Janë dhjetë dokumentarët, që Netflix ka vendosur t’i dhurojë publikut në shenjë solidariteti, për shkollat e mbyllura prej izolimit.
Përveç shpërndarjes së një fondi prej 100 milionë dollarësh për operatorët e biznesit të spektakleve, pas urgjencës së Koronavirusit, Netflix ka vendosur të dhurojë dhjetë nga dokumentarët e tij më të mirë për publikun. Një iniciativë që ka për qëllim veçanërisht shkollën dhe mësuesit e angazhuar në mësimin në distancë. Midis dokumentarëve të vënë në dispozicion, gjendet gjithashtu edhe dokumentari i jashtëzakonshëm “Planeti ynë”, rrëfyer me hollësi nga David Attenborough, i cili paraqet lloje të ndryshme kafshësh në habitatet e tyre natyrore përkatëse. Është dokumentari i parë natyralist i shpërndarë nga Netflix.
Dokumentarët
Nga “Planeti ynë” tek “Abstrakti”, janë 10 dokumentarët që Netflix ka vendosur t’i dhurojë publikut. I gjejmë të gjithë të mundshëm falas, në kanalin “YouTube” të Netflix (të plotë, me një listë dëgjimi të përshtatshme).
13th
Abstract
Babies
Chasing Coral
Explained
Knock Down the House
Our Planet
End of a Sentence.
The White Helmets
Zion
Vetëm dy prej tyre, ofrojnë një histori për natyrën: “Planeti ynë” dhe “Gjuetia e koralit”, ndërsa të tjerët përqendrohen në çështje politike dhe sociale, me fokus në sistemin e burgjeve ose në periudhat si gjenerues të pabarazisë ekonomike./Konica.al / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim kryetarët e katër komunave, Qëndron Kastrati, Kryetar i Komunës së Kamenicës, Xhafer Tahiri, Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Ardian Gjini, Kryetar i Komunës së Gjakovës dhe Naim Ismajli, Kryetar i Komunës së Shtimes.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte nënshkrimi i katër aneks memorandumeve për mbështetje financiare.
Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Kastrati nënshkruan aneks memorandumin e bashkëpunimit për rinovimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati” dhe shtëpive tjera komunitare” i cili do të implementohet gjatë vitit 2020.
Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Tahiri nënshkruan aneks memorandumin e bashkëpunimit, për projektin “Qendra e Kulturës në Vushtrri” do të implementohet gjatë vitit 2020
Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Gjini nënshkruan aneks memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen financiare për projektin “Ndërtimin Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit” i cili do të implementohet gjatë periudhës 2020-2022.
Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Ismajli nënshkruan aneks memorandumin e bashkëpunimit për “ndërtimin e Arkivit të qytetit të Shtimes”
Gjatë këtyre takimeve Ministrja Dumoshi shprehu mbështetjen e saj të pa rezervë si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe theksoi që është prioritet i Ministrisë që drejton që të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha Komunat e Kosovës duke konkretizuar projekte të cilat do të jenë të frytshme edhe për nivelin komunal edhe atë qendror. Sipas mundësive të veta, MKRS do të mbështesë të gjitha Komunat që projektet e mira kulturore, sportive e rinore t’i jetësojnë në dobi të qytetarëve. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës, Vlora Dumoshi, përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjen e aktorit Rikard Ljarja, shkruan KultPlus.
Dumoshi vlerëson se Rikardi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare si dhe puna e tij e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Dumoshit:
E nderuara familja Ljarja,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj Rikardit, aktorit, regjisorit dhe skenaristit tonë të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në tërë kulturën shqiptare.
Puna, kontributi dhe angazhimi i tij, në fushën e teatrit dhe sidomos të kinematografisë, e ka bërë atë figurë të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare. Ai me shumë punë dhe dashuri për artin, e ngriti kulturën shqiptare në një nivel tjetër.
Ne në Kosovë, jemi ushqyer me kulturën shqiptare nëpërmjet veprave të cilat na ka sjellë Rikardi bashkë me shumë aktorë e artistë tjerë shqiptarë.
Jemi rritur me filmat ku protagonist ka qenë ai. Nga shumë filmat që Rikardi mori pjesë, nuk mund të harrohen dot “Rrugët e bardha”, “Pesha e kohës”, e shumë filma të tjerë si dhe angazhimi i tij në teatrin “Migjeni” i cili ishte një thesar në mesin e xhevahireve të tjerë që kishte Shkodra.
Vdekja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar, por korpusi i veprave filmike që ai la pas vete, janë një pasuri e çmuar artistike që ka vulën e kulturës shqiptare dhe bën që emri i tij të mos harrohet kurrë. Fizikisht, ai nuk do të jetë më i pranishëm me ne, por do të kujtohet gjithmonë përmes veprës shumë të çmuar dhe me vlerë që la pas.
E nderuara familje Ljarja, të dashur miq të tij, i tërë komuniteti artistik mbarëshqiptar, pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta.
I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu. / KultPlus.com
Aktori Çun Lajçi, në mesazhin e tij prekës dhe mjaft të ndjerë për humbjen e aktorit të madh të skenës shqiptare Rikard Ljarja mes rreshtat është shprehur, “ti arti i zemrës sime. Pusho n’Shkodrën tande Rikard Ljarja”.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Lajçit:
Pusho n’Shkodrën tande Rikard Ljarja (Përkujtim)
Vonë ishte. S’po me merrte gjumi, e s’po m’rrihej ma pshtetun n’divan. Sytë m’ishin qorrua, tue i ndrrua kanalet e televizorit, gjithë ditën. Trutë po me vlojshin, tue i numërua të infektuemit e katundeve, qyteteve, mahallave…! Zotit po i lutesha, veç për nji nanë t’re, që ishte shtatzanë, e po luftonte me vdekjën! O perendi, ofshana, po çfar mëkati ka ba foshnja n’bark, që ia dergon virusin asaj nane? Dhe e mbylla televizorin. E hapa kompjutrin, thashë t’shoh, si janë këta miqtë e facebook-ut! Se, kemi mbetë si kertollat e pa mbjelluna, tue na shpërthye rrajët pa hi n’dhe! Aktorja shkodrane Dana Xhaj, m’shfaqet me nji fotografi t’aktorit tjetër, Bruno Shllakut. Fooorcaaa Brunoooo… shkruen përfundi fotografisë! M’rreh zemra keq! I shkruej shpejt. – Çka ka Bruno moj e marrë që bërtet foooorcaaaaa! Ma kthen me mirësjellje. Mik, Brunoja po lufton me nji gotitje hemorogjie cerebrale. Asht paralizua komplet ana e djathtë. Sytë i kanë mbetë hapur por s’flet! Ndihmoje Zot them, tue u përbi. I hallakati miqtë tjerë. M’del para shkodranja tjetër, poetja Bona Mulaj Lluka, e madhe sa Fushë Arrza. Ajo me foton e aktorit tjetër, atij Dedës nga filmi, që u ngri n’shtyllë telefoni, tue i lidhë telat e këputun nga bora e fërfëllaza, në ndrrim motesh, veç mos me i lanë shqiptarët, pa i thanë njeni tjetrit gëzuar vitin e ri 19…! – Galë, i them sime shoqe, Rikardi paska vdekë! Lexoj fjalët e Bonës; pse u largove n’kohë pa kohë, tani kur s’mundemi me ta kthye, ate që ti na e dhurove përmes filmit Dede! Bahem i lig, m’lagen sytë. I shkruej poetës, m’trego moj e zanueme, kur vdiq? Sonte, n’Tiranë, nga smundje e keqe! Dhe m’hapet dritarja e vitit 1972, atij marsi t’lulëzimit si n’përralla, t’Çunit me Rikardin, tue ecë Bulevardit Skender Beg! Gjithçka që andrrua e kisha për Shqipninë e Shkodrën, e gjeta tek ai! Nuk ngihej tue lypë Kosovë n’mua, e unë tue gjetë Shqipni tek ai! Milioner n’zemër e xhepat e shkyem, e art n’vete ky Rikardi! Ballin ma puthte, sikur e kërkonte Bekimin, t’preferuemin e tij…e Çunit i thoshte vëlla! I shkova n’konak kur iku ai dreqi i zi, kur ky nisi me i marrë kambët, mu kamë pak, n’vitin 1995. Zemër, Fishtë e raki e bërxolla pak, e cingare LM deri n’mëngjes! Atë natë po flisnim për Ali Pashë Gucinë, për nji grimë film,që po mundoheshim me ba, se andërr e kisha Alinë me luejt e Rikardi me ba regjinë. Por pare, ah pare s’kishim, e filmi kurrë s’u ba! Njiherë qëlloi n’Shkodër. I thashë Marjetës, t’shoqës, po gjej konak dikund tjetër, mbasi Riku s’qenka këtu. E hetoi se po ngushtohesha me fjetë n’konak pa burra! E dini se çka m’tha: Konaku i Rikardit kurrë s’asht pa burra! T’birin e ka këtu. Vërtetë, n’dhomën tjetër kishte pasë qenë i biri, me nji qenë pastor gjerman! Eh! Kishte vetëm dhomë e kuzhinë, por as sarajet e Ali Begut s’ishin ma t’mdhaja! Se Rikard ishte Ai! Gjithkujt i thoshte: Ky asht Çuni, që hecte dathë nëpër Tiranë, n’vitin 1972! E ne bajshim seri! Ç’asht ky artist pa këpucë? Mos asht ndonji provokator, spiun? Kurrë s’me tregove pse? I tregova kur ishim n’Pogradec, me gratë, artistet tona. Edhe Bubulinen e kisha pranë! – Nji palë sandale si t’Bekimit, të Odiseu, i pata punua enkas të nji këpuctarë, dhe me to erdha. Por m’përqeshen natën e parë kur dola n’korzo, n’sheshin e Tiranës! Lloj-lloj batutash m’thanë, dhe unë i turpnuem ika n’hotel Dajt, dhe i hoqa. Heca 10 ditë dath, se tjera s’kisha! Por pata igball, se marsi ishte i nxeht e s’u ftofa! Po ti paske pas kjenë i marrë, m’tha! Mbramë, vonë e mbylla dritarën e kujtimeve, e me dhimbjën për Rikardin, gjumi n’divan m’kishte pasë marrë! S’jam zog, e n’varrim ndryshe s’kam si me t’ardhë Rikard, se kufijtë mbyllë na i kan! Pusho n’Shkodrën tande mik. Ajo të deshti shumë. I thashë Galës: Po ikim nji nga nji! Sa mirë që po iu shkruej, por mua s’kanë me m’shkrua kurrë, se nuk isha si ata!
Poeti dhe autori i shumë këngëve, Agim Doçi ka kujtuar mes lotësh por edhe me vargje Rikard Ljarjan, aktorin e madh i cili vdiq një ditë më parë.
Pengu më i madh për Doçin është fakti se sot nuk mund t’i japë lamtumirën mikut të tij si pasojë e COVID 19. Por kjo situatë nuk e ka ndalur atë të thurë vargje e të mallëngjejë të gjithë.
“Kam jetuar në Shkodër 16 vjet, e pashlyer do mbetet për mua kur në Kukës erdhi si personazh jetësor për të përjetësuar një personazh të thjeshtë atë “Dedën” e famshëm. Ai ishte një nga rolet më të personalizuar dhe më të realizuar të Rikardit. Dhimbja më e madhe sot është që nuk shkojmë dot ta përcjellim, t’i hedhim një dorë dhe atij shkodrani që me zemërgjerësinë e tij pati ndihmuar të bëhet aktor edhe një djalosh shkodran Frederik Ndoçi. Kanë aktruar bashkë”,- tha ai.
Doçi thuri këto vargje për mikun e tij Rikard Ljarjan:
NE ishim shokë RIKARDI shtrenjt Sa shpejt që ike O NJERI… KUJTESA jonë të ka të SHENJT TI yll i ndezun me DASHURI.
Do ikin vitet TI s’do harrohesh MAGJIA yte – PRINC i aktrimit TI mbetesh YLLË e do kujtohesh SIMBOL i gjallë n’magjin e filmit.
Do jesh tek ENGJËJT perkrah me shokët Po unë RIKARD ku ti çoj lotët? / KultPlus.com
Ka qenë përshëndetja e fundit sot me aktorin Rikard Ljarja, ndarë nga jeta mbrëmë në moshën 77 vjeçare. Miq e kolegë e kanë përcjellë për në banesën e fundit përmes duartrokitjesh, dhe nderimi të heshtur në distancë.
Sipas amanetit të aktorit, lënë familjarëve, ai do prehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Aktorja e njohur, Roza Anagnosti, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Dhimitër Anagnosti, ka thënë disa fjalë nderimi për Rikard Larjan.
“Ne kemi një miqësi shumë të mirë me familje, ato që ka lënë ai nuk do të harrohen. Ka lënë një pasuri të jashtëzakonshme për artin. Kam punuar me të si regjisor në momente shumë të vështira. Pushtoftë në paqe dhe vepra e tij të ketë një jetë sa më të gjatë”, tha Roza.
Ndonëse po jetojmë ditë të vështira, dhe në izolim total, përcjellja mortore për aktorin ka qenë me miq e kolegë të shumtë. / Standard/ KultPlus.com
Kur një galeri në jug të Rusisë i kishte mbyllur dyert e saj për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit, një artist kishte kërkuar që të vetizolohet në vend që të lërë vendin e tij të punës. Sergei Pronin posa kishte filluar punën si administrator në galerinë “Pushkin”, kur u mor vendimi edhe për mbylljen e institucioneve të tilla. Ai kishte kërkuar leje që të qëndronte dhe tani pikturon, fle, gatuan dhe bën ushtrime nën shoqërimin e një kanarine të quajtur Hertz.
“Unë pata një ide që do të ishte interesante që të qëndroja dhe të punoja një seri me piktura për vetë galerinë ‘Pushkin’”, ka thënë Pronin, 31-vjeçar, i cili që nga 28 marsi ka kaluar ditët e tij duke krijuar në një nga atraksionet kryesore në Zheleznovodsk, në regjionin Stavropol. Ai ka përfunduar pikturimin e një pjese të galerisë dhe tani është duke punuar në një vepër dedikuar poetit Alexander Pushkin, sipas të cilit ka marrë emrin galeria dhe shtatorja e të cilit zë një vend kryesor si kryevepër e ekspozitës kryesore, shkruan sot Koha Ditore.
“Në të ardhmen e afërt dëshiroj që të pikturoj Isadora Duncan duke vallëzuar në galeri”, ka thënë Pronin, duke iu referuar kohës kur balerina amerikane kishte performuar aty në fillim të vitit 1920.
Pronin, i cili bën ushtrime dhe akrobacione në një nga dhomat e shumta të Galerisë, ka thënë se po planifikon që të qëndrojë aty gjatë gjithë periudhës së karantinës, e cila në Rusi për momentin vlen deri më 30 prill.
Muzetë dhe galeritë kanë qenë në mesin e shumë atraksioneve dhe bizneseve që janë mbyllur për shkak të koronavirusit me 47 mijë e 121 raste dhe 405 vdekje të raportuara deri më tash në Rusi. / KultPlus.com
Biskotat në formë patatesh të skuqura të Disney-t janë me siguri një nga shërbimet më të këndshëm të parkut. Tani, Disney po ndan recetën me të gjithë ne, për shkak të situatës nga Covid-19.
Këtu janë të gjithë përbërësit që ju nevojiten:
2 3/4 filxhan miell
1/2 filxhan plus 1 lugë sheqer pluhur
1/2 filxhan plus një lugë gjelle margarinë me bazë bimore
7 lugë gjelle ujë të ngrohtë
5 lugë zëvëndësues të lëngshëm vezësh
1 lugë gjelle melasa
1/2 filxhan me copa të vogla çokollate
Udhëzimet e Disney-t janë super të thjeshta për t’u ndjekur, gjithashtu:
1. Hidhni miell, sheqer pluhur dhe margarinë me bazë bimore në një mikser elektrik. Zgjidhni shpejtësinë mesatare deri sa të krijohet një masë e butë. (Shënim: Ju mund ta bëni këtë hap pas hapi nëse është e nevojshme.)
2. Në një tas të vogël, përzieni ujin e ngrohtë dhe zëvëndësuesin e lëngshëm të vezëve. Shtoni melasa në mikserin tuaj. Përziejini me shpejtësi mesatare të gjithë përbërësit.
3. Hidhni copat e çokollatës.
4. Hidheni përbërjen e përftuar në një tigan dhe lëreni në frigorifer për 30 minuta.
5. Ndizeni furrën gjatë kohës që pregatisni përbërjen në një temperaturë prej 177 °C.
6. Rreshtoni dy letra pergamenë.
7. Krijoni 32 shirita që janë të gjerë 1 cm dhe të gjatë 10 cm. Vendosni 16 shirita në secilën letër të pergamenës.
Piqeni për 20-22 minuta. Shërbejeni me salcat tuaja të preferuara me bazë çokollatë ose luleshtrydhe.
Nëse brumi juaj është shumë ngjitës, Mouse House sugjeron të shtoni një lugë gjelle sheqer pluhur derisa të ngjasojë me strukturën e brumit tradicional të biskotave. / KultPlus.com
Na ishte njëherë… na ishte njëherë e në një kohë të lashtë, një katund, në një cep të humbur të Ballkanit. Ndoshta, diku aty ku sot takohen e ngatërro- hen disa kufij. Diku aty buzë një liqeni. Ngjarja ndodh në këtë humbëtirë, atëherë kur nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm. Ndoshta në atë kohë kur Ballkani, apo më mirë Europa Juglindore ishte e ndarë në vilajete, apo ndoshta edhe më herët… Dikur… dikur… … Në një kohë të largët, që ne e shohim pak si turbullt, pak si në mjergull atë kohë, kur në këto vise popullsitë merrnin e jepnin gjithçka me njeri tjetrin. Merrnin e jepnin zakone, kostume, kafshë shtëpiake, gjellë, muzikë (këngë, valle, vaje), përralla, fjalë… Edhe fjalët hynin e delnin nga njëra gjuhë te tjetra dhe shpesh e ndjenin veten mirë aty ku shkonin, shtonin a hiqnin ndonjë mbrapashtesë, ndërronin ndonjë theks, dhe rrinin rehat e bëheshin një trup. Ndonjëherë, rrallë, edhe krushqi bënin. Miqësitë ruheshin por gjithësejcili në punë të tij. Kjo kishte shumë rëndësi.
Pra, në këtë cep të Ballkanit, na ishte njëherë e në një kohë, një katund me pak shtëpi. Gjithsejcili kishte varkën e tij me të cilën peshkonte në liqen. Gjithsejcili kishte shtëpinë e tij. Gjithsejcili kishte një copë pyll, një cop arë, kaun, delet, dhitë, lopën, pulën dhe gjelin e tij. Kishte gruan e fëmijët e tij. Katundi kishte edhe një prift që ishte për të gjithë. E donin, e respektonin, i jepnin edhe hakun. Tek roba dhe mjekra e tij shihnin perë- ndinë, apo diçka që nuk e përcaktonin dot. Nuk hynin të gjykonin thellë. Respekti për priftin ishte një traditë, siç ishte traditë që një ditë në fund të vjeshtë së tretë, mbasi ishin mbaruar të gjitha punët dhe prisnin dimrin, të mblidheshin fshatçe e të pinin, të pinin, të pinin e të këndo- nin, sa tu dilnin tëmthat e të pëlcisnin. Kështu ka mbetur zakon, thonin. Me këtë rutinë, respektonin edhe priftin, festat fetare, Kishën, ardhjen e pranveres, pjelljen e dhenëve… Dhe i respektonin ama. Koha kishte vënë në vend gjithshka. E keqja, nëqoftëse kishte qenë ndonjëherë në këto anë, ishte mënjanuar e harruar. E mira kishte zënë vend kudo. Katundarët ndihmonin njeri tjetrin pa hile e interesë kur ishte nevoja. Festat i bënin bashkë, për gëzimet e njeri tjetrit gëzoheshin të gjithë bashkë, për hallet e njeri tjetrit hidhëroheshin të gjithë bashkë. / KultPlus.com
Programi i “Mare TV” këtë herë iu kushtua bregdetit shqiptar.
“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”, një dokumentar kushtuar bregdetit shqiptar ka arritur kuota rekord të këtij programi në raport me shikueshmërinë, në kuotën e 9.2 % të totalit të ndjekësve të ekraneve gjermane.
“Mare TV” është një institucion në formimin e opinionit turistik gjerman në televizionin NDR, televizioni publik gjerman për Veriun, i ndjekur kudo në Gjermani, Austri e Zvicër.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se në kushtet e pandemisë globale, ky program është një marketing i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, për efektet e pritshme pas lirimit të masave dhe rifillimit të udhëtimeve.
Producenti lokal, gazetari Nolian Lole dhe kolegu gjerman Steffen Schneider e treguan Shqipërinë, pikërisht bregdetin jonian, nëpërmjet njerëzve që jetojnë dhe punojnë pranë detit.
“Një numër i konsiderueshëm turistësh vizitojnë vendet ku kamera e “Mare TV” shkon dhe i zbulon. Pamje të mahnitshme të brigjeve joniane janë një ftesë e hapur për shikuesit për të ardhur në Shqipëri”, thotë Klosi.
Falë audiencës rekord së këtij dokumentari, trupa e “Mare TV” thotë se po planifikon një seri të dytë të dokumentimit të bregdetit shqiptar, këtë herë nga Laguna e Karavastasë deri në kufi me Malin e Zi. /atsh/ KultPlus.com
Ylli i muzikës, Bebe Rexha, po qëndron në shtëpi si shumë të tjerë për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Këto ditë këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare i ka shfrytëzuar për të provuar çdo lloj recete shqiptare, të cilat më pas i ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Kjo është një mënyrë e mirë e Rexhës për ta promovuar kulturën dhe traditat shqiptare te publiku mbarëbotëror, transmeton Koha.
Së fundmi këngëtarja e cila si duket e gëzon pasionin për kuzhinën, ka publikuar në Instagram momente të gatimit të gjellës me qepë, e cila preferohet kryesisht nga veriu i Shqipërisë.
“Ushqim shqiptar, 2 orë që të zihen qepët”, ka shkruar Bebe krahas videos së përgatitjes së ushqimit.
Kujtojmë se Bebe Rexha, shquhet si një prej kantautorëve më të talentuara dhe më të suksesshme në Amerikë. Këngëtarja është me origjinë nga Dibra dhe është zhvendosur në SHBA qëkur ishte e vogël. Por, ajo mundohet në maksimum t’i ruajë traditat e vendlindjes, dhe shpesh e kemi parë duke postuar video ku ajo shihet duke vallëzuar me muzikë shqipe, duke e folur gjuhën amtare me familjarët e saj si dhe duke gatuar receta tradicionale shqiptare. / KultPlus.com
Kreu i shtetit, Ilir Meta u shpreh i hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit shqiptar Rikard Ljarja. Me anë të një postimi në “Facebook”, Meta tha se kjo është një humbje e pazëvendësueshme.
“I hidhëruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, skenaristit e regjisorit të mirënjohur, Rikard Ljarja. Pa fjalë nga dhimbja për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, për teatrin dhe kinematografinë shqiptare, por për të gjithë brezat që u rritën dhe duartrokitën talentin e veçantë dhe personazhet e paharruara të luajtura mjeshtërisht prej Tij. Si një përfaqësues tipik i një brezi idealistësh me shpirt krijues, të cilët aq shumë e deshën artin dhe Shqipërinë, ky largim në amëshim i Rikardit të madh na ka pikëlluar të gjithëve!”
Presidenti shprehu ngushëllime për familjarët e aktorit dhe theksoi se kujtimi i tij do të jetë i paharruar. / KultPlus.com
“Antologji e futbollistëve shqiptarë nga Kosova 1916-2016”, quhet libri i radhës enciklopedik i pedagogut, Enver Halili nga Vitia.
850 biografi të futbollistëve, gjyqtarëve dhe punëtorëve sportiv, nga viti 1916 deri më 2016, janë përmbledhur në 750 faqe të librit. Autori Enver Halili e ka ndarë librin në tri periudha, e para është e Socializmit (1916-1989), periudha e sakrificës (1989-1999) dhe periudha lirisë (1999-2019).
Libri do të botohet shumë shpejt dhe lexuesit do të mund ta gjejnë, pas kalimit të pandemisë së koronavirusit. Ky do të jetë libri i tetë i autorit Halili që ka të bëjë me futbollin.
Mbrëmjen e sotme u ndaj nga jeta në moshën 77-vjeçare aktori i njohur shqiptar Rikard Ljarja.
Ljarja vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk dilte nga shtëpia.
Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”, Tiranë.
Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.
Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.
Që prej vitit 1973 ka qenë protagonistë në shumë filma kinematografik, si “Fletë të bardha”, “Pesha e kohës” përkrah Kadri Roshit”, por edhe ka qenë regjisor si në filmi “Skëterr 43”, “Në pyjet me borë ka jetë”, e gjithashtu i madh ka qenë kontributi i tij edhe si skenarist edhe njeri i penës, ku gjatë viteve të fundit ka botuar disa libra.
Sonte KultPlus ju sjell ‘Kënën e Rexhës’ të intepretuar nga zëri i paharrueshëm i Qamilit të Vogël
Qamili i Vogël ka një bagazh të madh në skenën muzikore, duke mbetur kështu njëri ndër zërat më të paharrueshëm të skenës sonë muzikore.
Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë. / KultPlus.com
Ylli britanik i muzikës, Adele, besohej se planifikonte ta lansojë albumin e saj të katërt të incizuar në studio, kah fundi i këtij viti, kjo pasi u kishte thënë të ftuarve në dasmën e një mikut të saj, që mund ta presin një album të ri në muajin shtator. Por tani, adhuruesit e këngëtares së famshme, janë të shqetësuar se do të duhet të presin edhe një vit për t’i dëgjuar këngët e reja të idhullit të tyre.
Producentët muzikor, Babyface dhe Teddy Roley, e kishin realizuar një betejë të drejtpërdrejt në Instagram, ku secili i kishte performuar nga 3 këngë, para se transmetimi të ndërpritej për shkak të problemeve teknike, dhe me këtë rast Adele e kishte postuar një koment ku thuhej: “Mos u çuditni, është viti 2020 – do të thotë nuk kemi mundësi për ta marrë atë që duam.”
Dhe pikërisht ky koment i këngëtares, ka bërë që fansat e saj të fillojnë të kenë dyshime se ajo e ka shtyrë lansimin e albumit të ri për vitin 2021, transmeton Koha.
Edhe pse ylli i baladave nuk e ka konfirmuar këtë lajm, adhuruesit e saj po spekulojnë se ajo do t’i bashkohet listës së artistëve të cilët i kanë shtyrë lansimet e projekteve të tyre, si pasojë e pandemisë së koronavisurit.
Në janar të vitit 2020, menaxheri i kantautores së njohur britanike e kishte konfirmuar lajmin se Adele do të lansojë muzikë të re gjatë këtij viti.
Për revistën “Music Week”, Jonathan Dickins kishte deklaruar se këngëtarja më në fund ka vendosur ta publikojë albumin e radhës, pas incizimit tejet të suksesshëm të vitit 2015 me titull, “25”.
Hera e fundit që këngëtarja shumë e dashur për publikun mbarë botëror na bëri të kuptojmë se shumë shpejtë pritet të sjellë muzikë të re, ishte në maj të vitit të kaluar për ditëlindjen e saj të 31-të.
“I mbusha 31-vjet falë zotit. Viti i kaluar më ka sfiduar tej mase por po e përballoj sa më mirë që është e mundur dhe po provoj tej mase të adaptohem. Për herë të parë në një dekadë, jam e gatshme ta ndjejë botën përreth dhe të qëndroj kokë lartë. Albumi i ri me titull “30” mund të publikohet së shpejti dhe për inatin tuaj, do të përmbajë muzikë krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar,” kishte shkruar duke bërë shaka Adele.
Gjatë vitit 2019, kantautorja e njohur për baladat e dashurisë, “Someone Like You” dhe “Hello”, e bëri publik lajmin se është ndarë nga bashkëshorti, Simon Konecki. Çifti kishte shtatë vjet lidhje dhe besohet se dashurinë e kishin kurorëzuar me martesë në vitin 2017. Adele, e cila njihet për ruajtën e privatësisë, dhe ish-bashkëshorti i saj Konecki, e kanë një fëmijë së bashku.
Të kesh një natyrë intuitive ose të jesh i talentuar shpirtërisht shpesh përcillet brez pas brezi. Nëse mendoni se keni një shqisë të gjashtë, ose disa ju quajnë shpirt i vjetër, atëherë mund të jetë një dhuratë që ju është transmetuar nga paraardhësit tuaj.
Shumë njerëz përjetojnë ndjenja ose ndjesi për të cilat besojnë se janë të çuditshme ose jo të kësaj bote. Ndoshta, diçka e mbinatyrshme po përpiqet të komunikojë diçka. Ndërhyrja hyjnore është diçka që shumë njerëz e përjetojnë shpesh, por a do të thotë që ju jeni i talentuar shpirtërisht?
Nëse mendoni se keni dhurata unike për të komunikuar me botën shpirtërore, atëherë duhet të hapeni dhe të lejoni që lidhja të ndodhë. Sa më gjatë ta zgjatni mospranimin se jeni i talentuar shpirtërisht, aq më e vështirë mund të bëhet jeta juaj.
Shenjat e të paturit inteligjencë shpirtërore
Ndoshta, ju jeni në ndjesi se keni një anë intuitive ose keni një dhuratë për t’u përballur me sferën shpirtërore. Epo, ja dhjetë gjëra që mund t’ju ndodhin kur keni një natyrë të talentuar shpirtërisht.
Sinkronizimi
Me siguri keni dëgjuar se vdekja, ndër të tjera, gjithnjë vjen treshe. Këto tendenca ndoshta janë të bazuara shpirtërisht. Quhet sinkronicitet dhe shkon përtej vdekjes.
Po sikur të keni ëndrra, vizione dhe mendime të vazhdueshme për një person? Mund të ndodhë që bota shpirtërore dëshiron që t’i drejtoheni këtij personi për t’ju ndihmuar.
Një vajzë dikur shihte në ëndërr ish-të dashurin e saj që nga shkolla e mesme sikur ai vdiste në një aksident të tmerrshëm me makinë. Ajo aksidentalisht u ndesh me të në një librari jo shumë kohë pas kësaj ëndrre, por ajo nuk e përmendi ëndrrën. Pastaj, ai papritmas u shfaq në listën e sugjerimeve të miqve të saj në Facebook, të cilin ajo e pranoi.
Dy javë pas takimeve, ajo pa në një postim që makina e tij doli nga rruga gjatë një stuhie dëbore, dhe ai u zhduk. Ndoshta, bota shpirtërore po përpiqej t’i thoshte asaj të lidhej me të, ta paralajmëronte atë ose të bënte paqe me të kaluarën e tyre.
Dëgjimi i zërave udhëzues
A dëgjoni gjëra që askush tjetër nuk i dëgjon? A i bëni dikujt një pyetje dhe duket sikur e dini përgjigjen para se të flasin? Ju duhet të dëgjoni zëra frymorë kur ata po përpiqen të komunikojnë me ju.
Ata mund të vinë në mendjen tuaj, të flasin me zemrën tuaj, ose ju mund t’i dëgjoni me zë të lartë. Pavarësisht se si ju vijnë mesazhet, ju duhet të jeni pritës për të hapur komunikimin. Këto zëra mund të nënkuptojnë se ju jeni të talentuar shpirtërisht dhe shpirtrat dëshirojnë t’ju ndihmojnë.
Emocione dhe eksperienca jo të zakonshme
Mund të keni ndjesi dhe shpërthime emocionale që nuk janë tuajat. Mund të jenë ndjesitë e dikujt tjetër që kanalizohen përmes jush. Mund të tingëllojë pak e largët, por ndodh gjithë kohën.
Një histori thoshte se një grua po udhëtonte për në Florida dhe do të parakalonte një kamion. Sa herë që ajo afrohej me shumë kamionit, ajo ndjehej e frikësuar, madje edhe e tmerruar. Ajo ishte aq në ankth sa ndihej sikur do ta qëllonin.
Ajo e dinte që ishte e talentuar shpirtërisht. Por ajo nuk ishte e sigurt nëse fryma po përpiqej ta paralajmëronte atë për një rrezik ose ajo po e kanalizonte energjinë e të tjerëve. Ajo shpejt mësoi se ky ishte një përqendrim. Përvoja ishte aq e pakëndshme sa nuk mund ta largonte nga mendja.
Ajo zbuloi më vonë se gruaja e vëllait të saj ishte rrëmbyer në Los Angeles. Ajo e dinte që emocionet që ndiente ishin ato të kunatës. Shqisa e saj e gjashtë i lejoi që t’i ndjejë këto ndjesi për familjen e saj.
Makthet e natës
Shpesh mendohet se fëmijët janë përjetues të tmerreve të natës, sepse kanë frikë irracionale dhe empatitë natyrore. Sidoqoftë, disa ekspertë thonë se arsyeja pse fëmijët i përjetojnë këto ëndrra është se ata janë kaq të ndjeshëm ndaj sferës shpirtërore.
A keni dëgjuar ndonjëherë për gjendjen “Delta dhe Theta”? Kur një i rritur që është i talentuar shpirtërisht hyn në këtë gjendje, ata mund të shohin gjëra përtej qëllimit normal. Nëse një shpirt po përpiqet të komunikojë me ju, por nuk po ju tërheq vëmendjen, atëherë makthet janë një mënyrë tjetër për të komunikuar.
Mos harroni, ata do të bëjnë gjithçka që mundin për të marrë vëmendjen tuaj, edhe nëse kjo do të thotë të zgjoheni natën prej ankthit.
Ndjesi drithëruese
A keni pasur një ndjesi shpimi gjilpërash kur dikush ju thotë diçka të mahnitshme?Ndonjëherë ndjeheni aq të ngacmuar brenda sa doni të kërceni me gëzim.
Këto ndjesi mund të jenë magjike; disa madje i përshkruajnë si mrekulli. Këto fenomene janë thjesht frymë që konfirmojnë me ju në një mënyrë tjetër.
Presion rreth “syrit të tretë”
Shumica e njerëzve e dinë se ku ndodhet “syri i tretë”. A keni ndjerë ndonjëherë një presion në këtë zonë, në mes të vetullave?
Ekspertët thonë se njerëzit e aftë shpesh mund të marrin mesazhe kur ndiejnë këto dhimbje në këtë zonë. Për më tepër, individë të tjerë thonë se ata mund të shohin ngjyrat e çakrës së një personi tjetër kur hapin syrin e tyre të tretë.
Bërja e disa ushtrimeve shpirtërore mund t’ju ndihmojë të hapni dhe mbyllni këtë vizion të jashtëzakonshëm me lehtësi.
Mprehtësia dhe të qenit të talentuar shpirtërisht
Njerëzit që kanë njohuri mund t’ju tregojnë gjëra të pranishme në dhomë që të tjerët nuk mund t’i shohin. Për shembull, ata mund të ndjejnë kur një entitet i lig hyn në dhomë. Fryma do t’ju japë ndjenja të ndryshme për të pranuar praninë.
Ndërsa rriteni në dhuratat dhe thirrjet tuaja, së shpejti do të jeni në gjendje të kanalizoni botën shpirtërore ashtu si ju vjen, por gjithashtu duhet të dini kur të mbyllni syrin tuaj të tretë për të pushuar. Të gjitha këto gjëra do të vijnë me kohën dhe praktikën.
A mendoni se jeni intuitiv? A keni përjetuar gjëra që të tjerët nuk i shohin ose i dëgjojnë? A ju quajnë njerëzit një shpirt i vjetër? Ju mund t’i mirëprisni me vetëdije këto shpirtra, ose mund t’i largoni ato.
Ju duhet ta dini se fryma është shumë bindëse kur dëshiron ta merrni përsipër. Ndërsa bëheni më të vetëdijshëm për gjërat që ndodhin në botë që shumica nuk mund t’i shihni, ju mund të rritni aftësitë tuaja.
Mos harroni, për të forcuar një muskul pasi duhet ta përdorni shpesh. Ju mund të përmirësoni aftësitë tuaja dhe të mësoni se si të kanalizoni botën e frymës për t’ju ndihmuar juve dhe atyre që janë përreth jush. Hapi më thelbësor është të pranoni që keni një dhuratë dhe ta përmirësoni atë në mënyrë që të mund të intensifikohet./shkollaesuksesit/ KultPlus.com
Papa Françesku u bëri thirrje politikanëve që të lënë mënjanë dallimet dhe të merren me krizën e koronavirusit në një mënyrë të bashkuar.
“Ne lutemi sot për burrat dhe gratë që kanë një angazhim politik”, tha ai, duke shtuar se “politika është një formë e lartë e bamirësisë”.
“(Ne lutemi) për partitë politike të vendeve të ndryshme, në mënyrë që në këtë kohë të pandemisë, ata së bashku të kërkojnë të mirën e vendit dhe jo të mirën e partisë së tyre”, tha Papa Françesku.
Udhëheqësi i 1.3 miliardë katolikëve romakë në botë nuk përmendi ndonjë vend apo personalitet politik.
Që nga fillimi i krizës së pandemisë, Papa në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen për efektet e krizës në shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht të pastrehët dhe migrantët.
Të dielën ai bëri thirrje për një vizion gjithëpërfshirës të botës pas krizës Covid-19, duke thënë se lëvizja pa solidaritet global ose duke përjashtuar një kategori të njerëzve nga shërimi do të rezultojë në “një virus edhe më të keq”/REL.
Karakteristikë e popujve të vegjël, është mburrja, pa arsye. Popujt e vegjël, mburren nga kompleksi që rrojnë vetëm sa për të dëshmuar ndodhitë. Sepse nuk mbahet mend t’i kenë sjellur të mira njerëzimit.
Kur i dëgjon shqiptarët të flasin, që do të thotë të mburren (sepse ne nuk flasim, vetëm mburremi), të krijohet përshtypja se jemi epiqendra e botës. Ne rritemi me dëftime se jemi një popull i vecantë, besnik, trim, bujar etj, dhe bëhemi besimtarë të mësimeve të gënjeshtërta.
Mosdija e tepërt që na karakterizon, na bënë të besojmë që jemi populli më intelegjent dhe më i ndritur në botë, ndërsa jetojmë të poshtëruar. Të mbytur nga varfëria, ne tallemi me intelegjencën dhe paaftësinë që i karakterizon (sipas besimit shqiptar) kombet e mëdha dhe të suksesshme të botës, që rrojnë dinjitetshëm. Kombe të cilat, (ne besojmë), e kanë vënë vendin tonë në listën e prioriteteve, për ta trajtuar.
Për shkak të mungesës së qytetarisë, ne nuk protestojmë kundër dëmeve të përditshme që na shkaktohen, por e pranojmë poshtrimin me lehtësi të papërballueshme. Mungesa e protestës, e arsyeton mënyrën tonë të jetesës. Që kur zgjohemi, qajmë për mënyrën poshtruese të jetës që bëjmë, ankohemi për keqbërjet institucionale, i japim zgjidhje politikës globale, tallemi me nivelin e intelegjencës së popujve të suksesshëm, ikjen e shohim zgjidhje, mburremi me dështimet tona, krenohemi me injorimin që i bëjmë suksesit të tjetrit, vetlavdërohemi dhe flejmë.
Vetlavdërohemi që jemi të papunë, vetlavdërohemi kur jemi protagonist të lëndëve gjyqësore, vetlavdërohemi kur presim në rradhë të gjata për t’i mar ndihmat sociale, vetlavdërohemi gjatë përjetimit të peripetive për të shkuar në Europë përmes rrugëve ilegale…
Ne i respektojmë vetëm politikanët që janë në pushtet, pavarësisht nivelit, dijes dhe intelegjencës me të cilin karakterizohen. Mjaftojnë të jenë në pushtet, që ta kenë respektin e tepruar, kushdo qofshin ata. Ne injorojmë cdo kë dhe cdo gjë, përpos interesit. Ne zgjedhim të kequdhëhiqemi me votën tonë, qëllimshëm, sepse besojmë që kequdhëheqja na mundëson të na bëjë të pasur. Mënyrë jetese e kemi zgjedhur patetizmin patriotik dhe servilizmit politik.
Sikur dhe Zoti të vinte dhe të zbriste në Prishtinë dhe të bënte një xhiro në Sheshin Nëna Tereze, paralelisht me një politikan shqiptar, nuk do ta përshëndeste askush. Shqiptarët nuk e shohin Zotin si shpëtimtarë, por e shohin politikanin. Është politikani, ai që e pamundëson ikjen. Nga ëndërrimtarët e shumtë që bëjnë xhiro të përditshme zhgënjyese, shfaqja e Zotit në Sheshin Nëna Tereze, do të komentohej me cinizëm: “Nuk e ka pranuar asnjë komb tjetër, prandaj ka ardhur tek ne”…”E gjeti të vinte tek ne të mburret”…”C’po mundohet me na tregu”…”T’kishte qenë i mirë, nuk do të kishte ardhur tek ne”…
Prandaj, Zoti rri lart në qiell, se ka frikë nga ata që vet i krijoi. Shqiptarët janë si vet shteti i tyre: Sui Generis”. “You can’t live with them, you can’t make them disappear”.
Mjerë ne, e mjerë ata që kanë punë me ne./ KultPlus.com
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja. Rekomandimi për sonte është libri “Republika” me autor Platoni.
“Republika” është vepër e shkruar në formën e dialogut sokratik nga Platoni rreth vitit 380 p.e.s. dhe flet mbi drejtësinë, rregullat dhe karakteristikat e një qytet-shteti të drejtë dhe të njeriut të drejtë. Është vepra më e njohur e Platonit dhe ka vërtetuar që është një nga veprat më me vlerë filozofike dhe politike.
Në këtë dialog, Sokrati diskuton me qytetarë të ndryshëm të Athinës mbi kuptimin e drejtësisë dhe nëse një njeri i drejtë është më i lumtur sesa një njeri i padrejtë. Ata konsiderojnë natyrën e sistemeve të ndryshme politike dhe më tej propozojnë një sërë qytetesh tjera hipotetikë, që kulminojnë me Kallipolis, një qytet-shtet që drejtohet nga një mbret filozof. Përveç kësaj, diskutohet teoria e formave, pavdekshmëria e shpirtit dhe roli i filozofisë në poezi dhe shoqëri.
Një nga temat më interesante që trajtohen gjatë veprës është principi i specializmit, pasi Platoni, në vend që ta definojë drejtësinë si norma të ndryshme sjelljeje, e identifikon atë si një lloj strukture: drejtësia politike qëndron në strukturën e qytetit; drejtësia individuale qëndron në strukturën e shpirtit. Struktura e drejtë e qytetit përmblidhet me principin e specializimit: çdo pjesëtar i shoqërisë duhet ta luajë rolin për të cilën natyra e tij është më e mirë dhe nuk duhet të përzihet në punë tjera.
Një njeri natyra e të cilit më mirë i përshtatet bujqësisë, duhet të jetë bujk. Platoni beson se kjo është mënyra e vetme për të arritur që ta bëjmë një punë mirë dhe me sa më shumë efikasitet. Principi i specializimit e ndan shoqërinë në tri shtresa: shtresa e prodhuesve (bujqit, artizanët, mjekët etj.); shtresa e luftëtarëve dhe rojtarëve; dhe shresa e sunduesve. Specializimi lejon që këto tri shtresa të mbesin të sigurta dhe të fuqishme në pozitat e tyre.
Sipas Platonit, një qytet i ndërtuar në këtë mënyrë, është një qytet i drejtë. Mirëpo, kjo është diçka që duhet të shqyrtohet dhe nga lexuesi, andaj mos e humbni këtë libër dhe lexim të këndshëm.
Historia e alpinistes së Kosovës, Uta Ibrahimi, me të gjitha sukseset e saj tashmë është përmbledhur në librin “Uta e Maleve”, shkruan KultPlus.com
“Moti kohë nuk jam ndi si sot … do ndjenja të përzime … gati gati si me ngjit Everestin edhe një herë”, ka shkruar Ibrahimi në Facebook duke paralajmëruar lansimin e tij së shpejti.
Këtu keni postimin e saj të plotë:
“Moti kohë nuk jam ndi si sot … do ndjenja të përzime … gati gati si me ngjit Everestin edhe një herë. Me tentu me nda jetën tem me në libër për fëmijë, ska qenë edhe shumë e lehtë, po gjithçka ka qenë shumë e bukur, sidomos për faktin që e kemi punu me një ekip fantastik, që dhanë shpirt në këtë libër, sa unë. Andaj, unë sot i falemderoj me zemër, Vigan Hoxha që bashk me mu ka qenë iniciator i idesë, autorës së librit Teffta Kelmendi, ilustrueses Katerina TeRi Nikolovska, Studio Permanent Nita Salihu Hoxha dhe Urtina Hoxha, Shpend Qamili, pa juve sot nuk isha kon tu e përjetu këtë ditë.
Gjithashtu, libri “Uta e maleve” është mundësuar në bashkëpunim me agjencitë e OBK-së në Kosovë – UNWOMEN, UNDP, UNFPA, UNICEF, dhe entitetet tjera të Ekipit të Kosovës të agjencive të OKB-së (UNKT), Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Fondacionin Utalaya, dhe Studio Permanent, Vi-Print dhe Dukagjini Bookstore.
Për ma shumë, kemi me ju fol live këtë të mërkure .”
Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF-it Murat Sahin dhe zëvendësministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj kanë bërë lansimin e “Pasaportës Mësimore”.
Kurti tha se kjo iniciativë është një program i shkëlqyeshëm për të rinjtë tanë, derisa ka shpjeguar tri programe të Zyrës së UNICEF-it që kanë filluar të përfshihen në kurikulën zyrtare.
“Në Kosovë, programi UNICEF bën punë të mira në monitorimin e të drejtave të fëmijëve tanë, mbrojtjen dhe përfshirjen e tyre sociale, shëndetin, si dhe edukimin gjithëpërfshirës. Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka tri programe të cilat ka filluar t’i akreditojë dhe përfshijë në kurikulën zyrtare ekzistuese të Arsimit të Mesëm dhe të Lartë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit”.
“Të trija programet e dizajnuara rreth aftësive konkrete të nevojshme për sukses në shekullin 21. I pari është Up-Shift që ka nisur së pari në Kosovë dhe pastaj është replikuar ne 21 shtete të botës. Ky program iu mundëson të rinjve hartimin e zgjidhjeve inovative dhe ndërmarrëse. Programi i dytë mëson avokimin te adoleshentët ashtu që ata do të ndikojnë në politikat në vend. Programi i tretë ndihmon të rinjtë të bëjnë lexim kritik të mediave dhe rolit të tyre në shoqëri. Edhe këto dy programe janë nisur së pari në Kosovë dhe do të replikohen nga zyrat e tjera të UNICEF-it”.
Kurti ka thënë se këto tri programe, që ai i sheh si të nevojshme dhe të rëndësishme për sistemin tonë arsimor, do të institucionalizohen në shkollat publike në nivel kombëtar.
“Ne besojmë se përfitimet nga këto programe do të jenë të shumta, së pari duke adresuar mospërputhjen e sistemit arsimor me kërkesat dhe mundësitë për punësim. Gjithashtu duke i dhënë nxënësve mjete për të qenë aktiv dhe produktiv”.
“Lansimi që po bëjmë sot është rezultat i punës së mirë që ka bërë Zyra e UNICEF-it në Kosovë. Kosova është zgjedhur një nga tre vendet e botës që të nisë të testojë dhe të pilotojë iniciativën e ‘Pasaportës Mësimore’. Në bashkëpunim mes UNICEF-it, Korporatës Teknologjike Amerikane Microsoft dhe Universitetit “Cambridge” ‘Pasaporta Mësimore’ do të zhvillojë një platformë digjitale të personalizuar e cila do të sigurojë se fëmijët dhe të rinjtë vazhdojnë mësimet kudo që të jenë dhe në çdo kohë krize, sikur kjo kriza aktuale e shkaktuar nga pandemia në sistemin tonë arsimor”.
“Të trija iniciativat që kanë nisur në Kosovë do të digjitalizohen dhe do të jenë pjesë e ‘Pasaportës Mësimore’ në dispozicion për të rinjtë e Kosovës dhe mbarë botës”.
Shteti ynë i dashur I respekton të drejtat e njeriut Në çdo njëzet e katër orë Liri falas një orë e gjysmë Me u shastisë duke shëtitur vetminë Kur rendi përcaktohet shumë saktë Nga numri i parafundit i letërnjoftimit Liri falas një orë e gjysmë
Asnjë sekondë më tepër Në çdo të tretën ditë Ndërron orari i lirisë Me dekret për të panjohuren Që mund të na gjejë kudo Edhe në ëndrra të bukura
Edhe pa ia ofruar dorën askujt Vetëm për ta kënaqur mallin e syve Në çdo njëzet e katër orë Liri falas një orë e gjysmë Mjafton sa për ta qetësuar frikën Mjafton sa për t’i shëtitur shpirtrat Nëpër trotuaret e qytetit bosh Derisa prapë t’i vijë rendi secilit Për t’u bërë i lumtur me vetveten Si njerëz të shndërruar në numra Në çdo njëzet e katër orë. / KultPlus.com