21 vjet shkëlqim në Prizren i dhuruar nga DokuFest

Fotografitë: Arben Llapashtica

Prej këtij viti, DokuFest është në mesin e 24 festivaleve që nominojnë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit.

Mbi 250 filma do të prezantohen në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër që po mbahet në Prizren, e që këtë vit po shënon edicionin e 21-të, shkruan KultPlus.

Festivali që pas dy viteve u kthye në zhvillimin e rrugëtimit si viteve para pandemisë, po mbështetet edhe këtë vit nga ProCredit Bank, mbështetje që po vazhdon tash e 18-të vjet.

Festivali që ka nisë më 5 gusht me filmin “Zjarri i dashurisë” me regji të Sara Dosa, do të zgjasë deri më 13 gusht dhe do të prezantojë filma në tetë kategori: Balkan dox, artistik ndërkombëtar, filma të shkurtër dox, filma të shkurtër ndërkombëtarë, për të drejtat e njeriut, për natyrën, për të vërtetën dhe kombëtar.

Dhe sikurse çdo vit, edhe këtë herë festivali ka një moto, dhe për vitin 2022, ka përzgjedhë moton  “Si të mbijetojmë?”.

Dhe kjo moto “Si të mbijetojmë” pos që përkon me peripecitë e njerëzimit me pandeminë, është edhe inkurajues për shumë të tjerë se si mund të ngritet një festival sikurse DokuFest, e që në fillet e tyre nuk e kishin pas idenë se do të jenë në mesin e festivaleve më të mira të botës.

Prej këtij viti, DokuFest është në mesin e 24 festivaleve që nominojnë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit.

Dhe këtij rrugëtimi të gjatë artistik, argëtues dhe me shumë gjallëri jo vetëm për Prizrenin, tash e 18-të vjet i beson ProCredit Bank, që edhe këtë vit e mbështetë këtë festival dhe i qëndron afër si çdo vit tjetër – në sfida dhe arritje.

ProCredit Bank, është një ndër bankat në Kosovë e cila i jep shumë hapësirë ngjarjeve të mirëfillta kulturore në vend e kjo është dëshmuar jo vetëm me DokuFest-in, por edhe me shumë ngjarje të tjera kulturore./KultPlus.com

Në Shkup do të xhirohen filma të Hollywood-it, paralajmëron aktori me famë botërore

Ylli i njohur amerikan i filmit John Malkovich ka bërë të ditur se në Shkup do të xhirohen filma hollivudiane. Kjo pritet të ndodhë menjëherë pasi në afërsi të qytetit do të ndërtohen disa kinostudio në kuadër të projektit “Skopje Technology Park”.

“Do të doja të përshëndes miqtë e mi maqedonas dhe t’ju tregoj se sa i emocionuar jam për bashkëpunimin me kolegët e mi profesionistë D.V. Muffet dhe Matt Dillon për krijimin e studios filmike, muzikore dhe mediatike të kalibrit hollivudian, me certifikatë për ndërtim ekologjik në Shkup. Studio e parë e këtij lloji në të gjithë Ballkanin, tha Malkovich për MTV.

Ai njoftoi se do ta vizitojë Shkupin menjëherë pasi Qeveria të miratojë projektin “Parku Teknologjik i Shkupit”.

“Vendosëm që projektin ta emërtojmë “Stonebridge Study” për nder të kulturës së pasur dhe historisë së pabesueshme të popullit maqedonas”, theksoi Malkovich.

Ai tha se si ballkanas i kushton rëndësi të veçantë këtij projekti.

“Jemi të emocionuar jo vetëm sepse do të punojmë dhe xhirojmë filma të Hollivudit në Shkup, por do të ndihmojmë në forcimin e mëtejshëm të filmit ballkanik, si dhe komunitetit të muzikës dhe artit në çdo mënyrë të mundshme. Unë besoj fuqishëm se projekti do të jetë me rëndësie vendimtare për vendin dhe rajonin”, tha John Malkovich.

Këto ditë ai po viziton Serbinë, po luan në në shfaqjen “Komedia e Ferrit – Rrëfimet e një vrasësi serial”./ KultPlus.com

epa07459147 US actor John Malkovich attends a press conference held at the Centro Galego de Artes de la Imagen in La Coruna, Spain, 23 March 2019, during the film cycle ‘Go and Come’ (Vai e Vem). EPA-EFE/Moncho Fuentes

Shteti evropian që po paralajmëron se shkollat këtë vit mund të mos kenë ngrohje

Shkollave në Austri mund t’u duhet të shkurtojnë udhëtimet me ski dhe ngrohjen për shkak të kostove të energjisë.

Drejtuesit e shkollave austriake janë të shqetësuar se mund të mos kenë para të mjaftueshme për të ngrohur shkollat ​​e tyre dhe kanë frikë se kurset e skive ose trajnimet e mëtejshme mund të anulohen.

Problemet e ngrohjes përkeqësohen nga rregullat e Covid-19, të cilat kërkojnë ajrosje të shpeshtë jashtë klasave, transmeton Albinfo.ch.

Siç raportoi The Local të mërkurën, EVN dhe Wien Energie – të dyja pjesë e grupit Energieallianz Austria (EAA) – kanë njoftuar të dy se do të rrisin çmimet e energjisë nga muaji i ardhshëm.

Në një intervistë me transmetuesin ORF, Drejtori Menaxhues i Agjencisë Austriake të Energjisë (AEA), Franz Angerer, tha se nuk ishte për t’u habitur që çmimet ishin rritur pasi çmimet e tregut ishin rritur gjatë muajve të fundit. Ka shumë pak mënyra që konsumatorët të kursejnë në fatura, përveç uljes së konsumit. Fakti që Wien Energie dhe EVN, por jo partneri i tyre në Energieallianz Austria, Burgenland Energie, po rrisin çmimet është sepse Burgenland prodhon më shumë energji të erës. Megjithatë, ekspertët besojnë se çmimet do të rriten edhe atje përfundimisht.

Në të njëjtën kohë me rritjen e çmimit, Wien Energie, shpalli një tarifë për klientët e rregullt. Si rezultat, klientët Wien Energie mund të reduktojnë rritjen në 24 për qind për energjinë elektrike dhe 50 për qind për gazin natyror, sipas një transmetimi të Wien Energie të mërkurën./ KultPlus.com

20 mijë euro kushtoi vepra e Flaka Halitit në Manifesta 14, e ‘fluturon’ era

“Nën diell – Shpjego çka ndodhi” ishte titulluar vepra e artistes Flaka Haliti në Manifesta 14, që është hapë së fundi në Prishtinë, dhe po kësaj vepre, organizatorët i kishin lënë një pozicion pothuajse kryesor, pasi që edhe hapja e Manifesta 14 ishte bërë pikërisht nën hijen e veprës së Flaka Halitit, shkruan KultPlus.

Por vepra “Nën diell-Shpjego çka ndodhi” nuk është më pjesë e veprave të vendosura në kuadër të Manifesta 14, dhe sipas burimeve të KultPlus, kjo vepër tashmë është dëmtuar si pasojë e reshjeve dhe bubullimave që ndodhën gjatë javës së shkuar në Prishtinë.

Mirëpo se vepra “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” e Flaka Halitit ka rënë në tokë dhe se është dëmtuar, nuk është konfirmuar edhe nga udhëheqësit e Manifesta 14.

Udhëheqësit e këtij manifestimi kanë thënë  për KultPlus se vepra është larguar nga ekipi teknik i festivalit, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, shi e bubullimë, dhe sipas drejtoreshës Hedwik Fijen, bashkë me ekipin teknik e kanë larguar veprën para se të ndodhte diçka serioze.

Dhe si duket vepra me titullin “Nën diell – Shpjego çka ndodhi”, kërkon ‘shpjegime’ edhe më tej për këtë vepër të Flaka Halitit, pasi që sipas drejtoreshës Fijen, kjo vepër, përpos kostos fillestare për realizimin e kësaj vepre, tashmë ka edhe koston shtesë për rivendosjen e saj në vendin paraprak. Fijen ka thënë për KultPlus se vepra e Flaka Halitit ka kushtuar rreth 20 mijë euro, kurse për kostot e riinstalimit të veprës ende nuk dihen në këtë fazë.

“Puna e Flaka Halitit do të riinstalohet në ditët në vijim, varësisht prej teknikës”, ka thënë Fije.

Dhe duke iu referuar përvojës me veprën e Flaka Halitit, KultPlus ka pyet drejtoreshën Fije se nëse kanë marr masa edhe për veprat e tjera, pasi që shumica prej tyre janë në hapësirë, ajo është shprehur se të gjitha punimet tashmë janë kontrolluar nga inxhinierët dhe janë parashikuar masa shtesë.

Kurse përshkrimi i Manifesta 14 për veprën e Flaka Halitit është në këtë fiormat:

Nëse keni parë ndonjëherë diellin të perëndojë në qiellin e përndezur ose gacat e përflakura të luftës, horizonti i mistershëm i Flaka Halitit do të bëjë që fyti t’ju shtrëngohet pak./ KultPlus.com

Në çfarë moshe largohen fëmija nga shtëpia e prindërve në Gjermani e shtete tjera

Më shumë se 30% e gjermanëve të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk jetonin më me prindërit ose kujdestarët e tyre në vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara të hënën (01.08) nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis.

Kjo është përqindja më e lartë në 10 vitet e fundit, edhe pse vetëm një rritje modeste në përqindje prej pak më pak se 4% gjatë dekadës. Një total prej rreth 8.3 milionë të rinjsh u përfshinë në të dhënat, të cilat u prezantuan si pjesë e nismës së BE-së “Viti Evropian i Rinisë”.

Gjetjet vijnë një javë pasi Destatis zbuloi, se përqindja e popullsisë gjermane të moshës 15 deri në 24 vjeç ka arritur përqindjen e saj më të ulët që nga fillimi i të dhënave aktuale në 1950.

Çfarë tregojnë këto shifra?

Në Gjermani, të rinjtë janë larguar nga shtëpia mesatarisht në moshën 23.6 vjeç në vitin 2021, pothuajse tre vjet më herët se mesatarja e BE-së, sipas autoritetit të statistikave të BE-së, Eurostat.

Të rinjtë suedezë largohen nga shtëpia më të rinj, mesatarisht 19 vjeç. Portugalia ka moshën mesatare më të lartë për t’u larguar nga shtëpia në BE, me 33.6 vjeç.

Në Gjermani, gratë e reja mesatarisht largohen nga shtëpia më herët se burrat, me 27.6% të grave në grupmoshën që ende jetojnë në shtëpi krahasuar me 35.1% të burrave.

Gratë e reja që largohen nga shtëpia prindërore mesatarisht më herët se të rinjtë dominuan në të 27-ta vendet e BE-së në vitin 2021, sipas Eurostat.

Më pak martesa, bashkëjetesa dhe bebe

Destatis tha gjithashtu se numri i 15-24-vjeçarëve që bashkëjetonin ose martoheshin në vitin 2021 ishte më i ulëti në 30 vjet. Shifra prej 136,000 të rinjsh të martuar plotëson një rënie të shpejtë gjatë tri dekadave të fundit.

Në vitin 1991, kishte rreth 990,000 të martuar në këtë grupmoshë. Në atë periudhë kohore, rreth 9.6% e njerëzve të moshës 15 deri në 24 vjeç ishin të martuar.

Numri i prindërve në grupmoshën 15 deri në 24 vjeç gjithashtu ka rënë me gati 40% në Gjermani që nga viti 2011. Në vitin 2021, vetëm 2.4% e grupmoshës u bënë prindër. Kjo nuk ka ndryshuar shumë nga viti 2011 kur 3.7% e grupmoshës ishin prindër./DW

Përparim Rama: Lajm fantastik për Prishtinën, Kino Rinia i rikthehet në menaxhim Komunës së Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se objekti i Kino Rinisë do ti kthehet në menaxhim Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Gazeta online KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Objekti i KINO RINIA i rikthehet në menaxhim Kryeqytetit pas shumë vitesh.

Pas një pune disa mujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e Kino Rinisë nën menaxhimin tonë.

https://www.pak-ks.org/Page.aspx?id=1,%208,611

Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP.

E falenderoj shumë Drejtoren e Pronës, Doruntinë Maloku dhe gjithë stafin për përkushtimin disa mujor për kthimin e KINO RINISË në menaxhimin tonë. Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit./ KultPlus.com

Jasharaj: Më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë  në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Ndërkaq, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se me 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë. Ndërkohë, Qeveria ka  thënë se Projektligji për Paga është në fazën finale.

Pas vonesës së Projektligjit për Paga dhe mos përmbushjes së kërkesave për ndarjen e 100 eurove shtese për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor nga data 1 shtator. Ketë e bëri të ditur për Radio Kosovën  kryetari i kësaj sindikatë, Rrahman Jasharaj, i cili tha se deri me tani po mungon dialogu me qeverinë.

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, thotë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Po ashtu,  edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se  me 10 gusht do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së, ku pritet të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm sindikalë e që nuk përjashtohet edhe greva./KultPlus.com

Melina…

Luan Rama

Erdha Melina
njëzet vjet rrugë mu deshën
të vija tek ti në zemër të Athinës,
një kafe piva në lagjen «Plaka»,
«Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,
rrugën mora nga Akropoli për tek ti
atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë,
merre këtë cigare Mërkuri,
çohu dhe ndize si njëherë
ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»
kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,
çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirja Andonit”
që i lumtur ishte veç në ëndërr,
Melina, gjaku im i shprishur,
i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin
dhe diellin që bie e shuhet në të,
gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu
dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu,
Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,
se të puthurën tënde ende e kam në faqe
dhe përqafimi yt krahët mi ngroh,
ah, duart dhe gishtërinjtë e tua
që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë
dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,
shko tani Melina, u bë vonë,
shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase
Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé,
shko ashtu përhumbur në tymin e cigares
se agimi po afron dhe bota do të zgjohet,
ndryshe do duhet të të mbart mbi vete,
të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë
ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë:
një i gjallë me një të vdekur shkon…/ KultPlus.com

Momenti kur një ekran gjigant në skenë shkëputet dhe zë dy kërcimtarë

Një ekran gjigant ra dhe plagosi dy kërcimtarë derisa po performonte grupi i njohur “Mirror” në një skenë koncerti në Hong Kong.

Ekrani goditi një interpretues përpara se të rrëzohej mbi të tjerët, treguan pamjet që q Koncerti muzikor u ndërpre menjëherë dhe menaxheri i grupit u kërkoi turmës të dilte me qetësi nga salla.

Policia e Hong Kongut konfirmoi për shtypin lokal se dy kërcimtarë të gjinisë mashkullore u shtruan në spital.

Nga spitali thanë se njëri prej tyre kishte marrë lëndime në qafë dhe ishte në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv ndërsa një tjetër ishte stabil, raportoi South China Morning Post.

Gjithashtu, edhe disa persona u trajtuan për tronditje.

Qeveria e qytetit ka urdhëruar që pjesa e mbetur e turneut të pezullohet derisa të kryhen kontrolle sigurie në vendet e tjera, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Jam i tronditur nga incidenti”, tha udhëheqësi  i qytetit, John Lee, duke shtuar “u shpreh ngushëllimet për ata që u plagosën dhe shpresoj se ata do të shërohen shpejt”./ KultPlus.com

Koncert me hitet e pop-rock bendeve të Gjilanit 

Naser Berisha, këngëtari i njohur për hitet e shumta të viteve të 90-ta është duke organizuar koncertin pop-rock, koncert që do të mbahet sonte në qendër të Gjilanit, shkruan KultPlus.

Naser Berisha ka njoftuar se koncerti “#eJona” do të fillojë prej orës 20:00 dhe do të përfshijë këngë hite origjinale prej viteve të 70-ta e këndej.

“I gjithë koncerti do të jetë live dhe të gjitha grupet do të performojnë këngët e tyre origjinale”, ka thënë Berisha për KultPlus, i cili këtë koncert e ka sjell për audiencën gjilanase, që vlerësohet si koncert nostalgjik për bendet e pop-rock që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Gjilan. / KultPlus.com

Kurti: Partner të padiskutueshëm të sigurisë Kosova e ka ShBA-në

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova partner të sigurisë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai, para medieve në Uashington, pas përfundimit të takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka theksuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kanë shfrytëzuar mundësinë për kërkimin e shtimit të investimeve amerikane në Kosovë.

“Takimi që patëm bashke me presidenten qe shume i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe ShBA-së. Me këtë rast ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë”.

“Së pari është rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe i ndërhyrjes NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra, në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë të cilat dëshirojnë të tregojnë për zhvillim ekonomik se demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”.

“Njëkohësisht ne përfituam nga rasti, nga sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me ShBA-në për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin, synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner edhe të padiskutueshëm por gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht ShBA-në”, ka thënë Kurti, njofton KlanKosova.tv/ KultPlus.com

Osmani pas takimit me Blinken: U konfirmua se Kosova s’ka mik më të madh se Amerika

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të shkëlqyeshëm takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ajo ka thënë se në këtë takim është konfirmuar se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh sesa Amerika.

“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.

“Kemi diskutuar edhe për rolin konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë, kushtetutshmërinë, gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Si Biden edhe Blinken e kanë thënë qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë presidentja Osmani./ KultPlus.com

Pas shumë sukseseve në Kosovë, kori “Okarina” me paraqitje edhe jashtë shtetit

Kori i Fëmijëve “Okarina” që udhëhiqet nga Elikona Hysaj Shala do të prezantohet me një paraqitje në Festivalin “Dita jonë”, edicioni i IX-të, në Kërçovë të Maqedonisë, shkruan KultPlus.

Elikona Hysaj Shala ka njoftuar për KultPlus se në këtë Festival, Kori i Fëmijëve “Okarina” është mysafir special, dhe po sipas saj, fëmijët do të prezantohen me tetë këngë.

Festivali ‘Dita jonë” organizohet na Komuna e Kërçovës, nën udhëheqjen e Besiana Qani Mehmedit.

“Kënaqësi pafund që Kori “Okarina”  do të përjetojë koncertin e parë jashtë Kosovës, përkatësisht  në qytetin e Kërçovës, qytet simbol i  mikpritjes shqiptare”, ka shkruar Elikona Hysaj Shala.

Festivali “Dita jonë” do të mbahet në Kalanë e Kërçovës, më 29 korrik, duke filluar në orën 18:00./ KultPlus.com

“Muzat e Akropolit” po vijnë, Merita Harxhi Koci sonte do të prezantojë koleksionin e saj më të ri (FOTO)

Merita Harxhi Koci është gati për të shpalosë koleksionin e saj të fundit, koleksion që do të prezantohet sonte, fiks në ora 19:00, mëson KultPlus.

Merita Harxhi Koci shprehet të jetë e ngazëllyer për punën e fundit që ngërthen një koleksion të tërë, e që për emër ka “Muzat e Akropolit”, koleksion që është frymëzuar nga monumenti ikonë Akropoli, apo Shkëmbi i Shenjtë, sikurse që quhet nga shumëkush, një vend që personifikon demokracinë, filozofinë, teatrin, lirinë e shprehjes dhe fjalës.

“Athina dukej si një vend i përsosur për të realizuar këtë fotosesion. Ne kemi punuar shumë për të realizuar këtë koleksion, dhe për këtë jemi shumë të emocionuar, pasi që tashmë jemi në prag të prezantimit të koleksionit tonë të ri, e që është realizuar në qytetin e bukur të Athinës”, ka thënë Merita Harxhi Koci për KultPlus.

Merita Harxhi Koci

Koleksioni që do të prezantohet vetëm online në faqen e disenjatores Merita Harxhi Koci, përfshinë 12-të fustane, dhe sipas saj, të 12-të fustanet janë me stil individual, duke filluar prej luleve, gurëve të çmueshëm e deri te detajet e ndërlikuara. Me një fjalë, këto 12 fustane kanë diçka të veçantë për secilën.

“Ne falënderojmë ekipin tonë, sikurse që falënderojmë edhe ekipin e fotosesionit për gjithë punën e tyre të palodhur”, ka thënë Harxhi Koci, duke specifikuar se ky koleksion është kaq i bukur, falë edhe përkushtimit të ekipit përfshirës në këtë koleksion.

“Shpresojmë që të ju pëlqejë edhe të tjerëve, po aq sa kemi qenë të përkushtuar ne”, ka thënë për fund Merita Harxhi Koci, e cila njihet si një ndër disenajtoret më të përkushtuara në vend. Merita Harxhi Koci, përpos ateliesë së saj në Prishtinë, ajo së fundi ka hapë edhe një pikë tjetër të shitjes në Shkup të Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com

Delegacioni nga Spanja viziton Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina, diskutohet për shkëmbim të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës

Ministri Çeku priti në takim delegacionin nga Spanja që kanë ardhur për ta vizituar Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina.

Delegacioni i përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve. Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit.

Gjithashtu, u diskutua për përvojat e organizimit të Manifesta 14 Prishtina në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta./ KultPlus.com

Gazetari nga Tirana fyen kosovarët: Ju nuk përdorni vajin e ullirit, ende jeni të pleskavicave dhe lakrave

Gazetari nga Shqipëria, Bledi Mane, ka ofenduar kosovarët duke thënë se “nuk e përdorin vajin e ullirit”.

Gjatë një emisioni në “Top Channel”, të dielën teksa po flitej për “Sunny Hill” ka eskaluar gazetari shqiptar 100 dollar payday loan online .

“Ju nuk perdoni vajin e ullirit, ende jeni te pleskavica dhe lakra”, ka thënë ai.

Më pas ka ardhur edhe reagimi i gazetarit nga Kosova, Milaim Zeka.

“Kjo çka thua ti është një puro racizëm dhe një puro hajvanillak”, i ka thënë Zeka – Mane.

Debati mes tyre ka vazhduar edhe më tutje. Pjesa e këtij diskutimi nga minuta e 39. / KultPlus.com

Çohen peshë mediet serbe për filmin e Arben Kastratit: Mori miliona nga Kurti për të na prezantuar neve si kriminelë

Deklarata e William Baldwin në Kosovë se ndihet krenarë me veprimet e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-të për të bombarduar Serbinë në vitin 1999 ka bërë rrëmujë mediatike në Serbi, të cilët aktorin Baldwin e kanë quajtur si një aktor pranë pensionimit, dhe sipas tyre, ai ka marr miliona nga Kurti për të qenë pjesë e filmit “Unë dhe Millosheviqi”, vetëm për të prezantuar serbet si kriminelë, përcjellë KultPlus.

Baldwin para se të vinte në sheshxhirim në Kosovë, ai kishte marr pjesë në një serial në Serbi, i cili kishte xhiruar për serialin “Era e Jugut”, ku në medie ai kishte lavdëruar qebabat e Serbisë. Dhe pikërisht kjo deklaratë për qebabat e Serbisë, dhe deklarata e Baldwin për mbështetje të veprimit të NATO-s në Kosovë, ka revoltuar mediet serbe se ai në Serbi është marr me qebaba, kurse në Kosovë me vendime politike.

William BaldWin përgjatë qëndrimit në Kosovë, në intervistë për KultPlus kishte thënë;

“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri sa kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka kujtuar edhe kohën kur disa kosovarë pas luftës kanë falënderuar Zotin dhe SHBA-të. Ndërsa, ai tani thotë se është koha që Kosova të bëjë të njëjtën pasi që sipas tij, SHBA tani ndodhet në një rrëmujë.

“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani unë them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, thotë Baldwin.

KultPlus ju sjell disa nga linqet e medieve të Serbisë në lidhje me reagimin e filmit “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit ku po merr pjesë  Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin, Maria Grazia Cucinotta, Nathalie Boyer, Alessandra Martines, Pamela Bowen…

https://www.novosti.rs/kultura/vesti/1137916/boldvin-trazio-klintona-nas-bombarduje-americki-glumac-zvezda-druge-sezone-serije-juzni-vetar-zaboravio-srpsko-gostoprimstvo

https://www.alo.rs/vesti/politika/653225/uzeli-milione-od-kurtija-da-nas-predstave-kao-zlocince-holivudski-glumci-pred-penzijom-u-propagandnom-filmu-milosevic-i-ja-koji-se-snima-na-kosovu/vest

https://www.republika.rs/zabava/estrada/373566/vilijam-boldvin-u-beogradu-o-srbima-filmovi

https://informer.rs/dzet-set/kultura/721471/vilijam-boldvin-glumac-srbija-pristina-kosovo-metohija-juzni-vetar-serija-film-milos-bikovic

Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental./ KultPlus.com

Amire Demolli hapi ekspozitën e parë personale, Pantina: Veprat e artistes janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja

“Hyjnesha në fron”, “Dea Dardanica”, “Unaza e Princeshës”, “Përkrenare Ilire” e vepra të tjera që prekin në lashtësinë e kulturës dhe historisë shqiptare, janë veprat që përbëjnë ekspozitën “E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” të Amire Demollit, që në mbrëmjen e së hënës sapo hapi portën e kësaj përvoje, duke shënuar kështu ekspozitën e parë personale, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e violinës, dhe në shoqëri të kuratorit të kësaj ekspozite Xhevdet Pantina, sikurse edhe nga Skënder Boshtrakaj, Amire Demolli është shprehë të jetë e lumtur dhe falënderuese për ata që besuan në punën dhe artin e saj, e veçanërisht Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte që edhe e ka mbështetë këtë ekspozitë.

Kurse kuratori i ekspozitës Xhevdet Pantina ka thënë para të pranishmëve se pavarësisht se kjo ekspozitë është ekspozita e parë e autores, arti i Amire Demollit, sipas tij sjell një veçori të këtyre punimeve, të cilat janë befasuese dhe inkurajuese për gjeneratat e reja.

Ndërkohë, përderisa kjo ngjarje kulturore për audiencë në masë të madhe kishte mantelbardhët, pasi që Demolli është edhe kirurge në Kirurgjinë Plastike, Skënder Boshtrakaj ka thënë se duke parë punën e saj artistike, na bën të besojmë që kemi të bëjmë edhe me një kirurge të besueshme, që nesër, sipas tij, mund t’ia besojmë edhe trupin tonë.

“Amire Demolli ka lidhë një momentum, atë të mjekes së re në frontin e kujdestaritë, me frontin tjetër, atë të ateliesë”, ka thënë Boshtrakaj, i cili ka thënë se ndërlidhja e mjekësisë me artin, sikurse që ka bërë në këtë rast Amire Demolli është një shembull i mirë për gjeneratat e reja.

Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, e cila në të njëjtën kohë ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“E kaluara drejt përjetësisë- Artefakte” është ekspozitë e hapur për të gjithë ata që duan ta shohin nga afër, ekspozitë që përfshinë 15 vepra të punuara në teknika të ndryshme, por që dominon akrili në pëlhurë./ KultPlus.com

Po vazhdojnë xhirimet e filmit artistik “Unë dhe Millosheviqi”, arrin në Kosovë aktori i njohur William Baldwin

Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë sapo ka ardhë edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.

Shqipe Kamberi, producente e këtij filmi artistik të metrazhit të gjatë ka njoftuar ekskluzivisht për KultPlus se Baldwin sapo ka ardhë në Kosovë.

“Aktori i njohur ndërkombëtarisht sapo ka ardhë në Prishtinë. Ai do të jetë në sheshxhirim për katër ditë” ka thënë Shqipe Kamberi, e cila ka shtuar se në këtë film që ka realizuar xhirime në Shqipëri dhe Kosovë, po marrin pjesë aktorë të famshëm ndërkombëtarë, që është risi për kinematografinë kosovare që të përfshihen kaq shumë aktorë të njohur në një film të Kosovës.

William Baldwin

Kamberi ka thënë se këtë kastë të mrekullueshme i ka bërë bashkë skenari i Arben Kastratit, të cilët i ka intriguar që të jenë pjesë e këtij projekti filmik, por edhe vetë Arben Kastrati që është edhe regjisor i këtij filmi.

Pas Baldwin,  po këtë të diel, sipas Kamberit, në sheshxhirim do të vjen edhe aktorja e njohur Maria Grazia Cucinota.

Maria Grazia Cucinota

Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental./ KultPlus.com

Dy vëllezërit shqiptarë marrin pjesë në America’s Got Talent, lënë pa fjalë jurinë (VIDEO)

Dy vëllezër shqiptarë kanë marrë pjesë në America’s Got Talent dhe e kanë lënë pa fjalë jurinë me një performancë cirku.

Juria dhe publiku që po ndiqte performancën, mbetën gojëhapur nga interpretimi i tyre.

“Jemi të shokuar, jeni të mrekullueshëm”, kjo ishte ajo që juria tha pas performancës, shkruan gazeta express.

Vëllezërit Balla morën gjithë votat e jurisë, për të kaluar në fazën tjetër./ KultPlus.com

Unaza prej ari e Gjeçovit, si e shpëtoi këtë unazë ari për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve

Dorian Koçi

(148 vjetori i lindjes të Shtefën Gjeçovit)

Në përvjetorin e lindjes së fratit Shtjefën Gjeçovi ia vlen të kujtosh sesi ky misionar i dijes mblidhte jo vetëm Kanunin e maleve tona, apo shkruante drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmonte dhe shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

Ja rrëfimi I At Shtjefën Gjeçovit në vitin 1900 sesi e shpëtoi këtë unazë ari për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve. Ky rrëfim është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj i titulluar “At Shtjefë Gjeçovi. Si shpëtoi kambana e Skënderbeut”, Suplementi Rilindësi, 18 gusht 2013.

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.

Unaza nuk u shit. Arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e perfshirë në vëllimin “Shqiperia Arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e sajë. Pas vdekjes së Gjeçovit unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkoder deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë. / KultPlus.com

E padukshme

(Fragment nga libri me tregime “Mjegulla”)

U çudit kur u zgjua prej gjumit pa ankth. Filloi shpejt e shpejt të rikujtonte ngjarjet e një dite më parë që zakonisht i vinin në mendje vetë, në sekondat e para pasi që zgjohej. Gabimet, dështimet, fillimisht gjëra negative, pastaj ndonjë ndodhi e mirë. Ditën e kaluar, pas një takimi me regjisorin e kishte lënë punën. Ishte puna e tretë brenda këtij muaji. Nuk po ndihej aq keq sa e kishte pritur për këtë gjë, ndaj ishte disi e habitur. Pika tjetër, kishte shkuar në lokalin ku rrinte zakonisht, ku kishte takuar mbesën e ish të dashurit. Ajo ia porositi një tekilla, të cilën Ilda e pranoi me mëdyshje. Tekillat e tjera bashkë me birra i pranoi me shumë kënaqësi. Përfundoi shumë e dehur para orës 8 të mbrëmjes. U kthye në shtëpi dhe e përfundoi një serial në Netflix. Ra të flinte rreth orës 11.

Nuk kishte as hangover. Ndoshta do të vinte më vonë, i kishte ndodhur edhe më herët. Nuk zgjohej me dhimbje koke, por i fillonte pasi kalonin nja 2 a 3 orë pas gjumit. U ngrit prej shtratit, shkoi te dritarja, e hapi. Ishte kohë pranvere në muajin shkurt. Ngrohja globale si hakmarrje e natyrës ndaj shkurtëpamësisë e kompleksit të superioritetit njerëzor iu fanit si macja ngërdheshëse e Lizës në botën e çudirave. Megjithatë, nuk ndjente dhimbje, prej miteve e historisë dukej se bota atë proces kishte, të krijohej dhe shkaktërrohej pafundësisht. Shkoi në kuzhinë e përgatiti një lëng frutash me spinaç, mollë, kivi dhe limon, u ul dhe e piu ngadalë. Ajo zakonisht sapo zgjohej duhej të dilte prej banesës të bënte ecjen e shpejtë 40 minutëshe, gjatë së cilës tentonte të qetësonte ankthin e mëngjesit. Ndonjëherë funksionte e ndonjëherë jo, por gjithsesi kishte efekt për të mirë.

Veshi pantollona ngjyrë mjalti me katrorë e me një prerje të gjërë, që i kishte blerë para disa ditësh, një bluzë të zezë, vathë ngjyrë ari dhe pallton e madhe të zezë prej kashmiri. I pëlqente edhe fjala, kashmir. Mori syzet dhe çantën dhe doli prej banesës. I pëlqente kur njerëzit e shikonin. Njërëzit kanë dëshirë të shohin gjëra të bukura. Edhe ajo vetë. U ndal në ëmbëltoren e lagjes, porositi një kafe dhe një ëmbëlsirë, por shitësja nuk reagoi. E përsëriti disa herë si dhe e pyeti shitësen nëse ishte mirë, por ajo vazhdoi të mos jepte asnjë shenjë. Doli jashtë duke i ardhur keq për shitësen që e njihte prej se punonte në atë dyqan. Me siguri është duke kaluar ndonjë peripeti të rëndë, mendoi me vete dhe nëpër mendje i shkuan shumë ide se çka mund t’i kishte ndodhur. Mendoi se sa pak dinte për të edhe pse e takonte çdo ditë tashmë.

Do të merrte një kafe tjetërkund. Ose edhe më mirë ndoshta do të ulej diku te sheshi i qytetit. U ul në një takolinë përballë sheshit që i binte dielli. Zakonisht nuk e duronte diellin kur i binte në fytyrë, mirëpo sot po kënaqej. Priti gjatë për kamarierin. Po i pihej shumë një kafe. E pa kamarierin t’i kalonte para fytyrës, e thirri, ia bëri me dorë por ai as nuk e ktheu kokën ta shihte. U ngrit në këmbë, kaloi një tjetër kamarier, e njëjta gjë pothuajse. Në një moment iu duk se më në fund njëri po vinte drejt saj, por jo, u ndal në një prej tavolinave përpara. Iu duk si rreng që krejt bota kishte vendosur t’ia luante. Ose vetëm shiteset dhe kamarierët. U ngrit prej tavolinës dhe hyri brenda në kafene. Me zë të lartë kërkoi menaxherin. Askush nuk reagoi, e kafeneja ishte plot me njerëz, veç stafit. E ngriti zërin edhe më shumë. Asgjë. Filloi të bënte lëvizje të çuditshme, të bërtiste, të çirrej. Askush nuk lëvizi as sytë në drejtim të saj. Për pak çaste mbeti duke menduar. Kjo që po ndodhte ishte e çuditshme vërtet. Çka mund të kishte ndodhur? Sipas të gjitha gjasave ishte bërë e padukshme. U ndal edhe njëherë dhe rimendoi gjithçka që kishte bërë dje, dukej sikur dje kishte qenë dita e fundit që njerëzit e kishin parë. Doli në rrugë. Vazhdoi të thërriste, të bërtiste, të çirrej. Kaloi në një gjendje pothuaj transi prej gjithë asaj bërtime. Në fillim prej dhimbjes, e ndërkohë filloi të mendonte që tani që ishte e padukshme s’do merrte më komplimente për pamjen. As për asgjë tjetër. Atë jo vetëm që nuk e shihnin, por as nuk e dëgjonin. Mendoi nëse ishte dikush, ndonjë njeri me aftësi të veçantë që mund ta shihte. Duhej të kishte ndonjë domethënie fakti që përnjëherë ishte bërë e padukshme. Mendoi nëse ishte e aftë të bënte seks. Ajo e ndiente trupin e vet si mish, shqisat i kishte si zakonisht, por nuk ishte e sigurtë nëse mund të kishte marrëdhënie normale seksuale. Ndoshta ende të paktën mund të masturbonte. Sidoqoftë tani ishte tepër e alarmuar për t’u ndier e eksituar. Të gjithë ato gjëra që s’mund t’i bënte më, po e bënin të ndihej sikur kishte vdekur. Ose ndoshta kështu ishte jeta e pasvdekjes. Të bëheshe i padukshëm, asnjë veprim i yti të mos e ketë aftësinë të afektojë ndonjë ngjarje a person në planetin Tokë. Përderisa jeta vazhdon të ndodhë, njërëzit e tjerë vazhdojnë të jetojnë, të përjetojnë, e ti je aty duke i parë por pa qenë i zoti të bësh asgjë. Pak a shumë sikur kur je në depresion, mendoi. Nëse kjo gjendje vazhdonte gjatë, do të ishte e tmerrshme. Ndoshta ishte si një lloj ferri. Ose dënim i veçantë për të. Ndoshta ferri ndryshon sikurse ndryshojnë pëlqimet e mospëlqimet e njerëve. Për të, të qenit e padukshme ishte e barartë me djegien e ngadaltë në kazanët me llavë. Nuk e kishte shfrytëzuar sa duhej të qenit e dukshme, e gjallë. Edhe pse gjithmonë të paktën ishte përpjekur të dukej mirë. Edhe kur vishej me rroba shumë minimaliste ia dilte të merrte vëmendje, ishte si një lloj shenje dalluese e saj. Prandaj ky ishte ferri i saj personal. Të kalonte përjetësinë pa u vërejtur. Pa mundur t’i flasë askujt, të nxisë mllef a dëshirë vetëm përmes fjalëve dhe mendimeve të saj. Ndoshta do të kalonte, ishte vetëm fazë. Iu kujtua që ende nuk kishte asnjë shenjë hangover-i nga tekillat e ditës së kaluar. Tash edhe mungesa e ankthit kishte kuptim. Ndoshta natën e kaluar kishte ndodhur diçka që s’i kujtohej. E mori telefonin, shumë kureshtare nëse do të dilte vërtet imazhi i saj në fotografi. E drejtoi kamerën kah fytyra dhe shtypi butonin në mes. Për herë të parë nuk i interesoi a dukej bukur. Fotografia u shkrep. Po imazhi i saj kishte mbetur në telefon. Të paktën ajo po e shihte. E postoi në Instagram dhe priti. Nuk ndodhi asgjë. Asnjë reagim. Do të thotë as në social media nuk mund të mbante gjallë imazhin. U ul dhe ndezi një cigare. Të paktën ende mund të bënte shprehitë e veta të zakonshme. Veçse kuptimi i cigares ishte prej të vetmive që nuk kishte ndryshuar prej që ishte bërë e padukshme. Ushqimi tash kishte tjetër kuptim. Pse të brengosej për ushqim tash që ishte e padukshme? Nuk kishte asnjë lidhje nëse shëndoshej shumë apo kishte trupin më të bukur në botë, askush nuk do ta shihte. Në këtë moment filloi ta shihte anën pak më të mirë të gjithë kësaj punës së padukshmërisë. Kishte mundësinë të shihte gjëra që s’kishte parë kurrë më parë, të udhëtonte, askush nuk mund t’i kërkojë vizë një personi të padukshëm, të zbulonte sekrete të mëdha, të hynte nëpër vende që kurrë në jetën e saj nuk i kishte ëndërruar. Ndoshta duhej të kishte më shumë qasje pozitive.

Dhurata Hoti/ KultPlus.com

Oldtimerfest për herë të 17-të në Prizren

Edicioni i 17-të i Oldtimerfest do të mbahet me datën 16-19 Korrik 2022 në Prizren, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion do të ketë pjesëmarrës të klubeve nga Kosova, Shqipëria, Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia si dhe mysafirë special nga Italia dhe Franca.

Kjo ngjarje mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Tabloidi britanik: Baza detare e NATO-s në Shqipëri është paralajmërim për Vladimir Putin

“Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

 “Shqipëria i ka dërguar një sinjal paralajmërues presidentit rus Vladimir Putin me ndërtimin e një baze të NATO-s në Durrës”, kështu e nis shkrimin e saj tabloidi britanik “Ekspres”. Në lajm pasqyrohet vizita e kryeministrit Edi Rama, të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.

Shqipëria po i dërgon një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin, përpara një takimi të NATO-s për bazën e re detare në vend. Lajmi vjen pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ulet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg për të diskutuar propozimin.  Rama do të takohet me Stoltenberg të mërkurën e kësaj jave për të diskutuar projektin pas një njoftimi që do të publikojë lajmin më 1 korrik. Porti do të jetë i vendosur në Porto Romano, Durrës, 40 minuta nga kryeqyteti dhe do të përfshijë një seksion tregtar dhe një bazë detare ushtarake. Financimi do të sigurohet nga shteti shqiptar ashtu edhe nga NATO. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 1.53% të PBB-së së saj vjetore për mbrojtjen , shumë më pak se shifra minimale e sugjeruar prej 2%.

Duke folur për planin, Rama tha: “Do të kthehemi së shpejti në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë…për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri në Durrës”.

Në maj, Rama tha se qeveria e tij i kishte ofruar NATO-s bazën detare të Pashalimanit. E vendosur në jug të Vlorës, ajo ishte e vetmja bazë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe gjatë viteve 1950, në një kohë kur regjimi komunist i Shqipërisë ishte në linjë me Moskën. Pas rënies së komunizmit, ajo u rindërtua me ndihmën e Turqisë, e cila ruajti të drejtën e përdorimit. Marina shqiptare ende sot e përdor bazën për disa operacione dhe stërvitje.

NATO po transformon gjithashtu një ish-bazë ajrore ushtarake të epokës komuniste në Kuçovë. Rinovimi i bazës do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe do të bëhet funksional në vitin 2023.

Baza do të shërbejë si një depo për municionet, si dhe do të veprojë si një qendër furnizimi me karburant. Aktualisht po punohet edhe për rikthimin e pistës dhe kullës së kontrollit në përdorim të plotë. Baza origjinale u ndërtua duke përdorur punën e të burgosurve nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Pas gati 50 vitesh komunizëm, Shqipëria doli dhe u kthye nga perëndimi, duke iu bashkuar aleancës në vitin 2009 dhe me shpresën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, megjithëse ka qëndruar në dhomën e pritjes së unionit për mjaft kohë.

Sipas  Globalfirepower.com , Shqipëria ka aktualisht 8000 personel aktiv në radhët e saj ushtarake. 500 personel rezervë janë gjithashtu në dispozicion. Ushtria ka rreth 76 automjete të blinduara. Asetet aktuale detare të Shqipërisë përbëhen nga 19 mjete lundruese, të cilat të gjitha përbëhen nga anije patrullimi me detyrë të përgjithshme./ KultPlus.com