Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Programin e Kompaktit. Kjo marrëveshje po konsiderohet historike për shtetin tonë, përcjellë KultPlus.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku është shprehur se kjo marrëveshje në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
“Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.
Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë, Bill Keating, e ka mirëpritur dhe e mbështet marrëveshjen që është nënshkruar sot mes Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Ai, në ceremoninë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se Kosova është një nga shtetet mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vite me radhë.
“Kishte një ekip të mirë që punuan dhe e quan para partneritetin për këtë marrëveshje, jam krenar që keni arritur deri këtu. Jemi këtu ku tregohet përkushtimi për partnerët tanë siç është Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor”.
“Miqësia e Kosovës dhe ShBA-së ekziston edhe më parë. Kosova ka qenë mike pandashme e ShBA-së, do të vazhdojmë atë gurthemel ta rrisim. Kosova është një nga shtetet mike më të fuqishme dhe më të palëkundura të ShBA-së”, ka thënë Keating, njofton Klankosova.
Ai ka shtuar se marrëveshja e sotme do të jetë e profitabile edhe për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.
Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.
“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.
Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.
Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren suedeze, Karin Hernmarck, të cilën e përgëzoi për punën e deritanishme në Kosovë dhe i uroj suksese në angazhimin e mëtejmë.
Në takim me ambasadoren Hernmarck, Presidentja Osmani e falënderoi shtetin e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova e ka synim anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike, i cili është i domosdoshëm dhe në funksion të paqes e stabilitetit të rajonit.
Presidentja Osmani kërkoi nga Suedia mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndaj sipas Presidentes Osmani anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ishte në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve, pa dallim. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është duke vazhduar me publikimin e artefakteve të cilat janë marrë nga Serbia.
MKRS-ja, këtë herë ka kërkuar që në Kosovë të vjen një unazë e arit, për të cilën ka bërë me dije se është gjetur në Gllamnik.
“Unaza e artë e martesës me gur, e cila tregon bashkimin e duarve të djathta, nënkupton një marrëveshje, por gjithashtu simbolizon besnikërinë dhe miqësinë. Është gjetur në lokacionin e periudhës romake në Vindenis, Gllamnik, Kosovë”.
“Unaza është një nga artefaktet 1247 të Kosovës, të cilat ende mbahen ilegalisht dhe padrejtësisht nga Serbia. Kosova kërkon kthimin e tyre në shtëpi”, ka shkruar MKRS-ja në faqen zyrtare në “Twitter”. /KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Flaka Loxha, pas suksesit në Lojërat Mesdhetare në Oran, tani po merr pjesë edhe në Grand Prix të Zagrebit, shkruan KultPlus.
Në përballje me Bakyt Kussakbayeva në kategorinë (-57kg), Loxha tregoi aftësitë e saj dhe arriti që të fitojë meçin dhe të kualifikohet në fazën tjetër.
Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Ndërkaq, edhe Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale, derisa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com
Të enjten në Prishtinë, Ambasada e Francës organizoi pritje me rastin e Festës Kombëtare Franceze, ndërsa nuk munguan edhe deklarata për çështjen e liberalizimit të vizave.
Mbajtja e samitit të BE-së në qershor të këtij ndonëse nuk pati lëvizje konkrete, ngjalli shpresa se ka hapa pozitivë drejt liberalizimit të vizave.
Ndonëse Komisioni Evropian ka theksuar dy herë se Kosova ka përmbushur kriteret për liri të lëvizjes, është vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë liberalizimin e vizave.
E në pritjen e organizuar nga ambasadorja franceze Marie-Christine Butel nuk u la pa u përmendur kjo çështje.
Diplomatja franceze tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave, megjithëse nuk iu dha drita e gjelbër nën presidencën franceze.
“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton KP.
Pritja me rastin e Festës Kombëtare Franceze
Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve.
“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Dita e Bastiljes është shpërthim i Deklaratës së Lirisë.
“Dita e Bastiljës është në të njëjtën kohë edhe shpërthimi me çdo kusht i Deklaratës së Lirisë, rënia e burgut të Bastiljës, por edhe shpallja popullore e një kryengritje masive të madhe për liri. Prandaj, Republika do të përbënte një marrëdhënie të përhershme midis lirisë dhe popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet për të përfshirë një Republikë, që përbën një arsye të mjaftueshme për një 14 korrik të dytë atë të Federatës, një vit më vonë”, tha ai.
Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.
“Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.
“Jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen”, deklaroi Kurti. / Gazeta express / KultPlus.com
Pas njoftimit ditë më parë nga Sekretariati i EU digital Certificate i Komisionit Evropian se është konfirmuar pranueshmëria –vendimi mbi ekuivalencën e certifikatës digjitale të vaksinës kundër COVID-19, e lëshuar nga Kosova në EU digital certificate, me qëllim lehtësimin e së drejtës së lëvizjes së lirë brenda shteteve të Bashkimit Evropian, Ministria e Shëndetësisë është informuar se certifikata është funksionale për përdorim në shtetet e BE-së.
Në mënyrë që qytetarët të mos kenë asnjë problem rreth përdorimit të saj, çdo qytetar i vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 duhet të hyjë në platformën e-kosova dhe ta shkarkoj përsëri certifikatën.
Çdo certifikatë e shkarkuar pas datës 11 korrik 2022 është funksionale për të gjitha vaksinat dhe e lexueshme në pikat hyrëse dhe kontrolluese brenda shteteve të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com
Në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është mbajtur ceremonia hapëse e FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të organizuara në Kosovë.
14 ekipe nga universitete të vendeve të ndryshme të botës, do të garojnë
për titullin e më të mirit në botë në hendbollin universitar.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, anëtari i Bordit Ezekutiv të Federatës Botërore të Sportit Universitar (FISU), Gabriel Kotchofa, drejtori ekzekutiv FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, Musa Selimi, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, përfaqësues të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës.
Kupa Botërore në Hendboll për Universitete do të zhvillohet deri më 17 korrik dhe mbahet nën organizimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga MKRS-ja. / KultPlus.com
Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar të shtunën që qindra mjekë nga Kosova çdo vit po largohen nga Kosova.
E arsyet kryesore të largimit janë kushtet e punës dhe pagat.
Gazeta zvicerane tregon se çdo vit nga 200 mjekë largohen prej Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Austri.
Përderisa në Kosovë një mjek merr 624 euro, në Gjermani mund t’i marrë mbi 4 mijë euro.
Jo vetëm në mjekësi por edhe në fushat e tjera ka lëvizje të madhe të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Evropës.
Mjeku nga Kosova, Flamur Llabjani, tha se karrierën e tij do ta vazhdojë në Gjermani.
Llabjani tregoi se do të punojë në një spital mjaft të njohur në Thuringen, konkretisht në Klinikën Pulmonare, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkaq mjeku shqiptar Rajmond Hazizaj tha se në fillimet e tij edhe ai i pati vështirësitë e veta.
“Si çdo fillim edhe unë i kisha vështirësitë e mia. Por, tashmë i kam kapërcyer dhe jam shumë i kënaqur me vendin e punës ku punoj aktualisht dhe me kolegët me të cilët punoj” – tha Hazizaj.
Hazizaj deklaroi se është larguar për shkak të kushteve të punës.
“Jam larguar nga Shqipëria sepse doja të specializoja dhe të isha i përditësuar me mjetet e teknologjisë së fundit”.
Ai tha se ka mjaft mundësi për trajnime të mëtutjeshme në Gjermani.
Në artikullin e kësaj gazeta theksohet fakti se emigrimi i punëtorëbe të kualifikuar është mjaft i përshtatshëm për vendet e Bashkimit Evropian, derisa për Kosovën emigrimi i mjekëve është një rrezik që të mos ketë mjaftueshëm staf apo specialistë.
E kryetari i Odës së Mjekëve Pleurat Sejdiu tha se këtë vit në Gjermani kanë shkuar 108 mjekë dhe 48 specializantë.
Sejdiu tha se në dhjetë vitet e ardhshme Kosovën mund ta lëshojnë rreth 2 mijë mjekë.
“Mendoj se në pesë vitet e ardhshme do të kemi krizë nëse vazhdion trendi tek specialistët e rinj” – tha Sejdiu.
Mosha mesatare e mjekëve kosovarë është 50 vjeç.
Dhe nuk duket se do të ketë përmirësime pasi nga 150 të diplomuar, 90 nga ta largohen nga vendi i tyre pasi i mbarojnë studimet. / KultPlus.com
Ish-kryeministri i Spanjës, José Luis Rodríguez Zapatero, ka thënë se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të obsesionuara me Kosovën gjatë mandatit të tij, duke treguar se në bisedimet me përfaqësuesit amerikanë, gjithmonë është përmendur Kosova.
I pyetur për vendimin e kryeministrit të tanishëm spanjoll, Pedro Sánchez, për të mbështetur propozimin e autonomisë marokene për Saharanë Perëndimore, Zapatero tha se në bisedimet me ShBA-në asnjëherë nuk u përmend çështja e Marokut, por se sipas tij, ShBA më së shumti fliste për Kosovën.
“Në gati tetë vitet që isha në qeveri, nëse kishte një temë që nuk u shfaq kurrë në dialogët tanë, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, ishte tema e Marokut. Është krejtësisht e lehtë për mua të kujtoj se Kosova ishte një obsesion i madh i Shteteve të Bashkuara me Spanjën. Sigurisht, Amerika Latine, Afganistani, Iraku, po ashtu ishin tema të diskutuara. Por Maroku nuk ishte. Dhe nuk mendoj se është tani”, tha ish-kryeministri spanjoll në një intervistë për elDiaro.
Zaptero shërbeu si kryeministër i Spanjës nga viti 2004 deri në fund të viti 2011, në kohën kur president i ShBA-së ishte Geroge Bush, deri më 2009, dhe pasuesi i tij, Barack Obama. /KlanKosova /KultPlus.com
Ambasada e Japonisë në Kosovë, ka reaguar pas vrasjes së ish-kryeministrit të këtij shteti, Shinzo Abe.
Përmes një shkrimi në Facebook, ambasada japoneze thotë se janë të pikëlluar nga vdekja, teksa shtoi se Abe nisi Iniciativën e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ngushëllimet që kemi marrë sot janë dëshmi e marrëdhënieve tona të forta miqësore ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, për të cilat zoti Abe dha një kontribut të madh”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u vra sot nga një person gjatë një fjalimi që ishte duke e mbajtur. /KultPlus.com
Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse, ndërsa tash është koha e duhur për t’i bërë llogaritë.
Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.
“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.
Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.
Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.
Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.
Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe.
Ndërkohë, Shqipëria përfundoi e 18-ta në “Oran 2022” pasi i fitoi 4 medalje, prej tyre 2 të arit, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë. /Gazeta Express/KultPlus.com
Kosova dhe Serbia do të përballen sot në mes vete për herë të parë në Lojërat Mesdhetare.
Ky ballafaqim do të ndodhë në sportin e pingpongut.
Më saktësisht, pingpongisti kosovar, Kreshnik Mahmuti do të ketë punë me serbin Marko Jevtovic.
Ky meç do të jetë i vlefshëm për Grupin 7, derisa kjo do të jetë gara e dytë për kosovarin, i cili të parën e humbi nga greku Ionnis Sgouropoulos, 0-3 në sete.
Humbje në garën e parë pësoi edhe pingpongisti tjetër kosovar, Fathih Karabaxhak. /Gazeta Express/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e pavarësisë së Sllovenisë përmes postimit të një fotoje me ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiq.
Përmes një postimi në “Twitter”, Kurti është shprehur i bindur që bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, do të jetë i dobishëm për të ardhmen e dy vendeve.
“Rroftë Sllovenia”, ka shkruar Kurti në gjuhën sllovene. /KultPlus.com
Kosova rejoices and find encouragement in the successes of Slovenia and its citizens. I am strongly convinced that our cooperation and deepening of bilateral relations between Kosova and Slovenia will be beneficial for the future of our two countries. Naj živi Slovenija! pic.twitter.com/lmWbcXvMR2
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, ka folur për samitin BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur dje në Bruksel.
Lidhur me pritshmërinë e këtij samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Kosovën, Sarrazin theksoi se ka pritur rezultate, sepse, sikundër tha ai, në Gjermani është punuar shumë për liberalizimin e vizave.
“Por betejën nuk do ta ndalim”, tha ai.
Mes tjerash në magazinën informative “Lajmet e Fundit”, theksoi se Këshilli i Evropian ka dhënë perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Tutje, ai foli edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë ndierë të zhgënjyer nga samiti i BE-së, që, sipas tij, nuk e ndien të arsyeshme t’i kundërvihet gjykimeve të tyre, duke shtuar se duhet bërë çdo gjë të ecet drejt BE-së.
Ndërkaq lidhur me idenë e ndarjes veç e veç të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, për të ecur drejt BE-së, Sarrazin shtoi se Gjermania nuk përkrah këtë ide.
“Ne jemi për hapjen e negociatave për të dyja vendet sa ma parë të jetë e mundur”, theksoi ai.
Sarrazin foli edhe për ‘Ballkanin e Hapur’, duke sqaruar se ai vjen nga një vend që nisi me ‘Procesin e Berlinit’, por që për ‘Ballkanin e Hapur’, nëse nismat e tilla janë gjithëpërfshirëse e që çojnë në BE, atëherë duhet mbështetur.
Ai më tej sqaroi se nismat e tilla nëse do të ishin me hapa të mesëm nuk do të ishin të domosdoshme.
Me këtë rast ai përmendi tregun e përbashkët, si ide e ofruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pastaj çështja e kufijve, që këto ishin edhe ide në ‘Procesin e Berlinit’.
Sarrazin foli edhe për marrëveshjen për energjinë mes Kosovës e Serbisë, si një hap pozitiv, duke inkurajuar liderët e të dyja vendeve të vazhdojnë me këtë hap.
Sarrazin duke folur për vendet e BE-së që hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ka nga ato që ndryshojnë qëndrim, duke marrë si shembull Holandën. Ai inkurajoi zyrtarët kosovarë që të mos dorëzohen.
“Shpresa është gjithmonë aty, duhet të jetë gjithmonë, po e shihni se qëndrimet po ndryshojnë, si p.sh Holanda. Gjermania do të jetë e përkushtuar të punojë me aleatët tanë që ky proces të kryhet ashtu siç e meriton Kosova”, tha mes tjerash, Sarazin.
Diplomati gjerman mohoi idenë e ndërlidhjes së dialogut Kosovë-Serbi me liberalizimin e vizave, duke theksuar zëshëm se ndërlidhja e tillë është absurde.
“Nuk shoh asnjë lidhje mes këtyre dy çështjeve, janë procese me kritere të qarta. Që të ngarkohet ky proces me kritere politike, vret idenë evropiane. Nuk ka ndërlidhje, do të ishte çmenduri të bëhet kjo”, tha Sarazin.
“Çështja e anëtarësimit në BE është e ndërlidhur me dialogun e jo me liberalizimin e vizave”.
“Kancelari im është një njeri shumë i mençur”, tha në fund Sarazin./RTK/ KultPlus.com
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron shteti i të cilit e udhëheqë presidencën e Këshillit, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën në konferencën për media pas takimit të 27 liderëve të BE-së.
Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.
Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.
“Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Liberalizimi i vizave nuk u përmend as në konkluzat e Këshillit në takimin e ditës së parë që u zhvillua dje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.
“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.
Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do ta zhvillojnë sot edhe takimin e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së. /Express/KultPlus.com
Me tone të ashpra, gjatë konferencës për shtyp pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën është një çmenduri dhe një turp.
“Një tjetër peng marrje është ajo e Kosovës. Është popullata e vetme në Evropë që nuk mund të lëvizë lirish. Imagjinojeni,. Ara ishin në diktaturën jugosllave dhe mund të lëviznin lirisht. Dhe që kur u liruan, çlirimtarët e tyre nuk i lejojnë të lëvizin lirisht. Kjo është e turpshme. Unë u thashë dhe ndihem i keqardhur që u ndjeva si të nevojshme, që Serbia është në realitet krejtësisht tjetër. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe opinioni nuk është i prirur të vrapojë drejt Brukselit por jashtë çdo pritshmërie, edhe times, se sinqerisht nuk e prisja. 3 herë janë harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga këshillit i të drejtave të njeriut. Unë nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në kufi në raport me kërkesat për sanksionet. Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi jep efektin e kundërt! Dhe koston do ta ketë agjenda evropiane e Serbisë dhe popullate e rajonit”, tha Rama./express / KultPlus.com
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar ngritje në renditjen e re të FIFA-s.
Në përditësimin e fundit të bërë sot, Kosova tani gjendet në vendin e 106, shkruan Gazeta Express.
“Dardanët” kanë shënuar ngritje për një pozitë, duke e kaluar Qipron, kundërshtarin që e mposhtën në këtë muaj.
Kosova arriti dy fitore dhe dy humbje gjatë këtij muaji. “Dardanët” triumfuan ndaj Qipros dhe Irlandës Veriore, kurse u mposhtën dy herë nga Greqia./ KultPlus.com
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme ku po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Metsola tha se sot është dita kur duhet të nisin negociata për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve./Insajderi.org / KultPlus.com
39 sportistë nga 13 sporte të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, nga data 25 qershor deri më 6 korrik 2022, ndërsa pjesë e ekipit të Kosovës do të jenë edhe 16 trajnerë dhe 3 gjyqtarë, përcjell KultPlus.
Në një ceremoni të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, mbrëmë u bë prezantimi i sportistëve, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.
Kryeministri Kurti deklaroi se krahas xhudos, pret që sportistët tanë t’i sjellin medalje vendit edhe nga sportet tjera.
Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, u shpreh optimiste se kësaj radhe do të fitohen edhe më shumë medalje. Ajo kishte fituar të artën katër vite më parë në LM Tarragona 2018. Ndërsa trajneri Driton Kuka, theksoi se krahasuar me katër vite më parë, kësaj radhe ka më shumë sportistë pretendentë për të fituar medalje.
Në ceremoni, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ndau pinat për kryeministri Kurti dhe ministrin Çeku, të cilët bashkërisht ndanë fanellën e Kosovës për xhudisten Krasniqi dhe mundësin Shala.
Kosova do të përfaqësohet për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare pas debutimit katër vite më parë në Spanjë. / KultPlus.com
Luan Dalipi, Shef i Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar të gjitha marrëveshjet që u arritën sot në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë.
Dalipi thotë se janë zbatuar shumë prej marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e mëparshme të dy qeverive dhe, sipas tij, kjo dëshmon nivelin më të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit.
Më poshtë gjeni të gjitha marrëveshjet e renditura nga Shefi i Stafit të Kryeministrit:
TË PËRBASHKUAR!
Mbledhja e 8-të e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, 6 muaj pas mbledhjes së kaluar në të cilën u nënshkruan 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje ndërmjet institucioneve. Nga gjithsej 127 marrëveshje sa janë nënshkruar deri sot, 75 ose rreth 60% janë zbatuar pa probleme, ndërsa kemi realizim mbi 90% të marrëveshjeve nga mbledhja e nëntorit të kaluar. Kjo dëshmon nivelin më të lartë të përgatitjes dhe përkushtimit në implementim të marrëveshjeve.
Suksese në implementim të marrëveshjeve që u arritën sot (rradhitja sipas paraqitjes):
1. ARSIM: Mundësi konkurrimi dhe vijimi të studimeve në 19 universitete të të dy shteteve, në kushte të barabarta.
2-3. LËVIZJA E LIRË: Drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve.
4. GJENDJA CIVILE: Lajmërimi në kohë reale midis dy shteteve për ndryshimeve të gjendjeve civile.
5. DOGANAT: Studim drejt realizimit të sistemit të përbashkët doganor mes dy shteteve.
6. SIGURIMET SHOQËRORE: Drejt përbashkimit të tregjeve të sigurimeve shoqërore të të dy shteteve.
7-8. ENERGJI: Drejt rritjes së sigurisë dhe diversifikimit të furnizimit (zhvillimi i terminalit për LNG/gaz të lëngshëm në Vlorë).
9-10. BUJQËSI: Drejt rritjes së shkëmbimit, sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore, qasjes në financa të BE-se, si dhe ndërtimit të sistemit të përbashkët të informacioneve/statistikave të të dy shteteve.
11. INFRASTRUKTURË RRUGORE: Studim për përmirësimin e rrugëve ndërkufitare.
12. TRANSPORT: Studim fizibiliteti për >> NDËRTIMIN E LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – PRISHTINË <<, projekt që do të vendosë Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e korridoreve të rëndësishme ndërkombëtare për transport të njerëzve dhe mallrave (video i prezantuar i bashkëngjitur).
13-14. SHËNDETËSI: Shkëmbimi i ekspertizës dhe shërbimeve në mjeksi, si dhe unifikim i protokolleve për barna dhe pajisje mjeksore midis dy shteteve (shkëmbim i barnave të rralla).
15. TURIZËM: Platformë e përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dy shteteve.
16. RINIA: Shkëmbim i përvojave rreth zhvillimit të politikave dhe aktiviteteve për të rinjët.
17. MBROJTA: Intensifikim I bashkëpunimit dhe konsolidimit të përpjekjeve në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujërave territoriale.
18. DREJTËSI: Drejt njohjes së barabartë të provimiit të jurispodencës dhe lejimit të ushtrimit të profesionit të avokaturës në të dy shtetet.
19. ENCIKLOPEDI E PËRBASHKËT: Drejt paraqitjes së fakteve të kombit tonë në një publikim të vetëm dinjitoz./ KultPlus.com