Nën duartrokitjet e fuqishme u përmbyll koncerti festiv i Filharmonisë së Kosovës

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, së bashku me solistë nën dirigjimin e dirigjentit të shquar nga Gjermania Noorman Widjaja, mbrëmë sollën një koncert festiv, që shënoi edhe koncertin e fundit për këtë vit nga ky institucion, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Fotografitë: Arben Llapashtica

Edhe një orë para se ky koncert të fillonte, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, nuk numëronte pothuajse as edhe një karrige të zbrazur. Kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, zuri vendin e saj brenda skenës, priten me duartrokitja nga një pjesë e publikut ulur, e të tjerë në këmbë të cilët u kishin besuar tingujve të tyre këtë mbrëmje.

Kur pranë orkestrës vjen dirigjenti Noorman Widjaja, me lëvizjet e tij artistike, e dirigjimin më shumë profesionalizëm rrëmben emocionet e gjithë sallës. Dirigjimi i tij nuk ishte nga ata të zakonshmit, ai nuk kursente asgjë nga fuqia e tij artistike, për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga të gjithë ata para të cilëve ndodhej mbrëmë. I veshur në të zeza, ai lëvizte shkopin nga të tri anët sa shtrihej orkestra. Ai dukej sikur edhe reagonte ndaj secilit tingull, e ndaj secilit zë, dhe pas çdo vepre duartrokitjet e publikut nuk ia atribuonte vetës, por shkopi i tij drejtohej përsëri tek orkestra dhe tek solistët.

Dirigjenti Noorman Widjaja, i cili ishte për të tretën herë në Kosovë, përkundër që ai ka dirigjuar shpesh koncerte simfonike, ai për KultPlus, thotë se është dirigjent i operës, ai i do më shumë koncertet e operës sepse kanë më shumë gjallëri, për shkak të tekstit dhe kuptimit që bartin në vete, andaj edhe kur e kishte marr ftesën për këtë koncert, ai thotë se nuk kishte hezituar që nga momenti i parë.

“Ky kuptim brenda tekstit e bën muzikën, kështu që unë mund ta krijoi me atë kuptim dhe të ua dhuroj atë orkestrës”, tregoi dirigjenti Widjaja.

“Për orkestrën që të luaj në opera, e pastaj në simfoni është shumë më e lehtë sepse në opera ata fillojnë të dëgjojnë, dhe të luajnë së bashku. Të them të drejtën, një orkestër e mirë simfonike nuk është një orkestër e mirë e operës por një orkestër e mirë e operës është një orkestër shumë e mirë simfonike për shkak se është më e lehtë për ta sepse dirigjenti i cili e kupton operën mund t’u sqaroj gjithçka atyre”, tha dirigjenti Widjjaja për KultPlus.

Ai thotë se është i kënaqur me punën e instrumentistëve të kësaj orkestre por shtoi se kjo orkestër ka nevojë më shumë për dirigjentë me eksperiencë, për shkak se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për orkestrën.

“Një tren i mirë ka nevojë për lokomotivë të mirë, ata kanë nevojë jo vetëm dikë që dirigjon dhe shkon por për dikë që kësaj orkestre mund t’i jap shumë më tepër që kjo orkestër të jetë edhe më fenomenale. Unë më të vërtetë i dua ata, ata janë të lumtur sa herë që më shohin dhe ne tashmë jemi bërë miq, ashtu si një familje”, tregoi dirigjenti nga Gjermania për KultPlus.

Publiku mbrëmë shijoi edhe interpretimin e gjashtë solistëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët me zërin e interpretimin e tyre mrekulluan koncertin këtij fundviti, madje asnjëri prej tyre nuk iku nga skena pa u kthyer përsëri nga duartrokitjet e publikut.

Solistët që interpretuan mbrëmë përfshin tashmë emra të njohur. Linda Kazani nga Shqipëria ishte solistja e parë që iu bashkua orkestrës mbrëmë, më pas erdhi tenori Liridon Sadriu, sopranoja Doklea Hoxha, baritoni Sokol Hidërsha, sopranoja Adelina Paloja dhe sopranoja Arta Jashari.

Pasi që publiku pushon nga duartrokitjet e fuqishme që e kthejnë për të dytën herë sopranon Arta Jashari në skenë, para tyre kthehet përsëri sopranoja Linda Kazani e cila interpreton veprën e Verdit “Estano!…Ah fors’e lui”, ajo dukej se mori gjithë publikun me vete gjatë interpretimit të kësaj vepre të shoqëruar nga zëri që vinte në prapaskenë nga tenori Liridon Sadriu. Ajo dukej sikur komunikonte me çdo njërin në sallë, shpesh duart e saj shtriheshin afër saj, e sytë e saj shkonin edhe tek publiku që ndodhej sipër sallës.

“Më dukej sikur i këndoja secili një me një në sy”, tha Kazani për KultPlus.

Sopranoja Linda Kazani tregoi për KultPlus, se ndihet shumë e kënaqur nga bashkëpunimi i parë me Filharmoninë e Kosovës. Edhe pse ajo interpretoi për herë të parë para publikut kosovar, ajo thotë se e ka ndjerë shumë fuqishëm ngrohtësinë e këtij publiku.

“Me gjithë suksesin që pata sonte këtu jam shumë e emocionuar, edhe pse nuk e dija se si do të më prisnin meqë në publik nuk kisha asnjërin nga familjarët e mij që janë në Tiranë. Ndryshe nga skenat e tjera kur ke një distancë me publikun dhe kur publiku është në errësirë ku ti nuk e shikon, këtu publiku ishte shumë afër dhe shumë i ngrohtë”, tha Linda Kazani.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se e cilëson si të suksesshëm këtë vit pasi që me dy njësitë e Filharmonisë, korin dhe orkestrën kanë arritur të jenë pjesë e shtatëmbëdhjetë projekteve koncertale. Veçantia e këtij viti për Jasharin kanë qenë dirigjentet dhe solistët e rinj që kanë bashkëpunuar për herë të parë me Filharmoninë.

“Dirigjentët e rinj që kanë bashkëpunuar këtë vit me Filharmoninë kanë lenë shumë mbresa tek orkestra dhe tek publiku, aq më tepër duke u bazuar në faktin që ne kemi nevojë për prurje të dirigjenteve të profilit të lart me përvojë. Një prej tyre është edhe dirigjenti Noorman Widjaja, të cilin me gjasë do ta ftojmë përsëri sepse me dirigjimin e tij orkestra ka përparuar shumë”, tha drejtori Jashari për KultPlus.

Përkundër këtij suksesi, ai thotë se buxheti i pamjaftueshëm, i ka lenë peng dëshirën e tij që Filharmonia e Kosovës të prezantohet edhe jashtë vendit. Ndërsa edhe këtë vit sikur vitet e kaluara vështirësitë e Filharmonisë tashmë shtrihen më shumë në aspektin organizativ dhe në mungesën e sallës për të cilën Jashari thotë se shpreson që të paktën viti i ardhshëm do t’i gjej në një situatë ku do t’i numërojnë ditët për të hyrë në një objekt të ri./ KultPlus.com

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time”, një perlë e vërtetë nga Charlie Chaplin

Charlie Chaplin ishte një aktor, regjisor, kompozitor dhe producent në kinematografinë britanike, autor i mbi 90 filmave me rëndësi dhe ndikim të madh në shekullin XX. Sot ne duam t’iu kujtojmë këtë fjalim të bukur të tij dhe jemi të sigurt që do t’iu bëjë të reflektoni po aq sa ne.

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore po shërbenin për të më kujtuar se po jetoja në kontrast me vlerat e mia. Sot e di që kjo gjë quhet origjinalitet.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, e kuptova se sa ofenduese ishte t’i imponoja të tjerëve mendimet e mia, edhe pse e dija se mund të mos ishte koha e duhur, apo se personi tjetër nuk ishte i gatshëm t’i pranonte ato. Sot e di që kjo gjë quhet respekt.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari një jetë ndryshe dhe kam kuptuar se sfidat që po kaloja, ishin një ftesë që unë të përmirësohesha. Sot e di që kjo gjë quhet pjekuri.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se çdo situatë ndodhte në vendin dhe kohën e duhur, dhe se çdo gjë që më ndodhte, kishte një kuptim të caktuar. Që nga ajo kohë, kam mësuar të jem më i qetë. Sot e di që kjo gjë quhet besim në vetvete.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, nuk e kam humbur më kohën duke planifikuar projekte të mëdha për të ardhmen. Sot bëj vetëm gjërat që më sjellin lumturi dhe kënaqësi, që i kam pasion dhe i bëj sipas mënyrës sime, duke respektuar kohën e duhur. Sot e di që kjo gjë quhet thjeshtësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam hequr dorë nga gjithçka që rrezikonte shëndetin tim : ushqimet, njerëzit, objektet, situatat dhe çdo gjë tjetër që më dëmtonte. Në fillim, këtë gjë e quaja egoizëm i shëndetshëm, ndërsa tani e di se kjo quhet dashuri për veten.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari që të tjerët të më pohojnë se kam të drejtë. Që kur bëra këtë gjë, kam nisur të bëj më pak gabime. Sot e di që kjo gjë quhet përulësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së jetuari në të shkuarën, apo së shqetësuari për të ardhmen. Sot jetoj vetëm në të tashmen dhe e di që kjo gjë quhet mirëqenie.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se mendimet e mia mund të më sëmurin dhe të më bëjnë të ndihem keq. Por kur kam mësuar të dialogoj me zemrën, intelekti është shndërruar në aleatin më të mirë. Sot e di që kjo gjë quhet urtësi.

Nuk duhet asnjëherë të trembemi nga kontrastet, konfliktet dhe problemet që kemi me veten tonë dhe me të tjerët, sepse edhe yjet bien, por atje ku ata përplasen, lindin botë të reja. Sot, unë këtë e quaj “Jetë””./ KultPlus.com

Mentor Zymberaj përfaqësoi Kosovën në “Çmimet e Evropës për Teatër” 2017-të

Me rastin e “Çmimit të Evropës për Teatër” edicioni XVI, i mbajtur në Romë nga 12 deri me 17 dhjetor 2017, për herë të parë ishte përfaqësimi zyrtar nga Kosova, gjegjësisht përfaqësim i artit skenik shqiptarë.

Ftesa për përfaqësimin nga Kosova, i ishte dërguar Mentor Zymberaj themelues i ITI-Qendra në Kosovë (Instituti Teatror), shkruan KultPlus.

Ky event ndërkombëtar për teatër ndër kryesorit në Evropë, u realizua në shumë aktivitete teatrore si: Hulumtimet dhe zhvillimet teatrore në Evropë dhe Qendrat e ITI; pjesëmarrja e gazetarëve dhe kritikës teatrore në ndarjen e Çmimeve Speciale nga Asociacioni i tyre; pjesëmarrja e autoreve, aktorëve, regjisoreve fitues në “Çmimet e Evropës për Teatër” dhe takimi i tyre me gazetarë e kritikë teatror; prezantimet e shfaqjeve fituese në “Çmimet e Evropës për Teatër”; si dhe Solemniteti i Ndarjes së Çmimeve si akti final i “Çmimet e Evropës për Teatër” 2017, edicioni XVI.

Pos çmimeve të ndryshme teatrore që u ndanë, çmimi kryesor “Çmimi i Evropës për Teatër” u takoi dy artistëve: Jeremy Irons dhe Isabelle Hubert. Ky event përfundoi me pjesëmarrjen e komunitetit artistik nga Evropa por edhe më gjerë, si dhe nga Institucionet shtetërore italiane dhe evropiane.

Pjesëmarrja e parë zyrtare i përfaqësimit të Kosovës ishte e një rëndësie të veçantë në zhvillimet teatrore në Kosovë por edhe më për artin skenik shqiptarë./ KultPlus.com

Eugent Bushpepa: Do bëjë më të mirën e mundshme që të përfaqësohemi sa më denjësisht

“Mall” është kënga fituese e Festivalit të Këngës të edicionit të 56-të në RTSH. Kënga u këndua nga Eugent Bushpepa, i cili këtë këngë ia kishte kushtuar njeriut të tij të zemrës por që tani do të jetë diçka përtej personales.

Përveç fitores unike, si rrallëherë të publikut, “Mall” fitoi edhe të drejtën për të na përfaqësuar në festival.

Pas marrjes së çmimit mbrëmjen e së shtunës, Genti u shpreh shumë i lumtur për vlerësimin. Ai tha se do bëjë më të mirën që ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion: “Jam shumë i lumtur, falënderoj RTSH, falënderoj jurinë që më dhanë mundësinë të arrij të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Do mundohem të jap maksimumin. Do bëj më të mirën e mundshme që të përfaqësohemi sa më denjësisht”, – tha ai në Post Festival.

““Mall” është një konglomerat tingujsh, ndjenjash dhe fjalësh që dikur ishin pjesë e imja. Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë”, shkroi Genti kur prezantoi këngën e tij./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

“Aga” i Lendita Zeqiraj gati në përfundim, shpaloset kasta e aktorëve

I mbështetur nga dy qendrat e kinematografisë shqiptare, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, filmi i metrazhit të gjatë “Aga”, me regji të Lendita Zeqiraj, tashmë është na fazën e fundit, dhe shumë shpejt pritet që të jetësohet në një ekran të madh kinematografik, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, në fanpage të këtij filmi, ku janë shpalosur të gjithë aktorët që kanë jetësuar skenarin e vetë Lendita Zeqiraj.
“Përderisa vazhdojmë me post-produksion, duam t’ju njoftojm me kastën tonë të mrekullueshme të aktorve”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook.

Arti Lokaj, Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Meli Qena, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni.

Producent i filmit është Bujar Kabashi ndërsa “Aga”, flet për një djalë të ri i cili qëndron në një shtëpi të grave…/ KultPlus.com

Dëgjojeni këngën që do të bartë flamurin shqiptar në Eurovizion-Lisbonë (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa është shpallur fitues i edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH, fitore që e bënë si përfaqësues të Shqipërisë në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Ai ka kënduar këngën “Mall” dhe shumë herët fansat ishin rreshtuar për këtë këngë, si këngë fituese e këtij edicioni.

Në vijim gjeni tekstin e këngës:

https://www.youtube.com/watch?v=DocjosVM5cU

MALL

STROFA 1

Nje pritje e gjate
E embel e zjarrte
Ca hapa trokasin si zemer kete nate
Une ndjek ritmin e saj
Dy duar qe zgjaten perpijne ne ngrohtesi
Ky mall qe te djeg nuk njeh kufi as largesi

PARA REF 1
Asgje ne kete bote nuk mund ta shprehe dot ndjesine
Kur zemrat bashkohen dhe prape rrahin si nje

STROFA 2
Dua te hesht ne kete nate i shtrire ne kete shtrat
Ku endrrat hyjnore sherojne cdo plage
Te shoh portretin e saj
Momentet kalojne
Sekondat nuk falin
Oret pasojne por ndjenjen se ndalin, jo

PRE REF 2
Si me magji hena shikimet perpin
Me sjell vegimin tend

REFREN
Lot i pathare ndricoje kete nate
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjale
Vetem nje cast dhimbja te me ndale
Ky lot i pathare nje dite do shteroje
Nga puthjet e zjarrta qe enderroi
Ne ate cast dhimbja do ndaloje

STROFA 3
E embel kjo jete por nuk njeh kufi
Here na perkedhel here na krijon largesi
Ty te kam larg
Me ben te luftoj kur fuqite kane shteruar
Te enderroj edhe kur zgjuar jam

PRE REF 3
Si me magji hena shikimet perpin
Syte tane puqen serish edhe pse eshte fantazi
Jeten do ta fal ty

REFREN
Lot i pathare…

Krishtlindjet në botë, nën masa të rrepta sigurie

Meshat e krishtlindjeve dhe festime të tjera po mbahen këtë fundjavë nën hijen e rojave të armatosura dhe kamerave të sigurisë në shumë vende të botës.

Ato me shumicë myslimane në Azi dhe Lindjen e Mesme, janë veçanërisht nervoze pas vendimit të presidentit Donald Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane në Izrael në Jerusalem, një vendim që ka fyer shumë myslimanë.

Në Indonezi, vendin me popullatën më të madhe myslimane në botë, policia thotë se ka rritur masat e sigurisë përreth kishave dhe sajteve të frekuentuara nga turistët duke kujtuar sulmet thuajse simultane ndaj kishave në krishtlindjet e vitit 2000, që i morën jetën 20 personave. Në Kajro, ku bombat në Katedralen Koptike më të madhe të kryeqytetit egjiptian i morën jetën 25 personave dhjetorin e kaluar, policia ka nisur patrullime të rregullta nëpër rrugët përreth kishave.

Policia gjermane në anën tjetër thirri ekspertët dhe një robot eksplozivësh për të kontrolluar një pako të dyshimtë në një treg krishtlindjesh në qytetin e Bonit, pasditen e të premtes. Gjermania është në alarm një vit pasi një azil kërkues i refuzuar tunizian, i mori jetën 12 personave kur rrëmbeu një kamion dhe e përplasi atë mbi një treg krishtlindjesh në Berlin, transmeton TCH.

Në Malajzi, zyrtarët e policisë thonë se vendimi i Trump për Jerusalemin ka shtuar shqetësimet për sulme të mundshme. Autoritetet druajnë jo vetëm për sigurinë në kisha dhe vendet e besimit, por edhe për kërcënime nga shteti islamik apo të ndonjë lloji tjetër. Ndërkohë në Jerusalem, një zëdhënës i policisë tha se nuk kishte masa shtesë sigurie por policia do të dislokonte si zakonisht forca përreth vendeve të shenjta kristiane dhe do të siguronte edhe autokolonat e pelegrinëve nga qyteti i Betlehemit në bregun perëndimor, që njihet si vendlindja e Jezu-krishtit dhe kontrollohet nga autoriteti palestinez./ KultPlus.com

Kritika e veprës “Opéra de Scanderberg”, në librin francez të vitit 1757

Nga Aurenc Bebja*- Francë dhjetor 2017

Në veprën e autorit francez, Pierre-François Guyot Desfontaines, “L’esprit de l’abbé Des Fontaines, ou Reflexions sur differens genres de science et de litterature. Tome 4”, gjejmë një kritikë të veçantë, pikërisht në faqen n° 293, në lidhje me veprën me titull “Opéra de Scanderberg de MM. De la Motte & de la Serre”

Si është vlerësuar kjo vepër asokohe ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Kjo pjesë është e mbushur me karakteristika delikate, parime të shkëlqyera dhe mendime të hollësishme. Muzika është realizuar nga Zotërinjtë Rebel & Francoeur, të njohur që të dy për sukseset e mëparshme dhe sidomos për operan simpatike “Pyrame & Tysbé”.

Këngët e tyre janë të ëmbla dhe natyrale. Shprehja e tyre e drejtë, fisnike dhe prekëse. Recitimi i tyre është i ngjashëm me stilin e Lully dhe Zotit Destouches, megjithatë, nuk janë imituar (kopjuar) këto mjeshtra të mëdhenj.

Argëtimet duken të karakterizuara mirë. Instrumentet flasin me aq forcë sa dhe qartësi, dhe duken se tregojnë gjithmonë për çfarë bëhet fjalë, sepse simfonitë janë specifike për secilën pjesë të Baletit.

Të gjitha meloditë janë të këndueshme, të lehta për t’u kujtuar, nervoze pa çuditësi, të lehta pa përulje, natyrale pa paragjykime. Ata që duan ndjenja dhe gjeni i gjejnë në to; dashamirësit e punës, njohësit e muzikës, edhe pse nuk janë aspak të paralajmëruar, hedhin dritë në një numër të madh vendesh, ku ka kombinime të thella. Shkenca është veçanërisht në shoqërimet dhe në kor.

Së fundi, gjithçka është e llogaritur mirë; nuk janë aspak bukuri fati apo kapriçosh, bëhet fjalë për entuziazëm dhe reflektim; asgjë nuk është e shëmtuar, çdo gjë është e saktë dhe e ndjeshme. Nuk është aspak një punë e vështirë, e pashpirt, e papërshtatshme, është një art delikat që fshihet, i cili i ngjan natyrës dhe e zbukuron atë.

Kjo përzierje mes gjeniut, hulumtimit dhe shijes është misteri i Muzikës teatrore. Në lidhje me Poemën, sado gjeniale të jetë, nuk mund të fshehim se ka të meta të mëdha.

Një poemë e këtij lloji është gjithmonë e mirë kur intereson, kur përmban skena të gjalla dhe prekëse, festime të shkëlqyera, mendime delikate, melodi të bukura; me një fjalë, kur është e tillë si në këtë rast”./ KultPlus.com

Elsa Lila shkrinë vargjet e Lasgush Poradecit në veprën e Mozart (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Elsa Lila që tash e shumë vite jeton në Itali, mbrëmë është rikthyer në skenën e Festivalit të RTSH-së, rikthim që është vlerësuar edhe nga vetë Elsa Lila, shkruan KultPlus.

Pranë moderatorit Adi Krasta, ajo ka treguar për projektet e saja të fundit, e cila për bazë ka muzikën e barokut, duke kombinuar më pas edhe vepra të periudhave të tjera, për ti gërshetuar këto vepra si të ishin një të vetme. Pikërisht duke u bazuar në këto kombinime, ajo mbrëmë ka bërë performancën e vargjeve të Lasgush Poradecit në veprën e Mozart, e cila është shoqëruar nga kuarteti i saj, për ta vlerësuar Elsën si instrumenti i pestë i këtij formati muzikor.

Elsa Lila është mirëpritur nga audienca për këtë ndërlidhje artistike që ka prezantuar në mbrëmjen e finales të Festivalit të RTSH-së. Video është realizuar nga Nazim Rashidi/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=3VBl4HFh0g0

Pranvera Hoxha sot me koncert recital në Tiranë

Pianistja Pranvera Hoxha Bryma, sot më 24 dhjetor në Muzeun Kombëtar në Sallën Unesco në Tiranë, sjellë koncertin recital me vepra spanjolle për piano, shkruan KultPlus.

Mysafir i koncertit do të jetë Dardan Osmanaj, ndërsa mbrëmja me muzikë spanjollë është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe MKRS.

Pranvera Hoxha Bryma ka diplomuar për piano në Akademinë e Arteve të Bukura dega piano te profesoreshe Anita Tartari. Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin e arteve dhe muzikës në Shkup, Maqedoni te profesor Todor Svetiev. Punon në fakultetin e arteve në Universitetin e Prishtinës, si korepetitore e krasëve të flautës dhe klarinetës. Ajo poashtu është profesoreshë e pianos në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com

Eminem sjell me videoklip “Walk On Water” (VIDEO)

Reperi amerikan Eminem ka publikuar këngën e tij të parë të albumit të ri “Walk On Water” tani edhe me videoklip.

“Walk On Water”, që është në bashkëpunim me Beyoncen, është pjesë e albumit “Revival” i publikuar javë më parë, transmeton Koha.net.

Kjo këngë ka marrë mbi 50 milionë klikime brenda një muaji në YouTube, pasi ishte lansuar vetëm si audio./ KultPlus.com

Eugent Bushpepa shkon në Eurovizion (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa është shpallur fitues i eidcionit të 56-të të Festivalit të Këngës në RTSH,fitore që e e bënë si përfaqësues të Shqipërisë në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Ai ka kënduar këngën “Mall” dhe shumë herët fansat ishin rreshtuar për këtë këngë, si këngë fituese e këtij edicioni./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=DocjosVM5cU

‘Vajza shqiptare’, një pikturë e Jan Frederik Pieter Portielje

Piktura “Vajzë shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar holandez Jan Frederik Pieter Portielje, realizuar në vitin 1870, ndoshta është nga më interesantet e galerisë së punëve të piktorit.

Pesha meditative e modeles dëshifrohet qartë në prarim i tendosur të gjendjes. Impresionuese mbeten gjithashtu ngjyrat e ndezura, karakteristike për punët e piktorit, në të njëjtën kohë evidentim i elementeve të veshjes së gruas shqiptare, gruas së stolisur, gruas që dëshmon saora pragun e një solemniteti, sepse e tillë është gjithçka që tipizon kuadrin.

Jan Frederik Pieter Portielje ka lindur në vitin 1829 dhe ka vdekur në vitin 1895. / KultPlus.com

Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO)

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, por edhe si ilustratorja, apo piktorja, disa punë të së cilës ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Safo ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 – 29 Nëntori”, “8 Nëntori”, “1 Qershori”, “8 Marsi” etj.

Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.

Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925.

Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942. Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. / KultPlus.com

Incidenti në festivalin e RTSH-së, Adi Krasta sqaron çfarë ndodhi

Nata e parë e Festivalit të RTSH shkoi për mrekulli, gjithçka ashtu siç ishte parashikuar, përveç një momenti pak të sikletshëm për një nga këngëtarët konkurrent.

Gjatë performancës së Redon Makashit, muzika ndali sapo ai kishte nisur të këndonte. Redoni, si një artist profesionit që është, e mori me shumë sportivitet dhe kërkoi nga publiku në sallë një duartokitje për orkestrën.

Menjëherë në skenë u ngjit dhe Adi, i cili duke iu referuar kërkesës së Redonit tha: po një duartrokitje për orkestrën edhe pse ajo s’ishte në terezi. U kuptua se gabimi ishte i orkestrës, por mbrëmjen e dytë të festivalit, Adi sqaroi se gabimi ka qenë në audion e jashtme të televizionit dhe jo i saj.

https://www.youtube.com/watch?v=OmnD74HdVn8

“Ka qenë një gabim në audion e jashtme të televizionit, jo i orkestrës. Orkestra e TVSH nuk mund të gabojë”, tha Adi.

Bebe Rexha me mesazh mbështetës për Monika Kryemadhin

Ditëve të fundit në politikën e Shqipërisë janë duke ndodhur disa zhvillime jo aq të mira. Ka shumë akuza e kundër akuza ndaj politikanëve mes veti, e sidomos rasti i kryetares së partisë LSI, Monika Kryemadhi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Për këtë rast, kryetarja e LSI-së ka mbështetje nga shumica e njerëzve. Po ashtu, Kryemadhin është duke e mbështetur edhe e afërmja e saj këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Bebe Rexha.

“Ka miliona gra të shtypura në mbarë botën dhe po gratë e tilla janë ato që po bëjnë ndryshime. Kjo grua është e fortë. Ajo është nënë. Ajo është grua. Ajo është motër. Ajo është liderja e parë femër e një partie politike në Shqipëri. Ajo ka thyer tabutë dhe u ka dhënë guxim jo vetëm grave të Shqipërisë, por grave anembanë botës për të shkuar pas ëndrrave të mia. Duke u rritur më është thënë të flas vetëm kur duhet të flasë, tani unë flas kur kam për të thënë diçka. Faleminderit Monika Kryemadhi që je renegate”, ishte mesazhi mbështetës i Bebe Rexhës për Monika Kryemadhin.

Kësisoj fillon libri “Princi i vogël” nga Antoine de Saint-Exupéry

PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI

I

Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.

Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”

Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:

Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.

Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”

Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:

Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.

M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.

Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!

Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com

Monika Kryemadhi i shet çizmet e famshme për bamirësi

Të njëjtat çizme me të cilat Monika Kryemadhi deshi ta godiste Edi Ramën javën e kaluar, janë bërë arsye për një humanizëm të radhës.

Kryemadhi i ka shitur këto çizme dhjetë herë më shumë sesa çmimi i blerjes, dhe këtë gjë e ka bërë për bamirësi.
Nuk dihet kush i ka blerë, por kryetarja e LSI-së ka treguar tek Zonë e Lirë se të ardhurat do të shkojnë për fëmijët në Shtëpinë e Fëmijës 0-6 vjec në Sauk.

“Ato çizme kushtonin 120 mijë lek të vjetra. Nuk e meriton Rama ta godas me të shtrenjta” ka treguar mes tjerash Kryemadhi.

Po bëhet çdoherë e më e shpeshtë që personazhet e njohura për shqiptarët të mund të bëjnë bamirësi, madje edhe duke shitur diçka nga rrobat e tyre. / KultPlus.com

Çmimi Ramiz Kelmendi këtë vit i shkon përkthyesit Peter Constantine

Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) ka kënaqësinë të njoftojë se laureat i Çmimit Ramiz Kelmendi këtë vit është përkthyesi me renome botërore dhe redaktori Peter Constantine. Constantine nderohet me këtë çmim për kontributin e tij të veçantë për njohje më të gjërë të letërsisë shqipe dhe arbërishte në botë.

Constantine e quajti çmimin “një nder të mrekullueshëm dhe prekës” dhe tha se “ky është çmimi i parë letrar që ndahet ndonjëherë në lidhje me arbërishten, e cila nga arvanitasit njihet si glukha trimerishte, e që nga UNESCO konsiderohet si gjuhë shumë e rrezikuar.” Për këtë arsye, tha Constantine, ai është dyfish mirënjohës për Çmimin.

Constantine ka përkthyer në anglisht prozë nga Ismail Kadare, përfshirë Three Elegies For Kosovo (Tri këngë zie për Kosovën), si dhe vepra të poetëve që shkruajnë në dialektin korintian dhe boeotian të arbërishtes, gjuhë që flitet nga arvanitët në Greqi.

Është shpërblyer për një numër përkthimesh, përfshirë ato të veprave të Tomas Manit, Anton Çehovit, Isaac Babel-it, Nikolo Makiavelit. Përkthimet e tij më të fundit përfshijnë The Confessions by Augustin (Rrëfimet, nga Augustini), The Essential Writings of Rousseau (Shkrime të zgjedhura të Rusosë), dhe veprat e Sofokliut, Volterit, Tolstoit dhe Gogolit. Është drejtor i Programit të Përkthimeve Letrare në Universitetin e Connecticut-it. Po ashtu është botues i World Poetry Books dhe kryeredaktor i New Poetry in Translation.

Alketa Xhafa Mripa, në emër të babës në ‘Onufri’

Është hapur para pak ditësh në Shqipëri, ekspozita e njohur “Onufri”, një prej ekspozitave që zgjon interesim të madh tek artdashësit shqiptarë.

Përpara shkallëve të katit të tretë, të pret një thes i artë. Është një nga punët e artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila paraqitet në këtë edicion të “Onufrit” me dy vepra, një instalacion dhe një video. Siç shpjegon vetë ajo, e para është personifikim i memories kolektive.

“Është një këndvështrim se si një 5-vjeçare nga Kosova e shihte Shqipërinë, e bashkë me mua edhe gjithë gjenerata ime. Për ne ishte si një thesar, si thesi i babagjyshit të Vitit të Ri. Por, në fakt brenda janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ne nuk e dinim gjendjen e rëndë që po kalonin shqiptarët, e kemi mësuar më vonë”, tregon ajo.

Ndërsa puna e dytë, një video e shoqëruar nga dy fotografi, i përket kujtesës personale. Titullohet “N’emër të babës”.

Në të shfaqet autorja teksa lan në vaskë babanë e saj 85-vjeçar, artistin e njohur Xhevdet Xhafa. “Më kujtohet koha kur im atë më pastronte mua, por vjen një moment dhe vendet ndërrojnë dhe jam unë ajo që e pastroj tashmë atë. Kur prindi ikën nga kjo jetë, kryhet riti i fundit, ai i larjes, i pastrimit dhe ideja ime është që duhet të gëzojmë me ta sa janë ende në jetë”, tregon artistja. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa: Nuk jam gati për Eurovizion

Ai është padyshim një nga zërat më të mirë shqiptar. Me një këngë që ndjell një atmosferë të ngrohtë për “Eurosong 2018”, Eugent Bushpepa deri më tani renditet, si këngëtari më i klikuar në garën e Festivalit të Këngës. “Mall” është një projekt muzikor që mban firmën e tij në të gjitha elementët dhe që mbart një histori të veçantë mungese e dashurie. Entuziast për faktin se kënga e tij është ndër më të pëlqyerat dhe me shpresën e mirë për fitore, Genti nënvizon dëshirën e tij “shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare”.

Genti, përse “Mall”?
Kjo këngë ka një histori të veçantë. Kam qenë larg familjes kur e kompozova dhe kur u ktheva këtu, atë ndjenjë që kisha kur isha larg familjes, u mundova ta hedh në 4 rreshta.

I keni realizuar vetë të gjitha..
Kjo këngë ishte shumë afër meje dhe doja që të gjitha elementët t’i realizoja vetë, edhe pse çunat kanë ndihmuar shumë.

Kënga jote është më e klikuara në internet…
Jam i kënaqur që kënga ime është pëlqyer.

I keni dëgjuar këngët e tjera?
I kam dëgjuar dhe mund të them se ka materiale shumë të mira, siç ka edhe talente të rinj shumë të mirë, si Inis Neziri, e cila është një superkëngëtare, Redon Makashi ka një këngë shumë të ndjerë, Elton Deda ka një këngë rrok etj. Janë shumë!

https://www.youtube.com/watch?v=bvYJ6EwuwXg

Nuk është hera juaj e parë në festival…
Kjo është hera e tretë që marr pjesë në festival. Herën e parë ka qenë viti 2000, ku kam konkurruar me një grup nga Mirdita, Sunrise. Tani rikthehem me shpresën që gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Shpresoj të vlerësohet ai që duhet.

Kur këngëtarët që nuk fitojnë zhgënjehen dhe thonë që nuk do të marrin më pjesë në festival…
Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kam marrë pjesë për shumë kohë. Nuk jam kthyer, sepse e di që do fitoj, apo se kështu janë hapur thashethemet, por sepse mendoja që materiali që kisha, ishte i përshtatshëm. Nga të gjitha materialet që kam për album, këtë e pashë si më të përshtatshëm për t’ua dhënë njerëzve.

Konsiderohet si festivali i rikthimit të big-ëve. I trembesh konkurrencës?
Më së shumti e shoh si qejf, si atmosferë, më shumë si show, se sa si konkurrencë mes njerëzve. Mbase këngët rrok nuk vlerësohen aq sa duhet në Shqipëri, komerçialiteti bën të vetën dhe 80 % e shqiptarëve janë spostuar nga muzika rrok, por shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare.

Për shumë vite ky festival i ka shërbyer vetëm një kënge, asaj që shkon në eurosong, a ia vlen gjithë ky investim, për një këngë?
Ajo këngë që do të dalë do të përfaqësojë Shqipërinë, qoftë një këngë që e vlerëson shumica, qoftë një këngë që e përkrah juria profesioniste e RTSH-së, është normale që t’i jepet vrull, por që të zgjidhet nga vetëm një kompeticion më duket pak e padrejtë.

Ky është një pretendim i ngritur prej kohësh…
Do të ishte mirë që të zgjidhej me bashkëpunim. Të zgjidhej më e mira për Shqipërinë, materiali i duhur ta përfaqësonte sa më mirë Shqipërinë në Eurovizion.

Dhe së fundmi, a gati për në Eurovizion?
Të them të drejtën, jo! “Shpresoj” të mos e fitoj (qesh). / SHEKULLI

Elia Zaharia dhe Princ Leka, me lot në sy shpërndajnë dhurata për fundvit (FOTO)

Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit angazhohet për të shpërndarë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme në Shqipëri.

Njëjtë ka ndodhur edhe këtë fundvit, ku Princ Leka dhe Princesha Elia Zaharia Zogu kanë udhëtuar për në fshatin Bruç dhe në Mat, duke dhuruar dashuri dhe duke iu bashkuar festës së organizuar nga nxënësit në këtë vend.

Po e sjellim poshtë postimin e Elia Zaharias të plotë, dhe disa fotografi nga ky angazhim i radhës bamirës në prag të festave të fundvitit.

Një ditë në Mat

Tashmë është kthyer në traditë që Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit të shpërndajë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme! Këtë herë bashkë me Princ Lekën ndaluam në fshatin Bruç dhe iu bashkuam festës së organizuar nga nxënësit e talentuar të shkollës, që na pritën me këngë, vjersha dhe valle tradicionale! Është një bekim i vërtetë të festosh me ta, ti shohësh aq të dashur, energjikë dhe të lumtur…Më pas ndaluam në shkollën e Burgajetit, ku pastor Ylli Doci na bëri pjesë të iniciativës së tij për të shpërndarë dhurata për femijët e shkollës.

Por këte vit nuk ishim vetëm! Ftuam në Mat edhe Fondacionin Fundjavë Ndryshe, të cilët me përkushtim ju bashkuan festimeve tona. Më pas së bashku ndaluam në disa familje të fshatrave perreth, ku skamja dhe realiteti migjenian nuk përshkruhen me fjalë…Arbri dhe aktivistët iu gjendën këtyre familjeve duke shpërndarë ndihma, për ti mundësuar një Vit të Ri me ushqime mbi tryezat e improvizuara, me batanije për tu ngrohur sa munden në “shtepizat” e tyre pa çati e pa dritare…Nderkohë që më kishte pushtuar trishtimi duke parë lotët në sytë e Lumes, e cila me 2000 L te reja (20 të vjetra) duhet te përballonte muajin vet i pestë, me bashkëshort dhe dy djem me aftësi të kufizuara, dhe një vocërrak që vraponte këmbëzbathur në të ftohtë, mendoja me vehte të gjithë ata fëmijë që i gëzoheshin dhuratave dhe lodrave të Vitit të Ri, çfarë dite i pret të nesërmen! Kjo familje nuk është e vetmja…A mundemi ta ndryshojmë realitetin e tyre? Te vetëm jo! Por nëse të gjithë bashkë do kemi pak më shumë dashuri, atëherë mund ta përmirësojmë këtë dhimbje të madhe!

Adelina Ismaili këndon ‘Zemrën nuk ta fal’ pas dy dekadash në Festival (VIDEO)

Ka qenë mbrëmë ndër të ftuarat kryesore të nderit në Festivalin ku ajo vetë ka kënduar para disa vitesh.

Këngëtarja Adelina Ismaili mbrëmë është ngjitur në skenën glamuroze të Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar për të treguar emocione të ndryshme dhe të reja nga jeta e saj.

“Të jem pjesë e kësaj madhështie është një rilindje për mua. Unë jam fëmijë i festivaleve, kam filluar qysh gjashtë vjeçare në festivale” ka treguar mes tjerash Adelina gjatë bisedës me moderatorin Adi Krasta.

Ajo provoi të risillte pjesë nga performanca e saj në TVSH para disa vitesh ndërsa falënderoi publikun i cili e duartrokiti për disa minuta me radhë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=QdtQ1UBZ3M8

https://www.youtube.com/watch?v=_S9jaoeMpe4

Këta janë finalistët që sonte këndojnë në Festivalin e Këngës në TVSH

Pasi ka përfunduar nata e parë dhe nata e dytë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, janë zbuluar edhe këngët finaliste të cilët do të ngjiten sonte në skenë.

Dikujt ka mundur ti mbetet hatri se këngëtarët e tyre të preferuar mbeten jashtë finales së madhe.

Vetëm tetë këngë kanë mbetur jashtë finales, derisa katërmbëdhjetë tjera futen në finale.
Xhesika Polo, Lynx, Lorela Sejdiu, Endri dhe Stefi dhe Evans Rama janë në mesin e artistëve që kanë mbetur jashtë finales së madhe sonte, në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër, këta janë finalistët që do të këndojnë sonte, në tentimin për të triumfuar në festival dhe kësisoj për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2018-të në Portugali. / KultPlus.com

Artemisa Mithi — “E dua botën”
Bojken Lako — “Sytë e shpirtit”
Denisa Gjezo — “Zemër ku je”
Elton Deda — “Fjalët”
Eugent Bushpepa — “Mall”
Inis Neziri — “Piedestal”
Manjola Nallbani — “I njëjti qiell”
Mariza Ikonomi — “Unë”
NA & Festina Mezini — “Tjetër jetë”
Orgesa Zaimi — “Ngrije zërin”
Redon Makashi — “Ekziston”
Rezarta Smaja & Luiz Ejlli — “Ra një yll”
Tiri Gjoci — “Orë e ndalur”
Voltan Prodani — “E pamundur”