Manifestimi mbarëpopullor “Nata e Zjarreve” ka nisë më ndezjen e flakadanëve, për të vazhduar me një koncert të madh, e që shënon edhe përmbylljen e manifestimit që shënon Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe heroizmit të Komandantit Adem Jashari, shkruan KultPlus.
Prej 5, 6 dhe 7 janë shënuar shumë aktivitete në 25 vjetorin e rënies heroike të Jasharëve. / KultPlus.com
Sot, KultPlus sjell një rrëfim tejet emocionues që tregon rëndësinë dhe vlerën e madhe të mësuesit.
Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.
– A më mbani mënd?
– Jo.
– Kam qenë nxënësi juaj.
– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?
-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.
-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?
-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.
I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.
-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.
Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:
-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.
-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?
-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!
Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.
Shqipëruar nga M. Sota
Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande! Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.
Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Ndoshta, ndoshta… Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. / KultPlus.com
Djellza Azemi, Anjesa Dellova, Anita Mucolli, Kelly Tissot dhe jpp janë artistët që do të prezantohen me veprat e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozitë kjo që do të hapet më 10 mars, në ora 19:00, shkruan KultPlus.
“Duke sjell së bashku artiste që punojnë me media dhe disiplina të ndryshme, ekspozita trajton konceptin e hapësirës dhe kohës, gjuhës dhe lidhjeve ndërnjerëzore si dhe shtëpisë krahas ritualeve dhe kujtesës”, thuhet në njoftimin e GKK-së, e që për kurator të kësaj ekspozite ka Shkëlqim Qestaj.
Kjo ekspozitë do të rri e hapur deri më 2 prill të këtij viti, ndërkohë në ceremoninë hapëse të ekspozitës do të jenë të pranishëm edhe artistët edhe kuratori i kësaj ekspozite./ KultPlus.com
Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.
Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.
Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij “The First Man”.
19 nëntor, 1957
I dashur Zoti Germain,
Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time. / KultPlus.com
Cineplexx organizon eventin “Woman’s Day” për nder të Ditës së Gruas ku ka bërë një super-ofertë me filmat më të shikuar në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.
Më 8 Mars, Cineplexx ka përgaditur një ofertë ku për vetëm 5.90€ mund të merrni një L Popcorn, 2 pije 0.5l dhe çokollatë Oreo. Gjithashtu për çdo biletë që e bleni me kartelë VISA, do ta merrni një biletë tjetër FALAS! Kjo ofertë vlen vetëm për blerjet fizike dhe në të gjithë filmat të cilët janë në program gjatë kësaj dite.
Disa nga filmat që ju sugjerojmë që t’i shikoni për Ditën e Gruas janë:
Maybe I Do Romancë/Komedi
Michelle dhe Allen kanë arritur pikën në marrëdhënien e tyre për të hedhur hapat e ardhshëm drejt martesës. Duke menduar se është një ide e mirë për të ftuar prindërit e tyre që më në fund të takohen, ata shtrojnë një darkë dhe e bëjnë atë një çështje familjare. Për habinë e të gjithëve, lidhja merr një kuptim krejtësisht të ri pasi prindërit tashmë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë — ata kanë tradhtuar bashkëshortët e tyre për muaj të tërë… me njëri-tjetrin. Të bllokuar në këtë situatë të pasigurt, ata përpiqen t’i fshehin fëmijët e tyre nga kjo ndërsa përballen kokë më kokë me të dashuruarit e bashkëshortëve të tyre.
Magic Mike’s Last Dance Romancë/Komedi
Mike Lane del në skenë edhe një herë kur një marrëveshje biznesi që dështoi e le atë pa para dhe duke u bërë banakier në Florida. Duke shpresuar për një turmë të fundit, Majk shkon në Londer me një socialiste të pasur, e cila e josh atë me një ofertë qe ai nuk mund ta refuzojë — dhe nje axhendë krejt të sajën. Me çdo gjë duke shkuar mirë, ai shpejt e gjen vetën duke u përpjekur ta krijojë një lisë të re të nxehtë të kërcimtarëve të talentuar. Aktori kryesor në këtë film është Channing Tatum.
Adnan Kafazi Aksion/Komedi
Adnan Kafazi është pjesa e tretë e filmave ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’. Në barin e tyre në Meksikë, banda, Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina po kalojnë kohën më të mirë të jetës pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës se tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marre udheheqjen. Banda vendos te kthehet ne Kosove mirëpo ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i forte se ata dhe menyra e vjetër e luftimit të gangstëreve nuk do të funksionojë.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, www.cineplexx.com. Biletat mund t’i bleni direkt në kinema prej orës 15:30./ KultPlus.com
Ish presidentja Atifete Jahjaga ka marr pjesë në edicionin e dytë të FemFest që po mbahet në Tiranë, dhe për herë të parë ka prezantuar përballjen me seksizmin, përgjatë mandatit të saj si presidente e Republikës së Kosovës. KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e ish presidentes Jahjaga.
E Dashur Iliriana Loxha-Basha,
Ambasadore Hastad,
Perfaqesues te UNWOMEN,
E dashur Elisa,
E Dashur Jorida,
E dashur Mirela,
E Dashur Igo,
E Dashur Linda Shala,
Paneliste te nderuar,
Mike te Dashura,
Kam një kënaqësi të vecantë të jem në mesin tuaj sot që së bashku të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën, e vecanërisht për temën për të cilën jam e ftuar të flas – Seksizmi në Politikë.
Kam shumë për të ndarë nga përvoja ime personale në shërbim publik, por edhe nga observimet e mia në lidhje me këtë temë përgjatë viteve.
Jam menduar shumë se si t’i çasem kësaj teme. Të zbukuroj realitetin, apo të tregohem e sinqertë? Edhe pse kam shërbyer në politikë nga një pozitë neutrale si Presidente e Republikës së Kosovës, vendosa të mos tregohem politikisht korrekte dhe të zgjedhë opsionin e dytë – të jem e sinqertë me ju.
Seksizmi në politikë është një fenomen edhe më i shprehur nga ç’duket. Është aq prezent dhe i përbrendësuar në sistem, sa që është i normalizuar, ç’është më e keqja. Atë e gjejmë brenda partive politike, në parlament, në analiza të ekspertëve, e në media.
Shërbimi im në Presidencë, si gruaja e parë që mban këtë titull në Kosovë dhe në rajon nuk ishte aspak i lehtë. Kur ju them që nuk ishte i lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e të drejtuarit një shtet, sepse për atë isha e pregaditur profesionalisht dhe psikologjikisht – e dija se cilat ishin detyrat, obligimet, e sfidat e detyrës. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë.
Debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja ime. Ishin takat e mia, ngjyra e flokëve, thonjët e mi, madhësia e çantave të mia, e pesha ime. Sulmet seksiste ndaj meje janë shprehur në formë komentesh misogjene nga politikanë e politikane, në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëritë civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte pothuajse fare reagime, përveq nga Rjeti Grave të Kosovës.
Do të isha shumë dakord nëse do analizohesha në linjat e punës simë – në mandatin për të cilin thirresha. Kritika konstruktive më kontribuonte edhe mua për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimit ndaj vendit e qytetarëve, por komentet mbi kilogramët e trupit tim, apo gjatësia e flokëve të mi nuk më kanë hyrë aspak në punë, e as nuk më kanë ndihmuar në udhëheqje më efikase. Ndjej keqardhje që e njëjta çasje jokonstruktive, misogjene, e seksiste është ende prezente pasi që e observoj në media, qëndrime politike, e qytetare ndaj Presidentes aktuale të Republikës së Kosovës. Më vjen shumë keq që 12 vite pas marrjes sime të mandatit, gjërat nuk kanë ndryshuar aspak!
Kuotat kanë bërë mrekulli në rritjen e numrit të grave në politikë. Ky mekanizëm ka ndihmuar në shumë aspekte, duke filluar nga inkurajimi i grave dhe vajzave të hyjnë në shërbimin publik, e deri tek perceptimi i qytetarëve për t’ju besuar këto pozita politike grave. Por, kuota nuk ka arritur që plotësisht ta ndryshojë mentalitetin ku pozitat e larta udhëheqëse iu besohen grave.
Gratë që udhëheqin parti në Kosovë e Shqipëri mund të numërohen me gishtat e një dore. Përveç kësaj, seksizmin brenda partive politike mund ta hasim edhe në mënyrën se si alokohen fondet për politikane dhe politikanë brenda partisë. Politikanëve iu sigurohen makina, çasje të shpejtë në resurse financiare dhe humane të partisë, dhe gatishmëri më e madhe e liderëve të partisë për t’ju vënë në ndihmë. Ndërsa politikaneve iu alokohen shumë më pak nga këto resurse. Në fakt, aq është dramatik ky dallim, sa që e dallon edhe garën politike mes dy gjinive. Kampanjat politike mes tyre dallojnë drastikisht.
Të mos flasim për seksizmin jashtë partiak gjatë diskutimeve në parlament, gjatë bashkëbisedimeve me komisione parlamentare, apo gjatë takimeve ndërpartiake. Talljet, fyerjet, misogjinia, e mentaliteti patriarkal janë gjithmonë aty. Janë pjesë e retorikës së përditshme në politikë duke i shtyrë gratë e vajzat në margjina të vendimarrjes, politikbërjes, e udhëheqjes së institucioneve.
Madje, shumë shpesh egziston edhe stereotipizimi i punëve edhe brenda politikës – politikanet mirren me punët e grave siq janë – e që s’do duhej të ishin – të drejtat e njeriut, dhuna në familje, dhuna ndaj grave; ndërsa punët e politikanëve ndahen mes tyre në siguri, rend dhe ligj, infrastrukturë e deri vonë edhe diplomaci.
Të dashura Mike,
Pa dashur të gjeneralizoj, por po e ndaj me ju pasi e kam vërejtur si një fenomen të shprehur, ka edhe burra që përforcojnë bindje seksiste ndaj grave në politikë e më pas flasin për seksizmin sikur një dukuri negative që duhet luftuar.
Mbaj mend që disa vite më herët, gjatë kohës sa unë isha duke shërbyer si Presidente e Republikës së Kosovës, Z. Erion Brace, njëri nga panelsitët tentativë të këtij diskutimi sot, emrin e të cilit e kam parë në draft agjendë por që fatkeqësisht nuk gjindet këtu sot, më ofendonte rëndë duke i kontribuuar klimës misogjiniste që tkurrë pjesëmarrjen e grave në sferën publike. Më vjen mirë nëse Z. Brace ka reflektuar dhe bindjet e tij janë transformuar.
Këtij diskursi seksist ndaj grave në politikë po i kontribojnë në mënyrë dramatike edhe mediat dhe analistët politikë. Casja e tyre ndaj politikaneve është, në të shumtën e rasteve, plotësisht e padrejtë, e pavend, jo etike, dhe aspak profesionale. Përderisa fokusi duhet të jetë tek kualiteti i punës dhe rezultatet konkrete të qeverisjes e politikbërjes së tyre, vëmendje e vecantë i vihet pamjes, sjelljes gjoja ‘agresive‘ dhe jo femërore, apo shumë femërore në disa raste, e deri tek jeta personale që nuk vihet ne diskutim në të njejtën masë tek politikanët burra.
Të dashura Mike,
Më duhet që patjetër të theksoj edhe seksizmin që e ushqejmë edhe ne si gra ndaj njëra-tjetrës. Numëroj raste të panumërta ku gratë politikane kanë qenë shumë më të ashpra e me të padrejta ndaj grave në politikë. Më ka ndodhur edhe mua, por besoj që secila këtu në sallë, ka rënë pre e një trajtimi të tillë të paktën një herë gjatë karrierës së tyre. Mungesa e solidaritetit po e ndalon progresin tonë kolektiv, të dashura mike. Ne po shndërrohemi në faktorë që e mirëmbajnë patriarkatin. Popullizmi feminist nuk na duhet. Deri diku pajtohem me Maisie Ëilliams e cila thotë që duhet të ndalojmë së thirruri veten feministë, dhe vetëm t‘i emërtojmë ata që nuk janë feministë si seksistë!
Uroj që vetëdijësimi ynë të jetë sa më i shpejtë e të jemi më kritikë ndaj këtij fenomeni sepse asnjë shoqëri nuk e posedon luksin për të humbur kapacitete e potencial që gratë kanë, e që si pasojë e kësaj misogjinie e përbrendësimi të vlerave negative, po stagnojmë. Nga seksizmi nuk përfiton askush, madje as burrat. Sa më parë të e pranojmë këtë fakt, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.
Në fund, dua të bëj thirrje për unitet e solidaritet mes grave në politikë. Dua që të ushqejmë një lidhje të shëndoshë me njëra tjetrën, edhe nëse nuk pajtohemi ideologjikisht apo politikisht – është plotësisht e pranueshme të kemi diversitet mendimesh. Por, e shoh rrënjësore që përkrahja ndaj njëra tjetrës të mos mungojë që ta luftojmë së bashku seksizmin e t’i zhdukim pabarazitë në shoqëri.
Hyri në burg në moshën 24-vjeçare. Vdiq aty në moshën 67-vjeçare. Fotoja e parë është bërë pak kohë pas hyrjes në burg, ndërsa e dyta pak vite para vdekjes. U dënua tri herë për arsye politike…
Në asnjë vend të Lindjes komuniste nuk mund të gjesh shembuj të tillë. -shkruante para pak kohësh në rrjetin e tij social ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Katriot Dervishi.
Dangëllitë, vijnë më origjinë nga Përmeti, por 300 vjet më parë ata u shpërngulën dhe shkuan në fshatin Menkulas të Devollit. Një derë e madhe që do të bëhej pre e komunizmt për gjatë gjithë viteve të diktaturës. Që në fillimet e regjimit komunist e pikërisht më 1944, do të prangosej Sami Dangëllia.
Ai lindi më 1920-ën, fëmijërinë e kaloi në fshat, më vonë shkoi ushtar dhe që andej bashkohet me Ballin Kombëtar. Kur komunistët kthehen fitues, menjëherë fillojnë të ndjekin familjet Dangëllia. Pre e kësaj gjuetie u bë edhe Samiu. Kështu më 8 Tetor 1944, arrestohet dhe burgoset në burgun e Korçës dhe vetëm pas një viti e shpallin “armik të popullit”.
Sami Dangëllia u vendos në burgun e Burrelit. Më pas fillon interrnimi, por shumë shpejt do të ridënohej dhe në vitin 1960, ridënohet me 25 vjetë burg dhe dërgohet përsëri në Burrel, ku do të mirrte dhe nofkën “Gjyshi”. Më pas kalvarin e vuajtjeve do ta kalojë në Spaç, ku Dangëllia punonte shumë për të nxjerrjen e bukën së gojës shtesë, mbasi nuk kishtë asnjë ndihmë nga të afërmit.
Punoi i skllavëruar, por i pamposhtur nga torturat… Me 21 Maj 1973, ai ishte një nga organizatorët e Revoltës së Spaçit.
Ky njeri ka vuajtur nga diktatura, mbase më shume se askush tjetër në botë. Janë plotë 108 milionë viktima nga regjimi komunist në të gjthë botën, por askush nga të burgosurit nuk ka bërë aq burg sa ai.
Edhe Mandela, që është simbol i qëndresës, ka bërë vetëm 28 vite burg, dhe me aq vite burg në Shqipëri janë me dhjetra, por simboli i Mandelës vlen për t’u vlerësuar, po aq edhe simboli i Dangëllisë.
Ai u burgos në kulmin e rinisë dhe u dergj burgjeve për dekada me rradhë deri sad ha shpirt po në burg. Jeta e tij, mbase konsiderohet si një nga më të vështirat në botë. Të burgosesh në moshën 24 vjeçare dhe mos të dalësh më gjallë nga birucat e komunizmit.
-Marrë me shkurtime nga radiandradi. / KultPlus.com
Gazetari Denis Galushi ka sjell vargjet e këngës “Sërish vjen marsi” në gjuhën rome, dhe sipas tij, këtë miksim të këngës e solli si rezultat i inspirimit nga kjo këngë, e cila, sipas tij është lëshuar disa herë gjatë këtyre ditëve në zyrën e tij.
Më poshtë e keni të plotë njoftimin e gazetarit Galushi, sikurse edhe videon me përkthimin e tekstit nga ai.
“Serish vjen marsi”, kenga e pavdekshme dhe legjendare e Ilir Shaqirit, s’di per sa here u degju sot ne zyre te punes…
Dhe, per nje moment, u inspirova qe vargjet hyrese t’i perkthej edhe ne romisht.
Prandaj, me kenaqesi e bera nje far miksi te interpretimit romisht-shqip.
Në Grammy Museum në Los Angelos u hap një ekspozitë me artikuj të superyllit kolumbian të muzikës, Shakira. Ekspozita sjell në skenë karrierën e saj disa dekadëshe, që prej fillimit e deri më sot.
Sipas përgjegjësve të ekspozitës, qëllimi i hapjes së ekspozitës është prezantimi i një atlasi që paraqet Shakirën si qytetare të botës.
Vizitorët atje kanë shansin të hyjnë në botën e Shakirës përmes muzikës së saj, videove muzikore, kostumeve skenike dhe teksteve të shkruara të këngëve të saja, percjell 21 Media.
Çdo ekspozim përfshinë veshje të cilat i ka veshur Shakira, përfshirë në tepihun e kuq.
Atje përfshihen edhe kostumet me të cilat është paraqitur në Super Bowl, një kitarë e zhytur në ar nga turneu El Dorado World Tour, dhe një tavolinë për miksim këngësh ku fansat mund të analizojnë këngët e saja.
Ekspozita dedikuar Shakirës në Grammy Museum, në Los Angelos, u pagëzua Shakira, Shakira, dhe ajo do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri muajin shkurt të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com
Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.
Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com
Eh, Prekaz, Prekaz…! Prekaz i vogël, sa një grusht, Prekaz, i madh, i pakufi, Mal e fushë lulëgjakesh, Këngë frymëzimi, Burim, lumë, det, oqean, Diell për Liri! Në Prekaz, Në Kullën e Jasharajve, Shekujt, që shkojnë e vijnë, Hartën shtrijnë, Çdo cep të Atdheut Me Diell Lirie qëndisin! Në Prekaz, Në Kullën e Jasharajve, Ku plumbat Në gjokse Si në ujë u shuan, Ku tanket Si në legjendë u ngrinë, Ku aeroplanët Si zogj të plagosur Në qiell humbën fluturimin, Ku predhat e topave Në parzmat ― flakë Lirie, u shkrinë, Bajlozët, para Gjergj Elez Alisë, U përgjunjën, kokën thyen! Në Prekaz, Në Kullën e Jasharajve, Me Diell Lirie, që lind, Nga gjokset e burrave, Nga gjokset e grave, Nga gjokset e pleqve, Nga gjokset e fëmijëve, Shekujt, që shkojnë e vijnë, Mbi hartën e Atdheut Mbrujnë ardhmëninë!/ KultPlus.com
Nëntë artistë do të prezantohen me ekspozitë të përbashkët më 8 mars, ekspozitë që për kuratore ka artisten Diella Valla, shkruan KultPlus.
Ajo ka njoftuar se në këtë ekspozitë që edhe titullohet “Femizmi në art”, janë përfshirë punime që kanë për bazë gruan, me qëllim që të adresohet edhe me rastin e 8 marsit, ditë kjo që edhe shënon ditën e gruas.
Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Drilon Shoshi, Tinka Kelmendi, Eris Havolli, Nderim Bytyci, Debora Hetemi, Albiona Berisha, Dijeta Smajlaj, Gerta Hameli dhe Diella Valla.
Ekspozita hapet më 8 mars në ora 19:00 dhe rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com
Ish presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka marr pjesë në FemFest në Tiranë, e cila ka ndarë përvojën e saj në luftën me seksizmin, përgjatë periudhës sa ishte presidente e Kosovës, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Jahjagës për këtë pjesëmarrje.
E kush tjetër mund të fliste më mirë për seksizmin në politikë?
Në FemFest në Tiranë, sot ndava pak nga eksperienca ime në luftën me seksizmin, gjatë por edhe pas mandatit tim si Presidente.
Vazhdojmë të kemi raste të panumërta dhe të vazhdueshme të shoqërisë sonë skeptike ndaj forcës dhe dijës së gruas. Fatmirësisht, gratë në Kosovë e Shqipëri i’u janë kundërpërgjigjur këtij mosbesimi dhe fyerjeve jo me fjalë por vetëm me vepra, duke ju dëshmuar të kundërtën.
Andaj, jo vetëm në muajin Mars, por çdo ditë, gratë duhet të guxojnë e dëshmojnë që janë të zonja dhe të forta./ KultPlus.com
Vizita e kryeministres daneze, Mette Frederiksen në Tiranë, ku është takuar me homologun e saj, Edi Rama, është shoqëruar edhe me momente pikante, ndërsa ajo vizitonte zyrën e punës së kreut të qeverisë shqiptare.
Asaj, jo pak kureshti i kanë ngjallur pikturat në zyrën e Ramës. Fredriksen, është shprehur se nuk ka parë asnjëherë një zyrë të tillë e dizenjuar me piktura të bëra nga vetë kryeministri.
Dialogu
Kryeministrja daneze: Nuk kam parë kurrë një zyrë të tillë, do të jetë e vetmja në botë!
Edi Rama: Angela më tha të njëjtën gjë.
Kryeministrja daneze: I bën direkt në mur?
Edi Rama: Jo! Hidhen në kompjuter dhe pastaj murosen.
Varianti më i shtrenjtë i limonit në botë, po kultivohet edhe në Lushnje. Bëhet fjalë për një lloj shumë të veçante, i cili njihet me emrin limoni haviar ose limon gisht. Preardhja e tij është nga Australia e largët.
Fermeri Klodian Hida ka nisur kultivimin 5 vite më parë në tokat e Fiersheganit të këtij varieteti unik në Shqipëri.
Aktualisht fidanët që mbolli lëshuan frutat e para të këtij limoni të rrallë dhe për Klodianin dhe familjen e tij dhe kjo ishte diçka e paimagjinueshme.
Ai ka mbjellë 270 rrënjë dhe 3 lloje varietetesh.
Tregu i huaj si Italia dhe Franca janë dy shtetet ku ky produkt është shumë i kërkuar. 1 kg të këtyre limonave është shitur për 87 euro i porositur në restorantet e njohura.
Limoni haviar gjen përdorim nëpër sallatra të ndryshme, në peshk, por shumë i kërkuar është edhe për ëmbëlsirat.
Ky varietet unik, ka formë të stërgjatur dhe aromë shumë të fortë.
Tuli i këtij limoni përmban kokrriza të vogla, që janë të forta dhe kur konsumohen të japin ndjesinë e freskisë.
Në dallim nga limonat tradicionale ky limon nuk shtrydhet e nuk nxjerr lëng, por kokrra.
Zona e Lushnjës është e vetmja deri më sot në Shqipëri, ku varietet e këtij limoni i janë përshtatur klimes dhe tokës.
Nga restorantet tona nuk perdoret akoma per shkak të çmimit të lartë që ka në treg.
Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.
Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com
Në Teatrin Oda sonte do të shfaqet premiera e shfaqjes “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelaj, kurse asistente e regjisë është Rozafa Çelaj, shkruan KultPlus.
Shfaqja do të fillojë në ora 20:00, kurse me roleit e tyre do të paraqiten:Shkumbin Istrefi, Qendresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Markaj, Blend Sadiku. Skenograf i shfaqjes është Burim Arifi, ndriçimi: Yann Perregaux Dielf, Bujar Bekteshi. Kjo shfaqje është përkrahë nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë më: 7, 16 dhe 30 mars./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka thënë se një shembull i pashoq është shembulli i familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e kryetarit Rama.
Liria që ne sot e gëzojmë është e brumosur nga sakrifica më sublime e shumë dëshmorëve e martirëve.
Një shembull i pashoq është shembulli i familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari.
Epopeja e UÇK-së është ngjarja më e rëndësishme që nderon këtë kontribut të jashtëzakonshëm të familjes Jashari bashkë me të gjithë martirët e dëshmorët që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Chris Rock ka folur për herë të parë për shuplakën e marrë nga Will Smith gjatë Oscars, pothuajse një vit nga skandali që tronditi miliona njerëz në mbarë botën.
“Të gjithë e dinë, po, ndodhi, unë u godita me shuplakë një vit më parë”, “Dhe njerëzit thonë, ‘A dhemb?’ Ende dhemb. Kam verën që më kumbon në vesh.” tha Rock.
Rock foli për Will Smith në fund të shfaqjes së tij “stand-up Selective Outrage”, e cila u transmetua drejtpërdrejt në Netflix nga Teatri Hippodrome në Baltimore të shtunën mbrëma.
Gjatë ceremonisë së Oskarit të vitit të kaluar, Smith, i cili fitoi atë natë çmimin për aktorin më të mirë, goditi Rockun në mes të transmetimit pasi ai bëri shaka për gruan e Smith, Jada Pinkett Smith.
Pasi i bërtiti Rock-ut nga vendi i tij, Smith doli në skenë për të goditur Rock-ut në fytyrë. Komediani më vonë nuk pranoi të ngrinte akuza kundër Will Smith citon The Guardian.
Filatelia e Postës së Kosovës, në shenjë nderimi të figurave të ndritura nga historia moderne e Republikës së Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri, më 5 mars 2023 vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”.
Emisioni i pullave postare përbëhet nga një pullë postare me nominale €2.10, të shtypur në suvenir tabak të dizajnuar, Zarf të Ditës së Parë dhe Vulë të Ditës së Parë, me qarkullim deri në konsum të plotë.
Motivi i pullës postare që mban portretin e Shabanit, Ademit dhe Hamzë Jasharit, në sfond ka shqiponjën dykrenore, që në mënyrë artistike shndërrohet në numrin e përvjetorit të rënies heroike dhe sakrificës së jashtëzakonshme të familjes Jashari. Ky motiv njëkohësisht paraqet edhe shenjën mbrojtëse të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të manifestimit të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Si çdo herë, Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë me krenari vlerat tona kombëtare në të katër anët e botës./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.
Ai tha se që nga 5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1999, kur UÇK shënoi 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të këtyre datave.
“Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë luftë, kur trupa artistike ushtarake e Hamëz Jasharit, e përbërë nga akterë dhe ushtarë që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5,6 dhe 7 marsit të 1998 në Prekaz”, tha Kurti.
Ai përmendi komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ku tha se “Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UCK-së le të kujtojmë fillet e kësaj traditë përkujtimore të nisur më 5, 6 dhe 7 mars 1999 ku ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë Ai është gjallë. Ato ditë ishte ende koha e luftës, për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur tërë jetën dhe asaj luftë që ai ia kushtoi tërë jetën. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është kështu sepse origjina e Ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve 80 atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët, për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtrinë, andaj sot ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.
Kurti iu drejtua ushtarëve duke iu thënë se sa herë që ata e veshin uniformën, ta dinë se është uniformë me prejardhje nga Adem Jashari.
“Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti.