Kur erdhën nazistët

Poezi e shkruar nga Martin Niemöller.
Perktheu: Faslli Haliti.

Kur ata erdhën të merrnin komunistët,
unë nuk thashë asgjë
s’isha komunist.

Kur erdhën të merrnin çifutët,
nuk thashë asgjë
s’isha çifut.

Kur erdhën të merrnin sindikalistët,
s’thashë asgjë
sepse s’isha sindikalist.

Kur erdhën të më merrnin mua,
s’kish mbetur më askush
të thosh për mua së paku një fjalë.

Turqia e censuroi filmin ku luan Nik Xhelilaj, Prishtina e sheh të plotë

Alberina Haxhijaj

“Oh Zer oh Zer, i dashuri i kujt është Zer, dashnori im me flokë të gjatë” është pjesa e këngës që do të ju pushtojë nëse shihni filmin “Zer”, të regjisorit Kazım Öz. Në këtë film, premiera e të cilit u dha mbrëmë në Prishtinë në kuadër të PriFilm Fest, luan edhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, shkruan KultPlus.

Duke realizuar dokumentarin “Dûr” në Dersim, regjisori Kazım Öz dëgjoi këngën “Zer” e cila e pushtoi atë. Regjisori i dashuruar pas kësaj kënge filloi kërkimet për të gjetur versionin e plotë të kësaj kënge. Kështu kjo histori kërkimi 5 vjeçar shërbeu si një histori intriguese për të realizuar edhe një film.

Zer shpalos tregimin e Jan dhe të gjyshes së tij Zarife. Zarife e sëmurë dërgohet për shërim në New York ku fillon që të njihet më mirë me nipin e saj. Nipi, pas vdekjes së gjyshes së tij hidhet në kërkim për të gjetur burimin e këngës “Zer” të cilën ia këndoi gjyshja e tij. Ndërsa, ai gjurmon për këngën “Zer”, e gjen vetën në Dersim, në mes të gërmadhave të masakrës, duke zbuluar edhe sekretin e gjyshes së tij, Zarifes. fëmija që i shpëtoi masakrës në Dersim në vitin 1938. Kështu Jan gjersa kërkon këngën kërkon edhe vetën e tij.

Pikërisht historia e filmit e cila është realizuar në një mënyrë shumë poetike, është financuar nga Ministria për Kulturë dhe Turizëm në Turqi, mirëpo është censuruar pastaj nga e njëjta qeveri. Censurimi i filmit bëri që njerëzit të udhëtonin nëpër qytetet ku filmi nuk ishte i censuruar për ta parë atë, tregoi regjisori Kazım Öz.

“Në Turqi mbi shtatë skena të këtij filmi janë censuruar”, thekson regjisori.

Filmi ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e festivalit të filmit në Stamboll, ku do të jepej premiera e pacensuruar, mirëpo më vonë u kërkua largimi i këtyre shtatë skenave.

“Ajo që bëra ishte se largova skenat mirëpo ato pjesë i lash me të zeza. Kështu kur filmi u kthye në komision kishte minutazhin e plotë, mirëpo me pjesë të zeza dhe në titra kishim shënuar: “Këto skena ti publik i dashur, nuk i shikon dot pasi që Ministria e Kulturës i ka censuruar”, tregoi regjisori Kazım Öz i cili tregoi se pas kësaj premierën shumica e kinemave u tërhoqën për të shfaqur filmin.

Mirëpo gjithë kjo nuk e ndaloi suksesin e filmit i cili tejkaloi parashikimet dhe mori shumë kritika pozitive. Për aktorin shqiptar Nik Xhelilaj, i cili luan Jan, censurimi ishte shumë i padrejtë mirëpo beson në thënien se “Filmi e gjen rrugën e tij vet”, diçka që ai beson që do ndodh edhe më këtë film.

“Nuk është e lehtë që të marrësh pjesë në një film ku gjuha që flitet nuk është gjuhë e nenës tënde. Mirëpo unë u lidha me skenarin që në lexim të parë. Madje mendoj që në film ka ndikuar shumë edhe fakti që unë nuk kam ndonjë lidhshmëri me ngjarjet që kanë ndodhur çfarë ka shërbyer në të mirë të filmit. Pastaj, ajo që më ka intriguar që në fillim kanë qenë edhe lokacionet ku do të xhirohej filmi, u shpreh ai.

Film “Zer” e riktheu aktorin në Prishtinë por edhe në PriFilm Fest, një festival i cili është shumë i veçantë për aktorin.

“Në Prishtinë vij gjithmonë me shumë dëshirë, sidomos kur vijë edhe me film, i cili është edhe në garë të festivalit. Për mua , po nuk pati Nik nuk ka as PriFilm Fest, pasi që isha këtu që në edicionin e dytë të festivalit dhe për mua ai mbetet momenti më i rëndësishëm. Ishte hera e parë dhe mora kritika shumë pozitive pastaj edhe çmimin” ka thënë Nik Xheilaj, i cili më pas ka thënë se komentet që ka marë në këtë festival janë edhe ato të krahasimit me Bekim Fehmiun, duke e quajtur si Bekimi i ri, dhe për vetë Xhelilajn, këto komente kanë një rëndësi shumë të madhe, prekëse dhe të paharrueshme.

Edicioni i 10-të i Pri Film Fest vazhdon deri më 22 korrik. Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest./KultPlus.com

Fshati që flet vetëm me shenja

Në xhunglën e madhe të Balit, në Indonezi, gjendet një fshat i vogël i quajtur Bengkala, i cili është shumë i veçantë. Banorët e tij prej 7 brezash praktikojnë gjuhën e shenjave. Në fshatin e largët nga 3003 banorë, 44 prej tyre nuk dëgjojnë.

Për të mos u ndjerë keq personat me aftësi të veçanta, ata kanë vendosur të gjithë të flasin gjuhën e shenjave. Ajo është e njohur vetëm nga banorët e fshatit, pasi ata e kanë krijuar vetë dhe quhet Kata Kolok. Është e ndryshme nga të gjitha gjuhët e shenjave në botë.

80% e popullsisë komunikon në këtë formë, madje prindërit ua mësojnë dhe fëmijve të vegjël ende pa mësuar të flasin gjuhën normale. Edhe në shkollë deri në klasën e 6, nxënësit flasin me gjuhën e shenjave. Banorët thonë se janë shumë të lumtur që kuptohen në këtë formë dhe në fshatin e tyre nuk ka diskriminim. Ata shprehen se të jetosh në këtë fshat është shumë speciale./ tvklan

Tre sekretet e njeriut më të lumtur në botë

Matthieu Ricard, një murg budist tibetian 71 vjeçar, konsiderohet njeriu më i lumtur në botë! Ai aktualisht jeton në Nepal, por ka lindur në Francë. Matthieu ishte një intelektual francez me një doktoraturë në gjenetikë molekulare, por hoqi dorë nga studimet për t’u bërë budist dhe humanitar. Ai mori pjesë në një studim të trurit për meditimin dhe empatinë, nga neuroshkencëtari Richard Davidson i Universitetit të Uisconsin. Studimi zgjati 12 vjet. Matthieu kishte 256 sensorë të lidhur në kokë dhe, në sajë të kësaj përvoje, Richard ishte në gjendje të zbulonte se mendja e Matthieu ishte më e relaksuar ndërsa meditonte me dhembshuri.

Në periudhën e këtij meditimi, truri i tij prodhoi një nivel valësh gama (që i referohet vetëdijes, vëmendjes, të mësuarit dhe kujtesës) aq të lartë, që kurrë nuk ishte raportuar më parë. Një zbulim tjetër ishte se aktiviteti në korteksin e tij të majtë prefrontal ishte shumë më i madh se ana e djathtë, gjë që i dha atij një aftësi të madhe për të ndier lumturi dhe një prirje më të ulët ndaj negativitetit.

Ky murg i pabesueshëm e konsideron veten një person vërtet të lumtur dhe meditimi e ndihmon shumë në këtë çështje. Shpesh kalon një ditë të tërë duke medituar, pa u lodhur apo mërzitur. Më poshtë, këshilla e Matthieu Ricard për ata që kërkojnë një jetë vërtet të lumtur:

1. Mjaft u konsiderove qendër e Universit

Sipas Matthieu, është e lodhshme të kalosh të gjitha ditët duke u shqetësuar vetëm për veten. Egoizmi çon në pakënaqësi. Kur fokusohemi në bërjen e gjithçkaje që funksionon vetëm për ne, ne arrijmë të shohim pjesën tjetër të botës si armiq dhe kërcënim për suksesin tonë. Ne jemi të gjithë një. Prandaj, nga dashamirësia dhe dhembshuria për ata që na rrethojnë përfitojnë të gjithë. Kur jemi në një gjendje pozitive të mendjes, ne kemi më shumë gjasa të përcjellim një mesazh të ndriçuar për ata që na rrethojnë, gjë që mund të motivojë një transformim në jetën tonë.

2. Ushtro mendjen përditë

Matthieu beson se një mendje më pozitive është e arritshme për të gjithë ne dhe se brenda nesh ka një potencial për mirësinë. Ne duhet të stërvitim mendjet tona çdo ditë, në mënyrë që çdo ditë të jemi më të përgatitur për të ecur përpara në misionin tonë të lumturisë. Ashtu si një maratonë, ju nuk mund të konkuroni pa qenë i trajnuar për të arritur kilometrat e nevojshme, dhe nuk mund të ndërmarrim hapa të rinj pa e përgatitur mendjen tonë.

3. Kalo 15 minuta në ditë me mendime të lumtura

Dashuria dhe lumturia janë shpesh mendime kalimtare, vetëm një zbavitje derisa mendjet tona mbushen sërish plot shqetësime, dyshime dhe pakënaqësi. Megjithëse ky është standardi në ditët e sotme, kjo nuk është mënyra se si duhet të jenë gjërat. Dashuria dhe lumturia duhet të jenë konstante në mendimet tona dhe në jetën tonë, në përgjithësi. Prandaj, Matthieu na këshillon të mendojmë për emocione pozitive për 15 minuta çdo ditë. Nëse e mbajmë këtë praktikë çdo ditë për dy javë, do të fillojmë të vërejmë rezultate pozitive. Richard e ka praktikuar atë për 50 vjet, nuk është çudi që ai konsiderohet si një nga njerëzit më të lumtur në botë. Kjo praktikë mbështetet tashmë nga shkenca, Richard Davidson në të vërtetë zbuloi se edhe një meditim 20-minutësh në ditë kontribuon në lumturinë e përgjithshme të njerëzve. /bota.al

Simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës sjellë edicionin e 9-të në Korçë

Në Korçë nisi edicioni i 9-të i simpoziumit ndërkombëtar të skulpturës. Pesë artistë të huaj dhe një shqiptar për 10 ditë do të realizojnë krijime artistike në parkun e qytetit.

Punimet e 6 artistëve nga vendet e ndryshme të botës do t’i shtohen Galerisë Natyrore të Skulpturave në park.

Kurator i këtij aktiviteti vazhdon Genti Tavanxhi, i cili përzgjedh artistët, ndërsa skulptori korçar Vladimir Topi ndjek ecurinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti në promovimin e Korçës turistike. Ai u shpreh se ,”falë këtij projekti kemi këtë muzeum të hapur, këtë koleksion të veprave moderne të skulpturës së gurit që iu është shtuar Parkut Rinia si një gjetje e veçantë”.

Skulpturat e krijuara gjatë festivalit mbeten në Korçë duke krijuar një ansambël unik në Parkun Rinia./ ata

Programi “E ardhmja është këtu” i DokuFest këtë vit reflekton shpresën e të rinjve

Ky vit shënon gjeneratën e gjashtë të nxënësve të shkollave të mesme të cilët regjistrohen në kampet e trajnimit të organizuara nga programi edukativ “Shkolla dhe dokumentari”, i cili fokusohet në natyrën praktike të filmave, duke u ofruar nxënësve mjetet, njohuritë dhe asistencën profesionale të nevojshme për të bërë filmat e tyre, shkruan KultPlus.

“Kur filluam shkollën e filmit “E ardhmja është këtu” para 6 vjetësh, nuk na shkoi mëndja që do të arrijmë të frymëzojmë kaq shumë gjenerata të të rinjve të talentuar, që të kthejnë pasionin e tyre në projekte konkrete”, shkruhet në njoftimin e DokuFest.

Një grup tutorësh me përvojë janë aty për të ndërtuar një urë mes nxënësve. Në edicionin e gjashtë janë pranuar 15 të rinj entuziastë, nga 88 aplikime për t’iu bashkuar kampit të parë veror ku do të trajnohen përmes qendrës së produksionit të dokumentarëve në DokuFest, përmes procesit të udhëhequr nga profesionistët në terren, prej ideve deri në fazat përfundimtare. Kureshtja e tyre për botën që i rrethon është kyçe për aspektin transformues në punëtori.

Së fundmi, janë përzgjedhur shtatë projekte premtuese për t’u udhëhequr më tutje nga tutorët e programit Blerta Zeqiri, Gullermo Careras-Candi, Emilio Guerra, Gazmend Bajri, Hakan Karamuço dhe Samir Karahoda. Duke ju dhënë kamera për të treguar historitë e tyre dhe për të krijuar një ndërgjegjësim më të madh mbi çështjet sociale, u ngjall dashuria për procesin e realizimit të tregimeve mes këtyre shtatë studentëve të mahnitshëm.

Filmat e tyre janë personal, që përshkruajnë jetën e tyre përmes historive të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse. Shtrirja e gjerë e temave trajtojnë çështje se si media sociale formon jetën e përditshme të adoleshentëve, ose se si paragjykimet dhe diskriminimi ndikojnë në jetën e një të riu në Kosovë. Një nxënës rom vendosi të filmonte një festë që simbolizon lumturinë e cila kremtohet me shumë krenari nga komuniteti rom, ndërsa një tjetër histori e një filmbërësi të ri ka të bëjë me krijesat magjike dhe mitike shqiptare që posedojnë fuqitë mbinatyrore dhe bukurinë e jashtëzakonshme.

Rrëfimet e këtyre të rinjve janë pasqyrim i shoqërisë dhe reflektojnë shpresë dhe optimizëm. Prandaj DokuFest i fton të gjithë që të bashkohen në shfaqjen e këtyre filmave në kinemanë e mbi lum të DokuFest, nën mbishkrimin “E ardhmja është këtu”./ KultPlus.com

Pamja e fotografisë më të famshme duket krejt ndryshe sot (FOTO)

Është sfondi i parazgjedhur për Microsoft Windows XP, një nga pamjet e cila njihet nga pothuajse çdo përdorues i kompjuterit, përcjellë KultPlus.

Kjo fotografi e njohur me emrin “Bliss”, është shkrepur nga fotografi Chuck O’Rear. 21 vite më parë, O’Rear u pozicionua para një kodre të gjelbër të Sonama, ku kapi këtë pamje.

Ndërsa tani, ky vend ka ndryshuar në mënyrë drastike. Zhgënjimi është i madh për të gjithë që shikojnë gjendjen aktuale të këtij vendi përrallor në 1988. Barit të gjelbër ia kanë zënë hardhi dhe barishte të tjera të zverdhura.

Reagimet kanë qenë të shumta në median sociale e po ashtu edhe kritikat për autoritetet lokale që nuk kanë treguar kujdesin e duhur për mirëmbajtjen e kësaj zone.

“Unë së shpejti po i mbush shtatëdhjetë e gjashtë vite jetë dhe çdo ditë e më tepër e kuptoj se sa shumë rëndësi ka pasur fotografia “Bliss” e Microsoft-it në jetën time. Si krijues i fotografisë më të shikuar në histori, unë kam gëzuar çdo minutë të famës”, ka thënë më parë fotografi O’Rear.

Charles O’Rear fillimisht e kishte dërguar këtë fotografi në Corbis në vitin 1996, dhe më pas Microsoft kishte blerë të drejtat e fotografisë në vitin 2000./KultPlus.com

Stacion sonte sjellë “Diskutim mbi një vepër arti” në kuadër të Shkollës Verore si Shkollë

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina sonte do të prezantoj “Sesion Publik të Kursit të 7-të si “Diskutim mbi një vepër arti” me Milica Tomić dhe Branimir Stojanović dhe artisten e zgjedhur Qëndresë Deda, si pjesë e Programit Publik të Shkolla Verore si Shkollë 2018, shkruan KultPlus.

“Diskutim mbi një vepër arti”, i strukturuar si Kursi 7 i Shkollës Verore si Shkollë, merret me historinë dhe pasojat nga viti 2000 “Diskutimi për një punë arti” (DAA), organizuar në Beograd nga Miliza Tomić dhe Branimir Stojanović. DAA është inspiruar nga vizita e Tomić në Budapest me 2000 për një bisedë me artist të organizuar nga kolektivi artistik “Little Ëarsaë” (Andras Galik dhe Balint Havas), Budapest. “Little Warsaw” ka ftuar artistët të prezentojnë dhe të diskutojnë punën e tyre në mënyrë që të rishqyrtojnë dhe zhvillojnë “mendim jo-formal dhe jo-institucional” në prodhimin e artit bashkëkohor. Të frymëzuar nga ky model, DAA në Beograd është përpjekë që të prodhoj një hapësirë për diskutime të hapura, kritike dhe të angazhuara që kanë analizuar prodhimin në art, politikat e ekspozimit, dhe intepretimin e kontekstit socio-politik, ekonomik dhe ideologjik në fund të luftërave Jugosllave si dhe ideologjinë e pajtimit si form neo-liberale. Ka vënë në pyetje skenën e artit në Serbi, që është shfaq përmes një kornize të artit jo zyrtar, dhe e cila ka pasë mundësi të vazhdoj në një sistem të implikuar në prodhimin dhe në përjetësimin e luftës, dhunës dhe terrorit, duke gdhend sferën publike të riprodhimit të diskursit dominant; DAA ka shikuar me vëmendje mënyrat se si këto janë reflektuar në vetë punët e artit. DAA shpejt është shndërruar në një rrugëtim kolektiv ku artistët e ndryshëm kanë organizuar dhe zhvilluar projekte më tutje që kanë ndjekuar rregulla të caktuara: një projekt, një diskutim, pa moderator dhe pa dokumentim kështu duke lejuar projektin të shpaloset vet, në mënyrë të pa parashikueshme.

Milica Tomić është artiste dhe udhëheqëse e IZK-Insituti Për Art Bashkëkohor (TU Graz). Ajo është anëtare themeluese e grupit artistik për teori dhe studime Jugosllave “Grupa Spomenik” [Monument Group, 2002]; ajo ka nisë projektin ndër-disiplinar “Four Faces of Omarska” [2010]. Ekspozitat e saj përfshijnë ato në Shtëpinë e Kulturave të Botës, Berlin, Muzeu i Artit Amerikan Ëhitney, Kunsthalle Vienna; MUMOK Vjenë; KIASMA Helsinki; Bienalja e Venedikut; Bienalja në Sidnej; Bienalja Ndërkombëtare e Stambollit dhe të tjera.

Branimir Stojanoviq (1958) jeton dhe punon në Beograd. Në punën e tij midis filozofisë, psikoanalizës dhe artit, ai merret me praktikat e shkrimit dhe ndërhyrjet konceptuale-politike në kontekste institucionale të filozofisë, artit dhe psikoanalizës. Themelues dhe ligjërues në Shkollën për Historinë dhe Teorinë e Artit (1999-2003), anëtar i Shoqatës Psikoanalitike të Beogradit (2010-2015), anëtar i Grupit Artistik të Monumenteve (2004-2013), themelues dhe ligjërues në Shkollën për Teori dhe Histori të Artit (2002). Që prej vitit 1980 ka botuar ese në fushën e filozofisë, psikoanalizës teorike, kritikave të ideologjisë dhe teorisë së artit.

Orari i plotë i ligjëratave dhe prezantimeve publike në Shkolla Verore si Shkollë 2018 mund të gjindet në:

http://www.stacion.org/en/Public-Program-2018

‘Arti i migrimit’ vjen nesër në Prishtinë

Rritja e vetëdijes mbi migrimin, refugjatët dhe viktimat e konfliktit, si dhe eksplorimi i kulturës dhe identitetit përmes artit publik, bisedave dhe tregimeve, janë karakteristikat kryesore të ngjarjes ‘Arti i Migrimit’ që do të mbahet në Prishtinë këtë premte, shkruan KultPlus.

Një artist, një vallëzues, një fotograf dhe një avokat i migrimit kanë nisur në një udhëtim jetësor, mbi 10.000 milje dhe më shumë se 20 vende, si pjesë e Mongol Rally nga Praga në Ulan – Ude në Rusi dhe tashmë po e bëjnë një ndalesë në Prishtinë, përgjatë rrugëtimit të tyre.

A ishit refugjat ose viktimë e një konflikti? A punoni për një organizatë lokale apo ndërkombëtare që ndihmon migrantët, viktimat e konfliktit apo të rinjtë me të drejta të kufizuara? A doni thjesht të takoni njerëz të mëdhenj dhe të zgjeroni perspektivën tuaj? Ju lutemi bashkohuni me ne dhe sillni ushqimin tuaj të preferuar, shoqërinë, tregoni historitë tuaja, ofroni zgjidhje përmes ideve, bëni art, vallëzoni, hani, pini, njihni njerëz fenomenalë dhe argëtohuni.

Nëse jeni të interesuar të mësoni më shumë rreth ‘katërshes fantastike’ (Fabulous Four) (Sheryl Winarick, Bethany Halbreich, Quentin Robinson dhe Yuri Horowitz) dhe udhëtimit të tyre të mrekullueshëm, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e Artit të Migrimit www.artofmigration.com dhe fushatën e tyre për mbledhjen e fondeve në www.gofundme.com/artofmigration.

Ngjarja do të mbahet nesër, më 20 korrik nga ora 17:00 deri në 22:00 në Miqt Pub (pranë Sëiss Diamond Hotel)./ KulttPlus.com

Shteti i “bacave”, “balave”, pardon my french!

Shkruan: Rrahman Paçarizi

E thirrja “bac” jehoi dje në selinë e BE-së. I drejtohej “Bacit”, këtij të madhit. Jo për patriotizëm, por për respekt – Baci e kishte mbledhë një delegacion si delegacionet kineze këtyneherë, i kishte futë në aeroplan dhe drejt e në Bruksel, siç kanë shku burrat e moçëm këtynehere me marrë fjalë nuseje, me marrë dorën, me marrë shejë. Për atë punë zgjidheshin burrat më të mirë të fisit, jo vetëm me ushtru autoritetin e epërsinë si fis, por edhe me tregu te miku harmoninë (razinë) që mbretëronte në vllaznillak.

Para nja shtatë a tetë vjetësh, vendin ku unë punoja e vizitoi një delegacion i Kuvendit të Kosovës, përkatësisht kryetari i Kuvendit, z. Jakup Krasniqi. Vartësit e tij, disa prej tyre deputetë, e thërrisnin z. Krasniqi “baci Jakup”. Kryeparlamentarin e njihja qysh moti. Për herë të parë e kisha taku në fillim të viteve ’90 kur sapo kishte dalë nga burgu dhe kishte ardhë për ngushëllime në fshatin tim, ku kishte shumë shokë, por edhe lidhje familjare. Do me thënë, e njihja moti, edhe si gazetar më pas, por asnjëherë nuk ia kisha leju vetes ta thërrisja baci Jakup, por varësisht nga pozita që kishte. Vartësit, ndërkaq e quanin “BAC”. Bac e kishin quajtër edhe Adem Demaçin, tash po e quajnë bac edhe Anton Çettën, natyrisht edhe Adem Jasharin. E për çudi, e fatkeqësi edhe Behxhet Pacollin. Në Llap e në Ortakoll, e besa edhe në rrafsh, bacit i thonë “BAL”. Përveç Behxhetit të gjithë të tjerët i quajnë “bac” me njëfarë krenarie, me njëfarë ndjenje patriotike, e Behxhetit i thonë bac se ashtu e quajnë vëllezërit e tij më të rinj. E fjala “bac” e ka prejardhjen nga serbishtja (brace i thonë vëllait me përkëdhelje), ashtu si edhe fjala “bal” (nga brale,po ashtu vëlla me përkedhelje). As Jakupi as Bexheti s’kanë faj pse janë baca. Edhe mu dikush-dikush më thotë bac.
E thirrja “bac” jehoi dje në selinë e BE-së. I drejtohej “Bacit”, këtij të madhit. Jo për tjetër, por për respekt – Baci e kishte mbledhë një delegacion si delegacionet kineze këtyneherë, i kishte futë në aeroplan dhe drejt e në Bruksel, siç kanë shku burrat e moçëm këtynehere me marrë fjalë nuseje, me marrë dorën, me marrë shejë. Për atë punë zgjidheshin burrat më të mirë të fisit, jo vetëm më ushtru autoritetin e epërsinë si fis, por edhe me tregu te miku harmoninë (razinë) që mbretëronte në vllaznillak.

Mogherini e Avramopullos nuk besoj të marrin erë kah folklori, doket e zakonet tona. Bile ata mund të besojnë se Kosova është shtet dhe sillet si i tillë. Ata mendojnë se në delegacion kanë qenë të mjaftueshëm Presidenti (Thaçi) dhe Kryeministri (Haradinaj). Shtetet normale nuk kanë nevojë me e manifestu unitetin dhe legjitimitetin, pasi këta dy komponentë dalin nga institucionet dhe mekanizmat demokratike, përmes të cilave në të vërtetë janë zgjedhë edhe presidenti Thaçi, edhe kryeministri Haradinaj. Kjo do me thënë se Kosova do të përfaqësohej mjaftueshëm dhe denjësisht nga Presidenti dhe Kryeministri, pasi ata janë krejtësisht legjitimë. Madje, Presidenti ka shku për dialogun, përndryshe vetëm Kryeministri me ministren e integrimeve, eventualisht, do ta kishin përfaqësu vendin mjaft denjësisht. Sa për lajmin, neve si qytetarë të Kosovës do të na kishte mjaftu njoftimi nga Avramopullos.

Udhës, janë bë shumë shkelje. Së pari, komplet udhëheqja e shtetit ishte jashtë shtetit, në kundërshtim më protokollin e shtetit. Së dyti, të gjithë udhëtuan me aeroplanin privat të zëvendëskryeministrit (nuk e di nëse është shkelje, por as në rregull s’po duket), etj. Mirëpo, jemi gëzu shumë për vizat dhe i hamë edhe këto shkelje – ndoshta edhe për faktin se s’na jep kush llogari. Ajo që po më dhemb është nevoja fisnore, parapolitike me dëshmu unitet. As Trump-i, as Macron-i, as Merkel-i dhe asnjë lider serioz nuk ka nevojë me e dëshmu para botës unitetin e spektrit politik. KJo është logjikë parainstitucionale. Kosova ka pasë nevojë me formu grupe uniteti në kohën kur ende nuk e kishte shpallë pavarësinë. Tash s’ka nevojë më. Madje, grupet e unitetit janë të dëshme. Ato lënë hapësirë për kompromise, sepse ekziston grupi ku mund të kërkohet kompromisi. Nëse Kosovën në dialogun me Serbinë a me BE-në a me cilëndo palët të tretë, e përfaqëson Presidenti ose Kryeministri, ata e kanë tagrin e kufizuar për të marrë vendime. Ndërkaq grupet e unitetit bëhen vetëm për të anashkalu institucionet demokratike. S’ka pse ftohet as opozita për të qenë pjesë e ndonjë grupi të unitetit – opozita i ka mekanizmat e saj për ta mbështetë ose për ta kundëeshtu pushtetin.

Pra, Kosova nuk ka pasë nevojë sot me dërgu në Bruksel një delegacion aq të gjerë. Nuk e kontestoj meritën, vullnetin, përkushtimin, por edhe dëshirën për të qenë të pranishëm në momentin e shpaljes së vendimit të Komisionit Europian. Por, aty ku është i pranishëm Kryeministrit, pse nevojiten zëvendësit e tij. Ata, me siguri do të kenë pasë punë në Prishtinë, nëse asgjë tjetër, atëherë për ta zëvendësu shefin e tyre, pasi janë zëvendës të tij, ose së paku do të ishte desht me qenë të tillë.

Komisioni Europian, këtë lajm do ta kishte bërë të ditur edhe pa këtë vizitë – nuk besoj që Mogherini, Fayon, Avramopullos e të tjerët janë entuziazmu nga prania e burrave më të zgjedhur të fisit. Nuk janë entuziazmu as nga razia a harmonia ndërmjet tyre, e aq më pak nga thirrjet drejtu Bacit për të dalë në fotografinë e përbashkët. Komisioni Europian, përkatësisht Avramopullos (baba i çikës) ka vendosë me e dhanë dorën, me e dhanë fjalën a shejën edhe pa këtë fjalë nuseje, edhe pa burrat e fisit, që e thirrin njëri-tjetrin bac e bal.
HAJDE PËRHAJR!

Kosova hapë thirrjen për propozime për OSCAR

QKK ka hapur thirrjen per propozime per Oscar, me anë të se cilës ka kërkuar që të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin OSCAR për kategorinë për film në gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.

Të drejtën e konkurimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 1 Tetor 2017 dhe jo më larg se data 30 Shtator 2018 dhe të cilët i plotësojnë kushtet tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.

Komisioni përzgjedhës i Kosovës këtë vit kryesohet nga regjisori i shquar Isa Qosja, ndërsa anëtarët tjerë janë aktori dhe producenti Fatmir Spahiu, skenaristja Visare Aliu, aktori e regjisori Edon Rizvanolli, producenti Valon Jakupaj, regjisori Faton Bajraktari dhe aktori e producenti Shkumbin Istrefi.

Kushtet e aplikimit i gjeni më poshtë:

http://www.oscars.org/sites/oscars/files/91aa_rules.pdf

Propozimet mund të dergohen përmes postës elektronike: [email protected]

Apo permes postes:

Qendra Kinematografike e Kosovës

Rruga UÇK Nr. 273

10000 Prishtina

Kosova

Data e fundit për dërgimin e propozimeve është 15 gusht 2018.

Firma e njohur e veshjeve shkrumbon rreth 90 milionë paund rroba

Prestigjiozja “The Times” shkruan se linja luksoze e veshjeve “Burberry” ka shkatërruar në pesë vitet e shkuara produkte që në total kushtonin rreth 90 milionë paund.

Punonjësit e firmës janë shprehur se kjo është bërë për të mbrojtur markën dhe për të ndaluar që produktet e saj të shiten me çmime të ulëta tek njerëzit e ‘gabuar’.

Ndërsa kompania ka deklaruar se “praktika e shkatërrimit të mallit stok është e zakonshme në industrinë e shitjes me pakicë”.

E vlerësuar me 9.6 milionë paund nga “Forbes”, “Burberry” thuhet se përdor inceneratorë për shfrytëzimin e energjisë dhe “The Times” duke u bazuar në këtë informacion, pretendon se kjo kompani e ka marrë çështjen e shpërdorimit shumë seriozisht.

Kjo linjë e veshjesh mbahet si tepër e shtrenjtë, me një pakicë çantash shpine që kushtojnë 950 paund në Lindjen e Largët./ Dita

Libraria antike, ku librat ende lidhen me zinxhirë

Nga Çitadeli në “Gjueti fronesh” te Kamar-Taj në “Doktor Strejnxh”, librat antikë të kyçur në rafte kanë hyrë sërish në kulturën popullore.

Në fakt, këto biblioteka të kyçura kanë ekzistuar vërtet.

Në Mesjetë librat ishin më të rrallë dhe lidhja e tyre me zinxhirë në rafte ishte një gjë e zakonshme dhe një sistem efikas sigurie në libraritë e Europës.

Biblioteka më e madhe, ku librat ende mbahen të lidhur me zinxhirë, është në katedralen Hereford në Britaninë e Madhe. Biblioteka është rindërtuar ekzaktësisht siç ka qenë 500 vite më parë dhe librat mbahen në zinxhirët e tyre origjinalë.

Në këtë librari gjenden 229 dorëshkrime mesjetare, ende të lidhura me zinxhirë nëpër rafte./ E.Qose

Në kohën e Ilirëve, lumi Vardar quhej Bardhar, pra lumi i bardhë

Shkruan: Shqipe Hoxha

Ilirologu i njohur gjerman H. Krahe (Lexikon altillyrischer Personnamen, Hiedelberg 1929, 16) emrin e lumit Bardários e afron me bard (bardhë), sikurse dhe emrat vetjakë Bardus e Bardulis të ilirishtes.

Po kështu dhe dijetari bullgar L. Silan (Koi se denešnite Albanci i tehnija ezik, Sofia 1910, cituar sipas Shefki Sejdiut) emrin e lumit Vardar e nxjerr nga Bardhar “lumë i bardhë”: “Ime na reka Vardar e Bardh-ar i zneče bela”.

Gjipe: Gjiri i Shqipërisë, aty ku endet një dëshirë e zjarrtë

Prestigjiozet e huaja vijojnë të magjepsen nga bukuritë përallore të rivierës shqiptare. Së fundi ka shkruar për plazhin e Gjipesë e përditshmja austriake “Der Standard”.

“E ndodhur 50 kilometra nga kufiri grek, ngjason me gjiret e Kretës: askush nuk është më i ngjashëm me Gjipenë sesa gjiri i Preveli-t. Atje ndjehesh si në periudhën e viteve80-të. Dhe atje qoftët shqiptare direkt pranë plazhësh shijojnë aq mirë sa edhe keftedes greke,” përcjell albinfo.ch. “Kanioni i Gjipesë ngjason edhe me kanionin greke Samaria, vetëm me më pak shtigje ngjitjeje”.

Plazhi i Gjipesë ndodhet mes Vlorës dhe Himarës. Për të arritur atje mundet me furiostrada ose ecje me këmbë gjysëm ore.

Përkujtohet 100 vjetori i Madiba – Kush ishte Nelson Mandela?

Dje ishte 100 vjetori i ditëlindjes për Nelson Mandelas. Është i njohur si një super yll sporti apo muzike, idol i miliona njerëzve, çliroi të zinjtë nga apartheidi, bashkoi vendin e tij, me një fjalë, është një legjendë e kohëve moderne dhe bëhet fjalë për Nelson Mandela.

I dënuar me 10.000 ditë burg, diku pak më shumë se 27 vjet, për shkak të mos marrëveshjeve mes të bardhëve dhe të zinjve, Nelson Mandela është bërë sinonim i suksesit të ndryshimeve shoqërore me anë të paqes. Frymëzuesi i shumë shkrimtarëve dhe historianëve, temë e shumë librave që flasin mbi jetën e tij, kanë një gjë të përbashkët: edhe pse qenie njerëzore, vend për kritika nuk ka.

Mbretëresha Elizabeth II, Bill Clinton, Michael Jackson, njerëzit më të njohur dhe të fuqishëm të botës, kërkonin vazhdimisht takime për të biseduar me të. Andaj shpesh Mandale quhet edhe si Madiba i Magjishëm.

Prej në fillim të formimit të karrierës së tij, ai do pëlqente librin “Arti i Luftës” të strategut antik kinez, Sun Tzi, ku spikasin dy thëniet, “fitorja më e leverdishme kundër armikut, është fitorja kur mposhtet pa luftë” si dhe, “ nëse njeh veten dhe armikun, nuk ke pse u frikohesh edhe 100 luftërave të njëpasnjëshme” , pikërisht këto ide do e ndiqnin gjatë gjithë jetës së tij, veçanërisht në procesin e tij gjyqësor, i ashtuquajtur Rivonia, ku e bëri të njohur edhe botërisht. Në këtë proces, ai njihet edhe si armiku numër 1 i shtetit, për shkak të dasive mjaft të mëdha mes të zinjve dhe të bardhëve si dhe të drejtat që kërkonin ato të parët; por përkundër gjithë këtyre, Mandela në procesin gjyqësor do thotë, “E gjithë jeta ima do i përkushtohet luftës së të drejtave të barabarta mes të zinjve dhe të bardhëve dhe për të krijuar një shtet të lirë e demokratik. Nëse dëshironi të nderuar gjyqtarë, unë edhe do vdisja për këtë ideal timin.”

E gjithë kjo erdhi pasi policia afrikane jugore, gjuajti mbi 69 protestues të zi, në vitin 1960, më ç’rast i hapi rrugën edhe apartheidit 30 vjeçar në këtë shtet.

Një ndër sukseset e tij të magjishme ishte edhe mbajtja e Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, duke u bërë shteti i parë afrikan që organizoi këtë eveniment të madh sportiv. Kjo kishte domethënie të madhe për të, pasi Mandela shpesh thoshte, “ sporti ka fuqinë e ndryshimeve në shoqëri, pasi është me e fuqishme sesa qeveritë.”

Ky njeri, kishte fuqinë për të ndryshuar vendin e tij në formën më paqësore të mundshme, ku dallimet mes racave ne vendin e tij u çrrënjosën. Këtë e dëshmuan edhe vendet e kultit gjatë varrimit të tij, ku të bardhët dhe të zinjtë luteshin së bashku për shpirtin e tij.

Ai u bë hero për Afrikën, ashtu siç është Simon Bolivari për amerikano latinët, Mahatma Gandhi për indianët dhe Marthin Luther Kingu për të zinjtë amerikanë.

Me rastin e ditëlindjes së tij, do donim ta mbyllnin këtë shkrim me thëniet e Barack Obamës drejtuar botës, “ shikoni se edhe ne mundemi të bëjnë ndryshime” dhe se “jeta ime, pa eksperiencën e Mandelas nuk do kishte vlerë.”

Një histori e shkurtër e tij

I lindur në 18 korrik 1918, në provincën Kap të Afrikës Jugore, Mandela do të shquhet si student i drejtësisë në universitetin Fort Hare, do të bëhet i njohur edhe si avokati i parë me ngjyrë në shtetin e tij, 1956. Për shkak të luftës që i bënte apartheidit afrikan, ai do dënohet me diku 27 vjet si i rrezikshëm dhe komplotist kundër interesave të shtetit. Pas lirimit nga burgu, ai fiton çmimin NOBEL për paqe, 1993, dhe një vit më pas do mban postin e presidentit të parë të Afrikës së Jugut.

Në 2004 jep dorëheqje nga të gjitha postet zyrtare dhe në 5 dhjetor 2013, ndërron jetë në shtëpinë e tij, në moshën 95 vjeçare.

Dyshohet për shitje të fëmijëve në Shtëpitë e Bamirësisë së Nënës Terezë

Në Indi ka nisur një hulumtim nëse në shtëpitë e bamirësisë të cilat i ka krijuar Nënë Tereza ka pasur trafikim fëmijësh.

Një dyshim i radhës e ka ngritur pikëpyetjen mbi këtë pjesë.

Në fillim të këtij muaji një prej punëtoreve është arrestuar pasi është zbuluar se ka shitur një fëmijë.

Fëmija u shit për 1500 dollarë, dhe kësisoj Qeveria e nisi inspektimin e saj në të gjitha Shtëpitë Misionare të Bamirësisë. Dy persona janë arrestuar, shkruan KultPlus.

Sot në botë janë rreth 4500 misionere të bamirësisë në rreth 130 vende të botës, me urdhërin e Nënës Terezë e cila me 4 shtator 2016 u shpall Shën Nënë Tereza. Urdhëri ka hyrë në fuqi në vitin 1950 dhe nga ajo kohë asnjëherë nuk ka pasur dyshime e skandale të llojit të tillë. / KultPlus.com

Pas rehabilitimit, Galeria Kombëtare do ketë emër të ri

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro duke folur për turizmin dhe risitë e këtij viti u shpreh entuziaste për këtë sezon që siç tha ajo, i ka kaluar pritshmëritë për nga fluksi i pushuesve.

Ndër të tjera, Kumbaro dha detaje për projektet e reja, si ai për Galerinë Kombëtare të Arteve që merr një tjetër emër, gjatë një interviste për një nga televizionet në vend.

“Muzeu Kombëtar përgatitet për një periudhë rehabilitimi. Brenda vitit do kemi projektin e ri për të kaluar më tej në zbatim. Galeria Kombëtare e Arteve merr emrin e ri, Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Ka një fond të jashtëzakonshëm të veprave qoftë të para 100 viteve, qoftë të realizimit socialist. Godina është mjaft e amortizuar, kërkon riorganizim.

Kemi projektin e radhës. Galeria Kombëtare ka statusin monument kulture dhe me ligj ajo nuk preket, por rehabilitohet. Do të ketë një koncept të ri bashkëkohor dhe do të ketë teknologji moderne”,u shpreh ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Në fund ajo shtoi se ,”ndërtuam 4 muze në mandatin e kaluar, besoj që të gjitha institucionet e mëdha kombëtare janë në listë sepse që kur janë ndërtuar nuk janë prekur

Muzeu Kombëtar “Marubi”, atraksioni më tërheqës për të huajt

Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.

Funerali i Ferit Frashërit

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.

Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.

Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.

Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.

Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.

Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com

Fituesja e “Eurovisionit”, Netta Barzilai: Nuk kam qenë kurrë në Kosovë, shpresoj ta vizitoj

Kosova tash e disa vite nuk ka të drejtë pjesëmarrje në “Eurovision”, megjithatë miliona shqiptarë nga ky shtet ndjekin çdo vit festivalin dhe shprehin dëshirën që edhe Kosova të jetë pjesë e kompeticionit.

Faqja “Eurovision Kosovo” tash e sa vite lobon për pjesëmarrjen e shtetit tonë në “Eurovision”, ndërsa sjell gjithnjë më të rejat rreth festivalit, shkruan Telegrafi.

Në rrjetin social Twitter, kjo faqe i ka dedikuar një pyetje këngëtares nga Izraeli, Netta Barzilai, e cila këtë vit fitoi “Eurovisionin”.

Ata e kanë pyetur nëse do ta vizitojë ndonjëherë Kosovë, ndërsa ajo është përgjigjur duke thënë: “Nuk kam qenë kurrë këtu! Shpresoj së shpejti”.

Netta Barzilai fitoi “Eurovisionin” këtë vit me këngën “Toy”, e cila ka qenë mjaft e përfolur javëve të fundit pas disa akuzave për plagjiaturë.

Megjithatë, Izraeli pritet të jetë shteti i cili do të mirëpresë vitin e ardhshëm kompeticionin më konkurrues mes shteteve të Evropës, në fushën e muzikës. /KultPlus.com

Era Istrefi kthehet në Kosovë (FOTO)

Këngëtarja kosovare Era Istrefi sapo ka arritur në Kosovë.

Pas performancës së saj në finalen e Kupës së Botës në Moskë, ajo sot ka arritur në Kosovë.

“Zeri.info”, ka siguruar këto fotografi të momentit kur Era ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kujtojmë se pjesëmarrja e Erës në ‘himnin’ e Botërorit dhe performanca e saj në natën finale u mirëprit nga të gjithë, madje edhe fotografia e saj me duar në formë shqiponje u mirëprit shumë mirë dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët.

Blerina Kllokoqi-Rugova shpërndanë ‘vizën e fundit’ për 10 vjetorin e karrierës

Jeta Zymberi

Disenjatorja Blerina Kllokoqi-Rugova, ndonëse ka 10 vite që është në tregun shqiptarë, ajo vazhdon të mbajë fuqishëm vendin që e ka zënë qysh në fillim, shkruan KultPlus.

Jemi mësuar që Kllokoqi – Rugova të na sjellë gjithmonë koleksione të veçanta përmes sfilatave ende më të veçanta, por kësaj radhe do të shohim diçka krejt ndryshe sipas disenjatores.

Ajo për këtë jubile ka vendosur të sjellë një mbrëmje madhështore me një koleksion të mahnitshëm.

Për gjithë këto vite të suksesshme, ajo falënderon njerëzit që ka përreth.

“Çdo punë, çdo koleksion dhe çdo fustan që e bëjë është inspirim për koleksionin e ardhshëm. Gjithë këtë sukses që e kam arritur për këto 10 vite është falë stafit profesional që e kam dhe përkrahjes së familjes”, është shprehur disenjatorja Kllokoqi – Rugova për KultPlus.

Ajo përveç që është përkujdesu që veshjet të jenë sa më kreative, një gjë të tillë e ka bërë edhe me ftesat për të ftuarit special në këtë mbrëmje.

Ftesat janë në formë “vizash”, duke iu përshtatur kështu edhe gjendjes aktuale politike në vend, ndonëse sot kjo çështje shkoi një hap para.

“Ky vit do të jetë krejt ndryshe. Ftesa është konceptuar si viza e fundit që jo vetëm unë si brend, por çdo biznes dhe çdo qytetarë me lëviz i lirë pa viza. Ftesa është e konceptuar si pasaporta e Republikës së Kosovës, ftesa është në vizën e fundit. Normalisht që gjithçka lidhet me vizionin e presidentit Ibrahim Rugovën, më dëshirën e tij që Kosova të jetë vend i pavarur dhe qytetarët të udhëtojnë të lirë”, është shprehur tutje disenjatorja për KultPlus.

Andaj, kjo mbrëmje e cila po tërheq interesimin e njerëzve, do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Mbrëmja mbahet më datë 20 korrik, ndërsa eventi do të jetë privat. Kllokoqi – Rugova premton që asnjëherë më herët nuk është bërë një event i tillë. Gjithçka mbetët të shihet më datë 20 korrik. /KultPlus.com

Nuk është turp me shku me autobus për Dhërmi

Nga Alma Nikolli

Po i shkrepja një fotografi mikes sime dhe për një moment e lashë. “Prit të largohemi pak të mos dalin mbeturinat në sfond”, i them. “Jo, jo, lëri, ashtu është relaiteti, shkrepe”. Që të dilja mirë para teje që po më lexon (nëse nuk e ke lënë pas fjalisë së parë) duhet ta “modifikoja” këtë moment. Ndoshta duhet të thoja që e lamë fotografimin dhe mblodhëm mbeturinat, por në fakt nuk e bëmë. Ajo që bëmë ishte një fotografi me mbeturina në sfond. Tani, kur kanë kaluar pak vite do zgjidhja të kishim vepruar ndryshe, por sidoqoftë përcollëm virtualisht një të vërtetë, atë të mbeturinave. Pushkatomëni, po deshët…virtualisht.
Kjo ndodhi m’u kujtua sot, pasi hodha në “Instagram” fotografinë e një bilete autobusi. “Tiranë-Dhërmi”. Zakonisht postojmë fotografi vetëm të biletave të avionëve. Këtu u mundova ta vë theksin, sigurisht me pak humor(ose tentativë për humor). Tregojmë anën e bukur të udhëtimeve, ndonjëherë edhe themi se u kënaqëm më tepër se realisht jemi kënaqur, që të qëndrojmë edhe nga ana e ndjesive në lartësinë e fotografive. Po a gënjehet vetja? A ka lindur ende një mashtrues kaq perfekt? Të besojë gënjeshtrën e vet dhe të jetojë në lumturi? Do të ishte sikur dikush të gjente pijen e përjetësisë, por ajo qenka e shkruar të mos ekzistojë a gjendet.
U habita me reagimet e shumta te postimi im. Ishin kryesisht të vajzave që punojnë vetë për të realizuar udhëtimet modeste që bëjnë. Reagime të vajzave që ashtu si mua, ndonjëherë u duhet t’i bien me avion nga Shkupi për diku, se bileta është më lirë. Po këto gjëra s’para i themi, se ka të vërteta më të bukura për të ndarë me dynjanë. Të vajzave që po qeshnin me biletën time, sepse po u kujtoja veten. Të shoqeve të mia që janë si unë, sepse ndryshe nuk do i kisha shoqe. Vetëm se unë bashkë me to, do përpiqemi që të ia tregojmë botës jetën më pak të modifikuar. Ja kështu si me të qeshur. Jo se djemtë janë ndryshe ëëëë, po qëlluan vajza, deri tani.
Jeta virtuale na ka dyzuar. Po pse kemi turp nga jeta që kemi? Nga farefisi që vjen nga fshati? Nga një kushëri që flet gegnisht a toskërisht? Pse ia nxijmë jetën me “shshsh”? Pse ia “shkatërrojmë” dhe kompleksojmë jetën njëri-tjetrit për “cene” që në një formë i kemi edhe vetë? Sepse besojmë në perfeksionin që dërromohemi për të ia impontar vetes. Do thuash ti, jo unë s’e bëj. As unë nuk e bëj jo.
“Sa mirë ke dalë dhe fustani të rrika aq bukur”, i shkruaj në mesazh një të njohurës sime. “Po çfarë thua moj Alma, se mezi e mbylla zinxhirin, po mbaj frymën se do plas me gjithë fustan”, më tha duke e ekzagjeruar pak sa për të qenë modeste e për të qeshur pak me një lloj falenderimi jo të mërzitshëm. Ama kjo nuk është “sekuencë” e izoluar. Vajza e djem që modifikojmë pjata, fotografi, fytyra, ngjyra detesh… po thjesht mua më ka rastisur të kem të bëj me vajza pak më të sinqerta, ose ndoshta ia pranojmë më lehtë njëra-tjetrës.
Vdiqëm për pak perfeksion, vdiqëm. Ardhtë momenti që të mos kemi turp nga vetja dhe jeta jonë edhe e pabukur. Ardhtë një brez prindërish që ta përdorin pak e më pak fjalën turp, duke e zhveshur nga pesha morale. Jo se kanë faj ata jo, po kushedi. Ndoshta duke na e thënë aq shumë, e kemi marrë në dozën e gabuar.

‘Sot e nesër jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë’ (VIDEO)

Meqë ka vite e vite që na janë premtuar vizat, ia vlen shpesh të kujtojmë se jemi në kontinentin evropian, së paku gjeografikisht.

Drejt Evropës, drejt udhëtimit pa viza, drejt metropoleve dhe drejt ëndrrave për një jetë më të mirë… 2020! Ky është viti kur një tjetër zyrtar evropian do të na flasë se si vizat nuk do të liberalizohen kurrë për kosovarët e dëshpëruar.

Për kontinentin Evropë janë kushtuar disa këngë, e herë kanë qarkulluar komente qesharake, satirike e njëkohësisht tmerrësisht pikëlluese.

Ilir Shaqiri para disa vitesh i këndoi Evropës në një formë të veçantë. / KultPlus.com