Ky super yll botëror me koncert në Prishtinë (FOTO)

Prishtina do të jetë një ndër kryeqendrat muzikore për këtë vit, pasi që, përgjatë verës do të mbahet një festival ku do të prezantojë artistë me famë botërore, shkruan KultPlus.

Bëhët fjalë për festivalin “Sunny Hill”, që do të prezantohet edhe këngëtarja e njohur kosovare Dua Lipa, por babai i Duas, Dukagjin Lipa, sonte ne NIN ka bërë të ditur se në këtë koncert do të jetë edhe këngëtari i njohur Action Bronson.

Po sipas Lipës, përpos Bronson, në negociata për ta sjellë në këtë festival është edhe DJ i njohur Martin Garrix./KultPlus.com

Trendi i ri i vathëve që doli nga filmi “E bukura dhe bisha” (FOTO)

Filmi Beauty and the Beast apo “E bukura dhe bisha”, është një ndër filmat më të pëlqyer që janë realizuar nga Disney, por këta filma po vazhdojnë të sjellin edhe trende në botën e modës, shkruan KultPlus.

Një vath i vendosur në veshin e të bukurës në këtë film, ka bërë që shumë brende të njohura të lëshojnë në qarkullim vath të ndryshëm që përngjajnë me vathin e të bukurës.



KultPlus ju sjellë disa vath të ndryshëm që tashmë janë lansuar nga kompani të ndryshme./KultPlus.com


FOTO të rralla të princeshave shqiptare në SHBA

Shtypi amerikan botoi shumë artikuj dhe intervista për vizitën e tri princeshave shqiptare në SHBA. Ishte marsi i vitit 1938.

Motrat e Mbretit Zogu I kishin marrë udhëtimin e përtej oqeanit me një mesazh përshëndetje për bashkatdhetarët shqiptaro-amerikanë.

Ato patën shumë takime të rëndësishme, ku shprehën falënderimet e vëllait të tyre, Mbretit Ahmet Zogu dhe u përgatitën për të ndjekur meshën në Kishën Autoqefale shqiptare në Boston.

Gazetari Ben Andoni ka botuar një shkrim, se si e përshkruan këtë vizitë gazeta e njohur amerikane “New York Post” e datës 14 mars 1938.

“Princeshat shqiptare Ruhije, Myzejen dhe Maxhide morën pjesë në Meshën e së dielës në Kishën Ortodokse shqiptare të Shën Jorgos.

Duke qëndruar të heshtura përpara altarit, princeshat myslymane, si vëllai i tyre, dëgjuan lutjet e Peshkopit Noli për Monarkun e Mbretërisë shqiptare…”

Princeshat shoqëroheshin nga i famshmi Faik Konica, që ishte ambasador i Mbretërisë Shqiptare në Uashington. Ato u takuan me shumë shqiptarë, që përshëndetën ardhjen e tyre dhe dërguan falenderime dhe urime për martesën e shpejtë të Mbretit Zog I me Konteshën Geraldina Appony.

Princeshat kryen disa vizita, por edhe ato u vizituan nga shumë përfaqësues të komunitetit shqiptar të Bostonit dhe rrethinave.

Në suitën e tyre, në hotel, ato u vizituan edhe nga Peshkopi Fan Noli. Pas qëndrimit, ku Noli shprehu dëshirën për t’u rikthyer në Atdhe, ai dha disa deklarata shtypi për takimin e gjatë me Princeshat Shqiptare. Siç shkruan ‘New York Post’, Noli i përshkroi Princeshat si “shumë tërheqëse”.

Vizitat e tyre u shoqëruan edhe me një propozim të veçantë nga producenti i famshëm Sam Goldqin. Siç njoftonte agjencia United Press.

Ai kërkoi të merrte princeshat e bukura shqiptare për xhirimin e një filmi për Mbretërinë Shqiptare. Për këtë i dërgoi edhe një kërkesë zyrtare Ambasadorit Faik Konica: “Dëshiroj të diskutojmë me Princeshat mbretërore për të marrë këshillat e tyre eksperte mbi procedurat e Oborrit Mbretëror për prodhimin e një filmi, ndërtuar rreth një Mbretërie mitike, të vogël, por të rëndësishme. Do të dëshironim të diskutonim dhe, nëse është e mundur, që princeshat të dalin në film, siç janë duke portretizuar hierarkinë mbretërore”. Por, ky propozim nuk u realizua dot për shkak të pushtimit fashist të mbretërisë shqiptare.

Vizita e Princeshave shqiptare zgjati disa ditë“. /gazetatema.net/

1923/ Gjergj Fishta: Kriteret që duhet të plotësojë ai që kërkon të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë

At Gjergj Fishta (1923) – Revista Hylli i Dritës

“Për shtetin tonë është nevoja të mblidhet sa më parë Kuvendi i Dheut ose Konstituenta, sepse nevojitet një reformë rrënjësore si nga trajta politike edhe nga parimet kulturore, sipas të cilave të ndërtohet përfundimisht shteti shqiptar.

Për të ligjëruar me ndonjë kalangerç “gishti” intrigat e ambicjet e njërës a të tjetrës kastë, të njërit e të tjetrit idiot surrullup e surrat-qerep, s’ia vlen as mundimi të mblidhet Kuvendi i Dheut, e është një krim të shpenzohen paratë e Shtetit – gjaku i popullit të ngratë – për një komedi kaq të dëmshme të poshtër.

Së pari e kryesorja, delegati për Asamblenë Kushtetuese duhet të jetë Shqiptar. Kur them “Shqiptar” kuptoj Shqiptarin tamam Shqiptar, domethënë: Shqiptar me gjuhë e Shqiptar me të lindur – që të ketë lindur brenda kufijve të Shtetit Shqiptar: e jo Shqiptar adoptiv – bir në shpirt i Shqipërisë – Shqiptar me dy pasaporta në xhep: me valixhe ne dorë e me shtëpi në shpinë të kalit – sot këtu, nesër kushedi se ku: si zogjtë, që ndërrojnë vend sipas këmbimit të stinës.

Prej kësaj rregulle të përgjithshme do të përjashtohen të gjithë ata, që me botime të veta të vlershme kanë ndriçuar e begatuar letërsinë shqipe, e me të holla e vepra të tjera patriotike janë orvatur për triumfin e lirisë sonë kombëtare.

Së dyti, delegatët duhet të jenë burra të ndershëm e njerëz bese e burrnije.
Së treti, ndër kandidatët thjesht shqiptarë e burra të ndershëm, duhen zgjedhur më të diturit e kuvendarët më të mirë. Zgjedhësi që zgjedh delegatin, deputetin për hir të një partie politike, ai bën një faj të rëndë ndaj kombit.

Brumi i kombit shqiptar, muhamedan a kristian qoftë, është i shëndoshë, e si ata që mbahen me parti qeveritare, si ata që përkrahin Opozitën, në këtë brumë mund të gjejnë mjaft burra të ndershëm e të zot të punës: këta le të zgjidhen: e këta pastaj, kur të shkojnë në Asamble, në daçin të mbahen me Qeveri e në daçin me Opozitë.

Burrat e ndershëm do ta shohin vetë se nga është e drejta, do të dinë se nga të mbajnë, mjafton që brenda të mos ketë piça e rrugaçë, sallahana e intrigantë të patur e marre. Sistemi politik e administrativ i sotëm duhet shkulur me gjithë rrënjë, nëse duam që Shqipëria të jetojë e të përparojë.

Majko me shqiptarët e Londrës: Flisni shqip në familjet tuaja

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko vizitoi shkollën plotësuese shqipe në Kilburn të Londrës.

Shkolla, e themeluar me iniciativë të organizatave shqiptare që veprojnë atje, ofron kurse të gjuhës shqipe gjatë së shtunës. Fëmijët, disa prej të cilëve të veshur me kostume tradicionale, i uruan mirëseardhjen Pandeli Majko me këngë e recitime.

Ndërsa u përcolli falënderimet e tij mësuesve dhe prindërve për punën e jashtëzakonshme, siç u shpreh, Majko e vuri theksin tek rëndësia e të folurit shqip ne familje.

Sipas tij, nëna ka rolin kryesor në transmetimin e gjuhës tek fëmijët dhe shmangien e asimilimit të brezave të rinj. Ministri informoi mësuesit, prindërit dhe përfaqësuesit e shoqatës “Ardhmëria” mbi planin e përbashkët të veprimit me qeverinë e Kosovës, sa i përket arsimit shqip në diasporë.

Marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, tha Ministri, do të ndihmojnë për t’u mundësuar të gjithë shqiptarëve jashtë vendit qasje më të lehtë ndaj librave dhe arsimit shqip. Majko foli për hapat e ndërmarrë për realizimin e kurikulave dhe ngritjen e grupit të punës që do të hartojë librat e standardizuar të gjuhës. Ministri vlerësoi qasjen miqësore të Britanisë ndaj komunitetit shqiptar dhe u shpreh i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit sa i përket diasporës atje.

Ndërkaq, në takimin me përfaqësues te komunitetit shqiptar në Londër, përfshirë edhe studentë, Majko tha se diaspora nuk është një çështje politike por ajo kërkon konsensus politik që të mundësohet ecja në një hap e diasporës me shtetin e vet. Ndërsa e konsideroi një sfidë çështjen e diasporës, Majko tha se ishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e strukturave që do të mundësojnë forcimin e marrëdhënies së shqiptarëve jashtë vendit me shtetin e tyre.

Ministri informoi të pranishmit në sallë lidhur me ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës e gjithashtu për projektligjin ‘ombrellë’ , i cili siç tha, do të strukturojë të gjitha institucionet që do të mbulojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me diasporën.

‘Duam të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me diasporën, e cila nuk do të zbehet me ndërrimin e qeverive. Po përpiqemi ta institucionalizojmë atë, në mënyrë që të mos mbetet thjesht një dialog në distancë.

Shteti shqiptar duhet të jetë në një linjë me diasporën e vet”, u shpreh Ministri. Majko vlerësoi arritjet dhe sukseset e shqiptarëve në Britaninë e Madhe por e vuri theksin tek nevoja e një organizimi më të madh në nivele të ndryshme. Duke përmendur aftësitë e brezit të ri, Ministri kërkoi më shumë angazhim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Majko foli edhe për përpjekjet që po bëhen për të krijuar kushte të favorshme për orientimin e biznesmenëve shqiptarë drejt vendit të tyre të origjinës. Gjatë vizitës së punës në Londër, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi bustin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

I shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, Majko vendosi një tufë me lule në monumentin e ngritur me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Homazhet përkojnë me kremtimet për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Ministri vizitoi edhe organizatën ‘Total Family Coaching’, e cila punon me fëmijët, të rinjtë dhe familjet, duke u ofruar ndihmë psikologjike dhe psikoterapeutike për tejkalimin e traumave apo problemeve të mëdha. Drejtuesja e organizatës është një shqiptare nga Prishtina, znj. Adelina Badivuku e ka gjithashtu punonjës të tjerë shqiptarë.

Përparim Kabo letër të hapur At Gjergj Fishtës: At, jam i mrekulluar krenarisht për ju, dhe i frigum nga situata e sotme

Qëndroj përballë veprës tuaj At i nderuar dhe i ranë në gjunjë të falem, sepse çdo ditë që e shkruaj e lexoj e prek shpirtin tënd! Shkronjat që përdorim sot janë latine dhe ato, falë Kongresit të Manastirit të vjeshtës së dytë të 1908-s. Në manastire shkojnë e ndryhen vajza e dëlira, si nën porosi të Apolonit, dhe djemtë që nuk duan me provu maskulitetin e tyre.

Por ja që në historinë tonë kombëtare emri Manastir na kujton dishepujt e kombëtarisë, ata që nuk lejuan të çnatyroheshim pas 500-vjetëve robëri për t’u larguar përfundimisht nga rrjedhat historike të qytetërimit evropian.

Ju u mblodhët atje në një tubim mbarëkombëtar, sepse përfaqësuesit erdhën nga të gjithë trevat: nga Shkodra, Korça, Elbasani, Vlora, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Janinë, Shkupi, Manastiri, Kolonja, Leskoviku, Dishnica, Resnja, Ohri, Mati, Dibra, Follorina, Starja, Kërçova, Prizreni.

Kongresi që ju mbajtët ishte edhe mbarëdiasporik, sepse pati delegatë që përfaqësuan shqiptarët e Italisë, të Bullgarisë, Rumanisë (Bukureshtit, Konstancës), Amerikës, Egjiptit. Por, mbi të gjitha ju i dhatë atij karakterin e një kongresi shkencor mbarëkombëtar, me qëllim hedhjen e themelit të ngritjes së kombit e shtetit kombëtar.

Në thelb të qytetërimeve janë besimet fetare, por edhe gjuha. Tek elementi i parë nuk mund të gjendej uniteti, sepse religjioni ynë ishte një mozaik besimesh. Për shkak të pushtimi të gjatë dhe mbijetesës, ishte bërë devijimi i thellë.

Por, nën petkun mysliman, katolik, ortodoks apo bektashi, besimtari ynë kishte mbetur shqiptar; as ishte turqizuar, siç edhe paragjykoi Kongresi i Berlinit i 1878-s, as ishte greqizuar, siç edhe pretendonin “Gjitonët e sëmurur” me “I Megali Ide”-në e Jan Koletit, por as edhe ishte italianizuar.

Kishin ruajtur gjuhën e nënës, të bukur, të pastër, konservatore dhe gati, në saje të fanatizmit, me trajta arkaike. Ky përrua ekzistencial na kishte mbajtur të pa përçudnuar. Vinte nga mugëtira e fillimjetës At, nga pellazgia jetëshpërgënj, kur nisi të ngrihej njerëzimi.

Siç shkruan George Von Hahn, patre: “… Lidhjet në mes shqipes dhe emnave më të vjetër të perëndive të Greqisë së zbuluem janë dëshmia ma e fortë që shqiptarët e sotëm janë pellazgë”. Ajo nuk kishte humbur, sepse ishte brenda gjokseve të shqiptarëve, ishte në mendjet e në ëndrrat e tyre, të cilat nuk mund të vidheshin, të religjionoheshin apo visheshin ushtare për nizam.

Gaboi rëndë Kongresi i Berlinit Pater, kur tha se atje ka vetëm “shqiptarë të turqizuar”, dhe se Shqipëria është veçse një shprehje gjeografike. E ju ishit atëherë një vocërrak 8-vjeçar, por një shqiptari i rrallë për nga vlerat që do t’ju sillnin bash pas tri dekadash në atë lartësi, ku dhe ju shpuri mendja dhe vepra, penda dhe krijimtaria që shpalosët në Kongresin e Manastirit e më tej gjithë jetën tuaj.

“…Gjuha e popujve të pakulturuem mund të rrudhet dhe të degradohet, format e tyre të mendimit dhe të jetës të mbeten në mijëvjeçarë statik. Kjo dëshmohet bukur qartë në gjuhën shqipe, në të cilën çiftëzohen forma gramatikore tejet të degradueme, me fonetikën më të pasur dhe rrënjët e lashta të fjalëve, të cilat, edhe pse në pjesën më të madhe të dobësueme, mbajnë sidoqoftë aty-këtu të pastër formë e fuqishme fillestare.”

Patët përgjegjësi të dyfishtë At Gjergji: edhe kombëtare, por edhe globale, sepse kjo gjuha jonë e vjetër është edhe rrënjë e thellë e qytetërimit parahelen dhe atij romak.

Kongresi juaj i Manastirit ishte një kongres shkencor me karakter gjuhësor, filologjik dhe arsimor, por edhe në ndihmë të një kleri me fytyrë kombëtare, sepse liturgjia jashtë gjuhës amtare dhe e shprehur në gjuhë të tjera, në jo pak, por në tre, do ta fragmentizonte tragjikisht antropologjinë tonë.

Ndaj, në këtë këndshikim, ju realizuat edhe një lloj protestantizmi civil, duke i hapur rrugë një kleri dhe liturgjie kombëtare.

Kongresi ishte shkencor edhe për një arsye tjetër, sepse delegatët e zgjedhur vinin nga shoqata dhe organizata patriotike në qëllimin e tyre, por tërësisht të diturisë, të shkencës, të akademizmit dhe të letrave – në përmbajtjen e tyre dhe në aktivitetin e deriatëhershëm gjithë po aq.

Këtej buroi klima e mirëkuptimit, sjellja e tolerancës, marrëdhënia e dialogut jopërjashtues, fryma e ekzigjencës shkencore dhe e orientimit vizionar evropian të Kongresit të bekuar të Manastirit.

Ndërgjegjja shkencore akademike u shpërfaq si autoriteti vendimmarrës; ndaj dasitë antropo-kulturore, të folmet dialektore, apo arritjet e deri asaj dite nuk prodhuan dot pengesa dhe nuk u gjykuan si të tilla.

Ylli polar ishte atdheu dhe atij Ju i ishit falë.

Zgjidhjet që vijnë nga shkenca dhe nga dishepujt e saj janë të tilla që reflektojnë pjekuri, ushqejnë vetëpërmbajtje dhe dritojnë largpamësi.

Ato ngrihen mbi folklorizmin, patriotizmin kallp vetëizolues dhe vetëcopëtimin e frikshëm pseudopatriot, që shpie verbazi në pështjellime, ku njëra pjesë t’i bjerë tjetres, në interes të një triumfi separatist që deformon gjithë procesin.

Vetëm përfaqësues të tillë shkencor mund të gëzojnë edhe tagrin e përfaqësimit të bashkëkombësve jashtë dhe larg kufijve të trugut dhe kombëtar.

Dituria nuk matet me kufijtë, por me progres. At i respektuar me emrin e bukur Gjergj, dëshiroj të të them se, nga largësia e njëqind viteve kur ju e mbajtët e atë tubim, sot mund të kumtojmë që Kongresi i Manastirit, me vendimet që more e me hapësirat që çeli është i pari kongres shkencor mbarëshqiptar, dedikur elementit palcor të identitetit historik, gjuhës së nënës, që ishte gjuha shqipe.

Njëherësh, kongresi ka kontribute universale, sepse, duke e mbajtur këtë vlerë unikale në strukturë të shkronjave latine e ruajti për të mos i humbur tiparet themelore. E gjithë kjo, që të mos këputej filli historik, kontinuiteti epokal dhe vijueshmëria e qytetërimeve që sot pranohet gjerësist si qytetërimi parahelen, i cili nuk mund të ishte as memec as pa identitet.

Ruajtët Atë atë që një studues i sotëm nga treva e Matit njohës i shkëlqyer i egjiptologjisë, i mitologjisë greke e romake, i historisë dhe i liturgjisë, e quan shterueshëm dhe me formë aksiomatike: shqipja, kjo “fosile e gjallë” e pellazgjishtes. Sikur për një moment të mendojmë që të ndodhte deformimi si edhe jua kërkoj në kongres me letrën e tij të gjatë greku D. Kurilius ose Kuterius – ata që kanë zbardhur dokumentacionet shënojnë se nuk i dallohet mirë emri, por kjo pak rëndësi ka; mund ta quajmë antishqiptari – do të humbte jo thjesht gjuha jonë e bukur, por një pasuri universale unikale, shenjëzimi kuptimor i gjenezës evropiane, mitokracia pellazge, kjo formë e parë e dijes globale.

Nuk ndodhi, falë jush, njerëzve të mençur, që pikërëndesat e historisë i mbajtët në ekuilibra prej filigrani dhe patët si motive të jetës e të aktivitetit tuaj atdheun, popullin, kombin dhe dinjitetin e tij.

Ndërsa Kongresi i Manastirit hodhi themelet e pavarësisë kombëtare. Pas betejës së Sedanit të shtatorit 1870 dhe fitores mbi francezët, Bismarku, themeluesi i shtetit modern gjerman, i bashkoi protestantët dhe katolikët në shtetin modern, duke e filluar këtë njësim me Kongresin mbi Arsimin dhe duke iu dhënë organizatorëve leksionin e radhës, se “ndryshimi në arsim nuk fillon nga universitetet, por nga arsimi elementar”.

Edhe ju At i donit shkronjat dhe ABC-në latine, sepse, paçka se vijonte sundimi xhonturk, brenda asaj hapësire që lejonte kushtetuta e tyre kishit qëllim që në shkollat turke dhe në ato greke të futej edhe shqipja dhe, krahas kësaj, të hapeshin edhe shkollat shqipe, unë ndihem i turpëruar para Jush sot, por dua t’ju bëj me dije se kemi aq shumë shkolla turke e greke në Shqipëri pas 100 vjetëve të kongresit, dhe ju bëjmë aq lavdërime dhe temena – duke i quajtur, deri edhe siç ndodhi para ndocakohe, kur një shkollë e huaj ku flitet edhe pak shqip u quajt më e mira në vend – saqë Ju, themeluesit e kombit, do duhet të rimblidheshit për ta vendosur shoqërinë në udhë të drejtë dhe shqiptarizmin në binarë.

Objektivin e parë At Gjergji e patët të vështirë, se reformatorët e Portës së Lartë ju prenë në besë, ju përndoqën e arrestuan kudo, në Tiranë, Korçë, Vlorë e gjetiu. Por patriotët dhe mësimdashësit e shqipes, klubet kulturore të mendimit, nuk u thyen, nuk u trembën, nuk u tërhoqën. Edhe objektivin e dytë e bëtë realitet, sepse në vitin 1909 u mblodh Kongresi i Arsimit në Elbasan, çka solli edhe të parën shkollë normale për të përgatitur mësues. Po mbaronte periudha e gjatë e medreseve, ku përgatiteshin hoxhë, dhe po fillonte një erë e re e një protestanizmi civil laik, e dijes dhe e shkencës.

Në vitin 1879, At i respektuar, pra fill një vit pasi u shpall Lidhja e Prizrenit, që hodhi themelet e shtetit kombëtar, u krijua Alfabeti i Stambollit (që në Toskëri njihej si alfabeti i Frashërllinjve), por që barti mençurinë e krijuesve, si të Sami Frashërit, nga Dangëllia –drita e diturisë përpara le të na shpjerë; të Vaso Pashë Shkodranit nga Shkodër Locja se – feja e shqiptarit është shqiptaria; të Kostandin Kristoforidhit nga Elbasani, që më 1872-shin përktheu në shqip Biblën; të Jani Vretos nga Postenani; të Tahsim Hoxhës nga Filati, aq pranë Dodonës, qendrës së pellazgëve, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dijetar i hapësirave nga “raca e keplerianëve”.

At Gjergj Fishta, jam i mrekulluar krenarisht për ju, dhe i frigum nga situata e sotme, kur sjell në mendje se sa bukur e administruat Ju kongresin, si një forum institucional. Zgjodhët një president, të nderuarin Mit’hat Frashëri- megjithëse ende ai nuk kishte mbërritur- sepse vlerësuat kontributet, emrin e Frashërllinjve dhe mendjen e tij të thellë. Të gjithë njëzëri u gjendët në një mendje e në një fjalë. Dolët e pritët në stacion kur mbërriti në mbrëmje dhe ia lavdëruat Frashërin dhe kontributet e bijve të tij, për shërbimet e tyre ndaj atdheut. E Mit’hat beu, delegatit nga Shkodra që ia tha ato fjalë zemre, iu përgjigj se “shërbimet që Shkodra i ka bërë shqipes janë të panumërta, sepse kur shqipja qe e ndaluar kudo gjetiu, Shkodra pati privilegjin të vazhdonte ta përdorte dhe të punonte për përparimin e saj”.

E çelët Kongresin si një tubim të hapur edhe me njerëz të tjerë, e nxënësit e shkollës së mesme (idadijes) kënduan këngë patriotike, por, si europian nga qytetërimi, ju zgjodhët për mbarëvajtjen e tij një presidencë. Pas presidentit qëndronin si nënpresident zoti Gjergj D. Qiriazi dhe ziti Luigj Gurakuqi, ndërsa për sekretarë Nyzhet bej Vrioni nga Berati për gjuhën turqisht dhe Hil Mosi e Thoma Avrami për gjuhën shqipe.

Mënyra si operuat ju At Fishta më mrekullon për funksionalizmin dhe procedurat , sepse kongresi, për të kapërcyer situatën e alfabeteve që vepronin, për të mos u penguar nga dasitë dialektore dhe krahinore dhe për të mos e vënë fenë mbi kombin, e gjeti të udhës të krijonte një komision me 11 veta, që e kryesuat ju At Gjergj Fishta, dhe ku presidenti i Kongresit ishte anëtar.

Ju dhatë besën se, pa përfunduar, nuk do të informonit asnjë delegat të kongresit, i cili ju kishte mandatuar, dhe kishte vendosur unanimisht që përfundimet e komisionit do të ishin të pakontestueshme. Puna juaj nuk ishte e lehtë dhe e thjeshtë, sepse aso kohe kishte rreth gjashtë-shtatë alfabete të ndryshme, nga të cilat katër ishin më të përhapurat.

“Alfabeti i Stambollit që përdorej në Toskëri. Atë e përdorte Shkolla Shqipe e Vajzave në Korçë dhe shumë libra shkollorë ishin shtypur me të. Në Shkodër dhe në Shqipërinë e Veriut përdoreshin tri alfabete, njëri syresh njihet si Alfabeti i Jezuitëve; i dyti si Alfabeti i Bahkimit dhe i treti si Alfabeti i Agimit. Me Alfabetin e Jezuitëve kishin shtypur vetëm disa libra kishtarë dhe ndonjë revistë mujore. Ky alfabet është përdorur për 300 vjet. Dy të tjerët qenë përdorur në shkollat katolike në Shkodër dhe në fshatrat rreth e përqark këtij qyteti.”

Logjika gjithëplanësore, mbi të cilën arsyetoi kongresi, ishte se pasja e shumë afabeteve shpinte te fragmentizmi, dhe jo te bashkimi, sepse nuk mund të lexoheshin nga të gjithë ato që shkruheshin e që botoheshin. Ishte humbur shumë energji dhe pengohej përparimi kombëtar drejt pavarësisë kombëtare dhe shtetit kombëtar të pavarur, “për të mos përmendur këtu pengesën e madhe prej qeverisë (turke), e madhe sa askush nuk guxonte të thoshte se ishte shqiptar”.

At Gjergji, ndoshta të shtiva në kujtime të thella e të vyera, por për ne sot veprat tuaja janë memorie historike, nga edhe ku orientohesh për hartën e rrugës.

Ditën e tretë të kongresit, të hënën në mëngjes, e mori fjalën prifti katolik nga Durrësi Dom Nikollë Kaçori. Përtej identitetit fetar, ai u shpreh qartazi se “do të adaptonim me gëzimin më të madh të përdornim atë alfabet që do të caktohet”. Kjo nënkuptonte se shqipja e shkruar do të ishte tash e tutje edhe gjuhë liturgjike. Përpjekjet kishin filluar qysh më 1907-n, si nga shqiptarët e Amerikës ashtu edhe nga një prift amerikan në Korçë, i cili kishte ndikuar thekshëm që të kishte një bilinguizëm në liturgji, herë greqisht e herë shqip.

Nëse të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja, si gjuhë të saj do të kishin po gjuhën amtare, tanimë edhe të shkruar e me një alfabet standard latin, kjo do të thoshte se bashkëjetesa fetare dhe harmonia fetare kishin gjetur një mjet komunikimi universal të njëjtë. Shoqëria fetare nuk do të vinte më ndesh me shoqërinë laike, për shkak të komunikimit në gjuhë të ndryshme. Vetë njeriu ynë po futej në një udhë ku brenda arsyes nuk gjente pengesa komunikimi mes formave të tij të ndërgjegjes.

Hej At Gjergj Fishta, më ndalet fryma kur citoj ato fjalë që thatë Ju pas zotit Kaçorri: “Unë nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga këto alfabete, por kam ardhur të bashkohem me ju dhe të adaptoj atë alfabet, të cilin Kongresi do ta vendosë si alfabetin më të dobishëm për ngritjen e popullit”. Ju kumtuat At se shqiptarët kishin humbur shumë në lëmin e qytetërimit dhe të arsimit, për shkak të mungesës së një alfabeti të përbashkët. Kulmimi juaj ishte klithmë lirie, dinjiteti ekzistence e prosperiteti historik, kur e mbyllët fjalën tuaj: “Armiqtë që e kanë rrethuar Shqipërinë janë shumë dhe secili prej tyre përpiqet të rrëmbejë për vete ndonjë copë. Por ne, edhe po të mos mundim ta mbrojmë atdheun me fuqinë morale që kemi, do ta mbrojmë atë me armë në dorë dhe nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të marrin qoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare!”.

E kuptoj At, atë që po shkruan asokohe Gjergj Qiriazi për këto fjalë: “Unë nuk do jem i zoti t’i shkruaj në letër gjithë këshillat e vlefshme të Patër Fishtës, me të cilat secili nga ne u impresionua; ai na i preku zemrat aq shumë, saqë myslimanë e të krishterë nuk mundëm t’i mbanim lotët. Kur Patër Fishta po zbriste nga platform, Hafëz Ibrahim Efendi Hoxha nga Shkupi u sul drejt tij, e përqafoi me sytë mbushur me lot dhe e puthi. Kjo skemë, në praninë e treqind-katërqind njerëzve, nga të cilët tre të katërtat ishin myslimanë, la një përshtypje të madhe”.

Delegimi prej kongresit i kompetencave për hartimin e vendimeve nga një komision i mirëfilltë specialistësh prej 11 vetash, me në krye At Gjergj Fishtën, i cili nuk kishte të drejtë të merrte vendime me më pak se tetë veta, është tregues se Kongresi i Manastirit operoi me një Asamble të Gjerë Shkencore vendimmarrëse, bazuar tek autoriteti i dijetarëve të mirëfilltë. Ju e hapët mbledhjen e komisionit Patër Gjergji me fjalët e gdhendura dhe të arsyetuara për atë kohë dhe për këtë tonën: “Kjo detyrë që kombi na ka ngarkuar është një detyrë e madhe, sepse alfabeti, mbi të cilin do të vendosim, është boshti i kombit dhe i vetmi mjet, me të cilin kombi do të përparojë”.

At, më ndje, sepse ndoshta zemrën do të ta thyej, por ka gati dy dekada që shumë shqiptarë kanë marrë dhenë në kubet e të shumtit janë në Greqi e në Itali. Fëmijët e tyre nuk e mësojnë shqipen, por greqishten dhe italishten; bile edhe emrat i vënë jo më si të shqiptarëve. Kjo pjesë e breznive të reja të kombit po lëviz pa bosht dhe, dihet: rrota pa bosht të shpie atje ku s’duhet.

Po du me Ju sjell në mendje atyre dhe njerëzve që paguhen për me zgjidh këto çështje jetike do rreshta nga shkrimi yt Patër, “Gjuha shqype”, e shkurtit të 1917-s. “Ma e para punë pra qi lypet n’interese t’mbatunit t’gjuhës shqype asht kjo qi gjuha shqype të mbahet gjuhë msimi nder t’gjitha shkollat fillestare t’Shqypnis…Ata prind qi fmive t’vet nuk jau apin msimet e para n’kët gjuhë, ata, mas mendimit tonë, punojnë drejtpërdrejt kundra intereseve t’Shqypnis”.

At Gjergj Fishta, më lejo të kthehemi edhe njëherë të Kongresi i Manastirit dhe te puna e komisionit që ju drejtuat. Vendimi primordial që “të adaptohej alfabeti latin si bazë dhe pastaj të vendosej së çfarë tingulli t’i jepej çdo shenje. Dhe, sa për shenjat e tingullit, e gjetur në alfabetin latin, do të pranohej çdo lloj shenje që do të caktonte komisioni, sipas nevojës së tingujve që kërkon gjuha shqipe”.

Kjo ishte përgjegjësia dhe sfida juaj, ku edhe u sendërtua kapaciteti juaj shkencor dhe ai europian. Ju e gjetët mirëkuptimin edhe kur pranuat të përdoreshin të dyja alfabetet, edhe ai i Stambollit (Frashëri), por edhe ai latin. Veçse kambana e arsyes erdhi nga fjalët tuaja At i nderuar Fishta!

Ju e drejtuat kongresit-kur në sallë ishte edhe dërrasa e zezë ku ishin shkruar shkronjat, të cilat i solli Luigj Gurakuqi-me këto fjalë epokale që shihnin nga një e ardhme europiane e atdheut: “Alfabeti i Stambollit është i mjaftë për t’iu përgjigjur nevojës së kombit, porse, që të mund të shtypeshin libra përjashta Shqipërisë dhe për të dërguar telegrame jashtë, kemi nevojë të zotërojmë një alfabet me shkronja krejt latine”. Dhe fjala juaj u mbyll me duartrokitjet e brohoritjet “Rroftë Alfabeti!”.

E shihje gjuhën dhe kulturën si pjesë të qytetërimit europian, ndaj gjykove dhe këshillove si shkencëtari i parë europian, yni At Gjergji! Në Europë shkohej me libra e me dokumentacion; pra, me kulturë e me institucionalizëm parashikove, o mëndje horizontesh!

At Gjergj Fishta, të falem që pranove të bisedonim në këtë ditë Feste Kombëtare (jo zyrtarisht), dhe më fal se vite më parë na kishin mbyllur sy e vesh për të mos fol me ty! Aq sa njerëz të letrave, që u besonim sinqerisht, na impononin një deformim të frikshëm të gjenisë tënde. Ndaj, të lutem, sot, kur edhe eshtrat t’i kanë hudh’ në lumë e lundrojë oqeaneve, si ADN-europianizmi, thirre një meshë mëshire dhe kujdesi për të gjithë ne që çdo ditë përdorim ABC-në që krijuat ju, vetëm për një qëllim: lartësimin e atdheut e të kombit, se veç dashurisë për ta Ju nuk kishit gja tjetër më të shenjtë!

Amen!

Ekspozitë shitëse për Bekim Lumin

Të mërkurën, në ora 18:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë do të hapet ekspozita shitëse, ekspozitë kjo që dedikohet për shërimin e regjisorit Bekim Lumit, shkruan KultPlus.

“Shpresojmë që të reflektoni për ta ndihmuar profesorin i cili po vuan nga sëmundja e kancerit, shpenzimet financiare për kurimin e tij janë të pa përballueshme që ti mbuloj i vetëm, ne së bashku mund ti ndihmojmë me sado pak kontribut që ti sigurojmë mjetet e nevojshme që i duhen më shumë se kurrë profesorit, edhe më shumë na duhet ai neve dhe vendit tonë sepse është vlerë e madhe për UP-në dhe Teatrin Kombëtar. Ne mund ti ruajmë vlerat tona”, thuhet nga organizatorët e kësaj ekspozite, që është Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura në Prishtinë.

Autorët që kanë nxjerrë në shitje veprat e tyre janë: Visar Sylaj, Imer Gashi, Arbresha Gashi, Bedri Haziri, Fjolla Ferati, Arben Elshani, Valdrin Thaçi, Lumturie Krasniqi, Shkurta Haxhiu, Egzon Arifi, Avni Demiri, Edison Bibaj, Ardita Krasniqi, Arlinda Kabashi, Sabri Rushiti, Krenare Sejdiu, Edmond Hoti, Donat Krasniqi, Gentian Gashi, Gentiana Thaçi, Arbresha Lakna, Gentiana Belallari, Filloreta Gashi, Qendresa Zeka, Ardhmerie Bregovina,Dardan Murseli, Dardan Shala, Ajnesha Berisha, Besa Sopaj, Albana Ejupi dhe Arbnor Karaliti./KultPlus.com

Franca Viola një grua inspiruese, refuzoi martesën me dhunuesin e saj dhe ndryshoi nenin 544 në Kodin Penal të Italisë

Franca Viola, vajza që refuzoi të ashtuquajturën “martesë riparuese”. Ishte historia e saj, që në Itali ndryshoi nenin 544 të Kodit Penal të Italisë. Deri më parë, në rastet e përdhunimeve, krijohej një marrëveshje që qonte në martesën e viktimës me përdhunuesit. Kjo quhej si një lloj riparimi i veprës së kryer, sepse asokohe përdhunimi nuk cilësohej si një cenim i personit, por i moralit të shoqërisë.
Kjo vajzë, në ato vite pati guximin të refuzonte martesën me dhunuesin e saj, duke ngritur debatin dhe polemikat, që quan në ndryshimin e atij neni.

Dita e Shën Stefanit sjell në mendje një histori italiane që tronditi shoqërinë e kohës, duke modifikuar në mënyrë të pakthyeshme jo vetëm kodin penal, por edhe mentalitetin e vendit. Ishte viti 1965, atëherë 17 vjeçarja Franca Viola, një vajzë e re siciliane nga Alcamo, u rrëmbye së bashku me vëllain e saj 8 vjeçar, u mbyll në një shtëpi dhe u përdhunua në mënyrë të vazhdueshme për tetë ditë rresht nga Filippo Melodia, një djalë vendas. Në ditën e Vitit të Ri, babai i Franca Violës u kontaktua nga prindërit e Melodia-s në mënyrë që të detyroheshin prindërit e vajzës që të pranonin martesën riparuese mes dy të rinjve – të ashtuquajturën”paciata” – praktikë shumë në modë asokohe. Prindërit e Frankës u shtirën sikur pranuan, por në bashkëpunim me policinë, më 2 janar të vitit 1966 agjentët e policisë ndërhynë për të liruar vajzën, duke arrestuar Melodia-n dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pse historia e Franca Violës e ndryshoi Italinë përgjithmonë? Sipas moralit të kohës, një vajzë jo e virgjër për shkak të një përdhunimi, duhej domosdoshmërisht të martohej me rrëmbyesin e saj për të ruajtur nderin e saj dhe, mbi të gjitha, atë të familjes. Në nenin 544 të Kodit Penal, thuhej: “Për krimet e përshkruara para nenit 530, martesa, që autori i krimit kontrakton me palën e dëmtuar, shuan veprën penale, madje edhe për ata që kanë bashkëpunuar në të njëjtin krim, dhe nëse ata janë dënuar, pushohet ekzekutimi i dënimit dhe efektet penale”. Kjo përkthehet, në atë kohë ligji lejonte që të shuhej krimi i rrëmbimit dhe përdhunimit ndaj një gruaje thjesht duke pranuar martesën me të, që këtej mori kuptim shprehja martesa riparuese, riparuese për dosjen penale të keqbërësit në mënyrë që ai të dilte krejtësisht i pastër, pavarësisht se kishte bërë një veprim të gabuar. Megjithatë, në atë kohë, përdhunimi nuk konsiderohej krim kundër personit si sot, por një krim kundër moralit publik dhe dënimet, pra, ishte shumë më të ulëta se ato të sotmet.

Historia e Franca Violës, ama, ngriti polemika të forta dhe të papritura, të cilat kontribuan në një ndryshim të mprehtë të ritmit. Melodia u gjykua dhe u dënua me 11 vjet burg, gjyqtarët nuk besuan akuzat e thëna nga djali për të diskredituar vajzën, duke pretenduar se ajo kishte rënë dakord për ndodhinë që ti vinte prindërit e saj para faktit të kryer dhe t’i detyronte ata që të jepnin autorizimin për martesë. Rasti i Franca Violës, çoi në demonstrata dhe deklarata nga feministet dhe shoqëria civile, të cilat bënë presion derisa u shfuqizua Neni 544 i kodit penal që i jepte këtë rrugëdalje përdhunuesve. Kështu, pas vitesh debati, neni u shfuqizua më 5 gusht të vitit 1981, ndërkohë që vetëm 20 vjet më parë, në vitin 1996, përdhunimi u njoh më në fund në Itali si një krim kundër personit dhe jo kundër moralit publik, me rritje konsekuente në ashpërsi dhe ndëshkime. Falë betejës së saj, e reja Franca Viola u bë – dhe ende është – një simbol i emancipimit të grave në Itali, gruas që arriti të ndryshonte përgjithmonë mentalitetin e një vendi./A.A.

Të mendoj ty tani

Poezi e shkruar nga Beso Bashllari.

Te mendoj ty tani,
Një plake gjashtëdhjetë vjeçe,
Te takohesh me mua,
Shtatëdhjetë vjeçarin plak.
He, të them,
Ti atëherë nuk deshe,
Te putheshim një here se do ikja larg…

Të mendoj ty tani,
Një plakë gjashtëdhjetë vjeçe,
Te takohesh me mua,
Shtatëdhjetë vjeçarin plak.
Dy te rinj atje tej të dehur në epshe,
Dhe ne duke pire një kafe…më pak

Dren Abazi me Zig Zag Orchestra me koncert në Teatrin Popullor të Maqedonisë

Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra ka rezervuar datat për një koncert të madh në Shkup, shkruan KultPlus.

Pas paraqitjes në Tiranë, Dren Abazi me koncertin “Mes Yjesh” do të paraqitet në Teatrin Popullor të Maqedonisë. Ky koncert do të mbahet më 15 prill, dhe fillon në ora 20:30. /KultPlus.com

Oprah Winfrey: Për të qenë të suksesshëm bëjini vetes këtë pyetje…

Winfrey, e cila u ngrit nga askundi për t’u bërë një pionere e medias dhe miliardere e sukesshme, thotë: “Ky është me të vërtetë sekreti i suksesit tim”, gjatë një fjalimi në Kolegjin Smith.

Dhe pikërisht, të gjithë duam të dimë se kujt po i referohej, figura më e dashur amerikane që po përflitet se mund të kandidoj dhe për postin e presidentit në zgjedhjet e ardhshme.

Sekreti, shpjegon ajo, është “fuqia e shërbimit”. Por ju duhet të përuleni dhe të besoni se suksesi është i barabartë me shërbimin ndaj të tjerëve.

Ajo i referohet autorit të sukesshëm Gary Zukav, i cili beson se ju duhet të jeni të vetëdijshëm për atë që dini të bëni më mirë dhe se cili është qëllimi juaj në këtë botë – për çfarë duhet të shërbeni. Ajo flet për zbulimin e vetes.

Pyetja që Winfrey do që secili prej nesh ti bëj vetes është: Si mund të jem i dobishëm? Përkthimi: Cilat janë talentet unike që kam për të ofruar? Çfarë mund të bëj në mënyrë specifike?

Hapi 1: Besoni në arsyen “pse” prapa çdo gjëje që ju bëni. Duhet të besosh se po bën diçka kuptimplotë.

Hapi 2: Gjeni talentin tuaj unik dhe investoni gjithë veten tuaj në shërbim të qëllimeve tuaja. Ju duhet të përdororni vazhdimisht dhuratat që zoti ju ka dhënë.

Hapi 3: I pari je gjithmonë ti!! Nëse e vendosni veten të fundit dhe konsumoheni, nuk do të keni më asgjë për të tjerët, aq më pak për qëllimet që po përpiqeni të arrini. Kjo është mënyra se si Oprah Winfrey, e përcakton suksesin.

“Mos pranoni thërrimet. Kemi lindur gra dhe jo milingona”, këtu janë disa thënie të mëdha nga njerëz të mëdhenj

“Mos pranoni thërrimet. Kemi lindur gra dhe jo milingona”. – Marilyn Monroe

“Suksesi? Nuk e di se çfarë do të thotë kjo fjalë. Jam i lumtur, por suksesi, për mua është paqja e brendshme. Është një ditë e bukur për mua. Ky është suksesi”. – Denzel Washington

“Përpiqu të mos bëhesh një njeri i suksesit, por një njeri i vlerave”. – Albert Einstein

“Udhëtimi i një mijë kilometrave, fillon me një hap të vetëm”. – Lao Tzu
“Sekreti i ecjes përpara qëndron tek nisja”. – Mark Tuein

“Është e vështirë të dështohet, por më e keqja nga të gjitha është të mos jesh përpjekur kurrë për të patur sukses”. – Teodor Ruzvelt

“Një ditë e keqe për egon tënde është një ditë e madhe për shpirtin tend”. – Jillian Michaels

“Gjëja më e tmerrshme nuk është t’i copëtosh zemrat, por e kundërta, t’i shndërrosh ato në gurë”. – Oscar Wilde

“Sa më bosh koka, aq më e gjatë gjuha”. – Bruce Lee

“Vështirësitë e jetës disa i lodhin,të tjerë i forcojnë.Nuk ka asgjë në botë që të vrasë shpirtin e atij që ëndërron të arrijë diçka në jetë”. – Nelson Mandela / bota.al

Mbi Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe partneritetin publik-privat

Shkruan Bajram Peçi.

Është e njohur që njerëzit me pushtet janë më të fortë se qytetarët e tjerë. Me pushtetin që u ka ardhur në dorë ata mund të shndërrohen, në mos tiranë, në njerëz që pushtojnë hapësirat e lirisë intelektuale. U imponojnë të tjerëve të pranojnë atë që ata pëlqejnë dhe mendojnë.

Një të tillë sjellje u përcolli qytetarëve kryeministri Edi Rama për ndërtimin e teatrit të ri. Po pranoj që në krye se jam dakort që ndërtesa e vjetër të prishet, madje sa më parë, sepse nuk është e denjë për emrin që mban. Por nuk mund të jem si qytetar dakort me projektin e afruar. Çdo argument i parashtruar deri tani në media, përfshi dhe të qenit autoritet bashkëkohor i danezit projektues, s’më ngjisin dhe nuk janë bindëse.

Të gjithë njerëzit me mend në kokë besoj se do të bien dakort kur të afroj (edhe pa qenë nevoja të jesh arkitekt, se s’është domosdoshmërisht e nevojshme) shembujt e stilit dominues arkitektonik, klasik e neoklasik, që janë përdorur në Europë dhe Amerikë, për ndërtimin e pallateve të drejtësisë dhe teatrove. Lutem vëmendje! Po përsëris: drejtësisë dhe teatrot!

Si një stil i bazuar në format antike të arkitekturës greke dhe arkitekturës romake, arkitektura neoklasike u imitua prej shteteve të qytetëruara në një masë më të madhe te ndërtimet që përmendëm. Të paktën prej tre shekujsh, projektuesit e ndërtimeve të teatrove kombëtare dhe pallateve të drejtësisë (gjykata e prokurori) kanë vazhduar të marrin hua nga modelet greke dhe romake shtyllat Dorike, Jonike e Koritnike, si dhe trekëndëshin e epërm ballor të mbulesës.

Mund të thuhet se neoklasicismi është stili më i popullarizuar i ndërtesave ku punon qytetari i botës së artit e të drejtësisë, madje dhe të shumë institucioneve shtetërore. Ato nuk ishin rastësi në zgjedhje e aq më pak shije personale e kryeministrave apo kryetarëve të bashkisë. Përkundazi, ishin të motivuara dhe projekti u besohej pesonaliteteve më të larta të artit e krijuesve më në zë të arkitekturës.

Përmes ndërtesave hijerënda qytetarëve u përcillej autoriteti i shtetit, pushteti i tij dhe respekti i lartë që duhej të ushqehej ndaj artit dhe drejtësisë. Teatrot dhe pallatet e drejtësisë të thoshin: ne jemi shteti dhe kultura! Mermeri dhe pamja e tyre i jep qytetarit siguri, përmes arkitekturës te pallatet e drejtësisë popullit i jepet kuptimi i nënshtrimit vullnetarisht ndaj ligjit, ndërsa te arkitektura e teatrove u plazmohet qytetarëve dëshira për edukim e qytetari.

Arkitektura klasike e teatrove europiane, me bukurinë që shfaqin, ja ka dhënë popullit objektin art si harmoni, si edukim dhe si virtyt. Shihni jo larg, por fqinjët, si i kanë teatrot? Athina, Zagrebi, Beogradi, Bukureshti, Sofja, ndërtimet teatrore janë klasike e neoklasike, me imitime ballore të panteonit. Tani po thuhet se çfarë i duhen këto cilësi Teatrit Kombëtar të Tiranës? Përse i duhet “fshatit” tonë kjo bukuri dhe përsosmëri e krijuar nga njeriu? Mbase kanë të drejtë! Është punë shijesh të atij që ka të drejtën parësore të zgjedhë dhe ky, si rregull, është kryeqeveritari, ndaj as që kam ndërmend të përfshihem në zënka fjalësh se rrezikoj t’i largohem pyetjes time të varfër: pse Tirana të mos e ketë teatrin në pamje siç e meriton një kryeqytet?

Në gjegje të kësaj pyetjeje të mjerë, zgjidhja është dhënë. Ky versioni ultramodernist bëhet se qeveria nuk ka para. Kësisoj është gjetur të aplikohet mënyra që la kryeqytetin me stadium pa pistë atletike, hapësirë e cila ju la në përdorim privatit, si rrjedhë e bashkëpunimit të partneritetit publik-privat. Domethënë: unë privati të ndërtoj teatrin (ku do kem dhe hapësira të mijat si pronë), ti publiku (shteti-qeveria dhe unë) më jep tokë të bollshme që të ndërtoj banesa shumëkatëshe, përmes të cilave shlyej investimin që i “fala” popullit dhe nxjerr fitime të disafishta.

Njerzimi, me natyrën e përpunuar që mori nga rruga në qytetërim, i dha fillimisht vetes dy arte, atë të muzikës dhe atë të teatrit. Të dyja shërbyen për të zbutur shpirtin e për ta zbukuruar atë. Teatrot e lashta dhe ato të periudhës së Rilindjes mbeten si vëndet më të vizituara nga turistët. Ato janë madhështore, sepse i tillë ishte kujdesi i shtetit. Ato nuk u ndërtuan me tendera publikë, as me partneritete publike-private. Ato i ndërtoi vëmendja e përqendruar e shtetit të përgjegjshëm ndaj qytetarit të vet. Diku, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhanë ndihmesën e tyre edhe filantropët Rokfeler e Morgan, e plot të tjerë.

Ata nuk fituan tendera, por dhuruan teatro, universitete, spitale, shkolla, biblioteka. Emrat e tyre janë simbol i kapitalizmin të egër, por në fund…miliardat ja kthyen popullit, duke i ndërtuar hapësirat për edukim, kulturë e shërbim shëndetësor. Edhe “filantropët” shqiptarë kanë dhënë ndihmesën e tyre, duke sjellë Realin e Milanin për të luajtur futboll me Ersekën, si për të na turpëruar edhe më, se nuk mjaftonin bëmat e ’97-tës.

Pamja e ndërtimeve me ballina të stilit klasik, me kolona dhe atë trekëndëshin, ku në më të famshmin panteon Fidia vendosi grupin skulpturor, u përdor në një shumëllojshmëri ndërtimesh nga perandoritë mbarëbotërore dhe monarkitë feudale, nga regjimet totalitare dhe nga demokracitë. Neoklasicizmi e ktheu stilin klasik të antikitetit grek dhe romak në një nivel monumental, i cili përfshiu sidomos teatrot. Me fasada të zbukuruara nga shtylla Dorike, Jonike ose Korintike, të mbuluara ndoshta prej një kupolë të stilit të Rilindjes, teatrot të krijojnë njëherësh përshtypjen e lartësisë dhe të madhështisë së ndërtesës, por sidomos të lartësisë shpirtëror të artit.

Shqipëria s’pati kurrë mundësinë për të ngritur të paktën në një qytet të sajin, Tiranën, një teatër monumental. Nga pushtimi turk, që i kish bërë lanet teatrot, erdhëm në pushtimin italian, prej të cilit fituam këtë gërmadhën prej pupliti (tallash druri i ngurtësuar me çimento). Mbase, ata nuk do kishin ngelur tek ky ndërtim i kryer rrëmbyeshëm si strukturë e kulturës fashiste për “Pas pune”, madje jam i bindur se do kishin ndërtuar një teatër monumental, po të mbeteshin dhe ca vite.

Të ardhurit e rinj, rusët e Bashkimit Sovjetik, sollën në Tiranë projekte ndërtesash të sovkozeve (si Shallvaret dhe ato te Bulevardi Zogu I), por kur ndërtuan në Orikum Teatrin apo Klubin e Kulturës, për ushtarakët e Traktatit të Varshavës, patën vëmendjen e duhur të bënin një të tillë siç i bën bota. Na lanë në Orikum të vetmin teatër që ka ballinë monumentale, siç i ka hije këtij arti. Ndonëse me përmasa modeste, përsëri ai është impresionues me pamjen e tij. Në periudhën kur Shqipëria pati si president zotin Mejdani, u aktualizua një lëvizje për t’i dhënë Tiranës një teatër të tillë. Si dhe pse s’u bë, pse s’ju shkua deri në fund, s’di të them?!

Mbase sot arti i teatrit nuk ka atë ndikim që pati në 2500 vjet. Diku (si tek ne, përshembëll) e humbi interesin dhe frekuentimin, sepse arti i kinemasë e zëvendësoi, por nuk humbi peshën. Është pikërisht skena e saj ku do përgatiten artistët, për të marrë rrugën drejt dyerve të artit të shtatë. Kur lindi dhe lulëzoi teatri, vlerësonin fuqinë e fjalës së folur e cila ishte metoda kryesore e komunikimit dhe tregimit. Tregimi me gojë lulëzoi në teatër, ende pa lulëzuar letërsia, madje, kjo vetë i ka fillesat me tragjeditë dhe komeditë që më parë ishin aktrim, fjalë e folur e që më pas u shkruan.

Kohë më parë kam shikuar një skicë urbanistike, mundet të ketë qenë e para e krijuar nga një arkitet austriak në fillim të viteve ’20-të, për qendrën e Tiranës. Ishin ndërtesa administrative, siç i ka sot Sllovenia apo Kroacia, ishte dhe teatri, që si traditë ka qenë kurdoherë në qendrën e qytetit. Ndërtesat klasike monumetale krijonin pamjen e një qyteti europian, që se bëmë dot, herë se nuk ditëm, herë-herë se s’patëm dhe tani së fundi, se s’po duam.

Pas këtyre argumenteve të vakta, në këto çka shkrova, pyes: a është në këtë rast njeriu vendimmarrës vallë në ujdi me qytetarin? Jo me atë qytetar që është rrotull tij dhe firmos në një bordero administrate shtetërore, por me ata që motiv të vetëm nxitës për qëndrimin kanë të vërtetën. Me veten mbase, por me ne të tjerët është në dizakord se kemi pikëpamje e qëndrime të kundërta.

Aplikimin e partneritetit midis Qeverisë-Sektorit privat-Shoqërisë civile, ligji e vlerëson si faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe qeverisjen e mirë. Kjo metodë pune rrjedh nga gjëndja aktuale e borxhit të lartë publik që i rëndon popullit mbi shpinë. Që qeverija nxitet të përdori formulën e partneritetit publik-privat është gjë e mirë, por s’duhet të aplikohet për rastin e Teatrit Kombëtar dhe s’duhej të bëhej as për stadiumin, i cili, për më tepër mbështetej me fonde edhe nga UEFA.

Nuk di se sa do kushtojë ajo hapësirë ndërtimi, që “partneriteti publik-privat” na fal e që do shërbejë si teatër, por di se taksapagesit shqiptarë sapo paguan një gjobë të majme për prishje të një ndërtimi të kundraligjshëm, që besoj se do ishte mjaftueshëm për të ndërtuar një teatër të denjë, ashtu siç bota e qytetëruar i ka. Jo një, por dy teatro si ato që ka bota do kishim ndërtuar me gjobën që morëm ngase u prish një marrëveshje konçesionare me General Elektrik për ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore Tiranë-Durrës. Rreth 30 milion euro na kushtoi grisja që

Saliu i bëri “një cope letre”, dhe tren as pati dhe as do ketë shpejt, teatër jo që jo!

Pra, kjo puna e ndërtimit të teatrit dhe e parave që duhen na qenka punë qeverisje, ndaj ska pse t’i lutim hokatarët që të heqin dorë nga talljet e tyre, d.m.th: ne nuk ndërtojmë dot teatër pa bashkëpunimin publik-privat! Ka disa parime të lashta prej të cilave nuk është e vështirë të nxirren edhe rregullat përkatëse. Njëra prej tyre ka të bëjë me qeverisjen: cilët do jenë qeverisësit, pyetej në kohën e Sokratit dhe Platonit, koha kur lulëzonte teatri? Gjegja që vjen nga ata shekuj të largët përvoje, është: më të mirët e të moshuarve do qeverisin, kurse më të rinjtë do qeverisen. Të moshuar, jo se duhet të kenë mjekër, por sepse duhet të jenë të matur për të ruajtur shtetin e për të vepruar në dobi të shtetit.

Sido që të jetë vendimmarrja, një gjë dihet mirë, qeveritë dhe qeveritarët shkojnë e vijnë ndërsa teatri mbetet. Duke qenë kundër ndërtimit të Teatrit Kombëtar me partneritetin publik-privat, nuk dua që ndokush të më mallkojë kur ta mbyll këtë shkrim me propozimin: jemi dakort me vendosjen e një takse për shqiptarët, vetëm e vetëm që teatri të ndërtohet nga shteti. Boll hapësira të gjelbra lulishtesh e terrene sportive i mori banda e ndërtuesve Tiranës! (marrë nga ‘Shqip’)./ KultPlus.com

Së shpejti nis restaurimi i “Banesës së Vëllezërve Frashëri”

Inspektim në Frashër, Shtëpia Muze, shumë shpejt do t’i nënshtrohet restaurimit, përcjell KultPlus.

Në hyrje të fshatit Frashër pozicionohet banesa madhështore e vëllezërve Frashëri. Në vitin 1974, mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar është ringritur “Banesa e Vëllezërve Frashëri”, monument kulture i kategorisë I-rë, duke u përshtatur si shtëpi-muze.

Shtëpia-muze u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma. Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret.

Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekpozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Mobilimi duhet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhe./ KultPlus.com

KONKURRIM PËR ÇMIMET QË I NDANË MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT NË LËMIN E MUZIKËS

MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT

Departamenti i Kulturës-Me qëllim të zhvillimit, avancimit, publikimit dhe promovimit të krijimtarisë muzikore, dhe në pajtim me Rregulloren për Ndarjen e Çmimeve për Muzikë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit publikon:

FTESË PUBLIKE: Konkurrim për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lëmin e muzikës.

Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimet për Muzikë, që u jepet krijuesit të dalluar, i cili me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e muzikës.

1. Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”

Çmimet vjetore për muzikë – për veprën muzikore origjinale, të kompozuar gjatë vitit 2017

2. Çmimi për vepër vokale-instrumentale dhe muzikore skenike me kohëzgjatje së paku 30 minuta, jepet në njërën nga këto gjini:

2.1. Operë;

2.2. Oratorium;

2.3. Kantatë;

2.4. Balet;

2.5. Forma të tjera vokale-instrumentale

3. Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante me kohëzgjatje jo më pak së paku 20 minuta, jepet në njërën nga këto gjini:

3.1. Simfoni;

3.2. Koncert;

3.3. Forma të tjera orkestrale simfonike.

4. Çmimi për vepër kamerale ndahet në njërën nga këto gjini:

4.1. Vepër për orkestër kamertal ose ansambël kamertal;

4.2. Kuintet

4.3. Kuartet

4.4. Trio

5. Çmimi për vepër korale jepet në njërën nga këto gjini;

5.1. Vepër korale me ose pa shoqërim instrumental;

5.2. Oktet;

6. Çmimi për vepër solistike dhe duo, jepet në njërën nga këto gjini:

6.1. Vepër për instrument- zë, me ose pa shoqërim instrumenti;

6.2. Vepër për dy instrumente apo zëra të njëjtë ose të ndryshëm.

6. Në raste të veçanta kur veprat nuk përmbushin kushtet e rregullores apo vlerësohet se nuk plotësojnë kriteret artistike-profesionale, juria nuk e jep çmimin për kategorinë përkatëse.

8. Procedurat e Konkurrimit;

Konkurrimi për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” për muzikë bëhet përmes propozimit nga këto institucione:

8.1 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;

8.2 Filarmonia – Opera dhe Baleti i Kosovës;

8.3 Fakultet e Arteve të Universiteteve Publike dhe Private të Republikës së Kosovë;

8.4 Asociacionet (Shoqatat) profesionale të krijuesve muzikorë.

9. Konkurrimi për vepra muzikore bëhet individualisht.

9.1 Konkurrentët nuk mund të bëjnë më shumë se dy nominime për secilën kategori të çmimeve.

9.2 Konkurrentët duhet të sjellin partiturën e veprës në tri kopje dhe jo domosdoshmërisht CD-në me incizimin “live” ose kompjuterik

Çmimet e veprave të vlerësuara sipas gjinive, jepen në të holla, të shoqëruara nga një certifikatë dhe nga një plaket. Informacionet më të hollësishme mund të gjenden ne Web. faqen e MKRS-se, tek rregullorja e çmimeve për muzikë.

Linku: http://mkrs-ks.org/repository/docs/Rregullorja_NIkete_Dardani.pdf

Propozimi duhet të përmbajë: arsyetimin me shkrim, CV-në e të nominiuarit, 3 ekzemplar të partiturës të veprës së nominiuarit, si dhe materialet e tjera përcjellëse për të nominuarin, nëse janë relevante për çmimin përkatës.

Propozuesit nuk mund të bëjnë më shumë se dy propozime.

Konkursi mbetet i hapur për propozime 30 ditë nga dita e shpalljes së tij.

Propozimi me shkrim duhet të dërgohet në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35).

Propozimet me dokumentacion jo të kompletuar nuk do të shqyrtohen.

Fotografia që ndryshoi jetën e vajzës 12 vjeçe

14 maj 2016 ishte dita kur ia ndryshoi jetën filipinases së re nga qyteti Lukban. Vajza dymbëdhjetë vjeçe lypte nëpër rrugë kur e fotografoi fotografi Topher Kinto Burgos, dhe dy vite më vonë Rita Gaviola është aktore dhe manekine e cila ka adhurues të shumtë nëpër gjithë Azinë.

Vogëlushja nga fisi vendor Bahau lypte për t’i ndihmuar prindërit që ta ushqejnë familjen. Përveç Ritës, ata i kanë edhe pesë fëmijë tjerë.

“Ishim të mahnitur me bukurinë e saj”, thotë fotografi Topher Kinto Burgo, derisa përshkruante se si e kishte parë Ritën për herë të parë. E kishte gjetur këndin e volitshëm dhe e kishte fotografuar.

Fotografia ishte shpërndarë nëpër internet me mijëra herë. Përdoruesit e rrjeteve sociale ndienin keqardhje për vajzën dhe filluan të mbledhin para për shkollimin e saj. Mediet gjithashtu u interesuan, dhe kështu ajo u paraqitë në “Big Brother” të Filipineve. Ky reality shoë i ndihmoi të bëhet yll në gjithë vendin.

Sot në Instagram e përcjellin 100.000 njerëz. Duke falënderuar bukurisë së saj ajo doli nga varfëria.
Nën një fotografi ajo ka shkruar:
“Shumë mirë e mbaj mend kur më kanë fotografuar. Isha nga pak e frikësuar dhe e trishtuar sepse nuk e dija se çfarë do të ndodh, përcjell Insajderi.

Më së shumti është frikësuar mos ta arrestojnë sepse është duke lyp nëpër rrugë, por gjithçka doli ndryshe, duke i falënderuar fotografit, me të cilin ende është në kontakt./ KultPlus.com

“Do të doja çka s’do doja, të bëj sonte me ty” (VIDEO)

Naser Berisha është një këngëtar i njohur, i cili numëron jo pak këngë hite gjatë karrierës së tij muzikore, shkruan KultPlus.

Këngët e tij për shumë vite i kanë rezistuar kohës. Disa nga këngët e tij janë të punuara edhe me videoklipe. Sot po ju sjellim një nga këngët më të njohura të tij “Do të doja”.KultPlus ju sjellë videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=RDebWx3kYCQ

Do të doja që sonte flokët e tua
te shtrihen mbi jastëkun tim
do te doja qe sonte ta shijosh romantiken
Nën dritën e qiririt tim
do të doja që sonte ta shijosh romantiken
Nën dritën e qiririt tim

Do te doja qe sonte t’kem pranë vetes
do te doja sonte t’jem me ty
do të doja që kjo nate pa fund të na takoj
vetëm mua .. mua dhe ty
do te doja qe kjo natë pa fund te na takoj
vetëm mua .. mua dhe ty

Dhe do të doja çka s’do doja
të bëj sonte me ty
qe ne rrugën e gjatë të aventurave tua
unë të jem i pari njeri
që në rrugën e gjate të avanturave tua
unë të jem i pari njeri

Kur Premierës i erdhi fundi
Dhe mëngjesi filloj të agoj
me puthe një herë ne faqe më the
“këtë nate kurrë s’do ta harroj”
me puthe një herë ne faqe e më the
“këtë natë kurrë s’do ta harroj”
më vjen mirë që ma besove
këtë gjë kaq me rendësi
qe nga sonte me mua e dashura ime
ti hyrë ne boten plot dashuri
qe nga sonte me mua e dashura ime
ti hyrë ne boten plot dashuri

Do te doja çka s`do doja
të bëj sonte me ty
që në rrugën e gjatë të aventurave tua
und të jem i pari njeri
që në rrugën e gjatë të aventurave tua
und të jem i pari njeri

“The Baby” fton aktorët në audicion

KODRA Film Production fton të gjithë të interesuarit që të paraqiten në audicionin për filmin e metrazhit të shkurtër “The Baby” me skenar dhe regji nga Ben Apolloni dhe producent Halim Luta.

Mosha e kërkuar e aktorëve për dy rolet kryesore:

1 aktor i moshës 30 – 35 vjeç
1 aktore e moshës 25-30 vjeçe
4 aktorë meshkuj për rolet e ushtarëve

Të interesuarit duhet të dërgojnë CV-në e tyre në shqip, ku përveç të dhënave personale kërkohen edhe dy fotografi portret, numri i telefonit, email adresa, web me punët e juaja dhe video shtesë të punëve tuaja si aktorë.
Aplikantët duhet t’i dërgojnë dokumentet deri në datën 20 mars 2018 në emailin: [email protected]
Për vendin dhe kohën e mbajtjes së audicionit, produksioni do të ju njoftoje përmes emailit./ KultPlus.com

Intervista e rrallë e Rugovës për median gjermane: Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve (VIDEO)

Ibrahim Rugova, njihet si presidenti historik i Kosovës i cili krahas kësaj njihej edhe si Intelektual, akademik dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për median gjermane, ai ishte pyetur për ndërlidhjen e politikës me letërsinë dhe se si bashkëjetojnë këto dy profesione . Ndërsa ai ishte përgjigjur se në politikë, ka hyrë duke e mbrojtur Shoqatën e Shkrimtarëve.
“Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u prish Jugosllavia u sulmua edhe Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj krijuam edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa më 1992 u zgjodha president i Kosovës por unë jam edhe kritik letrar ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futem në politikë”, ishte përgjigjur presidenti Rugova, i cili më pas kishte shtuar se këtë nuk e ka bërë për qëllime karrieriste por për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe të popullit të Kosovës, si dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës së Kosovës me Evropën dhe me botën.

“Është një politikë e ekzistencës dhe mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, ishte përgjigjur tutje presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
KultPlus ju sjellë videon e kësaj interviste./ KultPlus.com

Përzgjidhen finalistët e Çmimit Ardhje 2018-të

Në edicionin e sivjetmë të Çmimit Ardhje 2018-të, kanë aplikuar gjithsej 21 artistë të rinj, shkruan KultPlus.

Kësisoj tashmë është bërë përzgjedhja e finalistëve të këtij çmimi, nga juria profesionale e përbërë nga: Barnabas Bencsik, Alketa Ramaj, të cilëve do ju bashkëngjitet, Anthony Elms, Krye Kurator i Institutit të Artit Bashkëkohor (ICA), Universiteti i Pensilvanisë.

Katër finalistët që garojnë për Çmimin Ardhje 2018-të, janë: Blerina Muça, Fatlum Doçi, Remijon Pronja dhe Sokol Peçi.

Juria ndërkombëtare do të mblidhet në Tiranë me rastin e ekspozitës së katër finalistëve tek Qendra Zeta, dhe do të shqyrtojë portofoliot dhe prurjet artistike të artistëve në ekspozitë. Artisti fitues që do të bëhet i ditur më 1 qershor, atëherë edhe kur mbahet ekspozita do të jetë artist në rezidencë tek Residency Unlimited në Neë York, Gusht-Shtator, 2018./ KultPlus.com

“Hollyshit” , të enjten në “Dodona” për Bekim Lumin

Në vazhdën e muajit artistik për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, këtë të enjte në Teatrin Dodona shfaqet “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, shkruan KultPlus.

Ngjarja e kësaj shfaqje jetësohet nga aktorët e njohur: Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.

Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.
Ekipi i shfaqjes: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Lena Kryeziu Bokshi./ KultPlus.com

Të mendohesh

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Ka shume mallkime
për njerëz te liq,
Siç ka dhe urime për shokë dhe miq.

Po unë mallkimet aspak s’i kam dashur,
Veç shfryj
rralle-rralle kur jam buzëplasur,

Kur kupa zë mbushet e s’kam nga t’ia mbaj,
Mërzitur-mërzitur me vete ze shaj.

I them mendjemadhit një llaf te florinjtë
Te gjetur ne popull:ah,mendja t’u rritte!

Sa gjera ke
thëne,o popull i shtrenjte,
Qe duhet patjetër te rri te vras mëndte!

Kori “Siparantum”, përfaqësues i Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”

Për herë të parë në një konkurrencë të madhe prej shumë shteteve të botës, kori “Siparantum” nga Peja, përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”, që mbahet në Francë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga kompozitori Memli Kelmendi, i cili ka thënë se e konsideron si një sukses shumë të madh për këtë kor i cili është formuar vitin e kaluar dhe sipas tij për një kohë shumë të shkurtër kanë arritur që të realizojnë vepra shumë të vështira dhe repertor profesional, gjë që sipas tij, ka ndikuar në pranimin e tyre në këtë festival.

“Është një gëzim i papërshkrueshëm për ne duke e marrë parasysh që tanimë ne do të jemi në konkurrencë me shtetet si: Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Filipina, Algjeria, Ukraina, Kosova, Ekuadori, Bullgaria, Çekia…, prandaj kjo është një kënaqësi e madhe që të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Qëllimi jonë tashmë është i qartë, të prezantohemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të prezantojmë vlerat tona të mirëfillta. Repertori jonë do të jetë i larmishëm, do të paraqitemi me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Memli Kelmendi.

Festival International de Chant Choral “NANCY voix du monde” mbahet nga 9-13 maj ndërsa kori “Siparantum” do të paraqitet në 5 mbrëmje, në sallat koncertale më të njohura të vendit. Festivali Ndërkombëtar i këngës korale të Nancy, është formuar në vitin 1979, e cila synon të organizojë çdo 2 vjet një ngjarje muzikore që mbledhë koret nga e gjithë bota. Që nga themelimi i saj, deri më sot kanë marrë pjesë 260 kore nga 63 vende të botës.

“Theksoj që shteti ynë, Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival. Së shpejti ju njoftojmë me programin me të cilin ne do të paraqitemi në Francë”, përfundon kompozitori Kelmendi./ KultPlus.com

19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë

Janë bërë 19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshje së Rambujesë nga delegacioni i Kosovës.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Konferencën e Rambujesë nuk kishin arritur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, prandaj dy delegacionieve u ishte dhënë kohë shtesë që të pajtoheshim me një marrëveshje, të cilën do ta nënshkruanin në Paris.

Por, as koha shtesë që iu dha palëve nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, nuk u mjaftoi palëve që të arrijnë një kompromis të pranueshëm që do të çonte në nënshkrimin e një marrëveshjeje midis tyre.

Për këtë arsye, më 18 mars 1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan dy marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës e nënshkroi marrëveshjen e ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë në Rambuje, ndërsa delegacioni serb e nënshkroi vetëm projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Konferenca e Rambujesë e kishte miratuar Marrëveshjen e sanksionimit rreth ndërprerjes së dhunës në Kosovës që ishte nën mbikëqyrjen e OSBE-së dhe misionit të posaçëm diplomatik në Kosovë. Ajo kishte parashikuar zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe vetëqeverisja substanciale e saj dhe mbrojtja e të drejtave të të gjitha bashkësive kombëtare në Kosovë, ku u paraparë që në një periudhë kohore trevjeçare të zgjidhjet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, shkruan Koha.net.

Pjesëmarrja ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara kishte parashikuar implementimin e kësaj Marrëveshje, mirëpo statusi politik i saj u zgjidh pas 8 vite e gjysmë më ndihmën e palës ndërkombëtare përsëri.

Pala serbe kishte përjashtuar kompromise të tilla që ishin parashikuar nga pala ndërkombëtare edhe pse ishte e paralajmëruar nga përfaqësuesi i palës ndërkombëtare, Richard Holbrook se çfarë do ta priste palën serbe me mos pranimin e nënshkrimit të palës serbe, ku me këmbëngulësinë e tyre politike i kishin refuzuar negociatat e raundit të dytë të bisedimeve dhe më çdo kusht e refuzuan zgjidhjen politike të Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje politike ndërkombëtare që ishte nënshkruar saktësisht me 18 mars të vitit 1999 nga pala përfaqësuesi shqiptare dhe nga tre ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi ,Rusi dhe Volfgang Petric nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

Delegacioni i Kosovës, në atë kohë kryesohej nga Hashim Thaçi që ishte përfaqësues i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së e Rexhep Qosja i LBD-së. Delegacioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash duke qenë të përfaqësuar nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, ndjekur nga kryeministri Bujar Bukoshi që jetonte në mërgim dhe tre funksionarë të tjerë të LDK-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike.

Përfaqësuesi kryesor politik i UÇK-së, Adem Demaçi, i njohur si Nelson Mandela shqiptar, për shkak se plot 28 vjet burg i kaloi në burgjet jugosllave, bojkotoi Konferencën. Delegacionin e përbënin edhe publicistët Veton Surroi dhe Blerim Shala, trasnmeton kp.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrook nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./ KultPlus.com