Kush do ta fitojë festivalin ‘Kënga Magjike 2017’ (VIDEO)

Kanë përfunduar kësisoj dy netët gjysmëfinale të edicionit të këtij viti të Festivalit “Kënga Magjike”.

Pallati i Kongreseve në Tiranë për dy net me radhë ishte nikoqir i këngëtarëve që këtë vit sjellin krijimet e tyre muzikore në një edicion të mbushur me muzikë.

Në të dy netët, emrat e mëdhenj të muzikës por edhe emrat e rinj janë bashkuar drejt një gare të fuqishme. Para se të shohim finalen e festivalit, nesër mbrëma, po sjellim këtu disa prej atyre që mund të fitojnë festivalin, shkruan KultPlus.

Këtë edicion, dukshëm nuk ka një favorit absolut që do të fitonte festivalin, por këngëtarët kanë ardhur me projekte aq të fuqishme, sa dikush veçohet ndër të tjerët.

Elhaida Dani me këngën “E ngrirë” ka ardhur e fuqishme dhe me emocion në këtë festival. Fituese e shumëfishtë e disa garave muzikore, për Elhaidën një fitore në “Këngën Magjike” do të ishte një tjetër trofe.

Rovena Stefa ka një këngë të veçantë. Vokali i saj në natën kur performoi lë shumë për të dëshiruar, por ajo është Rovena dhe ka tanimë një bagazh muzikor prapa saj. Kënga “Veç një jetë” po pëlqehet në rrjetet sociale ndërsa edhe mund të na befasojë me fitore.

Anxhela Peristeri ka ardhur në natën e parë të Festivalit “Kënga Magjike”. Anxhela gjithmonë vjen e veçantë, ndërsa ka sjellë një këngë që është konkurrencë e fortë në edicionin e 19-të të Këngës Magjike.

Valon Shehu, djali nga Kosova i cili po bën karrierë më të bujshme në Shqipëri, në festival këtë vit vjen me “Ti mos më shaj”. Ai ka bashkëpunuar me Filloreta Raçin dhe Kledi Bahitin për të sjellë një këngë që ka rreth 300 mijë klikime në Youtube dhe u performua në një nga netët e prezantimit në Sallën prestigjioze para publikut besnik. / KultPlus.com

Forbes, 10 artistët më të paguar të këtij viti

Revista Forbes ditën e sotme ka publikuar listën e muzikantëve më të paguar të vitit, në të cilën renditen artist të tillë si Coldplay, Beyonce, Diddy dhe Justin Bieber, mes shumë emrave të tjerë të famshëm.

Diddy (Sean Combs) qëndron në krye të listës, duke arritur shifrën më të lartë me 130 milionë dollarë, falë marrëveshjes që ka arritur me Ciroc vodka, shitjes së një të tretës së Sean John për 70 milionë dollarë dhe një turneu muzikor ‘Bad Boy Family Reunion.’

Më pas në listë vjen Beyonce, e cila regjistron një shifër prej 105 milionë dollarësh fitim, falë ‘World Tour’, që u mbyll në fund të 2016-ës. I gjithë turneu i artistes grumbulloi më shumë se 250 milionë dollarë, shkruan bota.al

Drake, The Weeknd dhe grupi britanik Coldplay renditen në 5 top five, me fitime 94 milionë dollarë dhe 84 milionë dollarë secili.

Më i riu në listë është Justin Bieber, i cili pati arritjen më të madhe të karriesës së tij në sajë të 105 shfaqjeve të drejtpërdrejta që u shënuam gjatë periudhës së përgatitjes së listës së Forbes.

Top 10:

1) Diddy (130 milionë $)

2) Beyonce (105 milionë $)

3) Drake (94 milionë $)

4) Weeknd (92 milionë $)

5) Coldplay (88 milionë $)

6) Guns N ‘Roses (84 milionë $)

7) Justin Bieber (83.5 milionë $)

8) Bruce Springsteen (75 milionë $)

9) Adele (69 milionë $)

10) Metallica (66.5 milion)

John Lennon la mesazhin më të fuqishëm për paqe dhe dashuri (VIDEO)

Sot janë bërë plot 37 vite që nga vrasja e këngëtarit të madh John Lennon. Por John Lennon la prapa një ndër këngët më të fuqishme që idealizonte një botë në paqe dhe dashuri, shkruan KultPlus.

“Imagine” është një këngë e shkruar dhe interpretuar nga muzikanti anglez John Lennon. Kjo këngë e cila doli në vitin 1971 shënon edhe këngën më të suksesshme të karrierës së tij solo. Ky tekst inkurajon dëgjuesin që të imagjinojë një botë në paqe, pa barrierat e kufijve ose ndarje të religjionit ndërsa kërkon mundësinë që njerëzimi të jetojë i lirë nga pasuria.

Kënga është një nga formulimet më të bukura dhe një zhytje në mendimet e këngëtarit. Kjo këngë fillon fuqishëm qysh me vargun e parë.

Paramendoni se nuk ka qiell
Është e lehtë nëse e provon
Nuk ka ferr poshtë nesh
Mbi ne vetëm qielli
Imagjinoni të gjithë njerëzit
Duke jetuar për sot …

Ai përmes këngës së tij e parashikonte botën si një vend më të mirë. Kjo këngë është një mesazh i fuqishëm politik që mbështetet në melodinë e bukur.

Ju, mund të thoni
Unë jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi
Shpresoj se një ditë ju do të bashkoheni me ne
Dhe bota do të jetë si një

Është vargu që përmbyll këtë këngë. Rolling Stone e ka renditur këtë këngë në vendin e tretë në listën e “500 këngëve më të mira te të gjitha kohërave”, duke e përshkruar atë si “një himn i përhershëm i ngushëllimit dhe premtimit që na ka shoqëruar hidhërimet më ekstreme, që nga goditja e vdekjes së Lennonit në 1980 deri tek tmerri i papërshkrueshëm i 11 shtatorit./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=3wsYM1GgQLU

Shfaqja “Mullinjtë me erë” e Jeton Nezirajt, të shtunën në Heilbronn

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Këto ditë në Teatrin e qytetit në Heilbronn është duke u shfaqur drama për fëmijë “Windmühlen” (Mullinjtë me erë), e autorit tashmë të njohur shqiptar nga Kosova, Jeton Neziraj. Teksti të cilin Neziraj e ka shkruar enkas për këtë teatër bën fjalë për një inxhinier gjerman (Müller), i cili ka marrë për detyrë ngritjen e turbinave të fuqishme për prodhim të energjisë elektrike me fuqinë e erës në Kosovë. Pasi që ky projekt duhet të zgjasë disa vite, inxhinierin duhet ta shoqërojnë në Kosovë edhe bashkëshortja dhe vajza, Gisela, shkruan stimme.de. Atyre nuk u pëlqen aspak vendi i ri. Njohuritë e tyre për Kosovën janë të ndikuara nga mediet, të cilat shpesh fokusohen vetëm në katastrofa dhe probleme.

Familja gjermane fillmisht jeton në një ambient të izoluar, në një kuart diplomatësh të huaj, transmeton albinfo.ch. Por një ditë, në lojë e sipër, vajza, (Gisela) hyn në kontakt me fëmijët kosovarë dhe e njeh Kosovën nga një anë krejtësisht tjetër. Ajo shoqërohet me “Danin me sy të larëm”, moshatar i saj.

Gisela, duke sfiduar ndalesën nga babai, përmes mikut të saj të ri, Danit, njihet edhe me fëmijët tjerë duke shëtitur nëpër Prishtinë. Ata kanë kënaqësi nga ky shoqërom ndërsa gjëja që Gisela dhe Dani duan më së shumti është tregimi i rrëfimeve njëri tjetrit. Kështu, ndërkohë që Gisela atij i tregon përralla si “Bukuroshja e fjetur” dhe të ngjashme, Dani i flet asaj për aventurat interesante të Mujës, një heroi të njohur të Ballkanit, përcjell albinfo.ch. Ai është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe mund të fryjë aq shumë me gojë sa t`i nxjerrë shtëpitë “me rrënjë”. Një hero i tillë mund t`i hynte fare mirë në punë babait të Giselës, të cilit duket se nuk i shkon aq mirë puna me projektin e tij të turbinave me erë.

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Shfaqja për fëmijë jepet këtë të shtunë, më 9 dhjetor, eme fillim në orën 15:00 në Teatrin e qytetit të Heilbronn-it./KultPlus.com

Filmi i parë horror shqiptar “Bloodlands”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

Gili Hoxhaj

Filmi i parë shqiptar i zhanrit horror erdhi mbrëmë premierë në Kinemanë “ABC” në Prishtinë. “Bloodlands”, është projekt filmik i realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, shkruan KultPlus.

Ky projekt filmik ka udhëtuar në ekranet e Anglisë dhe në festivalin portugez “Fantasporto”, në Skoci, ndërsa ka arritur të rrëmbej tri çmime në Festivalin e Filmit Horror në Sidnej të Australisë. Po ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.

Ky film edhe pse me produksion australian, është i realizuar në gjuhën shqipe nga aktorë shqiptarë. Ngjarja e këtij filmi jetësohet nga loja e aktorëve: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj.

Regjisori australian Steven Kastrissios, me filmin e tij prekë në traditën e një familje shqiptare, ndërsa në vetvete ngërthen edhe elemente të Kanunit të Lekë Dukagjinit. “Bloodlands”, apo “Tokë e gjakut”, solli mbrëmë në ekranin e kinemasë në Prishtinë, historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Roli i shtrigës, vije përmes aktrimit të përkryer të aktores kosovare, Ilire Vinca e cila herë shfaqet gjysmë, e herë e plotë duke bredhur brenda errësirës në mal.

Në sulmet e urrejtjes, ajo ka një mision që të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar. Prapa saj vihen gjithnjë një grup njerëzish të cilëve shoqëria ua ka kthyer shpinën. Hakmarrja e saj, prek në jetën e njerëzve të qytetit të saj. Ndërsa e gjithë ngjarja zhvillohet në periferi brenda një familje moderne tipike shqiptare, e cila përballët me sulme të shpeshta nga grupi misterioz i udhëhequr nga shtriga. Para se ky grup të sulmoj jetën e kësaj familje, ajo ecën në probleme të përditshme, të cilat lidhen me varfërinë, e mes mospërputhjeve të planeve brenda bisedave familjare.
Në sulmet dhe shenjat e vazhdueshme që shfaqen në shtëpinë e tyre, i zoti i kësaj familje që është me profesion kasap, kap pushkën të ballafaqohet me zërat e figurat misterioze të këtij ekipi. Gjithçka përfundon në një vrasje, e cila hap një varg të ri të ballafaqimit të familjes me ekipin e shtrigës. Përmes dritares se familjes pason një shenjë me mbishkrimin “Gjaku lahet me gjak”, e përkundër të gjitha mospërputhjeve familjare, ky është momenti ku familja mblidhet në një kapitull të ri në përballje me banorët e pyllit.

Ky film do të qëndrojë për një javë në raportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com

Albumi i Dua Lipës shpërblehet me pllakatin e artë (FOTO)

Dua Lipa po shndërrohet në një nga këngëtaret më të suksesshme të skenës ndërkombëtare , shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka njoftuar se albumi i saj debutues tashmë është shpërblyer me pllakatin e artë, shkruan KultPlus.

“Albumi i debutues tani i artë, dhe kam shitur 4 milionë kopje në Britani të Madhe. Nuk po ‘çmendem’, ju po!!! Faleminderit, ju dua”, ka shkruar Dua Lipa në rrjete sociale. Dua Lipa deri më tash ka shitur 4 milionë kopje të albumit në Britani të Madhe./KultPlus.com

Ministria e Kulturës vë në mbrojtje shtëpinë e Abat Doçit (FOTO)

“Në Shkodër i thonë ‘Shtëpia e Abatit’ ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes. Fjalori i ‘Bashkimit’, sikundër u quajt në motet më pas, sipas alfabetit latin, u miratua në Kongresin e Manastirit (1908)”, ka shkruar ministrja e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro.

Ajo ka shtuar se institucioni të cilin e drejton, vë në mbrojtje shtëpinë e Abat Doçit, jo vetëm si një vend i rëndësishëm historik por edhe si një objekt arktiektonik interesant. /KultPlus.com

Kosova po merr pjesë në samitin Pan-Evropian të Pronësisë Intelektuale

Në samitin dy ditor që po mbahet në Bruksel për pronësinë intelektuale në kuadër të IP Summit të Pronësisë Intelektuale Pan-Evropiane, Kosova po përfaqësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht nga drejtori i Zyrës së Drejtës së Autorit, Valon Kashtanjeva.

Në cilësinë e folësit nga Kosova, Kashtanjeva foli për “Zbatimi i të Drejtës së Autorit dhe çështjet e përgjegjësisë” në Epokën Digjitale – (për rregullat e BE-së dhe nevojën për ndryshime), ku ndër të tjera përmendi edhe përvojën e Kosovës në mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe luftimin e piraterisë dhe falsifikimit.

Kosova për herë të parë, në mesin e shumë shteteve tjera në kuadër të Samitit Evropian të Pronësisë Intelektuale, ka pasur rastin të tregojë përvojën e saj në avancimet që ka arritur në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. /KultPlus.com

Drama sociale “Dita zë fill”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Gili Hoxhaj

Filmi shqiptar i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, erdhi mbrëmë premierë në ekranin e Kinemasë ABC, në Prishtinë, shkruan KultPlus. Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

E gjitha ngjarja e këtij filmi zhvillohet nga loja e aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati, e Adela Gjoka. Violeta Kurti, është subjekti kryesor rreth së cilës përqendrohet gjithë historia e filmit. Një grua, e ndodhur në një situatë të vështirë financiare, nxirret jashtë apartamentit të saj pasi që qiraja e saj nuk është paguar për muaj.

Ajo nuk ngec në përpjekjet e saj për t’iu kundërvënë situatës në të cilën ndodhet, derisa me foshnjën e saj një vjeçare braktis apartamentin dhe zhvendoset në një strehë të re, ku kujdeset për gruan e moshuar, Sofian. Jeta e saj sillet në kujdesin e dy gjeneratave, e një fëmije i cili ka jo shumë kohë që ka ardhur në jetë dhe një gruaje të moshuar e cila çdo ditë e më shumë prek fundin e jetës së saj.
Leta, e ndodhur në një apartament në Tiranë, ajo paguhet nga e bija e gruas së moshuar për kujdesin ndaj gruas e cila qëndron e shtrirë pas shtratit. Ajo për të siguruar mbijetesën e saj, duhet ta mbaj Sofien në jetë me çdo kusht. Regjisori Koci, e ka vendosur personazhin e gruas së re brenda zgjidhjeve ekstreme. Ajo me shikimin e saj të ftohtë, ecën mes rrugëve të Tiranës , e kthehet tek apartamenti i saj ku mes lodhjeve dhe përpjekjeve të pareshtura mban Sofien në jetë. Jeta e saj bredh nga një ditë në tjetrën, shpesh me vështrimin e saj drejt qiellit bluan mendimet për ditët e saj. Është i vetmi personazhi i postierit, ai i cili sjellë pak gjallëri në fytyrën e ngrysur të Letës.

Ajo derisa luftën kryesore e ka për mbijetesë, lufton edhe për të mbajtur frymën e të tjerëve në jetë, e ndodhur në dhimbjet e rënkimet e tyre, ajo ndodhet në një situatë ku mban në duar timonin e jetës së tyre. Pikërisht para këtij vendimi, kjo dramë ndërlidh edhe një element, jo shumë të prekur në kontekstin social të shqiptarëve, që është eutanazia.

Ky film do të qëndrojë për një javë në reportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com

Alban Muja, laureat i vitit 2018 në Qytetin Ndërkombëtar të Arteve në Paris

Në mesin e 60 artistëve nga e mbarë bota, Alban Muja nga Kosova është laureat i vitit 2018 në programin e qëndrimit në Qytetin Ndërkombëtar të Arteve në Paris, shkruan KultPlus.

Për këtë përzgjedhje ka njoftuar Ambasada e Francës në Kosovë dhe në këtë program, Alban Muja do të qëndrojë prej 9 tetorit të vitit 2018 deri më 4 janar të vitit 2019. Gjatë kësaj kohe ai do të mund të zhvillojë një projekt artistik dhe të takohet me shumë bashkëbisedues dhe artistë./KultPlus.com

Himid, gruaja e parë me ngjyrë që fiton çmimin “Turner”

Himid, e lindur në Tanzani, mposhti në këtë garë piktorin Hurvin Anderson, piktorin gjerman Andrea Bytner dhe regjisoren britanike, Rosalind Nashashibi.

Lubaina Himid, artiste 63-vjeçare, mes krijimeve të të cilës janë edhe pjatat për darkë me aristokratë duke vjellë, është bërë personi më i moshuar dhe gruaja e parë ndonjëherë me ngjyrë, e cila fitoi çmimin “Turner”, ndryshe nderimin më prestigjioz britanik për art, shkruan albinfo.ch.

Himid, e lindur në Tanzani, mposhti në këtë garë piktorin Hurvin Anderson, piktorin gjerman Andrea Bytner dhe regjisoren britanike, Rosalind Nashashibi.

Juria e këtij çmimi lavdëroi Himidin për ballafaqimin e saj unik me tema të ndryshme, si historia e kolonializmit dhe si racizmi ende është i gjallë sot”, tha në një njoftim për media Alex Farkuharson, drejtori i Tate Britanin.

Në fjalimin e saj, pasi mori çmimin, Himid falënderoi kritikët dhe kuratorët që e kanë përkrahur atë përgjatë periudhës që i përshkroi si vitet e egërsisë./KultPlus.com

Himid, Lubaina; Five; Leeds Museums and Galleries; http://www.artuk.org/artworks/five-38029

Rita Ora në New York: Është vështirë të jesh këngëtare femër në një botë të ndjeshme (FOTO)

Rita Ora së fundmi ka kapur vëmendjen e të gjitha mediave me dukjen e saj mahnitëse, ndërsa edhe mbrëmë ka mahnitur publikun me një fustan shumëngjyrësh në studion e “AOL Build”, në New York, shkruan KultPlus.

Ajo mbrëmë ka kapur vëmendjen e fotografëve dhe një numri të madh fansash që kishin ardhur për ta takuar. Ajo në këtë ngjarje paraqitet më një fustan të gjatë të mbuluar me ngjyra të ndryshme, mes të verdhës, blusë, të kuqes dhe ngjyrës rozë.

Pas hitit të suksesshëm “Anywhere”, Rita është komentuar mjaft shumë edhe për dukjen e saj të veçantë në 13 veshje në EMA Awards 2017. Duke folur në këtë ngjarje, Rita gjatë intervistës në AOL Build theksoi se ishte ndjerë e habitur nga vëmendja që ajo mori me paraqitjen e saj në qilimin e kuq në MTV EMAs këtë nëntor.

“Unë isha si … do ta moderoj tërë shfaqjen. Ishte një shfaqje 2 orëshe, dhe unë ndihesha shumë nervoz”, ka thënë Rita gjatë intervistës. “Gjëja e fundit që doja të bëja ishte, të shtrëngohem në një fustan në qilimin e kuq. Unë isha duke ndryshuar dukjen time gati 150 herë gjatë shfaqjes. Çdo kush më thoshte si “je çmendur” – dhe pastaj shiko çfarë ndodhi!”, ka thënë Rita gjatë kësaj interviste.
Po ashtu, Rita zbuloi detaje me bashkëpunimin e saj me The Open Mic Project për të inkorporuar tregimet e fansave në një këngë të re.

“Është shumë e vështirë të jesh një këngëtare, posaçërisht një këngëtare femër, sidomos tani që gjithçka është më e ndjeshme dhe bota po kalon në një kohë shumë të vështirë që kur thua diçka duhet të sigurohesh nëse e kë thënë atë në mënyrën e duhur”, tha Rita gjatë intervistës. “Sot gjithçka keqinterpretohet shumë lehtë, dhe unë me të vërtetë dëshiroj që t’ju tregoj njerëzve që është mirë të jesh i hapur dhe të shprehesh”.

Më pas Rita është paraqitur me një kostum të zi, derisa është mirëpritur nga një numër i madh fansash, me të cilët ka ndarë edhe fotografi./ KultPlus.com

Ehat Musa, kitaristi i madh shqiptar me koncert recital në Prishtinë (VIDEO)

Ehat Musa ka dhënë koncerte në te gjithë botën, nga Nju Jorku në Moskë, duke u paraqitur si solist me orkestra të mëdha simfonike, shkruan KultPlus . Repertori i tij përfshinë veprat e J.S. Bach, Heitor Villa-Lobos, Poëell, Reis, Broëer dhe Tamez, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht kitaristi Ehat Musa do të vjen në Kosovë me një koncert recital, dhe ky koncert do të mbahet në shenjë të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ky koncert është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Francë dhe ajo e Francës në Kosovë. Kitaristi francez, Ehat Musa, fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të solistëve të rinjë në vitin 1969. Në vitin 1970 ai mori pjesë në master-klasin e Alirio Díaz-it në Itali. Më vonë ai shkoi në Paris për të studiuar kitarën me Alberto Ponce-n në “Ecole Normale de Musique de Paris”, duke eksploruar në fushën e akustikës dhe duke ndjekur traditën e Tarregas dhe Pujolit. Ky ishte fillimi i karrierës së tij artistike./KultPlus.com

Gjon Gazulli, shqiptar i madh i Rilindjes Evropiane

Gjon Gazulli ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit. Në dokumentet e kohës : “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus” (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) që është edhe profesor i Universitetit Al’Bo’ të Padovës, ku sot ndodhet fakulteti i juridikut.

Gjon Gazulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më të mëdha të kohës: humanizmin dhe Rilindjen Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Pa dyshim, dy fushat ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecies e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore: Diversa Notarie; Acta Concili Rogatorum; Acta Concili Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj.

Por edhe arkivat private kanë vlerë të madhe. Ndër to mund të përmendim: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze. Duke qenë se Gazulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës mbi këtë enciklopedi shqiptare. Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tani për tani të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi sa na japin autorë të tjerë për të, veçanërisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj; pse libri i tij për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë Matia Korvini i shkruan: “……ai libri i Juej ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër… i gjetëm të shtjellueme në dritë të diellit, fatkeqësisht nuk më ka ra në dorë e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest”.

Gjon Gazulli si diplomat:

Aftësitë e rralla të Gjon Gazullit janë shpalosur jo vetëm në lëmë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës. Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin t’i bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se për të mbështetur luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Misioni i parë diplomatik i dokumentuar i Gazullit është udhëtimi i tij për në Romë që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, sipas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e menjëherë më pas në Slloveni.

Në ato vite, bashkëpunimi mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gazulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Ljubjanë etj.

Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liroi atë nga detyra e Rektorit dhe emëroi në vend të tij Pal Gazullin, vëllain e tij, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, që do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëllai i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit). Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gazulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Evropën e krishterë mbi sa po ndodhte në Shqipëri ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane me në krye Gjergj Kastriotin. Gazulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çfarë po ndodhte në Shqipëri duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës. I gjendur nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuan me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkëpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë. Në gjithë këtë veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gazulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qe quajtur “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, siç do ta tregonte fundi jo i largët i jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.

Ishte pikërisht kjo periudhë kur doli më në dukje roli i Pal Gazullit si diplomat. Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve ’50 e deri sa vdiq, Pal Gazulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën e me mbarë Gadishullin Apenin.

Artikulli është ndërtuar nga libri “Letërsia e Hershme Shqipe” e Fatbardha Hoxhës dhe artikuj të tjerë historik!/KultPlus.com

20 top vendet për festën e Kërshëndellave (FOTO)

Jemi në prag të Kërshëndellave dhe mediet e huaja kanë bërë listën e 20 top vendeve që janë shumë specifike për të kaluar festën, shkruan KultPlus.

Cape Town- Afrikë e Jugut
Vende të ndryshme nga e gjithë bota janë përfshirë në këtë listë, të cilat mund ti shihni edhe nëprmjet fotografive./KultPlus.com

Malaga-Spanjë

Sidnej-Australi

Kennebunkport, Maine

Dubai

Rovaniemi, Finland

Pragë

Bruges, Belgjikë

Cologne, Gjermani

Rio de Janeiro, Brazil

New York

Quebec City, Canada

Hong Kong

Strasburg, Francë

Roma, Itali

Vjenë

Reykjavík, Islandë

Kopenhagë

New Orleans./KultPlus.com

Artistët shqiptarë shesin piktura me çmime të lira në ekspozitën shitëse në MONET

Arbër Selmani

E tërë hapësira ekspozuese e galerisë është e mbushur me piktura të ndryshme. Formatet janë të ndryshme, ngjyrat janë trullosur prej tërmetit që ka shkaktuar lëvizjen e vijave brenda cdo pikture. Disa janë më abstrakte, disa më të errëta e herë më të dritësuara. Ka edhe vajza me kokën e ngjyrosur në ngjyrë rozë.

Genta Gola shëtitet nëpër Monet – Art & Books, ndërsa është në emocione sepse ka vendosur ta blejë njërën prej pikturave. Sonte në këtë galeri në Prishtinë po mbahet një ekspozitë shitëse. Emra artistësh si Rron Qena, Eshref Qahili, Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Adriana Puleshi, Arlinda Hajrullahu e artistë tjerë kanë sjellë pikturat që ato të shiten. Asnjëra nuk kushton 100 euro, disa prej tyre janë 99 euro dhe çmimet tjera veç sa shkojnë drejt numrave më të vegjël.

Genta e zgjodhi pikturën e saj, ndërsa aty për aty bëri edhe pagesën.

“Pikturat që mua më pëlqejnë janë zakonisht të shtrenjta, prandaj sonte ishte mundësia me ardhë dhe me marrë pikturë me çmim të volitshëm. Aktivitete si kjo i duhen kryeqytetit dhe publikut, me e pasuru shtëpinë me art cilësor të këtyre artistëve” tregon Genta.

“Pata problem për pikturën, sepse u konsultova edhe me një shoqe me të cilën e kemi shijen e njëjtë, ajo është vetë piktore, prandaj u nguta dhe e bleva pikturën. Por jam e lumtur që e bleva” tregon Genta.
Pikturat gjithandej dukej sikur rrinin të gatshme ti dorëzoheshin secilit që do të paguante për to. Shijet e ndryshme puthen me stilin e ndryshëm të artistëve.

Rron Qena, punët e tij i pati te ekspozuara në hyrje të MONET, derisa pak më larg vetë Blerta Surroi pati punimet e saj. Nën tingujt e muzikës, ngjyrat e Afrora Ukës dhe fotografia e Burim Myftiut poashtu patën çmimin e lirë për tu shitur. Mjellma Goranci solli vajzat e bukura të pikturuara tanimë në një stil që e veçon atë. Dikush edhe e bëri për vete njërën nga pikturat e saj, të vogla por simpatike.

Mjellma tregon se me dëshirën më të madhe bëhet pjesë e nismave të tilla ku pikturat vijnë me çmime më ultë se zakonisht.

“Unë për vete jam mirë me shitjet e veprave të mia artistike, por iniciativat e tilla janë tepër të nevojshme për artistin dhe për publikun në Kosovë. Në këtë mënyrë njerëzit kanë qasje tek veprat e artistëve dhe janë më afër tyre. Një artist e përcakton vlerën e artit të vet, dhe ky aktivitet i sotëm më pëlqeu shumë” tregon piktorja Mjellma Goranci.

Blerta Surroi, vetë artiste dhe pjesë e Monet – Art & Books, tregon se një ide e tillë dëshiron ta thyejë distancën e krijuar në mes të artistit dhe blerësit.

“Kjo është e para ekspozitë e këtij lloji në Monet, ndërsa është menduar ta afrojë këtë distancën e krijuar në mes të veprave artistike dhe qytetarëve. Neve na gëzon fakti që ende pa u hapë ekspozita ka filluar shitja e punimeve” tregon Blerta Surroi për KultPlus.

20 për qind e shitjes shkon për vetë Galerinë ndërsa pjesa tjetër shkon për artistin, si formë stimulimi për vazhdimin e krijimit të punëve artistike.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mesin e janarit, prandaj njerëzit kanë mundësi të vijnë dhe të blejnë veprat që ata duan. Ideja është që diçka e tillë të organizohet më së paku tre herë gjatë vitit, herën tjetër besoj me karakter bamirës, gjithmonë me synimin kryesor që blerësin dhe veprën e artit ta sjellim më afër njëri tjetrit. Ka humbur tradita e blerjes së punëve artistike, askënd nuk e sheh duke e blerë një vepër arti” tregon Blerta Surroi. / KultPlus.com

Abetarja dhe bankat e shkollës së Petritit vizitojnë Parisin (FOTO)

Fluturat e Petrit Halilajt tanimë kanë arritur në Paris.

Artisti kosovar, më i pranishëm në skenën e artit se asnjëherë tjetër, në datë 1 dhjetor ka hapur ekspozitën e radhës në Francë.

Ekspozita “Abetare (Fluturat)” e hapur në galerinë Kamel Mennour prezanton punime të reja të Halilajt, një instalacion dhe disa skulptura, që sjelli histori personale të artistit por edhe një copëz nga historia e Kosovës.

Një pjesë e ekspozitës sjellë ciklin “Abetare” nga Halilaj, punë e vitit 2015-të por gjithmonë e perfeksionuar edhe gjatë këtij viti. Ky është një dedikim për librin i cili në një kohë regjimi serb ishte e vetmja mënyrë e dëshmisë së identitetit kulturor shqiptar dhe një mënyrë e mësimit të fëmijëve me gjuhën amtare shqipe.

“Abetare” bëhet gjithmonë më personale, kur secila shkronjë asocon me një fjalë, që mund të jetë kafshë ose objekt, shkruan KultPlus. Shkronja P është fjala Petrit, ndërsa F qëndron për Fluturat.

Pjesa e dytë e ekspozitës sjellë një instalacion me skulptura dhe me tavolina. Tavolinat janë marrë nga një shkollë fillore ku Halilaj ka kaluar fëmijërinë e tij, shoqëruar edhe me fjalë dhe imazhe tjera të kohës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 28 janar të vitit 2018-të. / KultPlus.com

Agon dhe Armend Nimani shpërblehen me çmimin e parë për fotografinë më të mirë në promovimin e Kosovës

Sonte Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fotografinë dhe shkrimin më të mirë për promovimin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Agon Nimani dhe Armend Nimani u shpërblyen me çmimin e parë për fotografinë më të mirë në promovimin e Kosovës, kurse Armend Nimani dhe Blerand Caka u shpërblyen me çmimin e dytë në kategorinë fotografia më e mirë në promovimin e Kosovës. Kurse fotografi Ardit Qeriqi u shpërblye me çmimin e tretë të fotografisë më të mirë.

Kurse çmimi i parë për shkrimin më të mirë në promovimin e Kosovës shkoi për Artan Krasniqin, ndërsa çmimi i dytë iu nda Uran Haxhës, dhe çmimi i tretë në shkrimin më të mirë në promovimin e Kosovës shkoi për Labinot Konushefci.

Kjo garë u shpall në pjesën e dytë të muajit tetor deri në pjesën e parë të muajit nëntor, ndërsa kishte pranuar rreth 600 qind fotografi dhe dhjetëra shkrime.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha gjatë hapjes së kësaj ceremonie se qëllimi i kësaj ngjarje është të tregohet imazhi i vërtetë i Kosovës dhe të përmbysin imazhin e shtrembuar që është shfaqur në botë.

“Shumë vende nuk i kanë bukuritë e Kosovës, disa vende nuk i kanë pasuritë e saj. Shumë vende nuk janë të reja si Kosova, disa vende po plaken, kurse Kosova është ende e re. Ne kemi probleme me imazhin dhe tregimin për Kosoven, kemi probleme me fotografinë e drejt të Kosovës. Narracioni, fotografia për Kosovën vazhdojnë te shtrembërohen, Kosovës ia kemi borxh t’ia promovojmë bukuritë ashtu si ia ka falut Zoti. T’ia krijojmë një imazh të cilin Kosova e meriton”, tha Pacolli gjatë kësaj ceremonie.
Poashtu në kuadër të këtij evenimenti Ministria e Punëve të Jashtme lansoi edhe platformën online KosovoABC, e cila vjen në disa gjuhë të huaja dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës./KultPlus.com

Në Tokio hapet ekspozitë me fotografi të Nënës Terezë (FOTO)

Është hapur në Tokio një ekspozitë me fotografi nga jeta dhe udhëtimi bamirës i Nënës Terezë.

Ekspozita vjen në Sophia University ndërsa ka për qëllim që me anë të 50-të fotografive ti tregojë japonezëve mbi Nënën Terezë dhe dëshirën e saj që të gjithë njerëzit, e të gjitha kombeve dhe religjioneve, të bëhen bashkë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Ekspozita “Nënë Tereza- Bamirësja nga Shkupi, Bamirësja e Botës” është hapur në praninë e Ambasadores maqedone në Tokio, Andrijana Cvetkovik, shkruan KultPlus.

Në mesin e fotografive që ekspozohen janë edhe fotografi nga momenti kur ajo merr çmimin Nobel për Paqe, fotografi të udhëtimit të saj në Indi, takimet e saj me presidentin Ronald Reagan dhe me Yasser Arafat.

Nënë Tereza e ka vizituar edhe Japoninë, disa herë në vitet 80-të, ndërsa një prej vizitave të saj ishte pikërisht në Sophia University, aty ku edhe është hapur ekspozita. / KultPlus.com

“Ai është atje…”, pesë libra që flasin mbi Zotin

Zoti nuk paraqitet shpesh në librat e zhanrit trillim, por në librat e tillë, sikur tek Dostojevski e tek Burgess, Zoti vjen në forma të ndryshme.

Po i prezantojmë këtu pesë libra në të cilët flitet për Zotin, më shumë se në librat tjerë.


– Vëllezërit Karamazov / Dostojevski
“Zoti është i vdekur”, dhe kësisoj është interpretimi i Ivan Karamazov. Debati vazhdon midis tij dhe vëllait, Alyoshas, për vuajtjen e njerëzve në botë, për dhunën që përjetojnë fëmijët, vrasjet. A ja vlen të jetohet me dashuri në një botë ku fëmijët, sidomos ata, vuajnë?

– The Last Temptation / Nikos Kazantzakis
Është diçka thelbësore në këtë libër rreth jetës së Jezusit që mungon tek Ungjilli, ndërsa rekomandohet për ata që duan të dinë më shumë për natyrën e jetës së Jezusit dhe për udhëtimin nga njeriu tek Zoti. Pjesa e fundit e librit, shumë e përfolur nga të krishterët, është një prej pasazheve letrare më misterioze, imagjinuese dhe magjepsëse.


– Earthly Powers / Anthony Burgess
Në qendër të këtij libri 800 faqësh është Carlo Campanati, një prift që bëhet kardinal, e më pas Papë (përfaqësues i Zotit në Tokë), ndërsa e rrahë një biznesmen nga Malajzia, e torturon një oficer gjerman, e krejt në fund e shkruan një traktat për dashurinë e përbetuar të krishterimit. Ky mbetet një ndër personazhet letrare, morali i të cilit mbushet plot me predikime e me errësirë.

– The Time of the Angels / Iris Murdoch
Kjo i ngjan një telenovele ku “Zoti ka vdekur”. Shtatë karaktere provojnë të jetojnë, në frekuenca të ndryshme të sikletit, në një botë ku nuk ka Zot. Kjo është problematika kryesore ekzistenciale, me ngjarjen që ndodhë në një kështjellë të vjetër rrethuar me mjegull, ku edhe të jesh njeri i mirë është një betejë. Boshllëk do të jenë engjëjt keqdashës, edhe nëse bota ka a s’ka Zot. Nëse largohemi individualisht nga Zoti, më pas do të detyrohemi të dëgjojmë vetëm Tchaikovskyn, shkruan autorja e librit.

– Moderniteti dhe Holokausti / Zygmunt Bauman
Jo një novelë, por një libër studimor ku Zoti vjen në forma të ndryshme. “Zoti, është atje, në flakët ku po digjen fëmijët”, thonë viktimat e Holokaustit në kërkim të Zotit që do ti shpëtojë. Bauman e shkruan librin pasi ka hulumtuar për vite e vite se si është e mundur që moderniteti e lejoi Holokaustin. Sot, diçka e tillë mund të ndodhë me lehtësi e bota të jetë e trullosur prej aktualiteteve tjera. Zoti, ku është?

(Një pjesë e listës është marrë nga The Guardian ) / KultPlus.com

Kangë intime e Esad Mekulit për Sehadeten

Poezi e shkruar nga Esad Mekuli. Esad ishte i martuar me Sehadete Dokon. Sehadete Doko-Mekuli ishte një gjinekologe dhe pedagoge universiteti.

( Sehadetit, shoqes sime )

Flokët tashma m`u zbardhën,
kaloi e marra rini –
e unë ende nuk të gjeta!
Mbi flatrat e vjetve
e të andrrave
zbulova kudo
nga një pjesë tandën.
****

Mbi flatrat e vjetëve
e të andrrave
kaq herë zbulova në tjera
ty – shoqe të andrrueme,
ty, të vetmen, që me sy të ambël më shikon
e më përkdhel me za që në zemër prek.

****
Në vjeshtën e jetës sime,
në vetminë time
Solle dhuratat e para
të gëzimit
pranveror:
pranë teje
jeta m`u ba dy herë ma e bukur
( se vetëm së bashku me grua, njeriu bahet Njeri)
bashkëshortja ime flokëverdhë,
gruaja ime e dashtun!

Kazuo Ishiguro e pranon sot Nobelin për Letërsi në ceremoninë zyrtare (VIDEO)

Kazuo Ishiguro, laureati i këtij viti për çmimin prestigjioz Nobel për Letërsi, me fillim prej orës 17:30 do të pranojë çmimin në një ceremoni në Stokholm.

Ishiguro do të flasë në Akademinë Suedeze dhe kësisoj do ta pranojë çmimin që këtë vit e morri në mesin e konkurrentëve tjerë.

Ishiguro, i njohur edhe për lexuesin shqiptar, e morri çmimin në muajin tetor për forcën emocionale brenda veprave të tij, dhe për shpërfaqjen e humnerës nën ndjenjat tona të iluzionit në lidhje me botën, shkruan KultPlus.

Ishiguro e ka lënë Japoninë vetëm 5 vjeç, viti 1959, për tu vendosur në Britaninë e Madhe, që u bë atdheu i tij i dytë dhe gjuha në të cilën shkruan.

Në vitin 1982 fitoi çmimin Winifred Holtby. Në vitin 1983, ai u përfshi në listën e shkrimtarëve më të mirë të rinj britanikë, së bashku me Martin Amis, Ian McEwan, Salman Rushdie, Julian Barnes, Graham Swift, Rose Tremain dhe Pat Barker. Tre vjet më vonë, romani i tij i dytë, “An Artist of the Floating World” mori çmimin “Whitbread” dhe në vitin 1989 romani “The Remains of the Day” fitoi Booker. / KultPlus.com

Vallëzimi ballkanik Kolo futet në Listën e Mbrojtjes nga UNESCO (VIDEO)

Kolo, vallëzim kolektiv folklorik që interpretohet kudo në Ballkan, është futur në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore të Paprekshme në UNESCO.

Vendimi është marrë në sesionin e sotëm, të 12-tin me radhë për këtë vit, që u mbajt në Korenë e Jugut, shkruan KultPlus.

Vallëzimi performohet në Bosnjë, në Bullgari, në Kroaci, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, në Serbi dhe në Slloveni. Secili regjion ka një Kolo të veçantë. Vallëzimi ndodhë duke u kapur krah për krah ndërsa nuk vallëzohet në pjesën lart të trupit.

Vallëzimi performohet në dasma por edhe në ngjarje tjera kulturore e fetare. / KultPlus.com