Shtëpia e At Gjergj Fishtës nuk do të restaurohet

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njoftoi nga Lezha se shtëpia e Gjergj Fishtës në Fishtë nuk do të restaurohet për shkak se është objekt privat.

Shtëpia e përfolur e At Gjergj Fishtës në Fishtë të Lezhës nuk do të restaurohet edhe pse është raportuar edhe më parë që ajo është drejt shkatërrimit.

“Objekti që shpeshherë cilësohet gabimisht si shtëpia e Gjergj Fishtës është vetëm një banesë me disa pronarë privatë me një histori pronësie goxha të komplikuar, ku At Fishta ka kaluar pak muaj fëmijërinë e tij”, ka thënë Mirela Kumbaro.

Prandaj memoria për Gjergj Fishtën do të bëhet tek kolegji i Troshanit, të cilit ai i kushtoi pjesën më të rëndësishme të jetës së tij.

Ministrja e Kulturës ishte në Lezhë duke inspektuar punimet për rikonstruksionin e plotë të vendvarrimit të Skënderbeut.

Ajo tha se punimet do të krijojnë probleme gjatë sezonit turistik për vizitorët dhe agjencite turistike, por u kërkon mirëkuptimi të gjithë aktorëve, shkruan abcnews.al./KultPlus.com

Muzika e dhomës bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, i cili zhvillohet në njërin prej ambienteve më atraktive jo vetëm të Durrësit por të gjithë Shqipërisë, Muzeun Arkeologjik, arrin në edicionin e trembëdhjetë.

Ky festival, tashmë i njohur për nivelin e lartë profesional dhe artistik të koncerteve do të prezantojë përgjatë një periudhe trejavore, prej mbrëmjes së parë në datë 25 qershor, e deri mbrëmjen përmbyllëse të 14 korrikut, ansamble të ndryshme të muzikës së dhomës.

Të hënën, mbrëmjen e datës 25 qershor u zhvillua koncerti me instrumentistët italianë. “Il Quartetto di Cremona”, i vlerësuar si trashëgimtar i denjë i të madhit “Il Quartetto Italiano”, nëpërmjet një programi tepër profesional interpretoi nën tingujt “Stradivari” me instrumentet e tyre.

Mbrëmjen e së premtes datë 29 qershor është prezenca e klarinetistit tepër të njohur grek Spyros Mourikis, në klarinetë dy kuintetet më të spikatura nga Mozart dhe Weber, që do të jetë së bashku me violinistët Emilio Percan e Nevila Kalaja, si dhe violinisten Enkela Kokolani e violonçelisten Dilbag Tokay.

Festivali që nga viti 2006

Festivali zhvillohet nga shoqata Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare, që u krijua në vitin 2004 në Durrës me iniciativën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Qëllimi i kësaj shoqate ka qenë dhe është bashkëpunimi i artistëve shqiptarë me të huaj, këmbimi i eksperiencave të kulturave të vendeve të ndryshme.

Gjatë aktivitetit të këtyre viteve kjo shoqatë ka organizuar mjaft koncerte në Durrës, Tiranë dhe Itali të cilat kanë përcjellë në publik një nivel të lartë interpretimi artistik. Një rëndësi të veçantë i është dhënë organizimit prej anëtarëve të kësaj shoqate, Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, aktivitet që zhvillohet prej vitit 2006 në qytetin e Durrësit.

Sipas organizatorëve ky festival u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, etj , por edhe me dëshirën e madhe për t`u ballafaquar me këto kultura dhe kjo nëpërmjet shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë.

Një tjetër synim i këtij aktiviteti është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, shkruan ata./ KultPlus.com

Sislej Xhafa sjellë ekspozitën e parë në Prishtinë, “Të dua pa e ditur”

Prej 5 korrik deri më 25 gusht, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin love you without knowing (Të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans, shkruan KultPlus.

“Love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij.

I lindur në vitin 1970, në Pejë, Xhafa ka jetuar ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të të 1990-ave.

Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Me qasje ironike dhe subversive e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi deri tek skulptura dhe instalacioni, Xhafa me subtilitet dhe konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta të cilat i strukturojnë jetët tona.

Karriera e tij përfshin harkun kohor nga të 1990-at deri në të tashmen, prandaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksibile t’iu përshtatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në nivel lokal duke i krijuar ato atypëraty me njerëz të Kosovës dhe me artistin./KultPlus.com

101 vite nga lindja e kompozitorit Prenk Jakova

Prenk Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

Prenk Jakova u lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës. Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.

Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj.

Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi” dhe “Shkoj e vi flutrim si zogu”.

Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.

Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.

Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat./KultPlus.com

Jeton Neziraj, pjesë e Rezidencës Ndërkombëtare të Dramaturgjisë “Write”

Alberina Haxhijaj

Nga 3 deri më 8 korrik në Itali do të mbahet Rezidenca Ndërkombëtare e Dramaturgjisë. Kështu në qytetin Mandanici edicioni i tretë i “Write” do të bëjë së bashku 8 autorë të cilët vijnë nga Italia, Franca, Bullgaria por edhe Kosova, shkruan KultPlus.

Dramaturgjia kosovare në një mënyrë do të paraqitet në Rezidencën Ndërkombëtare të Dramaturgjisë përmes dramaturgut Jeton Neziraj, i cili është ftuar për të qenë pjesë e edicionit të tretë.

Përveç Jeton Neziraj të ftuar për të iu bashkuar këtij edicioni janë edhe dramaturgët e tjerë të njohur si Chiara Boscaro, Nello Calabro, Barbara Chastanier, Giovanni Greco, Giuseppe Di Bella, Andrea Saitta, Alexander Manuiloff dhe Marco Di Stefano. Autorët pjesëmarrës do të diskutojnë për shkrimet dramaturgjike dhe do të shkruajnë për dy ditë tekste teatrale që do t’i besohen menjëherë një ekipi drejtuesish, aktorësh dhe performuesish për ti vënë në jetë ato.

KultPlus ka biseduar me drejtorin artistik të festivalit Tino Caspanello për të mësuar më shumë për Write – Rezidencën Ndërkombëtare të Dramaturgjisë, e cila fillimisht është një vendtakim për dramaturgët dhe ju mundëson atyre të njohin më mirë njëri-tjetrin, të diskutojnë për punën e tyre, zgjedhjet e tyre poetike dhe artistike.

“Unë i zgjedh dramaturgët fillimisht pasi që kam lexuar punën e tyre apo duke besuar në sugjerimet të cilat i marr. Disa nga dramaturgët i njoh personalisht ndërsa të tjerët i njoh për shkak të rëndësisë që kanë shkrimet e tyre”, tha ai për KultPlus.

Edicioni i tretë i “Write” do të mbahet në manastirin antik sicilian të viti 1100, në Mandanici, një qytet i vogël në provincën Messina. Vendi njihet për pamjen piktoreske që ka, një vend i qetë me një energji të rrallë. Ndërtesa është mjaft e madhe dhe mundëson një akomodim të mirë për pjesëmarrësit.

“Unë pata ftuar Jetonin edhe në edicionin e parë, në vitin 2016 mirëpo ai ishte i zënë dhe nuk pati mundësi që të vinte. Provova përsëri këtë vit dhe isha me fat. Kam lexuar disa nga tekstet që ka shkruar Jetoni dhe e çmojë më të vërtetë punën e tij”, tha Tino Caspanello.

Caspanello kujdeset për pjesën artistike të rezidencës, ai zgjedh shkrimtarët dhe koordinon punimet, ndërsa organizata është kuruar nga Latitudini – rrjeti sicilian i dramaturgjisë bashkëkohore, i kryesuar nga Gigi Spedale.

Tino Caspanello është po ashtu dramaturg si dhe drejtor në kompaninë që ka themeluar në vitin 1993, “Teatro Pubblico Incanto”. Tekstet e tij janë botuar në katër vëllime në Itali, e disa prej tyre edhe në Francë. Shkrimet e tij janë përkthyer në anglisht, polonisht, greqisht, frëngjisht dhe kinezisht./KultPlus.com

Rrëfimi i Liliana Hoxhës: Enveri në pikturat e mia

Sapo hyn në galerinë “Zeta”, të rrëzohen të gjitha pikëpyetjet që mund të kesh rreth dikujt që nuk ishte marrë kurrë me pikturë dhe befas ka bërë aq shumë të tilla sa mund të hapë edhe një ekspozitë.

Ka kaq shumë luhatje gjendjesh shpirtërore, rënie, ringritje, frikë, përpjekje dhe janë të gjitha të shprehura në portrete që nuk i largohen asnjëherë tërësisht autores. Piktorja është Liliana Hoxha dhe kjo është ekspozita e saj e parë.

Siç ndodh me çdo rishtar të vendosur, që ka ‘ngecur diku’, ekspresionizmi gjendet në të gjitha telajot që duket se janë bërë me një frymë, vetëm për të çliruar krijuesen. Përfituam që ora e ardhjes së të ftuarve (në çelje të ekspozitës kishte vetëm familjarë të afërt e miq të ngushtë) nuk kishte shkuar ende, për të bërë një shëtitje nëpër të gjitha ndjesitë që Liliana Hoxha, nusja e Enver Hoxhës, ka hedhur me duar, pa spatula e pa penela, në telajo. Hijet e shëmbëllimet, ende pa e pyetur, të tregojnë që nuk mund të të largojnë shumë nga historia…

-Nëse do kalonim pak në të gjitha pikturat, nga doni t’ia nisim.

Kjo nuk është shumë e rëndësishme në rastin tim. Për çdo pikturë puna është krejt personale, por mendoj që imja është edhe më tepër sepse është shumë shpirtërore dhe unë jam udhëhequr vetëm nga ndjesitë e mia, për të dhënë mesazhe.

-Çfarë mesazhesh?

L. Hoxha: Mesazhet janë sociale, por secili bën interpretimin e tij.

-Ndihet prania juaj në çdo pikturë. Duket se portreti juaj është pak gjithandej…

L. Hoxha: Mendoj që puna e portretit është një gjë që më favorizon sepse nuk është e lehtë të shprehësh një fenomen me portret dhe kjo është pikërisht ajo që unë kam nisur të bëj.

-Çfarë ndodhi që nisët të pikturonit?

L. Hoxha: Historikisht, unë nuk jam marrë ndonjëherë me pikturë dhe as e kam menduar se do të pikturoja ndonjëherë. As e kam kërkuar, kam qenë veç artdashëse, siç ndjek gjithë artet e tjera. Mendoj që ka ardhur befas, por jo se nuk do ketë ndonjë arsye. Edhe unë jam befasuar.

-Cila mendoni se mund të ketë qenë arsyeja?

L. Hoxha: Ashtu si e kuptoj unë, arsyeja është trysnia e fortë që ka qenë brenda meje, për një aktivitet ekstrem që më është dashur për dhjetë vite të kaloj, pengesa të pafundme e të përballoj gjithçka. Ka qenë një sforcim ekstrem. Më në fund, kur unë e mbarova atë përballje, kam ndjerë, me sa duket, nevojën të çlirohem. Mirëpo, mbaroi vetëm përballja ime jo problemi, problemi vazhdon sepse ai i takon shoqërisë dhe këtë të fundit unë e kam parë në pikturë.

-Po u referoheni problemeve brenda familjes suaj?

L. Hoxha: Jam përpjekur ta trajtoj si probleme në tërësi, më gjerë se kaq sepse po të flasim për problemet brenda familjes sonë ka shumë shpërdorime. Ajo është familja jonë me emër, por nuk është familja jonë më, mendoj që nuk ka qenë asnjëherë. Përveç Enver Hoxhës, vetëm ai ka qenë familja ime…

-A gjendet ai diku mes figurave të pikturës suaj?

L. Hoxha: Nuk është nevoja që ta identifikojmë veçanërisht, secili e lexon vetë. Megjithatë, atje ku është ajo e mirë që mund të ketë qenë, ai patjetër është. Mendoj që pas një pune kaq të madhe, kur truri ngelet kaq i trysnuar dhe përpiqet të gjejë se si mund të çlirojë veten, aty në atë çast ndizet një llambë që nuk ka ekzistuar më parë dhe rezulton diçka, për të cilën ti nuk kishe menduar ndonjëherë.

-Cila ka qenë piktura juaj e parë?

L. Hoxha: Kjo është një ekspozitë me punë vetëm të vitit të fundit sepse unë kam tri vite që pikturoj, prandaj edhe këto janë të gjitha thuajse të reja. Unë punoj ashtu siç më vjen, me duar, vetëm në vaj. Nëse çasti vjen, ashtu mistershëm siç është, vazhdoj ta ndjek. Kjo është ekspozita e parë dhe bashkë me këto janë pikturat që janë të publikuar edhe në dy katalogë.

-Ngjyrat që shquhen kollaj ishin kështu që në fillim apo rrugës, apo duke mësuar e duke ndryshuar?

L. Hoxha: Ato erdhën që në fillim, madje, ndonjëherë përpiqem t’i zbus për mos të qenë shumë e ashpër. Mendoj që kjo gjë ishte për të dalë. Unë përpiqem të jap një shpjegim shkencor, por ekziston edhe shpjegimi mistik. Mendoj që kjo është një dhuratë.

-A ka në rrethin tuaj të afërm, njerëz që merren me pikturë, prej të cilëve mund të jeni nxitur të nisni të pikturoni?

L. Hoxha: Më vjen mirë që po flasim për këtë sepse ne as në familje nuk e kishim menduar, por më vonë rezultoi që mbesa ime e madhe, e cila studion për pikturë, të bënte një lidhje me mua… Djali i Shpatit gjithashtu vizaton, kuptohet, si çdo fëmijë 5 vjeç, por ai vizaton me mendim dhe jo figura të mamit apo babait. Kjo më çudit prej tij dhe mendoj që ai do të pikturojë një ditë sepse e dalloj që tani analizën e tij. Megjithatë, nëse nuk do të ishte profesor Ali Oseku, nuk do të kisha pasur guximin kurrë të bëja asgjë.

-Kujt ia keni treguar punët e para?

L. Hoxha: Ali Osekut, ai më ka përlotur që në fjalët e para dhe e dallova gëzimin në portretin e tij dhe ky mund të jetë vetëm reagimi njerëzor i një artisti të vërtetë. Ky është artisti, duhet të entuziazmohet, të gëzohet, përndryshe është një njeri i shkolluar që di të bëjë diçka. Ju zë shumë kohë puna me një pikturë.

-Kur vizatoni?

L. Hoxha: Piktura, për mua, është si fryma edhe ajo ecën shumë shpejt. Për dy orë thuajse e kam mbaruar. Me regjimin tim gjej kohën më të mirë, që është pasditeve, preferoj të mos dal dhe t’i kushtohem pikturës. Nëse e kam nisur diçka, nuk mund të dal kurrsesi deri sa kam mbaruar (Panorama)./ KultPlus.com

Esat Bicurri – Lundër Muzikore

Shkruan Naser Shatrolli.

Kënga e tij intuitivisht më shtynë për të lundruar nëpër mendime të një epoke që nuk përsëritet më.

Esat Bicurri këngëtar nga Gjakova – i vrarë nga policia serbe, në vitin 1999, në Gjakovë.

Ka një javë që e dëgjoj opusin e tij artistik muzikor. Unë kam dëgjuar për të edhe më herët, kalimthi e kam veshtuar zërin e tij. Por, ai që më shtyri me shkruar këtë format recensional – eseistik është Ismet Bogujevci – doajeni i muzikës qytetare – popullore.
Natën kur e mundi me top Zvicra Serbinë, e dëgjonim këngën e tij me entuziazmin e peshës së arenave, meqë, zëri i tij tingëllon si kumt arenash.
Bogujevci i përlotur po më fliste për vdekjen e mikut të zemrës së tij Fadil Vokrrin, me gjysmë ton – më tha; nëse të provokon, nëse e ndjen zërin e tij, afshin e tij artistik, merr lapsin e kaltër, thuri diçka të kaltër qiellorit, mikut tim të zemrës e të skenës ESATIT.

Nga dita që diskutuam u bënë disa ditë. E kam dëgjuar çdo ditë këngën e tij, në makinë, në banesë, në zyre, në kafe te Genc Polloshka. Në secilën prej këngëve që ai ka interpretuar, fshehet magjia muzikore, të mbërthen, të mban për vete butësia e tij karshi trajtesës që ai i bënë brumit muzikor, materialit. Ngrohtësia e tij njëherësh lirizimi i tij tenoror, përkatësisht shkëlqimi i stofit të zërit të tij, derdhet në nota i tëri – poezi Lasgushiane për veshin meditativ.

Nuk kam gjetur tek ndonjëra nga këngët e tij, element të t’kënduarit me zor apo dhunshëm, siç është një këngëtar i talentuar në botë por edhe këtu “vena – vena” do të thoshte Bali (fjalë e huazuar). Fryma e tij lirike në formë jehu, vjen si mendësi kanarinash, e thënë diku mes rreshtave.

Këngët e tij ndihmojnë dritën e syve të brendshëm kurdo me pa diellin pa syze. Ose, unë që dua të ngrohi diafragmën shpirtnore, e lëshoj në mëngjes, rrëshqet fytas kafeja pa pasur nevojë për llafe goje, m’shoqëron më së miri zëri i tij i kristalt – vërtetësi Kristalore, orbit minerar. Nuk e di sa kam dëgjuar zëra kaq unik dhe të qëndrueshëm në kuptimin e shtrirjes dhe kumbimit. Kur e dëgjoj në kohë dreke, në pauzë, kënga ecën me qejfin, pak meze, dy tri çofte në pjatë, dy tri kokrra qepë, një grimë kripë, i trohëz biber, pak sallatë sa me i përga orgjinalitetit, një rrisk bukë të thekur, birra e tëra djersë nga i ftofti i frigoriferit, tavolina katrore, e mbuluar me qarqaf- punë dore, diku në një mur të kafiterisë qëndron një radio e vjetër, të cilën shefi i kafiterisë e ruan me zell e zili. E nga aty, del zëri i tij kokërr siç nxjerr kokën kenguri nga thellësia e barkut të nënës për të ushqyer sytë me dritë.
Esat Bicurri ta vjedhë ditën si mos me qenë. Të zë darka duke porositur, hajt edhe ka një, hajt edhe ka një, e thërret një dost, e thërret dostin e dytë, të tretin, të tetin, plas sherri i muhabetit të mirë, qelen rezonat e qejfit, të këngës e muhabetit, kush ishim dje, kush jemi sot. Në darkë, merr formë tjetër kënga e tij, shndërrohet në simbol muzikor si «hallva» në ditë feste për fetarët. Nuk ja kam idenë se sa të duket nata e mirë, se sa të pëlqen miqësia, xhepi shprazet deri në metelikun e fundit, përvlon tryeza llaf për të pathënat e skenës dhe për përlyerjet që i bëhen mikrofonit sot, për dhunën që plasojnë tek veshi popullor dhe maska që e lyejnë me ngjyrë boj rrene për ekranet televizive.

Në Esatin dominon kultura muzikore, harmonia, mirësia, optimizimi, hareja – të gjitha këto, janë domen më vete – ide, gjetje e tij – janë dhuntia e tij, fundja. Pastaj, stili i veçantë është veçantia e këngës së tij. Diksioni në frymë tallasi, si oshtirë që nuk vret vesh, përkundrazi ngopë me zanore e bashkëtingëllore të kulluara vesh e zemër, pa pasur nevojë intervence të pullave nëpër studio. Nuk i vjedhë zanoret në të kënduar, nuk i dhunon bashkëtingëlloret, nuk e dhunon vargun, frazën, rimën, jo, jo – ai i jep dimension skenik këngës. Vokacioni i tij është model muzikor në secilën këngë. Secila këngë e tij po ta dëgjosh me vëmendje dy, tre, 10 herë, t’varëson, të mëson vetvetiu të thuash unë paskam rrejtë me vite – e lash me ditë të sodit muzikën se s’ia kam haberin.

Bicurri është shpotitës muzikor, çelës i guximit artistik. Nuk lavdëron kënga e tij, akoma më shumë, nuk lavdërohet ai përmes këngës, përkundrazi, fshehet pas modestisë së mikrofonit. Do të thonja është këngëtar i modestisë. Patetizmi nuk gjen strehë në dritaren e shpirtit të tij, ska asnjë element që e bënë të pa durueshëm siç është sot muzika e ndërtuar mbi themelet e zhurmës, britmave, gagarisjes së pusetave zhabore, përtypjes së zanoreve që tingëllojnë si buallicat nëpër gropa të përlloqura.

Esat Bicurrin e shikoj si dritare të muzikës së lehtë qytetare, si filozof të kulturës muzikore shqiptare.

Dheu që atë e mbulon, le ta shfrytëzojnë gratë për lulet e ballkoneve të një qytetarie mirëfilli./ KultPlus.com

Dua Lipa kur ishte 6 vjeç

Dua Lipa në një fotografi të rrallë në vitin 2001.

Dua Lipa ka lindur më 22 gusht në vitin 1995 në Londër. Prindërit e saj ishin vendosur atje pasi që migruan nga Prishtina në vitin 1990. Ajo ka ndjekur shkollën “Sylvia Young Theatre School” më kohë të pjesshme para se prindërit e saj të riktheheshin përsëri në Kosovë në vitin 2008.

Pasi që mbushi 14 vjet ajo filloi që të këndonte këngët e të tjerëve dhe u bë e njohur me postimin e tyre në YouTube./KultPlus.com

Babai i shkruan Ermal Metës, tregon historinë pse i biri nuk i flet

Gëzim Meta, babai i Ermal Metës ka reaguar pas koncertit të këngëtarit të njohur në Tiranë me një letër publike.

Këtë letër Gëzim Meta e motivon me arsyen se ka bërë përpjekje për të takuar të birin, kur ishte në Tiranë, por Ermali nuk e ka pranuar takimin me të. Prindërit e Ermal Metës janë të divorcuar dhe Ermali ka jetuar me nënën.

Në disa intervista për mediat italiane dhe shqiptare, Ermal Meta është shprehur se i ati i tij ka ushtruar dhunë mbi të në fëmijëri. Madje këngëtari është shprehur se disa motive të vuajtjeve në adoleshencë janë përfshirë në këngët e tij si një mesazh kundër dhunës si “Lettera a mio padre” dhe “Vietato morire”, ku flet për fëmijërinë e dhimbshme të tij.

Tek ‘Lettera a mio padre’ ka treguar për raportin më babanë e tij. Babanë ai e përshkruan një njeri që nuk ndodhej kurrë në shtëpi. Ndërkohë, i ati, Gëzim Meta, në këtë letër publike, insiston të sqarojë se nuk ka qenë i dhunshëm. Gëzim Meta i lutet Ermalit që të takohen dhe ulen për të biseduar së bashku, ku shton se “do t’ia fal edhe fjalët që ka thënë publikisht në adresë të tij”

Letra e plotë, e publikuar në gazetën “Panorama”:

Në datën 30 maj 2018, dy ditë para koncertit të Ermalit ishim mbledhur me disa shokë të shoqatës së emigrantëve të Greqisë, dhe po diskutonim për disa probleme që na shqetësojnë në një bar-kafe pranë Sheshit Skënderbej. Në bisedë e sipër, njëri nga shokët më thotë:

– Ke ardhur për koncertin që do të japë djali më 1 qershor?

– Po, – i thashë.

Një person i tretë që nuk e dinte këtë gjë, më thotë:

– Pse, ti je babai i tij?

– Po, – iu përgjigja.

Ai po më shikonte me kërshëri duke mos m’i ndarë sytë për asnjë çast.

– Më fal, – i them, – por çka këtu për t’u habitur.

– A e di ti si e kam përfytyruar unë babanë e këtij? – ma priti ai. – Një person 190 cm të gjatë, kokërruar, me tatuazh dhe me shkop ose me një rrip në dorë, ku mezi priste me padurim të rrihte djalin e vet çdo mbrëmje.

Pa e zgjatur më tej, ky ishte imazhi që ishte krijuar për personin tim. Megjithëse buzëqesha me zor, ndjeva një trishtim të cilin nuk munda të arrij ta ndrydhja brenda vetes. Pra arsyet për të cilat po jap këtë intervistë, janë dy:

E para, duhet t’u them të gjithë njerëzve që unë nuk jam ai që përshkrova më lart, por një njeri krejt tjetër.

E dyta, në pamundësi të mungesës së dialogut me Ermalin, nuk më ngelet gjë tjetër veçse të përdor mikrofonin dhe lapsin e letrën për komunikimin tim me të. Ai më njeh pak dhe unë kam detyrimin t’i shpjegoj se kush jam. Fillojmë me të parën që ka të bëjë me CV-në time.

Kam mbaruar shkollën e mesme të muzikës, në degën flaut, në vitet ’80. Kam punuar si mësues muzike dhe si orkestrant në orkestrën e qytetit të Fierit. Kurse sot e kësaj dite vazhdoj të marr pjesë në orkestrën e qytetit të Agrinios në Greqi. Gjatë periudhës në emigracion kam dhënë mësime në degën e flautit në Greqi – Agrinio.

Në vitet 1985-1990 kam vazhduar universitetin në Shkodër në degën Histori-Filologji, ku më pas u diplomova në Universitetin e Tiranës, në janar 1993. Në vitet 1990-1996 kam punuar si mësues në shkollë të mesme (gjimnaz), duke dhënë mësim në lëndët Histori, Filozofi, Sociologji, Pedagogji etj. Krahas dhënies së mësimit në shkollën e mesme, kam dhënë kontribut edhe në studentët e veçantë duke ndihmuar si konsulent në mbrojtje diplome, në të cilën ata kanë pasur nevojë. Gjatë gjithë karrierës sime si muzikant, nuk kam pasur asnjë rast dhune të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Të gjitha këto që po them janë lehtësisht të verifikueshme.

Për mua shprehjet që përdoreshin atëherë si p.sh. “kush të rreh, të do” ose kishte raste kur mësuesi e rrihte nxënësin dhe prindi i thoshte “mirë ta bëri, na edhe një pëllëmbë nga unë”, i kam urryer dhe i urrej edhe sot. Unë nuk jam dakord as me edukimin biblik ose spartan që praktikohet rëndom edhe sot. Për mua, mjeti më i mirë është komunikimi.

Pas vitit 1996 jeta ime ka vazhduar si emigrant në Greqi. Nga martesa ime e dytë, familja përbëhet nga bashkëshortja me profesion piktore dhe dy fëmijët, të cilët këtë vit mbarojnë universitetet përkatëse në Greqi. Kam një integritet të lartë moral e shoqëror në të gjithë shoqatën e emigrantëve të qytetit ku ata më kanë zgjedhur edhe kryetar të kësaj shoqate.

Kjo CV që unë kam nuk është shumë e pasur, por është e pastër. Si edukator i atij brezi e më vonë, obligimi im ka qenë komunikimi, dialogu, dëgjimi, deduksioni, analiza e si pasojë, konkluzioni.

Fjala dhunë për mua është atavizëm. Mbase do të duket patetike, por nga viti 1978 e deri më sot, nuk kam ngritur dorë asnjëherë, as te pesë fëmijët e as te nxënësit në përgjithësi. Unë kam një natyrë që ndihem i fyer po të më respektojnë ose të më duan nga frika. Unë kam punuar me shokë, kolegë, e të gjithë më njohin.

Atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë retorike: “Pse djali juaj flet për një dhunë në familje? A mos vallë ai ka fantazi apo mos vallë është ushqyer me një urrejtje nga të tjerët?”.

Të dashur qytetarë!

Në mënyrë që t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të kaloj pak prapa në kohë. Me mamanë e Ermalit, pra me ish-bashkëshorten time, u njohëm e u dashuruam në shkollën e mesme të muzikës në Durrës. Unë isha në degën e flautit kurse ajo vazhdonte për violinë. Në vitin 1980 ne u martuam. Pas 5 muajsh martese, unë shkova ushtar dhe ish-bashkëshortja jepte mësim në shkollën e muzikës të qytetit të Fierit, në degën e violinës. Për mua ajo periudhë ka qenë një nga momentet më të vështira. Fakti që unë isha ushtar, larg saj, më trishtonte edhe se ajo ishte shtatzënë.

Kisha vetëm 4 muaj që isha larguar nga shtëpia dhe më mundonte mendimi se ajo do të lindte dhe unë nuk do të isha pranë saj. Duke u përpjekur me të gjitha mënyrat ku disa syresh ishin shumë të vështira për t’u bërë nga ana ime dhe me ndihmën e disa miqve të babait tim, u bë i mundur një shtrimi im në spitalin ushtarak të Fierit, që të isha pranë saj në momentet e lindjes, pasi spitali ushtarak dhe shtëpia e lindjes ishin dy godina pranë e pranë njëra-tjetrës. Pata një gëzim shumë të madh pasi mbas 4 muajsh ndarjeje do të ishim pranë njëri-tjetrit. Meraku ishte i madh pasi ishte lindja e parë dhe ajo ishte e vogël për këtë sfidë.

Më 20 prill Ermali lindi dhe unë ndjeva diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pas një periudhe të vështirë prej dy vitesh e pak, me ndihmën e prindërve të mi, u bëmë me shtëpi. Unë isha vetëm 25 vjeç dhe më së fundmi kishim një shtëpi, të cilën e ëndërronin jo pak njerëz në atë periudhë. Me punën tonë dhe me ndihmën e prindërve tanë, arritëm ta kompletonim shtëpinë me orenditë e duhura. Të gjitha nuk i blinim dot, por disa i bëra edhe vetë, pasi më vinte ndoresh. Në momentin para marrjes së shtëpisë, ne ishim bërë edhe me një djalë tjetër, ku edhe në këtë periudhë unë isha prapë ushtar, por tashmë gjërat kishin ndryshuar pasi nuk ekzistonin ato vështirësi që kalova në periudhën e lindjes së Ermalit. Ushtrinë e bëja në Fier dhe isha më i lirë.

Në vitin 1985, mua më doli e drejta e studimit për të vazhduar universitetin me korrespondencë në Shkodër. Lexoja shumë sidomos në sezon provimesh, pasi nuk e kisha luksin të kthehesha në asnjë provim se dyfishohej shpenzimi.

Më 4 janar 1987 erdhi në jetë vajza e madhe, pra fëmija e tretë. Punët dhe vështirësitë tashmë ishin shtuar dhe unë përpiqesha të kontribuoja sa mundja. Vështirësitë shtoheshin edhe për faktin se ish-bashkëshortja shkonte çdo pasdite në orkestrën e qytetit dhe unë në këtë periudhë isha me provimet e universitetit. Në këtë periudhë kemi një ndihmë të madhe nga prindërit e mi, pasi kujdeseshin shpesh për mbajtjen e tyre. Fëmijët kishin, të themi, dy vatra pasi shtëpia e prindërve ishte shumë afër me shtëpinë tonë. Nuk e harroj sidomos ndihmën e babait tim, i cili dergjej përditë në radhët e gjata të ushqimeve me përpjekjen maksimale që fëmijëve të mos u mungonte asgjë. Këtyre radhëve nuk u shpëtoja dot as unë. Një ndihmë të madhe ka dhënë edhe motra ime për dashurinë që ka dhënë sidomos për Ermalin, duke e marrë me vete në shumë ekskursione ku ajo shkonte me shkollën e saj. Ajo ka aq shumë fotografi me Ermalin sa që nuk kemi ne të gjithë bashkë. Do të isha mosmirënjohës në qoftë se nuk do të përmendja edhe ndihmën e ish-vjehrrës sime, e cila sado që jetonte në Vlorë, ndihmonte me sa mundësi që kishte. Ruaj shumë respekt për të.

Pra në vitet 1980-1990 në familjen tonë kemi të bëjmë me një familje klasike shqiptare, me dritëhijet e veta dhe me problematikën e tyre të rutinës së përditshme. Problematikat ishin minimale për faktin se fëmijët ishin të mbarë dhe se regjimi i asaj kohe nuk lejonte vese e probleme stresonte te fëmijët. Këto i dimë të gjithë. Kjo gjendje e mirë e familjes vazhdoi deri në pranverën e vitit 1990. Në këtë vit ndodhi ajo që unë e quaj apokalipsi i familjes sime. Pa hyrë në detaje, pas nuk i intereson askujt, ekuilibrat u prishën, familja kaloi një depresion të thellë, ku palët tashmë kishin kaluar në llogore dhe çdo gjë kaloi drejt divorcit. Tashmë paqja kishte mbaruar dhe mes nesh filloi e ashtuquajtura luftë që po na ndjek edhe sot.

Në situatën e debateve, të cilat ishin verbale u përpoqa në çdo rast të ruaja gjakftohtësinë. Në të gjitha këto debate verbale, Ermali ishte pjesëmarrës. Ai ishte pjesëmarrës në gjyq, ky gjyqi nuk i la shije të mirë. Gjyqi ishte i ashpër, por ju siguroj se ishte më pak i ashpër se shumë biseda televizive që ndodhin sot me analistë të ndryshëm në shumë kanale televizive. Kemi parasysh se gjyqi zhvillohej në kohën e diktaturës, ku të gjithë qëndronin gatitu para gjykatësit. Pavarësisht nga e gjithë kjo, e vërteta është se në atë gjyq, ai është ndjerë i dhunuar.

Pas përfundimit të gjyqit, çdo gjë kaloi në vitin zero. Takimet u refuzuan edhe për faktin se gjakrat ishin të nxehta. Vitet 1990-1993 pas divorcit, më lanë me një trishtim dhe me një depresion, të cilin e kalova shumë vonë.

Fëmijët, sidomos Ermali refuzonte takimet me mua. Me sa kuptohej, Ermali nuk e kishte inatin vetëm me gjyqin e zhvilluar, por atij në mënyrë sistematike i flitej me urrejtje kundër meje. Në vitin 1994 fëmijët largohen për në Itali me mamanë e tyre. Pata një trishtim tjetër, se jo vetëm nuk më pyeti kur i mori fëmijët, por të paktën të kisha një adresë, ku në një të ardhme të mundja të komunikoja.

Unë, që të jem i sinqertë, jo se do refuzoja largimin e tyre, por kam përshtypjen se kisha të drejtën absolute të dija se ku shkonin dhe të komunikoja me ta. Pas njëfarë periudhe, arrita të marr një numër telefoni. Kontaktin e parë e pata në telefon me Ermalin, i cili më refuzoi bisedën. Mendova se është akoma i vogël dhe se kur të rritej do të uleshim një herë si dy burra për të qartësuar shumë gjëra me ftohtësi, e cila për fat të keq nuk ndodhi asnjëherë. Me vajzën pata disa kontakte, kurse me djalin e dytë shkëmbyem disa mesazhe në facebook. Jetën e tij artistike unë e kam ndjekur nga larg dhe pavarësisht se nuk takoheshim, mua më gëzonte fakti se ai po bënte hapa të rëndësishëm në karrierën e tij.

Besova se diçka po ndryshonte për mirë kur befas Ermali artikulon dhunën kundër meje. Pavarësisht kësaj, mua më vinin shumë mesazhe urimi nga shumë shokë e miq të mi, që më njihnin nga afër. Pas një qetësie relative filloi një debat i heshtur mesazhesh për një shprehje që unë përdora në përgjigje të shkrimeve që më bënin miqtë e mi. Shprehja që unë përdora ishte se “dardha do të bjerë nën dardhë”. Ky është një zhargon i thënë shpesh dhe unë kisha parasysh se edhe unë kisha kënduar në rininë time të hershme. Me këtë nuk doja të merrja meritat e askujt, por ishte thjesht pjesa e ADN-së që ai ka tek unë.

Në shumë intervista dhe në festivalin e Sanremos shikoj një shtim të sulmit kundër meje me të ashtuquajturën dhunë. Për mua nuk kishte shumë rëndësi fakti që po më ofendonte në festivalin e Sanremos, por kishte rëndësi karriera e tij. Ai kishte një kreshendo në karrierë dhe kjo duhej inkurajuar. Kënaqesha shumë kur këndonte, por mërzitesha shumë kur artikulonte fjalë fyese kundër meje. Shpesh e shikoja me syrin e komercialitetit.

Gradualisht unë po bëhesha si simbol i dhunuesit të pashembullt. Filluan telefonatat nga shumë televizione këtu. Krahas këtyre, këtu filluan të më telefononin edhe nga Italia, në mënyrë që të jepja intervistë. Nuk munda të pranoja kurrsesi të jepja intervistë, pasi djali ishte në një pozicion në të cilin po ndërtonte emrin e tij të ri si kantautor. Shumë shokë e miq të afërm më thoshin se “si e pranon ti që djali të thotë “bastard”. Ku është parë e dëgjuar një ofendim kaq i rëndë. Më shumë u shqetësova kur ajo shprehja që tha kundër meje iu kthye në bumerang. Ai, pa e kuptuar, po vetërrezikonte disi karrierën e tij.

Përfaqësimi që i bëri Italisë në Eurovision dhe koncerti pas kësaj në Tiranë, e bënë që të ishte një artist i plotësuar. Tashmë kishte ardhur momenti që emri punonte për të. Me dëshirën për ta parë dhe me shpresën për të folur me të, vij në Tiranë në datën 30 maj. I shkruaj një letër që e dorëzoj në recepsionin e “Plazës”, me numrin e telefonit brenda. Pas kësaj nuk mora përgjigje. Në darkën e 1 qershorit, bie në kontakt me një nga personalitetet e Bashkisë së Tiranës, ku m’u premtua një takim me të, por pa sukses. Nga shumë intervista që dha në Shqipëri, një gazetar e pyeti se “A do të kishte dëshirë të takohej me babanë?”. Përgjigjja e tij ishte lakonike: “S’dua, pikë”. Pra ishte në vazhdën e të gjithë refuzimit që ka bërë prej vitesh.

Refuzimi i tij më trajtonte sikur unë isha personi që kisha bërë të gjitha të zezat e kësaj bote. Me një të rënë të lapsit fshihej gjithë ajo periudhë 10-vjeçare, plot sakrifica, punë, përpjekje. Duke pasur parasysh të gjitha këto probleme që u trajtuan, unë do t’i thosha Ermalit të mos nxjerrë konkluzione nga momenti i depresionit të familjes që kaluam. Ai nuk duhet të skicojë portretin tim pa më njohur mua mirë. Populli thotë se nuk duhet të dëgjojmë vetëm nga një vesh. Në momentin që mua m’u mbyllën të gjitha rrugët e komunikimit, u detyrova të ndaj të gjithë këtë histori me publikun, i cili duhej të mësonte se babai i tij nuk është “TERAS”, por një zotëri që gëzon respekt në shoqëri. Momentet që ndava me ju janë vetëm një pjesë e vogël e historisë dramë të familjes sonë.

Detajet e shumta njerëzore, probleme të tjera të bukura, stresuese, melankolike, depresive, dritëhije të adoleshencës, vështirësitë e ushtrisë, konspiracione të mirëfillta e shumë të tjera, unë kam vendosur që t’i pasqyroj në një libër autobiografik, i cili ka filluar të shkruhet pak kohë më parë. Mendoj se të tre fëmijët e mi dhe gjithë publiku do të shikojnë dhe do të mësojnë në këtë libër se babai i tyre jo vetëm që nuk ka qenë dhunues, por është përpjekur sa ka mundur që t’i rrisë me dashuri. Kemi parë që njerëzit kanë qenë në hasmëri dhe e kanë lënë pas të kaluarën. Njeriu, duke ngelur peng i së shkuarës, pengon të ardhmen. Dialogu dhe komunikimi bëjnë që gjërat të ecin përpara. Urrejtja vret dhe ne kemi nevojë më shumë se kurrë për shumë dashuri.

Unë jam pjesë e identitetit tuaj. Gjërat nuk mund të zhbëhen pa u konsumuar biseda. Prisja gjithmonë që djali i madh të ulej përballë meje dhe të më thoshte një ditë të gjitha gjërat që ndiente dhe të priste prej meje ato që kisha unë për t’i thënë. Pas kësaj le të jepte kartonin e kuq. Unë, sido që të jetë, e kam falur për të gjitha gjërat që ka folur në adresën time. Unë jam i hapur për çdo gjë. Rinaldi, djali im dhe vëllai i tij, thotë: “Le t’i japin Çezarit atë që është e Çezarit”.

Me respekt

Gëzim Meta

S’ka çmim “Bekim Fehmiu”

Se çmimet vjetore për kinematografi – përfshirë atë për vepër jetësore që mban emrin e Bekim Fehmiu – duhet të ndahen çdo vit në një ceremoni solemne më 1 qershor, në datëlindjen e aktorit me nam, përcaktohet me rregulloren që ka hyrë në fuqi qysh më 2014, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e ka shkelur rregulloren e vet, që është e publikuar edhe në ueb faqen e saj zyrtare, duke mos i ndarë çmimet, të paktën jo në një ceremoni publike. Me tre kandidatë të propozuar për laureatë të çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në maj kishte njoftuar se do ta rikthente në agjendë ndarjen e këtij çmimi, në ditën që përkon me datën e lindjes së aktorit.

Vitin që shkoi “Bekim Fehmiu” nuk qe ndarë në mungesë të aplikanëve. E më 11 maj, MKRS-ja e kishte mbyllur konkursin që përveç çmimit kombëtar për vepër jetësore bëri ftesë edhe për “Çmimin vjetor për kinematografi”, që u jepet krijuesve të dalluar të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë.

As ky çmim nuk u nda vitin që shkoi. Më 2016, laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” ishte aktori veteran Bislim Muçaj e më 2015 aktori Xhevat Qorraj ishte laureati i tretë. Në vitin 2014 me këtë çmim u nderua regjisori Isa Qosja, e më 2013 postmortem iu nda aktorit Faruk Begolli.

Ndarja e çmimit “Bekim Fehmiu” deri më tash ka qenë e vetmja mënyrë që institucionet kanë përdorur për ta kujtuar aktorin shqiptar në muajin kur shënohen dita e lindjes dhe e vdekjes së tij./ KultPlus.com

Rita Ora publikon fotografinë me shqiponjë: Jam krenare ta përkrahë kampanjën “Bëhu zëri im”

Rita Ora sapo ka publikuar një fotografi nga vizita e saj e fundit në Kosovë për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka shprehur përkrahjen e saj për kampanjën “Bëhu zëri im”, derisa ka kujtuar takimin me aktivistet e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Tortures, shkruan KultPlus.

Përmes postimit ajo ka treguar se është prekur mjaft shumë nga historitë të cilat i ka dëgjuar.

“Kam takuar aktivistet e mrekullueshme nga QKRMT të cilat kanë përkrahur të mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë, jam prekur shumë nga historitë e tyre”, shkruan ylli botëror, Rita Ora, ndërsa ka ftuar të gjithë ta mbështesin kampanjën “Bëhu zëri im.

“Jam krenare ta mbështes kampanjë #bëhuzëriim që lufton diskriminim me të cilin ato përballën, shpresoj që do ta bëni edhe ju të njëjten gjë”, ka shkruar Rita Ora në një fotografi të publikuar në Instagram.

Kampanja “Zërim im” është përkrahje për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ndërsa organizohet nga rganizohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Medica Gjakova (MGJ)./ KultPlus.com

Zonat e mbrojtura hapen për turistët, paketa pilot për Vlorën dhe Shkodrën

Zonat e mbrojtura do të hapen për t’u vizituar nga turistët. Pas një testimi nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, është propozuar që paketat e para pilot të përfshijnë Shkodrën dhe Vlorën.

Ekspertët ndërkombëtarë që ishin në terren evidentuan si problematikë ndotjen mjedisore, edhe pse bëhet fjalë për zona të mbrojtura.

Pas certifikimit në vitin 2019 besohet se këto paketa do të jenë pjesë e guidave turistike, për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të shijojnë bukuritë natyrore që ofron Shqipëria./dita

“Për njeriun e mençur dhe të mirë, e gjithë bota është atdhe”

“Për njeriun e mençur dhe të mirë, e gjithë bota është atdhe.”

“E mira nuk nënkupton vetëm të mos bësh keq, por për më tepër të mos dëshirosh të bësh keq.”

“Gjithkund njeriu e fajëson natyrën dhe fatin, edhe pse fati i tij zakonisht është jehona e karakterit dhe pasioneve të tij, të gabimeve dhe të dobësive të tij.”

“Asgjë nuk ekziston përveç atomeve dhe hapësirës; çdo gjë tjetër është vetëm përceptim.”

“Duke dëshiruar pak, njeriu e bënë veten të pasur.”

– Democritus

Vjen në shqip romani erotik i Kostas Mourselas

Një roman klasik karakteresh. Kështu shihet nga kritika romani “Flokë flakë të kuq” i shkrimtarit grek Kostas Mourselas. Libri ka ardhur në shqip nën përkthimin e Maklena Nikës e botimet “Toena”. Në kopertinë është një imazhi i një vajze nudo nga Helidon Haliti. Një roman psikologjik me skenë shoqërore të ngurtë dhe erotizëm të fortë. Një roman që ngjason me një pikturë të Hieronymus Bosch-it. Shkrimtari grek Kostas Mourselas lindi në Pire në janar të vitit 1932. Është diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Athinës.

Deri në vitin 1969 punoi në administratën publike, nga ku u pushua prej qeverisë së Juntës Ushtarake. Pikërisht në këtë kohë filloi të shkruante pjesë teatrale dhe skenarë filmash televizivë. Është autor i mjaft librave, si: “Oh, çfarë bote, baba!”, “Akuarium”, “Miqtë”, “Zonja nuk mban zi”, “Veshi i Aleksandrit”, “Ngadalë, atdheu po pushon”, “Thika ka shkuar në kockë”, “Njerëz dhe kuaj”, “Ai dhe ai”, “Komedi kombëtare”, “Ngarkesë e rrezikshme”, “Flokë flakë të kuq”, “Mbyllur për shkak të melankolisë”, që patën një sukses të madh. Veç tyre shkroi edhe 130 monodrama.

Veprat e tij teatrale janë vënë në skenë edhe në Francë, Gjermani dhe Qipro. Romani “Flokë flakë të kuq” qarkulloi për herë të parë në greqisht, më 1989 dhe u lexua nga mijëra e mijëra lexues duke e kthyer këtë roman në një nga më të suksesshmit e viteve 80-të. Madje, pothuajse në të njëjtin vit, u realizua edhe seriali televiziv me të njëjtin titull. Në vazhdim u përkthye dhe u botua në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, hebraisht dhe turqisht. Shkrimtari Kosta Mourselas u nda nga jeta, më 15 korrik 2017, në moshën 85-vjeçare.

Çdo 1 orë nga 1000 dollarë për Xhakën e Shaqirin

Gjoba e shqiptuar nga FIFA për futbollistët e Zvicrës me prejardhje nga Kosova Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ka mobilizuar shqiptarët, raporton KTV.

Vetëm disa orë pas vendimit të FIFA-s, që konsideron se festimi i golave të fitores ndaj Serbisë me simbolin e shqiponjës është sjellje e pahijshme, u krijuan dy kampanja për të grumbulluar para.

Në përkrahje të futbollistëve, Rilind Reka krijoi kampanjën online për të mbledhur para për të paguar gjobën për futbollistët nga Kosova, por edhe për kapitenin e helvetikëve, Stephan Lichtsteiner, që u dënua me 5 mijë franga.

Për 20 orë, kjo kampanjë ka grumbulluar mbi 20 mijë dollarë.

E nëse Federata e Zvicrës nuk do t’i pranojë paratë e grumbulluara, sipas organizatorëve, ato do të dhurohen për bamirësi.

Paralelisht me këtë, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë një nismë të ngjashme për të mbledhur mjete financiare përmes llogarisë bankare të emërtuar “Mos kini frikë nga Shqiponja”.

Rama e quan absurde gjobën e FIFA-s ndaj Xhakës dhe Shaqirit. Golave të futbollistëve të Zvicrës iu është gëzuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Por ai nuk i ka komentuar fare nismat për të grumbulluar para.

Ndërkaq, ministri i qeverisë Haradinaj, Bajram Hasani, ka ndarë pagën e tij pa rritje 1163 euro për gjobën e futbollistëve. Gjoba prej 25 mijë frangave, e shqiptuar nga FIFA për tre lojtarët e skuadrës zvicerane, eksperti kosovar i referimit Ismajl Kasumi i quan të padrejta.

‘Zvicra’, dokumentari për identitetin nga Fisnik Maxhuni

Regjisori Fisnik Maxhuni e ka përfunduar dokumentarin ‘Zvicra’.

Kërkimi për identitetin në Zvicër kësisoj mban vulën e regjisorit Maxhuni.

Dokumentari i cili ka nisur të xhirohet para dy vitesh, asokohe kur dy vëllezër nga Kosova po luanin kundër njëri tjetrit në EURO 2016, duket edhe më aktual sidomos këtyre ditëve duke marrë parasysh lojën Zvicër-Serbi dhe ndëshkimin e FIFA ndaj Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës.

“Me anë të këtij dokumentari mësuam se identiteti përbëhet nga shumë elemente, por edhe se identiteti nuk është term përjashtues – nëse je zvicran kjo nuk do të thotë se përjashtohesh nga një identitet tjetër” tregon regjisori Fisnik Maxhuni në rrjetin social Facebook.

Dokumentari do ta ketë premierën këtë verë dhe do të shfaqet më pas në vjeshtë në Radio Television Suisse RTS, shkruan KultPlus.

“Identitetet nuk janë absolute, ato ndryshojnë bashkë me kohën. Unë sot jam krenar ta quaj veten një regjisor zvicran, duke mos harruar kurrë vendin ku linda dhe rrënjët e mia nga Kosova” ka shkruar më pas Maxhuni.

Dokumentari ‘Zvicra’ është me regji nga Maxhuni dhe Benoit Goncerut, të cilët e kanë shkruar edhe skenarin. / KultPlus.com

Vizita e Nënë Terezës në Kroaci në vitin 1977 (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj. Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi nga vizita e Shën Nënë Tereza në Zagreb (Kroaci) në vitin 1977. Në fotografi shihet së bashku me Fr. Ante Gabriq dhe Vladimir Palecek./ KultPlus.com

Të vëmë kujën për librat dhe veten

Shkruan: Leonora Laçi

Këto ditë në media u përhap lajmi se në Bibliotekën Kombëtare janë lagur rreth 12 mijë libra për shkak të shirave të fundit në Tiranë, madje kjo u vërtetua dhe të gjithë i pame librat që ishin shfletuar nëpër tavolina dhe jo për ndonjë panair apo aktivitet promovues, por për tu tharë.

Çfarë fatkeqësie!
Të tjerët e kanë shpikur historinë e heronjt kombëtar, ndërsa ne e kemi historinë, e kemi shkruar atë të zezë mbi të bardhë, e kemi të dokumentuar në libra, arkiva, muze.

Kur nuk ruajmë dot as librin, si mundet të ruajmë trashëgiminë, si mundet të ruajmë identitetin kombëtar, çfarë mund të presim më nga vetja?!

Në marsin e vitit 2017 ra zjarr në katin e nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare e tani i hyri uji, nesër mund të ketë një fund edhe më tragjik.

Teatri u bë teatral me historinë e prishjes apo të mosprishjes së tij, aq sa është zhvendosur çështja nga problemi fillestar, tani duhet që dhe çështja e Bibliotekës Kombëtare pasi i del tymi e i hynë uji të na sillet ndërmend që duhen marrë masa që probleme te tilla te mos ndodhin më.
Ku qendron problemi?! Kush është përgjegjës ?!
Nuk eshte puna për të bërë dikë kurban, por për raste të tilla kurbani duhet.
Kur nuk ruajmë librin atëherë çfarë jemi në gjendje të ruajmë?! Të ruajme votat, pushtetin, kokën, jetën, mendjen, apo të ruajmë veten nga vetëvetja ?!

Neve po na e fusin ujin nën rrogoz çdo ditë e pse duhet të reagojmë për “diçka “ kaq të parëndësishme !!
Ne na hynë uji e zjarri, ne i presim, djegim pyjet për te ngrohur trupin por nga mendja vazhdojmë te jemi të akullt.

Ç’na duhen librat kur nuk ka lexuesa?! Ç’ na duhen arkivat kur nuk ka studiues ?! Ç’ na duhen teatrot kur s’ka spektatorë ?!

Nëse politika ngelë në dorë të artistit, do të bëjë një abstraksion që vetëm ai do e kuptojë, dhe sado ne të tjerët të përpiqemi e të japim mendim tonë se çfare shohim, ky mendim do të jetë i gabuar dhe jo ajo çfarë piktori ka në mendje.

Jemi mësuar të përmbyten njerëz, bagëti, tokë, shtëpi e orendi por që të përmbyten libra ende se kishim provuar, vetëm kjo na mungonte, çfarë shije të hidhur paska pasur.
Lagia e tyre është degradim shoqëror, moral, kulturorë, intelektual, degradim institucionalo-shtetërorë. Nuk është një fatkeqësi natyrore por fatkeqësi arkitekturore, varfëri shpirtërore e babëzi pushtetore.

Si për ironi të fatit, sheshi “Skënderbej” ka marrë vlerësime në bienalen e Çikagos një vit më parë, e këto ditë ka marrë çmimin prestigjioz Evropian për Hapësirën Publike Urbane 2018. Çmimi që iu akordua nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë. Sheshi “Skënderbej” u përzgjodh mes 279 projekteve nga 32 vende të ndryshme europiane.

Tashmë ai shesh bëhet sebep që Bibliotekës t’i hynte uji, pra Bashkia e Tiranës ka menduar për madhështi të sheshit po jo për zgjidhjen e çështjeve të kanaleve kulluese, ka menduar për triumfe dhe jo per libra, ka menduar për veten dhe jo per ne, ka menduar për garantim pushteti pavarësisht se në kurriz të kujt do fitohej, biles as nuk ka menduar fare, veç ka bërë marketing me njerëz, sheshe, liqene, pazare dhe shpesh ngelen veç reklama të bukura, por në fakt gjërat e mira e të vërteta nuk kanë nevojë fare për promovim.

Historitë e shqiptarëve dhe serbëve në një ekspozitë në kryeqytetin serb (VIDEO)

Willem Poelstra, është fotograf holandez. Pas vdekjes së prindërve e kishte kuptuar se i ati kishte punuar në ndërtimin e trenave që çuan hebrejtë në vdekje. E ëma ishte hebraike. Kutia me dedikim të historisë personale e shtyu të shkonte në Kosovë. Portrete, histori, tragjedi e çifte të ndaluara. Koha e pas luftës lë trauma. Historitë e shqiptarëve dhe serbëve në një ekspozitë në kryeqytetin serb. Diskutimi duket i hershëm dhe i vonuar. Viktima janë njerëzit: askush nuk është fitues.

“Në shumë vende në Europë dhe këtu e shikon se si në Maqedoni, si Mali i Zi, Shqipëria është ndryshe dhe në Kosovë e shikon që njerëzit jetojnë përtej kufijve, ata që mund të quhen një fis siç janë kurdët apo shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme. Kjo shkakton përplasje pasi kthehemi në histori dhe kjo në Perëndim është e zgjidhur, por jo në këtë pjesë të botës”, tha Willem Poelstra, fotograf.

Evropa e frikësuar ka gjetur strehën tek uniteti. Liria dhe diskutimi janë të rëndësishme për të mbyllur mundësinë e ripërsëritjes.

“Unë vij nga një vend shumë demokratik dhe jemi vendi i dytë në botë për liri të shtypit. Besojmë se mediat të vështrojnë dhe është gjë e mirë për demokracinë. Nuk besoj se një foto shpëtoi Vietnamin pasi jemi në kohën e internetit, por sa më shumë që bëjmë krijojmë debat dhe gjejmë zgjidhje.”

Fotografi ka ende të zhdukur rreth 90 persona të familjes së tij që prej luftës së Dytë Botërore. Poelstra ka kaluar vite duke bërë hartat e dhimbjeve në historitë e tij të së ardhmes për të shkuarën./ Tv Klan

Kërcej me motrën

Poezi nga Sidorela Risto.

Gramafoni i vjetër rrotullohet ngadalë
si çadra e një geishe në vallëzim.
Hap, hap, hap në vitet ’20,
Kokëlarta, duart si balerina mbi supe,
lëvizje të lëmuara.
Unë vërtitem si kos i ngrirë në një kaush akulloreje.
Ti shtyp gishtin e vogël të këmbës.
Unë rrëzohem, ti qesh.
Merre shkopin e bambusë,
jam gati të ec në botën e vjetër të viteve ’20.

Performanca e fuqishme e Bebe Rexhës te ‘Jimmy Fallon’ (VIDEO)

Këngëtarja Bebe Rexha është paraqitur më këngën e saj të re “I’m A Mess”, e cila është pjesë e albumit të posapublikuar “Expectations”, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha luajti një shfaqje dramatike gjatë spektaklit Jimmy Fallon të hënën. Këngëtarja nisi këngën e cila të rrëmben shumë lehtë gjersa ishte e shtrirë në një shtrat spitalor, ndërsa një infermiere qëndronte pranë.

Në ndërkohë valltarët e veshur me rroba si doktorë dhe punonjës kërcenin së bashku me këngëtaren, duke pasqyruar temat e shtytjes dhe tërheqjes së këngës dhe duke kulmuar në një luftë me jastëkë në skenë, ku u shfaq edhe i gjithë konflikti.

Më poshtë mund të ndiqni performancën e plotë të këngëtares Bebe Rexha./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=u6RjOx_VVP4

Dëmet në Bibliotekën Kombëtare, Meta: Të merren masa urgjente

Presidenti Ilir Meta është duke ndjekur me shqetësim gjendjen e emergjencës që është shpallur në Bibliotekën Kombëtare.

Një ditë më parë, kati i nëndheshëm i hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare (libra, revista, gazeta), janë dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulëta të sallës.

Rreth 12 mijë materiale rezultojnë të lagura nga shiu, dhe për të minimizuar dëmet, punonjës të bibliotekës janë përpjekur për t’i tharë me tharëse flokësh, dhe mjete rrethanore.

Nisur nga kjo situatë, Kreu i Shtetit ka bërë apel që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente në mënyrë që të parandalojnë përsëritjen e një situate të ngjashme në të ardhmen.

Postimi i plotë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Bibliotekën Kombëtare, këtë institucion të rëndësishëm të trashëgimisë tonë të pasur kulturore. Në vijmësi Kabineti i tij po ndjek nga afër situatën dhe është në komunikim me Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare.

Presidenti i Republikës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente në mënyrë që të parandalojnë përsëritjen e një situate të ngjashme në të ardhmen.

Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithë faktorëve politikë, socialë e mediatikë, Presidenti bën thirrje që të gjithë bashkë të kontribuojmë për të ruajtur vlerat e pasura të fondit të Bibliotekës sonë Kombëtare./ dita

Nis restaurimi i Memorialit të Skënderbeut

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” ka nisur puna për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut), Mureve të Qytetit Antik Lis dhe Zonës Breglumore e Parkut Arkeologjik.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me përfaqësues nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër dhe shoqëria e restaurimit e cila do të kryejë punimet, ishin të pranishëm në nisjen e punimeve.

Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të memorialit, Kishës së Shen Nikollit, riformulimin e mbulesës së objektit, sistemin e ndriçimit dekorativ dhe funksional, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në mozaik dhe afresk./ ata

Studentët për tri ditë do e kujtojnë me poezi shkrimtarin Kujtim Paçaku

Me iniciativën e studentëve të Qendrës Studentore “Roma Versitas Kosova” në Prizren, Pejë dhe Prishtinë do të organizohen netët përkujtimore për poetin dhe profesorin e ndjerë Kujtim Paçaku, shkruan KultPlus.

Netët përkujtimore do të mbahen në tri qytetet e Kosovës ku edhe funksionon organizata në fjalë.
Përveç se do të ketë lexues të zgjedhur edhe mysafirët do të kenë rast t’i lexojnë poezitë e poetit të ndjerë Kujtim Paçaku, të cilët do i zgjedhin ata vet.

Nata përkujtimore në Prizren me poezi të shkrimtarit Kujtim Paçaku, do të mbahet më 26 qershor në Kino Lumbardhi.

Në Pejë do të mbahet më 28 qershor në Roma Versitas ndërsa në Prishtinë më 29 qershor në Kino Armata.
Në të tri qytetet organizimi do të fillojë në ora 19:00./KultPlus.