Da Vinçi nuk kishte arritur të përfundonte kurrë Mona Lisën, tregon një studim i ri

Leonardo da Vinci kishte lënë të papërfunduar kryeveprën e tij, Mona Lisën për shkak të një lëndimi që kishte pësuar në dorë, tregon një studim i ri.

Aftësia e kufizuar e gjeniut të rilindjes debatohet qe një kohë të gjatë nga historianët e artit, dhe viteve të fundit është duke dominuar teoria se ai kishte pësuar një paralizë të pjesshme si pasojë e një goditjeje, transmeton Koha.net.

Përkrahësit kanë vënë në dukje vegjetarianizmin e Da Vinçit, duke argumentuar se dieta e lartë e qumështit që ai supozohet të ketë pasur ka të ngjarë t’i ketë shkaktuar një goditje.

Megjithatë, dy mjekë italianë pohojnë se e kanë zgjidhur këtë mister, duke studiuar një vizatim të Da Vinçit nga një artist i panjohur lombard, raporton Telegraph.

Vizatimi me laps të kuq nga Giovan Ambrogio Finio e paraqit Da Vinçin e moshuar me krahun e tij të djathtë të mbuluar nga rrobat, derisa dora duket sikur të ishte e lidhur me fashë.

Gishti i tij i madh, i pari dhe i dyti janë të zgjeruar, derisa gishtat e katërt dhe pestë janë të tkurrur.

Image

Portreti i Da Vinçit vizatuar nga Giovan Ambrogio Finio

Duke shkruar në “Revistën e Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë”, Dr. Davide Lazzeri, kirurg plastik dhe Dr. Carlo Rossi, neurolog, argumentojnë se nëse Da Vinçi kishte pësuar vërtet një goditje, ka shumë gjasë që i gjithë grushti i tij të ishte i mbledhur.

Ata gjithashtu theksojnë se s’ka ndonjë dëshmi që mjeshtri i artit të kishte pasur ndonjë dëmtim në fytyrë ose neurologjik, që është diçka e zakonshme pas një goditje të tillë, përcjell Koha.net.

Përkundrazi, mjekët thonë se pozicioni i dorës, i njohur si “dora kthetër”, me shumë gjasë mund të ketë qenë një paralizë ulna, një lloj dëmtimi traumatik i nervave që njerëzit zakonisht e pësojnë kur kanë ndonjë rënie derisa i ka rënë të fikët ose gjatë kohës sa ka pasur trullosje.

“Kjo mund të shpjegojë se pse ai kishte lënë disa piktura të papërfunduara, përfshirë edhe Mona Lisën, përgjatë pesë viteve të tij të fundit në karrierë si piktorë, derisa kishte vazhduar të jepte mësim dhe të vizatonte”, është shprehur Lazzeri.

Da Vinçi ishte i pazakontë sepse ai ishte mëngjarash, dhe vizatonte e shkruante me dorën e majtë, megjithatë ai e përdorte dorën e djathtë që të pikturonte.

Derisa edhe në ditarin e Antonio de Beatis, asistentit të Kardinalit Luigi D’aragona, pas një vizite që i kishte bërë Da Vinçit në vitin 1517, thuhet se, “s’mund të presim më ndonjë vepër të mirë prej tij, pasi një paralizë e ka gjymtyrën dorën e tij të djathtë… por edhe pse Messer Leonardo nuk mund të pikturojë me ëmbëlsinë që ishte karakteristikë e tij, ai ende mund të projektojë e të mësojë të tjerët”.

Mendohet se pikturimi i Mona Lisës kishte nisur më 1503 ose 1504 në Firencë, dhe Da Vinçi ka punuar me vite në të para se ta linte të papërfunduar.

Para lëndimit, që mendohet të ketë ndodhur në vitin 1505, mendohet se Da Vinçi ishte një person jashtëzakonisht i fuqishëm fizikisht.

Një pasazh nga një libër i piktorit, Giorgio Vasari, i botuar tri dekada pas vdekjes së Da Vinçit thuhet se, “ai ishte fizikisht aq i fort se mund të përballonte dhunën dhe me dorën e tij të djathtë mund të lakonte një dorezë të hekurt të derës ose një patkua”. / KultPlus.com

“Sekretet” dhe të pathënat e Tefta Tashkos

Poeti Lasgush Poradeci (1899-1987) ka qenë mjaft i kursyer në vlerësimin e artistëve bashkëkohës që i ka njohur nga afër. Kur dëgjonte këngët e sopranos liriko-dramatiko Tefta Tashko Koço (1910-1947) ai përsëriste shpesh refrenin karakterizues për personalitetin e saj artistik e të gjithanshëm: “Tefta nuk këndon, por fluturon”. Ky karakterizim shpreh thelbin e përpjekjeve të saj për ta ngritur artin e të kënduarit shqip në nivelet më të epërme dhe për ta përdorur gjithë fuqinë e tij në emancipimin e shumëanshëm të shoqërisë shqiptare përgjatë viteve të trazuar 1927-1947.

Tefta përballoi sfida të shumëllojshme. Thënë në gjuhë më sociologjike, ajo fluturoi mbi vështirësitë e shumëllojshme me energjitë relative të vullnetit, të disiplinës së hekurt në tërë procesin artistik krijues.

Më konkretisht:

1. Tefta Tashko ishte talent i lindur, ose siç shprehej shtypi i kohës, kishte lindur me “zërin e saj ëngjëllor”. Në kohën kur debutoi për herë të parë në skenë Tefta Tashko 12-vjeçare, shoqëria shqiptare ndodhej nën trysninë e paragjykimeve përçmuese për muzikën “si profesion që ushtrohet nga këngëtarët jevgj dhe vallëtarët romë”.

Duke sfiduar paragjykime të tilla Tefta Tashko ka qenë në brezin e parë të vajzave shqiptare, e cila nisi rrugën e mundimshme për të kultivuar talentin e saj për kanto për afro dhjetë vite 1927-1937, në konservatorët më prestigjiozë të Francës dhe Italisë. Shpesh u detyrua të bënte punë të rëndomta për të siguruar kushtet minimale të jetesës.

2. Tefta Tashko braktisi perspektivën e sigurt të një karriere të shkëlqyer të sopranos në Francë dhe u kthye në atdhe, kur nuk kishte asnjë teatër opera dhe ishin fare të paktë bashkëkombësit e saj që mund të kishin dëgjuar ndonjëherë muzikë operistike.
Përçimi i muzikës operistike përbënte vetëm një aspekt të misionit të saj të gjerë emancipues e fisnikërues të popullit, i cili në vitet 1930 ishte i varfër deri në mjerim dhe i pashkolluar deri në masën 90 për qind.

Në mungesë të infrastrukturës për të zhvilluar muzikë operistike, Tefta Tashko nisi të japë koncerte recitale me disa nga operat më të njohura dhe duke interpretuar në versione origjinale këngë popullore dhe qytetare shqiptare.

Nëpërmjet punës këmbëngulëse ajo përpunoi deri në perfeksion pothuajse të gjithë elementët e saj të saj dhe të interpretimit. Ajo hyri natyrshëm në rezonancë me shpirtrat e shqiptarëve të të gjithë grupimeve sociale, veçanërisht me shpirtrat e drobitur të të vobektëve të shumtë.

Ndonëse vetë ishte në vështirësi ekonomike, ajo shpesh jepte koncerte falas për nxënësit e të varfrit, duke përballuar shpeshherë shpenzimet e koncerteve.

Në një letër që i dërgonte një kolegu dhe që gjendet në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, Tefta Tashko shkruante për koncertin në Fier: “Jam shumë e kënaqur nga pritja e popullit, por, për sa u përket të ardhurave, m’u desh të paguaj nga xhepi dy napolona e gjysëm”.

Shpesh të ardhurat që grumbullonte nga koncertet ajo i dhuronte për bamirësi për të varfrit dhe familjet e dëmtuara nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe, të varfrit, në pamundësi për të blerë biletë, e ndiqnin koncertin nga jashtë sallës.

3. Ndonëse ishte shëndetligë, Tefta Tashko udhëtonte në të ftohtë, në rrugët me baltë dhe jepte koncerte në salla ku mungonin kushtet minimale për të kënduar. Madje jepte koncerte edhe në kushtet më të vështira të fshatrave.

Me këngët e saj Tefta jo vetëm gëzonte bashkëkombësit halleshumë, por edhe ndriçonte e zbulonte talentet për art në radhët e të rinjve dhe të rejave, i nxiste ata të hynin në rrugën e vështirë të artit që ka fuqi të madhe emancipuese dhe fisnikëruese.

4. Nderimin e veçantë për popullin shqiptar Tefta Tashko e ka shprehur edhe nëpërmjet përpjekjeve sistematike për të përpunuar këngët popullore, këngët qytetare shqiptare më të arrira të gjithë krahinave dhe qyteteve, dhe për t’i interpretuar ato me origjinalitet të papërsëritshëm.

Me këngë të tilla ajo hyri më shpejt në zemrat e shqiptarëve, të cilët përpiqeshin të gjenin format më dinjitoze për të shprehur nderimin për të.

5. Me gjithë punën dhe personalietin e saj, Tefta Tashko “funksiononte” si simbol dhe model i vajzës shqiptare të emancipuar dhe emancipuese, e aftë për t’u arsimuar mirë në shkollat më cilësore të botës dhe për të ushtruar profesione të vështira e mjaft delikate, e vendosur në luftë kundër paragjykimeve të çfarëdollojshme dhe e përkushtuar për të zhvilluar vendin, e aftë për të konkurruar me dinjitet me profesionistët e të njejtit profil.

Kudo ku shkonte Tefta Tashko, provokonte lot në sytë e vajzave dhe të grave, lot hidhërimi sepse ishin të mbyllura brenda ekonomive familjare dhe mjaft prej tyre e shihnin botën përmes errësirës së perçes; lot gëzimi sepse me gjithë personalitetin e saj Tefta Tashko ndriçonte si model i arrirë emancipimi, që i frymëzonte gratë dhe vajzat shqiptare të luftonin për emancipimin e tyre. /Zyhdi Dervishi, “Lente të ndërveprimit simbolik”/telegrafi/ KultPlus.com

E gjitha që duhet të dini për urën më mbresëlënëse, e cila bashkon dy kombe

Në të vërtetë, flasim për ndërmarrjen e pabesueshme të inxhinierisë për urën e gjatë 16 kilometra e cila lidh Malmen në Suedi dhe Kopenhagën në Danimarkë, pastaj për tunelin nën det

Vetëm ura është e gjatë tetë kilometra, ndërkaq pos automjeteve, qarkullojnë edhe trenat. Supozohet që urën në ditë e kalojnë 20.000 automjete, transmeton Telegrafi.

Qeveritë e Danimarkës dhe të Suedisë kanë nënshkruar marrëveshjen në vitin 1991 që të ndërtojnë lidhjen nëpërmjet Oresundit, problem shumëvjeçar i cili i mundonte banorët e të dy qyteteve.

Andaj është vendosur që nga kjo anë në vend të urës të ndërtohet një ishulli nga i cili do të hyhet në tunel dhe kështu do të ketë dobi të shumëfishtë – anijet do të mund normalisht të qarkullojnë, aeroplanët normalisht të ulen dhe të ngrihen.

Tuneli është i gjatë rreth katër kilometra. Ishulli Peberholm është ndërtuar nga materialet e nxjerra nga fundi i detit në mënyrë që në të të vendosej ura, e rrethuar me shkëmbinj të cilët janë nxjerrë në Suedi.

Tani ai është rezervat i pabanuar natyral, i famshëm për bretkosat e gjelbra, ndërkaq ndërtimi tij ka shtuar masën tokësore të Danimarkës për 1,3 milionë metra katrorë.

Ura dhe tuneli lidhin shumicën e lagjeve të Kopenhagës dhe të Malmës, saktësisht 3,5 milionë banorë. /Telegrafi/KultPlus.com

‘Të paktë janë ata shqiptarë, që me zemër i dëgjon të thonë: Lumi unë për vendin tim’

Ndue Ukaj

Të paktë janë ata shqiptarë, që me zemër dhe ndërgjegje, i dëgjon të thonë: lumi unë për vendin tim. Në të kundërtën, gjatë gjithë ditës, në vende pune, kafe, rrugë, institucione, shkolla, etj., dëgjon njerëz tek ankohen, lëshojnë kukama, shprehin ankth, dëshpërim, paqartësi e pasiguri për vendin e tyre.
Këto ankime i dëgjon në Tiranë dhe në Prishtinë. Në qytet dhe në fshat. Nga njerëz të estabilishmetit dhe të tillë jashtë tij.

Pra, jetojmë në një vend të kontaminuar, ku rrënimi shpirtëror, është shumë më i madh se ai politik e ekonomik, dhe ku intrigat dhe mosbesimi janë forma më e lartë e komunikimit. 
Dhe ky fakt i përgënjeshtron gjitha llomotitjet tjera. Shtirjet dhe hipokrizinë e madhe që banon ndër ne.

Faik Konica, qëmoti, duke e njohur këtë realitet dëshpërues, shkruante: 
“Kam njohur disa njerëz në jetë, fatkeqësisht, shume pak, të cilëve më vinte t’u thosha: “Lum Shqipëria për ty, e mjerë ti për Shqipërinë.”

Pas afro një shekulli, realiteti shqiptar vazhdon të jetë i njëjtë, ndërsa vlerësimeve të Konicës, vështirë se mund t’iu heqësh gjë./KultPlus.com

Në 5 vjet, dyfishim i numrit të turistëve në Shqipëri

“Në 5 vjet ne kemi arritur të dyfishojmë numrin e turistëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit të përbashkët mes BE-së dhe BERZH-it për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Kur them ne kemi arritur të dyfishojmë, Shqipëria ka arritur të dyfishojë numrin e turistëve. Sigurisht, ne besojmë që kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje kaq domethënëse”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “duke parë shifrat e muajit prill, krahasuar me prillin e një viti më parë, kemi përsëri rritje e duke krahasuar katër muajt e parë të vitit me katër muajt e parë të një viti më parë, konstatojmë përsëri rritje.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse turizmi është ekonomi, është punësim, sigurisht edhe integrim. Sa më shumë turistë të vijnë në vendin tonë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë, që do të thonë të vërtetën mbi Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga stereotipet dhe nga perceptimet e krijuara, pa e njohur atë nga afër”, tha Rama.

Kryeministri citoi po ashtu një investitor të huaj i cili vlerësoi Shqipërinë si një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes.

“Sot paradite, unë prita një investitor të madh, i cili erdhi në Shqipëri, nuk e di pas shumë kohësh ftesa apo pritje dhe nuk mbaronte së më shprehuri se sa keq i vinte që Shqipëria që kishte imagjinuar ishte komplet pa lidhje me Shqipërinë reale dhe se sa i vonuar ndihej në ardhjen në këtë vend që, sipas tij, ishte një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes”, tha Rama./A.T.SH/ KultPlus.com

Arbëreshët parakalojnë në Prishtinë (FOTO)

Arbëreshët e Italisë sonte kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës.

Këta të fundit të nisur nga sheshi “Ibrahim Rugova” me veshjet  e tyre tradicionale kanë parakaluar deri të sheshi “Zahir Pajaziti”. Arbëreshët janë duke qëndruar në Kosovë në kuadër të organizimit “Ditët e Arbëreshëve”. KultPlus ju sjellë disa fotografi nga ky parakalim./ KultPlus.com

Linda Treska, shqiptarja që “grimos” New Yorkun

Me rreth 22 vjet përvojë pune në industrinë e bukurisë, Linda Treska, themeluese e kompanisë së kozmetikës “Pinch of Colour”, filantrope, udhëheqëse e shoqatës bamirëse “Blue Angel Charity”, synon që kompania e saj e bukurisë të jetë e njohur në përmasa botërore sikur Vincent Longo, Laura Mercier, Laura Geller, Estée Lauder e shumë brende tjera të njohura

Intervistoi: Lumturije Beka

Për herë të parë, një femër shqiptare ka mundur të krijojë një “brand name” të regjistruar me të drejta të plota për të prodhuar produkte kozmetike të cilësisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht aty ku jeton e punon, në qytetin e New Yorkut.

Nëpërmjet udhëtimeve sidomos të vendeve të botës së tretë, dhe përvojës së saj personale të mungesës së ujit si fëmijë, Linda është prekur thellë nga këto pasoja shkatërruese në mbarë globin, prandaj misioni i saj një është që të ndihmojë fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo tregon rrugëtimin e saj drejtë suksesit, pasionin për punën që ka gjenezën e bukurisë, kauzën se si të vazhdohet më tutje me produktet e saj të krijuara pa ujë, që shërbejnë si një burim i çmuar natyror.

“E dimë se uji përdoret si një burim jetik, por për produkte tona ne përdorim botanikën qetësuese, vajrat natyrale ushqyese, kërpudha frutash të cilat janë të dashura për lëkurën. Kjo teknologji e thatë rezulton me formula jo toksike dhe hidratuese që rrisin shkëlqimin e lëkurës, me pigmente të vetë-përshtatura që përzihen në mënyrë të përsosur dhe me ngjyra të përqendruara”, tregon Linda për produkte e saj të kozmetikës, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun ndërkombëtar.

Në vazhdim ajo tregon se një pjesë e të ardhurave të kompanisë së saj të kozmetikës , janë të dedikuara për ta mbështetur organizatën e saj bamirëse të ujit, duke ngritur fonde, që kanë për qëllim përmirësimin e qasjes me ujin e pijshëm, sidomos në vendet e botës së tretë.

Jeni afariste që po depërtoni përmes brendit tuaj “Pinch of Colour”, në sferën botërore të kozmetikës në SHBA dhe në vendet tjera të botës. Na tregoni pak për punën tuaj, vështirësitë, sfidat e rrugëtimit tuaj deri tek suksesi?

Puna ime ka filluar para 22 vitesh kur unë lëviza me familjen time nga Korça, në New York City. Isha vetëm 16 vjeçe, kur hyra në rrugën e kozmetikës dhe të modës pa ditur përmasat e këtij biznesi ndërkombëtar. Fillimisht kam punuar në një supermaket për të ndihmuar familjen për jetesën fillestare në New York, pastaj më vonë duke punuar me orar të plotë, dhe duke studiuar po ashtu me orar të plotë, fillova të mësoja rrugët që duhet të ndiqja për të realizuar ëndrrën time. Mbas 6 vitesh, kur dhe mbarova Universitetin e Fashion Insitute of Technology në New York, me diplomën në Cosmetics & Fragrances Marketing, hyra në botën e korporatave, me punën e parë në një kompani, që sapo kish filluar dhe quheshe “Vincent Longo Cosmetics”. Aty fillova si asistente, dhe më vonë mora titullin ‘Drejtor”, dhe menaxhoja një kompani që bënte më shumë se 20 milion dollarë në vit. Mbas këtij suksesi, punova për kompanitë “Estee Lauder International”, Manager of Product Innovation për Asia/Pacific regions, Laura Mercier, Excecutive Director of Global Product Development; Laura Geller, Vice-President of Global Product & Package Development; dhe, më pas u riktheva tek Vincent Longo, por kësaj radhe si COO (Chief Operation Officer). Mbas 18 vitesh pune, arrita në një pikë ku ndihesha gati për të marrë një sfidë më të madhe, por edhe më interesante, ajo ishte hapja e biznesit tim, ‘Pinch of Colour’.

Pse vendosët të merreni me kozmetikë?

Nuk e di, por që e vogël kur isha në Korçë, isha shumë e pasionuar pas artit, vizatimeve, makijazhit, parfumeve. Çuditërisht asnjëri në familjen ose rrethin tim nuk i preferonte këto gjëra, kurse për mua ka qenë gjithmonë një pasion i pafundmë. Gjithmonë mamaja ime thoshte “kujt i ngjet kjo vajzë që i pëlqen kaq shumë moda dhe bukuria.” Fillimisht studiova një shkollë profesionale që quhej ‘Learning Insitute of Beauty and Science’, dhe aty mora titullin ‘Makeup Artist’. Punën e grimeres e ushtrova si profesion profesional për 6-vjet. Punova me artistë të tjerë të njohur, top modele, pasarela mode (New York Fashion Week), photoshoots, gjithashtu krijova edhe biznesin tim me evenimente si dasma, party, dhe punë private. Në të njëjtën kohë shkollën (universitetin) nuk e ndalova. Për të mbijetuar, punoja dhe punë në dyqanet e kozmetikës (Retail) si Barney’s New York, Henry Bendels, Bloomingdale’s, etj., në kompani të ndryshme që mësoja artin e shitjes (Retail Business).

Kush ju ka ndihmuar gjatë rrugëtimit tuaj?

Ne si emigrantë, fatkeqësisht nuk na ka dhënë asnjëri dorën për hiçgjë, kemi ardhur në një shtet që nuk të fal gabimet dhe nuk të kujton çdo ditë që, pa punë nuk ka arritje. Unë atë që kam dashur ta bëjë e kam bërë, sepse kam punuar ditë e natë për të arritur diku. Thjesht me gjak dhe me djersë, me disiplinë, me fokus dhe më determinim për të arritur pikësynimet e mija. Megjithatë, gjatë rrugëtimit tim kam patur privilegjin të punoj më shumë njerëz të talentuar dhe shumë të zgjuar që unë kam mësuar shumë. Kam qenë me fat që në moshë të vogël më është dhënë mundësia të krijoj një lidhje të fortë për të qëndruar me të dyja këmbët në tokë. Mbi të gjitha, kam patur mbështetjen familjare që për mua ka qenë shumë e vlefshme dhe më ka dhënë një balancë, dhe një mbështetje. Vendimet që kam marrë e dija që çfarëdo që mund të ndodhte, familjen do e kisha aty. Dhe kur kupton të realizosh këtë fakt, asgjë nuk të tremb.

Është shumë e lodhshme të drejtosh në biznes të tillë në kryeqytetin e botës?

Besoj që bizneset janë të vështira të drejtohen kudo në botë. Përgjegjësia është e madhe, ngarkesa e punës është kolosale dhe ke shumë pak njerëz që të kuptojnë, dhe shumë pak njerëz që mund t’i besosh. Pastaj, për mua hidhet dhe fakti, që Amerika ka konkurrencë shumë të madhe në botën e kozmetikës. New Yorku është një nga kryeqytet e modës dhe të kozmetikës dhe kjo industri është ndërkombëtare në 10 vitet e fundit ka tejkaluar përmasat e saj duke  arritur në gati 450 bilion dollarë kjo industri. Kështu që, tani të gjithë kërkojnë të hyjnë dhe sa më shumë hyjnë “supply surpases the demand” (furnizimi tejkalon kërkesën), kjo e bënë të vështirë, sepse konkurrenca bëhet më e ashpër dhe më e thellë.

Ju jeni edhe një filantrope e mirëfilltë në misionin tuaj të qartë që të ndihmoni fëmijët dhe shkollat nëpër botë, që të kenë qasje në ujë të pastër. Çka ju ka frymëzuar që të merreni më këtë çështje?

Kur fillova të konceptoja imazhin e biznesit tim te ri ‘Pinch of Colour’, më pëlqente ideja dhe imazhi i saj, një kompani që nuk përdorë ujë dhe prezanton konservimin e ujit në botë. Por diçka nuk më plotësonte idenë komplet, dhe ecja nëpër shtëpi dhe thoja, mungon diçka… Doja që ky biznes të kishte një rrahje zemre, të kishte diçka të veçantë që kishte kuptim dhe nuk ishte një kompani thjeshtë për të bërë para. Dhe, kur fillova të kërkoja brenda vetës time, çfarë më bënte mua të ndihesha e lumtur, gjithmonë kthehesha në të shkuarën time dhe mendoja për fëmijërinë time. Jemi rritur me shumë vuajtje, pa ujë, pa drita, me luftë, me trazira politike, me përplasje dhe me shumë mundime. Sa herë që shkoja në Shqipëri, gjithmonë kam ndihmuar njerëzit me aq sa kisha mundësi dhe ajo ndjenjë më ka bërë gjithmonë të ndihem mirë. Prandaj, frymëzimi ishte jeta ime dhe çfarë unë kam kaluar, prandaj  vendosa ta ktheja këtë memorie në një mision që ndihmon fëmijët nëpër botë me ujë të pijshëm, duke filluar nga shkollat dhe pastaj komunitetet.

Na tregoni për këtë pjesë emocionuese të filantropisë suaj?

Projekti i parë ishte në Kalkuta, India. Aty ne ndërtuam një ujësjellës për një shkollë me 100 fëmijë dhe për një komunitet me 180 familje. Projekti i dytë ishte në Santo Domingo, Domenican Republic, aty bëmë një marrëveshje partneriteti me një Non-Profit që sponsorizonte sistemin e filterit nëpër shkolla, ku uji është me nivele të larta hekuri. Ne sponsorizuam një pjesë të projektit. Këtë vit, krijuam një projekt në Kenya, Afrikë, për 400 fëmijë në një nga shkollat në një qytet të vogël në Nakuru, Kenya. Më 22 mars, shkova bashkë me bashkëshortin në Kenya për të festuar World Water Day (Ditën Ndërkombëtare të Ujit) bashkë me 1,500 fëmijë, që na prisnin për të na falënderuar për fondet që kishim dhënë. Për mua, filantropia është shumë speciale, i dua shumë fëmijët dhe kur bëjmë një fëmijë të lumtur, e ardhmja është e bukur.

Cilat janë projektet tuaja për vitin 2019, si në sferën e punës e po ashtu edhe në atë të bamirësisë?

Jemi duke punuar në disa prodhime të reja. Po na marrin kohë më gjatë se çfarë kisha planifikuar, sepse teknologjia “waterless” ose pa ujë, është më e vështirë se teknologjia e kozmetikës me produkte që kanë ujë. Megjithatë, jam optimiste që produktet e reja do të jenë shumë speciale. Në sferën e bamirësisë, jemi duke biseduar për projekte dhe në Shqipëri, shpresoj që të më jepet mundësia që të ndihmoj dhe fëmijët në shtetin tim, sepse e di që ka shumë nga ata që kanë nevojë për ndihmë. Lutem që kjo gjë të realizohet.

Kohëve të fundit keni organizuar eventin “Blue Angel Charity”. Na flisni pak më shumë rreth kësaj?

“Blue Angel Charity”, është organizata e bamirësisë që kam krijuar së bashku me bashkëshortin tim, në kujtim të babait tim që ndërroi jetë para 3-vitesh. Ka qenë një humbje shumë e madhe për mua dhe një nga arsyet që unë vendosa të hap biznesin tim. Babai im ishte një njëri shumë dashamirës, shumë zemërbardhë dhe gjithmonë më të drejtën, prandaj nuk kishim si ta emëronim këtë organizatë bamirësie përveçse mbas emrit të tij Engjëll “Angel”, sytë e tij ishin “Blue” blu, gjithashtu dhe uji përshkruhet “blu”, prandaj ‘Blue Angel Charity’, u formua në janar të 2016. Edhe pse kemi 3 vjet që e kemi krijuar këtë organizatë, ne nuk e kishim vënë në punë deri në shkurt të këtij viti, kur festuam hapjen e saj në New York City, me një koktej mbrëmje, dhe Fundraiser Event (mbledhje fondesh) për të ndihmuar projektin e Kenyas. Ishte një natë e përkryer, me një elitë njerëzish shumë special me plot dashuri dhe më shumë mbështetës.

Pinch of Colour, ka filluar punën para dy viteve e gjysmë, por që ka një rritje të jashtëzakonshme në treg. Brendi juaj mund të gjendet në dyqanet e Antropologjisë, në Amazon, në Lindjen e Mesme, në Angli dhe tani synim keni edhe Evropën. Kujt ia atribuoni rritjen jo vetëm të shëndetshme, por edhe suksesin e Pinch of Colour?

Mund të them, që përveç mendjes së përgatitur dhe punës kolosale, ka qenë edhe pak fati. E themi në anglisht “Being at the right place at the right ime” (Të jesh në vendin e duhur dhe kohën e duhur). Për mua kompania ka qenë e shëndetshme, por suksesin që ëndërroj është shumë më i madh dhe nuk kam arritur aty akoma. Kemi shumë punë madhore për të bërë në lidhje me rritjen e biznesit. Shpresoj që suksesi do ketë vazhdimësi.

Çfarë këshille keni për markat e tjera të reja që kërkojnë të zgjerojnë gjurmët e tyre në biznesin sidomos me pakicë?

Duhet të jesh gjithmonë gati për çdo gjë që të del përpara. Por, gjithmonë duhet të punosh me partnerë që të kuptojnë dhe mbështesin, vizionin dhe biznesin tënd.

Cila është pjesa juaj e preferuar e zotërimit të kompanisë suaj?

Më pëlqen çdo gjë në lidhje me biznesin tim, jam shumë e apasionuar dhe kurioze të mësoj çdo gjë, por po të zgjidhja një, do më pëlqente të ecja më tutje në profilin tim që është inovacioni dhe “trend forecast”, parashikimi i trenit, dmth., të jesh në hap me kohën.

Klientët janë të interesuar të investojnë në produkte që ata besojnë se janë më të duhurit. Çfarë dëshironi ju që klientët tuaj të dinë më shumë për Pinch of Color, në mënyrë që ata të kenë besim të vazhdueshëm në këtë brend?

Pinch of Colour, është një brend i vogël, por me shumë shpirt. Ndryshe nga brendet me emra të mëdhenj, në kompanitë e vogla çdo gjë analizohet me pasion, me dashuri dhe me pikësynimin për të ofruar një produkt cilësor me materiale natyrale, por edhe një produkt që do të ndihmojë të tjerët. Brendet e mëdha nuk mendohen shumë për të tjerët, por vetëm për xhepin e tyre, dhe kjo lakmi nuk ka të ngopur. Kohët kanë ndryshuar dhe e ardhmja jonë nuk është më vetëm të shesësh për para e lakmi, por të krijosh një biznes dhe një komunitet të qëndrueshëm e të shëndetshëm.

Çka presim në të ardhëm për brendin Pinch of Color?

Shpresoj vetëm gjëra të mira… Ndoshta shumë shpejtë edhe një investitore, për të përhapur shpërndarjen globale.

Ku e gjeni inspirimin për punën gjatë përditshmërisë suaj?

Kam shumë energji, jam shumë e dhënë pas artit, kuzhinës, udhëtimeve nëpër botë, por edhe shumë e lidhur me dy fëmijët e mi, me familjen me shoqërinë. Dhe këto gjëra, ia japin jetës time një ylber të bukur, më lejojnë të inspirohem, të ëndërroj edhe më tutje për gjërat e mira.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptar të cilët kanë synim suksesin?

Çdo gjë që kam arritur në jetë në fillim e kam ëndërruar, besuar dhe më vonë kam punuar shumë për ta arritur. So, never give up. ‘Mos u dorëzo kurrë”. /Telegrafi/KultPlus.com

Votoni fustanin e nusërisë që ju pëlqen më shumë

Revista Point de Vue është duke realizuar një sondazh se cili është fustani më i bukur i nusërisë. Në garë është edhe fustani i Princeshës Elia Zaharia Zogu, realizuar nga kreatorja Blerina Kllokoqi Rugova.

http://www.pointdevue.fr/mariages/sondage-votez-pour-votre-robe-de-mariee-royale_7897.html?fbclid=IwAR1WGjr9wq8CC59Q0A_OLtSQ85vhQG4_OYLA83aGJp3CoyX3OT5XvnEtK98

Për të votuar për fustanin e Princeshës shqiptare mjafton të klikoni në foton ku shkruan Elia Zaharia dhe fustani nga Blerina Kllokoqi Rugova. /KultPlus.com

Aktori me famë botërore në filmin e regjisorit Arben Kastrati

Aktori i njohur Gerard Depardieu, do të jetë pjesë e ekipit në filmin shqiptar “Unë dhe Millosheviqi” me regji të Arben Kastratit dhe Nicolas Duval, shkruan KultPlus.

Filmi në qendër të tij do të ketë një hero të shpallur aksidentalisht duke shfrytëzuar rrethanat në të cilat gjendet Kosova.

Për realizimin e filmit “Unë dhe Millosheviçi”, skenaristi dhe regjisori Arben Kastrati ka mbledhur rreth vetes një kastë të njohur aktorësh si dhe profesionistë të fushës së kinematografisë.

Në mesin e tyre është edhe aktorja francezë Nathalie Boyer. Ajo do të sjellë rolin e një gazetareje, profesioni i së cilës është mjaft i vështirë në rrethana normale por që bëhet edhe më i vështirë gjatë raportimit në luftë. Ky rol e bëri për veti aktoren në momentin e parë që ajo e lexoi skenarin dhe u bë arsyeja që Boyer të vijë në Kosovë dhe të qëndrojë për një kohë këtu për xhirime.

Gérard Xavier Marcel Depardieu është një aktor francez. Ai është një nga aktorët më të njohur i cili a luajtur në më shumë së 170 filma që nga viti 1967. Xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviçi” priten që të fillojnë në shtator. Filmi është një produksion në mes të Francës, Maqedonisë dhe Kosovës. / KultPlus.com

Arbëreshët parakalojnë sonte në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ me veshje tradicionale

Në kuadër të organizimit të Ministrisë së Diasporës për “Ditët e Arbëreshëve” sonte në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet do të mbahet një koncert.

Fillimisht arbëreshët e Italisë do të parakalojnë në shesh, nga ‘Ibrahim Rugova’  deri te ‘Zahir Pajaziti’, me veshje tradicionale arbëreshe.(19:30)

Më pas nga ora 20:00 do fillojë koncerti ku do përformojnë grupe arbëreshe nga Italia dhe Ansambli i  Këngëve dhe Valleve “Shota”. /KultPlus.com

“Athina e artit”, thirrje artistëve për të zbukuruar kryeqytetin

Kryetari i qytetit të Athinës Giorgos Kaminis krijoi Partneritetin e Athinës, një organizatë jofitimprurëse për një program arti të titulluar “”Kjo është Athina urbane”. Ky program synon që të largojë zhgarravinat nëpër muret e rrugët e Athinës e për t’i zëvendësuar ato me zbukurime artistësh profesionistë.

Projekti artistik synon që të rregullojë e zbukurojë qendrën historike të Athinës. Një projekt i ngjashëm i kryer nga organizata, nisur në shkurt të vitit 2017 dhe titulluar “Projekti i Trigonës së Athinës”, rezultoi me pastrimin e 8,300 metra katrorë të mureve dhe kthyerjen e tyre në piktura mirëfilli artistike, shkruan “Ekathimerini”.

Kësaj radhe, projekti i sponsorizuar nga Fondacioni AC Laskaridis, Beat, Konstandini M. Logothetis, Cosmote, Ionian Hotel Enterprises dhe Lampsa Hellenic Hotels, organizata synon të pastrojë 20.000 metra katrorë mure, disa prej të cilave janë pjesë e ndërtesave të hartuara nga arkitektë të shquar si Ernst Ziller dhe Panagiotis Kalkos.

Muret gjithashtu do të trajtohen me materiale anti-grafiti dhe hidrofobe, për të parandaluar vendosjen e posterave të rinj të paligjshëm dhe mospastrimin e etiketave të reja lehtë. Qëllimi është që të hiqet çdo etiketë e re nga ndërtesat brenda zonës brenda 48 orëve./(d.xh/ Balkanweb)/ KultPlus.com

Britanikja “Express” thotë se në rast të Luftës së Tretë Botërore, Shqipëria është vendi i tretë më i sigurt në botë

Lufta e Tretë Botërore është bërë një shqetësim për shumë njerëz ndërkohë që tensionet mes fuqive të mëdha globale, përshkallëzohen.

Marrëdhënia mes SHBA-së dhe Kinës është veçanërisht e acaruar tani, dhe e përditshmja britanike, “Express”, i ka dedikuar një vëmendje të posaçme, vendeve më të sigurta të botës, me më shumë bunkerë, ku mund t’i shpëtosh një Lufte të Tretë Botërore. Dhe Shqipëria, është një ndër vendet më të sigurta, konkretisht e treta më e sigurta, pas SHBA-së dhe Zvicrës.

Në SHBA, shkruan Express, pjesa më e madhe e shteteve kanë rrjete bunkerësh. Qeveria amerikane i ka ndërtuar ato gjatë luftës së ftohtë për punonjësit federalë. Zvicra po ashtu, është unike dhe ka bunkerë të mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë popullatën e saj, shkruan Tch.

Dhe e treta, Shqipëria, ka më shumë se 170 mijë bunkerë, të ndërtuar mes viteve 1960-1980 gjatë sundimit komunist. Në fakt, ka mesatarisht 5.7 bunkerë për çdo km katror në Shqipëri, ose ndryshe, një bunker për çdo katër shqiptarë.

Bunkerët janë ndërtuar në kurriz të financave të vendit në një kohë krize ekonomike dhe strehimi, dhe nuk janë përdorur asnjëherë për mbrojtje në luftë.

Pas Shqipërisë, vjen Suedia me më shumë se 65 mijë bunkerë, që do të mund të mbanin 7 milionë njerëz në rast të një lufte të tretë botërore. Të tjera vende të sigurta konsiderohen edhe Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Islanda, që kryesojnë edhe listën e vendeve më të lumtura dhe me standardet më të larta të jetesës.

Ndërsa vendet më të rrezikshme, në një skenar të tillë, janë Libia, Somalia, Jemeni, Afganistani, Sudani dhe Mali./KultPlus.com

“Vdekja është një hap larg” – Fjalimi prekës nga Steve Jobs

Steve Jobs, një ndër ndërmarrësit më të suksesshëm në botë shpalosi disa tregime të jetës së tij në Universitetin e Stanford disa vite më parë e një ndër to, ajo për vdekjen, ku la disa këshilla se si të vazhdojmë përpara me të gjitha forcat, edhe nëse e gjithë bota ju është vënë kundër.

“Kur isha 17 vjeç lexova një thënie qe thoshte: Nëse do jetosh çdo ditë sikur të ishte e fundit, një-ditë do të kesh të drejtë”.
Kjo shprehje si duket la ndikim të madh tek ai, pasi Steve Jobs kishte fituar shprehi ta zbatonte çdo mëngjes pranë pasqyrës, “nëse sot do të ishte dita ime e fundit, a do të bëja atë që kisha planifikuar të bëj sot”? E sa herë që përgjigja ishte jo, diçka duhej ndryshuar.

Disa nga vendimet më të mëdha të jetës së tij ai i mori duke u kujtuar çdo herë qe vdekja mund të jetë një hap larg, dhe më nuk ke çfarë të humbasësh atëherë e gjithë frika e dështimit venitet pranë fytyrës së vdekjes dhe pastaj mbetët vetëm çka është me të vërtetë e rëndësishme.

“Para një viti u diagnostikova me kancer. Kisha një skanim në 7:30 të mëngjesit, që qartë tregonte tumorin në pankreasin tim. Unë nuk e dija as çfarë ishte pankreasi. Mjekët më informuan se ishte një lloj kanceri i pashëruar dhe të mos prisja më shumë se tre deri ne gjashtë muaj jetë. Një ndër ta më këshilloi të shkoja në shtëpi dhe të rehatoja punët e pakryera, që është gjuhë e mjekëve për: shumë shpejtë do të vdesësh. Do të thotë t’ju tregosh fëmijëve të tu çdo gjë që e kishe menduar për t’ju thënë në vitet e ardhshme, për vetëm disa muaj. Do të thotë të bëhesh gati të thuash lamtumirat. Më vonë atë ditë kisha një biopsi, ku mjekët morën dhe shikuan qelizat e kancerit me një mikroskop dhe doli se ishte një lloj kanceri pankreatik shumë i rrallë por i shëruar me ndërhyrje kirurgjike. Unë bëra operacionin dhe tani jam mirë. Ky ishte momenti im më i afërt me vdekjen deri tani dhe shpresoj të mbetet kështu për një kohë të gjatë “.

Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit që duan të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Dhe prapë së prapë, vdekja është destinacioni që ne të gjithë ndajmë së bashku. Askush nuk i ka ikur asaj. Koha jote është e limituar, prandaj mos e harxho atë dukë jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos u kap në grackë nga dogmat, dhe mos lejo zhurmat e tjerëve të nxjerrin zërin tuaj të brendshëm. Ke guxim të ndjekësh zemrën dhe intuitën tuaj. Këto dyja vetëm kanë zbuluar se çfarë ju dëshironi të jeni. Të tjerat janë të gjitha sekondare.
Fjalimin e përmbylli me fjalët “Qëndroni të pamend, qëndroni të uritur”, duke ju drejtuar kështu studentëve të sapodiplomuar./KultPlus.com

“Një tregim Prishtine” i Burbuqe Berisha shfaqet në disa festivale

Regjisorja kosovare Burbuqe Berisha së fundi ka realizuar filmin e metrazhit të gjatë “Një tregim Prishtine”, me skenar të Getoarbë Mulliqit dhe regji të saj.

Filmi përkatës duke filluar edhe nga vetë titulli i kushtohet qytetit të saj të dashur, Prishtinës dhe realiteti me aspektet negative apo pozitive në ketë kryeqytet.

Vetë regjisorja Berisha për KultPlus ka deklaruar se po me ketë film do ta prezantoj Kosovën në disa festivale ndërkombëtare brenda muajit Maj.  

Këto festivale janë:

Më datë 03.05.2019 në Clam – Festival Internacional de Cinema Social de Catalunya –Spanjë.

2. Më datë 04.05.2019 në Dea Film festival ne Tiranë,

3. Më datë 25.05.2019 në Berlin në festivalin South East European Film Festival (SEEFF)./KultPlus.com

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut i kushtohet Nënë Terezës

Papa Françesku, në prag të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, më 7 maj në Shkup, ka dërguar një mesazh për të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Në mesazhin e tij ai shprehet se vizitën ia kushton një shenjtore të madhe, Nënës Terezës, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Mesazhi i Papa Françeskut

Të dashur vëllezër dhe motra nga Maqedonia е Veriut,

Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, dua të shpreh gëzimin dhe miqësinë që ndjej për njerëzit tuaj dhe kishën që ekziston në vendin tuaj.

Prej që vendi juaj u bë i pavarur, Selia e Shenjtë donte të krijonte marrëdhënie miqësore dhe diplomatike me ju. Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, për të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë, unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë.

Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra.

Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Të dashur miq, le të përgatisim takimin tonë me lutje që ky takim të jetë i mbushur me paqe dhe të mira për të gjithë njerëzit tuaj.

Qofshi të bekuar nga Perëndia!/KultPlus.com

Kahlil Gibran : Mbi dashninë

Atëherë Almitra i tha: “Na fol për dashninë!”
Ai ngriti kryet, kqyri popullin… dhe nji qetësi e mahnitshme zbriti mes tyne dhe me zà të naltë iu tha:
Kur t’iu thërrasë dashnia, ndiqeni mbas,
edhe nëse rruga asht e ashpër dhe e vështirë.
Edhe nëse flatrat e saj iu mbështjellin,
edhe nëse shpata e mshehun ndër pupla mbrrin me ju plagosë, braktisuni në të.
E kur ajo t’ju flasë ju besojeni,
edhe nëse zàni i saj mundet me jua thye andrrat, njashtu si era e veriut shkatërron kopshtijet.
Sepse njashtu si mund t’ju kunorzojë lavdie, njashtu edhe mundet t’ju kryqëzojë.
Njashtu si mundet me ju ndihmue në rritën tuaj, njashtu mundet me ju a sjellë edhe venitjen.
Njashtu si ngjitet naltsive tuaja e ledhaton degët e brishta që drithërojnë ere,
njashtu zbret edhe ndër rranjë dhe i shkundë n’at kapërthimin e tyne me tokën.
Njashtu si dengjet e grunit mblidhen të gjitha bashkë.
e shkunden për me u pastrue.
e siten me u lirue mbetjesh,
e bluhen gjer në zbardhje të plotë.
e mbruen gjersa t’bahen të buta,
e ma së fundi i dorzohen zjarrit të shenjtë, me e shenjtnue bukën për mensën e Perëndisë.
E gjitha kjo ka me sjellë ndër ju dashni, pse veç ju i njihni sekretet e zemrës suaj, e n’at njoftje baheni nji fetë zemre e Jetës…
Edhe nëse ju kaplon frika ju kërkoni veç paqen e knaqësinë e dashnisë,
do t’ishte ma e mira gjà, me e mbulue lakuriqësinë tuaj, e me dalë prej lamit të saj,
n’at botë pa stinë ku ju veç do qesheni, dhe mos i harxhoni krejt të qeshunat tuaja, po edhe n’se qani, mos i derdhni krejt lotët tuaj.
Dashnia nuk dhuron asgja veç vetvedin, dhe s’humb asgja veç vetvetes.
Dashnia s’bahet Zot i askujt po as dëshiron me ju bà ndokush Zot,
Sepse dashnisë i del dhe i tepron veç dashnia.
Kur dashuroni, mos thoni: “Perendia asht në zemrën time!”, thoni: “Unë jam n’zemrën e
Perendisë!”
Dhe as nëpërmend mos t’iu shkojë se ju mund ta drejtoni zejen e dashnisë, pse asht Ai, që nse ju gjen të denjë, ka me e drejtue zejen tuaj…
Dashnia s’ka asnji dëshirë tjetër veç me ju ba të ndjeheni të mbushun përplot.
Dhe nëse dashuroni, e keni nevojë për dëshira… këto janë:
Me rrjedhë e me u bà t’rrëmbyeshëm si përroni që i këndon meloditë e veta nëpër terr.
Me e njoftë ndëshkimin përmes nji dhimbsunie t’pafund.
Me u ndje të plagosun prej njoftjes me dashninë tuej.
Me u përgjakë plot dëshirë e kënaqsi.
Me u zgjue n’agim të dritës me zemër ndër flatra dhe me e falenderue edhe nji tjetër ditë dashnie.
Me u ndalë në mesditë dhe me reflektue mbi ekstazën e dashnisë.
Me u kthye në mbramje në shtëpi me mirnjoftje të pafund.
Dhe me ra me fjetë me nji lutje për të dashurin e zemrës, e me nji kangë lavdie ndër buzë…

(Shkëputë nga “Profeti” Kahlil Gibran)
Përktheu: Jozef Radi 

Bebe Rexha e ftuara e nderit te Michelle Obama

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha është lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdon karrierën e saj të suksesshme duke u kthyer në një emër të rëndësishëm në industrinë e muzikës botërore.

Rexha së fundmi ka befasuar studentët në Universitetit të Tampas në Florida, duke performuar para tyre në atë njihet si “Dita e Këndimit në Kolegje”.
Këngëtarja shqiptare ka qenë njëra ndër të ftuarit e nderit e organizatores Michelle Obama, bashkëshortja e ish-presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, që qeverisi në SHBA përgjatë viteve 2009-2017.

Teksa është takuar dhe fotografuar me ish-zonjën e parë, Bebe Rexha publikoi një fotografi në rrjetin social nga ky takim, në mbishkrimin e së cilës i ka dhënë një epitet të veçantë Michelles.
“Me presidenten time të ardhshme, zonjën Michelle Obama”, janë fjalët e këngëtares shqiptare në mbishkrimin e fotografisë.

Mesa duket Bebe Rexha shpreson se ashtu si bashkëshorti i saj, edhe Michelle të ketë një të ardhme të ndritur në politikë./KultPlus.com

Mirush Kabashi: Shoqëria ka harruar besimin e vlerat e moralit

Artisti i merituar, aktori i madh Mirush Kabashi i ka drejtuar një mesazh të fortë shoqërisë shqiptare nga një aktivitet fetar në qytetin e Fierit. Ai ka qenë i ftuar në një aktivitet për muajin e Ramazanit të organizuar nga Myftinia Fier dhe ka folur për besimin e vlerat e moralit.

Kabashi tha se shoqërisë shqiptare i mungon besimi dhe pikërisht mungesa e besimit ka bërë që të harrojë vlerat shpirtërore e të moralit. Artisti i njohur dha edhe një mesazh për politikën në vend.

“Nuk jam një besimtar në kuptimin e rregullave që ka besimi. Por jam kaq i sinqertë kur ju them se dhe unë kam mënyrën time të besimit. I çmoj dhe i vlerësoj shumë ata që besojnë. Besimi nuk është vetëm për besimtarët por është edhe për laikët. Nuk mund të jesh njeri, nuk mund të kesh fisnikëri dhe të jesh i denjë për shoqërinë në qoftë se nuk beson së pari tek vetvetja, tek familja së dyti, tek shoqëria, tek e ardhmja, e pastaj besimi në nivelin më të lartë të tij, te Zoti. Kam bindjen që sot shoqëria shqiptare është e ngërthyer me konfliktualitet, edhe me agresivitet për hir krejtësisht të përfitimeve dhe fshihen pas ideologjive, kjo është thembra e Akilit. Sepse shoqërisë sonë i mungon besimi dhe janë shumë të paktë ata që besojnë. Dhe unë gjykoj që në mënyrë të veçantë, tamam mungesa e besimit e ka bërë shoqërinë tonë të harrojë vlerat shpirtërore, të harroje vlerat e moralit pa të cilat nuk mund të futemi atje ku ne aderojmë të futemi në shoqërinë europiane, pa moral. Nuk është ligji, është morali ai që e mban shoqërinë dhe ligji është vetëm për raste ekstreme…Nuk ka të ardhme pa besimin”, ishte mesazhi i gjigandit të skenës shqiptare.

Aktori i madh ka lexuar më pas një poezi të Andon Zako Çajupit, “Amaneti i Skënderbeut” për të cilën tha se është shumë aktuale për gjendjen politike që ka vendi sot.

“Ajo me të cilën fshihen politikanët tanë, duke treguar unitetin e fesë, ata për vete nuk e zbatojnë. Janë të parët që kanë zgjedhur konfliktualitetin”, tha më tej aktori i madh shqiptar./KultPlus.com

Kur presidenti Wilson i bënte presion Francës: Të mbrohen të drejtat e shqiptarëve

“Le Petit Troyen” ka botuar, të hënën e 8 marsit 1920, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e presidentit Wilson për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar.

Shkresa e re e presidentit Wilson për çështjen e Adriatikut

“Shkresa e re e presidentit Wilson lidhur më çështjen e Adriatikut erdhi dje në Quai d’Orsay (Ministrinë e Jashtme franceze)

Ky dokument është i moderuar në formë. Presidenti përshëndeti tonin e përzemërt që mbizotëronte në mesazhet e fundit të aleatëve, por ai mban të njëjtin qëndrim dhe vazhdon të formulojë të njëjtat kundërshtime, si për çështjen e Fiume-s dhe atë të Shqipërisë.

Ai mbështet, në fakt, memorandumin e 9 dhjetorit të fundit.

Veçanërisht për Shqipërinë, ai deklaron se është e rëndësishme mbrojtja e të drejtave të popullit shqiptar dhe nuk pranon që Jugosllavët të favorizohen në këtë pikë.

Së fundi, duke iu përgjigjur pasazhit të letrës së Zotërinjve Millerond dhe Lloyd George, të cilët treguan shqetësim serioz për një shtyrje më të gjatë të çështjes së Adriatikut, presidenti i Shteteve të Bashkuara e mbron fuqimisht veten se nuk ka shkaktuar këtë vonesë dhe lidhur me këtë pikë nuk mban asnjë lloj përgjegjësie.

Edhe një regjisor kosovar nisë rrugëtimin e tij në politikë

Nismës Socialdemokrate nga sot i është bashkuar edhe regjisori i njohur, Ben Apolloni. Në mjediset e selisë qendrore, mirëseardhje z. Apolloni i kanë uruar kryetari Limaj, sekretari Sherifi dhe kryetari i degës sonë në Kaçanik, Agim Çaka. 


Kryetari Limaj falënderoi regjisorin e njohur që ka zgjedhur Nismën Socialdemokrate për ta dhënë kontributin e tij profesional. Ai tha se Nisma i ka dyert të hapura për të gjithë ata që vlerësojnë se mund ta japin kontributin e tyre në shërbim të vendit. 

“Te Nisma Socialdemokrate ju do ta keni gjithë hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme. Nisma është parti e cila u rri afër njerëzve. Ne po tregojmë shembull se si qeveriset, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal”, tha Limaj.

Ndërsa regjisori Ben Apolloni, u shpreh për KultPlus se nuk është i kënaqur me vendin dhe se individët e zgjedhur në pozita nuk kanë shumë njohuri për vlerën e artit, andaj me synimin se do të ndryshoj për të mirë dhe do të ngrit vetëdijen qytetare dhe qeveritare për kulturë ka marrë vendimin përkatës së vetëm përmes politikës idetë e tij mund të shndërrohen veprime me rezultate të domosdoshme.

“Po, pas një kohe të gjatë që kam analizuar situatën në Kosovë, kam ardhur në përfundim që nuk mund të qëndrojmë  anash.  Ne të gjithë merremi me politikë (jemi qenie politike ka thënë Aristoteli), por këtu tek ne vetëm duke u angazhuar nëpër parti politike mund edhe t’i imponosh idetë tua. Unë nuk jam i kënaqur me gjendjen e vendit tim dhe dua ta ndryshoj. Këtë nuk kam mundur ta bëj përmes artit sepse njerëzit nëpër pozita nuk e dinë rëndësinë e artit, të kulturës dhe kam ardhur në përfundim që shtetin tonë të krijuar me shumë mund, ta marrim në dorë vetë, ne njerëzit që lexojmë, që shohim filma, që dëgjojmë muzikë… Shkurt e shqip ky vend ka nevojë për njerëz që mendojnë dhe veprojnë mirë dhe unë ketë gjë e bëj tërë kohën”.

Ben Apolloni ka mbaruar studimet për regji teatri dhe master për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë për dy vjet anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (mars 2011 – shtator 2013) dhe nga janari deri në qershor 2016, zv/kryeredaktor e më pas kryeredaktor i revistës “Plisi” në Cyrih të Zvicrës, deri në shtator 2016. Ka realizuar disa filma të shkurtër si regjisor e skenarist, të shpërblyer me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe disa shfaqje nëpër teatro të ndryshme në Kosovë e Maqedoni./KultPlus.com

Besa Shahini i quan portalet “kazan”

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini është revoltuar jashtëzakonisht me lajmet e pavërteta dhe të pabazuara që po i botojnë mediat tona ku ka reguar në faqen e saj në Facebook.

Sipas ministres Shahini lajmët që qarkulluan se është shkarkuar drejtoresha e re e Drejtorisë Arsimore Dibër, zonja Brigena Dani janë të pavërteta sepse është shkarkuar Drejtori i mëparshëm i cili ka thyer rregullat, por jo kjo e fundit e cila është vendosur.

Ky është postimi i plotë:

“O portale – që për herë të parë po i bashkangjitem kolegëve dhe ju quaj “kazan” – Drejtori i shkarkuar i DAR Dibër është ai i mëparshmi i cili nuk ka respektuar rregullat e punësimit dhe jo Brikena e cila është komanduar tani vonë dhe po vendos rregull në Dibër.
Dhe – dhe kjo është e rëndësishme – nuk shkarkon Kryeministri punonjës, por e bën eprori apo eprorja pas një procedure të gjatë verifikimi nëpër komisione disiplinore.”/KultPlus.com

Haradinaj emëron këshilltar të jashtëm një arbresh të Italisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka emëruar këshilltar të jashtëm Rosario Petta, kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali.

Haradinaj e ka pritur të premten mbrëma delegacionin e arbëreshëve të Italisë. Aty kryeministri tha se dëshirojnë që të bashkëpunojnë më shumë me arbëreshët e Italisë.

“Unë besoj qe lidhja jonë me ju nuk është vetëm lidhje e gjakut mes shqiptarëve, është edhe lidhje e shqiptarëve me Italinë. E kemi lidhë edhe më shumë Italinë me shqiptarët. Jam i bindur që Qeveria e Italisë e përkrah këtë lidhje. Dëshirojmë të ju përkrahim e ndihmojnë edhe në ruajtën e traditës, gjuhës, por dëshirojmë të shkëmbehemi në ekonomi e kulturë, dhe ndjenja njerëzore të dashurisë”, tha ai dhe shtoi se “ju jeni ata qe i kenë mbet besnik vetës”.

Ndërsa ministri i Diasporës, Dardan Gashi, tha se shpreson që këto ditë të organizuara për arbëreshët të jenë vetëm fillimi dhe shtoi se beson se këto aktivitete që i kanë filluar të jenë të përhershme.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ka shqiptarë kudo në botë.

“Jemi popull jo problematik, jemi popull paqedashës. Gati çdo i treti jeton jashtë vendit. Kudo shqiptarët janë të integruar. Shqiptarët nuk i kanë humbur traditat dhe vlerat”, tha ai.

Ndersa Rosario Petta tha se janë të nderuar për të gjithë respektin që u është bërë nga institucionet e Kosovës.

“Urojmë qe ky është fillimi i hapjes së rrugëve të reja mes arbëreshëve të Italisë dhe institucioneve të Kosovës. Kryeministri na tha mos të ndjehemi në territor të huaj, ne në fakt ndjehemi si në familjen tonë, na bëjnë të ndjehemi si në shtëpinë tonë, ndjehemi shume të unifikuar me ju”, tha ai

Testamenti i Mitrush Kutelit për fëmijët: Mos iu shkasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuani pa faj

Në foto: Shkrimtari MITRUSH KUTELI (13 shtator 1907 – 4 maj 1967) me të shoqen dhe me fëmijët e tij.

Kuteli: një tokë kjo tek gëlojnë gjarpërinjtë e të vrasin shokët, se u bën hije

Në letrën e lamtumirës, që “mjeshtri i fjalës së shkruar” ka lënë para vdekjes, më së pari këshillon fëmijët që të “mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj”, duke vazhduar me përjetimet nga terreni i letërsisë, “një tokë kjo tek gëlojnë gjarpërinjtë e të vrasin shokët, se u bën hije”. Po çfarë thotë tjetër në tekstin e testamentit MITRUSH KUTELI, gjeniu i letrave shqipe:

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrat e këqia. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minuta ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli.. Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehja e madhe, shkëputja nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike dhe shpirtërore. Që të dyja të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasoje e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt. (…) Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di.. I di ditët dhe netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër intereset vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër englezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali m i k gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë m i k, po vetëm k a p i t a l. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë. Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija – të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin. Nisa të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa – dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3 (…)

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti, Dhimitraq

11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)

Ti dhe Uji

Ali Podrimja

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com