11 vepra të Pikasos do të dalin në një bllok ankandesh

Rreth 11 piktura dhe vepra të Pikasos do të dalin në ankand në tetor ndërsa grupi i kazinove dhe hoteleve MGM Resorts (MGM.N) kërkon të diversifikojë më tej koleksionin e tij të madh të artit.

Ankandi do të zhvillohet më 23 tetor në hotelin Bellagio në Las Vegas, ku punimet ishin të ekspozuara, thanë të mërkurën MGM Resorts dhe Sotheby’s, transmeton KultPlus.

Shitja mund të kushtojë rreth 100 milionë dollarë dhe mendohet të jetë ankandi më i vlefshëm kushtuar Pikasos që është mbajtur ndonjëherë.

“Ne jemi të përkushtuar të krijojmë një koleksion edhe më përfshirës që ruan gjerësinë e portofolit tonë ekzistues duke u dhënë një zë më të madh artistëve” tha Ari Kastrati, shefi i mikpritjes në MGM Resorts, në një deklaratë.

MGM Resorts Fine Arts Collection krenohet me rreth 900 vepra të 200 artistëve, duke përfshirë pjesë moderne nga Bob Dylan dhe David Hockney të ekspozuara në hotelet e tij në të gjithë botën.

Koleksioni filloi më shumë se 20 vjet më parë nga zhvilluesi i pasurive të patundshme Steve Ëynn, ish pronar i Bellagio dhe ish shef ekzekutiv i Ëynn Resorts.

Punimet e Picasso për ankand përfshijnë pesë piktura, disa prej të cilave u shfaqën për vite me radhë në restorantin “Picasso” në Bellagio. Restoranti do të vazhdojë të shfaqë edhe 12 vepra të tjera të Pikasos.

Piktura e artistit e vitit 1938 “Femme au beret rouge-orange” e të dashurës dhe muzës së tij Marie-Therese Ëalter pritet të shitet për 20 deri në 30 milion dollarë.

Portretet në shkallë të gjerë “Homme et Enfant” dhe “Buste d’homme” kanë një vlerësim paraprak të shitjes deri në 30 milion dollarë dhe 15 milion dollarë respektivisht./KultPlus.com

Një pjesë e tortës së dasmës së Princit Charles dhe Princeshës Diana po shitet në ankand

Një pjesë e tortës së dasmës së Princit Charles dhe Princeshës Diana po shitet në ankand.

Çifti mbretëror u martua 40 vjet më parë dhe një pjesë e tortës së tyre me pesë nivele pritet të shitet për 500 paund kur një koleksionist do ta hedhë në ankand muajin tjetër në Dominic Winter, transmeton KultPlus.

Chris Albury, eksperti i kujtimeve mbretërore të ankandit, tha: “Është një kujtim kurioz dhe unik”.

“Unë nuk do t’ia rekomandoja dikujt ta hajë, por pas 40 vjetësh është qartë se ajo është e destinuar të zgjasë.”

Kjo pjesë është zbukuruar me një stemë mbretërore të kuqe, blu dhe ari.

Ajo iu dha Moyra Smith, një prej stafit të nënës së mbretëreshës në Clarence House, pas ceremonisë në vitin 1981, dhe është ruajtur në film ngjitës brenda një kuti torte.

Torta qëndroi në familjen e Moyra deri në vitin 2008 para se të merrej nga koleksionisti i cili tani po e nxjerr në shitje./ KultPlus.com

@Shutterstock

Një vizatim i një ariu nga Leonardo da Vinçi pritet të arrijë deri në 12 milionë dollarë në ankand

Vizatimi, i titulluar “Head of a Bear” (Koka e një ariu) do të shitet në Londër nga shtëpia e ankandeve Christie’s. Vizatimi do të shfaqet në New York dhe Hong Kong përpara se të dalë në ankad dhe pritet të arrijë shifrën 12 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandit, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

“Koka e një ariu” ka përmasa 7 cm me 7 cm dhe është vizatuar në një letër të zbehtë rozë në bezhë. Më parë është shfaqur në muze duke përfshirë Galerinë Kombëtare në Londër, ku u shfaq në vitin 2011 dhe vitin 2012 si pjesë e një ekspozite për Da Vinçin.

Sot, shitja mund të tejkalojë rekordin e mëparshëm të vendosur për një vizatim nga artisti.

Vizatimi daton nga vitet 1480 dhe kjo vepër e artit është pjesë e një koleksioni të vizatimeve të kafshëve në shkallë të vogël të artistit.

Ben Hall, kryetari i vjetër i pikturave në Christie’s New York, e përshkroi vizatimin si “një nga veprat më të rëndësishme nga Rilindja”. Ai tha: “Vepra është zotëruar nga disa prej koleksionistëve më të dalluar në fushën e mjeshtrave të vjetër përgjatë shumë shekujve, jo vetëm nga pronari aktual i cili e ka në pronësi që nga viti 2008.”

Kurse, Laetitia Masson, një eksperte në vizatimet e vjetra master në Christie’s, tha se argjendi është një “teknikë shumë e vështirë, sepse nuk pranon asnjë gabim”.

Ka shumë aftësi në metodë pasi vizatimi arrihet me një shkop argjendi që aplikohet në një letër të përgatitur posaçërisht për të lënë shenja dhe vija.

Ajo shtoi që da Vinci ishte “magjepsur nga natyra dhe kafshët në përgjithësi”.

Piktori dhe koleksionisti britanik Sir Thomas Lawrence më parë zotëronte pjesën e veçantë. / KultPlus.com

Në ankand makina e princeshës Diana, dhuratë fejese nga Charles

Një Ford Escort, dhuratë fejese për Dianën, princeshë e Uellsit, nga princi Charles, ka dalë në ankand pas 20 vjetësh pasi pronari aktual e mbajti sekret origjinën e makinës.

Lady Diana Spencer e mori makinën ngjyrë argjendi 1.6L Ghia të vitit 1981 nga Charles dy muaj para se të martoheshin.

Princesha ndaloi së përdoruri automjetin menjëherë pasi lindi Princin William në 1982 dhe më vonë ajo u ble për 6 000 stërlina nga një tregtar antikesh.

Më në fund përfundoi, rreth vitit 2000, me pronarin e saj aktual, një adhurues i familjes mbretërore, që e mbajti atë për dekada pa ua zbuluar historinë miqve të saj.

Lewis Rabett, nga shtëpia e ankandeve “Reeman Dansie” në Colchester, Essex, tha se “makina u zhduk nga sytë e publikut për më shumë se 20 vjet”.

Automjeti mban ende targën e tij origjinale WEV 297W dhe ka 83 000 milje në orë, si edhe ngjyrën dhe tapicerinë e tij origjinale.

Ai pritet të kapë midis 30 000 dhe 40 000 stërlina në Ankandin Mbretëror të “Reeman Dansie” më 29 qershor, një muaj përpara 40-vjetorit të ditës së dasmës të Charles dhe Diana./ atsh / KultPlus.com

Kurora 150 vjet e vjetër në ankandin e “Sotheby’s”

Një tiara (kurorë me xhevahire – v.j.), e përcjellë ndër breza nga familja mbretërore e Italisë, do të jetë një nga bukuritë në ankandin e stolive të shtëpisë “Sotheby” në Gjenevë, që mbahet javën e ardhshme.

E datuar nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, kjo tiarë ishte dhuratë për Maria Vittoria dal Pozzo gjatë martesës së saj më 1867 me Amadeon I të Savojës, më vonë mbret i Spanjës.

Tiara paraqet motive të holla të përshkuara nga diamante dhe perla natyrore dhe shitet me një çmim të përllogaritur nga 1 deri në 1.5 milionë dollarë.

“Është një copëz e vërtetë, e bukur dhe historike, që ka mbetur në Shtëpinë e Savojës për më shumë se 150 vjet”, ka thënë Benoit Repellin, kryesues i shitjes së stolive shkëlqimplota në “Sotheby”.

Shitja e 11 majit do të shpalosë edhe diamante të mëdha dhe gurë të çmueshëm me ngjyra, përfshirë edhe një safir të vitit 1930, si dhe një karficë diamanti që përbën safirin më të madh nga Kashmiri që është shfaqur ndonjëherë në një ankand – një perlë vezake 55.19 karatë – ashtu sikundër edhe një safir tjetër kashmiras që peshon 25.97 karatë.

E vlerësuar se do të mbledhë nga 2 deri në 3 milionë dollarë, ai i takonte trashëgimtares së një fabrike, ka thënë Olivier Wagner, drejtor i departamentit të stolive në “Sotheby”.

Safirët e Kashmirit janë të kërkuar që prej kur u zbuluan në fund të shekullit të 19-të dhe minierat u qëmtuan rreth 20 vjet, ka thënë ai për “Reuters”.

“E vetmja mënyrë për t’i gjetur ata është t’i blesh në ankand”, ka thënë ai.

Fotolegjenda: Një zyrtare e stafit në “Sotheby” mban një tiara me diamante, e cila është përcjellë ndër breza në familjen mbretërore italiane. Ankandi do të mbahet gjatë javës së ardhshme në Gjenevë. / KultPlus.com

Shishja më e vjetër e uiskit së shpejti në ankand

Një shishe historike e uiskit do të dalë së shpejti në ankand. Shishja, e mbushur në LaGrange të Georgias, e që besohet se është më e vjetra në histori, do të dalë në ankand nga data 22 deri 30 qershor.

Çmimet pritet të jenë mes 20 mijë dhe 40 mijë dollarëve, ka thënë shtëpia e ankandeve, “Skinner”.

Sipas hulumtimeve, kjo shishe qe prodhuar mes viteve 1762-1802.

“Ajo mendohet se është e vetmja shishe e mbijetuar nga bodrumi i J.P. Morgan dhuruar elitës në fuqi më 1940”, thuhet në njoftimin e ankandit.

Financieri John Pierpont Morgan raportohet se pati blerë shishen gjatë një vizite në Georgia. Ajo besohet se ishte mbushur në vitet 1860 në LaGrange.

Përderisa kjo mund të jetë më shishja më e vjetër në botë, nuk është as afër më të shtrenjtës. Më 2019, një shishë e rrallë “Macallan Fine” e vitit 1926 ishte shitur për 1.9 milionë dollarë. / Koha.net / KultPlus.com

Kutia e duhanit dhe krehëri i Hitlerit shiten për një shumë të madhe parash në ankand

Një ankand ku u shitën disa nga sendet personale të Adolf Hitler, ishte një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit në Australi.

8 sende që i përkisnin drejtuesit të nazistëve u shitën për shifra të konsiderueshme në ankandin e Sendeve të Vjetra Ushtarake në Morley, në verilindje të Perth.

Mes tyre binin në sy një kuti duhani dhe një krehër të përdorura nga Hitleri që u shitën respektivisht për 29 mijë dhe 19 mijë dollarë.

Ankandi u dënua ashpër nga shumë njerëz të cilët e konsideruan atë si një glorifikim të regjimit të një prej diktatorëve më të ashpër në glob. / Gazeta express / KultPlus.com

Vepra e artistit të rrugës, Banksy, shitet në ankand për 170.000 euro

Piktura “Zog me Granatë” nga artisti misterioz i rrugës, Banksy, u shit të enjten në një ankand në Holandë për 170.000 euro.

“Vepra e artit, e krijuar në 2002, i shkoi një koleksionisti holandez”, njoftoi shtëpia e ankandit “Hessink’s” në Zwolle.

Imazhi, i vënë në dispozicion nga “Hessink’s”, tregon një zog me një granatë dore të varur në sqep.

Identiteti i Banksy-t vazhdon të mbetet një mister.

Dihet që ai vjen nga Bristoli, në jugperëndim të Anglisë dhe u vendos në Londër në fund të viteve 1990.

Ai bëri emër me imazhet kritike shoqërore dhe kryesisht të diskutueshme, që shpesh shfaqen pa paralajmërim. /ATA / KultPlus.com

Ankandi artistik që është bërë viral, mbështet familjet e grave të zeza të vrara nga policia

Cardi B është në mesin e 100 artistëve që kanë kontribuar për një ankand të ri në internet të quajtur “Show Me the Signs”.

Reperi përdori një copë kartoni për të shkruar emrat e 34 burrave dhe grave të zeza të vrara nga policia, të tilla si Sandra Bland, Eric Garner dhe Breonna Taylor, bashkë me frazën “Thuaji Emrat e tyre”, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh që jeta e gjithësecilit ka rëndësi, ju nuk mund ta thoni atë mesazh kur po lini jashtë gratë e zeza”, tha Shermena M Nelson,  drejtore e programeve në Forumin e  Politikave Afrikano-Amerikane, i cili është organizator i ankandit.

Fondet e mbledhura nga ankandi online në Artfizz, i cili mbyllet më 30 nëntor, do të shkojnë në Rrjetin e Nënave #SayHerName të AAPF, i cili ndihmon në sigurimin e strehimit, tarifave ligjore dhe kostove të tjera për nënat e grave që janë vrarë nga policia.

“Ka një kosto për vdekjen, ajo shkon përtej shpenzimeve të varrimit dhe përfshijnë ato financiare, shëndetsore e mendore. Humbja tragjike e dikujt ua ndryshon strukturën familjare. Ne po përpiqemi t’i mbushim boshllëqet aq sa kemi mundësi” , tha Nelson.

Shumë prej veprave të artit janë në formë protestuese, si ajo e Billie Eillish që thotë “Stop Vrasjes së njerëzve të zinj”.

 Artistë të tjerë që janë pjesë e ankandit janë Jim Carrey, David Hockney, Rashid Johnson, George Condo dhe Marilyn Minter.

Artistja nga Los Angeles, Delia Brown ka paraqitur një vepër arti që përmban emrat e grave të zeza të vrara nga policia,  shoqëruar me moshat e tyre, të cilat variojnë nga 26 deri në 72 vjeç. Në fund të veprës artistike shkruhet: “Unë nuk duhet t’i di emrat e tyre”.

“Është e vështirë të bësh një vepër arti për mungesën e drejtësisë, të cilën e përjetuan familjet e këtyre vajzave dhe grave. Unë i lashë shifrat të flasin vet, në një periudhë 5 vjeçare, vetëm dy oficerë u akuzuan për vrasjen e 48 grave dhe vajzave të pafajshme, të cilat ata duhej t’i mbronin”, u shpreh Brown.

Shitjet nga ky ankand do të ndihmojnë për financimet e tafiave shëndetësore, ligjore dhe anëtarësimin e më shumë grave në Rrjetin e Nënave. / The Guardian/ KultPlus.com

Del në ankand pistoleta e përdorur në filmin e parë “007”

Pistoleta “Walther PP” e përdorur nga Sean Connery në filmin e parë të James Bond-it do të dalë në ankand muajin tjetër në Los Anxhelos, me një çmim bazë midis 150 000 dhe 200 000 dollarë.

Aktori i madh skocez, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar në moshën 90-vjeçare, në shtëpinë e tij në Bahamas, e përdori këtë pistoletë në filmin e vitit 1962 “Dr.Jo”, që nisi sagën shumë të suksesshme të agjentit sekret britanik.

“Silueta e agjentit 007, i cili mban këtë armë, u bë imazhi më ikonik në ekskluzivitetin e James Bond dhe një nga referencat më të njohura të kulturës pop të të gjitha kohërave”, tha Martin Nolan, drejtori ekzekutiv i shtëpisë së ankandeve Julien.

Në filmin “Dr. Jo”, krerët e Shërbimit Sekret Britanik e urdhërojnë Bondin ngurrues që të ndërrojë pistoletën e tij të vjetër “Beretta” me një “Walther”.

Variantet e “Walther” do të mbeten arma e zjarrit e 007 për gati 25 filma./atsh/ KultPlus.com

epa04979562 A handout photo provided by ‘Madame Tussauds London’ on 16 October 2015 of the wax figures of all six ‘James Bond’ actors, with five completely new wax 007s joining the existing figure of Daniel Craig (3-L). To coincide with the release of the latest 007 movie ‘Spectre’, the line up of (L-R) Roger Moore, Timothy Dalton, Daniel Craig, Sean Connery, George Lazenby, and Pierce Brosnan will appear at the Legendary London attraction for six weeks only, before embarking on a tour of Madame Tussauds locations worldwide on 01 December. EPA/JONATHAN HORDLE/MADAME TUSSAUDS/HANDOUT HANDOUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES

Burri që vodhi veprën artistike të Banksy dhe doli ta shesë në një ankand publik

Kjo është një historia e një njeriu dhe përpjekja e tij e guximshme për të fituar para duke dalur në televizion dhe duke i thënë kombit se ai vodhi një vepër arti Banksy.

Njeriu në fjalë u shfaq në Antiques Roadshoë me një vepër arti, që ai pretendoi se ishte një pjesë e artit Banksy nga 2004.

Në video pamjet që mund të shihen në Metro, ai i thotë ekspertit të artit Rupert Maas se ai kishte marrë modelin, i cili përmban një mi vizatimor mbi një turjelë, nga një mur në Saltdean Lido në Brighton.

“Unë kam jetuar në Brighton në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Po ecja përgjatë bregdetit të Brighton kur e pashë atë në Lido,” shpjegon ai për Maas. “Dukej e lirshme, unë shkova, e tërhoqa nga vendi.”

I pyetur nga Maas se çfarë dëshironte të dinte për veprën artistike, burri tha se ai ishte tashmë i vetëdijshëm për vlerat e veprës dhe nga kush ishte bërë. “Unë në thelb thjesht po përpiqem të marr një vlerësim për të”, pranon ai./ KultPlus.com

https://twitter.com/emmajane37/status/1317898192835563522?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1317898192835563522%7Ctwgr%5Eshare_3%2Ccontainerclick_0&ref_url=https%3A%2F%2Finsajderi.com%2Fburri-qe-vodhi-vepren-artistike-te-banksy-dhe-doli-ta-shese-ne-nje-ankand-publik%2F

Ankand rekord për një skelet tiranozauri Rex, shitet me çmim marramendës

Një skelet tiranozauri Rex, i fosilizuar, u shit në ankand për 31.85 milionë dollarë, duke e bërë dinozaurin më të shtrenjtë të shitur në histori.

Skeleti me emrin “Stan”, u gjet në Dakotën e Jugut në vitin 1987, pesë herë më shumë nga sa mendohet.

Bëhet fjalë për një prej skeleteve T. Rex më të plotë të gjendur ndonjëherë dhe një nga 50 grupet e fosileve T. Rex që ka njohur njerëzimi.

Skeleti u shit në shtëpinë e ankandeve Christie’s, në Londër, nga një telefonues anonim më 6 tetor. /noa.al / KultPlus.com

Dalin në ankand veshjet e çiftit Obama

Disa veshje personale të ish-çiftit presidencial Barack dhe Michelle Obama do të dalin në ankand.

Këto përfshijnë një fanellë basketbolli që i përkiste ish-presidentit gjatë viteve të shkollës së mesme dhe e cila mund të arrijë deri në 200 000 dollarë.

Fanella mban numrin 23 dhe shoqërohet gjithashtu me një libër shkollor të vitit 1979, kur ai ishte në shkollën ”Punahou” në Honolulu, e cila përfshin fotografi të të riut Obama duke luajtur basketboll.

Ndërsa për Michelle, një fustan elegant mbrëmjeje i veshur gjatë një mbledhje fondesh në 2010 në Uashington do të dalë në ankand.

Është një model ”Norman Norell 1950” dhe vlerësohet midis 50 000 dhe 70 000 dollarë.

Nga shitjet e tyre familja Obama nuk do të marrë asnjë fitim, por fondet do të kalojnë për bamirësi. / atsh/ KultPlus.com

Ankand për një vizatim të rrallë me Verlaine dhe Rimbaud

Një vizatim në letër i poetëve francezë Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud, shpesh i riprodhuar, por asnjëherë i ekspozuar, do të vihet në shitje nga “Christie’s” në Paris, në fillim të nëntorit, njoftoi sot shtëpia e ankandit.

Ky vizatim është vepër e piktorit dhe ilustruesit Félix Régamey (1844-1907), në një letër drejtuar vëllait të tij, e datës 1872.

Në të shihen dy poetët duke shëtitur në një rrugë të Londrës.

“Kjo skicë është vizatimi i vetëm, që tregon Verlaine dhe Rimbaud së bashku gjatë arratisjes së tyre të famshme dashurore midis 1872 dhe 1873, një nga periudhat kryesore krijuese të Rimbaud”, tha “Christie’s” në një deklaratë.

Shitja është planifikuar për në 3 nëntor dhe vlerësimi i vizatimit është midis 70 000 dhe 100 000 euro./ atsh / KultPlus.com

Kitara e Elvis Presley-it shitet në ankand për më shumë se 1 milion dollarë

Është shitur në ankand për 1.32 milion dollarë kitara ikonike akustike e Elvis Presley, Martin D-18 e 1942. Kjo është pa diskutim aseti më i vlerësuar i Presley-it, transmeton BW njoftimin.

Elvisi e ka mbajtur këtë kitarë në karrierën e tij nga viti 1954 dhe 1956. Është quajtur ‘Sun Sessions’ sepse mbreti i Rok and Roll e ka përdorur në studiot ikonike të Sun Studios të Memphis për të regjistruar disa nga këngët e tij më të famshme dhe të paharrueshme, mes të cilave ‘That’s All Right (Mama)’, ‘Blue Moon of Kentucky’ dhe ‘Good Rockin’Tonight’.

Elvis e kishte blerë këtë kitare nga O.K. Houck’s Piano Store, një dyqan instrumentesh muzikore në Memphis, duke dorëzuar Martin 000-18 e tij. Ai dekoroi trupin e kitarës me germa metalike që formonin emrin e tij ‘ELVIS’. Mbeti vetëm ‘ELVI’, sepse ‘S’ kishte rënë. / KultPlus.com

Një autoportret i Rembrandtit del në ankand për 18 milionë euro

Një prej autoportreteve të Rembrandtit, i ruajtur nga një dashamirës arti, u vu sot në shitje nga shtëpia e ankandeve ”Sotheby’s” për 12-16 milionë sterlina (13-18 milionë euro).

Tabloja, me përmasa 15×20 centimetra, nënshkruar nga mjeshtri flamand dhe që daton që prej vitit 1632, e tregon atë në moshën 26-vjeçare, i veshur me të zeza, me një kapelë dhe një jakë të madhe prej dantelle të bardhë.

Autenticiteti i tablosë u vërtetua vetëm në vitin 1996, pas një analize që tregonte se ajo ishte realizuar në të njëjtin dru lisi si te portreti i bërë nga Rembrandti i mikut të tij, Maurits Huygens.

Sipas George Gordon nga ”Sotheby’s”, veshja zyrtare, e pazakontë në mesin e dhjetëra portreteve të artistit, sugjeron se ai mund të ketë dashur të tregojë veten në ditën e tij më të mirë, ndërkohë që po përpiqej të pëlqehej nga muza dhe bashkëshortja e tij, Saskia van Uylenburgh, me qëllim për të bindur prindërit e saj se ai ishte i duhuri.

Realizuar vetëm pasi u transferua në Amsterdam, tabloja ka mundur të shërbejë gjithashtu si kartëvizitë dhe për t’u treguar klientëve të mundshëm situatën e lulëzimit të piktorit./ atsh/ KultPlus.com

Jennifer Aniston në ankand me nudon e saj historike, për të mbledhur fonde për koronavirusin

Për të përballuar emergjencën e koronavirusit çdo aksion është i mirë. ’Edhe duke nxjerrë nga sirtari’, një foto nudo të 25 viteve më parë. Është pikërisht kjo ajo që ka bërë Jennifer Aniston. Në të vërtetë jo ajo drejtpërdrejtë por Mark Selinger, që në 1995 e ka fotografuar aktoren të zhveshur dhe tani nxjerr në ankand atë foto së bashku dhe me shumë të tjera.

Por artistja duket se e mbështet plotësisht këtë iniciativë dhe ka postuar në rrjetet e saj sociale linkun për të marrë pjesë në ankand. Fotoja është realizuar kur Aniston ishte në kulmin e karrierës së saj, si protagoniste e ‘Friends’, në atë kohë në sezonin e saj të dytë.

Me rolin e Rachel Green artistja nga Los Angeles u bë menjëherë një modele, pasi prerja e saj e flokëve u bë një model i ndjekur nga femrat ndër vite. Fotoja e Selinger është deri më tani një nga fotot më të famshme të realizuara nga Aniston, për kopertinën e ‘Us Magazine’, që doli në shkurt të 1996. Kjo ndoshta edhe për faktin sepse artistja është shfaqur shumë pak herë në jetën e saj e zhveshur.

Me këmbët e kryqëzuara dhe gjunjët me të cilat mbulon gjoksin, kështu pozon artistja në foton e Selinger, e cila nuk është një foto erotike, por një foto që tregon pafajësi dhe pastërti, si në stilin e artistes dhe të personazhit që vetë ajo interpreton. Fotografi ka vendosur ta nxjerrë në ankand së bashku me 24 foto të tjera, të gjitha të realizuara prej tij, për të mbledhur fonde dhe për të ndihmuar ata që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë sigurime shëndetësore për të përballuar emergjencën e koronavirusit. Ankandi është organizuar si pjesë e RADArt4Aid, një projekt i realizuar nga Red Carpet Advocacy dhe Christie’s.

“Falënderoj Mark që më dha mundësinë të jem pjesë e kësaj iniciative’, ka shkruar Jennifer në postimin e saj në Instagram, ku ka sqaruar iniciativën. Në postim shfaqet edhe një video ku shihet puna për fotot e saj në studion e fotografit/BW / KultPlus.com

Kitara e Kurt Cobain vlerësohet 1 milion dollarë në ankand

Kitara e përdorur nga Kurt Cobain gjatë regjistrimit të koncertit të famshëm “Unplugged” nga Nirvana, në 1993, do të ofrohet në ankand gjatë një shitje të organizuar më 19 dhe 20 qershor në Los Angeles, me një vlerë fillestare prej një milion dollarësh.

Kitara gjysmë akustike, që do të shitet nga “Julien’s Auctions” është një model i rrallë, D-18E, i bërë nga fabrikuesi amerikan i instrumentave, Martin, në vetëm 302 kopje dhe i përket vitit 1959.

Koncerti “Unplugged”, i regjistruar në Nju Jork më 18 nëntor 1993, korrespondon me kulmin e Nirvana-s, grupi më i shquar i rrokut i viteve ’90.

Performanca skenike u zhvillua më pak se gjashtë muaj para vetëvrasjes, më 5 prill 1994, të Kurt Cobain-it, që vuante nga depresioni dhe varësia nga heroina.

Kitara më e shtrenjtë në histori është një Fender Stratocaster, i quajtur “Black Strat”, i përdorur nga kitaristi i grupit britanik Pink Floyd, David Gilmour./ atsh/ KultPlus.com

Letrat e ndaluara të autorit të Xhejms Bond, me bashkëshorten

   

Korrespodenca e Ian Flemingut me gruan e tij, Ann, do të dalë në ankand në Londër midis 3 dhe 10 dhjetorit. Mbajtur të fshehta mbi njëzet vjet, këto letra rrëfejnë fillimet jozyrtare të idilit të dashurisë që lind midis dy dashnorëve, deri në zyrtarizimin e marrëdhënies së tyre. Një marrëdhënie që do të jetë e rëndësishme në gjenezën e krijimtarisë së romancierit.

Letërkëmbimi epistolar, që shtëpia e ankandeve britanike “Sotheby’s” është gati të ofrojë, përfshin mbi 160 letra midis autorit të serisë së famshme të spiunazhit Xhejms Bond, Ian Fleming dhe asaj që do të bëhet më pas gruaja e tij.

Takimi i tyre daton në vitin 1934. Në atë kohë, Ann ishte e martuar me baronin Shane O’Neil, kurse Ian Flemingu nuk e kishte nisur ende karrierën e tij të shkrimtarit, që do t’i jepte sukses ndërkombëtar. Asokohe, Fleming ishte një bankier i thjeshtë në kryeqytetin londinez.

Vetëm në vitin 1948, pas vdekjes së parakohshme të fëmijës së lindur nga marrëdhënia e tyre, dy të dashuruarit planifikuan të jetonin së bashku. Tashmë Ann ishte e martuar me burrin e saj të dytë, manjatin e shtypit Esmond Harmsworth, viskonti i Rothermere.

Bashkimi i tyre do të bëhej zyrtar në vitin 1952, njëherazi viti i martesës së tyre, që përkon gjithastu me lindjen e fëmijës së tyre të dytë, Caspar. Gjithashtu është botimi i pamfletit të parë të serialit Xhejms Bond, Royal Casino.

Nuk është rastësi që Ian shkroi Bondin e tij të parë vitin e dasmës së tij, njëherazi si një shkarkim për energjinë emocionale dhe imagjinatën e tij, por edhe për t’u rrekur të fitonte të ardhura për një grua që natyrisht ishte mësuar të jetonte në pasuri”, – shprehet në një deklaratë Gabriel Heaton, specialist i librit dhe dorëshkrimite në Sotheby’s.

Në këtë mënyrë, megjithëse kjo korrespodencë përqendrohet në marrëdhëniet midis dy të dashuruarve, është me interes për gjenezën e veprës së Ian Flemingut. Siç vë në dukje Gabriel Heaton: “Më tepër se ritregimi i një marrëdhënieje me një ngarkesë të jashtëzakonshme erotike, kjo korrespondencë gjurmon ngjitjen meteorike të Bondit dhe shfaq një pamje të gjallë të shoqërisë së lartë të pasluftës”.

Dorëshkrimet do të dalin në shitje në internet midis datës 3 dhe 10 dhjetor. Vlera e tyre përcaktohet midis 200 000 dhe 300 000 sterlinga ose midis 233 000 dhe 349 000 euro./Konica.al / KultPlus.com

Trikoja e Kurt Cobainit shitet në ankand për 334,000 dollarë

Një trikë e njollosur, e djegur me cigare, dhe e palarë për pothuajse tre dekada, është shitur në një ankand për 334,000 dollarë.

Solisti i Nirvanas, Kurt Cobain, e kishte veshur këtë triko me pulla gjatë performancës së tij “Unplugged” në MTV më 1993, raporton BBC.

Kurrë s’është larë që nga hera e fundit që e kishte veshur ai.

Veshja ikonike tani raportohet të jetë xhemperi më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në ankand pasi i njëjti u ble në New York të shtunën, transmeton Koha.net.

Darren Julien, president i “Julien’s Auction”, trikon e Cobainit e quajti “grali i shenjtë i të gjitha rrobave që ai i ka veshur ndonjëherë”.

Edhe kitara “Fender Mustang”, e krijuar enkas për Cobainin – të cilën e shfrytëzoi gjatë turneut “In Utero” të Nirvanas – ishte po ashtu në shitje, dhe u shit për 340,000 dollarë. E njëjta ka qenë e ekspozuar në korridorin e famës “Rock and Roll” për disa vite.

Artisti ka arritur sukses kolosal pas formimit të bendit Nirvana më 1987, por vështirë e përballoi famën, depresionin dhe varësinë nga droga.

Ai vrau veten në prill të vitit 1994 në moshën 27 vjeçare. / KultPlus.com

Del në ankand vepra e rrallë e Cimabue-s

Një vepër arti e rrallë e piktorit të madh italian, Cimabue, e vlerësuar mes 4 dhe 6 milionë euro, do të nxirret në shitje të dielën, në Senlis, në atë që konsiderohet si një nga ankandet më me emër në Francë.

Tema e kësaj pikture, në përmasa 25,8 x 20,3 centimetra, është “Krishti i tallur”.

Cimabue, piktor fiorentin i gjysmës së dytë të shekullit XIII, solli rinovimin e pikturës bizantine duke prishur formalizmin e saj dhe imazhet e kodifikuara nga dogma.

Ai i hapi rrugë natyralizimit të artit të paraRilindjes duke i dhënë shpirt personazheve të tij dhe duke realizuar perspektivat e para. Kjo vepër është një nga provat e para të artit perëndimor.

Kjo do të jetë hera e parë, pas dekadash, që një pikturë e Cimabue-s del në ankand.

Historianët i njohin atij vetëm 10 piktura të sigurta, të realizuara në dru dhe të panënshkruara./ atsh / KultPlus.com

Trikoja e famshme e Kurt Cobain në ankand

26 vjet pas koncertit të grupit Nirvana në “MTV Unplugged”, trikoja që Kurt Cobain kishte të veshur ka dal në ankand.

Trikoja që është e djegur me cigare, mund të shitet nga 200 deri në 300 mijë dollarë, sipas vlerësimeve paraprake, shkruan rtv21.tv

Sipas revistës “Rolling Stone”, trikoja nuk është larë kurrë. Cobain kishte krijuar një imazh të thjeshtë gri dhe nuk dilte në skenë me veshje spektakli. Ndaj, kjo triko sipas shtëpisë së ankandeve Julien, që ai mund edhe ta ketë blerë në një dyqan rrobash të përdorura, ishte bërë në vitet 60, ishte shumë e veshur, kishte plot njolla e madje edhe vrima të shkaktuara nga djegia me cigare. E kjo e bënte atë lehtësisht të identifikueshme.

Dhe Cobain e kishte veshur në performancën më të rëndësishme të tij. Ndaj edhe ekspertët e konsiderojnë të shenjtë dhe gjënë më të vlefshme të artistit amerikan që ka dalë ndonjëherë në shitje./ KultPlus.com

Një pikturë e Caravaggios shitet para se të dalë në ankand

Piktura “Giuditta e Oloferne”, e mjeshtrit të madh italian Caravaggio, që pritej të dilte në ankand të enjten në Tuluzë, iu dha me një marrëveshje të përbashkët një blerësi të huaj, njoftoi sot shtëpia e shitjeve Labarbe.

Piktura, e vlerësuar mes 100 dhe 150 milionë euro, do të largohet nga Franca”, thotë në një komunikatë Labarbe.

Kjo marrëveshje mbulohet nga një angazhim konfidencialiteti për sa i përket çmimit dhe identitetit të blerësit”, thekson shtëpia e ankandeve që kishte zbuluar këtë pikturë në një papafingo të këtij qyteti në jug të Francës/ ATSH/ KultPlus.com

Ankandet e New Jorkut thyejnë rekordin, veprat e rralla gjithmonë të kërkuara

Rreth tre miliardë dollarë vepra arti të shitura në dy javë. Ankandet e pranverës në New York kanë thyer rekordet dhe kanë treguar se interesi për veprat dhe skulpturat e mëdha është më i fortë se kurrë.

Rreth 1,79 miliardë dollarë për Christie’s dhe 859 milionë dollarë për Sotheby’s, rekordi nju jorkez e kalon atë të pranverës së vitit 2015, konsideruar për shumë kohë si një moment i jashtëzakonshëm, ndjekur nga një ngadalësim i shënuar gjatë sezoneve pasuese.

“Është kolosale”, thekson Georgina Adam, autore e “Dark Side of the Boom”, në tregun e artit të shekullit të XXI, edhe pse sezoni ka zgjatur dy javë në vend të një për koleksionin monumental të Rockefeller, raporton ATSH.

Asnjë rekord absolut këtë vit. “Salvator Mundi” e Leonardo da Vinçit u vlerësua në nëntor të vitit 2017 për 450,3 milionë dollarë duke qenë më i kërkuari. Por dhjetëra artistë e kanë kaluar çmimin e tyre më të lartë dhe më shumë se 250 vepra kanë arritur në miliona dollarë.

“Ka ende njerëz që dëshirojnë të blejnë me çmime të larta nëse është më e mira e tregut të artit”, thekson Rachel Poënall, profesor në Universitetin holandez të Maastricht.

“Në 2017, tregu i ankandeve u ringrit, me 18,9 miliardë dollarë nga 16,9 në 2016, por mbeti në nivelin më të ulët se ai i vitit 2015 me 21,1 miliardë dollarë”, sipas studimeve të realizuara për organizatën e specializuar TEFAF./ KultPlus.com