Tmerret e Kampit të Tepelenës në një ekspozitë

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pritet të organizojë ekspozitën me titull “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelenës.”

Raportohet se pjesë e kësaj ekspozite do të jenë dokumente arkivore të dhjetëra dosjeve që dokumentojnë përndjekjen e ish-Sigurimit të Shtetit në zonën e Tepelenës, dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Kjo ekspozitë dokumentare kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist, i paraprin Ditës Muze Memorial/Tepelenë që do të zhvillohet në qytetin e Tepelenës, më 23 gusht 2018.

Të ftuar do të jenë familjarë, studiues, përfaqësues të komunitetit lokal, shoqatave të ish-të përndjekurve dhe grupeve të interesit./ KultPlus.com

Piktura murale e banesës 300 vjeçare Skënduli në Gjirokastër do të restaurohet

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale “Skena e Gjuetisë” në shtëpinë Skënduli, banesë 300-vjeçare ndër më të spikaturat në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në pikturën murale, që ndodhet në shtëpinë “Monument kulture”, të kategorisë së parë në lagjen Palorto.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Qytet i Gjirokastrës i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga viti 2005, ishte një qendër e rëndësishme administrative e populluar nga pronarë tokash, që ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti që ofron mbi 500 ndërtesa historike, ka një sërë banesash karakteristike.

Mes këtyre banesave ndodhet edhe shtëpia Skënduli, e ndërtuar rreth vitit 1700, që është një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët. Ajo ka 44 dyer, 64 dritare, 9 oxhakë, të cilët në atë kohë përcaktonin dhe pozitën shoqërore e ekonomike të fisit. Ka gjithsej 19 ambiente, ka dhe disa dhoma të bukura./ KultPlus.com

Magazine: Turizmi, ari i Shqipërisë

“Toka e Shqiponjave” duket se ka zgjedhur rrugën e duhur për rimëkëmbjen e saj ekonomike: atë të një territori të ndodhur në një pamje të bukur të Mesdheut, në kufirin midis Jonit dhe Adriatikut, që më në fund ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj detare dhe turistike pas dekadave të gjata të diktaturës komuniste.

Turizmi në Shqipëri është bërë tashmë një temë debati midis institucioneve politike dhe komerciale të “Tokës së Shqiponjave”.

Kështu e nis artikullin e botuar në përditshmen italiane “Magazine”, presidenti i Institutit të kërkimit të Ekonomisë dhe Politikës Ndërkombëtare, Domenico Letizia.

Fluksi i vazhdueshëm turistik që shikon Shqipërinë protagoniste absolute ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshëm të kapitalit për investime të shumta në sektorët e mikpritjes dhe hotelerisë.

Flukset turistike, vazhdimisht në rritje në Shqipëri, kanë çuar gjithashtu në një rritje të kërkesës për ndërtimin e hoteleve në vend. Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtimin e 53 hoteleve, në një sipërfaqe totale prej 89 mijë metra katrorë.

Kjo, 6 herë më e lartë se ajo e ndarë në objektet e akomodimit në vitin 2016. Vetëm në Tiranë po punohet për ndërtimin e një hoteli të madh me 5 yje, një investim prej rreth 30 milionë euro. Edhe “Hilton Garden Inn” gjithashtu po punon për një hotel të ri në kryeqytetin shqiptar. Shumica e lejeve të ndërtimit kanë të bëjnë me ndërtimin e strukturave hoteliere në bregdet. Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit lehtësira fiskale për ata që ndërtojnë hotele me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga një sërë taksash.

Kryeministri Edi Rama në fillim të sezonit të verës theksoi se “masat e marra kohët e fundit nga qeveria në mbështetje të turizmit do të ndihmojnë zhvillimin në këtë drejtim të Shqipërisë”. Në mënyrë të veçantë, reformat e thella janë të lidhura me taksën e turizmit, e cila është reduktuar në 6% nga 20%. Pa harruar përjashtimin e pagesës së TVSH për hotele luksoze me 4 ose 5 yje. “Këto janë nisma konkrete, të cilat qeveria i sjell në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori”, thotë Kryeministri shqiptar. Qëllimi i qeverisë është ta transformojë Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik në Mesdhe.

Ndër projektet në zhvillim për promovimin e turizmit, Kryeministri ka nënvizuar ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës. “Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përmirësuar dhe shkurtuar distancën me bregdetin jugor”, ka përsëritur Rama, “ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një hyrje dhe dalje për Shqipërinë, duke lehtësuar udhëtarët dhe turistët që duan të ndalojnë në jug të vendit tonë “.

Për më tepër, katër muze të rinj janë ndërtuar vitet e fundit. Në Tiranë, bunkerët e famshëm të kohës komuniste janë shndërruar në muze të vërtetë, si “Shtëpia e Gjetheve”, ku diktatura komuniste ka kryer aktet më të neveritshme. Është një ndërtesë jo shumë larg sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej, ku midis viteve 1944 dhe 1990 mijëra shqiptarë u morën në pyetje dhe torturuan nga shërbimet sekrete të regjimit komunist. I fshehur plotësisht nga pemët të gjithë e njihnin, por askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ndodhte brenda.

I braktisur pas rënies së regjimit, “Shtëpia e Gjetheve” u rindërtua nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni dhe dokumentet e gjetura brenda saj u bënë publike, siç janë procesverbalet e gjykimit të famshëm politik dhe përgjimet telefonike të kryera me pajisje të sofistikuara elektronike. Nga këtu, ministritë, ambasadat dhe hotelet kryesore kontrolloheshin me lidhje direkte në çdo dhomë të vetme. Pas Tiranës, kryeqytetit, Durrësi është qyteti i dytë shqiptar në aspektin e historisë dhe numrit të banorëve. Këtu gjenden amfiteatri romak, një forum bizantin dhe muzeu arkeologjik.

Bashkia shpenzon 8 milionë euro në vit për të rikualifikuar ndërtesat dhe strukturat. Burime të mëdha janë të destinuara për modernizimin e rrjeteve elektrike dhe të kanalizimeve: pastruesi i Durrësit, një impiant i gjeneratës së fundit, u realizua nga një kompani nga Puglia.

Megjithatë, shumica e përpjekjeve janë të përqendruara në port. Ashtu siç thekson kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, “ai duhet të jetë i qytetarëve”, sepse nuk është më vetëm industrial, por një impiant i destinuar për publikun, që përfshin edhe kroçerat.
Flukset kryesore turistike në Shqipëri mbeten të përqendruara përgjatë më shumë se 450 kilometrave të bregdetit Adriatik dhe Jon, ku është në zhvillim e sipër oferta e shërbimeve për turizmin e verës, i cili këtë vit shënoi një rekord të ri të pranisë së të huajve në vend.

Duke ofruar kushte të mira dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit detar, edhe pse aktualisht infrastruktura është pak e zhvilluar.

Në periudhën janar-qershor të këtij viti, vizitorët që mbërritën në Shqipëri nga jashtë kanë tejkaluar pragun e 1 milion e 900 mijë njerëzve që kanë qëndruar në “Tokën e shqiponjave”, në shumë raste kthehen nga një vit në tjetrin ose gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore. Hyrja në sezonin e verës ka rritur intensitetin e ardhjeve, të cilat në muajin qershor të këtij viti kanë prekur gjysmë milioni vizitorë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me të njëjtin muaj të 2017 dhe kundrejt një mesatare prej + 9.1% në krahasim me tërë gjysmën e parë të vitit 2018.

Midis vizitorëve, në vend të parë janë qytetarët e Kosovës me 566.263 vizitorë në periudhën janar-qershor të këtij viti.
Bumi i vërtetë është ai që vjen nga vendi tjetër fqinj, Maqedonia, me 285,758 vizitorë në 6 muajt e parë: më shumë se 15,5% në gjashtë muaj dhe madje më shumë se 58,3% vetëm në qershor .

Në vendin e tretë, fqinji i jugut të Shqipërisë: Greqia. Nga gadishulli i Peloponezit, 221.144 turistë arritën në gjashtë muajt e parë, në rritje prej 10.5%. Ndërsa përsa i përket Italisë, renditja jonë duket e dyfishtë: e pesta pas Malit të Zi, duke iu referuar totalit të 6 muajve të parë të vitit; e katërta pas Greqisë, në lidhje me muajin qershor, në të cilin filloi sezoni turistik bregdetar dhe detar.

Nga janari deri në qershor, në Shqipëri erdhën 139,702 vizitorë italianë më shumë se 6.6%), nga të cilët 34,838 nga të cilët vetëm në muajin qershor më shumë se 5,6%).
Një gjë është e sigurt: institucionet shqiptare e shohin fenomenin turistik me interes ekstrem, si për potencialin ekonomik të turistëve, ashtu edhe për promovimin e investimeve të shumta në mikpritje dhe rikrijues.

Elementë thelbësore për ekonominë dhe rritjen infrastrukturore të vendit ballkani./ KultPlus.com

Nënë Tereza në një fotografi të rrallë

Një fotografi e rrallë e Nënë Terezës, me motrën e saj dhe një mike, shkruan KultPlus.

Fotografia është publikuar në faqen Albanian Vintage…, ndërsa Shën Nënë Tereza shihet që ishte në moshë shumë të re.

Shën Nënë Tereza e Kalkutës (në këmbë) me motrën e saj dhe një mike./ KultPlus.com

“Miqtë e Amerikës” në Kosovë festojnë ditëlindjen e Bill Clintonit

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka shënuar sot ditëlindjen e 72-të të ish presidentit Bill Clinton.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ish-Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.

Forma e organizimit të sotëm dallon nga organizimet tjera, u tha gjatë ceremonisë festive të shoqatës e cila po pret edhe mysafir sot për ditëlindjen Clinton.

“Ia urojmë ditëlindjen ish presidentit me dhurata kosovare dhe me dhurata tjera të zakonshme për ditëlindje”, tha nga Agim Rexhepi kryetar i shoqatës gjatë ceremonisë.

Ish-Presidentit Bill Clinton iu dhuruan edhe libra nga mjekë e shkrimtarë të Kosovës. Ndërsa ish Presidenti Sejdiu e vlerësoi Clinton si engjëll mbrojtës të Kosovës.

Sejdiu tha se ende Kosova e ka interesimin e Clinton për situatën në vend. Ndërsa kryetari i shoqatës, Agim Rexhepi tha se nga bisedimet dhe takimet që i kanë me ish presidentin, kane kuptuar se politikat e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të ndryshojnë.

Gjatë ceremonisë u realizua edhe një video falënderimi për Bill Clinton, e cila iu dërgua personalisht ish presidentit, ku edhe iu dërguan urimet për rastin e ditëlindjes./ KultPlus.com

Bekim Jashari e quan psikopat Nexhmedin Spahiun, thotë se do të bëjë padi kundër tij

Debati për ditëlindjen e Adem Jasharit u nis nga analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili shprehi bindjen e tij se heroi i kombit, Adem Jashari nuk ka lindur më 28 nëntor, por më datën 10 tetor të vitit 1955.

Spahiut i reagoi nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari duke e postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari në një prononcim për Indeksonline ka thënë se do ta ndjekë penalisht Spahiun, për tu përgjigjur për të gjitha këto trillime.

Jashari thotë se për këtë debat ai po paguhet nga ndokush.

“Çka me i thonë atij njeri të krisur, psikopat. Është duke më bërë përshtypje se kush e ka pagu për të bërë gjithë këtë debat . Unë e kam në plan të bëjë padi, do të dalë para Gjykatës për këto trillime. Do ta ndjekë penalisht”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Nga ana e tij, nipi i Ademit në njëfarë mënyre u detyrua të publikojë certifikatën e lindjes.

Por, kjo duket se nuk i mjaftoi Spahiut për ta bindur. Sipas tij, punonjësit e komunës thjeshtë e kanë vënë kot si datë.

Ndërkohë, Në librin amëz të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit./ KultPlus.com

Libri amzë i ish-Jugosllavisë dokumenton datëlindjen e Adem Jasharit

Në librin amzë të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit.

Numrat personalë në ish-Jugosllavi fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit të lindjes. Numri personal i Adem Jasharit fillon me 2811955.. në udhëzuesit administrativë të asaj kohe, shkruan Gazeta Express.

Debati rreth datës së lindjes u hap dje kur analisti Nexhmedin Spahiu tha se dikush e kishte falsifikuar datën e lindjes së Adem Jasharit sepse ai ka lindur më 10 tetor, e jo me 28 nëntor.

“Kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit. Nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955?!!!Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, ka shkruar dje Spahiu.

Atij i reagoi menjëherë kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili është nipi i komandatit Adem Jashari.

Jashari publikoi certifikatën e vdekjes së komandantit, dokument ky i administratës së UNMIK’ut ku shkruhej se Adem Jashari kishte lindur me datë 28 të muajit nëntor./ KultPlus.com

Spahiu: Ditëlindja e Adem Jasharit është falsifikuar

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu është duke këmbëngulur që ditëlindja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari është e falsifikuar.

Spahiu në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka thënë se posedon dokumente të cilat e vërtetojnë se Adem Jashari nuk ka lindur me datën 28.11.1955. Ai ka treguar se ditëlindja e tij e vërtet është 10.10.1955.

Sipas Spahiut, dokumentet të cilat janë duke u publikuar nuk janë relevante, ai thotë se të gjitha ato janë mashtrime të cilat janë bërë me fotoshop.

“Kam shumë dokumente të cilat tregojnë datën e saktë. Po që nga pas lufta në ato dokumentet kanë bërë ndryshime si kanë dashur. Ai dokumenti i vdekjes nuk është një dokument relevant, kurse dokumenti i Gjykatës është i falsifikuar, po shihet se është e ndryshuar me fotoshop, sepse nuk janë fontet njësoj, me makinë shkrimin nuk mundesh me shkru me fonte të ndryshme dhe numrat që janë të shënuar aty, ditëlindja e Ademit dhe numrat më poshtë në të njëjtin vendim të Gjykatës shihet se nuk janë njësoj”, ka thënë Spahiu për Insajderin.

Gjatë ditës së djeshme, Nexhmedin Spahiu kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se “kush është ai që e falsifikoi ditëlindjen e Adem Jasharit, nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955”.

“Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, kishte shkruar Spahiu.

Pas këtij postimi, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nipi i ish-komandantit, Adem Jashari, kishte postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se posedon dokumente me vulë institucionale për ditëlindjen e Adem Jasharit.

“Unë po e sjell një dokument që ka emër e mbiemër, vulë të institucionit, ka shënime dhe të dhëna, që mund t’i shërbejnë “ideatorin e kombit kosovar”, për t’u bindur se “të hëngrit” e mashtrimeve të kujtdo qofshin ato, i takojnë atij që i injoron faktet, e që në vend të tyre, ushqehet me të pavërteta”, kishte shkruar Jashari. / KultPlus.com

“Ku i kishe sytë moj të plaçin sytë, ti që nuk ruan djalin”

Shkruan Lira Gjika.

“Ku i kishe sytë moj, të plaçin sytë. Moj ti që nuk ruan djalin. Po i ndodhi gjë djali, gjej vrimë ku të futesh”.

Ky dialog makabër vazhdon të jetë prezent në bisedat burrë grua, kur fëmija djalë, jo për fëmijën vajzë pëson ndonjë dëmtim apo sëmuret. Edhe pse janë shtuar baballarët që i duan vajzat e tyre si dritën e syve, prapë baballarët që bëjnë të tilla skena vazhdojnë të jenë shumicë.

Këto shprehje, babai i “përvëluar” ja drejton nënës së djalit . Ky njeri dhe baba, mos kujtoni se është nga fshati apo ndonjë injorant, përkundrazi është me shkollë të lartë, me specializime jashtë shtetit, punon në vende drejtuese në shtet, jep mësim në fakultet dhe është kudo në këtë vendin tonë. Ky lloj babai vetëm baba nuk është, sepse po të ishte i tillë nuk do të sillej kështu me nënën e fëmijës së tij dhe nuk do ta çorientonte në këtë mënyrë ekstreme fëmijën e tij djalë.

Këtij tip babai as i shkon në mëndje që djali i tij nuk mund të bëhet i rritur i sigurt, pa besimin tek nëna. Këta të rritur vijnë vetë nga eksperienca të tilla, ku baballarët e tyre me sjelljet e ashpra ndaj gruas, nënës së fëmijës, i kanë katandisur këta të rritur të paaftë për të dashur e besuar te gruaja. Ata kanë nevojë për gruan, por nuk mund të sillen mirë me të. Ata janë konfuz për shkak të pasigurisë dhe mosbesimit. Deri diku nuk dinë të jenë as të dhimbsur.

Ajo që është më e keqja, këta individë dinë të mësojnë, por janë të cunguar për ta përdorur njohurinë për të përmirësuar veten dhe kështu të mund të ndërpritet kjo mënyrë makabre komunikimi, që vetëm gjymton të rritur e të parritur. Këtij diskriminimi duhet ti vijë fundi sepse në radhë të parë dëmtohen vetë meshkujt, pra djemtë dhe burrat.

Duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo, besim dhe siguria i kanë rrënjët tek nëna./ KultPlus.com

Rama publikon imazhe të Kishës së Shën Mërisë në Bënjë

Kryeministri Edi Rama i mrekulluar me pamjet të Kishës së Shën Mërisë në Bënjë, e fundshekullit XVIII.

Teksa publikon videon në Facebook Rama shkruan se në këtë kishë kanë përfunduar punimet restauruese pas shpalljes së këtij fshati Qendër Historike duke rritur ndjeshëm potencialet për rritjen e turizmit dhe ekonominë e tërë kësaj zone të mrekullueshme.

“MIRËMËNGJES

dhe me këto pamje të Kishës së Shën Mërisë në Bënjë, e fundshekullit XVIII si edhe një model i rrallë arkitekturor, ku kanë përfunduar punimet restauruese pas shpalljes së këtij fshati Qendër Historike duke rritur ndjeshëm potencialet për rritjen e turizmit dhe ekonominë e tërë kësaj zone të mrekullueshme me potenciale kulturore dhe natyrore të mëdha, ju uroj një të dielë të qetë 🌹”- shkruan Rama./ KultPlus.com

Para portretit të kësaj gruaje shqiptare përulet e gjithë bota

Pak e njohur nga shqiptarët, por shumë e njohur kudo në botë, sidomos në Akademitë e mëdha, është dhe Elena Lucrezia Peshkopia.

Elena ishte me origjinë shqiptare. Ajo është gruaja e parë në botë që në vitin 1678 ka arritur të marrë doktoraturën në filozofi. Gjatë shekullit ku jetoi ajo ishte gruaja më e ditur në Europë.

Statuja e Elenës që u gjet në Universitetin e Padovës, një prej universiteteve më të vjetër dhe ndër më të njohurit në Europë, dëshmon për vlerat e arritjeve të jetës së saj. Portreti i saj është gjithashtu edhe në dritaren e qelqit rreth 7 metra të lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson” në kolegjin Vassar të Nju Jorkut në SHBA ku Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin.

Elena Peshkopia lindi në Venecia në 1646, ajo përfundoi shkollën e shqiptarëve “Santa Maria dhe San Gallo” në Venecia (Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli Albanesi)./ KultPlus.com

(Publikuar nga Marin Mema)

Artefakti antik që dëshmon respektin ndaj gruas

Kur një aristokrati që jetonte në afërsi të Klinës së sotme i kishte vdekur një familjare këtu e gati 2 mijë vjet më parë, angazhimi për varrimin e saj nuk kishte çuar në këmbë vetëm familjen.

Kishte shkuar madje edhe përtej mjeshtërve lokalë. Për ceremoninë mortore ishin angazhuar edhe mjeshtër nga Lindja, shkruan sot Koha Ditore.

Ishte porositur një sarkofag plumbi. Pos artit që është treguar me punë dore në këtë artefakt, aty zënë vend edhe shumë simbolika.

Vizitorët e ekspozitës së përhershme të Muzeut të Kosovës midis gjetjeve të tjera arkeologjike, në katin e parë të këtij institucioni kanë mundësi të shohin edhe sarkofagun e veçantë prej plumbi.

Aty jepet një shpjegim sipërfaqësor sikurse edhe për artefaktet e tjera. Secili prej tyre mban nga një histori më vete. E sarkofagu pos tjerash shpalos edhe respektin që i është bërë një gruaje pas vdekjes./ KultPlus.com

“Gjithmonë do të jem duke kënduar diku”

E thërrisnin “Mbretëresha e Soul-it” dhe padyshim ka qenë një nga artistet më me ndikim në muzikën bashkëkohore.

E dinit se Aretha Franklin kishte një vokal prej 4 oktavash? Që ishte një pianiste autodidakte, që mësoi pa ditur të lexonte notat muzikore?

Ishte mjaft e kujdesshme me jetën prívate dhe rrallëherë fliste për jetën e saj personale, apo për vdekjen e të atit që u vra nga disa hajdutë në 1979 dhe që mbeti në gjendje kome deri në vdekjen e tij në 1984. Prifti Jesse Jackson kryesoi varrimin e tij. Sipas saj deklaratat se e ëma braktisi familjen e saj në 1948 janë një gënjeshtër. Franklinët u ndanë dhe fëmijët jetonin me priftin Franklin, ato kalonin verën tek e ëma, deri kur vdiq zonja Franklin në 1952.

Aretha mori dy doktoratura honoris për muzikën nga “Berklee College of Music” dhe universiteti i Jeillit. Për shkak të një incidenti në fluturim në vitin 1982 gjithmonë e shoqëroi një frikë për të fluturuar. Përgjatë jetës së saj ka kënduar në ceremonitë për tri presidentë amerikanë atë të Jimmy Carter-it, Bill Clinton-it dhe Barack Obama-s.

Ka 44 nominime për çmimet Grammy dhe 18 fitore, 10 nga këto për interpretimim më të mirë vokal të R & B. Ka një yll në trotuarin e të famshmëve në Hollywood, është përfshirë në Sallonin e Famës së Rock and Roll, në Sallonin e Shoqatës Kombëtare për përparimet e njerëzve me ngjyrë (NAACP) si dhe në Sallonin e Apollo Theatre Legends. Në 7 shkurt 2017 ajo shpalli tërheqjen nga skena pas daljes së albumit. Muajt në vazhdim u shoqëruan me një rënie të shëndetit për shkak të kancerit në pankreas nga i cili u diagnostikua në 2010.

Ja disa nga frazat e saj më të njohura:

“Gjithmonë e kam ndier se rock and roll është një muzikë shumë, shumë e shëndetshme”

“Unë u këndoj realistëve, njerëzve që pranojnë si janë”

“Jam zonja ngjitur kur nuk ndodhem në skenë”

“Të përpiqesh të rritesh të dhemb. Njeriu bën gabime. Përpiqet të mësojë prej tyre dhe kur jo, më dhemb akoma më shumë”

“Të jesh këngëtare është një dhuratë e natyrshme, do të thotë që po përdor shkallën më të lartë të kësaj dhurate që Zoti ma ka dhënë për ta përdorur dhe jam e lumtur me këtë”

“Besimi im ka qenë dhe gjithmonë do të jetë i rëndësishëm për mua”

“Në momentin që zgjohem, para se të vë makiazh them një lutje të vogël për ty”

“Nëse një këngë është diçka që kam përjetuar ose që mund të më ndodhë mua, është e mirë, por nëse është e largët për mua, unë nuk mund t’i jap asgjë asaj, sepse tek e fundit ky është soul-i”

“Do të bëj një gospel historik dhe t’i them Jezusit se nuk mund ta mbaj këtë barrë e vetme”

“Gjithmonë do të jem duke kënduar diku”

“Muzika ndryshon dhe unë do të ndryshoj me të”

“Soul-i është kostant. Eshtë kulturor. Gjithmonë do të jetë aty në shije dhe shkallë të ndryshme”, shkruan bota.al. / KultPlus.com

Meta: U nisëm për në Prevallë por u kthyem nga një Përrallë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka postuar në faqen e tij në facebook një mesazh urimi për fundjavën duke shprëndarë disa foto nga pushimet e tij familjare në Kosovë.

Ja shënimi i tij plotë:

Mirëmëngjes të dashur miq! Duke ju uruar një fundjave të mbarë po ndaj me ju disa momente nga pushimet malore në Kosovë. U nisëm për në Prevallë por u kthyem nga një Përrallë. 12 ditë, njëra më e bukur se tjetra, në lartësi 1600 metra atje ku kryqëzohen rrymat ajrore detare e malore në zemër të Bjeshkëve të Sharrit./ KultPlus.com

Juria shtang në vend kur vajza zbulon këngën që ka zgjedhur, disa sekonda më vonë shpërthejnë lotët

Ka pak njerëz që arrijnë të rrëmbejnë zemrat dhe emocionet gjatë një shfaqjeje muzikore, shkruan ShkodraNews.

Një nga këto është padyshim Solomia Lukyanets, e cila vetëm 13 vjeçe tregoi të gjithë talentin e saj dhe shkriu në një det lotësh si publikun ashtu edhe anëtarët e jurisë kur ajo filloi të këndojë.

Gjatë programit televiziv “The Voice Kids”, vajza nga Ukraina, Solomia Lukyanets, doli në skenë dhe të gjithë mbetën të heshtur, të etur për të gjetur këngën që do të luante.

Pas një kohe, kur filloi muzika, të gjithë mbetën pa fjalë sepse ishte një nga hitet më të mëdha të Andrea Bocelit, “Con te partirò”.

Është e mahnitshme se si një person i tillë i vogël mund të mbajë një zë kaq të madh. Interpretimi i saj ishte aq mbresëlënës sa edhe publiku dhe juria u mahnitën.

Kjo është videoja:

Sot Dita Botërore e Fotografisë

Fotografia i ka fillet tek shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë dot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi” përfshinë fotografi të vjetra më shumë se 150 viteve që ruhen në Shkodër./ KultPlus.com

Në vitin 2002, Kosova kishte organizuar ekspozitë për nder të Kofi Annan

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annani, në vitin 2002 ka vizituar Kosovës. Në mes të vizitave që ai ka bërë dhe takimeve që ka realizuar, ai kishte ndarë kohë edhe për të vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Më poshtë mund të pamje nga ekspozita e organizuar për nder të vizitës së Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Pikërisht në Galeri ai pati mbajtur fjalimin kryesor në kuadër të vizitës së tij.

Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua në vitin 1979 si institucion kulturor për prezantimin e artit pamor dhe ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë.

Për këto 30 vjet të veprimtarisë ky institucion ka organizuar afro 500 ekspozita në vend dhe në botën e jashtme, të cilat janë përcjell me shumë botime, dhe blerjen e afro 1000 punimeve artistike nga të cilat është formu një fond i pasur i Galerisë.

Vetëm pas luftës së fundit janë organizuar mbi 200 ekspozita kolektive e individuale, kombëtare e ndërkombëtare, ku kanë ekspozuar mijëra e mijëra artistë. Veprat e tyre u vizituan dhe u shijuan nga mijëra artdashës, nga më shumë se 200 delegacione ndërkombëtare, nga personalitete të njohura të jetës politike dhe kulturore, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annani e deri te shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare./
KultPlus.com

Hana Zeqa, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë ju fton të flisni me kostumografen Hana Zeqa, më 20 gusht në orën 17.00.

Kostumografja Hana Zeqa, aktualisht është duke punuar projektin e saj të titulluar ‘Organic Extimorph’ – një projekt ndërdisiplinor dhe i bazuar në hulumtime që bashkon kostumet, dizajnin e ndërveprimit, kodimin krijues dhe artet interpretuese.

Duke përdorur veshje si mjet kryesor të shprehjes, ExtiMorph Organic shqyrton mundësitë e përfshirjes së teknologjisë së të ardhshmes në artet e interpretimit, duke mundësuar transformimin e rrobave dhe rritjen e ndërveprimit nëpërmjet teknikave të përdorura në Dizajnin e Modës dhe Kostumeve si dhe inxhinieri e teknologjisë së veshjeve.

Projekti mbështetet nga Programi i Kulturës për Ndryshim i financuar nga BE./ KultPlus.com

Dokumentari për jetën e Rihannës do të publikohet këtë vit

Në vitin 2016, drejtori Peter Berg njoftoi se është duke punuar në një dokumentar të ri emocionues për jetën dhe karrierë e këngëtares Rihanna, duke mos dhënë më shumë informacione.

Mirepo Berg bisedoi me SlashFilm për filmin e tij “Mile 22”, dhe gjatë bisedës ai tregoi edhe se dokumenti RiRi është pothuajse gati.

“Është me të vërtetë një profil mjaft i plotë i saj dhe i rrugës që ka kaluar për tu bërë ky yll që është sot,” tha ai, para se të theksonte se “filmi do të jetë gati për një muaj e gjysmë dhe për dy muaj ne do të jemi në gjendje që ta shfaqim atë”.

Regjisori dhe këngëtarja kanë punuar së bashku në të kaluarën, pasi ajo u shfaq në filmin e tij Battleship./ KultPlus.com

Qysh po guxon me thanë ‘jam veteran’?!

Blerim Gashani

Edhe pse nga natyra e filozofia e të jetuarit jam njeri paqësor, gjatë luftës i kam bërë nja gjashtë muaj si kryengritës, si rebel i armatosur kundër një shteti që donte të na zhdukte.

Që nga data 5 mars, kur u sulmuan Jasharët, e deri në fundgusht 1998, kam qenë i armatosur (shumicën e kohës me armë të dobëta). Kam ruajtur në lagjen time dhe pastaj kur ‘u shkruam’ në UÇK, edhe në katund, në istikame e në pika ku rrinin tamam ushtarët e UÇK-së.

Kam ruajtur natën e ditën, kam dal natën bashkë me kushërinj të mi në pritë të forcave serbe; jam lajmëruar të shkoj dhe kam pritur për një pushkë për front dhe beteja të ndryshme që po zhvilloheshin atëherë (p.sh. në Bellaqevc).

Si më i vjetri (23-vjeçar), kam qenë përgjegjës i grupit të të rinjve të lagjes sime që bashkë me 420 të tjerë kemi shkuar në Gllogjan – për ushtrime ushtarake – dhe pastaj nëpër Junik jemi nisur përtej kufirit për të marrë armë (6-7 orë nga Juniku kemi rënë në mina dhe jemi kthyer). Rruga e kthimit sikur ajo e shkuarjes atje, ka qenë e vështirë (predha, rafale, prita, raketa ndriçuese, granata…) dhe e pabesueshme, sidomos për rrethanat e sotme.

Pastaj, prapë kam qenë në istikame, disa herë i radhitur me ushtarët dhe komandantët e UÇK-së duke pritur serbët.

Mirëpo, nuk kam qenë ushtar, nuk jam veteran, sepse nuk kam qenë në uniformē, nuk kam pasur armë të gjatë personale dhe nuk kam dhënë një betim si ushtar.

Prandaj, disa vite më herët, kur këtë popull e rrokën ethet e ‘veteranëve’ unë as nuk kam aplikuar për status veterani. Shumë shqiptarë janë befasuar me këtë, sepse edhe me 1/10 e kontributit tim kanë aplikuar, por unë jo. Unë jo, sepse nuk jam veteran.

Unë nuk jam veteran!

Dhe, tmerrohem nga fakti se dikush – gazetat po shkruajnë se janë 19 mijë të tillë – mund të thotë se ka qenë veteran i luftës pa qenë në luftë dhe pa pasur atributet që i përmenda.

Kjo është e tmerrshme!

E turpshme!

Madje, e tmerrshme dhe e turpshme është edhe të krekosemi dhe ta përmendim luftën në këtë konotacion.

Sepse:

Kur t’përmendet lufta, me qëllim që ta dimë sa idiote, groteske dhe sidomos qesharake është kjo lehtësi e përmendjes së luftës, duhet t’i themi ca fjalë.

Vrazhdësia e së vërtetës ndoshta shkakton dhembje te disa pjesëtarë heroikë të kombit tonë, por ky nuk është faji im.

Pra, kush jemi ne që po e përmendim luftën?

– Edhe unë që po shkruaj, edhe ti që po lexon këto radhë, kemi pasur dëshirë që të bëhemi bubrreca, miza, mushkonja… që askush të mos na shoh në vitin 1998, e sidomos 1999;

– Ne jemi ata që si individualisht, ashtu edhe si komb, më së paku në historinë njerëzore, e kemi përkrahur luftën tonë (të fundit);

– Ne jemi ata që nuk e kemi çliruar asnjë qytezë e asnjë qytet të Kosovës, asnjë, hiç;

– Ne jemi ata që kemi ikur sa kemi mundur, dikush maleve, dikush n’qytete e dikush me mijëra kilometra larg, sa ma larg Kosovës;

– Ne jemi ata që ‘agilëve”, që kanë lënë të parët Kosovën, u kemi thënë se janë më të mençurit;

– Ne jemi ata “burra” që kemi shikuar nga larg duke na i vrarë fëmijët, gratë e pleqtë dhe jemi strukur të kënaqur pse shpëtuam vetë;

– Ne jemi ata që kemi lejuar që serbët t’i maltretojnë e përdhunojnë dhjetëra mijëra femra shqiptare;

– Ne jemi ata që jemi gëzuar si kafshë kur në kolonat e deportimit, serbët kanë ndalur tjetrin/-ën e jo ne;

– Ne jemi ata që u patëm dehumanizuar në atë masë, sa jemi rrahur mes vete kur xhelatët na hidhnin ca kore bukë, sa për një argëtim makabër;

– Ne jemi ata që nuk kemi organizuar asnjë sulm hakmarrës, sado të dëshpëruar, pas masakrave të padëgjuara pas Luftës së Dytë Botërore;

– Ne jemi ata që duke menduar se n’Maqedoni ende jemi n’rrezik, kemi filluar të shpërndahemi nëpër dynja;

– Unë, unë personalisht, jam ai të cilit serbët ia kanë vrarë motrën (28 vjeçe) me djalin e saj (dy vjeç) dhe burrin e saj (31), axhën (44), gjyshin (85), gjyshen (83), vajzën e dajës (20), 11 kushërinj, shokun e ngushtë dhe 14 nxënës të mi (në mes moshës 11 dhe 13, fytyrat e ëmbla të të cilëve i mbaj mend sikur dje) dhe unë (n’atë kohë 24 vjeç, n’moshën ma t’mirë…) kam ikur dhe jam gëzuar pse ika… 2,000 kilometra larg Kosovës.

Larg Kosovës, t’cilën po vazhdojmë ta gënjejmë edhe sot.

Edhe guxojmë ta përmendim luftën!

Mosni se është marre!

Mosni se krejt bota – sidomos fqinjët që na njohin mirë – qeshin me ne!

U bëmë gazi i botës!

Mbetëm duke folur palidhje derisa fqinjët tanë mbetën t’u lodru n’tokën tonë!

E neve s’na vjen marre e dalim n’qarshi dhe ecim me mendjemadhësi false, me fodullëk primitiv e mjeran, me arrogancë frikacaku, që me të vetin është ujk, ndërsa me të huajin është kingj!

E turpshme! /KultPlus.com

U mbajt festivali i poezisë, organizuar nga shoqata kulturore “Prokult”

Sot, më 18 gusht 2018, në Kullën e Zahir Pajazitit në Orllan të Podujevës u mbajt Festivali i Poezisë, organizuar nga OJQ” Prokult” me drejtor Fatmir Halimi.

Programi filloi me një minutë heshtje për vdekjen e Adem Demaçi dhe të shkrimtarëve të tjerë që ndërruan jetë brenda këtij viti.

Po ashtu u bë përurimi i numrit të pare të revistës “Orfeu”, Kryeredaktor i revistës, Asllan Qyqalla, foli për vlerat e materialin e mbarështuar në këtë numër të “Orfeut”, shkruan Bota Sot.

Festivali Kombëtar i Letërsisë dhe Ditët e Diasporës është organizuar nga Shoqata Kulturore “Prokult” dhe i përkrahur nga Ministria e Diasporës dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës. Pas këtyre pikave u mbajt Ora Letrare, ku me vargje të tyre u paraqitën disa poetë nga vende të ndryshme shqiptare.

Në fund, juria e përbërë nga kryetari, Milazim Kadriu dhe anëtarët Mezini-Saraçi dhe Riza Grajçevci, përcaktuan fituesit.

-Vendi i tretë poeti Odhise Plaku, Tiranë
-Vendi i dytë poetja Naxhije Doçi, Prishtinë
-Vendi i pare Musa Jupolli, nga mërgata. /KultPlus.com

Mbi shenjtërinë e çmendinës

Shpëtim Selmani

Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të
Të jetë e mundur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Le të shkoj në çmendinë dhe atë sa më shpejtë që të jetë
E mundur cari rus bashkë me egërsirën e tij të frikshme,
Le të shkojnë në çmendinë të gjithë liderët politik
Të Ballkanit, këta hundëleshë që nuk dinë asgjë
Mbi dashurinë e njeriut të thjeshtë, bekuar nga pema,
Le të shkojnë të kapur dorë për dore drejt asaj
Porte, që e hapin duart e Zotit, sa pamje mallëngjyese,
Le të shkojë në çmendinë presidenti turk dhe nga aty
Le të formuloj një kërcënim të ri mbi popujt
E vegjël, një tjetër për bukurinë e pidhit dhe një për
Gishtin që futet në syrin e së vërtetës,
Le të shkojë në çmendinë presidenti sirian dhe
Në dhomën e tij trupat e dy fëmijëve të vrarë
Nga sulmet kimike, le të jetë i lumtur,
Le të shkojnë në çmendinë dhe nga aty
Le ta kuptojnë njëherë e mirë se
Çfarë ndiejnë lepujtë në pyll*.

*sipas Louis Ferdinand Celine./ KultPlus.com

“Albania e Vogël” e Bronx-it

Nga Muhamet Mjeku, New York

Në Bronx, lagje e New York-ut, me më shumë se 2 milionë banorë, ndodhet “Arthur Avenue” një ndër më të frekuentuarat në këtë hapësirë gjeografike.

Kjo avenue është shumë e njohur për gravitimin e shqiptarëve, më shumë se në çdo vend tjetër në SHBA.
Të shtunën dhe të dielën këtu dëgjon larmërinë e shqipes si në Prishtinë, në Tiranë, në Ulqin dhe në krahina të tjera shqiptare. Të them kushtimisht, shumëkush e ndjen veten si në atdhe, me ushqime tradicionale shqiptare që, pak ose hiq, s’i gjen në pjesët tjera ku jetojnë shqiptarët në SHBA.

“Arthur Avenue” ose “Little Italy” siç e quajnë italianët, apo “Albania e Vogël”, siç i thonë shqiptarët, gjendet në një vend impresiv të Bronx-it, përballë Universitetit Fordham, jo larg Kopshtit Botanik, i cili është i njohur për botën bimore, llojshmërinë e luleve dhe bimëve që rritën në të, si dhe Kopshtit Zoologjik që përngjan me Parkun Nacional të Kenias afrikane.

Lidhjet mijëvjeçare mes italianëve dhe shqiptarëve kanë afruar këto dy komunitete, që në mesin e tyre ka edhe arbëreshë të ardhur nga Kalabria. Kjo afërsi jetese, me gjasë, do të ketë ndikuar që shqiptarët në fillim të jenë përafruar me pronarët italianë, e më vonë të kenë hapuar bizneset e tyre në “Arthur Avenue”, në këtë qendër, e njohur edhe si Mercata italiane (1940) për xhirimin e shumë filmave amerikan me artistë të famshëm si Robert Denire, Al Pacino, Kirk Dougllas etj.Brenda një viti xhirohen tre katër filma artistik e dokumentarë. Jo fort larg kësaj avenuje në vitet e 70-ta lindi repi, muzika hip-hop.

Në “Albania e Vogël” shqiptarët sot mbajnë shumë biznese, duke filluar nga restorantet me ushqime tradicionale shqiptare, shumë kafene, biznese të fuqishme për shit-blerje (Really State), dyqane me artikuj të ndryshëm ushqimorë nga Ballkani, zyre biznesi, Albanian Yellow Pages, shoqata dhe zyre avokatësh.
Këtu nisi botimi i gazeta “Illyria” dhe tash në këtë zonë botohet gazeta “Dielli” dhe ajo “Malësia”. Më parë janë botuar edhe revista të ndryshme, të cilat sot interneti i ka qitur jashtë.
Shqiptari i parë që hapi biznesin në “Arthur Avenue” ishte z. Ëngjëll Zagreda, me origjinë nga fshati Reç i komunës së Ulqinit. Ai në qendër të kësaj avenue-je në vitin 1972 hapi një mishtore. Në vitin 1975 Hasan Goranca bëhet themelues i një agjencie udhëtimi, pasi kishte vërejtur se numri i shqiptarëve në Bronx po shtohej prej viti në tjetrin.

Tani, emigracioni ynë kur udhëtonte për atdhe, blinte bileta në këtë agjenci dhe në dy agjencitë e tjera që u hapën ndërkohë nga partnerët Vuksanaj- Grisha, dhe tjetra nga Luigj Shkreli. Me hapjen e këtyre bizneseve fillestare, shqiptarët, që jetonin në Bronx, nisën t’i afrohen gjithnjë e më shumë “Arthur Avenue-s”.
Meqë Bronx-i, me kalimin e viteve bëhet tërheqës, në Pelham Park Way, u formua lagjja me vendbanimin më të madh të shqiptarëve në New York.

“Albania e Vogël”, bëhet edhe vend punësimi për emigracionin shqiptarë. Derisa ata që vinin nga Kosova dhe Mali i Zi-malësorët, përqendroheshin kryesisht në Bronx, shqiptarët nga Maqedonia dhe Ulqini u vendosen në Staten Island, Brooklyn etj.

Pas rënies së komunizmit shumë shqiptarë të Shqipërisë erdhën në Bronx. Në “Arthur Avenue”, të shtunën dhe të dielën, numër i madh i shqiptarëve vijnë për pazar apo për të takuar ndonjë mik nga Staten Island, Manhattan-i, Brooklyn-i, Long Island, New Jersey, Connecticut, Waterbery e pjesët tjera të rrethinës.

Në “Albania e Vogël” u zhvilluan shumë aktivitete në ndihmë Kosovës, në ditët më të vështira të saj për liri dhe pavarësi. Nga këtu, për gjendjen e luftës në Kosovë, duke biseduar me shqiptarë, raportuan CNN, Fox News, New York Times, New York Post, Daily News dhe media të tjera amerikane./ KultPlus.com