Poezi e kangë të zemrës për regjisorin Bekim Lumi

Për regjisorin Bekim Lumi po vazhdon solidarizimi i artistëve dhe qytetarëve, në mënyrë që ai të gjejë shërimin e tij nga kanceri.

Në vazhdën e plot ngjarjeve që po mbahen për të ngritur fonde për regjisorin e njohur, me datë 13 mars do të organizohet një mbrëmje kulturore me artistë të ndryshëm.

Me fillim prej orës 20:00, me datë 13 mars, në Qendrën Multimedia vjen një organizim me muzikë e poezi. Shpëtim Selmani do ta promovojë librin e tij më të ri, dhe do të lexojë poezitë e tij, ndërsa Rona Nishliu e Ilir Bajri do të vazhdojnë me këngët e zemrës për Bekën.

Hyrja në organizimin kulturor është 3 euro, ndërsa gjithçka po organizohet në kuadër të fushatës humanitare për të ndihmuar Bekim Lumin. / KultPlus.com

Tri këngë shqiptare në listën e 250 këngëve më të pëlqyera të Eurovizion-it (VIDEO)

Eurovizion për 10 vite rresht nxjerrë sondazhin për 250 këngët më të pëlqyera të këtij festivali, shkruan KultPlus.

Kësisoj, në këtë sondazh që janë të radhitura këngët më të pëlqyera të të gjitha edicioneve, janë edhe tri këngë shqiptare, të kënduara nga vajzat të cilat përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në këtë garë.

E para është Elhaida Dani e cila ka zënë vendin e 44 me këngën “I’m Alive” dhe e cila mori pjesë në Eurovizion në vitin 2015-të.

Pas saj në vendin e 46 vjen Rona Nishliu me “Suus” e cila në Eurovizion mori pjesë në vitin 2012-të ku asokohe edhe zuri vendin e pestë në këtë garë të madhe, vend këtë që ende asnjë shqiptar nuk ka mundur ta thyej. Rona deri më tani ka korrur suksesin më të madh nga shqiptarët që morën pjesë në Eurovizin.

Krejt në fund është edhe Lindita Halimi me këngën “World” e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2017-të.

Kësaj liste, i prinë për pesë vite radhazi kënga “Euphoria” e Loreen. Sondazhi organizohet nga ESC Radio dhe Songfestival.be.

Ndërkohë, sivjet në vitin 2018-të Shqipërinë në Eurovizion, do ta përfaqësojë Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, i cili mori vendin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, festival ky që fituesi fiton menjëherë biletën për Eurovizion./ KultPlus.com

Jeasmine, vajza nga Rumania e cila këndon fuqishëm ‘Suus’ të Rona Nishliut (VIDEO)

Jeasmine, një vajzë e re nga Rumania, ka zgjedhur një këngë shqipe për ta performuar para publikut në qytetin Navodari.

Kënga “Suus” nga Rona Nishliu, një këngë e njohur në mbarë Evropën falë pjesëmarrjes në Eurovizionin e vitit 2012-të ku edhe u pozicionua në vendin e pestë në finale, ka ardhur kësisoj nga vajza rumune, shkruan KultPlus.

Jeasmine Socaci, pos këngës së Ronës, në kanalin e saj në Youtube ka incizuar versionet e saj të këngëve të ndryshme rumune por edhe këngëve të njohura ndërkombëtarisht.

Kjo nuk është hera e parë që dikush performon këngën e Rona Nishliut në Rumani, pasi kjo këngë dukshëm është e pëlqyer në këtë shtet.

Navodari është qytet në Rumani, me rreth 32 mijë banorë. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

Nuk ka shpresë që Kosova të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit tjetër

Kosova nuk ka shanse të marrë pjesë në garën e madhe muzikore të Evropës.

Meqë Kosova nuk është pjesë e EBU- Unionit të Transmetuesve Evropianë, do të jetë e pamundur që të jetë shtet pjesëmarrës në Lisbonë, vitin tjetër.

ESCtoday ka kontaktuar me EBU të cilët kanë treguar se Kosova nuk do të jetë shtet pjesëmarrës në Eurovizion vitin tjetër, vitin 2018-të, kjo edhe për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, shkruan KultPlus.

Kosova ka provuar të jetë pjesë e Eurovizionit disa herë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se RTK-ja, transmetuesi publik, ende nuk është anëtar i rregullt i EBU, pos bashkëpunimeve të ndryshme me të që nuk garantojnë pjesëmarrjen në Eurovizion.

“EBU bashkëpunon me RTK-në dhe ka ndihmuar në formimin e televizionit, në vitin 1999. Bashkëpunimi gjithashtu do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme” tregojnë nga EBU për ESCtoday.

Vitin tjetër në Eurovizion do të rikthehet Rusia, pasi këtë vit nuk morri pjesë, ndërsa ende pritet të shihet nëse Sllovakia e Bosnja poashtu do të bëjnë rikthimin e tyre në garë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë garë. Këtë vit Eurovizionin e fitoi për herë të parë një këngëtar nga Portugalia.

Ironike të përmendet se rezultati më i mirë shqiptar në Eurovizion është arritur në fakt nga një shqiptare e Kosovës, këngëtarja Rona Nishliu, në vitin 2012-të / KultPlus.com