, por me fokus kryesor në ekspozitën e Hazir Rekës, ku ka për qëllim që audienca gjermane të njihet për së afërmi me vuajtjet e popullit të Kosovës, sidomos me përjetimet në luftën e fundit në Kosovës”, ka thënë Kryeziu Ramadani, e cila është shprehur të jetë e lumtur që ka arrit të realizojë këtë projekt të mbështetur nga Kuvendi Komunal i qytetit të Schloss Holte -Stukenbtock, për faktin që kultura shqiptare do të prezantohet para audiencës gjermane por edhe para nacionaliteteve të tjera, pasi që, sipas Kryeziut Ramadanit në këtë pjesë jetojnë mbi 20 nacionalitete.

“Duke pas parasysh se edhe në këtë kohë kemi vende ku po përballen me luftë, qëllimi i kësaj ekspozite është që të rinjtë të shohin se luftërat sjellin vetëm konflikte dhe pasoja të mëdha. Andaj, në vend të konfliktit të sjellim paqe. Në vend të urrejtjes të mbjellim dashuri, besim dhe bashkëjetesë”, ka thënë Kryeziu Ramadani.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje dedikuar kulturës shqiptare do të prezantohet edhe kuzhina shqiptare, mbrëmje që do të përcillet edhe me muzikë nga Ramadan Kryeziu./ KultPlus.com

Përvjetori i themelimit të Kolegjit Jezuit në Shkodër

Më 17 tetor 1877, hapi dyert Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë në Shkodër.

Ndër kontribuesit kryesorë veçohet Atë Luigji Maca, i cili dhuroi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij (1100 napolona), si ndihmesë për themelimin e shkollës.

Të angazhuar në çeljen e këtij institucioni arsimor qenë edhe subjekte laike të familjeve të njohura shkodrane Muzhani, Sima, Saraçi dhe Shiroka.

Fillimisht kolegji pati një orientim tregtar, për t’u drejtuar më tej kah një qasjeje klasike. Pjesëtarët e stafit pedagogjik, të krahasueshëm për nga përgatitja me sivëllezërit në shkollat e mesme më të mira të Evropës Perëndimore, ishin në të shumtën e rasteve autorë tekstesh apo veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj.

Mes tyre, përmendim: Atë Jak Jungun, Atë Anton Xanonin, Atë Fulvio Kordinjanin, Imzot Bonatin, Filip Ashikun, Gaspër Benusin, Pjetër Marubin, Kolë Demën, Dom Ndre Mjedën dhe Mati Logorecin.

Pas rënies së regjimit komunist, kjo shkollë do të rimëkëmbej me emërtesën “Atë Pjetër Meshkalla”, meshtar i “Urdhrit Jezuit”, si edhe një prej mësuesve të ish-Kolegjit Saverian./atsh/KultPlus.com

Kryeqyteti, nuk ka shtrenjtim të ngrohjes edhe këtë vit

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur se edhe këtë vit  nuk do të ketë ndryshim të tarifës për ngrohje nga Termokosi, shkruan KultPlus.

 Përmes një postimi në Facebook, kryetari Rama ka bërë të ditur se vendimi për mos ndryshimin etarifave erdh pas vendimit të bordit të ZRRE.

“Edhe këtë sezon ngrohës faturimi për konsumatorët banesor dhe afarist/institucional të Termokos do të bëhet me tarifa të pandryshuara nga sezoni i kaluar,

pas vendimit të bordit të ZRRE”, ka shkruar Rama në Facebook./KultPlus.com

Filmi “Heshtja e Sirenave” me premierë botërore në Festivalin e Filmit Mostra në Brazil

Filmi “Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në edicionin e 47-të Festivalit të Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil, një prej festivaleve më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film vjen me regji dhe skenar nga Gazmend Nela.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se filmi u mbështet nga Qendra Kinematografike e Kosoves  dhe është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production.

“Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjoze në botë, Festivali i Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil (edicioni i 47, 19 tetor – 1 nëntor).

Me mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosoves filmi me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com

Macron: Kam pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, fjala e dhënë s’po mbahet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në konferencën për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama, u pyet lidhur me qëndrimet e Francës, sa i përket pozicionimit të Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës dhe po ashtu ngjarjen e 24 shtatorit.

Macron tha se është përgjegjësi e Vuçiç që të dënojë aktin e 24 shtatorit, ndërsa nga Kosova pret një riorganizim të zgjedhjeve në veri, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe njohjen e Asociacionit.

Presidenti i francez, bëri me dije se ka qenë pikërisht Franca ajo që ka pezulluar vizat e Kosovës, pasi sipas tij kjo e fundit nuk e mbajti fjalën e dhënë.

“Ne e ndjekim më shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim që mendoj se është i mirë dhe presim te respektohet nga të dyja palët.

Besoj se është përgjegjësi e Vuçiç që të dënojë aktin e 24 shtatorit.

Ajo cka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtw, riorganizim i zgjedhjeve në veri, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe njohjen e Asociacionit nga autoritet kosovare, plotësisht dhe totalisht. Pres që Vucic të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë edhe nga presidentja dhe kryeministri Kosovar.

E them me shumë qartësi ne ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga Franca sepse ka të bëjë më respektimin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën” u shpreh Macron./insajderi/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Pas 24 shtatorit, dialogu me Serbinë duhet të rimendohet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se procesi i dialogut duhet të rimendohet.

Këto komente ajo i ka bërë në një konferencë për media.

Osmani tha se për agresionin e 24 shtatorit nuk ka dyshim se prapa saj qëndron Serbia.

“Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim dhe qasja e marrë për këto 12 vite e ka inkurajuar Vuçiqin, që të kryejë dhunë dhe agresion”, tha Osmani.

“Janë katër elemente që e çojnë përgjegjësinë apo linjen komanduese deri tek presidenti Vuçiq. E para ka të bëjë me financimin, ka dëshmi të evidentuara edhe muaj më parë.

E dyta ka të bëjë me armët, të cilat janë prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë, dhe janë dhënë nga shteti serb për terroriste. E treta ka të bëjë me trajnimet që as shteti serb nuk i mohon se ji ka kryer për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me lidhjet politike me terroristët serbe”, tha ajo.

“Nuk ka më dyshim. Unë e kuptoj që shtetet veç e veç mund t’i procedurat për konfirmim të informacioneve. Ne presim që pas përfundimit të procedurave që shtetet anëtare të ndërmarrin masa”, tha e para e shtetit të Kosovës./KlanKosova/KultPlus.com

Mbi 12 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar, gjatë shtatorit

Muzeu Historik Kombëtar në muajin shtator pati rritje të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëhet me dije nga vetë Muzeu Historik Kombëtar, i cili publikoi online dhe numrin e vizitorëve në muajin shtator.

“Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 1 muaj. Për muajin shtator 2023 me 12214 vizitorë në total. 57% më shumë vizitorë në total, në krahasim me muajin shtator të vitit 2022 me: 7,793 vizitorë në total”, shkruan MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij.

Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani nuk e dekreton Blerim Isufajn për kryeprokuror

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokur të vendit.

Kështu presidentja e shtetit njoftoi në një konferencë për media, raporton Gazeta Express.

“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

Ajo tregoi se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.

Vlerësimi i saj, Osmani tha se është “brenda mandatit kushtetues” të saj si presidente, dhe se në të janë “evidentuar të gjitha shkeljet”, duke i përmendur disa prej tyre./Express/KultPlus.com

Vdiq aktorja Lara Parker

Ka vdekur aktorja Lara Parker, e njohur më së shumti për rolin e saj si magjistare Angelique Bouchard në Dark Shadows.

Parker vdiq në gjumë të enjten në mëngjes në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, konfirmoi në Facebook të hënën kolegia e saj e Dark Shadows Kathryn L. Scott . Ajo do të mbushte 85 vjeç javën e ardhshme.

“Për më shumë se 50 vjet, jetët tona ishin të ndërthurura përmes dashurisë sonë të ndërsjellë për letërsinë, shkrimin dhe aktrimin,” shkroi Scott. “Nuk mund të kishim qenë më të ndryshëm dhe aty qëndronte magjia e miqësisë sonë të qëndrueshme. Mendimet e mia janë me familjen e saj në këtë kohë të trishtuar pikëllimi dhe kujtimi”, ka shkruar ajo.

Vajza e Parker, Caitlin Hawkins, konfirmoi vdekjen e nënës së saj në një deklaratë për The Hollywood Reporter .

E lindur në Mary Lamar Rickey më 27 tetor 1938, në Knoxville, Tennessee, aktorja filloi pasi u nis për në Nju Jork, ku mori audicionin e saj të dytë profesional, i cili i dha asaj rolin e Angelique në serinë e sapunëve ABC./21Media/KultPlus.com

44 vite më parë Shën Nënë Terezës iu dha Çmimi Nobel për Paqe

Sot janë bërë 44 vite nga koha kur Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për Paqe.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup, më 26 gusht 1910, e njohur zakonisht si Nënë Tereza e Kalkutës, ishte një murgeshë dhe misionare katolike indiane me prejardhje shqiptare. Jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke dhënë kontributin e saj bëmirës.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsion. Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes. Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chawla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë./KultPlus.com

Begaj pas takimit me Macron: Kosova është e pavarur, aktet terroriste si ajo e Banjskës janë të papranueshme

Presidenti Bajram Begaj, ka folur pas takimit me presidentin e Francës Emmanuel Macron.

Begaj e ka cilësuar vizitën një ngjarje historike.

Të dy presidentës gjatë takimit kanë folur rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kreu i shtetit shqiptar tha se është e nevojshme dënimi i akteve të dhunës dhe provokimeve në komunat veriore të Kosovës.

“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan më 24 shtator 2023, janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian”, tha Begaj.

Bajram Begaj e falënderoi Emmanuel Macronin, për mbështetjen e këtij dialogu.

“Veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu”, thuhet në njoftimin e Presidences shqiptare përcjell Klankosova.tv

Më 24 shtator, Serbia kreu agresion në Kosovë.

Si pasojë e një sulm të armatosur nga një grup terrorist serb, u vra rreshteri Afrim Bunjaku./KlanKosova/KultPlus.com