A ka murtajë atje ku jetohet me ma shumë se bukë e djathë… A vdesin njerëzit atje?

Kishte ran’ vjeshta e tërbimet e shiut ishin shtue… stinë e vështirë n’atë shtëpi dërrasë që jetonte nji Loke me nipin e mbesën…

“Dinë, çohu me nanën mbledh pak krande oborrit të shtëpisë e t’ndezim nji zjermë, se ka nis me ftohë” – i tha Lokja mbesës saj…

Dina e urtë u çue, rreth e rrotull oborrit mblodhi drunjtë e i solli në shtëpi…

“Nesër, po dul dielli, duhet me shkue n’mal e me ba dru për dimën, n’mjes dilni me gjanë, e kthehuni ma herët n’shpi, me shkue bashkë të tretë…”

“Si t’thush ti Loke” – miratoi Dina e urtë.

“Si t’thush ti Loke” – pësëriti fjalën e të motrës… Bardhi.

“Ju pastë nana”— uronte Lokja… Ndezi vajgurin, e shtroi bukën në sofër dhe tha: “Hani bijtë e mi, na pret punë nesër, e flini herët, para se me ngranë e me fjetë, lutjet mos m’i harroni, jini falenderues ndaj Atij që ju fal frymën, e riskun e gjithçka kemi sot”– u mësonte Lokja, e cila u fliste shpesh për Zotin, e besimin në Të.

“Loke, a bie murtaja në gjithë botën?”– pyeti Bardhi.

Lokja heshti për pak, e shikoi Bardhin e i tha: “Pse pyet bir?”

“Se du me e njohë botën” – u përgjigj Bardhi, dhe uli kokën.

Ndërkohë Lokja e dinte mirë përgjigjen e pyetjes që vetë e bani… “Botën asht vështirë me e njohë o bir, asht e randë me u fut në nji guzhmë ku jetohet me ma shumë se bukë e djathë”– vazhdoi Lokja…

“A ka murtajë atje ku jetohet me ma shumë se bukë e djathë… A vdesin njerëzit atje?” – pyeti përsëri Bardhi!

“Atje asht murtaja ma e keqe që mund të bie” – Tha Lokja.

“Ç’asht?” – vazhdoi Bardhi, gjërsa Dina po i shikonte me habi të dy!

“Atje ka ra prej kohësh murtajë shpirti… e njerëzit vdesin t’u mos e njohë veten, ecin shthurshëm nëpër tokë, dhe stinët u kalojnë t’u vrapue me e zanë kohën që moti e kanë vra” – fliste urtësisht Lokja..

Bardhi heshti…

“Loke…” pëshpëriti Dina..

“Ma thuaj bijë” – Tha Lokja.

“Nana, e baba… e kanë jetue atë botë?”

Lokës shpirti s’kish si mos me i dhimtë, se i gjithë muhabeti sillej fshehurazi për babën e nanën e Dinës e Bardhit, që murtaja me vete i kish marrë…

“Jo, baba e nana kanë jetue jetët tana…sot”

“Atëherë, pse iu deshtë murtajës me i marrë?”

“Se ashtu deshti Zoti” – tha këputshëm Lokja.

“Si asht me e njohë veten?”– pyeti Bardhi “Si asht me jetue?” – pyeti Dina

“Bukë e djathë, dhe nji shpirt i qetë falenderues ndaj Atij që jetë fal, me kohën e njomë mbi supe, asht me njohë veten, e me jetue… … Ta dini bijtë e mi, se në dheun ku murtaja ka çue babën e nanën tuej, kemi me u shkri të gjithë, ne që jetojmë në shtëpinë gati të rrëzuem nga dërrasat e mykuna, e, edhe ata që betoni po ua zë frymat në botën që ju doni ta njihni… banesën e fundit t’njajtë e kemi gjithë… Ta dini o bijtë e mi, se i vetmi asht shpirti që s’tretet, ndaj shihni mirë se me ç’gja dynjaje e mbushni” – Foli Lokja aq bindshëm, me zanin e trashë të një plake të rendueme nga vitët.

“Koha asht me fjetë tani, thuani lutjet, e flini, se nesër ditë e gjatë na pret…”

Dina e Bardhi puthën duart e Lokes, e i uruen natë të mirë. Lokja u step në qilar, derdhi lotë dhimbje të nji nane të vetmueme, e të nji gjysheje të bame gur.

Mbuloi djathin e zanun, e foli me za; “Bukë e djathë e nji shpirt i qetë… vallë i qetë asht?!”

Autore: Edlira Ramaj

Artisja e re Dafina Gërguri sjellë ekspozitën e parë personale

Artistja e re Dafina Gërguri do të sjellë ekspozitën e saj të parë personale për të cilën ka punuar një kohë të gjatë.
Ekspozita titullohet “The world i live in” dhe do të hapet në HB- Atelier – Galeri, shkruan KultPlus.

Kjo është një Atelie-Galeri e re e cila po i shtohet qytetit të Prishtinës nga Hyrie Shaqiri dhe pikërisht ekspozita e Doruntinës do të bëjë edhe hapjen e saj.

Ekspozita hapet më datë 27 shtator në ora 19:00. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës hap sezonin me një koncert të veçantë

Këtë të diel (30.09) Filharmonia e Kosovës do të hap sezonin 2018 / 2019 me një koncert që do të drejtohet nga dirigjenti Fernando Briones (Spanjë) dhe me solist koncert-mjeshtrin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, shkruan KultPlus.

Koncerti mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë nga ora 20:00.

Programi:

DMITRI SHOSTAKOVICH
Koncert për violinë dhe orkestër nr. 1 në a – mol, Op.77
Violin Concerto No. 1 in A minor, Op. 77

Nocturne: Moderato
Scherzo: Allegro
Passacaglia: Andante – Cadenza (attacca)
Burlesque: Allegro con brio – Presto

VISAR KUÇI, violinë।violin
(Kosovë।Kosovo)

***
LUDWIG VAN BEETHOVEN
Simfonia Nr. 7 në A – dur, Op. 92
Symphony No. 7 in A major, Op. 92

Poco sostenuto – Vivace
Allegretto
Presto – Assai meno presto (trio)
Allegro con brio ./ KultPlus.com

Çohu!

Primo Levi (1919-1987) shkrimtar, poet dhe kimist italian me prejardhje çifute, i mbijetuar prej kampeve naziste.

Ëndërronim ato netë të egra
Ëndrra të rënda e të dhunshme
Me trup e shpirt ëndërronim:
Të ktheheshim, të hanim, të rrëfenim.
Deri sa dëgjohej shkurt, prerë,
Komanda që pa gdhirë:
“Çohu!”

Dhe zemra çahej në gjoks.
Tani jemi në shtëpi,
Barkun më në fund e ngopëm,
Rrëfyem ç’patëm për të thënë.
Erdhi koha prapë.
Së shpejti sërish kemi për të dëgjuar
Atë komandën në gjuhë të huaj:
“Çohu!”

Shqipëroi Maksim Rakipaj. / KultPlus.com

Librat mund t’i digjni, idetë kurrë

Djegia publike e librave të cilësuar si “kundër shpirtit gjerman” nga nazistët njihet nga të gjithë edhe sot.

Liderët nazistë caktuan një grup studentësh që bastisnin bibliotekat dhe libraritë dhe u vinin flakën librave.

Mes autorëve të listuar për libra të ndaluar ishte edhe Hellen Keller, e cila në atë i dërgoi një letër trupit studentor në Gjermani.

“Nëse mendoni se mund të vrisni idetë, historia nuk ju ka mësuar asgjë. Tiranët janë përpjekur shpesh ta bëjnë, por idetë janë ngritur mbi ta dhe i kanë shkatërruar”, pati shkruar Helen Keller më 9 maj 1933, transmeton botimeshqip.com

“Ju mund t’i digjni librat e mi, ju mund të digjni librat e mendjeve më të shkëlqyera të Europës, por idetë në ta e kanë gjetur mënyrën të rrënjosen në mendjet e miliona të tjerëve”.

“Të gjitha të ardhurat nga librat e mi i kam dhënë gjithmonë për ushtarët gjermanë të verbuar gjatë luftës. E kam bërë këtë me dashuri në zemër dhe dhembshuri për popullin gjerman. Unë i njoh brengat që çuan drejt kësaj intolerance”.

“Mos mendoni se barbarizmat tuaja ndaj hebrenjve nuk i di njeri këtu. Zoti nuk fle; gjykimit të tij nuk do t’i shpëtoni. Më mirë një gur në qafë e të mbytesh në det sesa të urrehesh dhe përçmohesh nga të gjithë”./ KultPlus.com

Duke lexuar librat e shkruar në vetën e parë, njerëzit shndërrohen në personazhe

Njerëzit të cilët “humbin” duke lexuar librin mund të ndryshojnë sjelljen e tyre ashtu që t’u ngjajnë karaktereve që u pëlqejnë më së shumti.

Ky efekt në veçanti është i fuqishëm te leximi i librave që janë të shkruar në vetën e parë dhe nëse personi i cili i lexon është vetëm në atë moment. Psikologët këtë efekt e quajnë marrje apo përvetësim të përvojës – duke lexuar librin, njerëzit fillojnë të ndiejnë atë që ndiejnë personazhet dhe marrin mënyrën e tyre të të menduarit, ndërsa ndonjëherë me të vërtetë mund të ndryshojnë edhe mënyrën e sjelljes, transmeton Koha.net.

Në një eksperiment njerëzit të cilët janë identifikuar me personazhin nga libri i cili është dënuar dhe nuk është pranuar për shkak të racës ose besimit, edhe në realitet kanë shmangur sjelljen stereotipe ndaj njerëzve që janë të ndryshëm nga ata.

“Marrja apo përvetësimi i përvojës na ndryshon, sepse na mundëson që në njëfarë mënyre të lidhim jetën tonë dhe të karaktereve të imagjinuara, dhe kjo mund të çojë te rezultatet e mira”, thotë Geoff Kaufman, një nga udhëheqësit e këtij eksperimenti në Universitetin Ohio.

Në eksperimentin tjetër personat e testuar kanë lexuar një tregim të shkurtër për studentin i cili në ditën e zgjedhjeve kalon nëpër disa situata problematike për të arritur në vendin në të cilin do të votonte. Një grup ka lexuar rrëfimin në vetën e parë, ndërsa tjetri në vetën e tretë. Madje 65 për qind të atyre që kanë lexuar rrëfimin në vetën e parë kanë dalë në zgjedhje, të cilat kanë qenë vetëm një javë pas hulumtimit të kryer./KultPlus.com

Konkurs për përmbledhjen poetike për “Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”

Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” në Shkup shpall konkurs për përmbledhje poetike me rastin e “Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe”.

Kushtet paraprake janë si vijim: Përmbledhja poetike duhet të përmbajë më së shumti 1200 vargje, të shkruhet në gjuhën amtare dhe të jetë e pabotuar deri më tani.

Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë autorët e rinj deri në moshën 35 vjeçare.

Shkrimet duhet të dërgohen në tre kopje me shifër (në zarf të veçantë të shkruaj: emrin, mbiemrin dhe numrin amë të autorit si dhe tel për kontakt) në adresën: ”Dimitrie Çupovski” 20a, fax:173 ( me shenjë- Për konkursin e përmbledhjes poetike), 1000 Shkup, më së voni deri më 25 tetor 2018.

Juria profesionale do të ndaj çmim për vendin e parë-shpërblim në të holla, botim si dhe promovim të përmbledhjes poetike./KultPlus.com

Sonte të “Motrat” vjen ekspozita “Raffle”

Sonte duke filluar nga ora 19:00 në hapësirën ekspozuese “Motrat” vjen ekspozita e dyshesh Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli, shkruan KultPlus.

17 është një duo bashkëpunimi e përbërë nga Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli. Ato bëjnë vepra arti vizualisht dhe intelektualisht përfshirëse që eksplorojnë perspektivat sociale dhe psikologjike përmes videove eksperimentale artistike.

Vizë: Një miratim i lëshuar nga një përfaqësues i autorizuar i një vendi dhe i shënuar në një pasaportë, që lejon mbajtësin e pasaportit të hyjë, të udhëtojë ose të banojë në atë vend për një periudhë të caktuar kohe, për qëllime turizmi, arsimi, punësimi etj.
Jap: Jepni (të drejtën, fuqinë, pronën, etj.) formalisht ose ligjërisht. ‘ata do t’ju japin vizën’.
Refuzoj: Refuzoni t’i jepni (diçka të kërkuar ose të dëshiruar) dikujt. ‘kërkesa për vizë u refuzua’
Mundësi: Një mundësi që diçka të ndodhë. ‘Ka pak shanse për të marrë një vizë’?
Shfaqja e ngjarjeve në mungesë të ndonjë qëllimi apo shkaktari të dukshëm. ‘E ka marrë vizën rastësisht’ / KultPlus.com

Shumica e anëtarëve të Akademisë së Shkencave i kanë kryer studimet në vendet ish-jugosllave

Raporti “Kriza në Akademi” duket se është futur thellë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke e analizuar këtë institucion të rëndësishëm.

Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i cili u është shpërndarë edhe medieve, tregon rreth ASHAK-ut e përbërjes së tij.

Raporti ka gjetur se nga 22 anëtarë të rregullt të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës AShAK-ut, studimet në të trija nivelet BA, MA dhe PhD i kanë kryer kryesisht në Prishtinë, pastaj në Beograd, Sarajevë, Zagreb dhe në Lublanë, që do të thotë në universitetet e qyteteve ish-jugosllave.

Edhe prej 16 anëtarëve korrespodentë, pjesa më e madhe i kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në Prishtinë, kurse të tjerët në Beograd, Zagreb e Lublanë, pra në universitetet e qyteteve ish-jugosllave, e vetëm njëri i ka përfunduar studimet MA dhe PhD në një vend të BE-së dhe është i vetmi anëtar i AShAK-ut që ka pranuar të intervistohet për këtë raport.

Rekomandimi i raportit “Akademia në rrezik”, thotë se do të ishte mirë që AShAK-u të hapej edhe për ata që kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në vendet jashtë ish- Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë. / KultPlus.com

Panagjyri i Gjilanit bashkon 120 biznese nga vendi dhe rajoni

Me pjesëmarrje të 120 bizneseve prodhuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, ka nisur sot Panagjyri treditor i Gjilanit, i cili është organizuar nga Komuna e Gjilanit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë. Hapjen zyrtare të tij e ka bërë kryetari Lutfi Haziri, u.d. e ministres së Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi, dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Kryetari i Gjilanit këtë panagjyr e ka cilësuar më të madhin të këtij lloji në rajon, ndërsa ka falënderuar ata që e ndihmuan organizimin e tij. Edhe u.d. e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, tha se ndihet mirë që Komuna e Gjilanit është vendi që po i bashkon bizneset rajonale, duke shtuar se kjo mundësi e bashkëpunimit e fuqizon ekonominë e Kosovës.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se për kuriozitet, 42 kompanitë nga Shqipëria për herë të parë vijnë sot në Gjilan.

“Ishte një mendim i përbashkët që në Gjilan duhet të mblidhemi, jo thjeshtë për të demonstruar produktet tona më të mira, por për të demonstruar vullnetin që ky panair të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, është shprehur ambasadori Minxhozi.

Përpos promovimit të prodhimeve vendore, Panagjyri Gjilani 2018 ka karakter edhe kulturor e sportiv. Të enjten në ora 10:00 bëhet hapja e Panairit të Sportit para teatrit të qytetit, për të vazhduar në orën 15:00 me turneun në futboll me pjesëmarrje të klubeve nga Gjilani, Prishtina, Tirana e Tetova.

Panagjyri Gjilani 2018 mbyllet të premten në orën 15:00.

Shtatorja e Nënë Terezës vendoset në Rijekë të Kroacisë

Shtatorja e Nënë Terezës, me gjatësi 161 cm, është vendosur ditët e fundit në kishën e Shën Marisë në Trsat të Rijekës, në Kroaci.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje, të organizuar nën kujdesin e deputetes së Parlemantit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ishin të pranishëm bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Duke e cilësuar këtë ditë shumë të veçantë, një fitore të madhe shpirtërore për gjithë kombin shqiptar, Prljaskaj u shpreh se ” këtë arritje e kemi të përbashkët. Së bashku e kemi arritur dhe do të jemi gjithmonë të fortë”.

Skulptori i statujës, Gëzim Muriqi tha se “e kam realizuar këtë shtatore me shumë përkushtim. Jam shumë i lumtur, që Nënë Tereza, do të jetë për jetë në këtë vend, sepse ky vend ka pasur e do të ketë veprimtar të dëshmuar të çështjes kombëtare”.

Kisha e Shën Marisë në Trsat të Rijekës është vizituar edhe nga Nënë Tereza para disa viteve, si dhe Gjon Pali i II-të.

Organizatorët e këtij aktiviteti janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Marijes në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës. /ata

E nisi Artan Minarolli dhe e përfundoi Bujar Alimani, filmi ‘Delegacioni’ me premierë botërore në Warsaw International Film Festival

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash do të prezantohet premierë në festivalin e kategorisë A në Warsaw International Film Festival që do të mbahet në Poloni.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës.

Kurse kolon zanore e këtij filmi është punuar nga Ilir Bajri e Turkeshi Minarolli, kolonë kjo që është kënduar nga sopranoja e famshme Inva Mula./KultPlus.com

Më shumë se gjysma e anëtarëve të Akademisë së Shkencave kanë qenë të angazhuar politikisht

Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e ‘heshtura’ të Kosovës”, të financuara nga fondet publike, Organizata Integra ka publikuar raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi, shkruan KultPlus.

Raporti i sapopublikuar tregon edhe për angazhimin politik që kanë pasur dhe kanë anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sipas raportit nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, 12 prej tyre kanë qenë të angazhuar në parti politike, që i be që pak më shumë se gjysma e tyre. Tetë prej tyre kanë qenë të angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dy në Partinë Fshatare të Kosovës (PFK), një në Lëvizjen e Bashkuar Demokratike (LBD) dhe një në ORA.
Kurse, nga 16 anëtarë korrespodentë, shtatë prej tyre kanë qenë të angazhuar në parti politike, që i bie gati gjysma e tyre. Katër prej tyre kanë qenë të angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dy në Partinë Demokratike të Kosovë (PDK) dhe një në Partinë Socialdemokrate ( PSD).

Megjithëkëtë, Kryetari i AShAK-ut, Nexhat Daci, dikur pjesë e strukturave drejtuese të LDK-së, deklaron se asnjë pjesë e politikës, as në këtë sistem e as në atë sistem, kurrë nuk ka intereferu në përzgjedhjen e anëtarëve të Akademisë. Në anën tjetër profesori Agim Vinca, pretendent për anëtar të AShAK-ut, e njëkohësisht kritik i këtij institucioni, deklaron se “Akademia historikisht ka qenë shërbëtore e politikës: edhe në sistemin monist, edhe në periudhën e të ashtuquajturit sistem paralel, madje edhe në periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

Një mori anëtarësh të AShAK-ut kanë qenë në LDK, jo vetëm si anëtarë të thjeshtë, por funksionarë të lartë: Ibrahim Rugova, ish-kryetar i LDK-së, Fehmi Agani, ish-nënkryetar i LDK-së, Rexhep Ismajli, Ali Aliu dhe Mehmet Kraja, ish-anëtarë të Kryesisë së LDK-së, Idriz Ajeti e Nexhat Daci, ish-anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Aktualisht, Kryetari dhe nënkryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe Sabri Hamiti janë anëtarë të AShAK-ut. Prej të lartpërmendurve, vetëm Idriz Ajeti është pranuar anëtar i AShAK-ut kur nuk ekzistonte LDK-ja, ndërkaq të tjerët janë pranuar duke qenë apo pasi që kishin qenë udhëheqës të lartë të LDK-së. Përpos këtyre udhëheqësve të lartë të LDK-së, anëtarë të AShAK-ut janë bërë edhe dy liderë të tjerë të lartë të dy partive satelite të LDK-së: Besim Bokshi, ish-kryetar i Partisë Social-Demokrate të Kosovës (PSDK), dhe Hivzi Islami, ish-kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës (PFK).

Raporti “Kriza në Akademi” rekomandon që do të ishte mirë që personat me funksione nëpër parti politike ose institucione politike (Kuvend e Qeveri) të mos jenë anëtarë të AShAK-ut./ KultPlus.com

Hekurosja e lëkurës!

Bukuria natyrale është bukuria me të cilën kemi lindur. Nuk është e shkaktuar nga procedurat artificiale. Është art që varet nga vështruesi. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për termin “hekurosje e rrudhave”, dhe pikërisht aparatura bën këtë, hekuros lëkurën në 400⁰C dhe rikthen bukurinë natyrale!

Ass. Msc. Krenar Dobroshi
Farmacist & Magjistër për Kozmetologji
Qendra dermatolgjike – estetike “estethica”
facebook.com/estethica.prishtine
044/049 344-284, 038/733-407
[email protected]

Nxehtësia e pastër është një burim i energjisë që shkakton temperaturë të lartë pa ndonjë veprim shtesë apo elemente të panevojshme. Ne në qendrën “estethica” besojmë që nxehtësia e pastër është e duhura për të sjellë bukuri natyrale.

Ҫka është Tixel?
Tixel-i është një sistem i shkëlqyer, inovativ i regjenerimit termal dhe fraksional i lëkurës me teknologji të patentuar. Trajtimi është i shpejtë (20–40 min). Operon në tri module: ablative, jo-ablative dhe hapje të kanaleve. Është aq i sigurt, sa që trajtohen edhe kapakët e syve për t’i ngritur sërish ato!
Ҫfarë është ATM?
Ablacioni Termo Mekanik është një zgjidhje unike frakcionale për trajtim të lëkurës, duke u bazuar në krijimin e mijëra vrimave në temperaturë të lartë vetëm në disa minuta. Secila nga këto vrima shkaktohet nga maja mikroskopike e kokës piramidale në temperaturë 400⁰C. Piramida e përçon nxehtësinë e pastër në thellësinë e dëshiruar në lëkurë në milisekonda optimale.
Si punon Tixel?
Prekja e piramidave shkakton reagimin dëmtim-shërim të lëkurës, duke stimuluar fibroblastet, nxitë prodhimin enorm të kolagjenit dhe elastinës. Këto reaksione bëjnë që rrudhat të zbuten shumë dhe të rigjenerohet lëkura.
Pas një muaji, lëkura e fytyrës, qafës, dekoltesë apo e duarve duket më e butë, më e tërhequr, dhe dëmtimet nga dielli vërehen të pakësuara dukshëm. Të gjitha tipet e lëkurës dhe të dy gjinitë mund të marrin trajtimin me Tixel dhe të përfitojnë shumë nga ky trajtim.
Tixel kontrollon trajtimin
Tixel mund të punoj në formë ablative, gjysmë-ablative, apo jo-ablative. Kohëzgjatja e dëmtimit termal është e kontrolluar më mënyrë shumë precize duke përcaktuar thellësinë dhe kohën e pulsit. Duke i rregulluar parametrat e trajtimit, përcaktohet agresiviteti i ablacionit, efekti termal, skuqja e lëkurës dhe koha e shërimit.

Dallimet në mes të Laserëve dhe Tixel
Përgjatë hulumtimeve shohim laser të ndryshëm që pretendojnë të jenë shumë efektiv në eliminimin e rrudhave, shenjave, akneve etj. Ka prej më të ndryshmëve, si laseri CO2, erbium, mikro-gjilpërat me radiofrekuencë etj. Laseri në përgjithësi jep regjenerim të mirë të lëkurës, por është gjithherë frika nga efektet anësore dhe koha e regjenerimit. Dallimi në thelb në mes të Tixel dhe laserëve qëndron tek energjia e përdorur. Tixel përdor vetëm nxehtësi të pastër, pa rreze laserike, ndërsa laseri përdor valë të ndryshme të rrezeve për të arritur qëllimin e njëjtë.

Kohëzgjatja e shërimit nga tixel është 1-2 ditë, ndërsa na laseri 7-10 ditë – varësisht nga agresiviteti. Rezultatet janë edhe efektive në krahasim me laser, dhe ka shumë më pak dhimbje, më pak lëkurë e vdekur dhe pothuajse 0 ditë që duhet të kalohen në shtëpi.
Laserët janë të detyruar të përdorin më shume energji, e cila dëmton stratum korneum (shtresën e sipërme të lëkurës), bën nxirjen e lëkurës e cila mund të shkaktoj nekrozë epidermale dhe dhimbje të lartë.

Steriliteti i Tixel
Ndër përparësitë tjera që e veçojnë sistemin Tixel është steriliteti. Për shkak të temperaturës shumë të lartë, aparatura çdoherë është sterile, dhe në fillim të punës vetvetiu bën sterilizimin. Pra, kemi të bëjmë me një teknologji superiore e cila në çdo puls bën sterilizimin dhe pamundëson bartjen e patogjeneve tek të tjerët për shkak të temperaturës tepër të lartë!
Për çfarë shërben Tixel.

Tixel ofron trajtime të llojllojshme, nga ato më sipërfaqësoret deri tek rrudhat e thella. Ndër aplikimet që kërkohen më shumë janë:
• Rrudhat dhe vijat e plakjes
• Tërheqja e lëkurës
• Trajtimi i kapakëve të lëshuar të syve
• Trajtimi i akneve aktive
• Trajtimi i shenjave-lesioneve të akneve
• Përmirësimi i tonit të lëkurës
• Trajtimi i lëkurës së dëmtuar nga dielli
• Trajtimi i qafës së varur-rrudhosur
• Trajtimi i strijave
• Trajtimi i duarve të plakura
• Ngushtimi i poreve të zgjeruara.




Akademia e Shkencave nuk i raporton punën e vet asnjë institucioni shtetëror

Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e ‘heshtura’ të Kosovës”, të financuara nga fondet publike, Organizata Integra ka publikuar raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi, shkruan KultPlus.

Ky raport tregon se raportet vjetore narrative dhe financiare të AShAK-ut nuk janë publike. Raporti i Auditimit për vitin 2017 konstaton se gjithçka është në rregull. Gjatë miratimit të ligjit për AShAK-un në vitin 2015, është thënë se AShAK-u do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet në baza vjetore, ndërsa kanë kaluar gati tri vite nga miratimi i i ligjit të ri dhe AShAK-u deri më sot nuk i ka raportuar për punën e vet asnjë institucioni shtetëror, as Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji e as Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lidhur me këtë, raporti “Kriza në Akademi” rekomandon që AShAK-u t’i raportojë për punën e vet të paktën një herë në vit Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Tutje në rekomandim thuhet se po ashtu, do të ishte mirë që, veç tjerash, të publikohen të gjitha dokumentet që lidhen me financimin e AShAK-ut./ KultPlus.com

Fillon të nënshkruhet peticioni për mbrojtjen e ish Qendrës Tregtare Gërmia

Një peticion për mbrojtjen e ish Shtëpisë së Mallrave Gërmia ka nisur të nënshkruhet nga qytetarët e Kosovës.

Me iniciativë nga DoCoMoM_Kosova, peticioni kërkon të mbrohet kjo ndërtesë së cilës i kanoset rrënimi për ti hapur rrugë Sallës Universale.

Ish qendra tregtare Gërmia është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj.

Sot ky objekt është në rrezik të demolimit me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale.

“Me këtë peticion dëshirojmë ta nxisim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që sa më parë ta mbroj ligjërisht këtë objekt dhe kështu parandaloj demolimin e tij. Peticioni do i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës si dhe Kryetarit të saj” shkruhet në peticionin që po qarkullon online në internet dhe të cilin e kanë nënshkruar mbi 300 persona deri tash.

Këtu e gjeni linkun ku mund të bëheni pjesë e kësaj iniciative. / KultPlus.com

“Tre Musketierët” rikthejnë historinë e rock-ut shqiptar në Amfiteatrin e Tiranës

Historia e rock-ut shqiptar nuk mund të konceptohet pa zërin, stilin dhe talentin e tre legjendave të muzikës moderne shqiptare. Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda rikthehen më 4 Tetor në Amfiteatrin e Tiranës për të risjellë këngët hit të tyre, në një mbrëmje plot emocione e adrenalinë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur entuziazmin e tij duke u shprehur se,”këtë herë, ”Tre Musketjerët” këndojnë atje ku nisi gjithçka! Legjendat kthehen tek Amfiteatri i Liqenit. Qindra emocione e këngë që frymëzuan breza na presin më 4 Tetor”.

Të gjithë adhuruesit e muzikës së tyre do shijojnë nën shoqërinë e njëri-tjetrit tingujt live të rock-ut,pasi repertori i koncertit do të jetë i larmishëm./ata

Të gjithë anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave janë burra

Raporti “Kriza në Akademi” sjellë një analizë të thellë lidhur me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i botuar nga Integra, tregon rreth ASHAK-ut dhe mbarëvajtjes së punëve brenda këtij institucioni dhe përbërjes së tij.

Sipas këtij raporti nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, të gjithë janë burra ndërsa nga 16 anëtarë korrospodentë, 12 prej tyre janë burra ndërsa 4 janë gra të pranuara në vitin 2012, përkatësisht 2016. In memoriam janë 28 anëtarë, që të gjithë burra, e anëtarë të jashtëm janë 19, që të gjithë burra. Anëtar nderi është vetëm një dhe edhe ai është burrë.

Sipas raportit “Kriza në akademi”, këto të dhëna flasin për shenja përmirësimi në këtë drejtim ndërsa rekomandon që të zbatohet kuota prej 30%.

Anëtarët e rregullt të AShAK-ut
1. Ali Aliu
2. Anton Berishaj
3. Ekrem Myrtezai
4. Eqrem Basha Pr
5. Fejzullah Krasniqi
6. Feriz Krasniqi
7. Hivzi Islami
8. Idriz Ajeti
9. Isa Mustafa
10. Isuf Krasniqi
11. Jusuf Bajraktari
12. Mehmet Kraja
13. Minir Dushi
14. Nexhat Daci
15. Rauf Dhomi
16. Rexhep Ferri
17. Rexhep Ismajli
18. Rexhep Qosja
19. Sabri Hamiti
20. Tahir Emra
21. Zejnullah Rrahmani
22. Zeqirja Ballata

Anëtarët korrespodentë të AShAK-ut
1. Arsim Bajrami
2. Arsim Morina
3. Bardh Rugova
4. Edi Shukriu
5. Fetah Podvorica
6. Frashër Demaj
7. Gjyljeta Mushkolaj
8. Justina Pula
9. Kujtim Shala
10. Luan Mulliqi Pr Bg
11. Mehmet Halimi
12. Muhamedin Kullashi
13. Muzafere Limani
14. Qamil Haxhibeqiri
15. Salih Gashi
16. Xhevdet Xhafa

“Videosinteza”, një platformë më atraktive për arsimim

Disa të rinj të fushave të ndryshme janë bashkuar për krijimin e kanalit Videosinteza, i cili ka për qëllim promovimimin e një qasjeje më atraktive në arsimim.

Përmes angazhimit në komunitet, Videosinteza krijon video animacione të cilat shtjellojnë tema të ndryshme për shoqërinë, siç jane: shkenca, teknologjia, mjedisi dhe historia. E veçanta e kësaj platforme është që përmbajtja e videove bazohet në interesat dhe nevojat e nxënësve, dhe të gjitha krijimet janë origjinale.

Si një platformë edukative dhe nxitëse në shërbim të komunitetit, ata kërkojmë ndihmën dhe angazhimin e secilit që Videosinteza të prek tema që janë më me rëndësi. Për këtë, ekipi i videosintezës mund të kontaktohet përmes e-mailit:
[email protected]

Anëtarët e kësaj platforme janë: Hana Arapi, Erblin Shala, Qendrim Hoxhaj. Ardora Bilibani, Yllka Agusholli. Art Bejtullahu dhe Gent Reshtani.

Videosinteza është projekt fitues i punëtorisë “UpShift” dhe mbështetet nga Unicef Innovations Lab Kosovo, Komuna e Prishtinës dhe Amam Studio./ KultPlus.com

11 vjet nga vdekja e At Zef Pllumit

Me datë 25 shtator u bënë 11 vite nga vdekja e At Zef Pllumit.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje del sërsih në vitin 2003.

Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi vazhdimisht edhe për libra të tjerë.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarve me çmimin “Penda e Artë”. / KultPlus.com

Fillimi i tetorit i sjell kryeqytetit Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, edhe gjatë muajit tetor do të jetë nikoqir i librit dhe Shtëpive Botuese. Kësaj here përmes Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018, që do të mbahet nga datat 04 deri 07 tetor 2018, shkruan KultPlus.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, është nismë e Kolegjit AAB, institucionit më të madh jopublik në rajonin e Evropës Juglindore.

Tradita gati dy dekadëshe e Kolegjit AAB, fryma moderne dhe përcaktimi i qartë i tij për të qenë lider në zhvillimet e arsimit të lartë në vend dhe më gjërë, janë indikatorë të rëndësishëm se edhe Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila në fokus do të ketë librin dhe promovimin e tij.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, s’ ka si të mos jetë edhe një tjetër storje suksesi, duke pasur parasysh që do të jetë pjesë e një institucioni i cili në vazhdimësi i ka sjellur Kosovës manifestime, festivale e ngjarje të rëndësishme kulturore të organizuara shkëlqyeshëm.

Për më shumë, duke qenë epiqendër e rinisë jo vetëm nga Kosova por edhe vendet e rajonit, Kolegji AAB synon që Panairin Vjeshtor të Librit ta bëjë një nga panairet më të frekuentuara të librit me vizitorë të rinj të cilët janë konsumatorët më të nevojshëm të librit.

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, që do të mbahet nga data 04 deri më 07 tetor 2018, në ambientet moderne të Kolegjit AAB, ka për qëllim të mbledhë botuesit më të mirë dhe më seriozë të librit jo vetëm në gjuhën shqipe.

Pjesë e pandashme e Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018 do të jenë edhe ngjarjet kulturore që do të organizohen gjatë kohës sa do të mbahet panairi, si: promovime librash, punëtori, orë letrare e takime me shkrimtarë.

Deri tani pjesëmarrjen në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2018, e kanë konfirmuar rreth 50 shtëpi botuese, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ndërkohë që organizatori, Kolegji AAB po harton edhe programin e promovimeve e vizitorëve të rëndësishëm të panairit.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë panair i cili do të zhvillohet në një ambient universitar, ku shumica e frekuentuesve do të jenë të rinj, është edhe transporti i siguruar falas për të gjithë vizitorët e panairit. Gjatë tërë kohës sa do të mbahet panairi, transporti nga qyteti në kampusin e AAB-së në Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë falas, në çdo 15 minuta.

Po ashtu, gjithmonë duke iu referuar shtresës studentore që do të jetë prezente gjatë panairit të gjithë botuesit do të ofrojnë ulje në çmimet e librave që do t’ i prezantojnë gjatë panairit. Kjo edhe mund të jetë një arsye më shumë të mos mungoni në këtë panair.

Për më shumë informacione rreth panairit, të interesuarit mund të shfletojnë faqen zyrtare të panairit: https://panairi.aab-edu.net/, apo të bëhen pjesë e komuniteti të panairit në profilin zyrtar në facebook panairiAAB./ KultPlus.com

Aktori serb i cili luan në serialin e famshëm ‘La Casa de Papel’

Momentalisht, seriali “La Casa De Papel” është seriali më i shikuar në platformën Netflix në gjuhën spanjolle.

Seriali i famshëm që merret me një grup të rinjsh që marrin pengje brenda një Banke të madhe në Spanjë po merr zemrat e njerëzve kudo nëpër botë.

Madje më interesant është fakti se në këtë serial, në një prej roleve kryesore është edhe një aktor serb. Me prejardhje nga Kladova e Serbisë, Darko Peric luan rolin e Helsinkit.

Secili personazh ka një emër të një qyteti: Moska, Tokio, Berlin, Rio…

Darko është aktor i cili prej vitesh jeton në Barcelonë. Rolet e tij tjera kanë qenë të vogla në krahasim me rolin në “La Casa de Papel”, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=YSES7ZCQ48U

“Aktrimin e kam nisur kur isha 14 vjeç. Më pas nisën luftërat dhe ëndrrat e mia mbetën në gjysmë, derisa më vonë vendosa të largohesha nga Ballkani. Ndalesa ime e parë ishte Berlini, më pas Barcelona ku edhe mbeta” tregon aktori Peric.

“Për mua ky serial është një master. E meqë është edhe një prej serialeve momentalisht më të shikuara, më ka dhënë mundësi të reja dhe shikueshmëri në karrierën time” tregon Peric.

Ai ka luajtur edhe në “Ahora o Nunca”, “A perfect day”, “Kamikaze” dhe në projekte tjera ndërsa për ata që duan ta njohin më shumë, duhet ta përcjellin “La Casa de Papel”. / KultPlus.com

‘Unë nuk mundem ma me pa shtetin tem kështu, prandaj po du me protestu’

Aktorja Adriana Matoshi

Për nji za, për nji kumbanë, për nji çirrje!

Nuk e di nëse diçka e mirë n’këtë venin tem ka zgjatë njitrajtshëm e vazhdueshëm mjaftë gjatë sa mos me vërejtë të keqën mbi të mirën. E keqja asht që ne po mësohemi me jetu keq, po mësohemi me marrë frymë keq përmes ajrit të ndotun, po mësohemi me pa keq, po mësohemi me dashtë dhe me e promovu të keqen si diçka krejt normale për ne. Pavetëdijshem. Sepse e keqja po na servohet si vlerë, si standard e si pamundësi e jashtëzakonshme me e ndërru. Normalisht, nëse rrijmë e pijmë kafe. Nëse flasim mbi të dhe “fenomenet” e saj (të keqes) e në anën tjetër nuk ndërmarrim as ma t’voglin hap për me e ndryshu atë, ateherë po. Por, unë nuk po mundem ma kështu. Nuk po mundem me durue. Nuk po mundem me pa të keqen tu ia zanë frymën të mirës. Po du me protestu. Me bërtitë. Me u çjerr! Deri në kupë të qiellit me bërtitë edhe me e nxjerrë edhe frymën e fundit jashtë se nuk po mundem ma:

Me pa fëmijë e fytyra të zbehta të tyne tu e lyp’ nji copë bukë e në anën tjetër fëmijët e politikanëve tanë tu e malltretu “peshkaqenin” në Maldive.
Me pa shkolla e objekte po jo edukim, mësim e asesi arsim!
Me pa improvizim të teatrit e mjerim të aktorëve pa rrogë të dinjitetshme, status të zgjidhur e buxhet qesharak, e mos të flasim për strategji të kulturës e planifikime afatgjate të saj!
Me pa politikanë e njerëz jo kompetentë të Ministrisë së Kulturës tue vizitue vendet e festivalet më të rëndësishme të filmit duke abuzue me paren e shtetit e duke mos përkrahe teatrot por duke i lanë ato në mëshirë të askujt!
Me pa njerëz të sëmurë që sorrollaten nëpër dyer të spitaleve, pa sigurime shëndetësore, me mjekë që zhvatin xhepin e tyre deri në fund pa marre.
Me pa pleq e pensione për turp.
Me pa rritje të rrogave të politikanëve e jo ngritje në jetën sociale.
Me pa terr në vend të dritës.
Me pa fund.
Me pa hajgare e jo shtet.
Me pa e mos me dashtë me pa!

Unë nuk mundem ma me pa shtetin tem kështu. Unë nuk mundem me i rritë fëmijët e mi kështu. Prandaj po du me dal:

Për nji za, për nji kumbanë, për nji çirrje!

Bebe Rexha organizon eventin “Women in Harmony”, e udhëheqë së bashku me Rita Orën

Rita Ora dhe Bebe Rexha publikuan një fotografi së bashku, përmes së cilës treguan se iu bashkuan mbrëmjes “Women in Harmiony” të martën (25 shtator) në Casa Cruz në Londër, Angli.

Bebe e organizoi këtë darkë në fillim të këtij viti si një mënyrë që këngëtaret të bashkoheshin dhe të kishin një hapësirë të sigurt për t’iu bashkuar tregut.


Ajo ndërmori iniciativën për të organizuar këtë mbrëmje pasi një studim zbuloi se gratë përbënin vetëm 16.8% të artistëve në tabelat botërore.

“Isha si,” Oh, zoti im, nuk ka shumë prej nesh! Nuk është çudi pse nganjëherë ne bëhemi konkurrues si femra sepse nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ne në tryezë. Dhe unë thashë: “Ne duhet të mbështesim vërtet njëri-tjetrin”. Mendova: Dua të darkoj, dhe dua të bëj një gjë të veçantë dhe ta bëj atë intime dhe private”, tha Bebe Rexhe në një intervistë për Billboard pak para darkës, shkruan Telegrafi.

“Ndjehem sikur është një nate e rëndësishme, sepse asnjëherë nuk jam bërë pjesë e një organizimi me njerëz të tillë”, ka thënë ndër të tjerash Rita Ora./ KultPlus.com