Sot e lexova një prononcim të një eksperti të arsimit që thoshte: “Njeriu i paarsimuar e lë Kosovën dhe shkon diku tjetër për të gjetur shpresën. Njeriu i arsimuar mirë e merr punën në Kosovë. Njerëzit po dalin nga Kosova edhe si rezultat i arsimimit të dobët”.
S’po ndalem te gramatika e gërditshme e ekspertit, por po shtoj se unë di raste kur njerëz të diplomuar dhe me tituj shkencorë, mjaft të aftë në profesionin e tyre, pasi nuk kanë mundur të gjejnë punë në Kosovë, kanë ikur jashtë, në shtete të tjera, ku tash kryejnë punë që s’janë të profesionit të tyre, madje disa me diploma master punojnë edhe si punëtorë krahu.
T’i ofendosh ata që ikin dhe t’i lavdërosh ata që rrinë, mund të jetë qasje e mirë për t’iu vardisur pushtetit, por është gënjeshtër e ulët.
Eksperti duhet ta dijë që Kosova është edhe e atyre që, për arsye të ndryshme, hyjnë tek ajo kategoria që ai e quan “të paarsimuar”. Shteti nuk është klasë që ti t’u thuash njerëzve: ti s’paske mësu’, dil jashtë (n’Gjermani)!
Si i arsimuari, si i paarsimuari, kanë të drejtë të punësohen në Kosovë. Por, si i arsimuari, ashtu edhe i paarsimuari, kanë ikur dhe po ikin me të madhe.
Kosova nuk është universitet, por shtet që duhet t’u ofrojë punë të gjithë qytetarëve të vet. Janë pikërisht “ekspertët e arsimit” që e kanë shkatërruar arsimin, dhe tani i fajësojnë “të paarsimuarit”, që janë viktima të eksperimenteve të tyre.
Kam qenë në shumë vende të Evropës dhe kam takuar shqiptarë të arsimuar dhe që punojnë punë jashtë profesionit të tyre, ndërkohë që ëndërrojnë të kthehen dhe të punojnë në Kosovë. Nuk e di se si ndihen ata kur lexojnë apo dëgjojnë prononcime të tilla ekspertësh. Budallenjtë jashtë, të mençmit brenda!, ky është nënteksti i atij prononcimi prej eksperti. Sipas tij, shteti ynë ideal nuk paska vend për ata që s’janë arsimuar mirë.
Në vend se të ulemi e të diskutojmë me shqetësim se si ta konsolidojmë shtetin, si ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm, dalim e hapareshemi nëpër televizione, duke i quajtur të paedukuar ata që po ikin. Po harrojmë që ata janë vëllezërit tanë dhe motrat tona.
Për ta përmirësuar shtetin, duhet ta kritikojmë pushtetin, jo ta shajmë atë të shkretën a të shkretin, që në pamundësi për të gjetur veten këtu, lë shokë, shoqe, familje e shtëpi, dhe merr botën me lot në sy.
Ka 25 vjet që mendoj se në Kosovë, pas titullit ‘ekspert për arsim’ qëndron një sharlatan trim./ KultPlus.com
Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.
Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.
“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.
“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.
Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com
Futbollisti shqiptar Granit Xhaka është nominuar për çmimin prestigjioz të “Topit të Artë”. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për mesfushorin shqiptar.
Kjo është hera e parë që Xhaka është pjesë e listës së kandidatëve për këtë çmim të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar.
Ceremonia e ndarjes së Topit të Artë do të mbahet më 28 tetor në Paris, ku do të mblidhen personalitete të njohura nga bota e futbollit për të nderuar më të mirët e vitit, transmeton telegrafi, përcjell Albinfo.ch.
Këtë vit, disa lojtarë të tjerë janë gjithashtu në garë për çmimin, duke përfshirë Vinicius Jr. i Real Madridit, Rodri i Manchester City-t dhe Jude Bellingham, që të gjithë janë konsideruar si favoritë për të fituar Topin e Artë.
Nominimi i Granit Xhakës është një dëshmi e suksesit të tij dhe ndikimit që ka pasur në fushë gjatë vitit të fundit, duke e bërë këtë një moment të veçantë për karrierën e tij dhe për tifozët e tij.
Graniti fitoi Bundesligën me Bayer Leverkusein pa pësuar asnjë humbje, po ashtu shtoi DFB Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë./Albinfo.ch/ KultPlus.com
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me “Ajkun Ballet Theatre” kanë sjellë premierë në Prishtinë shfaqjen “Tango Nights”, të koreografes Chiara Ajkun, shkruan KultPlus.
“Tango Nights”, e cila nuk shfaqë domosdoshmërisht një histori të bazuar në ndonjë ngjarje reale, paraqet jetën e viteve 1990 në Buenos Aires, ku tangoja ishte forma e vetme e argëtimit. Në këtë kontekst, koreografja Ajkun kapet për elementet e “Tangos” si kërcim i pasionit, zjarrit dhe luftimit, duke e zbërthyer deri te kompleksiteti i madh i marrëdhënieve njerëzore.
Ngjarja në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës filloi në një formë të mistershme, ku shpërthimi i një tymi në formë të çrregullt tërhoqi vëmendjen e publikut, duke e shënuar edhe fillimin e shfaqjes së baletit, e cila zgjati rreth 90 minuta.
Misteri vazhdonte edhe më tej në një errësirë totale për disa sekonda, derisa një dritë e kuqe, e fokusuar mbi subjektin e ngjarjes, filloi të qartësoj gjithçka. Një zotëri i dehur plotësisht, mbi një tavolinë nën dritat e barit ku pinte, dhe e dashura e tij e dëshpëruar për këtë fakt, ishte pika e parë interpretuese.
“Vera” në këtë shfaqje paraqitet si element thelbësor rreth së cilës inkorporoheshin vallëzimi, pasioni, misteri, joshja, dhe aktet e çuditshme, të cilat në mënyrë profesionale u sollën nga pjesëtarët e trupës së baletit në solo, duo, trio, quatro duke dhuruar për publikun art përmes profesionalizmit, bukurisë elegante dhe muzikës së mrekullueshme në prapavijë.
Një skenë e cila e tërhoqi shumë vëmendjen e publikut ishte ajo ku përmes sharmit të jashtëzakonshëm dy djem me lëvizje plot takt ziheshin për të fituar zemrën e një vajze, e cila i tundonte të dy me lëvizjet e saj joshëse, bukurinë e së cilës e shtonte edhe më shumë fustani me ngjyrë të kuqe, i cili i ndiqte lëvizjet dhe secilin hap të saj.
Ndërsa fundin e kësaj shfaqje e shënoi një pikë interpretuese nga një pjesë e madhe e trupës së baletit në të cilën paraqiteshin: trishtimi rreth dehjes, marrëdhëniet mes dyja gjinive, puthjet, ledhatimet, loja me karta, zjarri e pasioni duke e përmbyllur me shfaqjen me skenën e njejtë të fillimit, të zotëriut të dehur mbi tavolinë.
Këtë shfaqje e cila u pëlqye nga publiku e sollën balerinët: Mërgime Morina, Jeta Musolli, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Besarta Shaljani, Fatmir Smani, Sead Vuniqi, Fisnik Smani, Muhamet Bikliqi, Kreshnik Musolli, Momoko Burbine, Klevis Tafaj, Areum Jeong, Jeffrey Salce, Megan Dollar, Abbi Johnson, Telmen Munkherdene, Bailey Smith, Hitomi Ippongi, Tomas, Martinelli, Elisa Molinari, Bianka Skenderi dhe Risa Tada.
Pas shfaqjes, koreografja Chiara Ajkun tregoi për përvojën e saj në realizimin e këtij projekti me BKK.
“Bashkëpunimi lindi pasi unë shpreha interesimin tim te drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili ishte duke kërkuar të ndërmarrë bashkëpunime. Unë kam ardhur këtu në muajin Mars, ku edhe më pëlqeu shoqëria dhe kultura e jashtëzakonshme dhe kështu unë krijova këtë “Tango Nights” për Baletin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë koreografja Ajkun. Ndërsa balerini i trupës së baletit “Ajkun Ballet Theatre”, Klevis Tafaj, tha se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që edhe në Prishtinë arritën të sjellin me po të njejtin sukses këtë shfaqje, pasi sipas tij baleti është një formë e fuqishme e përfaqësimit të shtetit. “Sigurisht ishte një emocion i dyfishtë për mua të performoj para një publiku shqiptar. Ndjehem i lumtur për vetë faktin që jemi këtu dhe për bashkëpunimin. Këto bashkëpunime ndihmojnë në zhvillimin e artit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, sepse baleti është pjesë e rëndësishme e një shteti. Pati shumë emocione, shumë duartrokitje. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen” ka thënë balerini Tafaj.
Ai më tej u shpreh i ngazëllyer me mirëpritjen që Baleti Kombetar i Kosovës i kishte bërë “Ajkun Ballet Theatre”.
“Unë jetoj në Amerikë, jam pjesë e kompanisë “Ajkun Ballet Theatre” pjesë e së cilës është edhe koreografja Chiara Ajkun. Me kolegët këtu ka dhjetë vite që njihem. Kam qenë këtu edhe para 10-të vitesh, para se të shkoj në amerikë, kur ka qenë drejtor Ahmet Brahimaj. Këtu gjithmonë jam ndier si në shtëpinë time, janë të gjithë të sjellshëm, të gjithë të dashur, të respektueshëm. Jemi munduar që atë respektin që na kanë dhënë këtu të ju japim edhe ne në Amerikë. Shfaqja edhe atje ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm” ka thënë Tafaj.
Kurse, për balerinën Jeta Musolli bashkëpunimi në mes të dy trupave të baletit ka qenë një përvojë me emocione të jashtëzakonshme.
“ Këtë shfaqje e kemi dhënë edhe në New York, në bashkëpunim me Chiara Ajkun dhe kompaninë e saj. Ishte majft emocionuese që dy trupa të bëhemi përsëri bashkë dhe të paraqitemi para publikut në Kosovë. Kësaj radhe është dashur që të japim dyfish më shumë energji për shkak se kemi qenë në pushim, por u munduam të mobilizohemi të gjithë dhe besoj që ja kemi arritur qëllimit. Jam shumë e lumtur që publiku e pëlqeu”, ka thënë balerina Musolli.
Ndërsa drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, tha se ndihej i lumtur që marrëveshja me koreografen Ajkun, sipas tij u realizua në tërësi sipas planit të paraparë.
“Më vjen mirë që i gjithë plani dhe gjithë marrëveshja që e kemi pasur me koreografen Chiara Ajkun është duke shkuar sipas asaj që e kemi planifikuar qysh në vitin e kaluar. Do të thotë shfaqja “Tango Nights” është planifikuar që fillimisht të shfaqet në NewYork pastaj edhe në Prishtinë. Jam i kënaqur që kemi arritur ta shfaqim edhe në Prishtinë. Është një shfaqje e cila është e bazuar kryesisht në solistë me një mozaik duetesh, triosh, kuartetesh”, ka thënë ai duke potencuar me krenari edhe pëlqimin e shfaqjes nga ana e publikut.
“Me sa e pashë, publikut i pëlqeu shfaqja, është një nga ato shfaqje nga të cilat nuk pritet të ketë ndonjë linjë dramaturgjike, por që me lëvizje të bukura, me një koreografi të bukur që Chiara e ka ndërtuar me balerinët tanë dhe balerinët e kompanisë “Ajkun Ballet Theatre”. Besoj që para publikut është shfaqur diçka shumë të bukur”, ka përfunduar drejtori Kajtazi.
BKK këtë muaj do të prezantohet në Korenë e Jugut dhe Seul. Pas këtyre aktiviteteve BKK do të fillojë përgatitjet për premierën e pestë për këtë vit, e cila do të shfaqet me datën 14 nëntor 2024./ KultPlus.com
Në kërkim të diellit dhe pa turma turistësh? Plazhi më pak i mbushur me vizitorë në Evropë tashme është zbuluar – dhe ndodhet në një vend relativisht të panjohur, shkruan Eleanor Noyce në të përditshmen britanike “Metro”.
Plazhi i Durrësit në Shqipëri ofron një hapësirë më të madhe për vendosjen e peshqirave nga plazhistët. Në fund të fundit, nuk ka asgjë më të keqe sesa të ndihesh ngushtë në një vend të mbipopulluar gjatë pushimeve.
Hulumtimi, i kryer nga Wizz Air, analizoi mbi 50 vende evropiane dhe plazhet e tyre më të mira për të përcaktuar vendpushimet më pak dhe më shumë të populluara.
Llogaritja përfshinte matjen e plazhit, ndarjen e zonës së tij me madhësinë e një peshqiri plazhi, dhe më pas me numrin mesatar të vizitorëve ditorë – për të bërë një vlerësim se sa hapësirë ofron çdo plazh për person.
Plazhi i Durrësit – rreth 10,5 kilometra i gjatë – u rendit në vendin e parë – duke mposhtur vende të njohura në Francë, Portugali dhe Spanjë.
I ndjekur nga plazhi Camber Sands në Sussex-in Lindor, Britani e Madhe – i cili la pas plazhet si Praia da Falésia e Portugalisë dhe Playa d’en Bossa të Spanjës – që u renditën respektivisht në vendin e shtatë dhe të dhjetë.
Playa Sa Caleta në Ibiza, Spanjë, rezultoi plazhi më i mbipopulluar.
Aktivitet që mund të bëni pranë Plazhit të Durrësit, Shqipëri
Plazhi i Durrësit mund të jetë cilësuar si “i bukur” nga platforma Reddit, por edhe si një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, këtu ka shumë histori për t’u zbuluar.
Amfiteatri i Durrësit është një trashëgimi e epokës romake dhe dikur kishte 20,000 njerëz. Ndërtimi filloi gjatë shekullit të II pas Krishtit, dhe ky mbetet amfiteatri më i madh i ndërtuar ndonjëherë në Gadishullin Ballkanik, kështu që ia vlen të vizitohet.
Aty pranë ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i cili, si muzeu më i madh arkeologjik në vend, tregon historinë e Shqipërisë përmes objekteve prehistorike.
Përveçse është plazhi më pak i mbipopulluar i Evropës, Durrësi ofron shumë diell, det dhe rërë në plazhin Copacabana dhe në plazhin Ohana.
Gjithashtu, Durrësi është i njohur për kulturën e tij të verës.
Si të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri
Mënyra më e lehtë për të arritur në Durrës është të fluturoni drejt Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, e cila është rreth 38 minuta larg me makinë.
Ofrohen fluturime nga Aeroporti Luton i Londrës nëpërmjet Wizz Air, të cilat zgjasin më shumë se 3 orë, ndërsa me linjën ajrore Ryanair nga Stansted zgjat 2 orë e 55 minuta.
Kur të shkoni në Plazhin e Durrësit, Shqipëri
Nëse jeni duke kërkuar pushime të minutës së fundit për t’i dhënë lamtumirën verës, lajmi i mirë është se temperaturat mbeten të larta në këtë periudhë të vitit në Shqipëri – duke arritur mesataren prej 21 gradë Celsius në shtator dhe 16 gradë Celsius në tetor.
Megjithatë, Shqipëria përjeton temperaturat më të ngrohta gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, me temperatura që variojnë midis 22 dhe 24 gradë Celsius.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha është takuar sot me Dr. Ivanka Stričević, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë. Në takimin e mbajtur në Zagreb, u diskutua për projekte, iniciativa dhe tema me interes të përbashkët.
Drejtoresha e BKK-së tha se ky takim krijon mundësinë për ta forcuar partneritetin ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë: “Është misioni ynë ta avancojmë kauzën e bibliotekës sonë kombëtare, duke punuar më mirë së bashku në shkëmbim të përvojave dhe duke arritur më shumë sesa mund të bëjmë vetëm.” Prof. Stričević ndërkaq pohoi se “Ne jemi entuziastë për mundësinë e bashkëpunimeve në të ardhmen dhe besojmë se vizita juaj do të jetë një hap kyç në thellimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen”.
Tutje, u diskutua për rëndësinë e bibliotekës si institucion lider i kujtesës dhe rolin e rëndësishëm që luan ajo në zhvillimin intelektual, arsimor, kulturor e social të vendit dhe komunitetit të cilit i shërben.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, është biblioteka më e madhe kroate dhe funksionon si bibliotekë kombëtare e Kroacisë dhe si bibliotekë qendrore e Universitetit të Zagrebit. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Prishtina International Film Festival- Prifest sot ka prezantuar anëtarët e jurisë të kategorisë garuese së filmave të shkurtër.
BLERTA BASHOLLI
Blerta Basholli është skenariste/ regjisore me një stil unik vizual realist. Tregimet e saj trajtojnë çështje sociale dhe gjinore nga vendi ku është lindur dhe rritur, Kosova, dhe përtej saj. Filmi i saj debutues “Zgjoi” (2021) theu rekordet në Sundance, ku ajo fitoi Çmimin e Jurisë së Madhe, Çmimin për Regji, dhe Çmimin e Publikut në kategorinë e Kinemasë Botërore Dramatike, duke u bërë filmi i parë në historinë e Festivalit të Filmit Sundance që i arrin të tria këto çmime. Në vitin 2008, ajo u nderua me Bursën e Dekanit në Programin e Filmit në Tisch School of the Arts – NYU. Ajo jetoi në Neë York për katër vjet, ku pati mundësinë të punonte në disa projekte filmike si studente. Në vitin 2011, u kthye në vendlindjen e saj, dhe punoi në shumë filma të shkurtër dhe të gjatë.
MICHAEL PENTNEY
Producenti Michael Pentney nga Britania e Madhe ka qenë i angazhuar në filma të zhanreve të ndryshme, duke u fokusuar në tema me ton emocional dhe social. Së fundmi, pasi ka adoptuar dy fëmijë të vegjël, ai ka interes për përbërjen e shoqërisë dhe ndikimin që ambientet tona kanë mbi ndjenjat dhe veprimet tona. Përveç prodhimit të filmave, ai është pjesë e ekipit drejtues në një nga kompanitë më të vjetra dhe më të suksesshme të post-produksionit në Mbretërinë e Bashkuar.
ARMENIS NOKSHIQI
Amernis Nokshiqi është aktore e njohur e Teatrit Shqiptar të Shkupit, me shumë role të suksesshme në filma dhe teatër. Ndër projektet e saj të fundit janë filmat “Heshtja e sirenave” dhe “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. E vlerësuar me çmime të shumta në rajon, Amernis vazhdon të shkëlqejë në teatër dhe film.
Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata./ KultPlus.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot janë hapur aktivitetet e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Sveçla tha se ishte edhe parakalimi i fëmijëve me pjesëtarë policorë, të prirë nga Fatlumi, djali i heroit Afrim Bunjkaku, teksa pas tij, siç tha ai, ishin fëmijët e nipërit e heronjve të Kosovës të rënë në krye të detyrës dhe fëmijë nga komunitetet e ata me nevoja të veçanta.
“Ky është mesazhi më i fuqishëm që japim në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Përkundër çdo sfide që na del përpara, do i shërbejmë Republikës sonë me përkushtim, nder e dinjitet”.
“Me aktivitete të tjera kulturore e sportive, bashkë me këta fëmijë, me Kryeministrin Albin Kurti e Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, hapëm aktivitetet e 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës”, tha Sveçla, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se e ardhmja e sigurt dhe prosperuese për brezat e rinj, janë qëllimi i punës së tyre.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot janë hapur aktivitetet e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Sveçla tha se ishte edhe parakalimi i fëmijëve me pjesëtarë policorë, të prirë nga Fatlumi, djali i heroit Afrim Bunjkaku, teksa pas tij, siç tha ai, ishin fëmijët e nipërit e heronjve të Kosovës të rënë në krye të detyrës dhe fëmijë nga komunitetet e ata me nevoja të veçanta.
“Ky është mesazhi më i fuqishëm që japim në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Përkundër çdo sfide që na del përpara, do i shërbejmë Republikës sonë me përkushtim, nder e dinjitet”.
“Me aktivitete të tjera kulturore e sportive, bashkë me këta fëmijë, me Kryeministrin Albin Kurti e Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, hapëm aktivitetet e 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës”, tha Sveçla, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se e ardhmja e sigurt dhe prosperuese për brezat e rinj, janë qëllimi i punës së tyre.
Artisti disident kinez Gao Zhen është arrestuar me dyshimin për “fyerje të heronjve dhe martirëve revolucionarë”, tha vëllai i tij dhe partneri artistik Gao Qiang.
Vëllezërit Gao janë të njohur për skulpturat e tyre provokuese, të cilat kritikojnë themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dunin dhe regjimin e tij.
Gao Zhen u largua nga Kina dy vjet më parë për të jetuar përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara, por kishte qenë për vizitë në familjen kur u kap nga autoritetet në provincën Hebei, tha vëllai i tij në një postim në Facebook, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Autoritetet kineze nuk i janë përgjigjur pretendimeve të Gao Qiang, i cili tha se rreth 30 oficerë policie sulmuan studion e artit të vëllezërve në Sanhe City më 26 gusht.
Ai shtoi se ata kishin konfiskuar disa vepra arti përveç ndalimit të Gaos.
Që nga vitet 1980, vëllezërit kanë tërhequr vlerësime ndërkombëtare për vepra të tilla si Faji i Maos, një statujë prej bronzi e ish-diktatorit komunist ku shfaqet i gjunjëzuar dhe i penduar.
Që kur filmi i James Cameron doli në kinema në vitin 1997, imazhet e para që vijnë në mendje kur mendohet për ”Titanic”-un janë Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet, të njohur si Jack and Rose, duke ‘fluturuar”’ para oqeanit me këmbët e tyre në kangjellat e anijes transatlantike, shkruan adnkronos.it.
Këto kangjella, tashmë ikonë, po zhduken.
Kjo risi u dokumentua nga ekspedita e re e organizuar nga ”RMS Titanic, Inc.” e cila pati mundësinë të shpenzonte qindra orë duke dokumentuar rrënojat me detaje të shkëlqyera falë teknologjisë më të mirë se sa ato të përdorura në të kaluarën.
”Pas 13 ditësh të përqendruar në rrënojat e ‘Titanic’-ut, skuadra ishte e ngazëllyer për të parë me padurim pamjen e parë të harkut, por emocionet u shuan shpejt nga një ndryshim i rëndësishëm”, thuhet në faqen e misionit.
”Atje mungonte maja platonike e anijes”, shtohet në të./ atsh/ KultPlus.com
Projektet e parakualifikuara në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari janë nxjerr para publikut në trajtën e një ekspozite e cila është e hapur nga sot në orën 16:00.
Projektet të cilat , juria profesionale i kishte përzgjedhur si më të mirat, do të shfaqen për një javë rresht në objektet e Komunës së Prishtinës.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.
Qytetarët do të votojnë për projektin më të mirë.
E kryetari Përparim Rama tha se bashkë me familjen Jashari kanë zgjedhur top pesë projektet
“Pesë projekte të cilat janë si më të mirat, eksposozhen në hapësirat e komunës, ftoj edhe qytetarët tjerë të marrin pjesë në këtë ekspozitë, është domethënëse, për familjen Jashari, për sakrificën që kanë dhënë. Prandaj, ju ftoj të gjithëve që ditëve në vijim të vizitoni e po ashtu të votoni se cili prej këtyre projekteve ju duket më i miri. Në të ardhëm zotohemi e afërt të transformojmë këtë projekt në realitet në një pjesë të kryeqytetit. Kemi qenë në komunikim edhe me familjen Jashari. Ashtu edhe siç kemi premtuar, që heroi ynë kombëtar, Adem Jashari në të ardhmen e afërt do të ketë edhe vendin e vet në kryeqytet”, tha Rama./rtk/ KultPlus.com
Task-Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit sot më 4 shtator ka sekuestruar rreth 3 mijë libra arsimore-shkencore dhe profesionale, dyshohet se ishin prodhuar pa të drejtë autoriale.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se është bërë kontrollimi i subjekteve të cilat merren me prodhimin, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit.
“Procesi kontrollues dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për të Drejtat e Autorit nga ana e Task-Forcës, respektivisht Inspektoratit të Tregut në mbështetje të Policisë së Kosovës është zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe është bërë sekuestrimi i materialit pirat. Zhvillimi i këtyre veprimeve kundër piraterisë në vend ka sjellë si rezultat sekuestrimin e rreth 3,000 librave arsimore-shkencore dhe profesionale”.
“Ndaj bizneseve tek të cilat është gjetur materiali pirat, pa leje dhe pa marrëveshje me mbajtësit e të drejtave, institucionet e zbatimit të ligjit do të ndërmarrin masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Janë hapur aplikimet për pajisjen me licencë apo ripërtëritjen e saj për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to.
Nëpërmjet një publikimi, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën me dije se afati për depozitimin e kërkesave dhe plotësimin e plotë të dosjes së aplikimit është data 3 tetor.
MEKI ftoi të gjitha subjektet e interesuara, të paraqesin pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kërkesë për shprehje interesi, formularin e aplikimit sipas formatit të miratuar, dokumentacionin shoqërues, i cili vërteton përmbushjen e të gjitha kritereve si dhe depozitimin e mandat pagesës së tarifës për licencim ose ripërtëritje të saj. Fatura e pagesës tërhiqet pranë Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com
Nuk është se mendimet më janë mbyllur, Nuk është se nuk dua te shoh dritë përsëri… Është e thjeshtë, më mungon kjo, Kjo që adhuroj – Më mungon ti!
Nuk është se fëmijët, nuk me pëlqejnë, Por vdes morali, para syve të mi… Edhe iluzionet e mia vdesin, Përpara trishtimit – Më mungon ti!
Nuk është se kam harruar, qe për burrat, Te mos tregosh qe dashuron, quhet trimëri… Nuk është asnjë nga këto, Por nuk me përgjigjesh, Kur te thërras – Më mungon ti! /KultPlus.com
Tashmë janë duke u bërë përgatitjet e fundit për organizimin e edicionit të 24-të të Hardh Fest që mbahet në Rahovec, dhe ky edicion ka prurje të mëdha përgjatë 6, 7 dhe 8 shtator, shkruan KultPlus.
Evente kulturore, gara të ndryshme, program për fëmijë, pjekje të rakisë rreth kazanit, ekspozita, debate, orë poetike e shumë ngjarje të tjera kulturore do ta karakterizojnë këtë edicion të Hardh Fest.
Ndërkohë është bërë e ditur edhe lista e këngëtarëve që do të jenë pjesë e koncerteve për tri mbrëmje, të cilat janë: Bumblefoot, George Gakis, Grupi 403 e Arsi Bako & Band do të prezantohen më 6 shtator, më 7 shtator do të prezantohet grupi i mirënjohur Gipsy Kings e Shkumbin Ismaili, sikurse edhe DJ Enndzi, kurse më 8 shtator do të performojnë: Dren Abazi, NRG Band, Fisnikët dhe Nita Latifi./ KultPlus.com
Henrik Johan Ibsen ishte një dramaturg norvegjez dhe drejtor teatri.
Si një nga themeluesit e modernizmit në teatër, Ibsen shpesh quhet “babai i realizmit” dhe një nga dramaturgët më me ndikim të kohës së tij.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura të tij:
“Asnjëherë nuk duhet të vishni pantallonat tuaja më të mira kur dilni për të luftuar për lirinë dhe të vërtetën.”
“Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë.”
“Mendoj se ju nuk do të kundërshtoni faktin se për momentin njerëzit budallenj janë në një shumicë absolutisht dërrmuese në të gjithë botën.”
“E shihni, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm.”
“Ti nuk me ke dashur kurre. Ju keni menduar vetëm se është e këndshme të jesh i dashuruar me mua.”
“Një mijë fjalë nuk lënë të njëjtën përshtypje të thellë si një vepër e vetme.”
“E shihni, ka disa njerëz që dikush i do dhe të tjerë me të cilët ndoshta do të preferonte të ishte me ta.”
“Unë duhet të vendos se kush ka të drejtë – shoqëria apo unë.”
“Burrat më të fortë janë më të vetmuarit.”
“Unë besoj se para çdo gjëje jam një qenie njerëzore e arsyeshme, ashtu si ju-ose, në çdo rast, që duhet të përpiqem dhe të bëhem një.”
“Paraja mund të jetë lëvozhga e shumë gjërave, por jo thelbi. Ju sjell ushqim, por jo oreks; mjekim, por jo shëndet; njohje, por jo miq; shërbëtorë, por jo besnikëri; ditë gëzimi, por jo paqe apo lumturi.”
“Nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga babai dhe nëna jonë që ecën në ne. Janë të gjitha llojet e ideve të vdekura, dhe besimet e vjetra pa jetë, e kështu me radhë. Ato nuk kanë vitalitet, por na ngjiten të gjithë njësoj, dhe ne nuk mund t’i heqim qafe.”
“Opinioni publik është një gjë jashtëzakonisht e ndryshueshme.”
“Me mua mund të ishe një person tjetër.”
“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë mes nesh është shumica kompakte.”
“Kafazoni një shqiponjë dhe do të kafshojë telat, qofshin ato hekuri ose ari.”
“Është çlirim të dish se një akt guximi spontan është ende i mundur në këtë botë. Një akt që ka diçka të bukurisë së pakushtëzuar.”
“Jeta e një personi është një çmimi i rëndë për të paguar që lindëm.”
“Unë jam në revoltë kundër gënjeshtrës shekullore se shumica ka gjithmonë të drejtë.”
“Ka kaq shumë gënjeshtra si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Në shtëpi nuk duhet të flasësh, dhe në shkollë duhet të qëndrojmë dhe t’u themi gënjeshtra fëmijëve.”
“Unë do të rrezikoj gjithçka së bashku me ty.”
“Ka njerëz që i do dhe të tjerë me të cilët të pëlqen të flasësh.”
“Mos më thuaj që hëna po shkëlqen; më trego dritë që shkëlqen në xhamin e thyer.”
“Kushdo që e ka shitur veten për dikë tjetër nuk do ta bëjë përsëri.”
“Njerëzit duan vetëm revolucione të veçanta, në ato të jashtme, në politikë, etj. Por kjo është vetëm ngatërrim. Ajo për të cilën vërtet kërkohet është një revolucion i mendjes njerëzore.”
“Çdo gjë që prek duket se është e destinuar të kthehet në diçka të poshtër dhe farsë.”
“Idhulli i Autoritetit duhet të thyhet në këtë qytet.”
“Shumica gabon gjithmonë; pakica ka rrallë të drejtë.”
“Janë humbjet e vogla në jetë që e prenë zemrën.”
“Burrat janë personazhe qesharakë, ata gjithmonë duhet të kenë diçka për t’i habitur.”
“Ti ke bërë një vend bosh brenda meje; dhe duhet të përpiqem ta mbush me diçka – me diçka që është paksa si dashuria.”
“Mendova se e kuptove se ku e kisha humbur atë që ti e quaje zemrën time në atë kohë.”
“Sado i mjerë të ndihem, dua të zgjas agoninë sa më gjatë që të jetë e mundur. Të gjithë pacientët e mi janë të tillë. Dhe kështu janë ata që janë të sëmurë moralë ..”
“Zot i mirë, njerëzit nuk bëjnë gjëra të tilla!”/KultPlus.com
Në ditën e kujtimit të 88-vjetorit të lindjes së aktorit Albert Vërria (1936-2015), Arkivi Qendror Shteteror i Filmit njoftoi se premiera e variantit të restauruar të filmit “Kapedani”, do mbahet si pjesë e programit TIFF Classics të Tirana International Film Festival (TIFF).
Filmi do të shfaqet më 24 shtator 2024, ne Kinema Millennium, me titra në anglisht.
Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.
“Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
“Kapedani” mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”. Në një material rreth filmit, AQSHF shprehet se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare. “Një pjesë e arsyes për qarkullimin e vazhdueshëm të këtij filmi mbase është edhe fakti se “Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushë beteje. Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike”, thuhet nga AQSHF./atsh/KultPlus.com
Revista “Business Traveller” i ka kushtuar një atikull të veçantë Shqipërisë turistike.
Ndërsa ndau artikullin e publikuar në revistën prestigjioze, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria përshkruhet nën shkëlqimin e turizmit, me bregdet mahnitës, vende magjepsëse të trashëgimisë së UNESCO-s e kulinari të pasur.
“Ndërsa rritja e treguesve turistikë që pas vitit 2019, e ka kthyer Tiranën në një kryeqytet të bukur me një gamë të plotë të markave ndërkombëtare të hotelerisë që i shërbejnë industrisë së konferencave, eventeve e takimeve”, shtoi Kryeministri.
Revista prestigjioze “Business Traveller” vlerëson se “ky vend i ri i lakmuar gjendet në destinacionin evropian … Shqipëri”.
“Ju mund të keni vënë re titujt e artikujve gjatë 12 muajve të fundit – të cilat e krahasojnë vendin mesdhetar me ‘Maldivet e Evropës’ – ose, nëse jeni në mediet sociale, influencuesit po çmenden për një zonë piktoreske plazhi në një fshat të vogël bregdetar të quajtur – Ksamil”, shkruhet në artikullin e botuar në revistën prestigjioze “Business Traveller”.
Sipas “Business Traveller” arsyet për ta vizituar janë të shumta: Vendi laget nga bregdeti mahnitës i Adriatikut dhe Jonit, i njohur si Riviera Shqiptare – që shtrihet nga qyteti i vrullshëm i Vlorës, përmes qyteteve më të vogla, më të bukura si Dhërmiu, Himara, Saranda dhe, natyrisht, Ksamili.
“Ajo ofron gjithashtu peizazhe malore, shtigje ecjeje, vende magjepsëse të trashëgimisë së UNESCO-s, një kuzhinë të shijshme dhe – aktualisht, ndërsa është ende në pritje të miratimit të plotë të kërkesës së saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – Shqipëria mbetet një destinacion i përballueshëm”, vijon artikulli.
Po ashtu revista prestigjoze vlerëson gjatë viteve të fundit, turizmi është rritur në mënyrë stratosferike.
“Shifrat e fundit nga Komisioni Evropian i Udhëtimit tregojnë se sektori i turizmit është rritur 86 për qind që nga viti 2019. PBB-ja e saj për frymë ka ardhur gjithashtu në rritje – ndërsa paga mesatare mujore tani është rreth 84,000 lekë (704 £). Investimet e huaja direkte janë gjithashtu në rritje, me vendet duke përfshirë Zvicrën, Italinë dhe Holandën që synojnë sektorë të tillë si energjia, minierat, informacionin dhe pasuritë e paluajtshme në një vlerë prej rreth 1,5 miliardë dollarë në vitin 2022”, sipas Raportit të Investimeve Botërore të UNCTAD”, vijon artikulli.
” Sot, qendra kryesore ekonomike e Shqipërisë – dhe zona e saj më e industrializuar dhe me rritjen më të shpejtë – është kryeqyteti i saj i bukur dhe kozmopolit, Tirana”, shkruan Revista “Business Traveller”./atsh/KultPlus.com
Edvard Grieg lindi më 15 qershor 1843 në Bergen, Norvegji. Ai është i njohur si një kompozitor nacionalist, duke marrë frymëzim nga muzika popullore norvegjeze, megjithatë familja Grieg ishte me origjinë skoceze – gjyshi i kompozitorit u largua nga Skocia pas betejës së Culloden për t’u vendosur në Norvegji, transmeton KultPlus.
Nëna e Grieg, një pianiste, e mësoi atë të luante piano që në moshën gjashtë vjeçare. Violinisti virtuoz norvegjez Ole Bull, i cili ishte mik i familjes, e njohu talentin e djalit dhe i bindi prindërit që ta dërgonin në Konservatorin e Leipzigut kur ai ishte 15 vjeç.
Nga 1863-1866 Grieg jetoi në Kopenhagë, Danimarkë, ku studioi me Niels Gade, kompozitori kryesor skandinav. Ai u takua gjithashtu me kompozitorin e tij norvegjez Rikard Nordraak, i cili shkroi himnin kombëtar norvegjez dhe u bë një burim i madh frymëzimi. Grieg kujtoi: “Nga Nordraak mësova për herë të parë se çfarë ishte kënga popullore norvegjeze dhe mësova të njoh natyrën time”.
Në vitin 1867 Grieg u martua me kushërirën e tij të parë, Nina Hagerup (1845–1935), një soprano lirike që u bë një ndikim i rëndësishëm në kompozimin e tij vokal.
Ndër pjesët më të njohura të Grieg janë Koncerti për Piano në A minor, Suite Holberg, Lirik Pieces dhe muzikë rastësore për shfaqjen e Henrik Ibsen Peer Gynt, e cila përfshin fragmentet “Morning Mood” dhe “In the Hall of the Mountain King”.
Grieg vdiq më 4 shtator 1907 dhe u varros në një shpellë malore në shtëpinë e tij në Troldhaugen, Norvegji. / KultPlus.com
Shfaqja “Karnavalet e Korçës” me regji nga Erion Isai si dhe ndarja e çmimeve, do të kurorëzojnë sonte edicionin e 11-të të festivalit teatror Koko Fest.
Koko Fest priti në Korçë që prej 28 gushtit, trupa teatrore nga Vlora, Kosova, Greqia, Durrësi, Tirana, Shkodra e patjetër që pjesë e tij ishte edhe Teatri “Çajupi” i Korçës. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë u çel me veprën “Vassa Zheleznova” me regji të Enke Fezollarit dhe interpretimin e trupës së teatrit “Andon Zako Çajupi” dhe do të mbyllet sonte me interpretimin e po të njëjtës trupë aktorësh.
Komeditë e vëna në skenë në këtë edicion të 11-të ishin: “Natën e mirë me burrin tim”, “Club Albania”, “Marika më thonë-Marika më quajnë”, “10 vjet martesë”, “Vassa Zheleznova”, “Testamenti”, “Krimi është vetëm i imi”, si dhe “Karnavalet e Korçës”.
Teatri Kombëtar u prezantua në këtë festival me “Testamentin” e Leka Bungos, nën interpretimin e aktorit të madh Viktor Zhustit.
Për rreth 60 minuta para publikut kalon historia e Shqipërisë nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste e deri në ditët tona, një paralelizëm mes asaj se çfarë ndryshoi dhe çfarë jo. Komunisti Kuqo, lë një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të Partisë Komuniste dhe gati deri në ditët e sotme. I vetëm në skenë, me një monolog që zgjat për rreth një orë, Kuqon e shoqëron sarkazma e cila është karakteristikë e veprave të Leka Bungos./atsh/KultPlus.com
Këto ditë dolën nga shtypi librat më të fundit të botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Librat e dalë nga shtypi janë: “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes” (Botimi i Akteve të Kuvendit të mbajtur më 5 maj 2023 si organizim i QSPA-së, në bashkëpunim me ASA); “Drita e Shejzave” – Publicistikë 1957 – 1974, ideuar, kuruar dhe me parathënie nga Prof. Ardian Ndreca; “Shkrime të Ernest Koliqit për letërsinë arbëreshe”, nën kujdesin e prof. Ymer Çiraku dhe dr. Loreta Loli; “Shënime kritike mbi letërsinë shqipe” me autor studiuesin arbëresh Giuseppe Gradilone, i cili vjen për herë të parë në shqip nën kujdesin e prof. Vjollca Osjes dhe me përkthim të prof. Edlira Macaj.
QSPA bëri me dije se këto botime do t’u vihen në shërbim studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë të interesuar në çështje të letërsisë, gjuhësisë, medias dhe lëmin e historisë shqiptare. Këto tituj mund të gjenden së shpejti edhe në versionin online në faqen e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA)./atsh/KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot lindjen e Vinçenc Prennushit (1885-1949), klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes.
Lindi në Shkodër, ku ndoqi shkollën françeskane dhe seminarin e Troshanit. Më 1908 kreu studimet e larta për filozofi dhe teologji në Insbruk (Austri) dhe u shugurua meshtar. Pas kthimit në atdhe punoi si mësues e më pas drejtor i Kolegjit Françeskan (1920).
Mori pjesë në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës. Në vitet 1918-1929 drejtoi revistën “Zani i Shna Ndout”, ndërsa më 1921-1924 “Hyllin e Dritës”. Vinçenc Prennushi ka qenë një ndër dinjitarët kryesorë katolikë në Shqipëri: më 1936 u emërua ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, më 1940 arkipeshkëv i Durrësit e i Tiranës; pas vitit 1944 qëndroi në fshatin Delbnisht të Laçit; gjatë vitit 1946 kryesoi Kishën Katolike Shqiptare.
Vinçenc Prennushi ka qenë një nga anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve (1945). Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet punë të detyrueshme. Vdiq në burgun e Durrësit. Vepra më e rëndësishme e Vinçenc Prennushit është përmbledhja të përshpirtshme “Gjeth e lule” (1924, 1931), që u bë shumë popullore./atsh/KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia Elbasan organizuan diten e djeshme një ekspozitë të veçantë fotografike dhe dokumentare me titull “Kongresi i arsimit mbarëkombëtar shqiptar”, në nder të 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit dhe hapjes së Shkollës Normale.
Ekspozita paraqet rrugëtimin historik të shkrimit të gjuhës shqipe dhe momente kyçe nga Kongresi i Elbasanit, si dhe nga Shkolla Normale, e para shkollë kombëtare e hapur në këtë qytet.
Ekspozita u çel pranë godinës ku u mbajt Kongresi i Elbasanit. Të pranishmit përjetuan një udhëtim historik dhe mësuan më shumë rreth trashëgimisë sonë kulturore.
Ekspozita është përgatitur me kujdes nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Arkivin Digjital të Elbasanit.
Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja, rektorja e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, deputetë, etj. Kongresi i Elbasanit pati rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe./atsh/KultPlus.com