“Teatri i Rrugës” ndërgjegjëson komunitetin në Berat

“Teatri i Rrugës” u ndal në Berat për të ndërgjegjësuar qytetarët për t’u bërë më aktiv në komunitetin ku jetojnë.

Qendra “Albania comunity”, ASSIST – ACA ( Asistencë për komunitetin në Shqipëri) në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit realizuan mbrëmjen e djeshme në sheshin përpara Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” projektin “Teatri i rrugës nëpër Shqipëri”.

Qëllimi i “Teatrit të Rrugës” është rritja e nivelit të demokracisë vendore nëpërmjet artit si një mjet tërheqës për komunitetin.

Tematika e etydeve të performuara nga të rinjtë kishte të bënte me ambientin, transparencën, llogaridhënien dhe korrupsionin.

Ky event kulturor tërhoqi vëmendjen e shikuesve të shumtë vendas, por edhe të vizitorëve të huaj.

“Mysliman, katolik e sekte fetare me pare pe ndërroni kulturën shqiptare”

NR, është një prej rep grupeve të para në Kosovë. I formuar në vitin 1997-98, NR, përbëhej nga katër anëtarë, shkruan KultPlus.

Në vitin 1998, NR, publikuan këngën e tyre të parë “Shumë vrasje”, që përmes kësaj kënge tregonin realitetin në vend.

Pas luftës, në vitin 2002, NR, më 21 dhjetor promovuan albumin e tyre të parë “Egjeli” me gjithsej 13 këngë. Një promovim gjigand në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky ishte edhe albumi që e nisi repin në Kosovë, dhe që ndryshoi krejtësisht gjuhën e repit.

NR, përbehej nga DJ Blunt, Real 1, Ergeni dhe BimBimma .

Po sjellim sot këngën “Raptishizëm”, një prej këngëve që vazhdon të ketë një tekst aktual në vend.

Bimi:

Me bo me ma bo analizen del qe jom I faktapit n’organizem
Me hipnotizem ma kan programu qelizen
Se pe shoh qe po jetojm n’komunizem
Secili kqyr me marr vizen, me dal jasht me fitu devizen
Se UNMIK-u pi han paret si zhapini mizen
Pa pidhnonizem mrena, fell n’mekanizem
Ski qysh k*ri e myt krizen, se kto jon fore
Tanke mbi fletore sikur n’shkoll fillore
Duhesh mi pas koqet katrore, per me t’shku per dore
Me marr pergjegjsi per ni gjith’si shiptari qe qiknej I ki
Ni sen un e di … qe hala ….
Nuk jena t’vet’dijshem, as kurr prishem, e shashtrisem
Ka evropa na sun nisem, nese shkollen e rzojna
Hec pe debatojna e pe analizojna
nese kejt PO thojna permi to pe ndertojna ni katedrale
Me shansa minimale per mu bo reale
Njona pi ideve abnormale qe t’myt kadal kadale
Terorizem ja racizem, kombinim I politikes me egoizem
I bjen komercializem, definitivisht faktapizem
Ish kon PURE debillizem, me ni ven me 92% muslimanizem
Midis qendre me pas kishen
Qa guxhen e karit tem nuk pe boni PIZZEN
At kullen e shtremt, boll mo se mi lodhet ment
Qe me mujt me thon qe kena monument, veq per moment

Ergeni:

Mu q* nana u prisha, kur I shihsha e I nisha do raptisha tu u shendrru n’bisha
A u bo boll mo me xhamija e kisha, ju dhifsha
Musliman, katolik e sekte fetare me pare pe ndroni kulturen shiptare, kurfare
Mu mlu, mu qpu, mjekren me lshu, pantollat mi qu, tripin me ndru
KU KU allahu gjeleshane HU, Kung Fu me shën mërin gru
Tu e vezhgu djalin me gozhdu n’dru, qka me besu
Per mu zoti metet zot skeni nevoj emra e m’na hidhnu

Iliri:

A kan qef kejt shiptart me repovat? A kan qef me hyp n’vag per 50 cent me u mat?
Raptish Floë-in tem kur te nin, ka me tu sill qu ma shpejt ti sa ske vill,
Se, prej fillimit jom munu mi shkru senet qysh jon edhe pse nashta per ty kurgjo sjom
E dikujna I doken qe jon rrene, veq une e di qe senet e mija gjith I kthej neper vene
E foli qato qa e ni, murmurim se n’kete zemer e keni ka ni shprastine,
e kurr fol ti me ta bohen kishe na sen spo dijm
e n’veti e nin si ni dhimt

Bimi:

Veq per moment, hej .. veq .. e ki veq ni moment ski qka e pret se shkon kurr mo sun e nxen ski qka bon sun e lshon se krejt jeta jote varet nto .. boni do tana shko qet sen ngo kurr ulesh e pushon

“Paganini” shkodran fiton medalje e artë në konkursin botëror të Berlinit

Elvin Hoxha, violinisti i njohur me origjinë shqiptare, i cili cilësohet si një nga më të famshmit në botë, ka marrë çmimin e parë apo medaljen e artë në Konkursin Ndërkombëtar të Berlinit që është mbajtur më 5 shtator.

Ky është vetëm çmimi i fundit i artistit, i cili performon pa u ndalur në skenat më prestigjioze të të gjithë botës.

Elvini është i biri i Hajredin Hoxhës, një muzikanti nga Shkodra, pinjoll i një familje të njohur intelektuale, i cili jeton në Ankara ku është pjesë e Filarmonisë Republikane të Turqisë.

Një vit më parë, Hajredin Hoxha dhe i biri Elvini, dhanë një koncert madhështor në Shkodër ku performuan së bashku ajkën e këngëve qytetare shkodrane.

Elvin Hoxha është një nga talentet botërore të violinës dhe çmimi i marrë në Berlin është vetëm njëri prej të tillëve që fiton çdo vit.

Elvini, mamanë e ka me origjinë nga Azerbaxhani, presidenti i të cilit i ka dhënë “Paganinit” shkodran një medalje të rëndësishme, shkruan TeSheshi./ KultPlus.com

Ministri Gashi vizitoi atelienë e skulptorit Gëzim Muriqi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qeveritar për Vitin e Skënderbeut, ka vizituar sot atelienë e skulptorit Gëzim Muriqi, punimi i të cilit është përzgjedhur nga ana e komisionit për kompozicionin e shtatoreve për tre Liderët e Lidhjes Shqiptare: Ymer Prizreni, Avdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.

Kjo vizitë nga ana e ministrit Gashi, është bërë pak ditë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për mbështetjen financiare të projektit Kompozicion për tre liderët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër të kremtimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si dhe në vitin jubilar të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Sipas memorandumit të nënshkruar, MKRS-ja mbështet projektin me 20 mijë euro, projekt i cili duhet të përfundojë deri më 27 nëntor 2018. Ndërkaq, Komisionin Ndërministror bashkëfinancion projektin me vlerën financiare prej 150 mijë euro.

Ministri Gashi ka parë nga afër punimet për kompozicionet e shtatores së Sylejman Vokshit me ç’rast u nda tepër i kënaqur me punën e skulptorit Muriqi.

Me këtë rast ministri Gashi tha: “Jam tepër i lumtur që shoh nga afër punën e mrekullueshme të skulptorit Muriqi. Jam këtu për ta motivuar atë dhe garantuar se MKRS-ja do të jetë në mbështetje të plotë të tij dhe komisionit përkatës deri në përfundimin e këtij projekti me rëndësi për vendin dhe kombin tonë”.

Kompozicioni i shtatoreve të tre liderëve të Lidhjes, pritet të përfundohet në muajin nëntor të këtij viti./ KultPlus.com

Ekspozita në GKA, takim informal i tre ministrave të Kulturës

Të pranishëm në hapjen e ekspozitës së artistes Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, tre ministrat e Kulturës të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë zhvilluan një takim informal, që sipas ministres Kumbaro, ishte i një rëndësie të veçantë. Kështu, në ceremoninë e hapjes Kumbaro u takua me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, si dhe ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.

“Në takim u diskutua për një bashkëpunim më të frytshëm kulturor midis tri vendeve, për krijimin e një trekëndëshi komunikimi kulturor që do të jetë bazë për forcimin e marrëdhënieve edhe në fushat e tjera”, thotë ministrja Kumbaro.

Në këtë ngjarje artistike të rëndësishme në fushën e arteve pamore në Tiranë morën pjesë artistë, artdashës, profesionistë të kulturës nga Shqipëria dhe Kosova si dhe vizitorë të ardhur nga jashtë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që jetojnë në Shqipëri.

Flaka Haliti shprehu emocionet e saj për hapjen e kësaj ekspozitë, dhe falenderoi edhe një herë Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës që bënë të mundur realizimin e “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artistja e sheh këtë bashkëpunim midis dy qeverive si një mundësi shumë të mirë për artistët nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë përvojat e tyre në fushën e arteve pamore dhe për tu prezantuar tek publiku i të dy vendeve.

Flaka falenderoi gjithashtu të gjithë stafin e Galerisë për punën e tyre dhe dedikimin maksimal në këtë ekspozitë./ ata

“Hollyshit” nga Ilir Bokshi fiton dy çmime në Festivalin Koko Fest

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “Koko Fest”, përfundoi edicionin e pestë me ndarjen e çmimeve për më të mirët, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion të këtij festivali çmimi për regjinë më të mirë e mori regjisori Ilir Bokshi me shfaqjen “Hollyshit” ndërsa çmimi i aktorit më të mirë iu nda aktorëve të kësaj shfaqje Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.

Shfaqja është produksion i Teatrit “AAB Faruk Begolli” nga Prishtina.

Ky edicion që u mbajt në data 1 deri më 8 shtator shndërroi Korçën në një qytet festiv dhe argëtues për qytetarët dhe turistët që vizitojnë qytetin e serenatave./ KultPlus.com

Faqja më e njohur koreano-jugore: Shqipëria pika kulmore

Pikë kulmore e konsideron Shqipërinë koreano-jugorja travie.com, një nga faqet më të njohura aziatike në botë për udhëtimet turistike.

”Njohuritë për Shqipërinë ishin më të holla se një copë letre me lagështirë… Për fat të mirë, përshtypjet e para për Shqipërinë ishin mjaft mbresëlënëse”, thekson travie.com.

Koha më e mirë për të udhëtuar në Shqipëri është nga muaji prill deri në maj dhe nga muaji shtator deri në tetor. Moti i përgjithshëm është me dëborë dhe i lagësht në dimër, por verat janë të nxehta dhe të thata. Tirana është aq e lagësht në verë për shkak të efektit të saj gjeografik dhe është shumë e rrallë që temperatura të bien nën zero madje edhe në dimër.

Shqipëria ndodhet në bregun perëndimor të Adriatikut. Në veri janë Alpet e Shqipërisë së Veriut mbi 2 500 metra mbi nivelin e detit.

TIRANA

Ka tre pika që bien në sy. Njëra është Kulla e Orës, e ndërtuar në vitin 1822, e cila ishte ndërtesa më e gjatë në Tiranë (deri në 35 metra) deri në vitin 1971, ndërsa tjetra është xhamia e Et’hem Beut, pranë kullës së orës. Ndonëse nuk është madhështore, konsiderohet si një nga xhamitë më të bukura. Një gjë e fundit që nuk duhet të të humbasë është statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai është një monark shqiptar dhe një hero kombëtar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15-të. Emri i sheshit gjithashtu erdhi prej tij.

DURRËSI

Durrësi, rreth 40 kilometra në perëndim të Tiranës, është një kryeqytet i lashtë me rreth 3 000 vjet histori dhe qyteti më i madh portual në Shqipëri. Qyteti ka amfiteatrin e dytë më të madh romak në Ballkan.

BERATI

Berati është një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Origjina e qytetit fillon nga kështjella e Beratit (e quajtur ‘Carla’), e cila u ndërtua 2 400 vjet më parë. Ka ende më shumë se 1 000 banorë në kështjellë dhe shumica e ndërtesave duke përfshirë zonën e banimit janë ndërtuar në shekullin e 13-të.

Berati ishte gjithashtu i sunduar nga Perandoria Osmane, por pa sakrifikuar traditat e Kishës Ortodokse, ruhen stilet e jetës dhe traditat e para të paspushtimit. Pikë kryesore është stili bizantin te Katedralja e Shën Mërisë, e cila është një mbetje e një relikeje katolike. Emri i muzeut të katedrales erdhi nga piktori i famshëm i Shqipërisë Onufri i shekullit të 16-të./ ata

Shqipja mësohet në shumë universitete të botës

Gjuha shqipe mësohet në shumë universitete të botës, diku si lëndë zgjedhore në kuadër të gjuhëve ballkanike, e në disa universitete janë katedrat e veçanta të gjuhës shqipe.

Vendi që ka më shumë katedra të gjuhës shqipe është Italia, aty ku janë arbëreshët. Ndërkohë, gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore.

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në botë. Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Rugova, tha për Radio Kosovën se shumë universitete të njohura në Itali kanë katedra të gjuhës shqipe si dhe degë të vogla në kuadër të gjuhëve ballkanike.

“Katedra më e vjetër e gjuhës shqipe është ajo e Universitetit “Lorientale” në Napoli, pastaj në Kalabri në Kozencë, në Sicili, në Palermo, në Lece, në Romë, në Venecia. Pra, shumë universitete të Italisë kanë një degë të vogël, një katedër shpeshherë në kuadër të gjuhëve ballkanike, por këto që përmenda janë katedra më vete”, tha ajo.

Dekanja Rugova, tha se në vendet e rajonit janë të hapura katedrat, që në kuadër të tyre mësohet dhe studiohet gjuha shqipe. Në universitetet evropiane gjithashtu, studiohet në SHBA, Rusi e më gjerë. Studiuesi bullgar Anton Pançev, pedagog në Universitetin e Sofjes në degën e Ballkanologjisë, thotë për Radio Kosovën se çdo vit pranohen nga 15 studentë që duan të studiojnë gjuhën shqipe.

“Studentët tanë i përdorin këto mundësi, të zhvillojnë studimet e tyre. Në doktoratë kemi disa doktorantë shumë të suksesshëm në fushën e shqipes, qoftë në letërsi, qoftë në gjuhësi. Mësimi i shqipes në Bullgari ka tradita të vjetra, ka 60 vjet tani. Studentët tanë vazhdojnë të kenë sukses jo vetëm në mësimin e shqipes, por edhe në rileximin profesional”, tha ai.

Gjuha shqipe përveç që mësohet si gjuhë, ajo mësohet edhe në aspektin akademik, që u shërben studiuesve të huaj për hulumtime shkencore, historike e kulturore. Universiteti i Prishtinës bashkëpunon ngushtë me universitetet botërore, që brenda tyre kanë programe dhe kurse për gjuhën shqipe. Pedagogët e studiuesit e gjuhës shqipe në ato universitete, shkëmbejnë studimet e hulumtimet e tyre me universitetet shqiptare në Prishtinë e Tiranë.

Tedx Tirana rikthet me eventin e titulluar “Connectivity”

Tedx Tirana, rikthehet me eventin e madh të këtij viti. Eventi i titulluar “Connectivity” është i pozicionuar tek Kisha Orthodokse “Ringjallja e Krishtit” dhe do të mbahet më datë 15 Shtator, shkruan KultPlus.

“Ashtu është zakon, 10 folës me fjalime tepër interesante do ju bëjmë të futeni më mendime, të reflektoni dhe të frymëzoheni. Të gjithë kanë nevojë për pak frymëzim në kohën e sotme digjitale”, shkruhet në njoftimin e Tedx Tirana.

Folësit e këtij viti janë: Herald Friedl, Mark Kosmo, Vasjen Kastro, Taulant Muka, Lori Amy, Edon Muhaxheri, Alice Taylor, Genti Selenica, Dhurata Thanasi and Jeta Xharra, të cilët do të rrëfejnë diçka të tyrën dhe do të “lidhen” me publikun.

Biletat janë në shitje pranë Destil Hostel por mund të gjenden dhe online tek: https://ticket.easypay.al/events/Tirana/all

Për më shumë informacion vizitoni faqen zyrtare Tedx Tirana në Facebook dhe Instagram./ KultPlus.com

Rampa më origjinale, te ndërtesa e Operës në Estoni

Në vend të rampës së rëndomtë e monotone, Opera Kombëtare e Estonisë në Talin, ka hyrje krejtësisht origjinale në parking. Nuk kushton shumë dhe njëkohësisht është dëshmi se ideja e mirë bën dallimin e madh.

Dora e dirigjentit me shkopin e tij ngrihet kur hyni tek Opera dhe ajo vërehet edhe në Google Maps.

Rampat tematike i ka shpikur menaxheri i përgjithshëm i Operës Aviar Mae me qëllimin që të shënohet Dita Botërore e Teatrit që shënohet në mars, transmeton Koha.net.

Talini është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Estonisë e cila është njëra nga vendet më të vogla të Bashkimit Evropian.

Në gusht Opera Kombëtare ka shënuar sezonin e vet të 113-të./ KultPlus.com

Kënga e re e Dua Lipës bëhet e disponueshme tani edhe për Kosovën

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, i bën kudo krenarë shqiptarët me suksesin e saj.

Pak ditë më parë, ajo solli bashkëpunimin e saj më të ri me Silk City, Diplo dhe Mark Ronson. “Electricity” titullohet kënga e tyre më e re, e cila është pritur mirë nga fansat, dhe në vetëm pak ditë ka arritur shifrën e afro 10 milionë klikimeve në YouTube.

Kjo këngë është pëlqyer edhe nga shqiptarët, ndonëse në fillim me lansimin e saj, jo gjithçka shkoi mirë.“Electricity” e cila menaxhohet në YouTube nga kanali Vevo, nuk ishte e disponueshme për Kosovën.

Me të klikuar videon, shqiptarët nga Kosova e kishin të pamundur ta shikonin atë, kjo ngase që në start videoja i paralajmëronte për mos-hapjen për shkak të lokacionit ku ata ndodhen.

Krejt kjo ndodh për faktin se platformat e mëdha digjitale si Vevo nuk e njohin Kosovën si treg, ashtu si dhe shumë tjera, ngase fitimet nga YouTube në të tilla shtete janë aq të vogla, sa nuk vlejnë për t’i bërë publike videot në fjalë.

Mirëpo, me të parë këtë gjë, duket se stafi i Dua Lipës ka ndërhyrë duke i kërkuar Vevo-s që ta bëjë të disponueshme këngën “Electricity” edhe për Kosovën, kjo ngase këngëtarja shqiptare ka shumë fansa këtu.

Dhe një kërkesë e tillë mesa duket është aprovuar, kjo ngase tani të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë mundësinë ta shikojnë dhe klikojnë këngën “Electricity” nga Dua Lipa, Silk City, Diplo dhe Mark Ronson. /Telegrafi/

Mr. Beanit nuk i pëlqejnë filmat e tij

Aktori i njohur britanik i humorit, Rowan Atkinson, thotë se ai nuk është një tifoz i filmave të tij dhe se nuk i shikon kurrë ata.

Aktori 63-vjeçar, më i njohur për rolin e tij si zoti Bean, tha në një intervistë se ai “nuk është në përgjithësi tifoz i punës së tij”.

“Nuk jam tifoz i punës sime. Kjo është arsyeja përse nuk i shoh filmat e mi”, tha Atkinson, duke shtuar se ai do të bënte një përjashtim nga rregulli për filmin e tij të fundit “Johnny English Strikes Again”, shkruan atsh.

Filmi i ri i tij, “Johny English Strikes Again”, tregon historinë e një agjenti të shërbimit sekret britanik, që pas daljes në pension përballet me një sulm në internet ku zbulon identitetin e të gjithë agjentëve të fshehtë të vendit./ KultPlus.com

Librat shqip shpërndahen edhe në shkollat shqipe në SHBA

Librat shqip për shkollat shqipe në SHBA janë shpërndarë edhe në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Dallas. Kjo qendër promovon kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar përmes mësimdhënies së gjuhës shqipe, përcjellë Kul tPlus.

“E filluam fushatën e vizitave në shkollat shqipe dhe shpërndarjen e librave me Dallasin, ku së bashku me Komunitetin Shqiptarë atje, përuruam Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane”, shprehet ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber.

“Ky Komunitet, me një vizion të qartë dhe një qëllim “kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptarë” me përpjekje të përbashkët dhe punë serioze, tashmë posedon një Qendër dinjitoze ku do të mësohet gjuha shqipe, historia, gjeografia dhe kultura shqiptare, për brezat e rinj të këtij komuniteti”, thekson ajo.

“Ishte kënaqësi e veçantë të shihje një Interes kaq të madh për regjistrimin në shkollë të nxënësve, që deri më tani kishte arritur në 80 fëmijë dhe kjo falë punës dhe përkushtimit të Drejtuesve, Bordit dhe Mësuesve të Qendrës”, u shpreh tutje ajo.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Faber falënderoi drejtuesit për investimin e vyer në realizimin e këtij projekti tepër funksional. Një qendër Kulturore është një investim për fëmijët e sotshëm dhe për brezat e së ardhmes. Ndër të tjera, Ambasadorja shprehu vlerësimet dhe mirënjohjen për vizionin e qartë dhe afatgjatë kundrejt të ardhmes së përbashkët të Komunitetit me një koncept gjithëpërfshirës ku bëjnë pjesë biznesi, të rinjtë profesionistë, roli i pazëvendësueshëm i grave dhe edukatorët e brezit të ardhshëm.

Gjjthashtu, Ambasadorja ftoi të gjithë prindërit të vijojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre dhe të kultivojnë tek fëmijët krenarinë e identitetit kombëtar dhe i uroi suksese nxënësve në këtë vit shkollor.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedime me të pranishmit dhe me një tur në ambientet e shkollës ku gjithçka kishte “ngjyrë shqiptare”. Të gjithë duhet të japim kontributin tonë, ndaj Ambasada furnizoi shkollën me tekste shkollore, një kontribut modest për këtë shkollë, por me mjaft vlerë që ndihmon fillimin e menjëhershëm të mësimit./ ata

OKB-ja nderon fytyrën e Nënë Terezës

“Shën Nënë Tereza, lutu për ne!”. Kështu shkruante në tweet Papa Françesku, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, që kremtohet pikërisht në datën e përvjetorit të vdekjes së Shenjtores shqiptare, 5 shtator.

“Silleni paqen me vete, për t’ua dhënë të tjerëve, me jetën tuaj, me buzëqeshjen tuaj, me veprat e bamirësisë! Shën Nënë Tereza, lutu për ne!”. Ky, tweet-i i Papës në faqen e tij të internetit @Pontifex ishte në nëntë gjuhë.

“Dita e sotme është homazh i OKB-së për fytyrën e Nënë Terezës, që pasqyron bukurinë e bamirësisë e të varfërisë – pohon, në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, zëvendës-drejtori i Karitasit italian, Paolo Beccegato. Bukuria e saj transmeton bukurinë e Evangelii Gaudium, për të cilën flet aq shumë Françesku. Për t’u shprehur me fjalët e Shën Gjonit XXIII – vijon – “bamirësia është një nga shtyllat e paqes!”./ KultPlus.com

Avril Lavigne flet për luftën e saj kundër sëmundjes Lyme

Në një letër për fansa, të cilën e publikoi në uebfaqen e saj zyrtare, këngëtarja zbuloi “vitet më të këqija të jetës” dhe “një luftë të vështirë jetësore”.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se së shpejti do të sjellë edhe këngën e re me titull “Head Above” (“Kokën Lartë”).

Avril Lavigne, 33-vjeçe, publikoi albumin e fundit në vitin 2013 dhe vetëm dy vjet më vonë u diagnostikua me sëmundjen Lyme.

Kjo sëmundje është një infeksion bakterial që mund të çojë në shumë probleme fizike dhe mendore, nëse nuk respektohet me kalimin e kohës dhe kryesisht transmetohet te njerëzit nga rriqrat.

Ajo kryesisht trajtohet me antibiotikë, dhe shërimi zgjat për disa muaj. Sidoqoftë, këngëtarja nuk ishte aq me fat, transmeton ksp.

“Kam kaluar vite duke luftuar këtë sëmundje. Në një moment, kam pranuar vdekjen dhe ndieja sikur trupi po më shuhej. Dukej sikur po fundosesha dhe më duhej të dilja në sipërfaqe dhe të marrë frymë”, shkruan Lavigne.

Ajo gjithashtu tha se në sëmundjen e saj ndihej më pranë Perëndisë. Ajo, me këtë letër, donte të rriste ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë sëmundje.

“Një pickim i thjeshtë mund të shkatërrojë plotësisht jetën tuaj. Njerëzit nuk e kuptojnë se kjo sëmundje duhet të trajtohet menjëherë”, shtoi ajo.

Gjermani që pas 65 vitesh ndërton qytetin prej kartoni

Një 78-vjeçari gjerman iu deshën gjashtë dekada për të përfunduar një qytet të bërë prej kartoni.

Karl Sperber, një pensionist në qytetin bavarez të Burgebrach, kishte përfunduar një metropol të tërë prej kartoni që shtrihej në 40 metra katrorë.

Tani, ky “qytet” është shfaqur në një dyqan mobiliesh në qytet. Ai tha se disa gjera nuk kishte mundur t’i demonstronte, pasi i duheshin më tepër se 100 metra katrorë për të përfunduar detyrën.

Sperber ka ndërtuar një total prej 4 000 ndërtesash kartoni brenda 65 viteve të fundit, ku më e madhja ka 90 kate, me 70 centimetra lartësi.

“Disa nga miqtë e mi mendojnë se unë jam i çmendur, por për mua është kënaqësi, si peshkimi”, theksoi Sperber.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, shkruan KultPlus.

Shumica e vështrimeve të tij, akoma vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, dhe vlerësohet të jetë një ndër figurat që ka njohur më së miri kombin e tij.

KultPlus sot ju sjellë një nga thëniet e tij.

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.

Kur situata politike bëhet e keqe

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Kur situata politike bëhet e keqe
gëzohuni
sepse ka mundur të jetë edhe më e keqe
anipse me aktorë të njëjtë
me role të njëjta
në të njëjtin teatër
vetëm maskat do jenë të ndryshme
ose do të jenë të njëjtat por do t’i bartin njerëz të tjerë
Mund të ndodhë që ekipi muzikor të jetë tjetër
por muzika do të jetë e njëjtë
në fund të fundit
ata që duan të duartrokasin le të duartrokasin
por skena politike s’do të jetë asgjë më shumë se skenë
me regjisorin dhe ekipin e tij në rreshtin e parë
derisa pronarët e vërtetë të teatrit
ata që e ndalojnë publikun të pështyen gjak në dysheme
do të vazhdojnë të flenë në ballkonet për VIP-a
me fytyrat e tyre që vizëllojnë
nga djersa a dhjami nuk ka rëndësi

“Nëse emrin tënd çdo nat’ e thërras e për ty flas, s’do të thotë se ty të du” (VIDEO)

Çdokush që ndjen nostalgji për krijimtarinë e grupit “Marigona”, s’mund të mos e kujtojë një nga këngët epike të tij e që është e titulluar “Sonte”.

Kjo këngë e realizuar në vitin 2002, i ka rezistuar kohës për shkak të vijës melodike, tekstit e vdieoklipit që zbërthen kuptimin e këngës. Duke qenë se grupi “Marigona”, nuk i ka munguar as festivaleve, pikërisht me këngën “Sonte” arriti të shpërblehet në në festivalin “Shoëfest”, në vitin 2002, shkruan KultPlus.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

KultPlus ju përcjellë videoklipin dhe tekstin e këngës.

Sonte gjithçka ndahet n’gjysmë përveç dhimbjes
Sonte asgjë s’është e lehtë përveç ikjes
Sonte kujt dorën ia mban , kujt ne vesh i flet
Puthja jote nesër kënd e pret e kënd me vonë e vret

Ref:
Nëse emrin tënd çdo nate e thërras e për ty flas
S’do t’thotë se ty të du
Nëse netët pa ty vijnë e shkojnë, do t’mundem unë pa ty
Kur ti mundesh pa mu.

Sot kujtimet fund nuk kanë as s’du ti harroj
Ndoshta nesër kot do t’qan, ndoshta veç ëndërroj
Se fshehtësi ishe për mu, këtë unë tash e di
Do t’provoj pa ty me jetu, do t ‘lutëm në vetmi

“Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona”

Shkruan: Kushtrim Mehmeti

Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona. Nuk dolëm të shesim trimëri, dolëm që të ruajmë dinjitetin e personave që dhimbjet i kanë ende të freskëta, që familjarët nuk ua kanë kthyer ende, që pamjet e tmerrit nuk ju kanë larguar nga memoria. Mos u tregoni injorantë, faqezi e diletant.

Sot në Drenicë nuk u tregu trimëri por dinjitet. Sot protestuam kundër shtetit tonë se Kanadaja nuk i dha leje Vuciqit. Sot u besatuam që me sa kemi forcë t’i mbrojmë familjet e mira të vrarëve, të masakruarve, të dhunuarve, sot ata nuk ndiheshin rehat nga prania e një krimineli.

Drenicën mos e lidheni me Hashimin e Kadriun, por lidheni me Dëshmorët, martirët, dhe personat që dhanë gjithçka në këmbim të asgjëje.

Ne jemi kundër Hashimit, i kemi besuar por na ka tradhëtuar, dikush është bindur që sa kohë, dikush ende pret, dikush nuk do të bindet kurrë, por Drenica është e drenicasve të përbetuar kundër armikut, kushdo qoftë ai, Serb apo edhe shqiptar.

Lui Shtini vjen me ekspozitë personale në LambdaLambdaLambda

Lui Shtini këtë të martë do të prezantojë në LambdaLambdaLambda ekspozitën e tij të titulluar “Fused”, shkruan KultPlus.

Pikturat që do të karakterizojnë ekspozitën personale të Lui Shtinit janë të përzgjedhura nga veprat e vitit 2015 që shënojnë fillimin e eksplorimit të artistit në përplasjen e dy entiteteve brenda një përbërjeje horizontale. Në kërë ekspozitë për herë të parë do të ekspozohet kjo seri e pikturave.

Bashkimi i dy formave vjen si zgjerim i veprave të mëparshme të Shtinit të cilat janë fokusuar në një karakter të vetëm, duke lejuar një marrëdhënie më komplekse midis sipërfaqes, materialit dhe mediumit.

Lui Shtini është i lindur më 978 në Kavajë të Shqipërisë ndërsa ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, që nga viti 1997 deri në vitin 2000, po ashtu ka ndjekur edhe Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.

Ekspozita hapet të martën, më 11 shtator duke filluar nga ora 19:00 në LambdaLambdaLambda./ KultPlus.com

“Kosova po prishet”

Shkruan: Ndue Ukaj

Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet, sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në këtë vepër, shkrimtari flet për çmësimin e shqiptarëve me shtet, një fenomen me të cilin po përballet Kosova e sotme.

“Viti i mbrapshtë” është një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, dhe trajton pasojat që i mbarte në supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.

Si duket, Viti i mbrapshtë i Kadaresë, është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje, që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.
Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë nga historia dhe, nga një gabim, përplasën në një tjetër, më të madh dhe më tragjik.

Mjafton që të lexohen me vëmendje këto pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme:

Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –
Shqipëria do prishet.
-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?

“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”

“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:
-Me kënd jeni ju?
-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.
-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.
-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”

Heroi i romanit, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se, ai dhe shokët e tij mezi, bëheshin njëqind, për të mbrojtë Shqipërinë, kurse bandat esadiste, që thërrisnin babën, ishin rreth njëmijë.

Dy dekada pas çlirimit të Kosovës dhe një dekadë pas pavarësisë, në vend se të flasim për zhvillim, dinjitet, mirëqeni, për arsim cilësorë, për shëndetësi normale, dhe, siguri ekonomike për të gjithë, ne flasim, nëse vendi ynë do t’ia dal të mbijetojë apo jo. Kudo dhe kurdo, dëgjon njerëz të shqetësuar, që thonë: Kosova po prishet.

Ndërkaq, në anën tjetër, sikur në romanin e Kadaresë, të gjithë bëhen sikur të jenë të Kosovës, të gjithë bëhen sikur po e ruajnë dhe duan atë, por në të vërtetë, punët janë ndryshe dhe pak duket të jenë vërtet me të.

“Dashurinë” tonë për Kosovën e përgënjeshtron fotografia e shtetit tonë, e dëmtuar dhe zymtë, aq shumë, sa që, ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, kanë filluar të mos e njohin.

Kosova e ka humbur simpatinë e perëndimit dhe kjo ka ndodhë për shkak të qeverisjes bashibozuke, të intrigave, mashtrimeve dhe budallaqeve të pashembullta që e kanë karakterizuar rritën e shtetit tonë.

Shteti i Kosovës, sot është shndërruar në një mishmash ngatërresash dhe për këtë, fajin nuk duhet ta kërkojmë jashtë nesh.
Duhet ta pohojmë me zë të qartë se, bashkëfajtorë në këtë mishmash, jemi të gjithë. Sepse, një kohë të gjatë, kemi bashkëjetuar me të keqen. Kemi votuar dhe duartrokitur politikanë dhe liderë, që nuk dinë ta shkruajnë as një fjali drejt në gjuhën e tyre amtare. Natyrisht, të tillët, nuk mund të mbrojnë interesa kombëtare. Imagjinojeni, të tillët që nuk dinë të shkruajnë një fjali shqip, si mund t’ i kuptojnë lëvizjet politike ndërkombëtar, gjuhën diplomatike, që është art në vete, apo tekstet me mesazhe të ndërlikuara.