Ministri Gashi: Objekti i Agjencisë së Arkivave do të rinovohet tërësisht, punët do të fillojnë këtë vit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me Kryeshefin Ekzekutiv të ASHAK-së, Ramë Manaj, i cili njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion.

Ministri Gashi tha se “kjo vizitë bëhet në kuadër të vizitave që jam duke i bërë edhe institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe Komunave të Kosovës, për të parë nga afër gjendjen në të cilën zhvillojnë aktivitetet këto institucione”.

Ministri premtoi mbështetje për Agjencinë e Arkivave të Kosovës për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit.

“Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël kemi vendos raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm duke përfshirë depotë, objektin, sistemin kundër zjarrit pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm”, dhe ai do të filloj të zbatohet së shpejti, ka thënë mes tjerash ministri.

Tutje ministri Gashi duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë tha se “pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme. Andaj në përputhje me rëndësinë e madhe që kanë lënda arkivore, ky investim në këtë objekt është një prej prioriteteve të Ministrisë andaj edhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve.

Ai po ashtu tha se “jemi të interesuar të shohim nga afër gjendjen e objekteve të arkivave ndërkombëtare nëpër gjashtë komunat e Kosovës në mënyrë që edhe atje të intervenojmë në të ardhmen. Kjo vizitë ka për qëllim zotimin tonë, përpjekjet tona për ta ndryshuar gjendjen për të mirë në këto objekte të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që këtë projekt ta fillojmë sa më shpejt dhe sa më parë”, shtoi tutje Gashi.

Po ashtu ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se bashkë me drejtorin u pajtuam që të iniciojmë ndryshim-plotësimin për Ligjin për Arkivat.

Në anën tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv, Ramë Manaj, u shpreh falënderues për vizitën por edhe për përkrahjen e Ministrisë dhe të ministrit për të investuar në përmirësim të kushteve dhe rrethanave të punës nëpër objektet e arkivave.

“Në takim kemi bërë përpjekje që t’i prezantojmë gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës, gjendje e trashëguar fatkeqësisht jo të mirë, sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtet janë shumë limituese dhe kanë të bëjnë me ambientet e pamjaftueshme, me mungesën e hapësirës dhe jo adekuate, me mungesën e teknologjisë dhe mungesën e kapaciteteve njerëzore deri te kapacitetet teknike për digjitalizim. Por duke pasur parasysh premtimin e ministrit, shpresojmë që gjendja në këtë agjenci të përmirësohet” tha Kryeshefi Manaj.

Botohet numri i ri i Revistës Shkencore “Filologji”

Këto ditë u botua numri i ri (22) i revistës shkencore “Filologji”, të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nën drejtimin e kryeredaktorit prof. dr. Sali Bashota, revista në këshillin e saj botues ka personalitete të njohura të botës albanologjike: prof. dr. Aurel Plasari (Tiranë), prof. dr. Françesko Altimari (Kozencë), dr. John Hodgson (Londër), prof. dr. Russana Hristova- Beyleri ( Sofje), si dhe anëtarët e redaksisë nga Fakulteti i Filologjisë: prof. dr. Osman Gashi, prof. asoc. dr. Muhamet Hamiti, prof. asoc. dr. Nysret Krasniqi dhe prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi.

Ky numër i revistës u kushtohet dy personaliteteve të shquara të botës akademike dhe botës kulturore, profesorit, poetit, studiuesit Basri Çapriqi dhe albanologut Robert Elsie, të cilët ikën në amshim. Duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e tyre, u botuan tekste të zgjedhura. Gjithashtu, u botua shkrimi i Nysret Krasniqit (“Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqit”) dhe shkrimi i Muhamet Hamitit (“Përkujtesë për albanologun e shquar Robert Elsie).

Numri i ri i revistës “Filologji” sjell mjaft shkrime me interes për lexuesin shqiptar e më gjerë. I përkthyer nga gjermanishtja nga prof.ass.dr. Naim Kryeziu, botohet për herë të parë në gjuhën shqipe studimi i gjatë i Maksimilian Lambercit me titullin “Zhvillimi i letërsisë shqipe”.

Në rubrikën e revistës: Studime, Trajtesa dhe Artikuj botohen shkrimet e autorëve: prof. dr. Osman Gashi (“Shekspiri dhe shekulli ynë”), prof. asoc. dr. Bujar Hoxha (“Semiotika dhe metafora e pyjeve narrative në veprën e Umerto Ekos”), Zahrie Kapllanaj, PhD cand. (“Palimpsesti në letërsi”) dhe Marjela Progni – Peci, PhD cand. (“Dimensioni erotik në poezinë e Migjenit”).

Ndërkaq, në rubrikën Kritika dhe Recensione botohen shkrimet e dr. John Hodgson (“Traumat e patriarkalizmit dhe të mërgimit”; Pajtim Statovci, “My Cat Yugoslavia”, i përkthyer prej finlandishtes nga David Hackston-i, Pantheon Books, Nju Jork, 2017), prof. asoc. dr. Dije Demiri-Frangu (“Dashuria e plotë e një lirike arbëreshe”; Zef Chiaramonte, “Vulë uji”, Marca d’acqua: poesie, Palermo: Nuova Ipsa, 2015), Meliza Krasniqi, PhD cand. (“Biografia e fiksionalizuar”; “Edmond Rugova: rrëfimet e të dielave” e Bardh Rugovës) dhe Serafina Lajçi, PhD cand. (“Mandala për letërsinë romantike arbëreshe”; Matteo Mandala, “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, ”Naimi”, Tiranë, 2012).

Revista shkencore “Filologji” do të botohet dy herë brenda vitit dhe ka për synim kryesor afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit./ KultPlus.com

Tre studentë kosovarë pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut

Tre studentët nga universiteti “Kosovo Art Academy” kanë arritur të bëhen pjesë e ekspozitës “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” në Kore të Jugut duke përfaqësuar artin kosovar me punimet e tyre, shkruan KultPlus.

Artistja Fazile Berisha, ka aplikuar me dy posterë të temës ekologjike të titulluar “Hazardous Field” dhe “Hazardous Planet”.

Studenti Bajram Sylejmani, ka aplikuar me një poster të temës ekologjike të titulluar “Green Energy” dhe studenti tjetër Besnik Rexhaj ka aplikuar me dy posterë të temës ekologjike të titulluar “Day of the better planet” dhe “Day of the dead planet”.

Vlen të theksohet se të lartpërmendurit sapo kanë mbaruar studimet e vitit të I-rë në Kosovo Art Academy në departamentin e Dizajnit grafik dhe Multimedias të udhëhequr nga prof. Rrezeart Galica.

Ekspozita ndërkombëtare “Beyond Peace 2018 DMZ Art & Design” është iniciuar menjëherë pas pajtimit të dy Koreve, asaj Jugore dhe Veriore.

Organizuar nga komuniteti i dizajnerëve, në esencë kjo ekspozitë ka pasur disa kategori tematike si: Paqja, Uniteti, Liria dhe Ekologjia.

Në thirrje ishte dhënë shpjegimi se Koreja e Jugut, e cila është thurrur nga 155 milje tela me gjemba për 65 vjet pas marrëveshjes së armëmbajtjes në vitin 1953, tani duhet të heq telat me gjemba dhe të gjejë formën e saj origjinale. Duke theksuar se imazhi që dizajnerët duhet të japin anembanë botës është për të mirën e unifikimit të Koresë.

Selektimin e punimeve e kanë bërë Hwang Mansok dhe Byoung II Sun, profesorë në universitetet e artit në Seul.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një muaj dhe gjithashtu do të rihapet në disa qytete të Koresë Jugore./KultPlus.com

A kishte të drejtë Karl Marksi

Karl Marks është përshkruar shpesh si një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të. Shkrimet e tij kanë frymëzuar revolucione dhe kanë shkaktuar shekuj të tërë debatesh të zjarrta.

Marksi lindi në Prusi, në Gjermaninë e sotme, më 5 Maj të vitit 1818. Ai besonte se kapitalizmi, që në atë kohë ishte në kulmin e vet, kishte të meta të mëdha.

Sipas tij, kapitalistët, në kërkim të fitimeve edhe më të mëdha, do të shtynin ideologjinë që puna është gjë e mirë dhe argëtimi është i gabuar, dhe që vetëm gjërat materiale na bëjnë të lumtur.

Veç kësaj, parashikonte se kapitalizmi, duke përqafuar prodhimin në masë, nuk do t’i lejonte punëtorët të kishin kënaqësi nga puna. Në të njëjtën kohë, kapitalizmi do të shfrytëzonte klasën punëtore.

Ai u përfshi me Lidhjen Komuniste, një grup i vogël intelektualësh që donin ta rrëzonin sistemin e klasave dhe ta shpërndanin pasurinë në mënyrë të barabartë.

Marksi shkroi Manifeston Komuniste në vitin 1847, me mbështetësin dhe financuesin e tij, Friedrich Engels. Në manifesto shprehej ideja e një shoqërie ku pasuria ndahej në mënyrë të barabartë. Në të thuhet që pronat duhej të ishin publike dhe arsimi duhej të ishte falas për të gjithë.

Por në atë kohë Marksi njihej pak dhe lexohej pak. Kur vdiq, në vitin 1883, në funeral i shkuan vetëm 11 persona. Idetë e tij lulëzuan vetëm pas vdekjes.

Bazuar në idetë e marksizmit, erdhi komunizmi, krijimi i një shoqërie të drejtuar nga shteti e ku të gjithë janë të barabartë.

Komunizmi u kthye në lëvizje botërore, por ideja utopiane e një shoqërie të drejtë e të barabartë nuk u materializua asnjëherë. Komunizmi i izoloi dhe i varfëroi nënshtetasit, si dhe u masakruan me dhjetëra miliona. Sot, kapitalizmi mbizotëron në të gjithë botën.

Shumë prej kritikave të Marksit vazhdojnë të mbeten aktuale. Pabarazia midis të varfërve e të pasurve është shumë e madhe. Marksi kishte parashikuar se kapitalizmi do të bënte që të pasurit të bëheshin edhe më të pasur e të varfrit të mbeteshin po të varfër. Për këtë kishte të drejtë.

Marksi gjithashtu parashikonte se kapitalizmi do të krijonte ekonominë me cikle zhvillimi dhe krize, si faza të ndjekura rregullisht nga njëra-tjetra, dhe që kapitalizmi do të çonte drejt globalizimit, ku tregu do të mbizotërohej nga një grup i vogël kompanish gjigante.

Megjithatë, Marksi e nënvlerësoi aftësinë e kapitalizmit për t’i bërë të gjithë njerëzit më të pasur, duke bërë që çdo produkt të dilte në treg me çmim më të lirë. Në fakt, që nga viti 1980, bota ka 1 miliardë njerëz që kanë dalë nga varfëria absolute.

Marksi gaboi dhe nuk parashikoi dot aftësinë e kapitalizmit për t’u reformuar në mënyrë të vetvetishme, duke krijuar sisteme sociale që e rishpërndajnë pasurinë nëpërmjet taksave.

Edhe pse nga Marksi ka ende për të mësuar, zgjidhja që ofronte ishte më e keqe se sëmundja ekzistuese.

Por në të njëjtën kohë, nuk mund të thuhet që kapitalizmi i sotëm, ku mbizotëron pabarazia e thellë dhe krizat financiare, ka arritur të triumfojë, shkruan The Economist./ KultPlus.com

HAVEIT të premten në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së

Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, të premten do të organizojë një diskutim me HAVEIT, rreth artit të tyre si një formë proteste, metodologjisë së tyre dhe arsyeve se përse zgjodhën këtë medium të shprehjes për të angazhuar publikun gjersa merren me problemet shoqërore, shkruan KultPlus.

HAVEIT, grupi i përbërë nga Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena dhe Arbërore Sylaj, u krijua në vitin 2011 dhe që atëherë ato kanë sjellë performanca në rrugë, video-instalacione dhe foto-performanca.

HAVEIT, përmes protestës artistike dhe performancave kanë përdorë qendrën e qytetit si skenë për të luftuar nacionalizmin, diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe shtypjen gjinore.

HAVEIT me shfaqjet e tyre të bazuara në aktivizëm vazhdimisht shtyjnë përpara çështjet që zakonisht konsiderohen si të papërshtatshme në shoqëri.

Të gjithë të interesuarit për të përcjellë këtë diskutim i cili fillon në ora 16:00, mund të rezervojnë vendet e tyre në: [email protected]./KultPlus.com

“MOS KINI FRIKË NGA SHQIPONJA”

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në një postim në rrjetin social ‘facebook’, ka prezantuar llogarinë bankare ku mund të derdhen mjetet për të paguar gjobën prej 25 mijë frangash, gjobë të cilën FIFA ua shqiptoi tre futbollistëve të Kombëtares së Zvicrës.

“MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Sipas tij shqiponja është shenjë e cila parqet gëzimin dhe se i vije keq që kjo është keqinterpretuar.

“Shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në Raiffeisen Bank është hapur llogaria MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA”, ka shkruar ai.

“Kjo llogari u hap falë nxitjes së shumë miqve të këtij rrjeti social nga e gjithë bota, si falënderim e mirënjohje për dy sportistët që ngritën peshë në një gëzim sportiv miliona shqiptarë”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Postimi i Plotë i kryeministrit shqiptar Edi Rama:

MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit
Shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv, në Raiffeisen Bank është hapur llogaria MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA
Kjo llogari u hap falë nxitjes së shumë miqve të këtij rrjeti social nga e gjithë bota, si falënderim e mirënjohje për dy sportistët që ngritën peshë në një gëzim sportiv miliona shqiptarë./ KultPlus.com

Karikatura goditëse për lojtarët e Zvicrës (FOTO)

Karikaturisti Alexandre Ballaman nga gazeta e përditshme “La Liberté” në Zvicër, është frymëzuar nga festimi i futbollistëve shqiptarë të ekipit kombëtar zviceran, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, dhe ndëshkimi me gjobë që morën si pasojë, për ta bërë karikaturën e ditës së martë.

Ai e ka vizatuar trajnerin e Zvicrës, Vladimir Petkovic duke u mbajtur ligjëratë lojtarëve të vet sesi të festojnë në të ardhmen, transmeton Gazeta Express.

Ai i mëson ata se bërja e shqiponjës dykrerëshe, e cila gjendet në flamurin kombëtar shqiptar, është e ndaluar, ndërsa tri forma tjera ta festimi duke e bërë shqiponjën një krerësh lejohen.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Litschteiner, janë dënuar me gjobë nga FIFA.

Organi qeverisës i futbollit botëror vendosi dje t’i gjobisë Xhakën (10.000 dollarë), Shaqirin (10.000 dollarë) dhe Lichtsteinerin (5.000 dollarë) për “sjellje të pahijshme”./ KultPlus.com

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, koncert të përbashkët me instrumentistë nga Zvicra

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” të mërkurën do të mbajë koncertin e përbashkët të orkestrës së shkollës shoqëruar nga instrumentistë të cilët vijnë nga Zvicra, shkruan KultPlus.

Në koncertin i cili do të mbahet më 27 qershor duke filluar nga ora 19:00, dirigjent do të jenë Johannes Greiner dhe Pëllumb Vula.

Gjatë koncerti do të interpretohen vepra nga kompozitorët: Mozart, Lalo dhe Williams.

Ky koncert i përbashkët do të mbahet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./KultPlus.com

“New Rules” nga Dua Lipa, klipi më i shikuar në vitin 2017-të (VIDEO)

Dua Lipa, është shfaqur e entuziazmuar që videoprojekti i saj “New Rules” është shpallur klipi më i shikuar i një artisteje Britanike në vitin 2017-të, përcjellë KultPlus.

Kënga “New Rules” ka arritur këtë radhitje në tabelën zyrtare të këngëve në Britani të Madhe dhe për herë të parë në të janë përfshirë platformat online si YouTube, Apple, Tidal dhe Spotifity për të pasur kështu një pasqyrë të muzikës në internet, shkruan DailyMail.

“Posa mora lajmin që ‘New Rules’ është shpallur klipi më i shikuar i një artisteje Britanike në vitin 2017-të dhe ka 60 milion shikime vetëm në Britani të Madhe. A mund ta besoni? Unë nuk po mundem. Faleminderit shumë për mbështetjen dhe dashurinë, kjo do të thotë shumë për mua, këtë nuk do e kisha arritur pa ju”, është shprehur ajo.

Këngëtarja ka theksuar se pikërisht kënga “New Rules” ka pasur një rëndësi të veçantë për karrierën e saj si dhe ka kërkuar nga ndjekësit e saj që të vazhdojnë ta përkrahin punën e saj./ KultPlus.com

Studentja kosovare Fjollë Caka nderohet me çmimin George Washington në SHBA

Kosovarja Fjollë Caka, është shpërblyer me çmimin GW, një nga nderimet më prestigjioze të dhuruara nga Universiteti ”George Washington” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një çmim i tillë është ndarë për Fjollën falë kontributeve të saj të rëndësishme universitare para 25 mijë të pranishmëve në Qendrën Kombëtare në SHBA.

E diplomuar në nivelin Master për Zhvillim të Qëndrueshëm Urban, ajo ka përvojë në arkitekturë dhe sociologji në Prishtinë.

Që kur ajo është vendosur në Universitetin George Washington rreth dy vjet më parë falë një burse të fituar nga USAID për Transformimin e Lidershipit, Fjollë Caka u dallua me arritjet e saj të larta akademike dhe kontributet e shumta në jetën studentore dhe universitare. Sipas Profesorit John Carruthers, puna me Fjollë Cakajnë në Programin e Planifikimit të Qëndrueshëm Urban ka qenë një privilegj i vërtetë.

Ai pranon se e kishte nominuar atë për çmimin GW, sepse ajo përfaqëson më të mirën e atij Universiteti. “Fjolla është një studente e shquar dhe person frymëzues, e cila e ka dalluar veten në klasë dhe jashtë saj”.

Fjolla synon të përmirësojë mjedisin e ndërtuar dhe cilësinë e jetës së njerëzve.

“Besoj se me gjithë pasion, përkushtim dhe këmbëngulje të gjithë ne mund të kontribuojmë në ndërtimin e mjediseve më të shëndetshme dhe më të mira për të gjithë”, shprehet ajo, njofton Klan Kosova./ KultPlus.com

Hapet aplikimi për shkollën e dytë Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin

Shkolla e dytë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe do të zhvillohet në data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, shkruan KultPlus

Shkolla verore mirëpret studentë bachelor, master e doktoraturë apo edhe të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pas-bizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Muzeu i Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri”etj.).

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera shoqëruese, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj.

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine, duke ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes burimeve historike dhe kodikëve të çmuar të Arkivit Qendror Shtetëror (shek. VI-XIX). Në të njëjtën kohë, shkolla verore do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë dhe me pjesëmarrjen e profesor Agamemnon Tselikas, një autoritet botëror i Paleografisë. Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga vendi dhe të huaj, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin./KultPlus.com

Aplikoni tani online këtu: https://www.fhf.edu.al/aplikimi-ne-shkollen-verore-te-gjuhes-historise-dhe-civilizimit-bizantin/

Për më shumë informacion, klikoni këtu.

Zëri i ëmbël i Hanife Sejfulla Reçani dhe repertori i saj përgjatë 50 viteve (VIDEO)

Këngëtarja Hanife Sejfulla Reçani, arriti që në repertorin e saj të ketë një pasuri të përbërë nga 150 këngë, që ajo i këndoi për 50 vite me radhë, shkruan KultPlus.

Ndër më të njohurat janë këngët: “Bien tri dairetˮ, “Prej Tetove në Gostivarˮ, ˮMoj fusha e Korabitˮ, “I hipa vaporitˮ, “Kënga e çobanitˮ…

Talentin dhe zërin e saj prej këngëtareje e zbuluan mësuesit e saj të shkollës ku ajo mësonte, pa mbushur akoma 12-vjeç. Ata e përkrahën atë për t´u bërë një këngëtare e madhe.

Hanife Sejfulla Reçani ishte e bija e Sahit Keçës nga fshati Shkinak Grykë-Çajë. Për arsye të kushteve të vështira ekonomike, familja e saj u shpërngul nga Shkinaku rreth vitit 1934.

Ata morën rrugën në lindje për të kaluar në fushën e Pollogut dhe qendrën e saj Gostivarin, ku edhe nisën një jetë të re.

Në Gostivar ata gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e banorëve vendas ashtu si dhe lumjanë të tjerë që vendoseshin në këto anë./ KultPlus.com

S’kam ardhur të këndoj

Poezia nga Leon Felipe, përkthyer nga Aurel Plasari.

S’kam ardhur të këndoj, mund ta merrni kitarën.
As të mbush dosjen time s’kam ardhur,
Që pas vdekjes shenjtor të më bëjnë.
Kam ardhur të shoh fytyrën time në lotët që rrjedhin
Drejt detit
Me lumin
E me retë.
Në lotët që fshihen në fund të pusit
Nëpër natë
E nëpër gjak.

Kam ardhur të shikoj fytyrën time në gjithë lotët e botës
Të vë një pikël zhive, vajtimi, një pikël hequr prej lotëve të mi
Mbi këtë pasqyrë të pa skaj ku të mund të më shohin e vetveten
Të njohin ata që do të vijnë.
Kam ardhur të dëgjoj sërish atë sentencë të vjetër në terr:
Me djersën e ballit bukën ta fitosh
Dhe dritën me dhimbjen e syve të tu.

Burim lotësh e burim drite janë sytë e tu./ KultPlus.com

Numri i turistëve në Shqipëri këtë vit do të rritet mbi 10%

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se këtë vit numri i turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë do të rritet mbi 10%.

Në një emision televiziv të hënën në mbrëmje, Klosi theksoi se në zonën e Golemit dhe në gjithë zonën e Jugut ka një përmirësim cilësor për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Shpresoj që numri i turistëve të shkojë deri tek 20%. Por kapacitet tona nuk janë të përgatitura për këtë bum turistik, ndonëse po bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e bizneseve dhe strukturave përkatëse për të përballuar fluksin dhe interesin në rritje të turistëve për Shqipërinë”, – deklaroi Klosi.

Duke komentuar kontrollet në zonat bregdetare, ministri Klosi tha se nga 800 biznese që janë inspektuar, janë gjobitur dhe mbyllur 27 prej tyre.

“Ne kemi këtë vit një impiant super modern të Durrësit, Velipojës, Shëngjinit, etj. Është bërë deportimi i ujërave të zeza, dhe nga 800 biznese që kemi inspektuar, 27 janë gjobitur dhe mbyllur. Ne e shprehëm qartë që nuk do lejohej derdhja e ujërave të zeza në det”, – tha ministri Klosi./ KultPlus.com

Simboli i Dragoit dhe Gjergj Kastrioti

Nga Gjon Keka

Dragoi ka luajtur gjithnjë një rol të madh në mitet pellazgo-ilire. Dhe ky ndikimi i kësaj kafshe ka pasur në shumë periudha, në shumë personalitete që kanë ardhur në botë me fytyrë simbolike të tillë, sidomos në shumë raste si mbrojtës të atdheut të tyre .Ky simbol, këto ëndrra që njerëzit që lindën udhëheqësh, shtetesh, të mëdhenjtë e tyre si sundues për kombet dhe botën ishin shpëtimi i civilizimit dhe i qenies së kombit të tyre. Pra në shumë raste dalin të jenë restaurues dhe riprodhues se sa dëmtues të njerëzimit.

Dragoi ishte një krijesë e mrekullueshme i përbërë nga kafshë të ndryshme, i quajtur ndryshe si gjarpër monstruoz me përbërës të krokodilit, të luanëve, të formave të këmbëve të shqiponjës, krah të peshqve të mëdhenj etj. Sipas mitologjisë çdo shtëpi ka nga dy gjarpërinjtë; një gjarpër mashkullor dhe femëror, që kanë si qëllim mbrojtjen e shtëpisë ,pra janë si shpëtimtar të shtëpisë. Po ashtu sipas mitologjisë gjarpërinjtë u përdorën si simbol magjik në shpata dhe helmeta, pastaj në zyra të heronjve të shumtë janë gjendur simbole të tyre të dragonjve identik.

Gjarpri sipas mitologjisë del të jetë edhe instrument i riprodhimit dhe restaurimit të dëmit që goditi njerëzimin. Dhe kjo shihet nga ajo se si dy gjarpërinjtë bashkoheshin me shkop magjik të Kadmusi dhe Hermione, si Zeusi dhe Proserpine.
Ndërkaq edhe Nëna e Aleksandrit të Madh, arbnorja Olympia, kishte parë fytyrën e një gjarpri të llojit të dragoit me rastin e lindjes së Aleksandrit të Madh duke i dhënë atij cilësi të mbinatyrshme. Poashtu në shtratin ku u lind Scipio afrikani, ishte gjetur një gjarpër si dragua. Dhe shumë shembuj të tjerë në mitologji për të ardhur edhe te shembulli i lindjes së Gjergj Kastriotit dhe ëndrrës së nënës së tij Vojasavës, e cila kishte parë në ëndërr se kishte lindur një dragua që mbulonte Shqipërinë në tërësi si një gjigant duke u shndërruar si armaturë mbrojtëse e vendit të tij , ndërsa bishti i tij mbërrinte në Adriatik e deri në Jon dhe se në gojën e tij të zjarrtë kishte djegur (shembur) tërë Perandorinë otomanë.

Dhe jo rastësisht Gjergj Kastrioti u quajt “Dragoi i Arbërisë” , sepse ai ishte një gjigand, dhe siç dihet gjigandët këta bij të tokës sikur që ishte Gjergj Kastrioti kishte këmbë të dragoit dhe krah shqiponje./ KultPlus.com

“Ti mund ta ndërrosh pasaportën, por kurrë s’mund ta ndërrosh gjakun tënd shqiptar”

Festimi i golave me simbolin shqiptar Shqiponjën, dërgoi deri tek dënimi nga FIFA, për futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaciri.

Kësisoj, ky dënim bëri që reagimet e shumta nëpër rrjete sociale të vijnë nga të gjithë shqiptarët anë e kënd botës.

Por një fotografi interesante është publikuar nga Image of Kosovo, mbi të cilën shkruhet: You can change your passport, but you can never change your #Albanian blood – Ti mund ta ndërrosh pasaportën, por kurrë smund ta ndërrosh gjakun tënd shqiptar./ KultPlus.com

Erion Veliaj për simbolin e shqiponjës: Ka motive gëzimi, jo konflikti

Edhe kryebashkiaku i Shqipërisë, Erion Veliaj i ka dy fjalë për simbolin e shqiponjës.

Sipas tij ajo ka motive gëzimi dhe jo konflikti, prandaj përdoret nga të gjithë shqiptarët të cilët kanë suksese ndërkombëtare, dhe jo vetëm, shkruan lajmi.net

Erioni e sheh si të gabuar vendimin e Fifas kundrejt Xhakës dhe Shaqirit të cilët e bënë simbolin e shqiponjës pas golave që dhanë kundrejt Serbisë.

Kujtojmë se komisioni Disiplinor i FIFA ka dënuar me nga 10 mijë franga zvicerane Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin dhe me pesë mijë franga Stephan Lichsteiner për festën me shqiponjë në fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën e Botës.

“Ruaje dashurinë, zemër sepse një jetë pa dashuri është si një kopsht pa diell”

Oscar Wilde ishte një poet dhe dramaturg i njohur irlandez. Pas shkrimeve shumta, ai gjatë viteve 1880, ai u bë një nga dramaturgët më të njohur të Londrës në fillim të viteve 1890, shkruan KultPlus.

Sot po ju sjellim një thënie të njohur të tij mbi dashurinë.

“Ruaje dashurinë në zemër, sepse një jetë pa dashuri është si një kopsht pa diell, ku lulet janë vyshkur. Vetëdija e të dashuruarit dhe që të të duan dhuron aq shumë ngrohtësi dhe pasuri në jetë saqë asgjë tjetër s’mund ta japë”, ka thënë Oscar Wilde./ KultPlus.com

Arma e Harrison Ford nga “Star Wars” shitet për 550.000 dollarë

Arma, të cilën Harrison Ford e ka përdorur në rolin e Han Solos në filmin “Return of the Jedi” të “Star Wars” është shitur në një ankand për 550.000 dollarë.

Revolja false me laser, e ndërtuar thuajse krejtësisht nga druri, në 30 vitet e fundit ka qenë në pronësi të regjisorit James Schoppe, të cilin armën ia kishte dhënë dhuratë Ford.

Në maj të këtij viti, arma doli në shitje në shtëpinë e ankandeve “Julien” në New York.
Nga shtëpia e ankandeve ishte parashikuar se revolja do të shitej për gjysmë milioni dollarë dhe pikërisht ashtu ka ndodhur.

Kujtojmë që droidi R2-D2 nga “Star Wars” në vitin e kaluar ishte shituar për 2.76 milionë dollarë në një ankand në Los Angeles, derisa shpata laserike e Luke Skywalker u shit për 450.000 dollarë.

Përveç parave të fituara, shitja e kësaj arme është njëherësh edhe një reklamë e mirë e filmit “Solo: Star Wars Story”, regjinë e të cilit e ka bërë Ron Howard.

Vazhdimi i radhës nga franshiza “Star Wars” u dha premierë muajin e kaluar, ndërsa më 24 maj të vitit të ardhshëm do të vijë vazhdimi i nëntë me radhë. /Telegrafi/

Adele me album të ri në 2019-ën

Kanë kaluar tre vjet nga “25”, puna e tretë e Adele dhe kantautorja britanike tani është gati të kthehet në punë për përpjekjen e saj të katërt.

Sipas mediave britanike, synimi është të kalojë këtë verë duke shkruar këngë të reja për një album që mund të dalë për Krishtlindjet e 2019. Ndërkohë, Adele mund të shfaqet si një yll i ftuar në albumin e ardhshëm të Foo Fighters.

Ishte Dave Ghrol, këngëtar i grupit, i cili deklaroi se mund të kishte një mundësi për ta bërë këtë. Një bashkëpunim mes këngëtares dhe grupit ishte folur tashmë në të kaluarën, por pastaj gjithçka ishte e paqartë. “Për fat të keq nuk ishte e vërtetë – tha Ghrol -, por këtë herë ndoshta …”.

Për Adele ky mund të jetë një hap i ngrohtë në funksion të kthimit në skenë.

Albumi i fundit “25” ka qenë në krye të listës në 32 vende, duke shitur miliona kopje (fizike) edhe në një periudhë krize të zezë në diskografi. Përsëritja bëhet gjithnjë e më e vështirë çdo herë, por Adele na ka mësuar që të arrijë çdo herë rekorde të reja./ KultPlus.com

Rita Ora publikon këtë ushqim tradicional (FOTO)

Rita Ora disa herë ka deklaruar se është adhuruese e ushqimit tradicioal dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe njëherë, shkruan KultPlus.

Ajo nëpërmjet një postimi ka njoftuar se nëna e saj Vera Ora ka gatuar pite për të bijën.
Edhe Rita Ora edhe Dua Lipa shumë shpesh nëpër intervista të ndryshme kanë folur për kuzhinën shqiptare, duke potencuar edhe pitet./KultPlus.com

Ky është ministri që ofron pagën e tij për shlyerjen e dënimit për shqiponjat

Gjobat e vendosura ndaj dy lojtarëve shqiptarë nga Kosova, që përfaqësojnë Zvicrën në Kupën e Botës “Rusi 2018”, duket se e kanë gjetur një kontribues, i gatshëm të paguajë për shlyerjen e një pjese të tyre.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Bajram Hasani ka vendosur që pagën e tij ta japë për të paguar një pjesë të gjobës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, të cilët u dënuan nga FIFA për shkak të gjestit të shqiponjës dykrenare në vazhdën e festimeve të golave të tyre që i dhanë fitoren 2-1 Zvicrës në përballjen me Serbinë.

Pas një postimi në Facebook, ministri që edhe vet vjen nga Gjilani, vendlindja e Shaqirit, ka thënë se emocionet që ata u dhanë të gjithë shqiptarëve nuk paguhen me parà.
“Nuk paguhen me parà emocionet që na dhanë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër-Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë.

Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndihem i detyruar që një pagë timen ta ndaj për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni djema e na bëni krenarë!”, shkruan ministri Hasani në Facebook.

Gjon Gazulli, i pari humanist shqiptar

Gjon Gazulli lindi në vitin 1440 në Raguzë. Ai ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit.

Pasi kreu studimet në vendlindje, në moshën 25 vjeçare shkoi në Padova ku u doktorua në Universitetin e Padovës. Në një dokument të kohës thuhet: “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus” (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar). Sipas hostorianëve dhe studiuesve të tij, ai qe edhe profesor i Universitetit të Padovës, ku sot ndodhet fakulteti i juridikut.

Pa dyshim, ai ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet mes dy periudhave më të rëndësishme: Humanizmit dhe Rilindjes Evropiane.

Ai ishte astronom, matematikan, fizikan, filozof e diplomat, çka padyshim mund t’i japë atij statusin e “enciklopedisë” për kohën kur jetoi dhe veproi.

Ndër gjithë këto fusha, ato të dyja ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Duke qenë se ka kaluar shumë kohë, që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e Padovës, e Budapestit, e Venecies, e sidomos e Raguzës (Dubrovniku i sotëm, vendi ku ai jetoi e punoi më gjatë).

Por edhe ndër arkivat private mund të gjenden materiale që kanë vlerë të madhe. Ndër to vlen të përmendim Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.

Duke qenë se Gazulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali e në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës mbi këtë enciklopedi shqiptare.

Origjina e tij shqiptare është e dyshimtë. Studiues italianë janë të bindur se ai ka origjinë italiane. Studiuesit kroatë, sipas tyre, japin fakte të “pakontestueshme” se Gjon Gazulli ishte kroat nga Raguza. Ndërsa studiuesit shqiptarë e shpjegojnë prejardhen e tij shqiptare nisur nga mbiemri të cilin e lidhin me një fshat në një ndër krahinat e Shqipërisë së Veriut. Sipas tyre, ai mund ta ketë prejardhjen ng Mirdita, por nuk mungojnë as hipotezat se ai mund të jetë nga Zadrima apo edhe Kukli.

Gjon Gazulli mbylli sytë përfundimisht në Raguzë më 19 shkurt 1465 dhe la pas një emër dhe një vepër të shquar e cila vlen edhe sot për studime në fushat e astronomisë e diplomacisë, shkruan Konica.al./ KultPlus.com

Dritëroi i vërtetë, në letrat e dashurisë

Shkruan: Kadri Tarelli

Kritikët dhe autorë studimesh, shprehen se, në letërsinë shqipe ka pak shembuj të letërkëmbimeve, sidomos kur bëhet fjalë për letra dashurie. Po ja që Sadija, e dashura dhe bashkëshortja e Dritëro Agollit, thyen akullin dhe na sjell librin: “Dashuri në moshën e Krishtit”, një titull ngacmues, për një përmbledhje të letërkëmbimit dashuror, mes dy të dashuruarve. Ka shumë sinqeritet dhe dashuri bashkë, për të treguar atë pjesë të pathënë; dashurinë si ndjenjë, që lind e madhohet, forcohet e shuhet bashkë me njeriun, si për t’u bashkuar me Platonin e lashtësisë, që thotë: “Nëse nuk të ka prekur nga dashuria, ecën nëpër terr…”. Në këtë libër, fatmirësisht janë shkrirë në një të vetme, dashuria dhe letërsia, si kumt që i përcillet jetës që kur lind. Libri në vetvete, është një përmendore në mbretërinë e letërsisë shqipe, që i ngrihet dashurisë, e cila frymon e lartohet në shenjtërim, sepse njerëzit dashurojnë pa dallim, shpesh deri në marrëzi dhe flijim. Për t’i dhënë të drejtë shkrimtarit dhe poetit Shpendi Topollaj, që shprehet: “Kanë dashuruar mbretër e perandorë dhe, po me atë fuqi shpirti, kanë dashuruar edhe shërbëtorët e ushtarët, druvarët e minatorët, bujqit e blegtorët”. Vetë Dritëroi shkruan:

…dua të mbaroj një artikull…..

Nuk më punojnë mentë.

M’u kujtove ti dhe,

në vend të artikullit,

po të shkruaj këtë letër.

Sikur ta merrte vesh kryeredaktori,

ç’komedi do të ishte!”.

Sa sinqeritet ka në këto pak fjalë. Ky është njeriu dhe shpirti i pa treguar i tij, për të kaluar në një përkufizim filozofik, kur thotë: “…Ambientimi është si uji i fjetur, bile fare i palëvizshëm… këtij unë i kisha frikë, frikë si djalli…” Çdokush, që do të ketë kënaqësinë të lexojë sado pak radhë të këtij libri magjik, do të çuditet, kur të lexojë të shkruar nga dora e vetë shkrimtarit: “E, si vajti kjo punë….. E di ti, se unë nuk di të shkruaj letra dashurie? Është çudi për t’u çuditur, sepse qenka e vështirë të rrëfesh atë që ndjen së thelli. Kjo “sëmundje” hyjnore, ka prekur edhe Dritëroin tonë, megjithatë ai shkruan qetë, pa psherëtima e ngashërime, pa fjalë të mëdha e thirrje bubullimë. Në çdo letër në faqet e këtij libri, pavarësisht se është nisur e bitisur, si të gjitha letrat, autori përcjell frymëzimi poetik, i shfaqur natyrshëm, pa rënë në romantizëm, për të qenë i vërtetë dhe i drejtë me vetveten dhe me të dashurën, Sadijen. Poeti ynë Dritëroi, mbase mendonte si Faik Konica, që thotë: “Dashuria është dhembje nga të zemrës, që zgjat ndonjëherë për shumë kohë dhe është një dobi e madhe për pjekurinë e mendimit”. Lexuesi mund ta quajë me të drejtë librin, “Ditar dashurie”, titull që mund t’i shkonte goxha mirë, sepse renditja dhe datat shumë të shpeshta, na japin përshtypjen e ditarit pa ditar. Nëpër letra, duket sikur takon e bisedon me dikë, që të dëgjon e të beson, që e ke larg, por e ndjen afër, i qan një hall, i shfryn një brengë apo një mall. Këtu Driteroi është vetvetja, përdor pak figura letrare fluturuese. Ai është mbështetur mbi truall të fortë, ku ecën me çap të sigurt dhe mendim të pjekur. – “Do të të shkruaja më parë, – thotë diku Driteroi, – por pata frikë se nuk do të ishe në shtëpi… Në Tiranë bie shi dhe unë mendoj për ty”. Sa njerëzisht, thjesht, bukur e madhërisht. Diku poeti Vladimir Masallov, shkruan: “Në do të jetosh prej dashurisë, duhet të jesh i pushtuar prej saj”. Dritëroi ishte i pushtuar prej saj, aq sa edhe Sadija e ndjente që larg nga Shkodra, shiun dhe psherëtimën e “princit” të saj. Nuk di si do t’i përjetojë lexuesi këto pak rreshta të shkruara çiltërsisht, në një tjetër letër: “Nuk di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit të bëhem kaq i papërmbajtur në shfaqje e ndjenjave? Në mesditë të jetës, dashuria qenka e çuditshme”. Nëpërmjet dy gjetjeve të tilla letrare, shprehet një rrëfim malli, përkëdhelje shpirti dhe prehje në krahët e tërheqjes universale të dashurisë, ndaj shkruan: “…. E di ti, se më pëlqen qeshja jote”.

Një vend të rëndësishëm në libër, zenë letrat e Sadijes, që i përgjigjen aq thjesht dhe letrarisht, bukurisë së letrave që merrte nga Driteroi. Aty, përmes një romantizmi jo të ndezur, ndjehet shpirti i butë dhe delikatesa femërore e pleksur në ëndrrat dashurore. Ajo që bën përshtypje, duke lexuar nëpër rreshta, janë cikërrimat e zakonshme, që e mbushin ditën, javën dhe kohën, të sjella aq lirshëm, si biseda me dy shokëve. Aty flitet, për thashetheme, qepje kostumi, dolli e dehje rakie, udhëtime, çanta, këpucë, blerje valute, transferime, çaste pune dhe teshtitje gripi, lexime, shkrime e botime, kritika letrare…. Aq sa çdo kush, vetiu njihet dhe jeton me problemet e kohës, kur ka mbirë ky çift i dashuruar. Na duket sikur po bisedojmë me Dritëroin, ballë për ballë pranë oxhakut, për punë e halle, duke pirë kafe, shoqëruar edhe me një gotë raki, për ta zgjatur muhabetin. Këtu qëndron edhe madhështia e Dritëroit, si shkrimtar, poet e mendimtar, sepse çdo letër është një krijim i mirëfilltë letrar, me kumt njerëzor të papërsëritshëm, të dobishëm e frymëzues. Gjykoni vetë këto pak fjalë, që i drejtohen Sadijes: “Unë në përgjithësi, kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, por tani i kam mbyllur fare. Kudo vetëm ty të shoh”. Të moshuarit ngazëllehen kur lexojnë të tilla letra. Kujtojnë kohën dhe “heroizmat” e tyre në Dashuri. Të rinjve, mbase do t’u vijë “pak marre”, siç thotë shkodrani, që me telefona në dorë dhe portale interneti, po e zhveshin shpirtin nga magjia e dashurisë dhe gudulisjet intime, të fshehta për sytë e botës ngatërrestare. Letrat e Dritëroit dhe të Sadijes, zbulojnë një botë të vërtetë jete në dashuri, për t’u kujtuar e lakmuar. Askujt nuk i del keq, nga ky mësim, mbushur me magji dashurie. Mjafton të kujtojë këto fjalë të Dritëroit: “Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët”.