Tirana këtë të martë i ngjante një dite krejt normale, pavarësisht se numri i të prekurve me Covid pëson rritje.
Në disa foto të shkrepura nga LSA, janë parë shumë qytetarë që ecin në rrugët e kryeqytetit të pashqetësuar dhe duke mos respektuar masat për të ruajtur distancën, apo për të mbajtur veshur doreza e maska./Express / /KultPlus.com
Lamtumirë, vendet e mia, qe, po zhduken dalëngadalë! Gjëmon deti, ushton duhia, likundet barka valë mbi valë, Kah njai diell, që asht tue flakue, andej fill un tash do t’vete… Lamtumirë, atdhe i bekue! Lamtumirë, për sa t’jet jeta! Nesër nade kur mbi ne, rrezja e diellit ka me ra, kush e din sa ujë e dhe, mue prej teje ka me m’da! E por n’pyetsha ret mizore, e por n’pyetsha zogjt e detit, se për ty, moj tokë arbnore, s’ka me m’folë kush mue t’shkretit… Tjera fusha e tjera zalle kam me pa, e tjera dete; kam me ndje po tjera valle, tjera gjuhë, tjera qytete. Vendin tem s’kam me e pa, ku kam le e jam burrnue: sytë e mi kan me kja. pa u gjet kush me i ngushllue./ KultPlus.com
Dardana Fetahu e diplomuar në Psikologji është drejtoreshë në Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Ajo aktualisht po kontribuon vullnetarisht edhe si këshilluese psikologjike në linjën për ndihmë psikologjike, e cila është vënë në funksion për t’i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie.
Në këtë intervistë, Fetahu flet për interesimin dhe kërkesat për ndihmë, për bilancin gjinor dhe atë të moshës, për shqetësimet më të shpeshta, për pasojat e mundshme të stresit si dhe për udhëzimet konkrete për ta kaluar këtë situatë.
KultPlus: Si e vlerësoni numrin e thirrjeve për ndihmë psikologjike nëkëtë kohë pandemie, a është numri i madh i qytetarëve që po telefonojnë për ndihmë?
Dardana Fetahu: Numri i thirrjeve në linjën e thirrjeve për ndihmë psikologjike të ofruar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë, deri tash ka kaluar numrin 100.
Vlerësojmë se ende ka nevojë që njerëzit të informohen që ekziston një linjë ku ata/ato mund të shprehin shqetësimet e tyre dhe dikush t’i dëgjojë dhe këshillojë. Po punojmë shumë rreth promovimit të linjës në mënyrë që qytetarët të informohen sa më shumë rreth saj. Në anën tjetër, problem në këtë mes është hezitimi i qytetarëve për kërkimin e ndihmës, e thyerja e kësaj stigme është diçka për të cilën duhet të punojmë çdo ditë.
KultPlus: Cilat janë ankesat më të shpeshta?
Dardana Fetahu: Qytetarët po raportojnë ndjenja të ankthit e stresit që shumicën e rasteve janë të ndërlidhura me marrëdhëniet ndërpersonale, me familjarët e partnerët por edhe me situatën e pandemisë në përgjithësi. Ndihmë-kërkuesit kanë hasur në situata të vështira si rezultat i pandemisë, ca prej tyre nuk kanë pasur mundësinë e përshëndetjes së fundit me njerëzit e afërm, të tjerë kanë qëndruar në shtëpi me ditë të tëra me ndjenjën se e kanë virusin dhe se po infektojnë familjarët.
Linja gjithashtu shërben edhe për referim, pasi që kemi një numër të konsiderushëm të kontakteve të Qendrave të Shëndetit Mendor, Qendrave për Punë Sociale, Klinikës së Psikiatrisë dhe shërbimeve të tjera të kësihllimit online, prandaj një numër të thirrjeve që marrim i referojmë tutje tek qendrat respektive varësisht prej nevojës.
KultPlus: Cila gjini po kërkon ndihmë më së shumti?
Dardana Fetahu: Hulumtimet tregojnë se burrat në përgjithësi kërkojnë më pak këshillm sesa gratë, sidomos nëse janë në depresion ose me mendime vetëvrasëse.
Kurse në këtë periudhë, numri i grave dhe burrave që deri tash kanë kërkuar këshllim psikologjik përmes linjës, është i balancuar. Madje, burrat janë ata që në numër më të madh kanë kërkuar këtë lloj shërbimi (jo dallim signifikant). Personalisht besoj që anonimiteti i ofruar nga linja është ajo që u heq barrën e stigmës burrave për kërkimin e ndihmës, pasi që konsideroj të jetë arsyeja kryesore e këtij dallimi.
KultPlus: Cila grup-moshë po kërkon ndihmë më së shumti?
Dardana Fetahu: Në linjë kemi pasur thirrje të shumicës së grupmoshave, me fillim nga 18 deri në 70. Përqindja është më e madhe e grupmoshës 20 dhe 40. Pra të rinjt dhe mosha e mesme janë ata të cilëve me gjasë dinamika e jetës më së shumti është ndikuar. Por gjithsesi, deri tash nuk mund të themi me bindje këtë të fundit, pasi që nuk është arritur ende një numër përfaqësues.
KultPlus: Cili mund të jetë dëmi i stresit që nuk mund të menaxhohet?
Dardana Fetahu: Mënyra më mirë për me kuptu stresin është me definu si reagim të trurit ndaj ndryshimeve në ambientin e jashtëm ose të brendshëm që kërkojnë adaptimin tonë. Reagimet ndaj këtij ndryshimi mund të jenë fizike, mendore dhe emocionale Në rastin tonë, pandemia është ndryshim në mjedisin e jashtëm i cili ka kërku të adaptohemi në dinamikë të re të jetës. E që kjo për shumë njerëz ka sjellë mendime negative, konflikte me familjarë e partnerë dhe përqendrim në aspekte negative (ruminime) që rrjedhimisht e rrisin nivelin e stresit. Nëse ky i fundit, nuk menaxhohet shëndetshëm gjasat për t’u kthyer në stres kronik janë të mëdha.
Studimet shkencore në fushën e psikologjisë tregojnë se nëse stresi dhe shqetësime të tjera psikologjike nuk marrin vëmendje, adresim dhe trajtim, mund të rezultojnë në përshkallëzim të ndjenjave dhe mendimeve negative, duke shtuar ankthin, duke ndikuar në pagjumësi, dhimbje të muskujve, presion të lartë të gjakut dhe përgjithësisht sistem imunitar më të dobësuar. Për të përmbledhur, stresi i patrajtuar me kohë ka efekte afatgjata negative në shëndet.
KultPlus: Cilat janë rekomandimet tuaja specifike për ta menaxhuar stresin?
Dardana Fetahu: Fatmirësisht, literatura na ofron një mori teknikash e këshillash për t’u ballafaqur shëndetshëm me stresin. Në përgjithësi, meditimi, ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet fizike, gjumi me orar të rregullt dhe shmaniga e alkoolit dhe substancave narkotike, janë këshillat më të rekomanduara.
Konsideroj se në këtë fazë, qytetarët duhet kushtuar vëmendje të veçantë të afërmëve që janë ndikuar dukshëm nga pandemia, t’i përkrahin duke i ndihmuar ata në qasjen më të lehtë në shërbime profesionale të shëndetit mendor, e që tashmë ne vendin tonë ekzistojnë edhe në këto kushte.
Sa i përket qytetarëve që në këto momente po ndjehen të pafuqishëm, të lodhur, të stresuar e ndjenja tjera negative, një telefonatë ju ndan nga një bisedë konstruktive me profesionistë të cilët do të të kuptojnë dhe me gjithë burimet e mundshme do të të ofrojnë ndihmën e kërkuar.
Për të përmbyllur, ju lutem që në rast nevoje të shfrytëzoni mbështetjen falas. Thirr në 038 200 808 90 dhe ndaj shqetësimet e tua me psikologët vullnetarë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Orari i punës së linjës është çdo ditë e javës me fillim nga ora 11:00 deri në 22:00.
Gjithashtu, këshllimi ofrohet edhe në gjuhën turke, por vetëm në ditën e diel në orarin 11:00-19:00. / KultPlus.com
– “Pse duhet ta dëgjojmë zemrën?”, pyeti djali atë ditë, ndërsa po ngrinin çadrën.
– “Sepse ku ke zemrën, ke dhe thesarin tënd”.
– “Zemra ime është e tronditur”, tha djali. “Sheh ëndrra, emocionohet, është e dashuruar me një grua të shkretëtirës. Më kërkon gjëra, dhe shumë net kur mendoj për të, nuk më lë të fle”.
– “Kjo është gjë e mirë. Zemra jote është e gjallë. Vazhdo të dëgjosh ato që do të të thotë”.
Gjatë ditëve të ardhshme, u ndeshën me shumë luftëtarë si dhe shquan dhe të tjerë në horizont. Zemra e djalit filloi të fliste për frikën. I rrëfente ndodhi që kishte dëgjuar nga shpirti i Botës, histori të pafrytshme njerëzish për të gjetur thesare. Ndonjëherë djali frikësohej me mendimin se nuk do t’ia dilte të gjente thesarin ose do të vdiste në shkretëtirë. Herë të tjera, i thoshte se ndihej e kënaqur që tashmë kishte gjetur një dashuri dhe shumë monedha ari.
– “Zemra po më tradhton”, i tha djali alikimistit, kur ndaluan për të pushuar kuajt. “Nuk do që të vazhdoj”.
– “Kjo është gjë e mirë. Dëshmon se zemra jote është e gjallë. Është e natyrshme të kesh frikë të shkëmbesh me një ëndërr gjithçka që ke arritur deri tani”.
– “Atëherë, pse duhet ta dëgjoj zemrën time?”.
– “Sepse kurrë nuk do të arrish ta bësh të heshtë. Akoma dhe nëse bën sikur nuk e dëgjon, ajo do të jetë gjithmonë brenda gjoksit tënd duke të përsëritur ato që mendon për jetën dhe botën”.
– “Akoma dhe nëse më tradhton?”.
– “Tradhtia është goditja e papritur. Në qoftë se e njeh mirë zemrën tënde, nuk do të të tradhtojë kurrë. Sepse duke ditur ëndrrat dhe dëshirat e tua do të dish dhe si të reagosh. Askush nuk mund ta shpërfillë zemrën e vet. Ndaj në qoftë se nuk do të të befasojë, është mirë ta dëgjosh se ç’të thotë”.
Djali vazhdonte të dëgjonte zemrën e tij, ndërsa ecnin në shkretëtirë. Avash-avash fillloi të mësonte dinakëritë dhe të pathënat e saj, mësoi ta pranonte ashtu si ishte. Ndaloi të kishte frikë dhe të kthehej prapa, pasi një pasdite zemra i tha se ishte e lumtur”.
– “Mund të ankohem ndonjëherë”, tha zemra, “por kjo ndodh sepse jam zemër njeriu dhe ato gjithmonë janë të tilla. Kanë frikë të bëjnë ëndrra të mëdha sepse mendojnë se nuk e meritojnë ose nuk do t’ia dalin dot mbanë. Ne zemrat vdesim nga frika kur mendojmë për dashuritë e humbura, për çastet e mundshme të mira, që kurrë s’ishin të tilla, për thesaret që mund të zbuloheshin dhe mbetën të varrosura nën rërë. Sepse kur ndodh diçka e tillë, në fund vuajmë shumë”.
– “Zemra ime ka frikë dhembjen”, tha djali.
– “Thuaji se frika e dhembjes është më e keqe se vetë dhembja. Dhe se asnjë zemër nuk vuajti kurrë kur filloi të kërkonte ëndrrat e saj, pasi çdo çast kërkimi është një çast takimi me përjetësinë”
1.Kur fëmijës , pasi është rritur ca, i duhet ndërprerë qumështi i nënës, ajo virgjërisht e fsheh gjirin, dhe atëherë fëmija s’ka më nënë. Lum ai fëmijë që nuk e ka humbur nënë tjetërsoj!
2.Poeti është gjeniu i të rikujtuarit.
3.Të marrësh besimin do të thotë të lësh arsyen.
4.Ankthi është marramendja e lirisë.
5.Është kaq e vështirë të besojmë, sepse është kaq e vështirë të bindemi.
6.Është krejt joproduktive të grindem me botën, po ashtu të grindem me veten nganjëherë është joproduktive.
7.E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur.
8.Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron. Martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.
9.Ka, siç dihet, disa insekte të cilat vdesin në momentin që pjellin. Kështu është me të gjitha gëzimet: çasti më i hatashëm e më i lartë i gëzimit është i shoqëruar nga vdekja.
10.Të guxosh do të thotë të harrosh për momentin drejtpeshimin. Të mos guxosh do të thotë të humbësh vetveten.
11.Filozofia shkon më larg. Teologjia, e lyer dhe e pudrosur, rri në dritare duke lypur favoret e filosofisë, tek i ofron hiret e veta.
12.Absurdi përshenjon themelin e besimit, fillesën e kërcimit të besimit, meqë njëherazi përshenjon mospërputhjen midis rendit të Krijuesit dhe redit të krijesës.
13.Hiqjani paradoksin një mendimtari dhe do të fitoni një profesor.
14.Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet.
15.Lum kush mund të vdesë në një mënyrë të atillë që shtrati i tij i vdekjes, në çastin që trupi hiqet s’andejmi, të duket edhe më i këndshëm se djepi i një fëmije.
Në kohën e depresionit të madh kombëtar, kur lexoja për personalitete që i linin pasurinë shtetit, ose artistë të vlerësuar që i linin veprat e tyre trashëgim shtetit, mbushesha me habi?! Si mund ti dhurohej shtetit?! Kuptimin e pakuptimësive të tilla, e kërkova ndër vite.
Shtetet kishin bërë shumë për individualitet e tyre. Ju kishin dhënë mundësi. Ju kishin dhënë mbështetje. Ju kishin dhënë siguri. Dhurimi i trashëgimive, ishin falenderimet që individët e arritur, kishin për shtetet e tyre përkatëse.
Shtetin ku rroja, e trajtoja si shtet armik, sepse rroja i poshtëruar për shkak të identitetit tim kombëtar. Shteti ku rroja, ishte sinonim i dhunës së përhershme ndaj përkatësisë sime kombëtare. Prandaj, kisha indiferencë të përhershme ndaj shtetit ku rroja. Për mua, shteti nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte kombi.
Rrethanat në të cilat rroja, më bënin të besoja që të pasurit shtet, ishte një pamundësi e madhe. Shkëputja nga shteti ku rroja, ishte një pamundësi e madhe, gjithashtu.
Trajtimi me turp që na bënte shteti, na mbushte me urrejtje. Shteti ishte një e keqe, jeta brenda së cilit ishte e pashmangshme. Zhbërja e shtetit ishte qëllim. Bërja e sërishme e shtetit (të dëshirueshëm), ishte qëllim, edhe më i madh.
Vite më pas, edhe pse shteti në të cilin rroj ka ndryshuar, qasja ime ndaj shtetit mbetet, si që moti. Trajtimi që më bënë shteti, që tentoj ta dua, e bënë qenësinë time të ofenduar. Mënyra e funksionimit, bënë që indiferenca qytetare ndaj shtetit të rritet. Shkëputja e marëdhënies me shtetin është shndërruar në qëllim. Sic është shndërruar në qëllim, nevoja për të ndërtuar pavarësi individuale, brenda shtetit. Sepse shteti është shndërruar në keqbërësin më të madh.
Prandaj, nuk di asnjë shqiptarë të pasur apo artistë të pasur me vepra, ti ketë lënë pasurinë, trashëgimi shtetit. Dhurimi i trashëgimisë, shtetit të së sotmes, do të ishte pakuptimësia më e pakuptimtë. Ky shtet i së sotmes, me trajtimin që na bënë, na mbush me turp të shumfishtë: si qytetarë, si artistë dhe si shtetas.
Nuk dua asgjë nga shteti, dhe nuk i jap gjë shtetit. As nuk dua të identifikohem me shtetin. Ky shtet i së sotmes, nuk më ka dhënë asgjë, përpos dhimbjes. Dhemb, dhe dhemb shumë, që identiteti ynë, kombëtar dhe shtetëror, trajtohet nga bota mbarë, i një vendi të kriminalizuar. Kudo, trajtohemi me turp, se ashtu na identifikon shteti.
Trajtimi me turp, nuk ka për t’na u ndarë, përderi sa koncepti për shtetin të ndërrojë. Deri atëherë, nuk kemi për ti dhënë por vetëm kemi për t’i marr shtetit, mundësisht, edhe shtetësinë.
Anibar-i, Dokufest-i si dhe Prifesti planifikojnë që të mbahen këtë vit shkruan KultPlus.com
“Të trija festivalet do të mbahen këtë vit por duke zbatuar dhe përshtatur mënyrën e organizimit që të respektohen në plotni rekomandim e dhëna”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Në konsultimin e fundit të përbashkët në mes tri festivaleve të Kosovës, Prifilm Festit, Dokufestit, e Anibarit, dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, u diskutua rreth mënyrave të organizimit të edicioneve të këtij viti në kontekstin e ri të krijuar përshkak të pandemisë Covid 19.
Të trija festivalet do të mbahen këtë vit por duke zbatuar dhe përshtatur mënyrën e organizimit që të respektohen në plotni rekomandim e dhëna, dhe vendimet që do të mirren nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe organet e rendit.
Drejtori artistik i Dokufest z. Veton Nurkollari tha që: “DokuFest-i vazhdon me përgaditjet për organizimin e edicionit të XIX të Festivalit, e paraparë të mbahet në Prizren nga data 7 Gusht 2020. Në ndërkohë Festivali do ti përcjell masat e rekomanduara nga qeveria e Kosovës në lidhje me ngjarjet publike dhe ato të distancimit social dhe bazuar në to do ta dizajnoj edhe aktivitetet.
Ndërsa Vjosa Berisha drejtoreshë e PriFest-it u shpreh: “Ne jemi duke punuar bashkë me konsulentët ndërkombëtar të festivalit, dhe në të njejten kohë duke shikuar mundësitë se si do t’a modifikojmë festivalin për t’u përshtatur me situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Datat nuk do t’i lëvizim janë 14-19 korrik, por do të detyrohemi që t’i bëjmë disa aktivitete online përshkak të vështirësive që mund të hasim për të sjellur ekspert dhe profesionist të industrisë nga vendet tjera në Prishtine këtë vit. Kurse filmat po i shikojmë mundesitë që të shfaqen në disa lokacione open air për të evituar cfarëdo rrezikshmërie nga virusi. Gjithsesi planet janë në përpunim e siper dhe sapo të kemi informacione me definitive duke u bazuar edhe në ndryshimin e masave, do të marrim edhe vendimin se si do të duket edicioni i 12të i PriFest.”
Arba Hatashi – Drejtoreshë e festivalit të Anibar-it shtoi: “Momentalisht ekipi i festivalit Anibar është duke punuar në organizimin e festivalit si dhe të aktiviteteve që ky edicion do të ketë, sidomos në kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19. Si festival që veç kemi hyrë në vitin e 11 e së bashku edhe me festivalet e tjera, patjetër se do të ndikohemi nga situata e krijuar nga pandemia e cila tashmë ka prekur çdo pore të jetës. Duke i ndjekur me kujdes zhvillimet të cilat po ndodhin në vendin tonë por edhe në botë, ne do të veprojmë në bazë të rekomandimeve në nivel kombëtar por edhe në bazë të këshillave të organizatave ndërkombëtare lidhur me mbarvajtjen e aktiviteteve të festivalit dhe modifikimet e tyre të nevojshëm. Ne jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme lidhur me krijimin e kushteve që festivali i cili është paraparë që të mbahet me data 13-19 korrik, të vazhdojë të jetë në shërbimin të komuniteit lokal, kombëtar e ndërkombëtar.” / KultPlus.com
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar propozimin e Komisionit Evropian për të ndarë 3 miliardë euro për t’i ndihmuar shtetet fqinjë për tu përballur me rënien ekonomike gjatë kohës së pandemisë COVID-19.
“Shtetet fqinje janë partnerët tanë më të afërt. Tani më shumë se kurrë, është absolutisht thelbësore që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë solidaritet në adresimin e ndikimit ekonomik dhe shoqëror të kësaj krize globale”, ka thënë Zdravko Maric, ministri kroat i financave, përcjell Gazeta Insajderi.
Në këtë pako janë përfshirë: Shqipëria me 180 milion euro, Bosnja dhe Hercegovina me 250 milion, Georgia me 150 milion. Jordania me 200 milion euro, Kosova me 100 milion euro, Moldavia 100 milion euro, Mali i Zi me 60 milion euro, Maqedonia Veriore 160 milion euro, Tunisia 600 milion dhe Ukraina me 1200 euro.
Ndihma e BE do t’i ndihmojë këto juridiksione të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme të financimit të cilat janë rritur si rezultat i shpërthimit të COVID-19. Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet do të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar që burimet të ndahen në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve dhe për të zbutur pasojat negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus.
Fondet do të jenë në dispozicion për dymbëdhjetë muaj dhe do të shpërndahen në dy këste. Huatë do të kenë një maturim maksimal mesatar prej 15 vjet. Ndihma do t’i nënshtrohet një memorandumi mirëkuptimi (MM), që do të bihet dakord midis secilit vend partner dhe Komisionit.
Teksti do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli përpara se ai të hyjë në fuqi. /Insajderi.org / KultPlus.com
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami, ka thënë se mësimi në distancë nuk mundet ta zëvendësojë qind për qind atë në shkollë.
Që nga data 23 mars ka filluar të mbahet mësimi online me qëllim të parandalimit të koronavirusit, Bajrami thotë se statistikat që kanë ardhur nga tereni janë inkurajuese.
Sipas saj, përveç disa prej familjeve nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin në distancë në mungesë të pajisjeve smart.
Ajo ka thënë se është një numër i madh i kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve mësimdhënësve dhe prindërve.
“Procesi i mësimit në distancë ka filluar me datën 23 mars dhe normalisht nuk është një proces i cili qind për qind mundet me e zëvendësuar mësimin në shkolla mirëpo ka shkuar shumë mirë meqenëse kemi një numër shumë të madh të kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve”.
“Statistikat që na vinë nga tereni janë mjaft inkurajuese përveç se disa familje të cilët janë në numra shumë të vegjël ose në përqindje të vogla në pamundësi të pajisjeve smart nuk po kanë mundësi ta ndjekin mësimin ndërsa të tjerët janë gjithë duke e ndjekur”.
Ndërsa për vlerësimin e nxënësve në këtë kohë, Bajrami ka thënë se është përpiluar një udhëzues. Ajo ka thënë se vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi.
Më tutje ajo e para e Arsimit në Kosovë theksuar se në vlerësim do të futet edhe aktiviteti i fëmijëve gjatë mësimit në distancë.
Të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupit të viberit dhe e-mailit ku edhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave, raporton EkonomiaOnline përcjell Klan Kosova.
“Para dy jave e kemi përpiluar një udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë dhe tani më të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë e kanë këtë udhëzues në dorë dhe vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi dhe këtë udhëzues e kanë hartuar ekspertët më të mirë të arsimit në Kosovë dhe regjion dhe do të thotë vlerësimi po bëhet koonform atij udhëzimi”.
“Po sepse përpos mësimit i cili po zhvillohet për klasën një deri në nëntën të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupeve të viberit, emailave të tjerë dhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave dhe janë dhanë udhëzime qysh në fillim të procesit se si të procedohet me pranimin dorëzimin e këtyre detyrave dhe vlerësimin e tyre, po ashtu në udhëzues kemi përcaktuar edhe kritere të tjera të cilat po merren parasysh gjatë vlerësimit”.
Java e Evropës në Kosovë do të fillojë me 9 e deri me 15 maj.
Zyra e Bashkimit Evropian por edhe Shtëpia e Evropës do të sjellin online një numër të madh të aktiviteteve që festojnë Ditën e Evropës – 9 majin.
Në programin e këtij viti do të ketë performanca ekskluzive, yoga, mesazhe inspiruese dhe aktivitete tjera.
Emrat si Sislej Xhafa, Dafina Zeqiri, Andrra, Petrit Çeku, Ardita Statovci, Arta Jashari do të jenë pjesë e aktiviteteve në forma të ndryshme.
Riccardo Serri nga Zyra e BE-së në Kosovë sot e prezantoi programin në përgjithësi.
“Edhepse në kohë të pandemisë, programi i Ditës së Evropës për këtë vit është i pasur dhe të gjitha moshat do ta gjejnë veten brenda. Do të ketë koncerte, filma, do ta shpallim Europianin e Vitit, do të kemi mësime të yogas” ka thënë mes tjerash Serri, shkruan KultPlus.
Për më shumë se dhjetë vite, Zyra e BE-së në Kosovë e feston Ditën e Evropës me koncerte e me një program të pasur ku gjithmonë reflektohet shpirti evropian i kulturës dhe artit.
“Jemi të gjithë së bashku edhe në këto kohëra, por është e rëndësishme që kjo simbolikë e Ditës së Evropës të festohet si gjithmonë, kësaj here pak më ndryshe por në faqet tona në Facebook, ku secili do të mund ta gjejë veten” ka vazhduar Serri.
Programi do të jepet nga 9-15 maj në dy faqet e BE-së në Facebook ( @EuropeanUnioninKosovo dhe @EuropeHouseKosovo )
Nuk do të mungojë edhe mesazhi i Ambasadores Nataliya Apostolova, dhe plot artistë të tjerë që do të sjellin mesazhin e diversitetit dhe dashurisë me anë të formave kreative. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka njoftuar se sivjet në Prishtinë do të mbillen 1 milion lule sezonale.
Ahmeti tha se ato do të mbillen për të zbukuruar hapësirat e gjelbra, të cilat vazhdimisht po mirëmbahen e revitalizohen.
Ai në këtë rast ka falënderuar të gjitha ekipet e ndërmarrjes “Hortikultura” për punën e palodhshme në terren gjatë kësaj kohe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.
Të frymëzuara nga muzika unike e Mozart, Koncert nr. 23 në kohën e dytë, solistet e trupës së baletit kanë shprehur tërë emocionet e tyre lidhur me situaten e shkaktuar nga pandemia e virusit Covid 19. Performanca e artisteve, u shfaq për publikun në YouTube dhe gjithashtu edhe live stream në facebook-un e TKOB-së.
Janë momente që kanë dalë spontanisht nga secila prej tyre. Vërtet kanë xhiruar në kushtet e shtëpisë, por më shumë rëndësi ka ndjesia dhe mesazhi që përcillet duke i zbërthyer në lëvizje e gjuhë trupi. / Koha Jone / KultPlus.com
Autori amerikan Colson Whitehead është bërë shkrimtari i katërt që ka fituar dy herë Çmimin Pulitzer për fiction.
Autori afrikano-amerikan u nderua për “The Nickel Boys”, i cili shfaq abuzimin e disa djmve me ngjyrë në një shkollë korrektuese për të mitur në Florida.
“Nickel Boys” u frymëzua nga historia e tmerrshme në jetën reale e shkollës për djem në “Dozier” në Florida, ku fëmijët e dënuar për vepra të vogla iu nënshtruan abuzimit të dhunshëm.
Romani i Witehead u vlerësua nga komiteti Pulitzer për “eksplorimin e tij të pa rezervë dhe rrënues të abuzimit në një shkollë reforme në epokën e Jim Crow në Florida, që në fund është një histori e fuqishme e këmbënguljes, dinjitetit dhe shpagimit njerëzor”.
Whitehead, 50 vjeçar nga New Yorker, fitoi çmim edhe në vitin 2017 në të njëjtën kategori për librin e tij “Underground Railroad”.
Para tij, vetëm Booth Tarkington, William Faulkner dhe John Updike kishin fituar dy herë Pulitzer për fiction.
Çmimet e vitit 2020, të shtyera për disa javë për shkak të koronavirusit, u shpallën nga distanca në dhomën e ndenjes të administratores së Pulitzer, Dana Canedy.
Çmimet Pulitzer janë nderimet më të larta për gazetarët dhe autorët me qendër në SHBA. / KultPlus.com
5 Maji është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.
Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të masave të marrë në luftën kundër koronavirusit sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut do të vendosen vetëm kurora me lule.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.
Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. /atsh. / KultPlus.com
European Film Promotion (EFP) që është rrjet i 37 institucioneve evropiane të promovimit të filmit, ka përzgjedhur 20 producent nga 20 vende të ndryshme evropiane për platformën e rrjetëzimit dhe promovimit të profilit të lartë ‘Producers on the Move’, përcjellë KultPlus.
“Të jesh njëri ndër 20 të zgjedhurit në programin prestigjioz ‘producers on the move’ është nder i veçantë për mua. Mbi të gjitha kjo është një njohje ndërkombëtare për punën dhe sukseset tona ndër vite”, tha Yll Uka producenti i përzgjedhur nga Kosova.
Disa nga filmat ku Yll Uka ishte producent janë: ‘Exil’-i nga Visar Morina, ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha, ‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela dhe filmi aktualisht në postproduksion ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli.
Programi i rrjetit i EFP ‘Producers on the Move’ do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar fillimisht nga 11 deri në 15 maj, 2020, dhe pavarësisht nga Festivalit të Filmit në Kanë i cili është shtyrë për shkak të pandemisë koronavirus. 20 producentët e ardhshëm evropianë të përzgjedhur do të takohen përmes internetit këtë vit dhe do të prezantojnë projektet e tyre në takime dhe seanca të rrumbullakëta. Bisedat me ekspertë do të përmbyllin programin dixhital që zgjat pesë ditë. / KultPlus.com
Si pasojë e shpërthimit të pandemisë COVID-19 edhe në Kosovë janë mbyllur të gjitha shkollat. Një gjë e tillë ka detyruar Ministrinë e Arsimit që të organizojë mësimin online. MASHT-it në një nismë të tillë i është vënë në ndihmë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë thonë se suksesi i rinisë kosovare është prioriteti kryesor dhe sipas tyre për një gjë të tillë duhet edukim.
“Suksesi i rinisë kosovare është top prioritet i yni dhe edukimi është çelësi”, thuhet në një reagim në faqen zyrtare të Ambasadës në tëitter.
Tutje kanë treguar se janë duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit dhe të gjithë përkrahësit e tjerë për të vazhduar me mësimin online.
“Ambasda është bëra bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit dhe mbështetësve tjerë për të vazhduar mësimin online”, thuhet ndër të tjera./Express/ KultPlus.com
Giulio Cesare Croce(1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent. Djali i një kovaçi dhe vetë një farkëtar, pas vdekjes së babait të tij, xhaxhai i tij ja vazhdoi edukimin kulturor. Ai u largua gradualisht nga biznesi familjar për të ndjekur pasionin e tij.
Ai kishte pak trajnime zyrtare ose mësues dhe prandaj mund të konsiderohet një nga autorët më të suksesshëm të vetë-mësuar në letërsinë italiane. Për shkak të zgjedhjeve të tij, ai kurrë nuk ishte plotësisht pjesë e grupeve letrare të kohës së tij.
Në fakt, ai ishte kryesisht një tregimtar tregues dhe me shumë mundësi shkruante për kënaqësinë e tij personale.
Giulio Cesare Croce (1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Giulio Cesare Crose:
“Kush të lëvdon ballafaqas, të kafshon pas shpine.”
“Kush dëshiron të ndjekë virtytet duhet të dëbojë veset.”
“Kush mban verë të mirë në shtëpi, ka gjithnjë bocëra tek dera.”
“Ai që nuk mban dot lëkurën e vet është një dele e gjorë.”
Prodhuesi i njohur i veshmbathjeve sportive, Nike, do t’i dhurojë 30,000 palë këpucë për punëtorët shëndetësorë që ndodhen në vijën e frontit gjatë luftës kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Këpucët janë të dizajnuara enkas për këta punëtorë.
Këpucët e llojit “Air Zoom Pulse”, të hedhura në treg fillimisht në nëntor të vitit të kaluar, janë modeli i parë që është dizajnuar për punëtorët shëndetësor, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.
Dizajnerët e kompanisë shkuan në një spital të fëmijëve në Oregon për ta studiuar punën e mjekëve dhe infermierëve. Ata i morën parasysh sfidat në punë, përfshirë orarin e gjatë dhe nevojën për rehati të këmbëve gjatë ndërrimeve të gjata, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Kompania “Nike” bashkëpunoi me organizatën jofitimprurëse “Good360”, e cila merret me shpërndarje efikase të donacioneve, për t’i shpërndarë më lehtë këpucët për punëtorët shëndetësorë në Chicago, Los Angeles, Memphis dhe New York.
U njoftua se punëtorët shëndetësorë në New York dhe në Los Angeles do të pajisen gjithashtu edhe me 95,000 palë çorapë futbolli, të cilat ofrojnë ngjeshje të butë të këmbëve./ KultPlus.com
Një vit më parë, Sadije Agolli, bashkëshortja, lexuesja e parë, redaktorja edhe shoqja besnike e ditëve të vështira të Dritëro Agollit, tregoi për punën që ishte duke bërë për botimin e një libri me kujtime.
Në këto ditë libri me kujtime nga miq, kolegë edhe të njohur gjatë karrierës letrare të Agollit ka marrë jetë, nën titullin, “Ky është Dritëroi im”. Në një promovim modest në Bibliotekën e Paqes Globale artistët Bujar Asqeriu dhe Kilt Roshi rrëfyen njohjen e tyre me shkrimtarin, jo vetëm në letërsi, por edhe si skenarist në kinematografi.
“Kam pas fatin që ta takoj nga afër, ti jap dorën edhe të përqafohem me të. Në një aktivitet i kisha dhuruar një kasetë me poezi të Ali Asllanit. Prej tij pashë, se të mëdhenjtë flasin mirë për të mëdhenjtë. Dritëroi kishte dashuri për njerëzit, për tokën, për çdo gjë, edhe gjatë gjithë krijimtarisë së tij, përcolli këtë dashuri, prandaj edhe njerëzit i ishin mirënjohës”, tregon aktori Bujar Asqeriu, i cili ka luajt në filmin me skenar të Agollit, “Njeriu i mirë” rolin e Telos.
“Filmin e parë e kam luajt tek “I teti në bronx”me skenar të Agollit edhe regji të Viktor Gjikës. Sa kohë ndenja unë në sheshxhirim, ai nuk u shkëput asnjë sekondë nga grupi i xhirimit. Jo për të bërë vrenjtje, por thjesht për të ndihmuar njerëzit. Ishte një skenar i politizuar, por me ndërhyrjet që bënte ai, filmi u shkarkua në këtë drejtim”, rrëfen Roshi.
Misioni Diplomatik për Paqe edhe Prosperitet në mbyllje të aktivitetit ndau titullin e lartë Misionar i Paqes Globale si dhe “Ambasadori i Artë Richard Holbrooke” (Golden Ambassador Richard Holbrooke) (pas vdekjes), të cilën profesor Fatos Klosi ia dorëzoi artistes Marjana Kondi, për shkak se familjarët e Agollit në këto ditë të vështira për shkak të COVID 19 gjenden në Vlorë. /Shqiptarja.com/ KultPlus.com
“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi, botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.
Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Buxhovi ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990. Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.
Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit, por si refleks i një kozmogomie universale.
“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.
Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare… / KultPlus.com
Sot është një nga lagjet më luksoze të Manhatanit, por në fund të viteve 1800, në “Lower East Side” kushtet e jetesës, sidomos për emigrantët e rinj që mbërrinin në Nju Jork, ishin të mjerueshme.
Në fotot e shpërndara nga “History Channel” tregohet gjendja e tmerrshme e godinave ku detyroheshin të jetonin qytetarët më të rinj të Nju Jorkut, asokohe një prej porteve më të mëdha hyrëse të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara.
Apartamentet e projektuar për një familje të vetme, ndaheshin në pjesë më të vogla, për të futur sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Për të përballuar rritjen e numrit të popullsisë, ndërtesat pritëse ndërtoheshin me materiale të lira dhe shumica e godinave nuk kishin as ajrosje, duke bërë që sëmundje të ndryshme të përhapeshin shpejt mes njerëzve që jetonin aty.
Jacob Riis, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1870, punoi për policinë e qytetit për të zbuluar kushtet e tmerrshme të jetesës mes emigrantëve. Por vetëm përmes fotografive, dëshmia e tij nisi të ngjallte reagim.
Në vitin 1890, Riis përmblodhi të gjitha fotografitë në një libër të quajtur “Si jeton gjysma tjetër”. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen e Theodore Roosevelt, në atë kohë shefi i Policisë së Nju Jorkut, duke e frymëzuar për të punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së emigrantëve dhe banorëve të lagjeve të varfra. /KultPlus.com
Nisën mbrëmë aktivitet kulturore online në kuadër të Javës së Europës 2020.
Delegacioni i Bashkimit Europian ka përgatitur një sërë shfaqjesh të cilat filluan mbrëmë në orën 19.00 nën moton “Më të fortë së bashku” me performancën e artistes suedeze AMWIN.
Muzika e saj përshkruhet si një miks eklektik i pop-it, elektronikes dhe hip-hop-it. Ajo përkundrazi e cilëson atë si një fantazi mjaft të çuditshme të populluar nga njerëz të çuditshëm dhe monstra të lavdishme.
Çdo mbrëmje në faqen në Facebook të Bashkimit Europian në Shqipëri do të performojnë artistët e mirënjohur si: Diodato, AMWIN, Ramona Tullumani, Stelios Kerasidis, Andrra, Eno Peçi, dhe shumë më tepër kanë përgatitur shfaqje muzikore ekskluzive për Javën e Europës në Shqipëri.
Në Ditën e Europës, të shtunën 9 maj, Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca do t’i bashkohet artisti shqiptar Alban Skenderaj në një koncert unik akustik për të shënuar 70-vjetorin e Deklaratës Schuman. Një paraqitje e veçantë e Al Bano-s do të mbyllë Javën e Europës 2020, të dielën 10 maj.
15 shfaqjet muzikore që do të prezantohen në internet gjatë Javës e Europës 2020 janë realizuar nga Delegacioni Europian në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare, kanë si qëllim që t’u sjellin njerëzve më shumë, solidaritet, forcë dhe rezistencë. / atsh/ KultPlus.com
Cila të jetë vallë arsyeja që dashuria na shpërfaqet shumë herë më e pasur sesa tërë përvoja njerëzore dhe një gllabërim i ëmbël për tërë ata që kanë rënë në kurthin e saj? Sepse bëhemi ajo çka dashurojmë, duke mbetur në të njëjtën kohë vetvetja.
Kjo është arsyeja përse herëpashershëm ndjejmë dëshirën e zjarrtë që ta falenderojmë me të tërë të qenëshmen tonë njeriun që dashurojmë; porse, në fund, dashur pa dashur vërejmë se si kjo nuk mjafton aspak.
E vetmja mënyrë është të falenderojmë me tërë thelbin dhe thellësinë e vetvetes tonë. Dashuria e shndërron mirënjohjen në një përkushtim dhe vlerësim të vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, në një besim pa kushte ndaj tjetrit. Kjo është edhe forma se si dashuria e dëndëson fuqimisht të fshehtën e saj…
Seneka (Lucius Annaeus Seneka), i quajtur zakonisht Seneka Filozofi, është një nga personalitetet më komplekse dhe më interesante të lashtësisë.
Jeta e tij qe e jashtëzakonshme për nga ngjarjet dhe personazhet që e shoqëruan, për nga shtrirja dhe larmia e veprimtarisë mendore që ai zhvilloi, për nga armiqësia e dhunshme që e ndoqi gjatë gjithë jetës me një forcë të papërfytyrueshme. Seneka qe një mendimtar, që guxoi i pari të lidhte filozofinë me politikën, gjë kjo që përbën një nga ndihmesat e tij më të thella në mendimin modern.
Në vijim, do të mund të njiheni me 23 nga thëniet më të mençura të Senekës, të cilat mbeten aktuale dhe duket se do të mbeten gjithnjë kështu..
1. Tragjedia në jetë nuk është të mos arrish objektivin. Tragjedia është të mos kesh një objektiv për të arritur.
2. Gjithçka që ti dëshiron, ndodhet në anën tjetër të murit të frikës.
3. Sa më shumë flet për gjëra negative në jetën tënde, aq më shumë i afron ato. Fol për fitore, jo për humbje.
4. Zjarri është prova e floririt. Vështirësitë janë prova e njerëzve të fortë.
5. Një prej cilësive më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.
6. Eshtë rrugë e vështirë ajo, që të shpie në lartësitë e madhështisë.
7. Lumturia e vërtetë është… të shijosh të tashmen, pa varësinë plot ankth prej të nesërmes.
8. Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mençur.
9. Shpata nuk vret asnjëherë askënd; ajo është një mjet në duart e vrasësit.
10. Nëse nuk e di në cilin port po shkon, atëherë asnjë erë nuk është e favorshme.
11. Për babëzinë, e gjithë natyra është shumë pak.
12. E gjithë mizoria buron prej dobësië.
13. Sa më pak e meritojmë fatin e mirë, aq më shumë shpresojmë për të.
14. Ne jemi më shpesh të trembur, se sa të lënduar; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata, se sa nga realiteti.
15. Nuk është se, për shkak se gjërat janë të vështira, ne nuk guxojmë; është për shkak se ne nuk guxojmë, që gjërat janë të vështira.
16. I shkon më shumë një burri që të qeshë me jetën, se sa të qahet prej saj.
17. Zemërimi është si ato rrënojat që shemben dhe përplasen me gjithçka që gjejnë poshtë.
18. Ne shpesh herë duam një gjë dhe lutemi për një tjetër, duke mos ua thënë të vërtetën as Perëndive.
19. Dita të cilës i trembemi si dita jonë e fundit, është në fakt lindja e përjetësisë.
20. Nuk ka asgjë në botë që të admirohet aq shumë, sa një burrë që di si të përballojë palumturinë me kurajë.
21. Për shumë njerëz, rritja e pasurisë nuk u jep fund telasheve të tyre, vetëm sa ua ndryshon.
22. Vdekja është dëshira e disave, çlirimi i të shumtëve, dhe fundi i të gjithëve.
23. Edhe pas një të korre të keqe, duhet të ketë sërish mbjellje.