Arkivi i Gabriel García Márquez në dispozicion falas në internet

Rreth gjysma e arkivit prej 27,000 faqesh e nobelistit Gabriel García Márquez është publikuar në internet nga Universiteti i Teksasit, përcjellë KultPlus.

Universiteti i Teksasit ka digjitalizuar librat e tij dhe i ka bërë të disponueshem rreth gjysmën e koleksionit për lexuesit. Ata kanë skanuar rreh 27,000 faqe dhe fotografi, duke i bërë kështu të qasshme për këdo në botë.

Arkivi online, i cili është i kataloguar në anglisht dhe në spanjisht, përfshin skica dhe materiale të tjera që lidhen me të gjitha librat më të mirë të García Márquez-it, duke përfshirë “Njëqind vjet vetmi”, që e kthyen shkrimtarin nga Kolumbia në një figurë të njohur globalisht. Në këtë arkiv janë të përfshira edhe fotografi të pashpalosura më parë, fletore, skenarëve si dhe një koleksion i pasaportave të autorit.

Sipas New York Times ky është një veprim i jashtëzakonshëm bazuar në faktin se puna e Marquezit ende është nën mbrojtjen e të drejtave të autorit.“Shumë arkiva po digjitalizojnë pronat e tyre. Por për digjitalizimi i kaq shumë materialeve nga një shkrimtar, puna e të cilëve është ende në të drejtën e autorit në internet falas është e pazakontë”, ka shkruar The New York Times/ KultPlus.com

Noli në moshën 84-vjeçare mësonte hebraishten: Më duhet të bisedoj me Zotin në botën tjetër

Shkrimtari dhe studiuesi shqiptar, Nasho Jorgaqi në një intervistë për emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku solli detaje nga jeta e fshehtë e Fan Nolit. Ai tregoi se Noli vdiq beqar por që dashuroi 7 gra.

Profesor jeni 87 vjeç dhe shumicën e jetës suaj ia keni kushtuar figurës së Fan Nolit. E keni nisur studimin e veprës dhe jetës së tij që kur Noli ishte gjallë por nuk patët mundësi për ta takuar ndonjëherë atë. Nëse do ta takonit Nolin çfarë do ti thoshit?
Gjëja e parë që do bëja do ti puthja dorën.

Ky është një rit fetar por ju jeni ateist. Si ka mundësi?
Unë do t’ia puthja dorën në shenjë respekti.

Por çfarë besimtari ishte Noli?

Ka një histori me Nolin. E ëma e Artur Liolin, një grua që kishte mbaruar konservatorin e Bostonit ishte edhe një grua që drejtonte shoqatën e grave shqiptare në New York. Përpara se të organizonte një grup grash për një meshë të drejtuar nga Noli, i bëri tre pyetje. E para nëse gratë duhet të mbanin në kokë kapele. Noli iu përgjigj: Nuk ka rëndësi se çfarë ke mbi kokë, por çfarë ke brenda saj. E dyta e pyeti si duhet të visheshin. Noli iu përgjigj se nuk kishte një këshillë për veshjen dhe e treta nëse ai besonte realisht në Zot. Noli iu përgjigj: Zonjë, a mund të harxhosh një jetë për një kauzë që nuk e beson? Pra Noli ishte besimtar i madh.

Po si ka mundësi, ju biografi i tij dhe një njeri që unë them se i keni marrë disa vese Nolit, nuk besoni në Zot?
Po edhe vetë Noli thoshte se deri aty ku unë kuptoj është shkenca dhe deri ku unë nuk kuptoj është Zoti. Ai thoshte se feja ka nevojë për shkencën dhe shkenca ka nevojë për fenë. Është gati një përcaktim që ka bërë shkencëtari Albert Einstein.

A ishte Noli një produkt shqiptar sepse ai nga 86 vjet jetë, vetëm 5 i jetoi në Shqipëri. Lindi në Ibrik Tepe të Turqisë, u shkollua në Greqi, më pas në SHBA dhe një pjesë të jetës në Evropë dhe përsëri në SHBA?
Noli ishte një produkt 100 për qind shqiptar. Familja nga vinte dhe jeta që bëri ishin shqiptare. Ai ishte produkt i kësaj jete. Në moshën 7-vjeçare Noli nuk donte të shkonte në shkollë sepse shkollën nuk e kishte qejf. Edhe për faktin se mësuesi i rrihte nxënësit. Një ditë e ëma e futi në thes dhe e çoi në shkollë. Mësuesi e pyeti se çfarë kishte në thes. Ajo e hapi dhe nxori prej andej Theofanin e vogël. Mësuesi u habit por që nga ai moment Noli nuk e la më shkollën. Në moshën 84-vjeçare, pra dy vjet përpara se të vdiste vijonte shkollën në një kurs në Harvard për mësimin e hebraishtes së vjetër. Kur e pyeti dikush se çfarë i duhet hebraishtja tashmë që ishte shumë plak, Noli iu përgjigj: Më duhet që kur të bisedoj me Zotin në botën tjetër.

Profesor nuk keni lënë gjë pa u marrë me jetën dhe veprën e Nolit. Madje udhëtimi juaj në të gjitha vendet që Noli kishte shkelur. A ka sekrete të pa zbuluara për Nolin?

Po edhe ka.

Po unë këmbëngul që një figurë e tillë kaq dimensionale që vdiq beqar, edhe pse ishte prift nuk besohet se nuk kishte parë femër me sy?
Unë po tregoj për herë të parë disa sekrete që unë i kam zbuluar nga jeta e Nolit dhe që nuk njihen. Një nga njerëzit që Nolin e ka njohur më mirë dhe më afër ka qenë At Artur Liolin. Në një nga udhëtimet e mia në Boston i pezmatuar më thotë se po ia merrnim Nolit të gjitha arkivin e tij, studimet dhe gjithçka dhe në SHBA nuk mbetej gjë. Më pas vijoi se si kishte ndër mend të bënte diçka që nuk e dinte kush. Më tha se do bënte një studim për gratë në jetën e Fan Nolit. Sipas Liolin Fan Noli kishte patur histori dashurie dhe flirte me 7 gra në të gjithë jetën e tij. E para ishte një vajzë në fshatin e lindjes në Ibrik Tepe. Një ishte një greke kur ai u shkollua në Greqi. Madje i kërkoi të vëllait të martohej me të por kur i tha më tej se do shkonte në SHBA i vëllai e mori për aventurier dhe e kundërshtoi martesën. Një grua tjetër ishte sekretarja e tij Mary Jons. Një grua që bënte gjithçka për Nolin që nga punët e shtypshkrimeve e deri te kujdesja për shëndetin. Por sipas të dhënave ishte edhe e dashura e tij.

Paska qenë all inclusive?
Kështu janë të dhënat.

Profesor unë kam një letër që ai kërkonte nuse shoqërisë Bashkimi në Bukuresht. Si ka mundësi që prifti kërkonte nuse?

Jo. Në atë moment nuk ishte prift. Sipas rregullit të kishës nëse në momentin që një person dorëzohej prift ishte i martuar ai nuk e prishte kurorën dhe mund të vazhdonte të ishte i martuar duke qenë prift. Por nëse dorëzohej prift beqar, ai nuk kishte më të drejtë të martohej. Kështu që përpara se të dorëzohej prift ai nisi të kërkojë nuse. U shkroi disa letra miqve, shokëve dhe shoqërive dhe një prej tyre është kjo letër që thoni ju.

Por si ka mundësi që nuk i gjetën nuse, e kujt pale, Fan Nolit?

Nuk munden. Duket se kërkesat e Nolit dhe ajo që ai përfaqësonte ishin të larta. Ai shkruante se “i thoni nuses se Zoti nuk më bëri të bukur si Adami por jam i aftë të mbaj një grua. Por dhe letrat e tij ishin romantike.

Profesor, keni shkruar disa romane dhe studime dhe keni bërë edhe 4 skenarë filmash si “Duel I heshtur”, “Tomka dhe shokët e tij” madhe edhe filmin e parë shqiptar “Tana” nëse pranohet se është ai. Por duket se kryevepra juaj mbetet romani “Mërgata e qyqeve”. A jeni penduar dhe mund ti ndryshoni diçka kësaj vepre?
Penduar? Jo Përse të jem i penduar. Kur u botuan për herë të parë u shitën 100 mijë kopje. Pas vitit 1990 mendova se me rrëzimin e komunizmit kishte një lloj droje për veprën por reagimi ka qenë befasues. Kanë qenë 40 shtëpi botuese që më kërkuan ribotimin. Mërgata e qyqeve u ribotua dhe vepra vazhdon të ketë sukses. Po ju jap një lajm. Në vitin 2018 “Mërgata e qyqeve” do botohet në SHBA në gjuhën angleze. Përkthyes do të jetë sekretari i një senatori amerikan i cili prej kohësh më kërkoi përkthimin e veprës. Ai jeton në Washington dhe më kërkoi të drejtën e botimit në gjuhën angleze. Për mua ishte një lajm shumë i bukur dhe jam i nderuar për këtë kërkesë dhe botim. Përkthyesi më ka thënë fjalë të jashtëzakonshëm për librin dhe fakti që “Mërgata e qyqeve” do të botohet edhe në anglisht ka një vlerë të madh.

Profesor, ka shumë reagime dhe kundërshti që personazhi Isuf Mullaj historinë e të cilit keni në vepër jo vetëm që nuk ka bërë atë që ju shkruani por ka trillime skandaloze?
I kam dëgjuar dhe i dëgjoj këto, Por për mua nuk ka rëndësi. Në fillim të viteve 90-të isha në një lokal dhe më erdhi nga tavolina tjetër Guri Durollari, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit në atë kohë. Mu prezantua dhe më tha se bravo për veprën. Natyrisht që më shprehu kundërshti për pikëpamjet politike por sipas tij, fabula dhe situata e mërgatës shqiptare në Evropë në atë kohë ishte fiks siç i kisha përshkruar unë. Për mua kjo ka vlerë. Herë pas here kam marrë kërcënime. Në 1997 më merrnin në telefon dhe më thoshin se do jepja llogari. Madje dikush më pyeti se si kishte mundësi të isha kaq antimonarkist kur babi im kishte qenë gjykatës në kohën e Zogut. Por këto nuk kanë fare rëndësi.

Profesor çfarë përfaqëson dhe përse keni marrë si zog qyqen. Për ata që nuk e njohin çfarë është qyqja?
Një zog që lajmëron të keqen. Kjo është arsyeja.

Po për Faik Konicën. Ju keni bërë një falje të madhe për testamentin e tij që në fakt nuk ka ekzistuar. Sipas saj Konica ka shkruar se nuk do tretej trupi nëse nuk do ta varrosnin në Shqipëri?

Po ka qenë një gënjeshtër e madhe. U mendua se testamenti ekzistonte, por në fakt nuk ishte e tillë. Noli ka shkruar disa letra Enver Hoxhës për ta lejuar ta varrosnin në Shqipëri. Noli tregonte se trupin e Konicës e kishin në dollap, pra në ambiente frigoriferike në varrezat e Bostonit. Habia është se Enver Hoxha nuk iu përgjigj asnjë letre të Nolit. Pas disa vitesh përgjigjen ia dha Hysni Kapo i pari personalitet i komunizmit që shkoi në OKB. Kapo tha se nuk mund të lejonin që të bej ta varrosnin në Shqipëri. Kështu Konicën e varrosën në Boston. Por në ceremoninë e varrimit u tha se ishte e përkohshme dhe se një ditë do ta varrosnin në Shqipëri. Kjo u bë e mundur në vitin 1995 dhe varri i tij ndodhet në Tiranë. Por në fakt nuk ka një testament të shkruar prej tij./KultPlus.com

Sonte ekspozita “Emerge”

Sonte do të hapet ekspozita “Emerge”, që sjellë veprat e studentëve në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila do të hapet në ora 19:00, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë, me veprat e tyre do të prezantohen studentët: Brilant Milazimi, Ermir Zhitopotoku, Blertë Hashani, Valdrin Thaqi, Arbnro Karaliti, Petrit Maliqi, Arben Elshani, Dardan Murseli, Alban Januzi e Naim Geci./KultPlus.com

Nga viti i ardhshëm shkollat franceze do të kenë kore, por jo edhe telefona celularë

Qeveria franceze ka njoftuar se telefonat celularë do të ndalohen në shkollat franceze në fillim të shtatorit të vitit 2018, dhe se koret do të futen gjatë dy viteve të ardhshme, përcjellë KultPlus.

Ky veprim ka qenë pjesë e fushatës së presidentit francez Emmanuel Macron, por deri më tani nuk është dhënë asnjë datë për zbatimin e ndalimit, kurse të dielën, ministri francez i arsimit Jean-Michel Blanquer tha se telefonat celularë do të ndalohen në shkolla që nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor.

Telefonat celularë tashmë janë të ndaluar të përdorën në klasë në të gjitha shkollat fillore franceze dhe në katër vitet e para të shkollës së mesme. Qeveria franceze dëshiron të shtrijë ndalimin edhe në pjesën tjetër të mjedisit shkollor.

“Telefonat celularë mund të jenë të nevojshëm për qëllime arsimore ose në raste urgjente, prandaj është e rëndësishme që përdorimi i tyre të jetë i kufizuar”, ka thënë mes të tjerash ministri Blanquer.
Të hënën, qeveria njoftoi edhe për një ndryshim për vitin e ardhshëm shkollor: tingulli i ziles do të zëvendësohet me zërat e njerëzve. Deri në shtator 2018, të gjitha kolegjet e Francës do të kenë korin e tyre, ku fëmijët do të kenë mundësinë të këndojnë dy orë në javë. Aktualisht, një nga katër shkollat franceze ka një kor. “Ideja është që kultura të futet brenda klasave për një periudhë më të gjatë”, ka thënë të dielën ministri i kulturës Françoise Nyssen./ KultPlus.com

Rita Ora zbuloi misterin në Radio 1 Live Lounge

Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka folur mbrëmë në Radio 1 Live Lounge, e cila ka zbuluar një mister, për të cilin ishin kurioz shumë adhurues të saj, shkruan KultPlus.

Një nga misteret më të mëdha të vitit 2017 është zbuluar më në fund: Rita Ora ka zbuluar tekstin e një pjese të këngës së saj më të fundit “Anywhere”, përcjellë KultPlus.

Për javë të tëra, adhuruesit e Ritës ishin të preukopuar të dinin se kush ishte duke kënduar vërtet në pjesën e refrenit të këngës, ku vokali i saj shfaqet me ndërprerje dhe zëra të shtrembëruar.
Gjatë interpretimit mbrëmë në Radio 1 Live Lounge, Rita Ora zbuloi tekstin origjinal të pjesës së refrenit: “Oh, Oh, wanna go home, wanna go take me anywhere you wanna be-ee-ee-ee”./ KultPlus.com

Kërshëndellat me pesë këngë të reja të Arilena Arës (VIDEO)

“Snow in December”, “Kido”, “Silver&Gold”, “Zemër” dhe “Të huaj (Stranger’s again)”, janë këngët e reja që do të prezantohen për festën e kërshëndellave, shkruan KultPlus.

Arilena Ara është këngëtarja që me këngën “Nëntori”, brenda një viti ka shënuar një sukses tejet të madh, duke depërtuar me këtë këngë edhe në shumë shtete të huaja, por duke bërë që edhe shumë të reja ta këndojnë këtë këngë të Arilena Arës./KultPlus.com

SHBA, një galeri shqiptare prezanton ekspozitën e re

Në mars të këtij viti galeria GR Art hapi dyert për herë të parë me një ekspozitë me fotografi të Marubit. Galeria e krijuar nga piktori shqiptaro-amerikan Gjergj Pali ka sjellë tani para artdashësit një ekspozitë të re me piktura e punime arti nga 11 autorë. Organizatori Gergj Pali ka zgjedhur një koleksion veprash të artit figurativ që përfaqësojnë mediume, stile dhe botëkuptime të larmishme.

Në dukje të ndryshme si në stil, ashtu edhe në medium, punimet janë zgjedhur për t’u përputhur me temën e ekspozitës, Imazhe të Strukturuara dhe Më Shumë. Ideja i lindi organizatorit Gjergj Pali, pasi filloi të përzgjidhte mes punimeve të paraqitura për ekspozim:

“Ishte në përgjithësi një veçori ku imazhi kalon nga dimensioni i dytë në dimensionin e tretë, bëhet tri-dimensional. Dhe jeton në mes të pikturës, gati është si skulpturë e pikturuar”, raporton VOA.

Në disa raste struktura nuk është një element fizik i veprës, por qëndron në metaforën që përcjell ajo. Piktori Adriatik Baliaj prezantohet në ekspozitë me dy vepra:

“Bora e ndryshon strukturën e një vendi; në qoftë se është i errët, ndryshon ngjyrën, por ndryshon edhe formën. Poetikisht po të shihet është pak si strukturë”.

Gazmend Bakalli e gjen frymëzimin tek ritet dhe elementët etnografikë të qytetit të lindjes:

“Kjo është nusja shkodrane, kjo është e bazuar kryesisht në historinë e Shkodrës, se si kanë ndenjur nuset e vjetra në Shkodër. Struktura është e bazuar kryesisht edhe në materialin e kostumeve të vjetra, pak a shumë edhe shtëpitë e vjetra të Shkodrës kanë atë strukturën e tyre që na janë futur në gjak. Të gjitha ato me dashje apo pa dashje të futen në pikturën tënde dhe pasqyrohen këtu në pikturë”.

Piktori Gjergj Pali ka zgjedhur të hyjë në strukturën e kujtesës me një prej veprave të tij nga cikli i Zonave të Memories, me një pejsazh nga shkolla fillore që i kujton fëmijëri, por qëndron edhe si paralelizëm i jetës së tij:

“Është e braktisur… se ne e braktisëm vendin. Dashuria mbetet, patjetër që herë pas here fillon e del në memorie, patjetër me pemët, me sorrat, është më shumë edhe si një ëndërr pak… mes realitetit edhe ëndrrës”.

Historiani i artit Zef Paci ka bashkëpunuar më parë me pronarin e galerisë për të organizuar ekspozitën Marubi. Ndryshe nga ajo ekspozitë që prezantonte vetëm artin e fotografisë, këtë radhë ai sheh një pasuri stilesh, teknikash e përmbajtjesh, që në një mënyrë është sintezë edhe e vetë përvojës amerikane, shprehet ai:

“Është një mjedis i cili pret prurje, botëkuptime e kultura të ndryshme, ndoshta si një similitudë me vendin”.

Në këtë larmi stilesh, veprat e piktorëve shqiptaro-amerikanë kanë identitetin e tyre artistik:

“Ne kemi veçoritë tona. Dallohet piktura jonë me pikturën e një personi që ka lindur këtu, është formuar në shkollë. Vërehet se ne jemi më figurativë për arsye se shkolla që kemi bërë, dhe tendenca ka qenë drejt artit të artit të realizmit socialist në atë periudhë, e cila ka ndikuar në formimin e pikturës klasike, e pikturës së modelit tjetër”, thotë piktori Gjergj Pali.

“Ato që ke njohur, ke mësuar, që ke ditur prej atje, në bashkëpunim me këto krijojnë një gjendje të re që është më ndryshe më interesante, më frymëzuese për punë të tjera”, shprehet piktori Adriatik Baliaj.

Këta autorë kanë tani një adresë të rregullt ku të prezantohen me artdashësin, si dhe një qendër ku të ruhet e kultivohet kultura shqiptare në këtë pjesë të Amerikës.

“Shqiptarët vijnë dhe ‘uau’ hapet gjithë ky dimension, një ekspozitë e bërë profesionalisht”, thotë pronari i ekspozitës, Gjergj Pali.

Një rrugë e gjatë sakrificash e peripecish i është dashur autorit Gjergj Pali për të ardhur deri këtu, por destinacioni për të meriton çdo sakrificë:

“Nuk ka profesion më të bukur. Profesion i vështirë, patjetër, por u them gjithmonë këtyre shokve, me m’pru edhe një herë në jetë prapë dua të jem artist… Ndoshta në Shkodër, ndoshta edhe këtu, po profesioni ka më rëndësi për mua, se ku, nuk dua t’ia di”./KultPlus.com

Haradinaj: Do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim, violinistin shqiptar Shkëlzen Doli, më të cilin ka biseduar për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

“Është kënaqësi e veçantë të takosh artistët kulmorë, të cilët vendin tonë e ngrisin në majat e artit botëror! Prita në takim violinistin më famë botërore, anëtarin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, i cili ka shkëlqyer në koncertet kudo që është paraqitur.

Me artistin Doli biseduam për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar. U zotova se artistët do të gjëjnë kurdoherë mbështetje tek Qeveria e Kosovës dhe në këtë kontekst, sa më shpejt që na lejojnë rrethanat financiare, do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues në TKK

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kujtim Gashi ditë më herët ka emëruar Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas mbledhjes së parë të këtij këshilli, tashmë është zgjedhur edhe kryetari i këtij këshilli, ku për këtë mandat kjo detyrë i është besuar, Burbuqe Berishës.

Këshilli Drejtues përbëhet nga: Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva./KultPlus.com

Lansohet traileri i të famshmit James Cameron, së shpejti ‘Alita: Battle Angel’ (VIDEO)

Regjisori i famshëm James Cameron, tashmë në cilësinë e producentit ka lansuar trailerin e filmit ‘Alita: Battle Angel’, shkruan KultPlus.

Filmi pritet të jepet nëpër kinema botërore përgjatë qershorit të vitit të ardhshëm. Filmi është realizuar me regji të Robert Rodriguez./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=96&v=CqYfXOYqzy4

U ndezën dritat e festave të fundvitit në Prishtinë (FOTO)

Sapo janë ndezë dritat e festive të fundvitit në Prishtinë, shkruan KultPlus.



Në praninë e shumë qytetarëve, nën tingujt e muzikës dhe në përqafimin e shumë fëmijëve, kryetari I Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ftuar fëmijët prezent, i cili bashkë me ta ka numëruar mbrapsht deri në 1, për ti ndezur bashkërisht dritat e vitit 2018./KultPlus.com



Pas tri dekadash, kinematë në Arabinë Saudite do të rihapen në fillim të vitit 2018

Arabia Saudite ka njoftuar se do të heqë ndalimin për kinematë, i cili po zgjatë më shumë se tre dekada, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

Ministria e Kulturës dhe informacionit tha se do të filloj lëshimin e licencave menjëherë dhe se kinematë e para pritet të hapen në mars të vitit 2018. Ky vendim është pjesë e programit të reformës sociale dhe ekonomike të princit Mohammed bin Salman’.

Mbretëria konservatore myslimane kishte kinema në vitet 1970, por klerikët i bindën autoritetet për t’i mbyllur ato. Në janar, Grand Muffti Sheikh Abdul Aziz Al al-Sheikh thuhet se paralajmëroi për “shthurjen” e kinemave, duke thënë se ata do të korruptonin moralin e njerëzve.

Ministri i Kulturës Awwad Alawwad, ka thënë se “Hapja e kinemave do të shërbejë si një katalizator për rritjen ekonomike dhe diversifikimin, duke zhvilluar një sektor më të gjerë kulturor, ne do të krijojmë mundësi të reja punësimi dhe trajnimi, si dhe do të pasurojmë opsionet argëtuese të mbretërisë”, ka thënë ministri Alawwad./ KultPlus.com

Mungon nafta, Teatri Kombëtar i Kosovës pezullon shfaqjet

Si pasojë e mungesës së naftës në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë pezulluar të gjitha aktivitetet, shkruan KultPlus.

Shfaqja “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës është dashur të prezantohej sonte para audiencës, por si pasojë e objektit të ftohtë, janë ndërprerë shfaqjet përkohësisht.

“Për shkak të mungesës së naftës me të cilën ngrohet në tërësi objekti i TKK-së, kemi ndërprerje të shfaqjeve përkohësisht, Për çdo eventualitet ju informojmë. Kërkojmë ndjesë”, është sqarimi i këtij institucioni nëpërmjet facebook.

Kurse po Teatri Kombëtar i Kosovës më 13 të po këtij muaji ka paralajmëruar premierën e shfaqjes “Të harruarit”, me regji të Shkurte Aliut. Mbetet të shihet nëse do të bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë, pasi që ky institucion ka pasë probleme me ngrohje edhe gjatë javës së shkuar./KultPlus.com

“Kosova calls for peace”, kënga që bashkoi këngëtarët shqiptarë në vitin 1998 (VIDEO)

Është një ndër këngët që ka mbledhur këngëtarë të shumtë kosovarë, një këngë qw kishte pwr mesazh thirrjen për paqe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e lansuar në vitin 1998 është realizuar me tekst të Nehat S. Hoxha e me kompozim të Xhevdet Gashit.

Në këtë këngë janë përfshirë këngëtarë të njohur si: Gili, Sabri Fejzuallahu, Sinan Vllasaliu, Benet Kaci, Donika Gashi, Genc Salihu, Poci, Adelina Ismaili, Dukagjin Lipa, Violeta Rexhepagiq, Shkumbin Kryeziu…/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2Gjamot8SBw

“Shpalosje Aktesh Dhe Sinteza Siluetash” e Albana Ejupit nesër prezantohet në Shkup

Ekspozita “Shpalosje Aktesh Dhe Sinteza Siluetash” nga piktorja e re Albana Ejupi do të hapet nesër në Qendrën Informative Kulturore ( Galeria Kic) në Shkup, shkruan KultPlus.

“Ekspozita ‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ përmes paraqitjes së akteve apo siluetave trajton tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë jetësore, dashurinë, apo tema të tabuizuara si akti seksual, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej tij e po ashtu edhe gruan si bartëse të plleshmërisë dhe të përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi…”, shprehet, kuratorja Penesta Dika.
Piktorja Ejupi, fillimisht ka tërhequr vëmendjen me ekspozitën parë personale e cikla është hapur në fund të muajit tetor në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ku edhe kanë qëndruar punimet e saj përgjatë një muaji.

Ekspozita e saj do të hapet nesër me fillim nga ora 20:00 dhe do të qëndroj e hapur deri më 15 Dhjetor./KultPlus.com

Publiku këndon në çdo fjalë me Dua Lipën në “Jingle Bell Ball 2017” (VIDEO)

Dua Lipa solli një interpretim të mahnitshëm të hiti të saj “New Rules”, në një transmetim të drejtpërdrejtë në eventin e Krishtlindjeve “Jingle Bell Ball 2017”, në Londër, shkruan KultPlus.

“Secili person në atë turmë këndonte së bashku me Duan ndërsa ajo interpretonte rregullat e rëndësishme për ne”, shkruan radiostacioni muzikor “Capital Fm”.

“Viti 2018 do të jetë edhe më i suksesshëm për këtë grua të fuqishëm”, shkruan tutje Capital Fm.
“New Rules” e Lipës e lansuar në korrik deri tani ka 745 milionë klikime vetëm në YouTube, ndërsa suksesi i saj e ka shpallur Dua Lipën si femrën më të dëgjuar në Britani të Madhe sivjet./ KultPlus.com

Në vitin 1969 SHKA AGIMI me këngë të vjetra qytetare, në vitin 2017 shndërrohet në kafene burrash ku kultivohet tallavaja (VIDEO)

Kjo shoqatë ka postuar një video të vitit 1969, ku shihet kori i kësaj shoqate duke kënduar një këngë të vjetër qytetare, sikurse që kanë plasuar edhe një video të tanishme, ku shihet një atmosferë krejt tjetër prej asaj të vitit 1969. Për më shumë mund të ndiqni të dy videot, shkruan KultPlus.

Se është duke u shfrytëzuar hapësira e SHKA AGIMi për këngë jo të mirëfillta ka reaguar nëpërmjet një komunikate SHKA “Agimi”, të cilët i janë drejtuar MKRS-së, ku ata kanë treguar shqetësimet e tyre, të cilët, përpos pikave të shumta që kanë përmendur, kanë potencuar edhe shndërrimin e hapësirës së kësaj shoqate, në një kafene burrash.

Mirëpo, në reagimin drejtuar MKRS-së, ata kanë dërguar vetëm komunikatën, kurse në faqen e tyre zyrtare në facebook ata kanë dëshmuar edhe me video, ku kjo shoqatë ka postuar një video të vitit 1969, ku shihet kori i kësaj shoqate duke kënduar një këngë të vjetër qytetare, sikurse që kanë plasuar edhe një video të tanishme, ku shihet një atmosferë krejt tjetër prej asaj të vitit 1969.
Për më shumë mund të ndiqni të dy videot./KultPlus.com

William dhe Harry zgjedhin skulptorin e Dianës

Statuja, që do të bëhet 20 vjet pas vdekjes së Lady D, do të realizohet nga Ian Rank-Broadley, autori i portretit të mbretëreshës Elisabet në monedhën britanike.

Statuja do të jetë gati brenda 2019, dhe do të vendoset në Kensington Palace. Princërit, William dhe Harry, kanë zgjedhur skulptorin në fjalë, 20 vjet pas vdekjes së Lady Diana më 31 gusht 1997.

“Vepra do të jetë një tribut i përhershëm për nënë tonë, për të kujtuar jetën e saj dhe për të festuar atë që na ka lënë. Jemi prekur për gjithë fjalët e mira dhe kujtimet që shumë persona kanë ndarë me ne në muajt e kaluar. Është dëshmi se puna e nënës tonë është ndjerë tek shumë qytetarë britanikë, por edhe në gjithë botën, edhe 20 vjet nga vdekja e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy princërve, transmeton tch.

Sa i përket skulpturës së ardhshme ata shtojnë: “Ian është një skulptor me emër, dhe jemi të sigurtë se do dijë të krijojë atributin e duhur për nënën tonë. Mezi presim ta shohim statujën, që do i japë mundësi të gjithëve atyre që do të vizitojnë Kensington Palace për të kujtuar dhe festuar jetën dhe trashëgiminë e saj”./KultPlus.com

Rrëfimet e grave në “Një ditë”, nesër në Teatrin e qytetit në Mitrovicë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet nesër për publikun Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së mahnitshme të tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve në përbërje të: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Performanca e kësaj shfaqje sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje nesër do të prezantohet në Teatrin e Qytetit në Mitrovicë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Medalja e Nobelit e Doris Lessing së shpejti në ankand

Medalja e çmimit Nobel që Doris Lessing, e fitoi në vitin 2007 do të shitet në ankand javën e ardhshme, me një çmim mbi 150,000 funta, përcjellë KultPlus.

Çmimi për këtë medalje nga Christie’s, kap shifrat nga 150,000 deri në 250,000 funta kurse vetëm një medalje tjetër për letërsinë ka arritur të shitet më parë në ankand. Ishte medalja e Andre Gide, e cila u shit në Paris vitin e kaluar për 300,000 euro.

Sotheby e vuri medaljen e fituesit të Nobel, William Faulkner për ankand në Nju Jork në vitin 2013, me një çmim prej 500 mijë deri në 1 milion dollarë, por nuk gjeti asnjë blerës.

Në moshën 87 vjeçare, Lessing ishte fituesja më e vjetër e çmimit Nobel për Letërsi. E lindur në Persi, Lessing u rrit në Rodezia dhe e braktisi shkollën në moshën 13 vjeçare. Ajo ishte një lexuese e pangopur dhe prindërit e furnizonin atë me libra nga Anglia. Në leksionin e saj gjatë ceremonisë të Nobel, ajo foli për pabarazinë që kishte parë dhe rëndësinë e librave që ajo të behet një shkrimtare./KultPlus.com

Forbes, 10 artistët më të paguar të këtij viti

Revista Forbes ditën e sotme ka publikuar listën e muzikantëve më të paguar të vitit, në të cilën renditen artist të tillë si Coldplay, Beyonce, Diddy dhe Justin Bieber, mes shumë emrave të tjerë të famshëm.

Diddy (Sean Combs) qëndron në krye të listës, duke arritur shifrën më të lartë me 130 milionë dollarë, falë marrëveshjes që ka arritur me Ciroc vodka, shitjes së një të tretës së Sean John për 70 milionë dollarë dhe një turneu muzikor ‘Bad Boy Family Reunion.’

Më pas në listë vjen Beyonce, e cila regjistron një shifër prej 105 milionë dollarësh fitim, falë ‘World Tour’, që u mbyll në fund të 2016-ës. I gjithë turneu i artistes grumbulloi më shumë se 250 milionë dollarë, shkruan bota.al

Drake, The Weeknd dhe grupi britanik Coldplay renditen në 5 top five, me fitime 94 milionë dollarë dhe 84 milionë dollarë secili.

Më i riu në listë është Justin Bieber, i cili pati arritjen më të madhe të karriesës së tij në sajë të 105 shfaqjeve të drejtpërdrejta që u shënuam gjatë periudhës së përgatitjes së listës së Forbes.

Top 10:

1) Diddy (130 milionë $)

2) Beyonce (105 milionë $)

3) Drake (94 milionë $)

4) Weeknd (92 milionë $)

5) Coldplay (88 milionë $)

6) Guns N ‘Roses (84 milionë $)

7) Justin Bieber (83.5 milionë $)

8) Bruce Springsteen (75 milionë $)

9) Adele (69 milionë $)

10) Metallica (66.5 milion)

John Lennon la mesazhin më të fuqishëm për paqe dhe dashuri (VIDEO)

Sot janë bërë plot 37 vite që nga vrasja e këngëtarit të madh John Lennon. Por John Lennon la prapa një ndër këngët më të fuqishme që idealizonte një botë në paqe dhe dashuri, shkruan KultPlus.

“Imagine” është një këngë e shkruar dhe interpretuar nga muzikanti anglez John Lennon. Kjo këngë e cila doli në vitin 1971 shënon edhe këngën më të suksesshme të karrierës së tij solo. Ky tekst inkurajon dëgjuesin që të imagjinojë një botë në paqe, pa barrierat e kufijve ose ndarje të religjionit ndërsa kërkon mundësinë që njerëzimi të jetojë i lirë nga pasuria.

Kënga është një nga formulimet më të bukura dhe një zhytje në mendimet e këngëtarit. Kjo këngë fillon fuqishëm qysh me vargun e parë.

Paramendoni se nuk ka qiell
Është e lehtë nëse e provon
Nuk ka ferr poshtë nesh
Mbi ne vetëm qielli
Imagjinoni të gjithë njerëzit
Duke jetuar për sot …

Ai përmes këngës së tij e parashikonte botën si një vend më të mirë. Kjo këngë është një mesazh i fuqishëm politik që mbështetet në melodinë e bukur.

Ju, mund të thoni
Unë jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi
Shpresoj se një ditë ju do të bashkoheni me ne
Dhe bota do të jetë si një

Është vargu që përmbyll këtë këngë. Rolling Stone e ka renditur këtë këngë në vendin e tretë në listën e “500 këngëve më të mira te të gjitha kohërave”, duke e përshkruar atë si “një himn i përhershëm i ngushëllimit dhe premtimit që na ka shoqëruar hidhërimet më ekstreme, që nga goditja e vdekjes së Lennonit në 1980 deri tek tmerri i papërshkrueshëm i 11 shtatorit./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=3wsYM1GgQLU

Shfaqja “Mullinjtë me erë” e Jeton Nezirajt, të shtunën në Heilbronn

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Këto ditë në Teatrin e qytetit në Heilbronn është duke u shfaqur drama për fëmijë “Windmühlen” (Mullinjtë me erë), e autorit tashmë të njohur shqiptar nga Kosova, Jeton Neziraj. Teksti të cilin Neziraj e ka shkruar enkas për këtë teatër bën fjalë për një inxhinier gjerman (Müller), i cili ka marrë për detyrë ngritjen e turbinave të fuqishme për prodhim të energjisë elektrike me fuqinë e erës në Kosovë. Pasi që ky projekt duhet të zgjasë disa vite, inxhinierin duhet ta shoqërojnë në Kosovë edhe bashkëshortja dhe vajza, Gisela, shkruan stimme.de. Atyre nuk u pëlqen aspak vendi i ri. Njohuritë e tyre për Kosovën janë të ndikuara nga mediet, të cilat shpesh fokusohen vetëm në katastrofa dhe probleme.

Familja gjermane fillmisht jeton në një ambient të izoluar, në një kuart diplomatësh të huaj, transmeton albinfo.ch. Por një ditë, në lojë e sipër, vajza, (Gisela) hyn në kontakt me fëmijët kosovarë dhe e njeh Kosovën nga një anë krejtësisht tjetër. Ajo shoqërohet me “Danin me sy të larëm”, moshatar i saj.

Gisela, duke sfiduar ndalesën nga babai, përmes mikut të saj të ri, Danit, njihet edhe me fëmijët tjerë duke shëtitur nëpër Prishtinë. Ata kanë kënaqësi nga ky shoqërom ndërsa gjëja që Gisela dhe Dani duan më së shumti është tregimi i rrëfimeve njëri tjetrit. Kështu, ndërkohë që Gisela atij i tregon përralla si “Bukuroshja e fjetur” dhe të ngjashme, Dani i flet asaj për aventurat interesante të Mujës, një heroi të njohur të Ballkanit, përcjell albinfo.ch. Ai është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe mund të fryjë aq shumë me gojë sa t`i nxjerrë shtëpitë “me rrënjë”. Një hero i tillë mund t`i hynte fare mirë në punë babait të Giselës, të cilit duket se nuk i shkon aq mirë puna me projektin e tij të turbinave me erë.

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Shfaqja për fëmijë jepet këtë të shtunë, më 9 dhjetor, eme fillim në orën 15:00 në Teatrin e qytetit të Heilbronn-it./KultPlus.com

Filmi i parë horror shqiptar “Bloodlands”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

Gili Hoxhaj

Filmi i parë shqiptar i zhanrit horror erdhi mbrëmë premierë në Kinemanë “ABC” në Prishtinë. “Bloodlands”, është projekt filmik i realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, shkruan KultPlus.

Ky projekt filmik ka udhëtuar në ekranet e Anglisë dhe në festivalin portugez “Fantasporto”, në Skoci, ndërsa ka arritur të rrëmbej tri çmime në Festivalin e Filmit Horror në Sidnej të Australisë. Po ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.

Ky film edhe pse me produksion australian, është i realizuar në gjuhën shqipe nga aktorë shqiptarë. Ngjarja e këtij filmi jetësohet nga loja e aktorëve: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj.

Regjisori australian Steven Kastrissios, me filmin e tij prekë në traditën e një familje shqiptare, ndërsa në vetvete ngërthen edhe elemente të Kanunit të Lekë Dukagjinit. “Bloodlands”, apo “Tokë e gjakut”, solli mbrëmë në ekranin e kinemasë në Prishtinë, historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Roli i shtrigës, vije përmes aktrimit të përkryer të aktores kosovare, Ilire Vinca e cila herë shfaqet gjysmë, e herë e plotë duke bredhur brenda errësirës në mal.

Në sulmet e urrejtjes, ajo ka një mision që të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar. Prapa saj vihen gjithnjë një grup njerëzish të cilëve shoqëria ua ka kthyer shpinën. Hakmarrja e saj, prek në jetën e njerëzve të qytetit të saj. Ndërsa e gjithë ngjarja zhvillohet në periferi brenda një familje moderne tipike shqiptare, e cila përballët me sulme të shpeshta nga grupi misterioz i udhëhequr nga shtriga. Para se ky grup të sulmoj jetën e kësaj familje, ajo ecën në probleme të përditshme, të cilat lidhen me varfërinë, e mes mospërputhjeve të planeve brenda bisedave familjare.
Në sulmet dhe shenjat e vazhdueshme që shfaqen në shtëpinë e tyre, i zoti i kësaj familje që është me profesion kasap, kap pushkën të ballafaqohet me zërat e figurat misterioze të këtij ekipi. Gjithçka përfundon në një vrasje, e cila hap një varg të ri të ballafaqimit të familjes me ekipin e shtrigës. Përmes dritares se familjes pason një shenjë me mbishkrimin “Gjaku lahet me gjak”, e përkundër të gjitha mospërputhjeve familjare, ky është momenti ku familja mblidhet në një kapitull të ri në përballje me banorët e pyllit.

Ky film do të qëndrojë për një javë në raportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com