Përkujtohet “Artisti i Popullit”, kompozitori Tish Daija

Kompozitori dhe muzikanti shqiptar, Tish Daija vdiq më 3 nëntor 2003.

Ai lindi në Shkodër nga një familje artizanësh. Ende pa hyrë në shkollë u bë pjesëtar i korit françeskan. Në moshën 10-vjeçare mori pjesë në bandën muzikore “Antoniane” të drejtuar nga Prenkë Jakova dhe filloi të luajë në klarinetë, saksofon dhe në instrumente të tjerë.

Krijimtaria e tij zuri fill në moshën 13-vjeçare. “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, ‘’Sylarushe”, janë disa prej këngëve të realizuara prej tij, ende mjaft popullore.

Pasi mbaroi studimet në vitin 1946, u emërua mësues muzike në Vlorë. Në vitin 1956, u diplomua si kompozitor.

Daija dha një kontribut të madh dhe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ku punoi për 6 vjet me radhë. Në vitin 1962, u emërua në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore, ku organizoi një sërë koncertesh brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Për të gjithë veprimtarinë, kontributin dhe punën e palodhur që dha për muzikën shqiptare, iu akorduan titujt “Artist i Popullit” dhe “Profesor”. / KultPlus.com