Klubi ‘Butrinti’ shpallet kampion kombëtar në shah

 Klubi i shahut “Butrinti” është shpallur sërish kampion kombëtar, në Kampionatin e 49-të Ekipor të Shahut. Pas 7 ndeshjeve të zhvilluara, me 6 fitore dhe vetëm 1 barazim, ekipi i Butrintit ka treguar se është i pandalshëm.

Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi ka falenderuar ekipin e shahut dhe trajnerin, për përkushtimin dhe pasionin e tyre të paepur. “Jemi shumë krenarë për ju”, shkroi Çaçi në rrjetet sociale, duke bërë edhe premtimin se Bashkia Sarandë do të vazhdojë të jape mbështetjen e saj për këtë sport.

“Bashkia Sarandë do të vazhdojë të mbështesë talentet tona dhe sportin që përfaqëson Sarandën me dinjitet në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Çaçi.

Ky është i dyti vit radhazi që “Butrinti” i Sarandës fiton titullin kampion. Në vend të dytë u rendit “Teuta” e Durrësit dhe në vend të tretë “Partizani”./atsh/KultPlus.com

Prishtina pritet të bëhet me stadium të ri

Klubi i futbollit Prishtina, pritet të bëhet me stadium të ri.

Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, dhe kryetari i Federatës së Futbollit Agim Ademi, diskutuan rreth projektit të ndërtimit.

Ky impiant sportiv do të ndërtohet në Bërnicë dhe do të jetë i kategorisë së katërt.

Stadiumi do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane.

“Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë. Kryetari Rama ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë. Të dy krerët e institucioneve janë zotuar që të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht në organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e FFK-së përcjell Klankosova.tv/KultPlus.com