Shkrimtari Filip David: Politika në Serbi është skizofrene

Letrari beogradas, esteti dhe dramaturgu Filip David, ka deklaruar se politika e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq është skizofrene dhe se në Serbi kanë fituar forcat e ish -kryetarit të ish RF të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, për të cilat, ka thënë ai, kishte besuar se janë pjesë e të kaluarës, transmeton Koha.net.

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Beograd, David ka theksuar se Vuçiq pas këtyre zgjedhjeve ka marrë pushtetin absolut në Serbi.

„Opozita është shpartalluar! Ajo nuk ka më asnjë forcë, madje e ka të vështirë edhe ta kalojë censusin prej 10 për qind. Problemet u krijuan kur Vuçiq filloi politikën proeuropiane të disa partive të forta opozitare. Në këtë mes opozita serbe nuk u gjend“, ka thënë David për Radio Sarajevën, përcjell “danas”.

Sipas fjalëve të tij, problemi më i madh qëndron në faktin se është pikëpyetje e madhe se sa është e sinqertë politika proeuropiane e Vuqiçit.

Sepse, po shikuat se çfarë shkruajnë mediet që janë nën kontrollin e tij, ata tabloidë, televizione, Pink e të ngjashëm, të gjitha ato janë kundër Europës, ato të gjitha janë me orientim prorus, ka shtuar ai.

“Kështu ai sjell hutim të madh. Dikush që vështron nga anash, pyetet nëse vërtetë kjo është një politikë e sinqertë. Nëse mediet nën kontrollin e Vuçiqit zbatojnë politikën e tij, atëherë ajo politikë duhet të jetë proeuropiane”, ka thënë David.

Sipas mendimit të tij, kjo politikë e Vuçiqit është skizofrene. Kjo vërehet edhe tek opinioni serb.

Siç ka sqaruar ai, përkundër politikës proeuropiane të Vuçiqit, anketat tregojnë se vetëm 20 për qind e banorëve të Serbisë dëshirojnë të hyjnë në BE. Kështu, sipas Davidit, shtrohet pyetja se ç’rezultate do të sjellë referendumi nëse ai mbahet për këtë çështje.

„Është e qartë se ndihma financiare një ekonomie shumë të mjerë të Serbisë që po përpiqet të mëkëmbet, vjen nga Bashkimi Europian. Të gjitha financimet. Nga Rusia pak gjë nga kjo vjen. Kështu që janë disa arsye konkrete pse pushteti në Serbi thirret gjithnjë në BE, e nën tryezë punon për zgjidhje të tjera “, thekson David.

Ai është i brengosur me faktin se udhëheqja e Serbisë ka kontakte ose përkrahet nga qarqe djathtiste në Europë, të cilat siç treguan zgjedhjet italiane, gjithnjë e më shumë po forcohen që nga Hungaria, Franca e Çekia.

Duke folur për trendin që vende të fuqishme të BE-së favorizojnë Vuçqi derisa mbyllin sytë çfarë bën ai në Serbi e në Ballkan, David shton se Europa nuk ka zgjidhje tjetër.

„Ai është kryetar. Po i fiton bindshëm zgjedhjet . Politikanët europianë kanë besim në të sepse nuk kanë në kë tjetër. Kujtojeni historinë e Jugosllavisë në kohën e Milosheviqit”, ka thënë ai.

Sipas fjalëve të tij gjysma e qeverisë serbe janë fytyra nga vitet e 90 – ta për të cilat është menduar të kenë ikur përgjithmonë nga skena politike “.

Ai ka vërejtur se politika që Vuçiq e zhvillon ndaj B e H-së, duke e përkrahur Milorad Dodikun, është njëra nga gjërat që shkon kundër politikës proeuropine të udhëheqjes serbe.

„Ato marrëdhënie me Dodikun… E fundit është se Dodik erdhi dhe votoi në Beograd!? Kjo nuk është më dyfytyrësi, por tragjikomedi. Dhe e gjitha kjo shpie nga një politikë, mjaft konfuze , e cila përpiqet të gjendet atje ku ka më shumë dobi. Të marrë para anash. Arsyeja thotë merrni para nga BE e me zemër jemi të afërt me rusët, rusët janë aleatët tanë të vërtetë” ka përfunduar Filip David.

Ndizen Zjarret në Prekaz

Një zjarr i madh i ndezur në fshatin Prekaz ka shënuar Natën e Zjarreve manifestim që mbahet çdo 7 mars.

Zjarre të ngjashme janë ndezur edhe në të gjitha vendet e Kosovës ku janë zhvilluar betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky manifestim përmbyll Epopenë e UÇK-së që ka filluar më 5 mars për nder të rënies së komandnatit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.

Një manifestim kulturoro-artistik për nder të kësaj dite do të mbahet në Skenderaj. / KultPlus.com

Pesë elementet për një punë të mirëfilltë artistike, sipas francezit André Gide

Nobelisti Andre Gide dëshiron të na dritësojë mendjen. Një punë e artit, e artit të bukur të botës të cilin nuk ka sy njeriu që nuk e çmon, për të qenë e përjetuar duhet të përmbajë këto pesë elemente.

Por, para se ti zbulojmë elementet, titani i letërsisë dhe fituesi i Nobelit për Letërsi, francezi Gide – i cili vdiq në vitin 1951, duhet lexuar në vazhdimësi për librat të cilat ia dha botës, dhe ia la në fund asaj.

“Të gjitha punët artistike janë të vështira. Ai që i sheh si të lehta, ka dështuar ta kuptojë esencën e veprës” tregon Gide.

Për pesë elementet që e përbëjnë një vepër të mahnitshme arti, ai thotë
– Rendi (logjika, dispozita e arsyeshme e pjesëve)
– Bukuria (profile, linja)
– Luksi (Pasuria e disiplinuar)
– Qetësia (Qetësimi i trazirës emocionale)
– Kënaqësia e shqisave, ndjenjave (sensualiteti, aktraktiviteti

Andre Gide i ka lënë të shkruara pasuritë e tij dhe këshillat e tij në “The Journals of Andre Gide”.

Gide e fitoi Nobelin në vitin 1947. Atë e influencuan Franz Kafka, Niçe, Dostojevski, Tagora e Stephane Mallarme. / KultPlus.com

Fotografi të vjetra të mësuesve dhe nxënësve nga qytete të ndryshme të Kosovës

Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, shkruan KultPlus.

Kështu Mësonjëtorja e Korçës u bë shkolla e parë e demokratike, kombëtare, dhe laike e gjuhës shqipe. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.

Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës, sot kanë ndarë fotografi të vjetra të mësuesve dhe nxënësve të qytetit të tyre.


Fillimisht po ju sjellim një fotografi nga qyteti i Mitrovicës. Në këtë fotografi të publikuar nga Mensur Culi Deva shihet mësimdhënësit mitrovicas me disa nxënëse pas Luftës së II-të Botërore. Fotografia është shkrepur në oborrin e familjes Zymi. Nga e majta,në këmbë: Dr. Myhedin Salihamixhiq, Xhabir Xhabiri, Halit Zymi, Mysherefe Mustafa, Prof. Musa Deva, Stefan Zorba (drejtor) dhe Veton Gjinaj. Ulur nga e majta: XX, XX, XX, Fikrije Deva dhe Myvedete Raifi.


Një fotografi tjetër e publikuar po ashtu nga Mensur Culi Deva paraqet nxënësit e qytetit të Gjakovëss me mësuesin Musa Deva. Fotografia është shkrepur në vitin 1946, në xhaminë e Mahallës së Hadumit.


Fotografia tjetër vjen nga qyteti i Istogut. Kjo fotografi e publikuar nga Arita Dreshaj tregon mësuesin Imer Sadik Dreshaj i cili shihet me nxënësit e tij në fshatin Vrellë të Istogut.


Po ashtu nga ky qytet po ju sjellim edhe një fotografi të publikuar nga Astrit Rexhaj ku shihet mësuesja Xhejrane Rexhaj së bashku me nxënësit. “Koha ishte bardhë e zi por edukimi ishte me më shumë kualitet se sot”, ka shkruar Rexhaj në këtë postim.


Be Shala ka publikuar një fotografi nga qyteti i Pejës, në këtë fotografi shihet një orë mësimore në qytetin e Pejës. Mësuesi në fotografi është Abdullah Shala, ndërsa fotografia është shkrepur më datë 25 maj 1956.


KultPlus ju sjellë edhe një fotografi nga nxënësit e qytetit të Vushtrrisë. Kjo fotografi e publikuar nga Rexhep Karakashi është e shkrepur gjatë viteve të 50-ta ndërsa në fotografi shihet mësuesi Shefqet Karakashi së bashku me nxënësit e tij. / KultPlus.com

‘Monologjet e Vaginës’, për gruan, për seksualitetin dhe për pranimin e vetes

Gili Hoxhaj

Janë bërë 20 vite qëkur doli botimi i parë i librit “Monologjet e Vaginës” nga autorja Eve Ensler. Këtë vepër mbrëmë në Teatrin “Oda”, e solli Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis, ndërsa gjithë shfaqja ishte dedikim i aktivizmit feminist dhe si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave.

Ani pse kjo vepër ishte shkruar para dy dekadave, dukej se çdo fjalë qëndronte mirë në kontekstin e realitetit.
“Vagina” është kryefjala e shfaqjes, përmes monologjeve aktoret sjellin një ndërlidhje të eksperiencave seksuale me gra dhe burra, për imazhin e trupit e të pranuarit të vetes, për procesin e riprodhimit e të gjitha këto eksperienca kapin realitetin e gruas që nga një moshë e re, e deri tek një moshë më e shtyrë.

Kjo shfaqje mbrëmë erdhi nën regjinë e regjisores dhe aktivistes së njohur Zana Hoxha- Krasniqi, e cila kishte ndërfutur elemente që shfaqja të komunikonte në mënyrën më të mirë të mundshme me publikun. Monologët ngadalë transformohen në dialogë mes artisteve, pa anashkaluar edhe reagimin e publikut.

Kjo shfaqje kishte mbledhur emrat më të njohur të aktrimit në Kosovë, po ashtu dhe aktivistet e shquara të vendit. Për rreth dy orë, teksti provokues u performua nga Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic dhe Alketa Sylaj.

Ato, që në ardhje pranuan duartrokitjet e forta të audiencës që kishte mbushur Teatrin “Oda”. Aktorja Alketa Sylaj është ajo që i pret të gjitha në skenë, e ajo që publikut i shërben muzikë pas çdo monologu. Më shumë se kaq, ndërfutja e saj në monologjet e tyre shpesh ngjalli të qeshurat e publikut. Aurita Agushi është ajo që e hap mbrëmjen ndërsa monologu kalon radhazi tek të gjitha aktoret e ngjitura në skenë e që me stolitë e tyre në kokë kishin marrë një pamje prej aristokrateje.

Regjisorja Zana Hoxha- Krasniqi menjëherë pas shfaqjes ndau emocionet e saj. Ajo tha për KultPlus se ndihet shumë e lumtur me rezultatin e shfaqjes, kjo bazuar edhe në reagimin e publikut dhe në energjinë që e përcollën aktoret. Edhe pse realizimi i kësaj shfaqje ka qenë një proces i shkurtër i punës, ajo thotë se këtë rezultat e kanë nxjerrë kasta e aktoreve që e kanë punuar me pasion dhe përkushtim.

“Ky tekst ka qenë edhe herëve tjera në Kosovë por me lejen e Eve Ensler dhe me përkrahjen e Igballe Rugovës kemi arritur që këtë tekst ta marrin falas dhe ta shënojmë 20 vjetorin e veprës edhe këtu në Kosovë. Puna për shfaqje ka qenë një proces i shkurtër por me shumë pasion, dashuri dhe sinqeritet”, u shpreh Zana Hoxha-Krasniqi.

Veçantia e kësaj shfaqje qëndron pikërisht tek interaktiviteti i aktoreve, e që regjisorja e ka bërë këtë qëllimisht në mënyrë që të krijohet një pjesëmarrje dhe që publiku të bashkëndjejë. Kjo vërehet edhe në pozitën e aktoreve që janë shumë pranë dhe përballë me publikun.
“Edhe pse qasja e tekstit është e tillë që ka humor, unë e kam shtuar dozën e humorit në mënyrë që shfaqja të komunikojë më afër me publikun dhe që ta celebrojmë faktin që jemi gra, që në këtë 8 mars të jetë edhe si një lloj proteste dhe festim i asaj që ne jemi dhe asaj se çfarë ne sjellim çdo ditë në jetët e të tjerëve jo vetëm si nëna por edhe si gra beqare apo çfarëdo që dëshirojmë ne të jemi dhe jo çfarë pret shoqëria nga ne që të jemi”, sqaroi regjisorja Hoxha-Krasniqi.

Anisa Ismajli ishte në mesin e pothuajse dhjetë aktoreve të tjera. Loja e saj komunikoi mjaft mirë me publikun, por e veçanta e saj është se ajo tekstin e kësaj vepre e kishte luajtur në Teatrin “Oda”, para pesëmbëdhjetë viteve me 1 mars, ndërsa pasoi dhe një lexim i mëhershëm skenik në Festivalin “FemArt”. Mbrëmë aktorja u kthye me interpretimin e një teksti tjetër nga ai i viteve të mëhershme.

“Është shfaqje shumë e guximshme dhe që atëherë i ka thyer tabutë ndërsa reagimi i njerëzve ka qenë gjithnjë që ta sjellim përsëri këtë shfaqje në skenë. Shfaqje të tilla duhet të bëhen më shpesh dhe e bukura është që kjo vepër shënon20 vjetorin në mbarë botën kurse unë jam e lumtur që kjo vepër po interpretohet edhe në Kosovë dhe që unë jam pjesë e saj”, tregoi aktorja Anisa Ismaili, e cila tha se tashmë kjo shfaqje i tejkalon përmasat e leximit skenik dhe asaj do t’i pëlqente ta quante performancë.

Në anën tjetër, monologu i Vjosa Abazit flet për aktin e lindjes, e që është një proces shumë i vështirë. Abazi tregoi për KultPlus se reagimi i publikut është sinjalizuesi më i mirë që ne si shoqëri kemi nevojë që më shumë të flasim për tema të tilla dhe komunikimi më i shpeshtë artistik bën që edhe shoqëria të jetë më e hapur.
“Unë u mundova me e shpjegu procesin e lindjes që është një proces shumë i vështirë për gruan dhe jo të gjithë ia dinë, sidomos gjinia mashkullore. Tregohet gjatë shfaqjes, shpjegohet psikologjia e burrave të cilët edhe nuk mund ta dinë vështirësitë e grave”, tregon Vjosa Abazi, e cila rrëfen se tekstin e kësaj shfaqje e ka ushtruar edhe pranë djalit të tij të madh, në mënyrë që edhe ai të jetë i vetëdijshëm se në çfarë procesi kalojnë gratë për t’i sjellë fëmijët në jetë.

Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.

Gjakova është destinacioni i radhës ku do të shkojë shfaqja.

Publiku i Gjakovës mund ta shoh këtë shfaqje me datë 8 Mars, në hapësirën e kafe-barit Del House – Te Beka duke filluar nga ora 20:00.
Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicër./ KultPlus.com

Një vit nga vdekja e shkrimtarit Arif Demolli

Marsin e vitit të kaluar ndërroi jetë gazetari e shkrimtari Arif Demolli.

I njohur për tregimet e tij të veçanta për botën e fëmijëve, Demolli do të largohej nga kjo jetë papritur, duke lënë si trashëgimi një letërsi të veçantë për shqiptarët.

Tregimet e tij janë përfshirë në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptarë. Librat ‘Ballkonet e një qyteze’ dhe ‘Pëllumbat e kujtimeve’ i janë ribotuar edhe në Tiranë. Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.

Në vitin 2015-të, Demolli morri Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”.

Në mesin e veprave letrare të Demollit numërojmë “Vdekja e Arkanit”, “Njeriu i blertë”, “Ante portas”, “Farët Magjike” dhe libra e vepra të tjera.

Ai ka lindur në Gllogovicë të Prishtinës. Ka përkthyer madje edhe një vepër të nobelistit Bertrand Russell. / KultPlus.com

Adem Jashari me shokë te monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Në këtë fotografi shihet komandanti Adem Jashari me të tjerë shokë para statujës së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Tiranë.

Jara Spahiu e ka shpërndarë fotografinë e veçantë, e cila sidomos këtë muaj duhet të shikohet dhe mbi të edhe të reflektohet. Muaji mars shënon edhe Epopenë e UÇK-së dhe kohën kur kujtohen të gjithë dëshmorët që luftuan për lirinë e Kosovës.

Në këtë fotografi, shihet Kadri Veseli afër Adem Jasharit. Aty po ashtu është edhe Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, e të tjerë.

Fotografia e “Grupit të Prekazit” është shkrepur në Tiranë. / KultPlus.com

13 librat që ndikuan në mendjen e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez pati disa libra të cilët e influencuan atë gjatë jetës.

Shkrimtari i njohur dhe i pëlqyer kudo në botë, i cili ndërroi jetë në prillin e vitit 2014-të, në një libër autobiografik ka lënë edhe listën e librave të cilët sipas tij kanë ndikuar në mendjen dhe në filozofinë e tij mendore.

Kjo listë fillon me “Malin Magjik” të Tomas Manit dhe përfundon me “Zonja Dalloway” nga Virginia Woolf.
Marquez, ky shkrimtar fantastik, kujtohet për librat që na la trashëgimi, përfshirë këtu “Dashuri në kohërat e kolerës”, “1000 vjet vetmi”, “Kolonelit nuk ka kush ti shkruajë” dhe libra të tjerë, shkruan KultPlus.

Po e paraqesim këtu këtë listë, disa prej librave janë të përkthyer në gjuhën shqipe ndërsa të tjerë janë vetëm në gjuhën angleze apo në gjuhën të cilën janë shkruar.

Mali Magjik – Thomas Mann
The Man in the Iron Mask – Alexandre Dumas
Uliksi – James Joyce

The Sound of the Fury – William Faulkner
As I Lay Dying – William Faulkner
The Wild Palms – William Faulkner

Oedipus Rex – Sofokliu
The House of the Seven Gables – Nathaniel Hawthorne
Mobydick – Herman Melville
Metamorfoza – Franz Kafka
Alefi dhe tregime tjera – Borges
Orlando – Virginia Woolf
Mrs Dalloway – Virginia Woolf

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.

Ermonela Jaho bashkon shqiptarët e famshëm në New York

Opera “Madama Butterfly” e Puccinit solli në rolin e “Ço Ço Sanit” sopranon shqiptare Ermonela Jaho në ‘The Met Opera’ në New York.

Ky rol i cili erdhi nën interpretimin e sopranos shqiptare solli emocione të forta në skenë dhe u shoqëruar me ovacione të shumta nga audienca . Ermonela Jaho interpretoi rolin e “Ço Ço Sanit” me shprehje delikate të fytyrës, ecje të ndrojtur, gjestet e dorës dhe absolutisht me zërin brilant, dhe arriti të ”robërojnë” audiencën me vuajtjen e personazhit kryesor.

Për këtë performancë të mrekullueshme, për të gjithë kontributin e saj dhe prezantimit dinjitoz që i ka bërë Shqipërisë, ambasadorja e Shqipërisë në USA, Besiana Kadare ka organizuar një festë në nder të sopranos Ermonela Jaho, që bëri bashkë emra të njohur shqiptar si Shpëtim Saraçi dhe bashkëshortja e tij Mira Konçi, Fadil Berisha, etj.

Fotot janë shpërndarë në rrjetet sociale nga Shpëtim Saraçi, i cili prej pak kohësh është zhvendosur në Amerikë së bashku me familjen.

“Në festën e organizuar nga ambasadorja shqiptare në misionin pranë UNITED NATIONS Besiana Kadare dhe Fadil Berisha për nder të sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Kënaqësi e madhe dhe privilegj që u ndodhem në një ambient të tillë”, shkruan ai. / KultPlus.com

Poezi e kangë të zemrës për regjisorin Bekim Lumi

Për regjisorin Bekim Lumi po vazhdon solidarizimi i artistëve dhe qytetarëve, në mënyrë që ai të gjejë shërimin e tij nga kanceri.

Në vazhdën e plot ngjarjeve që po mbahen për të ngritur fonde për regjisorin e njohur, me datë 13 mars do të organizohet një mbrëmje kulturore me artistë të ndryshëm.

Me fillim prej orës 20:00, me datë 13 mars, në Qendrën Multimedia vjen një organizim me muzikë e poezi. Shpëtim Selmani do ta promovojë librin e tij më të ri, dhe do të lexojë poezitë e tij, ndërsa Rona Nishliu e Ilir Bajri do të vazhdojnë me këngët e zemrës për Bekën.

Hyrja në organizimin kulturor është 3 euro, ndërsa gjithçka po organizohet në kuadër të fushatës humanitare për të ndihmuar Bekim Lumin. / KultPlus.com

Para 31 vitesh, Hamëz Jashari dhe Ilir Shaqiri duke kënduar (VIDEO)

Një komandant dhe një luftëtar i zoti, Hamëz Jashari do të kujtohet edhe si një shpirt artisti.

Në këtë video e cila daton 31 vite më parë, Hamëz Jashari është pjesë e Ansamblit Drenica dhe performon kësisoj një këngë të fuqishme.

Ndryshe, Hamëz Jashari dhe Ilir Shaqiri njihen si themeluesit e Ansamblit Folklorik “Drenica” dhe të njëjtin ansambël e kanë udhëhequr deri më 1990.

Hamëz Jashari kishte një dashuri të veçantë për artin. Shkruante dhe vizatonte bukur. I pëlqente shumë edhe teatri, gjithashtu iu binte disa veglave muzikore dhe këndonte bukur. Ishte i martuar me Feride Mecinin nga Klina e Epërme e Skenderajt. / KultPlus.com

Modelja Emina Cunmulaj, me dimije e jelek në Amerikë

Një prej fotomodeleve më të mira shqiptare, Emina Cunmulaj vazhdon të mos e harrojë origjinën e saj shqiptare.

E kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, projekti i saj i radhës ka të bëjë me kostumet shqiptare.
Emina dhe vajza e saj kanë pozuar kësisoj me dimije e jelek, ose dallama, për projektin e radhës. Ajo është fotografuar nga Artan Korenica.

“Vajza ime po ndihet e veçantë në këto kostume tradicionale” ka shkruar Cunmulaj. Ajo është parë në disa lokacione duke u fotografuar nga Korenica, ndërsa ende nuk dihet a bëhet fjalë për vetëm një sesion të fotografive apo për një projekt më të madh artistik.

Cunmulaj është 33 vjeçare, e martuar me Sam Nazarian që nga viti 2015-të. / KultPlus.com

Cili është libri më i mirë për fëmijë në Shqipëri?

Një bashkëpunim në mes të shkollave nga Evropa ka sjellë një rezultat fantastik për ata që e duan letërsinë për fëmijë.

Shkollat nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Portugalia, Spanja, Lituania dhe Çekia kanë punuar së bashku për projektin “READ AND SHARE” – ku kanë analizuar librin më të mirë për fëmijë në disa prej shteteve të Evropës, shkruan KultPlus.

“Pipi Çorapegjata” është libri më i mirë për fëmijë nga Suedia, ndërsa “Princi i Vogël” është libri më i mirë për fëmijë i shkruar në Francë, nga Exupery.

Në Belgjikë, libri më i mirë për fëmijë është “Aventurat e Tin Tinit”, e në Itali libri më i mirë është “Aventurat e Pinokios” nga Carlo Collodi, ndërsa në Shqipëri del se libri më i mirë është “Aventurat e Çufos” me autor Gaqo Bushakën.

Gaqo Bushaka është një nga autorët më të suksesshëm në Shqipëri. Ka kontribuar në lëvrimin e një lloj përralle “të re” për fëmijët që e bën të pëlqyeshme dhe tepër interesante. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhje të suksesshme përrallash si Arushi që kërkonte babanë, Në ishullin e dallëndysheve, Amaneti i dhelprës, dhe Përralla u la për nesër. Vepra që e bëri tepër të njohur ishte trilogjia Aventurat e Çufos e përbërë nga përrallat Çufoja dhe Bubi kaçurrel, Pushimet e Çufos, Çufoja në shtëpinë e çudirave. / KultPlus.com

Haki Misini me bashkëshorte dhe fotografitë që nuk humbasin

Haki Misini do të ishte një prej emrave më të mirë të gjeneratës së tij.

Një muzikant i fuqishëm dhe një shpirt i veçantë njeriu, Haki Misini ishte pjesë e grupit MAK. Megjithatë, forcat serbe nuk e kursyen as atë, duke e vrarë kështu një zë të madh për shqiptarët.

Misini ishte vrarë pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, të paktën kështu rrëfen sot djali i tij Urim Misini, sot punonjës në transmetuesin publik.

Në këtë fotografi e shohim Haki Misinin dhe bashkëshorten e tij.

Frupi MAK, i themeluar në vitin 1973, ishte grupi më i njohur në atë kohë dhe konsideroheshin edhe themelues të rock skenës kosovare.

Anëtarët e këtij grupi ishin edhe Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. / KultPlus.com

Alpinistja Uta Ibrahimi takohet me Erion Veliajn

Uta Ibrahimi, alpinistja shqiptare e cila ka arritur majat e ndryshme me anë të pasionit të saj për natyrën, është takuar sot me Erion Veliajn – të parin e Tiranës.

“Shumë kënaqësi të takoja Uta Ibrahimin dhe të dëgjoja eksperiencën në alpinizëm, dashurinë për natyrën dhe planin për të ngjitur 14 majat e Himalajave” ka shkruar Veliaj në Facebook derisa ka postuar fotografi me Utën, një vajzë e guximshme e cila ka inspiruar edhe të tjerët me vendosmërinë e saj.

“Shume kenaqesi me e taku nje kryetar komune kaq te afert me popullin e vet! Faliminderit per mbeshtetjen dhe kohen” është përgjigjur Uta Ibrahimi.

Uta është ngjitur edhe në Maja Yalung, Olimp, Maja Nurbu, Maja Ramadung dhe në disa lokacione të tjera për ngjitje.

Veliaj e ka shpërndarë edhe linkun për të ndihmuar Utën në rrugëtimin dhe planet e saj. / KultPlus.com

“I papranueshëm rrëzimi i ndërtesës që dikur ishte konsullata e Serbisë”

Gjatë ditës së sotme, objekti i mbrojtur si trashëgimi kulturore që gjendet në zonën e vjetër të qytetit, ka filluar të shembet, njoftojnë kështu nga Komuna e Prishtinës.

Yll Rugova, drejtor në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka dhënë më shumë detaje.

“Sot është stabilizuar objekti i ish-Konsullatës Austriake në Prishtinë për të siguruar pjesët jostabile të saj. Objekti tashmë nuk e paraqet rrezikun për qytetarët. Pas 20 vjet neglizhence institucionale Komuna e Prishtinës ka ndarë fonde për konservimin dhe rekonstruktimin e këtij objekti në gjendjen origjinale” ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

“Politikisht e pamençme dhe kulturalisht e papranushme është rrëzimi i ndertesës 120 vjeçare që dikur ka qenë konsullata e Serbisë. Kjo bahet temë në Këshill të Sigurimit që dmth fshijeni UNESCO-n dhe në anën tjetër Prishtina e hup edhe ni monument të pjesës së vet të vjetër” ka shkruar në anën tjetër Rron Gjinovci, aktivist, duke reaguar rreth shkatërrimit të këtij objekti. / KultPlus.com

“Si topin ti po më gjun, si lodër me mua lun” (VIDEO)

Mënyra më e mirë për ta nisur javën është dëgjimi i këngëve të Aidës dhe Armendit.

Dhe kur i kujtojmë ata dy, e kujtojmë këngën “Ti nuk më meriton”.

Kënga e Armend Rexhepagiqit dhe Aida Barakut edhe sot ka fansat e saj, ndërsa mbetet një këngë që sjellë me vete edhe kohën dhe realitetin e asokohshëm.

Me këtë këngë, Armendi e Aida morën pjesë para disa vitesh në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar në Shqipëri, duke sjellë një performancë të paharruar.

“Si topin ti po më gjun, si lodër me mua lun, ti nuk më meriton” është ndër frazat e kapshme të këngës e cila nuk duket se e lejon kohën ta pluhurosë.

Aida e Armendi kanë ndaluar së bëri muzikë në mënyrë aktive, por deri në projektin e radhës nga ata, ne vazhdojmë me melodinë e kësaj kënge në kokë. / KultPlus.com

Arsyeja pse Dua Lipa e ndryshoi urimin për ditëlindjen e babait të saj

Ajo dje ka postuar një fotografi në Instagramin e saj, ku uron ditëlindjen e babait të saj, Dukagjin Lipës. Dhe duke qenë se Dua Lipa përcillet me interesim të madh edhe nga fansat e saj në Malajzi, fjala “babi” të cilën ajo e ka përdorur në postim ka zgjuar pak debat të panevojshëm

Dua është e njohur në Malajzi. Por në gjuhën e vendit, në Malajzi, fjala “babi” përkthehet në “pig” (derr / thi).

Komentuesit nga Malajzia kanë bërë shaka në llogari të kësaj fjale dhe më pas Dua Lipa e ka zëvendësuar fjalën me përkthimin në gjuhën angleze.

Worldofbuzz e ka dhënë lajmin ndërsa ka shkruar se Dua vjen nga Kosova dhe se ajo e ka uruar babin e saj në mënyrën më të mirë, në gjuhën e saj amtare.

Sidoqoftë, të jesh Dua do të thotë të pranosh edhe kritikat. Ajo ka reaguar me një koment në Instagram duke treguar se jo të gjithë njerëzit transmetojnë negativitet dhe gjejnë të tilla lidhje mes fjalëve.

Dukagjin Lipa, babi i Dua Lipës, është një fytyrë e njohur në Kosovë dhe dikur pjesë e Grupit ODA.

Sa për Dua Lipën, do ta kemi verës në Prishtinë, me një koncert që është paralajmëruar ta sjellë krijuesen e “New Rules” në qytetin ku ka jetuar për disa vite. / KultPlus.com

Rade Šerbedžija: Djaloshi shqiptar nga Kosova

Rade Šerbedžija

(fragment nga libri biografik “Deri në frymën e fundit” (“Do poslednjeg daha”), Podgoricë, 2013)

Por, një njeri mundet me qenë i huaj edhe në shtëpinë e tij, në rrugën ku ka le, në qytetin e tij të lindjes. I huaj bëhesh, sepse të këtillë të shpall mjedisi në të cilin jeton, por i tillë bëhesh edhe me vetë vendimin tënd.
Shqetësimi të çon kah e reja, e duke bredhë kështu zvogëlon gjerësinë e së panjohurës dhe kultivon guximin në qenien tënde.

A ishte aj i riu nga Kosova, të cilin e zura në gojë kur përshkrova sikletin tem gjatë provimeve pranuese në Akademinë e Teatrit, shpirt kureshtar i nxitur nga ankthi apo një jabanxhi me instinktet e lindura të humbësit?
Aj u shfaq në skenën e vogël të Akademisë së Teatrit dhe doli para reflektorëve që ndriçonin trupin dhe fytyrën e tij të dobët e të fuqishëm. Tepër mashkullor për moshën e tij, aj i bëri këta pak hapa drejt skenës së vogël dhe u ndal në mes të saj me vetëbesim. Dikush nga profesorët e pyeti se çfarë kishte përgatitur dhe aj, me një kroatishte të dobët, e cila atëherë ende quhej zyrtarisht kroato-serbishte, tha se kishte përgatitur poezi të Edgar Allan Poes dhe monologë nga Makbethi dhe Hamleti.
– Le ta dëgjojmë poezinë, – tha nga errësira një nga zërat e profesorëve.

Aj filloi të recitonte në gjuhën shqipe. Pas disa vargjeve, i njëjti zë e ndërpreu.
– Më falni, djalosh, kjo ësht Akademia Teatrore e Zagrebit dhe në të, sipas rregullave, duhet me folë e me studiu në gjuhën kroate.
Pasoi një heshtje.
Qëndroi i palëvizshëm, me vështrim kah errësira para tij. Sikur përpiqej me gjetë se nga vinte zëri që e ndërpreu derisa recitonte poezinë.

Mënyra se si e përmbushi këtë pauzë të pakëndshme dhe një energji e veçantë që rrezatonte gjithë trupi i tij e gozhdoi heshtjen në sallën e vogël të teatrit.
“A ësht këtu Rade Šerbedžija – pyeti, duke theksu rroken e fundit të mbiemrit tem.
– Po, – thashë, – duke bëza nga errësira.
Ngadalë shikoi kah ajo pjesë e errët e sallës së errët prej nga erdhi zëri jem. Pastaj ngadalë lëvizi dorën kah xhepi i brendshëm i xhaketës së tij të zezë prej meshini, dhe Tom Durbešići, i cili ishte ulur pranë meje, briti, ashtu qysh bënte gjithmonë me humorin e tij:
– Revolver!

Aj nxori një letër dhe e zgjati kah errësira.
– Kjo ësht një letër prej profesorit tem, Istref Begollit. Për ju!
Gjestet e tij të kursyera dhe zëri i tij i vendosur e bëri edhe profesor Marinkoviçin të mbetej i nemitur.
Iu afrova skenës dhe e mora letrën që ma dha.
– A ta lexoj? – i pyeta kolegët e mi, të cilët do të më kishin thënë që ta lexoj në shtëpi, po të mos kishte qenë letër e Istref Begollit, një aktori të madh nga Kosova, të cilin të gjithë njerëzit e teatrit në Jugosllavi e donin dhe e nderonin në mënyrë të veçantë.

– Lexoje pashë besën. Qysh jo – tha prap profesori Marinkovići, i cili e kishte qejf gjithmonë me befasu komisionin e teatrit e, shpesh, edhe me e ngacmu me pyetjet dhe vërejtjet e tij. Specialiteti i tij ishte me u shtru pyetje të tilla kandidatëve të cilave asnjë prej profesorëve të nderuar, përveç Kosta Spaićit dhe ndoshta Nikola Batušićit, nuk dinin t’u përgjegjeshin.
Më kujtohet njëherë kur një djalë i ri nga Karlovci, pas monologut të tij të paraqitur mirë, në pjesën e pyetjeve teorike, pyeti se cili ishte aktori i tij i preferuar kroat. Mbasi ngurroi për pak çaste, i riu pyeti nëse doemos lypsej të përgjigjej, sepse në komision ishin ulur gjithë aktorët më të mirë të teatrit.
– Jo nuk të lypset, qebesa, asgjë këtu nuk ësht e domosdoshme, por diqysh mua më intereson…
– E pra, nga aktorët kroatë, me të dashur e kam dashur, Fabijan Šovagovićin. Prej shkrimtarëve e du më shum, shtoi, Miroslav Krležan.

Nga errësira shpërtheu një e qeshur.

E lexova letrën e shkurtë të Begollit në të cilën na luste që t’i kushtojmë vëmendje këtij djaloshi, sepse këtë e meritonte talenti i tij. Të gjithë në teatrin e Prishtinës i besojnë talentit të tij dhe që ësht i sigurtë që po e pranuam, ky djalosh për një vit do ta mësonte gjuhën kroate për bukuri.
Pas letrës, njëri nga Komisioni përsëriti se na vinte keq, por ligji ishte ligj dhe se tashmë kishin lajmëru për hyrjen kandidatin e ri. Kërkova nga Komisioni që, megjithatë, të dëgjonim monologun e Makbethit, duke dashë kështu të lehtësoj pak dhembjen e këtij të riu, i cili duhet të kishte bë udhë dy ditë nga Kosova në Zagreb dhe për të cilin vetëm fakti që disa profesorë atje e kanë dëgju do të ishte njëfarë satisfakcioni i “Misionit të pamundur” të tij, paraprakisht të dënuar me dështim.
Të gjithë u pajtuan dhe aj filloi, pas disa çastesh heshtjeje, monologun e tij.
Çdo lëvizje ishte e saktë dhe e matur, çdo fjalë ishte goditëse dhe e thjeshtë. Para meje po shikoja njërin nga aktorët e rij më të mirë, me aq sa pata mundësi të shihja, gjatë provimeve pranuese.
Imagjinoja rolet e tij të mundshme të ardhshme dhe një trishtim i papërshkrueshëm më kaloi nëpër trup.
Kur mbaroi, profesorët e Zagrebit duartrokitën e, unë, në ato pak sekonda arrita t’i thosha që të më priste para Akademisë. Doja ta çoja në “Kavkaz” për një pije dhe të flisja pak më shumë me të e ta përshëndetja Istref Begollin.

Nuk më priti. Sigurisht i kishte marrë dokumentet e tij në sekretari dhe kishte shku drejt e në stacion. Ësht ulë në një nga ata “Ballkan-ekspresët” dhe ësht kthy në Prishtinë. Duke pi birrë dhe duke shiku nga dritaret e trenit që ec me shpejtësi nëpër peisazhet e një vendi të panjohur për të, ka mbledhë trishtimin e kësaj dite dhe e ka shndërru në hidhërimin me të cilin edhe ka le.
Sigurisht ësht diku rreth Vinkovcit dhe e ka zënë gjumi, me kokën mbështetë në dritaren mbulu prej pluhuri dhe të mjegulluar nën të cilën shkrun: „EST IS VERBOTEN SICH AUS DEM FENSTER ZU LEHNEN”.

(Përk. Agim Morina)

Të dielën

Poezi e shkruar nga SOKOL OLLDASHI.

Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dalë dielli ende në ndajnatë.
S’do ta zgjoj, jo, rojen syfjetur,
Qetësisht do mbyll portën prapë.

Do eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash, të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do të gjej të ngul kryqin
Në dheun nga shirat bërë llohë.

Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiri do ta ndez,
Do ta fsheh paketën nën plis
Ta pi ngeshëm, pasi të vdes
E të ik….

“Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij”

8 thënie nga Gabriel Garcia Marquez
1. Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij.
2. Seksi është ngushëllimi kur ju nuk mund të keni dashurinë.
3. Asnjë ilaç nuk mund të shërojë atë që s’mund ta shërojë lumturia.
4. Një burrë e kupton kur plaket, sepse atëherë ai nis t’i ngjajë babait të tij.
5. Liria është shpesh viktima e parë e luftës.
6. Të gjitha qeniet njerëzore kanë tri jetë: publike, private dhe sekrete.
7. Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.
8. Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalojnë së ndjekuri ëndrrat kur plaken, ata plaken kur ndalojnë së ndjekuri ëndrrat.

Marrë nga Bukinist

Nobelisti Mario Vargas Llosa, në mbrojtje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë në vitin 1999

Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”

Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999

NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.
Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.

Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.
Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.
Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.

Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.
Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.
Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.

Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.


Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001.

Nxorri dhe përgatiti: Butrint Berisha

‘Black Mirror’ do të vazhdojë edhe me sezonin e pestë

Seriali i famshëm ‘Black Mirror’ do të vazhdojë me sezonin e pestë.

NETFLIX ka nënshkruar kësisoj me regjisorin e Black Mirror që seria të vazhdojë edhe për një sezon, shkruan KultPlus.

‘Black Mirror’ është një seri që merret me temën e ndikimit të rrjeteve sociale në modernitet. Shoqëritë e ndryshme nëpër botë janë të hipnotizuara nga internet dhe teknologjia, ndërsa rrjetet sociale janë bërë obsesioni i radhës.

Secili episode i ‘Black Mirror’ trajton një efekt nga teknologjia.

Episodi i parë i ‘Black Mirror’ është transmetuar me 4 dhjetor 2011, ndërsa regjisor është Charlie Brooker.

https://www.youtube.com/watch?v=5ELQ6u_5YYM

Nuk dihet ende kur do të dalin episodet e reja të serialit. Në sezonën e katërt në mesin e aktorëve ishin edhe Andrew Gower, Kiran Sonia Sawar, Georgina Campbell, Joe Cole, George Blagden, Maxine Peake, Jake Davies, Clint Dyer e aktorë tjerë. / KultPlus.com