‘Pasojat’ e të qenit LGBT

Sarandë Rugova

‘Consequences’ (Pasojat) është filmi i cili trajton një tematikë të ndjeshme për shoqërinë sllovene, të drejtat e LGBT-së, një realitet shoqëror i cili ende nuk pranohet me një këndvështrim pranues në Slloveni, shkruan KultPlus.

‘Consequences’ është realizuar nga regjisori i ri slloven Darko Stante, i cili po ashtu ka shkruar skenarin e filmit bazuar me disa përvoja të tij që i ka hasur në punë, do të thotë të drejtat e LGBT të cilat nuk janë të rregulluara mjaftueshëm ashti siç do duhej të jenë.

Andaj, edhe gjatë realizimit të filmit ka hasur në vështirësi të ndryshme, puna me aktorët nuk ka qenë edhe aq e lehtë sipas Stante, mirëpo ata e kishin pranuar rolin pa hezitim.

‘Puna me aktorët ka qenë vështirësia më e madhe gjatë realizimit të filmit. Unë kam vendosur që aktorët të jenë amator, jo profesionist. Një agjenci kastingu i ka zgjedhur ata, ndërsa pjesa më e rëndësishme ka qenë për t’i pyetur se a e kanë problem të luajnë rolin e një pjesëtari të komunitetit të LGBT-së, do të thotë për tu puthur me një mashkull tjetër dhe kjo ka qenë shumë e pranueshme për ta’, rrëfeu Stante.

Në shoqërinë sllovene ende ekziston një lloj paragjykimi për komunitetin LGBT, andaj rrugëtimi realizues i projektit të cilin kishte vendosur që ta dërgoj deri në fund ka qenë i vështirë por jo edhe i pamundur.
‘Kur kërkonim lokacione dhe u tregonim skenarin i cili do të implementohet në teren ata e merrnin si diçka që do të ndodhë në jetën reale, andaj hezitonin. Lokacioni i zgjedhur në film janë kampet e studentëve’, theksoi Darko Stante.

Në këtë film trajtohen dy tematika, tema e drogës e cila nuk është problem vetëm në Slloveni, por kudo në botë. Mirëpo, ajo që shihet si problematike janë të drejtat e LGBT-së.

‘Për këtë skenar kam vendosur vet unë sepse të drejtat e LGBT-së në Slloveni duken që janë normale, por kjo është vetëm në aspektin formal. Ka ende habitshmëri sidomos në Lubjanë, kur e shohin një mashkull duke ia mbajtur dorën mashkullit tjetër. Andaj, ky film ka qenë një goditje për qytetarët, të cilët kanë ardhë në kinema për ta shikuar filmin dhe kanë dalë në gjysmë. Madje njëri në gjuhën serbe kishte përdorur fjalë fyese, dhe kjo duket qesharake por njëherit edhe tragjike’, rrëfeu regjisori i filmit ‘Consequences’.

Filmi ka pasur sukses të madh nëpër disa vende të ndryshme të botës ku është shfaqur dhe vazhdon të shfaqet. / KultPlus.com

KultPlus sjell Erza Muqollin në Kosovë

Erza Muqolli për herë të parë do të prezantohet para audiencës kosovare, e cila është figura e edicionit të tretë “Ta zbardhi ftyrën”, projekt ky brenda platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.

Erza Muqolli e cila me hapa gjigant është duke shënuar suksese në vendet frankofone, fillimisht si fëmijë e tashti edhe me lansimin e këngës së parë të albumit solo, album që pritet të lansohet së shpejti, po vjen në Kosovë në fund të muajit korrik.

“Tashmë gjithcka është e konfirmuar. KultPlus sivjet do të shënojë edicionin e tretë të ngjarjes kulturore “Ta zbardhi ftyrën”, që organizohet nga KultPlus, dhe që ka për qëllim paraqitjen e artistëve me ndikim në botën e jashtme, sikurse që është duke e shënuar një sukses të tillë edhe Muqolli në Francë dhe jo vetëm”, ka shpjeguar Ardianë Pajaziti, themeluese e platformës për art dhe kulturë “KultPlus”.

Pajaziti ka bërë të ditur se kjo ngjarje kulturore do të mbahet më 30 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare prej orës 20:00, ku Erza Muqolli para të pranishmëve do të tregojë për rrugëtimin e saj në Francë, sikurse që do të jetë edhe pjesa e performancës së saj.

Kjo ngjarje kulturore është mbështetur nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ministria e Integrimeve.

Kjo mbrëmje në Kosovë vjen menjëherë pas paraqitjes së Erza Muqollit në Francë, e cila është prezantuar në një koncert që është ndjekur nga 40 mijë të pranishëm.

Erza Muqolli është shprehur e kënaqur që po shënon paraqitjen e saj të parë para audiencës kosovare, dhe pikërisht kjo paraqitje po ndodhë nëpërmjet gazetës online për art dhe kulturë KultPlus.

“Ta zbardhi ftyrën” edicionin e parë e ka nisë me Sislej Xhafa e Imer Kutllovcin, edicionin e dytë e ka shënuar me Flaka Gorancin, kurse sivjet do të shënohet me Erza Muqollin./KultPlus.com

Klosi: Lirojmë 20% të hapësirave të zaptuara nga privatët në plazhe

Task Forca e Turizmit dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik 2019 vijojnë punën për lirimin e hapësirave publike të plazheve, duke ia rikthyer ato qytetarëve.

Sot ky aksion u përqendruar tek plazhi “Pishat e buta”, në Golem, ku i pranishëm ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

“Jemi gjatë gjithë gjatësisë së bregdetit shqiptar nga kufiri më verior në Velipojë deri në Konispol poshtë në jug, nën drejtimin e prefektëve dhe patronazhimin e të gjithë kabinetit qeveritar për të zhvilluar një aksion të shpejtë gjatë këtij sezoni për të realizuar vendimin e Këshillit të Ministrave i cili në radhë të parë kërkon të sigurojë hapësirat publike të cilat nuk janë të uzurpuara nga privatët, nga vendosja e çadrave dhe nga vendosja e shezlonëve për të gjithë hapësirën e bregdetit dhe siç e shikoni këtu nën drejtimin e prefektes së Tiranës, dhe me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve që janë në këtë zonë për të realizuar këtë operacion, kemi një hapësirë të konsiderueshme, prej 2 mije metrash katrore, në një nga plazhet më të bukura të Golemit, që tashmë i ofrohet publikut”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, plazhe të tjera publike janë liruar edhe në stacione të tjera plazhesh, që mbulohen nga bashkia Kavajë, për të vijuar me realizimin e të njëjtit procesi edhe në plazhet që mbulohen nga bashkia Durrës.

“Tabelat e vendosura kudo në territorin e plazhit shqiptar tashmë janë hapësira për njerëzit e thjeshtë të cilët kanë mundësi të pushojnë të pashqetësuar nga operatorët privatë. Ne nuk jemi kundër biznesit privat, e nxisim që të realizojnë biznesin e tyre, të ofrojë cilësi shërbimi, akomodim dhe standard, por zbatimi i rregullave do të jetë i barabartë për të gjithë. Dhe kjo po zbatohet tashmë nën drejtimin e Task Forcës. Hapësirat publike për ato të cilët duan të pushojnë në këto hapësira, sigurimi maksimal i jetës së qytetarëve në këto stacione plazhi ku ka disa elementë të kësaj sigurie si në det dhe në ambientet ku realizohet ky aktivitet dhe e treta; pastërtia. Për të tre këta elementë ne do të kemi toleranë 0 dhe siç e shikoni në të gjithë zonën e bregdetit ka tashmë Task Forca të cilat po punojnë për të realizuar me përpikmëri secilën prej tyre”, u shpreh Klosi.

“Ky operacion do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror dhe forcat e rendit janë të porositura që të ruajnë këto hapësira për publikun dhe të menaxhojnë në mënyrë sa më të sigurt sezonin turistik. Jemi në një sezon që ka filluar i suksesshëm, kemi një rritje të numrit të turistëve të huaj edhe krahasuar me vjet, duhet që paralelisht me shtimin e kapaciteteve akomoduese të kemi më shumë rregulla për menaxhimin e sektorit publik dhe menaxhimin e plazhit. Ndaj gjithmonë e më shumë po del detyra dhe AKB e ka marrë këtë detyrë për të krijuar një sistem më të përqendruar menaxhimi të hapësirave publike ne plazhe”, tha ministri Klosi. /atsh/ KultPlus.com

Gruaja që vinte në orën gjashtë

Nga: Gabriel Garcia Marquez
Përktheu: Valbona Selmani

Dera lëvizëse u hap. Në këtë orë, në restorantin e Hozesë, nuk gjeje këmbë njeriu.

Ora sapo kishte shkuar gjashtë dhe burri e dinte që vetëm rreth orës gjashtë e gjysmë do të fillonin të vinin klientët e përditshëm.

Kaq e rregullt dhe e përpiktë ishte klientela e tij, saqë kur akrepi i orës po i afrohej gjashtës, hyri një grua e cila vinte si çdo ditë në po të njëjtën orë. Pa folur asnjë fjalë, u ul në karrigen rrotulluese. Midis buzëve shtrëngonte një cigare të pandezur.

– Përshëndetje, mbretëreshë! – tha Hozeja, kur e pa të ulej. Më pas, ai shkoi deri në anën tjetër të banakut, duke pastruar sipërfaqen e xhamit me një leckë të thatë.

Gjithmonë, kur dikush hynte në restorantin e tij, Hozeja sillej po njëlloj. Madje, edhe me gruan me të cilën kishte arritur të fitonte një lloj konfidence, hanxhiut bullafiq dhe faqekuq i pëlqente të tregohej i zellshëm dhe i kujdesshëm. Foli që nga ana tjetër e banakut:

– Çfarë dëshiron sot?

– Në rradhë të parë, dua të të mësoj të sillesh si kavalier. – tha gruaja.

Ajo ishte ulur në fund të rreshtit të karrigeve rrotulluese, me bërryla në banak dhe cigaren e fikur midis buzëve. Kur foli, shtrëngoi buzët që Hozeja të vërente cigaren e pa ndezur.

– Nuk e vura re. – tha Hozeja.

– Ende nuk ke vënë re gjë. – tha gruaja.

Burri e la leckën në banak, eci drejt dollapëve që vinin erë katran e tallash, dhe më pas u kthye me shkrepësen në dorë. Gruaja u përkul të arrinte flakën që digjej midis duarve leshatake e prej fshatari të burrit. Hozeja vështroi flokët e dendura të gruas, të ngjyera me vazelinë të trashë dhe të lirë. Pa supin e saj të zhveshur, mbi bustin me lule. Pa se si u ngrit gjoksi i varur, kur ajo çoi kokën, tashmë, me cigaren e ndezur në buzë.

– Je bërë shumë e bukur sot, mbretëreshë! – tha Hozeja.

– Lëri këto budadallëqe! – tha gruaja. – Mos mendo se me këto, do të më bësh që të të paguaj.

– Nuk e kisha fjalën këtu, mbretëreshë, – tha Hozeja. – Më duket se sot të paska bërë dëm dreka.

Gruaja thithi fort tymin e dendur të duhanit, kryqëzoi duart, bërrylat vazhdonte t’i mbante mbi banak, dhe shikimi i humbi tek rruga, që dukej përmes xhamit të restorantit. Kishte një pamje melankolike. Një melankoli e lodhur dhe vulgare.

– Do të të përgatis një biftek të mirë. – tha Hozeja.

– As sot s’kam pará.

– U bënë tre muaj që nuk ke para, po unë gjithnjë të përgatis diçka të mirë – tha Hozeja.

– Sot është ndryshe – tha gruaja shkoqur dhe vazhdoi të shihte nga rruga.

– Të gjitha ditët njëlloj janë. – tha Hozeja. – Çdo ditë, sapo ora shënon gjashtë, ti hyn, thua se ke një uri të tmerrshme, dhe atëherë unë të përgatis diçka të mirë për të ngrënë. I vetmi ndryshim është, që sot nuk po thua se ke një uri të tmerrshme, por se kjo ditë është ndryshe.

– Është e vërtetë. – tha gruaja. U kthye të shohë më mirë Hozenë, që ndodhej në anën tjetër të banakut, duke kontrolluar frigoriferin. U ndal dhe e vëzhgoi rreth dy-tre sekonda.

Më pas, pa orën mbi dollap. Ishte gjashtë e tre minuta. “Është e vërtetë Hoze, sot është ndryshe”, tha. Lëshoi tymin dhe vazhdoi të fliste me fjalë të shkurta, plot pasion: “Sot nuk erdha në gjashtë, prandaj është ndryshe, Hoze”.

Burri pa orën.

– Pres kokën, nëse kjo orë ngec, qoftë edhe një minutë. – i tha.

– Nuk është këtu çështja, Hoze. Por, sot unë nuk erdha në orën gjashtë. Erdha një çerek ore më përpara.

– Sapo kishte shkuar gjashtë, mbretëreshë. – tha Hozeja. – Kur ti hyre, ora sapo kishte shkuar gjashtë.

– U bë një çerek ore që po rri këtu. – tha gruaja.

Hozeja iu drejtua vendit ku rrinte ajo.

I afroi gruas fytyrën e vet të stërmadhe, të kuqe, ndërkohë që me gishtin tregues tërhoqi një nga qepallat e tij.

-Më fryj pak këtu. – i tha.

Gruaja e çoi kokën pas. Ishte serioze, e bezdisur, e ëmbël, ndërkaq, një hije trishtimi dhe lodhjeje, vetëm sa ia zbukuronte fytyrën.

– Mos fol marrëzira, Hoze! Ti e di se u bënë gjashtë muaj që nuk vë pije në gojë.

– Këtë thuaja dikujt tjetër , jo mua. Vë bast që keni marrë, të paktën, një litër të dy bashkë.

– Piva vetëm dy gllënjka me një shok. – tha gruaja.

– Ah, tani e kuptova – tha Hoze.

– S’ka asgjë për të kuptuar – tha gruaja. – Kam një çerek ore që rri këtu.

Burri mblodhi supet.

– Mirë, në qoftë se është kjo ajo që do ti, edhe unë po të them se ke një çerek ore që rri këtu. Në fund të fundit, askujt nuk i interesojnë dhjetë minuta më shumë, dhjetë minuta më pak.

– Ka edhe që iu interesojnë, Hoze … – tha gruaja, dhe shtriu krahët mbi banak, mbi sipërfaqen e xhamtë, me një fytyrë ku dukej fare qartë shpërfillja dhe indiferenca.

– Hoze, – tha pastaj, – çështja nuk është se kështu dua unë, po u bë vërtetë çerek ore që jam këtu”. Pa edhe një herë nga ora dhe e verifikoi: “Çfarë po diskutojmë ne, tashmë u bënë njëzetë minuta”.

– Në rregull, mbretëreshë. – tha burri. – Një ditë të tërë do të të falja unë për të të parë të lumtur.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Hozeja vazhdonte të lëvizte pas banakut, duke zhvendosur gjëra, duke hequr diçka nga njëri vend për ta vendosur në tjetrin. Ishte brenda karakterit të tij.

– Dua të të shoh të lumtur. – përsëriti ai. Pastaj, papritur, ndaloi, dhe u kthye andej nga ishte gruaja dhe tha:

– A e di që të dua shumë?

Gruaja e pa ftohtë.

– Me të vërtetë?! Çfarë zbulimi, Hoze! Mendon se do të flija me ty për një milion peso?

– Nuk doja të thoja këtë, mbretëreshë – tha Hozeja. – Vë dy herë bast që dreka të ka bërë dëm.

– Nuk po ta them për këtë, – i tha gruaja, dhe zëri i saj u bë pak më i vrazhdë. – Por, asnjë grua nuk do të mund të duronte një peshë si tënden, as për një milion peso.

Hozeja u skuq. U kthye me kurriz nga gruaja dhe vazhdoi t’ua hiqte pluhurin shisheve të dollapit. Foli pa kthyer kokën:

– Je shumë nervoze sot, mbretëreshë! Them, se do të ishte më mirë të haje biftekun dhe të shkoje të flije.

– Nuk kam uri. – tha gruaja. Dhe i mbërtheu sytë sërish tek rruga, duke parë kalimtarët e turbullt të qytetit në muzg. Për një çast, restoranti mbeti në heshtje, në mjegull. Një gjendje e amullt që u ndërpre nga zhurma që shkaktoi Hozeja në dollap. Papritur, gruaja e hoqi shikimin nga rruga dhe foli me zë të mekur, të butë, të ndryshëm:

– Është e vërtetë që më do, Pepijo?

– E vërtetë është. – tha Hozeja, thatë, pa e parë në sy.

– Pavarësisht nga ajo që të thashë? – pyeti gruaja.

– Çfarë më the? – tha Hozeja, ende pa e parë në sy dhe ende pa marrë emocionin që bartnin ato fjalë.

– Atë muhabetin e një milion pësove, – tha gruaja.

– Unë atë e harrova fare. – tha Hozeja.

– Atëherë, më do? – tha gruaja.

– Po, – tha Hozeja.

Pati një pauzë. Hozeja vazhdoi të lëvizte, po me fytyrë të kthyer drejt dollapëve, dhe përsëri pa e parë në sy. Ajo lëshoi një tjetër shtëllungë tymi, mbështeti bustin tek banaku dhe më pas, me kujdes, dinakëri e duke kafshuar gjuhën përpara se të fliste, sikur të ishte në majë të gishtave, pyeti:

– Edhe po të mos flija me ty?…

Vetëm atëherë Hozeja u kthye ta shihte sërish:

– Të dua aq shumë, sa edhe po të mos flija me ty, prapë do të doja. – tha ai.

Pastaj Hozeja eci drejt saj. U ndal ta shihte përballë. Krahët e fuqishëm i mbështeti në banak, përpara saj dhe duke e vështruar në sy i tha:

– Të dua aq shumë, sa çdo pasdite do ta vrisja atë burrë që shkon me ty…

Në çastin e parë, gruaja u duk dyshuese. Më pas, e pa burrin me vëmendje dhe me një shprehje të lëkundur keqardhjeje dhe talljeje. Në vazhdim bëri një pauzë të vogël, e shpërqendruar. Dhe, më pas, qeshi me sa fuqi kishte.

– Je xheloz, Hoze! Fantastike! Je xheloz!

Hozeja u skuq përsëri, dhe në fytyrë iu vizatua një turp i pafajshëm, si i një fëmije, të cilit, papritur, i kanë zbuluar të gjitha sekretet.

– Këtë pasdite nuk kupton asgjë, mbretëreshë! – tha – dhe fshiu djersët me leckë. Më pas, vazhdoi:

– Jeta e keqe, po të shëmton, më duket …

Por gruaja kishte ndryshuar shprehje. “Mirë, Hoze, nuk je xheloz.” – tha. Dhe vazhdoi ta shihte, por tani në sytë e saj kishte një shikim të çuditshëm, sfidues dhe njëkohësisht të trishtuar.

– Mirë, Hoze, atëherë nuk je xheloz. – përsëriti ajo.

– Në një farë mënyre, po, – tha Hozeja. – Por, jo ashtu siç mendon ti. – Liroi qafën dhe vazhdoi ta pastronte, duke e tharë me leckë.

– Atëherë? – pyeti gruaja.

– Çështja është se unë të dua aq shumë, sa nuk më pëlqen që ti të bësh këtë gjë.

– Çfarë? – tha gruaja.

– Këtë … Që shkon me burra të ndryshëm çdo ditë. – tha Hozeja.

– Është e vërtetë që do ta vrisje një burrë vetëm që të mos shkonte me mua? – tha gruaja.

– Që të mos shkonte, jo. – tha Hozeja. – Do ta vrisja, po të shkonte me ty.

– Është e njëjta gjë – tha gruaja. – Bashkëbisedimi kishte arritur në një pikë tepër ngacmuese. Gruaja fliste me zë të ulët, të ëmbël dhe si e magjepsur. E kishte fytyrën pothuajse ngjitur me faqen e shëndetshme dhe paqësore të burrit, i cili qëndronte i palëvizshëm, si i mahnitur nga avulli i fjalëve.

– Të gjitha këto janë të vërteta. – tha Hozeja. – Atëherë… – tha gruaja, dhe zgjati dorën për të përkëdhelur krahun e ashpër të burrit. Me dorën tjetër hodhi bishtin e cigares.

– Atëherë, ti vërtetë do të mund të vrisje një njeri?

– Për atë që të thashë, po. – tha Hozeja. Zëri i tij mori një nuancë gati dramatike.

Gruaja shpërtheu sërish në gaz, dhe u duk haptazi që po tallej me të.

– Çfarë tmerri, Hoze! Çfarë tmerri! – tha duke u shkrirë së qeshuri. – Hozeja duke vrarë një burrë! Kujt do t’i shkonte ndërmend që pas një burri kaq babaxhan dhe të ndershëm, që asnjëherë nuk më merr para, që çdo ditë më përgatit një biftek dhe hutohet duke biseduar me mua, deri sa gjej një klient, fshihet një vrasës. Çfarë tmerri, Hoze! Po më fut frikën!

Hozeja u çorodit. Ndoshta u ndie pak i fyer. Ndoshta, kur gruaja nisi të qeshte, u ndie dhe pak i zhgënjyer.

– Ti je e dehur, budallaqe! – tha ai. – Shko të flesh. As mos të të shkoj në mendje që ka për të të ardhur oreksi e të mund të hash diçka. – Por tani, gruaja, me bërryla të mbërthyer në banak, kishte pushuar së qeshuri dhe ishte bërë përsëri serioze, e menduar.

E pa burrin tek largohej. E pa tek hapte frigoriferin dhe tek e mbyllte sërish, pa nxjerrë asgjë që andej. Më pas, e pa tek shkonte deri në anën tjetër të banakut. E pa tek fërkonte xhamin e shndritshëm, si në fillim. Atëherë, gruaja foli sërish, por tani me një ton prekës dhe të butë : Është e vërtetë që më do, Pepijo? Hoze – e thërriti. Burri nuk e vështroi.

– Hoze!

– Shko të flesh! – tha Hozeja. – Dhe bëj një dush përpara se të shtrihesh, që të të dalë pija.

– E kam seriozisht, Hoze. – tha gruaja. – Nuk jam e dehur.

– Atëherë je bërë e keqe – tha Hozeja.

– Hajde këtu, dua të flas me ty. – tha gruaja.

Burri u afrua me mëdyshje mes kënaqësisë dhe mosbesimit.

– Afrohu!

Burri u ndal sërish përpara gruas. Ajo u përkul përpara, e kapi prej flokësh, me rrëmbim, por me një gjest të qartë dashurie.

– Ma përsërit edhe një here, atë që më the në fillim!

– Çfarë? -pyeti Hozeja. Mundohej ta shihte me kokën e përkulur nga kapja e flokëve.

– Që do ta vrisje atë burrë që shkon me mua.

– Do ta vrisja atë burrë që do të shkonte me ty, mbretëreshë. Është e vërtetë – tha Hozeja.

Gruaja e lëshoi.

– Po në qoftë se do të isha unë ajo që do ta vriste, a do të më mbroje? – Ajo i tha me vendosmëri e seriozitet këto fjalë, dhe, me një lëvizje të fortë e tunduese, e shtyu tutje kokën, si të derrit, të Hozesë.

Burri nuk iu përgjigj fare; buzëqeshi.

– Mu përgjigj, Hoze! – tha gruaja. – Do të më mbroje, në qoftë se unë do ta vrisja?

– Kjo varet – tha Hozeja. – Ti e di që kjo nuk është aq e lehtë sa duket…

– Askujt, më shumë se ty, nuk i beson policia. – tha gruaja.

Hozeja buzëqeshi, krenar dhe i kënaqur. Gruaja u përkul sërish drejt tij, nga maja e banakut.

– Është e vërtetë, Hoze. Jam gati të vë dorën në zjarr që ti nuk ke thënë kurrë, qoftë edhe një gënjeshtër.

– E kush ia ka parë hajrin kësaj gjëje… – tha Hozeja.

– Pikërisht – tha gruaja. – Policia e di dhe të beson çdo gjë, pa të të pyetur dy herë.

Hozeja filloi t’i binte lehtë banakut, përpara saj, pa ditur ç’të thotë. Gruaja pa sërish drejt rrugës. Më pas, pa orën dhe modifikoi tonin e zërit të saj, sikur të donte ta mbyllte dialogun përpara se të vinin klientët e parë.

– Po për mua, a do të thoje një gënjeshtër, Hoze? – i tha. E kishte seriozisht.

Hozeja u kthye ta shihte, dhe e pa, por ashpër, me dyshim, sikur t’i kishte mbirë një ide e tmerrshme në kokë. Një ide që hyri nga njëri vesh, u rrotullua për një moment, e zymtë, konfuze dhe më pas doli nga tjetri, duke lënë një gjurmë të lehtë ankthi.

– Në çfarë telashi ke hyrë, mbretëreshë?

Ai u përkul përpara, dhe i kryqëzoi sërish duart mbi banak. Gruaja ndjeu avullin e fortë dhe pak të amonjaktë të frymëmarrjes së tij, që bëhej e vështirë nga presioni që ushtronte banaku mbi stomakun e burrit.

– E kam seriozisht, mbretëreshë! Në çfarë telashi ke hyrë?

Gruaja ktheu kokën nga ana tjetër.

– Në asnjë – tha. – Thjesht, po flisja për të kaluar kohën.

Më pas, filloi ta shihte sërish.

– Thashë se mos ke ndërmend të vrasësh ndonjë njeri?!… – tha gruaja.

– Asnjëherë nuk kam menduar të vras dikë. – tha Hozeja i shpërqendruar.

– Jo, o njeri! – tha gruaja. – E kam fjalën për dikë që fle me mua.

– Ah! – tha Hozeja. – Tani po, që po flet qartë. Gjithnjë kam menduar, se nuk ke nevojë të bësh këtë jetë. Të betohem se në qoftë se e le këtë gjë, do të të jap biftekun më të madh çdo ditë, pa të marrë asnjë qindarkë.

– Faleminderit, Hoze! – tha gruaja. – Por çështja, nuk është këtu. Tashmë, nuk do të mund të shkoj më, me askënd.

– Prapë po i bën lëmsh gjërat. – tha Hozeja.

Gruaja po fillonte të dukej e paduruar.

– Nuk po bëj lëmsh asgjë. – tha ajo. – Pastaj u mbështet në karrige dhe Hozeja pa gjoksin e saj të varur dhe të trishtuar nën bust.

– Nesër do të iki, dhe të premtoj se nuk do të të bezdis më kurrë. Të premtoj se nuk do të shtrihem më me askënd.

– Nga të hipi kjo temperaturë? – tha Hozeja.

– E vendosa para një çasti. – tha gruaja. – Vetëm para një çasti e mblodha mendjen përfundimisht se kjo është një gjë e pistë.

Hozeja e mori përsëri leckën dhe nisi të fërkonte xhamin, pranë saj.

– Prandaj e bën ti këtë gjë, se është gjë e pistë. – tha ai, pa e parë në sy. – Duhet ta kishe menduar prej kohësh.

– Prej kohësh e kam menduar – tha gruaja. – Por, vetëm përpara një çasti u binda plotësisht që kam neveri nga burrat.

Hozeja buzëqeshi. Ngriti kokën për ta parë, ende duke buzëqeshur, por e pa si të ngrirë, konfuze, duke folur dhe me shpatulla të ngritura; duke u lëkundur në karrigen rrotulluese, me një shprehje të pikëlluar në fytyrën e argjendtë, në të cilën kishte rënë një pluhur i parakohshëm vjeshte.

– Nuk mendon se duhet lënë e qetë një grua që vret një burrë, sepse, pasi ka shkuar me të, ndjen neveri nga ai dhe nga të gjithë burrat që kanë shkuar me të?

– Nuk ke pse të shkosh aq larg. – tha Hozeja, i prekur dhe me një nuancë keqardhjeje në zë.

– Edhe nëse gruaja i thotë burrit se ka neveri nga ai kur e sheh duke u veshur, ngaqë kujtohet se ka qenë duke u zhgërryer me të gjatë gjithë mbasdites dhe atë çast ndjen se, as sapuni dhe as shtupa nuk do të mund t’ia heqin erën e tij?

– Kjo gjë ndodh, mbretëreshë – tha Hozeja, tani akoma më i përqendruar, duke pastruar banakun. – Nuk ke pse ta vrasësh. Thjesht, lëre të ikë.

Por, gruaja vazhdonte të fliste dhe zëri i saj ishte një rrymë uniforme, e lëshuar, pasionante.

– Edhe kur, megjithëse gruaja i thotë përsëri se ka neveri nga ai, burri, sikur të mos ketë dëgjuar asgjë, zhvishet përsëri e vrapon drejt saj ta puthë edhe një herë, ta…?

– Këtë gjë nuk e bën asnjë burrë i denjë – tha Hozeja.

– Por, nëse e bën? – tha gruaja, me një ankth të padurueshëm. – Po nëse burri nuk është i denjë dhe e bën, dhe atëherë gruaja ndjen se mund të vdesë nga neveria për të, dhe e di që e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund të gjithë kësaj historie është t’i fus një thikë nga poshtë?

– Ky është kanibalizëm! – tha Hozeja. – Për fat të mirë, asnjë burrë nuk e bën atë që thua ti.

– Epo, mirë, – tha gruaja, tani akoma dhe më e paduruar. – Po nëse e bën? Le të supozojmë, se e bën.

– Po mund ta durosh, se nuk zgjat shumë. – tha Hozeja dhe vazhdoi të pastronte banakun, pa lëvizur nga vendi, por tani pak më i shpërqendruar dhe jo aq i vëmendshëm ndaj bisedës.

– Gruaja goditi xhamin me grusht, e vendosur dhe e irrituar.

– Ti je kafshë, Hoze! – tha. – Nuk kupton asgjë.

Pastaj, e kapi me forcë nga mënga:

– Hajde, thuaj që gruaja duhet ta vriste.

– Dakord – tha Hozeja, me një kthesë pajtuese. – Ti ke të drejtë në të gjitha ato që thua.

– Ti, Hoze, mendon se kjo është mbrojtje personale?!… – tha gruaja duke e shkundur nga mënga.

Hozeja, atëherë, i hodhi një shikim të vakët dhe miratues për t’ia bërë qejfin. “Gati, gati”, tha. Dhe i shkeli syrin, me një gjest që ishte njëkohësisht një mirëkuptim i përzemërt dhe një marrëveshje e frikshme bashkëpunimi. Gruaja e lëshoi dhe vazhdoi serioze.

– A do të thoshe një gënjeshtër për të mbrojtur një grua që e ka bërë këtë gjë?

– Varet – tha Hozeja.

– Nga se varet? – tha gruaja.

– Varet nga gruaja. – tha Hozeja.

– Le të supozojmë se është një grua të cilën e do shumë. – tha ajo. – Jo për të fjetur me të, a më kupton? Por, siç thua ti, që e do shumë.

– Mirë, si të thuash ti, mbretëreshë! – tha Hozeja, dhe shfryu i bezdisur.

U largua përsëri. Pa orën. Pa që ora po shkonte gjashtë e gjysmë. Mendoi, se brenda disa minutave restoranti do të mbushej me njerëz dhe ndoshta, për këtë arsye nisi të fërkonte xhamin më me shumë forcë, duke parë drejt rrugës përmes kristalit të dritares. Gruaja qëndronte në karrige e heshtur, e përqendruar dhe duke parë me një hije trishtimi lëvizjet e burrit. Duke parë, sesi mund të shohë një burrë, një llambë që ka nisur të shuhet. Papritur, foli sërish, me një zë tepër të butë.

– Hoze!

Burri e vështroi me një ëmbëlsi të thellë dhe paksa i trishtuar, si një viç i vogël, qumështor. Nuk e vështroi për ta dëgjuar, ndoshta vetëm për ta parë, për të ditur që ishte aty, duke pritur një shikim që nuk kishte pse të ishte mbrojtëse apo solidariteti. Ndoshta thjesht një shikim.

– Të thashë se nesër do të iki, dhe nuk më the asgjë – tha gruaja.

– Po. – tha Hozeja. – Por nuk më the se ku.

– Atje, – tha gruaja. – Ku të mos të ketë burra që duan të flenë me një femër.

Hozeja nisi të buzëqeshë përsëri.

– Seriozisht do të ikësh? – e pyeti, duke e ndryshuar papritur shprehjen e fytyrës, në një mënyrë të tillë, sikur po meditonte mbi jetën.

– Kjo varet nga ti. – tha gruaja. Në qoftë se do të dish të thuash, se në çfarë ore erdha, nesër do të iki dhe nuk do të përzihem më me këto gjëra. A të pëlqen kjo gjë?

Hozeja, i buzëqeshur, bëri me kokë një gjest pohues dhe të qartë. Gruaja u përkul andej nga ishte ai.

– Nëse një ditë do të kthehem këtej, do të bëhem xheloze po të gjej një grua tjetër duke folur me ty, në këtë orë dhe pikërisht në këtë karrige.

– Nëse kthehesh këtej, duhet të më sjellësh diçka – tha Hozeja.

– Të premtoj se do ta kërkoj gjithandej arushin e lëkurës, që të ta sjell, – i tha gruaja.

Hozeja buzëqeshi dhe e kaloi leckën në hapësirën që ndodhej midis tij dhe gruas, sikur të ishte duke pastruar një kristal të padukshëm. Edhe gruaja buzëqeshi; tani, me një gjest të përzemërt dhe joshës. Pastaj burri u largua duke pastruar xhamin nga cepi tjetër i banakut.

– Çfarë? – tha Hozeja, pa e parë në sy.

– A do t’i thuash kujtdo që të të pyesë, se në çfarë ore erdha; se erdha në gjashtë pa një çerek? – e pyeti gruaja.

– Përse? – tha Hozeja, ende pa e parë dhe tani në një mënyrë të tillë, sikur sapo e kishte dëgjuar.

– Kjo s’ka rëndësi – tha gruaja. – Çështja është që ta bësh.

Atë çast, Hozeja vuri re klientin e parë që hyri nga dera lëvizëse dhe eci drejt një tavoline në cep. Pa orën. Kishte shkuar fiks gjashtë e gjysmë.

– Dakort, mbretëreshë! – tha i shpërqendruar. – Si të duash ti. Gjithmonë, unë bëj atë që do ti.

– Mirë. – tha gruaja. – Atëherë më përgatit një biftek.

Burri iu drejtua frigoriferit, nxori një pjatë me mish dhe e la në tavolinë. Më pas ndezi sobën.

– Do të të përgatis një biftek të mirë lamtumire, mbretëreshë.

– Faleminderit, Pepijo! – tha gruaja.

Ajo qëndroi e menduar, sikur papritur, të ishte zhytur në një botë të çuditshme, e banuar nga forma të turbullta, të panjohura. Nga ana tjetër e banakut, nuk u dëgjua zhurma që bëri mishi i freskët kur ra në yndyrën e përvëluar. Nuk dëgjoi më pas, kërcitjen e thatë dhe shushuritëse, kur Hoze ktheu biftekun në tenxhere dhe era e këndshme e mishit të skuqur filloi të mbushte, ngadalë, ajrin e restorantit. Mbeti kështu, e përqendruar, e ripërqendruar, derisa ngriti përsëri kokën, duke pulitur sytë, sikur vdiq dhe u ngjall sërish. Atëherë pa burrin që qëndronte pranë sobës, i ndriçuar nga zjarri i flaktë dhe bubulak.

– Pepijo! Ah! Për çfarë po mendon?

– Po mendoja, a do të mund ta gjesh me ndonjë vend arushin prej lëkure – tha Hozeja.

– Sigurish që po – tha gruaja. – Por, ajo që dua të më thuash është, nëse do të më jepje për lamtumirë çdo gjë që do të të kërkoja?

Hozeja e pa që matanë sobës.

– Sa herë do, që të ta përsëris? A do ndonjë gjë më shumë se biftekun më të mirë?

– Po – tha gruaja.

– Çfarë? – tha Hozeja.

– Dua një çerek ore më tepër.

Hozeja çoi trupin mbrapa, për të parë orën. Pastaj pa klientin që vazhdonte të qëndronte në heshtje, duke pritur në cep, dhe në fund pa mishin, e skuqur në tenxhere. Vetëm atëherë foli:

– Seriozisht nuk po kuptoj gjë, mbretëreshë.

– Mos u bëj budalla, Hoze. – tha gruaja. – Kujtohu që jam këtu që nga ora pesë e gjysmë…

Ylli i “Game of Thrones” nominon vetveten për një çmim të Emmy Awards

Gwendoline Christie, ylli i serialit të famshëm “Game of Thrones”, ka nominuar vetveten për një çmim Emmy pasi këtë gjë nuk e ka bërë HBO.

Aktorja, e cila u paraqit në këtë seri të njohur si Ser Brienne, u emërua në kategorinë për aktoren më të mirë mbështetëse në serie.

HBO konfirmoi se të nominuar janë Lena Headey, Maisie Williams dhe Sophie Turner. Aktori Alfie Allen dhe Carice van Houten gjithashtu kanë nominuar vetveten.

“Nuk mund ta besoj, faleminderit univers”, shkroi Christie në llogarinë personale në Instagram me rastin e nominimit të vetvetes.

Seriali është nominuar në 32 raste për çmimin prestigjioz Emmy, i cili është numri më i madh i nominimeve për një seri në një vit.

“The Hollywood Reporter” shkruan se Christie, Allen dhe Van Houte duhej të paguanin 225 dollarë për ta nominuar vetveten, gjë që është një praktikë e pazakontë për aktorët. /Telegrafi/ KultPlus.com

Nga viti i ardhshëm festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Gërmi

Festivali ndërkombëtar i muzikës “Sunny Hill”, tash e dy vite është mbajtur në parkun e kryeqytetit, Gërmi. 

Mirëpo, vitin tjetër pritet të ndërrohet lokacioni i këtij festivali, ndërsa kjo është bërë e ditur nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Gjatë ditës së sotme (e premte), ai ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, të cilët kanë shpalosur detaje të reja rreth festivalit.

Ky është postimi i plotë i ministrit Shala:

“Ngjarja e madhe kulturore në Kosovë, e cila ka bërë bujë ndërkombëtare, festivali “Sunny Hill”, nga viti i ardhshëm do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë-Prishtinë. Sot prita në takim përfaqësuesit e “Sunny Hill Festival”, Dukagjin Lipën me bashkëpunëtorët, dhe u dakorduam që ky festival nga viti i ardhshëm të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë, hapësirën e re e cila do të akomodojë dhjetëra mijëra njerëz më shumë, nga gjithë rajoni dhe Evropa, për ta bërë Kosovën destinacionin kryesor për verë.Misioni ynë është që ta promovojmë vendin tonë në botë, dhe ta nxisim turizmin kulturor në vend, përmes promovimit të vlerave tona të përbashkëta”. / KultPlus.com

Policia e Kosovës sqaron pse u gjobit prishtinasja që qeshi pas mesnate

Policia e Kosovës ka sqaruar se pse është gjobitur një qytetare në Prishtinë, e cila pas mesnate, tha se veç pse qeshi me zë mori gjobë nga një polic.

Policia e Kosovës, në interesim e Koha.net për të dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ka thënë se po atë natë, zyrtarët policorë kanë hasur në një grup të personave në mesin e të cilëve, një person i gjinisë femërore, përpos mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, “ka bërtitur me zë të lartë” dhe nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë.

“Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Policia e Kosovës, thuhet tutje në përgjigje, vetëm në dy javët e para të muajit korrik, Stacioni Policor Qendra ka pranuar gjithsej 65 thirrje/ankesa nga qytetarët e zonës Qendër të Prishtinës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi të për shqetësim nga ndotja akustike”, thuhet tutje.

PK-ja, shton se me datën 18 korrik 2019 në rrugën “Rexhep Luci”, pas ankesave të qytetarëve zyrtarët policorë u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë identifikuar lokalet dhe hapësirat të cilat bien ndesh me ligjin, pasi që të njëjtat nuk kanë zbatuar kufizimin kohor të paraparë me Ligjin 03/L-142, aty ku edhe është gjobitur prishtinasja.

Policia ka sqaruar edhe ku është bazuar në gjobitjen ndaj saj:

Neni 8

Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën

1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.

3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.

Zbulohet një xhami 1200 vjeçare, një ndër të parat në botë

Një nga xhamitë më të hershme në botë, e ndërtuar rreth 1 mijë e 200 vjet më parë, është zbuluar nga arkeologët në shkretëtirën Negev të Izraelit.

Mbetjet, që datojnë nga shekulli i 7 ose 8, u gjetën në qytetin beduin të Rahatit. Autoriteti i Antikve të Izraelit, thotë se xhamia u zbulua gjatë ndërtimit të punimeve në zonë, transmeton rtv21.tv.

Kjo është xhamia e parë e njohur nga kjo periudhë në zonë, duke krahasuar moshën e atyre që gjenden në Mekë dhe Jerusalem. Drejtuesit e gërmimit Jon Seligman dhe Shahar Zur thanë se xhamia do të jetë “një zbulim i rrallë kudo në botë”.

Studiuesit besojnë se kongregacioni i xhamisë ka shumë të ngjarë të kenë qenë fermerë lokalë. Ndërtesa ishte e formë drejtkëndore, kishte vendin e imamit dhe ishte e kthyer drejt Mekës (vend i shenjtë islam).

“Këto karakteristika janë prova për qëllimin që ishte përdorur kjo ndërtesë, qindra vite më parë”, ka thënë Mr Seligman.

Kjo është nga xhamit e para që është ndërtuar pas arritjes së Islamit në atë që njihet si Izraeli i sotëm, kur arabët pushtuan krahinën e atëhershme bizantine në vitin 636, sipas GIdeon Avni, një ekspert i historisë së hershme të Islamit./21Media / KultPlus.com

Filmi “Streha mes reve” në shtator në kinematë gjermane

Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfaqet nga 20 shtatori në 40 kinema në të gjithë Gjermaninë.

Filmi “Streha me mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina pak kohë më parë u shpall edhe filmi më i mirë në “Valletta Film Festival” në Maltë. Vlerësimi për filmin ishte me motivin: “Streha mes reve” për qasjen delikate të një subjekti të ndjeshëm për kohët që jetojmë, bashkëekzistencën paqësore mes katolicizmit dhe islamit, në sfondin kinematografik të maleve shqiptare”.

Filmi “Streha mes reve” muaj më parë u shfaq premierë botërore në një festival të kategorisë A në Estoni. Në film interpretojnë aktorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, emra që janë të vlerësuar dhe në botë me kinemanë. Në role interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala, etj.

Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në rininë e tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij.

Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. /atsh / KultPlus.com

Një aktore shqiptare përfaqëson Greqinë në skenën e Butrintit

Teatri Thessaliko, në Shqipëri me shfaqjen “Toka u ngjye në të kuqe”. Dramaciteti i shfaqjes në teatrin e Butrintit dhe loja e jashtëzakonshme e aktores shqiptare Marsela Lena në skenë.

Është e dyta herë që marr “udhën e të marrit” që nga Athina e vij të ulem qoftë edhe një natë me hënë përrallore, mbi ndenjëset e gurta të Amfiteatrit të madhërishëm të Butrintit në qytetin tim të lindjes, në Sarandën e bekuar nga perënditë e lashta dhe të mbetur po aty, për t’u mahnitur i madh e i vogël, nga e gjithë Bota! Tri vite më parë për të parë djalin-aktor të çiftit Dokle (Kleopatrës së Vlorës e Zehrudinit nga Kukësi që e ngritën “folenë” në Bullgari!), i njohur tashmë që nga skenat e ekranet e Sofjes e deri në ato të Hollivudit (USA) dhe tani, për të parë Marsela Lenën nga “Guri i Thatë” i Leskovikut, e cila ka 7 vjet që po ndrit në skenat e Athinës, të Pireut e të Larisës! Po, ja që, “margaritarët” ndrisin ca më tepër nëpër “gjokset e damave të huaja!” e ne do të mbetemi edhe për shumë kohe, një publik i varfër, i ulur nëpër gurët e këtyre amfiteatrove antike të vendit tim! Dhe unë, i ulur aty me mikun tim të nderuar, fqinjin e mençur të fshatit tim, Filozofin Përparim Kabo, -një nga ithtarët më të zjarrtë të këtij festivali të pazakontë, do të kuvendojmë për mjerimin tonë, kur shteti ynë, është tani, deri në atë “derexhe” sa nuk mundet t’i thërras këtu edhe trupa të tjera prestigjioze të rruzullit tokësor, veçse disa të fqinjëve më të afërt, që duken “nga më të largëtat”, kur na vijnë papritur, bashkë edhe me djemtë e vajzat tona mërgimtare, si ky Leart Dokle, të përfaqësojë Bullgarinë dhe kjo Marsela Lena të përfaqësojë Greqinë…. Është një dramë për tokën, për ëndrrat e fshatarëve të Thesalisë në të shkuarën, që të kenë tokën, bukën, shtëpitë e varret e tyre. Nikos Foskolos, i bazuar në ngjarje reale të historisë, duke e marrë spunton kryesore prej kryengritjes fshatare të Kilerelit të Thesalisë, e ka quajtur skenarin e vet “Toka u ngjye në të kuq” dhe fillimisht u xhirua si film, po në këtë hapësirë të gjerë të Greqisë. Ndërsa regjisorja Kyriaki Spanoy, Drejtoreshë Artistike e skenës qendrore të Larisës e realizoi si spektakël në teatrin e vet, duke përdorur aktorët, monitorët me ekranizimet filmike, artin pamor të grafikës e të pllakatit, teatrin e hijeve e te karagjozëve dhe një skenografi funksionale të Apostolos Vetas, që i shkon kësaj epoke të gjerë të kryengritjeve fshatare. Sfondi e karakteri historik, kështu, bëhet i pranishëm, i gjallë, me një epikë tronditëse të njerëzve të varfër e të thjeshtë që luftuan dekada të tëra për tokën, për bukën e varret e tyre, derisa i siguruan ato. Në këtë konflikt të madh shoqëroro-politik merr pjesë aktive edhe familja që e vuan direkt varfërinë e tejskajshme, robërimin e shfrytëzimin e çifligarëve vendas e zaptuesve të huaj që këtu paraqiten në trajtën simbolike si zogj grabitqarë me tipare të zeza. Konflikti është social, po edhe familjar. Paksa i shpërndarë dhe i fragmentarizuar. Dhe duhet të bëhet e të shpërbëhet gjithçka, të luftojë bujku me again që i pi gjakun, po edhe vëllai me vëllain, babai me të birin dhe në të kundërtën, i biri me babanë, deri në përdorim të pushkës e të litarit. Figurat skenike, ndonëse në një shtrirje të gjerë në epokë, arrijnë të alternohen, të konvergohen e të konkretizohen dhe regjisorja Spanoy ndërton artistikisht një tablo rrëqethëse të këtij konflikti historik, që vjen duke u ashpërsuar, sidomos nga fundi i spektaklit, aq sa, regjisores “i shpëton filli nga duart”, duke dalë nga shtrati i subjektit panoramik në kornizën e vetë fragmantare, me do ngjarje pasuese që përbëjnë drama e tragjedi që duheshin trajtuar më në brendësi ose veçmas, në të tjera drama e tragjedi skenike….E megjithatë penelata është hedhur në “pëlhurë” e atmosfera skenike është e tejngopur, duke mos mbajtur më stërhollime e shtojca të tilla. Kupa e verës nuk mbushet deri në buzën e saj, sa të derdhet!…..Ndofta, nuk do të shkonte këtu edhe retorika e tepërt, ne shpjegimet e gjata, pas çdo tabloje e në disa “funde” njëherësh, ku ana moralizuese “derdhet” me tepri, po njëlloj sikundër thamë për kupën e verës së tejmbushur!……

Roli

Gjithsesi tabloja pak a shumë “filmike” është dhënë me vija të trasha e me ngjyra të forta, me lëvizje skenike masive, ku personazhet realë dalin nga rolet e tyre e plotësojnë të tjera figura, të njerëzve, zogjve e kafshëve, që vërtiten në jetën baritore. Aktorët Thanasis Zervas, Josif Josifidis, Marsela Lena, Dhimitris Mamios, Aleksandrios Moykanos e Christos Kordhelas, edhe pse nuk “shpëtojnë dot” nga njëfarë teatraliteti deklamativ , që deri diku ua sugjeron skena e hapët. Po dinamika interpretative dhe sidomos shfrytëzimi i të dyja kullave anësore e bëjnë më interesante veprimin e tyre skenik, figurshmërinë e simbolikën e jetës fshatarake. Do të veçoja këtu, si më të natyrshëm e më konkret në interpretimet e tyre, Marsela Lenën në rolin e Irinës dhe Dhimitris Mamios në rolin e Jangos, motër e vëlla në skenë, që mbetën fillim-mbarim figurat skenike më të dashura e më të realizuara mjeshtërisht, me plastikë, organicitet e botë shpirtërore të pasur. Gjithashtu, në çaste të veçanta, të dy vëllezërit çifligarë kanë potencë e individualitetin e tyre: Josif Josifidis, për tonalitetet e ashpra e veprimet e dhunës mes fshatarëve e sidomos kundrejt Irinës, të cilën e zapton me thonj, për ta “bërë të tij” nëpërmjet dhunës dhe, vëllai tjetër, po çifligar, që përfaqëson humanistin dhe rrugën e drejtë të pasurimit, logjikën e një jete më të ndershme, interpretuar qetësisht prej aktorit Thanasis Zervas.

Aktorja imcake, e cila u kthye në divë për teatrin

Në antipodin tjetër, kundrejt tyre, që lufton për të mirën e të drejtën, për tokën e bukën e gojës, me një natyrësi e pathos lirie, me një optimizëm, zhdërvjelltësi e një dozë humori si njeri, është vëllai i Irinit, Jango, interpretuar prej Dhimitris Mamios, në një duet harmonie me të motrën, Irinën e Marselës tonë. Pa u “ngrënë hakun” aktorëve solid dhe me temperament të vrullshëm skenik të palës kundërshtare, vetiu nënvizohet interpretimi brilant i Marsela Lenës, një tërësi unike e figurës së fshatares së zonjë, që di të luftojë me stapin në duart e saj ose edhe me thonj e forcë krahu që të çlirohet disa herë nga dhunuesi i egër; po, sa e hareshme ndër valle, aq edhe e hirshme e lozonjare me të vëllanë, si edhe fort e ëmbël në çastet kur i rreh zemra edhe për një burrë. Asaj nuk i ka mbetur më asgjë, veçse “qielli që ka mbi krye!”. E keqtrajtuar si bujkeshë gjysmatare, ajo do të bëhet një trimëreshë plotë hire. Me kalime të befasishme, që shoqërohen me veprime, detaje e nuanca të psikologjisë njerëzore, bile edhe me hire poetike, si të ishte një Zhan’Dark e vërtetë! Dhe së fundi, Marsela do të na befasojë, para mbylljes së spektaklit, përbrenda lëkurës së një ariu polar që do të hyje në këtë fshat, atëherë kur toka bëhet e fshatarëve dhe lipset që edhe arinjtë e pyllit të hyjnë në vallen e gëzimit! Kur flasim për Marselën, është njëlloj sikur të themi dhe të lutemi që të “dalë hëna e të ndriçojë dhenë!”. Se është me të vërtetë një artiste e ndritshme, që do të rrezatojë e shkëlqejë sa herë që do të dalë në skenën e vet. Në çfarëdolloj roli që do t’i jepet…Edhe kur është personazhi i pagojë, edhe kur s’ka fare tekst, po edhe kur i jepet roli me një duzinë fjalësh, ajo ka mjeshtërinë të krijojë një figurë artistike që mbahet mënd për shumë kohë e dekada. Në një farsë a vodevil, në një komedi realiste apo komedi të zezë, në një drame a tragjedi, Marsela është po ajo aktore, por krejt e ndryshme nga roli në rol, me po atë pasion krijues e interpretues. Në skenën e Athinës kam parë shtatë figura krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, bile edhe tri role brenda së njëjtës shfaqje, që është vështirë të dallosh se ku është Marsela, se ku ngjan më tepër me origjinalen e “Gurit të Thatë” të Leskovikut! Nuk ekzagjeroj aspak duke e pohuar këtë dhe, po nuk besuat pyeteni ju lutem të Madhin Robert Ndrenika, t’u thotë sesi, 10 vjet me parë, kur mori Çmimin e parë të “Kult”,-it pa se si përbri tij qe edhe një aktore imcake që s’ta mbushte dot mendjen. Ishte pikërisht Marsela Lena…. Edhe ajo do të merrte çmimin e parë?! Po…Po kjo aktore që interpretoi në skenën e Teatrit Antik të Butrintit, këtë vajzë greke të Thesalisë, me një diksion tmerrësisht të pastër të gjuhës greke, me një nur skenik të jashtëzakonshëm dhe e “larë nga djersa”, me petkat e ngjitura në trupin e vet, prej stërlodhjes, kur “Kurora e Hënës” zbriti mbi kryet e saj në fundin e kësaj shfaqjeje mbresëlënëse dhe plotë dritë nga Magjia e Butrintit! Publiku i mesnatës largohet dhe shkallaria e gurtë e “patkoit” mijëvjeçar do t’i presë përsëri njerëzit e teatrit vitin e ardhshëm, nëse shteti do të mendohet që ta shpëtojë festivalin e tij më të rëndësishëm, si një rrjedhë mrekullie e vjetër dhe e re, një magji e përhershme, jo vetëm e jona!/Miho Gjini, Shekulli. / KultPlus.com

Kalaja e Beratit mirëpret edicionin e gashtë të festivalit multikulturor

Të enjten në mbrëmje u hapë festivali multikulturor në Berat, që zhvillon edicionin e tij të gjashtë.

Organizatori Mario Guralumi tha në hapje të festivalit se janë tre ditë të plota me muzikë dhe me shfaqje të filmave kryesisht mbi trashëgiminë kulturore.

“E veçanta e këtij festivali është që aktiviteti është përqendruar në kalanë e qytetit tonë që është një krenari e Beratit dhe një atraksion që duhet promovuar gjithnjë e më shumë. Kjo është arsyeja e fortë përse e kemi zhvendosur këtu, edicionin e gjashtë.”

Më pas fjalën e mori nënkryetarja e bashkisë së Beratit, Hafize Skendo e cila theksoi që bashkia Berat ka qenë mbështetës kryesor i këtij eventi që gjashtë vite.

“Organizimi i eventeve të tilla është sfidë për ne, dhe aq më tepër organizimi në qendrën historike në kala duke e promovuar atë dhe lagjet muzeale, të cilat janë vlerë jo vetëm për qytetin tonë por sot njihen si vlerë për Shqipërinë dhe Europën.

Më pas aktiviteti në natën e tij të parë vijoi me koncertin e grupit austriak “Leyya”.

Ky koncert u ndoq nga artdashës, banor të kalasë por dhe nga turistë të huaj të cilët kishin ardhur për të vizituar kalanë e qytetit.

Edicioni i 6 do të zhvillohet nga data 18 deri në 20 korrik 2019. / atsh / KultPlus.com

G4shi në vitin 2020 do të lansojë linjën e veshjeve ‘Gashi’

G4shi vazhdon të jetë mjaft i pëlqyer nga publiku për stilin e tij muzikor. 

Reperi, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Amerikë, tashmë ka ndërtuar një karrierë të suksesshme muzikore.

Krahas kësaj, ai së fundmi ka njoftuar fansat se në vitin 2020 do të lansojë linjën e veshjeve Gashi.

Kjo u bë e ditur nga vetë ai përmes një postimi të ndarë me ndjekësit në llogarinë e tij personale, Instagram.

“Në vitin 2020 do të bashkëpunojë me një kompani për të lansuar linjën e veshjeve Gashi. Dua të fokusohem në dizajnimin e njerëzve për mua, të cilët janë në një “ane më të madhe”, dua që njerëzit të ndihen rehat. Unë me të vërtetë jam i sëmurë nga veshjet që nuk më bëjnë të ndihem mirë dhe ndjehem keq, kështu që do të bëjë diferencë duke filluar që nga vetja ime”, ka shkruar mes të tjerash 29-vjeçari.

Ndër të tjerash, G4shi edhe këtë vit pritet të vijë në Kosovë, në festivalin “Sunny Hill”, me ç’rast do të promovojë edhe albumin e ri. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ish-ushtari britanik i UÇK-së: Kosovë të dua, ti më ke dhënë jetën dhe shëndetin tim prapa

Ish-ushtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, ka njoftuar se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Në një shkrim të bërë në profilin e tij zyrtar në Facebook, ai ka thënë se tumoret që ka pasur janë duke iu pakësuar.

Harrison ka shprehur edhe një herë dashurinë që ka për Kosovën, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se pret me padurim që ta vizitojë Kosovën si dhe t’i shijojë ushqimet kosovare.

Shkrimi i plotë:

“Azhurnimi i fundit i shëndetit

Përshëndetje të gjithëve, mendova se ishte koha që unë ju thashë të gjitha gjërat që po ndodhin me shëndetin tim
Le të fillojmë me trurin. Kam pasur 3 raunde të trajtimit me thikë Gamma Knife dhe deri më tani gjërat po shkojnë shumë mirë. Nuk kam më dhimbje koke të mëdha, të cilat i kam pasur për 5 vjet.

Tumori është 75% i vdekur dhe tjetri 25% unë shpresoj se do të vdes, unë do të njoh më vonë.

Trajtimi i tumoreve të mia kurrizore është duke shkuar shumë mirë unë kam pasur 5 trajtime deri më tani dhe unë nuk kam pasur asnjë refuzim ndaj ADN-së të modifikuar që më kishin dhënë.

Tumori po pakësohet, jo aq shpejt sa priste, por po zvogëlohet.

Unë jam nën një profesor të madh që mund të bëjë një operacion MAJOR për të hequr infeksionin në mua që kam pasur për 10 vjet tani

Kjo mund të përfshijë amputimin e këmbës sime të majtë, dhe një pjesë të legenit tim, por unë nuk di asgjë për të caktuar ende.
Në prill, u ktheva në Kosovë dhe për herë të parë në 4 vjet u ndjeva i madh, unë isha plot energji që nuk e kam pasur aq gjatë. Ndjeva gjallë për herë të parë në 10 vjet.

Kam arritur të shkoj në krye të memorialit tonë në Koshare. Dhe kjo më bëri kaq krenarë!
Pra, gjërat duken të mira Kam ditët e mia të këqija, por kryesisht ditë të mira.

Unë nuk mund të presim që të jemi përsëri në shtëpi.

Shkoni në Soma, Restorant Gresa, ha pak Burek, oh njeri që më mungon Burek !!!!

Restorant STEAKHOUSE në një Ferizaj, wow çfarë një biftek.
Mendova herën tjetër që do të provoj të gjitha vendet e reja për të ngrënë dhe të shkoj për një pije të madhe të PEJË BEER TË Ftohtë !!

Pra ju lutemi sugjeroni disa !!!

Kosova të dua. Ti më ke dhënë jetën dhe shëndetin tim prapa, ti më ke dhënë një arsye për të luftuar për jetën, dhe më e rëndësishmja që ti më ke dhënë mua është dikush që të duash./Telegrafi/KultPlus.com

Michelle Obama, gruaja më e admiruar e botës

Për disa, ajo është “Zonja e Parë e Përjetshme”, por për të gjithë botën, Michelle Obama është më e admiruara, sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga YouGov.com, që intervistoi 42 000 persona në 41 vende, transmeton ATSH raportimet.

Zonja Obama ka kaluar edhe mikeshën e saj, Oprah Winfrey, e cila përfundoi e dyta.

Aktorja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Angelina Jolie, u rendit në vendin e tretë ndërsa mbretëresha Elizabeth II ishte e katërta në listë.

WASHINGTON, DC – DECEMBER 14: (L-R) Aloe Blacc, Darius Rucker, Malia Obama, Sasha Obama, U.S. President Barack Obama, First Lady Michelle Obama, and Rita Ora speak onstage at TNT Christmas in Washington 2014 at the National Building Museum on December 14, 2014 in Washington, DC. 25248_002_1286.JPG (Photo by Kevin Mazur/WireImage)

Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, u rendit e teta në klasifikim, ndërsa diva e popit Madonna u klasifikua e 11-ta, ndërsa zonja Melania u rendit e 19-ta nga 20 të tilla.

Ndërkohë, në listën e burrave më të admiruar, renditet miliarderi Bill Gates, i dyti ish-presidenti Barack Obama, ndërsa aktori ndërkombëtar Jackie Chan mbetet në vendin e tretë/DPA. / KultPlus.com

Bashkëshortët që kaluan 71 vjet bashkë vdiqën në të njëjtën ditë

Bashkëshortët Herbert dhe Marilyn Frances DeLaigle, të cilët së bashku i kaluan 71 vjet të martuar, vdiqën në të njëjtën ditë, në një hapësirë kohore prej 12 orësh.

Herbert dhe Marilyn u martuan gjatë të dyzetave dhe e kaluan shumicën e jetës së tyre me gjashtë fëmijët e tyre në Georgia të Shteteve të Bashkuara.

Siç tha familja e tyre, Herberti 94-vjeçar vdiq i pari rreth dy orë pas mesnate, ndërsa bashkëshortja e tij, 88-vjeçarja Marilyn vdiq 12 orë më vonë.

Image

Historia e tyre e dashurisë filloi në një kafene në Waynesboro të Virginias. Marilyn atëherë ishte 16 vjeç dhe punonte si kameriere, ndërsa Herbert ishte 22-vjeçar dhe nuk mund t’i largonte sytë prej saj.

“E shikoja vazhdimisht se si hynte dhe dilte prej kafenesë. Nuk i largoja dot sytë prej saj. M’u desh shumë kohë që ta mblidhja guximin dhe ta pyesja nëse donte të dilte ndonjëherë me mua”, tha Herbert vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të tyre të 70-të të martesës, shkruan KOHA Ditore.

Herën e parë, siç thanë ata, shkuan në kinema, ndërsa një vit më vonë u martuan.

Image

“Ai ishte gjithmonë i qetë, i durueshëm dhe plot me dashuri”, tha Marlyn.

Çifti ka jetuar gjashtë vjet në Gjermani derisa Herbert shërbente në ushtri atje, dhe pastaj shpesh i ndryshuan adresat gjatë shërbimit të tij 20-vjeçar, thuhet në njoftimin e vdekjes.

Marilyn ishte udhëheqëse e skautëve, pronare e një lulishteje dhe adhuruese e madhe e kafshëve. Fëmijët e saj e përshkruajnë atë si një nënë jashtëzakonisht të përkushtuar, e cila e dha maksimumin kur babai i tyre mungonte madje edhe për disa muaj.

Nga ana tjetër, Herbert i adhuronte peshkimin, zdrukthëtarinë dhe punën në fermë.

Ata lanë pas vetes gjashtë fëmijë, 16 nipër e mbesa, 25 stërnipër e stërmbesa dhe tre stër-stërnipër e stër-stërmbesa. / KultPlus.com

Qytetarët gjithë natën ruajnë Teatrin Kombëtar, nuk lejojnë të zbrazet

Që nga mesnata e deri në mëngjes, para Teatrit Kombëtar kanë qendruar me dhjetëra qytetarë, duke iu përgjigjur thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për të mos lejuar zbrasjen fshehurazi të tij.

Aleanca kishte marrë informacione se qeveria do të vepronte gjatë natës për të hequr nga Teatri çdo gjë që mundëson vënien në skenë të pjesëve të shfaqjeve. Boshatisja e ngadaltë, pa rënë në sy dhe pa bërë zhurmë e Teatrit Kombëtar, do ta bëntë më të thjeshtë prishjen e tij.

Por përfaqësues të Aleancës dhe të opozitës, si Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, e kanë prishur këtë plan, të paktën mbrëmë. Ata kanë qendruar gjatë gjithë natës te Teatri, ku qytetarë të tjerë janë solidarizuar me ta.
#MosGuxoMeTeatrin. /KultPlus.com

Gazeta franceze: Ahmet Zogu amniston 371 të dënuar politikë

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 29 shtatorit 1927, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me amnistinë e 371 dërnuarve politikë nga Ahmet Zogu, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Legata e Shqipërisë na komunikon shkresën në vijim :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ahmet Zogu, nënshkroi, kohët e fundit, një dekret që akordon faljen e 371 të dënuarve politikë, të cilët u janë nënshtruar ligjeve dhe statuteve të Republikës.

Në bazë të këtij dekreti, shumica e të dënuarve që kishin gjetur strehim jashtë vendit tani mund të kthehen lirisht në Shqipëri.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1927-ahmet-zogu-amniston-371-te-denuar-politike/.

EPIK: Kosova, vendi i fundit në Ballkan në sundimin e ligjit


Raporti i fundit për Kosovën, dhe vende të tjera të Ballkanit, nga ana e Komisionit Evropian u publikua me 29 maj 2019. Instituti EPIK, përmes një kumtese për media thonë se nga hulumtimi që bënë, ky raport ka dy qëllime; Një të vlerësoj gatishmërinë e vendit për t’u anëtarësuar në BE dhe dy, të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar.

“Si çdo vit, pas publikimit të raportit, shumica qeverisëse ka zgjedhur disa fjali pozitive për të thënë se raporti ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen në Kosovë, ndërsa opozita dhe ata që mendonin ndryshe kanë bërë të kundërtën – i kanë nënvizuar vlerësimet negative që raporti ka bërë për vendin.

Në këtë formë, shoqëria e Kosovës humbi mundësinë që ti qaset diskutimit empirik dhe kokëftoftë rreth një qëllimi i cili na bashkon të gjithëve – rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatën e EPIK.

Pikërisht në ketë kontekst, thuhet në komunikatë, kanë zgjedhur që të ndërmarrim hulumtimin e radhës për të dhënë përgjigje në disa pyetjet elementare sa i përket Raportit për Kosovën 2019.

Hulumtim i EPIK:

A mund të gjejmë një mënyre që të matim progresin që është bërë brenda një viti, në procesin integrues të Kosovës?

Ku është bërë progres më i madh, e ku ka pasur ngecje më të mëdha?

A mund të kuantifikojm gjeturat e Raportit?

A mund të krahasojmë Kosovën me vende të tjera të Ballkanit?

A mund të kuptojmë të gjitha detajet teknike të legjislacionit të BE-së, dhe ti prezantojmë ato në një formë sa më të thjeshtë dhe vizuale?

Pas një hulumtimi disa javorë, kemi arritur në nëntë (9) përfundime kyçe:

Në vitin 2019, Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE”, me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht, Kosova ishte në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë “frontrunners” – me gjithsej 3 pikë.

Shqipëria me 2.4 pikë gjendet në mesin e dy grupeve me 2.4 pikë. Rrjedhimisht, ky rezultat e vendos Shqipërinë në kategorinë e njëjtë me vendet e fundit në Ballkan – Kosovën dhe Bosnjën.

Sa i përket sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23: gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria, Kosova është vend i fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.

Po ashtu, nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi.

Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit.

Nga viti 2016, Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan – cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese.

Sa i përket progresit në baza vjetore, krahasuar me vitin 2018 Kosova ka shënuar progres të kufizuar në kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 25: arsimi dhe kultura, kapitulli 28: mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit dhe kapitullin 32: kontrolli financiar.

Ndërsa, fushat brenda cilës Kosova ka shënuar regres krahasuar me vitin 2018, janë kapitulli 11: bujqësia dhe zhvillimi rural, kapitulli 17: politikat ekonomike dhe monetare, kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi.

Bashkangjitur gjeni studimin e fundit të Institutit EPIK për Raportin e Vendit 2019. / KultPlus.com

Pamje të Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Deçanit dhe Gjakovës së vitit 1909

Udhëpërshkruesi francez, Gabriel Louis-Jaray (1880-1964), udhëtoi nëpër Shqipëri në gusht të vitit 1909 dhe në gusht të vitit 1919.

Gjatë vizitës së parë u nis nga Shkupi, qytet i madh me një popullsi në atë kohë me shumicë shqiptare, për në Prishtinë dhe Mitrovicë në Kosovë. Nga Mitrovica vazhdoi me karrocë dhe pastaj me kuaj për në Pejë, Prizren dhe Kukës, ku kaloi Urën e famshme të Vezirit, dhe më tej nëpër krahinën e Lumës dhe të Mirditës për në Shkodër dhe Tivar. Nga Tivari vazhdoi me anije për në Durrës dhe Vlorë, para se të kthehej në Shkup.

Ai ishte edhe i pranishëm gjatë Kongresit të Elbasanit në fillim të shtatorit 1909, i cili u mbajt për të protestuar kundër qëndrimit të xhonturqve për arsimim në gjuhën shqipe.

Përshkrimet e tij u botuan në dy vëllime: “L’Albanie inconnue” (Shqipëria e panjohur), Paris 1913, dhe “Au jeune royaume d’Albanie: ce qu’il a été, ce qu’il est” (Në mbretërinë e re shqiptare: Ç’ishte, ç’është), Paris 1914, si dhe në një sërë artikujsh që dolën në revistat “Revue des deux mondes”, “Revue de Paris”, “Correspondant”, “Revue politique et parlementaire” dhe “Questions diplomatiques”.

Këta artikuj u ribotuan gjatë Konferencës së Paqes të Parisit në vëllimin e shkurtër “Les Albanais” (Shqiptarët), Paris 1920, ku autori u bëri të qartë lexuesve që Shqipëria e pavarur ishte një realitet dhe se një kthim prapa nuk kishte kuptim.

Gabriel Louis-Jaray, i cili punonte revizor në Këshillin e Shtetit në Paris, botoi shumë libra të tjerë në periudhën 1904-1954, mes tyre edhe vepra për praninë franceze në Amerikën e Veriut.

Ky koleksion fotografish, të marra gjate ekspeditës së gushtit 1909, është nga vëllimi i sipërpërmendur “L’Albanie inconnue”. Në këto foto që studiuesi Robert Elsie i bëri të qasshme për publikun, bën përshtypje prania e disa grave serbe qe jetonin në mes të Prishtinës më 1909, si dhe kushtet e prapambetura te infrastrukturës neë Prizren. Po ashtu, bie në sy kleri katolik shqiptar në Gjakove dhe disa shqiptarë që po grinden në një urë në Mitrovicë. /Telegrafi/

Qeshi me zë në qendër të Prishtinës, polici e dënoi me 100 euro

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur, Aida Gashit qytetare e cila po qëndronte ulur në një pushimore në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet.

Gashi, e cila pas orës 24:00 po priste një taksi dhe po bisedonte me shoqe dhe qeshte me zë, është dënuar me 100 euro gjobë nga Fatmir Miftari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Të gjithë situatën e ka treguar edhe vet Aida e cila ka publikuar gjobën e vënë dhe emrin e policit në fjalë. Madje, ajo ka rrëfyer edhe bisedën me policin Fatmir Miftari, i cili e gjobiti atë për shkak të të qeshurave të saj.

“Çka po kesh me zë?”, ishin fjalët e Miftarit (pjesëtar i Policisë së Kosovës). E habitur me pyetjen e policit, Aida iu është drejtuar atij: A seriozisht po më pyet?

Fatmiri: Je tu keshë shumë, mos kesh!

Aida: Me çka po e matë që po keshi shumë?

Fatmiri: Me veshtë e mi!.

Kaq ishte biseda mes Aidës dhe Fatmirit i cili pa hezituar edhe ia ka vënë gjobën prej 100 eurove vetëm pse ajo qeshi me zë.

E Aida, për gjithë këtë situatë edhe ka ironizuar me vendimin e policit në fjalë.

“Dënim me 100 euro gjobë, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një femijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka vazhduar se “1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shumë se që është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më denu mu të pacipën që po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një të mitur, tjetri e mbyt gruan me femijë, krejt këto pasojë e neglizhencës së policisë sepse ma së lehti e ka me dalë në qytet e me më denu mu me 100 euro gjobë se qesha me za!”, ka shkruar ajo.

Edukimi i shekullit 21 nuk është i orientuar vetëm në karrierë, por edhe në zhvillim të vetë gjatë gjithë jetës

Shkruan: Phd c. Mimoza Kamberi

Njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilën po përballen të rinjtë në ditët e sotme, padyshim që është shëndeti mendor dhe mirëqenia e tyre.

Edukimi i shekullit 21 mund ti ofrojë studentëve kompetencat e nevojshme për të sotmen dhe të ardhmen, siç janë komunikimi, të menduarit kritik dhe inteligjenca emocionale ku studenti jo vetëm që do të tejkalojnë të qenurit i përgatitur vetëm për vend të punës, por edhe të jetë në gjendje ti tejkalojë më lehtë shumë situata të vështira me të cilat ai do të përballet gjatë jetës së tij. Pra Edukimi i shekullit 21 nuk është i orientuar vetëm në karrierë, por edhe në zhvillim të vetës gjatë gjithë jetës.

Po përse edukimi është kaq i rëndësishëm pikërisht në shekullin 21?

Përderisa bota e sotme po karakterizohet me ekonomi globale, shoqëri komplekse në rritje, kjo e bën të domosdoshme dhe të nevojshme që studentët të jenë të përgatitur për botën e shekullit 21, studentëve i nevojitet të mendojnë në mënyrë kritike, të komunikojnë në mënyrë efektive, të bashkëpunojnë me kolegë të ndryshëm, të zgjedhin probleme komplekse, të adaptojnë mendësinë globale dhe të jenë të angazhuar me informacione dhe teknologji komunikuese.

Po sa me të vërtetë edukimi i sotëm po i përgatitë studentët për tu pajisur me “mjetet” e shekullit 21?

Të gjithë jemi të njohur me edukimin e shekullit 20, ku komplianca dhe konformiteti, kanë qenë dy elemente të cilat është dashur ti posedosh për të qenë në gjendje me ja dalur mirë qoftë në aspektin profesional apo edhe ne ambientin e punës dhe për ta mbajtur punën ndoshta me dekada. Sistem ky që rezultonte në një popullatë me shkathtësi të ngjashme. Por në ditët e sotme të shekullit 21, inovacioni dhe kreativiteti janë të nevojshme në shumë fusha për të qenë në gjendje për ti mbijetuar sfidave të shekullit 21. Kjo do të thotë që një mësimdhënës i cili në ditët e sotme kah para vetës një studentë i cili mund edhe të mos jetë i motivuar të dëgjojë ligjëratën e profesorit sepse të njëjtat informacione mund ti merr shumë shpejtë duke shikuar një video në Youtube? Kjo e vë në dukje edhe më shumë rolin e mësimdhënësit në procesin e mësimdhënies-mësimnxënies dhe shpeshherë edhe në riorientimin e edukimit, duke pasur parasysh se mësimdhënësit gjithnjë në mënyrë të pashmangshme janë pjesë e reformave në arsim. Dhe asnjë nivel i sistemit të edukimit nuk mund të ngritët shumë shpejtë nëse prapa saj nuk qëndrojnë mësimdhënësit e përgatitur për një ngritje të tillë.

Mësimdhënësit e shekullit 21, të përfshirë në procesin mësimdhënës “knowing-learning-teaching” nuk janë vetëm transmetues të diturisë, ata janë gjithashtu udhëzues të mësimit, këshillues, model, punëtor i dijës, një mësimtar për gjatë gjithë jetës, pra mësimdhënësi dhe studenti janë partner të një raporti të vazhdueshëm kërkues dhe eksplorues.

Çdo qenie njerëzore është unike ka ndonjë dhunti, talent, shkathtësi apo aftësi speciale. Secili prej nesh ka identitetin e tij dhe edukimi do të duhej të na ndihmonte të realizojmë potencialet tona të vërteta. Edukimi do të duhej të na ekspozonte para mendimeve, pikëpamjeve, qëndrimeve të shumëllojshme të njerëzve të tjerë. Edukimi do të duhej të ofronte qartësi rreth asaj se çfarë je tani dhe çfarë dëshiron të bëhesh, dhe eventualisht të gjesh edhe qëllimin e jetës tënde.

Duke marrë në konsideratë se projektet me bazë mësimin dhe puna në grup janë standarde në edukimin sot, të sigurohemi se në procesin mësimdhënies i kemi përfshirë së paku pesë elementet bazë të listuara më poshtë:

– Krijoni situata të improvizuara në të cilat studentët do të jenë pjesëmarrës të takimeve strategjike dhe kontribues në vendimmarrje

– Krijoni ambiente të adaptuara mësimi të përshtatshme për lloje të ndryshme bashkëpunimi dhe ekipe punuese

– Inkurajoni studentët të bëjnë punë vullnetare në komunitet apo të bëhen udhëheqës të programeve të ndryshme në komunitet

– Gjeni mënyra që studentët të jenë të lidhur në projekte të ndryshme studentore me bashkëmoshatarë të tyre nga e gjithë bota

– Rishqyrtoni përdorimin e teknologjisë brenda sallës së mësimit dhe përherë mendoni se si përdorimi i saj mund të bëhet më efektive.

Dhe si përfundim pavarësisht sfidave për tu përshtatur me ndryshime, reforma në edukim, rëndësinë e të qenurit i edukuar dhe në hap me zhvillimet globale e fuqizojnë edhe statistikat që vazhdimisht tregojnë se “të diplomuarit në arsim të lartë kanë më shumë mundësi për tu punësuar në krahasim me ata të cilët nuk vazhdojnë shkollimin pas shkollës së mesme. Kjo pastaj reflekton edhe në anën financiare ku statistikat gjithashtu tregojnë se rritja e të ardhurave do të jetë më e lartë sa më e lartë të jetë edhe ngritja akademike e pasuar nga niveli master dhe doktoraturë”, pra investimi më i mirë që ne mund të bëjmë për vetën tonë është edukimi, investim ky që padyshim do të rikthehet shumëfishë si në aspekt individual ashtu edhe shoqëror dhe global.Ligjëruese në Kolegjin AAB/ KultPlus.com

Federata Botërore e Xhudos kërkon vend adekuat për statujën e Majlinda Kelmendit

Sarandë B. Rugova

Majlinda Kelmendi nga Kosova është xhudistja më e mirë në botë e cila për momentin është ambasadorja kryesore e vendit, përmes së cilës shumë vende të botës janë duke e njohur Kosovën, shkruan KultPlus.

Trajneri i saj Driton Toni Kuka sapo e ka bërë të ditur në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos përkatësisht Presidenti Vizer ka vendosur që të punojë statujën e bronztë të xhudistes sonë, Majlinda Kelmendi.

Ky është postimi i tij i plotë:

‘Federata Botërore e Xhudos gjegjësisht Presidenti Vizer ka vendosur që për Majlindën të angazhoj artistët më të njohur në botë, për të punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!
Çdo gjë do kryhet sa i përket anës financiare nga Federata Botërore,unë po kërkoj mendime të hapura ku të vendoset Statuja, ndonjë vend meritor në vendin tonë.Shpresoj që për Majlindën të ndahet një vend meritor dhe i duhur për kryeveprën që do vij nga New York së shpejti …’

Majlinda Kelmendi është shpallur dy herë kampione e botës me dy tituj evropian. / KultPlus.com

Fokusi i PriFest`11, kinematografia greke

Pas shumë vitesh bashkëpunim të shkëlqyer me shumë regjisorë dhe filmbërës grekë, këtë vit PriFest vendosi të sjellë kinemanë greke në fokus.

Një bashkëpunim i shkëlqyer me Zyrën Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, rezultoi me një program shumë të bukur që ne do të shfaqim këtë vit në PriFest 2019: programi Focus Greece.

Nata e hapjes së Focus Greece është 18 korrik. Kjo do të shënohet me një tubim të vogël në tingujt e bukur të muzikës greke në tapetin e kuq para Teatrit Kombëtar në Prishtinë para shfaqjes së filmit “Holy Boom” për të cilin ne kemi kënaqësinë të mirëpresim regjisoren Maria Lafi dhe ekipin e saj. Ambasadorja Chryssoula Aliferi do t’i drejtohet audiencës së bashku me Drejtorin e Festivalit. Filmi “Holy Boom” do të hap Focus Greece, për t`i lënë vazhduar me filmin “The Last Note” nga regjisori i shquar Pantelis Voulgaris dhe tre filma të tjerë, një prej të cilëve është një bashkëprodhim midis Spanjës dhe Greqisë.

Ambasadorja Greke Chryssoula Aliferi shprehet ekënaqur për këtë bashkëpunim të frytshëm me PriFest. “Kinemaja reflekton shoqërinë dhe njerëzit, dëshirat e njerëzve, frikën e njerëzve, shpresën e njerëzve; është e mahnitshme të komunikosh dhe të ndashë gjithë këtë përmes syrit të Kamerës. Ne jemi me fat që po na ipet ky shans në një qytet kaq të gjallë, Prishtina, në zonën tonë të përbashkët: Ballkanin e bukur dhe tw larmishëm. Focus Greece përbëhet nga një larmi interesante produksionesh. Filmi i parë, “Holy Boom”, i Maria Lafi, një bashkëprodhim i Greqisë dhe fqinjit tonë të përbashkët, Shqipërisë, është një shembull tregues i bashkëpunimit ndërkufitar dhe tej kufitar që lidh artin dhe kulturën, por mbi të gjitha njerëzit dhe gjendjen e tyre njerëzore”.

Vjosa Berisha, Drejtor I Festivalit është shumë e lumtur që ka arritur këtë bashkëpunim me Misionin Grek: “-Duke pasur Ballkanin si një nga kategoritë kryesore të festivalit tonë, ne kurrë nuk mund të injorojmë filmat e tillë të mëdhenj që janë bërë nga regjisorët grekë. Kemi pasur filma grekë nga edicioni i parë në vitin 2009, kur shfaqëm “Correction” nga regjisori Thanos Anastopulos, dhe pothuajse çdo vit Greqia ishte e pranishme me filma, mysafirë ose ekspertë. Jam shumë e lumtur që këtë vit do ta shënojmë edhe më fuqishëm këtë bashkëpunim duke treguar një numër më të madh filmash dhe madje edhe me praninë e mysafirëve që do të paraqesin filma gjatë festivalit. Ne u jemi shumë mirënjohës Zyrës Ndërlidhëse Greke për mbështetjen në këtë bashkëpunim”.

Të renditura më poshtë janë titujt e filmave që do të shfaqen në kuadër të Focus Greece këtë vit:

HOLY BOOM / regjisore: Maria Lafi / Greqi 2018 / Premierë / 99 min

THE LAST NOTE / regjisor: Pantelis Voulgaris / Greqi 2017 / Premierë 117 min

AMERIKA SQUARE / regjisor: Yannis Sakaridis / Greqi 2017 / Premierë 86 min

THIRD KIND / regjisor: Yorgos Zois / Greece 2018 / Premiere / 32 min

GREEK ROCK REVOLUTION / regjisor: Miguel Ángel Cano Santizo / Spanjë, Greqi 2019 / International Premiere 95 min

Festivali Fillon me 16 korrik me ceremoninë e hapjes dhe do të vazhdoj gjatë gjithë javës deri me 21 korrik, nata mbyllëse ceremonia e ndarjes së çmimeve. Vendet e shfaqjes së filmave janë Teatri Kombëtar, Kino Abc, Kino Armata dhe Kinemaja e Hapur në Sheshi Zahir Pajaziti. / KultPlus.com

At Zef Pllumi: E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit (VIDEO)

At Zef Pllumi është nga nga figurat me të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhenë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kfjelltë, shkruan KultPlus.

Nga një eksert i intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në ftytyrën e tij.

 “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.

Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com