“Besa – besë, besën ta kam dhanë, për liri, jetën du me dhanë”, kënga shkodrane që u shndërrua në himn patriotik në Kosovë (VIDEO)

Shkruan: Isa Alibali

Prof. Ramadan Sokoli (1920 – 2008), është një figurë e shquar e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe e muzikës e etnomuzikologjisë sonë në veçanti.

Gjithë jeta dhe vepra e tij flet për një përkushtim të madh në shërbim të atdheut e kombit, jo vetëm me krijimtarinë muzikore të bukur e me vlerë që kemi prej tij, por edhe për studimet e thelluara dhe me kompetencë në fushën e traditës muzikore, të etnomuzikologjisë dhe të vlerave kulturore kombëtare.
Ai ishte i paisur me një kulturë të gjërë, studjues sistematik dhe i thellë, njohës i disa gjuhëve të huaja, gjurmues dhe kërkues i thesareve më të çmuara të muzikës e kulturës shqiptare, autor i librave me vlerë si “Folklori muzikor shqiptar”, “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, “Figura e Skenderbeut në muzikë”, etj. si dhe i veprës me kontribut të lartë në shkencat albanologjike “16 shekuj“, në thelbin e së cilave janë studimet për të njohur traditën shqiptare të muzikologjisë, duke shkundur pluhurin e kohës në mbi 40 personaliteteve shqiptare, duke argumentuar origjinën e tyre shqiptare, etj. Veprat e tij janë të njohura dhe shumë të vlerësuara edhe në botën e jashtme. Ai ka qenë një shkencëtar i vërtetë dhe studiues me potencë i kulturës sonë. Ai meriton nderimin dhe vlerësimin më të madh që mund t’i bëhet një njeriut të përkushtuar dhe të talentuar, nderim dhe vlerësim që nuk e pati në vitet e diktaturës, e cila, duke njohur aftësitë e tij, pas një persekutimi të veçantë, ia kufizoi shumë mundësitë për të dhënë maksimumin e aftësive të veta.
Është autor edhe i disa këngëve të bukura popullore, si “Turtulleshë”, “Blegëron delja”, “Jelino”, “Lulja me erë”, “Zanushës”, etj. si dhe shumë krijime të tjera muzikore.

“Lulja me erë” mund të jetë një nga këngët më të njohura në Kosovë. Është kënduar në momentet më të rëndësishme të historisë së saj, edhe pse kur është krijuar ajo nga prof. Ramadan Sokoli, në fund të viteve ’40 të shekullit të kaluar, autori i saj nuk e kishte parashikuar aspak se kjo këngë mund të bëhej, për një kohë të gjatë, hymn i luftës patriotike të shqiptarëve të Kosovës, kundër pushtimit serb.

Historia e këngës “Lulja me erë” ose “Besa – besë” është mjaft interesante dhe paraqet një rast ndoshta unikal në tërësinë e këngëve lirike, jo vetëm shkodrane, por mbarëshqiptare. Prof. Rexhep Munishi në Prishtinë ka bërë një studim të gjatë për këtë këngë, duke trajtuar me mjeshtri evoluimin e saj në aspektin letrar dhe duke ruajtur të paprekur melodinë. Më vonë, Osman Xhatufa, autor i librit monografik për Prof. Ramadan Sokolin, e trajton gjërësisht historikun e kësaj kënge, mbështetur edhe në studimin e prof. Rexhep Munishit.

Vetë autori i kësaj kënge të bukur, Prof. Ramadan Sokoli, është shprehur kështu:
“Pasi kisha shkruar disa këngë në fund të viteve ’30 – ’40 e më tej , ndër të tjera, shkrova edhe këtë këngë:

Me shami xhamadan të kuq,
Nuk të zenka po të bika ngusht.
Refreni: Ku je rrit – o lulja me erë
Bukur – o, fol me gojë nji herë.

Syni zi plot me shkëndija
Buzën kuq, gjak si qershia.
Refreni: Ku je rrit – o lulja me erë
Bukur – o, fol me gojë nji herë”.

Ky ësht varianti i parë i këngës së vetë autorit.
Kënga, për herë të parë është kënduar në një dasmë, pastaj është përhapur gjithandej, veçanërisht në Radio-Tirana. Më vonë është kënduar dhe inçizuar në Radio-Tirana, në interpretimin e grupit të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve “Na bashkoi kënga popullore”, etj.

Lidhur me këto fakte, muzikologu Prof. Rexhep Munishi ka shkruar: “Në aktin e krijimit, autori i kësaj kënge as që ka mundur ta paramendojë e të parashohë se një ditë, përkatësisht pas tridhjetë vjetësh, një krijim “i thjeshtë”, me motive dashurie, do të marrë përmasa kombëtare dhe do të institucionalizohet për t’u vënë në funksion në çaste të rëndësishme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare”.

Shqiptarët e Kosovës, në kohë të ndryshme, kishin nevojë për një himn, për një këngë që t’i shoqëronte e t’i mobilizonte në lëvizjet e mëdha dhe në demonstratat e fuqishme. Dihet se, në atë kohë, e kishin të pamundur të këndonin “Himnin e flamurit”. Ata, pra, kërkonin një himn, një këngë me vlerë, një melodi të bukur, të ngrohtë por edhe të fortë, të kapshme nga të gjithë, që të ishte optimiste, nxitëse e mobilizuese.

Nuk dihet se kush e bëri ndryshimin e parë të kësaj kënge, por dihet se ajo u pëlqye si melodi, u ruajt si konstrukt i tekstit origjinal dhe u plotësua me një kontekst ndryshe dhe në këtë mënyrë kënga nisi të këndohet në çaste të rëndësishme të historisë për shqiptarët e Kosovës.
Etnomuzikologu i njohur, Prof. Rexhep Munishi, duke analizuar ecurinë e këngës në rrjedhën e saj historike, nëpër dekadat e ndryshme, thekson se që në çastin kur kënga e Ramadan Sokolit “Me shami xhamadan të kuq” ose “Lulja me erë” nis jetën e saj të pavarur, në gojën e popullit nisin edhe ndërhyrjet, ndryshimet, shtimet, plotësimet e ndryshme tekstore (më pak ndryshime melodike), që ndodhin në krijimtarinë gojore.
“Besa – besë, besën ta kam dhanë
Për liri, jetën du me dhanë”

Kështu kënga mori drejtim tjetër, atdhetar. Një rast i pashembullt.

Perandoria e “like”-ve, zor se mund të tronditet! Ne jetojmë në botën e Facebook-ut

Nga: Mark Skot

Pas zbulimeve se pothuaj 50 milionë përdoruesve të Facebook në SHBA mund t’u jenë përdorur të dhënat pa dijeninë e tyre, njerëzit nga Kopenhaga në Çikago nxituan që të lënë rrjetin social më të madh në botë.

Paçin fat!

Qysh prej krijimit të tij në dhomën e konviktit të Mark Zuckerbergut në Harvard, në vitin 2004, gjigandi i mediave sociale e ka shtrirë ndikimin në të gjithë botën digjitale. Tashmë, shtrirja e tij globale e bën pothuaj të pamundur që njerëzit të shkëputen tërësisht nga një perandori online, që e ka bërë Facebook-un një prej kompanive më të pasura dhe me më shumë influencë politike në botë.

Eleminimi i aplikacionit të Facebook-ut nga celulari juaj – apo edhe nëse bëni një harakiri në rrjetin social – mund të jetë një lloj katarsisi, për ata të cilëve nuk u pëlqen ideja që fotografitë, mesazhet dhe pëlqimet e tyre personale, të ndahen pa dijeninë e tyre. Dhe për të qënë të sinqertë, Facebook në fakt e ka reduktuar sasinë e informacionit digjital që ndahet me të tretët.

Por këta ish përdorues të Facebook ndoshta duhet të marrin ndonjë këshillë nga kënga “Hotel California” e Eagles: “You can check out of Facebook anytime you like, but you can never leave” (Mund të largoheni kur të doni, por nuk do të mund të largoheni dot kurrë).

Kjo, sepse shtrirja globale e kompanisë nuk është më e varur vetëm prej rrjetit social origjinal. Në vitet e fundit, ai ka ndërtuar ose blerë një sërë aplikacionesh të tjera celularësh, duke përfshirë Instagram dhe Facebook Messenger, të cilët janë bërë pjesë e infrastrukturës digjitale të jetës online të shumë njerëzve.

Arsyetimi i kompanisë? Teksa gjithnjë e më shumë njerëz hynin në Facebook (një në tre vetë online sot e përdorin këtë platformë), ajo duhej të diversifikohej në shërbime të tjera, ose përndryshe do të shndërrohej në një lajm të së djeshmes – një rrjet social për gjyshen tënde, jo për ty.

“Facebook krijon një marrëdhënie varësie mes platformave të veta”, thotë Anja Bechmann, drejtore e Digital Footprints Research Group në Universitetin e Aarhusit, në Danimarkë. “Nuk mund të shpëtosh pa përdorur një formë apo një tjetër të Facebook-ut”.

Kjo strategji ka shpërblyer. Facebook është sot pronar i tre nga dhjetë aplikacioneve më të përdorura, sipas comScore, ofrues i të dhënave. Dhe këto shërbime të tjera digjitale, gjithashtu shfrytëzojnë informacionet digjitale të njerëzve për të furnizuar biznesin e reklamave të kompanisë, duke e bërë të vështirë – në mos të pamundur – për këdo që të shkëputen tërësisht prej perandorisë digjitale të Zuckerbergut.

Ndërkohë që rregullatorët evropianë e kanë ndaluar Facebook-un që të mbledhë të dhëna të përdoruesve evropianë të WhatsApp-it, një tjetër aplikacion shumë popullor në pronësi të kompanisë, rrjeti social ka vazhduar të shtrijë ndikimin e vet në internet, pasi shpalli kohët e fundit se do të blejë TBH, një rrjet social që përdoret kryesisht nga adoleshentët.

Zuckerberg: “Unë jam përgjegjës”

Eksodusi nga Facebook është i lidhur me akuzat se Cambridge Analytica, një kompani me qendër në Londër e cila ofronte të dhëna për fushatën elektorale të Donald Trump-it në vitin 2016, mblodhi në mënyrë të paligjshme të dhëna të Facebook-ut, pa miratimin e votuesve.

“Kjo është një thirrje për zgjim”, thotë Anne Helmond, profesore e mediave të reja dhe kulturës digjitale në Universitetin e Amsterdamit. “Kemi qenë shumë naivë që kemi besuar Facebook-un”.

Rregullatorët e privatësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA tani po investigojnë pretendimet, përfshirë edhe ato, nëse Facebook ka dështuar në mbrojtjen e informacioneve digjitale të përdoruesve, duke lejuar kompani të treta që të përdorin rrjetin, për të thithur një thesar të dhënash personale.

Të dy kompanitë nuk pranojnë të kenë shkelur ligje. Por Zuckerberg, drejtori ekzekutiv 33-vjeçar i Facebook-ut, tha se gjigandi i rrjeteve sociale kishte detyrë të mbronte informacionin e individëve, shpalli ndryshime në mënyrën si do të mbrohen tani e tutje të dhënat e përdoruesve, dhe me vonesë kërkoi falje për keqpërdorime të mundshme të informacioneve të njerëzve online.

“Unë e nisa Facebook-un dhe në fund të ditës, unë jam përgjegjës për atë që ndodh në platformë”, shkruajti ai në një postim në Facebook.

Kjo gjoja mea culpa erdhi shumë vonë, për shumë prej 2.2 miliardë përdoruesve të Facebook-ut në të gjithë botën, shumë prej të cilëve (ironikisht) shkruajtën në Facebook dhe Twitter se po e fshinin një herë e mirë llogarinë e tyre. Edhe Brian Acton, bashkëthemelues i WhatsApp, hyri në veprim duke u thënë 33000 ndjekësve të tij në Twitter: “Erdhi koha. Fshijeni Facebook-un”.

Perandoria e “like”-ve

Njerëzit që kanë fshirë llogarinë e Facebook dhe aplikacionin e tij në celular, mund të mendojnë që i kanë ikur dorës së zgjatur të kompanisë. Por edhe ata nuk kanë shpëtuar.

Si pjesë e objektivit të rrjetit social, për t’u bërë i domosdoshëm për zakonet e njerëzve online, rrjeti social vulosi marrëveshje me dhjetëra-miliona faqe interneti në të gjithë botën, për të përfshirë butonin e famshëm “like” të kompanisë në të gjithë Internetin.

Objektivi ishte t’ua bënte më të kollajtë njerëzve që të ndanin materiale me miqtë e tyre. Por shumë rregullatorë të privatësisë dhe gjykatës në BE kanë ngritur shqetësime, se këto marrëveshje i mundësojnë gjithashtu Facebook-ut që të mbledhë të dhëna për përdoruesit dhe jopërdoruesit, akuza që kompania i hedh poshtë.

Shtrirja e rrjetit social përtej aplikacioneve të veta, nuk merr fund këtu

Pothuaj 15 milionë faqe interneti gjithashtu i lejojnë njerëzit të regjistrohen në to përmes të dhënave të llogarive të tyre në Facebook, sipas SimilarTech, një kompani konsulence e marketingut digjital. Kjo e bën kompaninë një sistem identifikimi de facto për një pjesë të madhe të Rrjetit, ndërkohë që e ndihmon të mbledhë të dhëna për veprimtarinë e njerëzve në internet.

Dhe që nga 2014, rrjeti social ka krijuar një rrjet digjital shumë fitimprurës reklamash, që zgjeron edhe më tej fushatat ekzistuese të marketingut të kompanisë. Shumë prej reklamave që shihni sot online, janë të ofruara nga Facebook.

Afro 1 miliard njerëz në të gjithë botën shohin rregullisht këto reklama të gjeneruara nga Facebook, sa herë që hyjnë në internet, sipas të dhënave të vetë kompanisë. Kjo platformë globale e bën rrjetin social të dytin pas Google, për sasinë e parave që gjeneron çdo vite prej reklamave online.

Por kjo nuk do të totë se gjurma digjitale gjigande e rrjetit social do të zgjasë përgjithmonë.

Bota e korporatave është e mbushur me ata që dikur kanë qenë gjigandë, si kodak apo Nokia, që u shndërruan në hije të vetvetes. Dhe që kur zbulimet për të dhënat e njerëzve në Facebook u bënë publike, kompania ka humbur pothuaj 60 miliard dollarë në vlerë tregu, pasi investitorët nisën të shqetësohen për të ardhmen afatgjatë të saj.

Por për politikanët që shfryjnë zemërimin ndaj abuzimeve të Facebook-ut me të dhënat, do të jetë detyrë e vështirë që t’i vënë fre pozicionit të rrjetit social në të gjithë Rrjetin.

Ai kalë e ka nisur galopin tashmë. Ne sot jetojmë në botën e facebook-ut.

Mark Skot është kryekorrespondent për teknologjinë në POLITICO.eu. (Burimi: Bota.al)

“Kanuni” nuk është gjakmarrja, ai është një monument juridik i kohës së vet

Prezantimi i përkthimit në gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është njëri ndër kodet zakonore që kanë rregulluar funksionimin e jetës në shoqëritë shqiptare, që nga lashtësia. Por ai është i vetmi që, ndonëse shumë më vonë, falë punës së atit françeskan nga Kosova, Shtjefën Gjeçovit është kodifikuar dhe është në dispozicion në formë të shkruar. Pra, ai është botuar si libër, në vitin 1933 në Shkodër. Si i tillë, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” tashmë, veç origjinalit në gjuhën shqipe, është i botuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.
Së fundi, ai ka përjetuar edhe përkthimin e dytë në gjuhën gjermane, pas atij që ishte bërë që në vitet `30 të shekullit të kaluar.

Prezantimi i këtij përkthimi, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës, në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Përveç përkthyesit Berisha, në prezantim ishte i pranishëm edhe botuesi, Martin Schällebaum, i cili ka pasur edhe rolin mbështetës në përkthimin në gjermanishte të kësaj lënde shumë komplekse.

Një vlerë e çmuar e kulturës shqiptare

Duke e konsideruar botimin e këtij libri në gjuhën gjermane si një kontribut për njohjen e një segmenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu ka falënderuar përkthyesin dhe botuesin. “Dalja në gjuhën gjermane e librit për kodin e dokeve zakonore shqiptare, bën që të tjerët të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori. Deshëm ne ose nuk deshëm, etnopsikologjia jonë kolektive, ka qenë e karakterizuar nga cilësi dhe elemnte që rrjedhin nga e drejta kanunore. Madje ajo as sot nuk është krejtësisht e liruar nga ajo”, ka thënë Spahija. Kjo sepse, sipas tij, “Kanuni si libër, si kod zakonor shqiptar, me shekuj ka sunduar etnopsikoilogjinë tonë duke zëvendësuar fuqinë e ndikimit të shtetit”.

Autori i përkthimit, Bardhec Berisha ka sqaruar rrethanat në të cilat është bërë ky përkthim. Ai është ndalur në shpjegimin e shkakut përse ky libër është përkthyer së dyti gjermanisht, në një kohë që një përkthim tashmë ekzistonte prej vitesh. Berisha ka theksuar në këtë kontekst se përkthimi i mëparshëm, i para rreth 80 viteve, ishte i fjalëpërfjalshëm dhe i shkruar në një gjuhë të vështirë sidomos për lexuesit e sotshëm. Për më tepër, ka nënvizuar Berisha, para procesit të përkthimit, atij fillimisht i është dashur që me ndihmesën e profesorit Prend Buzhala ta “përkthente” Kanunin në gjuhën e sotme, standarde shqipe. Kjo punë është paraqitur e nevojshme pasi që gjuha e përdorur nga Gjeçovi, para rreth njëqind viteve është e vështirë për t`u kuptuar dhe përjetuar nga lexuesit e sotëm. Puna bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se shumë nga konceptet, nocionet dhe institucionet për të cilat bën fjalë kanuni, janë fare pak ose aspak të njohura për shqipfolësit e sotëm. Për t`ia dalë mbanë kësaj pune komplekse, ai ka pasur ndihmën edhe të ekspertëve të ndryshëm dhe në veçanti të profesorit nga Kosova, Prend Buzhala.

Kanuni nuk bën të reduktohet në gjakmarrjen

Bardhec Berisha ka përmendur po ashtu se ky përkthim është bërë me lejen gjegjësisht të drejtën autioriale që atij i ka dhënë Provinca Françeskane Shqiptare në Shkodër, e cila është trashëgimtare e kësaj të drejte. Ai ka tërhequr vërejtjen për gjykimet e padrejta që në publik i bëhen Kanunit, duke e reduktuar atë vetëm në gjakmarrjen ndërkohë që “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka qenë shumë më shumë se kaq. Ai ka rregulluar shumë fusha të jetesës ndër shqiptarët, në mungesë të shtetit, ka thënë veç tjerash Bardhec Berisha.

Ndërsa botuesi Martin Schällebaum ka shpalosur para të pranishmëve punën e madhe disavjeçare që është bërë në përkthimin dhe përgatitjen për botim të këtij libri. Ai gjatë këtij procesi ka mësuar shumë për të drejtën zakonore shqiptare dhe ka zbuluar dimensione të reja të kësaj të drejte.

Real dhe racional për kohën

Për më tepër, Schallebaum ka konstatuar se një kod i tillë zakonor, që vjen nga poshtë lart dhe jo nga lart-poshtë (siç do të ishte po të vinte nga pushtetmbajtësit) është më realist dhe më i drejtë për kohën. Ai si i tillë u referohet problemeve nga përditshmëria dhe ofron zgjidhje racionale për to, në përputhje me kohën kur ky kod është krijuar.

Në këtë pikë Schällebaum ka vënë re se kode zakonore të ndërtuara “nga poshtë-lart” ka pasur edhe ndër popujt tjerë, madje edhe ndër zviceranët. Si ilustrim ai ka përmendur rregullimin e mënyrës së shfrytëzimit të kanalave të ujitjes (vadave) në zonat malore e të thata të Valisit. Kishte rregulla të veçanta që e rregullonin këtë çështje, siç kishte edhe njerëz të veçantë që merreshin me mirëmbajtjen e kanaleve në fjalë. Ndërsa e veçanta e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në krahasim me kodet e përmendura në Zvicër e gjetiu, sipas Schällebaum është se ai përfshin gjithë spektrin e të drejtës, pra veç të drejtës civile në kuptimin e sotëm, edhe të drejtën penale, shkruan albinfo.ch. Ai ka folur po ashtu edhe për vështirësitë që shpesh dukeshin të pakapërcyeshme, gjatë përkthimit dhe përgatitjes për botim të librit. Fjala është për kompleksitetin e materjes së Kanunit dhe për mospasjen e elementëve krahasues në gjuhën gjermane dhe në praktikat e këtushme.

Gjatë mbrëmjes së promovimit, përkthyesi Bardhec Berisha ka lexuar në gjuhën shqipe disa pjesë të zgjedhura nga kanuni, për të sjellë atmosferën e këtij kodi i cili tashmë përbën një thesar të kulturës shqiptare. Të njëjtat pasazhe i ka lexuar, të përkthyera në gjuhën gjermane, Angela Keel, duke ofruar kështu një shije të asaj se si tingëllon “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i përkthyer gjermanisht./albinfo.ch

“Xixëllonjat e Lezhës” nuk lejohen në Medvegjë

Në kuadër të festimit të Vitit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Teatri i Kukullave “Xixëllonjat e Lezhës”, solli në Bujanoc dhe Preshevë shfaqjen për fëmijë “Skënderbeu”, por jo edhe në Medvegjë, meqë u ndalua nga autoritetet serbe të kësaj komune.

Për deri sa në Bujanoc dhe Preshevë ,,Xixëllonjat e Lezhës” u mirëpritën jo vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe nga përfaqësuesit e jetës kulturore dhe autoritetet e pushteteve lokale, në Medvegjë, fatkeqësisht, mbyllet dera e sallës së Pallatit të kulturës për të mos u paraqitur teatri i kukullave me pjesën teatrale kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, transmeton Koha Jonë.

Lidhur me këtë skandal vijnë reagimet e para nga Bujanoci dhe Presheva, drejtorët e Lezhepallateve të kulturës: Jetmir Ismaili dhe Gani Veseli, kanë kërkuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe deputeti popullor Fatmir Hasani, të reagojnë në instanca më të larta dhe te faktorët ndërkombëtarë për këto dukuri joqytetëruese të pushtetit centralist në Medvegjë. Ngjashëm ka ndodhur edhe para disa ditësh, kur policia e Medvegjës, ndaloi shkrimtarët nga Presheva, të cilët kishin disa libra shqip me vete për të organizuar një orë letrare me rastin e Ditës së Mësuesit.

Në këtë drejtim po e japim të plotë edhe reagimin prof. Rexhep Abazit nga Medvegja.

“E pabesueshme, por edhe kjo ndodhi në Medvegjë.

Pas paraqitjes me skenën programore në Preshevë dhe Bujanoc, më 23 mars 2018, TQKF nga Lezha erdhi qē tē njëjtin program ta paraqes edhe nē shtëpinē e kulturës në Medvegjë, më 24 mars 2018. Mirēpo, dyert e këtij institucioni ishin të mbyllura për shqiptarēt dhe pas një pritjeje prej orës 9.oo-10.oo, tē paraditēs, nē dēborē dhe të ftohët, tē trupēs artistike dhe të shqiptarëve të Medvegjēs, ata u detyruan tē kthehen të brengosur skajshmërisht për njē veprim tē tillē jo njrēzor, jo kulturor, jo demokratik dhe jo civilizues pēr fillimshekullin e njëzet e një.

Të cekim se TQKF e Lezhës në mënyrë zyrtare iu kishte drejtuar kryetarit tē komunës së Medvegjës, mē 5 mars 2018, për këtë aktivitet e duke u bazuar në deklarimin e Presidentit tē R. së Shqipērisë në vizitēn e 27 nëntorit 2017 në Bajë të Siarinës, se duhet filluar me kontakte e aktivitete të kulturēs për zhvillimin e bashkëpunimit ndërshtetëror…

Falënderojmë vëllazërisht anētarët e TQKF nga Lezha, 8 nxënësit e kl. V-XII, 2 profesoreshat, inxhinierin, kompozitorin dhe në veçanti vozitësin e autobusit, i cili në natën e akullt të së premtes, me shkathtësinë e veçantë, me në krye drejtorin e madh z. Marçelo Lacajn, i solli nē Medvegjë këta misionarë të kulturës shqiptare.

Le të na mbaj shpresa se edhe ky primitivizēm mesjetar i shtetit të Serbisë dhe kjo shkelje e rëndë e të drejtave të shqiptarëve së shpejti do t’i takoj një të kaluare jocivilizuese”, thuhet në reagimin e prof. Rexhep Abazit nga Medvegja.

Nesër ndahen çmimet për teatër, Myrvete Kurtishit Çmimi për vepër jetësore

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit bën të ditur se nesër do të ndahen çmimet vjetore për teatër.

Në njoftimin e kësaj ministrie theksohet se ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve do të zhvillohet nga ora 11:00, në kabinetin e ministrit, Kujtim Gashi, transmeton Koha.net.

Merret vesh se Çmimi për vepër jetësore sivjet do t’i ndahet aktores Myrvete Kurtishi, ndërsa Çmimi për shfaqjen më të mirë Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” të Fatos Berishës. Çmimi për regjisorin më të mirë do t’i ndahet Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”./KultPlus.com

Juria e Çmimit ‘Kadare’ fillon takimet për këtë edicion

Juria e çmimit “Kadare” ,një prej ngjarjeve më të rëndësishme në letrat shqipe ka bërë takimin e parë zyrtar, pas ceremonisë së shpalljes publike të hapjes së edicionit të katërt të këtij konkursi. Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës pesë anëtarët e jurisë janë mbledhur për të përcaktuar procedurën e vlerësimit të librave dhe për të ndërtuar një skemë mbi të cilën do të operojnë në vazhdim.

“Juria e çmimit Kadare, bëri takimin e parë i cili do të vijojë me një sërë takimesh të tjera, për të mbërritur në takimin që do ti paraprijë takimit final të majit, ku do të mund të bëjë publik dhe emrat e disa kandidatëve të mundshëm për këtë çmim, një prej të cilëve do të jetë fituesi i edicionit të katërt të kësaj ngjarjeje të madhe letrare. Gjatë diskutimeve u arrit të përcaktohet linja e vlerësimit që anëtarët e jurisë do të ndjekin, komunikimi që do mbajnë më njëri tjetrin në mënyrë që të arrijnë në një vlerësim sa më të drejtë e transparent”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij edicioni. Sipas saj edhe pse ka vetëm një muaj nga shpallja e këtij konkursi interesi i shkrimtarëve për të qenë pjesë e garës është i madh.

“Numri i dorëshkrimeve të mbërritura në adresën zyrtare të këtij çmimi deri tani është i madh, po kështu dhe interesi i autorëve për të qenë pjesëmarrës, të cilët vijojnë të interesohen mbi kriteret dhe afatet e konkurrimit, çka do të thotë se këtë vit pritet të këtë një numër më të madh dorëshkrimesh në konkurrim. Duke parë emrat e autorëve që kanë dorëzuar deri tani dorëshkrimet për konkurrim, më vjen mirë që krahas autorëve të rinj, janë dhe emra që tashmë janë konsoliduar si autorë në tregun e librit çka tregon se në vetëm katër vite jetë, ky çmim ka arritur të ndërtojë atë çfarë është e rëndësishme për një konkurs letrar, institucionin e besimit”, thotë Bardhyli. Dorëshkrimet e mbërritura deri tani kanë nisur të lexohen nga juria e cila gjatë takimit analizoi disa prej tyre.

Çmimi letrat “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar. Harta e konkurruesve për këtë çmim është zgjeruar nga viti në vit, ku krahas autorëve nga Kosova dhe Maqedonia marrin pjesë dhe autorë shqiptarë që jetojë në vende të ndryshme të botës. Këtë vit autorët do të gjykohen nga një juri e përbërë nga :Genciana Abazi, Eni Vasili, Ledia Dushi, Agim Baci dhe Kim Mehmeti i cili është dhe kryetar i jurisë së këtij edicioni.

Fituesi pritet të shpallet gjatë Ditëve Letrare të Razmës, ku organizohet dhe një konferencë shkencore mbi letërsinë, në fund të majit maj. Përgjatë dy ditëve Razma kthehet në hapësirën e letërsisë pasi festës së Çmimit Kadare i bashkohen emra të njohur të letrave shqipe. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro që akordohet nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Cela dhe Rudolf Marku. / KultPlus.com

“Hardh Fest” po vjen, publikohen datat e këtij edicioni

Festa e Vjeljes së Rrushit – Festivali “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitor nga mbarë bota.

Festa e Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest 2018” do të mbahet më datë 7, 8, dhe 9 shtator 2018, në Rahovec.

Ky edicion, do të organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe Partnerëve të Festivalit.

“Hardh Fest” këtë vit do të sjellë edhe shumë risi dhe do të vijë edhe më i fuqishëm se kurrë më parë.

Qëllimi i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, është promovimi i rajonit vreshtar të luginës se Rahovecit, Vertarisë, Rakisë, trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore si dhe turizmin rural ne Kosove. Gjithashtu, Hardh Fest kapër qëllim të ruaj traditat dhe zakonet e lidhura me vreshtarinë, verën dhe enologjinë, promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve, në të gjithë zinxhirin prodhues, si dhe mundësi për promovimin e turizmit rural të Komunës së Rahovecit në Kosovë, rajon dhe mbarë botën. / KultPlus.com

Shemsi Krasniqi sjellë libër e ekspozitë për trashëgiminë kulturore dhe natyrore

Gili Hoxhaj

Në mesin e shumë të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shemsi Krasniqi promovoi sot librin e tij më titull “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”. Po ashtu në hollin e kësaj biblioteke për ta vizualizuar më së miri për mbajtjen e këtij libri, u prezantua edhe ekspozita me titull “Aterren”.

Libri “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”, është libër i shtrirë në dhjetë kapituj ndërsa sjellë jetën reale nga terreni, ndonjëherë edhe nga zonat më të thella. Për këtë libër, folën miqtë dhe koleget e tij. I pari fjalën e mori sociologu Anton Berisha i cili tha se lexuesi i këtij libri do të ketë mundësi zbardhjen e rrethanave objektive të cilat e kanë promovuar një objekt apo kafshë me kultin. Ai tutje shtoi se autori objektiv studimor e ka gjetjen e kuptimit, e jo përshkrimin sipërfaqësor të objektit.


“Autori në mënyrë brilante e ka treguar lidhjen e vizualitetit më të panjohurën. Ai niset nga objekti konkret, nga ajo që shihet por në vazhdimësi e gjurmon, i gjen esencën dhe substancën në zbardhjen e lidhjes nëpërmes shkakut dhe pasojës”, u shpreh sociologu Berisha. Antropologu, Arsim Canolli e cilësoi Krasniqin si studiues ndërmjetës mes sociologjisë dhe antorpologjisë. Ai tha se edhe libri edhe ekspozita jehojnë si një kumtesë e përvojës antropologjike për njohjen e jetës dhe veprës së shqiptarit të Kosovës.

“Ai është i trajnuar fillimisht si sociolog, por i trajnuar në pjekurinë e tij akademike si antropolog, ndonëse i sprovuar në aspektin pedagogjik si sociolog. Ky libër e kjo ekspozitë, vijnë si ftesë fort e sinqertë për ta njohur, studiuar e promovuar edhe tutje trashëgiminë kulturore e natyrore të Kosovës”, u shpreh antrolopolgu Canolli.

“Për njerëzit e mirë, natyrën e bukur dhe gjërat me vlerë”, shkruhet në katalogun e ekspozitës që solli 100 fotografi nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Këto fotografi pasqyrojnë më së miri studimin e përkushtimin artistik të autorit ndaj trashëgimisë dhe relikteve të vjetra, të vendeve dhe objekteve të shenjta, simboleve, miteve e legjendave, festave popullore e praktikave rituale, duke shkuar nxjerrë në pah edhe aktet spirtuale, momentet e veçanta e shumë intime që burojnë nga traditat e komunitetit. “Arterren” është bashkëdyzim fjalësh që flet më së miri për aspektin artistik dhe atë empirik të kësaj ekspozite.

Për katalogun dhe ekspozitën e titulluar “Arterren”, foli profesori Ibrahim Berisha i cili tha se kjo përmban një gërshetim kreativ të artit human dhe natyror, i informacionit kulturor dhe historik dhe një fije e zbulimit të shkëlqyeshme akademik dhe kreativ. “Fërkamat dhe shenjat e kohëve të cilat kanë mbijetuar nëpër pjesë të Kosovës janë me fakte, relikte dhe simbole që kanë qenë sheshazi të dukshme, që janë lënë mënjanë duke pritur këtë dorë dhe mendje të studiuesit dhe artistit për tu bërë pjesë e komunikimit publik, artistik dhe akademik, jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë qendra akademike ndërkombëtare”, tha në fjalën e tij profesori Berisha.

Më pas fjalën e mori antropologia, Zanita Halimi e cila tha se të gjitha fotografitë e autorit janë të ndikuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi për njohjen, ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore. Ajo tha se fotografitë ne ekspozitën e tij vijnë si dialog mes natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës.

“Fotografia është histori e shkruar me dritë, përmes shkrepjes autori Krasniqi na mëson për segmentet e ndryshme të shoqërisë tonë në kohë dhe hapësirë. Autori nuk e trajton vetëm pamjen e jashtme të realitetit por edhe të brendshme që përbehet nga ndjenjat, shpirti, kulti, besimi dhe praktika të ndryshme të njeriut”, u shpreh antropologia Halimi.

Autori Shemsi Krasniqi kishte shkrepur me mijëra fotografi në terren, prej të cilave 400 kishin qenë në përzgjedhjen e ngushtë për t’i dhënë formë ekspozitës që u prezantua sot. Në mesin e tyre, publiku shijoi 100 fotografi të cilat preknin imazhe e pamje të vendeve më të bukura të Kosovës. Për t’i sjellë këto autori shpesh është dashur të shpenzoj shumë ditë në terren. Vet Autori Krasniqi mori fjalën krejt në fund për të falënderuar të pranishmit dhe ata që nuk ishin të pranishëm por që kanë kontribuar në krijimin e këtij libri e kësaj ekspozite. Në veçanti, ai falënderoi me qindra bashkëbisedues të cilit i ka njohur gjatë punës në terren dhe të cilat i kishin dhënë njohuri që autori as që i kishte imagjinuar.

“Kam shkuar në skajet më të larta të Kosovës, në pikat më ekstreme, më ekstreme edhe vertikalisht, jo vetëm horizontalisht. Jam futur edhe në shpella edhe siç kam bërë shëtitje në terren, kam bërë edhe në fushat disiplinore”, u shpreh Krasniqi.Ai tutje tha se një qëllim i tij ka qenë që në kulturën shqiptare, të gjej hap pista të reja të studimit. Ekspozita është rezultat i punës së doktoratës, punë të cilën Krasniqi e kishte vazhduar edhe pasi e kishte marrë këtë titull./ KultPlus.com


Edhe ministrit të Kulturës të Serbisë i ndalohet hyrja në Kosovë

Pas ndalimit të vendosur ndaj Marko Gjuriqit dhe Aleksandar Vulinit, edhe ministrit të Kulturës së Serbisë, Vladan Vukosavljeviç, nuk i është lejuar të hyjë sot në territorin e Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, rreth orës 11:30, policia e Kosovës e ndaloi kalimin e ministrin Vukosavljeviç në kufirin e Jarinjes, megjithëse vizita e tij ishte paralajmëruar.

Sipas mediave serbe, ministri serb ka thënë se mos lejimi që ai të vizitojë sot dhe nesër manastiret dhe tempujt është një gabim serioz dhe një dështim i madh që nuk kontribuon në gjendjen e përgjithshme.

Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se forcat e shumta të policisë në Jarinje kanë dalë për shkak të ndalimit të hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq.

“South Outdoor Festival“ ju fton për një përvojë të paharruar

Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, përfaqësues të GIZ-it në Shqipëri dhe operatorë të turizmit, në mëngjesin e së hënës kanë zbritur deri në Prishtinë, me qëllim që të prezantojnë edicionin e dytë të South Outdoor Festival që do të mbahet në fshatin turistik Vunoi të Himarës, festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore, shkruan KultPlus.

Vetë Hajrulla Çeku këtë prezantim e vlerësoi shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëhet ndërlidhja e këtij festivali edhe me të interesuarit në Kosovë, që të marrin pjesë me aktivitete të ndryshme, si: climbing, jeep safari, hiking, yoga dhe shumë aktivitete të tjera.
Çeku ka thënë se nëpërmjet këtij festivali, kosovarët kanë mundësi që të njohin për së afërmi edhe turizmin e kësaj zone, pasi që, në një rast tjetër vështirë të njihen me bukuritë e fshatrave që ka Shqipëria, sikurse është rasti me fshatin Vunoi.

Kurse Dhurata Gazulli nga GIZ, organizues të këtij festivali, në këtë prezantim ka thënë se qëllimi i tyre është që të bëjnë promovimin e fshatrave, duke iu referuar këtij festivali që ka tashmë edicionin e dytë, dhe është i lëvizshëm, pikërisht për njohje të sa më shumë zonave.

“Këtë vit është zgjedhe fshati Vunoi”, ka thënë Gazulli, e cila ka theksuar se shtëpitë e këtij fshati janë në një pozitë mahnitëse që ofron një pamje të rrallë.
“Festa do të ndodhë në Vunoi, por në këtë festival do të përfitojnë edhe fshatrat përreth, ku operatorët e Shqipërisë do të ofrojnë aktivitete të ndryshme sportive”, ka thënë Gazulli.
Ajo ka shpjeguar se për dallim nga edicioni i parë, këtë vit, këtij festivali i janë shtuar edhe dy aktivitete, ai i tureve kulturore ku do të vizitohen fshatrat Himara dhe Vunoi, sikurse edhe turi i degustimit të vajit të ullirit.

Kurse përfaqësues të operatorëve që janë pjesë e këtij festivali kanë thënë me këtë rast se të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të provojnë pak nga të gjitha, pasi që, krejt këto oferta në sezonin e verës kanë një kosto shumë të lartë, kurse përgjatë këtij festivali çmimet do të jenë shumë të volitshme.

Organizatorët në fund kanë bërë të ditur se ky festival do të zgjasë për tre ditë, prej 27 deri më 29 prill, dhe këto tre ditë janë të mbushura me aktivitete të ndryshme sportive, kreative e kulturore.
Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij festivali që ofron shumë, mund ta bëjnë rezervimin online në faqen zyrtare të këtij festivali, që do të jetë aktive prej 1 prillit. /KultPlus.com
KultPlus ju sjellë videon e edicionit të parë të këtij festivali.

Monica Bellucci: Bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ke asgjë tjetër

Ajo e ka të qartë faktin se është e bukur, por dëshiron të mos etiketohet gjithmonë vetëm si një grua e bukur.

Monica Bellucci, aktorja e njohur italiane dhe një prej aktoreve më të mira e aktive, në një intervistë të saj të moçme ka treguar se sa i ndihmon dhe sa e dëmton bukuria në botën e filmit.

“E di që bukuria i bën njerëzit të jenë kurioz. Por, sic ka thënë Oscar Wilde, bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ka diçka tjetër që e mban këtë kuriozitet. Nuk do ta kisha këtë karrierë me vetëm bukurinë time. Regjisorët nuk të ftojnë për bukurinë tënde, por për talentin tënd. Bukuria ka qenë pengesë për mua, sidomos duke e ditur që vij nga industria e modës. Pasi jam e bukur, të gjithë mendojnë se jam budallaqe. Është si një maskë të cilën duhet ta largosh e ti tregosh botës se ke më shumë sesa bukuria. Duhet ti tregosh njerëzve se ka diçka në ty që mund të zbulohet nga ata” pati thënë Monica Bellucci.

Aktorja është e njohur për rolet e saj në “Malena”, “Spectre”, “Irreversible” dhe “Passion of the Christ”. Ajo është 53 vjeçare dhe ka dy fëmijë.

Monica Anna Maria Bellucci ka lindur në Città di Castello, Umbria, Itali. Ajo vazhdimisht në intervista tregon se nuk dëshiron të njihet vetëm si një grua e bukur, por si një grua që jep maksimumin në rolet e saj filmike dhe provon të hyjë në karakter në secilin rol që merr. / KultPlus.com

Nuk besoj më në fjalët e poemave

Poezi nga Antonin Artaud

Nuk besoj më në fjalët e poemave,
sepse nuk ngrejnë asgjë
e asgjë nuk bëjnë.
Dikur kishte poema që e dërgonin një luftëtar t’ia shqyenin grykën,
por me grykë të shqyer
luftëtari ishte i vdekur,
e ç’i mbetej pastaj nga lavdia ?
E kam fjalën, nga zelli i vet ?
Asgjë.

Ishte i vdekur,
e kjo shërbente për të edukuar nëpër klasa gomerët dhe të bijtë e gomerëve që do të vinin pas tij e
që kanë shkuar në luftra të reja
atomikisht të kurdisura,
më duket se ka një gjendje ku luftëtari
me grykë të shqyer
dhe i vdekur, qëndron aty
vazhdon të luftojë
dhe të bëjë përpara,
nuk ka vdekur ai,
ec përpara për përjetësinë.

Por kush do të donte kështu
përveç meje
E mua, le të vijë pra ai që do të ma shqyejë grykën
po e pres.

Saranda Bogujevci sonte rrëfen tregimin e saj në Beograd

Saranda Bogujevci, një nga të shpëtuarat e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, do të flasë për eksperiencën e saj tragjike, para audiencës në Beograd.

Sonte, në përvjetorin e 19-të të vrasjes së anëtarëve të familjes Bogujevci nga trupat “Skorpionët” e Serbisë, Saranda Bogujevci dhe Selatin Bogujevci do të flasin në Beograd në një panel i cili i kushtohet këtyre mizorive.

Saranda nuk ka ndaluar së kërkuari të vërtetën e krimit që ndodhi në Kosovë. Drejtësia gjithmonë vonon por Saranda ka pasur gjithmonë vendosmëri për të kërkuar të vërtetën. Në këtë panel ajo do të flasë për fëmijërinë e saj dhe të anëtarëve të familjes së saj.

Në ngjarjen tragjike u vranë shtatë gra e shtatë fëmijë, në Podujevë, ndërsa Saranda dhe disa anëtarë tjerë kanë shpëtuar.

Të plagosur rëndë, pesë fëmijë atëherë shpëtuan, ndërsa tre prej tyre tashmë të rritur dhe të shndërruar në artistë, e kanë rikonstruktuar nëpërmjet fotografish e filmash tragjedinë personale.
Paneli fillon sonte prej orës 19:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Disa nga “Skorpionët” që kryen krimin, janë dënuar në Serbi, shkruan KultPlus.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte. Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010.

Saranda, Jehona e Fatosi, mbajnë mend që familjen e tyre ta kenë sulmuar 15-16 persona të uniformuar.

Më 28 mars 1999, ditën kur u vranë Bogujevcët e Duriqët, aviacioni i NATO-s, kishte hyrë në ditën e katërt të bombardimit të ish-Republikës Federale Jugosllave, pikërisht për shkak të dhunës, vrasjeve dhe deportimit të shqiptarëve. / KultPlus.com

Violeta Rexhepagiqi, romantika që nuk harrohet (VIDEO)

Një revolucion në muzikën shqipe, Violeta Rexhepagiqi lehtë mund të njihet nga fotografitë e rinisë së saj të hershme.

Një grua e bukur, e mençur, një stil unik dhe i veçantë e deri asokohe edhe i paparë për syrin e shqiptarëve, nga një shqiptare, Violeta Rexhepagiqi nisi një karrierë të suksesshme e cila do të ndërpritej pas një aksidenti të tmerrshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=p5eMQmFSogI

E lindur në vitin 1965, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë.
Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.

Ajo ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.

https://www.youtube.com/watch?v=X0dQe-O2B2U

Dy herë ajo tentoi të përfaqësonte Jugosllavinë në Eurovizion. Viti 1986 e solli atë në garë me këngën “Nora”, ku ajo përfundoi e shtata në listë, ndërsa një vit më vonë ajo kthehet në festivalin përzgjedhës për këngën në Eurovizion – Jugovizija, me këngën “Nuk të harroj” dhe me këngën “Fedora” në kuadër të grupit Vivien.

https://www.youtube.com/watch?v=MgOWWLmvpSM

Një grua me plot elegancë dhe e suksesshme, ajo punoi për një kohë edhe pranë televizioneve të huaja, duke raportuar edhe rreth luftës në Kosovë. Violeta në ndërkohë punoi edhe në Radio Televizionin e Kosovës.

Sot, më larg skenës, Violeta nuk e ka humbur muzikalitetin që e karakterizon. Ende kujtojmë këngët “Romantika” apo “Zhurmë e erërave të dikurshme” nga Grupi Vivien, të cilat gjithmonë na e sjellin në kujtesë një grua që ka sjellë një pamje të re për kosovarët dhe hapi rrugën për të tjerët këngëtarë më pas që të sfidonin rregullat dhe normat e shoqërisë shqiptare. / KultPlus.com

Shkarkohet drejtori i TKK-së, Agim Sopi

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës sot e ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të TKK-së Agim Sopin.

Shkarkimi është bërë me gjashtë vota për e një abstenim.

Në janar Agim Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së si njerëz të ndikuar nga politika që po censuron programin e këtij teatri. / KultPlus.com

Vizitori i parë i Krushës së Madhe

Poezi e shkruar nga Fatmir Terziu.

Miliona vite u krehën në plazmin e qelqtë të lotit,
në një pellg të përlëngët,
një flok gërshetë i bukur me çantën e madhe të jetës,
u tret, kapi retë që mëgëllyen
fytyrën e ëndërrave djaloshare.

Mbi një fletë libri të shpërngulur të shkruar
sofra e bukës në odën e madhe
ka mbetur shtruar. Pret për tu lexuar
mbi lëkurën e vjetër të plisit
ishte letra më e mirë nga shqipja,
duke shkruar në qiellin e papirusit.
Uroj që ta njihja.

Në ritualin e çajit,
nga duart e grave të Krushës së Madhe
kam mësuar se si të pish nga sytë e një vejushe
të mbetur mes tregimeve në rrugët e Varrezave masive.
Gjithmonë arrijnë në kohë vizitorët e huaj
të shkruajnë për të mos harruar!

Vizitori i parë i Krushës së Madhe,
ishte vargu i një kënge
nisi me refrenin e djepeve në vaje
bitisi me fatin e jetës … në atë mbrëmje.

Childe Harold, shtegtimi i polifonisë shqiptare në Evropë përmes Bajronit

Shkruan Dorian Koçi.

Historia e ringjalljes së popujve dhe kombeve të Ballkanit, nuk mund të kuptohet pa kontributin e elitave evropiane të cilat në një moment të caktuar të historisë kulturore së Europës, siç ishte Romantizmi, u përfshinë drejtë për së drejtë ose tërthorazi në mesazhet kulturore të ringjalljes së Greqisë Antike, Epirit dhe Maqedonisë. Një nga figurat evropiane që pati një ndikim të madh në Romantizëm por edhe në kontaktet kulturore midis botës evropiane dhe botës orientale ishte poeti romantik anglez Xhorxh Bajroni(1788-1824).

Vizita e tij në Shqipëri, Prevezë, Janinë e Tepelenë la gjurmë të pashlyeshme edhe në elitat nacionaliste shqiptare në momentet kur nisi zgjimi kombëtar shqiptar dhe përpjekjet për të themeluar shtetin kombëtar shqiptar. Në mungesë së një kulture të teksteve të shkruara ose të ekzistencës së pakët të tyre, elitat evropiane promovuan etnografinë, kostumografin dhe folklorin e këtyre vendeve. Këtë dukuri nuk do ta linin pa përmendur edhe aktivistë kulturorë të zgjimit kombëtar shqiptar por dhe vlerësimin të vetive të shqiptarëve nga këto elita evropiane.

Në këtë kontekst, Faik Konica, në gazetën e vet “Albania”, kur do të shkruante për vizitën e Xhorxh Bajronit në Shqipëri në 1809, në artikullin “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, do të përmendte dhe faktin e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara dhe me vargjet e tyre. “Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]

Kënga e parë: “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?

Kënga e Dytë:
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .”

(Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016, fq 248)

Këto dy këngë mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë mbledhur në bregdetin shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:

Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?

(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 79, vargjet 660, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Kënga labe e këtyre viseve perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit dhe detit Jon të Himarës gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.

Në çdo ngjarje të rëndësishme të kombit, kënga labe do të jetë e pranishme duke regjistruar me timbrin e saj të veçantë njerëz, data e personazhe historikë. A nuk është i mrekullueshëm fakti se Bajroni që regjistron këngë labe dhe ia përcjell miqve të tij si melodi dhe i shkruan në një tekst për ti memorizuar përherë, të kthehet vet në një personazh të një kënge labe, kur me pak rreshta përjetësohet dhe portretizohet si rrallëkush personalitet i huaj në etno kulturën shqiptare.

“Lord Baroni ill i rrallë,
Që kish mik Ali Pashanë,
Shkoi e luftoi për Elladhë,
Po trimat i kish shqiptarë,
Si besnikë e kordhëtarë.”

(Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991, fq 814)

Mbledhja e vargjeve popullore shqiptare dhe përdorimi i ritmit të tyre në poezinë e tij është një eksperincë që Bajroni e përjetoi gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri e Greqi. Po a mundet vallë që Bajroni ta njihte një pjesë të kulturës shqiptare para se të vinte në Shqipëri? Në shënimet e Kantos II të “Shtegtimeve të Childe Harold”, Bajroni përmend historianin Edward Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe deputet në Parlamentin Anglez. Vepra e tij më e rëndësishme, “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për informacionin e ngjeshur historik, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj miteve historikë. Gibbon ishte i pari që përdori shprehjen për “Shqipërinë si një vend që mund të shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 204 , përkthyer nga Skënder Luarasi) . Të gjithë udhëtarët angleze të shekullit të XIX i referoheshin këtij teksti sa herë që vizituan Shqipërinë, përfshirë dhe Bajronin. Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, kur këtij sulltani i duheshin edhe 9 vjet të vinte në pushtet. Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, i ati i Skënderbeut. Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas mendimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”. (Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Por pavarësisht këtyre vlerësimeve rreth Skënderbeut, Edward Gibbon është në të njëjtën kohë dhe hartuesi i parë i tezës së kotësisë së rezistencës së Skënderbeut kundër osmanëve , pasi merr në analizë ngjarjet që pasuan pas vdekjes së tij; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” .( Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut, Radio Zëri i Amerikës) Gjithësesi, Bajroni duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Gibbonin përsa i përket Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vargjet e Këngës II, të “Shtegtimeve të Child Haroldit”, Bajroni nuk shpreh asnjë vlerësim të tillë, por përkundrazi që vargjet hyrëse të shtegtimit në Shqipëri shprehet me nderim dhe nganjëllim poetik për Skënderbeun.

O Shqipëri ku lindi Iskanderi,
Këngë e rinisë, fanar i të urtëvet,
Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi
Përherë armiqtë me kordhën e tij kreshnike…
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)

Në shënimet e këngëve duket se Bajroni ka një informacion të pasur rreth Shqipërisë , heronjve të vjetër të antikitetit të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe disa traditave dhe zakoneve të këtyre territoreve. Në shënimet e vargut Ku lindi Iskanderi ai pasi jep kuptimin e emrit Iskander shkruan se Aleksandri i Madh lindi në Pellë të Maqedonisë po duke qenë në kufi me Ilirinë, edhe ng fakti se , e ëma, Olimpia qe nga shtëpia mbretërore e Epirit, mjafton të justifikohet e thëna poetike se lindi në Shqipëri. Veç kësaj historiani Gibbon e quan të këtillë tok me Piron, kur flet për veprat e tyre luftarake(.Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207,përkthyer nga Skënder Luarasi). Po kështu në shpjegimet e vargut tjetër, Bajroni e baravlerëson heroin tonë Kombëtar kur shkruan Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbej, d.m.th princ Aleksandër.(Shënimet e Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 207 , përkthyer nga Skënder Luarasi).

Por nga mund të ishte i influencuar Bajroni në admirimin e tij për Skënderbeun? Ndoshta një njohje tjetër tekstuale dhe burimi historik që nuk e përmend në shënimet e “Shtegtimeve të Child Harold” ai mund të ketë pasur nga vepra e një figurë tjetër emblematike e kulturës angleze, Edmund Spenser dhe botimi i “Historisë së Skënderbeut” të Barletit në anglisht. Bajroni njihet si mjeshër i vargëzimit në gjuhën angleze. Ai ringjalli dhe risolli sërish në poezinë angleze strofën Spenseriane, të cilën e përdori kur shkroi “Shtegtimet e “Childe Haroldit”. Strofa Spenseriane përbëhet prej nëntë rreshtash: tetë rreshta janë vargje jambike që ndiqen nga një varg i vetëm aleksandrin në heksametër jambik. Rima e strofës Spenseriane është “ababbcbcc.” Këtë strofë Edmund Spenseri(1552-1599), poeti më i madh i periudhës Elisabetiane në letërsinë angleze, e përdori kur shkruajti “The Faeire Queene” (“Mbretëresha e zanave”), poema glorifikuese për Mbretëreshën Elisabetë, ku në disa vargje ai përmend dhe veshjen tradicionale shqiptare. Në këngën e tretë, kreu XII, vargu i 10-të, Spenseri e vesh mbretëreshën Elisabeta me fustan që mëngët i varen në mënyrë arbëreshe” (“Sleeves dependant albanese iyse”). Është po prapë Edmund Spenseri i cili shkroi një sonet që përmend më 1596 nga Zachary Jones kur botoi anglisht përkthimin e historianit frëng J.Lavardin “Historia e Gjergj Kastriotit, të mbi-emëruar Skënderbe”. Botimin anglisht të këtij libri, Jones e përcolli me një sonet për Skënderbenë.(S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128). Në mënyrë të çuditshme kostumi popullor shqiptar ka shtegtuar deri në Britaninë e largët nëpërmjet stratiotëve shqiptarë, luftëtarëve të vënë në shërbim të Henrit VIII, babait të Elisabetës I. Henri VIII , Mbreti i Anglisë pajtoi nën shërbimin e tij stratiotë shqiptarë dhe grekë(këta të fundit ishin në tërësi arvanitas) gjatë betejave me Mbretërinë e Skocisë në 1514.
Bajroni si një ripërtëritës i strofës Spenseriane padyshim që e ka lexuar krjimtarinë e Edmund Spenser dhe libra të tjerë që kanë qarkulluar në Angli ku përmenden shqiptarët. Egzistenca e tyre dhe e njohje mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e dëshmon tërthorazi dhe një shënim i Mbretëreshës Elisabet I, në librin e vet të lutjeve më 17 janar 1559, se këtë ditë vdiq Princi i mirë Skënderbe mbret i Epirit dhe nganjëllimtar mbi osmanët. Duket se për Mbretërëshen Elisabet I, Skënderbeu është një hero i Europës.
Vizita e Bajronit në Shqipëri do ti përforconte kontaktet , njohjet dhe dijet rreth vendit. Polifonia labe do të ishte një element që do ta habiste për variacionin dhe tingujt dhe zërat e saj do t’i bënte pjesë organike të veprës së vet poetike. Në vargjet 71 të Këngës së II , Bajroni do të shkruante:

Në zall të shtruar ndritën zjarret natën,
darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe;
Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë,
Ju muar mentë fare nga ajo pamje;
Se sa pa shkuar orëz e mesnatës,
Përcjellësit ia nisën këngës tyre;
Çdo Palikar e flaku tutje shpatën
Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit,
Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
(Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, fq 67, vargjet 335, përkthyer nga Skënder Luarasi)
Ndonse Shqipëria dhe shqiptarët nuk patën fatin që të kishin të botuar një përmbledhje të këngëve të vjetra të tyre si patën fatin grekët me botimin e Claude Fauriel në 1824 “Chants populaires de la Grèce moderne” apo vet serbët me folkoristin e tyre Vuk Karaxhiç me dy volumet e “Këngëve Popullore Serbe” në 1814-1815, teksti i Childe Haroldit, shënimet e tij dhe “Turkish Tales”, ku shfaqen personazhe dhe subjekte të influencuara nga qendrimi me shqiptarët në Pashallëkun e Janinës dhe në Greqi, luajtën rolin e një parateksti që krijoi një imazh të caktuar për Shqipërinë dhe shqiptarët në Evropë. Në mënyrë të tërthortë folklori dhe etnografia shqiptare u bënë pararendëse të përfaqësimit të shqiptarëve në një tekst të letërsisë botërore dhe për këtë arsye Kënga e II e Childe Haroldit mund të konsiderohet edhe si një tekst ku gëlojnë meloditë e ritmet e këngës labe.

Bibliografia:
1- Astrit Lulushi, “Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut”, Radio Zëri i Amerikës.
2- Bajron. Çajld Harold. Shtëpia Botuese: Naim Frashëri, Tiranë: 1973
3- Fotaq Andrea, Faik Konica-Përlindësi modern. Fletore koniciane, Zenit, Tiranë:2016
4- Mbledhës të Folklorit, vëll.8, Këngë popullore të labërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, Tiranë 1991
5- S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967

19 vjet nga masakra e familjes Berisha në Suharekë

19 vite më parë, mëngjesi i kësaj dite e gjeti familjen Berisha në Suharekë, të rrethuar nga forcat serbe. Tanket u pozicionuan në drejtim të shtëpive të tyre atje, shkruan KultPlus.

Këto forca urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. U ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes. Forcat serbe çuan anëtarët e tjerë në drejtim të një kafeneje. Këta anëtarë u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Pastaj forcat serbe hynë në kafene dhe hapën zjarr kundër njerëzve aty brenda. Aty u hodhën edhe eksplozivë duke lënë kështu të vrarë gjithsej 50 anëtarë të kësaj familje.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar./ KultPlus.com

The Times: Elbenita Kajtazi, një fëmijë lufte që u bë një ndër fituesit e garës ‘Glyndebourne Opera Cup’

Gazeta prestigjioze “The Times”, i ka kushtuar një artikull të veçantë sopranos kosovare, Elbenita Kajtazi ku e ka portretizuar atë si fëmijë lufte që sot po arrin të prek majat e suksesit të saj, shkruan KultPlus.

“Ndërsa ushtarët mbanin armë tek koka e saj, shtatëvjeçarja Elbenita Kajtazi këndonte në mendjen e saj. Tani, 20 vite më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencën në Glyndebourne”, kështu e fillon shkrimin “The Times”.

Më tutje The Times ka përshkruar fëmijërinë e saj në qytetin e Mitrovicës, qytetit që akoma qëndron i ndarë. Atje ajo po rriste dëshirën e madhe për këndim por që situata në të cilën ndodhej ajo dhe familja, shpesh po i dhuronin pasiguri për të ngritur zërin e saj. Këtë fundjavë, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Elbenita Kajtazi arriti të fitoi çmimin e audiencës në inaugurimin e Glyndebourne Opera Cup.

“Këndimi për mua është si terapi. Kur arritëm të kthehemi në shtëpi pas luftës, të gjithë ishin shumë të lumtur që ende ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që ndodhi”, i ka dhënë sopranoja “The Times”.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë. / KultPlus.com

“Të shkarkohet prorektorja dhe të hetohen ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës”

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.

Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:

“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com

19 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit

Sot bëhen 19 vjet që nga vrasje e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, si dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Avokati Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO-ja kishte nisur bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.
Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.
Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut./ KultPlus.com

19 vjet nga masakra e 243 personave në Krushë të Madhe

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./ KultPlus.com

Fillon “Java e Arkivit të Hapur”

Qytetarët mund të shohin nga afër punën dhe aktivitetet që bëhen në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Me rastin e 67-vjetorit të Arkivit të Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, nga data 26-30 mars organizon “Javën e Arkivit të Hapur”, me ç‘rast do të hapë dyert për publikun.

Gjatë “Javës së Arkivit Hapur” të interesuarit kanë mundësinë të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që posedon ASHAK.

Vendet që do të vizitohen: Salla e leximit, aplikimi dhe shërbimi në sallën e leximit; Rregullimi dhe përpunimi i lëndës arkivore; Laboratori i Restaurimit/Konservimit; Laboratori i Mikrofilmimit dhe Digjitalizimit; Depo e ASHAK-së, Biblioteka./ KultPlus.com

Bujar Alimani me “Zois”, merr çmimin regjia më e mirë në “Queen’s World Film Festival”

Rrëfimi mbi piktorin shqiptar që u arratis duke kapërcyer edhe rrethojat elektrike është prezantuar në “Queen’s World Film Festival”, shkruan KultPlus.

Dokumentari “Zois” me regji të Bujar Alimanit, në këtë festival i cili është i pari për këtë film, ka marrë çmimi Regjia Më e Mirë e Filmit Dokumentar. Lajmi është bërë i ditur nga regjisori Bujar Alimani, përmes rrjetit social Facebook.

Ky film dokumentar që vjen me regji të Alimanit, i përbërë nga prodecentet Damian Pervizi dhe Dritan Haxhia, edituar nga Sabir Kanaqi, kurse muzika është kompozuar nga Fatrin Krajka dhe zërimi nga Elvis Ikonomi.

Filmi përfshin një rrëfim rreth piktorit shqiptar Zois Shuttie, i cili u arratis nga komunizmi, duke kaluar edhe rrethojat elektrike dhe goditjes së plumbave nga rojet kufitare, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë nga Evropa Lindore drejt SHBA-së./ KultPlus.com